MOTRA E SHTËPISË SË SHENJTË

Shtëpia e gjyshit të Hatixhes, Esed ibn Abdul Uza, ndodhej afërsisht 3 metra në anën perëndimore të Qabesë, Shtëpisë së Shenjtë. Kur dielli ngrihej në agim, shtëpia e tij ishte nën hijen e Shtëpisë së Shenjtë dhe kur dielli binte në perëndim, Shtëpia e Shenjtë ishte nën hijen e shtëpisë së tij. Për shkak të kësaj afërsie, kjo shtëpi u quajt si “Motra e Shtëpisë së Shenjtë”.

Në fakt një degë e një peme nga kopshti i kësaj shtëpie shtrihej drejt Shtëpisë së Shenjtë dhe pelegrinët pengoheshin prej saj gjatë tavafit. Omeri, më vonë, e preu pemën dhe dha si kompensim një lopë. Ai gjithashtu gjeti një zgjidhje përfundimtare për problemin duke paguar për truallin dhe duke e përfshirë atë në Haram, Zonën e Shenjtë.

Përpara martesës së saj me Profetin Muhamed paqja qoftë mbi Të, Hatixhja ishte vendosur në lagjen Azhjad, një vend i njohur gjithashtu si “Mali Kështjellë”. Më vonë, ajo do t’ia jepte këtë shtëpi si dhuratë vajzës së saj, Zejnebes, kur ajo u martua me Ebu Asin. Ndërsa Umame, e cila do të bëhej bashkëshortja e Aliut pas vdekjes së Fatimes, do të lindte pikërisht në këtë shtëpi. Pas emigrimit të Ebu Asit në Medinë, kjo shtëpi do të konfiskohej nga kushërinjtë e saj, dhe ashtu si edhe të gjitha pronat e Muhaxhirëve që mbetën në duart e mekasve, trashëgimisë së saj do t’i vinte fundi.

Pas martesës së saj me Profetin, Hatixhja u zhvendos në një shtëpi të cilën ia blenë Hakim ibn Hizamit, shtëpi kjo ku do të lindnin dhe fëmijët e tyre. Pas emigrimit, kjo shtëpi do të shitej nga djali tjetër i Ebu Talibit, Akili, dhe kështu, shtëpia që dëshmoi zbritjen e shumë ajeteve kuranore dhe në të cilën u thirrën në Islam njerëzit për 13 vjet me radhë, ra në duart e të tjerëve. Në të vërtetë, para emigrimit, kjo shtëpi ishte shndërruar në vendin ku të gjithë njerëzit, jo vetëm myslimanët, vinin shpesh për vizitë. Për shembull, disa nga emrat e rëndësishëm të Mekës si, Ebu Xhehli, Ebu Sufjani dhe Aknas ibn Shariku, vinin deri në afërsi të shtëpisë për të dëgjuar Kuran.