Legjenda e kalit pesëthundrak

Një tjetër pikë ku mbështeten evolucionistët duke e marrë për provë të brezave të ndërmjetëm, është edhe historia ose, më saktë, përralla e kalit me pesë thonj (thundra). Sipas kësaj historie, kali i parë kishte pesë thonj, kurse vetë kishte shtatin e një dhelpre. Pastaj, duke kaluar nëpër fazat e quajtura Eohippus, Mesohippus, Merychippus dhe Pliohippus, me kohë, iu pakësuan edhe thonjtë. Po qe se këta fosile janë të vërtetë, me siguri që janë qenie që kanë jetuar si një lloj i veçantë dhe pastaj janë zhdukur. Lidhja e këtyre me kalin është e pamundur. Po qe se ngulim këmbë për një lidhje të tillë, na dalin para dy pyetje të rëndësishme: E para, pse thonjtë e kalit ranë nga pesë në një? E dyta, ndërsa e kishte shtatin sa të një dhelpre, pse iu rrit dhe mori përmasat e sotme? Shkenca nuk mund t’u përgjigjet asnjërës prej këtyre pyetjeve. Edhe sot ka kafshë me një, me dy, me tre dhe me katër thonj. Ka edhe kafshë si dhelpra që vazhdojnë të jetojnë si ajo në të njëjtat kushte jetese. Ka edhe kafshë me pesë thonj dhe ende jetojnë si të tillë. Pse kali i hodhi katër thonjtë dhe na doli para me një thua (si njëthundrak), me shtatin të rritur? Po u tha se iu zgjatën këmbët nga nevoja për të vrapuar, atëherë del pyetja: Pse qeni i gjahut nuk u rrit sa kali?

Edhe qeni i gjahut vrapon të paktën sa kali, është më i përshtatshëm për t’u rritur si shtat dhe është më i lëvizshëm se ai. Ndërsa kali i hedh thonjtë dhe rritet, pse qeni i gjahut të mbetet sa ka qenë?

Ekzistenca e brezave (llojeve) të ndërmjetëm duhet t’u përgjigjet edhe kushteve të gjenetikës, sepse, duke u nisur nga shembulli i kalit, që dhamë, themi se nuk mund të mendohet që një kafshë që ka jetuar dikur si dhelpër, të kthehet menjëherë, me një mutacion, në kalë! Kjo është sikur një njeri të ngjitej (vetë) në çast nga lartësia 0 metra në lartësinë 10000 metra! Prandaj, jo një mutacion i kësaj përmase, por, ndonjëherë, edhe një mutacion i vetëm mund ta asgjësojë një gjallesë. Për rrjedhojë, është e domosdoshme ekzistenca e fazave të ndërmjetme që e ndjekin rregullisht njëra-tjetrën. Me të vërtetë, edhe kërkimet këtë linjë ndjekin. Kërkuan dhe gjetën një sërë fosilesh të reja e të vjetra, por nuk gjetën dot asnjë fosil që të tregonte kalimin gradual nga pesëthundrakët, në katërthundrakë, në trethundrakë, në dythundrakë, në njëthundrakë. Veçanërisht u përqendruan në fosilet që do ta lidhnin njeriun me majmunin, bënë fjalë për fosile që i mbiquajtën Australopithecus, Homo erectus, Neandertal, njeriu i Javas, njeriu i Pekinit, dhe thanë se këta janë gjallesa që përbëjnë fazën kalimtare mes majmunit dhe njeriut.

Po qe se dora e një fosili është gjetur këtu, kurse koka pesëdhjetë metra më tej dhe disa eshtra disa metra më thellë, nuk është e sigurt që këto të gjitha t’i përkasin një individi. Ndoshta një eshtër është e një kafshe që ka jetuar në periudha shumë më të hershme se një kafshë nga e cila ka mbetur një eshtër tjetër. Për rrjedhojë, është e pamundur të formohet një opinion i prerë në këtë drejtim! Evolucionistët shkuan aq larg në kërkimin e një brezi të ndërmjetëm mes majmunit dhe njeriut, saqë në vitet 1912-1914 folën për Njeriun e Piltdounit si ati i vërtetë i njeriut. Fosili i gjetur përbëhej nga kafka e një njeriu 500-vjeçar me nofull orangutangu dhe dhëmbë njeriu. Por në vitet 1953-1954 doli në shesh se ky ishte një fosil i montuar dhe i treguar me rrugë kimike si shumë i vjetër.

Këto lloj sajimesh na e vështirësojnë besimin në studimin e fosileve dhe e forcojnë tezën se evolucioni është, më shumë se sa një çështje shkencore, një bindje, një çështje ideologjike!

Një dimension tjetër i çështjes është ky: Sipas përcaktimit të paleontologëve, më i vjetri i fosileve për të cilët bëhet fjalë, i përket një kohe 1,5 milion vjet më parë. Mirëpo, në Kenia, në breg të liqenit Rudolf, u gjet një fosil njeriu që ka jetuar 2,8 milion vjet më parë. Në këtë mes, ka edhe kundërshtime në lidhje me metodën e përcaktimit të moshës së këtij fosili. E rëndësishme për ne është e vërteta se njeriu ka ekzistuar mbi tokë para majmunit ose, të paktën, në një kohë me të!

Shënimet

  1. 1.Mashtrimet e bëra në emër të evolucionit nuk mbetën të kufizuara vetëm me këtë shembull. Evolucionistët dolën me pretendimin se peshku Coelacanth (Rhipitisian Crossopterigian) është një lloj ndërmjetës mes qenieve detare dhe tokësore, i zhdukur rreth 70 milion vjet më parë. Mirëpo në vitin 1939 ky lloj peshku u kap në ujërat pranë Madagaskarit dhe, pas asaj dite e gjer më sot, janë kapur edhe rreth pesëdhjetë peshq të tjerë të tillë. Veç kësaj, tek ky peshk nuk ndodhen ato cilësi (si hapësirat e veshit të brendshëm, eshtra e kurrizit në formë koke dhe qeska e notimit) që i shtynin evolucionistët ta paraqisnin këtë peshk si një lloj ndërmjetës. Si përfundim, evolucionisti A.H. Clark ka mbetur i detyruar të pohojë se nuk kanë hasur në asnjë fosili apo grupe gjallesash që mund të jenë lloje të ndërmjetme, për rrjedhojë kurrë nuk ka ekzistuar ndonjë lloj i ndërmjetëm! Edhe Richard B. Goldschmidt, me pohimin se nuk ekzistojnë formante të ndërmjetme, mbron tezën se boshllëqet mes llojeve mbushen me kapërcime të menjëhershme, gjë që nuk mund të shpjegohet me asnjë lloj metode shkencore, veçse duke pranuar krijimin hyjnor. (The Fountain, Nr. 24, f. 14;)