PRETENDIMET E VETËKRIJIMIT

Në themel të evolucionit qëndron pretendimi se qenia ekziston vetvetiu dhe e varur nga rastësitë.

Ati i evolucionizmit para Darvinit, Lamarku, e konsideronte evolucionin si një mundësi të dhënë nga Zoti materies dhe natyrës. Ai ishte evolucionist që pranonte gjenezën hyjnore të materies. Në kundërshtim me të, Darvini e mbështet ekzistencën e materies në vetë aftësinë e saj për të ekzistuar dhe zhvilluar. Ata që erdhën pas Darvinit, ranë plotësisht në materializëm dhe mohim dhe zgjodhën rrugën për ta përdorur evolucionin si mbështetje për mohimin e Zotit.

Ata që i dalin sot për zot darvinizmit, janë bota materialiste që mbahen pas tij në emër të mohimit. Këta besojnë në eternitetin e materies, pra, në pafillimshmërinë dhe pafundshmërinë e materies.

Duhet theksuar qysh në fillim që evolucionistët, dashje pa dashje, përfytyrojnë një hapësirë të pafundme, sepse t’i japësh eternitet materies dhe ta vendosësh evolucionin, brenda këtij eterniteti, në një kohë me fillim të papërcaktuar, do të thotë t’i japësh hapësirës pafundësi meqë koha dhe hapësira nuk mund të mendohen veç e veç. Koha ka një ekzistencë nominale (konvencionale); është hapësira që e bën atë një dimension të materies dhe dukurive. Nuk mund t’i jepet ekzistencë kohës në mungesë të hapësirës. Ndërkaq, hapësira përbëhet prej botës së atomeve, botës së lëndës. Për rrjedhojë, po qe se vërtetohet se lënda nuk është eternale (e pafillim dhe e pafund), do të dalë në shesh se edhe hapësira dhe koha nuk janë eternalë dhe do të kuptohet vetvetiu se një gjë që s’është eternale nuk mund të jetë krijuese dhe e vetëkrijuar.

Ligji II i termodinamikës i njohur, tashmë, nga shumica, e hedh poshtë eternitetin e lëndës dhe materies. Ligji I i termodinamikës është ligji i ruajtjes së energjisë, kurse Ligji II është ligji i njohur Carnot. Sipas tij, nxehtësia e qendrave të nxehtësisë, duke u përhapur e përhapur pa pushim, një ditë do të konsumohet dhe niveli i energjisë në gjithësi do të barazohet, do të bëhet i njëllojtë kudo. Edhe nëse kjo nuk do të thotë asgjësim i energjisë, do të thotë asgjësim i diferencës plus-minus dhe vdekje. Carnot e parashtroi këtë ligj duke u mbështetur në vëzhgimet në shtëpinë e vet mbi shpërndarjen e energjisë nga soba dhe uji i zjerë. Pastaj vëzhgimet e tij u zhvilluan më tej nga shkencëtarët, u përgjithësuan në një ligj i cili mësohet sot nëpër shkolla.

Sot është e pamundur të thuhet ndonjë gjë e prerë mbi ndikimin e përgjithshëm të termodinamikës mbi gjithësinë. Megjithëkëtë, mund të thuhet se gjithësia s’është një e tërë, por e përbërë prej pjesësh (copash), ndërkaq që konkluzioni mbi një copë është i vlefshëm edhe mbi të tërën. Vëzhgimet e kësaj fushe tregojnë se po të mos shpërthejë më parë një katastrofë e përgjithshme për ndonjë shkak tjetër, katastrofa termodinamike është absolutisht e pashmangshme, domethënë, energjia në gjithësi do të konsumohet dhe sistemi do të shembet. Këtu mund të pyetet mbi marrëdhënien e katastrofës termodinamike me joeternitetin e lëndës dhe materies ose ç’dëm do të pësojnë koha dhe hapësira që pretendohet se janë eternale.

Le ta bëjmë të qartë në fillim se ata që i japin materies eternitet, duket sikur nuk e dinë se ç’do të thotë eternitet. Sikur të gjitha kokrrat e rërës që ekzistojnë mbi tokë t’i bëni zero dhe në krye të vargut me zero që do të formohet, të vendosni një njësh, shifra e frikshme që ka për të dalë, në raport me eternitetin do të ketë vlerën zero. Po si kjo, përballë eternitetit, numri më i madh që do të mund të mendonte, konceptonte dhe prodhonte mendja e njeriut, do të ishte përsëri zero! Sepse eternal do të thotë i pafund.

Gjëja e pafund:

Nuk mund të jetë e përbërë, nuk mund të hyjë në sintezë. Ajo është e thjeshtë dhe e pandashme (e pacopëtueshme).

Nuk ndryshon kurrë dhe mbi të nuk mund të veprohet.

Ndodhet e pavarur nga koha dhe hapësira, pra, jashtë lëvizjes së varur nga koha dhe hapësira.

Është absolutisht e pafundme sepse është absolutisht jashtë kohës.

Nga ky këndvështrim, meqë pafillim dhe pafundësi do të thotë pakohësi, pafillimi dhe pafundësia takohen në një pikë. Asnjë prej këtyre veçorive nuk ndodhen te materia. Materia është e ndryshueshme; siç e ka treguar edhe ligji i termodinamikës, materia nuk mund të mendohet veç energjisë e cila një ditë ka për ta humbur krejtësisht ndikimin e vet. Veçanërisht, materia është e hapur ndaj çdo lloj sinteze. Ndërkaq, materia është e varur nga koha dhe hapësira. Apologjetistët islamë thonë, duke e pasur fjalën për Zotin, “po qe se një gjë është në mënyrë evidente e pafillimtë, asgjësimi i saj është i pamundur”. Me këtë, ata tregojnë se materia kurrë nuk mund të bëhet burim ekzistence dhe pohojnë veçoritë individuale të Individualitetit te i cili mund të mbështetet materia.

Hapësira përbëhet, në përmasa të vogla, prej atomeve, kurse në përmasa të mëdha, prej diejve. Në diellin tonë që është vetëm njëri prej këtyre diejve, shndërrohen 564 ton hidrogjen në helium në sekondë dhe, si rezultat i këtij shndërrimi, përreth përhapet një energji prej miliona kalorish në formë nxehtësie dhe drite. Një pjesë e kësaj energjie që shpërndahet në tërë sistemin diellor, vjen edhe në globin tonë tokësor. Gjithësia përbëhet prej diejsh të tillë. Dielli ynë një ditë do të arrijë pikën e konsumimit dhe atëherë do të ndodhë një katastrofë planetare.

Meqë gjithësia përbëhet prej këtyre diejve që janë si gurë themeli për të, nuk mund të mendohet që këta diej, energjia e të cilëve shkon drejt konsumimit, të jenë eternalë, sepse, siç u tha edhe më lart, gjëja eternale (e pafundme) nuk mund të jetë e përbërë, nuk varet nga koha dhe hapësira, nuk konsumohet, nuk pëson as ndryshimin më të vogël. Kurse ne shohim se materia dhe bota materiale janë në ndryshim të vazhdueshëm, se kalojnë nga një gjendje në një tjetër, shpërbëhen (analizohen) dhe përbëhen (sintetizohen) ose bëhen orbitë. Në këto kushte, materia ka edhe fillim, edhe fund dhe është e kufizuar nga koha dhe hapësira. Çdo pretendim jashtë kësaj është i detyruar të mbetet një hipotezë pa asnjë pjesë të vërtete. Vetë Darvini, duke e shprehur dobësinë e vet në lidhje me këtë çështje, thotë: “Në fakt, meqë nuk u ndodha në periudhën kur kanë jetuar këto qenie, jam i detyruar ta përforcoj çështjen me një sërë hipotezash!”

Sado që të mbështetet në një sërë dijesh paraprake, në themel, hipoteza përbëhet prej pikëpamjesh dhe pretendimesh të paprovuara. Po qe se Darvini ka hedhur në shesh një hipotezë, edhe unë hedh në shesh hipotezën time dhe them se, me një lëvizje të tokës, njeriu u hodh 10 mijë metra përpjetë dhe s’i ndodhi asgjë. Edhe kjo është një hipotezë. Ndërkaq, po qe se ju më dilni kundër duke thënë se njeriu i ngjitur në lartësinë 10 mijë metra vdes në çast nga mungesa e oksigjenit, unë e mbështes këtë hipotezë me një hipotezë tjetër dhe them se “ju flisni sipas kushteve të sotme, kurse kushtet tokësore në një periudhë tjetër kanë qenë të ndryshme”. Po qe se hipoteza ime nuk është shkencore por vetëm një pretendim, edhe pretendimet e Darvinit dhe darvinistëve nuk kanë ndonjë ndryshim! Pretendimi evolucionist s’është gjë tjetër veçse një hipotezë që e përgënjeshtrojnë të gjitha ligjet vepruese në gjithësi e në jetën e gjallë, që i mbush boshllëqet që i shfaqen, me hipoteza të tjera.

A ËSHTË E MUNDUR RASTËSIA DHE A MUND TË SHPJEGOHET EKZISTENCA E SAJ?

Ata që përpiqen ta mbajnë teorinë e evolucionit vazhdimisht në rend të ditës sikur të ishte një e vërtetë shkencore, pretendojnë, duke u mbështetur te provat dhe eksperimentet e Milerit, se, në një periudhë të caktuar të tokës, në fund të detit janë krijuar grumbuj proteinash, se, si rezultat i reaksioneve kimike, janë formuar aminoacide, se, të gjitha këto, kanë ndodhur vetvetiu, por nuk e marrin parasysh pohimin e Oparinit, i cili, pas 20 vjet përpjekjesh të vazhdueshme në laboratorët mundësisht më të përsosura për të sintetizuar një qelizë të gjallë, tha: “Është e pamundur që, edhe në laboratorët më të përsosura, të bëhet një qelizë e gjallë vetëm me anë të elementeve kimike!” Mbetet të themi se llogaritet që vetëm për formimin rastësor të një aminoacidi ose molekule proteinike, duhet një kohë që e kapërcen disa herë moshën e tokës. Atëherë, nëse mosha e sotme e tokës nuk mjaftoka për formimin rastësor të një aminoacidi ose molekule proteinike, si mund të jetë e mjaftueshme për formimin e një qelize të gjallë?

Në fakt, jeta mbi tokë varet nga shumë ekuilibra dhe kushte. Më së pari, globi tokësor mbi të cilin jetojmë, duhet t’i përmbajë të gjitha kushtet në të cilat ndodhet. Ne jetojmë mbi një trup qiellor që ndodhet 149.5 milion km. larg nga dielli ynë. Vetëm kjo largësi, madje, kurrsesi nuk mund t’u dedikohet rastësive. Toka është e prirur 23.5 gradë ndaj vertikales. Edhe kjo prirje që është shkaku më i rëndësishëm në formimin e stinëve, nuk mund t’u dedikohet rastësive. Gjithashtu, fakti që 21% të atmosferës e përbën oksigjeni, nuk mund të shpjegohet me rastësinë. Po qe se me llogaritje të mbështetura në probabilitet, pranojmë se pasi një i verbër të hedhë në tokë një gjilpërë, maja e gjilpërës së dytë që do të hedhë, do të ketë 1% probabilitet për të hyrë në vrimën e gjilpërës së parë, mund të themi se matematika ende nuk e njeh shifrën që do të përbënte përqindjen e hyrjes së 1000 gjilpërave që do të hidhte i verbëri, në vrimat e njëra-tjetrës. Kurse do të duhej një shifër shumë herë më e madhe për të shprehur probabilitetin e ardhjes së gjithësisë dhe tokës në gjendjen e sotme me anë të rastësive. Ta pranosh një gjë të tillë jo vetëm s’është një qëndrim shkencor, por as diçka që e pranon mendja. Për këtë, James Jeans thotë kështu:

“Vetëm për ta kuptuar probabilitetin e ardhjes së tokës në formën që ka tani, merrni në dorë të gjithë rërën e tokës dhe shpërndajeni. Sa të ketë probabilitet që çdo kokërr rëre të zërë vendin e njërit prej elementëve që përbëjnë tokën dhe e gjithë masa e rërës të marrë rastësisht formën që ka toka sot, aq ka probabilitet që toka ta ketë marrë formën që ka sot me anë të rastësive!”

Jeta në tokë nuk varet vetëm nga forma që ka sot dhe nga largësia prej 149.5 milion km. nga dielli. Dendësia e atmosferës, thithja prej saj e rrezeve të diellit, djegia e plotë e meteorëve në të pa arritur të bien mbi tokë janë një çështje më vete. Thithja e gazrave nga toka dhe e gazrave helmuese nga detet është një çështje më vete. Marrëdhëniet mes bimëve dhe kafshëve, fakti që bimët natën nxjerrin dioksid karboni, kurse ditën e thithin, dukuria e domosdoshme e fotosintezës për bimët, fakti që për t’u bërë mollë një farë molle, duhet t’i përmbajë të gjitha informacionet e procesit të rritjes, prodhimit dhe marrëdhënieve me tokën, diellin, lagështirën dhe ajrin janë edhe këto një çështje më vete. Përgjithësisht, toka dhe jeta në të kërkojnë një mekanizëm të përsosur, dije, vullnet, vetëdije dhe fuqi, prandaj dhe t’ia dedikosh jetën rastësisë së verbër, do të thotë të heqësh dorë nga arsyeja dhe njerëzorja.

Në lidhje me këtë çështje, nëse edhe njerëzit më optimistë janë të mendimit se, për formimin e një vargu aminoacidi vetëm si kohë nuk do të mjaftonte jeta e tokës, atëherë njeriut i vjen të pyesë: Mos vallë evolucioni nisi në botën tjetër dhe i dha frytet në këtë botë? Po qe se s’është kështu, me ç’rrugë e fitoi kjo qenie e shkëlqyer këtë bukuri marramendëse dhe madhështi që ka sot duke lënë pas kaos? Si arriti jeta të ekzistonte duke iu kundërvënë rikthimit pas? Si u shfaqën vetvetiu miliona gjallesa që ekzistojnë sot? Si ndodhi që gjërat, në kundërshtim me ligjin e II të termodinamikës, i kapërcyen një nga një të gjitha pengesat dhe kaluan nga gjendja e thjeshtë në gjendje të përbërë, nga gjendja e zakonshme në gjendje arti? A mund t’u përgjigjemi të gjitha këtyre në përputhje me frymën e shkencës? Apo do të bëjmë si disa që, duke u ikur të vërtetave shkencore, thonë se evolucioni është fakt i kryer, nuk ka nevojë për vërtetim?

Në të vërtetë, dituria dhe shkenca hapin portat e besimit dhe e çojnë njeriun te Allahu, Zoti i gjithësisë. Kurse dituria dhe shkencat që s’e kanë arritur pjekurinë, dhe, veç kësaj, përzihen me krenari, vetëpëlqim, pikëpamje të gabuara dhe dhunë e padrejtësi, çojnë në perversitet dhe mohim.