FOSILET

Ata që mbahen pas teorisë së evolucionit me qëllim për të zbuluar prejardhjen e jetës, u drejtohen fosileve edhe kinse për ta vërtetuar teorinë e vet, edhe sepse në periudhat historike nuk haset në ndonjë dukuri evolutive. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Darvini. Si biri i një familjeje të pasur dhe i një babai mjek, e filloi arsimimin duke mësuar për mjekësi, por ikte prej shkolle për të shëtitur fushave e maleve për të vëzhguar bimësinë dhe, pasi nuk pati sukses në mjekësi, vendosi të mësojë për teologji. Ngaqë zgjuarsinë teorike e kishte në vend, por jo në atë nivel edhe zgjuarsinë praktike, ai pati vështirësi edhe në studimin e teologjisë; megjithëkëtë, më në fund, u bë si u bë dhe e gjeti profesionin e tij të përshtatshëm. Ai mori pjesë në një ekspeditë studimore të organizuar nga qeveria angleze dhe bëri kërkime në ishujt e Oqeanit të Qetë, Afrikë, Amerikën e Jugut dhe Australi, bëri krahasime mes kafshëve të ishujve Galapagos dhe kontinentit, shqyrtoi disa fosile, u përqendrua në aktivitetet e vullkaneve dhe koraleve, mblodhi bimë dhe insekte.

Shkurt, kur u shfaq vetvetiu domosdoshmëria e gjetjes së një lloji (specieje) të ndërmjetëm për të vërtetuar se majmuni dhe njeriu vijnë prej një ati të përbashkët dhe kalimin nga një lloj në tjetrin, u ndje nevoja për të gjetur dhe përdorur fosilet. Këtë duhet ta bënin paleontologët. Po qe se dalin paleontologë pa paragjykime, gjejnë fosile të ndërmjetme dhe thonë se është e mundur të bëhet lidhja mes majmunit dhe njeriut, duke gjetur edhe përkrahjen e gjenetistëve pa paragjykime, vetëm atëherë duhet pranuar një teori e tillë dhe duhet konsideruar me vlerë kryerja e kërkimeve dhe studimeve mbi të. Në të kundërt, është e pamundur që pretendimi evolucionist të quhet një teori shkencore!