DHE NGJASHMËRITË MES GJALLESAVE

Darvini niset nga ngjashmëria që vihet re në natyrë. Sipas tij, apendikset që vihen re te disa gjallesa të larta si pasojë e dukurive atrofizuese, janë organe të bartura prej tyre nga fazat e tyre të ulëta gjatë procesit të evolucionit dhe që tani nuk vlejnë për gjë. Bie fjala, sipas Darvinit, qimet në trupin e njeriut janë bartur te njeriu nga gjitarët më të ulët me rrugën e trashëgimisë. Gjatë këtij procesi, shumica e qimeve kanë rënë dhe kanë mbetur vetëm një pjesë e vogël e tyre. Mirë, po pse, vallë?

Këto lloj pretendimesh të Darvinit nuk kanë ndonjë aspekt konsekuent. Fakti që njeriu ka fytyrë, sy, vesh, etj., si dhe majmuni, nuk do të thotë aspak se njeriu ka rrjedhur nga majmuni; gjithashtu, fakti që në disa lloje gjallesash ka organe të njëjta ose të ngjashme, nuk tregon se ato gjallesa kanë rrjedhur nga njëratjetra! Në gjithësi ekzistojnë shumë lloje (specie) gjallesash, mes të cilave ka shumë ngjashmëri, sepse të gjitha gjallesat, në ndërtimin e tyre, bazohen në katër elementë: azot, karbon, oksigjen dhe hidrogjen. Gjithashtu, edhe njeriu, edhe kafshët, ushqehen me shumë lëndë ushqimore të përbashkëta. Në mënyrë të veçantë, njerëzit përdorin të njëjtat lëndë ushqimore. Megjithëkëtë, të gjitha llojet e gjallesave ndryshojnë mes tyre si dhe çdo individ njerëzor ndryshon shumë nga tjetri në shumë aspekte dhe cilësi të tij. Ngjashmëritë mes llojeve në strukturë dhe pamje nuk janë domosdoshmëri dhe provë e prejardhjes së tyre nga njëra-tjetra. Dallimet që vihen re pavarësisht nga uniteti i burimit, tregojnë se synimi dhe, në vartësi të këtij, kuptimi dhe funksioni te gjallesat janë parësore, për çka dhe struktura lëndore-materiale e tyre është rregulluar sipas këtij pariteti. Në praktikë kurrë nuk ndodh që të ndërtohet një ndërtesë sidokudo ose, e kundërta, shumë e bukur dhe e përsosur dhe vetëm pastaj të mendohet ose përshtatet funksioni i saj. Nuk formohen fjalët e nuk shkruhet libri pa një ide e pa një përmbajtje paraprake të formuar në mendje. Çdo ndërtesë përbëhet, pak a shumë, prej të njëjtash materiale ndërtimi, mes llojeve të ndryshme të ndërtesave ka shumë ngjashmëri, por asnjëra prej tyre nuk është identike me tjetrën (vetëm nëse paraprakisht është e menduar dhe e vendosur kjo gjë). Shkronjat që përbëjnë fjalët dhe gjuhët, janë të numërueshme, janë pak, kurse numri i pallogaritshëm i fjalëve të qindra gjuhëve, dialekteve, nëndialekteve, etj. formohet vetëm me ca pak shkronja në sajë të kombinimeve të pafund! Bie fjala, ndryshimi i vetëm një shkronje sjell ndryshime kuptimi në disa fjalë shtatëshkronjëshe me gjashtë shkronja të njëjta. Kështu, mund të ketë shtatë fjalë të ndryshme shtatëshkronjëshe me gjashtë shkronja të njëjta dhe vetëm një të ndryshme, por që s’është kusht të jenë të prejardhura nga njëratjetra. Është kuptimi ai që i përfton ekzistencë çdo fjale dhe që cakton materialin e saj të përbërë prej tingujsh dhe shkronjash. Po si kjo, ndër gjallesat, për funksione të ngjashme, janë të domosdoshme organe të ngjashme dhe struktura të ngjashme. Shumëllojshmëria e pafundme që vihet re në botën e gjallesave pavarësisht nga një sërë ngjashmërish strukturore dhe përdorimit të të njëjtit material lëndor ose, duke u nisur nga e kundërta, ngjashmëritë strukturore që vihen re pavarësisht nga shumëllojshmëria e pafundme, aludojnë plotësisht për një synim, për një vullnet, për një kuptim evident. Prandaj, gjallesat janë krijuar e krijohen sipas shkakut dhe synimit të ekzistencës, duke u dhënë strukturë dhe organe të përshtatshme për secilën prej tyre. Për rrjedhojë, ngjashmëritë mes gjallesave, në kundërshtim me ç’pretendon Darvini, nuk tregojnë për prejardhjen e tyre evolucionare, por për krejt të kundërtën!

E dyta, mbi tokë ka gjallesa të panumërta dhe qindra-mijëra lloje (specie). Po qe se çdo lloji do t’i jepej një strukturë krejt e veçantë dhe çdo individi të të njëjtit lloj, strukturë, organe dhe pamje e veçantë, do të duheshin struktura, organe dhe karakteristika të panumërta. Ndërsa kur e mendojmë këtë çështje për njeriun, meqë çdo individ njerëzor do të ishte i prejardhur prej një lloji të veçantë të botës shtazore, do të kishte një strukturë dhe një pamje të veçantë. Pa dyshim, Zoti është i aftë t’i japë çdo lloji dhe çdo individi një strukturë dhe pamje të veçantë dhe, kur e mendojmë këtë gjë edhe për njeriun, e kuptojmë se atëherë do të ishte krejt e pamundur njohja, afrimi, grupimi, ndihma reciproke dhe jetesa e përbashkët si për kafshët, ashtu dhe për njerëzit, individët do të mbeteshin të huaj për njëri-tjetrin dhe në shesh do të dilte një botë e pajetueshme.

Në mënyrë të veçantë, dy gjëra që i përngjajnë njëra-tjetrës, nuk do të thotë se janë identike të njëra-tjetrës. Bie fjala, edhe esenca e trëndafilit, edhe acidi klorhidrik janë lëngje që kanë veti të ngjashme si avullueshmëria e lartë, etj., por, ndërsa esenca e trëndafilit të jep kënaqësi, acidi klorhidrik të shkakton djegie dhe plagë. Po kështu, dielli, llamba elektrike, qiriu, pisha japin dritë, ndriçojnë, por nuk kanë të njëjtin burim. Fakti që në strukturën e kafshëve dhe njerëzve ka organe të ngjashme ose që mes kafshëve dhe njerëzve ka ngjashmëri të mëdha, nuk tregon se mes dy llojeve ka një lidhje kalimtare. Sepse çdo gjallese i jepen organet e duhura për jetën dhe për të kryer funksionet jetësore përkatëse. Veç kësaj, është kuptuar se organe që gjer dje janë konsideruar si atrofizime dhe apendikse, kanë dhe kryejnë funksione shumë të rëndësishme!

Krahas kësaj, në natyrë, disa herë mund të ekzistojnë elementë që duket sikur nuk i përshtaten mjedisit ku ndodhen dhe strukturës së përgjithshme të tij. Jo mund të ekzistojnë, por ekzistojnë. Ndërkaq, jo vetëm mund të qëndrohet për të dalluar se ç’kuptim ka ekzistenca e tyre në atë vend, por ne as që mund të pretendojmë ende se e kemi zbërthyer strukturën e natyrës. Pastaj, disa herë, një gjë mund të vihet si një element dekoracioni në një vend jo krejt të përshtatshëm dhe, për rrjedhojë, mund të tërheqë vëmendjen mbi vete. Po qe se vështrimi ngulet pikërisht mbi këtë element dhe njeriu, duke u mbështetur mbi të, jep një konkluzion të përgjithshëm mbi krejt strukturën, bie në gabim. Ashtu siç është gabim që, duke parë vetëm dy dyer të mbyllura të një pallati me dy mijë dyer, të konkludosh se të gjitha dyert e pallatit janë të mbyllura, ashtu siç është gabim që, duke e ngulur vështrimin vetëm mbi dy kokrra të kalbura të një peme me rrënjë, trung, degë e gjethe të shëndosha, të nxjerrësh përfundimin se pema i ka të gjitha kokrrat të kalbura, ashtu është konkluzion joshkencor e i shpejtuar të thuash se midis dy llojeve ka një lidhje kalimtare prejardhjeje dhe evolucion vetëm duke u nisur nga një a dy të ashtuquajtura apendikse të konsideruara si pasojë të një procesi atrofizimi!

I nisur nga ngjashmëritë, Darvini e vlerëson si argument tjetër për teorinë e tij të evolucionit faktin se disa sëmundje të njeriut hasen edhe te kafshët. Edhe për këtë mund të thuhet e njëjta gjë që u tha më lart. Me sa dihet gjer më sot, te njeriu hasen dhjetëra e qindra sëmundje dhe variante të tyre. Po qe se do të kishte sëmundje të ndryshme për çdo lloj gjallese, numri i sëmundjeve do të ishte shumë i madh. E dyta, është krejt e natyrshme që te njerëzit dhe kafshët me strukturë, organe dhe funksione mjaft të ngjashme, të ketë sëmundje të ngjashme, por nuk është aspak e natyrshme dhe me vlerë të konkludosh se këto gjallesa e kanë prejardhjen nga njëra-tjetra. Kështu, sëmundjet e njerëzve nuk vërehen te majmunët as në mënyrë tipike, as me ndryshime, kurse një a më shumë prej tyre vërehen te kafshët e tjera. Bie fjala, emfizema kronike haset te kuajt, leucemia haset te macet dhe bagëtitë e trasha, distrofia muskulare haset te pulat dhe minjtë, arterioskleroza haset te derrat dhe pëllumbat, çrregullimet e koagulimit të gjakut dhe nefritet hasen te qentë, ulcerat e stomakut hasen te derrat, anevrizma haset te gjelat e detit, gurët e tëmthit hasen te lepujt, inflamacioni i heparit haset te qentë dhe kuajt, gurët e veshkave hasen te qentë dhe të trashat, katarakti haset te qentë dhe minjtë.

Në këto kushte, a mos do të pretendojmë se njeriu ka rrjedhur nga minjtë, qentë apo buajt? Te njerëzit dhe kafshët mund të gjenden të njëjtat viruse apo baktere. Megjithëkëtë, ky fakt nuk është argument i prejardhjes së njëjtë. Janë disa sëmundje të përbashkëta të njerëzve, zogjve e shpendëve, ndërsa këta të dytët janë biologjikisht

E vërteta e krijimit dhe evolucioni

shumë larg njeriut. Afrimi i njeriut, duke u nisur nga ky fakt, me pulën, do të thotë largim nga pikëpamja bazë e Darvinit, i cili, në linjën evolucionare të zhvillimit, mes njeriut dhe kafshëve të tjera ka vënë majmunin!

ÇËSHTJA E PËRDORIMIT DHE MOSPËRDORIMIT TË ORGANEVE DHE PËRSHTATJA

Duhet ta bëjmë të ditur se edhe pretendimi se organet që s’përdoren, me kalimin e kohës atrofizohen, si dhe pretendimi i Lamarkut se, te llojet e gjallesave, cilësitë e fituara me kalimin e kohës u kalojnë brezave pasardhës me anë të rrugës së trashëgimisë, nuk kanë asnjë vlerë. Ç’është e vërteta, te njerëzit vëmë re se disa organe që përdoren më shumë, sidomos muskujt, zhvillohen. Kështu vihet re një zhvillim i madh muskujsh te ngritësit e peshave. Mirëpo i biri i ngritësit të peshave nuk lind aspak me muskuj të zhvilluar ose, më saktë, gjatë rritjes, tek ai nuk vihet re ndonjë përjashtim në zhvillimin e muskujve në krahasim me bashkëmoshatarët që kanë lindur nga prindër me një zhvillim muskulor të zakonshëm. Që edhe i biri i ngritësit të peshave të bëhet si i ati, duhet të stërvitet si ai! Po kështu, hebrenjtë kanë rreth 4000 vjet që bëhen synet, megjithëkëtë, nuk është vënë re që fëmija i ndonjë hebreu të lindë i bërë synet! Edhe qindra milionë myslimanë kanë 14 shekuj që bëhen synet, por as mes myslimanësh nuk është dëgjuar të lindë ndonjë fëmijë i bërë synet! Për rrjedhojë, pranimi i përcjelljes te brezat pasardhës me anë të trashëgimisë i një cilësie të fituar nga një brez me kalimin e kohës, për më tepër, pranimi i kësaj si një tezë e padiskutueshme, është diçka që nuk përputhet me shkencën dhe dinjitetin shkencor.

Po si kjo, edhe pretendimi se organet që s’përdoren, me kohë atrofizohen dhe u përcillen në të njëjtën gjendje brezave pasardhës, kurse organet që përdoren, zhvillohen, është një legjendë dhe bestytni. Lamarku pretendon se “gjirafës i është zgjatur qafa në mënyrë anormale pasi ka pasur nevojë të arrijë degët e larta”! (?) E cila është ajo kafshë bimëngrënëse që nuk kërkon të hajë gjethet e degëve më të larta? Pse, vallë, vetëm qafa e gjirafës është zgjatur, kurse e kafshëve të tjera, jo? Edhe dhitë ushqehen vazhdimisht me degë dhe gjethe pemësh dhe kjo mënyrë ushqyerjeje është aq karakteristike për to, saqë dhitë konsiderohen armiq të pyjeve! Mirëpo, ja që qafa nuk u është zgjatur, prandaj janë të detyruara të kacavirren për të arritur degët e larta! A nuk do të donte gjarpri të ecte mbi këmbë në vend që të zvarritej për tokë? Darvini ka një pikëpamje, sipas të cilës “këmbët e gjarprit janë atrofizuar me kalimin e kohës”. Kontradikta këtu është aq e hapur sa mund ta vërë re kushdo. Po qe se në botën e kafshëve ka vepruar dhe vepron evolucioni, do të duhej që, nëse gjarpri ka qenë në krye të herës zvarranik, me kohë t’i qenë formuar këmbët, kurse, nëse ka qenë me këmbë, s’kishte pse të mos i përdorte. Ç’e ka shtyrë gjarprin me këmbë të mos i përdorë ato, të kthehet në zvarranik dhe, pastaj, duke u hequr zvarrë, ta përdorë qafën për ta zgjatur? Nga njëra anë, i ka këmbët, por nuk i përdor dhe, nga një kafshë më e lartë, në vend që të evoluojë më tej, kthehet mbrapsht në një kafshë më të ulët! A nuk ka kontradiktë këtu?

Përsëri, sipas pretendimit të Darvinit, “krahët e zogjve kanë ardhur në këtë gjendje nga nevoja për të fluturuar”. Edhe në këtë pretendim ka një kontradiktë të hapur. Sigurisht, në krye të herës, zogjtë nuk kanë pasur krahë për të fluturuar. Atëherë, pse dhe si ka lindur te zogjtë nevoja për të fluturuar? Si u krye zhvillimi gradual i krahëve te zogjtë? Mos vallë duke bërë ushtrime fluturimi për miliona vjet me radhë? Dhe pse? Përse? Sipas teorisë së Darvinit, del se, në krye të herës, zogjtë ecnin mbi tokë së bashku me kafshët e tjera. Siç duket, ata ishin të pajisur paraprakisht me fillesën e krahëve që e ruajtën dhe e zhvilluan duke e përdorur gjersa e prunë në gjendjen e sotme! As Darvini vetë, as dhe ata që kapen fort pas teorisë së tij si të ishte e vërtetë, pra, që kapen pas saj si pas një dogme, nuk munden t’u japin as edhe një përgjigje bindëse pyetjeve dhe çështjeve të panumërta si më sipër që s’ke si u shmangesh dot!

Ata që ngulin këmbë te evolucioni, sjellin, kinse si argument për atrofizimin e organeve të papërdorura, zorrën qorre dhe bajamet tek njeriu. Duke tërhequr vëmendjen mbi faktin se zorra qorre ndodhet mes zorrëve të holla dhe zorrës së trashë, ata thonë se ajo ka mbetur nga etërit tanë barëngrënës, është atrofizuar me kohë nga mospërdorimi dhe është kthyer në një apendiks, në një organ pa funksion, të padobishëm. Po kështu edhe bajamet i shohin si të padobishme. Por sot shkenca tregon se bajamet funksionojnë si një pritë, si një barrierë ndaj mikrobeve që mund të futen të trup përmes grykës. Edhe zorra qorre, në disa punime shkencore, quhet si një “stomak i dytë”. Fakti që në zorrën qorre ka një rrjet shumë të dendur kapilarësh gjaku dhe limfe, tregon për rëndësinë e tij.

Darvini bën fjalë edhe për atrofizimin e qimeve te njeriu dhe thotë: “Njeriu ka ardhur në gjendjen e sotme nga etërit e tij leshtorë duke i rënë qimet (leshrat)”. Kurse për ta shpjeguar faktin që tek femra nuk është e njëjta gjendje e qimeve, përdor një arsyetim që s’përputhet aspak me idenë e evolucionit sipas tij: “Kështu është dashur të jetë që femra të jetë tërheqëse”!(?) Ky është një arsyetim që mbështetet në urtësinë hyjnore të krijimit dhe, po të bëhet nga ky këndvështrim, qëndron. Por fakti që një teori që mbështetet në spontanitetin dhe rastësinë e verbër bën një arsyetim të tillë për të justifikuar dallimin mes mashkullit dhe femrës në gjendjen e qimeve, është krejt kontradiktore, është një shmangie nga konsekuenca e vet ose, më saktë, pamundësi për t’iu shmangur së vërtetës! Darvini përpiqet ta justifikojë edhe faktin se pse nuk kanë rënë qimet e kokës, duke thënë se “ashtu duhej meqë koka ka qenë pjesa më e ekspozuar e trupit ndaj goditjeve”. Po balli, hunda, gjunjët, më pak të ekspozuara kanë qenë?(!)

Në lidhje me përshtatjen e gjallesave ndaj mjedisit të jashtëm, neodarvinistët mbrojnë këtë pikëpamje:

Në zonat industriale të Europës, në vendet me dendësi të madhe pluhurash dhe tymrash, ndodh dukuria e melanozës industriale. Në këto kushte, meqë fluturat e tenjës ose molës me ngjyrë të errët mbrohen më mirë nga armiqtë e tyre në sfondin e përhirosur të mureve apo sipërfaqeve të tjera, skartohen më pak, domethënë shumohen më tepër se fluturat me ngjyrë të çelët, kemi të bëjmë me një proces ndryshimi që do të çojë, një ditë, në eliminimin e plotë të fluturave me ngjyrë të çelët.

Është e qartë se ky shembull nuk mund të shërbejë si argument për evolucionin, sepse qoftë e bardhë apo e zezë, si tenja e zhdukur, si tenja që ka mbijetuar, mbetet tenjë. Në këtë rast nuk kemi jo vetëm kalim në një lloj tjetër, por as ndryshim brenda llojit. Këtu bëhet fjalë vetëm për një cilësi të tenjës, aftësinë për t’iu përshtatur ndryshimit të kushteve të mjedisit, konkretisht me anë të ndryshimit të ngjyrës. E gjitha vetëm kaq!

Pretendimi se mes gjallesave të të njëjtit lloj ndodhin ndryshime si rezultat qoftë i një dukurie të natyrshme, qoftë i një izolimi artificial, domethënë i një detyrimi për të jetuar në kushte të caktuara, paraqitet dhe mbrohet si një argument i evolucionit, në themel të të cilit qëndron përshtatja. Ndryshime dhe dallime të tilla mund të ndodhin dhe duken në çdo kohë, por gjithmonë janë sipërfaqësorë dhe zhvillohen brenda të të njëjtit lloj. Nuk mund të pretendohet që një ndryshim i tillë brenda llojit të nxjerrë në shesh lloje të reja me anë të metamorfozave në zinxhirin evolucionar. Edhe nëse pretendohet, ky pretendim nuk bart asnjë vlerë shkencore!