Karakteri mrekullor i Kuranit
Para se të parashtroj ajetet kuranore lidhur me krijimin, dëshiroj të prek disa ajete të caktuara për të treguar se ç’karakter mrekullor ka Kurani. Deklarata-mrekulli Kuran është ajo që e thotë fjalën e fundit, ajo që u vë vulën gjërave!
“Edhe te kafshët ka mësim për ju. Nga gjëja që kanë në barkun e tyre, Ne ju japim të pini qumësht të pastër e të shijshëm të kulluar mes ushqimit dhe gjakut...” (Nahl, 66)
Një nga shenjat dhe provat që argumentojnë ekzistencën dhe unitetin e Allahut, janë kafshët e qumështit. Qumështin e shijshëm e të ushqyeshëm që e pimë ne, Allahu e nxjerr nga tretësira ushqimore në zorrët e kafshëve (që konsiderohet si jashtëqitje meqë pas thithjes së lëndëve ushqimore prej saj, del jashtë si feçe) pas kullimit në gjak. Shkenca e sotme e ka bërë të qartë se në fillim lëndët ushqimore thithen nga qimet thithëse të zorrëve dhe kalojnë në gjak, nga i cili, në indet e tjera lëshohen si ushqim, kurse në gjëndrat e qumështit, kthehen në qumësht. Me shprehjen “min bejni fersin ve demin”, “prej mes feçeve dhe gjakut”, në Kuran tregohet se qumështi kalon dy procese filtrimi: i pari, nga feçet (lënda ushqimore e tretur në zorrë) në gjak dhe, i dyti, nga gjaku në qumësht. Profeti Muhamed, i cili e lajmëronte një gjë të tillë 14 shekuj më parë, pa dyshim që personalisht nuk mund t’i dinte këto gjëra. Ato ia kishte mësuar Allahu me anë të Kuranit!
“Atij që dëshiron ta udhëzojë, Allahu ia zgjeron zemrën ndaj Islamit, kurse atij që dëshiron ta lërë të humbur, ia shtrëngon gjoksin sikur të ishte duke u ngjitur në qiell...” (En’am, 125)
A e dini se kujt i përngjet gjendja e njeriut që nuk beson? Atij që ngjitet në lartësi ku oksigjeni rrallohet aq sa ta bëjë gjithnjë e më shumë të pamundur frymëmarrjen gjer në vdekje. Në kushtet e pamjaftueshmërisë së oksigjenit, personi ndjen shtrëngim në gjoks. Sa më lart të ngjitet njeriu, aq më i rrallë bëhet oksigjeni dhe aq më e fortë dhimbja në gjoks. Këtu kemi një paralelizëm figurativ të mbështetur në një fakt shkencor të njohur shumë shumë vonë, por të paralajmëruar nga Kurani 14 shekuj më parë!
“Ne i lëshojmë erërat mbarështuese dhe nga qielli lëshojmë shi për ju...” (Hixhr, 22)
Disa komentues të vjetër nuk e kanë kuptuar si duhet cilësimin e erërave si mbarështuese. Kurse kur e kanë pyetur Ibni Abasin 11 shekuj më parë mbi kuptimin e këtij ajeti, ka thënë: “Erërat bëjnë mbarështimin e bimëve, pastaj edhe të reve...” Megjithëkëtë, edhe komentuesit pas tij nuk e kanë kuptuar dot rolin mbarështues të erës për retë. Siç dihet, retë ngarkohen me elektricitet duke lëvizur e duke u fërkuar me ajrin, gjë të cilën ua siguron era. Ndërkaq, duhet theksuar se si tek mbarështimi i bimëve, ashtu dhe te i reve, kemi dukurinë e bashkimit të gjërave çift ose me ngarkesa të kundërta. Në lidhje me këtë, në ajete të tjerë Kurani bën fjalë mbi krijimin çift (Jasin, 36; Dharijat, 49). Dhe kjo është një mrekulli tjetër e Kuranit.
“Shihni se si i shtyn Allahu retë, pastaj i bashkon, i bën grumbull dhe ju shihni se si rrjedh prej tyre shi. Ai lëshon nga retë e mëdha si kodra edhe breshër, me të cilin godet kë të dojë e nga i cili mbron kë të dojë. Shkëlqimi i dritës së vetëtimës sa s’të merr sytë!” (Nur, 43)
Qysh atëherë kur nuk njihej fare përbërja e reve, Kurani bënte përshkrime të sakta që u zbuluan vetë 14 shekuj më vonë.
“Ne e ngritëm qiellin me dorën tonë dhe Ne e zgjerojmë atë pa pushim.” (Dharijat, 47)
Në vitet 1920, Hubble i bëri një dhuratë botës astronomike. Me anë të një gjetjeje matematike që u quajt me emrin e tij, Koeficienti i Hubbles, ai zbuloi se disa galaktika largoheshin pa pushim prej nesh. Më pas, matematikani belgjian, Lamaitre e përcaktoi këtë dukuri si “zgjerim i hapësirës”. Pastaj kjo dukuri u pranua edhe nga shkencëtarë të tjerë si dhe nga Ajnshtajni.
Shënimet
- 2.Taberi, Xhamiul Bejan, vëll. 14, f. 19-22.