Ushqyerja dhe rritja
Si formimi i gjallesës, ashtu dhe ushqyerja e saj na nxjerrin para probleme të veçanta. Qenia e gjallë do të ushqehet, do të zhvillohet, do të sintetizojë lëndë të domosdoshme për veten dhe do ta vazhdojë jetën. Po qe se është shfaqur një qenie e gjallë me anë të evolucionit, siç pretendohet, ajo duhet të jetë ushqyer me mënyrën e difuzionit ngaqë nuk i ka pasur të zhvilluara sistemin e tretjes, të qarkullimit, të frymëmarrjes, pra, në një farë mënyre si ameba. Një mënyrë ushqyerjeje e tillë është e mundur për këto dy shkaqe: dendësia e mjetit dhe e mjedisit. Ndërkaq, rregullimi i ekuilibrit mes dendësisë së proteinës në lëngun ku ndodhet gjallesa dhe dendësisë së lëndëve të ngurta e të lëngshme brenda qelizës së vet është një problem shumë i rëndësishëm.
E dimë se molekulat e shkrira rrjedhin në vende më të lëngshme por nuk futen në vende më të ngurta (viskoze). Ndryshe nga kjo, gjërat që ndodhen në vende më të ngurta, rrjedhin në vende të lëngshme. Ky është një rregull. Kështu, po qe se mjedisi i vargut proteinik të sapoformuar është më i lëngshëm se mjedisi i vet i brendshëm, në proteinë nuk do të hyjë asgjë nga jashtë, përkundrazi, lëndët ushqyese që do të përmbajë proteina, do të rrjedhin jashtë dhe, si rezultat, ekzistenca e kësaj qenieje të gjallë të porsaformuar do të shkatërrohet. Po qe se mjedisi i jashtëm i vargut proteinik është më i ngurtë se mjedisi i tij i brendshëm, lëndët do të rrjedhin nga jashtë brenda tij duke ia penguar zhvillimin dhe shkatërruar ekzistencën. Edhe në kushtet e të njëjtës gjendje mes dy mjediseve, meqë s’do të ketë difuzion, do të pengohet edhe ushqyerja e gjallesës së re.
Le të themi se, pavarësisht nga të gjitha kushtet e pafavorshme, qenia e gjallë u formua dhe nisi të jetojë. Veç ushqyerjes, ajo do të ketë nevojë të menjëhershme për energji për të hedhur jashtë produktet e katabolizmit. Ku do ta marrë kjo qenie e re këtë energji? Kështu, duhen formuar edhe mitokondritë që vlejnë si centrale energjitike. Në përgjithësi, qenia e re ka nevojë çdo çast për një sasi energjie të caktuar në mënyrë që të vazhdojë të jetojë.
Sipas llogaritjeve mbi mundësitë, jo vetëm që një substancë kimike (një kombinim kimik) s’mund të kthehet në qenie të gjallë, por edhe formimi i vetvetishëm i një vargu proteinik është i pamundur. Megjithëkëtë, le të pranojmë se gjallesa u formua. Tani ajo nuk do të mbetet në gjendjen e parë, por do të zhvillohet dhe zhvillimi i saj do të kërkojë funksionimin e bashkërenduar të sistemeve të tretjes, qarkullimit, zbrazjes dhe frymëmarrjes që duhet të formohen në çast dhe të fillojnë të funksionojnë me qëllim që gjallesa të jetojë. Mirëpo kjo bie në kundërshtim me konsideratën evolucioniste të Darvinit i cili thotë se një mekanizëm i komplikuar kurrë nuk mund të formohet në një çast.
Një tjetër specifikë shumë e rëndësishme që i mashtron darvinistët
Një tjetër specifikë shumë e rëndësishme që i mashtron darvinistët është se e shohin çështjen ngushtë, vetëm nga dritarja e një apo disa shkencave apo disiplinave shkencore. Mirëpo, në çështjen e gjërave të gjalla e jo të gjalla në gjithësi, veçanërisht në lidhje me botën e gjallë, asnjë shkencë nuk duhet të bjerë në kundërshtim me të tjerat. Fizika, matematika, kimia, botanika, zoologjia, gjeologjia dhe paleontologjia nuk duhet të bien në kundërshtim me njëra-tjetrën në shpjegimin e sistemit të gjallë. Kështu, në përgjithësi, ne, në lidhje me qenien e gjallë, kur bëjmë kërkime dhe studime në një fushë të caktuar, kërkimet dhe studimet tona nuk i vendosim mbi mutacionin, evolucionin, adaptimin dhe seleksionin natyror. Për shembull, kur punojmë në farmakologji e në profilaksi për të bërë ilaçe të reja, i trajtojmë bakteret që bëhen shkaktarë të sëmundjeve të caktuara si të pandryshueshme dhe mbi këtë bazë i bëjmë ilaçet dhe i përcaktojmë ndikimet e tyre mbi bakteret apo shkaktarët e tjerë. Kur përdorim antibiotikë për mikrobe të caktuara të sëmundjeve të caktuara, nuk e mendojmë fare që, bie fjala, ndërsa kemi dhënë një antibiotik kundër mikrobit të tuberkulozit, ky, me anë të mutacionit, mund të kthehet në mikrob kolere ose tifoje, etj.! Në profilaksi veprojmë sipas parimit se mikrobet e ruajnë natyrën dhe përmbajtjen e tyre.
Ashtu siç çdo lloj qenie e gjallë e ka mundësinë për t’i zhvilluar mekanizmat e saj të vetëmbrojtjes me qëllim për ta vazhduar jetën, mundësi të cilën ia ka dhënë Allahu, Zoti i gjithësisë, edhe bakteret mund të pësojnë disa ndryshime të brendshme si kundërveprim ndaj ilaçeve që veprojnë mbi to duke ua rritur rezistencën, por kurrë këto ndryshime s’mund të jenë të nivelit të mutacionit që do t’i çonte në një ndryshim lloji. Ndërkaq, s’duhet harruar se po flasim për qenie mikroskopike. Ndryshimi që mund të ndodhë te këto një herë në 30 vjet, te njeriu i korrespondon një ndryshimi që mund të ndodhë në miliarda vjet. Po qe se në qenie të tilla nuk ndodh ndonjë ndryshim lloji as në 30 vjet, kjo mjafton për ta kuptuar dhe treguar se mosha e tokës nuk do të mjaftonte për evolucion. Shkenca thotë se algat blu dhe jeshile që rrojnë në dete, kanë ekzistuar edhe 50 milion vjet më parë po në gjendjen që kanë sot!