E vërteta e krijimit në Kuran
Nga ajetet kuranore në lidhje me krijimin, do të shqyrtojmë katër prej tyre.
“Dhe i thamë: “O Adem, ti dhe bashkëshortja jote banoni në xhenet dhe hani sa të doni nga të mirat që ka atje, vetëm atë pemë mos e prekni se, ndryshe, do të bëheni dhunues e të padrejtë.” (Bakara, 35)
Kurani e fillon rrëfimin mbi krijimin njerëzor me njeriun e parë dhe bashkëshorten e tij dhe nuk bën fjalë aspak për evolucionin.
“Për Allahun, gjendja e Isait është si gjendja e Ademit. Allahu e krijoi Ademin prej dheu. Ai i tha Ademit “bëhu” dhe ai u bë!” (Al-i Imran, 59)
Kur njerëzit ranë në dyshim në lidhje me krijimin e Profetit Isa (Jezusit) dhe nisën të gjykojnë se si mund të lindte njeriu pa baba, iu erdhi në ndihmë Kurani që sqaronte se në lindjen e tij pa baba nuk kishte gjë për t’u çuditur, pasi lindja e tij ishte një mrekulli si dhe krijimi i Ademit, ndërkaq që ky s’kishte patur as nënë. Kjo do të thotë se Allahu ka mundësi për çdo gjë dhe bën gjithçka që dëshiron. Ndërkaq, me qëllim që ne ta kuptojmë veprimtarinë e Tij, Allahu e mbulon atë me anë të shkaqeve dhe pasojave që janë të kuptueshme për ne dhe na duken të natyrshme e të zakonshme. Kurse disa herë Allahu e heq mbulesën e shkaqeve me qëllime dhe urtësi të caktuara dhe, atëherë, aktet e tij na duken të jashtëzakonshme e të pashpjegueshme, prandaj i quajmë mrekulli. Kështu, edhe krijimi i Ademit, edhe krijimi i Isait janë sa të mundshme për Allahun, aq dhe të pamundshme për ne kur i gjykojmë ato në kuadrin e shkaqeve dhe pasojave dhe me kriteret me të cilat gjykojmë ngjarjet e tjera të ashtuquajtura të zakonshme.
“Dhe u tha Zoti yt engjëjve: “Unë krijova një njeri prej balte dhe i fryva nga fryma ime, prandaj bini në gjunjë para tij...” (Hixhr, 28-29)
Këto ajete tregojnë se njeriu i parë, Ademi, u krijua prej dheu dhe atij iu dha frymë hyjnore. Sot dihet se njeriu formohet në mitrën amësore nga zhvillimi në etapa të caktuara i vezës së fekonduar nga spermatozoidi, pra, duke pasur për bazë një koncentrat dhe jo me anë të ndonjë farë evolucioni. Sipas përshkrimit të Kuranit, edhe njeriu i parë pati për bazë një koncentrat të përbërë nga elementët e tokës dhe uji, i cili u zhvillua në kushte të caktuara që cilësohen si urdhri “bëhu” i Zotit. Mes bazës dhe krijimit të njeriut të parë dhe njeriut të zakonshëm sot nuk ka asnjë ndryshim. Koncentrati është po ai, kurse mjedisi i krijimit, ndërsa për njeriun e sotëm është mitra, për njeriun e parë është përsëri një “mitër”, por e panjohur për ne, e cilësuar vetëm si urdhri “bëhu” i Zotit dhe fryma hyjnore. Në të dy llojet e krijimit nuk ka asgjë të përbashkët me evolucionin.
“O njerëz! Ruhuni prej Zotit tuaj që ju krijoi juve prej një fryme të vetme, që krijoi për ju shoqe nga vetja juaj dhe nga dy të parët krijoi meshkuj e femra!” (Nisa, 1)
Duke e quajtur atin e parë të të gjithë njerëzve, “një frymë të vetme”, Kurani kundërshton dhe hedh poshtë vargun e etërve të njeriut që pretendon evolucioni. Sipas Kuranit, njeriu i parë bart dhe përfaqëson “frymën e vetme”, nga e cila, pastaj u krijua çifti i parë dhe prej të dyve, gjithë njerëzimi. Kështu, as “fryma e vetme”, as dhe çifti i vet që bartte të njëjtin entitet njerëzor, nuk ishin hallkë e një zinxhiri evolucioni. Njeriu ose fryma e parë është ati i një lloji qeniesh më vete, po ashtu, çifti i tij, nëna e po atij lloji qeniesh më vete!
Kuptimi i disa ajeteve të tjera kuranore që kanë lidhje me krijimin
Betohem se Ne e krijuam njeriun prej një esence prej balte.
(Muminun, 12)
Ne, çdo gjë të gjallë e krijuam prej uji. (Enbija, 30)
Dhe Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një njeri prej balte dhe, pasi t’i jap formë e t’i fryj prej frymës sime, ju bini në gjunjë para tij!” Të gjithë engjëjt ranë në gjunjë para tij, kurse Iblisi, djalli, jo! Ai u mbajt më të madh e u bë mohues! (Sad, 71-74)
Ai është që e krijoi njeriun prej një pike uji dhe e bëri fis të lidhur me lidhje martese. Zoti yt ka mundësi për gjithçka! (Furkan, 25:54)
Allahu ju krijoi ju prej dheu, pastaj prej uji. Pastaj ju bëri çift. (Fatir, 11)
Ai është që ju krijoi ju prej një balte dhe që pastaj ju caktoi një jetëgjatësi dhe vdekje. Gjithashtu, te Ai ka një vendim të parashkruar. Akoma po dyshoni? (En’am, 2)
Ai është që ju bëri ju prej një fryme të vetme. Pastaj për ju ka një vend ku të rrini dhe, si amanet, një vend për të qëndruar. Ne i bëmë të ditura ajetet tona hapur për ata që kuptojnë. (En’am, 98)
Allahu që e ka krijuar çdo gjë të bukur dhe të përsosur, krijimin e njeriut e nisi nga balta. Pastaj, brezin e tij e riprodhoi prej një esence uji (spermë). Pastaj i dha atij formën më të bukur, i fryu nga fryma e vet dhe krijoi për ju veshë, sy dhe zemra. Por sa pak që falenderoni! (Sexhde, 7-9)
Allahu e krijoi njeriun nga argjila e pjekur. (Rrahman, 14)