PËRFUNDIM
E vërteta që u përpoqa ta parashtroj nga kreu gjer këtu, është kjo:
Sado me kujdes që të ketë qarkulluar teoria e evolucionit dje e sot e që mund të qarkullojë nesër në disa katedra shkencore, në librat e disa shkencëtarëve e në gojët e tyre, nuk ka një bazë të shëndoshë, nuk ka një argument bindës që të mund ta mbështesë evolucionin. Nuk janë gjetur dot fosile që ta lidhin njeriun me majmunin. Në disa fosile janë bërë falsifikime, disa të tjera i kanë formuar duke i mbledhur pjesët andej-këtej dhe pjesët e mangëta i kanë montuar sipas imagjinatës. Gjenetika e kundërshton këtë!
Struktura e ADN-së që kërkon dituri dhe fuqi të jashtëzakonshme, i lë krejtësisht jashtë mundësie të gjitha llojet e rastësive dhe ndërhyrjeve të pavetëdijshme. Gjërat e pretenduara gjer tani si argumente, ose janë hipoteza, ose interpretime të sforcuara dhe të gjitha boshllëqet teorike janë mbushur e mbushen me skenarë të fantazuara. Kurse pretendimet e mbrojtura duke u nisur nga një sërë ngjashmërish, janë vlerësime që i japin prioritet strukturës pa parë funksionet dhe detyrat jetësore dhe asnjëri prej tyre s’vlen si argument.
Momenti vital i çështjes është se ata që thonë “i gjetëm”, ata që i parashtrojnë “gjetjet” si argumente, janë mjediset që i besojnë plotësisht evolucionit, kurse të gjitha të ashtuquajturat argumente të tyre kanë nevojë për shqyrtim. Ashtu si rastësitë nuk kanë as vendin më të vogël në ekzistencë, në të njëjtën mënyrë, është e pamundur që një qenie e gjallë të ekzistojë vetvetiu nga hiçi. Ashtu si eksperimentet e Pastërit, edhe eksperimentet më të gjera, më të thella të bëra rreth kësaj çështjeje, e hedhin poshtë krijimin (ekzistencën) vetvetiu. Edhe nëse te një qenie e gjallë ndodhin disa ndryshime të pjesshme për shkak të disa kushteve të caktuara, këto ndryshime jo vetëm që s’mund të bëhen kurrë bazë për ndryshim lloji, jo vetëm që një ndodhi e tillë nuk është hasur gjer më sot, por ato kanë ndodhur sepse e ka lejuar përbërja e asaj qenieje. Edhe faktorë të tillë si struktura e gjallesave, kromozomet, imuniteti i qelizës dhe kundërshtimi i ndërhyrjeve nga jashtë, në fakt, në asnjë mënyrë s’i hapin portë mundësisë së shndërrimit të llojit. Veç kësaj, të gjitha fetë e kaluara, të gjithë profetët, të gjithë librat e shenjtë e shprehin hapur se çdo gjë, përfshi edhe njeriun, është krijuar nga Zoti (Allahu) duke ia mbyllur të gjitha dyert evolucionit!
Jo vetëm që kjo çështje nuk është fusha ime, por dhe unë u përpoqa ta shpjegoj një çështje që shpesh mund të shpjegohet në mënyrë të shumanshme e të thellë, vetëm në vijat e saj kryesore dhe bashkë me disa specifika që shpëtojnë nga shikimi. Duke u justifikuar me dobësinë dhe paaftësinë time, megjithatë, duke e theksuar rëndësinë e çështjes, i lutem Zotit që dijetarët e zellshëm e të lidhur pas të vërtetës ta kryejnë detyrën që u takon për ta shqyrtuar këtë çështje gjerë e gjatë dhe për ta shpëtuar brezin e ri nga mashtrimi me anë të dogmës së evolucionit që mbahet në rend të ditës në emër të mohimit të hyjnitetit. Unë mendoj se ka ardhur e ka kaluar koha që, në vend të librave të shkruar në Perëndim dhe nga ana e mjediseve përkrahëse të evolucionit, të shkruhen libra që mbështeten te e vërteta dhe thonë të vërtetën!