Fosilet e zogjve

Mes fosileve të gjetura gjer tani, flitet për fosilin e zogut të ashtuquajtur arkeopteriks (Archaeopteryx) me bisht të gjatë, me dhëmbë dhe kthetra në krahët e përparmë, duke pretenduar se ky është një lloj i ndërmjetëm mes zvarranikëve dhe zogjve. Duke u mbështetur në këtë, evolucionistët mendojnë se kanë gjetur një lloj ose brez të ndërmjetëm të procesit të evolucionit dhe, duke gjetur edhe hallkat e tjera të humbura, do të mund të mbushin zbrazëtirat mes shumëqelizorit të parë dhe njeriut për të provuar, ndërkaq, edhe se njeriu e ka prejardhjen prej majmunit!

Në të vërtetë, nuk ka asnjë shenjë që të tregojë se kjo gjallesë e ashtuquajtur arkeopteriks është një etapë mes zvarranikëve dhe zogjve. Po u pranua ky si i tillë, atëherë nuk ka asnjë pengesë që edhe lakuriqi i natës të vlerësohet si i tillë, sepse, meqë lakuriqi i natës është një zog gjitar, fare mirë mund të pranohet si një etapë e ndërmjetme mes zogjve dhe gjitarëve.

Mirëpo, ashtu siç shkenca nuk bën fjalë për një periudhë kur lakuriqi i natës të mos ketë ekzistuar, ashtu siç lakuriqi i natës nuk ka pësuar asnjë ndryshim gjatë ekzistencës së vet, ashtu edhe evolucionistët vetë, madje, nuk mendojnë ta përdorin atë si provë dhe argument për evolucionin. Ashtu si në rastin e arkeopteriksit, edhe në disa zogj, në ditët tona, hasen sqepe me anë të dhëmbëzuara. Të vegjlit e zogut të quajtur Opisthocomus hoatzin që rron në pyjet e Amazonës, kanë gishta të lirë në krahë (flatra). Për rrjedhojë, të sillesh sikur janë zbuluar dhe njihen të gjitha gjallesat që kanë jetuar e jetojnë mbi tokë qysh në krye të herës e gjer më sot, qoftë edhe sikur njihen të gjitha llojet e kafshëve që jetojnë sot, për të ecur, duke u mbështetur mbi pretendime të tilla boshe, me qëllim për të kërkuar etapa të ndërmjetme mes hallkave të evolucionit prej në krye të herës gjer te njeriu, s’do të thotë gjë tjetër veçse ta shpenzosh kohën kot, dhe këtë kuptim do ta ketë edhe në të ardhmen, sepse do të duhet të gjenden miliarda fosile të ndërmjetme për miliona lloje gjallesash nga njëra tek tjetra! Mbi gjithçka, sa e çuditshme është që, ndërsa fosilet e kafshëve që kanë jetuar por janë zhdukur si lloj, gjenden me shumicë, nuk gjendet qoftë edhe një fosil i vetëm që të provojë një etapë të ndërmjetme! Kurse gjallesa të tilla si dinozaurët që janë krijuar (ose kanë ekzistuar) në një të kaluar të caktuar dhe, pastaj, për shkaqe të kushteve të papërshtatshme të mjedisit apo të tjera, janë zhdukur si lloj, mund të shërbejnë si provë dhe argument jo i evolucionit, por vetëm i asgjësimit. Prandaj, fakti që, përkundër të gjitha këtyre, ka mëse një shekull që këmbëngulet mbi një teori të tillë duke bërë shpenzime tejet të mëdha, nuk mund të pajtohet kurrë me qëllimin e mirë për t’i shërbyer shkencës dhe të vërtetës. Nëse ende ka qarqe shkencore që vazhdojnë të merren me këtë punë, kjo ndodh sepse teoria e evolucionit është një dogmë që përdoret kundër krijimit, për rrjedhojë, kundër besimit te Zoti!