Institucione të vjetëruara

Pyetje: A mund të na i falni mendimet tuaja lidhur me tarikatet dhe teqetë në gjendjen e tyre sot?

Përgjigje: Ata që kanë vite që më dëgjojnë e dinë se unë nuk ka qenë kurrë kundër teqeve, apo tarikateve. Madje diçka e tillë as që më ka shkuar ndonjëherë nëpër mend. Unë kam lindur në teqe dhe, megjithëse në një shkallë shumë të vogël, jam formuar në zemrën e një medreseje. Prandaj as që mund të mendohet për një njeri si unë që të jem kundër teqeve, apo institucionit të medresesë. Vetëm se unë jam kundër institucioneve, të cilave u ka kaluar koha.

Teqetë dhe vendet e izolimit nga kjo botë e kanë kryer funksionin e tyre më së miri për plot dhjetë shekuj me radhë. Krahas kësaj të gjitha institucionet e sotshme ku mund të ndiejmë e të frymojmë ndjenjat dhe mendimet rreth fesë shpirtin e tyre e kanë marrë prej teqesë dhe prej vendeve të izolimit shpirtëror dhe nëse ato nuk përmbajnë këtë shpirt, atëherë njeriu ynë do të jetë i privuar nga pasioni dhe emocionet që e nxitin njeriun drejt së mirës, duke bërë që ata të marrin një formim shpirtëror gjysmak e thuajse të egër.

Këto janë mendime që unë i kam përmendur sa e sa herë. Mirëpo qëkurse ato kanë rënë në duart e disa njerëzve që nuk janë bërë dot ende bashkë me shpirtin e tyre, të një grupi të marrësh që pretendojnë se janë shejhë dhe tashmë bëhet fjalë për largim nga shpirti i fesë, unë e kam shprehur se jam kundër diçkaje të këtillë, ashtu siç e kam shprehur se jam edhe kundër një konceptimi të medresesë sipas logjikës aristoteliane. Por nuk kam qenë asnjëherë kundër medresesë së ideuar prej Fatihut të nderuar, i cili konceptonte një medrese, e cila do të funksiononte më tepër si një universitet. Unë kam qenë përherë ithtar i medresesë që u jep vend Molla Guraniut, e bashkë me të edhe Ali Kushçusë, apo Hezarfen Ahmet Çelebiut, të cilët nga njëra anë zhvilluan tejmase fikhun dhe interpretimin logjik të fesë, ndërsa nga ana tjetër shkruan tefsir-et më autoritare dhe nuk lanë pas dore as astronominë. Përherë i kam përmendur veç me vlerësim përpjekjet e bëra nga ana Beni Musait. Sepse, në atë periudhë, Perëndimi nuk dinte as se ç’ishte eklipsi që i ndodhte Diellit, apo ai që i ndodhte Hënës, por dërgonte mëkëmbës që të interesoheshin pranë Beni Musait. Ky ka qenë modeli i medresesë që unë kam duartrokitur përgjatë gjithë jetës.

Miqtë e Zotit si Sufjan Seuriu, apo Bishri Hafi i kanë shërbyer njerëzve me një mospritmëri të jashtëzakonshme karshi tyre, pa iu dobësuar për as edhe një grimëçast lidhja e fortë që kishin me Allahun (xhel’le xhelaluhu). Kanë jetuar me një mospritmëri për t’u pasur zili nga kjo botë, duke mos pritur asgjë nga njerëzit, duke e cilësuar veten si krijesën më të ulët ndër të gjitha krijesat. Përgjatë gjithë jetës i kanë shërbyer jetës së dijes dhe mësimit të njerëzve, për t’ua shtuar atyre njohjen me Zotin e tyre dhe kur kanë arritur që të kapërcejnë çdo kufi e çdo horizont të zemrës e të shpirtit, ata kanë ditur se si t’ua atribuojnë atë të tjerëve. Ja, kjo ka qenë teqeja për të cilat unë kam duartrokitur gjatë gjithë jetës sime.

Dhe, meqë fjala erdhi këtu, më lejoni të them se fakti që sot

është e pamundur që të gjesh personalitete të këtilla nëpër këto mjedise, kjo ka bërë që ne të kemi mangësi të parikuperueshme përsa i përket shërbimit ndaj kombit si një i tërë. Po, humbja e teqesë dhe e vendeve për t’u izoluar nga bota ka shkaktuar një humbje të jashtëzakonshme për të gjithë popullin islam.

Mirëpo as nuk mund të them që si Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) dhe Islami në syrin tim është i barabartë me teqenë dhe medresenë e sotme, ku lidhja me Zotin është e dobët, ku mungon emocioni dhe freskia e adhurimit dhe lutjes dhe ku gëlojnë veç njerëz që i kryejnë detyrat e tyre sikur të ishin duke kryer disa formalitete. Kjo është e papranueshme. Le të na i sjellin këtu njerëzit si Sufjan Seuriu, Ibrahim Ed’hemi, Bishri Hafiu, Xhunejd Bagdadiu, apo Shah Gejlani, apo Muhamed Bahaud’din Nakshibendi, apo Imam Rabaniu dhe mandej t’i quajmë teqetë dhe këto vende të izolimit dhe të adhurimit si gjithçka përsa i përket jetimit të metafizikës islame.

Por, nëse prej meje kërkohet që unë të shfaq nota të tepruara respekti e mirënjohjeje karshi atyre njerëzve që pretendojnë se janë shejhë për veten e tyre, më duhet ta them se nuk e kam fare qëllim diçka të këtillë. Sepse janë pikërisht ata që e kanë vrarë pasionin dhe emocionin brenda nesh. Ata që e kalojnë gjithë kohën e tyre nëpër sofra zijafetesh, që nuk arrijnë t’ia mësojnë dot asnjërit prej nxënësve të tyre përsosmëritë e Islamit, që nuk arrijnë t’u hapin atyre sytë edhe ndaj jetës së mendimit, siç ua hapin ndaj jetës së zemrës dhe që nuk u ofrojnë asnjë mundësi që krahas këtyre të kundrojnë edhe ligjet e universit. Dhe ashtu siç ia kanë rrënuar domethënien e teqesë, ia kanë vrarë shpirtin edhe medresesë. Të paditurit, qoftë të së parës, qoftë ata që i përkasin së dytës, i kanë penguar këto dy institucione që të kryejnë funksionin e tyre të bekuar, madje jo vetëm kaq por edhe e kanë vulosur si të tillë këtë çështje. Për shembull, fakti që unë jam kundër kësaj nuk do të thotë asgjë. Sepse është vetë feja që është kundër këtij botëkuptimi.

Është vetë Muhamedi i nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem).

Le të më tregojnë mua qoftë edhe një mësues të vetëm shpirtëror në të tilla institucione që u mëson nxënësve të tij përsosmërinë dhe qashtërsinë e shpirtit, që unë ta marr pluhurin e këmbëve të tij e me të të lyej fytyrën. Një mësues shpirtëror le t’u mësojë nxënësve të vet se ç’është përsosmëria, t’u mësojë që të duartrokasin çdo mendim islam, pavarësisht se nga kush artikulohet dhe t’u thotë atyre, “ik biri im, unë nuk kam se ç’të jap më, shko ndiq një tjetër” kur të jetë nevoja, apo që t’u mësojë atyre se si duhet ta ndiejnë veten të detyruar që t’i rrijnë gjithnjë në krah kujtdo që thotë: “La ilahe il’lallah”. Le t’u mësojë nxënësve të tij se ç’duhet të bëjnë kur shteti gjendet përpara një rreziku shumë serioz, gati për t’u rrokullisur drejt greminës së rrënimit dhe unë do ta marr pluhurin e tokës ku ka shkelur ai e me të do të lyej fytyrën.

Unë këtë e bëj që t’i dal në mbrojtje nderit të teqesë dhe për të ruajtur funksionin që kryen një medrese. Këto dikur kanë qenë shtëpi të një vargu luanësh, si Shah Gejlani, Muhamed Bahaudin Nakshibendi dhe këta kanë qenë luanë të atillë, që unë i kam duartrokitur përgjatë gjithë jetës dhe do të vijoj t’i duartrokas për sa të kem jetë. Mirëpo kur shoh se kush është duke ndenjur sot nëpër ato shkallë e në ato mekame, më kap një shqetësim i fortë dhe më pikon në zemër.