ATLASI I MENDIMIT
Shpirti i Islamit
Pyetje: Çfarë kuptimi ka shprehja “shpirti i Islamit”?
Përgjigje: Çdo gjë, duke nisur që nga gjallesat më të vogla, e deri te njerëzit që janë krijesat më të përsosura, ka shpirtin e saj. Ashtu si çdo sistem tjetër njerëzor që ka shpirtin e tij, edhe Islami ka një shpirt. Ligjësitë që veprojnë mbi llojet biologjike të krijesave në univers, për nga natyra, i ngjajnë shpirtit. Zhvillimi i farës, apo ligjet si ai i shtytjes dhe i tërheqjes ndërmjet sistemeve, po të kishin një trup fizik, llojet ku do të gjente veprim natyra e tyre do të ishin sikur të kishin edhe ato shpirt. Ndërsa, për sa i përket shpirtrave tona, ai është një ligj i detyrueshëm nga Allahu (xh.sh.) për krijesat e ndërgjegjshme. Ato vijnë nga urdhri “Bëhu!” dhe janë si një frymë hyjnore, e cila dëshmon shprehjen: “Unë i frymova ata prej shpirtit Tim.”
Edhe Islami ka një shpirt të vetin. Ai është thellësia, përmbajtja, ndërgjegjja dhe harmonia e gjithçkaje të tij, nga besimi në veprim, nga veprimi në nxitje, nga metoda e të jetuarit të tij, në detaje. Shpirti i Islamit është emërtimi përgjithësues për gjithçka që ka të bëjë me Islamin, duke nisur që nga e vërteta e “La ilahe il’lallah”ut, e cila është edhe shtylla më e fortë dhe më e madhe, deri te çështja më e vogël që ka të bëjë me imtësitë e të jetuarit të Islamit
Shpirti i Islamit
– për shembull, shtrirja në krahun e djathtë, duke vënë dorën poshtë kokës dhe leximi i lutjes: “O Zot! Unë të jam dorëzuar Ty krejtësisht, edhe nga shpresa, por edhe nga frika, kah Teje e kam drejtuar kokën dhe Ty ta kam dedikuar çdo punë timen dhe te Ti e kam mbështetur shpinën. Nuk ka vend tjetër ku mund të kërkoj mbrojtje, sepse nuk ka tjetër ku të mbështetesh veç Teje...” Njësoj si magjia e fshehur te një pemë, nga fara deri te fryti, e cila të lëbyr sytë me atë harmoni e rend aq poetik. Po, shpirti i Islamit e shfaq veten e tij në të gjithë metodën dhe imtësitë e të jetuarit të Islamit njësoj si harmonia e përsosur brenda një peme.
Islami nuk i ngjan asnjë sistemi tjetër të krijuar nga dora e njeriut, të cilët janë të cekët dhe artificialë. Prandaj edhe, në një farë mënyre, nuk është e përshtatshme që t’i atribuohet Muhamedit të nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Prandaj edhe umeti i Musait të nderuar (alejhis’selam), sipas mendimit të orientalistëve, është quajtur museui, ai i Mesihut të nderuar (alejhis’selam), i cili u shpërnda, duke e humbur thelbin e vet iseui, ndërsa umetin mysliman të Muhamedit të nderuar nuk e quajmë Muhamedi. Ne e përdorëm ndonjëherë këtë fjalë, mirëpo vetëm në raste të caktuara dhe kemi parasysh një kuptim metaforik të tij. Ne me të përpiqemi të shprehim Profetin tonë, Muhamedin (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), atë që reflekton përmes Tij si mishërim i plotë i moralit dhe i përgëzimit me fjalët: “Ti je një përmendore e moralit, sepse je krijuar me një moral shumë të lartë!” Në këtë kuptim me shpirtin e Islamit kemi parasysh një besim të shëndoshë te njëjësia e Zotit, besimi siç duhet te gjërat që duhen besuar dhe kryerje e çdo gjëje që Allahu (xh.xh.) na kërkon të kryejmë me vetëdijen sikur të ishim duke e parë Atë, që në terminologji emërtohet edhe me nocionin e ‘ihsan’-it. Ta jetësosh ihsan-in siç e shpreh domethënia e thellë e hadithit: “Ta adhurosh Allahun sikur të jesh duke e parë Atë. Sepse, megjithëse ne nuk e shohim dot, Ai na sheh ne.”
Nëse një njeri e jeton jetën duke u përpjekur që t’i ngjajë sa më shumë Profetit të tij (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), duke e kryer çdo punë me mendimin se po vepron njësoj siç ka vepruar Ai, atëherë kjo do të thotë se ai e ka kuptuar më së miri shpirtin e Islamit. Nëse një njeri përpiqet që ta dizenjojë gjithë jetën e tij, madje edhe të ngrënët, të pirët, të fjeturit... me pak fjalë, ta bëjë çdo gjë si i Dërguari i Allahut, atëherë edhe nevojat më të thjeshta njerëzore të tij quhen si adhurime për Allahun (xh.sh.), aq sa e gjithë jeta i konsiderohet një adhurim i pandërprerë dhe kjo është ajo që ne e quajmë të jetuar me shpirtin e Islamit.
Domethënia që shumica e interpretuesve të Islamit nëpërmjet arsyes nxjerrin prej frazës ‘shpirti i Islamit’, është gjithçka që përfshin besimi në njëjësinë për sa i përket rrethit të hyjnores, të zotërimit të Allahut (xh.sh.) dhe të të qenit të Tij i vetmi i Adhurueshëm. Allahu (xh.sh.) në Vetvete është Një; Ai nuk ka as shok, as ortak, as të kundërt, e as plotësues. Kjo është ajo që na e thotë me zë të lartë sureja Ihlas: “Thuaj: Ai është Allahu, zoti i vërtetë, që është vetëm Një. Allahu është Samed, (i Plotë, pa asnjë të mangët, ndaj të Cilit çdo gjë është nevojtare, por që Ai vetë nuk ka nevojë për asgjë). Ai as nuk ka lindur, e as nuk është i lindur. Dhe asgjë nuk u barabit dot me Të.” Këto ajete, që tregojnë njëjësinë e më të Shenjtit, të Allahut (xh.sh.) që është Individualiteti Lartësisht Madhështor. Ne Atë e njohim nëpërmjet fjalëve të Veta.
Allahu (xh.sh.), ashtu siç nuk ka shok e të ngjashëm në lartësinë e Tij, nuk ka të këtillë as në zotërimin e Tij mbi gjithçka. Mbretërit nganjëherë qëllon që të kenë të ngjashëm, apo ortakë, megjithëse në pamje të parë të japin përshtypjen se zotërojnë një pushtet absolut. Megjithatë, pavarësisht madhështisë që shfaqin tërë salltanetet e tyre, kanë edhe ministra, apo bashkëdrejtues në dispozitat e tyre, ku këta të fundit kanë të drejtat e tyre dhe mund të ndërhyjnë në vendimmarrje. Për shembull, presidentët kanë këshilltarë, kryeministrat kanë ministra. Secili syresh ka detyrat dhe të drejtat e tyre. Dhe, megjithëse është presidenti ai që kontrollon mbi gjithçka, aty mund të ketë edhe një kryeministër, i cili ka po ashtu ministra në vartësi. Mirëpo Allahu (xh.xh.), ashtu siç nuk mund të ketë shok në të adhuruar, as që mund të ketë ortak në kontrollin që ka mbi gjithçka tjetër. Ajeti kuranor, “Po të kishte zota të tjerë përveç Allahut në Tokë dhe në Qiell, atëherë rendi që është atje do të prishej.” e provon më së miri këtë fakt, duke e përforcuar me një argument të pakundërshtueshëm. Të gjitha veprimet i përkasin Allahut (xh.xh.). Ai mbjell, Ai zmadhon, rrit, korr dhe të jep për të ngrënë... me pak fjalë, është Ai, i Cili është i vetëm në zotërimin mbi gjithçka. Kësodore, në një tjetër ajet Ai na thotë: “Allahu ju krijoi ju, e Ai i krijon edhe ato që bëni ju.” Allahu (xhel’le xhelaluhu) i krijon tingujt që artikulojmë ne teksa flasim, e Allahu është Ai që e krijon shkrimin tonë teksa shkruajmë. Brenda nesh gjendet e instaluar diçka që quhet “vullnet”, të cilit nuk ia njohim mirë dimensionet, që shpreh edhe qëllimin tonë në kryerjen e gjërave. Vullneti është i yni, mirëpo në çdo dimension veprimi dhe kontrollimi i tij mundësohen nga Allahu (xh.xh.) dhe atribuimi i tij Allahut është domosdoshmëri e besimit në njëjësinë e zotërimit mbi gjithçka të Tij.
Ne nuk themi vetëm besim te njëjësia e Tij dhe e kontrollit të Tij mbi veprimtarinë, por edhe në njëjësinë e adhurueshmërisë së Allahut (xh.sh.). Sepse sjellja më e natyrshme ndaj një Qenieje që ka kontroll të plotë mbi çdo gjë materiale në gjithësi është robëria. Dhe njeriu që ka shpërfaqur më të përsosurën e robërisë ka qenë Muhamedi i nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). E kjo është edhe detyra jonë parësore, që të shpërfaqim të njëjtën performancë me Të në kryerjen e adhurimit.
Ja, ky është shpirti i Islamit dhe kjo përbën një temë shumë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse. Për të janë shkruar sa e sa vepra të mëdha, në të cilat mund të gjeni shpjegime nga më të ndryshmet e të vyerat.
Filozofia dhe teoritë filozofike
Pyetje: Cili është gjykimi juaj për përpjekjet për të përdorur filozofinë dhe teoritë filozofike të ndryshme për të shpjeguar parimet e Islamit nëpërmjet tyre? A mund t’i mësojmë se ç’mendime keni ju tuaja për Ibni Farabiun dhe Ibni Sinain?
Përgjigje: Filozofi, e cila e ka rrënjën nga fjala greke “Phi-
losophia”, do të thotë “dashuria për urtësinë”. Dhe njerëzit e dijes që merren me këtë lëmi të dijes njerëzore quhen filozofë, ndërsa ne i quajmë “të urtët”. Dhe në botën tonë të mendimit ka pasur e ka sa e sa dijetarë që janë njohës shumë të mirë të filozofisë.
Mirëpo më lejoni, që, me këtë arsye, t’ju them se ajo pjesë e filozofisë që përbëhet nga një varg teorish filozofike, të cilat bien ndesh me Kuranin dhe Sunetin, është e pamundur që të shpjegohet nëpërmjet Islamit, apo praktikimit të tij. Përpjekja për t’i shpjeguar nëpërmjet Kuranit edhe ato çështje që nuk janë zbuluar ende tërësej dhe nuk janë shpjeguar plotësisht nga konkluzione pozitiviste. Sepse një sistem filozofik që është ngjitur dje në skenë nga një ekolë e caktuar, nesër mund të konsumohet dhe të hidhet poshtë nga rezultatet e arritura prej shkencave pozitive. Ky ka qenë një gabim që është bërë në të shkuarën dhe vijon të bëhet edhe sot e kësaj dite, e cila ka prurë edhe një varg pasojash jo shumë të mira
për shoqërinë njerëzore. Fatkeqësisht, kjo qasje është një kujtim i mendimit skolastik të Mesjetës. Del dikush dhe hedh në tryezë një ide të re lidhur me shkencën dhe ne kapemi menjëherë pas saj dhe i vihemi punës që t’i gjejmë arsyetimin nëpërmjet kritereve të fesë. Me lejen tuaj, do të doja t’jua ilustroja këtë me një prej shembujve më të hidhur të kësaj praktike.
Përgjatë gati dhjetë viteve mua më kanë pyetur pandërprerë pyetje të llojit, “A ka evolucion? Sa të sakta janë mendimet e Darwin-it lidhur me evolucionin? Sa mund ta besojmë çështjen e mutacioneve, ku një gjallesë shndërrohet në formë?” dhe sa e sa pyetje të tjera. Dhe unë u përpoqa që t’u përgjigjesha, duke iu qasur nga anë të ndryshme. Darwin-i nuk i njihte as vetë aq thellësisht këto çështje. Ai kishte një përvojë shumë të kufizuar, e cila nuk dilte jashtë kufijve të një disipline të vetme. Kanë qenë neodarvinistët që kanë përfaqësuar një darvinizëm shumë herë më të madh, duke e futur deri edhe në shkolla këtë çështje të studimeve të tyre. Megjithëse, si në Evropë, ashtu edhe në Turqi janë botuar sa e sa shkrime dhe libra, të cilat janë futur nëpër shkolla, duke nisur që nga shkollat fillore, e deri nëpër universitete. Megjithatë, si dje, edhe sot, darvinizmi nuk i ka kapërcyer dot kufijtë e të qenit veçse një teori, madje sot ajo shihet më tepër si një temë më tepër fantastike, se sa reale; sepse nuk i ka mbetur më asnjë aspekt që ta bëjë të besueshëm. Por, fatkeqësisht, në botën islame ka pasur shumë njerëz që e kanë keqkuptuar, si pasojë e mosnjohjes mirë të Kuranit, apo e rrëshkitjes drejt modernizmit, ose që nuk e kanë njohur siç duhej shpirtin e Islamit. Dijetari Husejin Xhisri, të cilin e dua shumë dhe e kam përmendur gjithnjë me vlerësimet më të larta, në librin e tij “Risaleji Hamidije”, kur e pyesin se cilat janë mendimet e tija për darvinizmin, ai u është përgjigjur me këto fjalë: “Ajo është një teori; nëse arrijnë që ta provojnë atë me argumenta pozitivë, edhe ne mund ta shpjegojmë atë nëpërmjet parimeve të shenjta të Kuranit.”
Kjo mund të quhet edhe njëherë shprehjeje e tolerancës; vetëm se unë aty, nën rreshta, mund të dyshoj edhe se aty fshihet një dyshim a lëkundje për vërtetësinë e fjalëve të Kuranit lidhur me këtë çështje. Një fjali e tillë, domethënia e së cilës mund të tërhiqet ngado që ta tërheqësh, e cila shfaq shenja të ambiguitetit dhe nuk është fare nevoja për të bërë pohime të tilla. Sepse nuk bëjnë gjë tjetër, pos dëmtimit të sistemit tonë të besimit. Nëse shprehja e Kuranit lidhur me këtë çështje, apo vetë krijimi i botës, është një mrekulli, diçka e jashtëzakonshme, atëherë pika ku ne duhet të jemi të përqendruar më shumë është që të shpjegojmë se ku qëndrojnë mrekullia dhe e jashtëzakonshmja në të.
Krijimi i Ademit të nderuar (alejhis’selam) është një mrekulli më vete. Allahu (xh.xh.) e pati mbledhur brumin dhe baltën me të cilën u krijua Ai nga toka dhe e shndërroi në një përzierje proteinash. I bëri bashkë të gjitha atomet që duhet të gjendeshin në një molekulë të tij dhe prej tyre krijoi Ademin e nderuar (alejhis’selam). Mandej e thau atë dhe fryu brenda tij shpirtin. Mandej, ky krijim është përshkruar si një ndër mrekullitë më të mëdha, si në ajete kuranore të ndryshme, ashtu edhe në shumë hadithe profetike. Tani, pasi kemi thënë këtë, të thuash “Darwin-i ka thënë kështu; të mendojmë ndryshe. Lamarck-u ka thënë kështu; të mendojmë ndryshe. Neodarvinistët kanë thënë kështu; të mendojmë ndryshe” vetëm sa do të kesh shkaktuar më shumë dyshime e lëkundje për brezat e ardhshëm.
Sepse është një gabim shumë i madh që të ndikohemi nga qasje filozofike të tilla dhe të fillojmë të dyshojmë e të lëkundemi rreth të vërtetave të besimit tonë. Sot më shumë se kurrë, ne jemi të detyruar që të kapemi fort pas një çështjeje të caktuar dhe të mos bëjmë gabimin që shumë njerëz nuk kanë arritur ta shmangin dot. Të mos e harrojmë se kemi të bëjmë vetëmse me një teori.
Ndërsa kur vjen puna te filozofia, nëse kemi të bëjmë me teori të tilla, të cilat nuk mund të provohen, nuk do të kemi kurrfarë dobie nëse rrekemi që t’i shpjegojmë ato duke përdorur argumentat e Islamit. Sepse Islami e ka burimin tek Allahu (xhel’le xhelaluhu), që ka lidhur Fronin e Tij me tokën dhe ka zbritur prej lartësive më të epërme, atje ku ai që sheh të djeshmen, sheh edhe të sotmen, ashtu siç ai që sheh të sotmen, mund të shohë edhe të ardhmen, pra i një dijeje gjithëpërfshirëse, siç mund të jetë vetëm ajo e Tija. Islami vjen drejtpërsëdrejti nga fjala e pafillimt[ e Allahut (xh.xh.). Duke qenë se ka një burim të tillë, në të nuk ka asgjë që të jetë e pranueshme sot, por që nesër mund të bjerë pre e mohimit. Ai do të jetë i freskët dhe unik, nga dita në të cilën nisi t’i zbresë njerëzimit, e deri në ditën e kiametit. Kurse disa njerëz që nuk e kontrollojnë dot më veten përballë filozofisë, fillojnë të përfshijnë edhe qasjet e interpretimet e veta në tema të caktuara, e kjo shkakton lindjen e disa shpjegimeve që bien ndesh me shpirtin e Islamit, të cilat do të zbehen e do të humbasin çdo lloj domethënieje me kalimin e kohës, derisa nuk do të jenë më shumë se objekt anekdotash për t’u zbavitur. Kurse me Kuranin dhe Islamin nuk është e njëjta gjë, pasi ato janë të qashtër dhe qëndrojnë shumë lart krahasuar me teoritë filozofike.
Kurse tani të vijmë te çështja e “urtësisë”, e të parit të gjërave dhe ngjarjeve që ndodhin në gjithësi sikur ato ngjasin sipas një urtësie të caktuar, e cila mbizotëron kudo. Kjo është një çështje që lidhet drejtpërsëdrejti me emrin “Hakim-i Gjithurtë” të Allahut. Allahu bën mrekullira dhe përveçse fuqia e Tij e pashtershme bën punë të tilla, magjepsëse, çdo gjë që bën e bën me një urtësi të caktuar. Vetëm se Allahu nuk i binte kësaj urtësie kur krijon. Ndoshta është vetë urtësia që vjen bashkë me krijimin e Allahut (xh.sh.) si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e emrit të Tij “i Gjithëurti”. Një mik i së vërtetës ia thoshte:
“Urtësi ka në çdo punë tijën,
Se ai punë të kota ai nuk bën...”
Tani ta themi edhe këtë: Allahu nuk e ka të domosdoshme që
të krijojë me urtësi.
Në çdo gjë që krijon Allahu, urtësia dallohet vetëm si rrjedhojë e të qenit të Tij i Gjithëurtë. Përgjegjësia jonë është që të kërkojmë për t’i zbuluar këto urtësi dhe t’i vlerësojmë sa më mirë për sa i përket besimit dhe bindjeve tona. Pse hunda gjendet në mes të fytyrës, mes dy syve dhe poshtë ballit; pse sytë gjendet brenda dy gropëzash; struktura e veshit të jashtëm, veshit të mesit dhe veshit të brendshëm dhe tubi i Eustakit, dhe, së këndejmi, orvatemi të zbulojmë urtësi brendashkruar urtësish. Dhe çdo brilant urtësie që na shfaqet pikë-pikë përpara syve bën të mundur që besimit tonë t’i çelen horizonte të reja të dijes nga e cila njihet më mirë Krijuesi i gjithësisë. Kjo është filozofia që ne duam të merremi. Dhe kjo është një lloj filozofie që përshtatet me Kuranin dhe Islamin në çdo aspekt të tyrin. Sepse ajo që bie ndesh me argumentat e Kuranit, apo me parimet e Islamit, edhe pse sot duket sikur ka njëfarë peshe, mes filozofisë, e cila nesër do të ndryshojë, dhe të vërtetave të Kuranit janë larg njëra-tjetrës sa Qielli nga Toka.
Në pjesën e dytë të pyetjes ju më kërkoni se cilat janë mendimet e mia për Ibni Farabiun dhe Ibni Sinain. Këta ndryshojnë pak nga njëri-tjetri. Por të dy janë njerëz me shumë peshë. Vetëm se Ibni Sinai ka qenë më i pranuar prej qarqeve pozitiviste dhe librat e tij janë përfshirë në manualët dhe tekstet shkollore në Andaluzi për thuajse shtatë shekuj, sepse ai ka qenë një njeri-enciklopedi, duke qenë se ai ka dhënë vepra madhështore në disa prej fushave më të rëndësishme të dijes njerëzore, si feja, mjekësia, urtësia, logjika dhe filozofia. Këta dy gjeni kanë pasur një inteligjencë të jashtëzakonshme dhe një aftësi mendimi tej çdo koncepti të së zakonshmes. Megjithatë, përveç gjykimeve dhe mendimeve që kanë shprehur nën dritën e profetësisë, vende-vende ata i janë bindur principeve të logjikës, duke braktisur herë-herë udhërrëfimin e profetësisë, ndaj edhe ka pasur vende ku kanë dalë të gabuar. Në këtë pikëpamje Ibni Farabiu e ka tepruar më tepër krahasuar me Ibni Sinain.
Gjithnjë ka ekzistuar diskutimi se Farabiu ka mohuar – njëfarësoj – domethënien e profetësisë dhe, duke e mbajtur më lart filozofin se profetin, ai ka rënë në devijim. Megjithatë më lejoni që t’jua përmbledh unë me dy fjalë mendimet e tij për këtë çështje, ndërsa gjykimin bëjeni ju vetë, duke vënë në punë parimet e fesë. Për shembull, Farabiu e sheh filozofin si një figurë më të lartë se profetin. Sepse të gjitha mendimet e profetit nuk janë fryt i punës së tij, por i zbresin të gatshme nga ana e Allahut përmes revelacionit. Ndërsa filozofi mundon mendjen dhe lodh trurin e tij për këtë punë. Prandaj, filozofi qenka më i madh se profeti, thotë ai.
Së dyti, profeti ka thënë nga një gjë për fusha të ndryshme dhe shumë prej gjërave të thëna prej tij nuk janë të shpjegueshme. Ndërsa filozofi i jep brezit të vet domethënie që i përkasin kohës dhe shoqërisë në të cilën ai bën pjesë. Dhe megjithëse mund të kenë qenë të kufizuara vetëm me kohën kur ai i ka thënë ato, mes pohimeve të tij dhe natyrës së gjërave mund të ketë një lidhje të pazhbëshme. Kurse profeti ka folur për gjëra që i përkasin botës së të panjohurës, ndaj atij i duhet që t’i provojë ato. Ndërsa profeti ka parë përpara dhe ka artikuluar thjesht ato gjëra që ka parë, mësimet e tij kanë qenë të përbëra kryesisht nga pohime provimi i të cilave nuk është i pamundur.
Të gjitha këto mendime janë nga një shufër dinamiti që vihet poshtë, në themelet e revelacionit dhe të profetësisë, që edhe nëse unë tregohem shumë i kujdesshëm dhe tejet i matur për të thënë “nuk përbëjnë mohim”, do të ketë gjithnjë njerëz që do t’i konsiderojnë si “mohim”. Këtu nuk përfshihet pozicionimi i filozofit mbi profetin, sepse kjo është e pafalshme. Profeti është shumë i dhënë pas misionit të tij, madje është shumë e vështirë që t’i ndash ata prej njëri-tjetrit, dhe ai është një njeri që i mat shumë mirë shkakësitë që ndërveprojnë jashtë tij. Teksa dëgjojmë shumë ajete kuranore, në të gjitha ato Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) dhe profetët e tjerë na shfaqen përherë duke analizuar gjërat dhe ngjarjet që ndodhin përreth tyre. Vetëm se dihet, se profeti i bën kërkimet nën dritën që i tregon Allahu (xhel’le xhelaluhu) dhe nuk zhgënjehet nga gjykimet në të cilat arrin. Duke qëndruar përherë i udhëzuar prej revelacionit dhe frymëzimit hyjnor, ai nuk gabon asnjëherë në realizimin e misionit të tij. Kurse filozofi mund të gabojë në çdo çast gjatë kërkimeve që bën. Kur vjen puna te gjykimi i gjërave dhe ngjarjeve përreth, profetët kanë parashikuar shumë gjëra që do të ndodhnin në të ardhmen dhe me kalimin e kohës shkenca i ka nxjerrë ato si të vërteta. Madje profetët, jo vetëm kaq, por kanë parashikuar shumë gjëra, që filozofit as që do t’i shkonte ndonjëherë mendja te to dhe me kalimin e kohës ato kanë dalë të vërteta dhe fjalë për fjalë madje. Të gjitha pohimet që ka bërë Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) lidhur me të ardhmen, i Cili i shihte gjërat dhe ngjarjet si të ishte duke i parë në një ekran të madh, lidhur me shumë gjëra që do të ndodhnin gjer në ditën e kiametit, kanë rezultuar të vërteta.
Prandaj ne mund të themi se Farabiu e ka sulmuar dhe e ka përdhosur rëndë domethënien e profetësisë, duke ekzagjëruar tej mase. Prandaj, nëse do ta gjykojmë si Bediuzamani këtë çështje, i cili është treguar më i kujdesshëm se Imam Gazaliu lidhur me këtë çështje, duke u atribuar atyre shkallën e “besimtarit të zakonshëm”. Ndaj edhe ne duhet të tregohemi shumë të matur, sepse nuk mund t’i rrëzojmë kaq poshtë njerëzit që thonë “la ilahe il’lallah”.
Dy librat e Allahut: Kurani dhe gjithësia
Pyetje: Myslimanët, të cilët kanë sunduar me drejtësi për shekuj me radhë në kontinente të ndryshme të rruzullit tokësor dhe kanë arritur të ngrenë shtete shumë të mëdha, sot gjenden të rënë shumë poshtë. Pse ramë ne në këtë gjendje dhe cilat janë rrugëzgjidhjet për të shpëtuar prej saj?
Përgjigje: Ta pranosh me gjithë zemër Islamin si fe dhe ta bësh atë jetë për jetën tënde është një virtyt shumë i rrallë. Ky është një virtyt që Allahu (xh.sh.) e vlerëson jashtëzakonisht shumë, duke i falur një rëndësi të posaçme. Dhe krahas kësaj, konceptimi dhe njohja e Islamit në të tërën e tij është një veçanësi dhe një virtyt edhe më i çmuar. Kur Islami është pranuar vetëm me disa aspekte të tij, popujt e tillë, të kufizuar, janë përballur me probleme shumë të vështira, qoftë në jetën shoqërore, qoftë në përballjen me vendet e tjera. Ndërsa kur të konceptohet drejt dhe të jetohet i plotë, këto probleme do të jenë zgjidhur sipas mundësive, duke arritur në një nivel të pëlqyeshëm për të gjithë. Thelbësore këtu është që Islami të jetohet në përputhje me qëllimin e Allahut dhe brenda qerthullit të mësimeve të Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), patjetër që duke e kuptuar atë edhe në shpirtin e përpjekjes për ta jetuar sa më mirë të të parëve tanë. Njeriu e ka të pamundur që ta arrijë nivelin e pritur prej tij, nëse ai nuk e ka kuptuar shpirtin e fesë, edhe sikur veten dhe gjithë kohën e tij t’ua japë adhurimeve, të çohet netëve dhe t’i kalojë ato me namaz, apo ditët duke u falur, sepse ai do të ketë gjëra që do t’i lërë pas dore. Krahas kësaj, megjithëse ai beson në Allahun , nëse nuk i kryen të gjitha detyrimet e fesë së tij, ai prapë nuk ka për ta arritur dot nivelin që i kërkohet të arrijë. Dhe, që kjo çështje të konceptohet në tërësinë e vet, ai duhet t’i kuptojë më së miri të gjitha urdhëresa e fesë për jetën e njeriut, apo për veprimin e besimtarëve për sa i përket së ardhmes, sepse kuptimi dhe jetësimi i të gjithë këtyre urdhërave përbën një domosdoshmëri.
Veç kësaj, një tjetër çështje shumë e rëndësishme është që njeriu, krahas fesë, ta përfshijë veten thellësisht në të gjitha ato principe që rregullojnë jetën individuale, shpirtërore, të zemrës dhe të mendimit të tij dhe, me një shpirt e mendje të ndritur, ai të dijë si të hyjë në shpirtin e gjërave dhe të ngjarjeve. Sepse, në të kundërt, edhe këtu ndodh një bllokim dhe është e pashmangshme shfaqja e një vargu problemesh nga më të ndryshmet. Në univers nuk ka asgjë që të jetë e bllokuar dhe e pakuptueshme për një besimtar. Përtej kësaj, edhe sikur ta falë rregullisht namazin, apo të agjërojë vazhdimisht, për atë që nuk e ka arritur dot nivelin e kërkuar të besimit universi do të mbetet një libër i mbyllur e i pakuptueshëm. Për këta njerëz çdo anë e universit është një vrimë e zezë, të cilat e kërcënojnë atë me errësirën. Prandaj besimtarët janë të obliguar që ta trajtojnë Kuranin Famëlartë në tërësinë e tij. Por ç’e do, se gjatë këtyre tre shekujve të fundit ne e kemi kthyer Kuranin në një libër që na jep këshilla për organizimin e jetës dhe të adhurimeve tona – madje edhe këtë pjesë përgjysmë, jo të plotë.
Këtu do të doja që t’jua tërhiqja vëmendjen drejt një të fshehte. Si dënim që ne e shndërruam Kuranin në një libër që flet vetëm rreth temash të caktuara të jetës sonë si individë, Allahu e shndërroi atë në të vërtetë për jetët tona. Sepse, nëse njeriu nuk ka një dëshirë me fjalë dhe me veprime, Allahu nuk lejon askënd që të bjerë pre e një ndëshkimi të këtillë. Disa nga sahabët që ia kishin shtrënguar dorën Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), duke lidhur besën me Të, në luftën e Uhudit, të trembur prej fjalëve që ishin përhapur se Profeti ynë kishte vdekur, qenë tërhequr drejt malit të Uhudit. Ajo që i pati bërë ata të tërhiqeshin ishte një lëkundje njerëzore. Mandej kjo gjendje solli një tjetër rrëshkitje të dytë të këmbës. Dhe kështu, u krijua një nyje, një rreth vicioz gabimesh. Sa më shumë që ata tërhiqeshin pas, aq më shumë të humbur i nxirrte Allahu ata, sepse ata do të shkatërroheshin nëse iknin. Ata do t’i humbnin gjithë ç’kishin, si materialisht, ashtu edhe shpirtërisht deri në çastin e hyrjes në Medinën e Ndritur. Mirëpo Allahu, për hir të të mirave që ata kishin bërë deri më tani nuk e lejoi krijimin e një rrethi vicioz të atillë, përpirës, duke i falur. Dhe me t’u privilegjuar me falje, zinxhirët e rrethit vicioz u këputën, duke bërë, që në vend të tij të krijohej një rreth pjellor i së mirës. Mirëpo a është kjo e vlefshme për çdo periudhë dhe për çdo bashkësi njerëzore? Ne i lutemi mëshirës hyjnore që të na falë edhe ne. Mirëpo nëse brenda nesh është krijuar një rreth vicioz dhe mëkatet e lidhura si gurë tespijesh dhe rrëshkitjet e këmbëve sjellin rrëshkitje të tjera njëra pas tjetrës, atëherë ne nuk do të mund të dalim dot kurrë prej atij rrethi. Zoti e ktheftë edhe rrethin tonë vicioz, në të cilin jemi izoluar, në një rreth pjellor të së mirës!
Rrethi i së mirës është ky: Kur njeriu bën një punë, e cila bëhet shkas për mbarësi, kjo punë e thërret atë drejt punësh të tjera të kësaj natyre. Kjo gjendje kthehet në një lutje drejtuar Allahut (xh. sh.). Kësodore Allahu ju fal mundësinë që të bëni edhe një të mirë tjetër, derisa kjo shndërrohet në një proces të pandërprerë. Po, mbas të parës, e dyta, e treta, e katërta dhe pas tyre veç mirësi dhe gjëra të bukura, që ndjekin njëra-tjetrin si të ishin në një garë. Prandaj, nëse ju vraponi kështu, nga e mira në të mirë, atëherë ndihmesa e Allahut do të jetë gjithnjë me ju, për t’ju mbështetur në punët që bëni.
Për sa i përket situatës sonë, këtë çështje mund ta trajtojmë edhe kështu: për besimtarin, - me lejen e Allahut - krijimi i një rrethi të së mirës është përherë i mundur. Për shembull, nëse ai merr në shqyrtim universin si një libër dhe përpiqet të kuptojë se çfarë ka shkruar dhe çfarë ka shenjuar Allahu në këtë libër, me fuqinë dhe vullnetin e Tij të epërm. Të tjerët e kanë parë atë veçse me sy të verbëruar, ndaj edhe kanë ngecur thjesht se në lëvoren e tij. Pas asaj perdeje prej tantelle, me një fjalë, nën botën e dëshmisë gjendet bota e së fshehtës, dhe ata nuk kanë arritur të shohin dot shpirtin që fshihet nën zgavrën e trupit, andaj edhe nuk i kanë përkapur dot të fshehtat në shfaqjen plot fshehtësira të ndodhive. Ndërkohë që një besimtar, dijet dhe kundrimet e tija arrin që t’i shndërrojë në njohje të Allahut, dashuri për Allahun (xh.xh.) dhe kënaqësi shpirtërore për veten. Kur kemi një pikëvështrim të tillë dhe qëllimi i vetëm është Ai (xhel’le xhelaluhu), nuk ka të ngopur me kënaqësinë që të ofron ky lloj peizazhi, apo rrugëtimi, mund ta quani si të doni.
Po, kur njeriu i hyn kësaj pune me vetëdije të plotë dhe me emocionet që i gëlojnë përbrenda, ka për të gjetur përherë gjëra të reja dhe, njësoj si bleta që hyn në thellësi të lules për të marrë nektarin, ai do të bjerë e do të ngrihet vetëmse me vetëdijen se sa më shumë që të thellohet, aq më të magjishme do të jenë gjërat që do të zbulojë. Çdo gjë e re e zbuluar do t’ia shtojë atij dëshirat dhe emocionet, ndaj ai do të mbushet veç me rrezatime të njohjes së Allahut, në shpirtin e tij do të hyjnë veç mendime që i përkasin përtejhorizontit dhe ai nuk do ta kontrollojë dot galdimin për t’i hapur velat sa më shumë drejt brigjesh të reja, të pasoditura më parë. Ai do të përveshë mëngët dhe do t’i vihet punës për të parë çdo anë e çdo kënd të dukshëm a të padukshëm të kësaj hapësire të paanë.
Në fakt Kurani ne këtë na mëson, që ta shohim gjithësinë me këtë sy dhe kështu të mendojmë rreth saj. Njeriu duhet të përpiqet të shohë ndërlidhjet dhe harmoninë që mbizotërojnë në të dhe të përpiqet që t’ua kuptojë gjuhën dhe çfarë shpjegojnë fizika, gjeometria, kimia, apo astrofizika, me një frymëzim si frymëzimi i poetëve dhe, ja, pikërisht atëherë, në çdo gjë që do të gjejë do t’ia rrisë edhe më shumë besimin dhe bindjen.
Nëse është Ai që e thotë këtë...
Dua që t’ju tregoj sërish një ndodhi, të cilën jua kam rrëfyer shumë herë për arsye të ndryshme. Kjo ngjarje u ndodh dy njerëzve të dijes; një prej tyre mysliman, ndërsa tjetri i krishterë. Studiuesi mysliman, që e tregon këtë ngjarje, thotë:
Gjatë viteve kur kam qenë në Amerikë, atje ishte një shkencëtar i famshëm, me të cilin takoheshim vazhdimisht dhe kalonim kohë bashkë. Herë-herë shkoja unë tek ai dhe bënim diskutime të gjata për shkencën. Pasioni që ai njeri kishte për dijen, t’ju them të vërtetën, më magjepste. Teksa ecnim një ditë nën shi, pashë që ai hyri me të shpejtë në kishë. Megjithëse binte një shi i rrëmbyer me rrebesh, ai nuk e hapi për asnjë çast çadrën që mbante poshtë krahut. Si të mos ishte i vetëdijshëm për gjithë atë shi që po binte; kishte humbur i tëri dhe dukej shumë i ngarkuar në ndjenja. Lotët që i rridhnin nga sytë dukej sikur i bënin për zili shiut që rridhte. I shkova pranë, por ai as që më dalloi fare. Bëmë një copë rrugë bashkë, kur unë vendosa që ta thyeja heshtjen dhe atë atmosferë të krijuar dhe kur i thashë: “Më duket se nuk e ke dalluar, por po bie shi!” aty sikur erdhi disi në vete. Hapi çadrën që mbante nën krah. Teksa ecnin nën ombrellën e tij, i thashë:
Në shekullin që jetojmë ateizmi është kthyer në modë. Por po shoh se ju, megjithëse jeni një horizont dhe një majë në fushën e shkencës, vijoni të shkoni në kishë?
Nuk mund t’i përgjigjem pyetjes suaj në këtë gjendje që ndodhem. Eja nesër nga shtëpia ime, të të gostis me një çaj dhe ta flasim atje gjerë e gjatë këtë çështje, - ishin fjalët që më tha.
Të flisje me një njeri kaq të entuziazmuar, të dëgjoje se si e interpretonte ai botën e tij shpirtërore dhe të përhumbeshe në gjërat që dëgjoje prej tij ishte diçka shumë e ëmbël në emër të Allahut. Ditën tjetër, pa humbur kohë, shkova nga ai për të biseduar.
Trokita në derë dhe derën ma hapi një fëmijë. Kur hyra brenda, më thanë se “ishte ulur në dhomën e tij”. Kur u futa brenda e gjeta të ulur në tavolinë me duart të shtrënguara grusht dhe të shtrira mbi skrivani. Edhe çaji ishte gati. Kur i shkova pranë dukej i mbushur plot nga emocionet. Aty filloi të më fliste se galaktikat ekzistonin të futura brenda njëra-tjetrës, se si në univers mbizotëronte një rend i jashtëzakonshëm, apo se si kjo harmoni magjepsëse nuk prishej për asnjë çast; me pak fjalë, më foli për çdo gjë, nga atomet e deri te nebulozat dhe se si tek ato nuk mund të ishin paqëllimshëm aq të rregullta, apo rreth krijimit të universit në një mënyrë që të ishte e mundur jetesa në të. Ndërkohë që e kaplonte një entuziazëm i papërshkrueshëm kur fliste për kontrollin e Allahut (xhel’le xhelaluhu) që mbizotëronte ngado, aq sa dukej sikur dilte nga vetja teksa fliste.
Foli rreth nebulozave; për vullnetin që i vinte ato në veprim në një gjithësi kaq të gjerë, rreth zgjerimit të hapësirës dhe për veprimtarinë e Allahut në gjithë këtë paanësi. Dhe, teksa tregonte këto të vërteta, njëherë ato të makrokozmosit, njëherë ato të mikrokozmoseve, dukej sikur kuptimi i fjalëve të tij ishte: “Në të ardhmen ne do t’ua tregojmë atyre haptas argumentat tanë si në botën jashtë tyre, si brenda veteve të tyre. Atëherë do ta kuptojnë ata se ç’është e drejta dhe e vërteta.”
I tejmbushur, i plotësoi kështu fjalët e tija:
̶ Habitem! Që megjithëse shkenca ka bërë kaq shumë përparime, në çerdhet e dijes sundon mohimi... po, po, habitem.
Unë pata kapur çastin më të volitshëm për ta vendosur gurin
në hapësirën e mbetur bosh dhe i thashë:
̶ Po bëre një minutë pushim nga këto fjalë të ëmbla që po thua, dua të të tregoj diçka të bukur.
Heshti për një çast dhe zuri të më dëgjonte mua me qetësi. Unë me ç’të më vinte së brendshmi, fillova t’i lexoja një ajet kuranor, të atillë që do të mund të hyja në shpirtin e tij. I thashë:
̶ Në Kuranin Famëlartë që iu zbrit Muhamedit të nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) është një ajet, ku Allahu thotë: “Vetëm dijetarët janë ata e kanë zemrën plot respekt ndaj Allahut dhe i frikësohen me të vërtetë Atij.” Kur e mbarova së e lexuari ajetin, në fytyrë i behu një tis dridhjeje dhe përnjëherë tha:
̶ Muhamedi e thotë këtë?
̶ Po, Muhamedi i nderuar. Ai e thotë, por fjala nuk i përket Atij.
̶ Nëse këtë e thotë Ai, atëherë ji dëshmitar ti, se Muhamedi është i dërguari i Zotit, njësoj si të dërguarit përpara tij, - shtoi ai kumbueshëm.
Po, këtë e thotë një perëndimor. Ka sa e sa njerëz që gjejnë udhëzimin përditë dhe gjendja e tyre na e mëson më së miri këtë të vërtetë. Sepse, sa më shumë që njerëzit të thellohen te gjithësia, aq më të qartë do ta kenë për ta parë se pas të gjitha perdeve fshihet fuqia e Allahut (xhel’le xhelaluhu). Kësisoj do të krijohen rrathë pjellorë të së mirës. Dhe ka kaq shumë vepra që janë shkruar si frymëzim i të tilla meditimeve, sa që nuk mund të them veçse Zoti na dhëntë mundësinë që t’i studiojmë dhe të mund të përfitojmë sa më shumë prej tyre!
Jeta jonë prej shpirtërorësh
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i kësaj çështjeje është edhe gjendja jonë shpirtërore dhe jeta jonë si qenie shpirtërore. Ne jemi qenie të ngarkuara me detyrën për të adhuruar Allahun (xh. xh.). Të falim namazin, të agjërojmë, të përmendim Allahun dhe netëve, me të njëjtin emocion si ai i Rabia Adeuijes, të themi: “O Zot! Të gjithë sytë ranë në gjumë. Qielli u stolis nga yjet. Sunduesit e rruzullit tokësor i mbyllën portat e tyre. Mirëpo veç porta Jote nuk mbyllet kurrë, për asnjë çast. Mos më përzi mua nga porta Jote! E mos ma kurse mua mëshirën Tënde!” dhe të përulemi gjer në mosdukje.
Një njeri, kur i afrohet shtëpisë së Zotit, nëse vjen aty me ndjenja të tilla, atëherë edhe në rrethin e tij të robërimit krijohet një tjetër rreth pjellor i së mirës. Ndaj, gjëja e parë që ne duhet të bëjmë është ta detyrojmë veten, duke përdorur vullnetin tonë, pavarësisht pengesave të egos sonë, duke bërë çdo përpjekje që ta kapërcejmë veten thellë në zemrat tona; mandej të gjitha vijnë vetë njëra pas tjetrës.
Robëria e njeriut, para së gjithash, është e lidhur me vullnetin e tij dhe shfaq disa shqetësime përsa i përket fizikes dhe trupores tek ai si qenie. Kjo do të thotë se askujt nuk i mbushet zemra plot emocione me ta dhënë veten pas adhurimeve dhe devotshmërisë. Si çdo gjë tjetër që është e lidhur me vullnetin, edhe kjo është e lidhur drejtpërsëdrejti me vullnetin dhe me përpjekjen nga ane vetë njeriut. Njëlloj si njeriu që është i plagosur nga çdo anë, i arnosur dhe që nuk arrin të vërë dot një kafshatë bukë në gojë, dhe është i detyruar që t’i pijë një e nga një e rregullisht të gjitha ilaçet që i ka rekomanduar mjeku, megjithëse pa dëshirë, për të fituar sërish shëndetin e mëparshëm. Që të mund të arrijë në shkallën e atyre që jetojnë në botën e shpirtrave, njeriu duhet t’i kryejë të gjitha adhurimet dalëngadalë, njëlloj si marrja e barnave në mënyrë periodike e të rregullt dhe sa më shumë ta bëjë këtë, dëshira e tij për të bërë më shumë do të zhvillohet, do të thellohet, derisa të kthehet në një dimension të natyrës së tij.
Ja pra, robëria është cilësimi i kësaj marrëdhënieje që ekziston mes nesh dhe Zotit. Në fillim çdo gjë e vë paksa në vështirësi njeriun dhe nganjëherë këtu ka dy rreziqe që atij i duhet t’i kapërcejë. Njëra është mosthyerja dot e ambientimit, ndërsa tjetri është rreziku i rënies nën peshën e mrekullive të të tjerëve dhe lëshimi i vetes në mendimin se kjo është diçka e pamundur. Moskapërcimi dot i ambientimit është një shqetësim i madh. Megjithëse shumë prej nesh falin të njëjtin namaz, agjërojnë njëlloj, netëve i drejtohen po në të njëjtën mënyrë Allahut, themi të njëjtat gjëra, mirëpo nëse nuk ia dalim që të kapërcejmë ambientimin, atëherë do të kemi shumë devijime dhe kthime pas gjatë rrugëtimit. Mirëpo kjo, - me fjalët e hadithit – e bën për të qeshur djallin, ndaj, si rrjedhojë, kjo i bën shumë shpirtërorë, të cilët janë shumë pranë Allahut (xhel’le xhelaluhu), të trishtohen. (Atyre – hasha – nuk mund t’u atribuoj një trishtim si ai që kemi parasysh ne. Ky është një trishtim që e përjetojnë vetëm qeniet e atij rrethi, apo diç e ngjashme me trishtimin.)
Dhe, për ta kapërcyer ambientimin, pikë së pari duhet bërë një operacion në mendim. Njeriu duhet të jetë duke menduar dhe duke medituar në çdo çast. Së dyti, ai duhet të ruajë një lidhje të fortë me vdekjen. Të mendojë pandërprerë se ne vdekjen e bartim çdo çast mbi shpinë dhe se mund të na e hedhë kthetrën e saj nga çasti në çast ne të na marrë dhe, me një botëkuptim të këtillë, të kemi një sjellje sikur të gjendeshim përherë në praninë e Zotit.
Ndërsa shqetësimi i dytë për besimtarët është qetësimi me heroizmat e të tjerëve. Ne e lëvdojmë përherë me magjepsje madhështinë e të parëve tanë. E si të mos e lëvdojmë! Ja, unë ju përmenda pak më parë një heroizëm të Rabia Adeuijes. Mirëpo edhe Hasan Basriu nuk qëndron shumë pas saj. Sa e sa herë ju kam treguar për të e sytë më janë mbushur plot: Mansur bin Mu’temiri ishte një ndër më të mëdhenjtë e brezit të tebei tabiinëve dhe ishte një njeri shumë i thellë në adhurime dhe devotshmëri. Sa herë që ndonjë nga fëmijët e fqinjëve të dilte në mbrëmje jashtë, shihnin një shtyllë në taracën e shtëpisë së Mansurit. Dalin sërish një natë, mirëpo nuk e shohin më atë shtyllë që e kishin parë aty përherë. Njëri nga këta fëmijë shkon te nëna e tij dhe e pyet: “Ç’u bë ajo shtylla që qëndronte mbi taracën e Mansur bin Mu’temirit?” Nëna ia kthen: “Ah, more bir! Ajo nuk ishte shtyllë. Ai ka qenë vetë Mansuri. Ai çdo natë e kalonte në kijam, duke falur namaz. Mirëpo dje u nda nga jeta.”
Për mua është detyrim që t’i tregoj këtë virtyte dhe ndere që u përkasin të parëve tanë. Vetëm se, nëse ato nuk shkaktojnë entuziazëm në shpirtin tim dhe nëse nuk më nxisin mendimin se duhet të bëhem edhe unë si ata, atëherë tregimet e mia nuk do të jenë asgjë tjetër veçse tregim historish sikur të jesh duke treguar legjenda për qytetërimet që kanë ekzistuar kohë më parë dhe janë shkatërruar. Nëse unë vetë jam i rrënuar dhe i mjerë, edhe sikur gjithë ditën të ulërij, “Ne jemi pasardhësit e një kombi që ka krijuar heronj”, kjo nuk ka për të më bërë kurrfarë dobie. E rëndësishme është të jesh vetë si heronjtë e atij kombi.
Po, edhe ne i respektojmë të mëdhenjtë tanë. Nëse Marufi Kerhi ka ndezur një dritë të fortë për mua, të treguarit e historive të tij do të ishte e dobishme vetëm nëse më jep mua ndonjë mendim se si të arrij edhe unë te burimi i asaj drite. Shah Gejlani, këmbët e të cilit qëndrojnë mbi shpatullat e të gjithë njerëzve të lartë të Allahut, me pishtarin që ka ndezur, vetëm nëse arrin të ndezë zjarrin e besimit brenda meje do të kishte kuptim që të merreshim me tregimin e historive rreth tij. Sepse, për sa kohë që ne do të gjejmë ngushëllim nga historitë dhe rrëfenjat, si të mbërthyer prej kompleksit të inferioritetit, duke treguar heroizmat e të tjerëve si të ishim duke rrëfyer epika për popuj të rrënuar e të shfarosur nga faqja e dheut, do ta kemi të pamundur që të bëjmë qoftë edhe një hap të vetëm përpara. Çdo individ i shoqërisë duhet të përpiqet të bëjë përpara duke ndjekur udhërrëfimin e këtyre personaliteteve të mëdha, asisoj që nga njëra anë të mbërthehet kthetrash me errësirën e natës për të arritur shkallët më të larta të miqësisë me Zotin, nga ana tjetër të përballojë rraskapitjet e përplasjes me jetën e kësaj bote gjatë ditës, në mënyrë që të gjallërohemi edhe njëherë dhe, të çliruar prej ambientimit, si të bërë me flatra të përparojmë në rrugën drejt Tij. Për t’u thelluar në robëri – dashtë Zoti – ne, si popull mund të arrijmë atje.
Është vetë Kurani Fisnik që na e transmeton këtë gjendje në shumë prej ajeteve të tij, duke na e theksuar pa ndërprerë rëndësinë e braktisjes së shtratit gjatë natës, për të falur tehexhudin dhe namazin e mëngjesit. Edhe ajeti, “O njeri i mbuluar në shtrojë! Ngrihu dhe lajmëroji njerëzit!”, që është edhe një nga urdhrat e parë që Allahu i ka dërguar Profetit Tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) shpreh një paralajmërim jetësor lidhur me këtë çështje. Me këto fjalë, Allahu (xh.sh.) duket sikur është duke i thënë: Si mund të rrijë i mbuluar nën shtroja një njeri si ti, i zgjuar në shpirt, me zemër kaq të thellë e që i jeton aq thellë në ndërgjegjen e tij shqetësimet e njerëzimit? Kjo është një gjendje vite drite larg natyrës Sate të lartë. Prandaj ngrihu dhe bëj detyrën tënde!
Në të njëjtën kohë, me ajetet, “O Profet me nam të madh që je mbuluar nën shtroja, ngrihu dhe jepi jetë natës, përveç një pjese të saj!”, “Ngrihu në atë pjesë të veçantë për ty të natës dhe lexo Kuran, fal namazin e tehexhudit. Vetëm kështu mund të shpresosh që Zoti yt të të çojë Ty Shkallës së më të Lëvduarit.” dhe “Në mëngjes dhe në mbrëmje përmende emrin e Zotit! Në një pjesë të natës bëji Atij sexhde, ndërsa në një pjesë të gjatë të natës përmende Atë dhe kryeji adhurime!” i kërkon Profetit tonë që t’i lutet Atij me një përgjërim kaq të thellë.
Nëse do ta tregoheni të kujdesshëm, të gjitha këto janë këshillat e Allahut për një njeri që ka përparuar jashtëzakonisht shumë në anën shpirtërore. Poende, Allahu i kërkon Profetit tonë që pikërisht në çastet më të këndshme për të kaluar kohë me pjesëtarët e tjerë të familjes, i kërkon Atij pak përshpirtshmëri (të largohet nga ana e kësibotshme e jetës dhe të jetë më pranë Allahut), duke i kërkuar që ta përpiqet më shumë për të dytën. Sepse fraza “largoju botës për t’ju afruar Allahut” që përdoret në këtë ajet jetet në një trajtë gjuhësore që i kërkon të hyjë pak në vështirësi njeriut që i drejtohet. Kjo frazë ka këtë domethënie: largohu pak nga pjesëtarët e familjes dhe jepju adhurimit. Forcoje edhe më shumë lidhjen me Zotin. Sepse Ty të pret një detyrë shumë e ashpër.
Nuk ka kurrfarë dyshimi që Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) është thelluar sa njëmijëfishi ynë, njëmilionëfishi ynë në adhurimin e Allahut (xhel’le xhelaluhu), megjithatë, aty bëhet fjalë për një këshillë dhe për ekzistencën e një urdhërese të tillë. Kur dihet se edhe lutjet e umetit të Tij e thellojnë akoma më shumë robërinë e Tij ndaj Zotit dhe i japin edhe më shumë fuqi për të kryer detyrën e ngarkuar prej Allahut. Krahas kësaj, nëpërmjet këtyre lutjeve zgjerohet rrethi i ndërmjetësimit të të Dërguarit të Allahut dhe kjo i rikthehet sërish umetit të Tij në trajtë mirësie. Zoti na mundësoftë edhe neve që të bëhemi pjesë e atij rrethi!
Sa herë që lexoj suren Duha më vjen Ai në mendje. Në këtë sure shprehet se Allahu (xhel’le xhelaluhu) nuk hidhërohet me të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) dhe nuk e braktis Atë, se Ai e ka mbështjellë Atë me mëshirën e Tij, duke mos e lënë pa mbështetje, madje Ai e ka udhëzuar Atë në më të drejtën e rrugëve. E shprehur me fjalët e Mehmet Akifit, Atij, pas të Cilit është magjepsur një njerëzim i tërë. Edhe ne jemi të magjepsur pas Tij dhe të gjithë jemi veçse nga një lypës që troket në derën e Tij. Ne besojmë dhe deklarojmë se nëse nuk do të ishte Ai mes nesh dhe Zotit, do të ishte e pamundur që ne të arrinim parajsën, apo Firdeusin. Ne vetëmse me ndërmjetësimin e Tij mund t’i zgjidhim problemet tona dhe në rrugën e ndriçuar prej Tij – dashtë Zoti – mund t’ia dalim që të jetojmë ashtu siç duhet, në mënyrë që në fund ajo që do të gjejmë të jetë Ai. Prandaj, në këtë rrugë që rendim vetëmse për të arritur tek Ai, rendim me aq dëshirë, sepse na ushqen një shpresë e fortë se një ditë do të jetë Ai që do të na dalë përpara.
Nëse do të kthehemi pas, duke qenë udhëtarë të kësaj rruge adhurimet tona, të gjitha adhurimet tona me një shpirt dhe me një vetëdije të tillë duhen kryer dhe meditimi në rreth botës që na rrethon të jetë multidimensional. Dhe një popull që arrin në një nivel të këtillë nuk mund të mbetet kurrsesi mbrapa.
Allahu vepron sipas cilësive
Gjërat që u thanë deri më tani ishin më tepër një hyrje për te përgjigja e pyetjes. Tani le të kalojmë drejt e te përgjigja e saj. Elhamdulil’lah, ne jemi të gjithë besimtarë. Mirëpo jo çdo cilësi e besimtarit është domosdoshmërisht prej besimtari dhe Allahu (xhel’le xhelaluhu) gjykon dhe vendos sipas cilësive. Për shembull, gënjeshtra, apo përdorimi i gjithfarë mashtrimeve, mosnjohja e asnjë metode gjatë punës, apo të mos njohësh të fshehtat e ligjësive të krijimit, janë të gjitha cilësi të mohuesit. Edhe pse mund të bartë këto cilësi prej mosbesimtari, ai që beson, për sa kohë e pranon dhe thotë: “La ilahe il’lallah Muhamedun Resulullah”, ka për të hyrë në Xhenet. Mirëpo, duke qenë se tek ai nuk gjendet asnjë cilësi nga ato të besimtarit, se ai nuk njeh kurrfarë metode, madje nuk është fare në dijeni të metodologjisë dhe, për më tepër, e ka lëshuar veten në prehrin e dembelizmit, Allahu (xh.xh.) vendos për të që të jetë përherë i humbur dhe i destinuar për të jetuar një jetë të mjeruar. Ky është një ligj i pandryshueshëm i Allahut.
Mohuesi nuk pret asgjë prej jetës së përtejme. Mirëpo, nëse tek ai gjenden disa cilësi prej besimtari, atëherë Allahu (xh.sh.) do t’i qerasë ato cilësi dhe për hir të tyre e lartëson atë njeri në jetën e kësaj bote. Prandaj ajo që na takon neve të bëjmë në këtë jetë është që të bëhemi njerëz që i zotërojnë në çdo aspekt të gjitha cilësitë e besimtarit, që i ka të drejta si thelbin, ashtu edhe shfaqjen, që përdor vetëm mjete të drejta e të lejuara, të larguar nga dembelizmi, që njohim metodën dhe kemi dëshirën për t’u përpjekur që të zgjidhim të fshehtat e universit.
Besimtarët, që janë përfaqësuesit e kauzës së të drejtës janë të detyruar që të kërkojnë veç shkaqe të së drejtës në rrugën që të çon drejt saj. Nëse besimtarët duan që të arrijnë tek Allahu (xhel’le xhelaluhu) që është e vërteta më e madhe dhe të vërtetat e Tij, apo te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) dhe gjithë ç’i përket Atij, ose te të vërtetat e Kuranit Fisnik, atëherë ata janë të detyruar që të përdorin me çdo kusht vetëm shkaqe të së vërtetës.
Për shembull, të bësh propagandë, herë-herë duke gënjyer, për të arritur tek e drejta dhe e vërteta, të ekzagjerosh dhe të përpiqesh që t’i gënjesh njerëzit, kjo nuk mund të jetë assesi e lejuar. Vetëm ajo rrugë që përdori Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) në të shkuarën për t’u bërë mbret i zemrave tona dhe kurora e kokave tona është rruga e drejtë; të gjitha gjërat e arritura përmes rrugësh të tjera janë të kota dhe pa as më të voglën vlerë. E vërteta nuk mund të arrihet përmes të menduarit si makiavelist. Të gjitha këto nuk janë tjetër, pos arsyeve për shkatërrim. Prandaj, besimtarët, duke qëndruar në rrugën që të çon për tek e drejta dhe e vërteta, janë të detyruar që të përdorin vetëm mjete të vërteta. Është më se e gabuar që ne të ndjekim parimin: “Mohuesit përfitojnë nga gjithfarë rrugësh; t’i përdorim edhe ne ato.” Nuk mund të përdoret një rrugë që nuk e ka përdorur Profeti ynë dhe duhet të jetë e bllokuar për ne. Edhe nëse të tjerët mund të shkojnë asaj rruge për të nxjerrë ndonjë përfitim, ne nuk mund të shkojmë. Rruga jonë është rruga e Kuranit dhe e Muhamedit të nderuar (pqmT). Prandaj, myslimanët nëse duan që të bëhen kurorë në kryet e njerëzve, ose fije të arta të kurorave, atëherë duhet të përdorin vetëm rrugët e drejta, pa shkelur asnjëherë në ndonjë qorrsokak që të çon drejt kotësisë.
Allahu ka dy libra që na i ka shpërfaqur ne, njëri është Kurani Fisnik, ndërsa tjetri është libri i gjithësisë. Kurani Fisnik ka buruar prej cilësisë së njohjes së fjalës dhe arsyes të Allahut (xhel’le xhelaluhu). Allahu është Ligjëruesi i Pafillimtë. Me ç’qëllim na ka krijuar Ai ne? Nga se kënaqet Ai? Ku na fton Ai? Cila është cilësia e asaj ku na fton Ai? Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë pikërisht gjërat që Allahu (xh.xh.) na i tregon nëpërmjet Kuranit Fisnik.
Një tjetër libër i Allahut është edhe gjithësia. Atë Allahu e ka shkruar nëpërmjet fuqisë dhe vullnetit të Tij. Në të gjenden sa e sa ligje, një rregull i pashoq dhe sa e sa të fshehta. Nëse njeri e ka qëllimin të pastër dhe zotëron një këndvështrim të shëndoshë, për të, edhe universi do të artikulojë po të njëjtat të vërteta që shpreh edhe Kurani. Kurani i jep zë gjithësisë, ndërsa gjithësia është shpërfaqja pikturë pas pikture i Kuranit. Këtu kemi të bëjmë edhe me një aspekt shumë të veçantë të mëshirës së Allahut (xh.xh). Ai nuk na ka lënë të vetëm përballë vështirësisë dhe përgjegjësisë për ta shqyrtuar vetë gjithësinë në të tërë thellësinë e saj, por na i ka ofruar ato të vërteta edhe të përmbledhura në një libër si Kurani Famëlartë. Dhe, në një tjetër aspekt, e ka bërë Profetin tonë që të përdorë një gjuhë që e ruan kuptueshmërinë e saj në çdo periudhë, duke e bërë mesazhin të kuptueshëm që për njerëzit e parë të cilëve iu drejtua. Sahabët, teksa dëgjonin Kuranin dhe interpretimet që i bënte Profeti ynë, i dëgjonin ato sikur t’i ishin drejtuar vetëm epokës në të cilën ata jetonin dhe përfitonin në maksimum prej Tij. Sa e sa njerëz të lartë dhe interpretues të jashtëzakonshëm të Kuranit, si Imam Gazaliu, apo Imam Rabaniu, të cilët erdhën disa shekuj më vonë, i patën sytë të drejtuar veçse drejt tij, dhe veshët që e dëgjonin sikur të kishte zbritur enkas për ta. Kurani i Madhërishëm është një libër i mrekullishëm me një aftësi të veçantë retorike plot të fshehta e magji, që arrin t’i flasë çdo shekulli me të njëjtën freski dhe pa iu vënë në dyshim as edhe një shkronjë; çdo njeri mund të lexojë prej tij dhe t’i duket sikur ai të jetë duke i folur vetë atij.
Këtu folëm rreth këtyre dy librave, Kuranit dhe atij të universit, brenda një kornize të ngushtë. Besimtarët mund të jenë vetvetja vetëm kur të arrijnë që t’i mbajnë të dy këta libra si kurora mbi kryet e tyre dhe kur t’ia dalin që të mund të thellohen te të dy njëlloj. Dhe, ashtu siç shpërblehet bindja ndaj urdhëresave të të dy librave njëkohësisht, mosbindja ka një çmim ndëshkimi. Në të shumtën e rasteve ndëshkimi për mosbindjen ndaj librit të gjithësisë jepet në këtë botë, ndërsa ai për mosbindjen ndaj Kuranit jepet në jetën e përtejme. Kështu, ata njerëz që nuk i besojnë Kuranit, nëse janë njohës të mirë të sekreteve të librit të gjithësisë, atëherë Allahu do t’i shpërblejë ata në këtë botë, ndërsa në tjetrën ata do të ndëshkohen për mohimin. Ndërsa ata që i besojnë Kuranit dhe merren vetëm me çështjet që kanë të bëjnë me adhurimin, por nuk kanë kurrfarë lidhjeje me natyrën, me të fshehtat e universit apo shkencat pozitive, do ta vuajnë në këtë botë ndëshkimin e mosnjohjes së tyre. Kurse shpërblimin e besimit të tyre do ta marrin të shumëfishtë prej mirësisë së Allahut në ahiret.
Ne marrjen e shpërblimit, edhe në këtë botë, edhe në ahiret fillojmë ta shohim, fillimisht në periudhën e kalifëve rashidë, mandej pjesërisht në periudhën e Emeuive dhe Abasive dhe, më tutje, në periudhën e parë të Perandorisë Osmane. Në një periudhë kur në perëndim nuk ia kishte askush idenë se çfarë ishte një obzervator, Beni Musai kishte ngritur obzervatorin e tij personal në Bagdat. Mbretërit e shteteve perëndimore të asaj dërgonin udhëtarë drejt vendeve myslimane, në mënyrë që ata të vizitonin këta obzervatorë dhe të mësonin se kur do të ndodhte eklips i hënës apo i diellit.
Ja pra, në atë periudhë të historisë së njerëzimit, në fushën e dijes dhe të shkencës, në krye të të gjithëve kemi qenë ne. Sepse në atë kohë të dy librat studioheshin të pandarë prej njëri-tjetrit. Urdhri kuranor, “Ata meditojnë për krijimin e Tokës dhe qiejve.” gjente menjëherë dëgjues në ato mendje aq të ndjeshme ndaj së resë.
Kurani i kapte për dore këto mendje të ndritura që i drejtoheshin atij me sinqeritet dhe përshpirtshmëri dhe i kthente ata kësisoj në njerëzit më të qytetëruar të botës. Ata përpiqeshin t’i kuptonin ajetet që nxisnin meditimin, ndaj edhe ngrinin obzervatorë nga të mund të zbulonin hapësirat e paana të qiellit, duke u bërë kështu prijës për studiuesit e astronomisë moderne. Këta njerëz, të cilët i entuziazmonte dhe u falte jetë urdhri kuranor, “Ne do t’ua tregojmë atyre argumentat tanë, qoftë jashtë, qoftë brenda, në thelbin e tyre.” e shqyrtonin strukturën materiale dhe shpirtërore të gjithësisë gjer në imtësi dhe kësisoj do t’u çelnin udhën mbarë shkencëtarëve të së ardhmes. Mjekësia moderne i detyrohet shumë shkencës dhe themeleve të hedhura prej shkencëtarëve myslimanë. Përveç këtyre, duke i quajtur urdhra të gjitha ajetet e Kuranit që flisnin për hapësirën, ata u nisën për të ngadhënjyer edhe mbi qiejt dhe edhe këtë e bënë të mundur qysh në atë kohë.
Kështu, duke i shqyrtuar të pandarë nga njëri-tjetri këta dy libra, ata arritën që të fitonin lumturinë, si në këtë jetë, ashtu edhe në tjetrën. Nuk e lëshonin nga dora librin e gjithësisë, patën korrur fitore të panumërueshme në këtë botë dhe, me besimin që kishin në Zot, ditën si të ngarendnin drejt Krijuesit të tyre. Kurse ata që e braktisën gjithësinë, duke ua vënë veshin vetëm atyre ajeteve që flisnin për adhurimin dhe devotshmërinë, arritën të kuptonin vetëm gjysmën e Kuranit, duke u mjaftuar me aq. Mirëpo ky është një fakt dhe derisa të largohen nga kjo gjendje, çlirimin prej barrës së kësaj bote do ta kenë të pamundur.
Një çështje tjetër është edhe kjo, se sa më shumë që të kalonin shekuj e epoka të tëra, njeriut u kapluan sa vjen e më shumë prej ambientimit, mund të vijnë në një pikë kur të mos kuptojnë më asgjë nga gjuha e Kuranit. Kur ata, pikërisht atëherë kur ranë pre e viktimizimit dhe padrejtësive duhet t’i drejtoheshin më shumë Kuranit për të gjetur zgjidhje, të studionin se cila ishte drita ku i printe Kurani. Në shekullin e tetëmbëdhjetë, bota islami mori një goditje shumë të rëndë, duke u rrëzuar aq sa ta kishte shumë të vështirë ringritjen edhe njëherë për shkak të injorancës karshi Kuranit, derisa u thërrmua në copëza që vështirë t’i bashkosh me njëra-tjetrën. Një të rënë në një humnerë të tillë, destinacioni i tyre u bë mohimi. Vetëm ata që e patën zemrën të gjallë mundën të thoshin se “zgjidhjen duhet ta kërkojmë te Kurani”, dhe tek ai qenë kthyer. Pati ardhur koha që ata t’ua vinin veshin edhe njëherë të vërtetave të Kuranit Famëlartë. Për rrjedhojë, për një periudhë kohe Allahu (xhel’le xhelaluhu) pati vendosur për humbjen tonë, mirëpo një varg njerëzish që u formuan në atë periudhë, e patën kuptuar se Kurani shenjonte pikërisht shekullin në të cilin jetojmë ne dhe patën gjetur dinamikat e duhura për të mos u rrëzuar edhe njëherë nga goditje të tilla dhe i qenë përqafuar fort pas tyre. Të gjitha këto kanë qenë përherë burime shprese për ne.
Dhe, meqë arritëm në fundin e fjalës sonë rreth kësaj çështjeje, do të doja t’i jepja pak më shumë forcë shpjegimit tim duke ju risjellë edhe njëherë në mendje ngjarjet që janë duke ndodhur viteve të fundit. Sepse vitet e fundit ngjarjet janë zhvilluar pikërisht ashtu siç kanë dëshiruar zemrat e njerëzve që besojnë, - me lejen dhe ndihmesën e Allahut. Askush të mos ketë fijen e dyshimit përsa i përket kësaj. Mirëpo kjo është një rrugë e gjatë, me shumë ndalesa, pa shtigje të lehta dhe sa e sa herë sheh që rruga të jetë e mbuluar nga uji. Edhe këto duhen kapërdyer të gjitha një e nga një. Bedri është një fitore për myslimanët, mirëpo, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) u largua së andejmi duke lënë atje plot katërmbëdhjetë dëshmorë, e bashkë me ta edhe djalin e xhaxhait të Tij, Ubejde ibni Harithin. Më vonë qe përballur edhe me vështirësi si ajo e Uhudit, apo e Hendekut, ku ai pati humbur një prej njerëzve më të dashur për Të, siç ishte Hamzai i nderuar (radijallahu anh). Pse e them këtë? Sepse edhe sikur ju të përballeni me vështirësi të të tilla dimensioneve, ju duhet t’i shikoni ngjarjet me syrin e Tij, sepse vetëm ai mund të ofrojë synimet e kërkuara.
Si përfundim, të gjitha zhvillimet e ditëve tona janë duke ndodhur në dobi të besimtarëve. Zoti na ruajtë ne prej zvarritjes pas aventurash naive, duke na falur mundësinë për të vepruar vetëmse me mençuri!
Shënimet
- 166.Buhari, daauat 6, teuhid 34; Muslim, dhikir 56.
- 167.Kalem, 68/4.
- 168.Buhari, iman 37; tefsiru sure (31) 2; Muslim, iman 5, 7.
- 169.Ihlas, 112/1-4.
- 170.Enbija, 21/22.
- 171.Saf’fat, 37/96.
- 172.Shih: Bediuzaman Said Nursi, Fjalët, Fjala e tridhjetë, Qëllimi I.
- 173.Fussilet, 41/53.
- 174.Fatir, 35/28.
- 175.Shih: Ebu Daud, edeb 89; Tirmidhi, edeb 7; Ibni Maxhe, ikametu’s-salat 42.
- 176.Ebu Nuajm, Hiljetu’l-Eulija 5/40; Ibnu’l-Xheuzi, Sifatu’s-safue 2/65; edh-Dhehebi, Sijeru a’lami’n-nubela 5/406.
- 177.Mudhethir, 74/1-2.
- 178.Mudhem’mil, 73/1-2.
- 179.Isra, 17-79.
- 180.Dehr, 76/25-26.
- 181.Mudhem’mil, 73/8.
- 182.Al-i Imran, 3/191.
- 183.Fussilet, 41/53.