Njeriu mes rënieve dhe ngritjeve

Pyetje: Cilat janë ato tipare që e dallojnë njeriun prej krijesave të tjera?

Përgjigje: Në shumë veçori, njeriu dallon shumë prej krijesave të tjera. Mirëpo, ashtu siç ky ndryshim mund të reduktohet në shumë pak, po ashtu mund të ndodhë që ai të zgjerohet sa të jetë i papërshkrueshëm. Njeriu, nganjëherë, rrëzohet dhe bie aq poshtë, sa që vjen në një nivel me një krijesë që është shumë poshtë tij për nga krijimi, madje nganjëherë mund të bjerë edhe më poshtë se ajo.

Njeriu është dërguar në rruzullin tokësor si krijesa më e nderuar e gjithësisë. Duke u edukuar, ajo është e pajisur me veçori të atilla që mund t’i sigurojë që në këtë botë, si këtë botë, ashtu edhe ahiretin. Krahasuar me krijesat e tjera, ajo është zbritur në Tokë me një natyrë të përsosur. Kur vjen në këtë botë, një kotele maceje i zotëron të gjitha aftësitë e veçanta, si t’i kishte të trashëguara prej nënës së saj. Një kotele, sikur ta marrësh sapo të lindë dhe ta vësh atë nën një pulë që është duke ngrohur vezët e saj, dhe ajo të zhvillohet e të rritet nën krahët e saj, ajo nuk ka për të vepruar kurrë si një zog pule; ajo do të sillet vetëm e vetëm si një mace. Edhe një zog, do ta shfaqë veten e tij me të gjitha veçoritë e veta, madje do të bëjë çdo përpjekje për t’u shfaqur si i tillë. Kështu, çdo krijesë dërgohet prej Allahut (xhel’le xhelaluhu) në këtë botë, e pajisur me një sërë mjetesh e mekanizmash që do t’i mundësojnë asaj të përballojë jetën mbi Tokë, duket sikur është edukuar dhe mësuar në një botë tjetër dhe është dërguar mbi Tokë e pajisur në mënyrën më të përsosur të mundshme. Bediuzamani, teksa flet për një nga krijesat më të vogla, shprehet me këto fjalë: “Një mushkonjë, që nga çasti kur vjen në jetë, i vërsulet njeriut pa pra, për ta sulmuar, e çpon me atë thumbin e saj të gjatë dhe thith që andej gjak, lëngun e jetës. I shmanget goditjeve, duke treguar një aftësi të jashtëzakonshme luftuarake. Vallë kush t’ia ketë mësuar strategjitë e luftës kësaj krijese kaq të vogël, kaq të papërvojë përballë paanësisë së botës, apo atë aftësi aq të veçantë të nxjerrjes së lëngut nga një trup i ngurtë? Dhe ku e ka mësuar? Me pak fjalë, unë, ky Saidi i ngratë, e pranoj se po të isha në vend të asaj mize me tub në fund të trupit, këtë art kaq të vështirë e kaq të specializuar do të mund ta mësoja vetëm pas shumë e shumë mësimesh të stërzgjatura dhe pasi të kisha eksperimentuar me të për herë të tëra me radhë.”

Që një njeri t’i kryejë të gjitha punët me një aftësi kaq të madhe, atij do t’i duhen ndoshta njëzet vjet mësime dhe prova. Kur, të gjitha krijesat e tjera, arrijnë që t’i kryejnë detyrat e tyre të plota me të ardhur në këtë botë. Sepse ato shfaqin një sjellje sikur t’i kishin mësuar të gjitha këto në një tjetër botë dhe këtu ia dalin që t’i vënë në zbatim me lehtësinë më të madhe. Kanti dhe Scheller-i, duke qenë se e kanë njeriun më tepër si një qenie automatike, e kanë trajtuar atë shumë shumë ndryshe nga të gjitha gjallesat e tjera kafshërore. Mirëpo, në mungesë të besimit, çdo gjë i është atribuar natyrës, andaj edhe e kanë pasur të pamundur që të gjejnë një rrugëzgjidhje; e kanë trajtuar njeriun sikur ajo të ishte një krijesë misterioze e pakuptueshme nga vetë njeriu.

Mirëpo ata që e bëjnë kritikën e njeriut me syrin e besimit, domethënë ata që e trajtojnë këtë temë duke marrë parasysh se çdo gjë që ndodh ndodh nën kujdesin dhe edukimin e Allahut (xh.xh.), nuk kanë mbetur asnjëherë përballë kurrfarë misteri të pashpjegueshëm. Njeriu nuk di thuajse asgjë ditën që vjen në këtë jetë, ose di shumë pak gjëra që do t’i mundësojnë mbijetesën. Për shembull ai di shumë mirë se si t’i shprehë nevojat e veta të urisë dhe të etjes, për të pirë qumësht prej nënës, duke qarë. Mandej, nëpërmjet modestisë karshi së ëmës dhe të atit, ai kërkon shumë gjëra të tjera dhe kësodore ai mëson çdo mjet të mundshëm për të kërkuar dhe për të arritur çdo gjë që dëshiron.

Po, nga pikëpamja e krijimit, janë të shumta dhe serioze ndryshimet që vërehen mes kafshëve dhe qenies njerëzore. Sepse njeriu do t’i mësojë këtu gjërat që i duhet të dijë, duke i zhvilluar çdo orë e më shumë të gjitha aftësitë dhe talentet e veta. Andaj, para çdo gjëje tjetër, ai duhet t’i shohë me një tjetër sy të gjitha krijesat që gjenden poshtë tij. Pasi kafshët vijnë në këtë botë të pajisur me disa aftësi të lindura, të cilat u mundësojnë atyre që të jetojnë në përputhje me ligjet e natyrës. Kështu, ata veprojnë vetëm brenda kufijve që u janë lejuar brenda ligjeve të natyrës së tij. Kurse njeriu, nëse nuk i zhvillon aftësitë e veta me kalimin e jetës, atëherë ai mund të mbetet shumë pas.

Detyra e vërtetë e njeriut, që edhe e dallon atë prej të gjitha krijesave të tjera, është se ai e organizon jetën duke përdorur vullnetin dhe mendjen brenda kufijve të përcaktuar prej Allahut (xh.sh.). Krijesat e tjera, të ngërthyera brenda aftësive dhe cilësive të përcaktuara qysh prej krijimit, nuk e organizojnë vetë jetën, por ndjekin me rigorozitet jetën që u është përcaktuar nga Krijuesi i tyre; pra, kemi të bëjmë më tepër me një shtytje dhe veprim përmes nxitjes hyjnore. Mirëpo njeriu ka vullnet dhe ai nuk vepron në bazë të nxitjeve që i vijnë si prej një burimi të mistershëm. Duke qenë se është Allahu që e krijon çdo gjë që ndodh në këtë jetë, te njeriu Ai ka lënë edhe një hapësirë: që njeriut rravgimet e ndryshme t’i krijoen sipas vullnetit të shpërfaqur. Kur njeriu e organizon jetën e vetë brenda qerthullit të përcaktuar nga ana e Allahut, atëherë kjo nuk është tjetër veçse ndjekje pikëpërpikë e drejtimit të udhëzuar prej Allahut (xh.xh.), kjo do të thotë se ai është duke vepruar në përpikëri edhe me ligjet e natyrës. Kur njeriu e dëgjon Kuranin duke e kuptuar atë, atëherë edhe veprimet e tij do të jenë në përputhje me urdhëresat e Tij njësoj siç e kryen detyrën e saj një thnegël. Kurse ai që nuk vepron në përputhje me ligjet e Allahut (xh.sh.), ai nuk do t’i ketë bërë këto. Prandaj, nëse ne do të ngriheshim e do ta trajtonim njeriun duke u bazuar vetëmse te ndjenjat e tija kafshërore, atëherë kjo nuk do të ishte tjetër, pos rënies në të njëjtin nivel me krijesat e tjera.

Alexis Carrell-i, laueat i çmimit “NOBEL”, i nisur nga ideja se ashtu siç çdo gjë ka formulën e vet, edhe njeriu ka formulën e tij, në krye të një ekipi studiuesish krijuan formulën e rinisë së shek. XX. Kur e trajtuan rininë në tërësinë e saj, ata vërejtën një rini të përbërë nga individë që jetojnë vetëm dëshirat e egos së tyre; që nuk njohin as nder, as erz, por sulmojnë dhe shkallmojnë gjithë ç’t’u dalë përpara; që nuk bëjnë kurrfarë ndarjeje mes së lejuarës dhe të ndaluarës, duke e cilësuar çdo gjë si të lejuar; të cilët e organizojnë jetën e tyre vetëm sipas parimesh materialiste, përpara syve iu shfaq imazhi i një “qeni rruge”. Dhe, ç’është e vërteta, në shekullin e njëzetë, kanë jetuar aq shumë njerëz formula e të cilëve i përputhet një më një kësaj formule.

Ky njeri, i cili është krijuar në trajtën për të arritur më të përsosurën e natyrës, nëse nuk vepron brenda kufijve që i ka të përcaktuara në natyrën e vetë, atëherë ai është i prirur drejt rrënimit dhe teksa rrëzohet ai bëhet përkthyes dhe mishërim i interpretimit të ajetit kuranor: “Ata, njësoj si kafshët, madje janë më të shthurur edhe se ato.” Kafshët veprojnë veç brenda kufijve të natyrës së tyre origjinare. Kështu ky lloj njerëzish ka rënë më poshtë edhe se ato.

Në një ajet fisnik, Allahu shprehet: “Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer. (Mirëpo, brenda tij krijuam një shkallë që zbret drejt poshtërsisë dhe ngjitet drejt më së mirës së të mirave, që ai të mund të ngjitet drejt engjëjve, ose të bjerë në poshtërsi më të ulëta se poshtërsia.) Mandej e rrëzuam atë në derexhenë më të fundit. Përjashtim bëjnë ata që besuan dhe kryen punë të mira.”

Po, ashtu siç njeriu është krijesa që mund të lartësohet më shumë se çdo krijesë tjetër, ajo është edhe krijesa që mund të dëshmojë shkallët më të poshtra, duke u shndërruar në një krijesë të ngratë që meriton përçmim. Dhe njeriu bie në një mënyrë të atillë, që mund ta lërë edhe djallin ta ndjekë nga pas. Madje mund të ndodhë që ta bëjë shejtanin të marrë mësime prej tij. Kurse kur njeriu ngjitet drejt më të mirës së të mirës, ngjitet asisoj, që edhe Xhibrili (alejhis’selam) mbetet shumë mbrapa. Njësoj siç ndodhi në Miraxh me Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem): “Edhe një hap sikur të bëj më tej, prushitem e kthehem në hi!”

Ja pra, njeriu një krijesë e këtillë është, e destinuar për të bërë ecejake mes rënieve dhe ngritjeve. Prandaj, detyra kryesore e tij duhet të jetë që ta ruajë njerëzoren e tij prej rrëzimit. Profeti ynë fisnik (paqja qoftë mbi Të) pati kapërcyer çdo lloj niveli maksimal, duke arritur të dëshmojë edhe fshehtësinë e “ka’b-i kausejni eu edna” (pikëbashkimit të dy teheve). Ne këtë e quajmë ndryshe si arritjen e të Dërguarit të Allahut atje ku bashkohet e mundshmja me domosdoshmërinë.”

Aty nuri i tij qe mishëruar me natyrën e vet origjinare. Qe zhbërë krejtësisht ekzistenca e tij fizike dhe ajo që u shfaq atje nuk ish tjetër, pos nurit të Tij. Sipas një transmetimi, megjithëse të dobët, thuhet se Ai (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë kështu: “Gjëja e parë që krijoi Allahu është nuri im.” Ja, pikërisht kjo që përshkruhet në këtë hadith qe bërë Ai në ato apo atë çast. Aty qe shfaqur e fshehta e ajetit në suren Bakara: “Nuk ka dyshim se ne i përkasim Allahut; dhe, kur t’i vijë koha, prapë tek Ai do të kthehemi.” Ky njeri (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) i dërguar prej Zotit qe ngjitur gjer te Krijuesi i Tij me ngjitjen që Ai kishte bërë brenda shpirtit të Tij, duke arritur gjer në pikën ku bashkohet e mundshmja me të domosdoshmen.

Kësodore, e vetmja krijesë që mund të arrijë këtë shkallë është njeriu; sa më shumë të ngjitet ai në këtë shkallë që atij i është instaluar së brendshmi për të përparuar shpirtërisht, aq më shumë do t’i zgjerohen dijet dhe njohja e Zotit dhe bindja tek fjala e Tij; sa më shumë që ta nxitë zemrën, sa më shumë t’i shtyjë ndjenjat, ai ka për t’u shndërruar në një krijesë që meriton të shkojë drejt më të mirës së më të mirës. Nëse fillon të bjerë për poshtë – Zoti na ruajtë! – rruga e tij shkon drejt më poshtë edhe se kafshët. Zoti i Madhërishëm na ruajtë ne prej rënies më poshtë edhe se vetë poshtërsia, duke na mundësuar që të kryejmë sa më shumë punë të mira.

Me lejen tuaj do të doja që këtë temë ta përmbyllja me një thënie të bekuar të Mevlanës: “Nganjëherë engjëjt na kanë zili për delikatesën dhe sjelljet tona aq të holla e të bukura, ndërsa nganjëherë sjellja jonë egërshane prej mosnjohësish të asnjë kufiri i bën djajtë që të na urrejnë.”

Shënimet

  1. 185.Bediuzaman Said Nursi, Shkrepëtimat, Shkrepëtima e shtatëmbëdhjetë, Shënimi i tetë; Mesnevia e dritës, Bërthama.
  2. 186.Araf, 7/179.
  3. 187.Tin, 95/4-6.
  4. 188.El-Kushejri, Letaifu’l-isharat 1/121.
  5. 189.Shih: Nexhm, 53/9.
  6. 190.El-Axhluni, Keshfu’l-hafa 1/265.
  7. 191.Bakara, 2/156.
  8. 192.Mevlana, Rubairat e Mevlanës, f. 15 (Rubaira 61).