Jetëgjatësia e kombeve
Pyetje: Në historinë osmane flitet rreth një periudhe të kënaqësisë dhe të argëtimit, e cila njihet me emrin “Epoka e tulipanëve”. A mund të themi se kjo periudhë ka qenë edhe një shenjë për rënien e perandorisë osmane?
Përgjigje: Në historinë osmane, periudha mes viteve 17181730 është quajtur ndrysh edhe si “Epoka e tulipanëve”, e cila përkon edhe me periudhën kur Shteti Osman ka filluar të marrë të tatëpjetën. Periudha të tilla janë të pashmangshme në fatin e çdo populli dhe atyre është shumë e vështirë t’iu shmangesh. Vetëm po të dojë Allahu – dhe njerëzit të plotësojnë të gjitha shkakësitë – atyre mund t’iu zgjatet edhe pak më shumë periudha e zhvillimit, kulturës dhe arritjeve në fushën e dijes...
Edhe popujt janë njësoj si njerëzit. Lindin, ecin këmbadoras, ecin drejt, rriten, plaken dhe mandej vdesin dhe fshihen nga sipërfaqja e dheut. Në periudhën e zmadhimit individët janë shumë të sinqertë dhe janë gati që të sakrifikojnë edhe jetën e tyre për hir të kauzës kombëtare që ata i besojnë aq fort. Në këtë periudhë njerëzit mund t’i gjeni në kërkim të një vendi ku mund të pushojnë për pak, e jo në kërkim të një shtrati sa më komod e të rehatshëm. Mirëpo, me kalimin e kohës, situata fillon të ndryshojë
dhe aty zë fill një periudhë e re, ajo e ambientimit dhe e zënies erë. Për shembull, një individ është shumë i thjeshtë kur është nxënës, fle edhe mbi hasër pa shfaqur asnjë ankesë dhe mjaftohet edhe me një vakt ushqimi në ditë. Kur mbaron shkollimin dhe i ngarkohet një punë mbi supe, sheh se si ndryshon menjëherë.
Edhe për jetën e popujve mund të thuash të njëjtën gjë. Kur përfundon periudha e lulëzimit, popullit fillon t’i ndryshojë në ndjenja, mendime, veshje dhe mënyra të të sjellurit. Topkapëja shndërrohet në Dollmabahçe. Pas saj vijnë Çëragani dhe as ai nuk mjafton, por ndërtohet edhe Jëlldëzi. Vendet e luksit, të kënaqësisë dhe të mirëqenies ndjekin njëri-tjetrin. Mandej populli zhytet në argëtime dhe argëtimet i ndjek pas përhumbja, pas së cilës vjen ndëshkimi i Allahut (xh.xh.). Ky është një lloj fundi që e përjetojnë të gjithë popujt dhe që prej ditës që ka ekzistuar njerëzimi askush nuk i ka shpëtuar dot. Dhe ne kohëzgjatjen më të madhe të këtij procesi e shohim te myslimanët. Për shembull, megjithëse pas Katër Kalifëve të Drejtë ka pasur shumë drejtues të shfrenuar dhe imoralë, organizmi i shtetit ishte shumë i shëndetshëm. Qoftë populli, qoftë ushtria, të gjithë kanë qenë në këmbë, andaj edhe emeuinjtë kanë pasur një jetë të gjatë. Kjo gjendje është e vlefshme edhe për abasinjtë. Dhe pas Katër Kalifëve, shteti me organizmin më të shëndetshëm krahasuar me ta ka qenë Shteti Osman. Askush nuk mund ta mohojë këtë. Pastërtia, thjeshtësia dhe qashtërsia ka ekzistuar e paprekur për një kohë të gjatë tek osmanët. Vetëm se kur në jetën e tyre hyri madhështia, dëshira për t’u dukur, luksi dhe shpërdorimi i pakufizuar, atëherë edhe ata nuk i priti gjë tjetër, veçse rënia.
Dhe ja, “Epoka e tulipanëve” ka qenë ajo periudhë kur është jetuar më shumë kjo lloj jete. Në atë periudhë është shumë e vështirë të gjesh njerëz që shkojnë në luftë si Gazi Giraji. Sa e sa poezi e shkrime të shkruara, ku nxiten ndjenjat dhe dëshirat trupore dhe gjithfarë kotësish te njeriu. Kjo ishte tërësej një periudhë e marrjes së rrokopujës. Vallë ishte e pamundur që osmanët të mos binin në këtë gjendje? Nuk mund të themi dot gjë të saktë lidhur me këtë. Por edhe mund t’ia zgjatnin jetëgjatësinë vetes. Po të bënin durim dhe të përgatitnin më shumë njerëz të mendimit dhe ushtrisë t’i injektoheshin ideale të epërme, të çelnin institucione arsimore moderne për kohën, t’u jepnin ndjenja e ideale të larta të gjithë atyre që përfundonin arsimin e lartë, atëherë edhe mund t’ia kishin zgjatur jetën vetes. Por ç’e do se, në të vërtetë, edhe osmanët e kishin mbushur kohën e tyre.
Në jetën e një kombi, a të një shoqërie njerëzore, mund të dallosh pesë periudha: periudha e shkëlqimit, periudha kulturore, periudha e artit, periudha e dhënies pas kënaqësisë dhe, fill pas saj, periudha e meritimit të ndëshkimit të Allahut. Çdo popull do t’i përjetojë medoemos të pesë këto periudha gjatë jetës së vet dhe askush nuk mund t’i shpëtojë kësaj. Tek osmanët këto pesë periudha janë plotësuar vetëm pas një harku kohor prej gjashtëqind vitesh. Treqind janë vitet e ngritjes, të shkëlqimit dhe kjo është një nga zhvillimet më të mëdha të historisë së njerëzimit. Mirëpo shumë pak më vonë periudhat e tjera filluan të ndjekin njëra-tjetrën me rend, derisa parandalimi i rënies ishte pothuajse i pamundur.
Me lejen tuaj këtu dua t’ju them diçka: Ne, si myslimanë, e refuzojmë plotësisht një prishje në mendime dhe në shpirt të këtyre përmasave. Ne nuk mund të jemi të prirur veçse nga gjallëria. Ashtu siç jetojmë mes pastërtisë dhe thjeshtësisë kur jemi në lulëzim e sipër, - me lejen e Zotit – duhet të dimë se si ta ruajmë prej prishjes këtë gjallëri. A e kemi ne këtë në dorë, apo jo? Nuk mund të them dot asgjë lidhur me këtë. Mirëpo ata njerëz, që sot kanë marrë mbi supe disa çështje kaq të mëdha, nuk duhet ta humbin qashtërsinë e zemrës, shpirtit dhe mendimeve të tyre, duke menduar se në ç’pozita të larta që gjenden dhe se ç’gjëra më madhështore i presin në të ardhmen. Nëse një njeri arrin që të ruajë të njëjtën gjendje shpirtërore, si atëherë kur ka në dorë gjithçka, si atëherë kur nuk ka asgjë, me lejen e Zotit, ai mund ta ruajë gjallërinë e tij për sa kohë të dojë. Profeti ynë fisnik ka arritur që ta ruajë atë përgjatë tërë jetës së Tij. Pas ngadhënjimit mbi Mekën myslimanëve kishin filluar t’iu shtoheshin pasuritë dhe të mirat materiale. Shtëpia e shumëkujt mund të ketë pasur filluar të shtrohej me qilima të rinj e të bukur, mirëpo dyshemeja e shtëpisë së Profetit tonë ishte prapë toka dhe një batanije e shtruar mbi të. Ndërkohë që të gjithë po hynin në Mekë me një ushtri fitimtare, Ai (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) rrinte me trup të përkulur mbi deve dhe kjo ishte një sjellje që nuk e ndryshoi asnjëherë përgjatë gjithë jetës, duke mos e prishur asnjëherë thjeshtësinë në sjellje. Ja pra, ky është lloji i jetës që mund të jetojnë njerëzit e lartë.