KRITERET E VLERAVE TONA
Metoda e udhëzimit
Pyetje: Si duhet të veprojmë që një fe e përsosur si Islami të zërë vend sërish në zemrat e njerëzve?
Përgjigje: Si Kurani Fisnik, ashtu edhe hadithet e bekuara të Profetit tonë (pqmT) e shpjegojnë më së miri se Islami përbën një sistem të përsosur. Në dy-tri ajete të Kuranit Fisnik thuhet se jeta shoqërore, ekonomike, religjioze dhe ajo e aksionit, madje vetë jeta në tërësi, mund ta gjejë në Islam qendrën e vet. Ashtu siç Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) është bërthama e parë e krijimit, e tërë gjithësia është krijuar prej nurit të Tij, ka lulëzuar dhe prandaj ekziston, për të shprehur Atë. Megjithëse transmetimi nuk është edhe aq i sigurt, por kjo është një ide që i atribuohet vetë Atij: “Gjëja e parë që krijoi Allahu ishte nuri im.” Poende edhe Islami është si një përmbledhje dhe thelb i të gjitha feve të ardhura përpara tij. Sa e sa struktura shoqërore dhe ekonomike të së shkuarës i janë drejtuar atij për t’u ofruar më të mirin model. Sepse ligjësitë e shprehura nga goja e profetëve janë edhe ligjësitë që janë të shkruara në Kuranin Famëlartë. Dhe kjo e vërtetë e ka arritur përkryerjen e saj pikërisht te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Islami është një fe e përsosur në çdo pikëvështrim. E këtë e thotë edhe vetë Libri i tij në ajetin: “Sot jua përsosa fenë tuaj, duke e përplotësuar mirësinë Time për ju. Unë jam i kënaqur me Islamin si fe për ju.”
Sot jua përsosa fenë tuaj, e ajo arriti kulmin e përkryerjes; nuk ka më asnjë të metë e asgjë që të mungojë në të. Ajo është e mjaftueshme dhe e fuqishme për t’ju ardhur në ndihmë që të zgjidhni çdo gjë që ka të bëjë me ju.
Dhe, duke jua përsosur fenë, i përplotësova të gjitha të mirat që kisha planifikuar për ju. Nuk ka më mirësi tjetër, përsa i përket revelatës hyjnore, për ju. Edhe nëse do të ketë, këtej e tutje nuk mund të ketë veçse frymëzim për ta kuptuar sa më mirë atë.
Jam i kënaqur prej Islamit si udhë dhe si rrugë jetese për ju. E Islami është feja e vetme e pëlqyer prej meje.
Një ditë, një hebre vjen pranë Omerit të nderuar (radijallahu anh) dhe i thotë: “Në Kuran është një ajet që sikur të na kishte zbritur neve, ditën e zbritjes së tij bashkësia hebreje do ta kishte shpallur ditë feste.” Ndërsa Omeri i nderuar e pyet: “E cili ajet është ky?” Ndërkaq hebreu nis e reciton ajetin e mësipërm. Kur e dëgjoi se për cilin ajet bëhej fjalë, Omeri i nderuar i përgjigjet duke i thënë: “Unë e di se kur dhe në ç’vend ka zbritur ai ajet. Ai ajet i ka zbritur Profetit tonë (salallahu alejhi ues’sel’lem) një të premteje në Arafat, teksa po bënim një pushim.” Dhe, me këtë, u duk sikur donte t’i bënte të ditur se andaj, myslimanët kishin të paktën dy arsye që e kishin shpallur ditën e premte si ditë feste.
Se si mund të arrijnë myslimanët që ta jetësojnë Islamin në jetët e tyre, këtë jam përpjekur ta shpjegoj gjerë e gjatë në mësimet e mia përsa i përket udhëzimit dhe shpjegimit të Islamit ndaj të tjerëve. Dhe sa herë që më ka rënë të flas rreth kësaj çështjeje jam rrekur gjithnjë që vëmendjen ta tërheq drejt jetës, sjelljeve
dhe strategjisë së Profetit tonë (salallahu alejhi ues’sel’lem) për të shpjeguar Islamin dhe për t’i njohur njerëzit me të. Në vend të mënyrave që njerëzit ndjekin sot për t’i zgjidhur problemet përmes revolucioneve dhe shndërrimeve rrënjësore, të gjithë ata që kapërfyten me njëri-tjetrin në emër të zgjidhjes së problemeve që shqetësojnë shoqërinë njerëzore i kam këshilluar që të lexojnë njëherë jetëshkrimin dhe historinë e profetësisë së të Dërguarit Fisnik të Allahut. Ua kam shpjeguar me këmbëngulje se vetëm atje shpjegohet rruga e drejtë për të hyrë në zemrat e njerëzve dhe se në rast të ndjekjes së ndonjë rruge tjetër mund të lindin terrori, pakënaqësitë e qindra njerëzve krahas kënaqësive të tre-katër vetëve dhe se, veç saj, asnjë lloj tjetër qeverisjeje nuk do të ishte dot e përhershme. Mirëpo tre-katër aventurierë që i kanë dhënë vetes rolin e flamurtarit të kësaj çështjeje kanë filluar të dalin rrugëve e të brohorasin rreth hapave që duhen hedhur lidhur me Islamin, duke i shndërruar çështjet e Islamit në çështje të rrugës. Njësoj si ata që ishin para tyre dhe rrënuan rrugën...
E ardhmja dhe ç’të bëjmë ne
Pyetje: Cilat duhet të jenë përpjekjet tona për realizimin e thënies: “Në këtë revolucion të së ardhmes zëri më i fortë dhe më i lartë do të jetë zëri i Islamit.”?
Përgjigje: Para së gjithash unë i lutem dhe të gjithë duhet t’i lutemi Allahut që të mos e lerë më gjatë në pritje umetin e Muhamedit (pqmT) dhe të na e falë edhe ne këtë mirësi. Së pari si rrjedhojë e faktit se ne jemi robër të Allahut dhe kjo është ajo që i takon robit të bëjë, por edhe se kjo ka të bëjë edhe me natyrën hyjnore të Allahut (xh.xh.). Le të përpiqemi t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje duke u nisur prej pikës së dytë.
Pikë së pari, që zëri më i lartë dhe më i fortë në këtë revolucion të madh të së ardhmes do të jetë zëri i Islamit, këtë e lajmëron edhe Allahu (xhel’le xhelaluhu) në Kuranin Famëlartë. Në një prej ajeteve Allahu thotë se Ai do t’ia falë edhe Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ato të mira që ua fali edhe Daudit dhe Sulejmanit të nderuar, duke u shprehur: “Allahu u premton prerazi të gjithë atyre ndër ju që kanë besuar dhe që kryejnë punë të mira e të pranuara: Siç i bëri besimtarët sundues mbi mbarë botën, po ashtu do t’i bëjë ata sundimtarë të njerëzimit, do t’u japë atyre forcë që ta jetojnë dhe ta vënë Islamin në zbatim dhe, pas kohëve të frikës, do t’u falë atyre kohëra të sigurisë së plotë.” Ky është një ligj hyjnor. Prandaj, nëse ne do të kapemi fort pas gjërave që Allahu kërkon prej nesh, atëherë nuk ka dyshim se zëri më i fortë dhe më i lartë në këtë revolucion të së ardhmes do të jetë zëri i Islamit.
Ndërsa në një tjetër ajet që e mbështet më së miri këtë ide thuhet kështu: “Ata duan që ta fikin dritën e Allahut duke fryrë me frymën e tyre. Mirëpo Allahu nuk kënaqet me asgjë tjetër më shumë se sa me shndritjen e plotë të nurit të Tij. Le të mos u pëlqejë mohuesve!” Ata duan që ta fikin fenë madhështore të Islamit thjesht me fjalët që u dalin nga goja, pra me frymë, dhe me asgjë tjetër, të cilat për më tepër nuk janë të mbështetura mbi asnjë themel serioz. Por Allahu nuk ka për ta lejuar kurrsesi diçka të këtillë. Edhe pse mund të mos u pëlqejë mohuesve, Allahu do ta plotësojë dëshirën, dritën e Tij, pavarësisht, mendimeve, fjalëve, apo përpjekjeve të tyre.
Krijuesi ynë e ka dërguar të Dashurin e Tij (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) si udhërrëfyesin më të drejtë, me parimet që do ta nxjerrin njerëzimin në dritë, me një karakter të njësuar me fenë e vërtetë; me një fjalë, e ka dërguar Atë të pajisur me një varg principesh që nuk janë tjetër veçse shprehje e natyrës dhe ligjësive hyjnore të Tij. E ka dërguar, por edhe e ka mbrojtur dhe vijon që ta mbrojë. Ashtu siç yjet fillojnë të mos duken më me lindjen e diellit, po ashtu edhe kjo fe do të arrijë të dalë fitimtare mbi çdo ide tjetër vetëm atëherë kur të ketë çelur mbi shpatullat e atyre që janë trashëgimtarët e vërtetë të saj. E shprehur ndryshe, Allahu i ka përgatitur filizat, apo vezët, nga të cilat do të dalin zogj të bukur e të shëndetshëm, nuk ka se si t’i lërë ato në duart e forcave të errëta të së keqes. Po e njëjta ide shprehet disi më ndryshe, me fjalë të tjera, edhe në një tjetër sure të Kuranit Fisnik: “Ai, për ta lartësuar të Dërguarin e Tij mbi të gjitha fetë e tjera, e dërgoi Atë me fenë e vërtetë të udhëzimit. Le të mos u pëlqejë mosbesimtarëve.”
Njëherë Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) pati thënë: “Ah sikur të mund t’i shihja vëllezërit e mi!” Sahabët që i gjendeshin pranë në atë çast, i thanë: “Po pse, ne a nuk jemi vëllezërit e Tu, o i Dërguari i Allahut?” Ndërsa Ai iu përgjigj: “Ju jeni shokët e mi. Vëllezërit nuk më kanë ardhur ende. Ata do të vijnë më vonë.” Së këndejmi është më se e kuptueshme se si Allahu ka për t’u dhënë një fuqi të madhe edhe atyre që do të vijnë më pas, të barabartë me atë që u dha të parëve të këtij umeti, ashtu siç do t’i falë qëndrueshmëri Islamit.
Ndërkohë që në një tjetër hadith i Dërguari i Allahut shprehet kështu: “Xhihadi ka nisur me mua dhe do të vazhdojë deri në çastet e fundit të umetit tim, në luftën me Dexhalin.” Andaj, është e kuptueshme se si ky umet do të arrijë më në fund që në fund të kohës së umetit do të dalin njerëz që do t’ia dedikojnë jetën Allahut dhe do t’i dalin për zot fesë, duke bërë që e vërteta të përfaqësohet edhe njëherë me tërë ndriçimin e saj, përkundër disa të çoroditurve, njerëzve të devijuar, të cilët e mohojnë profetin, madje shkojnë gjer atje sa të pretendojnë edhe vetë pozitat e Tij. Po, në një hadith të bekuar, Profeti ynë bën fjalë pë një bashkësi që do t’i vërë shpatullat kësaj feje deri në ditën e kiametit. Zaten është e pamundur që të ketë një grimëçast që të mos ketë njerëz të tillë; ndoshta kjo bashkësi do të jetë e dobët për njëfarë kohe, por më vonë ata do të forcohen sërish dhe do t’i dalin zot fesë deri në çastin që do të fryjë Suri.
Nëse e sheh nga të gjitha këto pikëvështrime, është e dukshme se zëri më i lartë dhe më i fortë në këtë revolucion të së ardhmes do të jetë zëri i Islamit, madje edhe e tashmja është dëshmitare e mjaftueshme për këtë. Shekulli i tetëmbëdhjetë dhe i nëntëmbëdhjetë janë dëshmitarë të humbjeve dhe shpërbërjeve të mëdha në çdo aspekt të botës islame. Një furtunë e tmerrshme tëhuajëzuese përvëloi anekënd ç’gjeti përpara dhe njeriu ynë nisi të largohej hap pas hapi nga vlerat që e karakterizonin. Shumë njerëz të ditur filluan ta shihnin si virtyt dhe aftësi të veçantë largimin nga feja. E pas tyre shkuan edhe një varg njerëzish të mbetur nën ndikimin e tyre – më falni – të rrëzuar nga pesha e ndjenjës së inferioritetit. E ndërsa në çerekun e fundit të shekullit XX dëshmuam se si për ne nisën të shkëndijonin disa shkëndija të reja të shpresës. Njerëzit e pazhveshur krejtësisht nga besimi filluan të mblidheshin e të mblidhnin forcat edhe njëherë për t’iu kundërvënë ateizmit, mohimit të hyjnisë dhe të gjithçkaje jomateriale. Këta myslimanë nuk ishin më si myslimanët e shekullit XVIII dhe XIX. Sot një mysliman është shpresëplotë se edhe sikur të ishte i vetëm në këtë kauzë, ai ka brenda vetes vullnetin, forcën dhe shpresën për t’i dalë ballëhapur botës në emër të Profetit tonë (pqmT).
Të gjitha këto që ju thashë deri më tani përbëjnë vetëm njërin aspekt të kësaj çështjeje. Sepse një tjetër anë e saj është edhe kjo: Ne i kemi ngarkuar vetes detyrën e rigjallërimit të Islamit mes nesh. Dhe këtë kërkon edhe sinqeriteti që të ndodhë. Ne do të bëjmë detyrën tonë, por nuk përzihemi asfare në natyrën dhe vendimmarrjen e Allahut (xh.sh.). Dhe as mund ta dimë se ç’ndodh mes Banorëve të Qiellit, apo se për çfarë diskutohet atyre lartësish. Ja se ç’thotë i Dërguari i Allahut në një hadith Tijin: “Mbrëmë m’u shfaq Allahu, që më tha “O Muhamed, a e di se për çfarë po diskutohet tani mes Banorëve të Qiellit?” Unë iu përgjigja se nuk mund ta dija. Aty ma vuri ‘dorën’ mes shpatullave dhe se ç’ndieva një freski në messhpinë dhe në kraharor. Në atë kohë shpirti m’u zgjerua sa arriti të bashkonte Lindjen me Perëndimin dhe unë mund të shihja gjithçka.” Mandej më foli prapë: “O Muhamed!” e unë i thashë: “Thuamë, o Zot, unë veç një urdhër Tëndin pres.” Dhe Ai m’u drejtua: “A e di se për çfarë po flasin Banorët e Qiellit në këto çaste?”
- Po flasin për gradët dhe për shlyerjen e gjërave të humbura... për ardhjen te bashkësia, duke ecur drejt xhamisë... për marrjen e plotë të abdesit, pavarësisht çdo vështirësie... dhe për pritjen plot emocion të kohës tjetër të namazit pasi ke falur njërin prej namazeve...” – iu përgjigja unë.
“Kush vepron kështu, jeton një jetë të mbushur plot mbarësi, vdes mirë dhe bëhet po aq i pastër sa ç’ka qenë kur ka lindur prej nënës së tij, duke u larguar prej çdo të mete e mangësie.”
Një njeri duhet të derdhë mund duke marrë parasysh edhe vdekjen në rrrugën e Allahut, asisoj që kur t’i vijë exheli, ta gjejë duke vrapuar në këtë rrugë dhe aty të bashkohet me Krijuesin. Ata që do të shkojnë për t’i vizituar varrin t’i lexojnë Fatihanë. Sepse diskutimi i shkallës së fituar prej tij do të bëhet atëbotë. Ndonjë tjetër ndoshta nuk do të ketë shpëtuar dot nga mëkatet e tij, mirëpo do të lidhet aq fort pas fesë së vet, duke e përqafuar ethshëm atë, sepse feja do të jetë bërë si një copë prushi i ndezur, do t’i humbë të gjitha pozitat dhe reputacionin e tij, do të përjetojë humbje pas humbjeje në jetën e tij tregtare, do të bjerë pre e ligësisë së shumë të tjerëve, mirëpo ai nuk do të bëjë asgjë tjetër pos përqafimit fort pas fesë dhe nuk do ta lëshojë atë në këmbim të asgjëje. Aty jeta e tij do të bëhet çështje diskutimi mes Allahut dhe engjëjve. E dimë apo nuk e dimë ne, kështu ka për të ndodhur. Detyra jonë është të mundohemi e të përpiqemi, sepse kjo është detyra jonë e vetme.
Të kërkosh drejtimin e punëve
Pyetje: Në ligjëratat tuaja ju theksoni se dijetarët myslimanë nuk duhet të kërkojnë kurrsesi poste për të drejtuar. A nuk është kjo sadoqoftë në dëm të myslimanëve?
Përgjigje: Një ditë, Aliut të nderuar (radijallahu anh) i sjellin një kalë të murrmë. Aliu i nderuar e pa kalin dhe tha: “Qenka kalë ideal për t’u arratisur prej postit të prijësit!” Po ashtu, kur njëri prej sahabëve shkoi pranë të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) që t’i jepte postin e drejtuesit në ndonjë krahinë, i Dërguari i Allahut (pqmT) iu përgjigj: “Ne detyrën nuk ia japim atij që e kërkon.” Domethënë që kjo detyrë nuk i përket atij që vrapon pas saj, duke e kërkuar me ngulm. Profeti ynë edhe një kërkesë që pati njëherë prej xhaxhait të Tij, Abbasit të nderuar, i qe përgjigjur duke i thënë se qëndrimi larg prej asaj detyre do të ishte shumë më i hairit për të, ndaj edhe ia refuzon dhënien e asaj përgjegjësie.
Kjo ka këtë domethënie: Detyra e të drejtuarit të punëve dhe të njerëzve nuk i jepet atij që e kërkon, por posaçërisht atij që nuk do që ta marrë përsipër atë detyrë. Sepse ky është njeriu që nuk do ta tradhtonte kurrsesi përgjegjësinë e ngarkuar. Ata që
rendin rrugë më rrugë, duke kërkuar që të zgjedhin atë si drejtues, që nuk heziton të ofrojë gjithfarë rryshfetesh, nuk mund të mbështetet assesi nga besimtarët. Pozicioni i besimtarit këtu do të ishte që të mbështeste atë që i shmanget kësaj përgjegjësie, e jo i atij që e kërkon me këmbëngulje. Sepse ai është i pastër e nuk ka as pritshmërinë më të vogël dhe as që i shkon nëpërmend që të kërkojë diçka në këmbim të punës që do të kryejë. Nuk e ka ambicien për hir të postit e reputacionit, sepse nuk ka rënë ende pre e kësaj sëmundjeje.
Vetëm në qoftë se në një vend nuk ka asnjë besimtar që të marrë përsipër një përgjegjësi që bie mbi të gjithë myslimanët, aty është feja që e urdhëron besimtarin që ta kërkojë vetë kryerjen e këtij misioni – njësoj si Profeti Jusuf (alejhis’selam). Jusufi (a.s.) pati thënë: “Më caktoni mua si kujdestar të thesarit. Sepse unë mund ta ruaj, manaxhoj dhe drejtoj më mirë pasurinë tuaj,” duke e kërkuar kësisoj vetë që të mbante një post drejtues të tillë. Me të ardhur në këtë detyrë ai pati vendosur rregullin në financat e vendit, i pati dhënë rëndësinë kryesore bujqësisë, pati shtuar ndjeshëm prodhimin dhe i pati mbushur hambarët plot me zahire, madje pati filluar që t’u vinte në ndihmë edhe nevojtarëve që vinin nga vendet përreth për të kërkuar ndihmë. Jusufi i nderuar (a.s.) që kur e mori përsipër këtë përgjegjësi të vështirë, pati thënë “se mund ta bënte më mirë këtë detyrë” dhe këtë ia pati thënë një popullsie që ka qenë ndër shoqëritë idhujtare më të thekura në historinë e njerëzimit.
Andaj, nuk do harruar se këndvështrimi i Islamit lidhur me këtë temë është ky: Nëse ka të tjerë që mund t’i drejtojnë punët diku, besimtari nuk duhet ta kërkojë kurrsesi një përgjegjësi të këtillë, por të thotë e të këmbëngulë “se këtë punë duhet ta marrë përsipër ndonjë nga vëllezërit e tij myslimanë.” Besimtari duhet të jetë në çdo grimëçast i kapluar prej dëshirës “për të shëtitur fshat
198 Himn Pranvere
më fshat për t’u mësuar njerëzve Allahun, sepse kjo është detyra e tij.” Ai duhet të thotë: “Të jem unë i pari në shërbimin ndaj njerëzve. Nëse të tjerët punojnë pesë orë, unë do të punoj dhjetë apo njëzet orë. Dhe, kur të vijë koha për të ndarë shpërblimet, mua mos më jepni asgjë.” Kjo duhet të jetë ndjenja dhe mendimi që mbizotëron te besimtari. Njësoj si Amr ibni Asi (r.a.), që kur Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) shkoi t’i jepte pjesën e tij prej plaçkës së luftës, ai personalitet i rrallë iu përgjigj: “Po pse, për këtë u bëra mysliman unë, o i Dërguari i Allahut? Pse ma jep mua gjithë këtë?” Ndërkohë që Islami ua ka lejuar plaçkën e luftës atyre që marrin pjesë në të. Poende një tjetër sahab i të Dërguarit të Allahut, kur Profeti ynë kërkon që t’i japë diçka prej plaçkës së luftës, ai i thotë këto fjalë Krenarisë së Njerëzimit: “O i Dërguari i Allahut! Po unë nuk u bëra mysliman që të kem përfitime të tilla. Unë u bëra mysliman që të më godasë ndonjë shigjetë mohuesi mu këtu (për të rënë dëshmor në këtë rrugë ) – dhe i tregon qafën të Dërguarit të Allahut (pqmT). Më vonë, në një tjetër betejë, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) e pati gjetur këtë sahab të rënë përtokë, të goditur nga një shigjetë mu në atë pjesë të trupit që ai i kish treguar dikur. Profeti ia pati marrë kokën ndër duar, ia pati vënë mbi gjunjtë e Tij dhe pati thënë: “O Zot! Ai mërgoi në rrugën Tënde. Në rrugën e përcaktuar prej Teje luftoi dhe ra dëshmor. Për këtë është dëshmitar edhe profeti Yt.”
Të gjitha këto që kam thënë deri më tani na tregojnë se besimtari duhet të jetë gjithnjë në radhët e para për t’u shërbyer njerëzve dhe nuk duhet të presë kurrfarë vlerësimi në ndarjen e punëve. Ai nuk duhet t’u besojë dhe t’u japë rëndësi njerëzve që i vijnë deri te porta për ta gënjyer për hir të atij posti a pozicioni të lartë, apo atyre që as që e çojnë ndonjëherë nëpërmend që postin a pozitën që u kanë falur të mos e pranojnë për vete, por t’ua japin të tjerëve.
Kur Ebu Hanifes i kërkojnë që të marrë përsipër detyrën e kadiut, ai përpiqet që t’i shmanget, ndaj edhe ra dëshmor nga torturat nga më të rëndat që iu bënë nga ana e mizorëve. Poende një tjetër imam i madh, Abdullah ibni Fihr el-Kureshiu, kur i shkojnë gjer në shtëpi për t’i propozuar këtë detyrë, edhe ai u shmanget dhe që të mos i marrë seriozisht ato që i thuhen bën sikur nuk është mirë nga mendtë. Një tjetër është mbyllur në shtëpi dhe nuk ka dalë më asnjë hap larg saj. Sa e sa shembuj të këtillë mund të gjesh në historinë tonë. Megjithëse në shoqëri ka shumë njerëz të denjë për këto detyra e përgjegjësi, lëruani atyre t’i bëjnë. Detyra jonë është që t’i përçojmë mesazhet e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij në çdo zemër të gjallë që ka nevojë për to në të katër anët e botës.
Unë nuk jam ndonjë njeri i zemrës që do t’i shtynte tej me të praptën e dorës, as këtë botë, as Xhenetin. Nuk u përkas atyre lartësive. Edhe unë, si njeri, mund të kem brenda vetes dëshirat apo ambicien për të ardhmen. Vetëm se ja ku ju betohem në Allahun (xh.sh.) se sikur të më ofrojnë tani aq sa edhe të bëhem president, do të parapëlqeja më tepër këto bashkëbisedime me ju dhe do të qeshja me ofertën e bërë. Ka pasur herë që më janë ofruar edhe poste apo detyra të rëndësishme, por lëvduar qoftë Zoti që më ruajti e unë nuk i prira sytë kah kjo botë.
Besimtarët janë vëllezër të njëri-tjetrit
Pyetje: Cili është botëkuptimi i duhur që duhet të përvetësojnë myslimanët, në mënyrë që ta kuptojnë sa më drejt dhe shpirtërisht ajetin fisnik “Besimtarët janë vëllezër”, si dhe që të ruhet jetëgjatësia e pandërprerë e kësaj vëllazërie në emër të Islamit?
Përgjigje: Vëllazërimi islam është një çështje e një rëndësie të qenësishme, veçanërisht në ditët tona. Le ta nisim fjalën tonë duke ia shprehur Allahut dëshirat tona për këtë çështje: Allahu na bëftë të mundur që mes nesh të mbizotërojë një vëllazëri e atillë që të meritojë pëlqimin e Tij, duke vënë në veprim të gjitha shkakësitë që gjenden nën fuqinë e Tij! Sepse kjo është ajo që ne mësojmë dhe besojmë prej Kuranit, se ne e kemi të pamundur që t’ia dalim ndonjë gjëje nëse nuk është Ai që t’i prirë zemrat tona me mësimet e duhura shpirtërore. Allahu i Madhërishëm (xhele xhelaluhu), madje edhe mësuesi më i madh i zemrave tona, Profeti ynë
(alejhis’salatu ues’selam), na thonë: “Sikur edhe gjithë forcat e kësaj bote të harxhosh, Ti nuk do t’i bëje dot njësh zemrat e tyre. Mirëpo Allahu i bashkoi ata.” Për çfarë? Kjo është një çështje që mund të ketë edhe disa kushte shumë të thjeshta në dukje. Ndoshta nijeti i sinqertë, toleranca ndaj të metave të të tjerëve, por edhe dashuria
për misionin tonë na bëjnë që t’i duartrokasim shërbimet e kryera nga të tjerët... nganjëherë, vetëm për hir të një kushti kaq të vogël, Allahu mund të na falë mirësi tejet të mëdha. Vetëm se nuk mund të ketë dyshim se është Allahu (xhel’le xhelaluhu) i vetmi që mund t’i mësojë zemrat tona.
Ne e ndiejmë fort në zemrat tona se sa shumë nevojë për vëllazëri kemi sot dhe akoma më shumë edhe për përforcimin edhe më tej të saj. Por nga ngjarjet që ndodhin në rrjedhën e kohës shohim se shumë herë ndodh e kundërta dhe pikërisht aty ku mund të ngrihej ndërtesa e vëllazërimit, përjetohen përçarje dhe largime të hidhura. Kjo, pa dyshim, që ka edhe disa arsye pse ndodh. Besimtarët janë të përçarë si pasojë e shumë mendimeve, të cilat e kanë burimin krejtësisht jashtë tyre; megjithatë kjo nuk është diçka e re që po ndodh sot. Ashtu siç një mendim i vetëm mund të ketë shkaktuar ndasi edhe në mesin e besimtarëve, siç janë krijimi i shkollave të Muteziles, apo sa e sa shkolla profane si ajo e Mushebihes, apo e Muattilas etj., ndasi të këtilla vijojnë të krijohen edhe sot. Në mesin tonë ka sa e sa njerëz që duken si myslimanë. Dhe këta, si brenda, ashtu edhe jashtë, kryejnë detyra mjaft të rëndësishme, përmes të cilave luajnë me fatin e mbarë myslimanëve në të gjithë botën. Pjesa më e madhe e përçarjeve mes nesh është pasojë e punë së tyre, po ashtu siç janë edhe rrëzimi i prestigjit tonë në arenën ndërkombëtare, apo nëpërkëmbja e nderit të shtetit tonë. E natyrisht, që për parandalimin e kësaj është e nevojshme marrja e një sërë masave, të cilat duhet të përcaktohen me një vetëdije të fortë shtetërore.
Çështja e dytë është se një tjetër armik i paepur i ynë, për shkak të të cilit jemi duke i përjetuar të gjitha këto përçarje është edhe injoranca që na karakterizon rreth Islamit. Sikur Islami të ishte njohur me tërë përmbajtjen e tij, edhe sikur njerëzit t’u përkisnin mendimeve dhe bindjeve të ndryshme nga njëri-tjetri, ata nuk do të sulmonin kurrsesi shoku shokun dhe nuk do t’u vinin pengesa përpjekjeve të tjetrit. Mund të thotë se “misioni im është i drejtë”, por nuk mund të thotë “poshtë misioni i atyre!” dhe nuk përpiqet që t’ua shkatërrojë punën e mundin e derdhur të tjerëve. Nëse një profesori që përpiqet t’i kryejë të gjitha kërkesat dhe urdhëresat e fesë do t’i pyetej se kush janë armiqtë e vërtetë të kësaj shoqërie, të parët, apo të dytët?”, ai profesor do të përgjigjej: “Armiku më i madh i këtij populli është injoranca!” Dhe kjo do të ishte përgjigje me një mësim shumë të madh brenda saj. Sikur myslimanët të ishin të ndërgjegjshëm dhe ta dinin mirë se si duhet të jetë një mysliman, ata do të ishin përherë shumë të kujdesshëm ndaj forcave të së keqes që punojnë kundër tyre. Po, problemi më i madh yni është se ne nuk e njohim Islamin ashtu siç duhet.
Nuk ka kurrfarë kuptimi që të jemi armiq me shokët tanë, me të cilët shpresojmë se do të hyjmë së bashku në Xhenetin e amshuar. Ne bashkë me ta do ta kalojmë urën e siratit, e po me ata do ta shohim Bukurinë e pashoqe të Allahut (xh.sh.). Ata që e shohin sot njëri-tjetrin si armiq të njëri-tjetrit, atje ndoshta do të jenë krah për krah njëri-tjetrit, apo në praninë e lavdëruar të Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Ndërkohë që këtu armiqtë tanë janë të gjithë të bashkuar. Ata krijojnë ngatërresa mes nesh, që ne të përçahemi, e ata na hanë të gjithëve si kafshata të lehta, një e nga një. Përballë nesh qëndron një armik i bashkuar që hedh vazhdimisht fara të përçarjes mes nesh. Dhe siç thuhet mes Kritereve, Krijuesin e kemi një, pronarin një, të Adhuruarin një, Ushqyesin një, një, një... mijëra njësha. Po edhe Profetin e kemi një, fenë një, kiblen një, një, një... njëqind njësha. Pastaj shtetin e kemi një, popullin një... dhjetë njësha. Tani, gjithë këta njësha të përbashkuar që duhet të sjellin si rrjedhojë dashurinë dhe vëllazërinë, përçarja është diçka që nuk i ka fare hije njeriut që zotëron dijen e të qenit mysliman dhe quhet i ditur për rrjedhojë. Zoti na ruajtë!
Por, pavarësisht këtyre, nëse është përçarja që mbizotëron sërish, njëra palë duhet të tregohet më e butë e t’i shohë mangësitë e besimtarëve me një sy paksa më tolerant, t’i duartrokasë të gjitha shërbimet e kryera prej tyre, duke mos u përpjekur që ta nxijë veprimtarinë e të tjerëve për hir të rrugës së vet të shërbimit apo për hir të duartrokitjes së veprimtarisë së vet. Sepse shërbimi i çdokujt që përpiqet t’i shërbejë Fesë Madhështore të Islamit meriton të duartrokitet dhe – inshaallah – vendi i merituar për të gjithë ata që përpiqen t’i shërbejnë kësaj feje është Xheneti.
Po, një palë duhet të jetë tolerante ndaj gjithë të tjerëve. Sepse ata që keni përballë mund të shfaqin edhe shenja papjekurie, apo sjellje jo edhe aq të hijshme për myslimanët. Mirëpo këto duhen parë me mirëkuptim dhe duke u treguar falës, ato sjellje duhet t’ia atribuoni padijenisë së tyre. Sepse, nëse një ditë atyre u lind mendimi për t’u rikthyer në rrugën e drejtë, sepse i kuptojnë gabimet e tyre – inshaallah – do të shohin se distanca që kanë krijuar me largimin e tyre nuk është edhe aq e madhe.
Fakti që sot shumë njerëz vrapojnë në pista të ndryshme është shumë i rëndësishëm dhe bart shumë urtësi në të, sepse bën që të zhvillohen aftësi të ndryshme shumë të mira. Nesër, kur këto pista vrapimi të kenë përftuar bukuri nga më të ndryshme, njerëzit do të bashkohen e bashkë me to edhe bukuritë e mundësuara prej tyre do të jenë pjesë e të njëjtës ekspozitë.
Njohja e rrugës sate si e vetmja rrugë e drejtë
Pyetje: A mund të quhet teprim njohja vetëm e rrugës sate si e drejtë dhe leximi i vetëm disa librave të caktuar?
Përgjigje: Që në krye të herës, çdokush që ka parë një dritë te dikush – duke mos njohur dritë tjetër veç saj – e ka pandehur atë si yll në errësirën e natës, ka zënë ta ndjekë nga pas, duke e parë arritjen e tij si qëllimin parësor të jetës. Kur shumë nga ata që ai i ka pandehur për yje nuk kanë qenë tjetër pos xixëllonjave. Mirëpo më lejoni t’ju them se për t’i mësuar njerëzit kah rruga e drejtë nuk është e domosdoshme që njeriu që keni përballë të jetë një njeri i përsosur. Sepse edhe në mes të njerëzve të Zotit ka pasur shumë njerëz të mëdhenj, të cilët e kanë gjetur rrugën e drejtë përmes udhëzimeve e mësimeve të njerëzve shumë më të thjeshtë se ata vetë. Ka gjasa që kjo të jetë bërë e mundur falë qashtërsisë që ka karakterizuar shikimin e këtyre njerëzve që kanë gjetur të vërtetën. Për shembull, një mik i së vërtetës dhe i Zotit ka thënë se “atë e ka futur në rrugën e drejtë një mace që priste me durim për orë të tëra për prenë e saj që të vinte dhe se prej asaj e kishte mësuar se si të bënte durim e të mos largohej asnjëherë nga porta e Allahut, më të Drejtit. Një tjetër po ashtu: “Mua më udhëzuan merimangat. Thuri rrjetën e saj dhe zuri ta priste gjahun e saj me durim. Nëse unë pres që Allahu i shenjtë të shfaqet si mik në zemrën time, që është edhe banesa e Tij, duhet të pres me durim, pa i mbyllur për asnjë çast sytë, që të mund ta kap atë shfaqje të shtrenjtë. Dhe këtë unë e mësova nga merimanga.” Po, nuk është kusht që njeriu që udhëzon të jetë një personalitet shumë i madh.
Pak më sipër ju thashë se çdokush që ka parë njëfarë drite te dikush e ka pandehur atë për yll. Madje njerëzit nuk janë mjaftuar vetëm me kaq – por disa syresh – kanë arritur gjer aty sa t’i quajnë Mehdinj njerëzit që kanë ndjekur. Edhe unë kam shkuar pranë nja dy mësuesve shpirtërorë në fëmijërinë time dhe pata parë se njerëzit që vinin aty dhe i ndiqnin ata njerëz aq të vyer, i shihnin ata si Mehdinj. Kësisoj, deri më sot mund të kem njohur të paktën njëqind Mehdinj të këtillë! Dhe, për mendimin tim, në ditët tona ka filluar të ketë një inflacion të tmerrshëm të Mehdiut... Sepse në asnjë periudhë tjetër të historisë së njerëzimit nuk është parë të ketë një nevojë kaq të madhe për të pasur medoemos Mehdiun dhe Mesihun mes nesh. Kur, ç’është e vërteta, unë nuk kam parë asnjë personalitet të lartë që të pretendojë se është Mehdiu, apo Mesihu. Të gjithë ata njerëz që ne i konsiderojmë si njerëz të mëdhenj e personalitete të larta e kanë quajtur veten përherë si njerëz që kanë thënë: “Sikur Allahu të më kish bërë mua kafshën me të cilën do të udhëtojë Mesihu i nderuar, do t’i isha Atij mirënjohës me shpirt. As aq nuk mund të them se e meritoj.” Sepse tipari kryesor i madhështisë është të dukesh sa më i vogël, ndërsa shenja e vogëlsisë te të vegjëlit është shfaqja me të madh. Prandaj, ajo që duhet të theksoj është se njerëzit e mëdhenj nuk kanë kurrfarë të mete apo gabimi në këtë turbullirë. Por edhe fjala se “shejhu nuk fluturon, por nxënësit e tij e bëjnë të fluturojë” nuk ka dalë më kot. Masa, duke qenë e paditur dhe nuk e njeh siç duhet metodologjinë e interpretimit dhe jurisprudencës islame, apo duke mos pasur kurrfarë jete të zemrës, ato arritje që ata mund të kenë pasur në parandjerjen apo parashikimin e së ardhmes, kanë mjaftuar që t’i shohin ata si përfaqësues të shkallëve të tilla, kaq të epërme.
Sahabët tanë të nderuar u janë shmangur me sa të mund’ situatave të tilla. Për shembull, te ne nuk ka arritur asnjë transmetim që Ebu Bekri i nderuar (radijallahu anh) të ketë pasur ndonjë përjetim të jashtëzakonshëm. Ndërkohë që, pas profetëve, ai është njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë ndër njerëz. Po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Omerin e nderuar (radijallahu anh) me një a dy përjashtime të vogla. Mirëpo Omeri i nderuar (radijallahu anh) ishte ndër të frymëzuarit, të cilët nderoheshin herë pas here me frymëzime hyjnore dhe qëndron në krye të të gjithë prijësve shpirtërorë.
E tillë është gjendja e të mëdhenjve, mirëpo ç’t’i bësh që duke qenë se nga padituria, shoqëria jonë i ka parë disa mirësi dhe qerasje hyjnore që mund të jenë shfaqur te disa njerëz me mëkate, kanë rënë në njëfarë idhujtarie të pjesshme dhe të tërthortë, duke u dhënë disa njerëzve të tjerë më shumë vlera se ç’mund të kenë merituar e meritojnë. Në të njëjtën kohë, nganjëherë njerëzit i shohin punët dhe arritjet e një përfaqësie shpirtërore të atribuara si të ardhura falë shpatullave të disa njerëzve krejt të dobët e të mangët për t’i arritur ato vetëm, ndaj edhe rrëzohen në gabime të kësaj natyre.
Nga padituria e tyre këta njerëz kanë rënë vazhdimisht në teprime të panevojshme. Dhe duke qenë të thithur fort prej batakut të këtij teprimi, ata nuk duan as t’i japin të drejtë jete tjetrit dhe janë më se të vendosur që të shkojnë veç pas “mehdinjve” të tyre. Por le ta quajë për të madh njeriun që ndjek e që e njeh për të madh. Mirëpo ta cilësosh dikë si personalitet të lartë dhe të nënvlerësosh njerëzit që shohin të tjerët për të mëdhenj e i respektojnë pse të tillë, të mos i çojë ata drejt gabimesh si ai i nënvlerësimit të çdo gjëje tjetër veç asaj që vlerëson ti!
Ndërsa përsa i përket çështjes së leximit vetëm të librave të disa personaliteteve të caktuara; leximi i veprave të ndritura dhe ndriçuese të imam Rabbaniut dhe Imam Gazaliut, të cilët kanë qenë interpretuesit më të mirë të shqetësimeve që shqetësojnë njerëzit sot dhe që e kanë thërrmuar si mohimin, ashtu edhe ateizmin përbën një domosdoshmëri dhe askush nuk gjen dot të drejtën që t’i gjykojë këto lexime. Mirëpo, të thuash se “nuk do lexuar asnjë libër tjetër veç librave të tyre” nuk është tjetër pos fanatizmit. Patjetër që do lexuar vepra e Imam Rabbaniut, mirëpo krahas leximit të saj nuk do lënë pas dore leximi i historisë së jetës së të Dërguarit të Allahut, e sahabëve fisnikë, apo librat e ilmihalit, që të mësojnë se si duhet praktikuar Islami. Unë veçanërisht do të këshilloja leximin e veprës “Jeta e sahabëve”, të cilën Muhamed Jusuf Kandehleviu e ka shkruar me aq sinqeritet e përshpirtshmëri. E besoj shumë fort se nga kjo gropë e kohës së fundit vetëm duke ndjekur rrugën që kanë ndjekur sahabët mund të dilet dhe të mund të kapërcehen këto kodra të thepisura e të pakapërcyeshme. Asnjë të mos ketë dyshim, se nëse do të arrijmë që të përfaqësojmë jetën e sahabëve, po aq do të jemi afruar me Profetin tonë fisnik (alejhis’salatu ues’selam).
Rrugëdaljet prej ambientimit
Pyetje: Cilat janë rrugëdaljet për të shpëtuar prej ambientimit?
Përgjigje: Ambientimi është të mësuarit e njeriut me disa gjëra të caktuara, aq sa të jetë i pavetëdijshëm e të mos i dallojë e të mos ia tërheqin dot vëmendjen krijesat dhe ngjarjet e jashtëzakonshme që mund të ngjasin përreth tij. Për nga krjimi njeriu është një krijesë e prirur drejt ambientimit. Sepse, edhe pse ai mund të ndiejë një emocion të veçantë në hapat e parë të diçkaje, nëse nuk arrin dot që të përftojë një pikëvështrim të thellë, atëherë ky emocion zë t’i zbehet dhe ai e humb gjallërinë edhe përballë gjërave më serioze, të cilat duket sikur nuk i interesojnë më. Kur dëgjojmë për herë të parë një ligjëratë shumë të gjallë e drithëruese lidhur me Islamin, diçka që na i vë në lëvizje të gjitha fakultetet e zemrës e që na i përforcon ndjeshëm lidhjet me Zotin, mund të ndiejmë që ta hyjnë dridhmat. Mirëpo, me kalimin e kohës dhe si pasojë e ambientimit me të, ajo ftohet e ngrin dhe e vijon jetën e saj në mendjet tona thjesht si një histori e thatë. Ajo nuk arrin që t’i zgjojë më te ne të njëjtat emocione që ka ngjallur në shpirtrat tanë në të kaluarën. Ja, pikërisht kjo gjendje quhet ndryshe inercisë së shkaktuar prej ambientimit dhe të kthimit të gjithçkaje në diç më se të zakonshme.
Nga ambientimi, i cili ka qenë përherë ndër sëmundjet më të mëdha të çdo epoke, mund të ndodhte që të kapeshin edhe sahabët tanë fisnikë. Abdullah ibni Mesudi (radijallahu anh) na tregon se kur ajetet zbrisnin nga qiejt njëri pas tjetrit - patjetër që secili sipas thellësisë që e karakterizonte – ata ishin paralajmëruar që të bënin veçanërisht kujdes karshi ambientimit: “A nuk ka ardhur koha që besimtarët të rikujtojnë të vërtetat që u janë zbritur prej Zotit të tyre e zemrat t’u zbuten e t’u ringjallen prej respektit për Të? Se mos ndodh që edhe ata të bëhen si bashkësitë e mëhershme që iu zbritën libra! Sepse, me kalimin e kohës që kur ata u njohën me librin e tyre, ata i pati kapluar ambientimi dhe zemrat iu qenë ngurtësuar. Madje ata patën dalë krejtësisht nga rruga e drejtë.”
Dhe, me këtë qortim, sahabëve edhe iu tregohej rruga që të çon drejt përsosmërisë, por edhe u zgjohej emocioni që iu ishte zbehur ndër zemra. Nëse kjo u ka ndodhur edhe atyre, atëherë nuk ka bashkësi që nuk rrezikohet prej një gjendjeje kaq për të ardhur keq.
Poende, edhe ne, kur shohim që Islami po rigjallërohet edhe njëherë me tërë origjinalitetin e vet, duhet ta shohim këtë çështje ashtu siç e shihnin sahabët, të cilët i kalonin netët të gjallëruara nga namazi dhe lutjet, dhe filluam të ndienim më shumë emocion karshi gjërave që ndodhin përreth nesh e i drejtoheshim Allahut me tërë fuqinë e zemrës. Mirëpo këto u shndërruan në gjëra me të cilat ne u mësuam dhe filluan të mos na linin gjurmë në zemra. Ato nuk na frikësoheshin më si më parë dhe shihnim se si mbyteshim në qerthullin e punëve të përditshme.
Nëse njerëzit thonë, “libri ynë i zbriti Muhamedit të nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) katërmbëdhjetë shekuj më parë, në gjuhën arabe, përmes të Cilit ne na kërkohen disa gjëra, mirëpo ne nuk i kuptojmë, sepse nuk ia dimë gjuhën”, atëherë duhet të jemi të sigurt se këtu kemi të bëjmë me ambientim të njerëzve. Dhe një gjendje e këtillë është një fatkeqësi shumë e madhe, jo vetëm për ata njerëz, por edhe për vetë librin, e kjo është shenja më e pastër se shoqëria për të cilën bëhet fjalë ka marrë të tatëpjetën e po shkon drejt rrënimit. Mirëpo rrëzimi i këtij rrethimi nga ana e ambientimit është i mundur veçse përmes përmbushjes së një vargu faktorësh. E kjo përbën edhe detyrën tonë, që të ulemi e t’i trajtojmë këto probleme me tërë seriozitetin e nevojshëm.
Megjithatë, pikë së pari, më duhet të them se njeriu ynë është sot i mbërthyer prej ambientimit, duke mos ia ditur vlerën dhe mos e njohur privilegjin e gjësë që ka gjetur. Para së gjithash ai duhet të dijë se çfarë zotëron në të vërtetë ajo bashkësi që ngrihet për t’i dalë zot Kuranit dhe të tregojë kujdesin më të jashtëzakonshëm që kjo mundësi të mos i ikë nga duart. Dhe për ta bërë më të kuptueshme këtë që po them, më lejoni t’ju rrëfej një ndodhi që tregohet për Musain (alejhis’selam). Ai profet i madh, që thotë: “O Zot, unë po shoh se shumë njerëz ngarendin drejt Teje me një emocion e entuziazëm të pashoq, mirëpo pastaj heqin dorë dhe mbeten në gjysmë të rrugës.” Allahu, me një urtësi të përsosur dhe gjithë madhështi, e këshillon: “O Musa! Ata nuk janë prej atyre që mbërritën gjer tek Unë, por ata që i hynë kësaj rruge pa ditur asgjë. Sepse ata që mbërrijnë tek Unë nuk kthehen kurrsesi pas.”
Në themelet e ambientimit qëndron një sëmundje shpirtërore si ajo e krenarisë dhe e ambicies së tepruar për të arritur gjithçka, duke marrë shkas nga disa gjëra të vogla që mund të kesh arritur, po pa arritur ende tek Allahu (xh.sh.), që të bën t’i shohësh ato shkaqe të vogla si qëllime në vetvete. Po, pikë së pari njeriu duhet të dallojë mirë se çfarë kërkohet prej tij. Atij i kërkohet që t’i lutet Zotit të tij, duke iu drejtuar me kërkesa e përgjërime e me frikë njëkohësisht duke përdorur njëmijë e një emrat e Tij. Dhe ky është një tjetër emërtim i drejtimit kah Allahu në errësirën e natës; nuk është thjesht zbrazje e thatë e gjërave që banojnë brenda teje. Besimtari si i tillë ka detyrimin që ta ndiejë Zotin (xhele xhelaluhu) përherë brenda në ndërgjegjen e tij, duke e kthyer në qëllim të vetin që ato që i thotë Atij, të cilat vetëm nga Ai mund të vijnë, duke i menduar ato e duke i rrahur mirë në ndërgjegje e në zemër, ku ato të kenë zënë vend, dhe e gjitha kjo të shfaqet si një dritë e pastër brenda tij.
Sepse edhe ambientimi është një sëmundje dhe një gjendje shpirtërore e sëmurë, e cila shkaktohet nga mendjeshkurtësia. Andaj, për të shpëtuar prej saj, njeriut i duhet që të lërë fillimisht mënjanë egon e tij e mandej edhe atë të bashkësisë në të cilën bën pjesë. Ai që nuk heq dorë syresh dhe që thotë veç “jam unë”, e ka të pamundur që ta dëgjojë zërin që thotë “jam Unë” nga përtejbota. Dhe, nëse do ta shprehnim me gjuhën e mistikës, fillimisht duhen mësuar të fshehtat e braktisjes së “vetes”, mandej shpërfaqja e saj si një krijesë e dobët dhe relative përballë Allahut (xh.sh.).
Veç kësaj, grisja e ambientimit kërkon një ndërhyrje kirurgjikale të thellë në mendim. Ai që lexon, që mendon dhe që përpiqet të nxjerrë domethënie të reja në çdo faqe të librit të jetës që hap rishtas dhe që sa vjen e thellohet më shumë në jetën e tij të dijes falë këtyre domethënieve të nxjerra, duke qenë se do të jetë përherë duke ecur mbi një rrugë të pajisur me bukuritë dhe lehtësitë më origjinale, edhe jeta që ka për të jetuar ka për të qenë përherë e gjallë. Madje edhe më tej, ai çdo gjë që ka të bëjë me Islamin do ta ndiejë edhe më të freskët në ndërgjegjen e tij, e kësisoj jetën e tij do ta karakterizojë dashuria e thellë për Të. Kurse ai që nuk mendon, nuk kërkon dhe nuk mediton, nuk ka për të arritur dot ndonjëherë që të shpëtojë prej kthetrave të ambientimit. Shumë prej nesh kanë nxjerrë sa e sa mësime lidhur me këtë çështje nëpër librat që kanë lexuar. Mirëpo çështja e vërtetë është ajo se sa prej nesh arrijnë që ta vënë në zbatim këtë mësim në jetesën e tyre.
Edhe leximi i historive dhe jetëshkrimeve të njerëzve të mëdhenj mund të jetë një tjetër rrugëdalje për të shpëtuar prej ambientimit. Për këtë mund të merren e të lexohen librat kushtuar jetës së sahabëve fisnikë. Sepse me përmendjen e njerëzve të mirë gjejnë jetë edhe zemrat e vdekura. Ndërgjegjet fillojnë të dridhen e të përpëliten përballë atyre shembujve madhështorë. Kush i njeh ata, do ta gjykojë veten, duke thënë se “ku ata, ku ne?” dhe kësisoj do ta shtyjë veten drejt një llogarie serioze me veten. Sepse, pa pasur faktorë nxitës nga përpara dhe shtytës nga pas është shumë e vështirë që të shpëtosh prej kësaj fatkeqësie që e ka emrin ambientim.
Duke qenë se Hanzala ibni Rebiu i nderuar (radijallahu anh) nuk arrinte që ta përjetonte dot në asnjë kohë tjetër atë emocion aq të thellë që përjetonte pranë Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), i thoshte vetes: “Hanzalaja u bë hipokrit!” dhe me këtë shprehte dyshimin që kish te vetja, se mos ishte ndotur prej hipokrizisë. Një ditë, teksa ishte kapluar prej këtij shqetësimi, në rrugë takohet me Ebu Bekrin e nderuar (radijallahu anh). Ebu Bekri, duke e parë Hanzalanë kaq të shqetësuar e pyet se ç’kishte që rrinte aq i menduar. Përgjigja që mori ishte: “Hanzalaja u bë hipokrit!” dhe vijoi ta shpjegonte se pse mendonte kështu: “sepse kur jam pranë të Dërguarit të Allahut, aty flitet vetëm rreth Xhenetit dhe Xhehenemit dhe më duket sikur i shoh të mishëruar përpara meje. Por me t’u larguar së andejmi dhe filloj të merrem me familjen, me fëmijët dhe me punët e tokës, gjithçka nis e më fshihet nga sytë. Me të dalë në pazar i harroj Allahun dhe të Dërguarin e Tij. E ç’është kjo, pos hipokrizisë!”
Ebu Bekri i nderuar e dëgjoi mirë e mirë Hanzalanë dhe i kapluar edhe vetë prej këtij shqetësimi, i thotë se “edhe ai ndihej po njësoj”. Kështu, të dy bashkë vendosin që të shkojnë e ta ndajnë me Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) këtë shqetësim të tyrin. I Dërguari i Allahut u përgjigjet: “Ju betohem për Atë, më të Lartin e më të Fuqishmin, që ka në dorë egon time, se nëse ju do të arrinit që të ruanit të njëjtën gjendje që keni pranë meje edhe kur dilni jashtë, engjëjt do të zbrisnin mes jush dhe do të zinin të krenoheshin me ju. Por është e nevojshme që të jesh njëherë ashtu e njëherë kështu, o Hanzala. Dhe kjo është normale (nuk është hipokrizi dhe këtë fjali e përsërit plot tri herë).
Kur thoshte kështu, i Dërguari i Allahut dukej sikur donte të thoshte: “O Hanzala! Ti do të biesh si një e mbjellë; do të biesh, por do të ngrihesh prapë nga frika. Do të thuash “O Zot, unë e humba fare” dhe do të rendësh sërish drejt Tij. Mandej do të të kapë edhe njëherë përhumbja dhe ti nuk do të dukesh më, njësoj si hëna kur mbetet e fshehur pas reve. Mirëpo, pas pak, do të ringrihesh dhe do të vraposh sërish. Do të ketë kohë që do ta kalosh me fëmijët e me familjen, por do të ketë edhe kohë kur do të rrish vetëm e i bërë njësh me Zotin tënd.” Është shumë e vështirë për njeriun që të mund të rrijë përherë i palëkundur në atë lartësi. Sepse kjo është natyra e tij; nganjëherë mund të shëtisë nëpër botë të epërme e magjepsëse, e nganjëherë mund të bjerë në situata të atilla sa që e ke të vështirë ta njohësh.
Abdullah ibni Ebu Mulejke, i cili ishte një ndër imamët më të njohur të tabiinëve thotë kështu: Kam njohur gati tridhjetë sahabë gjatë jetës sime dhe që të gjithë më kanë shprehur frikën dhe dyshimin se mos ishin hipokritë. Në mes tyre ishin edhe dy sahabë si ata, Omeri dhe Aishja e nderuar (radijallahu anhuma). Ai Omer i nderuar, për të cilin i dërguari i Allahut pati thënë: “Po të kishte profet që do të vinte pas meje, ai do të ishte Omeri.” Dhe Aishja e nderuar, ajo sahabe që ne e njohim për diturinë e gjerë që zotëronte e prej së cilës kemi mësuar aq e aq gjëra se si duhet jetuar feja jonë e bukur.
Nëse të tilla shqetësime i kanë pasur edhe këta njerëz, atëherë besimtarë si ne, krejt të zakonshëm, është gjëja më normale që të jemi të shqetësuar për ashpërsinë që kemi në zemra, që sytë nuk na lotojnë, që nuk kemi asfare jetë nate dhe që njëzet e katër orët e sa e sa ditëve na kalojnë jo për llogari të Allahut, por të djallit. Nëse njeriu nuk ndien shqetësim për besimin e tij të paktën aq sa ç’ndien për punën dhe çështjet e tija të tregtisë, atëherë ai po që duhet të ndihet i shqetësuar se mos është hipokrit. Unë as mund ta quaj dikë si hipokrit, e as ai vetë të mos e quajë veten të tillë. Mirëpo ka disa shenja, të cilat i Dërguari i Allahut i ka numëruar si tipare tipike të një hipokriti. Dhe besimtari që fillon ta kontrollojë veten përsa i përket pranisë së ndonjërit syresh, pa dyshim që do t’i hyjë një rruge për të shpëtuar njëfarësoj prej ambientimit.
Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) e pati informuar Hudhejfen e nderuar (radijallahu anh) rreth hipokritëve. Ai i njihte disa prej hipokritëve, madje edhe ngatërresat që do të shkaktonin ata në të ardhmen. Dhe Hudhejfeja i nderuar nuk merrte pjesë në namazin e xhenazesë së këtyre hipokritëve. E atë e ndiqte në këtë refuzim edhe Omeri i nderuar, i cili nuk merrte pjesë në namazet ku nuk merrte pjesë Hudhejfeja. Një ditë tek Omeri i nderuar sjellin xhenazenë e një njeriu që ai e njihte për mirë. Ndërkohë që të gjithë po përgatiteshin për të falur namazin, Hudhejfeja i nderuar largohet nga aty. Omeri i nderuar, të cilit nuk i shpëtoi kjo sjellje, e ndoqi nga pas dhe e pyeti se mos ai që kishte vdekur ishte njëri ndër hipokritët. Hudhejfeja i nderuar nuk donte të përgjigjej, por kur nuk reshti së e ngacmuari, ky i fundit i tha se “po”. Si ishte e mundur që një njeri që e kishte kaluar të gjithë jetën në xhami të mos kishte përfituar dot asgjë prej Islamit; por ja që nuk kishte përfituar, asgjë!
Gjithkush mund t’i kuptojë fare mirë shqetësimet e Omerit të nderuar (radijallahu anh) që dëgjoi këto fjalë. Kur këtë pyetje e bën një personalitet aq i rrallë si Omeri, po ne jemi shqetësuar ndonjëherë kaq shumë për jetën tonë? A e kemi vënë dot ndonjëherë kokën në sexhde e të shfaqim shqetësimin: “O Zot! Kam frikë, vallë jam edhe unë një prej tyre? Vetëm Ti mund të më ruash që të mos jem nga ata.” A kemi vajtuar ndonjëherë duke thënë: “O Zoti ynë Bujar! Mos i lejo zemrat tona të devijojnë nga udhëzimi që Ti u ke falur atyre dhe na fal ne mëshirë prej mëshirës Sate.” A jemi përpëlitur e a jemi përgjëruar dot ndonjëherë me lutjen që i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) bënte pareshtur: “O Zoti im që e ke në kontrollin Tënd zemrën time! Bëje zemrën time të qëndrojë e palëkundur në fenë Tënde!” Po, sepse nëse nuk arrijmë t’i ndiejmë këto shqetësime brenda vetes, ne duhet të shqetësohemi se mos vallë jemi prekur prej hipokrizisë dhe duhet t’ia kemi frikën diçkaje të këtillë. Dhe edhe forca e lidhjes që do të kemi me Allahun (xh.xh.), në raport të drejtë me këtë shqetësim do të jetë.
Omeri i nderuar (radijallahu anh) i bënte vazhdimisht vetes pyetjen: “Ku ti, ku të rënët dëshmor!” Tani a mund të të pyes unë ty: “Po ti, ku je?” Do të shqetësohesh, do të frikësohesh; dhe Allahu do ta grisë perden e ambientimit. Andaj edhe duhet të harxhosh më shumë kohë me Librin e Ndjesive të Holla. Dhe, me ndihmën e Tij, do të mbahesh fort pas fjalëve të ndriutra të të Dërguarit të Allahut (xh.sh.) dhe do të shëtisësh në ahiret me atë lehtësi dhe me atë ëmbëlsi që shëtit e ecën edhe mbi këtë botë. Do të ndihesh sikur i ndien që këtu, si llogarinë, ashtu edhe peshoren, apo gjërat e tjera që do të të ndodhin atje, njësoj sikur të ishe duke i parë që në realitetin e këtushëm. Do të bëhesh sikur të jesh duke e dëshmuar pa pra të vërtetën e asaj se “çdo njeri do ta dijë se ç’ka bërë për të ardhmen dhe se ç’ka lënë pas.”146 Andaj edhe duhet të kontrollosh vazhdimisht se ç’të pret përpara, ashtu siç edhe se çfarë ke lënë pas. Çfarë punësh të mira e të bukura ke dërguar në ahiret, para se të mbërrije vetë atje? A të bëjnë dobi në jetën e përtejme ato që ke lënë pas, apo jo? Do t’i shohësh pa reshtur, duke e kontrolluar vazhdimisht veten dhe do të shëtisësh mbi këtë botë njësoj sikur të ishe duke shëtitur mbi skenën e ahiretit. Të gjitha këto do t’i bëjnë copë e çikë shtresat e perdes së ambientimit dhe njeriu do ta lëshojë veten në botën dhe atmosferën e Kuranit, e Ai do t’i duket sikur të ish duke i zbritur atij vetë rishtazi.
Për ta grisur perden e ambientimit është e domosdoshme që t’i shmangesh me çdo mund formës dhe dukjes. Namazi është njëherazi një detyrë dhe një domosdoshmëri për besimtarin. Përmendja e emrave të Allahut dhe lutjet janë po ashtu shumë të rëndësishme përsa i përket jetës shpirtërore të një besimtari. Dhe këto nuk janë gjëra që kanë të bëjnë thjesht me formën, si ato që u mësohen njerëzve në një shkollë ushtarake. Secila prej tyre shpreh një lloj të veçantë të lidhjes me Allahun, të Drejtin. Prandaj, qoftë kur lexohen uirde e dhikre në emër të përmendjes së Allahut (xh. sh.), qoftë kur i drejtohemi Atij përmes namazit dhe adhurimeve të tjera, duhet të përpiqemi që ato t’i kryejmë më shumë me një vetëdije të detyrës, e jo të diçkaje që ashtu duhet bërë, e lënë e pa shfrytëzuar, duke u kufizuar në rrafshin e formës. Bashkëbisedues tëndin përballë nuk duhet të kesh askënd, pos Allahut (xh.xh.). Përpara ke Zotin që të thërret drejt llogaridhënies, nën këmbë ke urën e Siratit dhe sa e sa shkëndija zjarri në madhësinë e maleve që të kërcënojnë nga çdn anë. Ndërkohë që në një anë ndien peshën e rëndë të përgjegjësisë për jetën dhe barrën gabimeve të bëra gjatë saj, ndërsa nga ana tjetër përgjegjësia dhe detyra jote e radhës është që ta kalosh atë urë. Imagjino që sa e sa libra jete hidhen, ca nga e djathta e ca nga e majta. Disa e marrin në dorën e djathtë, e disa të tjerë në të majtën... E, teksa i mendon të gjitha këto, mushkëria të djeg prej shqetësimit, ndërsa zemra të duket sikur do të të vijë drejt gojës. Po, ti do ta kesh përherë këtë shqetësim dhe me këtë shqetësim do të trokasësh në tokmakun e portës së Allahut (xh. sh.). “Unë kam mëkatuar, të mëdha i kam fajet, sepse kam ngritur krye, duke u kthyer në një skllav që i ka ikur të zotit. Mirëpo unë nuk njoh portë tjetër veç Sates, o Zot!” – do të thuash dhe do t’i lutesh Allahut (xh.sh.) me ngashkërim, porsi i lutej edhe Ibrahim Ed’hemi i nderuar:
“O Zot, robi Yt mëkatar i pranoi fajet e tij dhe erdhi te Ti, e po të lutet. Vetëm nëse Ti tregohesh i mëshirshëm dhe e fal atë, sepse Ti je i vetmi që mund ta bësh diçka të tillë. Sepse, nëse vendos që ta përzësh prej portës Sate, atëherë ai nuk se cilës portë tjetër t’i drejtohet për të trokitur, se mos ka portë tjetër, veç Sates.”
Unë besoj se nëse do t’i rigjallërojmë mendimet dhe ndjenjat tona përmes kësi gjërave, siç treguam këtu, atëherë do t’i kemi përftuar dritë jetës së zemrave tona, do të mund t’i japim më shumë forcë vetes dhe kësisoj do t’i japim vetes mundësinë për t’u lartësuar e për t’u bërë individë të përsosur.
Si të jesh përherë i gjallëruar
Pyetje: Çfarë na këshilloni që të bëjmë, në mënyrë që të mund ta ruajmë atë emocionin, gjallërinë dhe pasionin e ditëve të para në rrugën e shërbimit ndaj Allahut (xh.xh.)?
Përgjigje: Çdo gjë, kur bëhet për herë të parë, duke qenë se është e sapokryer dhe e freskët, sjell njëfarë emocioni të veçantë në shpirtin e njeriut. Mirëpo ky emocion e ka burimin kryesisht te ndjenjat e njeriut. Gjërat e reja vijnë e përplasen në botën e ndjenjave të njeriut, duke përftuar njëfarë gjallërie brenda tij. Mirëpo, më vonë, ajo kërkon një mbështetje të çështjes mbi kritere më të menduara mirë, më sistematike dhe më të arsyeshme, në mënyrë që frytshmëria të jetë më jetëgjatë.
Po, sepse çdo gjë që është e re zgjon emocione dhe kënaqësi të veçantë te njeriu; falë kësaj është e mundur që njeriu të mund të galdohet prej kënaqësive shpirtërore. Kjo është e vërteta që fshihet pas madhështisë së sahabëve fisnikë. Ata i qenë larguar tërësej errësirës, mohimit, shthurjes dhe çdo lloji të padrejtësisë, duke u lidhur fort pas Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Një të hyrë në atmosferën profetike të Profetit tonë, ata patën nisur të shijonin një freski dhe një kënaqësi të veçantë. Çdo ditë, ata bëheshin edhe më shumë banorë të qiellit, si të us nëpërmet një sofre të re të përgatitur në qiell që zbret mbi rruzull në duart e engjëjve. Kjo i largonte ata prej jetës së mëparshme asisoj që ata tanimë uleshin e ngriheshin vetëm në sofrën ku flitej më e drejta dhe çdo ditë ngjiteshin drejt një atmosfere të largët, kilometra të tëra larg prej ndikimit të mëkatit a ligësisë. Kjo shkaktonte gjendje të reja shpirtërore, njëra më e bukur se tjetra, mirëpo të atilla që ne nuk i arrijmë dot as kur jemi në namaz duke u falur, gjatë lutjeve, apo kur vëmë ballin në sexhde për t’iu përulur Allahut (xh.sh.). Ndaj, këtë gjendje shpirtërore do të doja që ta ilustroja me një shembull.
Nganjëherë ka disa çaste që ne hyjmë në gjendje, në të cilën e ndiejmë veten shumë pranë me Allahun (xh.sh.). Sikur të gjithë botën të na e falin në atë çast, do ta shtynim me të pasmen e dorës. Madje, sikur të na kapin për dore e të na thonë “ejani, hyni në Xhenetin e amshuar!”, ne prapë do të themi njësoj si Junus Emreja: “Le ta marrin të tjerët Xhenetin. Mua Ti më duhesh, Ti!” Mirëpo edhe kjo gjendje zgjat sa një çast i përkohshëm. E rëndësishme është që këtë çast ta zgjerosh drejt çdo grimëçasti, sekonde, a minute të jetëve tona. Ma merr mendja se kështu e kanë pasur sahabët të gjithë jetën e tyre. Ata freskoheshin vazhdimisht me frytet e mirësive të Xhenetit që zbrisnin prej Qiellit për hir të Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), duke i mbajtur përherë të gjalla ndjenjat dhe emocionet e tyre për Islamin.
Namazi është një adhurim, me të cilin njerëzit mund të mësohen vetëm me kalimin e kohës. Njerëzit marrin abdes pesë herë në ditë, i drejtohen Pranisë Madhështore, duke u përpjekur që të jenë përballë tyre me të gjitha ndjenjat dhe emocionet e tyre. Ndonjëherë ndoshta namazi u shkon i falur pa ndofarë emocioni, ose thjesht me ndjenjat e tyre. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për llojet e tjera të adhurimit. I bëjnë tauaf Qabes; mund të ndodhë që të mos e kenë në mendje se pikërisht ai vend është projektimi i vendbanimit të engjëjve që prej atij vendi e deri në Pikën e Pafundësisë, se është pikërisht ai vendi u rrotullohet Xhibrili (alejhis’selam) dhe se ka qenë pikërisht ai vendi ku ka shkelur këmba e sa e sa profetëve. Nuk e dinë se rrotullimi i tyre nuk është tjetër veçse formë. Mund të ndodhë që të harrojnë Allahun (xhel’le xhelaluhu) dhe të jenë duke përjetuar thjesht egon e tyre; mund të bien drejt batakut më të ulët të njerëzimit, madje mund të ndodhë edhe që të pushtohen prej gjithfarë mendimesh të liga. Dhe të gjitha këto burimin e kanë te të jetuarit e gjithçkaje veçse në formë dhe te ambientimi, duke qenë se gjithçka e ka humbur tashmë të jashtëzakonshmen e saj dhe është shndërruar në diç më se të zakonshme dhe nuk të zgjon më ato ndjenja dhe emocione që të zgjonte në të shkuarën.
Po, ambientimi e bën njeriun që të humbasë shumë prej tij me kalimin e kohës. E patëm riprurë këtu se ç’na mësonte ibni Mesudi (radijallahu anh) që në atë kohë lidhur me këtë çështje: “Allahu na ka dërguar ne Islamin. Nuk pati kaluar shumë kohë kur zbriti ky ajet kuranor i sures Hadid që na i rrënqethte mishin: ‘A nuk ka ardhur koha që zemrat e besimtarët të zbuten e të ringjallen me respekt duke rikujtuar edhe njëherë në zemër dhe në mendje Allahun dhe të vërtetat e zbritura prej Tij? Se mos bëhen edhe ata si bashkësitë e mëparshme, të cilave iu dha libër. Sepse, duke qenë se pati kaluar një kohë e gjatë që kur iu zbrit libri, ata qenë ambientuar me çdo gjë të tyre.’”
Në njëfarë mënyre, domethënia e këtij ajeti ishte kjo: mos u bëni si hebrenjtë dhe të krishterët, të cilëve iu dha libri përpara jush. Sepse ata, pasi pati kaluar njëfarë kohe që nga zbritja e librit, filluan të ambientohen me fenë e tyre dhe shumë çështje të ndryshme lidhur me të. Kështu, zemrat iu ngurtësuan dhe u kthyen në gur, duke filluar të mos ndikoheshin më prej reflektimeve të ndryshme që vinin nga ana e Allahut (xhel’le xhelaluhu). Se mos bëheni edhe ju si ata!
Siraxhedin Ali ibni Osman el-Ushi, në librin e tij të famshëm, “Bed’u’l-Emali” thotë se kur besimtarët të shohin bukurinë e papërshkrueshme në përsosmëri në ahiret, do t’i harrojnë fare mirësitë dhe bukuritë e Xhenetit. Apo siç e thotë dhe njeriu i shekullit, kënaqësia shpirtërore që do të ndiejnë kur të shikojnë Allahut do t’ia kalojë edhe kënaqësisë shpirtërore të mijëra viteve jetë në Xhenetin e amshuar. Po, aty njerëzit do t’i harrojnë fare mirësitë e Xhenetit dhe do të thonë se “për ta do të ishte më mirë që të shihnin Zotin e tyre për pak, se sa të jetonin njëmijë vjet në Xhenet!” Sepse ky është burimi i çdo lloj qejfi, kënaqësie, bukurie a mirësie që mund t’i ndodhë një njeriu, të dëshmojë Atë vetë dhe natyrën e Tij.
Siç thuhet edhe në hadithet profetike, në Xhenet do të duket edhe Allahu. Xheneti është një vend i atillë që kur njerëzit të hyjnë në të, meritat e tyre do të kurorëzohen me dëshmimin e vetë Allahut (xhele xhelaluhu). Njeriu do të jetë po ai njeri dhe zemra e tij do të jetë po ai vend i zbritjes së frymëzimit hyjnor; po ajo e krijesë e prirur për t’u engjëllizuar. Mirëpo Xheneti është një horizont i atillë, një pikë aq e largët, saqë kur njeriu të lartësohet andejpari, do të jetë ngritur deri në pikën e të pari të Allahut (xh. xh.). Njeriu mund t’i fitojë disa prej përgëzimeve dhe mirësive hyjnore, vetëm atëherë kur të ketë fituar pozitën e caktuar pranë Allahut (xh.sh.) për t’i merituar ato mirësi. Allahu (xh.sh.) i ka dhënë njeriut një vend të caktuar. Ai është i prirur për të fituar mirësi hyjnore për sa kohë që e ruan vendin ku e ka vënë Allahu (xh.xh.); ndërsa kur largohet prej aty, atëherë ai i humbet të gjitha mundësitë. Për shembull, nëse Zoti thotë: “Do t’i ngulni sytë drejt portës Sime me kujdesin më të madh dhe do ta prisni çdo gjë veçse prej meje.” – atëherë robit i takon që të presë. Një mësues i madh na ka thënë: “Mua më udhëzoi një mace. Një mace i kishte ngulur sytë drejt një vrime nga priste që të dilte një mi dhe nuk e pati larguar shikimin për asnjë minutë së andejmi. Kur miu doli nga vrima dhe macja e mbërtheu për shpine. Kam m’u desh dhe iu ktheva vetes: “Nuk dihet se kur do ta pastrojë Zoti shpirtin tënd. Ti duhet t’i drejtosh sytë drejt portës së Tij dhe duhet të presësh pa i ndarë për asnjë çast prej andej, me një durim prej merimange, e cila e thur atë rrjetë mes sa e sa dhimbjesh, por nuk heq dorë kurrsesi nga qëllimi i saj...”
Po, sepse po të rrëshkiti shikimi në ndonjë anë tjetër, qoftë edhe për një grimëçast dhe në atë grimëçast të jenë duke të ardhur në zemër, që është edhe vendi ku rrezatohet Allahu (xh.sh.), dallgë të rrezatimeve hyjnore, atëherë ato do ta gjejnë zemrën të ngurtësuar si guri dhe ti as që mund të jesh në dijeni të atyre valëve. Ndaj edhe je i detyruar që të jesh përherë i zgjuar për ta ruajtur me çdo çmim pozicionin që të është caktuar nga ana e Allahut (xh.xh.).
Ndërsa ja se si vijon ajeti që e përmendëm edhe më sipër: “... si përfundim zemrat iu qenë ngurtësuar. Madje shumë prej tyre ishin nga të çudhëzuarit.” Dhe këtu vëmendjen tuaj dua që ta tërheq drejt fjalës “të çudhëzuar” që shihni në këtë ajet. Në gjuhën arabe, domethënia e saj në fjalor është “të lësh vendin në të cilin gjendesh dhe të dalësh jashtë”. Po me të njëjtin kuptim, me këtë fjalë, “fasik”, Profeti ynë quante kafshët si minjtë, apo akrepët, të cilat ishin të dëmshme për njeriun. Nëse nxjerrin kokën nga vrima ku janë futur, ato vënë jetën e tyre në rrezik. Delen që ndahet nga kopeja e ha ujku. Në këtë kuptim, delja quhet “fasik” sepse e ka kërkuar vetë rrezikun të të cilin u fut. Po ashtu, kur një besimtar e nxjerr kokën jashtë rrethit të përcaktuar nga Feja e Madhe e Islamit, pra kur rrëshket e del prej hapësirës ku rezonon mëshira e Allahut (xh.xh.), kjo do të thotë se ai do të ketë shkuar me këmbët e veta në prehrin e djallit. Ai që nuk e ndryshon pozicionin e tij, por shtrëngon dhëmbët dhe pret, duke qëndruar aty ku është me inat e me durim, vetëm ai mund të përfitojë prej rrezatimeve nga Allahu (xh.sh.). Prandaj edhe ibni Mes’udi (radijallahu anh) thotë se e ka tronditur ky ajet dhe thotë se mesazhi i këtij ajeti nuk është tjetër, pos: “Ejani në vete!”
Kur kjo çështje është njëfarësoj e këtillë edhe për sahabët e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), atëherë ne duhet ta marrim se neve na drejtohet drejtpërsëdrejti. Dhe, nga kjo pikëpamje, duhet të tregohemi shumë të ndjeshëm dhe shumë të kujdesshëm. Në të kundërt, mund të thuhet se jetojmë si myslimanë, por, nën kërcënimin e këtij ajeti kuranor – Zot na ruaj! – mund të ndodhë edhe që të largohemi nga kjo botë si mohues. Zoti na ruajtë, ne dhe të gjithë ata që gjenden brenda këtij rrethi të shenjtë të Muhamedit (pqmT)!
E shprehur me fjalët e Bediuzamanit, “në çdo mëkat kalon rruga që të çon në mohim.” Njeriu nuk e kupton se është duke ecur në rrugën që të çon drejt mohimit; nuk e kupton dhe mëkatet fillojnë t’ia vrasin zemrën. Fillimisht njeriut i vdesin pasioni dhe emocionet. E ka të vështirë që të çohet natën për t’iu falur Allahut (xh.sh.). Dhe, patjetër, ndërkohë ai nuk është i vetëdijshëm se çfarë është duke humbur. Kur do të jetë bërë kohë e gjatë që sytë e tij i ka marrë malli për të lotuar dhe ndrydhja që ndiente zemra kur hynte në mëkat do të jetë zhdukur me kohë nga ajo zemër. Mirëpo ai as që është i vetëdijshëm për gjendjen në të cilën gjendet. Nuk ndien as ndrydhjen më të vogël për ato gjëra që kryhen aq zakonshëm në atë atmosferë mohimi. Atë nuk e prekin më, asfare, as kur lëshohen fyerje ndaj Allahut, as kur mohohet Profeti dhe as kur Kuranin nuk e dëgjon më askush dhe morali islam është njësuar me zeron. Sepse ai e ka humbur çdo lidhje me Zotin e vet.
Kurse besimtari i vërtetë trishtohet thellë në shpirt dhe i duket sikur zemra do t’i thërrmohet në atome, kur përballet me ndonjërën prej çështjeve që numërova pak më sipër. Një besimtar, kur sheh që në rrugë po shfaqet një sjellje që bie ndesh me kriteret e Fesë Madhështore të Islamit, ai shkon menjëherë të mbyllet në shtëpi dhe zë të qajë me ngashërim. Ka gjasa që t’i ikë oreksi e të mos dojë asgjë për të ngrënë. Tani, nëse shkoni te një njeri i të tilla shqetësimeve dhe i thoni që “nuk ke menduar asnjëherë për martesën?” ma merr mendja se përgjigja që do të japë, do të jetë: “Shqetësimet e umetit të Muhamedit (pqmT) nuk më kanë lënë rast që të mendoj edhe për të.”
Ja, ky është njeriu i shqetësuar me të vërtetë. Sepse gjendja rrënqethëse dhe e frikshme në të cilën gjendet umeti i Muhamedit (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), që po digjet në flakë, është më jetike dhe më serioze edhe se çdo çështje tjetër që mund t’i duket serioze dhe jetike një njeriu të zakonshëm. Sepse, nëse besimtari nuk preket nga një situatë e këtillë, atëherë duhet të frikësohet për gjendjen e tij, se sa të fortë e ka tashmë lidhjen me Allahun (xh.sh.).
Kjo gjendje është e pashmangshme për shumë njerëz që e lëshojnë veten ndaj rehatisë dhe të parit vetëm të vetes. Mirëpo si mund ta kapërcejmë këtë gjendje kaq negative e të papëlqyeshme, si mund ta rifreskojmë veten? Sahabët tanë fisnikë, kur ndienin se kishin rënë pre e ambientimit, shkonin menjëherë tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Sepse Ai ishte përherë si një vend mbrotjeje për ta. Kushdo që i dhimbte pak koka, shkonte menjëherë tek Ai; kushdo që kish ndonjë shqetësim shpirtëror, shkonte tek Ai. Për shembull, një ditë, një njeri i paditur pati ardhur tek i Dërguari i Allahut dhe i pati kërkuar Atij që t’i lutej Zotit, që Ai t’ua hapte sytë. I Dërguari i Allahut, kur i dëgjoi këto fjalë, i kërkoi atij njeriu që të bënte durim – kushedi se ç’urtësi duhet të ketë parë te pritja Profeti ynë i Dashur. Dhe, kur ai njeri filloi të ngulte këmbë, që i Dërguari i Allahut (s.a.s.) të lutej, Ai e pati këshilluar që të merrte abdes, të falte dy rekate namaz dhe të bënte këtë lutje, kuptimi i së cilës është: “O Zot! Unë veç Ty të kërkoj dhe Allahut i drejtohem vetëm duke të përmendur Ty si ndërmjetës, sepse Ti je profeti i mëshirës, i Dashuri i Tij i Mirë, Muhamedi i nderuar (Alejhis’salatu ues’selam). Ne prej Tij e mësuam mëshirën dhe dashurinë Tënde. Sepse përmes Teje u përfaqësuan emrat e Tij, Rahman dhe Rahim. Po të mos kishim parë Atë, nuk do ta kuptonim dot, as emrin Rahman, as emrin Rahim, që gjenden te Bismil’lahir-rahmanir-rahim. Po të mos kishin qenë mësimet e Tij, ne nuk do ta kuptonim dot se ç’sofër mëshire dhe dashurie të gjithëmëshirshme është shtruar enkas për ne. Do të thoshim “er-Rahmanur-Rahim” por nuk do të kuptonim asgjë prej gjëje. Sepse ishte Ai i Dashur i Yti, aq i Mirë, të cilin na e dërgove me titullin “se Ne nuk të dërguam Ty, veçse si mëshirë për botët”, që na i mësoi të gjitha rreth të vërtetës, duke na i hapur sytë që ta kuptonim se ç’arsye kishim që të ekzistonim. Ja pra, përmes këtij Profeti të Mëshirës po të drejtohem. O Muhamed! Po të përdorim Ty si shkas dhe duke ardhur pas Teje, po i drejtohemi Allahut (xh. xh.), duke i thënë: “Ne jemi prej umetit të Tij, vetëm Atë ndoqëm dhe veç Atij iu bindëm. O Zot, ne bashkë me duart e Tij mburoja po i hapim duart te Ti dhe duke të thënë se kur Ai i drejtohej të vetmit Vendbanim të Vërtetë të të Vetmit dhe përpëlitej nga ngashërimi, edhe unë po të kërrusem mbi gjunjë dhe duke të lutur Ty që të ma pranosh Atë si ndërmjetësues, dua që të më ndihmosh për hir të dashurisë që Ti ke për Të.”
Sahabët fisnikë na transmetojnë se sytë e atij njeriu të paditur qenë hapur pas faljes së dy rekateve namaz dhe leximit të kësaj lutjeje.
Të tillë ishin ata. Kurse ne që nuk jetojmë në të njëjtën pjesë kohe dhe hapësire me të Dërguarin e Allahut; ne e kemi nisur udhëtimin tonë të privuar nga të qenit të pranishëm në atmosferën e bekuar të së Vërtetës së Muhamedit (alejhis’salatu ues’selam). Ja, kjo ishte një ndër tiparet kryesore që vinte përherë në pah madhështinë e të Dërguarit të Allahut. Ata takoheshin me të Dërguarin e Allahut (pqmT) përditë dhe me Të e kalonin pjesën më të madhe të ditës.
Prandaj, ne na takon që të derdhim një mund dhe një seriozitet shumë herë më të madh. Patjetër, do të ketë përherë shumë gjëra që nuk mund t’ia kërkojmë askujt, pos Atij. Për shembull, diku do të na shfaqet një shok i mirë që do të bëhet shkas për rifreskimin tonë. Prandaj, çdokush duhet të gjejë një shok që të jetë shumë i thellë në zemër. Një shok i atillë që kur të shkosh pranë tij për të bashkëbiseduar, ai të të kujtojë Allahun (xh.xh.). Zaten, në përkufizimin e njerëzve të së vërtetës besimtar quhet ai që kur i sheh veprimet e tij, ato të kujtojnë Zotin. Të gjithë duhet të gjejnë nga një shok të tillë, të besueshëm e të sigurt, për veten. Një shok të atillë, të cilit të mund t’i dorëzojë gjer edhe fëmijën, apo familjen. Ky njeri do të japë një ndihmë të jashtëzakonshme për sa i përket ruajtjes së pasionit dhe të emocioneve në të jetuarit e Islamit.
Çështja e dytë është kjo: ka rreth dy shekuj që njeriu ynë është larguar prej asaj që quhet ‘meditim’, çka na është urdhëruar edhe në Kuran, duke mos arritur që t’i lexojë dot siç duhet ligjet e natyrës dhe ka mbetuar symbyllur ndaj të gjitha të vërtetave që Allahu ka dashur të na mësojë përmes librit të gjithësisë. Ja se si na e tërheq vëmendjen Kurani Famëlartë drejt kësaj pike tejet të qenësishme: “Ata që e mbajnë veten me të madh në jetën e asaj bote, Unë i largoj prej kuptimit siç duhet të ajeteve të Mia. Ata që mburren (i kaplon mendjemadhësia) sikur të shohin gjithfarë mrekullish, prapë nuk kanë për të besuar. Edhe sikur ta shohin rrugën e drejtë, nuk e ndjekin atë. Ndërsa rrugën e devijimit, po, atë e ndjekin. Kështu është, sepse atyre u është bërë zakon që t’i mohojnë argumentat tanë, ndaj edhe kanë qenë përherë të paditur rreth tyre.” Besimtari duhet t’i lexojë dhe t’i analizojë më mirë se kushdo ligjet e natyrës, ose siç quhen në Kuran, ajetet e krijimit, të cilat janë shkruar mbi qiej e mbi tokë nga fuqia dhe vullneti hyjnor i Allahut (xhel’le xhelaluhu), ta kuptojë se Allahu është bashkë me të dhe ta rifreskojë veten për të qenë sa më i denjë përballë Tij, sepse edhe Ai i tillë është, përherë i kudogjendur dhe dëshmitar i çdo gjëje që ndodh.
U bënë shumë vite që njeriu ynë i ka qëndruar shumë larg këtyre dinamikave. Kuranin e lexojmë gjatë çdo Ramazani, mirëpo askush nuk kujdeset që t’i shohë e t’i kuptojë siç duhet ato të vërteta që shkruhen në të. Njerëzit duhet ta rifreskojnë e ta rinovojnë veten dhe t’i përulen sërish, edhe njëherë nga fillimi, Kuranit Famëlartë. Kësisoj ata mund të arrijnë t’u përftojnë vetes njëfarë risie, vetëm kur të mund të arrijnë të ndiejnë frymën e Kuranit brenda tyre dhe t’i analizojnë siç duhet ato gjëra që janë shkruar prej fuqisë dhe vullnetit të Allahut (xh.sh.) jashtë tyre, sajë meditimit mbi to. E për rrjedhojë, emocioni dhe dëshira e tyre për të shërbyer do të jetë më e freskët dhe ata do të shpëtojnë prej atrofisë.
Po mirë, si do ta arrijmë diçka të tillë? Për këtë do t’u drejtohemi librave që kemi në dorë. Do ta shohim edhe njëherë botën dhe veten përmes këndvështrimit që do të na përftojnë ato lexime. Do ta shohim se çdo gjë ndodh sajë dorës së fuqisë së Zotit dhe ne do të ndihemi në shpirt sikur të jemi duke e puthur atë dorë, do të rikthehemi edhe njëherë në jetë, duke u rigjallëruar. Megjithëse ruajtja e kësaj gjallërie është një çështje tjetër, e cila do trajtuar me të njëjtën rëndësi.
Një tjetër çështje, e trejtë është kjo: Allahu, dëshirën, kënaqësinë dhe emocionin për të shërbyer i ka futur brenda vetë shërbimit. Ata që shërbejnë janë përheër të kapluar prej dëshirës dhe emocioneve të papërshkrueshme. Sepse ai që tregohet dembel dhe largohet prej shërbimit qoftë edhe një ditë të vetme, fare pavetëdijshëm, do ta ketë futur veten brenda një rrethi vicioz. Me pak fjalë, nëse largohet qoftë edhe për një ditë të vetme, emocioni nis të zbehet. Dhe, duke qenë se emocionet nuk janë më ato të parat, vendos që ta bëjë pushim edhe ditën e dytë. Një ose dy ditë sjellin një distancë prej katër ditësh dhe kësisoj – nëse nuk arrin që të shpëtojë prej këtyre vargonjve, me ndihën e Allahut – duhet ta dijë se ai po i hedh hapat drejt rrokullisjes.
Prandaj, kjo është diçka që nuk duhet harruar. Allahu kënaqësinë e aksionit e ka fshehur brenda vetë aksionit. Ai që bën diçka merr kënaqësi prej asaj që është duke bërë. Ai që i shëtit edhe fshatrat më të humbura, pa menduar nëse është dimër e ka rënë gjithë ajo borë, por i ka vënë vetes qëllim që t’u mësojë njerëz ndonjë prej të vërtetave të epërme, fiton një kënaqësi që nëse i përvishni mëngët dhe bëni t’i zini rrugën, duke i thënë: “Shiko, se në aksh vend është më ngrohtë. Eja me ne, të shkojmë atje, dhe ne do të të gostitim me bakllava”, ai do t’jua kthejë: “Mos ma zini rrugën. Sepse unë jam duke përjetuar një kënaqësi të atillë gjer në palcë, që edhe sikur njëmijë bakllava të ndryshme të më servirni para, shija e tyre nuk ia kalon dot shijes së kënaqësisë që unë jam duke përjetuar në këto çaste.” Madje, në atë kohë, sikur edhe portat e Xhenetit t’ia hapin përpara syve e t’i thonë se mund të hyjë aty, ai nuk do të pranojë që ta ndërrojë këtë kënaqësi shpirtërore me kënaqësitë e amshimit. Sepse ai po shkon për atje ku është nisur që t’u mësojë emrin e Allahut atyre njerëzve që do të takojë, kështu që nuk mund të ketë kënaqësi më të madhe që të mund ta miklojë me bukuritë e saj.
Andaj, brenda këtij rrethi të qashtër nuk duhet të ketë asnjë njeri që të lihet i lirë, pa iu ngarkuar asnjë detyrë. Sepse njeriu është një pemë e atillë, e bekuar, që thahet atëherë kur nuk jep fruta. Pemët japin fruta kur nuk janë të thara. Ndërsa njeriu, kur nuk arrin që t’i përçojë edhe te të tjerët frymëzimet e veta shpirtërore, fillon të thahet, sepse e ka humbur emocionin e udhëzimit të njerëzve të tjerë përreth. Prandaj, ne jemi të detyruar që ta mbajmë sa më të gjallë këtë anë të njeriut. Për shembull, dikujt që sapo është bashkuar me ju, duhet që t’i ngarkoni edhe ndonjë detyrë. Mund të çelet shtëpia e ndonjë shoku, e ajo të kthehet në një institucion të bashkëbisedimit mesh shpirtrave, në mënyrë që edhe shokët të mos thahen.
Që, nëse do ta shprehnim me fjalë të tjera, do të thoshim: Njeriu është një pemë. Kur nuk vaksinohet, ai merr një formë dhe një trajtë të dashur. Çdo pranverë fillon të lëshojë sythe të reja, kalon përmes sa e sa vështirësive, aq sa i duket sikur mbi kokë të jetë duke i kaluar guri i mullirit dhe, përmes kësaj, e kupton se gjendet i përfshirë në një kauzë shumë serioze. Që, nëse ndjek edhe këshillat e Kuranit Famëlartë, atëherë ai do të kujtojë, pa dyshim, se ai gjendet në të njëjtën rrugë ku pati kaluar edhe Profeti i profetëve (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), duke mos rënë dhe mos humbur kurrsesi në prehrin vrastar të ambientimit dhe të të mësuarit me gjënë.
Megjithatë, më lejoni që të shtoj edhe diçka, përpara se t’i vendos pikën kësaj teme. Për besimtarin, që të mund ta ruajë gjallërinë e tij, është kusht që të jetë e ta ndiejë veten pjesë të gjësë. Madje ta ndiejë pjesë të së tërës me gjithçka që ai ka, me shtëpinë etj. Ajo duhet të jetë një shtëpi e ndarjes së vështirësive me njëritjetrin, e leximit të librave, e meditimit dhe vetëm kështu mund të arrihen një rifreskim i të gjithë banorëve të asaj shtëpie.
E drejta e prindëve dhe shërbimi
Pyetje: Cila duhet të jetë sjellja jonë karshi nënave dhe baballarëve tanë, të cilët nuk duan që ne të shërbejmë në rrugën e Allahut?
Përgjigje: Çdo shoqëri e çdo periudhe ka përparësitë e veta në të jetuarit e Islamit. Për shembull, fakti që të gjithë morën shpatën në dorë gjatë periudhave të Emeuive, e Abasive, apo ajo osmane dhe jetesa përditë me qëllimin për të ushqyer kalin dhe për të luftuar në emër të Zotit, është çështja më e rëndësishme, në ato kohëra të gjithë ia njihnin vetes si detyrën më të shenjtë. Mirëpo kemi edhe periudhën e parë të përhapjes së fesë sonë, kur Musabët, Hababët, të cilët u formuan në atmosferën e Islamit, nuk njihet asnjë shpatë për të mprehur dhe asnjë kalë që të jetë përdorur për të luftuar. Krejt e kundërta, sot është periudha që duke mësuar nga njëra anë argumentat e shndritshëm e të smeraldtë të Kuranit Famëlartë, heronjtë e dhembshurisë dhe sakrifikuesit e dashurisë përhapen në të gjithë anët, sa majtas djathtas, duke e flakur tej edhe ashpërsinë më të ashpër në mendjet dhe zemrat e tyre. Kështu e pati bërë Hababi atë Musab që të shkrinte i tëri dhe kështu i pati mundur Musabi shtatëdhjetë vetë vetëm në vitin e parë të jetës në Medinë. Kur, në fakt, ai nuk pati bërë asgjë më shumë se sa përçimi i atyre të vërtetave që kishte mësuar prej mësuesit të tij, që ishte po ashtu një rob. Kështu bëhej xhihadi në atë periudhë. Mirëpo i Dërguari Fisnik i Allahut (alejhis’salatu ues’selam), ditën e Uhudit pati kërkuar diç tjetër prej Musabit. Prandaj edhe Musabin do ta gjenin ashtu, të mbështjellë me rrobën e tij, shpatën në dorë dhe xhybenë e të Dërguarit Fisnik hedhur mbi shpinë, sepse ai kishte rënë dëshmor nga dora e mohuesve, duke shfaqur kësisoj një tjetër gjendje, ashtu siç e kërkonte koniuktura e kohës. Sepse kjo ishte gjëja që kishte fituar më shumë vlerë në atë kohë. Unë nuk kam ndërmend që t’jua tregoj këto histori duke i stolisur nga vetja, në mënyrë që t’ju nxis emocionet e t’ju bëj më të ndjeshëm. Arsyeja pse po jua tregoj është se dua që t’ju bëj të ditur se çdo periudhë ka aspektet e veta që u jep më shumë rëndësi se të tjerave.
Në ditët e sotme, udhëziimi i njerëzve dhe përhapja e mesazhit të fesë islame ka fituar një rëndësi të veçantë, saqë sikur të pushtonit gjithë Gjermaninë dhe ta transferonit në Turqi të gjitha institucionet industriale të saj, nuk do të ishte më e rëndësishme se sa t’i mësosh Islamin pesëdhjetë gjermanëve që nuk e njohin Atë. Sikur ta bindni Rusinë që t’i ndërtojë në Turqi të gjitha centralet e saj bërthamore, apo bazat e bombardimit të rëndë, nuk është më e rëndësishme se sa t’i shpjegosh Allahun pesëdhjetë rusëve. Poende, sikur Amerika ta marrë të gjithë sistemin e saj shtetëror dhe ekonomik e ta zhvendosë atë në Turqi, për Allahun dhe të Dërguarin e Tij kjo nuk është më e rëndësishme se sa t’u shpjegosh Islamin dhjetë zezakëve që jetojnë atje.
Sot, për nga rëndësia, udhëzimi i njerëzve është shndërruar në detyrën më të rëndësishme, që duartrokitet më së shumti prej banorëve të qiellit. Andaj, ta devijosh këtë ndjeshmëri të popullit, e cila nxitet prej emocionit të Islamit, drejt disa çështjesh e interesash materialë dhe politikë, do të thotë që të tentosh ta nxjerrësh çështjen fare nga shinat. Kjo është një ndër shqetësimet më të mëdha të miat; ata që pandehin se grupimi në nivel parlamentar mund të zgjidhë çdo lloj problemi, mund të quhen edhe si ata që e kanë nxjerrë këtë punë nga shinat. Nuk ka dyshim se edhe kjo do të ndodhë njëfarësoj, duke qenë se është pjesë e realitetit, mirëpo nëse nuk trajtohet me tërë kujdesin e nevojshëm çështja e “urdhërimit për mirë”, në një të ardhme jo të largët politikanët do të mbeten aty, në vendnumëro, të konsumuar e në pamundësi për të bërë dot gjë. Mirëpo unë lus Zotin që të mos na i tregojë ato ditë të këqija! Ne duhet ta japim të gjithë kontributin tonë, me të gjitha mundësitë tona, pa e lënë bosh e pa zot fushën e udhëzimit dhe të përhapjes së emrit të Allahut (xh.xh.) në çdo anë...
Edhe sot kemi sa e sa bij e bija të reja, të cilët i kanë ngarkuar vetes po atë detyrë të udhëzimit dhe të përhapjes së fjalës hyjnore, njësoj si Sad bin Ebi Uakkasi dhe Musab bin Umejri (radijallahu anhuma) njëherë e një kohë. Ai Musab i nderuar, që këta të rinj kanë marrë si shembull të tyrin, pasi pati ndenjur për katër-pesë vjet në Mekë, në fillim pati mërguar drejt Etiopisë, mandej drejt Medinës. Ndërkohë që vetëm Allahu i di vuajtjet dhe shkallën e torturës që duroi prej familjes së tij. Ky fëmijë që ishte aq i bukur dhe aq i pashëm, njësoj si gilmanët e Xhenetit të amshuar, ishte ende pesëmbëdhjetë a gjashtëmbëdhjetë vjeç kur pati pranuar Islamin. Mirëpo ai prapëseprapë përpiqej që të mos e mërzitte nënën e tij, por nuk ndahej për asnjë çast as nga i Dërguari Fisnik. Sad bin Ebi Uakasi, që ishte njëherazi djali i dajës së të Dërguarit të Allahut, ishte vetëm tetëmbëdhjetë vjeç kur pati hyrë në Islam, megjithatë e pati kapërcyer me hapa galopantë moshën që kishte, duke i besuar me tërë besnikërinë e mundshme Profetit tonë (pqmT). Ja se si e rrëfen vetë:
“Një natë, në Mekë, dola jashtë për të kryer një nevojë të vogël timen. Ndërkohë që urinoja, sytë më ishin errur nga uria. Nga zhurma që bëri, ndieva se në vendin ku po kryeja nevojën ishte një trup i ngurtë. E ngacmova me një shkop dhe pashë që ishte një copë lëkure. I gëzuar që e kisha gjetur, e mora me vete në shtëpi. E pastrova, e vura të ziente dhe për tri ditë me radhë kam pirë prej lëngut të saj. Ajo më bëri derman për ato tri ditë, që arrija të qëndroja dot mbi këmbët e mia.” Sadi i bekuar, që kishte mbetur nevojtar gjer në këtë farë shkalle, thotë: “Një ditë më doli nëna përballë dhe më tha: ‘Të betohem se nuk kam për të futur më asgjë në gojë e do të rri në diell gjer ditën kur ti të kthehesh nga rruga që i je futur!’ Për tri ditë me radhë e bëri atë që m’u betua. Ditën e tretë, e prerë fare nga fuqitë, i ra të fikët dhe u rrëzua përtokë nga pafuqia, ndaj unë erdha tek i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) dhe i tregova se si qëndronte puna, kur aty zbriti ajeti: ‘Ne i urdhëruam njeriut që ai të sillet mirë me nënën dhe babain e tij.’”
Ajo periudhë këtë shkallë të ndjeshmërisë kërkonte. Bëhej çdo lloj përpjekjeje për të mos i hidhëruar as ato nëna e baballarë që ishin idhujtarë, mirëpo edhe nga kauza nuk sakrifikohej. Poende, sot, jetojmë në një periudhë që ky shërbim na është ngarkuar ne mbi shpatulla, me të gjithë peshën e tij. Allahu e nxjerrtë fitimtar e besnik këtë brez! Megjithatë, kjo është një çështje që nuk duhet të bëhet shkak për thyerjen e zemrës së prindërve. Nuk duhet të harrojmë, se edhe sikur të jenë idhujtarë, Kurani Fisnik ne na urdhëron që t’i duam e t’i respektojmë ata: “Silluni veç me mirësi karshi tyre në atë botë.”
Të tregohesh shumë i kujdesshëm e delikat përsa i përket bindjes ndaj nënës dhe babait, duke qenë përherë i buzëqeshur në fjalët dhe në veprimet që shpërfaq karshi tyre është ndoshta detyra jonë më kryesore. Për nga natyra dhe dhembshuria që e karakterizojnë, asnjë nënë – qoftë edhe për shërbimin – nuk do të donte që të qëndronte larg fëmijës së saj. Mirëpo kemi të bëjmë me një fushë shërbimi, e cila ka nevojë edhe për sakrificë, dhe nëse ka njerëz që ngarendin për t’i realizuar këto nevoja, atëherë nuk do të ishte e hijshme që të qëndrosh duarlidhur. Përkundrazi, kjo do të ishte tradhti, si ndaj shërbimit, ashtu edhe ndaj shokëve që vrapojnë sa këtej andej për t’i shërbyer njerëzimit. Atij që i duhet të bëjë një zgjedhje mes të
234 Himn Pranvere
dyjave, i duhet që t’ia puthë dorën nënës, t’i kërkojë asaj të lutet për të dhe, ndërsa largohet, t’i përulet asaj te këmbët dhe duke lotuar, t’i thotë: Unë i puth me krenari këto këmbë të tuat. Sepse Profeti im – si thotë? – “Xheneti është nën këmbët e nënës.” Por, dashtë Zoti, në ahiret unë do të bëhem një fëmijë nga i cili do të të buzëqeshë buza dhe do të jesh krenare dhe e kënaqur për të kur të dalësh përballë të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem)” dhe t’i marrë asaj uratën e nënës. Sepse, pas të drejtës së Zotit, e drejta më e madhe është ajo e nënës dhe e babait. “Zoti yt të urdhëroi: Mos adhuro kënd tjetër, pos Allahut; silluni mirë me nënën dhe babain tuaj.” Unë vetë jam dridhur nga frika brenda vetes saherë që e kam dëgjuar paralajmërimin e këtij ajeti.
Dua t’ju tregoj një histori personale lidhur me këtë çështje. Unë nuk mbaj mend që t’ia kem thyer ndonjëherë zemrën babait tim. Por lejomëni që ta tregoj këtë si një pohim të mirësisë së falur prej Allahut, megjithëse unë mund t’ju betohem se e kam ruajtur veten gjithnjë se mos i shkelja qoftë edhe hijen babait tim. Kur dilja me të, për të shkuar diku, rrija gjithnjë një ose dy hapa larg hijes së trupit të tij. Ishte një njeri shumë i pastër dhe ka qenë pikërisht ai që ma ka mësuar edhe gjuhën arabe. Mirëpo, njëherë, për shkak të një sjelljeje të tij, i pata thënë: “Baba, me këtë gjë që më duket si aventurë, do të na kishe bërë të qanim, si nënën, ashtu edhe mua e vëllezërit e mi.” Ai pati shkuar në një vend që nuk u pëlqente atyre, ndërsa tek kthehej ishte rrëzuar mbi shinat e trenit, ndërkohë që treni pati kaluar mbi të, pa i bërë asgjë, si një rrezatim i kaderit, vetëm sa i kishte prerë teshat që kishte veshur. Kështu, edhe unë pata shprehur shqetësimin dhe trishtimin tim. Babai, i nxehur paksa prej kritikës sime, më tha: “Ti çfarë babai do që të kesh?”
Sa herë që e sjell në mendje këtë ndodhi, zemra më dridhet nga frika se si do të përballem me këtë skenë kur të ngrihet gjyqi i madh. Atë ditë sikur më ra bota mbi krye. Asisoj që isha i pavetëdijshëm rreth vatrës që kisha shkatërruar. Ndihesha i shokuar nga ai zjarr që kisha shkaktuar, i cili e pati djegur gjithë ambientin ku ne jetonim së bashku.
Po, të drejtat e nënës dhe të babait janë shumë të mëdha. Unë edhe për këtë ndodhi kaq të vogël nuk kam arritur që t’ia fal dot vetes. Pse e detyrova babanë, atë baba aq të shtrenjtë, që ishte aq shumë i dhënë pas fesë, të më thoshte ato fjalë? Ende banon brenda meje shqetësimi i tij aq i madh. Atë ditë që ndërroi jetë, ishte e enjtja e parë e Ramazanit, teksa jetonte minutat e fundit të jetës. I shkova pranë tij dhe i thashë: “Baba, më kanë caktuar që ta vazhdoj detyrën time në Manisa, ndaj do të iki atje.” Pati një sjellje dhe më dha një shikim sikur të mos ishte shumë i kënaqur që po ikja, mirëpo pastaj më tha: “Ik, o bir! Këtu janë vetëm dy sy që presin për ty, kurse atje janë me mijëra.” Ishte i lumtur, i kënaqur, mirëpo unë ende nuk arrij që t’ia fal vetes.
Nëse prindërit tuaj janë njerëz të devotshëm, të cilët marrin abdes dhe i kryejnë adhurime Allahut (xhel’le xhelaluhu), duhet të keni frikë nëse ua thyeni zemrat. Nëse doni që në jetën tuaj të mbizotërojë begatia, ju të jeni të qëndrueshëm e të palëkundur brenda rrethit të devotshmërisë, faqebardhë e ballëhapur e të patronditur përpara Allahut, atëherë mos reshtni për asnjë çast së e treguari respektin që ushqeni ndaj prindërve tuaj. Askush nuk ia jep dot vetes të drejtën që të ngrejë krye ndaj prindërve të tij, apo t’i cilësojë ata si të padrejtë në ndonjë aspekt. Zaten ç’të drejtë mund të pretendojnë fëmijët prej prindërve të tyre! Sepse qëndrimi i Kuranit Famëlartë lidhur me këtë çështje është shumë i qartë dhe serioz. Arkitekti i mendimit të shekullit të shkuar e zgjidh me këto fjalë këtë dilemë: “Ai që kundërshton e ngre krye ndaj nënës e babait të tij, nuk është veçse një njeri i prishur, një përbindësh.”
“Ti, sa njerëz ke vrarë?”
Pyetje: Cila duhet të jetë qasja që duhet të kemi për t’u lidhur edhe njëherë me vëllezërit tanë, të cilët janë larguar nga ne për arsye të ndryshme? A është shumë e rëndë përgjegjësia e të qenit shkak i largimit të tyre? Po ata a kanë ndonjë përgjegjësi, për sa i përket largimit të tyre?
Përgjigje: Një ditë prej ditësh, një dijetar i thotë vetes: “Kushedi se sa njerëz duhet të kesh vrarë deri më sot!” Domethënia e këtyre fjalëve duhet të ketë qenë kjo: Njerëzit deshën të vinin te ty për të mësuar ndonjë gjë të re. Ti nuk arrite që ta lexoje dot karakterin e tyre, e nuk e kuptove se cilat ishin gjërat që u interesonin atyre më së shumti. Duke qenë se nuk ua dhe dot mësimet ashtu siç ishte më e duhura për ta, ata u mërzitën dhe hoqën dorë, fillimisht prej teje, mandej edhe prej botës sate të mendimit. Mandej ata i kthyen shpinën edhe asaj të vërtete aq të madhe dhe u larguan. Ja pra, në këtë pikëpamje, kushedi vrasësi i sa e sa njerëzve duhet të jesh bërë!
Prandaj, çdo hero i udhëzimit të njerëzve duhet ta konsiderojë veten si një individ që përfaqëson të drejtën në shoqërinë ku bën pjesë dhe është i detyruar që të mos i ftohë njerëzit prej kauzës së Islamit, asisoj që ata të heqin dorë tërësej prej saj. Ai duhet të bëjë
çdo gjë që duhet bërë dhe, po të jetë e nevojshme, të ketë parasysh se mund t’i duhet që të përulet gjer deri edhe në tokë, në mënyrë që të mos ua vështirësojë njerëzve marrëdhëniet me ta dhe me kauzën njëkohësisht.
Nëse ne nuk i masim mirë sjelljet dhe reagimet tona dhe nuk veprojmë sipas karakterit të Muhamedit (sal’lallahu alejhi ues’selam), atëherë do të dalin shumë njerëz që do të hidhërohen e do të zgjedhin largimin prej këtij rrethi të shenjtë. Në këtë pikëpamje, shumë nga ne kushedi se sa njerëzve mund të kemi rrënuar... kushedi se sa njerëz kemi vrarë pamëshirshëm... duke i larguar ata nga më e drejta, sepse ua kemi prekur rëndë krenarinë e egos së tyre. Këta njerëz që janë larguar nga e drejta fillojnë të mbrojnë të metat dhe gabimet që mund të kenë pasur, kështu që filluan të kritikonin edhe ato gjëra që përbënin meritë për ju. Po, të gjitha këto përbëjnë një përgjegjësi shumë të madhe dhe shumë serioze. Nëse e kemi ngarkuar ndërgjegjen tonë me një përgjegjësi të tillë, atëherë Zoti të na falë. Mirëpo më duhet që të them, se lëvduar qoftë Allahu, se numri i shokëve të larguar prej rrethit të së drejtës dhe të vërtetës, madje edhe në kushtet më të këqija e të vështira, është prapëseprapë shumë i vogël.
E meta jonë më e madhe që ka shkaktuar largimin prej nesh të këtyre shokëve është se nuk i kemi ndjekur ata vazhdimisht, nuk i kemi kontrolluar se në ç’gjendje janë dhe nuk i kemi mbështetur sa herë që u është dashur ndihma jonë. Si përfundim edhe ata u janë bindur dëshirave të egove të tyre dhe, duke ndjekur djallin nga pas, mund të jenë larguar ndjeshëm prej këtij rrethi. Ndoshta kanë filluar të kryejnë gjithfarë mëkatesh, duke e rrokullisur veten tej një rrëpire shumë të vështirë për t’u rekuperuar. Vendi ku kanë jetuar është shndërruar pak e nga pak në fundin e pusit të devijimit, mirëpo ata as që e kanë dalluar fare rënien e tyre. Bota u ka vënë atyre frerët me gjithfarë mënyrash, duke nisur që nga posti, pasuria, malli, i ka magjepsur fama, duke ua lidhur si sytë, ashtu edhe zemrat. Nganjëherë i ka kufizuar ata përmes frikës, disa syresh përmes nacionalizmit, ndërsa të tjerët përmes gjithfarë dëshirash trupore e fizike, duke i shndërruar ata në një masë egoistësh që nuk mendojnë asgjë pos egos së tyre. Shumë njerëz, sot, pikërisht në të njëjtën mënyrë, jetojnë të larguar prej të drejtës dhe të vërtetës, të shndërruar në arlekinë në duart e djallit.
Përtej gjendjes së të drejtës dhe të së vërtetës, vazhdimësia dhe durimi për të qenë të qëndrueshëm në të janë po ashtu shumë të rëndësishme. Zbulimi i tyre na është mundësuar, si atyre, ashtu edhe neve, mirëpo disa prej tyre – edhe pse shumë janë shumë pak – nuk u është mundësuar që të vazhdojnë në këtë rrugë. Kurani Fisnik na ka mësuar një lutje të tillë: “O Zot! Mos i lejo zemrave tona që të rrëshkasin, pasi t’i kesh udhëzuar (në të drejtë)!” Siç na transmetohet prej nënës sonë, Umu Selemes, Profeti ynë i dashur (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) shumë herë është lutur me këto fjalë: “O Zoti im, që i ke në kontroll zemrat e gjithë njerëzisë! Mbaje zemrën time të qëndrueshme në fenë Tënde!” Madje, kur ajo (radijallahu anh) e ka pyetur, “O i Dërguari i Allahut! Pse e bëni vazhdimisht këtë lutje?”, Profeti ynë i ka kthyer përgjigjen: “Nuk ka asnjë njeri që zemra e tij të mos jetë nën kontrollin dhe fuqinë e Allahut (xh.xh.). Po të dojë Ai të mban të qëndrueshëm në fe, po të dojë lejon që ti të rrëshkasësh.”
Efekti i shkaqeve që kanë të bëjnë me vullnetin dhe vendosmërinë e njeriut për sa i përket rrëshkitjes së zemrave mund të jetë shumë i vogël. Është një gjendje që ngjan sikur je duke ecur mbi akull, ku, nëse nuk tregohet i kujdesshëm, njeriu mund të rrëzohet nga çasti në çast. Andaj, një besimtar duhet ta përdorë sa më plotësisht vullnetin e tij dhe të bëjë kujdes që të ecë sa më pak mbi akull. Sepse, nëse ecën mbi akull, atëherë rreziku për t’u rrëzuar të shoqëron për çdo çast. Është Allahu (xhel’le xhelaluhu) që i krijon të gjitha veprat tona, mirëpo, me këtë, Ai është duke iu përgjigjur një kërkese të vetë njeriut, që shprehet përmes vullnetit të njeriut. E shprehur me fjalë të tjera, nëse edhe në veprimet më të vogla të robit, si një mëkat i vogël, një rrëshkitje, një shikim, një prekje, apo një kafshatë e ngrënë palejueshëm, janë një përpjekje apo një prirje e njeriut drejt mohimit, ose devijimit, edhe Allahu krijon mohimin ose devijimin e tij, sipas dëshirës që ai ka shprehur duke përdorur vullnetin. Allahu është Ai që i ka krijuar, si udhëzimin, ashtu edhe çudhëzimin. Mirëpo Atij nuk i pëlqejnë, as mohimi, as çudhëzimi, apo devijimi. Ai (xhel’le xhelaluhu) kënaqet përherë vetëmse nga e drejta dhe besimi në Të.
Kështu ka ndodhur edhe me ata shokë që janë larguar prej rrethit të shërbimit. Mirëpo largime të kësaj natyre nuk kanë ndodhur vetëm mes nesh. Në librin “Letrat” të Imam Rabaniut gjenden shumë letra të shkruara me një ton paksa të ashpër, por shumë serioz, të cilat u drejtohen nxënësve të tij me një varg paralajmërimesh. Në ato letra ky njeri i bekuar flet edhe për ata njerëz, që ai nuk e fsheh habinë që e pushton, se si është e mundur që të ketë njerëz që largohen prej së drejtës pasi janë njohur me të, pasi e kanë kuptuar dhe e kanë mësuar e parë me sytë e tyre të mirat që vijnë prej saj. Poende, një tjetër rinovues i Islamit shpreh gjithashtu habinë se si është e mundur që dikush të gënjehet prej fjalës së një njeriu pa fe, megjithëqë ka marrë aq shumë mësime rreth së vërtetës nga ai vetë.
Një njeri me pseudonimin Rexhal, emri i vërtetë i të cilit ishte Nehar ibni Unfuue, sa herë që vinte në praninë e bekuar të Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) mbushej plot shpirtërisht dhe merrte ngjyrë si njeri. Të gjithë fuqinë, forcën dhe aftësinë e tij retorike e përdorte vetëm për Profetin tonë. Vazhdoi të vinte te Profeti ynë (pqmT) për vite e vite me radhë. Mirëpo erdhi një ditë, që ai njeri kaloi në radhët e atyre që ndoqën një gënjeshtar si Musejlemeja, i cili pretendonte se ishte profet i Zotit. Ja se si e përshkruan Ebu Hurejre (radijallahu anh) këtë ngjarje kaq të hidhur:
Ishim tre vetë në praninë e të Dërguarit të Allahut (pqmT): Unë, Rexhali dhe Furat ibni Hajani. I Dërguari i Allahut (pqmT) na tha: “Dhëmbi i qenit të njërit prej jush anon nga ferri dhe do të jetë i madh sa mali i Uhudit.” (Me një fjalë, njëri nga ju të tre do të kryejë një krim shumë të tmerrshëm. Dhe, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) e ka shprehur madhësinë e këtij krimi përmes dhëmbit të qenit.) Mua më kapi një frikë aq e madhe, sa që nuk u çlirova dot prej saj gjer në luftën e Jemames. Furat ibni Hajani pati rënë dëshmor, më herët; ishte më se e kuptueshme se nuk ishte ai fatkeqi për të cilin pati folur i Dërguari i Allahut (pqmT). Unë kisha shumë frikë për veten time. Kur dëgjova se Rexhali kishte vdekur në Jemame në radhët e Musejlemes, i vrarë nga shpata e Zejd ibni Hatabit, atëherë e kuptova se nuk isha unë ai njeri, ndaj edhe e falënderova me gjithë shpirt Allahun (xh.sh.).
Ky njeri i quajtur Rexhal qe shndërruar në mbrojtësin më të thekur të Musejlemes. Kjo e pati prekur shumë vëllanë e madh të Omerit të nderuar (radijallahu anh). Zejdi, i cili i ishte dorëzuar krejtësisht Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) shumë kohë para se të bëhej mysliman Omeri i nderuar, nuk e pati honepsur dot që Rexhali kishte hequr dorë nga Profeti ynë dhe kishte shkuar pas një sharlatani gënjeshtar, si Musejlemeja, për të luftuar mandej kundër myslimanëve. Gjatë gjithë luftës së Jemames sytë e tij veç për Rexhalin patën kërkuar. Një të gjetur mundësinë, i qe vërsulur dhe i pati ardhur hakut. Mirëpo edhe ai vetë ra dëshmor pak më vonë, po në të njëjtën betejë, nga duart e një tjetri.
Ka shumë njerëz që dalin nga feja njësoj si Rexhali. Për shembull, njëri syresh është edhe Tulejhaja. Mirëpo Allahu ia hapi sytë Tulejhasë, duke ia falur atij edhe njëherë mundësinë për të pranuar Islamin. Sa e sa njerëz, gra apo burra, pati edhe në atë kohë, që braktisën fenë e tyre dhe u larguan nga kauza e së vërtetës.
Po, paska edhe njerëz që mund të largohen prej tërheqjes dhe rrethit të bekuar të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), i cili zotëronte forcën më të madhe të tërheqjes që mund të ekzistojë drejt një qenieje njerëzore; tani kush jemi ne, që të mos ketë njerëz që largohen prej nesh, kur ka pasur të tillë, të cilët janë larguar prej një mjedisi të atillë! E di që ka njerëz që i kanë braktisur, duke i lënë në mes të rrugës, shokët e tyre, në këmbim të një posti të premtuar nga ndokush. Mirëpo lëvduar e falënderuar qoftë Allahu (xh.sh.), që numri i atyre që janë larguar prej rrethit të shërbimit në udhën e Allahut (xh.sh.) ka qenë përherë shumë shumë i vogël. Le t’i lutemi Zotit, që të mos jemi ne ata që jemi bërë shkak për këto largime.
Megjithatë, kjo çështje paraqet edhe një tjetër aspekt. Ajo që u takon besimtarëve të bëjnë kur këta njerëz fillojnë të shfaqin shenjat e distancimit, është që të vrapojnë në ndihmë të tyre njësoj si Hizri. T’u lidhen pas këmbëve e t’u kërkojnë që të mos largohen. T’u thonë: “Mos ikni!” Është shumë e rëndësishme që kjo të kuptohet që më herët. Sepse sinjalet e largimit shfaqen fillimisht përmes kritikave. Fillon të kritikohen disa mendime apo sjellje brenda këtij rrethi. Mandej fillon të ndjehet një ftohtësi karshi shumë çështjeve që kanë të bëjnë me të. Në fillim humbet kujdesi në faljen e namazeve, të cilat në më të shumtën e rasteve lihen pas dore, e mandej shfaqen dallimet në mendim.
Kështu fillon, dalëngadalë, çdo largim. Një mbret i fjalës thoshte se në çdo mëkat gjendet e fshehur rruga që të çon drejt mohimit. Nëse nuk fshihet menjëherë përmes pendesës dhe kërkimit të faljes prej Zotit të botëve, ajo shndërrohet fillimisht në një vezë gjarpri në zemrën e tij, e mandej në një gjarpër që e kapërdin edhe atë vetë. Fill pas tyre çel sythe mohimi dhe, si përfundim, shfaqet me tërë vërtetësinë e tij sekreti i ajetit kuranor: “Allahu i vulosi zemrat e tyre...” Për këtë arsye shokët e këtillë duhen trajtuar me një kujdes të veçantë dhe të mbështeten, t’u dëgjohen shqetësimet dhe të bëhet çdo përpjekje për t’u gjetur zgjidhje përmes rrugës së bindjes pyetjeve që shqetësojnë mendjet e tyre.
Nëse ka të atillë që janë larguar pavarësisht çdo përpjekjeje, e vetmja gjë që mund të bëhet është ruajtja e vazhdimësisë së kontaktit me ta. Këta shokë nuk duhen gjykuar kurrsesi për zgjedhjen që kanë bërë dhe nuk duhen ngacmuar duke i parë si njerëz me të meta. Ata kanë bërë një gabim; nuk do lejuar, që për faj të gabimit të parë, ata të rrëshkasin drejt ndonjë gabimi tjetër, përkundrazi, problemeve u duhen gjetur zgjidhje përmes metodës që përdorte edhe Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). I Dërguari i Allahut u gjente zgjidhje të metave dhe gabimeve të individëve duke i trajtuar ato të meta e gabime si gabime të mbarë shoqërisë, sikur t’i përkisnin të gjithëve, e jo disa individëve të caktuar. Nëse dikush do të kishte kryer ndonjë gabim, Ai i tregonte ato të meta dhe rrugëdaljet prej tyre, pa përfolur personin e goditur prej asaj të mete, pa e vënë atë përballë vetes dhe pa e grisur perden mes Tij dhe dikujt tjetër. Kështu, ai që kishte të metën e merrte mësimin në mes të shoqërisë pa u prekur e pa u ofenduar në sy të të gjithëve. Lejomëni t’ju tregoj një rast se si e pati zgjidhur Profeti ynë problemin e një grushti njerëzish që kishin gabuar:
Kur u ngadhënjye mbi Mekën u plotësua njëfarësoj edhe sfida e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) në rrafshin fizik. Kështu që edhe detyra e Tij mbi tokë po vinte drejt fundit. Kishin mbetur shumë pak mësime që do t’ua linte trashëgim sahabëve të Tij. Urdhëresat e fundme që kishin zbritur prej qiellit i jetësonte njëherë vetë, mandej ua këshillonte edhe të tjerëve. Ndërkohë që një pjesë të mirë të plaçkës së luftës të siguruar nga beteja e Hunejnit ua pati shpërndarë parisë së Mekës. Mes atyre që po përfitonin nga kjo plaçkë lufte ishin Akra ibni Harithi, Ebu Sufjani, Safuan ibni Ujejne, të cilët kishin qëndruar kundër të Dërguarit të Allahut (pqmT) si armiqtë më të paepur. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) kishte një mendje dhe një zgjuarsi të jashtëzakonshme. Aty po u mbyllte gojën të gjithë armiqve që e përflitnin. Po bënte një përpjekje për t’ua zbutur zemrat me Islamin, sepse me fjalët e Kuranit këto ishin gjëra që i “zbutnin zemrat”. Ata që i prekte kjo e mirë e Profetit tonë, thoshin kështu: “Për Zotin, ky njeri nuk mund të jetë veçse profet. Sepse është e pamundur që një njeri të jetë kaq bujar.”
Akra ibni Habithi, para kësaj kishte qenë një njeri i errët dhe shumë i ashpër. Ndaj, duke i dhënë atij pasuri, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) po ia zbuste zemrën, duke i tërhequr kësisoj të gjithë njerëzit e mëdhenj, që prinin secili nga një familje të madhe, në anën e vet. Kësisoj ata po bëheshin njësh me nurin e amshuar dhe lumturinë e përjetshme.
Nga ana tjetër, ndarja në këtë mënyrë e plaçkës së luftës i pati shqetësuar shumë një grup të rinjsh prej ensarëve, të cilët patën ardhur nga Medina dhe patën luftuar përherë me gjithë shpirt, pa e menduar dy herë jetën e tyre, krah Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Mes një grupi të rinjsh, të cilëve u vlonte gjaku e sapo ishin çliruar prej fëmijërisë, filluan të qarkullonin fjalë sikur: “U takua me fisin e tij. Ka gjasa që tani të mos kthehet më në Medinë me ne. Luftën e bëmë ne, por pasurinë ua shpërndau atyre...” Ishte Sad bin Ubade (radijallahu anh) që i dëgjoi këto fjalë, ndaj rendi menjëherë për te Profeti dhe ia tregoi Atij situatën e krijuar. Sapo i dëgjoi këto fjalë, i Dërguari i Allahut (pqmT) i kërkoi Sadit që t’i mblidhte bashkë të gjithë ensarët, duke ia theksuar se aty nuk duhet të ishte asnjë prej muhaxhirëve.
Po, edhe në atë kohë kishte njerëz që kishin ndonjë të metë dhe, fatkeqësisht, këto të meta i atribuoheshin edhe Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Megjithëse sjelljet e një profeti nuk mund të kritikohen. Sepse kritika e sjelljeve të Tij, duke i atribuar të meta, që nuk mund t’i përkasin kurrsesi Atij, është devijim, është rënie në çudhëzim. As për sahabët nuk mund ta mendojmë diçka të këtillë. I Dërguari i Allahut (pqmT) veproi menjëherë, që të mund ta fshinte këtë mendim e ndjenjë të gabuar nga zemrat e ensarëve, ndaj edhe i mblodhi menjëherë të gjithë bashkë.
Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) u rikujtoi edhe njëherë se ç’mirësi e madhe ishte Ai vetë për ta: “A nuk ishit ju të gjithë të devijuar, kur unë erdha te ju? A nuk ju udhëzoi Zoti ju në të drejtën përmes meje? A ishit ju që vuanit nga varfëria dhe nevojat e shumta? A nuk ju pasuroi Allahu për hirin tim? A nuk ishit ju që ushqenit urrejtje për njëri-tjetrin? A nuk i edukoi Zoti zemrat tuaja përmes meje?”
Të gjithë bashkë, ensarët thoshin njëzëri: “Po, po, mirënjohja i përket vetëm Allahut dhe të Dërguarit të Tij!” Dhe, kur dëgjuan fjalinë: “Tani, kur të gjithë do të kthehen për në shtëpitë e tyre me më shumë dhenë dhe deve, nuk do të donit që ju të ktheheshit me të Dërguarin e Allahut?”, ata u mbytën të gjithë në lot. Kështu u shmang një ngatërresë dhe përçarje shumë e madhe. Nëse tregoheni të kujdesshëm, këtu nuk janë dalluar njerëzit me të meta dhe nuk u është goditur në fytyrë e meta që kanë shfaqur, por u është folur të gjithëve, sikur të mos ishte folur asgjë
Megjithatë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) e shtynte edhe më tej ndikimin e Tij, duke thënë: “Sikur Allahu të mos më kishte krijuar mua si muhaxhir, unë do të doja të kisha qenë një ensar. Sikur në njërën anë të një lugine të ishte gjithë njerëzimi, ndërsa në anën tjetër ensarët, unë do të shkoja me ensarët.”
Pra, siç u pa, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) i zgjidhte aq lehtë problemet që lindnin, aq sa nuk kishte asnjë njeri që të shqetësohej prej ndërhyrjes së Tij. Ishin vetëm ata që kishin ndonjë mangësi, të cilët pendoheshin dhe ndienin pendesë gjerë në fund të jetës së tyre.
Prandaj edhe duhet ndjekur rruga që ndiqte Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) në zgjidhjen e të metave dhe gabimeve. Nëse ne godasim e thyejmë gjithë ç’nuk na pëlqen përreth nesh dhe i bëjmë njerëzit që të largohen prej nesh të hidhëruar me ne, atëherë kjo nuk buron tjetër, veçse nga sjellja jonë jo ashtu siç do të sillej Krenaria e Njerëzimit (paqja e Zotit qoftë mbi Të!) Zoti na faltë!
Tani, në mendje mund të na lindë një pyetje: I Dërguari i Allahut pse u kërkoi mbledhjen vetëm të ensarëve dhe nuk deshi që aty të ishin të pranishëm edhe muhaxhirët?
Ai kërkoi mbledhjen e vetëm të të gjithë ensarëve, sepse ky dyshim kishte lindur në mes të ensarëve. Sikur të mos kishin ardhur të gjithë, atëherë jashtë mund të kishte mbetur edhe ndonjë prej atyre që i pati përhapur ato fjalë. Mandej, edhe pse ata do t’i dëgjonin fjalët e të Dërguarit të Allahut të transmetuara nga të tjerët, ajo fjalë e kulluar dhe e bekuar nuk do të hidhte rrënjë aq fort në zemrat e tyre, e kështu, ata nuk do të kishin shpëtuar dot krejtësisht nga kjo nyje e lidhur brenda tyre.
Lëre pastaj që askush nuk do të donte që ta kishte humbur privilegjin për të qenë aty e për të dëgjuar Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). I Dërguari i Allahut (pqmT). I Dërguari i Allahut do t’ia thoshte të vërtetat e Tij të gjithëve në sy, njëherazi. Prandaj edhe donte që të mos mungonte as edhe një i vetëm. Dhe ky ishte një mënyrë e atillë të treguari, që sikur të kishte tre-katër vetë prej muhaxhirëve aty, që t’i dëgjonin ato fjalë, do t’i harronin meritat e tyre dhe do të çelej udha për lindjen e zilisë. Prandaj edhe pati thënë që “të mos ishte asnjë prej muhaxhirëve!” sepse një muhaxhir, i cili kishte braktisur atdheun e tij dhe kishte shkuar
pranë ensarëve, për t’u falur atyre privilegjin e të qenit ‘ensarë’ do të mendonte se muhaxhirët nuk i meritonin ato fjalë të mira që po thuheshin veçanërisht për ensarët dhe mund të hidhërohej. Ndaj edhe historia dhe jetëshkrimi i Profetit nuk e ka humbur këtë ndodhi, madje e ka transmetuar në mënyrë të besueshme e më se të detajuar. Ishin këto merita të ensarëve që iu mbetën atyre si pasuri e shpërblim i përjetshëm, madje të përmendura menjëherë nga goja e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem).
Prandaj, për çdo problem me të cilin mund të përballemi ka medoemos rrugëzgjidhje që është përdorur prej Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) për ta zgjidhur atë problem në Kohën e Lumturisë. Neve na takon që ta kthejmë jetën e Tij në jetë të jetëve tona.
Shënimet
- 114.Shih: el-Axhluni, Keshfu’l-hafa 1/265.
- 115.Maide, 5/3.
- 116.Buhari, iman 33, megazi 77, tefsiru sure (5) 2, i’tisam 1; Muslim, tefsir, 3, 4, 5.
- 117.Shih: M. F. Gylen, Boshti i udhërrëfimit, Stamboll 2011; Ila’yi Kelimetullah, veya Cihad, Nil Yayinlari, Izmir 1997.
- 118.Nur, 24/55.
- 119.Teube, 9/32.
- 120.Saf, 61/9.
- 121.Muslim, taharet 39; Nesai, taharet 113.
- 122.Ebu Daud, xhihad 35.
- 123.Buhari, i’tisam 10; Muslim, iman 247.
- 124.Tirmidhi, tefsiru’l-Kuran, sureja Sad.
- 125.Buhari, ahkam 7; Muslim, imaret 14.
- 126.Ibni Ebi Shejbe, el-Musannef 6/419; el-Bejhaki, es-Sunenu’l-kubra 10/96.
- 127.Jusuf, 12/55.
- 128.Ahmed bin Habel, el-Musned 4/197, 202; Ibni Ebi Shejbe, el-Musannef 4/467; Ebu Ja’la, el-Musned 13/321.
- 129.Nesai, xhenaiz 61; Abdurrezzak, el-Musannef 7/271; et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-kebir 2/271.
- 130.Huxhurat, 49/10.
- 131.Enfal, 8/63.
- 132.Shih: Bediuzaman Said Nursi, Letrat, Letra e Njëzetedytë, Kreu I.
- 133.Shih: Muslim, tefsir 24; en-Nesai, es-Sunenu’l-Kubra 6/481.
- 134.Hadid, 57/16.
- 135.Muslim, teube 12; Tirmidhi, kijamet 60.
- 136.Buhari, iman 36.
- 137.Ibnu’l-Esir, Usdu’l-gabe 1/468.
- 138.Al-i Imran, 3/8.
- 139.Tirmidhi, kader 7, daauat 89, 124; Ibni Maxhe, dua 2.
- 140.Et-Taberi, Xhamiu’l-bejan 11/94; Ibni Asakir, Tarihu Dimashk 44/403. 146 Infitar, 82/5.
- 141.Hadid, 57/16.
- 142.Muslim, tefsir 24; en-Nesai, es-Sunenu’l-kubra 6/481.
- 143.Shih: Buhari, meuakitu’s-salat 16, tefsiru sure (50); Muslim, mesaxhid 211.
- 144.Hadid, 57/16.
- 145.Buhari, bed’u’l-halk 16; Muslim, haxh 67-70.
- 146.Tirmidhi, fiten 26; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 3/19.
- 147.Bediuzaman Said Nursi, Shkrepëtimat, Shkrepëtima e dytë.
- 148.Enbija, 21/107.
- 149.Tirmidhi, daauat 119; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 4/138.
- 150.Ahmed bin Hanbel, el-Musned 4/138.
- 151.Araf, 7/146.
- 152.Ebu Nuajm, Hiljetu’l-Eulija 1/93.
- 153.Ankebut, 29/8.
- 154.Uahidi, Esbabu’n-Nuzul f. 341.
- 155.Llokman, 32/15.
- 156.El-Kudai, Musnedu’sh-Shihab 1/102.
- 157.Isra, 17/23.
- 158.Bediuzaman Said Nursi, Fjalët, Fjala e tridhjetëedytë, Çështja e dytë.
- 159.Al-i Imran, 3/8.
- 160.Ahmed bin Hanbel, el-Musned 6/315; Ibni Ebi Shejbe, el-Musannef 6/168.
- 161.Shih: Imam Rabaniu, el-Mektubat, f. 240 (Letra 202).
- 162.El-Humejdi, el-Musned 2/495.
- 163.Bakara, 2/7.
- 164.El-Uakidi, Kitabu’l-megazi 2/854-855; Ibni Asakir, Tarihu Dimashk, 24/114. Veç kësaj, shih: Muslim, fedail 59; Tirmidhi, zekat 30.
- 165.Ibni Hisham, es-Siretu’n-Nebeuije 2/498-500.