Xhemeli, Siffini dhe Qerbelaja

Pyetje: Ne dimë se ngjarjet e Xhemelit, Siffinit dhe Qerbelasë u kanë shkaktuar myslimanëve dëme dhe pasoja shumë të rënda për Islamin. Cilat janë anët e mira të tyre që mund të kenë të bëjnë me ne?

Përgjigje: Ngjarjet e Xhemelit, Siffinit dhe ajo e Qerbelasë, kanë hyrë në kraharorin e Islamit si të ishin një kamë të cilën ai ia ngulte vetvetes mu në zemër dhe përbën një nga ndodhitë më pikëllues, e cila ka hapur plagë të pashërueshme e të thella në shoqërinë islame. Ngjarje të tilla, të cilat ma copëtojnë zemrën, nganjëherë mendoj se nuk dua që t’i trajtoj tema të tilla, në mënyrë që ajo të mos ua thyejë zemrën edhe të tjerëve. Kur bëhet fjalë për dy grupe myslimanësh që luftojnë kundër njëri-tjetrit, njerëzit mund të zgjedhin njërën palë, e mund të ndodhë që të mendojnë keq për njërën prej tyre, duke bërë gjykime negative rreth tyre. Duke pasur frikë se kjo është një ngjarje e së kaluarës dhe mund të duket si prekje mbi një plagë që i ka ndotur duart e të tjerëve dhe mund të nxjerrë ende gjak, mua nuk më duket shumë e drejtë që të shpjegoj gjëra kaq të këqija.

Kjo ka qenë një situatë, që nisur nga disa rrethana të caktuara, i ka bërë myslimanët t’i kundërvihen njëri-tjetrit si rrjedhojë e gjykimit personal të secilit. Ata armiq të Islamit që dinë mjaft mirë si ta përdorin dashurinë e myslimanëve për të vërtetën, nuk kanë reshtur së e luajturi edhe këtu mjaft mirë rolin e tyre. Mirëpo dora e urtësisë së Allahut ka arritur që të vërë në pah disa nga veçoritë më të bukura në dobi të myslimanëve, pavarësisht këtyre furtunave të frikshme. E, ja, të nisur prej kësaj urtësie duhet t’i shohim, si ngjarjen e Xhemelit, ashtu edhe atë të Siffinit. Sepse, nëpërmjet këtyre ngjarjeve të hidhura janë realizuar edhe disa gjëra të mbara.

Ne, në sjelljet tona, jemi të varur prej urdhëresës, e jo prej urtësisë. Dhe shkaku, pseja dhe arsyeja e gjërave për të cilat jemi urdhëruar qëndron në faktin se këta janë urdhra të vetë Allahut (xhel’le xhelaluhu). Ne bëjmë atë që na urdhëron Allahu. Dhe Allahu nuk na ka urdhëruar asnjëherë që ne të vrasim vëllezërit tanë myslimanë. Allahu nuk i pati kërkuar, as Aliut të nderuar (radijallahu anh), as Muauijes, që ata të ngriheshin e të vrisnin njëri-tjetrin. Por ç’e do se ata gjykuan secili më vete lidhur me disa çështje të caktuara, duke rënë kështu në një konflikt të përgjakshëm me njëri-tjetrin. Edhe pse njëri mund të ketë më shumë të drejtë, edhe tjetri ishte ithtar i së drejtës. E thënë me fjalë të tjera; njëri kishte të drejtë, ndërsa tjetrë e pandehte të drejtë padrejtësinë e tij. Patën luftuar si rrjedhojë e gjykimeve të veta, andaj edhe në mesim e myslimanëve pati depërtuar përçarja; mirëpo Allahu u pati mundësuar atyre, që edhe përmes sjelljeve jo të mira të tyre të dilnin përfundime të bukura. Ky është një tregues i bujarisë dh mirësisë së tij, sepse t’i quash ato si sjellje të pahijshme të besimtarëve nuk do të ishte kurrsesi e drejtë. Edhe pse nuk dua fare që t’i hyj një diskutimi të këtillë, në shenjë respekti ndaj atij që ma ka drejtuar këtë pyetje, do të doja të bëja një shpjegim të shkurtër të kësaj çështjeje.

Ngjarja e Xhemelit është ngjarja ku nëna jonë e nderuar, Aishja (radijallahu anha), së bashku me Talhanë dhe Zubejrin e nderuar (radijallahu anhuma), i kundërvihen Aliut të nderuar (radijallah

anh); kurse Siffni është ngjarja kur Aliu i nderuar me Muauijen e nderuar i kundërvihen njëri-tjetrit. Kurse Qerbelaja, ajo është një ngjarje e fajshme që ka ndodhur në të tjera rrethana. Ajo u ndodh njërit prej fryteve më të mëdha të familjes së Profetit tone, prijësi i banorëve të Xhenetit dhe një nga zotërinjtë e dëshmorëve, Husejni i nderuar së bashku gati dyzet pjesëtarë të një familjeje shkonin për në Kufe; një ngjarje e dhimbshme e pamëshirshme që ra drejt e mbi nipërit, fëmijët dhe motrat e tij, emërtimi i së cilës buron prej vendit ku ndodhi, në Qerbela. Nëse burimi i vërtetë i kësaj fjale është ajo që njihet si “fatkeqësi e gjithkahshme”, atëherë ajo e atillë ishte siç ka edhe emrin, një fatkeqësi asimetrike, që vinte nga të katër anët.

Pas kësaj hyrjeje të shkurtër le ta nisim shpjegimin nga ngjarja e Siffinit: askush nuk e vë në dyshim se ngjarja e Siffinit është një ngjarje ku janë përjetuar humbje shumë të mëdha në emër të Islamit, ku u përplasën Aliu i nderuar me Muauijen e nderuar dhe mes ndjekësve të tyre. Megjithatë, më shumë se sa drejt “kush kishte të drejtë, Aliu i nderuar, apo Muauija i nderuar?”, unë dua t’jua tërheq vëmendjen drejt një aspekti tjetër. Kur vuri re lëvizjen që filloi të ndihej në Bizant, kur u dëgjua rreth kësaj mosmarrëveshjeje mes këtyre dy personaliteteve, e pati ndierë shumë thellë thelbin e çështjes dhe i pati dërguar menjëherë një letër sundimtarit bizantin, ku i shkruante: “Duhet t’i bësh mirë llogaritë se çfarë do të bësh kur të vish e të na gjesh të bashkuar, mua me Muauijen e nderuar.” Unë i besoj këto fjalë – edhe pse burimi i tyre nuk fort i besueshëm. Sepse kur dikush pati filluar të rendiste cilësitë e veçanta të Aliut të nderuar (radijallahu anh) dhe pati gjykuar veprimet e vetë Muauijes, ky i fundit nuk i pati mbajtur dot lotët, duke nisur të qante me ngashërim. Dhe këtë dua ta shpreh duke e nënvizuar, se kjo ngjarje, e cila ka ndodhur mes Aliut të nderuar dhe Muauijes së nderuar, është e pamundur që të thuash se gjithçka e kishte zanafillën te mosmarrëveshja për ndjenjat dhe ndjesitë e tyre personale. Sepse ngjarjet patën një zhvillim shumë të ngatërruar, e ngjarje të atilla sot mund të jetohen rëndom në vende të ndryshme të botës. Ajo që ndodh sot, që disa ngrihen dhe i akuzojnë të tjerët për mungesë të besimit, ndaj edhe shfaqin gjithfarë sjelljes të padrejta karshi tyre, duke ua shkelur edhe të drejtat më themelore, na bën të mendojmë se gjëra të tilla mund të ndodhin sërish fare papritur.

Pastaj, përtej kësaj, nëse Allahu nuk ia bën të ditur një njeriu të lartë pranë Zotit se edhe ai tjetri është njeri i lartë pranë Zotit, atëherë sado i lartë të jetë, ai nuk ka se si ta njohë tjetrin si të tillë. Po, sepse ata janë të dy robër njerëz të lartë përpara Allahut (xh.sh.), mirëpo nëse nuk është Ai vetë që t’ua bëjë të ditur, ata nuk kanë se si ta dinë se si qëndron e vërteta. Prandaj, një njeri i lartë te Zoti e sheh qartë rrugën e tij, ndaj edhe ecën lehtësisht mbi të. Edhe tjetri e sheh mirë rrugën dhe ecën lehtësisht mbi të dhe, megjithëse janë të dy njerëz të lartë përpara Allahut (xhel’le xhelaluhu), ai mund të mendojë se tjetri është në rrugë të gabuar, kështu që mund ta sulmojnë njëri-tjetrin, derisa t’ia zbehin figurën shoqishoqit. Dhe fakti që kësi ngjarjesh kanë ndodhur edhe mes sahabëve fisnikë përbën një argument.

Patjetër që Aliu i nderuar (radijallahu anh) kishte të drejtë. Ai donte që të mbyllte e të riparonte disa të çara që kishin filluar të hapeshin në vilajetet në periferi, të cilat kishin filluar t’i tregonin shenjat e para që në kohën e Osmanit të nderuar (radijallahu anh), nëpërmjet një vargu ngjarjesh që bien ndesh me shpirtin e Islamit. Prandaj edhe situata në të cilën gjendej ai ishte shumë e vështirë. Kishin kaluar njëzet e kusur vite që nga koha që shpirti i Krenarisë së Njerëzimit (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) kishte mërguar drejt amshimit dhe gjatë këtij njëzetvjeçari ishte prishur, sado pak, ai shpirt i qashtërsisë që ishte karakteristik për periudhën e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Në Islam kishin hyrë shumë emra të rinj, të cilët nuk i ndienin thellë në shpirt shqetësimet që i kanoseshin Islamit, madje ata kishin filluar që të përcaktontin fatin e mbarë shoqërisë. Madje përtej kësaj, shumë syresh ishin njerëz që, sipas atmosferës politike në vend, nuk e shihnin të drejtën njësoj siç e shihnin paraardhësit e tyre... dhe për të tilla shkaqe ndodhi ajo që ndodhi.

Ndërkohë, Aliu i nderuar pati shtrënguar edhe njëherë dhëmbët për t’i dhënë formën e mëparshme një rendi që kishte filluar të zbehej dalëngadalë dhe pati thënë: “Unë nuk mund të qëndroj dot më në këtë shtëpi. Më duhet që të jem jashtë, për t’u bërë shembull i mirë për të gjithë rreth meje.” I tillë ishte ai, një personalitet që pati arritur gjer atje, sa të braktiste shtëpinë ku banonte... nuk hante dy vakte ushqimi në ditë, por ndoshta ndoshta mjaftohej që të hante vetëm njëherë në dy ditë. Asokohe ai ishte kalifi i një shteti shumë-shumë herë më të madh se Turqia e sotme. Njëherë, teksa shëtiste nëpër Kufe, dikush pati parë Aliun e nderuar (radijallahu anh), i cili dridhej nga të ftohtët, ndaj vendosi që t’i drejtohej e t’i fliste: “Pse qenkeni veshur kaq hollë në këtë ditë të dimrit? Sikur të kishit veshur diçka më të trashë?” Megjithatë, përgjigja e Aliut të nderuar (r.a.) ishte kjo: “Unë kaq mundësi kam, e nuk mund të marr të përdor dot asgjë përtej mundësive të mia.”

Aliu i nderuar (radijallahu anh) donte që ta ringjallte edhe njëherë pastërtinë e Islamit dhe periudhën e të Dërguarit Fisnik. Mirëpo në atë kohë në mesin e myslimanëve ishin shfaqur aq shumë shkolla mendimi, sa që ishte bërë shumë e lehtë që të shfaqeshin ngatërresa nga më të ndryshme, ndaj kjo ishte shumë e vështirë për t’u arritur. Dhe edhe pse u arrit që të bëheshin disa hapa në këtë drejtim, kjo u bë e mundur vetëm sajë fuqisë së Trimit të pashoq në guxim dhe Prijësit të trimave, faqë zgjuarsisë dhe largpamësisë së tij.

Në atë periudhë në Damask kishte disa njerëz që kishin zaptuar trashëgiminë e Bizantit. Këta kishin lindur në familje të pasura dhe të atillë donin që të atillë të ishin edhe njerëzit që do të kishin mbi krye. Ata nuk e patën parë asnjëherë Islamin e kulluar që ishte jetuar në kohën e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), ndaj edhe shihnin emeuitë si më të arrirët. T’u thoshe atyre përnjëherë, “ndryshoni natyrë!” dhe të prisje ndryshimin e tyre ishte diç e vështirë. Prandaj, Muauija vepronte sipas parimit të së keqes më të vogël. Ndërsa Aliu i nderuar nuk e pranonte këtë dhe nuk thoshte asgjë tjetër, veçse: “Qashtërsi si në kohën e Ebu Bekrit dhe Omerit (r.a.)!” Kurse Muauija ia priste me përgjigjen: “Ajo kohë ka ikur, a nuk e di ti, o Ali? Sot, shteti nuk mund të drejtohet dot më ashtu. Dhe ti nuk e bën dot këtë gjë.” Ja pra, kjo përplajse në mendim ishte zanafilla e mosmarrëveshjes.

Tevona çështja kishte të bënte me një gjykim islam: nëse në një vend mysliman bëhen dy udhëheqës myslimanë, atëherë njëri duhet të tërhiqej. Me t’u vrarë Osmani i nderuar (radijallahu anh) – edhe pse mund të kishte disa njerëz që kundërshtonin – shumica e besimtarëve kishin lidhur besë me Aliun e nderuar (radijallahu anh), duke zgjedhur atë si imam. Kështu që, nëse ishte ai imami, tani i takonte Muauijes së nderuar që të lidhte besën me të. Mirëpo Muauija i thoshte: “Ty të morën me zor, të vunë në krye dhe të shprehën besnikërinë. Unë nuk lidhem pas teje.” Politizimi i çështjes dhe organizimi i saj gjer në rangjet e ushtarëve bënë që të lindnin konfliktet që do të çonin drejt përballjes së Siffinit. Mendimi plot të meta lidhur me këtë ngjarje është ky: duke qenë se si vrasësi, ashtu edhe i vrari, janë banorë të Xhenetit, ne më mirë të mos e ndotim gojën tonë me gjakun e atyre që ndynë duart e veta me atë gjak. Sepse si Aliu i nderuar (radijallahu anh), ashtu edhe Muauija i nderuar (radijallahu anh) do të shkojnë të dy në Xhenet, kurse ata që e ndotin gjuhën e tyre lidhur me këtë çështje dhe kritikojnë njërën prej palëve mund të mos arrijë të shkojë gjer atje.

Për sa i përket çështjes së Xhemelit; nëna jonë, Aishja e nderuar gjendej në Mekë në kohën që ra dëshmor Osmani i nderuar (radijallahu anh). Kur të gjithë e lidhën besën me Aliun e nderuar, Talha dhe Zubejri i nderuar u larguan për t’iu bashkuar Aishes, nënës së besimtarëve. Nëna jonë fisnike kërkonte që të gjeheshin vrasësit e Osmanit të nderuar dhe të ndëshkoheshin, mirëpo, në një ditë shumë të vështirë, kur ngado mbizotëronte anarkia, njerëzit po lidhnin besën me Aliun e nderuar (r.a.) dhe për të ishte e pamundur që ta mundte menjëherë këtë situatë anarkike që ishte krijuar.

Këtë situatë do të doja ta ilustroja me një shembull, në mënyrë që të kuptohet më mirë se sa e vështirë ishte ajo. Nëse dikush vjen tek unë e më thotë se “shteti ynë që merret me anarkinë nuk është i sinqertë, sepse bën të duket sikur është duke u përballur me anarkinë, mirëpo është po ai vetë që i volitet anarkia më shumë se kujtdo tjetër. Poende edhe ushtria që duket sikur është duke u ngrënë dhëmbë për dhëmbë me anarkinë nuk është aspak e sinqertë. Të gjitha forcat e armatosura janë tradhtare”, pranimi i këtyre fjalëve pa u vënë në dyshim do të ishte diçka shumë e rëndë. Në këto institucione ka sa e sa njerëz që duan të luftojnë me anarkinë dhëmbë për dhëmbë, mirëpo lufta është tjetër luftë. Pra, gjithkush lufton për të dhënë llogarinë e një lufte të caktuar. Për shembull, në Turqi është duke u bërë një luftë e vërtetë me anarkinë. Mirëpo, nëse në një vend anarkia mbështetet mbi një kriter etnik dhe në një vend tjetër nga njerëz që shumica e tyre e quajnë veten të së njëjtës kombësi, në një tjetër nga dallimet e medhhebit, ndërsa në një tjetër vend nga ndryshimet në botëkuptim, ndërsa në një tjetër nga nxitja ngatërrestare e fuqive të jashtme dhe këto kanë pushtuar mbarë atdheun si bari i keq që pushton çdo sipërfaqe të tokës po ta gjejë terrenin të përshtatshëm, është e domosdoshme që gjërat të trajtohen me një delikatesë të veçantë. Nëse çohet dikush dhe thotë: “Unë do t’i sulmoj njëherë e mirë të gjithë ata që kanë ngritur krye, duke i varur njëherësh pesëqind burra të asaj zone; do t’i var, sepse kjo është rruga e vetme për ta rrëzuar një kryengritje.”, unë për këtë do të thosha se është jashtëzakonisht shumë larg mendjes. Sepse, së pari, të duhet të matësh mirë se ç’shpërthime kundërpërgjigjeje mund të rrjedhojnë nga një anë tjetër e problemit. Që, përtej këtyre, zgjidhja me një të rënë të lapsit e një problemi që e ka zanafillën shumë e shumë vite më parë është e pamundur. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) i pati zgjidhur problemet e tilla vetëm përmes një mundi dhe përpjekjeje shumë serioze, për plot njëzet e tri vite, duke u përballur me to shkallë-shkallë, derisa ua pati lënë amanet që ta vijonin ata që do të vinin pas Tij.

Ndërsa Aliut të nderuar (radijallahu anh) i kërkohej që t’i zgjidhte kështu, njëherë e mirë, të gjitha problemet që ishin shfaqur në atë kohë. Mirëpo ai e shihte me shumë rrezik përballjen njëherë e mirë dhe menjëherë. Në disa transmetime ne shohim të thuhet: përballë kërkesave të vazhdueshme nga ana e Aishes, Zubejrit dhe Talhasë (radijallahu anhuma), “na i dorëzo neve vrasësit!”, thirrja që “vrasësit të vihen para përgjegjësisë dhe të marrin ndëshkimin e merituar.” Ndërkohë që mijëra njerëz të armatosur patën ardhur te porta e Aliut të nderuar (r.a.), duke deklamuar: “Ne jemi të gjithë vrasës.”

Po, pas kësaj fjalie fshihej edhe një kërcënim për Aliun e nderuar (r.a.). Për veten e tij, Aliu i nderuar nuk kishte as më të voglën stepje, por ky gjak që kishte nisur të derdhej në fshatin e Profetit nuk do të ndalej, por do të derdhej edhe më shumë. Andaj, Aliu i nderuar vendosi që ta ndiqte vetë zgjidhjen e kësaj ngatërrese, kështu që vazhdoi në rrugën e tij dhe u përpoq që t’i fashitte vetë mosmarrëveshjet. Dhe, me ndihmën e Allahut, ia doli, mirëpo duke qenë se çështja ishte ende e nxehtë, ngrohtësia e saj i pengoi Muauijen dhe Aishen e nderuar që ta kuptonin në çast se si qëndronte puna. Ata nuk e dinin rrezikun që i kanosej Aliut të nderuar (r.a.), ndaj edhe këmbëngulnin që vrasësit duheshin nxjerrë përpara përgjegjësisë, që të jepnin llogari. Pas një farë kohe, Aishja e nderuar e pati kujtuar mjaft mirë një lajm nga e ardhmja që i pati dhënë Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), i Cili i pati thënë se kur të ndodhte kjo, ajo do të ishte në gabim. Po edhe Talhaja me Zubejrin nisën të shqetësoheshin nga përmasat që mori situata, kështu që i futën sërish shpatat në mill me një pendesë të fortë. Por ç’e do se situata u përkeqësua sërish shumë kur disa ngatërrestarë bënë diçka te deveja e Aishes (radijallahu anha). Si përfundim, aty ndërruan jetë, duke rënë dëshmorë, shumë njerëz, me në krye Talhanë dhe Zubejrin e nderuar (radijallahu anhum).

Ndërsa ngjarjen e Qerbelasë është e pamundur që ta kuptojmë duke e trajtuar në të njëjtën mënyrë. Është e pamundur që këtë ngjarje që ndodhi në muajin Muharrem e që do t’i bëjë njerëzit që e duan shumë të Dërguarin e Allahut (pqmT) dhe Ehli Bejtin e Tij, ta krahasosh me ndodhinë e Xhemelit, ose të Siffinit. Këtu, nga njëra anë qëndronin drejtuesit emeuinj, Jezidi dhe njerëzit përreth tij, të cilët e kishin shndërruar kauzën në nacionalizëm, gjak dhe racë dhe që nuk i njihnin të drejtë jete askujt tjetër përveç arabëve, ndërsa në anën tjetër Husejini i nderuar, i cili ishte po aq i dashuruar pas së drejtës sa edhe babai i tij. Njëra anë vepronte sipas urdhëresës së zbritur prej qiellit, ndërsa tjetra vepronte si e si që të ruante sundimin e vet mbi të tjerët. Në atë kohë trupi i organizmit ishte i shëndoshë. Në të kundërt, nga gjithë kjo tronditje mund të ishte zhbërë e shkatërruar gjithçka, duke bërë që të mos ngelej më as hadith, as fikh, as tefsir. Por, duke qenë se ky ishte një problem që kishte të bënte vetëm me shtetin dhe ushtrinë, menjëherë pas ndodhisë së Qerbelasë, Jezidët dhe Haxhaxhët morën fund.

Disa nga dijetarët islamë i janë qasur kështu kësaj çështjeje: shkaku i këtyre ngjarjeve ka qenë vënia në krye e njerëzve që nuk ishin të zgjedhur prej shumicës, madje ishin të atillë që shumica nuk ishte e kënaqur me ta. Aliun e nderuar (r.a.) nuk e kishte zgjedhur shumica e besimtarëve, siç kishte ndodhur me tre kalifët e parë. Në zgjedhjen e tij nuk kishte marrë pjesë një pjesë e mirë e parisë së sahabëve fisnikë. Me kalimin e kohës të gjithë këta të pakënaqur qenë bërë bashkë, duke bërë kështu që të ndodhnin gjithë sa ndodhën më vonë. Prandaj, këto ngjarje përlotëse nuk duhen hequr asnjëherë nga mendja, nëse bëhet fjalë për zgjedhjen e një njeriu në krye të myslimanëve, apo nëse ai fillon të shfaqë pretendime të cilat nuk i pëlqejnë shumicën, pasi këto mund të sjellin përplasje e pasoja të pallogaritshme. Sepse kur në krye të punëve zgjidhet një person i paaprovuar nga shumica, atëherë përplasjet janë të pashmangshme.

Veç kësaj, shumë rinovues të fesë islame kanë parë shumë urtësi të fshehura pas këtyre ngjarjeve. Nëse Islami nuk do të kishte pasur një zhvillim sipas standardeve të veta dhe të mos ishin nxjerrë këto mësime, myslimanët do të ishin përballur me probleme shoqërore shumë më të rënda, çka do të bënte që të kishte fiasko shumë herë më të rënda. Sikur këto t’i kishin ndodhur myslimanëve në një kohë tjetër, atëherë kur ata sundonin mbi mbarë Lindjen dhe Perëndimin, ma merr mendja se nuk do ta përballonte dot, por do të humbte në rrënojat e veta. Andaj, nga pikëpamja e urtësisë, ardhja e kësi problemeve ishte diçka e domosdoshme, në mënyrë që myslimanët të ishin të përgatitur për të këqijat me të cilat mund të përballeshin.

Po, këto ngjarje luajtën rolin e një antibiotiku të injektuar në organizmin e Islamit, çka bëri që në trupin e tij të zhvilloheshin disa antitrupa. Kësisoj, organizmi filloi ta mbronte veten prej mikrobeve dhe trupave të huaj që mund t’i kanoseshin. Sepse këto ngjarje patën zgjuar vëmendjen e myslimanëve dhe, me gjuhën e sjelljes, u mësonte atyre: Bëni kujdes, sepse janë përhapur dallgë të forta përçarjeje e ngatërresash në mesin tuaj. Ngatërresat do të vijnë mbi ju dallgë dallgë. Që të mund t’i kapërceni, ju duhet të kapërceni më parë vëllazërinë e ngritur mbi ndjenja dhe të lidheni me njëri-tjetrin më fort përmes vëllazërisë së ndërtuar mbi arsyen. Asisoj zgjidhini drejtuesit tuaj. Diluni zot urdhëresave të fesë suaj. Sepse armiqtë tuaj, të cilët duan të përfitojnë me çdo kusht prej përplasjeve tuaja, do të bëjnë çmos për të futur mendime nga më të llojllojshmet në mesin tuaj.

Kështu, pas kapërcimit të këtyre problemeve, shumë shqetësime të tjera, si neoplatonizmi, të cilat erdhën dhe iu ngjitën nga pas Islamit më vonë, e gjetën organizmin të zgjuar dhe në gatishmëri për t’u mbrojtur, prandaj edhe nuk i prunë dot asnjë bjerrje. Shkolla ishrakije nuk arriti as të ndihej, po ashtu edhe shkolla Mesh’shaije, nuk arriti që të ngrinte dot fron në zemrat e besimtarëve dhe mendimi i asnjërit prej filozofëve grekë nuk mund të mbizotëronte dot mbi mendimet e mendimtarëve myslimanë. Sepse, kur u përballën me këto ngatërresa, myslimanët i kishin dalë zot Kuranit dhe duke e mishëruar atë e kishin përhapur në zona të ndryshme. Nga ana tjetër i kishin mbledhur mirë të gjitha çështjet dhe këshillat e besimit që kishte dhënë Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) dhe ato u mësoheshin të gjithë besimtarëve. Ishte konsoliduar një terminologji e pasur dhe shtyllat dhe kriteret e Islamit, të cilat ishin pranuar nga të gjithë në mënyrë objektive, kështu që idetë e kota përballë Kuranit nuk mbijetonin dot gjatë. Po të mos ishin jetuar këto ngjarje, ngatërresat e frikshme që do të nxirrnin disa njerëz të quajtur Karmatinj, apo Batinitë, do të ishin aq të fuqishme, saqë mbi rruzull do të kishte më shumë ndjekës të shkollave të ideve efemere, se sa njerëz të Sunetit të Profetit tonë të nderuar, Muhamedit (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Por mijëra falënderime dhe lavde i qofshin Allahut që mendimi Suni është parapëlqyer nga shumica dërrmuese e njerëzve dhe është ruajtur e pastër përgjatë historisë. Kurse fraksionet efemere, të devijuara, kanë qenë përherë në pakicë.

Ne duhet t’i kujtojmë e t’i përmendim përherë për mirë të parët tanë të mirë dhe të nxjerrim mësime nga jeta e tyre dhe të vazhdojmë në rrugën tonë të palëkundur. Zoti na i udhëzoftë zemrat. Sido që t’i lejojë gjërat që të zhvillohen, le t’i bëjë myslimanët që ta duan shumë njëri-tjetrin. Amin!

Shënimet

  1. 194.Shih: Ibni Maxhe, mukad’dime 11; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 1/99.al
  2. 195.Shih: Muslim, imare 61; el-Bejhaki, es-Sunenu’l-kubra 8/144; el-Hakim, el-Mustedrek 2/169; et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-eusat 3/144.