Në vend të hyrjes

Himn Pranvere

Vjeshta vjen me motivet e dimrit, por melodi të saj ka verën, Se në borë e në akull zë majaja e barit!

Po vjen një kohë dhe ç’të shohësh, ia behu pranvera;

“Çelin trëndafilat, këndojnë bilbilat” dhe gjithëç’ e mbushin ngjyrat.

Ata që besojnë se gjithë ç’ka në tokë dhe në qiell vepron dhe gjallon sipas një programi të konceptuar në dijen e Allahut, vetëmse me vullnetin dhe dëshirën e Tij dhe që e jetojnë jetën sipas kësaj perspektive besimi i lexojnë ngjarjet shumë ndryshe nga vështrimet standarde dhe të veçanta janë gjithnjë shqyrtimet e tyre. Në horizontin e tyre errësira e natës është e mbarsur me dritën e agimit; era që sjell frikë dhe tronditje në zemrat e njerëzve është nxitësi dhe lajmëtari i reve të mëshirës; edhe bora që bie në dimër është lënda e parë e ujërave të kulluara që do të rrjedhin në përrenjtë jetëdhënës nëpër male; edhe padrejtësitë dhe vuajtjet e pamerituara, lajmëtaret e gëzimeve që do t’ju vijnë në të ardhmen janë. Prandaj edhe era më e fortë që rreh në mendjet e tyre të ndritura është në ngjyrën e mëshirës; vuajtjet janë kthyer në korridore të dëshirave dhe çdo vuajtje ngjan sikur është dhimbje e një lindjeje të re. Madje edhe lajmet e vdekjeve kolektive, apo të fatkeqësive natyrore, janë si mesazhe të dërguara nga pranvera.

Pemët e thara i shohin si nëna të sa e sa sythëve të rinj, nga të cilët do të lindin e zgjaten filizat e rinj të jetës... dhe e shohin me respekt çdo gjë që ndodh, sepse e dinin se kështu ka qenë caktuar që të ndodhte. Gjërat e këqija marrin ngjyra mbarësie në atmosferën e tyre; dhimbjet dhe vuajtjet duket sikur i kullojnë për t’i kthyer sa më pranë origjinës së tyre.

Kurse, kur vjen puna tek ata që nuk i zbulojnë dot shkaqet e ndodhive të këqija që u kanë ndodhur; ata i gjen vazhdimisht duke kërkuar fajtorë, e nganjëherë edhe duke goditur kaderin me gurë; edhe nëse kanë ndofarë lidhjeje, sado të dobët, me Allahun (xh.sh.) ata e dobësojnë edhe më shumë, derisa bien e ngrihen vetëm në gabime... dhe çdo gabim që bëjnë u kthehet në thirrje për fatkeqësi dhe padrejtësi të ndryshme në të ardhmen.

Pranaj, një udhëtar i së vërtetës, i cili e vlerëson siç duhet gjithësinë dhe gjërat që i ndodhin me një mençuri dhe largpamësi që e ka burimin te besimi, - me lejen e Zotit, - e sheh verën e ngjizur në barkun e dimrit ende pa ardhur vera dhe përpiqet që t’ua tregojë edhe të tjerëve me zërin më të lartë verën që po vjen. Sepse mund të ketë edhe njerëz që do të shohin sipërfaqen e tokës që nuk shfaq as shenjët më të imët të jetës, me pemët të kthyera në skelete të thata që lëkunden nga erërat e fuqishme të dimrit, që mund të thonë: “e si mund të ringjallet edhe njëherë rruzulli tokësor pas kësaj vdekjeje...” T’u flasësh atyre për verën e freskët, të gjallë e larushane që i pret, duke u përpjekur që t’ua fusni gjer brenda shpirtit ato aroma aq të këndshme që vijnë me pranverën, duke i shfaqur përpara syve imazhe të ëmbla zogjsh që cicërojnë, fluturash që flatrojnë e luajnë me shoshoqen, u jep jetë dhe ua vë në lëvizje vullnetet e tyre të paralizuara, u bëhesh burim emocionesh dhe dashurie zemrave të tyre të kapluara nga pesimizmi, duke u dhënë një frymë ringjallëse si ajo që fryn suri i Israfilit (a.s.).

Po, himn pranveror është ai që të bën mendosh se “koha në të cilën gjendemi është pjesa më e vyer e kohës, pjesa e artë e saj,

dhe edhe pse mund të gjendemi në stinën e vjeshtës, ta vlerësosh vjeshtën dhe dimrin duke pasur parasysh vetën, duke i parë ato si stinë nga e cila do të rilindet edhe njëherë dhe duke ushtruar durim aktiv do të jemi në pritje të pranverës, do të biem e do të zgjohemi me ëndrrat e pranverës, do të frymojmë veç vargjet e saj më të bukura dhe përreth nesh do të bëhemi burim shprese, energjish dhe lumturie për njerëzit që na rrethojnë. Prandaj edhe nga gjuha e udhëtarëve të së vërtetës, të cilit ia vënë veshin me shumë kujdes himnit të pranverës, kanë nxjerrë përherë këto mesazhe domethënëse prej saj:

“Mos u shqetëso, sepse stina s’është stinë e vjeshtës;

Ky është ‘kaderi’ thuaj dhe përkulu sa të mundësh! Do kalojë dhe me të një nga një edhe problemet e mbrame, Kushedi se ç’mirësi janë renditur e presin lejen të vijnë! Këto janë veç thirrje të pranverës në mesin e vjeshtës,

Ka kohë që jehon ai zë i lartë atje përtej në Kinë a më larg...

Përsa i përket kësaj çështjeje, ata duke qenë se kanë më shumë besim te forca dhe fuqia e Fuqisë së Pashtershme, se sa te forcat dhe fuqitë e tyre të dobëta, sado i ashpër që të jetë dimri, sado i paepur dhe sikur nuk dëshiron të mbarojë të shfaqet ai, ata i sheh përherë shpresëplotë, të vendosur dhe gjithë dëshirë për t’u përpjekur. Se këta heronj i ka brumosur premtimi i profetëve, përmendja e njerëzve të lartë të Zotit dhe vula e pranverës e hedhur nga dora e shenjtë në krahun e një pëllumbi, shfaqin një tjetër reflektim jete edhe atëherë kur armiqtë e tyre thonë për ta se “i shkatërruan, morën fund”, duke kënduar veç këngë ringjalljeje motivesh të përjetshme me melodi krejt të reja, të padëgjuara më parë.

Mirëpo në pranverë nuk ka vetëm të dashuruar pas saj, por edhe armiq. Ata janë armiq të të mbjellave, të filizave të rinj, të fijeve të njoma të barit, të luleve apo të fidanëve të sapovendosur në kraharorin e tokës. Këta janë të ashpër, u mungon fare keqardhja.

Ngase nuk e njohin stërmundimin e hedhjes së farës, nuk ka as se si t’ia dinë vlerën filizave të parë që nxjerrin kokën mbi sipërfaqen e tokës së paanë. Dhe, me t’u shkrepur në mendje se këta mund të përbëjnë rrezik për privimin e tyre nga interesat dritëshkurtër, shndërrohen në përbindësha pa keqardhje dhe i vërsulen dhe e shkatërrojnë çdo gjë që kanë përpara, sepse nuk janë më në vete, dhe duan që ta shkatërrojnë çdo gjë që ka prurë pranvera. Njësoj siç ia thonë këto vargje:

“S’e kuptoi, e shkrepi armën drejt kraharorit të pranverës,

S’e dëgjoni, si rënkojnë me klithma gjithë farat nën shkulmet e erës, Ishte plot ngjyra, tani do të shihni mbi të bardhën njollat e së zezës.

E ndezi edhe njëherë shejtani zjarrin e tij të ngatërresës.

Nuk pa njëherë anash, e shkrepi armën drejt kraharorit të pranverës.”

Mirëpo udhëtarët e pranverës i kanë hyrë këtij rrugëtimi duke e marrë parasysh këtë realitet dhe e dinë se kur vjen stina në kalendarin që funksionon sipas kohës hyjnore, sidomos stina e pranverës, asgjë nuk mund/do t’i dalë dot përballë për ta penguar. Andaj, ata e vlerësojnë vullnetin e tyre të lirë si një thirrje për të fituar ndihmesën e Allahut dhe nxitja që i japin vazhdimisht vetes, është:

“Flatro, kaloji gjithë humnerat fluturimth’.!

Mos ndal, por ec, ndiq të bekuarin udhërrëfyes.!

Le të derdhet gjithë djersa që do të derdhej matanë,

Shkrije dimrin me zjarrin që brenda ke, e me të ndize verën.! Flatro, kaloji gjithë humnerat fluturimth’.!

...

Klithe emrin tënd gjithkah, me të hekurtin zërin tënd.!

Shtro sixhaden’, si Hizri, gjithkah të gjelbërojë;

Frymë merr jetën, që ringjallja të frymë t’i japë vdekjes.!

Në vend të hyrjes

E thuaina të ardhmen me frymën tënde të artë e të dlirë.! Klithe emrin gjithkah, me të hekurtin zërin tënd.!

Pranvera që po presim, ajo verë e gjithkahshme ku nuk do të ketë më dallime ngjyrash, dallime racash, dallime kombesh, shoqërish, apo gjeografi, ajo verë kur mbarë njerëzimi ta ketë festën e tij. Mirëpo, sa më e madhe dhe sa më e gjerë të jetë pranvera që ne presim, aq më të mëdha do të jenë edhe mundimet dhe vuajtjet e nevojshme për t’ia mbërritur asaj. Prandaj edhe këta heronj duhet të kenë vullnete të tilla, të çelikta, me zërin të hekurt, në mënyrë që me zërin e tyre të mund ta thërrasin pranverën, e me zjarrin e tyre të mund “ta shkrijnë dimrin e të ndezin zjarrin e verës”, që fryma e tyre e ngrohtë të shpërndahet menjëherë në shtatë klima e në të katër anët e botës, madje të mbërrijë gjer edhe në periferitë më të humbura të globit, në mënyrë që të mos mbetet asnjë copë tokë ku akulli të mbetet i pashkrirë; qielli të shndërrohet në një lumë dhe të rrjedhë si lëng jete në buzët e thara e të plasura nga etja.

Ja pra, kjo “Poezi e pranverës” që po mbani në duar është një thirrje drejt një nisme të këtillë, një pishtar shprese për të gjithë ata sy e ato zemra që janë duke pritur verën. Është një lutje, një përgjërim që i jep edhe njëherë jetë brenda katër javësh mbarë rruzullit të vdekur njëherë, ndaj Fuqisë së Pashtershme e të Pafundme të Krijuesit të Madh! Po ju uroj lexim të mbarë me shpresë dhe lutje se edhe ju do t’i përgjigjeni kësaj ftese e do të merrni pjesë me mua në këtë lutje!