Mbi pyetje-përgjigjet

Të bindur se do të jemi më të dobishëm duke i kryer detyrat tona për ato gjëra që jemi përgjegjës ndaj shoqërisë, po nisim kështu një periudhë të diskutimit nëpërmjet pyetje-përgjigjeve të bëra sy më sy. Ende pa kaluar te pyetjet tuaja, dua t’ju kërkoj leje që të shpreh nja dy çështje, të cilat do të na ndihmonin për ta bërë më të qartë qëllimin tonë në këtë nismë.

Pikë së pari, të gjitha mendimet dhe ëndrra jonë janë që të ringjallim edhe njëherë atë botëkuptim të pastër, të kulluar, të tejdukshëm për nga sinqeriteti dhe të qashtër, njësoj siç ishte edhe në epokën e të Dërguarit fisnik (alejhis’salatu ues’selam). Sa më shumë që të shtohet numri i njerëzve që përvetësojnë botëkuptimin e sahabëve dhe një stil jetese sistematik si ai i tyri, aq më të ekuilibruara dhe të rregullta do të jenë jetët tona.

Çështja e pyetjes së pyetjeve në xhami dhe përpjekja për t’i shpjeguar çështje të ndryshme sipas saj mund të thuhet se është një nga tiparet themelore të Kohës së Lumturisë. Është diskutuar shumë shpesh mbi përpjekjet që duhen bërë që xhamitë të fitojnë aftësinë për të kryer funksionin që ato kanë pasur në kohët e arta të Islamit. Në Kohën e Lumturisë, kur vinin besimtarët në xhami, nuk vinin aty vetëm për të falur namazin dhe për t’u larguar me të mbaruar adhurimin e tyre. Ata nuk largoheshin së andejmi

pa i parashtruar aty njëherë të gjitha pyetjet që kishin, pa gjetur shpjegim për to dhe pa marrë përgjigje dhe këshilat e nevojshme prej njerëzve të pranishëm aty që ishin njohës më të mirë të Islamit. Për një besimtar xhamia ishte gjithçka, e kësibotshme dhe e asaj bote. Madje qëkurse u krijua Shteti Osman, në periudhat e para të tij, edhe drejtuesit e vendit, kur mblidheshin për të diskutuar çështje që lidheshin me shtetin i diskutonin në xhami. Nga njëra anë rridhnin ujërat e shatërvanëve, me atë melodinë e bukur të ujit që rrjedh, i cili të sjell në mendje abdesin dhe e gjithë ajo pamje që nuk bën tjetër veçse të thërret drejt namazit dhe e gjithë atmosfera e krijuar aty i ndihmonte ata që ta zgjidhnin me mirëkuptim çdo problem. Merrnin abdes, falnin namazin, pastaj uleshin për të diskutuar rreth çështjesh nga më të ndryshmet. Ja, ky është botëkuptimi i kulluar i Kohës së Lumturisë. Dhe kështu bënte edhe Muhamedi i nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem).

Edhe kjo që po bëjmë ne mund të gjykohet prej shumëkujt. Ka aq shumë zakone të huaja përballë vlerave tona që kanë ardhur gjer pranë nesh, duke zënë vend si të ishin tonat dhe ne kemi filluar t’i ruajmë si të ishin tonat. Mirëpo ka edhe po aq shumë gjëra të cilat janë pasuri mirëfilli e jona, prej të cilave nuk na ka mbetur asgjë, pos kujtimit. Por le ta pranojmë këtë përkohësisht si të mirëqenë dhe të mos themi: “A bëhen gjëra të tilla në xhami?” Allahu na faltë mundësinë që të paktën në këtë rajon ne të mund të ringjallim botëkuptimin e të Dërguarit Fisnik dhe sahabëve të Tij!

Së dyti; kjo rrugë nuk është e vetmja për të ndriçuar bashkësinë dhe as nuk është zgjidhja e vetme. Derisa Allahu të na dërgojë frymëzimin e rrugëve të reja në zemrat tona të pastra, le ta provojmë njëherë këtë, edhe me lejen tuaj. Nëse ju m’i transmetoni edhe mua frymëzimet hyjnore që ju vijnë në zemrat tuaja, sepse ato janë vendi ku shfaqen frymëzimet hyjnore, duke thënë se “ne mund të arrijmë tek ata që nuk e njohin të drejtën dhe të vërtetën përmes kësaj rruge”, atëherë le ta diskutojmë dhe ta provojmë edhe atë. Për këtë të jeni plotësisht të sigurt se kjo është ajo që më shkon në zemër. Por deri më tani nuk ia kam dalë që ta bëj dot.

Cilidoqoftë vendi ku do të përmend emrin e të Dërguarit Fisnik – nëse ajo do të shkaktojë ndofarë rrezatimi në zemrat tuaja – unë e shoh si detyrim të vetes që të shkoj e ta ulëras emrin e Tij në ato zemra. Allahu (xhel’le xhelaluhu) që më ka krijuar dhe më ka falur frymëmarrjen, të cilën ma dëgjon dhe kontrollon po Ai, për ta falënderuar për këto frymëmarrje do të doja që çdo frymë që marr e nxjerr ta përdorja për të kryer detyrën time të të folurit vetëm për Të. Unë e shoh si përgjegjësi timen që ta bëj këtë kudo që të jetë, në kinema, në teatër, në kafene... rrugë më rrugë, shtëpi më shtëpi e cep më cep. Dhe kështu duhet t’ia dinë të gjithë vetes. Kjo është detyra me. Sikur të kishim mundësi që t’i përçonim shqetësimet tona deri në ambientet universitare, edhe atë do ta provonim. Po, sikur nëpër universitete të ishte konsoliduar shpirti i demokracisë dhe, krahas mësimdhënies dhe kërkimit shkencor t’i jepej rëndësi edhe strukturës shpirtërore të të rinjve t’i shtoheshin sa më shumë vlera të reja, pas nesh do të vinte një brez i ri, i cili do të zbulonte rrugën më të duhur dhe mundësitë për ta shpjeguar Allahun (xhel’le xhelaluhu) me mënyrën më të mirë të mundshme.

Ju mund të mendoni edhe këtë mes gjithë këtyre përpëlitjeve për të bërë diçka. Por ta dini mirë se unë nuk kam asnjë pretendim dhe as që i jam futur ndonjëherë ndonjë nisme duke guxuar të them se “kjo është fjala e fundit”. Zaten lus Allahun që të më mbrojë nga një rënie e tillë. Ju mua mund të më shihni edhe si më mëkatarin e myslimanëve. Megjithatë, unë jam prapëseprapë i detyruar që t’i them të drejtës e drejtë dhe së vërtetës e vërtetë. Duke qenë se në shpirtin tim kam bartur gjithnjë ndjesinë dhe mendimin se “ç’të bëj që njerëzit të më pranojnë?”, do t’ju lutesha që edhe ju, për hir të Allahut, më e pakta të m’i dëgjoni ato që do t’ju them. Kur një zog cicërn dhe cicërima e tij më duket sikur të jetë duke më thënë “Muhamedi i nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), për hir të përmendjes së emrit të Tij unë do të ulesha e do t’ia dëgjoja çdo cicërimë me ëndje. Andaj, nëse gjuha ime po bëhet përkthyese e fjalës së Zotit të Lartësuar, atëherë edhe ju për hir të Tij të më dëgjoni.

Ne, përgjatë kohëve të fundit, jemi si një oganizëm me një jetë shoqërore të rrënuar e pa fryte. Ne jemi një bashkësi e atillë, që përgjatë shtatë-tetë shekujve të fundit, nuk na mbeti më as strukturë e individit, as strukturë në familje, e as strukturë shoqërore. Me këtë trup të imët dhe me një gjendje të rrëgjuar, të paktën sikur të na linin vetëm për vetëm me veten, ne edhe me aq do të ndihemi të kënaqur, mirëpo as në këtë gjendje nuk po na lënë të qetë. Të gjendur përpara kësaj situate, jemi të detyruar që të ndiejmë brenda vetes përgjegjësinë për t’i bërë të gjitha ato që na kërkojnë Allahu (xhel’le xhelaluhu) dhe i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), në mënyrë që të mund të rikthejmë rendin e prishur shoqëror, strukturën tonë familjare dhe të fitojmë edhe njëherë identitetin tonë individual, si dhe që t’ua kthejmë edhe njëherë identietin e tyre thelbësore këtyre institucioneve.

Unë mund t’ju siguroj duke ju betuar se ardhja në xhami për të falur namazin është një çështje shumë e rëndësishme. Iu thaftë gjuha të gjithë atye që e nënvlerësojnë ardhjen e besimtarit në xhami për të falur namazin, duke e parë atë si diçka jo edhe aq të madhe! Mirëpo të vish në xhami për të falur namazin nuk do të thotë që kjo është gjithë për çka vlen xhamia. Jeta islame është një e tërë. Nëse në shtëpinë e një besimtari që vjen në xhami për të falur çdo kohë të namazin në kohë e me xhematin ka probleme apo të meta që duhen zgjidhur, të cilat mund të kenë të bëjnë me bashkëshorten, me vajzën, djalin, apo nipërit e mbesat e tij, atëherë kjo do të thotë se në jetën islame të atij besimtari ka boshllëqe shumë të mëdha, të cilat duhen mbushur njëfarësoj.

Po, falja e namazin është diçka, mirëpo nuk është gjithçka.

Namazi është një shtyllë shumë e rëndësishme. Allahu u faltë dëshirë dhe emocion për kryerjen e tij si adhurim edhe atyre që nuk e falin atë! Ndërsa ne të na falë, veç kësaj, edhe që t’i kuptojmë mirë të gjitha detyrat tona të tjera, të cilat janë plotësuese për të! Megjithatë, ne, këtu, do të flasim më shumë për ato çështje që kanë të bëjnë me jetën tonë shoqërore dhe familjare. Ju do të bëni pyetjet tuaja; nëse di rreth tyre, do t’u përgjigjem, ndërsa për ato çështje për të cilat nuk jam në dijeni, do t’ju kërkoj të më jepni pak kohë dhe unë do t’u përgjigjem atyre më vonë.

Por dua që t’ju them edhe diçka tjetër, ah sikur të mund të dilja përpara jush si një njeri që i njeh shumë mirë, me një dije enciklopedike, gjithëpërfshirëse, të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Islamin, me teknologjinë e kohës dhe me kulturën e saj, në mënyrë që ju të më bënit ç’pyetje të donit e unë t’u përgjigjesha! Megjithatë, më lejoni që t’jua pranoj me gjithë dobësinë dhe mangësitë e mia, se unë nuk jam i tillë. Veç kësaj, për njeriun nuk është edhe aq e dobishme që të dijë gjithçka. Çdo gjë mund ta dijë vetëm Allahu, që është Njohësi më i mirë i fshehtësive. Andaj, unë, në gjithçka që do të them, do të shtoj edhe një “Allahu e di më mirë”, e mbase Ai ma pranon si justifikim për ato gjëra që mund të mos i njoh në tërësinë e tyre. Kur edhe varisi i Profetit të profetëve, Imam Maliku tridhjetë e gjashtë nga dyzet pyetje që i pyeteshin kthente përgjigjen “Nuk e di.” Ne do të na mjaftoheshim dhe nuk do të kishte si ne edhe sikur të arrinim që të ishim mbajtësit e perdes së tyre të shikimit. Ta paktën mua si të tillë dua të më njihni, si dikë që pavarësisht mëkateve, gabimeve dhe të metave të veta, ju thotë juve “më bëni pyetje dhe unë t’u përgjigjem për ju.”

Sepse, ç’është e vërteta, edhe ju jeni të detyruar që të më dëgjoni, si mua, si ata që janë si puna ime, derisa të vijnë zotëruesit e vërtetë të kursisë, që do t’u përgjigjeshin dhe do t’u gjenin zgjidhje të gjitha pyetjeve dhe problemeve tuaja. Edhe unë për atë jam duke pritur, gjithë dëshirë e emocion, që të vijë ai ligjërues që të më thotë edhe mua një fjalë, të ma shpjegojë botën time shpirtërore, t’u përgjigjet pyetjeve të mua, e unë të ulem në gjunjë pranë tij e ta dëgjoj. Se kur do të na e falë Zoti një të tillë, nuk e di. Dhe ma merr mendja, se tani për tani, i tillë duhet të jetë edhe ligjëruesi i një botë të rrënuar, me kopshtijet të përthara, me ujëra të prerë, ku nuk këndon më bilbili, trëndafilat janë rreshkur, e gjithçka të shkakton ndjesinë e të qenit mes rrënojave. Kështu thoni, kështu mendojeni dhe kështu vlerësojini edhe fjalët e mia! Ejani, që të gjithë së bashku t’ia rikthejmë edhe njëherë funksionin e saj të plotë xhamisë! Unë këtë e quaj një punë dhe një hap shumë të rëndësishëm. Jo këtu, por edhe sikur të isha në një vend tjetër unë kështu do të mendoja dhe sipas misterit të “kush bëhet shkak për diçka është sikur ta ketë bërë vetë atë gjë”, ngre duart dhe i lutem Zotit: “O Zot! Mundësomë mua që të mund të shërbej në këtë rrugë.” Me lejen e Zotit, ata që do të vinë pas nesh do ta kryejnë më mirë këtë punë. Ky i yni është veçse një hap i hedhur. Kushdo që do ta hedhë hapin në atë gjurmë, do ta shohë se nën të fle hapi i një “kitmiri”. Ndoshta, me këtë rast, Allahu (xhel’le xhelaluhu) më fal edhe mua. Unë kam ushqyer përherë një shpresë të pashtershme për mëshirën e pasosur të Allahut.

Ndërsa, për sa i përket anës teknike të kësaj çështjeje, do të doja t’ju thosha diçka, duke u shndërruar ndoshta edhe në përkthyes të ndjenjave tuaja. Pikë së pari, nëse ju ngriheni kush e kush më parë për të më bërë, një pyetje nga e djathta, tjetri nga e majta, atëherë në xhami do të krijohet një situatë aspak e këndshme dhe ne do ta kemi të pamundur që t’u përgjigjemi të gjithëve. Tani mund të pyesni të gjithë, mirëpo duke filluar që nesër ju mund t’i shkruani pyetjet tuaja në një copë letër, e atë ta hidhni këtu. Unë do t’i marr ato, do t’i rendit dhe do të përpiqem që t’u përgjigjem të gjithave. Mes tyre mund të ketë edhe pyetje që mund të kenë të bëjnë me jetën tuaj familjare. Duke menduar se çështje të tilla, personale, nuk do të ishte e drejtë që shpjegimin t’ua japim publikisht, do t’i kërkoja atij që ma ka dërguar pyetjen që të mos mërzitet me mua, nëse unë do ta shoh pyetjen dhe do t’i përgjigjem atij kokë më kokë, e jo publikisht. Unë do të bëj gjithë ç’të kem mundësi që të tregoj respekt për pyetjet e gjithsecilit, kështu që do të bëj gjithçka që të mos lë asnjë prej pyetjeve tuaja pa i kthyer përgjigje. Siç jua shpjegova deri më tani, nëse do t’ju kërkoj pak kohë për ndonjë çështje që unë nuk e njoh mirë, dhe vetë do të planifikoj që të paktën në javën në vijim të vij me një përgjigje rreth pyetjes suaj.

Një tjetër çështje, e dyta është kjo: ju mund të më pyesni lidhur me çdo gjë që ka të bëjë me jetën. Mirëpo, nëse më drejtoni ndonjë pyetje që ka të bëjë me çështje të thella të astronomisë, më duhet t’jua bëj të ditur se dijet e mia lidhur me atë fushë janë shumë të kufizuara. E gjithë dija ime rreth fizikës bërthamore nuk është më shumë se ç’mund të kem dëgjuar prej të tjerëve, madje edhe ato nuk i njoh mirë. Mund të flas gjithë ç’di, mirëpo kjo të mos i rëndojë ata që mund të jenë profesionistë në atë fushë për të cilën mund të jem duke folur. Dhe më duhet që t’jua bëj të ditur që në krye se nuk e kam për qëllim që të shfaq një paturpësi të tillë karshi jush.

Andaj, do t’ju lutesha që edhe ju të mos më pyesnit lidhur me gjëra, të cilat kërkojnë njëfarë specializimi në një fushë të caktuar. Sepse çdo fushë e dijes ka diçka që do që të bëhet e ditur. Çdo shkencë i çon ata që merren me të drejt një përfundimi të caktuar. Ja, pra, nëse do të më pyesni, më mirë më pyesni lidhur me këto gjëra. Sepse, ashtu siç jeta ka një qëllim të caktuar, edhe fushat e ndryshme të shkencës kanë nga një qëllim të tyrin. Dhe, për sa i përket kësaj çështjeje, gjithkush që ka pak a shumë dijeni rreth Islamit, do të mund t’u japë njëfarë përgjigjeje.

Ju mund të më bëni pyetje përsa i përket rendit dhe rregullit në jetën personale. Mund të më shprehni shqetësimet që keni në jetën tuaj shoqërore, në mënyrë që ne të flasim rreth gjërave që duhen bërë për kapërcimin e këtyre shqetësimeve, apo për ato gjëra që i takojnë individit si detyra në rregullimin e jetës familjare. Ju mund të më drejtoni edhe vetë pyetje rreth atyre gjërave që duhen bërë për ta shpëtuar jetën tonë shoqërore. Në çerdhet tona të dijes nuk po arrijmë që të hedhin dritë sa duhet mbi jetën në shoqëri. Cilat janë pengesat që na e kanë zënë rrugën e zgjidhjes? Mund të më pyesni edhe rreth përplasjeve të ndryshme shoqërore. Mund të më bëni çdo lloj pyetjeje për sa i përket namazit, agjërimit, haxhit dhe zekatit, si edhe rreth urtësive të tyre si adhurime. Mund të ketë pyetje edhe rreth atyre gjërave që Allahu na i ka lejuar, apo rreth atyre që na i ka ndaluar. Të paktën do të përpiqemi që t’u përgjigjemi pyetjeve tuaja duke qëndruar brenda harkut të njerëzve të Sunetit, duke u ruajtur nga rënia në dialektikë të kotë, - Zoti na ruajtë! Kësisoj, ndoshta Zoti na përdor ne si shkak që robërit e Tij të mos i hyjnë leximit të gjithfarë teorive filozofike për të gjetur shpjegime, e kësisoj ta gjejnë më shpejt rrugën e shpëtimit. Andaj, do t’ju lutesha shumë që të m’i dërgonit pa pra pyetjet e kësaj natyre. Të gjitha këto i përmenda më tepër për të përvijuar një kornizë të çështjeve rreth të cilave mund të m’i drejtoni pyetjet tuaja.

Por mund të ketë prej jush që mund të më drejtojnë ndonjë pyetje që ka të bëjë me politikën, nëse unë e lë atë pa përgjigje, do t’ju lutesha shumë të mos mërziteshit me mua. Sepse, me zemër, unë nuk jam prirur asnjëherë nga asnjëra palë politike. As nuk e kam zgjatur asnjëherë dorën drejt asaj porte, kështu që të më ndjeni. Unë jam përpjekur përherë që të jem veçse një njeri prej njerëzve. Të gjithë, pavarësisht se ç’mendime mund të kenë ata vetë, unë jam përpjekur që me mendime të jem veçse pranë Allahut (xhel’le xhelaluhu) dhe të Dërguarit të Tij (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Në këtë pikëpamje, pyetjeve që kanë të bëjnë me politikën nuk do t’u përgjigjem; më lejoni që t’jua bëj të ditur që në krye.

Megjithatë, ata që do të nxjerrin domethënie politike prej gjërave që do të them unë, më lejoni t’jua them, por ato do të jenë veçse keqkuptime të tyre. Unë, në asnjë mënyrë dhe pa dyshimin më të vogël, nuk do të them qoftë edhe një fjalë të vetme për politikën.

Kështu kam bërë gjatë gjithë jetës. Mirëpo ç’e do se shumë njerëz kanë menduar vazhdimisht ndryshe për sa i përket kësaj teme. Por unë mund t’ju siguroj për këtë, madje edhe mund t’ju betohem, se nuk kam shprehur asnjëherë, as edhe një fjalë të vetme ndonjë fjalë në mbështetje të aksh apo aksh politikani. Ajo që kam sharë unë gjatë gjithë jetës kanë qenë vetëm mohimi i Zotit, ndërsa kam mbështetur veçse besimin tek Ai dhe dashurinë për Të.

***

Çdo çështje që ka të bëjë me Islamin është e arsyeshme dhe e logjikshme. Mirëpo jo çdo gjë mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet mendjes. Mendja mund të arsyetojë vetëm me ato gjëra që bëjnë bashkë jeta jonë kushtuar mendimit dhe dijes. Ndërsa, nganjëherë, duke qenë se mund të bjerë nën ndikimin e kulturës së kohës, apo për gjithfarë arsyesh të tjera, mund të të shpjerë drejt përfundimesh të gabuara. Mendja mund të arrijë në përfundime të sakta vetëm nëse arrin që t’i shqyrtojë më së miri ato çështje që i parashtrohen për t’u interpretuar.

Duke ofruar rezultate përfundimtare për disa çështje, i mbështetur vetëmse tek arsyeja, duke i parashtruar ato si përfundime të padiskutueshme, aty do të shihet se ato çfarë thotë shkenca dhe ato që thotë Kurani Famëlartë paraqesin një ngjashmëri rreth tyre. Prandaj, atëherë kur, në pamje të jashtme, gjërat që thotë shkenca nuk përputhen me ato që na thotë Kurani, duhet ta kuptojmë se mangësia nuk i përket Kuranit, por mendjes, e cila mund të mos ketë arritur ende në pikën ku duhet të kishte mbërritur.

Ne shpresojmë te mëshira e Allahut, ashtu siç kemi besim te thellimi i shkencëtarëve në fushat e tyre përkatëse të interesit dhe mendojmë se – me lejen e Zotit të Madhërishëm – në të ardhmen, shumë fusha të dijes do të fillojnë dhe do të mbështetin ato të vërteta për të cilat bën fjalë Kurani. Sepse, për nga burimi, ato nuk janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Sepse gjithësia është gjithësi e Allahut; robi është robi i Allahut; fjala është fjalë e Allahut. Me fjalën e Tij Allahu na shpjegon, si universin, si njeriun, ashtu edhe lidhjen e fortë që ekziston mes tyre; atëherë si mund të jenë të ndara prej njëra-tjetrës!

Ato dyshime dhe shpifje që janë hedhur kundër parimeve të Islamit, të cilat janë të gjitha të arsyeshme dhe të logjikshme, nuk kish fare pse të lindnin. Mirëpo disa mangësi në dije, meditim dhe jetëne zemrës i kanë bërë disa njerëz që të hedhin gjithfarë dyshimesh për sa i përket kësaj çështjeje.

Unë nuk e shoh assesi veten si një njeri që ka arritur në pikën përfundimtare ku ka arritur shkenca dhe kultura e kohës në të cilën jetojmë. Prandaj edhe ato që do të them përpara jush mund të kenë gabime e të meta brenda tyre. Megjithatë, me sa të më vijë ndoresh, unë do të përpiqem që t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve që do të më keni drejtuar.

***

Gjëja më e domosdoshme për njeriun, teksa ai është duke përparuar në rrugëtimin e tij drejt pafundësisë është ruajtja e fesë e shëndetshme, duke mos lejuar që qoftë edhe pjesa më e vogël e saj, që ka të bëjë me jetën praktike, të shkaktojë qoftë edhe dyshimin më të vogël, duke izoluar çdo vrimë nga mund të lindë dyshimi. Është një fjalë që i Dërguari Fisnik (alejhis’salatu ues’sel’lem) ia drejton Ebu Dherit të nderuar, e cila duket më shumë si këshillë:

“Riparoje anijen, sepse deti është i thellë.”

Riparoje varkën për këtë rrugëtim që do të bësh, sepse deti është shumë i thellë. Me mijëra djaj, me mijëra vesvese mund të të dalin përpara në trajtën e dyshimeve dhe lëkundjeve; të dalin dhe të hapin plagë nga më të ndryshmet në zemër, mendje, ndjenja, apo ndjesi. Nëse arrin që t’ia dorëzosh ato sërish Zotit tënd, ashtu, të pastra, siç Ai t’i fali në krye, atëherë sa mirë për ty! Andaj, për të mos thënë, “kjo sikur më bindi dhe zemra sikur ma pranoi, mirëpo sikur nuk e ndiej siç duhet”, do të përpiqesh që të mos lësh asnjë dyshim që të gëlojë në ndjenat e tua dhe të dalësh me një zemër sa më të pastër përpara Allahut.

Ciladoqoftë gjëja me të cilën merret në këtë jetë, njeriu do të vdesë mbi atë gjendje që do ta ketë kthyer në natyrën e vet duke ia bërë të pranuar mendjes, logjikës dhe ndjenjave të tija dhe, kur të ringjallet, po mbi atë gjendje do të ringjallet. Nëse keni arritur që këtë çështje ta keni vënë në zemrën tuaj pa i hapur rrugë asnjë dyshimi, atëherë me ndihmën e Allahut, ju do të mund të shëtisni matanë për ndjerë as tronditjen më të vogël. Ekziston një transmetim për Omerin e nderuar (radijallahu anh), i cili do ta ilustronte mjaft mirë këtë situatë:

Në një mexhlis ku po diskutohej për vdekjen dhe për shqetësimet lidhur me përtejjetën, Profeti ynë, mbreti i profetësisë, (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) kur nisi të flitej për pyetjet e varrit, Omeri i nderuar (radijallahu anh) tha: “O i Dërguari i Allahut, a do të jenë me mua edhe mendja, mendimet dhe bindja që kam tani, në këtë jetë?” I Dërguari i allahut i thotë “po”. Kur Ai i thotë kështu, Omeri i nderuar thotë: “Atëherë unë ua dal atyre, me lejen e Allahut.” Sepse ai pati besuar pa dyshime. Ai nuk pati lënë në zemër qoftë edhe pikën e vetme që djalli mund ta kthente në qendër të vesveseve që i dërgon njerëzve. Prandaj, fakti që një mysliman bën pyetje rreth çështjeve që kanë të bëjnë me besimin në Zot, apo lidhur me veprat e tij (adhurimet dhe punët e mirë), do të thotë që ai mendon rreth tyre dhe se i dhemb shpirti, nëse do ta lërë atë në duart e djallit. Një njeri i tillë, që e vuan fundin e vet – nëmos sot, nesër – do ta gjejë përgjigjen e pyetjes së tij dhe, me lejen dhe ndihmesën e Allahut, do të shpëtojë. Nëse një njeri që e ndërton kështu besimin e tij dhe që i jeton veprat e tij sikur t’i kishte brumosur me majanë e urtësisë dhe që e ka larguar veten njëherë e mirë prej të gjitha gjërave të kota, mund t’i besojë me gjithë forcën premtimit se njeriu “do të ringjallet ashtu siç ka vdekur”, me lejen dhe ndihmesën e Allahut.

***

Kurani Kerim dhe Suneti i Lëvduar na mësojnë se çdo hap i hedhur nga besimtarët në rrugën e të Drejtit, çdo punë e mirë që bëjnë ata, është një shprehje falënderimi për të gjitha ato mirësi që Zoti i ka falur. Dhe, për ne, që jemi të rrethuar fund e krye veç nga mirësitë e pashtershme të Allahut (xhel’le xhelaluhu) thuhet se vetëm kështu mund ta shprehim falënderimin për të gjitha mirësitë.

Ardhja e një besimtari në faltore, duke i kapërcyer të gjitha dëshirat, nevojat e egos së tij dhe është, pa dyshim, një punë shumë e dashur pranë Allahut. I Dërguari Fisnik (alejhis’salatu ues’selam) e quan si sadaka çdo hap që ai hedh në rrugën e Allahut (xhel’le xhelaluhu). Ai (xhel’le xhelaluhu) që të krijoi ty prej hiçit dhe që pastaj të nderoi me privilegjin e të qenit një njeri besimtar. Të gjitha këto mirësi, kaq të mëdha, kërkojnë falënderim dhe ja, ti, me hapat që do të hedhësh drejt Allahut, do të kesh kryer detyrën tënde të falënderimit karshi Allahut (xh.sh.). tani ndoshta nuk ndiheni rehat teksa qëndroni të ulur këtu dhe ndoshta jeni të detyruar që të vini kokën aty ku kanë vënë këmbët të tjerët. Ndoshta, pavarësisht shiut, baltës dhe të ftohtit, ju lini shtëpinë dhe vini këtu për të falur namazin. Nëse zemra juaj është me Allahun dhe ju vini këtu për të dalë përpara tij me tërësinë tuaj, brenda dhe jashtë – që e kundërta e kësaj as që mund të mendohet – duhet ta dini dhe të keni besim të plotë te premtimi i Allahut, sepse ardhja këtu ju ka bërë prej të privilegjuarve, duke ju hapur kësisoj portat drejt lumturisë së përjetshme.

Kujtoje atë ditë të lumtur që do të jetosh në Xhenet dhe fillo ta shijosh që tani, në këtë botë, në shpirtin, ndërgjegjen dhe besimin tënd atë kënaqësi që do të ndiesh atje; aty do të shohësh se si përpara syve do të të shfaqet një Xhenet i paanë. Do të shohësh se çdo gjë që bën këtu lulëzon si një farë e hedhur në rrugën e allahut dhe se si Allahu (xhel’le xhelaluhu) që të ka dërguar në këtë botë, e cila është si një arë ku mbillet e korret ahireti, të ka përdorur ty më tepër si një bujk që mbjell të ardhmen tënde dhe të ka treguar se si asnjë farë e hedhur prej teje nuk kalbet, por jep secila tufa filizash të gjelbër e plot jetë. Po, ti hyr këtu në imagjinatën e kësi ndjenjave, jetoji dhe ke për t’u bërë sikur të ishte duke jetuar në parajsë.

Zoti i ka krijuar njeriut edhe një parajsë brenda ndërgjegjes së tij. Shumë njerëz të së vërtetës, veçanërisht mistikët, duke qenë se kanë arritur që ta dallojnë këtë xhenet që qëndron i fshehur brenda tyre do të mishërohet i plotë në jetën e përtejme, kështu që nuk kanë menduar edhe aq për këtë të dytin. Sepse edhe xheneti që njeriu ndjen në shpirt nuk është tjetër, pos xheneti i përtejmë i mishëruar brenda tij. Dhe kjo gjë që rrezaton në ndërgjegjen e njeriut me disa kritere dhe rrugë, të cilat janë të shpjegueshme, nuk janë tjetër veçse rreze të atij Xheneti që është i mrekullueshëm në çdo aspekt të tij.

***

Pyetjet e bëra këtu kanë të bëjnë më tepër me çështjet kryesore që u interesojnë myslimanëve. Dhe, sa mirë, që në to shohim se myslimani i ditëve të sotme gjendet në rrugën e të kuptuarit të problematikave të ndryshme të kohëve të sotme. Dhe këtë e shpreh si një falënderim të një mirësie. Dashtë Zoti që kjo të jetë shprehja e një mirësie të Zotit për ne. Dhe shpresoj që pranimi si i tillë prej nesh të bëhet shkak për shtimin e të tilla mirësive.

***

Ne besojmë se një mënyrë e të ligjëruarit e këtillë nuk do të ishte shumë e dobishme për njerëz që përpiqet të jetojnë të larguar prej njerëzve, njësoj si në rastin e parashtruar nga Platoni – të veçuar në një shpellë – që mjaftohen vetëm me hijen, që nuk e njohin mënyrën e të jetuarit jashtë dhe që nuk dalin në mesin e njerëzve. Prurja e gjithfarë mendimeve që mund të jenë përhapur mes njerëzve, e veçanërisht gjithë ato pyetje dhe dyshime që gjezdisin nëpër mendjet e të rinjve, këtu pranë kursisë, ma merr mendja se do të na ndihmojë që t’u japim zgjidhje shumë lëkundjeve në mesin e besimtarëve.

Pyetje, në njëfarë mënyre, do të thotë edhe shprehje e ndjesive dhe ndjenjës së atij që e bën pyetjen. Dhe, t’i përgjigjesh asaj pyetjeje do të thotë edhe respekt ndaj ndjenjave dhe ndjesive të atij njeriu. Duke qenë se mexhlisi ynë është organizuar për këtë gjë, atëherë kjo do të thotë se ne jemi bërë udhëtarë të së njëjtës rrugë dhe të të njëjtit qëllim. Disa kërkojnë që pyetjet të jenë më filozofike, në mënyrë që të depërtojmë sa më thellë në shpirtin e fesë. Mirëpo unë i përgjigjem vetëm asaj për të cilën jeni interesuar në pyetjen tuaj. Kurse disa të tjerë dëshirojnë që ne të përqendrohemi më tepër te pyetjet që kanë të bëjnë me fikh-un. Nëse më pyesin për çështje që kanë të bëjnë me të, unë orvatem që përgjigja ime të jetë brenda kornizës së pyetjes së bërë. Ndërsa disa të tjerë parapëlqejnë më shumë pyetjet që kanë të bëjnë me jetën e tyre personale. Edhe karshi tyre më duhet të tregoj shumë respekt dhe respektin ua shpreh duke u dhënë përgjigjen time rreth çështjes së parashtruar në pyetje.

Ka temperamente njerëzore që u pëlqejnë pyetje-përgjigjet, mirëpo mund të qëllojë që përgjigja ime të mos u pëlqejë. Mirëpo duhet që edhe ai t’i respektojë të paktën po aq ndjenjat e të tjerëve. Sepse njerëzimi nuk është i përbërë vetëm prej tij. Ne, të gjithë, jemi si organet e një të tëre, ku njëri përbën të djathtën, tjetri të majtën, njëri mesin, tjetri të parën, tjetri të fundit, njëri të brendshmen, tjetri të jashtmen, e kështu me radhë. Sepse edhe ndjenjat edhe mendimet tona janë njëlloj me strukturën tonë të ndjenjave dhe të mendimit.

Deri më sot, nëpër xhami kemi pasur një sistem të caktuar të shpjegimit të çështjeve fetare ndaj besimtarëve. Ne, për të gjetur metoda më të përshtatshme dhe më të frytshme për sa i përket bërjes së çështjeve të fesë sa më të dashura për xhematin. Ne jemi të detyruar që çështjet Islame t’ua përçojmë besimtarëve me një botëkuptim serioz dhe me një seriozitet të madh në parashtrimin e tyre. Sepse, në gjendjen në të cilën jemi sot, njerëzit joseriozë e sharlatanë nuk na vijnë dot në ndihmë, ashtu siç nuk do të na ndihmonte as qasja jonë ndaj gjërave që janë më të rëndësishmet për ne me mungesë serioziteti. Koha në të cilën jetojmë është një kohë që kërkon seriozitet. Prandaj, unë jam kundër çdo gjëje që do ta shkelte sadopak këtë seriozitet të domosdoshëm.

Koha dhe ngjarjet kanë treguar se shkëlqimi i këtij populli nuk ka ardhur vetëm prej shkencës, teknologjisë dhe artit, ashtu siç as rënia nuk i ka ardhur vetëm prej prapambetjen në ndonjërën syresh. Këto kanë një ndikim në lulëzimin, apo në rënien e myslimanëve, mirëpo ka edhe diçka tjetër që është më e madhe se të gjitha këto, që është të pasurit e një strukture të shëndetshme të zemrës. Edhe sikur në Turqi të arrihen zbulime marramendëse, që do të shkaktonin vakume shumë të mëdha në fushën e shkencës, të cilat do të ndikonin në mbarë botën, nëse nuk arrini që të ndërtoni një strukturë të tillë të zmrës, unë do të jem sërish i bindur se nuk është hedhur hapi i duhur për çlirimin e Turqisë dhe të botës islame.

Krenaria e Njerëzimit (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) kur i pati hyrë kësaj kauze madhështore, nuk kishte as fabrika që të çonin menjëherë drejt hapësirash të pashkelura më parë, e as oxhakë që nxirrnin tymra prodhimi; në atë periudhë nuk kishte, as art, as teknologji. Kishte veç një grusht njerëzish, që më e shumta mund të farkëtonin ndonjë shpatë, apo ndonjë mburojë. Mirëpo Profeti ynë fisnik (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) u pruri atyre një burim të atillë energjie, që ata arritën t’i kapërcenin menjëherë këto distanca, derisa i lidhi fort pas tyre, si me perçina. Ajo bashkësi, e cila më vonë do të bëhej mësuesja e sa e sa qytetërimeve, pati vënë në pah vetëm një varg parimesh themelore dhe ishin këto parime themelore që bënë të mundur ndërtimin e atyre qytetërimeve marramendëse mbi to.

Po, çdo gjë varet nga lidhjes fort pas Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe bindjes së plotë ndaj tyre, falë xhevahirit të besimit, prej atij pasioni dhe dëshire që lind prej Islamit dhe prej atij drejtpeshimi, si brenda, ashtu edhe jashtë vetes. Të gjitha arritjet dhe shkëlqimet që janë realizuar prej shoqërive islame në të shkuarën kësaj i detyrohen dhe, ma merr mendja se teksa përpëliten për të dalë prej kësaj situate, duhet ta dinë se rruga e vetme e shpëtimit është përqafimi fort i së njëjtës rrugë. Po nëpërmjet së njëjtës rrugë do të mund t’i fitojnë vlerat e humbura dhe po me të njëjtën rrugë do të mund të mblidhen bashkë, si përreth një boshti, ashtu siç sahabët fisnikë qenë grumbulluar përreth Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem).

Zoti na faltë ne edhe së brendshmi një thellësi, si ajo që na ka falur së jashtmi. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) na thotë: “O Zot! Bëma zemrën, që është vendi i reflektimit Tënd dhe gjithë botën time të brendshme dhe të fshehtën time më të hairit se ajo që unë shfaq së jashtmi. Dhe edukoma mua botën time të jashtme!” Sepse për një shoqëri që nuk e ka arritur dot njësimin e botës së brendshme me atë të jashtmen, që nuk ka arritur të sigurojë dot një bashkim mes tyre, që nuk ka shpëtuar dot prej të jetuarit në dualizëm, as që mund të besohet se do të mund të hedhë dot një hap përpara në rrugën e zhvillimit, madje çdo hap i hedhur do ta shpjerë atë drejt perëndimesh më të këqija.

Një shoqëri myslimane duhet të jetë hyjnore në parimet, mënyrën e jetesës dhe në të jetuarit e saj. T’u bindet parimeve të Allahut, duke e ditur mirë; se një shoqëri që nuk beson, mund të ngrihet edhe jashtë parimeve islame. Sepse ndjekja me rigorozitet e shkencës, filozofisë dhe e teorive të saj mund të luajnë një rol të veçantë në zhvillimin e një shoqërie që nuk beson. Dhe, prapëseprapë, çdokush që bart qoftë edhe një grimcë besimi në zemrën e tij duhet ta dijë se ngritja dhe zhvillimi i myslimanëve është i mundur vetëm e vetëm nëse ne do të ndjekim Profetin tonë fisnik, Muhamedin (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), të cilin urdhri i patëmetë, “Është e vërtetë se tek i Dërguari i Allahut ka një shembull shumë të mirë për ju që prisni ritakimin me Allahun dhe ditën e ahiretit, si dhe për ata që e përmendin shumë Allahun.” na e ka shpallur si Prijës të mbarë njerëzimit, Udhërrëfyesin më të përsosur dhe Imamin absolut tonin. Dhe sikur edhe një grimcë të vetme të devijohet prej këtij qëllimi, arritja te përfundimi i synuar është i pamundur. E vetmja rrugë që të çon drejt qëllimit të synuar prej Umetit të Muhamedit (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) është itinerari që Ai ka ndjekur përgjatë gjithë jetës. Këtë duhet ta mbajnë vëth në vesh të gjithë, si të rinjtë, si të moshuarit.

Muhamedi i nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), që na është dërguar ne si udhërrëfyes pati qëndruar aty ku rrugët ndaheshin, duke na treguar neve rrugën që të çonte kah Xheneti. Në të njëjtën kohë ai na mësonte edhe se si funksiononte universi, në mënyrë që ne të dinim se si arrihen gjërat në punët e kësaj bote, e ne vetëm Atë kemi mësues. Kushdo që devijon prej fjalës së Tij, çdo lëvizje në qoftë e tillë, nuk përbën veçse një përpjekje që punon për llogari të shejtanit.

Kjo duhet të jetë detyra e të gjithë atyre që ngrenë institute për t’ia bërë këtë të ditur njeriut tonë, që i marrin nxënësit në përkujdesjen e tyre, apo që u japin mësime dhe këshilla atyre në këto institucione të larta. Numri i njerëzve që merren me këtë punë nuk ka shumë rëndësi. Edhe sikur të ketë edhe vetëm aq njerëz sa ç’kishte pranë Muhamedit të nderuar (alejhis’salatu ues’selam) në kohët e para të shpalljes së profetësisë së Tij, - me ndihmën e Allahut – nuk ka asgjë që nuk mund të zgjidhet. Mjafton të ketë vetëm treqind e trembëdhjetë njerëz që i janë drejtuar Allahut me tërë qenien e tyre dhe nga çdo nuancë e saj shfaqet vetëm besnikëri ndaj urdhërave të Tij dhe çdo gjë ka për t’u zgjidhur.

Këto që po ju them këtu, për sa i përket kësaj teme, nuk dua që të kuptohen sikur po i nënvlerësoj të gjitha ato zhvillime të rëndësishme për t’i dalë zot fesë që po sigurohen nëpërmjet punës së gjithë këtyre instituteve, medreseve dhe një vargu universitetesh. Mirëpo është edhe kjo, se sa më shumë që ne t’i afrohemi asaj bashkësie të bekuar të sahabëve, aq më të vërtetë do të jemi si besimtarë. Dhe sa më larg t’u qëndrojmë atyre, aq më të kota do të jenë përpjekjet tona, sepse prej tyre nuk do të fitojmë asgjë më shumë se largimi nga e vërteta dhe thelbi i qenies e krijimit tonë. E gjithë bota gjendet sot e përfshirë nga lufta e përpjekjeve të kota, të cilat, në fund të tyre, nuk kanë veçse një qëllim të kotë. Që puna dhe përpjekjet tona të jenë sa më të frytshme, ne na duhet që të jemi të pandarë prej rrugës së Allahut dhe e të Dërguarit të Tij.

Në këtë pikëpamje, në të ardhmen ne do të kemi më shumë njerëz që dinë më shumë, që mendojnë më shumë, të cilët do të na japin mendime, do të na ndihmojnë, duke na mbajtur për dore, në mënyrë që të na nxjerrin prej thellësive të rrënimit e të na ngjisin drejt lartësish. Ne kemi shumë shpresë te mëshira e pasosur e Allahut (xhel’le xhelaluhu) që Ai të na i shtojë e të na i plotësojë të gjithë mirësinë e të qenit në shërbim të Tij!

Ajo që na takon ne tani është që t’i përdorim dhe t’i vlerësojmë

në mënyrë sa më të përsosur të gjitha këto mundësi që Ai na ka falur. Horizonti ynë i shikimit është i ngushtë dhe vështrimet i kemi të shkurtra; dhe as mund të bëjmë diçka serioze për këtë dhe as mund të mendojmë dot për diçka shumë serioze. Një tjetër çështje është edhe kjo punë që po bëjmë: njerëzit na pyesin rreth problemeve të tyre dhe ne u përgjigjemi pyetjeve të tyre me sa të kemi mundësi. Kësisoj përpiqemi që në qendër të vëmendjes të kemi shoqërinë dhe t’u japim zë ndjenjave të tyre.

***

Duke qenë se ne jetojmë në një shoqëri, e cila ndryshon pareshtur, edhe problemet na shfaqen vazhdimisht me forma të ndryshme nga hera në herë. Dhe ashtu siç çështja e diskutuar dje nuk i ngjan më së sotmes, po ashtu edhe ajo që do të diskutohet nesër nuk do të jetë e njëjtë me atë që diskutuam sot. Nga ky këndvështrim, një mysliman e ka të pamundur që të thotë: “Unë nuk mësoj më – sepse i kam mësuar të gjitha gjërat që kisha për të mësuar; puna ime mbaroi.” Sepse puna e myslimanit nuk mbaron kurrë. Sepse ai nuk do t’i mësojë dot kurrë plotësisht të gjitha gjërat që ka për të mësuar dhe asnjëherë nuk ka për t’i zgjidhur dot të gjitha problemet me të cilat përballet.

Shprehja “e zgjidhëm gjithçka”, e cila është përhapur kohët e fundit ka qenë një mendim jashtëzakonisht i gabuar. Njerëzit që i përkasin këtij mendimi nuk ia kanë veshin siç duhet evoluimit të gjërave, nuk i kanë analizuar dot ato siç duhej dhe, si përfundim, janë shndërruar në qenie që jetojnë në padijeni të plotë rreth botës. Bota në të cilën kanë jetuar ka ndryshuar me shpejtësi marramendëse, mirëpo ata kanë qenë ende në kërkim të përgjigje për çështje që i kanë përkitur së shkuarës dhe ky është shkaku kryesor i prapambetjes. Qoftë prej urtësisë së veprave të besimit, qoftë prej punëve të nevojshme në jetën shoqërore, qoftë për shkak të kushteve të kohës, apo zhvillimit marramendës të teknologjisë, ato na janë shfaqur përherë të ndryshme përpara syve dhe kështu ka për të vijuar të ndodhë edhe në të ardhmen.

Nga kjo pikëpamje, nëse një mysliman bën një pyetje, apo nëse ai rend pas një çështjeje të caktuar, duke kërkuar përgjigje për to; përpjekja e tij për t’u përshtatur me botën, e cila ndryshon shumë shpejt, kjo përbën anën më të rëndësishme të punës dhe as që mund të mendohet lënia e saj pas dore. Me një fjalë, ne duhet ta dimë mirë se në ç’botë jetojmë, cila duhet të jetë bota që ne mendojmë se duhet të jetojmë dhe konceptimi i këtyre përbën një kauzë shumë të qenësishme. Dhe kjo është diçka që kërkon analizë dhe studim të imtësishëm.

Si myslimanë, në katërmbëdhjetë shekujt e shkuar, ne kemi lënë e kemi shkruar vepra që janë secila nga një kryevepër më vete. Pa dyshim që të gjithë këta kanë qenë libra që kanë përmbushur më së miri nevojat e epokës së vetë dhe të disa shekujve më pas, duke u dhënë besimtarëve zgjidhje për çdo problem që ata kanë pasur. Por mes tyre gjendet vetëm një libër, freskia e të cilit nuk humbet kurrë, nuk rreshket kurrë, dhe ai është Libri i Allahut, Fjala e Tij. Sa herë që besimtarët i drejtohen Atij për të interpretuar apo për të bërë zbulime teknologjike dhe kulturore të dobishme për epokën e tyre, e kanë gjetur atë përherë të freskët, sikur të sapo ishte shkruar. Veç kësaj, edhe veprat e shkruara si interpretim i Tiji – nëse nuk është përkapur siç duhet shpirti i Tij – e kanë kuptuar vetë se kanë ngelur vite dritë pas Tij, sepse është parë që në to nuk është e përfshirë përgjigja e sa e sa pyetjeve. Madje shumë prej tyre nuk kanë arritur të mbijetojnë dot as në periudhën e tyre, duke mbetur të vlefshëm vetëm në atë kohë kur janë shkruar. Dhe ky është një ndër shkaqet e tjera që ne kemi bërë kaq shumë hapa pas.

Ndërsa nga njëra anë emocioni brenda nesh ka filluar të zbehet, nga ana tjetër ne jemi shndërruar në skllevër të teknologjisë. Ndërkohë që të tjerët kanë përdorur çdo lloj mashtrimi për t’u përshtatur me problemet e kohës, ne jemi përpjekur që t’u gjejmë përgjigje pyetjeve të kohës duke u mbështetur në filozofi të vjetra apo botëkuptime të vjetëruara të interpretimit. Kemi diskutuar rreth atyre çështjeve që nuk u ka mbetur më asgjë për t’u diskutuar, sepse u janë dhënë përgjigjet shumë kohë më parë.

Dhe kjo na tregon neve këtë: ne kemi qenë në padijeni të plotë rreth botës në zhvilim, sikur të ishim duke jetuar në një tjetër botë dhe nuk kemi bërë tjetër, veçse kemi ecur këmbadoras, në një kohë kur të tjerët kanë sendërtuar kapërcimin e epokave. Andaj, nëse nuk do ta nxjerrim pak kokën jashtë kësaj bote dhe prej dimensioneve dhe kornizës së saj të vjetëruar, është e pamundur që të arrijmë ta kuptojmë Kuranin me tërë vlerën e Tij.

Pse i them të gjitha këto? Çështjet me të cilat do të përballemi e që kërkojnë zgjidhje prej nesh nuk kanë për të mbaruar kurrë. Përherë do të na lindin probleme që kanë të bëjnë me jetën tonë individuale, shoqërore, shkencore, apo teknologjike. Nga ky këndvështrim, ne të mos themi “e mbaruam punën tonë, duke ua gjetur përgjigjen të gjitha problemeve të sotme”; ta dimë se e nesërmja ka për të na ardhur me gjithfarë problemesh të reja me vete. Në një fjalë që thuhet të jetë thënë prej Aliut të nderuar (radijallahu anh) thuhet kështu: “Fëmijët tuaj formojini (përgatitini), jo sipas kohës në të cilën jetoni, por sipas kohërave që do të vijnë, ashtu edukojini.” Kështu duhet të veprojnë të gjithë njerëzit që mendojnë dhe merren me shkencën.

Unë dua që të ndalem vazhdimisht te rëndësia e konceptimit të këtij aspekti, pasi e shoh atë si të qenësishëm për mbarë botën islame. Sepse, nëse njeriu ynë nuk arrin në një nivel të caktuar, atëherë pyetjet që do ta shqetësojnë atë do të jenë të shumta. Për disa, nëse u kthehet përgjigja e pyetjeve që kanë, mund të qëllojë që të mos kenë më asnjë pyetje tjetër për të bërë. Sepse një shoqëri që nuk analizon, që nuk kërkon dhe që nuk studion, nuk shqetësohet aspak se mund të përballet me probleme edhe më të mëdha e nuk do të ketë mundësi për t’i zgjidhur, sepse në mendjen dhe zemrën e tij nuk ekziston kurrfarë shqetësimi. Prandaj edhe ne mendojmë është me vend sado shumë të ndalemi me këmbëngulje mbi të.

***

Sa më shumë të lexosh, të mendosh, të studiosh aq më e pashmangshme bëhet që të mos të dalin përpara pyetje të reja konceptuale. Dhe kjo është diçka më se e natyrshme për njeriun. Sepse, para së gjithash, njeriu do të përpiqet që t’ua gjejë vetë përgjigjen atyre. Ato gjëra që do t’i nxjerrin vështirësi do të përpiqet t’i diskutojë me dikë që i njeh më mirë. Sepse ky është edhe një urdhër i Kuranit Famëlartë. Do t’i studiojmë mirë ato që dimë dhe herët a vonë do ta mësojmë të vërtetën rreth tyre. Ndërsa ato çështje që nuk i njohim mirë do t’ia lëmë njerëzve të specializuar në atë fushë që të na thonë fjalën e tyre. Do t’i studiojnë ata dhe do të përpiqen që të na japin përgjigjet më të arsyeshme, vetëm se këtu kemi të bëjmë me diçka shumë të rëndësishme që duhet përmendur:

Njeriu nuk duhet të nxjerrë pyetje të kota nga vetja, duke i krijuar vetes dyshime të kota, për sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me fenë. Sepse, në pikëpamjen e Islamit, nxjerrja e dyshimeve të kota nuk është diç e lejuar. Katër janë argumentat e Islamit: Kurani, Suneti, (të kuptuarit sipas domethënieve të nxjerra prej Kuranit dhe Sunetit, të cilat shprehin konkluzionin unanim të të gjithë dijetarëve të pranuar lidhur me çështje të caktuara), si edhe nxjerrja e gjykimeve për gjërat e panjohura, duke u nisur nga të njohurat, me një fjalë krahasimi. Ne këto i emërtojmë ndryshe, si Libri, Suneti, unanimiteti i umetit dhe krahasimi i juristëve.

Andaj, në çdo problem, ne duhet t’i drejtohemi fillimisht Kuranit. Kur i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) pati dërguar Muadh ibni Xhebelin në Jemen, e pati pyetur: “Si do të gjykosh atje ku do të shkosh?” Përgjigja që pati marrë, e cila e pati kënaqur jashtë mase, ishte: “Duke u mbështetur te libri i Allahut.” “Po nëse nuk e gjen atje?” – e pati pyetur i Dërguari fisnik. “Po nuk e gjeta atje? Atëherë do të vendos me përgjegjësinë time” (Me një fjalë do të përdor gjykimin tim, duke bërë krahasimet e nevojshme.)” – i qe përgjigjur ai.

Nëse përballemi me një çështje që ka të bëjë me ne, si shoqëri, familje, individ, apo që ka të bëjë me besimin dhe sjelljet tona, atëherë ne do ta kërkojmë zgjidhjen e saj më së pari në Kuran dhe në Sunet. Nëse nuk arrijmë ta gjejmë përgjigjen në asnjërën syresh, atëherë do t’i afrohemi duke bërë krahasime dhe duke dhënë gjykimin tonë personal të përgjegjshëm. Mirëpo këto janë gjëra që duhen kryer vetëm pasi ne të jemi përballur me të vërtetë me një problem.

Sepse, në çështjet fetare, nuk mund të krijohen problematika vetvetiu. Nëse është dikush që vepron kësimënyr, atëherë dijeni se ai njeri është mundur prej vesveseve e dyshimeve të veta, duke u shndërruar kësisoj në një lodër në duart e djallit. Ne këtu do të përpiqemi t’u japim përgjigje edhe pyetjeve të njerëzve qëllimkëqinj, që hedhin pyetje, por që ato mund të jenë me të vërtetë shqetësuese për sa i përket shoqërisë. Por, në asnjë mënyrë, të mos nisim e të prodhojmë pyetje vetë. Nëse ka njerëz me qëllime të këqija që e kanë bërë këtë dhe na kanë dërguar pyetjet e tyre, atëherë ne do të ulemi dhe do të diskutojmë edhe rreth tyre. Por, nëse në jetën tonë shoqërore na janë shfaqur pyetje e dilema, të cilat kërkojnë arsyetimin tonë, atëherë për ne është detyrë që t’ua gjejmë përgjigjen. Por do të ishte e kotë që të ulemi, e të nisur nga dyshime të kota, apo pa kurrfarë qëllimi, e të krijojmë çështje të reja nga hiçi.

***

Dikush thellohet në mendim vetëm atëherë kur ndalet mbi çështje që kanë të bëjnë me jetën e tij të mendimit dhe i studion ato nëpër librat që i trajtojnë ato; dhe kur ndalet mbi ato çështje që kanë të bëjnë me jetën e tij të zemrës, thellohet në zemër, e kur ndalet me këmbëngulje mbi problematika shkencore të ndryshme, atëherë ai thellohet në shkencë, duke i nxjerrë konceptet dhe përfundimet e dobishme njëri pas tjetrit. Përtej kësaj, nëse si qëllim të vetëm ka vetëm kënaqjen e Allahut (xhel’le xhelaluhu) me të dhe ndalet mbi to me sinqeritet e me këmbëngulje, atëherë arrin majat më të larta në marrëdhënien e tij me Zotin. Ka gjasa që ky njeri t’i duket si i mefshtë atyre që thellohen në fushën e shkencës dhe të mendimit. Mirëpo ato që të tjerët mund të arrijnë në fund, për të mund të jenë shumë më të lehta për t’u arritur. Ndoshta, me një “përgëzim hyjnor”, atij mund t’i çelen portat e frymëzimit dhe me shumë më pak punë dhe me shumë më pak dije, ai të arrijë t’i kthejë njëshet në njëmijëshe. Lexon vetëm njëherë, por së andejmi nxjerr mijëra përfundime dhe arrin në qindra koncepte të reja, me ndihmesën dhe mbështetjen e Allahut.

Shkencat natyrore zënë vend në mendjen dhe zemrën e njeriut vetëm për aq përvetësohen. Ato kanë një peshë të veçantë, e cila është në raport të veçantë me mundin që njeriu derdh mbi to. Kurse thellimi i marrëdhënies me Allahut, duke qenë se i kapërcen kufijtë e botës së fshehtë, mund ta përfshijë brenda vetes edhe botën e jashtme që perceptohet përmes shqisave. Ndërkohë që shkencat e tjera mbeten peng i perceptimit, ato që kanë të bëjnë me brendësinë e fshehtë mund t’i përfshijnë edhe të parat brenda tyre. Duke qenë se ne jetojmë në një shekull të materializmit dhe çdo gjë trajtohet sipas kriteresh dhe parametrash materialistë, shumë nga ne janë kthyer në qenie të privuara prej metafizikes. Edhe këtë arritën që të na e fshinin nga mendjet brenda një kohe të caktuar. Megjithatë, le të shpresojmë te mëshira hyjnore që Allahu, Ekzistuesi i Domosdoshëm, të na japë edhe ne gjallëri nëpërmjet nurit të Tij.

Një njeri që thellohet në marrëdhënien me Allahun arrin që të kuptojë edhe botën e së fshehtës. Madje, nganjëherë ai mund të fitojë edhe mbështetjen e engjëjve fisnikë dhe të hyjë në marrëdhënie me xhindet, apo shpirtërorët e tjerë. Mund të arrijë gjer atje sa të takohet me Hizrin (alejhis’selam), të ngjitet deri në lartësitë e tij, mirëpo të gjitha këto bëhen të mundura vetëm pasi ai të ketë thelluar e zgjeruar marrëdhënien e tij me Allahun (xhel’le xhelaluhu)... nëse largohet prej lëndës dhe artificiales... dhe duke e përdorur gjithë ç’ka për të arritur tek Allahu.

***

Sot ka shumë struktura, të cilat punojnë në sistem ose jo, që si e si të ndërfutin sa më shumë dyshime dhe lëkundje në mesin e Islamit. Dhe këta, duke mos ia dalë dot që ta nxjerrin besimin nga jeta e myslimanëve, me dyshimet që kanë hedhur kanë arritur që ta lëkundin atë. Në mendjen e njeriut fillimisht krijohet dyshimi dhe ai thotë, “vallë?”, e mandej bie në dyshimin se “mos vallë kjo është një çështje e pazgjidhshme”. Mandej fillon të gjejë argumenta kundër vlerave që beson dhe nuk vonon që t’ia atribuojë ato besimit, duke dalë prej kufijve të jetës fetare.

Prandaj, të mëdhenjtë tanë u kanë kthyer përgjigje të gjitha pyetjeve të kësaj natyre; edhe pse mund të mos u jenë përgjigjur atyre drejtpërsëdrejti, kanë lënë disa porta të hapura. Ndërsa ne kemi mbetur vetëm me konceptimin e tyre. Po, të mos keni fare dyshim, se të mëdhenjtë tanë, përgjatë katërmbëdhjetë shekujve me radhë u kanë dhënë përgjigjen e merituar, duke u mbështetur në Kuran dhe në Sunet. As unë, nuk jam duke bërë diçka të re, por nganjëherë duke u bazuar në gjykimet dhe përfundimet e disa të tjerëve dhe nganjëherë duke jua thënë ato tekstualisht, po përpiqem që t’i ndaj me ju ato që mund të di rreth pyetjeve dhe problemeve tuaja.

Shënimet

  1. 1.Ed-Dejemi, el-Firdeus bi Me’suri’l-Hitab 5/339.
  2. 2.Abdur’rezzak, el-Musannef 3/582.
  3. 3.Shih: Buhari, xhihad 72, 128; Muslim, zekat 56.
  4. 4.Tirmidhi, daauat 124; Ibni Ebi Shejbe, el-Musannef 6/104.
  5. 5.Ahdhab, 33/21.
  6. 6.Shih: Nahl, 16/43-44; Enbija, 21/7.
  7. 7.Tirmidhi, ahkam 3; Ebu Daud, kada 11.