JETA SHPIRTËRORE NË ISLAM
Baltovina e rrezikshme e egos
Pyetje: Megjithëse kam dy-tre vjet që jetoj në një rreth besimtarësh, prapëseprapë nuk arrij ta shoh te vetja atë shpirt të paqtë e të bindur për të cilin përpiqemi që të arrijmë dhe të jetësojmë. Ka shumë çështje islame që i kam mësuar dhe kam dëgjuar shpjegime të ndryshme rreth tyre, por megjithatë nuk kam arritur që t’i kuptoj plotësisht. Ka herë kur egoja ngre krye dhe kërkon të kundërshtojë. A mund të më këshilloni se çfarë duhet të bëj?
Përgjigje: “Unë do t’i jap disa vargje të Junus Emresë duke e ndryshuar pak të parin:
“Vetja të ngjan robi më i dobët,
Me mëkatet që të shumtë janë duket,
Secili si një mal pas tjetrit ngucet.”
Dhe le të bëhem edhe unë pjesë e shqetësimit të atij që e drejton këtë pyetje.
Së pari më duhet të them se ndiej një nga kënaqësitë më të mëdha kur e shoh këtë brez. Ka vite që kjo çështje, e cila më tejkalon edhe mua, por dal përpara xhemaatit dhe përpiqem që t’i këshilloj. Edhe pse nuk u afrohem dot asfare atyre, por gjatë gjithë
jetës kam ëndërruar që të isha një njeri si sahabët. Gjatë gjithë jetës kam thënë: “A do të mund të arrij të shoh dot ndonjëherë një bashkësi njerëzish që jetojnë një jetë të ngjashme me atë që jetuan sahabët, në mënyrë që të ndiej një galdim të thellë në shpirt?” Domethënë të më dalin asi njerëzish përpara syve, që dyshojnë për veten gjer edhe se mos janë hipokritë. T’i rrahin gjunjët me duar dhe të vajtojnë nga shqetësimi, duke thënë: “Bubu, kemi shumë frikë se si do të jetë fundi ynë!” Që te ta të mbizotërojë ndjenja dhe mendimi: “Nuk e adhuruam dot Allahun ashtu siç e meriton Ai!”, megjithëse qajnë e përpëliten për Të nga mëngjesi deri në darkë.
Ç’është e vërteta, deri para shumë kohësh nuk kisha shumë shpresë. Mirëpo mirësia e Allahut (xh.sh.) është aq shumë e madhe, saqë na ka falur sa e sa njerëz të ngjashëm me sahabët nga mesi i popullit tonë dhe pikërisht atëherë kur nuk e priste askush. Madje edhe kur i shprehja këto pritshmëri të miat më herët, ka pasur shumë njerëz që më thoshin se po tregohesha shumë i ashpër. Megjithatë unë nuk u jepja shumë rëndësi këtyre fjalëve. Sepse isha i dehur nga jeta e sahabëve dhe e shihja tek ata jetesën ideale të Islamit. Ndërsa tani, kur i shoh ata njerëz aq të pastër, të cilët më tërheqin edhe mua drejt një ajri më të pastër dhe janë aq të sinqertë sa që mund të më japin edhe mua mësime përsa i përket sinqeritetit, më shtohet dhe më forcohet edhe më besimi.
Tani të kthehemi aty ku e nisëm; një njeriu i duhet të dyshojë vërtet te vetja, duke mbartur brenda vetes pa ndërprerë dyshimin se në një vepër mund të ketë gisht edhe djalli. Ishin rreth tridhjetë vetë rreth sahabëve fisnikë, te të cilët kishin shumë frikë se mos kishin ndonjë cilësi prej hipokriti. Mes tyre ishin edhe Omeri i nderuar me nënën tonë fisnike, Aishen e nderuar (r.anhuma). Megjithëse e jetonin Islamin me kujdesin më të madh të mundshëm, ata prapëseprapë kishin frikë dhe sa më shumë që frikësoheshin, aq më shumë lartësoheshin drejt fronit të përsosmërisë. Ndërsa tani unë mbushem plot shpresë kur shoh këta të rinj që e mbartin në shpirtrat e tyre këtë shqetësim të shenjtë dhe them që ah sikur të vijnë tek unë këta rioshë dhe t’i qetësoj.
Edhe sot më erdhi një djalosh, i cili kishte të njëjtin shqetësim si ai që më bën këtë pyetje: “O mësues! Unë kam shumë frikë se mos jam hipokrit!”. Kënaqem aq shumë që ka njerëz të këtillë brenda këtij brezi, saqë e falënderoj dhe e përlavdëroj me gjithë shpirt Allahun (xh.sh.) që më dha mundësi që të njihem me ta. Ajo që do t’u thosha unë këtyre shpirtrave fisnike është: “Ne, për nga natyra, jemi krijuar si njerëz. Dhe në majanë e njeriut ka edhe pak prej asaj të djallit, xhindit dhe engjëllit; kur lihet pas dore kjo maja dhe zë të marrë erë dhe kur nxitet prej djallit mandej merr një trajtë, të cilën nuk mund ta cilësosh ndryshe veçse të mallkuar.
Po, kjo është natyra në të cilën është krijuar njeriu. Ashtu siç gjen kafshëroren dhe truporen tek ai, poende gjen edhe aftësinë dhe brumin që ai ka për t’u bërë njeri i përsosur. Dhe këto janë ato që e karakterizojnë mënyrën e jetesës së çdo njeriu. Për shembull, ana kafshërore e njeriut e shfaq veten përmes nevojave të tij për të ngrënë, për të pirë dhe përmes nevojave të tjera të tij dhe kështu ka për të qenë në herë të herëve. Asisoj që për sa kohë që këto nevoja do të jenë të pranishme tek ai, ai do të dojë të ushqehet, të pijë apo të flejë etj. Një njeri që bie në një gjendje të këtillë, ashtu siç ia thotë edhe një mik i së drejtës: “Mbeta i dobët, në dorë të egos sime zullumqare,/nuk e ngopkan kënaqësitë e botës gënjeshtare.”
Nganjëherë te njeriu mund të mbizotërojë ana e tij djallëzore. Që njeriu të mund të përparojë e të lartësohet në shpirt, atij i është instaluar brenda vetes edhe një hasëm i paepur si shejtani, asisoj që e ka atë të futur gjer në venat e gjakut. Allahu e ka lejuar praninë e këtij aspekti djallëzor në shpirtin e njeriut, në mënyrë që ai të luajë rolin e një kontrolluesi për të, që shpirti të jetë përherë vigjilent, njëlloj me antitrupat që e mbrojnë trupin e tij nga sëmundjet. E ka vendosur që ai të dijë se si të jetë në çdo kohë vigjilent ndaj djallit vetë dhe të thotë pa pra: “Aman, të mos e harroj Zotin! Në të kundërt do të më vijë ky hasëm vdekatar dhe do të më pushtojë.” Ja pra, edhe kjo anë djallëzore brenda njeriut mund të kthehet në diçka të rrezikshme që mund t’i shkaktojë atij rrëzimin.
Njeriut i është caktuar, që përveç asaj që rrjedh nga Zoti nëpër ndërgjegjen, zemrën dhe ndjenjat e tij të ketë edhe rrjedha që burojnë prej djallit. Dhe kur këto dy rrjedha priten me njëratjetrën brenda njeriut, ato krijojnë një baltovinë në shpirtin e tij. Njeriun që dyshon te vetja për hipokrizi, është pikërisht kjo baltovinë që e bën të hyjë në këtë farë shqetësimi të brendshëm. Aty është me vënd që të shihen dhe të analizohen mirë të gjitha rrjedhat që qarkullojnë brenda shpirtit. Vetë kthimi i kësaj krize herë pas here te njeriu mund të duket sikur të mbyt. Dhe është më se e natyrshme që njeriu duhet të shqetësohet, të frikësohet, por nuk duhet asnjëherë që ta cilësojë veten si mosbesimtar apo si dyfytyrësh. Sepse cilësimi i vetes si bartës i hipokrizisë, apo si mosbesimtar – Zoti na ruajtë! – është mohim në vetvete. Zoti e ruajtë këtë brez prej rënies në të tilla pozita.
Ndërsa çështja e dytë është kjo: “Nën rrezatimin e frymëzimit dhe mirësive hyjnore që i vijnë prej më të Drejtit, njeriu mund të kthehet në një engjëll dhe të marrë edhe ngjyrën e pranverës, duke ardhur në një gjendje laryshane, plot ngjyra dhe aroma të mira. Por ka edhe çaste kur këto rrezatime mund të ndërpriten. Kjo në terminologjinë islame njihet si “gjendja e kabdhit”. Kjo do të thotë se aty Allahu shfaqet me emrin e Tij Kabid (shtrëngues, ngucës) dhe me cilësitë e tij. Kjo bën që në botën e ndjenjave të njeriut të përjetohet një kontraktim. Ashtu siç kontraktohen inde apo organe të caktuara të trupit të tij ndonjëherë, mund të ketë edhe kontraktime të ndjenjave, të pjesëve të mistershme të shpirtit të tij, apo në ndjesitë e tij më të holla që i përbëjnë sytë e shpirtit të tij. Atëbotë njeriu nuk arrin të marrë dot asgjë që vjen
prej botës tjetër. Sado sinjale të dërgojë ajo botë, ai do të jetë si një transformator i fikur që nuk përcjell asnjë lloj energjie. Mund të dëgjojë ligjërata dhe këshilla pa fund, mirëpo nuk i hyn asgjë në vesh. E fal namazin, mirëpo thjesht ulet e ngrihet siç ulet e ngrihet një bimë e mbjellë.
Sepse, ashtu siç është Basit (shpërndarës, zgjerues, që ofron gjerësi mundësish), Allahu (xhel’le xhelaluhu) është edhe Kabid. Dhe kjo është natyra njerëzore, që njëherë shfaqet si mbizotërues njëri nga këta emra dhe njëherë tjetër tjetri. Siç të shfaqet njëherë njëri, ashtu vjen një kohë që zë të shfaqet tjetri. Do të ketë kohë kur njeriun nuk e nxënë dot tërë botët, aq sa ai do ta shtyjë tutje me këmbë botën. Do t’i rrahë flatrat fort me sa të ketë fuqi drejt Allahut, por do të ketë edhe herë kur do ta ndiejë veten si të burgosur brenda një lëvoreje arre, apo brenda një bërthame atomi, aq sa do t’i duket sikur duhet edhe pak dhe do të mbytet.
Ndërsa një tjetër aspekt i kësaj çështjeje është i tillë: shumë herë njeriu do të gjendet përballë këtyre ndjenjave që veprojnë si shkaqe që e shtyjnë me forcë drejt aksionit dhe ai do të marrë edhe më shumë shpirt, do të emocionohet edhe më, aq sa i duket sikur natyra e tij është kthyer në diçka abstrakte, ndoshta një ndjenjë. Mirëpo kur e humb këtë atmosferë dhe largohet prej këtyre shkaqeve, ai filon ta ndiejë veten sikur nuk ndodh asgjë me të. Njëlloj si toka, që, me të rënë shiu, fryhet dhe sipërfaqen e saj e mbulon gjelbërimi dhe me t’u ndalur ai zë të thahet dhe duket sikur nuk ka rënë fare asnjë pikë shiu. Kurani Fisnik e përshkruan këtë gjendje me frazën: “Bëhet sikur ajo pamje të mos kish qenë aty vetëm (dje) një ditë më parë.”
Nëse dëshironi, mbi këtë çështje mund të hedhim edhe më shumë dritë duke prurë këtu një shembull: Hanzala ibni Rebiu (radijallahu anh) ishte një ndër sahabët që e përjetonin më thellësisht besimin. E shqetësonte shumë fakti që nuk arrinte ta ruante dot aq të fortë emocionin që e kaplonte gjatë kohës që gjendej në prani të Profetit tonë të dashur (s.a.s) edhe kur largohej së andejmi apo kur merrej me punët e kësibotshme, të cilat e bënin që të mos e ndiente që të thellë dëshirën e tij për amshimin. Njëherë, i mbetur nën ndikimin e fortë të këtij shqetësimi, kushedi ç’ndryshim përkapi në ndjenjat apo mendimet e tij dhe, duke menduar se mos vallë kishte rënë në hipokrizi, frymën e mbajti menjëherë e tek Ebu Bekri (radijallahu anh) dhe ia qau atij hallin në të cilin kish rënë. Besniku i nderuar, e dëgjoi mirë e mirë problemin e shokut të tij dhe përgjigja që i dha ishte se edhe ai ndihej po njëlloj, ndaj e fton që të shkojnë të dy bashkë e të pyesin të Dërguarin e Allahut (pqmT). Prijësi i profetëve (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) kur e dëgjoi shqetësimin e tyre, i cili fillonte me fjalët: “Hanzalaja është bërë hipokrit, u përgjigjet: “Sikur të arrinit që ta ruanit edhe jashtë gjendjen shpirtërore që keni teksa jeni pranë meje, atëherë edhe engjëjt do të donin të shoqëroheshin me ju.” Dhe, menjëherë pas këtyre fjalëve, u thotë: “Herë ashtu e herë kështu, o Hanzala!”
E para, njerëzit, duke qenë se të tillë janë krijuar për nga natyra, nuk do të jenë përherë në të njëjtën gjendje; ndonjëherë do t’i hapin velat drejt botës së panjohur e të mistershme të amshimit, e nganjëherë do t’u duket sikur janë duke shëtitur mbi rrugë gjithë gjemba e pengesa të njeriut të kësibotshëm. Andaj, kjo është një rrjedhojë e natyrshme e të qenit njeri dhe nuk është aspak hipokrizi.
Së dyti, siç thoshte edhe Aliu ynë i nderuar (radijallahu anh), duhet që edhe zemra të pushojë nga pak ndonjëherë. Sepse, e lënë në një paqe e rehati të përhershme ajo lodhet. Zemra merr kënaqësi vetëm duke menduar për të drejtën dhe duke medituar mbi ajetet e dërguara prej Allahut (xhel’le xhelaluhu). Por nëse e vini atë që të lodhet veçse në këtë drejtim, edhe ajo do të lodhet një ditë. Kështu që edhe ajo duhet lënë herë-herë që të çlodhet. Njeriu duhet ta përfshijë veten edhe në punët e kësaj bote, por gjithnjë brenda qerthullit të së lejuarës, të qëndrojë pak kokë më kokë me familjen, apo të kujdeset veçanërisht me fëmijët e tij. Edhe pse ndoshta e ka të pamundur që zemra t’i largohet së andejmi, me mendje ai duhet të largohet sadopak. Ndërkaq zemra do të çlodhet dhe njeriu do t’i kthehet edhe njëherë horizontit të qëllimit të tij të epërm dhe do të vrapojë që ta përmendë sa më shumë Krijuesin.
Këto janë është masa dhe kriteri që urdhëron feja jonë. Ja se si e shpjegon i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi Të) këtë çështje në një hadith të bekuar Tijin: “Ndër ju unë jam ai që i frikësohem më shumë Allahut dhe i ruhem më së shumti gjërave të këqija. Andaj edhe disa ditë agjëroj, disa të tjera jo. Një pjesë të natës e kaloj duke u falur, ndërsa pjesën tjetër duke pushuar. Sepse unë kam edhe një familje. Kushdo që nuk ecën në këtë rrugë dhe i kthen shpinën e saj, ta dijë se nuk është prej meje.” I Dërguari i Allahut bën një ndarje të këtillë, duke thënë se edhe trupit i duhet dhënë ajo që i takon, ashtu siç i jepet zemrës, mendjes dhe shpirtit. Kështu duhet ta kuptojnë këtë çështje edhe vëllezërit tanë, duke mbajtur qëndrimin e nevojshëm brenda kësaj kornize, për të cilën fola gjer më tani.
Që të mos bëhesh lodër në duart e djallit
Pyetje: Cilat janë rrugët e pastrimit të zemrës për dikë që është kthyer në lodër e vegël të djallit, duke keqpandehur për çdokënd?
Përgjigje: Keqpandehmat dhe të folurit keq për të tjerët është vetëm një ndër të metat e një njeriu, mendja e të cilit ka rënë pre e djallit dhe që ka lejuar që ky i fundit të ngrejë fron në zemrën e tij. Nëse njeriu bie rob i djallit, duke u penguar te çdo vesvese e dërguar prej tij, nuk bie vetëm në batakun e mendimit keq për të tjerët, por edhe në atë të hasetit, urrejtjes dhe të xhelozisë për të tjerët.
Mirëpo kjo pyetje mund të pyetet edhe në një formë më përgjithësuese: “Një njeri mund ta lejojë mendjen dhe egon e tij që të bien pre e djallit, duke ia dhënë atij frerët e vetvetes në dorë, kthehet kësodore në skllav të tij, ndaj si mund të shpëtojë njeriu prej kësaj tragjedie, nëse djalli ka filluar që ta detyrojë atë që të bëjë çdo lloj të keqeje?
Ndërsa tani le të kalojmë te përgjigja: Në fakt, mendja dhe zemra e çdo njeriu është e hapur ndaj çdo lloj fryme a sulmi që mund të vijë nga ana e shejtanit. Ekziston një pikë në zemrën e njeriut, që nëse djalli i lëshon aty shigjetat e tij e ka shumë të lehtë ta marrë nën kontrollin e tij këtë zemër. E thënë nga goja e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), “Djalli lëviz porsi gjaku nëpër venat tuaja.” Shëtit e vërtitet pikërisht nëpër ato hapësira, në të cilat qarkullon edhe gjaku juaj. Hyn në zemër dhe ju kontrollon pulsin e jetës. Mandej depërton nëpër fakultetet e ndryshme të trurit dhe fillon të shkaktojë edhe aty dëmet që vetëm ai di t’i shkaktojë. Ngurtëson shpirtin dhe menjëherë aty lind pesimizmi. Dhe frymimi i pesimizmit është i atillë që e mbyt njeriun. Dikush që bie pre e kësaj situate zgjidhje të vetme ka kthimin te morali i lartë që fshihet pas këshillave të Profetit tonë (pqmT) dhe drejtimit kah Allahu (xh.xh.).
Kësisoj, disa nga miqtë e së drejtës janë shprehur kështu për hadithin e sipërpërmendur: “Shtrëngojeni dhe ngushtojeni sa më shumë me uri dhe me etje vendin nëpër të cilin kalon ai!” Dhe kuptimi i kësaj është ky: “Hani pak, pini pak, filloni të habiteni nga bota dhe kësisoj do ta keni penguar djallin që të shëtisë brenda jush. Një njeri që ha edhe pi ç’të dëshirojë, në çdo kohë e në çdo vend, është normale që të jetë shumë i dhënë pas egos së tij epshore. Djalli i hedh frerët këtij njeriu dhe ka gjasa që ai të mos çlirohet dot më syresh.
Prandaj, njeriu duhet ta tregojë se është zotërues i vetes përmes perhisit, duke e përdorur më së miri fuqinë e vullnetit që i është falur. Së dyti, këta njerëz, të cilët i kanë tashmë frerët ndër gishtat e djallit, duhet t’u kryhet një operacion i vështirë i mendjes dhe i shpirtit dhe mënyra e vetme për këtë është meditimi i brendshëm, por pa u lënë pas dore ai drejtuar jashtë vetes, ndaj librit të gjithësisë. Ky njeri duhet t’i vihet punës, kërkimit dhe të lexojë gjithçka që i ofrohet përpara syve rreth Allahut (xh.sh.) në librin e gjithësisë. Duhet ta përqendrojë gjithë vëmendjen te fjala e Kuranit, Fjalës së Mrekullishme, rreth kësaj çështjeje, dhe sikur të ishte duke pikuar mjaltë mbi hoje, ka për të pikuar dije ndër hojet e shpirtit të tij e kur të fillojë që ta ndiejë ëmbëlsinë e tij në mendje, do të zërë të largohet edhe prej tutelës së djalit, me lejen
dhe ndihmesën e Allahut (xh.xh.). Sepse ai do të jetë duke lexuar nga një libër në çdo çast.
Le ta shtjellojmë pak më tej këtë temë me një shembull. Merrni një njeri që mendoni se e ka zemrën të ngurtë sa më s’ka dhe shkoni në haxh bashkë me të. Vendet e bekuara, si ato që vizitohen gjatë haxhit kanë secili prej tyre veçoritë e veta me ndikim të fortë te njeriu. Sikur ta merrni në kohë drejke dhe ta çoni te varri i Profetit tonë të dashur (s.a.s.), që ai ta ndiejë veten në praninë e Mësuesit të njerëzimit (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Aty folini për Krenarinë e Universit (pqmT) dhe kur të afrojë koha e ikindisë, merreni atë dhe çojeni në Bakiji Garkad. Aty tregojini se në thellësinë e asaj heshtjeje mbizotëruese dëgjohen klithmat e sa e sa sahabëve fisnikë dhe thuajini që t’ia vërë veshin dhe ta dëgjojë me kujdes, duke u treguar edhe të tjera gjëra nga jeta e pashembullt e sahabëve. Aty do të shihni se ai njeri do të mbushet plot së brendshmi dhe do të ketë filluar ta kaplojë një kënaqësi shpirtërore e ëmbël.
Aty ndaj muzgut merreni për dore dhe shëtiteni nëpër Uhud dhe thuajini këto fjalë: “Ata që janë shtrirë këtu e ngritën këtë fe mbi shpatullat e tyre. Nuk pati gjë që nuk e dhanë në këtë rrugë, jetën, pasurinë, madje edhe gjakun e tyre. Këtu qëndrojnë të shtrirë ata luanë që Allahu pati thënë: “Unë jam i kënaqur prej tyre.”
Pas jatsisë, kësaj here merreni dhe çojeni atë në mesxhidin e Kubas: Kjo faltore është faltorja ku është falur e xhumaja e parë. Pikërisht pas kësaj faltoreje shtrihet kodra nga e cili zbriti Profeti ynë (s.a.s.) porsi një diell i porsalindur, në mbërritjen e Tij nga Meka për në Medinë, të Cilin fëmijët e patën pritur me vargjet: “Na lindi një hënë mbi krye nga Senijje-i Veda. Sa të ketë robëri ndaj Allahut dhe ne na takon të falënderojmë.”
Një njeri që i dëgjon ato do të mbushet edhe njëherë plot brenda vetes, aq sa do të fillojë edhe të rrjedhë jashtë vetes. Tani, nëse ky njeri shëtitet kësisoj, duke u mbajtur përherë plot me gjëra origjinale, përmes këtyre vendeve përgjatë njëzet e katër orëve, atëherë do ta jetojë gjithë jetën e vet mes një kënaqësie të papërshkrueshme, do të mbushet si retë dhe do të fillojë të pikojë edhe drejt të tjerëve, do të ketë raste kur do të fillojë të ngashërehet në të qara dhe do t’i rrahë kupat e gjunjve me sa fuqi t’i vijë prej shpirtit. Kësisoj edhe ndjenja e tij për të qenë i prirë ndaj rënies në mëkat do të venitet.
Nëse duam që t’i bëjmë një operacion pastrimi vetes sonë, atëherë do ta marrim përpara librin e gjithësisë dhe do të përpiqemi që ta lexojmë me kujdes çdo faqe të tij. Një ditë do të analizojmë rrufenë, një ditë tjetër mushkonjën, një ditë tjetër shiun dhe kjo do të jetë më se e mjaftueshme për të na ngopur. Një ditë do të ngjitemi vetë drejt reve, do të zëmë të bashkëbisedojmë me yjet, të cilat do të na mahnitin me rendin e përsosur në të cilin jetojnë dhe me këtë drejtpeshim të përsosur zemra jonë do të mbushet plot gjak të pastër. Një ditë tjetër do të shkojmë pranë lumenjve që buçasin nga melodia e ujërave që rrjedhin me vërtik, e një tjetër ditë do të shkojmë pranë zogjve dhe bilbilave që të përpiqemi të kuptojmë se si arrijnë ta realizojnë atë muzikë aq të përsosur e të paarritshme, një ditë do të rrimë e do t’ia japim gjithë përqendrimin tonë një sythi që është në prag çeljeje dhe do ta ndjekim atë me kujdesin më të madh, e një ditë tjetër do të shëtisim pranverën, do të përshëndesim sipërfaqen e gjelbër që do të ketë pushtuar tokën dhe vetëm kështu do të mund ta kemi hedhur tej përhumbjen, e cila do të na e ketë mbuluar dritën. Sepse, nëse nuk përpiqesh vazhdimisht që ta mbash mendjen dhe shpirtin sa më të zënë me meditim, është më se normale që djalli të të dallojë si një pre të lehtë dhe të të hedhë kanxhat. Dikush mund të thotë me vete “po unë ja tek jam, në faltore”, mirëpo kjo nuk do të bartë kurrfarë domethënieje.
Po, duhet një operacion i shpirtit dhe i mendjes, sepse edhe kur kjo gjendje të na falë njëfarë zgjerimi dhe gjallërie rehatindjellëse përsa i përket ekzistencës dhe njëjësisë së Allahut (xh.sh.), ne do të analizojmë edhe çështjet që kanë të bëjnë me Profetin tonë (pqmT) dhe edhe kjo do të na e mbushë shpirtin, aq sa ne do të jemi në çdo çast duke përjetuar një Islam të pastër e të freskët.
Një ditë do të lexojmë revolucionin rrënjësor që pruri i Dërguari i Allahut (pqmT); se si arriti që me ato gjykime të shëndosha të sillte një fe aq të madhe në një periudhë aq të shkurtër prej njëzet e tre vitesh, të krijojë një shoqëri aq të qëndrueshme që as nuk devijon dhe i kthen shpinën trashëgimisë së Tij, por arrin edhe që të rrëzojë dy-tri perandoritë më të mëdha të kohërave dhe të ngrejë qytetërime madhështore të reja në vend të tyre, ku të përcaktojë fatet e shoqërive të tyre kah e mira, e për më tepër, t’i bëjë ato që të jenë jetëgjata për më se tetë shekuj, asisoj që hapësirat mbi të cilat u ngadhënjye në periudhën e tre kalifëve të parë të jenë kushedi se safishi i atyre që u ngadhënjyen prej selçukëve apo osmanëve më vonë... të gjitha këto janë ngjarje që i përkasin një rëndësie të veçantë.
Një tjetër ditë le të trajtohen teknikat luftarake të Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem)... se si arriti që në saje të besimit të mos dilte i humbur edhe në luftërat me ushtritë më të mëdha, kur ai vetë rrethohej veçse nga një grusht njerëzish dhe se si ushtria e krijuar prej Tij (pqmT) arriti gjer në muret e Stambollit për një periudhë aq të shkurtër, kur bëhet fjalë vetëm për tridhjetë vjet pas ndarjes së Tij nga kjo jetë. Është pikërisht kjo ngjarje që i ka çuditur historianët e mëdhenj, si Gibb-in, Renan-in apo Toynbeenë. Këto janë gjëra që do të na e ngopin shpirtin përsa i përket famës së profetësisë së Muhamedit të nderuar (paqja e Zotit qoftë mbi Të).
Poende, një ditë tjetër le të merren të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur dhe kanë për të ndodhur gjer në ditën e kiametit, për të cilat na ka lajmëruar i Dërguari i Allahut (pqmT) se do të ndodhin dhe që kanë ndodhur pikërisht në atë mënyrë. Kjo do të na bëjë edhe njëherë që t’i grahim trupit nga dëshira për të qenë sa më pranë Allahut (xh.sh.). Për shembull, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) na ka paralajmëruar se kalifati do të zgjaste veç tridhjetë vjet pas ndarjes së Tij nga jeta, apo kur ka folur rreth një grupi njerëzish që do të mbizotërojnë mbi botën, duke na treguar edhe disa shenja dhe veçori tipike të tyre,. Se si lumi Eufrat do të kthehet në një problem të madh për njerëzimin, që në Arabi do të shfaqet një zjarr shumë i madh, dhe që teknika dhe shkenca do të përparojnë tmerrësisht shumë dhe ka edhe sa e sa ngjarje të tjera domethënëse që Ai na i ka paralajmëruar që në atë kohë. Kurse tani që ne i shohim se si ato po kthehen një e nga një në realitet, do të themi “Fesadaka Rasulullah” (Sa të drejtë që paske pasur, o i Dërguari i Allahut!) dhe habia do të na i shumëfishojë energjitë e ne do t’i grisim tej perdet e përhumbjes dhe të ambientimit.
Të shijojmë çdo ditë diçka të re nga hojet e Islamit, sepse disa lugë mjalti i nxjerrë prej andej do të na bëjë që goja të na rrijë e ëmbël dhe vetëm përmes saj ne do të mund ta jetojmë siç duhet shpirtin e lënë trashëgim të Muhamedit (pqmT) dhe vetëmse me të do të mund të ngjitemi drejt qiejve të së Vërtetës së Tij. Nga dita në ditë do të shijojmë dhe përjetojmë gjëra edhe më magjepsëse, duke u larguar sa vjen e më shumë, me kilometra të tërë, nga kthimi në lodra të djallit.
Gjuha e ndjesive të holla
Pyetje: Në Traktatet e Dritës thuhet: “Te njerëzit fshihen ca ndjesi, një gjendje e atillë, që çfarëdo që të pyetet me gjuhën e tyre, - edhe sikur njeriu të jetë një mëkatar – Allahu (xh.sh.) e jep atë gjë që është kërkuar vetëm për hir të këtyre ndjesive.” A mund të na informoni pak rreth kësaj ndjesie?
Përgjigje: Kjo është një temë që mund të kuptohet më tepër nga ata njerëz që kanë njëfarë kontrolli, njëfarë mbizotërimi, te vetja. Njësoj siç zotëron disa organe si sytë, veshët, hunda, goja dhe duart, të cilat emërtohen ndryshe edhe si shqisat e njeriut, me të cilat sheh, dëgjon, nuhat, apo prek, ai ka edhe disa shqisa të tjera të brendshme, të fshehta, të shpirtit. Mirëpo njeriu që nuk arrin që ta dëgjojë dot veten, ta kontrollojë atë apo të ketë ndofarë vetëkontrolli për t’i kërkuar asaj llogari për veprimet që kryen, është e pamundur që të kuptojë dot gjë rreth tyre.
Veç këtyre, njeriu bart edhe disa ndjesi të tjera të holla që ende nuk u është vënë dot emri në mesin e njerëzve të zemrës dhe të shpirtit. Njeriu nuk ka arritur që të bëjë dot zbulime të denja në këtë fushë, por është në rrugën e zbuimeve, megjithëse ato do të zgjasin gjer në ditën e kiametit.
Ka pasur shumë gjëra që janë zbuluar e janë jetësuar nëpër teqetë dhe vendet e izolimit nga kjo botë në emër të fesë së madhe të Islamit. Edhe sot po zbulohen shumë gjëra që kanë të bëjnë me psikologjinë dhe botën jomateriale të njeriut dhe edhe kjo ka për të vijuar përsa kohë që të jetojë njerëzimi.
Edhe çështja e shtruar në këtë pyetje, është një ndër çështjet për të cilat bëhen shqyrtime më së shumti. Dhe në këtë pyetje, e thënë më përmbledhtazi, na thuhet: “Te njeriu fshihet një ndjesi shumë e hollë, e cila është e atillë që nëse njeriu arrin që ta përdorë atë, mund të përdorë gjuhën e saj për t’i kërkuar Allahut (xh.xh.) ç’të dojë dhe Ai do t’ia japë menjëherë, duke ia pranuar çdo lutje e përgjërim të tij.
Njeriu është si një univers më vete. Në natyrën e njeriut duket sikur është përfshirë jo vetëm bota njerëzore, por edhe ajo e kafshëve dhe e bimëve marrë së bashku. Edhe njeriu arrin që të flasë me gjuhën e nevojave të brendshme, siç bëjnë edhe bimët dhe Allahu (xh.xh.) ia plotëson këto nevoja të shprehura në trajtë dëshirash. Foshnja e ndjen fare mirë situatën e tij gjenetike teksa gjendet ende në barkun e nënës së saj. Ai ushqehet në mënyrë të përkryer, edhe pse ai nuk ka kurrfarë force vullneti për ta kërkuar diçka të këtillë, njëlloj si edhe bimët, të cilat nuk kanë arsye, vullnet apo ndjenja dhe pa lëvizur asfare nga vendi, u shkojnë ushqimet dhe mineralet më të arrira për ta ushqyer. Kjo ndodh kësisoj, sepse ky është një kusht aksiomatik i mëshirës hyjnore, që gjendja e atij të gjorit, të dobëtit, e asaj foshnjes së vogël, bëhet si një lutje, e cila me gjuhën e nevojës i drejtohet Allahut (xh.sh.) dhe Ai nuk duron dot pa ia plotësuar nevojat.
Ka disa çështje, që me t’u vënë në veprim vullneti dhe liria jonë, ne kërkojmë prej Allahut (xh.sh.), qoftë nëpërmjet punëve që bëjmë, qoftë nëpërmjet lutjeve dhe Allahu (xh.sh.) na i fal. Por edhe krijesat e tjera, si bimët dhe kafshët, kanë disa kërkesa të tyre të natyrshme dhe ato u plotësohen menjëherë sipas nevojës.
Ndërsa te njeriu gjenden një varg ndjesish dhe ndjeshmërish të veçantë, të cilat kanë i përkasin vetëmse njerëzores. Asisoj që secili njeri mund të përfaqësojë gjithë njerëzimin për Allahun (xh.sh.). E thënë me fjalët e Bediuzaman Said Nursiut, njeriu është tërë lloji i tij edhe në individualitetin e vet. Njeriu, me zemrën, ndjenjat, shqisat, botën e mistershme brenda tij dhe me shpirtin është si një bashkësi më vete. Ka sa e sa dëshira, emocione dhe çlirime shpirtërore që ndodhin brenda një njeriu... por prapëseprapë, fakti që ai mund të detyrohet për t’u shpërngulur diku tjetër, duke u detyruar që t’i hyjë një pune të caktuar... dhe prapëseprapë, fakti që mund ta pushtojë pesimizmi fare pavetëdijshëm... po, të gjitha këto tregojnë për një sërë ndjesish shumë të holla që veprojnë dhe ndërveprojnë fuqishëm brenda tij. Dhe secila syresh bëhet nga një degë e tij, njëlloj si pemët; bëhet një gjuhë, që flet për të. Kur e ngre kokën drejt Fronit të Madhërishëm dhe lutet, Allahu (xh.sh.) i përgjigjet asaj lutjeje. Nëse doni, mund t’jua ilustroj këtë duke rimarrë një shembull:
Bera ibni Maliku (radijallahu anh) është një sahab që dallohej veçanërisht për trimërinë e tij të pashoqe dhe për heroizmat që ka kryer. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) e tregon kështu atë në një prej haditheve të Tij: “Ka njerëz të atillë, që rrinë me flokët të ngatërruar (të pakrehur), të veshur me rroba fare të vjetra, të cilëve nuk u jepet rëndësi, që nëse do të luteshin e të thoshin “le të ndodhë kështu, o Zot”, Allahu nuk ua kthen mbrapsht kërkesat, vetëm që ata të mos dalin gënjeshtarë në betimin e tyre. Edhe Bera ibni Maliku është një prej tyre.” Ja pra, ky njeri i bekuar është si një ndjesi e hollë për mbarë një shoqëri të tërë. Asisoj që kur ngeleshin shumë ngushtë në luftë, shkonin tek ai dhe i kërkonin që t’i lutej Allahut dhe ai i ngrinte dhe lutej: “O Zot! Nëse nuk e nxjerr ngadhënjimtare ushtrinë e Islamit, unë nuk kam për t’i ulur duart!” Dhe, menjëherë pas fjalëve të tij humbja kthehej në fitore dhe retë e zeza që kishin kapluar përrethin largoheshin nga horizonti.
Po, në çdo shoqëri mund të gjesh nga një individ të këtillë, i cili është si një Hizr për shoqërinë e vet. Ndoshta janë edhe vetë Hizri dhe falë tyre vazhdon të ekzistojë kjo botë, duke qenë lutjet e tyre shkaku që njerëzit pranohen ende mirë prej Allahut (xh.xh.). mbaj mend se ju kam treguar shumë shembuj lidhur me këtë temë. Për shembull Ata dhe Muhamed ibni Munkedir transmetojnë sa e sa ngjarje të këtij lloji në kohën e tyre.
Ja se si e rrëfen ai njërën prej tyre:
Isha ulur aty drejt portës së Varrit të Profetit tonë (pqmT). Populli ankohej se kishte kapluar thatësira. Kafshët hungërinin nga etja dhe toka të verbonte me thatësinë e saj të verdheme. Dukej sikur qiellin e kish kapluar njëfarë ndjenje xhelozie dhe nuk donte që të lëshonte as edhe një pikë të vetme shiu, ndërsa nga toka nuk nxirrte dot krye as një fije bari. Kur në atë kohë hyri brenda një njeri me ngjyrë. I ngriti duart të drejtuara nga kibleja aty në praninë e Krenarisë së Njerëzimit (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) dhe tha këto fjalë: “O Zot! Umetin e Muhamedit (s.a.s.) e ka mbërthyer fatkeqësia. Betohem në Ty se nuk kam për t’i ulur duart derisa të na falësh shiun!” Edhe unë, - tregon ai, - betohem për Allahun (xh.sh.) se ende pa i ulur ai duart, filloi të binte një shi me rrebesh.
Njerëz të tillë, të kësi lartësish, ka pasur dhe ka për të pasur përherë në mesin e njerëzve dhe këta kanë njëfarësoj funksionin e zemrës në shoqëri. E dinë apo nuk e dinë të tjerët, por vetëm falë tyre vazhdon të ekzistojë një lidhje mes nesh dhe botës së mëshirës.
Tani, nëse dëshironi, le të hamendësojmë një shoqëri, një grupim më të vogël, duke e çuar atë gjer në shkallën e qelizave dhe me të të imagjinojmë një organizëm të vetëm njerëzor. Kësisoj, ky individ do të kthehet në një ndjesi të hollë për të gjithë shoqërinë që përfaqëson. Ose ta zmadhojmë njeriun, aq sa ta imagjinojmë tërësinë e qelizave dhe ndjesive të tij si jnë shoqëri të stërmadhe që vepron e bashkuar. Ndjeshmëria e hollë brenda tij luan rolin e një Hizri brenda botës së tij. Allahu (xh.xh), qoftë në planin mikro, qoftë në planin makro, ka vendosur disa roje të fshehtë shpirtërore që ruajnë rendin e përsosur, të cilët janë si Hizri, si Iljasi, dhe i ka lënë ata si shëtitës nëpër mbarë botën. Njerëz të atillë që lutjet e tyre Allahu (xh.xh.) i mirëpret gjithnjë me një “po”, duke e pranuar çdo gjë që vjen prej tyre.
Me lejen tuaj dua të sjell edhe një shembull tjetër, të cilin e transmeton një prej njerëzve të Zotit: Gjendeshim në Arafat. Aty pashë tre vetë që bisedonin me njëri-tjetrin. Ndoshta ata ishin edhe qenie shpirtërore që kishin zbritur prej lartësive të larta dhe po dëshmonin për kryerjen e ritit të Arafatit. I thoshin njëri-tjetrit: “Gjynah, këtë vit Allahu (xh.xh.) nuk ia pranoi asnjërit detyrimin e haxhit. U lodhën më kot.” Ndërkohë, fjalën e mori një tjetër syresh dhe tha: “Jo, duke qenë se Allahu (xh.xh.) ua pranoi lutjet dy-tre vetëve mes tyre, për hir të lutjeve të tyre, Allahu nuk i ktheu duarbosh as të tjerët, kështu që ua pranoi edhe të tjerëve haxhin.”
Po, njerëz të tillë, të ngjashmin e të cilëve mund ta gjesh veçse te Hizri, pulsi i të cilëve nuk rreh për vete, por për mbarë njerëzimin, janë si rrufepritës për gjendjen e shoqërive në të cilën jetojnë, në mënyrë që ata të mos ndëshkohen me fatkeqësi nga më të ndryshmet. Dhe kjo situatë është e njëjtë, si për një shoqëri të tërë, ashtu edhe për një individ të vetëm. Sepse ndjesitë e holla që gjenden brenda atij individi njerëzor, luajnë pikërisht rolin dhe detyrën e Hizrit për mbarë shoqërinë. Herë-herë njeriu mund ta njohë atë përmes meditimit për veten dhe vetëllogarisë së vazhdueshme, duke ia kuptuar edhe gjuhën.
Të gjithë ata që i kërkojnë vazhdimisht llogari vetes për jetën që jetojnë e kanë kapur shumë herë këtë gjendje shpirtërore dhe do të më ruajnë prej të qenit gënjeshtar për një çështje të tillë.
Njerëz që e falin namazin e tehexhudit për dhjetë vite me radhë, pa humbur as edhe një mëngjes të vetëm, që u dhemb kraharori nga pamundësia për të qarë më, sepse nuk u kanë mbetur më lot, por që e lagin disa herë në javë sixhadenë teksa falen, do të më kuptojnë shumë mirë se për çfarë e kam fjalën.
Të jesh rob i Allahut, jo i thagmave dhe zbulimeve shpirtërore
Pyetje: A mundet një njeri që t’i arrijë shkallët e epërme të atyre që janë privilegjuar me thagma dhe zbulime shpirtërore, nëse nuk i përjeton dot asnjëherë ato gjatë jetës, vetëm duke e jetuar Islamin me kujdesin më të veçantë?
Përgjigje: Me thagmat dhe zbulimet apo frymëzimet e ndryshme shpirtërore Allahu (xh.sh.) vetëm sa do që t’u bëjë të ditur diçka disa njerëzve në zemrat e tyre. Dhe ky njeri, pa e kuptuar as vetë, njofton për shumë gjëra të rëndësishme, për të cilat Allahu (xh.sh.) ka dashur që t’ua bëjë me dije njerëzve. I tregon atij disa gjëra, të cilat nuk se nuk janë duke kaluar edhe nëpër mendjen dhe shpirtin e tij. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për njerëzit e tjerë, që ai do të njoftojë. Por të gjitha këto janë veçse një qerasje hyjnore, një mirësi e gostitje e Allahut (xh. sh.) për të. Ky njeri, nëse është i vetëdijshëm për pozicionin e tij pranë Allahut (xh.sh.), do t’i shtohet besimi që ka tek Ai dhe do ta falënderojë.
Thagmat dhe qerasjet hyjnore janë të formave nga më të ndryshmet. Një prej tyre është edhe shpëtimi apo parandalimi i disa llojeve të fatkeqësive si rrjedhojë e lutjeve, mirësisë apo begatisë së një njeriu që është ndër njerëzit e thagmave shpirtërore.
Ndërsa një tjetër lloj i tyre ndodh në fushën e dijes. Nganjëherë, kur dikujt i është falur mirësia e thagmave në zbulimet shkencore,
Të jesh rob i Allahut, jo i thagmave dhe zbulimeve shpirtërore
mund të arrijë që me shumë pak informacion të bëjë zbulime në madhësinë e deteve. Asisoj që ai mund të ketë shumë pak dije në kimi, ndoshta sa një nxënës i shkollës 9-vjeçare, mirëpo mund të arrijë në zbulime që përbëjnë mandej ligje në fushën e kimisë. Ka lexuar shumë pak çështje rreth fikhut, jurisprudencës islame, mirëpo mund ta pyesësh për çdo çështje të tij dhe ai do t’ju kthejë përgjigje të sakta, sikur të ishte njohës gjithëpërfshirës i tij. Kjo është një qerasje hyjnore në lëmin e dijes. Me një fjalë, Allahu (xhel’le xhelaluhu) e shndërron njëshin në njëmijë dhe kjo çështje ka të bëjë vetëm me forcën me të cilën një zemër është e lidhur me Krijuesin e saj.
Ndërsa, përsa i përket nivelit të besimtarëve të shekullit në të cilin jetojmë, ajo që mund të përjetohet më shumë është pikërisht kjo, thagma në dije. Shekulli ynë, siç e shenjon edhe Imam Rabaniu, është një shekull që mbizotërojnë thagmat dhe arritjet e shpejta në fushën e dijes dhe të shkencës. Andaj, këtej e tutje, - dashtë Zoti, - më së tepërmi do të kemi të bëjmë me zbulime dhe interpretime shkencore të mëdha, madhësia e të cilave do të jetë në përpjestim me madhështinë e këtyre njerëzve.
Dhe meqë fjala erdhi deri këtu, më lejoni që t’ju them se një nga principet e kësaj çështjeje është që të mos e kërkosh vetë këtë mirësi. Sepse njerëzit e mirëfilltë të Zotit e kanë parë atë si një gjë shumë të vogël në sytë e tyre. Njerëzit e së vërtetës, e kanë parë si një njeri “të ulët”, “të cekët”, njeriun që e lidh zemrën pas zbulimeve shpirtërore dhe thagmave. Qëllimi dhe synimi i adhurimit të Allahut (xhel’le xhelaluhu) është vetë Allahu, mirëpo çfarë bën ky njeri, e lidh dhe e bën çdo gjë për të arritur gjëra të jashtëzakonshme që nuk i arrin dot njeriu i zakonshëm. Xhunejd Bagdadiu i quante “abdu’l-lez’ze - robër të kënaqësisë” këtë klasë të besimtarëve. E thënë me fjalë të tjera, këta janë njerëz që nuk e kanë përkapur dot nderin e të qenit rob i Allahut, duke u shndërruar kësodore në robër të zbulimeve shpirtërore, të thagmave, të kënaqësisë dhe të frymëzimeve shpirtërore. Por e rëndësishme është që quhesh “Abdullah”, me një fjalë “rob i Allahut”, dhe kjo është edhe udha e hapur nga i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) dhe e sahabëve të Tij. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka deklaruar se shekulli më i mbarë për myslimanët do të ishte shekulli i Tij dhe pas Tij edhe dy shekujt që do të pasonin.
Kalimi “nga lëvorja te tuli”
Pyetje: A mund të na e shpjegoni pak thënien: “Duhet kaluar nga mendimi në zbulim, nga mentori te dishepulli, nga sheriati në tarikat dhe mandej në hakikat?
Përgjigje: Me lejen tuaj dua që t’i analizojmë në mënyrë kritike këto fjalë, të cilat kuptohet se janë thënë me një qëllim të caktuar.
E para, të kaluarit nga mendimi në zbulim: Njeriu vetëm pasi mendon dhe mediton në mënyrë të imtësishme, si brenda, ashtu edhe jashtë vetes, duke i përdorur të gjitha aftësitë që i janë falur, arrin që të ketë një bindje të vetën të brendshme rreth diçkaje dhe vetëm atëherë mund të privilegjohet prej Allahut (xh.xh.) me njohjen e disa gjërave, të cilat i përkasin botës së panjohur dhe të ardhmen, që mund të jenë të njohura vetëmse për Krijuesin e tyre. Sepse, në botën e tij të brendshme, meditimi i tij rreth fushave të pamata të universit dhe lidhja e tyre edhe së brendshmi me botën shpirtërore, e cila është si një përmbledhje e tërë gjithësisë, e bën atë që të arrijë në bindje të brendshme, të cilat i mundësojnë që ta kontrollojnë më mirë veten, të thellohet në zemrën e tij, por edhe shumë sekrete që na përkasin ne dhe universit në të cilin jetojmë, që i përkasin botës së të panjohurës, vetëm përmes meditimit arrin që t’i përkapë. Meditimi me një qëllim të caktuar e çon medoemos diku njeriun në njohjen e botës. Mirëpo jo çdo lloj meditimi e çon njeriun drejt të tillash horizonte. Sepse, nëse njeriu nuk bën asnjë lidhje mes botës së tij të brendshme dhe botës jashtë tij teksa mediton, atëherë ai do të mbetet në ecejaket e disa njerëzve banalë, si pozitivistët, të cilët mbeten të izoluar brenda një laboratori dhe përjetojnë aventura të ngjashme me nxjerrjen e ujit nga pusi me një kovë të shpuar nga të katër anët.
Që të mund të arrijë drejt njëfarë thellësie gjatë shqyrtimeve të tij, njeriu duhet t’i bëjë njëherë këto pyetje vetes: “Pse mendoj? Çfarë dua të arrij? Cili është filli dhe cili është përfundimi i mendimit tim?”, me një fjalë, nëse vepron duke e ditur se ku synon që të arrijë, atëherë ky meditim e çon njeriun drejt dëshmish tejet të çmuara, si brenda vetes, ashtu edhe jashtë, përreth tij. Allahu (xh.sh.) na mundësoftë ne që të jemi më të thellë, të na bëjë prej atyre që dëshmojnë prej madhështisë së Tij dhe të na i hapë sytë e zbulimit me mirësinë dhe bujarinë e Tij fisnike. Dhe jetët dhe historitë e njerëzve të mëdhenj që kanë jetuar gjatë këtyre tre shekujve janë të rrëfyera në librat “Hiljetu’l-eulija” të Ebu Nuajm el-Isfahanit dhe “Sifatu’s-saufe” të Ibnu’l Xhezuiut. Teksa i lexon këto vepra do të vërehet se aty janë të paraqitura më shumë adhurimet dhe shërbimet që kanë ofruar në kauzën e Allahut (xh. sh.), se sa zbulimet shpirtërore apo thagmat e mrekullishme që kanë përjetuar gjatë jetës.
Po, sepse jeta e tyre ishte e mbushur me falje namazesh me nga njëmijë rekate, formim të nxënësve që mësonin nga njëmijë hadithe dhe interpretime suresh dhe një frikë e papërshkrueshme. Me lejen tuaj dua që t’jua ilustroj diçka të tillë me disa shembuj:
Në shtëpinë e Fudajl ibni Ijadit kishte tri ditë që nuk ishte ndezur zjarr për të gatuar. Një ditë në shtëpinë e tij shkon për të bujtur kalifi i kohës, Harun Reshidi, dhe e pyet nëse kishte ndonjë nevojë dhe në mes tyre zhvillohet kjo bisedë: Fudajl ibni Ijadi e pyet si me qortim se përse e ka shqetësuar në një kohë kur ishte
duke adhuruar Allahun (xh.sh.), ndërsa Harun Reshidi i thotë se ka ardhur që ta pyesë nëse ka ndonjë nevojë që t’ia përmbushë. “Po ju nuk mund të ma realizoni dot nevojën që kam unë,” – i përgjigjet. – “Sepse unë kam nevojë për Zotin tim.” Teksa dilte, Harun Reshidi i lë aty një rrobë me florinj, ndërsa Fudajl ibni Ijadi i thotë: “Unë po të thërras në rrugë të drejtë, kurse ti përpiqesh që të më hedhësh në zjarr,” dhe nuk ia pranon florinjtë. Ndërkohë e shoqja e qorton se përse e bëri diçka të tillë, mirëpo edhe për të e ka një përgjigje miku i Zotit: - “E shoh, ti do që të më flijosh mua si të isha kurban për t’u therur.”
Ja, njeri i këtyre përmasave ishte njeriu i lartë pranë Zotit i atyre kohëve. Fudajl ibni Ijadi nuk kishte arritur as ndofarë zbulimi shpirtëror e as kurrfarë thagme të mrekullishme për sytë e njerëzve të zakonshëm; edhe Ibrahim Et’hemi, për të cilin njerëzit e morën vesh se kishte vdekur vetëm atëherë kur filloi që të mos u shkonin më torba me ushqime para portës së shtëpisë gjatë natës, kur fliste për të thoshte: “Ne nga ai e mësuam se cila ishte rruga që të çonte tek Allahu (xh.sh.).” Ata ishin njerëz që nuk kishin marrë asnjëherë qerasje të kësaj natyre nga Allahu i Madhërishëm (xh. sh.). Sepse arritjet shpirtërore si ato të çeljes së syve të shpirtit apo të thagmave të mrekullishme është punë e njerëzve të dobët dhe me të meta që janë të varfër në zemër. Por më lejoni të shtoj edhe diçka tjetër lidhur me këtë çështje.
Unë për vete, duke qenë se mendoj se flas në emër të Allahut dhe veproj sipas urdhrave të Tij, njeriu që shoh më pranë zemrës sime dhe si vëlla në shpirt është ai njeri që më qëndron pranë në këtë rrugë dhe që përpiqet që t’i shërbejë kësaj feje si një njeri i zakonshëm përgjatë gjithë jetës me besnikëri të plotë. Ata njerëz që më duan mua ngase u duket se qëndroj në shkallë më të epërme shpirtërore se e tyrja, nuk i honeps dot dhe duhet ta dinë se do të jenë shumë larg nga zemra ime. Ndërsa ai që më sheh si nipin e Shamilit fshatar dhe më do duke menduar se unë po i shërbej Kuranit, ai është i dashuri dhe më i pranuari nga unë. Ne jemi nisur në këtë rrugë të shërbimit pa kërkuar zbulime dhe pa mrekulli dhe sa të jemi do t’u rrimë larg të gjithë atyre që e harrojnë Allahun (xh.xh.), duke u lidhur pas thagmave dhe zbulimeve shpirtërore.
Së dyti, kalimi nga mentori te dishepulli, nëse me atë që që quhet “mentor”, apo mësues a hoxhë, merreni si të doni, kemi parasysh njerëz të cekët dhe të tillë si përshkruan profesioni vetëm në sipërfaqe, siç jemi ne, dhe me “dishepull”, a nxënës, kemi parasysh njerëz që mund të hyjnë në zemrat e njerëzve, duke zënë vend në botën e tyre shpirtërore, atëherë këtu kemi të bëjmë me një fjalë që është e drejtë. Njeriu nuk duhet të mbetet vetëm me artikulimin e gjësë, duke mos e kthyer në praktikë atë që thotë, duhet të dijë se si t’i jetësojë ato që dëgjon apo mëson gjatë shqyrtimeve të tij. Sepse ashtu siç duhet që njeriu t’u qëndrojë sa më larg fjalëve që nuk zënë vend në shpirtin e tij, ashtu duhet edhe të ruhet nga kufizimi i obligimit të tij vetëm si artikulim të disa të vërtetave. Sepse, në të dyja rastet, mundi i derdhur do të jetë i çuar dëm dhe më kot është lodhur. Unë, për shembull, kam pasur sa e sa raste që kam ndierë shqetësim dhe lëkundje thellë brenda ndërgjegjes nga shqetësimi se mos kam folur gjëra, të cilat e di që nuk i bëj dot. Kam sa e sa kohë që pres që Allahu (xh.xh.) të më lirojë nga kjo detyrë e të ligjëruarit nëpër vaaze e bashkëbisedime, të cilat më duken si një barrë detyrimesh, peshën e të cilave përpara Allahut (xh.xh.) më duket sikur nuk do ta mbaj dot. Shpresoj – inshaallah – që Ai, Allahu, do të na falë neve mësues të vërtetë, duke prurë këtu njerëz më të përgatitur, që e meritojnë me të vërtetë dhe, në vend që të dëgjoni hoxhë që flasin kot, thatë dhe që nuk përfaqësojnë asgjë më shumë se lëvoren e gjësë, do të shpëtoni prej njerëzve të dhënë pas interesit që ngarendin në kërkim të ndonjë përfitimi material a shpirtëror, dhe do të uleni në mexhlisin e dijes së mësuesv të vërtetë, të cilët shkruajnë legjenda të guximit e trimërisë. Dhe më duhet ta them, se së bashku me atë që ma ka drejtuar këtë pyetje, edhe unë jam duke pritur ardhjen e tij me një dëshirë shumë të madhe.
Mirëpo ai që ma ka drejtuar këtë pyetje, nëse me këtë ka parasysh ata që mbyllen nëpër vendet e izolimit për të jetuar veç jetë shpirtërore, unë e kam shprehur disa herë deri më tani bindjen time të metë lindur me çështjen e mësuesit shpirtëror. Prandaj nuk dua që të ndalem sërish tek ajo. Vetëm më duhet ta them, se ata që nuk e njohin kohën e tyre nuk mund të jenë mësues shpirtërorë. Nëse ata që njerëzit i shohin si të tillë nuk arrijnë që të kuptojnë ato që kalojnë nëpër mendjen dhe zemrën e njerëzve që marrin përreth vetes, nëse nuk arrin që t’i vijë në ndihmë asnjë frymim shërues prej revelacionit të zbritur nga Allahu (xhel’le xhelaluhu), nëse nuk i ka bërë pjesë të vetes të gjitha ato hollësi të fshehura brenda Fjalës së Mrekullueshme, Kuranit Famëlartë, që është si një farmaci hyjnore e madhe për të gjithë ne, nëse nuk ka krijuar dot një lidhje mes ngjarjeve që na ndodhin përditë dhe Kuranit, nëse nuk ka kuptuar të paktën filozofinë e shkencave të kohës në të cilën jeton, nëse nuk di mbi fusha të ndryshme aq sa dinë njerëzit që janë specializuar në to, atëherë ai nuk mund të jetë kurrsesi mësuesi shpirtëror i ndokujt. Ata që mbyllen të këtillë nëpër teqe a vende të ngjashme dhe merren vetëm me tesbih, apo me leximin e dhikr-eve, pa dyshim që janë njerëz të mirë dhe miq të Allahut (xhel’le xhelaluhu), vetëm se ata nuk mund të cilësohen si mësues shpirtërorë të përsosur.
Sepse ata nuk e kanë përgatitjen e mjaftueshme për të qenë mësues. Ata nuk dinë asgjë vetë, jo më t’u mësojnë diçka të tjerëve. Ata thjesht janë njerëz të mirë, të pafajshëm, naivë dhe në njëfarë mënyre njerëz dembelë. Mirëpo, ndërkohë, ka edhe aq shumë njerëz të veçantë që e njohin mjaft mirë fenë dhe besimin, që kanë brenda tyre një entuziazëm të papërshkrueshëm, të cilëve u vlen shumë fjala kur u flasin të tjerëve. Zoti na bëftë edhe ne të mundur që të përfitojnë prej ndriçimeve të tyre.
Së treti, të kalosh nga “sheriati” në “tarikat”, e së andejmi në “hakikat”: Edhe kjo është një çështje që e kam trajtuar edhe njëherë tjetër. Disa mistikë e shpjegojnë atë edhe si diçka themelore. Vetëm se rinovues të fesë islame, si Imam Rabaniu, apo Imam Gazaliu, thonë krejt të kundërtën. Madje edhe Nijazi Misriu, i cili është një mbrojtës i paepur i provimit të ekzistencës së vetme të Allahut, thotë të kundërtën në poezinë e tij të mirënjohur me motiv “sheriat”-in. Për të, duke nisur që nga zanafilla, vijimi e përfundimi, gjithçka e fesë është “sheriat”. Me pak fjalë, edhe fara është sheriat-i, edhe trungu, edhe fruti. Mirëpo duke qenë se ato kanë pamje të ndrysme dhe duke qenë se frytet i kanë të ndryshme, llojeve të ndryshme dhe gjendjeve të ndryshme të këtyre pemëve njohësit e mirë të lartësimit shpirtëror i kanë vënë emërtime të ndryshme. Një njeri që e sheh këtë pemë nga larg me këndvështrimin e Atij që i takon sheriati, të Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem, do ta shohë pemën si një të tërë të vetme. Kurse ata që nuk e shohin dot atë në tërësinë e saj, njëherë shohin rrënjët dhe quajnë ato “sheriat”. Pastaj, kur vështrimi i tyre fillon të shohë më lart, i largohen rrënjës dhe fillojnë ta shohin atë ndryshe në valë të caktuara. Sepse, duke qenë se ai nuk e përkap dot njëherës kohën dhe hapësirën, është i kufizuar që të mund të shohë vetëm në një pikë; njësoj si ai njeriu i mbyllur në një kuti e që mund të shohë jashtë saj veçse nëpërmjet disa vrimave të hapura në të, që mund të shohë vetëm ato hapësira që mund të shihen prej atyre vrimave. Sepse ai i ka sytë të mbuluar; në këtë pikë atij i zhduken rrënjët nga sytë dhe sheh vetëm trungun dhe quan atë “tarikat”. Pas njëfarë kohe, vështrimi i tij ngjitet edhe më lart dhe, kësaj here i zhduket trungu nga sytë dhe arrin që të shohë vetëm lulen, ose frytin, e e quan atë “hakikat”. Kur, në të vërtetë, ajo është e gjitha një pemë e vetme. Pema vjen në dritë nga fara dhe është po ajo që i jep farat e reja. Ajo farë jep sërish një pemë dhe, kështu, gjithçka vërtitet rreth të njëjtit lloj peme. I Dërguari Fisnik (sal’lallahua alejhi ues’sel’lem), i Cili i sheh që prej lartësive mendimet dhe vështrimet e atyre që thonë “unë jam për tarikatin”, apo “unë jam për hakikat-in”, dhe i quan të dyja gjendjet si “sheriat”. Kështu ata zhyten në gjithë atë oqean me ato enët e tyre të ngushta, por gjykimi që japin nuk është asnjëherë më shumë se sa vëllimi që mund të mbajë kova e tyre. Nuk dua që ta keqkuptoni; Imam Rabaniu – madje edhe mbi Muhjidin ibni Arabiun – pikën më të lartë të përkryerjes në “tarikat” sheh fjalën e thënë prej Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem): “rruga Ime dhe e sahabëve të Mi”. Kjo është rruga e Njerëzve të Sunetit dhe Xhematit.
Nisur nga kjo, ne nuk i bashkohemi mendimit dhe botëkuptimit të kalimit nga “sheriati” në “tarikat”. Ebu Bekri, Omeri, Osmani, Aliu, Imam Rabaniu dhe Imam Gazaliu i nderuar për ne janë njerëzit më të lartë, mendimit të të cilëve ne do t’i besonim mbi çdo gjë tjetër. Kurse të tjerët u kanë vënë emra dhe mbiemra të ndryshëm çështjes, të nisur nga vështrimet e tyre të ngushta, të kushtëzuara prej kovave të tyre të vogla. Me lejen tuaj, do të doja që t’ju tregoja një shembull, sa për ilustrim, lidhur me këtë.
Mevlana Xhelaledin Rumiu, kur takohet me Shemsin e Tebrizit, Shemsi i bën atij një pyetje:
- Kush është më i madh, Profeti i nderuar, apo Xhunejd Bagdadiu?
Kjo është një pyetje paksa e çuditshme, sepse i Dërguari Fisnik është burimi i shenjtë i çdo frymëzimi dhe çdo gjë e bukur prej andej buron e rrjedh. Prej Tij mund të përfitojë kushdo që dëshiron të përfitojë. Mevlana habitet përballë kësaj pyetjeje dhe, pa më të voglin dyshim, thotë se i Dërguari Fisnik është më i madhi. Ndërkaq, fjalën e merr Shemsi dhe i thotë, se Xhunejdi i Bagdatit thotë: “Unë bëj tesbih veten time, se nami im është shumë i madh.”, ndërsa për Profetin tonë transmetohet të ketë thënë: “Nuk të njohëm dot siç duhet, o Më i Njohuri” dhe i kërkon Mevlana-s që t’i japë një shpjegim rreth këtyre dy shprehjeve. Mevlana e dëgjon dhe ia shpjegon duke përdorur fjalë që bartin këtë domethënie: Allahu i ka dhënë Xhunejdit të Bagdatit një kovë me të cilën mund të mbledhë dije. Kur e futi në det për të mbushur prej saj, ajo u mbush sa u derdh e ai u mbyt brenda saj. Kurse i Dërguari Fisnik ka një kovë të veçantë, të vetën, e cila është e gjerë sa oqeanet. Dhe gjithë ç’mund të hyjë në kovën e Tij më e shumta ndonjë cep të sajin mund të mbushë, e pjesa tjetër mbetet gjithnjë bosh. Prandaj edhe Ai thotë: “Nuk të njohëm dot siç duhet, o Më i Njohuri”, pasi ndien vazhdimisht këtë boshësi. Shemsi i Tebrizit mbetet i mahnitur nga shpjegimi që i jep Mevlana.
Ja pra, kësisoj, ata që e nënvlerësojnë tarikat-in dhe sheriatin krahasuar me atë që e quajnë hakikat dhe e shohin si fryt të lidhjes së sheriat-it dhe tarikat-it me të, madje edhe ata që duan ta shohin sheriat-in më tepër si një lëvore, a rrënjë, dhe të tjerat si trung e si fruta, jo vetëm që i kanë hyrë një udhe që bie ndesh me botëkuptimin dhe me mënyrën e të shpjeguarit të të Dërguarin Fisnik (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), por mund të quhet se kanë devijuar edhe nga udha e Njerëzve të Sunetit dhe të Xhematit. Ai që i hyn këtij udhëtimi mund të thotë “sheriat, tarikat, hakikat”, mirëpo nuk do të bëhet fjalë për asgjë më shumë se sa disa emërtime që ai i ka bërë sipas enës së tij të ngushtë, dijes së tij të kufizuar, apo duke u bazuar te gjërat që i falin atij më shumë kënaqësi. Dhe sheriat-i që ai do ta quajë “sheriat” nuk do të jetë më shumë se sa një formulë a formalitet. Kur, në të vërtetë, ai është gjithçka. Sepse, kur t’i shtohet edhe më shumë masa e kënaqësisë që do të ndiejë, ai do ta quajë atë “tarikat”. Kur, në fakt, ajo nuk është asgjë më shumë se një mjet, një shkak. Në një tjetër pikë ai do të nxehet aq shumë sa do të marrë trajtën e një cope prushi të ndezur dhe do t’i vërë emrin “hakikat”, mirëpo ajo nuk është asgjë më shumë se sa shpirti i sheriat-it. Ky është një keqkuptim që lipset ndrequr.
Të drejtën e çdo gjëje e di vetëm Allahu (xhel’le xhelaluhu), që është Gjithçkanjohësi i Fshehtësive!
Ai që nuk ka mësues, mësues ka djallin
Pyetje: Thuhet se “ai që nuk ka mësues, mësues ka djallin”. Ne na është këshilluar se nëse ndjekim mësuesin e kohës në të cilën jetojmë, do të shkojmë me besim në ahiret dhe, kur bëhet fjalë për mësues të kohës, me të kihen parasysh disa njerëz të caktuar. Andaj, ata që nuk i ndjekin ata si shembull jetojnë në njëfarë trysnie shpirtërore. A mund të na ndriçoni lidhur me këtë temë?
Përgjigje: Kjo është e drejtë, se ata njerëz që nuk kanë një mësues të tyrin, mësues nuk do të kenë askënd tjetër, pos shejtanit, mirëpo kjo nuk se është edhe aq objektive dhe nuk do të ishte shumë e drejtë nëse do të gjykohej sipas opinionit të përgjithshëm që ekziston në mesin e masës. Fjalët, të cilat i atribuohen Xhunejd Bagdadiut, ose Bejazit Bistamiut, janë këto: “Ai që nuk ka një shejh ose një mësues, do të ketë djallin si shejh, apo si mësues.”
Ne nuk mund ta dimë me siguri nëse e kanë thënë një fjalë të këtillë këto personalitete kaq të larta. Sepse Kurani është libri i vetëm që është i ruajtur prej manipulimeve dhe vetëm vërtetësia e tij është e padiskutueshme; çdo gjë tjetër pos tij është e diskutueshme, madje, përderisa janë orvatur që të stisin gjëra të paqena deri edhe te Suneti i të Dërguarit të Allahut (pqmT), nuk është jashtë së mundshmes që njerëz të ndryshëm të jenë përpjekur që të fusin fjalë të reja, të paqena, ndër fjalët e trashëguara nga këta shpirtra të epërme. Dhe jo vetëm në të shkuarën, por edhe sot e kësaj dite njerëzit i atribuojnë gjithfarë gjërash të paqena personaliteteve të mëdha të shpirtit. Ndërsa ata që e vënë në dyshim vërtetësinë e fjalëve të thëna ose jo prej tyre, u thuhet: “Ju mos u merrni me atë që i ka thënë fjalët, por me vërtetësinë e tyre, a qëndrojnë apo jo.”
Ka sa e sa fjalë që i atribuohen pa të drejtë Mevlana Xhelaled’din Rumiut. Madje edhe në librat e tij ka shumë gjëra, të cilat janë ndërfutur në tekstet e tij, vërtetësia e të cilave lë shumë për të diskutuar. Për shembull, shprehja “eja, kushdoqofsh, vetëm eja!”, e cila përsëritet sa e sa herë dhe vend e pa vend, sikur të ishte e Mevlanës, në të vërtetë, i përket një njeriu të quajtur Persi i Virtytshëm. Por jo vetëm kaq, por edhe Profetit tonë të dashur (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) i janë atribuuar shumë fjalë të kësaj natyre, shumë të bukura për nga përmbajtja që kanë. Le të kenë qenë njerëz të frymëzimeve hyjnore ata që i kanë atribuuar këto fjalë; njerëzit e së vërtetës e shohin si të papranueshme këtë. Nëse orvatjet për të shtuar gjëra të reja kanë ekzistuar edhe me fjalët e të Dërguarit të Allahut (pqmT), atëherë imagjinojeni se sa e vështirë do të ishte të thoshe se nuk janë shtuar gjëra të reja, të paqena, në fjalët e thëna prej njerëzve të mëdhenj. Prandaj, është e domosdoshme që të kihej edhe kjo parasysh ndërsa vlerësohen këto fjalë.
Kësodore, edhe shprehja “ai që nuk ka një mësues, mësues ka djallin.” mund të jetë një syresh. Përderisa ky nuk është një hadith i transmetuar prej të Dërguarit të Allahut, atëherë ne na lind e drejta që ta vëmë në diskutim, qoftë se i përket Xhunejd Bagdadiut, qoftë se i përket Bejazit Bistamiut.
Ne e thamë, se në lexim kjo është një fjalë e drejtë. Sepse Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) është mësuesi ynë, i të gjithëve. Ai mësues madhështor është njëherazi edhe mësuesi i arrirë. Është e pamundur që të mendosh për një shpëtim dhe udhëzim përfundimtar të njerëzimit pa Profetin Muhamed (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Njësoj siç mosbesimtarët e periudhave para Muhamedit të nderuar (alejhis’salatu ues’sel’lem), të cilët nuk i bindeshin profetëve të tyre, por djallit, edhe ata që nuk i kanë besuar atij Personaliteti të Çmuar (alejhis’salatu ues’sel’lem) mësues të tyrjin kanë pasur djallin. Dhe këtë e përshkruajnë më së miri, shumë ajete të qarta dhe të prera të Kuranit, por edhe shumë prej haditheve të bekuara. Por ka edhe një kuptim tjetër, i cili lind brenda natyrës njerëzore, lidhur me këtë:
Pas Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) kanë ardhur shumë rinovues dhe reformatorë të fesë, të cilat na kanë transmetuar shpirtin dhe të vërtetën e padiskutueshme të fesë. Gjatë një vargu periudhash historike kanë qenë profetët ata që e kanë pasur kohën nën kontroll. I Dërguari i Allahut (xh.xh.) na thotë kështu në një prej haditheve të Tija të bekuara:
“Koha juaj krahasuar me kohën kur kanë ardhur popujt e tjerë para jush i ngjan më së tepërmi kohës mes namazit të ikindisë dhe të perëndimit të diellit. Mes jush, hebrenjve dhe të të krishterëve ekziston një gjendje e tillë: “Një njeri i lartë merr disa punëtorë dhe u thotë: ‘Atij që punon nga mëngjesi gjer në drekë do t’i jap një të gjashtëmbëdhjetën e rrogës ditore.” dhe hebreu punon. “Kurse atij që punon nga dreka gjer në vaktin e ikindisë, do t’i jepet po aq.” Dhe edhe kësaj here, janë të krishterët që punojnë. “Ata që punojnë gjer në darkë, do të marrin një të tetën” – Asnjë nga njerëzit e popujve të mëhershëm nuk do të punonte dhe do të shprehte pakënaqësitë e veta, duke thënë: “Ne punuam më shumë, por u paguam më pak se ç’na takonte.” Dhe, përkundër këtyre fjalëve, Allahu (xh.xh.) u drejtohet me fjalët: “Mos vallë ne ju bëmë ndonjë padrejtësi duke jua prerë një pjesë të pagesës që ju takonte?” Por, kur përgjigja që merr është një “jo!”, Ai u thotë: “Kjo është mirësia ime, të cilën ia jap kujt të dëshiroj.” Ja pra, Umeti i Profetit Muhamed (pqmT) është privilegjuar me një shpërblim shumë të madh në këmbim të një kohe shumë të shkurtër.
Nga ky hadith ne kuptojmë se një pjesë e Njerëzve të Librit e kanë çuar punën e tyre gjer në drekë, por mandej i kanë shtrembëruar një pjesë të librave, duke shtuar gjëra të reja dhe kanë dalë prej kufijve që u janë vënë e nuk i kanë plotësuar siç duhet përgjegjësitë e tyre. Në kohën e ngushtë mes drekës dhe ikindisë kanë ardhur disa të tjerë. Edhe ata kanë kryer njëfarë pune dhe mandej kanë ndodhur dëmtime të ndryshme. Por kur ka ardhur koha e ikindisë, atyre u është dashur të tërhiqen. Kjo bashkësi, e cila quhet ndryshe si Umeti i Muhamedit (pqmT) përfaqëson pikërisht këtë hark kohor, mes ikindisë dhe perëndimit të diellit; me një fjalë ata e kanë marrë përsipër këtë punë dhe do ta vazhdojnë deri në arritjen e muzgut, i cili simbolizon pikërisht ardhjen e fundit, kiametit. Dhe këtu ka dy çështje që trajtohen:
E para, që pas Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) nuk do të shfaqet asnjë profet tjetër deri në ditën e kiametit.
Së dyti, se umeti i Muhamedit do ta vijojë ekzistencën e vet gjer në shfaqjen e fundit të botës. E kjo nuk është tjetër veçse një shprehje e ajetit kuranor: “Nuk ka dyshim se e kemi zbritur ne atë përmendje, Kuranin, dhe jemi po Ne që do ta ruajmë (Atë).” Ne u besojmë këtyre dy të vërtetave dhe besojmë poende se kiameti nuk do të vijë për aq kohë sa do të ketë njerëz që do të përsërisin “Allah, Allah” mbi rruzullin tokësor, sepse kjo është e vërteta që shohim në mesin e fjalëve të çmuara si xhevahiret të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem).
Ashtu siç kanë qenë profetët që e kanë kryer detyrën e shenjtë të mësuesit me bashkësitë e tyre, deri te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), i Cili ishte mësuesi shpirtëror më i madh që ka ardhur ndonjëherë, ka pasur edhe shumë njerëz të përsosur, të cilët kanë kryer detyrën e mësuesit edhe pas tyre. Ka sa e sa pjesëza kohore të cilat janë jetuar nën mësimet e njerëzve të lartë, si Omer bin Abdulazizi, Imam Shafiiu, Ibni Dakik el-Idi, Kadi Shurejhu, apo Imam Gazaliu, kohët në të cilat kanë ardhur ata janë poende pjesë të kohës që i përket Krenarisë së Njerëzimit. Këta ishin mbretër të përmbajtjes plot kuptim për një shekull a më shumë kohë. Ndikimi që ata kanë pasur te njerëzit është i paimagjinueshëm prej nesh. Asisoj që Imam Shafiiu ka formësuar botëkuptimin e një periudhe thuajse njëqindvjeçare. Edhe pse vetë ka jetuar jo më shumë se gjysmë shekulli. Pasqyrën që ka pasur në dorë e ka drejtuar vetëmse drejt Kuranit, për t’u përçuar dritën më të kulluar bashkëkohësve të tij. Prej tij është përpjekur që t’i nxjerrë të gjitha gjykimet dhe me jetën e tij të dijes dhe njohjes së Allahut (xh.xh.) mendimi i tij ka vendosur hegjemoninë e tij mbi një qindvjeçar. Njerëzit e këtij kalibri ne i quajmë ‘rinovues’ ose ‘reformatorë’.
I Dërguari i Allahut na ka njoftuar se në çdo shekull do të vijë nga një rinovues i fesë sonë. Njerëz si Imam Gazaliu dhe Imam Rab’baniu e kanë vijuar këtë lëvizje, duke e përfaqësuar për shekuj me radhë shpirtin e sheriatit. Por edhe në ditët tona ka sa e sa njerëz që ndriçojnë gjithë zonën në të cilën jetojnë. Meududiu, që nga mosha pesëmbëdhjetë vjeçare e deri në fund, të gjithë jetën e tij thuajse shtatëdhjetëvjeçare, e ka kaluar në një bibliotekë. Kur i radhit librat e shkruar prej tij njëri mbi tjetrin do të shohësh se ata ia kalojnë edhe gjatësisë së tij. Ka qenë arkitekti i një sërë organizimesh shoqërore të kohës në të cilën jetoi, duke u ngulitur si një njeri i veçantë i aksionit në emër të Islamit në mendjet e njerëzve. Edhe pse disa njerëz mund ta gjykojnë atë me mendimet e tyre, aq të shumta janë të mirat që ai ka bërë, saqë çdo e keqe do të ishte e padukshme tek ai. Megjithëse, kur vjen fjala te veprat e këqija, bazat e botëkuptimit tonë kërkojnë që ne të shohim vetëm mëkatet tona, duke menduar se karshi tyre mëkatet e të tjerëve janë veçse nga një pikë në ujin e pamatë të deteve dhe nuk përmendim askënd për ta turpëruar. Muhjidin ibni Arabiu na e ka dhënë një mësim të tillë morali, duke na thënë se “kur të kesh parasysh mëkatet e tua, edhe mëkatet e djallit duhet të duken fare të padukshme për nga vogëlsia.
Ja se si paraqitet kjo ndjenjë në një hadith të të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), që është burimi i saj: “Armiku yt më i paepur është egoja që fshihet brenda kornizës dhe natyrës sate.” Andaj njeriu duhet ta kontrollojë këtë armik të brendshëm dhe të mos e shpërndajë vëmendjen e vet ndaj gjërave të tjera. Ma merr mendja se duke vepruar kësisoj, do t’i kesh përftuar vetes ato dy virtyte të rëndësishme:
Të shohësh të metat e tua dhe t’i mbyllësh sytë për të metat e të tjerëve. Sepse njerëzit që nuk shohin të metat e veta do të merren veç me të metat e të tjerëve. Më i madhi virtyt është që kur të përmenden të metat mendja të të shkojë menjëherë te vetja dhe, kur të përmendet Xhehenemi, t’i gjuash kupave të gjunjve, duke thënë: “O Zot! Ç’do të bëhet me mua nëse bie edhe unë atje?”, duke bartur përherë shqetësimin se do të jetë ai që do të pushtohet prej djallit, nëse do të bëhet fjalë se ky i fundit të sulmon.
Gjithnjë ka pasur njerëz nëpër vende të ndryshme të botës që janë përpjekur që ta rigjallërojnë dhe ta vënë në lëvizje Islamin. Dhe nuk është aspak e denjë që të thuhet ndonjë fjalë e keqe në emër të ndonjërit prej tyre. Sidomos nëse ata kanë ndërruar jetë e nuk janë më në këtë botë, kjo është një përgjegjësi shumë e rëndë. Poende, lidhja fort vetëm pas prijësit të vet të mendimit dhe mohimi i çdo dijetari tjetër, është një sjellje që nuk i ka hije një besimtari dhe nuk ka për t’i patur asnjëherë.
Gjithnjë do të ketë lëvizje që synojnë rifreskimin e fesë islame dhe në çdo shekull do të vijë nga një rinovues i ri. Ndër të parët tanë, vetëm një apo dy syresh janë pranuar mirë nga shoqëritë në të cilat kanë ofruar veprimtarinë e tyre. Në një kohë kur është e rëndësishme që ta vlerësosh mirë personalitetin e lartë prej të cilit mëson të vërtetën dhe prej të cilit shpirti yt frymëzohet drejt amshimit. Në të kundërt, nëse nuk e vlerëson ashtu siç e meriton e ke të pamundur që të përfitosh prej këtyre frymëzimeve. Mirëpo, mbivlerësimi i dikujt nuk do të thotë medoemos që t’i shohësh të tjerët me të meta dhe të devijuar nga e drejta dhe e vërteta. Ajo që duhet bërë është që të shprehesh se ti je i lidhur pas një mësuesi sepse mendon se ai qëndron shumë më lart se të tjerët në disa aspekte, duke e lënë të hapur portën për t’u larguar prej tij nëse zbulon dikë që qëndron më lart dhe është më i virtytshëm.
Në tokë ka pasur përherë mësues që kanë përhapur veç dritë përreth tyre. Ata njerëz që nuk u janë bindur dhe nuk e kanë organizuar jetën sipas udhëzimeve të tyre është brenda të së mundshmes që të çoroditen, të bien në çudhëzim apo të marrin një drejtim të gabuar, sado të vogla të duken gjasat. Sidomos në shekullin në të cilin jetojmë, kur rryma politike të frikshme kanë lulëzuar gjithkund dhe bartin rrezikun që ta kthejnë në një ferr jetën shoqërore, njerëzit duhet t’i analizojnë me kujdes të gjitha ngjarjet që ndodhin përreth tyre dhe t’i përkapin me zgjuarsi pasojat që vijnë nga ato, edhe pse kjo është jashtëzakonisht e vështirë. Prandaj siç e thonë edhe sufistët, ka shumë nevojë për njerëz që arrijnë ta ekuilibrojë shikimin dhe qëndrueshmërinë e tyre, të cilët kanë shikime aq të thella, saqë mund të shohin vite e shekuj përtej kah e ardhmja. Këta njerëz të mëdhenj, përbëjnë kriteret dhe standardet e përcaktuara prej Kuranit dhe Sunetit se si ne ta jetojmë sa më të rregullt jetën që na është dhënë; nëse hyjmë në përkujdesjen e tyre, atëherë do të kemi fituar një garanci shumë të fortë se do ta kryejmë denjësisht rrugëtimin në këtë jetë. Ndërkohë që ka pasur të atillë që kanë arritur tek e Vërteta edhe duke thënë se “unë mund të përfitoj edhe vetë prej Librit dhe Sunetit”, të cilët kanë jetuar kokë më vete, duke mbetur jashtë rrathëve të përfitimeve shpirtërore të mëdha. Po, edhe pse nuk kanë pasur të bëjë me asnjë tarikat, me asnjë mësues, apo rinovues të fesë, kanë vepruar sipas librave të tefsirit, të hadithit dhe të fikhut dhe kanë arritur në lartësinë e synuar. Mirëpo, duke qenë se ekziston gjithnjë rreziku që disa gjëra të mos shihen dot drejt në prizmin e shkak-pasojës, asisoj që ai të gënjehet. Andaj, për t’i bërë ballë gënjimit, do të ishte me vend që të arrijnë t’i përputhin mendimet e tyre me realitetin kuranor dhe kjo është shumë e rëndësishme për njeriun.
Në kohën e të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), si çështja më parësore shihej ajo e të përulurit ndaj brezit të ri, duke u ofruar atyre mundësitë më të mira të të mësuarit dhe duke u trajtuar çdo tematikë, në mënyrë që t’u mësohej të gjithëve se si mund të nxirren mësime nga ngjarjet që ndodhin. Mirëpo erdhi një ditë dhe shumë ia kthyen shpinën kësaj pune. Me kalimin e kohës erdhën të tjerë, të cilët u treguan më delikatë dhe filuan ta kuptonin dalëngadalë rëndësinë e madhe të kësaj çështjeje. Sa më shumë kalonin ditët, aq më shumë rritej edhe numri i tyre dhe fytyrat e tyre u prirën drejt shërbimit ndaj fesë. “Vallë këta njerëz e kishin kuptuar këtë çështje falë ndonjë zgjuarsie a mençurie të pazakontë?” Përgjigja ime për këtë pyetje nuk do të ishte pozitive. Sepse kjo është diçka që ka të bëjë më tepër me bindjen dhe dorëzimin dhe si e tillë do pranuar. Njerëzit disa i kanë dëgjuar, duke u lidhur fort pas tyre, kanë vepruar vetëm sipas parimeve të parashtruara prej tyre dhe, duke parë që mendimet e tyre kishin gjithnjë një efekt shumë të madh mbi realitetin, besimi u është shtuar edhe më shumë; ja, kjo është çështja. Nga kjo pikëpamje, askush nuk ka përse të ushqejë krenari karshi tjetrit. Kitmiri, mendon se do të ishte më e dobishme nëse do ta kuptonim kësodore çështjen e mësuesit shpirtëror.
Disa njerëz zgjedhin një mësues shpirtëror si vetja dhe e quajnë ndjekjen e tij si udhëzimin e vetëm, ndërsa mosndjekjene e tij si më të rëndin devijim. Që ka gjasa që devijim të jetë vetë ky mendim i tyri. Që nga koha e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) e deri më sot, në çdo periudhë, mësuesit që kanë marrë një formim si në atë kohë, janë përpjekur që të plotësojnë një mision të caktuar në lidhje me shoqërinë, duke e njohur mirë dijen dhe shkencën e kohës dhe të njësuar, si me lëndën, ashtu edhe me shpirtin e saj. Sepse, një njeri që nuk e njeh siç duhet kohën në të cilën jeton dhe u bën thirrje dishepujve të tij që ata ta ndjekin drejt së shkuarës, nuk tregon gjë tjetër veçse se ai është një mësues sipas vetvetes. Një mësues i këtillë – përveç ndonjë grumbulli naivësh – nuk arrin që të ketë ndikim tek askush që jeton me kohën dhe me epokën ku bën pjesë. Dhe, duke thënë këtë, ajo që kam parasysh është se ata nuk mund të fitojnë asgjë të re prej tij. Ai mësues mund të jetë një njeri shumë i madh në vetvete, i privilegjuar me mundësinë për të gjezdisur qiejve, apo që të takohet çdo ditë, nga mëngjesi në darkë, me Hizrin e nderuar; mirëpo, nëse nuk njeh siç duhet disiplinat e ligjeve të krijimit, të natyrës, jurisprudencën dhe hadithin, atëherë është e pamundur që të jesh një mësues objektiv në lidhje me kohën e tij; edhe pse Allahu (xhel’le xhelaluhu) mund t’i ketë falur ndonjë mirësi, virtyt a aftësi të veçantë.
Ne jetojmë në një epokë kur nuk ekzistojnë mësuesit e vërtetë dhe të mëdhenj. Fryu një tufan i egër dhe i thau të gjithë. Andaj, të gjithë vreshtat u rreshkën, bedenat u rrënuan dhe ujërat u thanë. Mbetën vetëm disa mësues që u përkisnin kohërash më të hershme; mirëpo edhe pse ata kishin dije të mjaftueshme vetëm sa për të ndikuar në disa prej tyre, ata nuk e arritën dot kurrë aftësinë dhe pjekurinë e kërkuar prej atij që dëshiron të rinovojë në kuptimin e përgjithshëm të fjalës.
Kam njohur shumë njerëz, për të cilët kam besuar se ishin mësues shpirtëror, modele, të përsosur. Mirëpo isha ende i vogël për ta kuptuar lidhjen e vërtetë të tyre me Allahun. Mirëpo ndikimi që të lënë ata njerëz është njëlloj si ndikimi që të lënë gjithë ato erëmime të mira kur hyn në dyqanin e një përgatitësi parfumesh. Pas adoleshencës, megjithëse nuk kisha takuar ende ndonjë mësues të madh shpirtëror dhe nuk isha ulur asnjëherë në mexhlisin e njerëzve të Zotit, mund të them se këto gjëra kam arritur t’i shoh tek ata njerëz të respektuar te të cilët shkoja kur isha i vogël. Nga ato ditë ne na ka ngeur kujtimi dhe trashëgimia e disa njerëzve që njiheshin për shërbimet që kryenin, si edhe për mënyrën se si rrekeshin që t’i dilnin zot Kuranit dhe besimit. Unë nuk mund ta di se sa pranë Allahut është një njeri, mirëpo kam njohur njerëz të atillë, që në çështjet që kishin të bënin me besimin, i vëreje të shfaqnin një sjellje të pjekur, plot maturi, seriozitet dhe frikë e respekt karshi Allahut (xh.xh.). Përgjatë fëmijërisë dhe rinisë sime unë jam njohur me njerëz që këmbëngulnin për t’i nxitur njerëzit kah mendimet e Njerëzve të Sunetit, që i pengonin njerëzit prej çdo shkeljeje dhe që e bënin çdo gjë duke i dhënë përparësi mësimit dhe udhëzimit të të tjerëve, e ma merr mendja se edhe sot ka njerëz të këtillë, të cilët përpiqen të shërbejnë sipas hapit të tyre. Dhe ndihma e e mira e këtyre njerëzve karshi Umetit të Muhamedit (alejhis’salatu ues’selam) kanë qenë shumë të mëdha.
Unë, në fëmijërinë time u njohja me Imamin e Allvarit. E gjithë fëmijëria më ka kaluar duke shkuar pranë teqesë dhe vendit të izolimit të tij. Në Anadollin e asaj kohe kishte shumë njerëz që shërbenin nëpër vende të ndryshme. Një tjetër me të cilin kam pasur fatin të takohem ishte edhe Jëllanxhëzadeja nga Sivasi. Rreth tij ishte mbledhur një hallkë e madhe sunitësh. Në Stamboll ishte Haxhi Sami Efendiu. Përreth tij gjendej gjithashtu një rreth shumë i madh sunitësh që e ndiqnin. Një bashkësi Njerëzish të Sunetit, të cilët jetonin një jetë të kujdesshme gjer në pamundësi. Një tjetër poende ishte Mehmed Zahid Efendiu, i cili u falte shpirt e ndërgjegje një bashkësie shumë të madhe intelektualësh, e që të gjithë ishin hallka vazhdimësie të zinxhirit të krijuar që prej Gymushhanevisë së nderuar. Edhe Mahmud Efendiu i nderuar, i cili merrej me studentët që studionin për shkencën. Unë i njoha të gjitha këto personalitete dhe te secili prej tyre nuk pashë as më pak e as më shumë, por reflektimin e jetës së Njerëzve të Sunetit. Mirëpo, nëse ju më pyesni e doni mendimin tim lidhur me njerëz të cilët nuk i kam njohur, unë nuk kam se ç’të bëj, veçse t’i lutem Allahut që të muajë prej dhënies së ndonjë shenje që mund të shkaktojë çudhëzimin tuaj. Unë nuk kam menduar asnjëherë keq, për askënd. Dhe, nëse më pyet dikush për diçka për të cilën nuk kam një mendim të thellë, që mund të më ngopë, apo material për t’u thelluar mbi atë çështje, e kam të pamundur që të flas, qoftë mirë, qoftë keq, rreth saj.
Këtu ka edhe një çështje tjetër, të cilën nuk mund ta kapërcej pa e përmendur. Të treguarit e interesit veçanërisht për njerëz që kanë përjetuar ndonjë gjendje a situatë të veçantë si rrjedhojë e afërsisë me Allahun (xhel’le xhelaluhu) është tipar i masave, të cilat janë të paditura. Ata që, dje edhe sot, kanë dashur që t’i bëjnë ato dy hapa në këmbim të ndonjë karameleje, i kanë njohur si njerëz shumë shumë të lartë të gjithë ata që mund t’u kenë kuptuar ndonjë të fshehtë të zemrës së tyre. Janë të shumtë njerëzit që e dinë tashmë se ka njerëz që edhe mund t’jua lexojnë atë që ju shkon nëpër zemër. Mirëpo një bashkësi që e sheh veten si të Allahut dhe umet të të Dërguarit të Allahut dhe që përpiqet me një shpirt dhe vetëdije prej sahabi që si e si ta ringrejë edhe njëherë kështjellën e Islamit, nuk do të përulej dhe nuk do të binte në sexhde kurrsesi para diçkaje të këtillë. Ai do të largohej prej tyre njësoj siç largohet nga gjarpri dhe nepërka dhe, njësoj siç do të bindte mendjen dhe logjikën, do të bindte edhe zemrën, lidhur me Allahun dhe do të bartte brenda vetes pa ndërprerë shqetësimin se mos nuk ishte një njeri i tillë. Ky njeri nuk do ta harronte kurrë që është rob i Allahut dhe nuk do ta kaplonin kurrë nazet për gjëra të tilla, të mrekullishme, që mund të përjetonte. Ai do të thoshte, njësoj si Mevlana, “u bëra rob, u bëra rob, u bëra rob! Në shërbimin Tënd u përkula, u bëra dysh. Sepse robërit ndiejnë kënaqësi kur lirohen; kurse unë u kënaqa së qeni robi Yt.”
Ne duhet të biem e të ngrihemi veç me dëshirën për të qenë robër të Allahut (xhel’le xhelaluhu) dhe shërbëtorë të të Dërguarit Fisnik. Përveç tyre ne duhet t’u frikësohemi dhe t’u qëndrojmë larg të gjitha gjërave të rrezikshme, të cilat i kalojnë kufijtë e robërimit dhe që mbajnë erën e mungesës së frikës karshi Allahut, të vetëmadhështisë dhe të mungesës së edukatës karshi Tij. Unë jam i bindur se një bashkësi që ecën në rrugën e sahabëve nuk do të anojë drejt një vetëmadhështie e të tillë. Edhe nëse Allahu do të krijojë situata të mrekullueshme me duart e Tij, unë duhet të them: “O Zot! Ç’gabim bëra unë që rashë kaq poshtë në sytë e njerëzve!”, duke mos i dalë zot asnjërës prej tyre. Sepse ky është mendimi dhe botëkuptimi që mbizotëron tek i madhi dhe tek i përsosuri i vërtetë.
Një njeriu të përsosur i bëheshin vazhdimisht padrejtësi. Njerëzit që i rrinin përreth i thonë njëherë: “Ah sikur t’i shkatërronte Allahu njëherë e mirë të gjithë këta që të bëjnë padrejtësi ty!” ky njeri i dëgjoi dhe u tha: “O Zot! Tani për tani mos e ndëshko asnjërin prej tyre, të lutem. Sepse populli do të thotë se u erdhi e keqja ngaqë më rëndoheshin mua, e të gjithëve do t’u duket sikur e kam bërë unë. Madje do t’u duket akoma edhe më e madhe, e disa mund ta zmadhojnë edhe vetë.” Ja, ky është botëkuptimi i besimtarit të vërtetë.
Nëse një besimtari i ndodhin gjëra të rendit të së mrekullishmes, atëherë ai ato nuk duhet t’ua atribuojë vetes, zemrës dhe shpirtit të tij, por t’i lidhi drejtpërsëdrejti me Kuranin Famëlartë dhe të nderuarin Muhamed (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) të Cilin ai ndjek. Sepse ata që duan të kenë një rrugë të përkundërt nga ajo ku të udhëzojnë vetëdija dhe shpirti i sahabëve janë të shumtë. Për mendimin tim ata duhet të lidhen pas dijes që mësuesi i tyre shpirtëror do t’u japë rreth shkencës dhe dijes islame, apo të aftësive që do t’i përftojë për ta kuptuar kohën në të cilën jeton sipas pikëvështrimit të Njerëzve të Sunetit. Kjo është pika ku ai duhet të tregojë besnikërinë e të mos u bëjë padrejtësi njerëzve të mëdhenj të së shkuarës, duke u dhënë atyre famë e pozita shumë më shumë nga ç’mund të kenë pasur ata në kohën e tyre.
Mësuesi i vërtetë
Pyetje: Cilat janë veçoritë që duhet të ketë mësuesi që është vërtet i tillë?
Përgjigje: Një mësues shpirtëror, teksa kryen misionin e tij të udhëzimit të njerëzve në rrugëtimin e jetës së tyre të zemrës dhe të shpirtit, para së gjithash, merr parasysh gjendjen e përgjithshme, formimin dhe përgatitjen shpirtërore të nxënësit të tij. Mësues i vërtetë është ai që arrin t’i japë diçka të re dhe të duhur nxënësit të vetë vetëm atëherë kur ia ka kuptuar atij botën e tij shpirtërore, formimin mendor dhe botëkuptimin e tij më së miri. Ai nuk është ai njeriu që u dhuron tespije të bukura të gjithëve që i dalin përpara dhe i kërkojnë këshilla, por ai që arrin të depërtojë në zemrat e njerëzve që i afrohen. Ai është një personalitet që e kupton më së miri se çfarë i nevojitet nxënësit të tij për ta zhvilluar veten përballë Allahut (xh.sh.), duke kryer tesbihe, duke u privuar nga dëshirat fizike, duke u tërhequr e izoluar, apo duke iu këshilluar që t’i ndajë edhe me të tjerët të vërtetat e besimit që e bëjnë atë mysliman brenda vetes. Sepse mësuesi i vërtetë arrin që ta ketë nën kontrollin e vet formimin e nxënësit të tij vetëm atëherë kur është i vetëdijshëm për çdo gjë që kalon nëpër mendjen dhe shpirtin e këtij të dytit, në të kundërt nuk ka për t’ia dalë dot asnjëherë. Dhe dhurimi i tespijeve të reja çdokujt që i afrohet është një diçka krejt naive. Ashtu siç vetëm një nxënës naiv do të merrte thjesht ato tespije të reja dhe do të tërhiqej mënjanë për të përmendur Allahun (xh.sh.).
Po, sepse marrëdhënia e mësuesit shpirtëror me nxënësin është e lidhur ngushtë me një njohje të këtillë të realitetit që ka krijuar Allahu (xh.sh.). Mësuesi duhet ta njohë fare mirë gjendjen shpirtërore të nxënësit të tij, ta udhëzojë atë dhe të bëhet shkak për ngjitjen e tij sa vjen e më lart. Një nxënës që i afrohet një mësuesi shpirtëror për t’i kërkuar atij këshilla se si mund të afrohet më shumë me Krijuesin, - që të mos gabojmë në analogji, - është njësoj si i sëmuri që i drejtohet mjekut për të kërkuar shërim. Kësisoj, mësuesi duhet të zbulojë fillimisht shqetësimin e nxënësit të tij. Sepse nuk mund t’i jepet e njëjta barnë çdo pacienti që paraqitet për të kërkuar ndihmë. Çdo sëmundje ka shërimin e vet specifik. Ja se si e përshkruan Zija Pashai një situatë të tillë:
Njih sëmundjen, pastaj përpiqu të japësh shërim,
Mos pandehe se çdo sëmundje me çdo melhem gjen shërim!.
Pikësëpari duhet diagnostikuar se cili është shqetësimi, mandej të mund të ndiqen rrugët e duhura për t’i dhënë shërim. Nëse sëmundja e dikujt është mohimi dhe mosbesimi, atëherë do ditur se dhënia si detyrë thjesht e përmendjes së Allahut (xh.xh.) për plot pesëqind herë do të ishte diçka e padobishme. Kura që do t’i jepet këtij njeriu do të jetë shpjegimi i dyshimeve dhe lëkundjeve që ndodhin në thellësitë e shpirtit të tij. Më lejoni t’ju tregoj një histori nga Koha e Lumturisë:
Xhulejbibi i nderuar (r.a.) është një sahab, i cili njihej se kishte rënë pre e dëshirave të tij trupore. Pas njëfarë kohe për të nisin të përhapen gjithfarë thashethemesh. I Dërguar i Allahut (pqmT) e merr vesh për këtë dhe e thërret një ditë pranë Vetes Xhulejbibin. Zaten edhe me kaq e do ta ketë magjepsur Ai Xhulejbibin... dhe e pyet:
̶ A do të doje që t’i bëhej edhe nënës sate diçka e këtillë?
̶ Të qofsha falë, o i Dërguari i Allahut, nuk do ta doja.
̶ Epo askush nuk do të donte që t’i bëhej diçka e tillë nënës së tij! (Po të kishe një vajzë), nuk do të doje që ndokush t’i bënte diçka të tillë, apo jo?
̶ Të qofsha falë, o i Dërguari i Allahut, nuk do ta doja.
̶ Epo askush nuk do të donte që vajzës së tij t’i bëhej diçka e këtillë! Po me motrën tënde, a do të doje që dikush tjetër të kryente zina me të?
̶ Jo, o i Dërguari i Allahut, nuk do të doja!
̶ Po me hallën, me tezen tënde, a do të doje që të bëhej e njëjta gjë?
̶ Jo, jo, nuk do të doja!
̶ Epo askush nuk do që ndokush të bëjë diçka të tillë me nënën, motrën, hallën, apo tezen e tij.
Po, kjo bisedë mes tij dhe të Dërguarin e Allahut (pqmT) mjafton që ta bindë dhe e bën të ndihet i ngopur mendërisht. Mandej e vendos dorën në kraharorin e djaloshit dhe lutet me këto fjalë:
“O Zot! Falja këtij djali mëkatet, pastroja zemrën dhe ruaja atij nderin!”
Pas kësaj lutjeje, Xhulejbibi shndërrohet në një përmendore të ndershmërisë; bëhet i tillë, mirëpo, duke qenë se ia dinë të gjithë të shkuarën, askush nuk ia jep vajzën që të martohet me të. I Dërguari i Allahut mëson edhe rreth këtij shqetësimit të djaloshit dhe është po Ai që i gjendet sërish në ndihmë. Dërgon një lajmës pranë babait të një vajze dhe ia kërkon dorën e së bijës për Xhulejbibin dhe i marton ata me njëri-tjetrin.
Më vonë, gjatë një beteje Xhulejbibi bie dëshmor. Në fund të luftës i Dërguari i Allahut pyet njerëzit përreth Tij: “Kush na mungon?” Sahabët fisnikë i përgjigjen: “Nuk mungon askush, o i Dërguari i Allahut, jemi të gjithë këtu.” Ndërsa i Dërguari i Allahut u thotë atyre se atij i mungon dikush dhe shkon pranë trupit të Xhulejbibit. Qe përballur me shtatë njerëz njëherësh dhe kishte rënë dëshmor. Ia merr kryet mbi kupën e gjurit të bekuar dhe i thotë këto fjalë: “Xhulejbibi është i imi dhe unë jam i Xhulejbibit.” Kështu mërgon shpirti i Xhulejbibit në amshim, duke u privilegjuar me një pozitë të këtillë, kaq të lartë.
Ja, ky është mësuesi ideal, ai që arrin ta bindë deri në këtë farë shkalle mendjen dhe zemrën e nxënësit të tij, duke e shpëtuar njëherë e mirë prej së keqes që e shqetëson. Për shembull, edhe “vështrimi” është shumë i rëndësishëm. Edhe shikimi i një njeriu të lartë është i mjaftueshëm që ta zbutë zemrën e një njeriu e ta bëjë atë të ndryshojë sa hap e mbyll sytë. Mirëpo e para që duhet bindur është mendja. Sepse njeriu nuk është qenie e përbërë vetëm nga zemra dhe ndjenjat. Arsyeja dhe logjika nuk duhen lënë asnjëherë pas dore kur përpiqesh që t’i udhëzosh njerëzit kah ajo që është më e duhura. Thuajse një e pesta e Kuranit Fisnik është një ftesë që i bëhet njeriut që të meditojë përbrenda dhe jashtë vetes, duke ia vënë përpara syve, të shpjeguara, të gjitha faqet e librit të gjithësisë.
Po, pikësëpari janë mendja, zemra dhe ndjenjat ato që duhen bindur. Ne nuk jemi krijesa të përbëra vetëm nga ndjenjat, zemra dhe mendja. Nëse këto ndjesi të holla i binden tërësej Allahut (xhel’le xhelaluhu), vetëm atëherë mund të quhemi besimtarë të palëkundur të Tij.
Vetitë që ne duhet të kërkojmë te një mësues shpirtëror duhet të jenë përherë këto: para së gjithash, një mësues duhet të njohë shumë mirë shkencat pozitive të epokës në të cilën jeton dhe të përpiqet që të ofrojë zgjidhje për problemet e të tjerëve që e rrethojnë, duke i vënë në praktikë këto dije të përftuara. Vetëm nëse do të jetë i këtillë do të mund t’u ofrojë shërim plagëve fizike dhe shpirtërore që konsiderohen të pashërueshme dhe zemrat e vdekura – me lejen dhe ndihmesën e Allahut – ringjallen e kthehen sërish në jetë. Në të njëjtën kohë, një mësues duhet të jetë i përgatitur sa më mirë që të mund t’u ofrojë shpjegime të gjitha dyshimeve dhe lëkundjeve që mund të vërë në pah filozofia dialektike. Dhe, krahas kësaj, ai duhet ta këshillojë nxënësin që ta përmendë sa më shumë Allahun (xh.xh.), duke pasur gjithnjë parasysh gjendjen e tij shpirtërore e emocionale në lidhjen e tij me Zotin. Sepse kjo është një ndër përgjegjësitë kryesore të tij, së cilës nuk mund t’i shmanget. Përmendja që duhet t’i sugjerojë të jetë ajo që është më e përshtatshme për natyrën dhe karakterin e tij dhe t’ia ofrojë atë atij në një vëllim të përballueshëm nga ai.
Në fakt, Allahun mund ta përmendë kushdo, si të jetë i lidhur me ndonjë mësues shpirtëror, si të mos jetë. Disa mendojnë se duhet leje e posaçme për të lexuar “Uirdet e Shenjta”, apo “Uirdet e Shah Nakshibendit”. Unë nuk e kam hasur askund një kufizim të kësaj natyre, as në Kuran, as në Sunet, as në konsensusin e përgjithshëm e as në jetën e të parëve tanë të mbarë. Dhe, të them të vërtetën, ky më duket më shumë si një pretendim i pabazë. Nuk ka nevojë për kurrfarë lejeje që t’i lutesh Krijuesit tënd, t’i përgjërohesh e të vajtosh i kapluar nga pendesa, duke iu drejtuar Atij. Kjo ka qenë rruga që na ka mbetur si shembull prej Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), sahabëve të Tij fisnikë, apo nga të parët tanë të mbarë.
Mirëpo ka diçka që duhet pasur parasysh, që nuk është shumë e përshtatshme që të jetë e dyshimtë nëse nxënësi arrin që t’i kryejë dot ato përmendje që i janë kërkuar të lexojë. Ai duhet ta kryejë çdo ditë detyrën që i është ngarkuar, në mënyrë që të mos ketë dy ditë që të jenë të njëjta me njëra-tjetrën. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) tregohej shumë i kujdesshëm në këtë pikë. Nëna jonë, Aishja besnike (radijallahu anha) na transmeton se ata do ta kryenin medoemos gjatë ditës atë adhurim nate që e kishin caktuar ta kryenin, por që u qëllonte që të mos e kryenin dot gjatë natës. Ata kujdeseshin aq shumë edhe për sunetet e pesë kohëve të namazit, saqë në librat e haditheve të besueshme rrëfehet kjo ngjarje: Një ditë, Profeti ynë fali dy rekate namaz pas namazit të ikindisë. E kur e pyetën se ç’namaz ishin ato dy rekate, Ai u qe përgjigjur: “Pati ardhur një grup nga një vend i largët. Duke qenë se isha me ta nuk arrita që t’i falja dot dy rekatet sunet të fundit të namazit të drekës, kështu që i zëvendësova tani.”
Kur në asnjërin prej librave të jurisprudencës islame nuk thuhet që të falen e zëvendësohen namazet shtesë nëse koha e tyre ka kaluar. Mirëpo Ai shpirt i madh, që ishte aq i ndjeshëm dhe delikat në ruajtjen e lidhjes me Allahun (xh.sh.), përpiqej që ta forconte e ta thellonte edhe më tej atë lidhje, në mënyrë që ajo të ishte sa vjen e më fortë, nga dita në ditë.
Po, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) e vazhdonte pa ndërprerë diçka që e kishte nisur njëherë. Edhe ne, nëse arrijmë që ta lexojmë dot një Xheushen të plotë gjatë një dite, ta lexojmë. Edhe nëse nuk e lexojmë dot një herë, nga fillimi deri në fund, ta ndajmë, një pjesë në mëngjes, një në drekë dhe një në darkë. Por nuk lejohet as minimuni i diskutimit nëse duhet apo jo një përmendje e këtillë gjatë një dite, andaj ne duhet t’i vendosim vetes një program, ta planifikojmë mirë kohën dhe ta vazhdojmë këtë traditë duke lexuar përditë.
Kufiri minimal për të shpëtuar
Pyetje: Si duhet t’i kuptojmë fjalët e Bediuzamanit të nderuar, i cili na thotë: “një orë është më se e mjaftueshme për të falur pesë kohët e namazit, apo si “në kohën tonë mjafton braktisja e mëkateve të mëdha dhe kryerja e detyrimeve dhe një besimtar do të ketë shpëtuar”?
Përgjigje: Marrësi i vërtetë i mesazhit të fjalisë: “Një orë e vetme është e mjaftueshme për faljen e pesë kohëve të namazit, përfshi edhe abdesin.” i drejtohet besimtarit që e sheh namazin si një barrë dhe që beson se do të ketë lënë punën pas dore duke e përdorur kohën për të kryer këtë adhurim. Nuk do të ishte e drejtë që kjo fjali të shihej si e drejtë edhe për një njeri që i fal rregullisht të gjitha kohët e namazit. Megjithatë, kur trajtohet nga Bediuzamani i nderuar në librin e tij, “Fjalët”, prej nga është marrë edhe fjalia e parë më sipër, ajo u drejtohet atyre që nuk e falin namazin.
Dhe, nga kjo fjali kuptojmë se – njësoj siç ndodh me nxënësit apo nëpunësit që gjenden në krye të detyrës – ajo kërkon që t’u bëjë të ditur njerëzve se u është lejuar edhe që të kufizohen vetëm
me marrjen e abdesit dhe të falin veç farzet e tyre në të pesë kohët e faljes. Ky njeri, nëse do të falë vetëm pesë farzet, duke marrë edhe abdesin, një orë për të do të ishte e mjaftueshme. Pra kemi të bëjmë me një rrethanë lehtësuese për ata që nuk kanë arritur që ta njohin dot shpirtin e namazit, që nuk marrin kënaqësi nga kryerja e adhurimeve karshi Allahut dhe që, për më tepër, nuk e kanë kuptuar as vuajtjen dhe shqetësimin që të shkakton mungesa e namazit, sikur të ishte një rishkrim i principit: “Lehtësoni, mos vështirësoni; bëjuani të dashur, mos i bëni që ta urrejnë.”
Ndërsa shprehja që zë pjesën e dytë të pyetjes suaj është sihariqi se do të jenë të shpëtuar të gjithë ata njerëz që mjaftohen vetëm me heqjen dorë nga mëkatet e mëdha dhe kryejnë vetëm farzet që i janë shpërfaqur njeriut si obligim. Dhe, për ta ndriçuar pak më tej këtë çështje, do të doja të sillja një shembull nga Koha e Lumturisë. Një ditë, një beduin vjen pranë Profetit Fisnik dhe i kërkon që t’i mësojë atij fenë e Allahut (xh.sh.). Ndërkaq, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ia mëson atij kushtet themelore të Islamit, mirëpo kur u largua nga i Dërguari i Allahut, beduini pati thënë nën zë: “Pasha Zotin, unë nuk bëja as më shumë e as më pak se kaq.” Krenaria e Njerëzimit, që i pati dëgjuar fjalët e tij, pati thënë se “ai ka shpëtuar nëse thotë të vërtetën.”
Siç kuptohet edhe nga kjo ndodhi, i Dërguari i Allahut (pqmT) ka përdorur fjalët “Nëse thotë të vërtetën, ka shpëtuar” për një njeri që thotë se “do të kryejë vetëm farzet dhe asgjë më shumë.” Sepse dihet që njerëzit e Sunetit dhe të Xhematit kanë parë besimin si kushtin themelor për shpëtimin e një njeriu. Por edhe adhurimi është një kriter shumë i rëndësishëm. Nëse fjala e fundit që thotë në këtë botë e dikujt është “La ilahe il’lallah Muhammedun resulullah”, duke e dorëzuar me besnikëri amanetin që i është lënë vetëm për në këtë jetë, do të shpëtojë si rrjedhojë e mirësisë së Allahut (xhel’le xhelaluhu). Edhe ne shpresojmë që kushdo që largohet nga kjo botë duke përsëritur fjalën e dëshmisë me besnikëri ndaj Allahut, me lejen e Tij, do të ketë shpëtuar. Megjithatë, prapëseprapë, ka shumë hadithe të bekuara që përsërisin se do të ketë llogaridhënie për ata njerëz që i braktisin me dashje adhurimet që duhen kryer ndaj Krijuesit të Madhërishëm.
Ka edhe një tjetër pikë shumë të fortë, mbi të cilën mbështetet ky shpjegim i devotshmërisë nga ana e Bediuzamanit të nderuar: Në ditët e sotme është shumë e vështirë që të përjetohet një devotshmëri e të njëjtit botëkuptim me atë që është përjetuar në kohët e shkuara. Të rinjtë e sotëm do të mund të hyjnë në rrethin e devotshmërisë edhe me kryerjen e farzeve dhe largimin prej të gjitha mëkateve të mëdha dhe, me mirësinë e Allahut, dashtë Ai, do të shpëtojnë. Mirëpo kushdo që arrin sadopak ta kuptojë thelbin e kësaj çështjeje, që e ndien se si të vërtetat e besimit bëhen me krahë brenda ndërgjegjes së tij, është përgjegjës për ta jetuar jetën me një devotshmëri të përsosur ndaj Allahut, distancim të menjëhershëm nga mëkatet dhe drejtim të plotë kah Ai (xh. sh.). Domethënë, në njëfarë mënyre, kjo tregon edhe minimumin e përpjekjes që duhet të gjendet te njerëzit që duan të jetojnë denjësisht Islamin. Ndërsa maksimumi i kësaj çështjeje është ky: njeriu duhet t’i kryejë të gjitha farzet, të ruhet prej mëkateve të mëdha, të qajë e të përgjërohet edhe për ndonjë mëkat të vogël në të cilin mund të rrëzohet, të mos këmbëngulë në atë mëkat dhe të ruhet madje edhe prej gjërave të dyshimta, duke u përpjekur që të jetojë e të përfaqësojë një model jetese shpirtërore veçse brenda së vërtetës, e cila dihet se të shkon drejt shkallëve më të larta drejt Allahut (xh.sh.).
Mirëpo kur ia shpjegojmë publikut të përgjithshëm këtë temë, apo kur gjendemi në bisedë me njerëz për të cilët kjo është një temë krejtësisht e huaj, jemi të detyruar që ta trajtojmë sa më objektivisht të jetë e mundur. Dhe kjo bëhet duke përsëritur të njëjtën këshillë që na vjen prej pozitave më të epërme, si ajo që Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) i jep beduinëve që vijnë të mësojnë prej tij: “Nëse i kryeni farzet dhe i braktisni mëkatet e mëdha, atëherë me lejen dhe mirësinë e Allahut do të shpëtoni.” Zaten, pas njëfarë kohe ky njeri do ta kuptojë se nuk mund të mjaftohet vetëmse me aq dhe do ta detyrojë veten që të bëjë më shumë. Prandaj, nëse një besimtar i fal farzet dhe i qëndron larg mëkateve të mëdha për më shumë se pesë apo dhjetë vite dhe nuk bën asgjë tjetër përveç këtyre, kjo do të thotë se ai nuk ka ngjitur dot asnjë shkallë më sipër në shkallët e robërimit të tij karshi Allahut. Një besimtar që fal namaz për njëzet vite me radhë dhe që nuk e ka kuptuar ende shijen e veçantë të natës, nuk e ka shijuar ende ëmbëlsinë e agimit dhe nuk i vjen që ta qëllojë veten me grushte kur i ikën një prej kohëve të namazit, do të thotë se nuk ka hyrë dot ende në dhomën e njerëzve të afërm, por ka ngelur si një mysafir i kahershëm që shëtit nëpër korridor.
Me pak fjalë, ndryshe është gjendja e njeriut që sapo është zgjuar ndaj të vërtetave të besimit dhe të Islamit dhe ndryshe është gjendja e atij që ka arritur drejt horizontit të të qenit rob i Allahut me bindjen se edhe pse ai nuk e sheh Allahun, është Allahu që është duke e parë atë. Feja islame u drejtohet njësoj që të dyve. Ashtu siç përfitojnë mësuesit shpirtërorë më të mirë, ashtu mund të përfitojë shumë edhe një beduin që nuk di kurrgjë rreth përmbajtjes së fesë. Ne nuk kemi se ç’t’i themi dikujt që këmbëngul dhe këmbëngul se “unë nuk do të heq dorë prej beduinizmit deri në fund të jetës.
Kalimi në dimensionin metafizik të ekzistencës
Pyetje: Siç tregojnë të varfrit indianë, thuhet se njerëzit që bëjnë joga arrijnë që të përjetojnë gjendje të jashtëzakonshme. Çfarë mund të na thoni lidhur me këtë?
Përgjigje: Kjo dhe çështje të ngjashme me të janë trajtuar gjerësisht edhe në librin “Dimensioni metafizik i ekzistencës”. Megjithatë, për respekt të pyetësit do të përpiqem që të ndalem përmbledhtas e të them nja dy fjalë mbi këtë çështje.
Çështjet si qëndrimi i një njeriu për një kohë shumë të gjatë pa ngrënë, mbajtja e zjarrit në dorë, apo ngulja e një shtize tej për tej trupit janë trajtuar shumë herë nëpër mjedise të ndryshme. Për shembull, spiritualistët e shohin këtë si forcën e jashtëzakonshme që zotëron shpirti. Sepse nëse shpirti i shkëput krejtësisht lidhjet me fiziken, truporen dhe kafshëroren që e shoqëron, atëherë fiton një forcë të jashtëzakonshme, të mbinatyrshme. Disa i quajnë këto gjendje edhe si fuqi që Allahu (xhel’le xhelaluhu) ua ka dhënë disa njerëzve të caktuar, në mënyrë që ata të mund ta dëshmojnë vërtetësinë e shpirtit, pavarësisht trupores që e karakterizon qenien njerëzore. Kurse mistikët e trajtojnë kështu këtë çështje: Njeriu është dual, ka një anë të tij engjëllore dhe anën tjetër djallëzore dhe të dyja këto zhvillohen njëra në raport me tjetrën. Për shembull, me adhurimin, duke ia dhënë zemrën Allahut dhe duke komunikuar me botët e amshuara, njeriut i zhvillohen tej mase shpirti dhe shqisat e brendshme të tij. Dhe sa më shumë që i fuqizohet bota e brendshme aq shumë i pakësohet lidhja me jetën trupore, materiale dhe kafshërore.
Këto nuk janë gjëra që përjetohen vetëm nga dikush që bën joba. Gjendje të këtilla dhe të ngjashme me to i shohim edhe mes mistikëve. Mirëpo në misticizëm ato ndodhin sipas kritereve islame të kësi përjetimeve. Për shembull, në tarikatin e Ahmed Rifaiut, njësoj siç ndodh me ata që kryejnë joga, egoja torturohet dhe bëhet të vuajë sa më shumë që të jetë e mundur. Për shembull marrin një shtizë dhe e ngulin në trup, duke e kaluar tejpërtej. Shtiza del në anën tjetër, mirëpo atij nuk i del as gjak dhe nuk shfaq as shenjën më të vogël të dhimbjes. Poashtu ata marrin në dorë zjarrin, e vënë në gojë, e çojnë nëpër fytyrë, mirëpo nuk digjet asfare. Normalisht duhet që lëkura e tyre të digjet nga zjarri, mirëpo zjarri nuk e djeg një trup të tillë. Dhe kjo është një situatë e mundur vetëm kur njeriu rezonon me një botë të caktuar. Sepse, në vetvete, kjo nuk është asgjë më shumë se sa një situatë, një gjendje e caktuar. Dhe nëse do ta quajmë gjendje, atëherë rruga përmes së cilës ajo shpërfaqet është përvoja.
Këtu dua t’ju tregoj një histori. Gjendja e mosdjegies në zjarr është një gjendje që ne e dimë se si e ka përjetuar edhe Profeti Ibrahim (alejhis’selam). “Ne e urdhëruam zjarrin: ‘Mos e prek Ibrahimin! Ji i freskët dhe i paqtë me të!’” është ajeti që na e tregon dhe, pas këtij urdhri, zjarri nuk e prek Ibrahimin e nderuar. Allahu i jep urdhër zjarrit dhe zjarri nuk e djeg Ibrahimin. Mirëpo këtu është e një rëndësie edhe më të veçantë reagimi dhe sjellja që tregon Profeti Ibrahim (a.s.). koha mes hedhjes në zjarr dhe mosdjegies së zjarrit është pikërisht koha kur ai zhvishet krejtësisht prej trupores dhe kafshërores së trupit njerëzor.
Ibrahimin e nderuar (alejhis’selam) e kanë vënë në karamanjollë
dhe po pret që ta hedhin në zjarr. Ndërkohë nga qiejt zbret një engjëll dhe i thotë: “Zoti yt të përshëndet. Më urdhëroi, që nëse do, unë mund ta bëj shkrumb e hi këtë zjarr.” Mirëpo ja se cila ishte përgjigja e Ibrahimit (alejhis’selam) ndaj fjalëve të engjëllit: “Nuk ka dyshim se Zoti im është në dijeni të kësaj që po ndodh. Atëherë unë pse t’i ankohem e t’i kërkoj ndihmë dikujt tjetër.”
Pas pak engjëlli vjen dhe i thotë: “O Ibrahim! Unë jam engjëlli i Zotit, që më ka caktuar të kontrolloj erërat. Nëse do mund t’i sjell erërat këtu dhe ta zhduk së këndejmi këtë zjarr.” Mirëpo, përgjigjja e Ibrahimit (alejhis’selam) është po ajo. Pikërisht në çastin kur do ta hidhnin në zjarr, aty kësaj here vjen Xhebraili (alejhis’selam) dhe e pyet nëse ka ndonjë nevojë. Miku i Zotit i përgjigjet: “Zoti im i di më mirë se unë nevojat e mia. Allahu më mjafton mua.”
Këto fjalë tregojnë për një afri të jashtëzakonshme me Zotin. Ibrahimi (alejhis’selam) i merr nëpër këmbë të gjitha shkakësitë, madje edhe në çastin kur janë duke e marrë për ta hedhur në zjarr, i shkel me këmbë dhe aty shfaqet një nga të fshehtat e emrit “Ehad” (Një dhe i Vetëm) të Allahut, pikërisht përmes dritës së njëjësisë.
Teksa e shpjegojnë këtë gjendje, mistikët tregojnë këtë histori lidhur me Hallaxhin: miqtë e tij shkojnë në burg për ta vizituar pak çaste para se ta varin, mirëpo shohin se portat janë të kyçura, mirëpo Hallaxhi nuk duket asgjëkundi. Kur vijnë ditën tjetër shohin se aty nuk ekziston më as burgu vetë. Ndërsa ditën e tretë i gjejnë aty, si burgun, ashtu edhe Hallaxhin të izoluar brenda. Kur e pyesin se si është e mundur diçka e këtillë, Hallaxhi u jep atyre këtë përgjigje:
Ditën e parë pata shkuar që të vizitoja Atë. (Me fjalët e Nesimit, hapësira m’u shndërrua në johapësirë.) Ditën e dytë erdhi Ai e u shfaq këtu, ndaj u zhduk burgu. Ndërsa sot jemi të dy këtu dhe unë do të shlyej dënimin sipas sheriatit të shkeljes që kam bërë.
Po, Ibrahimi i nderuar (alejhis’selam) ishte larguar prej kafshërores dhe trupores së egos dhe mendjemadhësisë, andaj zjarri nuk e pati prekur. Sepse njeriun zvarrë e marrin truporja dhe kafshërorja brenda ekzistencës së tij. Kur arrin që ta hedhë tej petkun e rëndë të tyre, aty ligjet e kimisë dhe fizikës zhbëhen, duke e humbur çdo ndikim. Dhe, brenda rrjedhës së kohës, kjo i ngjan kësaj situate: shtëpia, familja, pasuria, ta zëmë se gjithë ç’keni e merr një përmbytje e madhe. Rrëkeja e përmbytjes ka një dimension të vetin të rrjedhës, perimetër, gjatësi dhe thellësi të caktuar. Mirëpo, fare pa pritur, ju t’ju rrëmbejë një fuqi më e madhe dhe t’ju nxjerrë nga rrjedha e përmbytjes. Aty ju nuk do të jeni më të rrezikuar prej mbytjes.
Po kështu, edhe zjarri e djeg njeriun brenda disa dimensionesh të caktuara, ashtu siç uji e mbyt brenda disa dimensionesh të caktuara. Në të njëjtën mënyrë, duhen përmbushur një sërë kushtesh që mungesa e ajrit të mund ta vrasë njeriun. Për shembull, Profeti ynë Fisnik (alejhis’salatu ues’selam) del jashtë atmosferës me trupin e Tij, mirëpo mungesa e ajrit nuk ka se ç’t’i bëjë. Sepse Ai nuk gjendet më në të njëjtat dimensione me ato që jetojmë ne normalisht. Prandaj, siç e ceka edhe më parë, ashtu siç njeriu mund të mbrohet prej cilësisë djegëse të zjarrit, apo prej cilësisë mbytëse të ujit, poende mund të arrijë që të shpëtojë edhe prej kufizimeve të këtyre dimensioneve në të cilat jetojmë, falë lidhjes me Allahun dhe me forcën e fuqinë e fituar së andejmi, të cilën ai e konsideron të shenjtë, shpëton prej ndikimit të materies mbi të.
Dyert drejt botëve të panjohura mund t’i hapen çdokujt që i zhvillon sadopak ndjesitë e holla njerëzore që gjenden brenda tij. Ai do të dijë disa gjëra më shumë, me lejen dhe mirësinë e Allahut dhe do të mund të dëshmojë shumë të tjera që jo gjithkush mund t’i dëshmojë. Dhe kjo është një çështje që nuk ka të bëjë asfare me të qenët fetar, i pafe, mysliman, i krishterë apo jude. Ai që arrin t’ia përftojë vetes ekzistencën përmes shfaqjes së forcës dhe fuqisë së shpirtit, cilidoqoftë ai, Allahu (xh.sh.) do t’ia falë një ditë këtë privilegj. Megjithatë dua të rikujtoj edhe njëherë se këto nuk kanë kurrfarë vlere në vetvete, sepse i vetmi qëllim në vetvete duhet të jetë vetëmse kënaqësia e Allahut.
Po, siç e përmenda edhe më sipër, më shumë detaje rreth kësaj teme i kam shprehur edhe më parë në librin “Dimensioni metafizik i ekzistencës”, duke dhënë shumë shembuj edhe nga mistika, ku jam ndalur veçanërisht edhe te ekzistenca e aftësive të veçanta hyjnore që Allahu mund t’u falë besimtarëve të Tij të dashur. Por edhe ky përbën një diskutim që dua t’ia vë pikën duke e përsëritur edhe njëherë: Kjo është një gjendje dhe askush që nuk e ka shijuar ndonjëherë nuk mund ta njohë atë. Dhe, kur vjen puna tek të paditurit që nuk dinë se ç’thonë dhe që nuk e dinë se ç’është çlirimi i kufijve kohorë dhe hapësinorë, shumë-shumë, do të flasin rreth kësaj çështjeje e asgjë më tepër.
Mendjemadhësia është pengesë për besimin
Pyetje: Thuhet se mendjemadhësia është pengesë për besimin dhe se nuk të lë që të bësh përpara. Si mund të shpëtohet nga mendjemadhësia?
Përgjigje: Mendjemadhësia është të parit e vetes më lart dhe me më të madh se të tjerët; ta shohësh veten në pozita shumë më lart nga ato që meriton vërtet. Njeriu mund të shpëtojë nga krenaria vetëmse duke e forcuar më tej besimin. Sepse syri i njeriut që i forcohet besimi hapet ndaj së vërtetës dhe ai njeri e kupton se vetëm Allahu është i lartësueshëm.
Në një hadith kudsi, Allahu i madhërishëm thotë: “Lartësimi është veshja ime e sipërme, ndërsa madhështia e poshtmja.” Sipas këtij hadithi, njeriu që është mendjemadh hyn në një lloj gare me Allahun (xhel’le xhelaluhu), duke kërkuar edhe ai pjesë prej cilësisë së “hyjnores”. Prandaj edhe Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) është thoshte: “Ai që ka qoftë edhe një grimcë të vetme mendjemadhësie në zemër nuk mund të hyjë në Xhenet.” Dhe që këtej duket fare qartë se si mendjemadhësia është një sëmundje mund të të gënjejë e të të bëjë të devijosh që në fillimet e të besuarit. Por është edhe një virus po aq i rrezikshëm për besimtarin, sepse nuk e lejon atë që të bëjë dot ndonjë hap përpara. Mendjemadhësia dhe besimi nuk mund të jetojnë dot në të njëjtin vend. Dhe, deri më sot, nuk është parë që nga mesi i njerëzve që ushqejnë një krenari të tepruar për vetveten të dalë ndonjë njeri i zgjedhur i Zotit, sepse një mendjemadh, edhe pse mund të jetë besimtar, ai njeri nuk mund të përparojë dot në besimin e tij, duke rënë kështu fli e krenarisë së vet.
Ka disa njerëz, që, duke u nisur nga fakti që njerëzit i kanë njohur njëfarë pozite dhe posti si rrjedhojë e një vargu aftësish të veçanta që mund të ketë ai njeri, mund të dashurohen verbërisht pas pozitave që u ka dhënë mirëpandehma e njerëzve. Ata fillojnë të pandehin se petku që u është veshur u përket atyre me të vërtetë. Ky tip njerëzish – Zoti na ruajtë! – mund të humbin njëherë e përgjithmonë. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) na ka këshilluar se “Allahu e lartëson atë që tregohet i thjeshtë”, duke na ofruar kësisoj kriterin e përparimit të njeriut në rrugëtimin drejt kënaqësisë së Allahut. Nëse njeriu e sheh veten më poshtë se gjithë të tjerët, kjo do të thotë se ai është i destinuar për t’u lartësuar nga Krijuesi i natyrës së tij. Kjo është një e vërtetë, të cilën Bediuzamani i nderuar e shprehte kështu: “O njeri, që egoja të ka marrë çiftelinë dhe kokën ta ka rrëmbyer mendjemadhësia! Ky është ekuilibri që duhet të dish: në shoqërinë njerëzore, në ndërtesën e saj shoqërore, ka një dritare nga e cila ti shikon të tjerët e të tjerët të shohin ty. Nëse dritarja është shumë më lart se sa je i gjatë ti, do të të duhet të zgjatesh, të kërcesh, me mendjemadhësi, që të mund të shohësh e të të shohin; nëse qëndron më poshtë, atëherë t’i mund të përkulesh, të shohësh e të të shohin edhe të tjerët. Te njerëzit e përsosur masa e madhështisë është vogëlsia, ndërsa te të mangëtit madhështia është peshorja e vogëlsisë.”
Ndërkohë, në vijim të hadithit të mësipërm, i Dërguari i Mendjemadhësia është pengesë për besimin Himn Pranveror 165 Allahut thotë: “Dhe këdo që e kaplon mendjemadhësia Allahu di si ta shkatërrojë atë.” Në vetvete askush nuk është i madh. Qysh në krye, njeriu është krijuar nga një pikë uji të pistë. Ndërsa fundin e ka mes një grumbulli kockash ku ligjin e bëjnë krimbat. Pra, njeriu është mes dy ndyrësish të këtilla dhe vetëm falë rrezatimeve që vijnë prej Allahut (xh.sh.) arrin që të përfitojë prej sekretit të krijimit për të qenë krijesa më e përsosur. Ndërsa ‘mendjemadhësia’ që përdoret në hadithin e bekuar është ajo mendjemadhësi që ka të bëjë me shfaqjen e vetes me të madh përmes rrugësh artificiale. Me një fjalë, njeriu që e shet veten për të madh është i vogël në vetvete. Sepse nëse njeriu do të kishte ndofarë madhështie, dihet se kjo është e mundur vetëm sajë lidhjes dhe marrëdhënies së fortë me Allahun (xhel’le xhelaluhu). Andaj edhe në njërin prej shumë ajeteve kuranore thuhet: “Ai që i meriton më së shumti qerasjet dhe mirësitë e Allahut është ai që është më i devotshëm ndër ju.”98
Siç e vëreni, në ajet nuk thuhet “ai që është më i madhi”, por “ai që i meriton më së shumti qerasjet dhe mirësitë e Allahut”. Njeriu fiton madhështi për aq sa ç’është i devotshëm karshi Krijuesit të tij. Mirëpo kjo nuk është madhështi e individit në vetvete. Ndoshta edhe kur e sheh veten si një “kitmir” pranë portës së Allahut, ky mund të jetë një vlerësim a kompliment i madh që i vjen nga ana e Allahut. Njeriu do ta vërë kokën mbi pragun e portës së Tij, njësoj si një ‘kitmir’ – siç e thotë edhe imami i Allvarit – dhe do të buçasë si ujërat me rrëmbim. Do të qajë si Ejubi e do t’i çahet mushkëria nga të qarët, që Allahu ta kapë për dore dhe t’i thotë: “Jo, ti nuk je i tillë, ti je një pasqyrë shumë e vyer e imja, që kush sheh në të më sheh Mua”, duke e nderuar dhe vlerësuar vetëm ashtu siç e ndien ai veten të vlerësuar. Tani, nëse njeriu vazhdon të tregohet mendjemadh edhe pse është i vetëdijshëm për natyrën e tij, atëherë është e kuptueshme se tek ai njeri nuk gjendet kurrfarë ekuilibri.
Vetëpëlqimi – siç u shpreha edhe më sipër – është që ta shfaqësh veten me të madh kur nuk je i tillë, duke i parë të tjerët poshtë vetes. Nëse njeriu bie pre e artificializmave dhe kërkon të duket si i madh – siç e thotë hadithi – Allahu e shkatërron, e zhyt atë edhe më thellë në tokë. Edhe sikur të jetë besimtar, ky njeri e ka të pamundur që të përparojë. Dhe, për sa kohë që nuk bën asnjë hap përpara edhe rrugëtimin për në botën tjetër do ta ketë duke u zvarritur. Në këtë këndvështrim, mendjemadhësia është parë si një ndër shkaqet kryesore të mosbesimit. Sepse një njeri që nuk e hedh dot tej ndjesinë e madhështisë, edhe nëse nuk ka hyrë në atmosferën e besimit, e ka të pamundur që të ketë fatin e përftimit të frymës së besimit. Ashtu siç nuk pati besuar dot lideri i hipokritëve, Abdullah ibni Ubej ibni Selul. Ai ishte njeri shumë i zgjuar dhe i ditur që e kalonte pjesën më të madhe të ditës me hebrenjtë dhe që i njihte shumë mirë, si Ungjillin, ashtu edhe Teuratin. Priste që ta caktonin udhëheqës të Medinës, pikërisht sepse bartte këto cilësi. Pikërisht në atë kohë, me të lindur Dielli i Vërtetë në Medinën e Shndritshme, u fik edhe qiriri i gënjeshtarit. Ja, kështu pati nisur problemi i mospranimit të Abdullah ibni Ubejit. Nuk do ta mundte dot kurrë mendjemadhësinë që kishte përbrenda, duke ushqyer veç urrejtje për të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Njeriu që i pëlqen vetja, edhe nëse arrin në ndonjë majë, as që mund të mendohet se do të mund të rrijë dot gjatë aty, sepse me kalimin e kohës rënia do të jetë e pashmangshme.
Bediuzamani i nderuar thotë se “nijeti për thjeshtësi e shfaq atë, ndërsa nijeti për madhështi e zhbën atë.” Madhështia nuk arrihet duke e pasur si qëllim; ajo ose është ose nuk është në shpirtin e njeriut dhe nëse është, ajo është kthyer në ves të tijin. Ai është mendjemadh dhe është helmuar tashmë prej helmit të saj. Poende edhe thjeshtësia ose gjendet në shpirtin e njeriut ose jo dhe çfarëdolloj gjëje që të zotërojë ai njeri, prapë si të thjeshtë do ta shihni. Nëse ka arritur që t’ia bëjë vetë llogarinë vetes, duke e kontrolluar mirë botën e vet të brendshme dhe ka arritur që të Mendjemadhësia është pengesë për besimin Himn Pranveror 167 thotë se “unë jam më i vogli ndër njerëz”, atëherë kjo tregon se ai ka arritur që ta ruajë vlerën e vet. Një ditë, teksa shohin nja dy këlyshë duke luajtur me njëri-tjetrin, nxënësit e Mevlanës shkojnë tek ai dhe i thonë: “Shikojini pak se sa të dashur janë; si luajnë me shoshoqin.” Mevlana i dëgjon këto fjalë dhe u përgjigjet: “Provoni t’u hidhni aty ndonjë kockë dhe pastaj shikojini se sa të dashur do të tregohen!” Po, edhe gjendjen e vërtetë të një njeriu atëherë mund ta kuptoni, kur t’i ketë thumbuar ndonjë gjilpërë në egon e tyre. Sepse morali i stisur, i arritur përmes mendjes vetëm sa për t’u dukur mirë në sytë e njerëzve është shumë ndryshe nga morali i vërtetë që fshihet brenda natyrës së njeriut.
Përsa i përket kësaj çështjeje mund të dallojmë dy lloje njerëzish. Njëri syresh nuk është i ndershëm. Kur është vetëm nuk u vë asnjë lloj kufizimi syve dhe sheh ç’t’i zënë sytë, por kur është me shokët afër i ul sytë poshtë, për t’u dukur i ndershëm në sytë e tyre. Kjo është thjesht artificiale, një sjellje e stisur. Ndërsa tjetri është ai që edhe po t’i rrëshkasë syri drejt pamjeve të mëkatit, e torturon ndjenja e pendesës aq sa nuk sheh zgjidhje tjetër pos drejtimit kah Allahu (xhel’le xhelaluhu) me fjalët: “Aman, o Zot, unë gabova.” Ky është i sinqertë, i natyrshëm. Sepse njeriu mund të bjerë edhe në mëkat. Mirëpo rënia në sjellje të stisura, artificiale, kundrejt një mëkati përbën një mëkat më të madh edhe se ai vetë.
Kështu që, edhe nëse njeriu pretendon, apo bën nijet që të shfaqet si më i madh se ç’është në të vërtetë, madhështia e tij nuk do të jetë asgjë më tepër se sa një mendjemadhësi artificiale dhe e sajuar. Dhe mendjemadhësia e shfaqur artificialisht (përpjekja për t’u mbajtur me të madh) pranohet edhe si kryelartësi. Me pak fjalë mund të kuptohet edhe si një detyrim që ia kërkon pozita apo detyra që të shfaqet i atillë. Për shembull, një hoxhë, teksa përsërit mësimin; një gjyqtar teksa jep vendimin në gjyq; një oficer teksa i mvesh vetes një sjellje të caktuar për të arritur disiplinën e kërkuar mes ushtarëve të tij, nuk mund të quhet mendjemadhësi, sepse ajo është veçse kryelartësia dhe serioziteti që kërkon pozita, apo profesioni, që ai përfaqëson. Kjo është e domosdoshme dhe nuk mund të cilësohet si mëkat. E atillë është edhe thjeshtësia. Njeriu e shkel dhe sprovon thjeshtësinë kur nijeti i tij është të shfaqë thjeshtësinë. Dhe kjo do të thotë se ai njeri nuk është njësuar me thjeshtësinë. Sepse, në të vërtetë ky njeri nuk është duke treguar thjeshtësi, por tregohet i dyfytyrë duke e shfaqur veten më të vogël nga ç’është.
Dy aspekte të të Dërguarit të Allahut
Pyetje: Si duhet ta kuptojmë lutjen e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem): “O Zot! Bëmë mua të jetoj i varfër, ma merr jetën si i varfër dhe si të tillë më ringjall!”
Përgjigje: Nëse është thënë diçka e këtillë, atëherë gjëja e parë që duhet të bëjmë është të shohim se ku, në ç’kushte dhe me çfarë qëllimi është thënë, në mënyrë që të kuptohet sa më mirë domethënia e saj. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) thotë: “O Zot! Bëmë mua të jetoj i varfër, ma merr mua jetën si i varfër dhe ringjallmë bashkë me të varfrit!” Ky është një ndër hadithet që janë më të përhapura ndër mistikët e Islamit.
Ata që e bëjnë këtë pyetje ma merr mendja se duan që ta krahasojnë këtë hadith me hadithet që bartin një domethënie të përkundërt me të tijën. Sepse nëse çohen të gjithë dhe i kërkojnë Allahut “që t’i lërë të jetojnë si të varfër, të vdesin si të varfër dhe të ringjallen si të varfër”, atëherë ringritja e flamurit të krenarisë së Islamit prej një shoqërie të përbërë veç nga njerëz të varfër do të jetë diçka më se e pamundur. Ndërkohë që i Dërguari i Allahut, në një tjetër hadith, gjer në shkallën e hasen-it shprehet kështu: “O Zot! Unë prej Teje kërkoj ndihmë që të më ruash nga uria, sepse është një shok shumë i keq!” E qëndrime të kësaj natyre mund të gjenden në shumë e shumë prej lutjeve që Krenaria e Njerëzimit (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) përsëriste gjatë gjithë ditës: “O Zot, unë tek Ti kërkoj mbrojtje nga vuajtjet dhe trishtimi; nga dobësia dhe përtacia; nga frika dhe duarshtrënguarësia; veçse te Ti mund ta kërkoj mbrojtjen prej daljes i humbur dhe dëmit të armikut.”
Dhe në shumë ajete kuranore do të vëreni gjithnjë dy anë të Profetit tonë (paqja e Zotit qoftë mbi Të). Për shembull, në ajetin e fundit të sures Fet’h, ku thuhet se “Muhamedi është i dërguari i Allahut. Ata që janë bashkë me të janë shumë të vendosur, të ashpër dhe trima karshi mohuesve; ndërsa ndaj miqve thjeshtësia ua ka ulur krahët gjer në tokë, sepse ata janë modestë...” Ta kesh fytyrën zëre përdhe karshi besimtarëve dhe të jesh krenar, kryelartë dhe i ashpër karshi mohuesve inatçorë është një shprehje e pastër e qëndrimit prej myslimani. Dhe të dyja këto anë, këto gjendje, do t’i shihni të përfaqësuara dhe të mishëruara më së miri te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem).
Sahabët fisnikë tregojnë se ata qëndronin pas të Dërguarit të Allahut, për t’u mbrojtur kur beteja fillonte të egërsohej tejmase. Po njësoj, edhe në Hunejn, a nuk na tregohet se si i grah me galop kalit të Tij, aq sa Abasi i nderuar (r.a.) e ka shumë të vështirë që të mund ta kontrollojë dot kalin e vet. Madje, në ato çaste, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) flet me një zë buçitës: “Unë jam i Dërguari i Allahut dhe këtu nuk ka asnjë gënjeshtër. Vij prej sojit të Abdulmuttalibit, jo prej ndonjë tjetri dhe edhe në këtë nuk ka asnjë gënjeshtër.” Ku ta dimë, ndoshta edhe fisin e kishte të atillë që t’i kishte hije Atij...
Por, përpos anës së trimërisë, Profeti ynë (pqmT) kishte edhe një aspekt tjetër, që ishte ai i të qenit një njeri ndër njerëzit që i Dy aspekte të të Dërguarit të Allahut Himn Pranveror 171 qëndronin pranë dhe thjeshtësia që e karakterizonte gjithmonë. Siç na e tregon Aishja (r.a.), ditën që u ngadhënjye mbi Mekën Ai (pqmT), teksa hynte në Qaben e Allahut (xh.xh.), në qendrën e rruzullit tokësor, dukej aq i përkulur nga ajo thjeshtësi që i lexohej në të gjithë trupin, saqë dukej sikur balli i prekte krelat e kalit. Ndërsa një tjetër sahab e tregon kështu këtë ditë, duke qenë edhe vetë i pranishëm gjatë çastit të hyrjes së Krenarisë së Njerëzimit në Qabe: “i Dërguari i Allahut hante gjithmonë me gjunjtë të përthyer. Kur e pati parë njëherë një beduin duke ngrënë kështu, iu drejtua me këto fjalë: “Ai ha njëlloj si skllevërit.” E kur e dëgjoi, Profeti ynë fisnik (pqmT) iu përgjigj: “Po, sepse unë i atillë jam, një rob i Allahut” Ja, kjo është shprehja më e mirë e këtyre dy anëve krejt të përkundërta, që gjendeshin të ndërthurura aq përkryer te Profeti ynë (s.a.s.).
Me të dyja këto sjellje, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) arrinte të përfaqësonte më të drejtën përmes mënyrës së tij të jetesës. Me njërën prej tyre arrinte që si përfaqësues shpirtëror i Islamit t’i kërkonte ndihmë Allahut (xh.xh.) prej urisë, nevojës, rënies në borxh apo së keqes së armikut, duke i urryer ato njësoj siç një njeri urren gjarpërinjtë dhe nepërkat. Kësisoj ai vepronte në emër të të gjithë umetit të Tij, duke u përpjekur që t’i merrte edhe mohuesit nën përkujdesjen e Tij. Zaten Krenaria e Njerëzimit nuk mund ta pranonte kurrsesi poshtërimin nga asnjë prej mohuesve që e rrethonin.
Në anën tjetër, Profeti ynë ishte më i afërt me ata që ishin më të varfër e më nevojtarë në mesin e besimtarëve. Ky ishte morali që i kishte mësuar Allahu (xh.sh.). Kishte raste kur paria mekase vinin tek i Dërguari i Allahut dhe i thoshin që “t’u thoshte këtyre njerëzve që të iknin pa të hynin ata”. Mirëpo, Profeti ynë jo që nuk e pranonte assesi këtë kërkesë, por edhe trishtohej shumë në thellë brenda zemrës së Tij. Megjithatë nuk di ç’të them, a pati qoftë edhe një fije të hollë ndjesish si ato që mund të ketë çdo njeri i zakonshëm përballë kësi sjelljes, nuk e di... mirëpo ishte Allahu që ndërhynte menjëherë duke zbritur dritë si për ta qetësuar dhe dukej sikur i thoshte: “Ti bëj durim e vazhdo të qëndrosh me njerëz të varfër, që dikur kanë qenë skllevër, si Bilal Habeshiu, Suhejbi Rumiu, Habab bin Ereti, apo si Ammari!”
Ja pra, këto ishin dy anët e Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Sipas disa transmetimeve, te lutja që keni shtuar në fund të pyetjes bëhet fjalë edhe për një pyetje që Aishja (r.a.) i bën të Dërguarit të Allahut: “O i Dërguari i Allahut, pse do që të ringjallesh si i varfër?” dhe Profeti i Allahut i përgjigjet: “Sepse ata do të hyjnë në parajsë dyzet vjet para të kamurve.” Me një fjalë, njerëzit si Bilal Habeshiu do të hyjnë në Xhenet dyzet vjet përpara njerëzve si Ebu Sufjani. Si përfundim, t’ju tregoj një ngjarje që e përforcon domethënien e kësaj trajtese, njëherë, i Dërguari i Allahut thotë për Abdurrahman ibni Aufin: “unë e pashë atë teksa po hynte në parajsë këmbadorazi me të ndenjura nga barra e llogarisë së pasurisë që kishte.” Dhe Abdurrahman ibni Aufi, i cili e mësoi prej Aishes së nderuar (r.a.) këtë gjë e shpërndau të gjithë pasurinë që zotëronte në rrugën e arritjes së pëlqimit hyjnor.
Dhe, si fjalë e fundit, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), nga njëra anë bënte durim dhe tregohej modest me të gjithë të varfrit e nevojtarët në mesin e myslimanëve. Ndërsa në anën tjetër, duke qenë krijesa më e veçantë dhe më madhështore e Allahut (xh. sh.) mbi rruzullin tokësor, sikur të donte që t’i vinte përfund të gjithë mohuesit dhe keqbërësit e Mekës, Allahut i lutej: “O Zot! Te Ti e kërkoj ndihmën që të më mbrosh nga uria, nga poshtërimi, borxhet dhe e keqja e kësaj bote. Mbamë mua sa më larg prej tyre!” Dhe njëri nga këto qëndrime bëhej në emër të përfaqësimit shpirtëror të të gjithë myslimanëve, ndërsa tjetri për veten e Tij karshi myslimanëve.
Të shkosh tek Allahu ende pa u ndarë nga kjo jetë
Pyetje: Mistikët përpiqen që të afrohen, të shkojnë tek Allahu (xh.sh.) ende pa u ndarë nga jeta. A është e mundur që një njeri të afrohet, ta dëshmojë, apo të shkojë tek Allahu ende pa vdekur?
Përgjigje: Të nderohesh me dëshmimin e Allahut, apo e shprehur ndryshe, që të arrish tek Ai është e mundur vetëm përmes kapërcimit të një vargu pengesash të natyrës së dimensioneve. Patjetër që askush që nuk e di se çfarë është misticizmi, nuk ka se si ta dijë thjesht me jetën brenda ligjësive të natyrës dhe mes njerëzve të zakonshëm se çfarë është kapërcimi i dimensioneve. Veçanërisht, tani që materializmi ka vërshuar drejt përmasash marramendëse, mendoj se do të ishte më e volitshme që krahas zemrës dhe shpirtit, të trajtohej edhe mendja dhe gjykimi si aftësi konjitive të njeriut, sepse nuk do të ishte edhe aq e dobishme që të flitej me një gjuhë që shumicës së njerëzve gjërat që do t’i tregonim do t’i dukeshin si produkte të fantazisë dhe imagjinatës. Mirëpo, nëse do të përpiqeshim që ta shprehim me një gjuhë sa më të thjeshtë, që të jetë e kuptueshme nga çdo njeri i zakonshëm, do të shohim se në mistikë kemi të bëjmë me disa etapa, që kanë të bëjnë me rrugëtimin e individit drejt përsosjes personale, të cilat i shohim me këta emra:
Shkalla e parë është shkalla e “sejr ilallah”-ut, ose ngjitja drejt Allahut, dhe do të thotë që të kapërcesh largësinë tënde duke parë drejt Allahut. Ata që i nisen këtij rrugëtimi janë të shumtë, mirëpo shërbëtorët e vërtetë të asaj rruge janë të paktë krahasuar me udhëtarët, megjithëse është një rrugëtim i zemrës dhe i shpirtit i hapur për të gjithë, - që përveç arritjes te Individualiteti i Vetëm, që është përmbledhja e të gjithë emrave të shenjtë – ai është një rrugëtim që nis nga veprat drejt horizontit të emrave e mandej nën hijen e këtyre emrave përfundon duke arritur tek emri i pikës së caktimit të gjithçkaje.
Shkalla e dytë është shkalla e “sejr fil’lah”-ut, ose e thënë ndryshe e thellimit në Allahun (xh.sh.). Te njeriu që e arrin këtë shkallë shfaqet menjëherë shkalla e të ndjerit të vetes kalimtar në Allahun (xh.sh.) dhe, kësisoj, ky njeri e vijon rrugëtimin e tij brenda një rrethi hyjnor. Për shembull, siç konceptohet brenda ndjekësve të Sunetit, udhëtari i kësaj rruge nuk sheh asgjë nga e për veten në gjërat që shikon, por me një përkujdesje, seriozitet e maturi të tejskajshme e realizon udhëtimin me një vetëdije të plotë të të besuarit te llogaridhënia te Allahu (xh.sh.) madje edhe për çdo frymëmarrje.
Kurse shkalla e “sejr minallah”-ut, ose e shprehur ndryshe e udhëtimit me Allahun (xh.xh.), është një gjendje që e përjetojnë vetëm ata që janë të nderuar me profetësinë dhe domethënia e saj është kalimi nga Allahu dhe e vërteta e Tij sërish drejt njeriut. Udhëtari ka mbërritur dhe është larguar, sepse e ka arritur përkryerjen, ndaj edhe është kthyer për të udhëzuar edhe të tjerët drejt përsosjes së shpirtit. I tillë është edhe Miraxhi profetik, një shfaqje e kësaj lartësie të pashoqe e të Dërguarit Fisnik të Allahut (alejhis’salatu ues’selam) dhe i përmbledh të gjitha rrugëtimet e sipërpërmendura.
Abdulkudusi i nderuar, që ishte një ndër njerëzit më të dashur të Zotit thotë kështu: “Muhamedi i nderuar (alejhis’salatu ues’selam) i kapërceu kohën dhe hapësirën, mbërriti në mekamin e madhështisë, u nderua me afrimin gjer te Krijuesi, duke e parë Atë me syrin e kësibotshëm dhe duke i dëshmuar bukuritë e papërshkrueshme të Xhenetit, me huri e me gilmanë. Xheneti dhe të gjitha mirësitë hyjnore të tjera që janë ruajtur për në atë jetë iu ekspozuan përpara syve, mirëpo sytë e Tij nuk i bojatisi dot as madhështia dhe hijeshia e asaj bote që nuk mund të ketë më të mirë. Ashtu siç iku, u kthye sërish në mesin e njerëzve të zakonshëm, që t’u tregonte edhe atyre rrugën e shpëtimit. Ju betohem në Allahun, se po të isha ngjitur unë gjer asi lartësish, nuk do të kthehesha më!”
Këto fjalë, të cilat mjaftojnë për ta përmbledhur të tërën, duke e shfaqur haptazi dallimin mes rrugëtimit të një shpirti të lartë që arrin në ato lartësi dhe nuk kthehet më, duke zgjedhur amshimin, dhe profetit që shkon, por kthehet për të çuar edhe të tjerët. Megjithatë të gjitha këto janë çështje të dëshmimit të brendshëm, të thellimit në thellësinë e shpirtit, e për më tepër të një kënaqësie shpirtërore të pashoqe. Dhe duhet të jetë shumë e vështirë që t’ua shpjegosh dot këto gjëra njerëzve që nuk janë thelluar ndonjëherë drejt botës së tyre shpirtërore e janë penguar që aty, tek e dukshmja dhe tek e prekshmja.
Duke qenë se ky shekull është shekulli i mendjes e jo vetëm i zemrës, Allahu (xh.xh.) i ka penguar këto gjëra përkohësisht. Por jam shpresëplotë se kur ta lejojë dhe të formësojë sërish një institucion të lartësimit shpirtëror të rrugëtimit drejt Allahut – dashtë Ai! – shumë njerëz nuk do të ndjejnë veç kënaqësinë që të falin të vërtetat shkencore, por edhe ato që janë të fshehura e mund të burojnë veçse prej shpirtit.
Tri koncepte: dorëzimi tek Allahu, asketizmi dhe thjeshtësia
Pyetje: A mund të na i shpjegoni pak më tej konceptet e dorëzimit tek Allahu, asketizmit dhe thjeshtësisë dhe se cila është rëndësia e tyre?
Përgjigje: Dorëzimi i plotë tek Allahu, të qenët i zgjedhur si përfaqësues i Tij dhe ti të jesh i përgjegjshëm përpara Tij janë fjalë-koncepte që burojnë nga e njëjta rrënjë në gjuhën arabe. Përfaqësues quhet ai njeri që i është ngarkuar një detyrë, për të cilën përgjegjësia i takon vetëm atij. Për shembull, kur zgjidhet një deputet për në dhomën e përfaqësuesve të popullit, në fakt, ne zgjedhim një përfaqësues, të cilit i ngarkojmë që të kujdeset për punët tona. Dhe në përdorimin e vjetër gjuhësor, edhe avokati ka qenë quajtur ndryshe si përfaqësuesi ligjor, ndërsa ai që e zgjedh atë si personi i përfaqësuar. Ne ia ngarkojmë punët tona një përfaqësuesi, ndërsa ai shkon në gjyq për të folur në emrin dhe interesat tanë, duke na përfaqësuar sikur aty të ishim të pranishëm ne vetë dhe kësisoj ruan interesat e personit që përfaqëson.
Ndërsa me dorëzim të plotë tek Allahu do të thotë që ta lësh çdo punë tënden nën kujdestarinë e Allahut (xh.xh.). Vetëm se këtu kemi të bëjmë me një marrje të plotë të përgjegjësive mbi veten.
E thënë me fjalë të tjera, pos interesave personalë, njeriu për të përftuar më të mirën edhe përsa i përket interesave të tij shpirtërorë dhe ato të amshimit, ai ia dorëzon punët e kryera Allahut, por pasi ka derdhur aty gjithë mundin dhe ka shprehur tërë vullnetin e vet. Dikush që zgjedh një avokat apo deputet, ua ngarkon atyre detyrat e veta. Ndërsa njeriu e dorëzon tek Allahu çdo gjë që ka të bëjë me punët e kryera prej tij, si përsa i përket punëve të tij të kësibotshme, si për ato që i përkasin amshimit. Dorëzohet plotësisht tek Ai për rezultatin e tyre. Kjo është një prej domethënieve të dorëzimit të plotë tek Allahu (xh.sh.). Njeriu duhet të përpiqet me të gjitha forcat dhe pasi ta ketë arritur atë horizont të epërm mbi epërsi, ta lërë çdo gjë nën kujdesin dhe vendimmarrjen e Allahut. Me pak fjalë, pas të qenit njëherë i dorëziuar tek Allahu, duhet të dorëzohet edhe njëherë përfundimisht te Fjala e Tij. Dhe, këtë, e kemi të lehtë ta kuptojmë edhe prej strukturës së fjalëformimit të kësaj fjale.
Ndërsa, përsa i përket domethënies terminologjike, me dorëzim të plotë tek Allahu (xh.sh.) do të kuptojmë besimin tek Allahu, se edhe atëherë kur i hyn disa punëve që i tejkalojnë forcat dhe fuqitë e tua, të jesh besimplotë se Allahu e ka të lehtë që t’i çojë ato deri në fund. Ashtu siç jemi të vetëdijshëm se ndërsa e fusim kafshatën e bukës në gojë, se është Allahu (xh.sh.) që do ta kryejë funksionin e kapërcimit dhe të tretjes së saj në sistemin tretës, ne mjaftohemi vetëm me çuarjen e kafshatës drejt gojës dhe e dimë se pjesa e mbetur i përket Allahut, po ashtu, edhe kur i hyjmë shumë punëve që i tejkalojnë disa herë forcat dhe vullnetin tonë, i dorëzohemi Allahut (xh.sh.). Po, njeriu duhet të veprojë sipas parimit të të Dërguarit të Allahut (pqmT), i Cili shprehet: “Lidhe më parë devenë, mandej lëre nën kujdesin e Allahut”, në fillim duhet ta sigurojmë mirë devenë, e mandej të dorëzohemi e ta lëmë gjithçka në dorë të Tij, në mënyrë që të mos e vjedhin hajdutit, apo që të mos u ndodhë ndonjë gjë e papëlqyer. Kësisoj, ai do të ketë
shpëtuar prej shumë gjërave të këqija që mund t’i ndodhin njeriut në jetë, aq sa edhe mund t’ia thyejnë drejtqëndrimin.
Ndërsa shikoni se si e ilustron Bediuzaman Said Nursiu këtë çështje: ndryshimi mes atij që i dorëzohet Allahut dhe atij që nuk dorëzohet tek Allahu i ngjan asaj që “dy njerëz hipin në një anije të ngarkuar me nga një barrë mbi supe secili”. Njëri prej tyre thotë: “Unë do ta mbaj në shpinë këtë barrë që më është ngarkuar. Sepse, po e vura në dysheme, mund të ma vjedhin dhe shkon dëm.”, kështu që nuk e ul atë nga shpina. Ndërsa tjetri, si shenjë e dorëzimit të plotë tek Allahu (xh.sh.), ia dorëzon ekuipazhit të anijes barrrën e tij, duke pasur besim te kapiteni që është në drejtim të anijes. Pas njëfarë kohe, atij që vendos ta mbajë mbi supe gjithë ngarkesën, fillojnë t’i shteren forcat, lodhet dhe fillojnë t’i dridhen këmbët. Shoku i rrugës e sheh dhe e qorton: “Ule pak në dysheme. Anija është më e fuqishme se ty dhe ka forca të mjaftueshme që të të çojë në destinacion, duke të mbajtur edhe ty edhe peshën tënde sipër. Sepse po dukesh edhe paksa qesharak duke e mbajtur gjithë atë peshë në supet e tua dhe është anija që po të mban, edhe ty, edhe peshën që ke hedhur krahëve. Për më tepër, nëse të sheh kapiteni në këtë gjendje, mund të të ndëshkojë. Kështu që më mirë lëshoje barrën mbi anije dhe dorëzohu te kapiteni.”
Ja, kështu duhen vlerësuar gjendjet e atij që është dorëzuar plotësisht tek Allahu dhe të atij që nuk dorëzohet. Allahu na ka dërguar ne mbi tokë, duke na ngarkuar një varg përgjegjësish mbi supe dhe duke na caktuar edhe ushqimin që do të na duhet gjatë kryerjes së tyre. Kur dikush syresh fillon të thotë: “Ç’do të bëhet me fëmijët dhe familjen time?”, duke u shqetësuar për mbijetesën e vetë dhe të tyren, jeta e tij kthehet në një vuajtje të pandërprerë dhe ai e ka të pamundur që ta shpëtojë veten prej rënies në një sjellje që mund ta çojë drejt ndëshkimit nga ana e Allahut (xh.sh.). Kjo është domethënia e dorëzimit tek Krijuesi në fenë tonë.
Vetëm se me këtë dorëzim mendja nuk duhet të na shkojë kurrsesi te një braktisje e shkakësive që janë të domosdoshme për t’u kryer. Sepse hapi i parë është ndjekja me rigorozitet e shkakësive, mandej mund të bëhet fjalë për dorëzim tek Allahu (xh.sh.)... Edhe Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) i kishte bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme ndërsa ishte nisur për në betejën e Bedrit, i kishte mbledhur edhe sahabët rreth vetes, duke dalë përballë armikut i gatshëm që të luftojë me ta, mirëpo edhe atëherë Ai ngre duart dhe i drejtohet Allahut (xh.sh.), duke ia çelur kësisoj shpirtin Zotit: “O Zot! Ja, kjo është ushtria jote, ja tek më ke edhe mua, por nëse e nxjerr të humbur këtë ushtri, atëherë dije se mbi Tokë nuk do të mbetet asnjë njeri i vetëm që të përmendë emrin Tënd.” Edhe besimtari, pasi t’i ketë realizuar të gjitha shkakësitë fizike e materiale, do të dorëzohet plotësisht tek Allahu (xh.xh.), sikur të jetë duke shprehur me një sinqeritet të plotë atë “njëjësinë” e Allahut në zotërimin dhe lartësinë e Tij, duke deklaruar se nuk ka asgjë që të mos jetë e krijuar prej Tij, sepse Ai është Krijuesi i gjithçkaje.
Kurse asketizmi; ky është shpjeguar në forma nga më të ndryshmet. Dhe disa nga këto përkufizime janë:
Asketizëm do të thotë ta braktisësh botën tërësej.
Asketizëm do të thotë që ta braktisësh botën, por të braktisësh edhe dëshirën për amshim.
Asketizëm do të thotë që ta braktisësh, si botën, ashtu edhe amshimin, mirëpo bashkë me të të braktisësh edhe veten.
Asketizëm do të thotë që dikush të mos pësojë kurrfarë trishtimi edhe sikur t’i merren duarsh të gjitha gjërat që mund të ketë arritur në jetë. Ja se si e shpreh Ejubi (a.s.) këtë të vërtetë: “Lëvduar qoftë Allahu për gjërat që më pati dhënë dhe tani m’i mori.” Me një fjalë, m’i pati dhënë si një amanet dhe tani ma hoqi barrën e përgjegjësisë së ngarkuar për ta ruajtur atë. Bukur ishte kur ma dha, por shumë bukur edhe tani që ma mori.
Asketizëm do të thotë që njeriu të mos gëzohet për gjërat që arrin dhe fiton në jetë, por as të mos mërzitet për gjërat që humbet. Asketizëm do të thotë që të mund ta harxhosh gjithë pasurinë, madje edhe jetën tënde, në rrugën e Allahut (xhel’le xhelaluhu).
Këto përkufizime mund të vijojnë edhe shumë më tej. Mirëpo, kur i qasemi me një këndvështrim më gjithëpërfshirës kësaj çështjeje do të mund ta përkufizonim edhe kështu: asketizëm do të thotë që ta braktisësh botën për aq sa ç’është botë dhe ta përdorësh atë si një mekanizëm që duhet vënë në punë për të fituar amshimin në ahiret. E shprehur me fjalë të tjera, asketizëm do të thotë që ta braktisësh botën për aq sa ç’është nxitëse e dëshirave njerëzore dhe ta përdorësh atë si një arë të punueshme fryt i së cilës është ahireti, duke e parë atë veçse si një ekspozitë të shfaqjes së emrave të Allahut (xh.sh.). Dhe, ka gjasa, që ky përkufizim i përmbledh brenda vetes të gjithë përkufizimet e dhëna më sipër.
Poende, thjeshtësia; domethënia e saj është fytyra e ulur gjer në tokë. Kjo fjalë buron prej foljes “vud”, e cila do të thotë ulje e diçkaje në tokë, si diçka e ulët, e poshtër, e përçmueshme. Ndërsa në kuptimin terminologjik me thjeshtësi nënkuptohet modestia, që do të thotë që t’i mbash flatrat të shtrira përdhe. Thjeshtësia është shprehja më e pastër e lartësisë së shpirtit. Sepse njerëzit me shpirt të madh janë të modestë, ndërsa njerëzit me shpirt të ulët dhe të poshtëruar janë krenarë dhe këmbëngulës në egoizmin e tyre. Shumë herë është rënia e shpirtit që i bën disa njerëz që të shfaqen si egoistë të paepur dhe krenarë për vetveten. Ky lloj njeriu flet gjithnjë nga sipër, duke i nënçmuar të gjithë të tjerët. Por situata nuk është e njëjtë me njerëzit e lartë shpirtërisht, përkundrazi, ata i përulen kujtdo që u del përballë, duke i parë edhe ata si njerëz, të barabartë me veten. Dhe kjo është shprehje e madhështisë së shpirtrave të tyre. Andaj edhe Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) thotë se “Allahu e lartëson atë që tregohet i thjeshtë dhe e poshtëron atë që këmbëngul në krenarinë e Tij”, lidhur me modestinë si cilësi e besimtarit.
Ai që nuk e sheh veten si më të poshtrin e njerëzve përpara Allahut, në të vërtetë është një njeri me shpirt të rrënuar e të zbrazët nga frutat. Sepse të jesh krenar në epërsinë tënde do të thotë se ndien brenda vetes njëfarë ndjenje inferioriteti. Kjo është një e vërtetë e tillë, që ai që ndjen një poshtërim, lodhje të shpirtit dhe zbehje të fuqisë së tij ndien nevojën për t’u shfaqur me të madh dhe, duke i lidhur duart pas shpine, do të kollitet disi për ta bërë të ndjeshme ekzistencën e vet, duke thënë: “Jam edhe unë këtu!” Mirëpo këto cilësi nëpër hadithe janë të renditura rëndom si cilësitë e faraonit. Prandaj, njerëzit që ushqejnë brenda vetes ndjenja të larta dhe ndjesi të mrekullueshme do t’i shihni përherë si më se të thjeshtë dhe të sjellë me modesti në mesin e njerëzve. Ata ua njohin edhe të tjerëve të drejtën e fjalës, duke qenë se veten e shohin përherë si një njeri ndër gjithë njerëzit.
Ja se si shprehet Bediuzamani teksa përpiqet të na japë këtë interpretim, duke u mbështetur edhe në hadith: “O njeri me egon që ka marrë në dorë çiftelinë dhe kokën ta ka rrëmbyer mendjemadhësia! Ekziston një ekuilibër që nuk duhet ta heqësh nga mendja: çdo njeri ka një dritare të vetën në ndërtesën e shoqërisë njerëzore, nga e cila mund të shohësh dhe të shihesh nga të tjerët. Nëse dritarja qëndron më lart se sa i gjatë je ti, atëherë do të të duhet që të ta shesësh veten me të madh, duke u kacavjerrë, në mënyrë që të shohësh e të të shohin të tjerët. Ndërsa, nëse dritarja qëndron më poshtë se ç’është i gjatë trupi yt, atëherë të duhet që të përkulesh me thjeshtësi e me modesti, që të mund të shohësh e të të shohin të tjerët. Sepse masa e madhështisë së njerëzve të përsosur është vogëlsia, ashtu siç madhështia është masa e vogëlsisë te njerëzit e vegjël...” Ma merr mendja se shpjegimi kaq tërësor i hadithit që unë përmenda më sipër ka qenë i kuptueshëm për shumë pak njerëz deri në shekullin në të cilin jetojmë.
Fryma e përçuar prej këtij hadithi dhe prej kësaj çështjeje na bën të kuptojmë se pjekuria e besimtarit shfaqet përmes thjeshtësisë që ai tregon karshi Allahut (xh.xh.) dhe në mes njerëzve të krijuar prej Tij. Njëherë, teksa qëndronte i ulur me Xhibrilin besnik (a.s.), Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ngjan sikur e kaplon një ndjesi ankese dhe Ai i thotë Xhibrilit: “O Xhibril! Ka dy-tri ditë që në vatrën e profetit nuk është vënë asgjë për t’u ngrënë.” Një të dalë këto fjalë prej asaj goje të bekuar, Israfili (alejhis’selam) zbret në Tokë dhe thotë: “O i Dërguari i Allahut! Më thanë që të vija e t’ju pyesja nëse dëshironi që të jeni një profet mbret, apo një profet që jeton një jetë të thjeshtë, si i varfër?”
Profeti ynë (paqja e Zotit qoftë mbi Të dhe familjen e Tij), zemra e të Cilit ishte e hapur ndaj të gjitha të vërtetave më të epërme, ishte mësuar me këtë mundësi, ndaj edhe dinte fare mirë përgjigjen që do t’i kthente engjëllit të Zotit. Pa njëherë nga mbreti i botës engjëllore, Xhibrili (alejhis’selam), për të zgjedhur atë që ishte më e duhura për të në jetën shoqërore. Xhibrili (a.s.) i thoshte: “Ji i thjeshtë, o Muhamed!” Kësodore, Profeti ynë iu përgjigj: “Dua të jem një profet rob i Allahut.”
I Dërguari i Allahut ulej këmbëkryq në sofër për të ngrënë dhe dëshironte përherë që aty të shtroheshin edhe skllevërit dhe shërbyesit e të hanin me të. Ata që nuk e kishin parë më herët, e kishin tejet të vështirë që ta dallonin prej sahabëve të ulur tok me të. Asisoj që, njëherë, në Kuba, me Profetin tonë ishte ulur edhe Ebu Bekri (r.a.) dhe disa nga njerëzit që vinin pandehnin se profeti ishte Ebu Bekri i nderuar dhe e përshëndetnin. Duke e parë këtë gjë të përsëritej, Ebu Bekri i nderuar, që të mos vijonte të përsëritej më tej ky gabim, mori një degë të këputur peme aty pranë dhe nisi t’i bënte freski të Dërguarit të Allahut (pqmT).
Kurse ne, shumë prej atyre gjërave që na i ka falur Allahu si mirësi prej bujarisë dhe fisnikërisë së Tij, ia atribuojmë vetes, sikur ato të ishin fryt i aftësive tona të veçanta. Të gjithë ata që tregohen modestë në këtë jetë, duke i ulur gjer përdhe flatrat që e mbajnë në këmbë njeriun, atje do të fluturojnë e do të kërcejnë si të ishin një zog pranveror i lumtur në Xhenetin e amshuar. Ata që i shohin si më të ulët e më të poshtër një varg njerëzish rreth vetes, që nuk ua japin fjalën edhe të tjerëve në kuvendet e ngritura për të bashkëbiseduar, duke mos u njohur edhe atyre të drejtën e të jetuarit me dinjitet, atje do të jenë përherë të shqetësuar e të ulur poshtë e më poshtë. Zoti na ruajtë prej një rënieje të tillë!
Ekziston edhe një tjetër shpjegim që e ofron fare qartë dallimin mes thjeshtësisë dhe mendjemadhësisë: Pëlqimi i vetes. Vetëpëlqimi është të pëlqyerit më shumë të vetes dhe të punëve të tua. Shumë herë me njerëzit mund të ndodhë e kundërta. Nganjëherë ndodh që njeriu të mos ketë kryer ndonjë mëkat të madh gjatë jetës, por ka bërë vetëmse të mira. Dhe, në të tilla raste, rënia në pëlqimin e veprimeve të tua është më e lehtë që të ndodh dhe kësisoj ti bie në batakun e vetëpëlqimit. Zoti na ruajtë, sepse pëlqimi i punëve të tua të mira është diçka që e rrënon njeriun. Sepse Allahu (xh.xh.) nuk ka nevojë për veprat e askujt dhe nuk e do kurrsesi pëlqimin e vetes nga ana e njeriut.
Nganjëherë mund të ndodhë edhe që njeriu të bjerë në pesimizëm sepse nuk ka kryer dot punë të mira dhe, pikërisht në çastin që fillon të ndiejë notat e para të pesimizmit, në mendje i vijnë disa punë të mira që mund të ketë bërë më parë. E, për ta hedhur tej tisin e pesimizmit, i kthen sytë syresh dhe thotë se “edhe aq sa janë, ato i mjaftojnë”, mirëpo edhe kësaj here rruga e marrë prej tij nuk është aspak e mbarë. Kjo do të thotë që të kalosh nga mangësia në tepri. Sikur të bëhej fjalë për një lidhje të mirëfilltë, natyrore, mes tyre, të pëlqyerit e vetes lind gjithnjë nga mungesa e shpresës. Për shembull, dikush thotë: “Ç’do të bëhet vallë me mua, ndihem i rrënuar e nuk ndiej më forcë brenda meje!” Mirëpo, ndërgjegjja e tij, ose dikush që mund ta dëgjojnë, mund t’i thonë: “Kjo s’është e vërtetë. Ti nuk je ashtu siç pandeh se je. Që prej sa të njohim ti nuk ke kryer veçse punë të mira” dhe këto fjalë do ta shtyjnë atë drejt gjirizit të vetëpëlqimit.
Muhamed ibni Munkediri, i cili ishte një ndër njerëzit më të lartësuar mes tabiinëve, ishte një njeri që qante e vajtonte për fatin e tij nga muzgu gjer në agim. Një ditë, nga keqardhja, nëna e tij nuk duroi dot më dhe iu drejtua: “Ah, more bir! Po të mos të kisha rritur në kraharorin tim dhe po të mos kisha njohur mirë që nga fëmijëria, do të mendoja se ke ndonjë mëkat që të rëndon, ndaj edhe qan kështu pa reshtur. Pse vetëm qan e nuk ta pashë fytyrën njëherë të buzëqeshur?” Ka edhe në ditët tona njerëz të këtillë. Dhe, edhe pse nuk kanë rënë qoftë edhe njëherë të vetme në mëkat, ata mund të rrëzohen në rrjetën e vetëpëlqimit, i cili është një tjetër lloj sëmundjeje e tmerrshme.
Vetëpëlqimi është një gjendje shpirtërore e sëmurë, e cila e rrënon njeriun, duke ia ngrënë e duke ia përpirë të gjitha punët e mira që mund të ketë realizuar, si të bëhej fjalë për një virus. Nëse kapet prej kësaj sëmundjeje, njeriu mund të shpëtojë prej saj vetëm duke menduar se nuk asgjë që i takon atij prej të mirave që bën. Bie fjala, unë duhet të mendoj kështu: Shoh sa e sa njerëz inteligjentë, të zgjuar sa Platoni, sistematikë sa Sokrati, të ndriçuar shpirtërisht sa Bergsoni, apo të dhënë pas pasionit të kapacitetit njerëzor sa Paskali... cila ishte merita ime e veçantë që u nderova unë me të qenët mysliman dhe jo ndonjëri prej tyre? Çfarë t’i kem dënë unë Atij në krye të herës, që Ai ma fali mua këtë mirësi të besimit? Dhe edhe pse nuk kam shpërfaqur ndofarë merite të veçantë, Allahu më lartësoi mua drejt shkallës së të qenit udhërrëfyes ndaj njerëzve. Fola mbarë e prapë dhe njerëzit më dëgjuan dhe kështu u kapën pas shpresës se disa gjëra po realizohen vërtetë?!
Dhe le ta përmbyllim këtë çështje me këtë qasje të rinovuesit të madh të fesë islame: Ti duhet ta shohësh veten si ajo dega e thatë e hardhisë. Ashtu siç ato kokrrat plot lëng të ëmbël të rrushit e marrin lëngun prej asaj mase të thatë dhe ajo degë nuk shfaq as shenjën më të vogël të krenarisë për mrekullinë që u shpërfaq faqehapur syve njerëzorë, sepse nuk mund të thotë që i krijova unë ato kokrra. Sepse një degë e tharë hardhie nuk mund të japë kurrsesi vile rrushi vetvetiu. Po njësoj, edhe egoja jote që është një hiçmosgjë, nuk ka të drejtë që të mburret e të krenohet për asgjë. As të thotë se kishte njëfarë merite derisa e mira u shfaq përmes tij nuk ka të drejtë. Ndoshta ndoshta, më e shumta që mund të thotë është: “Kishte shumë njerëz që e meritonin, ndërsa unë isha veç ai që kish më shumë nevojë. Dobësia dhe mangësitë e mia u shndërruan në një lutje drejtuar Allahut (xh.xh.). Ai e pranoi këtë lutje për hir të dobësisë dhe varfërisë sime në fuqi dhe, edhe pse nuk kisha kurrfarë merite në mesin e njerëzve që përpiqeshin si unë, ai më bëri mua një njeri të sexhdes; të thotë kështu, dhe ta konsiderojë egon e tij si gjënë më të poshtër, t’ia shtypë asaj damarin e krenarisë, duke bërë gjithë ç’ka mundësi për të mos rënë në kurthin e vetëpëlqimit. Ja, kështu duhet ta njohë veten çdokush që e quan veten besimtar.
Shënimet
- 54.Buhari, iman 36.
- 55.Junus, 10/24.
- 56.Muslim, teube 12; Tirmidhi, kijamet 60.
- 57.El-Mekki, Kutul-kulub 2/409; el-Gazali, Ihjau ulumi’d-din 4/376.
- 58.Buhari, nikah 1; Muslim, nikah 5.
- 59.Buhari, i’tikaf 11, 12, bed’u’l-halk 11, edeb 121, ahkam 21; Muslim, selam 23-24.
- 60.Teube, 9:100; Feth, 48:18; Muxhadele 58:22.
- 61.Ibni Kethir, el-Bidaje ue’n-Nihaje 3/197; 5/23; Ibni Haxher, Fethu’l-Bari 8/129.
- 62.Tirmidhi, fiten 48; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 5/220-221.
- 63.Ebu Daud, melahim 9-10; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 5/40, 44.
- 64.Buhari, fiten 24; Muslim, fiten 30-32.
- 65.Buhari, fiten 24; Muslim, fiten 42.
- 66.Darimi, mukaddime 27; Ebu Nuajm, Hiljetu’l-Eulija 6/100.
- 67.Bediuzaman Said Nursi, Mesnevia e dritës, fq. 222-223. (shën. yni. – referenca e faqeve jepet sipas një botimi në gjuhën turke, pa u dhënë të dhënat e kopjes.)
- 68.Tirmidhi, menakib 54; Ebu Ja’la, el-Musned 7/66; el-Hakim, el-Mustedrek 3/331.
- 69.Hakim, el-Mustedrek 3/331; el-Bejhaki, Shuabu’l-iman 7/331; Ibni Haxher, el-Isabe 1/281.
- 70.Buhari, shehadat 9, fedailu ashab 1, rikak 7, ejman 27; Muslim, fedailu’s-sahabe 210-215.
- 71.Shih: el-Gazzali, el-Maksadu’l-esna 1/154; Ibnu’l-Xhezui, Telbisu iblis 1/417.
- 72.El-Munaui, Fejzu’l-kadir 2/410; el-Alusi, Ruhu’l-meani 4/79, 17/202.
- 73.Buhari, meuakitu’l-salat 17, enbija 50, fezailu’l-Kur’an 17, teuhid 31, 47; Tirmidhi, edeb 82; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 2/121, 124, 129.
- 74.Hixhr, 15/9.
- 75.Muslim, iman 234; Tirmidhi, fiten 35.
- 76.Ebu Daud, melahim 1; et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-eusat 6/234.
- 77.El-Bejhaki, ez-Zuhd 1/157; ed-Dejlemi, el-Firdeus bi me’suri’l-hitab 3/408.
- 78.Mevlana, Mesnevi, 5/227.
- 79.Ahmed bin Hanbel, el-Musned 5/256; et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-Kebir 8/162, 183.
- 80.Ahmed bin Hanbel, el-Musned 4/422.
- 81.Muslim fedailu’s-sahabe 131; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 4/420, 421, 425.
- 82.Muslim, salatu’l-musafirin 297, 298.
- 83.Buhari, meuakit 33; Tirmidhi, salat 21.
- 84.Bediuzaman Said Nursi, Fjalët, Fjala e katërt.
- 85.Bediuzaman Said Nursi, Shënimet e Kastamonusë, fq. 118.
- 86.Shih: Gülen, M. Fethullah, Varlığın Metafizik Boyutu, Nil Yayınları, Stamboll 2011.
- 87.Enbija, 21/69.
- 88.El-Begaui, Mealimu’t-Tenzil 3/294.
- 89.Muslim, birr 136; Ebu Daud, libas 26.
- 90.Muslim, iman 147-149; Tirmidhi, birr 61; Ebu Daud, libas 26.
- 91.Ahmed bin Hanbel, el-Musned 3/76; et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-eusat 5/140.
- 92.Bediuzaman Said Nursi, Fjalët, fq. 790-791.
- 93.Ahmed bin Hanbel, el-Musned 3/76; et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-eusat, 5/140. 98 Huxhurat, 49/13.
- 94.Tirmidhi, dhuhd 37.
- 95.Ebu Daud, salat 376.
- 96.Ebu Daud, salat 376; Muslim, dhikr 50; Ebu Daud, salat 376.
- 97.Muslim, xhihad 79.
- 98.Buhari, xhihad 166; Muslim, xhihad 76-80.
- 99.Ibni Hisham, es-Siratu’n-Nebeuije 2/405.
- 100.Ibni Maxhe, et’ime 6.
- 101.Shih: En’am, 6/52; Kehf, 18/28.
- 102.Tirmidhi, dhuhd 37.
- 103.Ahmed bin Hanbel, Musned 41/337.
- 104.Tirmidhi, sifatu’l-kijame 59.
- 105.Bediuzaman Said Nursi, Fjalët, Fjala e Njëzetetretë, Shkalla e parë.
- 106.Muslim, xhihad 58; Tirmidhi, tefsiru’l-Kuran, tefsiru sureti’l-Enfal.
- 107.Esh-Shirbini, es-Siraxhu’l-munir 2/519; es-Saffuri, Nudhhetu’l-mexhalis 1/73.
- 108.Ibni Maxhe, dhuhd 16; Ahmed bin Hanbel, Musned 18/250.
- 109.Bediuzaman Said Nursi, Fjalët, Lemaat.
- 110.Et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-eusat 7/88.
- 111.Ibni Kethir, el-Fusul fi’s-sire, fq. 117.
- 112.Et-Taberani, el-Muntehab, fq. 134.
- 113.Bediuzaman Said Nursi, Fjalët, Fjala e njëzetedytë, Mekami i dytë.