Qytetërimi i shëndeti, paqes dhe mirëqenies shpirtërore

Pyetje: Më përpara ne na këshillonin që të mos e përzienim ujin e abdesit tonë me ujërat e tjera të ndotura. Duke pasur parasysh këto këshilla, ju çfarë do t’u këshillonit kandidatëve për inxhinierë që do të bëjnë projektet e së ardhmes?

Përgjigje: Kjo është një çështje që ka të bëjë më tepër me shëndetin mjedisor. Mirëpo këshilla e sipërpërmendur në pyetje, shpreh më tepër një ndjeshmëri që ka të bëjë me fenë. Po, ah sikur të kishim mundësinë që uji i abdesit tonë të mos përzihej me ujërat e zeza në të njëjtat tubacione. Megjithatë kjo nuk është një ndër çështjet më të rëndësishme të fesë. Vetëm se disa fakihë të fesë islame i kanë quajtur ujërat e zeza që dalin prej trupit të njeriut si të pista dhe kanë deklaruar se ato nuk duhet ta prekin trupin e njeriun. Për mendimin tim, moshedhja e mbetjeve të ushqimit dhe e ujit të mbetur nga larja e enëve nëpër kanalizime përbën një çështje më të rëndësishme. Duke u treguar të kujdesshëm në këtë pikë, do të kemi treguar më shumë respekt ndaj mirësisë së ardhur prej Zotit, Atë do ta kemi falënderiuar më shumë, duke hyrë kësisoj në një rrugë të shtimit të mirësive të Tij karshi nesh. Fatkeqësisht, në ditët e sotme mes myslimanëve po shfaqet një mosmirënjohje e atillë që shpreh mungesë respekti karshi Allahut (xh.xh.). dhe, në themel të të gjitha këtyre qëndron papërgjegjshmëria e atyre që kanë vënë dorë në ngritjen e një qytetërimi të këtillë.

Popujt, përgjatë gjithë historisë kanë ngritur qytetërime të ndryshme. Këto qytetërime kanë qenë të ndryshme, qoftë nga pikëpamja e koncepteve të tyre estetike për artin dhe letërsinë, qoftë për nga pasuria kulturore e tyre, kanë pasur karaktere të ndryshme nga njëri-tjetri. Dhe secili prej këtyre qytetërimeve krejt të ndryshme nga njëri-tjetri, kanë plotësuar jetëgjatësinë e tyre mbi tokë dhe janë larguar nga skena e historisë.

Kthimi i botës thuajse në një qytet të vetëm gjatë shekullit të njëzetë ka krijuar idenë sikur kemi të bëjmë me një qytetërim të vetëm. Dhe përkufizimi më i mirë i mbarë njerëzimit sot duket sikur është emërtimi i tiji si “qytetërimi i shekullit XX/XXI”. Për rrjedhojë, fakti që mbarë njerëzimi ka vënë në shënjestrën e tij shkencën dhe teknologjinë duket sikur nuk kemi të bëjmë me dallime serioze mes qytetërimit perëndimor dhe atij lindor. Ndryshimi mes tyre ka të bëjë më tepër me kapacitetin që ato zotërojnë për t’iu përshtatur kohës dhe për të ecur në një hap me të. Dhe kur një burrë shteti, ose një shoqëri, çohet e thotë për vendin e vet: “Me lejen e Zotit, në pesë vitet e ardhshme ne do të futemi mes pesëdhjetë shteteve më të zhvilluara, për dhjetë vite mes njëzet të parëve, për pesëmbëdhjetë mes dhjetë të parëve”, kjo shihet si përcaktim i një synimi për të ardhmen nga ana e tyre.

Edhe ndërtesat tona, qytetet tona, apo qendrat industriale dhe shumë gjëra të tjera që do të jenë tonat, të gjitha do të kenë formën e qytetërimit të cilit i përkasin. Kudo në botë, menjëherë pas Revolucionit Frëng, apo pas Rilindjes Evropiane, ka nisur një valë e rrëmbyer qytetërimesh, aq sa ndikimet radioaktive të saj janë ndjerë gjithandej nëpër të dhe njerëzit, sikur të ishin të dehur, i janë vënë në ndjekje atij qytetërimi pa kurrfarë kushti dhe skepticizmi. Është bërë planifikimi urban i qyteteve, mirëpo nuk janë menduar fare problematikat e transportit urban, të arkitekturës apo të themeleve në makro dhe pa u bërë kurrfarë llogaritjeje e riskut, shumë mbetje të dëmshme për shëndetin e njeriut derdhen nëpër dete, duke u sabotuar e tërë depoja ushqimore që mund të imagjinohet si ushqyesja e gjithë njerëzimit të sotëm. Në qendrat e qyteteve, të cilat duuhet të jenë hapësirat ku njeriu mund të jetojë më në natyrshmëri me nevojat dhe natyrën e tij janë ngritur fabrika dhe qendra industriale, çka ka bërë që të vihen në rrezik shëndeti i trupit dhe i shpirtit të qenies njerëzore.

Po, ky qytetërim në të cilin bëjmë pjesë, njësoj sikur të ishte një xhelat që ka marrë në dorë shpatën, i është kanosur drejtpërsëdrejti elementit njerëzor. I gjithë faji dhe përgjegjësia e kësaj u takon atyre që ideuan dhe ngritën këtë qytetërim dhe ata kanë për ta dhënë llogarinë e kësaj përpara Allahut (xh.xh.). Dhe këtë botëkuptim mund ta frenojë vetëm një qytetërim islam, i cili është krejtësisht i ri krahasuar me qytetërimin e sotëm, me një horizont shumë më të gjerë dhe që e ka kuptuar më mirë se kushdo tjetër kohën në të cilën jetojmë.

Ata që do ta ndërtojnë dhe do ta drejtojnë këtë qytetërim që ne shpresojmë në shfaqjen e tij, duke e konceptuar Islamin ashtu siç e kërkon shpirti i tij, duke i shmangur të gjitha gabimet do të kenë ngritur një qytetërim që ka në qendër të synimeve të tij shëndetin e mirë, paqen dhe mirëqenien e vërtetë shpirtërore. Në këtë qytetërim popullsia e qyteteve nuk do ta kalojë masën e caktuar dhe mes qendrës dhe periferisë së qytetit do të ekzistojnë kushtet më të rehatshme të transportit. Qendrat industriale do të transferohen drejt pikave më të largëta nga qendrat e banuara dhe tymrave që do të dalin prej oxhakëve të fabrikave do t’u bëhet i mundur pastrimi përmes pyjeve të shumta që do të ringrihen, duke e bërë qytetin kësisoj një hapësirë shumë më shumë të jetueshme. Banorët e këtij qytetërimi do t’i mbajnë më të pastra lëndët ushqimore, ndërtesat do t’i ngrenë sa më të përshtatshme për ata që do të banojnë në to dhe, poende, ujërat do t’i ndajnë secilin sipas llojit, nëpër tubacionet e veta, e kështu qyteti do të pastrohet prej çdo lloj papastërtie. Ky qytetërim, i cili në qendër të vetë do të ketë njeriun do të ketë si synim parësor të vetin shëndetin, paqen dhe mirëqenien e vërtetë shpirtërore për njeriun dhe kjo do t’i japë formë edhe organizimit të tij dhe do të jetë po kjo që do ta bëjë të jetë i besueshëm në premtimet e veta ndaj njerëzve.

Teksa ndërtohej ky qytetërim, në të cilin bëjmë pjesë edhe ne, myslimanët nuk e kishin të drejtën e fjalës. Prandaj edhe Allahu (xh.xh.) nuk do të na mbajë ne përgjegjës për këtë gjë. Vetëm se, nëse nuk ngrihemi e nuk përpiqemi që t’i ndërtojmë njerëzimit një qytetërim fare të ri, të freskët, që në qendër të qëllimeve të veta ka njeriun, atëherë po që mund të jemi përgjegjës e mund të na kërkohet që edhe të japim llogari për mosreagimin tonë. Dashtë Zoti që në të ardhmen të kemi edhe ne inxhinierët tanë, të cilët e duan me gjithë zemër vendin e tyre e që mendojnë për zhvillimin dhe përparimin e popullit të tyre, që kujdesen për shëndetin e ambientit, të cilët do të mund të marrin përsipër detyra të rëndësishme në shkallët e shtetit dhe, për t’i bërë punët më të pjekura, do t’ua bëjnë ato të pranueshme drejtuesve të vendit ku jetojnë.