Medresetë në historinë e arsimit tonë

Pyetje: Shpesh thuhet se sistemi arsimor i medreseve ka në qendër të metodologjinë e vet të mësuarit përmendësh dhe se aty më shumë se sa shkencat pozitive mbizotërojnë disiplinat e fesë dhe se ky është edhe shkaku kryesor i prapambetjes sonë karshi Evropës. A mund t’i ndani edhe me ne mendimet tuaja lidhur me këtë çështje?

Përgjigje: Çdo gjë e përsosur e ka një fund të sajin. Dhe fatin e këtij fundi, ashtu si çdo gjë tjetër, e kanë përjetuar edhe medresetë, të cilat kanë qenë shtylla kryesore e sistemit tonë arsimor. Në të shkuarën, në vend të gjimnazeve dhe universiteteve të sotme, ne kishim medresetë dhe vatrat e dijes që ishin më të specializuara. Të gjitha këto institucione arsimore ofronin kapacitetin e mjaftueshëm për të përballuar çdo nevojë në fushën e dijes nga ana e shoqërisë së cilës i shërbenin. Në periudhën e parë shkolla fillore ofronte atë që kërkohej prej shkollës fillore, shkolla idadije (shën. përkth. – arsimimi para arsimit të mesëm), kryente atë që kërkohej prej saj, shkolla “Ali Sulltanije”, që përkonte me shkollën e mesme, ofronte atë që pritej nga shkolla e mesme. Dhe, në fund të gjithë këtij zinxhiri vinte “Dar’ul-Funun”, i cili ishte ndoshta institucioni i organizuar më mirë, që kryente një funksion shumë të rëndësishëm.

Vetëm se dy-tre shekujt e fundit medreseja nuk ka ruajtur dot të njëjtin hap me kohën dhe kjo është një e vërtetë e hidhur. Medreseja mjaftohej vetëm me mësimdhënien e disa dijeve që u kishte ikur moda. Për shembull, në emër të metodologjisë, për disiplinën e Logjikës, e cila është e domosdoshme për t’u studiuar, u mësohej logjika e Aristotelit, e cila ishte e pranuar gati njëmijë vjet më parë. Isaguxhi, Mugni’-tul’labi, Sejfu’l-gullabi, Shemsije etj. Leximi i këtyre librave, duke qenë se një pjesë e mirë e dijes islame është zbatuar në këto dije, ishte njëfarësoj e domosdoshme. Vetëm se në një botëkuptim arsimor me një nivel më të lartë dhe për t’i folur së tashmes, ndoshta duheshin kapërcyer edhe ato. Prurja e logjikës së Bacon-it në Medresenë “Uaizin”, e hapur së fundmi, dhe zëvendësimi i logjikës praktike me logjikën intuitive dhe shumë ndryshime të tjera ishin treguesit se kishte filluar, pak a shumë, të ndihej prapambetja.

Të mësuarit përmendësh, si një metodë e të mësuarit apo e mësimdhënies, nuk mund të kritikohet plotësisht. Për shembull, për çdo besimtar është mirë që ai t’i mësojë përmendësh disa tekste që i përkasin disa disiplinave të caktuara islame. Mësimi përmendësh i disa teksteve nga disiplinat e Kelam-it, të Fikh-ut, apo të Hadithit, duke qenë se ato kanë ndikim ndriçues në jetën tonë, është shumë e rëndësishme, madje detyrë e domosdoshme, për çdo besimtar. Nëse do të shqyrtohet historia e shkencave islame, do të mund të vërehet se shumë njerëz, si Alij’julkariu, apo Neueuiu, kanë përgatitur përmbledhje me nga dyzet hadithe, të cilat do të ishin më të lehta për t’u mësuar përmendësh prej besimtarëve. Dhe, për të krijuar një praktikë kaq të mirë e të vyer, nuk kishin se ku të gjenin mbështetje më të mirë se sa hadithi i Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) që e nxit çdo besimtar që të mësojë përmendësh dyzet hadithe. Sipas kësaj, çdo besimtar e ka për detyrë që të dijë të paktën dyzet hadithe që lidhen drejtpërsëdrejti me shtyllat dhe kriteret e fesë. Ja pra, nuk ka asgjë të dëmshme te një i mësuar përmendësh i tillë. Por është e vërtetë edhe se një njeriu që i mëson përmendësh vazhdimisht të gjitha shpjegimet apo përkufizimet apo shënimet e lëna mënjanë për ta bërë diçka më të qartë, me kalimin e kohës do t’i dobësohet aftësia e të gjykuarit dhe të sintetizuarit, derisa t’i zhduket fare me kalimin e kohës.

Në fakt, medreseja ka kryer një funksion që qëndron shumë përtej shkollave të sotme. Në atë kohë, nëpër medrese, lëndët e fizikës, kimisë dhe astronomisë jepeshin mjaft mirë dhe kanë arritur që të formojnë njohësit më të mirë të këtyre fushave. Medresetë e Bagdatit, Damaskut, Kajros dhe Andaluzisë e kanë kryer këtë funksion në kuptimin e plotë të fjalës. Këto medrese ishin disa shekuj para shkollave në Perëndimin e atëhershëm. Për shembull, ndërkohë që shumë çështje të astronomisë kishin marrë marrë një formë sistematike që përpara tre shekujsh, dijetarët myslimanë të Andaluzisë i kishin arritur të njëjtat përfundime gati tetë shekuj më herët. Dhe, nëse ne, sot, gjendemi gati një çerek apo gjysmë shekulli pas botës perëndimore, atëherë ata ishin plot pesë shekuj pas nesh.

Perëndimi i mundua shumë i mbërthyer prej kompleksit të inferioritetit, nën ndikimin e kësaj prapambetjeje dhe atmosferës dhe gjendjes shpirtërore që pati shkaktuar ajo. Ndërsa ne e lamë studimin, si pasojë e dehjes që na shkaktoi fitorja dhe nuk arritëm dot që ta zhvillonim më tej sistemin e ngritur. Ishim ne që ia përftuam terminologjisë termat e sinusit dhe të kosinusit, duke bërë matje që ia kalojnë edhe madhësisë së deteve, mirëpo kaluan plot tetë shekuj dhe ishim duke përdorur po të njëjtat mjete shkencore.ky është vetëm një rast, por ajo që dua të them nuk është se shkaktari dhe fajtori për këtë është medreseja. Sepse është edhe mungesa e largpamësisë te udhëheqësit e shtetit dhe e njerëzve që organizonin veprimtarinë shkencore në vend, e cila duhet harruar, por i duhet dhënë pjesa e vetë. Ashtu siç nuk do harruar se edhe kaderi ka pjesën e vetë. Për mendimin tim të mangët, ishte Allahu që pati vendosur se ne duhet të përjetonim një humbje kalimtare pas gjithë atyre arritjeve të njëpasnjëshme. Dashtë Zoti, që me ta kaluar këtë gjendje, të jemi papë ne që do të bëjmë hapat më të mëdhenj në shkencë, teknologji, dije, apo industri, e të jemi ne dritarja prej nga njerëzit do të mund të shihnin drejt horizontesh shumë më të epërme. Këtë e presim prej mëshirës së Allahut (xh. xh.) dhe shpresojmë që të realizohet një ditë.

Ka pasur gjithnjë njerëz që kanë hedhur mendime rreth restaurimit të institucionit të medresesë. Një vëmendje e veçantë, madje këmbëngulëse, gjatë Tanzimatit dhe gjatë Kushtetutës së Parë dhe të Dytë, i është dedikuar edhe përfshirjes së shkencave pozitive në programet mësimore të medreseve. Sepse populli ynë ka qenë një popull me një respekt të veçantë për dijen. Për shembull, astronomia është një lëndë që mund të jepet edhe në medrese. Kur nxënësit të marrin librin e astronomisë për ta trajtuar në medrese, do ta fillojë studimin e saj duke thënë, “Bismil’lahir-rahmanirrahim” dhe do të meditojë, duke thënë: “Krijuesi i Madhërishëm, Artisti Fisnik e ka krijuar botën si një pallat mbretëror madhështor, duke i organizuar yjet dhe nebulozat në formën më të përsosur.” Dhe të gjitha këto do t’i bëjë, siç ka ndodhur edhe në të shkuarën, në një atmosferë të ngjashme me atë të kryerjes së adhurimeve. Por ç’e do, se të magjepsurit pas Perëndimit në atë kohë nuk patën arritur që ta konceptonin dot këtë botëkuptim kaq të thellë. Megjithatë, moda e të shpjeguarit të shumë çështjeve që kanë të bëjnë me fenë dhe me të jetuarit e besimit, përmes shkencave pozitive, nuk ka kaluar ende. Sepse, ja, me hapjen e shkollave të ndryshme nga to, feja dhe shkenca u shndërruan thuajse në dy pole që nuk kanë asgjë të përbashkët mes tyre. Ky konflikt, apo kjo përplasje, është një tjetër shkak i rëndësishëm i ikjes mbrapa dhe jo përpara. Kjo është një çështje që ia ka ngacmuar kureshtjen dhe e ka bërë të flasë edhe strukturuesin e mendjes së shekullit të shkuar, mirëpo, lidhur me këtë çështje, njerëzit e shkencës dhe të teknologjisë janë duke ecur në një distancë njëqindvjeçare nga njëri-tjetri.

Shënimet

  1. 193.Shih: el-Bejhaki, Shuabu’l-iman, 2/270.