RRETH PARIMEVE TË BESIMIT

Feja e zbritur prej Allahut është një e vetme

Pyetje: Pse Allahu i Madhërishëm nuk i krijoi njerëzit rreth një feje të vetme, por i lejoi ata që të përqafonin konfesione të ndryshme?

Përgjigje: Para së gjithash besimtarët duhet ta dinë se edukata dhe respekti për Allahun (xhel’le shanuhu) kërkon që qeniet njerëzore të mos i kërkojnë dot llogari Atij për gjërat që Ai ka krijuar. Sepse, siç thuhet edhe në urdhrin kuranor, “(Ai) Nuk mund të mbahet nën llogari për gjërat e kryera.”; sepse “Ai e bën çdo gjë si të dëshirojë.” dhe nuk i përgjigjet askujt për këtë. Krejt e anasjella e kësaj është e vërtetë, gjithçka tjetër e krijuar është e ngarkuar me detyrën e llogaridhënies karshi Tij. Po të dojë dërgon një fe të vetme, po të dojë dërgon dy; po të dojë mund t’u shohë të denja edhe njëqind fe të ndryshme njerëzve. Këtë e shohim edhe në urdhrin e patëmetë të Tij: “Po të donte Zoti yt i krijonte njerëzit si një popull të vetëm.”10 Mirëpo, po të ishte kështu, atëherë për njerëzit do të viheshin në zbatim po të njëjtat ligjësi që janë vënë në veprim edhe për bimët apo krijesat e tjera jofrymore, si rrjedhojë e vetë natyrës së tyre të krijimit. Por ç’e do se njerëzit nuk janë të këtillë. Atyre u është dhënë vullnet dhe

vetëdije. Edhe pse mund të jenë disi të drejtuar dhe të kushtëzuar prej pjesës së pandryshueshme të natyrës së tyre, ata paraqesin disa veçanësi edhe përsa i përket mundësive të përzgjedhjes dhe gjendjes përpara faktit për të qëndruar autentikë në sjelljen e tyre.

Shprehja e ajetit fisnik, “Po të donte Zoti yt do t’i krijonte njerëzit si një bashkësi të vetme,” është në përputhje të plotë me krijimin, cilësinë e të krijuarit, të cilën Ai është i vetmi që e zotëron. Mirëpo kërkesa hyjnore e Tij nuk ka dashur kështu.

Në vend të kësaj u ka parashtruar atyre një varg kërkesash dhe urdhëresash, duke u kërkuar kësodore që ta përdorin sa më mirë vullnetin e tyre. Por ç’e do se disa nga njerëzit e pranuan këtë marrëveshje, e disa të tjerë jo. Disa nga ata që e pranuan e zbatuan siç duhej, e disa të tjerë jo. Disa nga ata që e zbatuan më së miri hoqën dorë pas njëfarë kohe, duke devijuar, ndërsa disa të tjerë jo. Kësisoj, ata ose i hapën punë vetes me vullnetin e tyre të lirë, ose gjetën rrugën që të çonte drejt e në Xhenetin e amshuar. Me një fjalë, është më se e kuptueshme se nuk bëhet fjalë për një detyrim absolut karshi njeriut nëse do ta shohim këtë në dritën e ligjësisë së natyrës të qenies njerëzore. Allahu (xh.xh.) ua ka falur lirinë, e cila është një ndër mirësitë më të mëdha që i ka falur njeriut. Dhe një njeri që e përdor atë për të kuptuar sa më mirë fenë e zbritur po prej Krijuesit të kësaj lirie, mund të arrijë gjersa të fitojë lumturinë në të dyja botët (këtë botë dhe në ahiret).

Ndërsa në anën tjetër të kësaj çështjeje qëndron njëjësia (e Zotit). Ligjet hyjnore që Allahu (xh.sh.) i ka dërguar si fe për njerëzit duhet të jetë medoemos të natyrës thirrëse drejt unitetit. Të gjithë profetët, duke filluar që nga Ademi (a.s.) e deri te Profeti ynë i Dashur në krye, të gjithë kanë bërë thirrje drejt “Një”-shit. Vetëm drejt “të Vetmit” i kanë ftuar njerëzit. Edhe mendimi i përhapur nën ndikimin e mendimtarëve materialistë perëndimorë lidhur me historinë e feve, se besimi fetar ka evoluar nga fetë

politeiste drejt atyre monoteiste nuk ka asnjë bazë të besueshme vërtetësie. Epoka e besimit tek Zoti si Një dhe i Vetëm ka nisur që me Ademin (a.s.); me kalimin e kohëve janë shtuar urdhra dhe urdhëresa të tjera për përsosjen dhe plotësimin e qenies njerëzore në çdo aspekt të saj, në përputhje edhe me kërkesat e shpërfaqura prej evoluimit të strukturës së shoqërisë njerëzore. Ndryshimi, apo përmirësimi, i këtyre urdhrave, të cilët kanë ndryshuar me përparimin e shoqërisë njerëzore, ngjajnë njësoj me ndryshimin e disa rrethanave në një familje me ndryshimin e strukturës së saj. Por të gjitha këto i gjejmë të pranishme qysh në krye të herës në planin dhe projektin për krijimin njerëzor. Për shembull, në një shtëpi jetojnë zoti Ali me zonjën Fatime. Dhe kur ata bëhen me fëmijë, atyre u duhet që të shtojnë edhe një, dy apo më shumë dhoma të reja, sipas nevojës. Kësisoj, sipas ndryshimit të strukturës së familjes së tyre, u duhet që të shtojnë edhe dhoma, dyer dhe dritare të reja në të. Kësodore edhe ndërtesa e kësaj bote kërkon ndryshime të tilla. Kjo nevojë shfaqet në mesin e njerëzve si dobësi, si varfëri apo si mangësi, të cilat duhen kapërcyer. Allahu (xh.sh.), i Cili zotëron pasuri të pakufishme e absolute, i di shumë mirë këto nevoja me dijen e Tij të plotë për parakohësinë, ndaj i jep gjithësisë një formë të këtillë, duke e strukturuar gjithçka sipas një plani të caktuar dhe bën atë që është më e nevojshmja dhe më e domosdoshmja në kohën e duhur.

Ja pra se si na del se feja është e ndërtuar në metodën e saj qysh me Ademin (a.s.). Me zhvillimin dhe përparimin e njerëzimit janë shtuar disa ndërtesa të tjera, me një përparim të përcaktuar nga shkalla e zhvillimit. Ademi (a.s.) i ftonte njerëzit drejt rrugës së drejtë duke shtuar edhe frazën “Adem Resulullah” pas bërthamës së besimit, “La ilahe il’lallah”. Po ashtu edhe Nuhu (a.s.), thoshte: “La ilahe il’lallah Nuh Resulullah”; Musai (a.s.) duke thënë: “La ilahe il’lallah Musa Resulullah”; Isai (a.s.) duke thënë: “La ilahe il’lallah Isa Resulullah”. Kohët ndryshuan, njerëzimi ndryshoi dhe ne themi sot “La ilahe il’lallah, Muhammedun Resulullah”.

Në fakt, në thelb, mes feve të zbritura prej Allahut (xh.xh.) nuk ka asnjë ndryshim. Të gjithë profetët kanë folur për ahiretin, e kanë tërhequr vëmendjen e njeriut kah llogaridhënia dhe libri i veprimtarisë së jetës së tij, duke e quajtur besimin te Libri i zbritur prej Allahut si kusht të besimit. Këto janë të gjitha të vërteta të pandryshueshme dhe të patjetërsueshme; ka pasur ndryshime veçse në disa imtësi dytësore, të cilat nuk i prekin shtyllat e besimit. Nëse një shtëpi është zmadhuar dhe ka marrë përmasat e një fshati, atëherë ndryshimet që duhen bërë janë të pashmangshme. Por, nëse kjo shtëpi pastaj zhvillohet dhe merr formën e qytezës, apo të qytetit, atëherë është e domosdoshme që të zgjidhet një administrator, i cili të ndjekë mbarëvajtjen e gjërave dhe që punët të kryhen ashtu siç duhet; poende duhet që të lindin edhe një varg detyrash që duhet të marrë përsipër secili prej individëve që bën pjesë në të. Dhe nëse kjo familje ka marrë trajtën e një shteti, atëherë ajo ka nevojë për shumë drejtues, për një ushtri dhe për një prijës, e kështu me radhë.

Edhe feja islame, e cila është njëfarësoj rrjedhojë e natyrshme e natyrës njerëzore, kësisoj është zhvilluar, në përputhje të plotë me këtë rrënjë dhe duke e fituar plotërinë e saj për t’iu drejtuar mbarë njerëzimit në epokën e Profetit tonë (pqmT). Megjithëse feja gjithmonë një e vetme ka qenë.

Thelbi i feve që kanë dalë përgjatë historisë me emra të ndryshëm i ngjan trupit të një peme të vetme. Më vonë ato kanë lëshuar sythe dhe degë, derisa kanë gjelbëruar në atë gjethnajë të dendur. Edhe nuancat që janë shfaqur si rrjedhojë e karaktereve, temperamenteve dhe perceptimeve të ndryshme sërish shfaqen të lidhura rreth atij uniteti. Feja është një e vetme, vetëm se përgjatë historisë ka pasur devijime serioze prej atij “një”-shi. Allahu ka qenë një dhe i njëjti, mirëpo mes Tij dhe njerëzve janë ndërfutur edhe lidhje të tjera, të cilat kanë bërë që të harrohet synimi i vërtetë. Materien, të cilën Allahu e ka krijuar si një mjet për njerëzit – njësoj si në epokën që jetojmë ne – ata e kanë hierofanizuar atë gjer në pozitat e hyjnores, aq sa ka pasur shumë njerëz që kanë filluar të besojnë tek ajo, duke bërë që të lindë ai që ne sot e quajmë mendimi materialist. Këto kanë qenë devijime shumë serioze dhe ka qenë po njeriu që ia ka shkaktuar si fatkeqësi vetvetes, nga të cilat e ka pasur dhe e ka shumë të vështirë që të shpëtojë. E kësodore edhe natyra e hyjnores i ka lënë ata përballë krijesës që ata e kanë krijuar vetë me zgjedhjen e vullnetit të lirë të tyre, duke e krijuar gjithçka në një formë që ata të jenë së sprovë mes krijimeve të tyre dhe krijimit hyjnor.

Mitologjizimi i besimit dhe mitologjia greke

Pyetje: Cila është arsyeja e përhapjes kaq të gjerë të politeizmit, përderisa që nga koha e Ademit (alejhis’selam), që ishte njëherazi njeriu dhe profeti i parë mbi tokë, është përhapur besimi i një Zoti të vetëm?

Përgjigje: Ne nuk kemi asnjë të dhënë të shëndoshë rreth kohës kur ka ardhur Ademi (alejhis’selam), i cili është paraardhësi i parë i mbarë njerëzimit. As në Kuranin Fisnik, as në burimet e besueshme të Buhariut dhe të Muslimit nuk gjejmë asnjë reference kohore. Edhe pse ndonjëri nga sahabët mund të ketë transmetuar ndonjë të dhënë të transmetuar prej burimesh hebreje, ato janë të gjitha të dobëta për nga shkalla e besueshmërisë. Ademi (alejhis’selam) ishte njëherazi njeriu dhe profeti i parë mbi Tokë. Sepse, nëse njeriu i parë nuk do të ishte edhe profet, atëherë ai nuk do të dinte se si të vepronte, duke mos pasur lidhje me Allahun (xhel’le xhelaluhu). Prandaj, profetësia ka nisur që me njeriun e parë. Ademi (alejhis’selam) ka edukuar fillimisht fëmijët, mandej nipërit e tij e me radhë, duke u predikuar atyre rrugën e së drejtës dhe të së vërtetës.

Fatkeqësisht, pas njëfarë kohe mes bijve të Ademit filloi te shfaqej politeizmi dhe besimi në toteme të ndryshme. Për shembull, edhe pse Mesihu (alejhis’selam) fliste pa ndërprerë rreth një njëjësie të vërtetë dhe u drejtohej bashkëbiseduesve përherë me fjalët: “Në asnjë mënyrë të mos i bëni shokë Allahut në krijim!”, me kalimin e kohës kishat filluan të stoliseshin me statujat e Mesihut dhe të Merjemit të nderuar. Edhe në kohën e injorancës, ende pa zbritur profetësia e profetit Muhamed (pqmT), popullsia e Mekës besonte në fenë e Ibrahimit (alejhis’selam). Ka gjasa, që më pas – nëse do ta shohim këtë çështje ashtu siç e transmeton ibni Abasi - ata kishin filluar t’i dilnin zot disa idhujve si Uzza si rrjedhojë e afrimitetit me Zotin. Ka shumë mundësi që Uzza të kishte qenë një mik i Zotit, i cili zemrën e vet ia kishte dedikuar veçse Atij. E me kalimin e kohës Allahu u harrua dhe ai që mbeti në mendjet e njerëzve ishte vetëm Uzza. Po e tillë është situata edhe me gjendjen në të cilën ka përfunduar një pjesë e mirë të botës së krishterë.

Çdo popull ka një mitologji të vetën. Për shembull, në mitologjinë greke, Afërdita njihet si një hyjni e joshjes, ndërsa Zeusi shihet si hyjnia e të gjitha hyjnive. Ndoshta këta emra mund të kenë pasur ndofarë vërtetësie përpara se të përfundonin në qerthullin e mitologjisë. Ka gjasa që Zeusi të ketë qenë një njeri shumë i fortë, i njohur për fuqinë dhe lidhjen e fortë të tij me Allahun (xhel’le xhelaluhu). Mirëpo, më vonë, me hyrjen e tij nëpër legjenda, ai ka zënë të shndërrohet në heroin e dhunës dhe sadizmit, i cili mund të ndëshkojë dhe të torturojë çdokënd që nuk i bindet, apo që i vë në zinxhirë të gjithë ata që nuk i binden, ndërsa Afërdia si një amazonë që i bën djemtë e rinj të lënë mendjen pas saj. Ndoshta, para se të hynte në mitologji, ajo do të ketë qenë ndonjë grua simbol me emrin Afërdita, e cila përfaqësonte hijeshinë e pashoqe dhe me përshpirtmërinë e saj shembullin e një gruaje të denjë. Dhe nisur nga bukuria e saj e patëmetë, pastaj ajo ka filluar të ketë edhe variante në kultura të tjera, si Venus, Dhuhre apo

Ylker. Ndërkohë që ajo përfaqësonte bukurinë, si për nga bukuria

fizike, ashtu edhe nga ajo shpirtërore, njësoj si Rabiatu’l Adeuije. Prandaj edhe njerëzit ndienë simpati të madhe për ta në emër të Zotit. Me kalimin e kohës Zoti u harrua dhe Afërdita u shndërrua kësisoj në një hyjneshë, sipas fjalës që përdoret. Zeusi, Herkuli dhe Gilgameshi, të cilët kanë qenë njohur për forcën e tyre legjendare, duke u nisur nga cilësitë e tyre kanë marrë trajtën e mbrame që kanë edhe sot e kësaj dite.

Në fakt nuk ka nevojë për të shkuar deri tek ata; gjëra të kësaj natyre kanë ndodhur edhe në botën tonë të mendimit. Ka pasur sa e sa miq të Allahut, për të cilët myslimanët mund të përdorin edhe cilësimin si mbretër të botës së shpirtit dhe me ato që ata kanë bërë janë bërë të pranueshëm nga sa e sa njerëz përgjatë historisë. Mirëpo, me kalimin e kohës, disa injorantë kanë harruar Allahun (xhel’le shanuhu) dhe kanë filluar t’i shohin atributet e këtyre njerëzve sikur ta kishin burimin tek vetë ata. Unë kam parë vetë me sytë e mi sa e sa njerëz që kanë shkuar pranë tyrbeve për të therur kurbanë apo për t’u përulur në sexhde përballë trupave të njerëzve të mbajtur në to. Dhe nuk ka asnjë ndryshim mes kurbaneve të bëra në Mekën e kohës së injorancës dhe atyre të therura pranë këtyre tyrbeve. Kur feja e Profetit tone të Dashur (pqmT) është edhe e përjetshme dhe e siguruar prej vetë Allahut (xhel’le xhelaluhu). Edhe pse kanë kaluar plot njëmijë e katërqind vjet që nga koha e Profetit tone (pqmT), njerëzit e lidhur fort pas Zotit nuk kanë munguar asnjëherë dhe Kurani Famëlartë nuk ka njohur asnjë bjerrje apo devijim kuptimor. Dhe të pasurit e një bjerrjeje të myslimanëve drejt idhujtarisë, apo pse situata e Islamit shfaqet e tillë është treguesi më i mirë i asaj se si koha e gjatë që kalon mund të sjellë ndryshime marramendëse te njerëzit. Me pak fjalë, ashtu siç është krijuar një mitologji islame pas të Dërguarit të Allahut (pqmT), shumë fe të ndryshme me kalimin e kohës kanë përftuar gjithfarë identitetesh mitologjike, duke bërë që disa syresh të na shfaqen edhe sot e kësaj dite me trajta thuajse të përbindëshshme.

Në natyrën njerëzore gjendet një ndjenjë shumë e hollë robërimi karshi Krijuesit, Atij që e ka edukuar dhe e mban nën kontroll gjithësinë! Dhe njerëzit që nuk e plotësojnë këtë ndjenjë karshi Zotit të tyre nga nevoja priren kah idhuj nga më të ndryshmit për ta plotësuar atë. Kështu ka ndodhur gjithmonë përgjatë gjithë historisë së njeriut në tokë. Allahu (xhel’le xhelaluhu) na ruajtë prej rënies në gjithfarë moçalesh ndërkohë që ne kërkojmë të lidhemi sa më fort pas fesë së Tij!

I Pari, i Fundmi, i Dukshmi, i Padukshmi në Thellësi

Pyetje: Në veprën e tij “Mesnevia e Dritës”, Bediuzaman Said Nursiu shprehet se froni hyjnor është përmbledhje e emrave të Tij “Euuel-I Pari”, “Ahir-I Fundmi”, “Dhahir - I Dukshmi” dhe “Batin – I Padukshmi në Thellësi”. A mund të na e shpjegoni se cila është përmbajtja e thellë e këtyre emrave hyjnorë?

Përgjigje: Allahu (xh.sh.) ka pafundësisht emra. Mirëpo katër janë emrat kryesorë rreth të cilëve mund të shtillen të gjithë të tjerët. Këta janë emrat Euuel, Ahir, Dhahir dhe Batin. I pari prej tyre është emri “Euuel”, që do të thotë se nuk ka asgjë përpara Tij; mirëpo është edhe një i Fundmë, Ai që nuk mund të ketë më asgjë tjetër pas Tij, pra është i Pafillim dhe i Pambarimtë. Mirëpo Ai është aq i Padukshëm në Thellësi, sa nuk ka asgjë tjetër përtej Tij, por është edhe aq i Dukshëm, saqë nuk ka asgjë tjetër përpara Tij. Mirëpo ndërsa meditohet mbi këto çështje për Allahun, i Cili është më i Epërmi, rreziku për të gabuar në konceptim është shumë i lartë. Shfaqja e emra të Allahut në sytë e njeriut realizohet përmes krijimeve të Tij. Për shembull, kur shohim shfaqjen prej parajse që na paraqet stina e pranverës ai që shohim më së shumti dhe me tërë cilësitë e Tij është emri “Dhahir” i Allahut (xhel’le xhelaluhu). Mënyra se si marrin jetë gjithë gjallesat e panumërta të

tokës, duke nisur nga bimët te zogjtë, nga zogjtë te kandrrat, sikur të kishin veshur uniformat dhe të ishin duke realizuar një paradë përpara Krijuesit të tyre, për t’i shprehur gatishmërinë në bindje dhe në adhurim, sikur të duan që me gjuhën e tyre të gjendjes t’i thonë “Ja tek jemi, gati!”, duke përmendur emrin “Ja Hajj – O Jetëdhënës” të Allahut (xhel’le xhelaluhu), apo të dëshmojnë emrin e Tij “Ja Hak – O i Vërtetë!” duke provuar ekzistencën e Tij, janë të gjitha pasqyra të emrit Dhahir të Allahut (xh.sh.).

Kur sheh thjesht në pjesën e dukshme të një çështjeje, mund të mbytet brenda zinxhirit të shkakësive. Dhe, për të mos u mbytur aty, atij i duhet që të drejtohet e ta vijojë udhëtimin e tij brenda qerthullit të urtësisë dhe lidhjes së fortë që çdo gjë ka me çdo gjë tjetër dhe kjo është treguese pikërisht e emrit Batin të Allahut (xh. xh.). Për shembull, një mollë, ashtu siç ajo tregon për emrin Dhahir të Allahut me bukurinë e saj të jashtme, me planin, programin dhe me sistemin e mrekullueshëm që funksionon brenda saj, urtësia në krijimin e saj, vitaminat dhe ndikimi pozitiv që ato kanë në trupin e njeriut, ajo ofron njëherazi shenja të emrit “Batin” të Allahut (xh.sh.). po njëlloj, për shembull një peshk, ashtu siç tregon emrin “Dhahir” me hijeshinë e tij të jashtme dhe me konstruktin fiziologjik të tij, me proteinat që fsheh brenda vetes, duke u kthyer në lëndë jete për njeriun, ai tregon njëkohësisht edhe për emrin “Batin”. Ja kësisoj janë të ndërthurura me njëra-tjetrën të qenët njëkohësisht i dukshëm dhe i padukshëm thellësisht, sikur të bëhej fjalë për hallka të brendashkruara te njëra-tjetra.

Argumenti se gjithçka që gjendet në gjithësi mbështetet tek Allahu (xhel’le xhelaluhu), do të thotë se mbështetet tek Ai, sepse Allahu është Një i Vetëm, Ai është Një edhe si Edukues dhe si Zotërues, e për rrjedhojë është i pastër e i patëmetë, krejt e kundërta e gjendjeve në të cilat mund të gjendemi ne njerëzit. Kësisoj, njësoj siç është Një i Vetëm në njëjësinë e Tij, Ai nuk ka se si të ketë nevojë për ortak apo ndihmës në krijim, sepse i duhet

që ta bëjë gjithçka Vetë. Edhe ato gjëra që duken si ndihmëse apo mëkëmbës/e, nuk kryejnë asnjë detyrë tjetër pos duartrokitjes karshi madhështisë së aktit të krijimit në çdo çast. Kështu që është e pamundur që ta shtrish gjer në pafundësi zinxhirin e shkakësive të ekzistencës së diçkaje, pasi në krye të çdo gjëje tjetër qëndron pikërisht Ai, Allahu (xhel’le xhelaluhu). Gjithçka që ekziston, si për nga ekzistenca, ashtu edhe për nga krijimi, mbështetet prej emrit “Euuel” të Tij. Argumenti që ato e vijojnë ekzistencën e tyre në këtë formë, apo që çdo gjë që fillon të ekzistojë do të ketë edhe kohën e zbehjes dhe të humbjes së vetisë së të ekzistuarit, rrënimi i çdo gjëje që e ka provuar ekzistencën e saj, zbehja e dritës së gjithçkaje që ndriçon, apo rijetësimi i diçkaje që e ka humbur njëherë gjallërinë e saj, duke qenë se tregojnë për cilësinë e të qenit pasqyra të Tij, na tregon neve se Ai që i ka dhënë këto, duke qenë i pafillimtë, duhet të jetë edhe i përjetshëm. Ja kështu bashkohen pandashmërisht nga njëri-tjetri emrat “Euuel” dhe “Ahir” të Allahut (xhel’le xhelaluhu).

Secili nga këta emra, të cilët ne i shohim vetëm si rezultat i një meditimi dhe studimi të thellë brenda zinxhirit të shkakësive, është njëherazi vendimmarrës në një “fron” të epërm. Për shembull, shfaqja në dukje e gjithçkaje është njëfarësoj froni i emrit “Dhahir”. Për shembull, ajri, uji ose atmosfera në rrafshin (botën) e jetës; toka në botën e rregullit; apo elementet e një tjetër bote, atomet dhe molekulat po ashtu janë njëfarësoj fron i emri “Dhahir”. E megjithatë kjo nuk do të thotë se ato janë Froni i Madhërishëm. Ndërsa planet dhe programet e paracaktimit hyjnor që gjenden në fytyrën e brendshme të ekzistencës janë fron i emrit “Batin”. Çdo gjë e ka fillimin prej Tij; ky është froni i emrit “Euuel”. Rrezatimi i diellit mbi bulëzat e ujit dhe vijimi i ekzistencës së Diellit edhe pas avullimit të tyre, do të thonë se çdo gjë është kalimtare dhe zhdukja në një kohë të caktuar e tyre argumenton pikërisht përjetësinë e Tij; është froni i të Pafundmit që nuk Mbaron asnjëherë. Por asnjëra syresh nuk është vetë Froni i Madhërishëm.

Froni i Madhërishëm është një ekzistencë e parrokshme për t’u njohur, të cilën ne e kemi të pamundur që ta konceptojmë përmes ndërthurjes së këtyre katër emrave (Dhahir, Batin, Euuel, Ahir).

E nëse do ta shtjellonim pak më tej këtë çështje, Kurani Fisnik është Libri i Madhërishëm. Por prej këtij Libri të Madhërishëm ka sa e sa libra që nxirren prej tij, të llojllojshëm, të cilët i lexoni edhe ju. Të gjithë këta libra e kanë burimin prej atij Libri të madh dhe secili tregon veçse një pjesë të Tij. Ju i grumbulloni këta libra dhe kur rrekeni që t’i bashkoni të gjithë bashkë në konceptimin e botës, atëherë arrini të keni edhe një ide më të qartë rreth Tij. Vetëm atëherë mund të quheni se keni filluar ta kuptoni atë libër. Po kështu, edhe froni i ajrit, froni i tokës dhe froni i ujit etj., janë veçse reflektime të Fronit të Madhërishëm dhe prej Tij e kanë burimin. Aty gjen zbatim plani dhe programimi i kryer në Fronin e Madhërishëm.

Urtësitë e historive të profetëve

Pyetje: Cilat janë urtësitë e rrëfimit të historive të profetëve në Kuranin Fisnik?

Përgjigje: Në Kuranin Fisnik gjenden shumë histori të rrëfyera rreth profetëve, duke filluar që nga Ademi i nderuar (alejhis’selam), e deri te Mesihu i nderuar (alejhis’selam). Në mes të këtyre historive vendin më të madh e zënë ato që bëjnë fjalë për Musain e nderuar (a.s.).

Neve të gjitha këto histori na tregohen përmes Profetit tonë të Dashur (pqmT). Dhe, pothuajse në të gjitha këto histori rreth profetëve tregohet përplasja mes besimit dhe mohimit, që ka filluar që me Ademin e nderuar (alejhis’selam) e do të vazhdojë deri në ditën e kiametit. Sepse kjo përplasje mes besimit dhe mosbesimit nuk ka reshtur së ekzistuari asnjëherë përgjatë historisë dhe ka për të vijuar e këtillë deri në ditën e fundit.

Ademi i nderuar (alejhis’selam) është tronditur prej fëmijëve të tij që kanë devijuar prej udhës së drejtë, duke filluar që me të birin, Kabilin. Po ashtu edhe Nuhu (alejhis’selam) është tronditur jashtë mase nga njerëzit e tij, të cilët iu larguan rrugës së besimit dhe ranë në mohim, përfshi këtu edhe djalin e tij, Kenanin. Salihu

i nderuar (alejhis’selam), i cili i qe dërguar popullit të Themudit qe përpjekur me mish e me shpirt me popullin e tij krenar e mendjemadh në krenarinë e tij, aq sa edhe i është dashur që të përballet edhe fizikisht me ta.

Poende edhe në periudhat vijuese të historisë kjo përballje ka vazhduar të jetë po e njëjta në thelbin e saj. Atëherë kur mbi tokë të mos ngelet më asnjë njeri që të përmendë emrin e Allahut, kjo botë që është një fushë sprovash për njeriun do ta ketë humbur qëllimin e krijimit të saj, andaj Allahu (xhel’le xhelaluhu) do ta shkatërrojë atë dhe do të bëjë që të ndodhë kiameti. Në një hadith të nxjerrë prej Sahih-ut të Muslimit, Enes ibni Maliku (r.a.) na transmeton se Profeti ynë i Dashur (pqmT) ka thënë: “Kiameti nuk ka për të ndodhur, nëse në tokë do të ketë qoftë edhe një njeri të vetëm që do të thotë: “Allah! Allah!” Me një fjalë, për sa kohë që mbi tokë të gjendet një bashkësi që përpiqet ta lartësojë emrin e madhërueshëm të Allahut, duke u rrekur që ta bëjnë atë një flamur të së vërtetës që valëvitet mbi mbarë sipërfaqen e tokës, kiameti nuk ka për të ndodhur. Sepse për sa kohë që ka njerëz të tillë, atëherë Toka bart ende një domethënie të sajën; sepse do të thotë se mbi tokë ka ende njerëz që duartrokasin dhe vlerësojnë artin e pashoq të Allahut (xhel’le xhelaluhu). Sepse, nëse nuk do të kishte njerëz të këtillë, duke qenë se rruzulli tokësor nuk do të kishte më kurrfarë domethënieje, atëherë Allahu (xhel’le xhelaluhu) do të shkaktonte kiametin, për të hapur një tjetër botë ku do të jetonin njerëzit.

Veç kësaj, në Kuran, kur tregohen historitë e profetëve theksi vihet te cilësia e përsëritjes që vetë historia njerëzore shfaq në vijimësinë e saj lineare, e mandej sikur të dojë që t’i japë mësim Profetit tonë (pqmT), i thuhet: “O Muhamed, përballja mes besimin dhe mohimit, ose e thënë ndryshe, lufta mes mosbesimtarëve dhe profetit të tyre nuk nisi me ty. Kjo është një situatë që vijon e këtillë që kaherë. “Andaj Ti largohu prej feve të kota e kalimtare dhe ktheje fytyrën e shpirtin tënd kah feja e vërtetë. Me një fjalë vepro sipas natyrës në të cilën je krijuar. Askush nuk ka forcë që ta ndryshojë natyrës e krijimit të Allahut. Ja, kjo është feja e vërtetë. Mirëpo shumica e njerëzve nuk e dinë, nuk e kuptojnë.” (Pra, kjo është një rrugë që nuk ndryshon, se në ligjësitë e mia nuk ndodh kurrfarë ndryshimi dhe kështu ka për të qenë gjer në herë të herëve.)

Së dyti Allahu flet rreth këtyre historive për ta qetësuar dhe për t’i dhënë kurajo dhe mbështetje të Dërguarit të Tij përballë fjalëve të rënda dhe përbaltjeve që i janë bërë nga njerëzit. Dua të jap një shembull, që të kuptohet më mirë. Në një ajet kuranor thuhet kështu: “O besimtarë! Mos u bëni si ata që i shkaktuan vuajtje Musait (a.s.). Ata ç’nuk thanë, por Allahu e pastroi atë prej gjithë ç’kishin thënë ata, duke ua treguar të gjithëve se sa i pastër ishte [ai]. Ai ishte një njeri i nderuar përpara Allahut.” Ky ajet tregon se, një ditë, besimtarët do t’i shkaktonin vuajtje të Dërguarit të Allahut (pqmT), njësoj siç patën bërë dikur bashkëkohësit e Musait (a.s.) me të. Aq sa, njëherë, dikush e pati kapur Profetin tonë të Dashur për krahu dhe i pati thënë: “Jepmë atë që më takon! Nga malli i babait tënd je duke shpërndarë?”

Njëherë tjetër, dikush që nuk ishte i kënaqur me ndarjen që kishte bërë Profeti ynë (pqmT), i qe drejtuar Atij me fjalët: “Kjo ndarje nuk ishte e drejtë. Ji pak i drejtë!”, duke e fyer rëndë, sepse kjo ishte fyerje e rëndë për një njeri si Ai. I Dërguari i Allahut (pqmT), i cili u ndie shumë i ofenduar nga fjalët e këtij beduini, iu përgjigj: “Kush do të jetë i drejtë po nuk qeshë as unë?”

Prijësi i profetëve (pqmT), teksa tregon vuajtjet që pati përjetuar Musai i nderuar (alejhis’selam), thotë këto fjalë: “Mëshira e Zotit qoftë mbi Musain e nderuar! Ai u përball me vuajtje shumë më të mëdha, por bëri durim.”

Dhe në ajetin e mësipërm Allahu (xhel’le xhelaluhu) flet për vuajtjet dhe torturat që i janë kryer Musait të nderuar (alejhis’selam), por edhe i thotë Profetit tonë se “nuk është vetëm Ai që po i shkaktohen vuajtje.”

Mund të japim edhe një shembull tjetër se si Allahu (xh.sh.) e qetëson Profetin tonë duke i treguar Atij histori rreth profetëve të tjerë që kanë ardhur më përpara:

Ishin shtatëdhjetë sahabë që u tradhtuan në vendin e quajtur Bir’i Maune dhe ranë që të gjithë dëshmorë. Mbreti i gjithë profetëve u hidhërua aq shumë nga kjo që kishte ndodhur, saqë vetëm duke iu drejtuar Allahut mund të gjente pak qetësi. E Allahu (xh.sh.) i tregoi Atij ligjin hyjnor të patëmetë: “Apo mos vallë ju pandehët se do të mund të futeni në Xhenet pa kaluar nëpër ato situata, përmes të cilave kaluan edhe bashkësitë që kanë jetuar para jush? Ata u përballën me vuajtje, me shqetësime, tortura, vuajtje dhe sëmundje të një lloji që ata u tronditën nga tmerri, saqë i Dërguari i Allahut (pqmT) dhe besimtarët e tjerë përreth Tij pandehën se do të vinte një pikë sa do të pyesnin me zë të lartë: “Kur do të na vijë ndihmesa e Allahut?”

Në ajetin fisnik bëhet fjalë se popujve të mëparshëm ndihma e Allahut u ka ardhur pikërisht në atë kohë kur shqetësimet dhe vuajtjet kanë arritur pikën më të fundme të durimit dhe gjithçka ka zënë të dalë nga kontrolli. Po, ja, në këtë pikë Profetit tonë (pqmT) i bëhet me dije se fitorja dhe ngadhënjimi do të jenë të mundur vetëm pas kapërcimit të disa shqetësimeve dhe vuajtjeve. Nisur nga historitë e profetëve, do të doja të jepja një shembull

që ka lidhje me Profetin tonë (pqmT) dhe që është i një rëndësie të veçantë për ne si myslimanë. Sipas disa transmetimeve të ndryshme, ka pasur profetë, të cilët nuk i ka besuar as edhe një njeri i vetëm. E prapseprapë tregohet se ata kanë vazhduar së kryeri misionin e tyre pa kërkuar kurrfarë shpërblimi material. Për shembull, Nuhu i nderuar (alejhis’selam) u është drejtuar me këto fjalë njerëzve të tij: “O njerëz! Unë nuk dua kurrfarë shpërblimi nga ju për predikimin tim. Mua vetëm Allahu (xhel’le xhelaluhu) mund të ma japë shpërblimin. Por edhe fjalët me të cilat u qe drejtuar Hudi (a.s.) njerëzve të tij nuk se qenë më të ndryshme: “O njerëzit e mi, mua shpërblimin nuk mund të ma japë dot askush përveç Atij që më ka krijuar mua, Allahut (xhel’le xhelaluhu). A nuk mendoni fare? Dhe teksa i tregon se ç’u kanë thënë popujve të tyre Nuhu dhe Hudi (a.s.), Allahu (xh.sh.) i thotë të Dërguarit të Tij, Profetit tonë (pqmT): “Edhe profetët e tjerë përpara teje nuk kërkonin asgjë prej njerëzve të tyre, sepse edhe ata bënin ç’të mundnin që si e si t’i udhëzonin ata drejt së drejtës, me po të njëjtat ndjenja të pastra dhe me po të njëjtin shpirt të qashtër. Por ç’e do se atyre nuk u besoi askush, ose shumë pak njerëz. Por ti mos harro, se nëse njerëzit nuk besojnë, Allahu (xh.xh.) nuk ju lë pa jua dhënë shpërblimin që ka caktuar për profetët. Detyra jote është predikimi dhe udhëzimi i njerëzve, ndërsa që t’ua bëjë atyre të pranueshme ato që u mësoni ju është diçka që i përket vetëm e vetëm Allahut (xh.sh.), sepse kështu e kërkon natyra e përftuar nga emrat e Tij. Ti nuk je ngarkuar me detyrën për t’i bërë ata që të pranojnë fjalët që Ti u mëson. Ti do ta marrësh të plotë shpërblimin e të qenit profet Im.

Secili nga këto ajete aq të pasura në domethënie e ndriçonte akoma edhe më shumë shpirtin e bekuar të Profetit tonë (s.a.s.), por edhe i kujtonte Atij se thelbësore është dëshira hyjnore. Andaj, ato çështje, që për Të ishin të pranuara gjer në shkallën e

padiskutueshmërisë, e lëshonin rrënjë në thellësitë e shpirtit të Tij, që Ai mandej, me një bindje të pashoqe, pa u lëkundur asnjëherë, të gjente sërish nga një portë të re për t’u thënë: “Thoni ‘La ilahe il’lallah’ dhe shpëtoni”, edhe sikur ta kishin refuzuar me mijëra herë.

Veç kësaj, ashtu siç i tregojnë Profetit tonë shumë çështje rreth profetëve të shkuar, këto histori që rrëfehen në Kuranin Famëlartë na tregojnë dhe na mësojnë shumë gjëra edhe neve, sepse ato përmbajnë mësime shumë të thella dhe të vyera. Me një fjalë, edhe ata që do të marrin përsipër këtë detyrë mbi shpatulla, këtë mision të shkallës së profetësisë së madhërishme, duhet ta marrin parasysh se edhe mund të refuzohen e të përndiqen nga shoqëria në të cilën jetojnë, madje edhe të privohen nga shumë të drejta njerëzore. Disa njerëz, nga dashuria për t’u dukur sa më mirë në sytë e njerëzve ose për të përfituar një varg interesash të kësibotshëm, mund edhe ta tradhtojnë këtë mision. Megjithatë, ai rreth njerëzish, të cilët nuk lëkunden, nuk lëndohen dhe nuk bezdisen nga ajo se si i trajtojnë njerëzit, duhet të bëjnë durim dhe të dinë të thonë: “Kjo botë është botë e durimit, jo e mërzitjes.”

E kush jemi ne që t’i ankohemi Zotit, “njerëzit nuk na besojnë, pse s’po mundim që t’ua bëjmë fjalët tona të besueshme?”, kur është vetë Profeti ynë (pqmT), i Cili na transmeton se ka pasur edhe profetë që nuk kanë pasur as edhe një njeri të vetëm për umet, madje nuk kanë pasur askënd që t’u besojë? Nuk duhet harruar se detyra e besimtarit është që të predikojë dhe të udhëzojë. Pranimi dhe të bërit të pranueshëm është diçka që i përket natyrës së Allahut (xh.xh.).

Këtu dua të rrëfej një histori shumë domethënëse lidhur me këtë çështje. Tregohet një ngjarje e tillë: “Njëherë, shejtani i tha Mesihut të nderuar (a.s.): “Meqë exheli dhe kaderi janë në dorë të Allahut, pa ngjitu njëherë mbi atë malin atje dhe lëshoje veten, a nuk do të vdesësh!” Mesihu i nderuar iu përgjigj atij me këto fjalë: “Allahu e sprovon robin e Vet, mirëpo robi nuk e ka të drejtën, madje nuk ka se ku ta gjejë guximin që ta vërë në provë

Zotin.”

Nëse Allahu (xhel’le xhelaluhu) ka bërë një marrëveshje me njeriun dhe ky i fundit nuk e ka prishur atë, atëherë Allahu e ka premtuar në Kuranin e Tij se do të mbajë çdo premtim: “Mbajeni fjalën që më keni thënë, në mënyrë që edhe unë ta mbaj premtimin që ju kam bërë!”24 Domethënë, në këtë ajet Allahu (xh.sh.) na thotë: “Nëse nuk e mbani fjalën e dhënë ndaj meje, duke harruar namazin dhe lutjen, ose duke braktisur përpjekjen në emër të Islamit dhe e prishni besëlidhjen me mua, atëherë as Unë nuk jua jap ato mirësi që jua kam premtuar.”

Si përfundim, historitë e rrëfyera në Kuran nuk se duan të rrëfejnë thjesht nga një histori të së shkuarës. Ato bartin domethënie për çdo epokë të historisë së njerëzimit. Ajo që na takon neve të bëjmë është që të përpiqemi ta kuptojmë këtë domethënie, duke u prirur vetëmse nga e drejta. Vetëm nëse veprojmë kështu do të mund të qëndrojmë në rrugën e drejtë të së vërtetës dhe – inshaallah – nuk do të tregohemi të paturp përballë Krijuesit tonë.

Kalimi nga kalimtarja në përjetësi dhe dy shfaqje

Pyetje: A mund të na i shpjegoni fjalët e Bediuzamanit të nderuar, kur thotë: “O egoja ime injorante! Ta dish se e gjithë bota dhe gjithçka që ekziston janë kalimtare. Mirëpo në çdo gjë që është kalimtare mund të gjesh dy rrugë që çojnë drejt së përjetshmes dhe dy shkrepëtima; dy të fshehta, të shfaqjes së bukurisë së të Fortdashurit që nuk Mbaron kurrë, që është jetë dhe që i do shpirtrat. Por vetëm se me një kusht, që të largohesh prej vargoit të kalimtares dhe ta kapërcesh veten...” (Fjalët, Shkalla e dytë e Fjalës së shtatëmbëdhjetë)?

Përgjigje: Ekzistenca e gjithçkaje që ekziston, vetitë e tyre dhe aftësitë në domethënien absolute dëshmojnë për ekzistencën dhe njëjësinë e Allahut (xh.sh) dhe kjo është shfaqja e parë. Po të njëjtat krijesa, përmes të qenit kalimtare dhe me fundet e tyre dëshmojnë për përjetësinë dhe vazhdimësinë e pandërprerë të Allahut që është i Përjetshmi i Përhershëm dhe këtë mund ta quajmë si shfaqje të dytë.

Bediuzamani i nderuar e ilustron këtë çështje në disa vende, me shembuj të ndryshëm. Për shembull, piklat në sipërfaqe të ujit të një lumi që reflektojnë diellin. Me largimin e tyre, diellin fillojnë ta reflektojnë të tjera pikla uji. Ja, pikërisht kjo gjendje tregon se ky reflektim nuk është tipar i atyre piklave, sepse ndoshta gjendet një diell i përjetshëm prej nga këto pikla e marrin aftësinë dhe mandej mund të zhbëhen. Ato që i pasojnë tregojnë po ashtu gjendjen dhe vetitë e të parave. Kështu që dielli, i cili reflektohet në fytyrën e tyre, ose Dielli i reflektuar dëshmojnë për pafillimësinë dhe përjetësinë. Kjo është njëra ndër shfaqjet.

Ndërsa tjetra, të qenët e tyre kalimtare tregon se ato do të zhbëhen dhe do të largohen përgjithnjë, mirëpo zhdukja e tyre nuk e perëndojnë asnjëherë Diellin. Sepse ai është një diell që nuk perëndon prej kësi largimesh. Dhe kjo është domethënia që duhet nxjerrë së këndejmi, si në një lexim sipërfaqësor, ashtu edhe në një më të thellë, që futet më në thellësi të çështjes.

Këtu bëhet fjalë për dy gjëra:

E para, që ekzistenca dëshmon vetë Allahun (xhel’le xhelaluhu), cilësitë dhe emrat e Tij; ndërsa e dyta që të qenët kalimtare dhe përfundimi dikur i ekzistencës, pra zhdukja e saj pasi ka ekzistuar njëherë dhe shfaqja e të tjera krijesave të ngjashme po nga asgjëja, tregojnë për dikë që nuk është i destinuar që të jetë kalimtar apo të gjejë fund ndonjëherë. Ata që vijnë ikin një ditë ashtu siç erdhën dhe si ekzistenca e tyre, ashtu edhe zhdukja, vijnë përmes një urdhri të epërm. Dhe me ikjen e tyre marrin me vete gjithçka që është e tyrja.

Edhe prej këtyre dy dritave mund të nxirren domethënie të tjera të ndryshme. Njëra nga këto drita është drita e jashtme me të cilën njeriu e sheh dhe e dëshmon gjithësinë, ndërsa tjetra, drita e brendshme përmes së cilës atij i mundësohet që të shohë brenda vetes. E para është dritë e jashtme, e dukshme, ndërsa tjetra, e brendshme dhe e padukshme.

Meqë këto janë rreze të vetë Allahut (xh.sh.), të cilësive dhe të emrave të Tij, edhe zhdukja e perëndimi i tyre një ditë nuk duhet ta trishtojnë assesi njeriun. Sepse ato kanë një burim të tyrin, të përjetshëm dhe ata që kanë për të ikur do të ikin një ditë. Në të tilla raste, njeriu duhet të thotë: “Unë nuk i dua ata që zbehen e perëndojnë.” Sepse, meqë thesari qenka pranë Tij dhe përderisa ky thesar nuk shteruaka asnjëherë, atëherë nuk ka përse të hidhërohesh, apo të trishtohesh. Shqetësimi për zhdukjen dhe përfundimin një ditë të gjithçkaje që ekziston është veçse një telash i kotë.

Një shpjegim tjetër mund të jetë edhe ky: njeriu, kur e sheh universin si univers – por jo në terma të universit – do t’i shohë reflektimet e Allahut (xh.sh.) si një libër shumë i çuditshëm. Dhe kjo është një shfaqje e Allahut (xh.sh.) me tërë madhësinë dhe madhështinë e Tij. Dhe këtë çështje mund ta përkapin vetëm ato mendje që kanë arritur në nivelin që të mund të thonë “Subhanallahu ue bihamdihi subhanallahil’adhim” përballë, kësaj shfaqjeje; me një fjalë, që kanë arritur ta dallojnë bukurinë në shfaqjen e forcës dhe madhështisë dhe që e kanë arritur forcën përmes dallimit të bukurisë. Kjo është një shfaqje e pashoqe, që buron prej njëjësisë së Allahut (xh.sh.).

Një tjetër shfaqje është ajo që buron prej të qenit i Vetëm i Allahut (xh.xh.) Një i Vetëm. Allahu shfaqet më së tepërmi, me bujarinë, me mirësinë e Tij, madje akoma më tepër, me të qenët i Gjithëmëshirshëm dhe Mëshirues. Është vetë Ai që me mirësinë e Tij të gjerë ia bën të ditura njeriut në brendësi të ndërgjegjes ato çështje që ai e ka të pamundur që t’i kuptojë. Dhe jo ashtu siç i përkasin madhështisë së dijes së Tij, por shfaqet duke i kaluar përmes një prizmi të atillë, që të jenë të rregulluara sipas kapacitetit të aftësive tona të përkapjes dhe të të kuptuarit.

Ashtu siç Kurani është një libër që vjen prej cilësisë së fjalës (retorike) të Allahut (xh.xh.), e shfaqur në mënyrë hyjnore sipas aftësisë kuptuese të njeriut, edhe gjithësia është një libër që vjen prej fuqisë dhe vullnetit të Allahut (xh.xh.). Edhe në këtë libër që vjen prej fuqisë dhe vullnetit të Tij kemi të bëjmë me një shfaqje. Cilësia dhe gjendja në të cilën kryhet kjo shfaqje është ndër ato që tregojnë se ai është i Vetëm. Me pak fjalë, kjo shfaqje është një shfaqje unike, thënë ndryshe sikur të ishte thjesht një grimcë e nxjerrë prej pupilës së syrit tonë, me tonin e shfaqjes e të pranisë, përballë shfaqjes së përgjithshme të vetë Allahut të Lartësuar dhe ndoshta dëshmon principin e shtyllës “Bismil’lahir’rahmanir’rahim”, ose ajo është vetë shfaqja e shtyllës “Bismil’lahir’rahmanir’rahim”.

Me këto dy shfaqje mund të ketë pasur parasysh edhe se njeriu mund të dëshmojë qoftë ekzistencën e Tijpërmes ekzistencës së gjithësisë, qoftë përjetësinë e Tij përmes të qenit kalimtare dhe që gjejnë fund të gjërave që ekzistojnë. Të dyja këto alternativa ndërtojnë si jetën e kësibotshme të tij, ashtu edhe amshimin. Ato kthehen në dritë, si në këtë botë, ashtu edhe në botën e përjetshme dhe, kësisoj, njeriu vlerësohet duke iu treguar dy shfaqje të Allahut (xh.xh.). Por unë, për vete, mes këtyre qasjeve, do të zgjidhja të parën.

Xheneti dhe Xhehenemi

Pyetje: Cilat janë aspektet në të cilat na paraqiten Xheneti me Xhehenemin në ajetet kuranore dhe në hadithet profetike?

Përgjigje: Në Kuranin Fisnik ka shumë ajete në të cilat përshkruhet Xheneti. Xheneti është një vend i pajisur me të gjitha mirësitë që e ngopin një qenie njerëzore, si në aspektin trupor, ashtu edhe në atë shpirtëror, duke marrë parasysh të gjitha ndjenjat e tij shpirtërore, trupore, të mendjes apo të ideve të tij rreth të jetuarit. Për shembull, ta zëmë se syri ynë në këtë botë sheh veçse pesë apo gjashtë të milionëtat e asaj që ekziston. Mirëpo atje syri do të shohë një milion në një milion dhe do të mund ta shijojë të plotë çdo mirësi të Allahut. Veshi, dëgjon vetëm tingujt që vijnë nga frekuenca të caktuara valësh. Atje do të arrijë të dëgjojë çdo valë tingullore, ku mund të dëgjohen tingujt më të ëmbël, meloditë më prekëse për shpirtin, duke u mbytur saora në një ëndje të pandërprerë. Shumë prej mirësive të Allahut (xh.sh.) njeriu është duke i shijuar që në këtë botë, e cila është veçse si një korridor për të kaluar në dhomën e pritjes të Krijuesit. Mirëpo ky shijim është i pjesshëm dhe i kufizuar. E thënë me fjalët e ibni Abasit të nderuar (radijallahu anh), çdo gjë që e shohim në këtë botë është thjesht shëmbëlltyra e asaj që do t’i jepet në amshim. Mollët, dardhat, qershitë, apo vishnjet, që janë secila nga një mrekulli më vete për

gjuhën dhe aftësinë e të shijuarit te njeriu; të gjitha ato këndje që ndijon njeriu me veshë, që i përplasen në sy, që fut e shijon në gojë, apo kënaqësia që përjeton me shokun apo shoqen e jetës... Të gjitha këto janë veçse një bërthamë, si një provë, e gjërave të mirëfillta që ai do të përjetojë atje. Vetëm atje, në ahiret, do të mund të përballemi me të vërtetat e tyre.

Besimtarët, kur të shijojnë prej mirësive të servirura në Xhenet si mirësi, siç e thotë edhe ajeti kuranor, do të thonë: “Si kjo na qe dhënë edhe në atë botë që ta provonim!” Mirëpo ajo nuk do të jetë e njëjtë me atë që po shijojnë atje, sepse ajo që kishin provuar ishte veçse një shembull i asaj me të cilën i ka gostitur Allahu (xh. xh.) tanimë. Dhe përtej të gjitha këtyre, lumturia me të cilën do t’i gëzojë Allahu robërit e vet në Xhenet do të jetë e përjetshme, e pandërprerë, dhe njeriu atje do të ndihet në çdo çast sikur të kish ardhur edhe njëherë nga e para në jetë. Atje as që bëhet fjalë për monotoni. Sepse, siç na tregohet edhe në hadithet e Profetit tonë të Dashur (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), çdo ditë e premte (kushedi se cilat duhet të jenë natyra dhe cilësitë e të premtes atëbotë) do të shfaqet me tërë bukurinë e saj të përshpirtshme, si e zonja e të gjithë ditëve të tjera dhe bashkë me të do të shfaqet edhe e gjithë bukuria e Allahut, nga e cila përftojnë bukuri të gjitha gjërat e bukura, e kur njeriu të kthehet për në qoshkun e vetë, do të kthehet si një njeri krejt i ndryshëm, i rinuar edhe njëherë. Atje nuk do të ketë vend as për monotoninë e as për bezdisjen njerëzore, pasi njeriu do të jetë pandërprerë përballë gjërash të reja dhe të freskëta.

Le të themi, sepse do të ishte më e drejtë nëse e përmbledhim me fjalën e këtij hadithi kudsi: “Allahu (xh.xh.) na urdhëron: “Ti, robërve të mi të pastër – që e kanë çdo sjellje të plotë, të patëmetë, të cilët e çojnë jetën duke bërë mirë dhe brenda rrethit të mirëbërjes, që bëjnë punë të mira për t’i çuar drejt punësh akoma edhe më

të mira, sikur të ishin të fiksuar pas së mirës - u kam përgatitur gjëra të atilla, që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk i ka imagjinuar dot askush.” Allahu (xh.xh.), i Cili ka fuqi për të kryer çdo gjë, e ka krijuar këtë botë si një shembull.

Po aq sa ç’është i bukur Xheneti, po aq i shëmtuar është edhe Xhehenemi. Në Xhehenem njeriu do të vuajë me çdo anë e pjesë të trupit dhe të shpirtit të tij, me zemrën, me ndjenjat, me botën e fshehtë brenda tij, të cilën as ai nuk e njeh, me pjesën e jashtme të trupit e edhe me atë të brendshme, me mendje, me trup, me lëkurë e me çdo gjë që e karakterizon. Një njeri i ndarë nga miqtë dhe shokët, larg prej nënës dhe babait, i cili i ka shijuar njëherë mirësitë e Allahut (xh.sh.) në këtë botë, i njohur me premtimin për në Xhenet, por që është larguar nga kjo botë si mos më keq, për t’u hedhur në një birucë të errët e të zjarrtë, duhet të vuajë shumë thellë në ndërgjegje. Mendja do t’i tregojë se sa shumë do të vuajë, do t’i vijë ndërmend pandërprerë, dhe do të thotë: “u dogja njëmijë herë, do të digjem edhe njëmijë herë të tjera; ç’është kjo gjëmë që më gjeti!”, duke e ndierë vuajtjen gjer në thellësi të shpirtit. Shpirti do ta bëjë atë që ta jetojë të shkuarën bashkë me të ardhmen, të ardhmen bashkë me të shkuarën, në të njëjtin çast dhe ai nuk do të ketë se ç’të thotë tjetër, veçse “u dogja njëmijë herë, por do të hidhem edhe njëmijë herë të tjera në zjarr.” Edhe mendimi se “edhe sa do të vuaj!” do ta bëjë që të vuajë akoma edhe më shumë. Shpesh mendja do t’i imagjinojë Xhenetin, dhe do të vajtojë për fatin e tij, aq sa t’i ikë zëri e t’i mbetet fuqi vetëm sa për të nxjerrë frymë. E aty, siç vë në pah edhe ajeti fisnik këtë të vërtetë të madhe, Allahu (xh.sh.) do t’u thotë: “Heshtni dhe sakëm se guxoni që të më drejtoheni më mua!”

Mua m’u duk më me vend, që në vend që të jepnim një përshkrim të Xhenetit dhe Xhehenemit në dritën e ajeteve dhe të haditheve, të jepnim një domethënie të përmbledhur të secilit. Por

ata që duan që të dinë më tërësisht rreth tyre, mund të shqyrtojnë dhe të studiojnë për to në librat e haditheve, “Librat e jetës” të Imam Kurtubiut, apo “Paralajmërimin për të përhumburin” të Ebu’l-Lejs el-Semerkandit, duke i studiuar me kujdes trajtimet që ata i kanë bërë Xhenetit dhe Xhehenemit. Ne e dimë fare mirë se si të parët tanë i lexonin me interes të veçantë këta libra dhe sipas tyre gjykonin veten dhe qanin. Siç na është transmetuar, njerëzit e lartë ndër të parët tanë shkonin pranë kovaçëve për të parë flakët dhe shkëndijat për të riprurë në mendje zjarrin e Xhehenemit.

Po në të njëjtën mënyrë, edhe ata që u binte të fikët nga frika prej Xhehenemit, por neve na janë transmetuar aq shumë histori për sa e sa njerëz që dilnin nga vetja kur meditonin rreth tij. Edhe ne duhet të meditojmë sa më shumë mbi imazhe të këtilla, duke e menduar gjithnjë Xhehenemin, me tërë shëmtinë e tij, ashtu siç edhe duhet ta sjellim vazhdimisht ndërmend Xhenetin, që është fusha e ekspozimit të të gjitha bukurive. Edhe kur kryejmë adhurimet tona duhet t’i kemi përherë në mendje, sikur përpara syve të kishim Xhenetin, ndërsa nën këmbët tona të bubulonin flakët e Xhehenemit. Sepse nuk mund ta dimë asnjëherë, por ato flakë mund të jenë fati ynë nëse biem në ndonjë gabim të rëndë. Me lejen e Zotit, le t’i hapim dhe t’i zgjerojmë zemrat me mendime dhe meditime të kësaj natyre.

Gjendja e fëmijëve që vdesin të vegjël

Pyetje: Cila do të jetë gjendja e atyre fëmijëve që vijnë në jetë në një familje jomyslimane dhe ndahen nga kjo jetë ende pa arritur moshën e pjekurisë?

Përgjigje: I Dërguari i Allahut (pqmT) në një hadith të bekuar të Tij shprehet: “Çdo fëmijë lind si mysliman në natyrën e tij; mandej nëna dhe babai i tij, ose e hebraizojnë, ose e bëjnë të krishterë, apo Zoroastrian.”Si nëna, si babai kanë një rol shumë të madh në krijimin e strukturës së besimit të fëmijës së tyre. Kësaj mund t’i shtohet edhe mjedisi në të cilin ka lindur dhe do të rritet fëmija. Po, sepse nëse do të marrim parasysh edhe kushtet e sotme të jetesës, si nëna edhe babai, ashtu edhe mjedisi në të cilin rritet fëmija, janë të një rëndësie të veçantë për sa i përket formësimit të besimit të fëmijës. Kjo çështje mund të shihet nga dy këndvështrime: i pari, që çdo fëmijë lind mysliman për nga natyra dhe, e dyta, që ky fëmijë i lindur mysliman për nga natyra, do të marrë edhe edukatën e familjes dhe të rrethit shoqëror dhe do të ndikohet nga ato. Sepse në rrethin shoqëror që do të jetojë, duke i shtuar kësisoj edhe një natyrë të dytë natyrës së tij origjinare.

Fillimisht është shumë e rëndësishme që të kuptohet mirë fraza “lind për nga natyra”. Natyrë është emri që ne i vëmë gjendjes dhe premisave fizike të një qenieje. Edhe me “natyrë” këtu nuk kemi parasysh atë natyrë të dytë që fëmijë do të fitojë si rrjedhojë e përdorimit të vullnetit të tij, apo duke ngelur nën ndikimin e mjedisit përreth. Sepse njerëzit lindin në këtë botë pikërisht si një fryt i vetë natyrës njerëzore; ndërsa Xhenetin, kënaqësinë e Allahut (xh.xh.) dhe shpëtimin në amshim e fitojnë vetëmse nëpërmjet “natyrës së dytë” të tyre. Domethënë, njerëzit janë të prirur për të qenë gjithçka, por në këtë jetë vijnë me një natyrë që nuk është asgjë. Mandej, nëse arrijnë që ta ruajnë pastërtinë e tyre origjinare, ata drejtohen për nga rruga që të çon në amshimin e dëshirueshëm, fundi i së cilës arrin në Xhenet. Por, nëse e prishin natyrën e krijimit të tyre, duke rënë pre e gjithfarë ndikimesh, atëherë nuk ka drejtim tjetër që mund të marrin, pos atij të Xhehenemit.

Mendja e një fëmije të sapoardhur në jetë është e qashtër. Dhe me këtë mendje të pastër, sajë ndikimeve që do të ketë pareshtur nga përreth, ai, ose merr drejtimin e duhur, ose në të i shkruhen kushediçfarë marrëzish dhe ai merr drejtimin e gabuar. Kjo është e tillë dhe e padiskutueshme, e pandryshueshme, për çdokënd dhe në çdo kohë dhe as që mund të bëhet fjalë për ndofarë mospërputhjeje logjike. Sepse, edhe çështja që na intereson neve më së tepërmi, mbi këto dy themele është e ngritur; ligjësitë e krijimit dhe urdhëresat fizike të Allahut dhe mandej zgjedhjet e bëra nga vetë njeriu me vullnetin e tij të lirë dhe përgjegjësinë e vetë të plotë.

Pikësëpari, asnjë fëmijë i sapolindur nuk mund të mbahet përgjegjës për asnjë veprim të tijin. Sepse ai nuk ka ardhur ende në gjendjen kur mund të bëjë diçka duke u nisur nga vullneti i tij i lirë. Po, çdo fëmijë që lind është i prirur për të pranuar çdo të vërtetë, por ka edhe një anë të tijën, e cila është e hapur poende ndaj devijimit, apo largimit nga e drejta. Është si një fletë e bardhë, mbi të cilën mund të shkruash ç’të duash dhe ta mbushësh si të

Gjendja e fëmijëve që vdesin të vegjël

duash. Një letër e bardhë dëborë, mbi të cilën nuk ka prekur ende maja e penës apo pikëla më e vogël e bojës. Dhe, me këtë gjendje të tijën, megjithëse ai është i hapur edhe për t’u shkruar gjëra që i përkasin mosbesimit, ai është më shumë i prirur ndaj Islamit për nga natyra, madje, ndoshta mund të jetë edhe që Islami jeton i pastër thellë brenda tij. Sepse në të nuk mund të gjesh dot as edhe një shkrim për mohimin dhe mohim do të thotë që mbi këtë natyrë të qashtër të shkruhen gjëra që nuk i pëlqejnë Allahut (xh.xh.).

Te njeriu, Islami është origjinar, ndërsa mohimi përftohet. Po, mohimi është përftim që i përket kohës, ndërsa Islami është diçka e brendshme, jo diçka e përftuar si rrjedhojë e efektit të kohës. Nëse natyra origjinare e një njeriu është ndotur dhe prishur prej mohimit, kjo do të thotë se ai i ka përftuar një natyrë të dytë vetes. Dhe, njeriu që nuk e ndot dhe nuk e prish natyrën e vetë origjinare, mbetet përjetësisht me një natyrë më se të pastër islame. Çdo gjë që beson apo kryen ky njeri është nga një hap i hedhur drejt ruajtjes dhe përforcimit të natyrës origjinare. Andaj, nga kjo pikëpamje, është shumë e rëndësishme që çdo besimtar ta ruajë fort ndjenjën e ndjekjes me përpikëri të principeve të Islamit, duke ruajtuar kësodore vetë zemrën, ndjenjat dhe mendjen e tij.

Thamë se “njeriu është mysliman për nga origjina e tij, ndërsa mohues mund të bëhet.”; sepse mohimi lind si rrjedhojë e disa faktorëve dhe ndikimeve të jashtme. Nëse do të mund të jepej një mendim për një njeri, pa pasur parasysh faktorët dhe ndikimet që ai ka pasur nga jashtë, më e drejta do të ishte që ta quaje “mysliman”. Për shembull, ashtu siç ne i themi zog edhe atij që sapo ka dalë nga lëvorja e vezës dhe nuk fluturon dot. Mirëpo këtij zogu mund të ndodhë që i thyhen krahët dhe nuk do të mund të fluturojë dot asnjëherë dhe ai ta humbë kësisoj aftësinë e lindur për të fluturuar. Edhe kuptimi i mohimit ky është, bjerrja e aftësive për të kuptuar dhe për të besuar, të cilat janë të instaluar thellë te

njeriu. Dhe duke u nisur nga një prej përkufizimeve leksikologjike që i bëhet fjalës “kufr” në gjuhën arabe, sipas të cilës ajo do të thotë “të mbulosh…”, andaj edhe për bujkun që hedh farën në tokë dhe e mbulon me dhe përsipër është përdorur rëndom fjala “k(q)afir”. Ndërsa, përsa i përket kuptimit terminologjik të fjalës “k(q)afir”, ajo shenjon njeriun që ia ka bllokuar vetes aftësinë për të dashur Allahun (xh.sh.), e ka transformuar natyrën e pastër të zemrës dhe e ka mpirë ndjenjën e brendshme për t’i besuar Atij.

Nëse do t’i ndodhë ndonjë fatkeqësi, i vogli zog, i cili sapo ka dalë nga veza, psh. t’i thyhet ndonjëri krah, atëherë ai do të katandiset në një gjendje që bie ndesh me natyrën e tij, nuk do të fluturojë dot dhe, duke qenë se nuk do të kryejë dot as funksionin e tij më të natyrshëm, siç është fluturimi, nuk ka për t’u pranuar asnjëherë në rrethin e zogjve të përsosur. Kurse, nëse i vogli nuk është përballur ende me një situatë të tillë, kjo do të thotë se ai i ka ruajtur ende vetitë për t’u cilësuar zog i përsosur, vrapon me këmbët e tij të vogla sa andej këndej, hidhet, kërcen dhe bën prova për të flatruar në fluturim, ne themi menjëherë se “ky është një zog”, duke e ditur mirë se një ditë ai do të fluturojë si gjithë zogjtë e tjerë. Po nëse ai do të binte pre e ndonjë shkaku a faktori të jashtëm dhe do ta humbte ndonjërin prej krahëve, do të konsiderohej si “zog sakat”.

Po ashtu, edhe njeriu vjen në këtë jetë i prirur për nga natyra që të marrë trajtën më të përsosur ndër krijesa. Dhe përsa i përket këtij synimi, mjafton që të shohim natyrën e përsosur të qenies njerëzore, aftësitë dhe talentin që fshihet te secili prej nesh. Nëse ato zhvillohen falë mbështetjes që mund t’u jepet nga faktorë të jashtëm, ato zgjerohen dhe përsosen edhe më shumë, njeriu mund të kthehet në një qenie gati engjëllore. Prandaj ne e quajmë kusht zhvillimin e këtyre aftësive të brendshme dhe atë që i zhvillon ato më së miri e cilësojmë si mysliman të denjë. Mirëpo – Zoti na ruajtë! – nëse një erë e fortë fryn përkundër dhe ia thyen krahët kësaj natyre kaq të pastër, atëherë mund të themi me plot gojën se natyra fillestare është prishur. Por të vërtetën përfundimtare të kësaj gjëje vetëm Allahu (xh.sh.) mund ta dijë.

Ndërsa aspekti i dytë, që ka të bëjë me lidhjen e saj me vullnetin e lirë të njeriut, me pak fjalë, gjendja sipas së cilës njeriu mund të kthehet në hebre, Zoroastrian, apo të krishterë, mund të themi se është diçka që i përket qerthullit të së mundshmes, mirëpo nuk do harruar se kjo vjen pas pranimit të përgjegjësive që rrjedhojnë nga çdo zgjedhje. Njeriu bëhet mysliman, i krishterë apo edhe hebre a çdo gjë tjetër që është e mundur.

Pyetja juaj ishte se ç’do të ndodhë në ahiret me fëmijët e lindur në familje myslimane dhe që janë ndarë nga kjo jetë pa e arritur moshën e pjekurisë. Dijetarët kanë mbajtur qëndrime të ndryshme lidhur me këtë temë. Ndërkohë që disa dijetarë thonë se fëmijët e lindur në familje jobesimtare, të cilët kanë vdekur ende pa e mbushur moshën e pjekurisë, shkojnë pas etërve të tyre, disa të tjerë nuk e kanë parë si të drejtë arritjen në përfundime të prera, të llojit, “do të shkojë në Xhenet”, apo “do të shkojë në Xhehenem”. Ndërkohë që një pjesë e mirë e dijetarëve, të cilët kanë qenë Njerëz të Sunetit dhe të Xhemaatit, thonë se kjo klasë fëmijësh, të cilët kanë lindur në familje jomyslimane dhe që kanë ndërruar jetë ende pa e arritur moshën e pjekurisë, do të shkojnë menjëherë në Xhenet. Mirëpo është Allahu (xh.sh.) Ai që e di më të drejtën e çdo gjëje.

Bid’at-i dhe disa nga aspektet e tija

Pyetje: Ç’është bid’at-i? A ka bid’at-e të mira dhe bid’at-e të këqija?

Përgjigje: Bid’at-i, në fjalor përkufizohet si shpikje e re, zbulim dhe futje e diçkaje të re diku. Ndërsa kuptimi terminologjik i tij ka të bëjë me shpikjen dhe nxjerrjen e një apo disa gjërave të reja, duke i paraqitur ato si rregulla ekzistues të fesë, megjithëse ato nuk janë të tilla, as drejtpërsëdrejti, as tërthorazi, as në Kuranin Famëlartë, as në Traditën e Shtrenjtë Profetike. Në një hadith, të cilin na e transmeton Aishja (r.a.), i Dërguari i Allahut (pqmT) ka thënë kështu lidhur me këtë çështje: “Kushdo që fut diçka të re, që në të vërtetë nuk ekziston, në fenë tone; çdo gjë e thënë prej tyre është e pistë, e papranueshme.”

Duke qenë se bid’at-i ka të bëjë më tepër me futjen e gjërave të reja, joekzistuese, në praktikën e adhurimeve, si namazi, agjërimi dhe haxhi, kuptimi i tij është i ndryshëm nga ai që jepet në fjalorët e gjuhëve orientale, në të cilët mund të gjendet. Nëse do ta shohim këtë çështje duke u nisur vetëmse nga domethënia e kësaj fjale në fjalor, atëherë çdokush që thotë apo sjell diçka të re, joekzistuese në fe, duhet të jetë i destinuar për në ferr. Kësisoj, mos duhet të mendojmë që në Xhehenem duhet të shkojnë edhe ata që kanë zbuluar pajisjet si radio, televizioni, apo që kanë hedhur disa hapa cilësorë dhe risues në shkencë, si në fizikë, kimi, astronomi, apo mjekësi? Patjetër që jo; të gjitha arritjet e bëra në lëminë e shkencës, teknikës dhe teknologjisë janë shumë të dëshirueshme dhe të rëndësishme për njerëzit dhe Islami i nxit pa reshtur bestimtarët e tij drejt diçkaje të tillë. Çdo brez është i detyruar që të bëjë diçka të re për t’ua lënë trashëgim brezave të rinj që do të vijnë më pas. Dhe nëse do ta shikonim këtë çështje siç e thotë edhe fjala e njohur: “Përgatitini fëmijët tuaj sipas kohëve që do të vijnë dhe jo sipas kohës në të cilën jetojmë.” Dhe, sipas këtij mendimi, e kemi të pamundur që të mund ta shpjegojmë se ç’mund të jetë bid’at-i absolut.

Ndërsa bid’at-et e padëshiruara, madje edhe më, ato që janë të shëmtuara, janë veçanërisht ato bid’at-e që janë ndërfutur më vonë në brendësi të fesë, më shumë në trajtën e suneteve, duke ua zënë vendin disa të tjerave, të cilat kanë qenë ekzistuese që nga koha e Profetit tonë (s.a.s.). Të gjitha ato që një besimtar mund të kryejë për sa i përket adhurimeve janë të përcaktuara prej Kuranit dhe Sunetit. Nëse i Dërguari i Allahut (pqmT) do të na thoshte: “Me t’u zgjuar në mëngjes do të kërceni njëzet herë”, atëherë, edhe ne do t’i bënim ato njëzet kërcime pa dyshimin më të vogël. Por nëse nuk kemi asnjë transmetim të tillë nga Profeti ynë (pqmT), ne nuk mund të shpikim një adhurim të ri të mëngjesit të përbërë vetëmse nga qëndrimi në këmbë. Mirëpo, qëndrimi në këmbë gjatë namazit bart domethënien e qëndrimit gatitur, me përulësinë e adhuruesit, karshi Allahut të Madhëruar. Ndaj, çdo veprim tjetër i bërë gjatë kryerjes së këtij adhurimi është i shëmtuar dhe i padëshirueshëm. Sepse në fenë tone nuk ka kurrfarë urdhërese të këtillë. Ne jetojmë një jetë të ndritur për aq sa u qëndrojmë besnikë atyre gjërave që na ka mësuar Profeti ynë (pqmT) lidhur me adhurimet. Pos këtyre, edhe gjërat më të shndritshme mbeten të zbehta përballë atyre gjërave që i gjejmë mes mësimeve, këshillave dhe udhëzimeve të Krenarisë së Njerëzimit (s.a.s). Kësisoj, me bid’at-e ne do të kuptojmë ato gjëra që nuk ekzistojnë në fe dhe që i kemi ndërkallur ne vetë, më vonë, me kalimin e kohës.

Gjendja e atij që kryen bid’at-in:

As që diskutohet se në fenë tonë mund të kryhen edhe shumë gjëra të reja, të cilat e kanë origjinën dhe thelbin në fenë tonë dhe mbështeten fort pas disiplinave të saj. Për shembull, ka disa gjëra, të cilat ne i kryejmë sipas mënyrës sonë dhe duke u bazuar tek formulat e gatshme të atyre çfarë kanë këshilluar e transmetuar një varg personalitetesh të mëdha. Mirëpo ato e kanë si origjinën, ashtu edhe thelbin, në fenë islame. Në Kuranin Famëlartë Allahu i Madhëruar na urdhëron: “O ju që keni besuar, përmendeni shumë Allahun.” Siç e shihni, nuk është vendosur kurrfarë kufiri. Njeriu, me sa kohë dhe mundësi të ketë, e kujton vetë dhe ua kujton edhe të tjerëve Allahun me gjuhën, zemrën dhe sjelljet e tij. Sepse besimtar quhet ai njeri, që kur e sheh, të kujton Allahun (xhel’le shanuhu). Ai është serioz, kryelartë, i matur dhe nga çdo sjellje e tij derdhen pikla robërie dhe adhurimi. Dhe njeriu ashtu siç e kujton Allahun me gjuhën dhe me sjelljet e tij, duhet ta kujtojë Atë edhe me zemër. Ja, të gjitha këto përbëjnë domethënien e ajetit të sipërpërmendur.

Mirëpo ne nuk dimë asnjë rast që i Dërguari i Allahut (pqmT) të jetë ulur të ketë përmendur “Allahu Ekber” për plot pesëqind herë me rradhë. Mirëpo, kur dikush e udhëzon nxënësin e vet duke i thënë që ta përmendë Allahun pesëqind apo pesëmijë herë, kjo është diçka që varet vetëmse nga mençuria e mentorit, i cili e njeh më së miri lidhjen e nxënësit të tij me Allahun (xh.sh.) dhe e di edhe më mirë se sa më shumë do që ai të afrohet edhe më me Allahun (xh.sh.). Dhe, duke e kryer këtë dhikr, nxënësi afrohet akoma më shumë edhe me mësuesin e vet. Ashtu siç ky i fundit, kur mëson se nxënësi i tij mund të bëjë akoma më shumë, ia shton gradualisht detyrat që duhet të bëjë karshi Krijuesit. Dhe kjo situate vazhdon derisa t’i thyhet ashpërsia që ka në zemër dhe në të të depërtojë drita e Muhamedit të nderuar (alejhis’salatu ues’selam) dhe t’i pastrohet natyra nga ndryshku që mund të ketë zënë. Ndërkohë lidhja e nxënësit me Allahun (xh.sh.) përforcohet edhe më shumë, duke bërë që ai të drejtohet drejt horizontesh më të epërme që shohin drejt botësh shumë më të larta.

Po, në Kuranin Famëlartë përmendja e Allahut (xh.sh.) urdhërohet gjithnjë pa u vendosur asnjëherë një kufi i caktuar. Dhe një udhërrëfyes shpirtëror ia vendos kufirin dishepullit të tij duke pasur parasysh gjendjen shpirtërore, mundësitë dhe kapacitetin e tij. E vlerëson njëherë mirë e mirë me sytë e mprehtë të shpirtit nga koka te këmbët dhe ia ngarkon një përgjegjësi të këtillë duke pasur parasysh forcën e lidhjes që ai ka me Allahun (xh.sh.). Për shembull, i thotë se “Allahu (xh.xh.) na ka urdhëruar që ta përmendim shumë; ti përmende atë pesëqind herë.”, duke i kërkuar kësodore që të bëjë pesëqind dhikre me emrin e Allahut. Kjo është diçka që mund të realizohet vetëm përmes mençurisë së një mentori shpirtëror.

Ja, nëse do të nisemi vetëm nga domethënia leksikologjike e fjalës bid’at, të gjitha këto tesbihe mund të konsiderohen si bid’at, mirëpo duke qenë se ato e kanë burimin në zemrën e fesë, në Kuranin Famëlartë, ato janë cilësuar si bid’at-e të mira, të bukura, të pranueshme. Këtë mund ta përcakton vetëm një udhërrëfyes shpirtëror dhe sipas gjendjes në të cilën gjendet nxënësi i tij. Për shembull, dikush i këshillon të lexojë Xheushenin e trashëguar prej Zejnulabidinit, një tjetër Euradi Kudsije-n, apo Uirdet e Imam Shaziliut, për të cilat thuhet se janë marrë dhe janë formësuar nga uirde-t që bënte vetë i Dërguari i Allahut (pqmT). Disa syresh janë grumbulluar dhe janë përmbledhur nga njerëz të mëdhenj, si Muhamed Bahaudin Nakshibendi. Duke e pasur parasysh gjendjen e nxënësve të vet, mësuesi u jep atyre që të lexojnë vazhdimisht prej këtyre përmendjeve dhe lutjeve njëkohësisht. Ndërsa ata, duke i lexuar dhe duke i përsëritur ato vazhdimisht përparojnë pa ndalur në anën shpirtërore të ekzistencës së tyre. Me pak fjalë, largohen prej trupores, braktisin kafshëroren dhe zënë të ngjiten në shkallët dhe gradët e zemrës e të shpirtit, duke nisur të jetojnë kësisoj një jetë prej engjëjsh.

Ja pra, edhe pse këto janë bid’at-e në dukje, duke qenë se thelbi i tyre bazohet në Kuran dhe në Sunet, ne ato i quajmë bid’ate të mira, të cilat do të përftojnë shpërblime hyjnore. Kurse ato risi që nuk i gjen dot brenda fesë, as në dukje e as në aspektin thelbësor, me një fjalë detajet e imta që nuk mbështeten as te Kurani, as te Suneti, e as në praktikën e njerëzve të lartë si Nakshibendi, apo Imam Rabbaniu ne i shohim me syrin e bid’at-eve të shëmtuara, ndaj edhe përpiqemi që t’i mbajmë sa më larg mjediseve dhe xhamive tona. Kështu që njerëzit që kryejnë bid’at-e të kësaj natyre, të cilat nuk kanë burim, apo që duken sikur e kanë burimin, te Kurani dhe Suneti, kryejnë mëkat duke i bërë, apo duke u rrekur që ta përhapin sa më gjerë praktikën e tyre. Vjen një ditë që të gjitha ato që ka bërë i përplasen në fytyrë dhe i rezulton që të jetë lodhur më kot. Dhe, në njëfarë kuptimi, duke qenë se përbëjnë një lloj sjelljeje të mospëlqimit të Sunetit të Profetit tonë të Dashur (pqmT), njeriu që i praktikon e humbet edhe dritën dhe përftimin shpirtëror që vetë Suneti i mirëfilltë të fal. Është e pamundur që ky njeri të mos rezultojë përherë i mashtruar dhe të marrë të tatëpjetën. Zoti na ruajtë!

Shkaqet nga se lindin bid’at-et:

Ndërsa pjesa e mirë e risive, bid’at-eve, të mira është se, siç u shpreh edhe më sipër, ato kanë lindur nën ndikimin e njerëzve të mëdhenj. Duke qenë se thelbi i shumë prej tyre buron prej

Kuranit dhe Sunetit, na bën ne që të mos i shohim ato si veprime të meta e të gabuara. Kjo është qasja që kanë pasur edhe shumë personalitete si Imam Rabbaniu, apo rinovuesit e tjerë të fesë islame. Kurse bid’at-et e kategorisë së dytë, ato janë të shpikura ose prej disa injorantësh, që nuk kanë qenë edhe aq të vetëdijshëm për shpirtin e fesë, por që kanë menduar se po bëjnë diçka për fenë, ose i kanë nxjerrë ato në realitet si rrjedhojë e ndonjë dëshire të keqe, por është shumë e vështirë që t’i dallosh këto dyshime nga njëri-tjetri. Më veçanërisht, përgjatë shekullit të shkuar ka pasur shumë njerëz që kanë shpikur gjithfarë bid’at-esh në emër të fesë. Për shembull, po shohim se shumë njerëzve po u ndërtohen tyrbe dhe varre edhe më madhështorë se ndërtimet që po bëhen në emër të njerëzve që janë ende gjallë. Ato struktura mermeri me gjithfarë shënimesh dhe motivesh të gdhendura e stolisura mbi to nuk kanë kurrfarë domethënieje për të ndjerin që prehet aty, sidomos nëse është larguar shumë keq nga kjo botë. Ndoshta njeriu i ngratë që prehet aty, do të trishtohet e do të dërrmohet edhe më shumë kur të shohë gjendjen në të cilën ndodhet vetë dhe gjithë atë përmendore që është ngritur në emër të tij sipër. Edhe i Dërguari i Allahut i është qasur veçanërisht nga një tjetër këndvështrim kësaj çështjeje, duke na tërhequr vëmendjen me një mësim shumë të vyer.

Ka një hadith të bekuar, i cili transmetohet prej Aishes së nderuar (r.a.), ku shfaqet më së qarti mençuria e saj, i cili gjendet në librat e hadithit të Buhariut dhe të Muslimit: “Mos qani për të vdekurin, sepse ai vuan shumë prej vajtimeve tuaja.” Një hadith, të cilin Omeri i nderuar (r.a.) e trajton vetëm me kuptimin e tij të parë. Sepse, kur e pyesin Aishen e nderuar (radijallahu anha), ajo u përgjigjet kështu besimtarëve: “Vëllai im, Omeri, e di shumë mirë, por e vërteta nuk është ashtu”, duke na shpjeguar domethënien e vërtetë të këtij hadithi. Profeti ynë e pati thënë këtë hadith në xhenazenë e dikujt që ishte ndarë nga jeta pa besuar. Ai kishte vdekur si mosbesimtar dhe familja e tij vajtonin me ngashërim për ikjen e tij. Ndërkohë që ai përpëlitej në vuajtjet dhe dënimin e vet, nga ana tjetër shpirti i rëndohej prej vajtimit të njerëzve në emër të tij. Sapo kishte ikur dhe ishte ende në dijeni të gjërave që ndodhnin prapa tij. Besonte se nuk duhej qarë për një njeri si ai, ndaj edhe u thoshte “mos qani!” Mirëpo njerëzit e mbetur pas vajtonin, ndërsa ai vuante edhe më shumë prej kësaj.

Një tjetër praktikë që kryhet mbi varret është edhe ajo e hedhjes së ujit mbi to. Nëse do ta kundrojmë me kujdes këtë praktikë do të shohim se nën të fshihen një sërë gjërash të tjera. Pasi e varrosim të ndjerin, në mënyrë që dheu i hedhur përsipër të mos shpërndahet prej erës që fryn, mbi të hidhet ujë me shumicë. Ky nuk është një zakon që i përket vendit tonë; ai i përket më tepër atyre vendeve që nuk kanë dhe, apo baltë, por rërë si ajo e shkretëtirës. Mirëpo diç të këtillë nuk do të mund ta gjeni dot, as në Kuran, as në Traditën Profetike. Dhe ta trajtosh këtë çështjen e hedhjes së ujit se bëhet për të mos ikur dheu i hedhur sipër një varri sikur ky të ishte një rregull i rëndësishëm do të ishte shpifje ndaj Ebu Hanifes, ndaj sahabëve fisnikë dhe, ç’është më e rëndësishmja, ndaj të Dërguarit Fisnik të Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem).

Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) na tregon gjithashtu se një tjetër pikë ku njerëzit mund të rrëshkasin është edhe ajo e ndërtimit të tyrbeve për personalitetet e mëdha. Nëna jonë, Umu Selemeja (radijallahu anha) i tregon Profetit tonë (pqmT) që kur kishte mërguar në Etiopi kishte parë atje një kishë të madhe të quajtur “Maria”, në të cilën gjeje të zografisura imazhe nga më të ndryshmit. Pasi e pati dëgjuar, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) i pati thënë: “Para jush, në mesin e umeteve të shkuara, ka pasur bashkësi të atilla, të cilat e përjetuan më së miri humbjen e vërtetë. Asisoj që kur ndërronte jetë ndonjë njeri, të cilin ata e nderonin jashtë mase, mbi varrin e tij ndërtonin menjëherë një faltore dhe e mbushnin atë me piktura të atij njeriu të nderuar.

Dhe ja, tek Allahu ata janë ndër njerëzit më keqbërës.”37 Sepse ata mbi varret e njerëzve të mirë në mes tyre, përfshi këtu edhe profetët që janë të dërguar të Zotit, kanë ndërtuar faltore dhe vende ku mund të shkohet për t’u lutur apo për të adhuruar Allahun. Andaj, ende pa u larguar nga kjo botë, Ai po i paralajmëronte sahabët e Tij me një kujdes të përsosur, që të mos e bënin edhe ata një gabim të tillë, të pafalshëm.

Edhe ne i nderojmë të vdekurit, mirëpo nuk dalim përtej disa kufijve teksa e bëjmë këtë. Edhe varri i njeriut më të madh nuk mund të jetë më shumë se një vend ku lexohet një “Fatiha”, ku mund të lutesh për shpirtin e tij, ku duhet të qëndrosh me respekt dhe, nëse ai që gjendet i shtrirë aty është një person i pranuar pranë Zotit, më e shumta të themi: “O Zot na bëj ne të denjë për ndërmjetësimin e tij.” Ato nuk mund të bëhen kurrsesi vende të lutjes apo të adhurimit. Dhe trajtimi i tyre në çfarëdolloj forme tjetër përbën një bid’at.

Pas shekullit V dhe VI të kaendarit hixhri, në botën islame filluan të përhapeshin e të mbizotëronin shumë bid’at-e. Ata që erdhën më pas, u përballën me këtë teprim, duke rënë kësaj here në reduktim, sepse thanë se do t’u jepnin fund të gjithave dhe do të ringjallnin edhe njëherë Sunetin. I rrafshuan të gjitha varret e të parëve, sa nuk lanë më asgjë mbi sipërfaqen e tokës. Madje arritën gjer atje sa të preknin edhe varre të sahabëve fisnikë. Madje e shkatërruan edhe atë tyrbe që osmanët e kishin ndërtuar rrëzë Uhudit në nderim të kujtimit për dhëmbin e bekuar të Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Ashtu siç ata që kishin qenë para tyre e kishin tepruar duke i kthyer tyrbet në vende adhurimi, duke nisur kësodore periudhën e një totemi të ri; edhe këta, kësaj here duke e reduktuar çështjen, shkatërruan sa e sa varre që nderoheshin prej myslimanëve. Kur i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) u thotë vetë sahabëve të Tij:

37 Buhari, salat 54.

“Deri më tani jua pata ndaluar që t’i vizitonit varrezat, kurse tani po ju them që mund t’i vizitoni.” Sepse të vizituarit e varrezave i kujton njeriut vdekjen dhe ahiretin. Besimtari me një vetëdije të këtillë duhet t’i vizitojë ato, që atje t’i vijë në mendje ahireti. Por edhe lutja për ata që janë larguar nga kjo botë, duke i kërkuar Allahut që t’i falë ata njerëz është një nga punët që duhet të bëjë çdo besimtar. Të lutesh në varreza, duke i kërkuar falje Allahut përbën një sunet; kurse të treguarit e një respekti të tepruar karshi tyre dhe kthimi i tyre në hapësirë adhurimi përbën një bid’at.

Lidhur me këtë temë, një besimtari i takon që të veprojë përpikërisht me ato që feja urdhëron përmes Kuranit, Sunetit dhe librave të jurisprudencës islame dhe, nëse nuk arrin t’i sigurojë dot këta libra, apo nuk arrin që të gjejë asgjë lidhur me të, t’i drejtohet dikujt që e njeh më e mirë si çështje e të kërkojë këshillën e tij. E, nëse bëhet fjalë për një zakon me të cilin janë mësuar shumë e shumë kohë më parë, më e mira është që ta braktisë atë në moment, sepse ky është një ndër kushtet e të qenit besimtar dhe mysliman. Jeta e një besimtari duhet të jetë e prirur veç kah Suneti. Dhe ndërsa nga njëra anë përpiqet që të bllokojë çdo hapësirë prej nga mund të dalë bid’at-i; kurse ajo që mund të braktisë, mund të çojë në krijimin dhe zhvillimin e ndonjë bid’at-i të ri. E thënë shkurtimisht, çdo bid’at zhduk një sunet dhe çdo sunet i ringjallur zhbën një bid’at të krijuar.

Të dish të panjohurën

Pyetje: Disa njerëz të lartë janë shprehur se viti 1400 i Hixhrit është i mbarsur me shumë ngjarje të rëndësishme për botën islame, se nuk do të ketë kohë për të arritur në vitin 1500 dhe se për këtë myslimanëve u duhet të jenë të përgatitur dhe të tregohen të kujdesshëm. A është e vërtetë diçka e këtillë?

Përgjigje: Kjo, që njerëzit e lartë pranë Allahut (xh.sh.) kanë paralajmëruar herë pas here lidhur me të ardhmen, duke u mbështetur në disa shenja, por më e rëndësishmja, duke iu bërë e ditur nga ana e Allahut (xhel’le xhelaluhu), është diçka që ka ndodhur jo pak herë. Në një poezi divani, e shkruar para dyqind vjetësh, e cila gjendet edhe në bibliotekën time, shkruhet se do të vijë një ditë që kryeqytet do të jetë Ankaraja, duke gjetur shenja grafematike, si në krye do të ketë shkronjën A, mandej këtë shkronjë, mandej këtë shkronjë, duke bërë të ditur edhe se një ditë kryqytet nuk do të jetë më Stambolli. Madje edhe më, aty ekzistojnë shenja edhe se kur do të ndodhë diçka e këtillë. Mirëpo, as në ajete, as në hadithe, nuk ekzistojnë shenjat për deduktim të këtillë. Por, ashtu siç janë të hapura ndaj revelacionit, zemrat janë të hapura edhe ndaj frymëzimeve hyjnore. Andaj, njerëzit, të cilëve u është njohur privilegji i frymëzimit hyjnor, mund të dinë edhe disa gjëra lidhur me të ardhmen dhe atë që qëndron pas perdes së të diturës, patjetër që falë bërjes të ditur nga ana e vetë Allahut të Madhërishëm (xh.sh.). Jo të gjithë mund ta dinë vetvetiu të fshehtën që fshihet pas perdes së realitetit. Madje ka shumë dijetarë të Njerëzve të Sunetit dhe të Xhematit, të cilët e kanë gjykuar si mosbesimtar një njeri që pretendon kësi gjërash. Kurse disa njerëz i kanë paralajmëruar një varg gjërash të së ardhmes, falë bërjes të ditura nga vetë Allahu, sikur të kishin qenë duke e parë të ardhmen në ekranin e një televizioni, të cilat janë parë edhe të ndodhin gjatë rrjedhës së historisë pikërisht ashtu siç janë paralajmëruar më herët.

Po njësoj, ka pasur edhe njerëz, që, duke u nisur nga disa ajete kuranore dhe hadithe kanë bërë parashikime lidhur me jetën e mbetur të botës, gjithnjë duke bërë disa përllogaritje sipas rregullave të simbolikës numerologjike, si p.sh. hadithi “Do të dalë një bashkësi nga mesi i umetit tim, e cila do t’i dale zot të drejtës dhe të vërtetës deri në rënien e kiametit.”, por këto nuk duhen parë me syrin e së padiskutueshmes, ashtu siç nuk duhen pare as si të kota e pa kurrfarë domethënieje.

Ka edhe diçka tjetër që do ditur mirë, se ashtu siç mirësia e Allahut (xh.sh.) mund t’i bëjë disa njerëz që të bien në humbellën e mosmirënjohjes, edhe fatkeqësitë – sajë qasjes pozitive të njerëzve – mund të mbeten rrugës e të mos mbërrijnë te njeriu Për shembull, Allahu (xh.sh.) pati caktuar një ndëshkim për popullin e Ninovës dhe e pati lajmëruar edhe profetin e tij, Junusin (alejhis’selam). Junusi i nderuar, qe menduar mirë e mirë e ngase nuk donte që të mbetej mes popullit të tij dhe të ndëshkohej, u largua prej popullit të vet, duke hipur në një anije. Por njerëzit që gjendeshin në anije e patën hedhur në ujë dhe atë e pati kapërdirë një peshk i madh. Kjo është përmbledhja e asaj që është transmetuar rreth Tij.

Me t’iu larguar profeti, ninovasit i zuri frika se tanimë ata i priste një ndëshkim shumë i madh, andaj edhe u bënë bashkë dhe të lidhur dorë për dore iu përgjëruan Allahut për ditë të tëra me radhë, që t’i falte e të mos i ndëshkonte. Në përgjigje të këtij drejtimi të të gjithëve njëherësh Allahu u dërgoi atyre diçka të ngjashme me një re të stërmadhe dhe kështu e shmangu ndëshkimin e egër që po iu kanosej, duke bërë që për ta të çelej një horizont i kthjellët. Kësisoj, Junusi (alejhis’selam) u nderua me cilësinë e të qenit i vetmi profet që populli iu fal dhe iu shpëtua prej ndëshkimit. Po, e vetmja bashkësi që i kanosej një fatkeqësi e tmerrshme mbi krye, por që në fund u falën, është populli i Ninovës.

Në një hadith të bekuar që e provon këtë çështje, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) u thotë sahabëve të Tij: “(Nëse edhe ju jetoni duke u ruajtur nga këto kushte) kalifati ka për të zgjatur për shtatëdhjetë vite.” Dhe, vetëm pak kohë më pas, u ka thënë atyre: “Kalifati ka për të zgjatur tridhjetë vite pas meje.” Me sa duket, më vonë Atij i është bërë e ditur se ata nuk do t’i ndjekin me përparësi ato kushte, andaj edhe kalifati do të zgjaste vetëm për tridhjetë vite, e jo për shtatëdhjetë, siç u kishte thënë në fillim. Allahu (xhel’le xhelaluhu) nganjëherë ndërhyn me përcaktimin e Tij për ta ndryshuar caktimin e bërë po prej Atij vetë. Dhe kjo është një nga shenjat treguese të vendimmarrjes sipas një dëshire e vullneti hyjnor.

Poende, në një tjetër hadith profetik, i cili gjendet edhe te Buhariu, edhe te Muslimi, tregohet se ndër fëmijët e tij, Ademi i nderuar (alejhis’selam) sheh Daudin e nderuar (alejhis’selam) në një pozitë shumë të lartë. Thellësia e Daudit (a.s.) provohet edhe nga fakti se si ai u pa i denjë për ndërtimin e mbretërisë së Zotit mbi tokë. Ai ishte përfaqësuesi i përgëzimit hyjnor, si material, ashtu edhe shpirtëror, në tokë dhe kishte një mençuri dhe largpamësi të jashtëzakonshme. Pos Profetit tonë fisnik (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), mes profetëve vështirë të gjesh njërin syresh që të ketë qenë i privilegjuar me një pozitë të këtillë, ose janë shumë pak. Ademi (alejhis’selam), duke e parë Daudin (a.s.) mes gjithë asaj madhështie, e pyet atë se sa jetëgjatë do të jetë; kur mëson se vetëm gjashtëdhjetë vjet, i duken shumë pak, kështu që i drejtohet Zotit duke iu lutur: “O Zot! Nëse më lejon, dyzet vite nga jeta ime dua t’ia fal Daudit (a.s.).” Edhe Allahu i shtoi edhe dyzet vite të tjera jete Daudit (alejhis’selam). Mandej, kur Azraili erdhi për të tërhequr shpirtin e Ademit të nderuar (alejhis’selam), ai i tha: “Po unë sikur kisha edhe dyzet vite të tjera!”. “Po ti ia fale ato Daudit,” – i përgjigjet Azraili (alejhis’selam). Siç shihet, Allahu e kishte pranuar lutjen e Ademit (alejhis’selam) dhe me përcaktimin e Tij i pati shtuar edhe dyzet vite të tjera jete Daudit të nderuar. Ne këtë e quajmë përcaktim hyjnor brenda fshehtësive të Allahut (xh.xh.). Këtu e shumë vitë të shkuara, disa njerëz të kapluar prej rrezikut që shfaqin mrekullitë dhe qerasjet hyjnore, thoshin: “Këtë vit, gjatë Ramazanit të bekuar, pritet një çlirim nga trysnia dhe vështirësitë.” Më vonë, njëri që kishte qenë aty i pranishëm e pyet se përse nuk paten pasur kurrfarë çlirimi për të cilin ai u kishte folur, përgjigja qe: “Ngase xhamitë ishin pushtuar nga bid’at-et, çlirimi u mor mbrapsht.” Me një fjalë, nganjëherë, si pasojë e mosmirënjohjes sonë, të mirat hyjnore mund të tërhiqen mbrapsht e të mos bëhen realitet.

Një tjetër çështje që nuk do harruar është edhe lidhja e fortë që ekziston mes makrobotës dhe botës normative. Për shembull, nëse aksh planete që rrotullohen rreth diellit marrin një gjendje të caktuar në pozicione të caktuara dhe brenda një harku kohor të caktuar, paralelisht me këtë edhe në jetën shoqërore janë vërejtur të shfaqen një varg ndryshimesh cilësore. Shumë njerëz të së vërtetës që i njohin të fshehtat e makrobotës, mund t’i shprehin

Të dish të panjohurën

ato vetëm duke i shoqëruar me fjalët “Zoti e di më së miri”.

Dhe, që të kthehemi te çështja që ju prekni në pyetjen tuaj, tanimë periudha e mohimit ka marrë fund. Mes atyre që e përfaqësojnë atë kanë filluar të shfaqen një sërë parehatish dhe të gjitha objektet që ata kanë adhuruar gjer më tani cilësisht janë rrëzuar të gjitha një e nga një. Në rrjedhën e këtyre zhvillimeve, Allahu (xh.xh.) u ka vënë Islamin ndër zemra shumë njerëzve dhe ka gjasa që t’u falë edhe njëherë ngadhënjime besimtarëve. Sepse, mjafton që ne ta duam diçka e të lutemi për të dhe Allahu na e fal.

Kurse fraza, “myslimanët duhet të tregohen të kujdesshëm”, aty në pyetje, duhet të jetë e atillë, por në kuptimin që besimtarët të luten shumë, të pendohen për gabimet e tyre dhe, duke i përveshur mirë palët e pantallonave, të shkojnë fshat më fshat e qytet më qytet që t’u shpjegojnë njerëzve Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Sepse, për mendimin tim, nëse mes nesh nuk mbizotërojnë fërkimet, atëherë Allahu mund të na e falë menjëherë Islamin, që ne ta jetojmë me të gjithë cilësinë e tij. Nëse ngadhënjimi që do të vijë për ne do të kthehet një ditë mbrapsht, pa mbërritur ende te ne, atëherë duhet të jemi të vetëdijshëm, se kjo ka për të ndodhur për shkak të disa njerëzve që veprojnë sipas disa idesh fikse, fare skematike, që nuk duan askënd veç vetes, për faj të disa politikanëve egoistë që, për hir të interesave të veta, nuk do ta kishin për asgjë që të fusnin fërkime dhe ngatërresa në mesin e myslimanëve. Ndaj, nëse duam që ta shohim Islamin teksa vjen e ngre fron në zemrat e njerëzve me të gjithë cilësinë e tij, atëherë ne duhet të veprojmë veçse me dashuri për Allahun (xh.sh.), e jo për veten tonë, duke bashkëpunuar madje edhe me ata njerëz që na i përplasin në fytyrë të metat dhe gabimet tona. Por nëse ne rrimë e punojmë vetëm me ata hipokritë që na marrin me të mirë dhe na mbytin në lajka e na ngrenë gjer në retë, atëherë kemi për ta fundosur edhe Islamin, ashtu siç kemi fundosur veten.

Shenjat e kohës së fundit

Pyetje: A do të vetëshpallen Mehdiu dhe Mesihu i nderuar, ardhja e të cilëve është paralajmëruar se do të ndodhë në kohën e fundit? Po rreth Kahtaniut, për të cilin është paralajmëruar se do të vijë gjithashtu, a mund të na flisni?

Përgjigje: Pikë së pari më duhet të theksoj se Mehdiu i nderuar nuk është profet, por një rinovues i fesë. Ai vetëm sa do të rifreskojë fenë e zbritur bashkë me Profetin tonë të dashur (pqmT) dhe duke qenë se kjo do të jetë një vepër e një përfaqësie shpirtërore, ai do të paraqesë vetëm njërin aspekt të kësaj detyre të lartë. Ndërsa përsa u përket aspekteve të tjera të kësaj detyre të shenjtë, do të ishte paksa e çuditshme nëse do t’ia atribuonim atij të gjitha arritjet e kësaj pune, duke nisur që nga vënia në zbatim të shpirtit të Profetit Muhamed (pqmT) në mesin e jetës shoqërore, e deri te ngritja e kësaj çështjeje në një kauzë që përfshin mbarë njerëzimin, në mënyrë që ky shpirt të mbizotërojë mbi shpirtrat dhe ndërgjegjet e të gjithë njerëzve.

Megjithatë, në tërësinë e vetë, kjo çështje, që përbën një institucion të qenësishëm, siç është ai i rinovuesit të fesë, kjo është një detyrë që mund të kryhet vetëm ashtu siç ndodh nëpër fabrika ku nëpunës të ndryshëm marrin përsipër detyra të caktuara dhe kjo bën të nevojshme që myslimanët të jenë të bashkuar, sepse

Shenjat e kohës së fundit

vetëm me bashkimin e të gjithë besimtarëve myslimanë mund të kryhet kjo detyrë. Domethënë, çdo mysliman do të ketë përfaqësuar Mehdiun me aq sa do t’ia ketë vënë shpatullat kësaj detyre, sepse do të ketë marrë edhe ai pjesë në kryerjen e detyrës që i është ngarkuar Mehdiut. Dhe Allahu (xh.sh.) i ka ndriçuar herë pas here periudha të caktuara historike me personalitete të tilla, kaq të veçanta. Dhe jo gjithmonë mund ta dimë se kush kanë qenë konkretisht këta njerëz. Por nuk se është edhe aq e rëndësishme nëse e njohim apo jo se kush ka qenë konkretisht. E rëndësishme është që njerëzit ta jetojnë jetën e tyre në drejtpeshimin e kërkuar.

Ashtu siç nuk bëhet fjalë për një profet, edhe deklarimi apo artikulimi i dikujt si Mehdi, nuk është detyra e tij. Profeti ynë i dashur (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) e ka shpallur veten e Tij si profet sepse ky është e domosdoshme për detyrën e profetësisë. Sepse, nëse Profeti ynë do të thoshte: “Ku profetësia, ku unë!?” kur t’i thoshin se “Ti je i Dërguari i Allahut”, - hasha – Ai do të shkatërrohej në vend. Andaj, ashtu siç e kishte për detyrë që t’u thoshte “La ilahe il’lallah” njerëzve, Ai e kishte për detyrë edhe që t’u deklaronte se Ai vetë ishte i Dërguari i Allahut. Ndërsa Mehdiu, jo, ai është vetëm një trashëgimtar i trashëgimisë së Profetit (pqmT). Në kohën e fundit, detyra e tij do të jetë vetëm që t’i dalë zot trashëgimisë profetike, vetëm se ky nuk do të jetë obligimi i tij i vetëm.

Ndërsa Mesihu i nderuar – edhe nëse ai do të shfaqet si një njeri i vetëm dhe jo si një përfaqësi shpirtërore – nuk do të thotë “Unë jam profet!”. Sepse ai nuk do të vijë si profet, por si pjesë e bashkësisë së Profetit tonë (paqja qoftë mbi Të), e për këtë ka shumë hadithe që e mbështesin edhe në Musnedet e Buhariut, Muslimit dhe Ahmed bin Hanbelit. Mehdiu do t’i kërkojë Mesihut të nderuar që t’u prijë në namaz, mirëpo ai do t’u përgjigjet duke u thënë: “Ju mund t’i bëheni imamë vetëm njëri-tjetrit, unë nuk

mund t’ju prij dot në namaz!”

Megjithatë edhe kjo duhet kuptuar ndryshe.

Ndërsa Kahtaniu, i cili përmendet në pjesën e dytë të pyetjes, te Buhariu përmendet pa iu thënë emri46, ndërsa te Muslimi me emrin Xherxhah. Në interpretimin e Buhariut, Imam Kastalaniu shprehet se edhe te Buhariu bëhet fjalë pikërisht për Xherxhahun, ku nuk kemi asnjë emër konkret të dhënë.

Kahtani është edhe etnonimi i një krahine në Jemen. Edhe vetë Profeti (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) kur e përmend, thotë se Kahtaniu do të jetë me origjinë nga Jemeni dhe do të shfaqet pas Mehdiut. Dhe nga shprehja e veçantë që është përdorur në hadith, kuptohet se ky njeri është/do të jetë pak despot, me një krenari të theksuar dhe inatçor. Imam Kastallaniu shprehet se ky njeri do të jetë po aq besimtar edhe sa Mehdiu. Mirëpo ky koment është thjesht një interpretim individual i tiji. Në hadithet e bekuara thuhet se ai do t’i detyrojë dhe do t’i çojë njerëzit me zor drejt xhamive. Mirëpo raste të tilla ka pasur shumë, si në të shkuarën tonë të largët, ashtu edhe në atë më afër. Andaj, nuk është jashtë së mundshmes që ky njeri me origjinë nga Jemeni të jetë shfaqur, ta ketë kryer misionin e tij dhe të jetë larguar nga kjo botë.

Në vetvete ky hadith mund të jetë një shenjë se këta njerëz mund të shfaqen nëpër vende të ndryshme të botës, atëherë duhet kuptuar se domethënia është se bëhet fjalë për përfaqësime shpirtërore dhe jo për individë në veçanti. Prandaj, do të ishte e mundur edhe që të thoshim: “Ashtu siç mund të jenë të shumtë njerëzit që do të përfaqësojnë misionin e Mehdiut, mund të shfaqen edhe njerëz të ndryshëm me veçoritë e Xherxhahut, të cilët do të kryejnë misionin e Kahtanit, duke i çuar njerëzit me detyrim drejt xhamive. Për shembull, në vitet kur përgatiteshim

Shenjat e kohës së fundit

për Luftën e Pavarësisë, xhamitë mbusheshin duke i detyruar njerëzit me kamxhikë. Dhe ashtu siç mund ta kuptojmë kësisoj këtë çështje, me të mund të kemi parasysh edhe se këta njerëz, që do ta bëjnë diçka të këtillë, me detyrim, nuk janë shfaqur ende, por do të dalin në të ardhmen.

Duke qenë se ne jetojmë në një epokë kur çdo gjë përfaqësohet në rrafsh bashkësish dhe komunitetesh, t’ia atribuosh çështje të këtij dimensioni vetëm disa individëve të caktuar, apo ta shohim Kahtaniun si një person të vetëm, është e gabuar. Me një fjalë, nuk se është edhe aq e drejtë qasja për t’i parë misionet e Mehdiut dhe të Mesihut si detyra që i janë ngarkuar dy individëve të vetëm. Çdo kauzë e madhe përfaqësohet nga individë të caktuar, mirëpo përgjatë jetëgjatësisë së saj njerëzit që e mbështesin dhe e çojnë tutje atë janë të shumtë, kështu që kauza zë t’i përkasë një përfaqësie shpirtërore që është shumë më e gjerë. Andaj edhe ne nuk e pranojmë që Islami të quhet edhe muhamedanizëm. Sepse Profeti ynë (pqmT) e pati shpallur misionin tij, e pati plotësuar dhe pati ndërruar jetë, duke kaluar në jetën e amshuar. Mandej Islami i ka çelur gonxhet e tij përmes po të njëjtave principe dhe kritere përmes Ebu Bekrëve, Omerëve, Osmanëve dhe Alinjve dhe të sa e sa të tjerëve, duke u kthyer në një flamur që valëvitet mbi tërë sipërfaqen e botës.

Siç e thamë edhe pak më sipër, shekulli në të cilin jetojmë nuk është shekulli i individëve, por epoka në të cilën dalin në pah më tepër përfaqësimet shpirtërore. Në ditët tona, individi edhe sikur të jetë aq i arrirë sa të mos i gjesh dot shokun a të ngjashmin, e ka të pamundur që të lërë gjurmë në vetminë e tij. Edhe pragu i rrënimit i personaliteteve të mëdha aty fillon të shfaqet, kur ata e shohin bashkësinë që u shkon pas veçse si rezultat të madhështisë së tyre. Prandaj, kjo çështje u duhet transmetuar siç duhet brezave që do të vijnë me të vërteta dhe principe të mëdha, sepse ky është kuptimi i përfaqësisë shpirtërore. Mandej edhe kuptimi i misionit

90

të Kahtaniut do të jetë më i kuptueshëm nëse do të shihet në sferën e përfaqësisë shpirtërore, por është Allahu (xh.sh.) që e di më të drejtën e çdo gjëje.

Lidhja mes njerëzve dhe xhindeve

Pyetje: A ekziston ndonjë lidhje mes njerëzve dhe xhindeve?

Përgjigje: Ajo që ne kemi dëgjuar dhe dimë rreth xhindeve është se edhe ato janë krijesa që janë të ngarkuara me përgjegjësinë për ta adhuruar Allahun njësoj si ne, e që kjo botë është edhe për ta një botë provimi, njësoj siç është edhe për ne, që edhe atyre u duhet që ta njohin Zotin në këtë botë, të kundrojnë në të emrat e Allahut dhe, të mrekulluar prej cilësive të reflektuara në të, kanë përgjegjësinë për të treguar çdo përpjekje të mundshme që të meritojnë amshimin e dëshiruar.

Si marrja jonë me xhindet, ashtu edhe marrja e tyre me ne është një punë e kotë për të dyja grupet, që për Allahun (xhel’le xhelaluhu) nuk ka kurrfarë vlere. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka vënë një kufi për të bërë një dallim në parime mes njerëzve dhe xhindeve. Për shembull, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka shpjeguar se me çfarë ushqehen ata, duke i bërë thirrje umetit të Tij që të tregohen të kujdesshëm. Sipas asaj që na është transmetuar, ata ushqehen me jashtëqitje dhe me kocka. Ndoshta ata përfitojnë prej gazrave dhe lëndës radioaktive që shpërndahet prej tyre. Dhe, ndërkohë që engjëjt dhe shpirtërorët e mirë marrin kënaqësi prej aromave të mira, grupi i xhindeve pëlqen më tepër erërat e pista. Lajmëtari Besnik (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka paralajmëruar kësisoj mundësinë e shkeljes së kufirit nga të dyja palët përsa i përket ushqimit, duke i treguar më së miri kufijtë që duhet të ekzistojnë. Ai na lajmëron se ashtu siç ne nuk hyjmë brenda kufirit të tyre për sa i përket ushqimit të tyre, as ata nuk e kalojnë kufirin për të siguruar ushqim prej ushqimeve tona. Nëse ata na shfaqen në trajtën e ndonjë kafshe dhe ne u sjellim dëme, atëherë ne nuk jemi përgjegjës për atë që ka ndodhur.

Tortura karshi gjindjes së xhindeve, duke i thirrur e duke i nxitur, me qëllim argëtimin, është më e pakta një punë e kotë, pa kurrfarë kuptimi. Mirëpo xhindet mund të përdoren për të kryer shumë punë të mira. Dhe këtë e them duke u mbështetur në parimin e ajetit kuranor, “Gjithë ç’ka në Tokë e në Qiej Zoti jua ka vënë në shërbimin tuaj.” Edhe ata janë pjesë e këtij përgjithësimi. Dhe këtë e kuptojmë më së miri edhe nga vënia e xhindeve nën urdhrat e Sulejmanit të nderuar (alejhis’selam), që deri atje mund të arrijnë mundësitë për njerëzit. Nëse e ndjek atë rrugë, njeriu mund të arrijë të bëjë shumë gjëra. Leja që i është dhënë një profeti që dridhet e përpëlitet edhe përballë gabimit më të vogël, mund t’u jepet edhe njerëzve që shkojnë pas tij. Kështu që ato që kanë qenë të mundura për profetët e shkuar – nëse nuk ka një vendim se kjo ka qenë diçka e mundur veçse për ta – mund të jetë e vlefshme edhe për ne, andaj nuk besoj se ka ndonjë gjë të gabuar në përdorimin e xhindeve për të kryer punë të mira e të hairit.

Sulejmani i nderuar (alejhis’selam) i pati marrë xhindet nën kontrollin e vet dhe i vinte që të punonin për të. Kështu, mbi veprimtarinë e zhvilluar mbi rruzullin tokësor mbizotëronte drejtësia. Ai që mund ta bëjë këtë, e bën; mirëpo nëse ata përdoren për hir të qejfit të secilit, atëherë çështja del nga binarët dhe kthehet në një çështje argëtimi. Dhe, e këtillë, ajo u hyn më shumë në punë studentëve që përgatiten për provimet universitare, të cilëve u duhet që të gjejnë pyetjet që do të kenë provimet, burrave të shtetit që u duhet të bëjnë transferta të fshehta bankare nga bankat qendrore. Mirëpo unë kam bindjen se do të vijë një ditë që varisë të Tokës do të jenë robërit mirë të Zotit dhe atëherë Allahu (xhel’le xhelaluhu) do t’u falë atyre mundësitë për të përdorur çdo gjë që ekziston në tokë. Ata njerëz të mirë do të kenë mundësinë që të përdorin çdo gjë që ka mbi Tokë, duke nisur nga kafshët, bimët e gjer edhe te xhindet. Dhe, falë kësaj, mbi Tokë do të mund të ndërtohet një sistem ku mbizotëron drejtësia e plotë, njësoj si në kohën e Sulejmanit (a.s.). E kjo është e kuptueshme edhe në sihariqin e dhënë në shumë prej ajeteve kuranore.

Mirëpo, ashtu siç njerëzit mund t’i marrin xhindet nën kontrollin e tyre, e njëjta gjë është e vlefshme edhe për xhindet, sepse edhe ato mund të ndikojnë te njerëzit. Ashtu siç ne mund të kemi ndikim tek ata përmes emrave që na vijnë në ndihmë neve, edhe ata kanë mundësinë e ndikimit te ne përmes emrave që u vijnë atyre në ndihmë. Ibni Ebi’d-Dunja thotë se xhindet jo gjithmonë e në çdo vend mund të marrin ç’trajtë të duan. Sepse edhe kjo ndodh falë ndonjërit prej emrave që është kuptuar më së miri syresh. Për shembull, le të themi se emri “el-Musauuir” (Ai që i jep formë gjithçkaje). Ka gjasa, që kur ata e përmendin këtë emër, ata nuk i pengon më asgjë që t’u kthehet në realitet gjithçka që mund të jenë duke çuar nëpër mend në ato çaste. Dhe ja, xhindet janë qenie të privilegjuara me shumë emra në këtë mënyrë. Dhe, sajë këtyre emrave ata mund të marrin shumë njerëz nën kontrollin e tyre, për t’i drejtuar ata si të duan. Megjithatë, në përgjithësi, ne i shohim ata njerëz që merren nën kontroll prej xhindeve, duke u kthyer në pupeta të tyre, të bien kaq poshtë nëpërmjet tri rrugësh:

E para, spiritizmi, që ata që merren me gjëra të tilla, si shpirtrat dhe xhindet, duke qenë përgjithësisht të paditur mjaftueshëm, mbeten pre e disa xhindeve të fuqishëm dhe nuk qëndrojnë dot më po aq të ekuilibruar brenda dimensioneve të hapësirës ku gjendemi edhe ne në këtë botë. Andaj, të tjerët i shohin këto sjellje të tyre me përçmim dhe gjithë sa thuhet nga goja e tyre nuk u duken asgjë më shumë se brroçkulla dhe gënjeshtra. Megjithëse shumë mjekë i quajnë halucinacione gjërat që shohin dhe dëgjojnë këta njerëz. Kur, në të vërtetë, ata vetëmse kanë ndërruar dimension, duke hyrë në kontakt me një tjetër botë, nga e cila i vijnë zëra dhe pamje të tjera. Dhe këta bien kryesisht pre e vështirësive dhe rreziqeve që bart të qenurit pa një udhërrëfyes në jetë. Prandaj, pjesëmarrja në seancat ku thirren xhinde dhe djaj është një punë e kotë dhe e rrezikshme.

Së dyti, nganjëherë, mund të ndodhë që ato kufij që janë caktuar dhe janë shpjeguar prej Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) të kalohen dhe të hysh kësisoj brenda kufirit të tyre. Kur ndodh që mund t’u kesh prekur ushqimin, apo kur i përmend dhe ata iu afrohen njerëzve që i kanë përmendur. Nganjëherë, ata që thyejnë ndonjë këmbë, apo bëhen copë-copë si pasojë e ndonjë aksidenti, mund të ndodhë edhe që të jenë ngacmuar prej xhindeve. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) na këshillon që të lutemi vazhdimisht, në mënyrë që rreth nesh të krijohet një atmosferë jo vetëm e këndshme, por edhe mbrojtëse ndaj rreziqeve të mundshme që mund të na kanosen. Nëse një besimtar, ashtu siç ka mësuar prej Tij, çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, përsërit tri herë lutjen: “Unë u gdhiva/ngrysa me emrin e Allahut, Atij që po të kërkosh mbrojtje prej emrit të Tij asgjë e keqe nuk të afrohet dot. Ai dëgjon dhe është në dijeni të gjithçkaje.” atëherë atë nuk e gjen asgjë e keqe. Kësisoj, atij besimtari që e përsërit vijimisht këtë lutje nuk i kanoset asnjë rrezik prej tyre. Po ashtu, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) na këshillon që kur shkojmë në një vend për herë të parë të themi lutjen: “Unë mbështetem fjalë për fjalë te fjalët e Allahut për t’u mbrojtur prej rrezikut të krijesave të Tij.” Me këto këshilla, Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka dashur që të na ftojë drejt një përgatitjeje shpirtërore sa më të fortë. Prandaj, duke u përsëritur sa më shpesh të gjitha këto lutje, duhet krijuar një atmosferë dhe fushë manjetike e atillë që ata të mos kenë asnjë mundësi për t’u afruar gjer pranë nesh, ndërsa ata që u afrohen vetë të jenë të mbrojtur nga e keqja që mund të vijë nga ata.

Ndërsa çështja e tretë që mund të përbëjë shkak për të rënë nën kontrollin e xhindeve janë disa sjellje të njerëzve, të cilat janë shumë të volitshme për xhindet maskarenj që duan të tallen e të argëtohen me njerëzit. Për shembull mungesa e abdesit është një prej atyre sjelljeve. Një tjetër rast që thuhet se xhindet vijnë e ngatërrohen me njerëzit është edhe koha kur femrat janë në situatat e tyre karakteristike. Prandaj, lënia e grave që janë me zakone, apo që janë lehona, pa lutje të vazhdueshme nuk është aspak e drejtë. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) këshillonte që edhe kur bëhet ajo punë jetike dhe e fshehtë për vijimësinë e brezave të qenies njerëzore, të lexohej lutja: “Me emrin e Allahut, o Zot largoje djallin prej nesh e prej fëmijëve që do të na falësh me mirësinë Tënde!” Me pak fjalë, mundësia e përfshirjes së tyre për të ndikuar te njerëzit qenka e atillë, saqë ata mund të depërtojnë gjer edhe në mitrën e nënës për të ndikuar te fëmijët e paardhur ende në jetë. Ndërsa në një tjetër hadith Ai na thotë: “Asnjë fëmijë nuk vjen në botë pa u prekur njëherë prej shejtanit. Vetëm Isa ibni Merjemi dhe nëna e tij nuk janë prekur.” Profeti i thjeshtë (alejhis’salatu ues’selam) nuk thotë edhe për vete, por për në këtë pikë Ai është i pari, para Isait të nderuar (alejhis’selam). Prandaj, do treguar një kujdes shumë i madh karshi një armiku që mund të depërtojë kaq larg. Ka gjasa që atje njeriut t’i ndërhyhet në strukturën e tij të mendimit dhe atë të shpirtit. Në atë çast edhe ato gjëra që nuk mund të mendohet se mund të lënë gjurmë, mund të kenë ndikim. Zgjidhja praktike e këtij problemi është të qëndruarit vazhdimisht me abdes dhe leximi i lutjeve të këshilluara prej të Dërguarit të Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Edhe pse gratë nuk mund të lexojnë Kuran kur janë me situatat e tyre të veçanta, ato mund t’i krijojnë vetes mburoja prej tesbihëve, dhikrit dhe lutjeve të pandërprera.

Një tjetër pikë e rëndësishme që duhet trajtuar lidhur me xhindet janë edhe seancat e spiritizmit që zhvillohen nga disa njerëz të caktuar, të cilët quhen ndryshe mediumë. Duke u mbështetur te dëshmitë e atyre që kanë marrë pjesë nëpër seanca të tilla, por edhe nga pohimet e njerëzve të Zotit lidhur me këtë, pikëpamja mbizotëruese është se ata që vijnë gjatë këtyre seancave janë xhinde ose shpirtra të pista. Për shembull, kur thërrasin Mevlana Xhelaledin Rumiun, ai që vjen nuk është shpirti i Mevlana Xhelaledin Rumiut. Kjo ndodh pasi disa nga njerëzit që marrin pjesë nëpër këto seanca i ndihmojnë disa xhinde. Xhindet, të cilëve u kërkohet që të thërrasin Mevlanën e kanë të pamundur që të ngjiten dot gjer në shkallën e tij, kështu që e kanë të pamundur që ta thërrasin. Sepse kur i kërkon një njeriu të lartë që të thërrasë shpirtin e një rinovuesi të fesë, ai do të të thotë, “Ku ne, ku shpirti i tij! Ne nuk arrijmë dot deri në nivelin e tij.” Po, sepse që të mund të komunikosh me ato shpirtra aq të larta, më e pakta duhet që të jesh edhe vetë në shkallën e tyre. Prandaj, njerëzit e zakonshëm e kanë të pamundur që të ngjiten gjer në lartësitë ku gjenden shpirtrat e kulluar të atyre njerëzve të rrallë, si Mevlana i nderuar, si Imam Gazaliu, apo Imam Rabaniu; kjo është e pamundur dhe as ato personalitete nuk të vijnë. Ai që vjen më e shumta mund të jetë ndonjë xhind që vjen në formën e tyre, me të njëjtat veshje si të tyret, për shembull të vjen një xhind pikërisht si Mevlana i nderuar, i cili tallet me ta dhe ata të ngratë as që e kuptojnë asfare. Sepse nëpër këto seanca ka gjëra të atilla që kanë të bëjnë me fenë, rreth të cilave vështirë të gjesh diçka të thënë nga ajka e njerëzimit, që janë profetët, duke filluar nga Ademi i nderuar (alejhis’selam) e deri te Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Prandaj gjithë sa bëhen nëpër këto vende nuk janë veçse sjellje skandaloze ku më e pakta njerëzit vihen në lojë, sepse mund të ndodhë edhe që t’i lënë mendtë aty ku janë.

Sot shumë njerëz pretendojnë se njerëz si Mevlana, si Imam Gazaliu, apo si Imam Rabaniu u diktojnë gjëra, të cilat ata duhet t’ia thonë njerëzimit dhe kjo të sjell në mendje Hasan Sabahun. Edhe atij patën filluar t’i vinin frymime të këtilla, derisa me kalimin e kohës ai e pati humbur krejtësisht aftësinë e të gjykuarit. Poende unë mendoj se nuk ka për të qenë i mirë as fundi i atyre që pretendojnë gjëra të tilla në ditët e sotme. Që Hasan Sabahu ishte një njeri i atillë që kishte mik të tijin njerëz si Nizamulmulk-u në ato vitet e para të Selçukëve. Po ashtu, edhe Omer Khajami, i cili nuk arriti që të gjente dot një ekuilibër, u zhyt në batakun e materializmit, i përkiste së njëjtës periudhë. Megjithëse kishin të njëjtën prejardhje dhe megjithëse i kishte përftuar aq shumë botës islame, ai nuk shpëtoi që nuk shpëtoi dot prej mendimit materialist. Derisa e shihni që, përmes poezive, t’i këshillojë njerëzve që ta jetojnë jetën pa njohur kurrfarë kufiri, sikur të ishin duke u hakmarrë prej saj. Ja se si thotë në njërën syresh:

“Më kot kujtohesh për ditën e shkuar,

Mos klith për një çast që ende s’erdhi

E shkuar e ardhme përralla janë të gjitha

Shiko të kënaqesh, jetën ti dëm mos e shuaj!”

Edhe Hasan Sabahu, i cili ishte nxënës i së njëjtës medrese qe zhytur në spiritizëm me të dy sytë mbyllur dhe nuk pati arritur që ta shpëtonte dot më veten. Atij fillimisht i patën ardhur frymime sikur ai ishte rinovuesi i radhës i fesë, mandej pati dëshmuar te vetja disa situata të pazakonta, derisa devijoi krejtësisht nga rruga e normalitetit. Këta shpirtra të pista që e shndërruan në një pupetë për të ardhur keq bënë që ai të stiste në kokën e tij një xhenet dhe një xhehenem artificial dhe të kalonte në satër me mijëra sunitë.

Kështu ka nisur edhe lëvizja e Karmatinjve. Pati rënë njëherë pre e sulmeve të shpirtrave të pista, megjithatë shembujt e njerëzve që kanë parashtruar urdhra e kritere të reja, të ndryshme nga ato që gjenden në Kuran dhe në Sunet dhe që për vete kanë menduar se kanë hapur një epokë të re, janë të shumtë.

Në të shkuarën janë shfaqur sa e sa njerëz që kanë pretenduar se kanë qenë profetë. Më i fundmi i tyre ka qenë edhe themeluesi i lëvizjes së Kadijanizmit, Gulam Ahmedi, i cili i ka kushtuar rëndë botës islame. Nëse hedhim një vështrim nga jeta e tij do të shohim se edhe ai ka qenë i pushtuar nga xhindet, njësoj siç pati ndodhur në të gjitha rastet në të shkuarën. Edhe ky njeri në krye qe një njeri shumë i pastër dhe si një reaksion karshi jogizmit që kishte fituar një popullaritet të veçantë në Indi, ai krijonte kontakt me xhindet me qëllim lartësimin e fesë islame. Siç e dini te jogit gjendet një fuqi e jashtëzakonshme shpirtërore. Edhe ai e bëri këtë për të dalë ngadhënjyes karshi tyre dhe për të treguar se Islami qëndronte shumë më lart. Ne mënyrën e shfaqjes së kësaj mes myslimanëve e quajmë “fakirizëm”. Edhe Gulam Ahmedi e nis me fakirizëm, mirëpo me kalimin e kohës bie nën kontrollin e shpirtrave të pista. Në fillim ato përpiqen që ta bindin se ai është rinovuesi i shekullit në të cilin jetonte dhe, mandej, i thoshin se ai ishte rinovuesi i dërguar për të sistemuar të gjitha çrregullimet e shkaktuara prej shekullit XX. Ndërsa më vonë vërejmë se si këto shpirtra të pista e detyrojnë Gulam Ahmedin që të shkojë në Pakistanin e sotëm (sepse nuk qe krijuar ende shteti i Pakistanit në atë kohë) dhe në Indi për të punuar në llogari të vendeve kolonizuese. Kësisoj, ai filloi që në librat që shkruante të thoshte se sado që të krijonin një shtet të mëvetësishëm, myslimanët nuk do të mund ta siguronin dot lumturinë që u sjellin të tjerët që vijnë për t’i sunduar. Për mendimin e tij, falë anglezëve ata kanë mundësitë që të jetojnë një jetë sikur të ishin në Xhenet. Apo, edhe më tej, se njeriu do të mund të jetë i lirë në ahiret vetëm nëse ka qenë nën sundimin e të tjerëve gjatë jetës në tokë.

Dhe këtu, ashtu siç mund të bëhet fjalë për pushtim nga shpirtrat e pista, mund të kemi të bëjmë edhe për përdorim nga të tjerët si e si për të penguar zhvillimin e shoqërive myslimane.

Nëse do të vërejmë me kujdes të gjitha ato që thotë më vonë, përpara syve do të na shfaqet një Gulam Ahmed krejt tjetër. Kësaj here atë mund ta shihni të shfaqet si njeriu që pretendon se ai është Mehdiu. Kjo është periudha e dytë e pushtimit prej shpirtrave të pista. Derisa, vjen periudha e fundit, dhe ai tashmë pretendon se është Mesihu.

Po ashtu mund të flitet edhe rreth Bahaullahut, apo rreth shumë njerëzve të tjerë, të cilët patën po njësoj nën kontrollin e xhindeve. Tek ata do të shihni se të gjithë e kanë nisur atë punë shumë pastërtisht, vetëm se me kalimin e kohës gjithçka e pretenduar prej tyre ka qenë ajo që janë udhëzuar prej xhindeve. Për këtë arsye, të marrët me xhinde, ashtu siç është përmendur në pyetjen që më keni drejtuar, nuk është aspak e drejtë. Sepse historia i ka vënë në pah të gjitha pasojat e tmerrshme të kësaj marrëdhënieje e ato janë tashmë të ditura nga të gjithë. Zoti na ruajtë ne!

Dëshira e zjarrtë për të parë Profetin

Pyetje: Megjithëse kam shumë dëshirë që t’i shoh, Profetin tonë të dashur (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), sahabët e Tij fisnikë dhe njerëzit e tjerë të lartë me radhë, në ëndërr, nuk arrij t’i shoh dot. Kam filluar të dyshoj te forca e besimit tim. Çfarë më këshilloni?

Përgjigje: Siç na lajmëron edhe Profeti ynë, në kohët e fundit ëndrrat do të jenë lajmëtaret më të mëdha të të vërtetave pas profetësisë. Pas misionit të profetësisë, ne jemi lajmëruar për të fshehtat e shumë të vërtetave të mëdha përmes ëndrrave. Mirëpo disa njerëz arrijnë që ta përballojnë dot madhështinë e tyre dhe nuk ngrihen dhe përpiqen që të shesin mend me ëndrrat e para apo me lajmet e marra përmes tyre, sepse ata nuk kanë nevojë për diçka të tillë. Ka disa njerëz që janë besnikë ndaj Allahut (xh.xh.), të cilëve Allahu u dërgon herë-herë lavdërime dhe përnderime të veçanta, pa u dërguar asnjë syresh, sepse këto janë gjëra të rendit sa për të kaluar radhën për ata. Allahu i Madhërishëm sillet kësisoj me ata: “Si t’ua jap si të mos ua jap gjërat e kësaj natyre, ata zaten do të vijnë te porta ime dhe do të qëndrojnë në këmbë para saj. Kryejnë adhurimet dhe robërinë e tyre për pesëdhjetë a gjashtëdhjetë vjet dhe unë nuk ua hap atë portë dhe nuk ua bëj

Dëshira e zjarrtë për të parë Profetin

të ditur se jam duke i parë që po qëndrojnë përpara portës Sime. Mirëpo ata janë aq besnikë, saqë duket sikur besnikëria u ka hyrë deri në brendësi të qelizave të gjakut, sepse nuk i has kurrë që të kenë qoftë edhe pritshmërinë më të vogël.

Në dukje këta njerëz të lënë përshtypjen se nuk e kanë shijuar eliksirin e të qenit njerëz të lartë në sytë e Allahut (xh.sh.) dhe nuk kanë parë as pikën më të vogël të thagmës në jetën e tyre, mirëpo vlera e vërtetë e tyre është shumë më e lartë se ajo e të qenit njeri i lartë pranë Allahut (xh.xh.), apo ajo e të shfaqurit gjendje të mrekullishme në jetën e tyre personale dhe shoqërore. Ata i gjen përherë përpara portës së të Drejtit, të qëndrueshëm dhe të palëkundur. Andaj nuk duhet t’ua quajmë si të metë që nuk arrijnë që t’i shohin nëpër ëndrra personalitetet e mëdha. Ne duhet ta mbajmë të pastër zemrën karshi qëndrimesh të këtilla, duke shfaqur çdoherë besnikëri. Robëria dhe adhurimet tona për Allahun (xh.sh.) nuk duhet të jenë asnjëherë të konceptuara si një përgjigje ndaj të mirave që na vijnë prej Tij. Edhe sikur Ai të mos na e bëjë asnjëherë të ditur diçka të tillë, sikur të mos na falë asgjë të veçantë për të shijuar, apo të mos na e ngopë zemrën, ne duhet të shfaqim ndjenjat më të forta të besnikërisë, të sinqeritetit, pastërtisë dhe identifikimit tonë të brendshëm me Të dhe të shtrëngojmë dhëmbët në shenjë durimi përpara asaj Porte. Njësoj siç qëndronte Junus Emreja përpara Taptuk Emresë. Ja se si i pati folur Taptuku Junus Emresë, i cili donte të shihte ndonjë gjë a ndonjë shenjë: “O bir, unë doja që ti të shkosh në ahiret si një sënduk i pahapur asnjëherë…”

Edhe pse ëndrrat mund të jenë të një rëndësie të veçantë, njeriu nuk duhet të jetë i fiksuar pas tyre. Ç’e do që ka edhe nga ata që ngarendin pas së vërtetës për të marrë ndonjë qerasje të vogël, por këta janë, në përgjithësi, njerëz të dobët. Ata që ia dedikojnë zemrën krejtësisht Allahut (xh.sh.) nuk ia ndiejnë nevojën mirësive të tilla, prandaj edhe i sheh gjithësaherë besnikë përpara portës së të Dëshiruarit. Ka disa njerëz që i njoh po aq mirë sa ç’njoh

102 Himn Pranvere

edhe zemrën time, që i kam dëgjuar tek luten: “O Zot! Unë do të doja shumë që ta shihja njëherë Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Sikur të ma tregoje qoftë edhe njëherë të vetme atë bukurinë e Tij të qashtër dhe në atë çast le të vdisja. Mirëpo kam frikë se zemra ime do të kaplohet prej ndjesisë se e ka merituar diçka të tillë, ndaj edhe m’u dha. Prandaj, më mirë mos ma trego Profetin gjatë kësaj jete. Le të digjem e të përvëlohem për Të nga dashuria, njësoj siç përvëlohej Mexhnuni i fiksuar pas Lejlasë. Kur ta dorëzoj këtë shpirt e të shkoj atje ku është Ai, në atë botë, atje do të doja që të takohesha me Të. Andaj le të mos më hapen këto lloj portash e dritaresh. Le të jem si një oxhak që bubulon nga zjarri i dashurisë. Ai të jetë i Dëshiruari im, i Dashuri im që nuk e shoh e nuk e kam pranë. Le të digjem e të përvëlohem për këtë të Dashur të fshehtë, që nëse mbërrij ndonjëherë pranë Tij të më venitet çdo dhimbje e të më pushtojë kënaqësia.”

E kundërta e kësaj është që ti ngutesh dhe e kërkon që në këtë botë shpërblimin që të është caktuar për në ahiret. Mirësitë e falura prej Allahut pa u kërkuar përbëjnë përjashtime. Këto mirësi që të jepen kundrejt shërbimit që ti i bën emrit të Allahut (xh.sh.), pa i kërkuar ti vetë, janë njëlloj me mirësitë e tjera, të cilat kërkojnë falënderime të sinqerta. Sepse, ja se si na urdhëron Zoti: “Mos resht së i përmenduri të mirat që të ka falur Zoti yt”. Andaj edhe robi duhet të jetë në çdo grimëçast të jetës së tij duke thënë: “El-

Hamdu’l-lil’lahi rabbi’l alemin”

Me pak fjalë, ka një ekuilibër që duhet ruajtur. Nuk është aspak e drejtë që njeriu të dyshojë rreth besimit të tij lidhur me këtë çështje. Unë e shoh këtë brez të mbushur plot besim dhe dashtë Zoti që të mos jem i gënjyer. Megjithatë mua më takon që ta pandeh për mirë, me besim të plotë te mëshira e Allahut, si për këtë brez që bart cilësitë e nevojshme për të shpëtuar popullin e vet, ashtu si edhe gjithë popujt e tjerë.

Shënimet

  1. 8.Enbija, 21/23.
  2. 9.Hud, 11/107; Buruxh, 85/16. 10 Hud, 11/18.
  3. 10.Buhari, tefsir 71/1.
  4. 11.Muslim, iman 234; Tirmidhi, fiten 35.
  5. 12.Rum, 30:30.
  6. 13.Ahdhab, 33:69.
  7. 14.Buhari, farz’ul-humus 19; edeb 68; Muslim, zekat 44.
  8. 15.Buhari, menakib 25; edeb 95, istitabetu’l-murted’din 4; Muslim, zekat 148.
  9. 16.Buhari, farz’ul-humus 19; ehadisu’l-enbija 28; megazi 56; edeb 53; isti’zan 47; daauat 19; Muslim, zekat 140.
  10. 17.Ahdhab, 33:69.
  11. 18.Bakara, 2:214 (shih: el-Begaut-Mealemu’t tenzil-
  12. 19.Hud, 11:29.
  13. 20.Hud, 11:51.
  14. 21.Shih: Buhari, tib 17, 41; rikak 50; Muslim, iman 374.
  15. 22.Ma’mer ibni Rashid, el-Xhami’ 11:113; Ebu Nuajm, Hiljetu’l-Eulija 4/12. 24 Bakara, 2:40.
  16. 23.Bediuzaman Said Nursi, Fjalët, “Shkalla e dytë e fjalës së shtatëmbëdhjetë”.
  17. 24.Shih: En’am, 6:76.
  18. 25.Shih: et-Taberi, Xhami’ul-bejan, 1/174.
  19. 26.Shih: Bakara, 2:25.
  20. 27.Buhari, teuhid 35; Muslim, xhenet 4, 5.
  21. 28.Mu’minun, 23:108.
  22. 29.Shih: Ibni Rexhep el-Hanbel, Letaiful-mearif, fq. 325.
  23. 30.Buhari, xhenaiz 80, 93; tefsirus’sure (30) 1; kader 3; Muslim, kader 22-25.
  24. 31.Ibnu Mandhur, Lisanu’l-Arab 5/146; ez-Zebidi, Taxh’ul-arus 14/55.
  25. 32.Buhari, sulh 5; Muslim, akdije 17.
  26. 33.Ahdhab, 33:41.
  27. 34.Buhari, xhenaiz 32; Muslim, xhenaiz 25-27.
  28. 35.Muslim, xhenaiz 106; Ebu Daud, xhenaiz 77; Tirmidhi, xhenaiz 7.
  29. 36.Myshtak Baba, Divani i Myshtak Babait, fq. 29.
  30. 37.Ibni Abidin, Redd’ul-Muhtar 4/223.
  31. 38.Buhari, i’tisam 10; Muslim, imaret 171.
  32. 39.Ebu Daud, el-fiten ue’l-melahim 1; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 1/395; et-Taberani, elMu’xhemu’l-kebir 19/213.
  33. 40.Ebu Daud, sunnet 9; Tirmidhi, fiten 48; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 5/220, 221.
  34. 41.Tirmidhi, tefsiru’s-sure (7) 3; Ebu Ja’la, el-Musned 11/263-264, 12/8-9; Ibni Hibban, es-Sahih 14/41.
  35. 42.Buhari, enbija 48; Muslim, iman 247; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 3/345, 384. 46 Buhari, menakib 7, fiten 23.
  36. 43.Muslim, fiten 61.
  37. 44.Shih: Muhammed el-Kastal’lani, Irshadu’s-sari li-sherhi Sahihi’l-Buhari, 6/6, 14.
  38. 45.Nuajm ibni Hammad, el-Fiten 1/402-408.
  39. 46.Buhari, menakibu’l-ensar 32.
  40. 47.Xhasije, 45/13.
  41. 48.Tirmidhi, daauat 13; Ebu Daud, edeb 100; Ibni Maxhe, dua 14.
  42. 49.Muslim, dhikr 54-55; Tirmidhi, daauat 40; Ibni Maxhe, tib 46; Darimi, isti’zan 48.
  43. 50.Buhari, bed’ul-hallk 11; uudu 8; nikah 66; daauat 55; teuhid 13; Muslim, nikah 116.
  44. 51.Buhari, bed’ul-hallk 11; Muslim, fedail 146.
  45. 52.Buhari, tabir 26; Muslim, ru’ja 6.
  46. 53.Duha, 93/11.