Mbarime dhe fillime të reja
Pyetje: Si duhet të jetë brezi i ri që ne po edukojmë përballë këtij stili të jetesës dhe kësaj shthurjeje të frikshme që po jetohet në këtë shekull?
Përgjigje: Pikë së pari më duhet të theksoj se njerëzimi, në të ardhmen, do të mund ta sigurojë përparimin veçse me të njëjtat mjete, me të cilat e ka siguruar edhe në të shkuarën, çprej se është shfaqur në skenën e historisë. Nëse do ta shprehnim me fjalë të tjera, që njeriu do të mund të dalë prej gropës në të cilën është rrëzuar duke kapet fort e të mos ndahet më nga ato gjëra që ka braktisur dhe kjo braktisje i ka shkaktuar rrëzimin.
Veç kësaj, një çështje tjetër që një besimtar nuk duhet ta heqë asnjëherë nga mendja është edhe që atë nuk duhet ta kaplojë kurrsesi pesimizmi për të ardhmen. Megjithëse sot është paksa e vështirë që të jesh optimist kur sheh gjendjen për të ardhur keq në të cilën është katandisur njerëzimi. Megjithatë ne nuk duhet të përqendrohemi te gjendja në të cilën gjendet njerëzimi tani, por të vërejmë të gjitha ato ndryshime për mirë që ndodhin, sado të vogla qofshin ato, dhe të vërejmë se si kristalizohet në realitet e gjithë ajo mirësi dhe bujari e Allahut (xhel’le xhelaluhu), duke qenë po shpresëplotë.
Njerëzimi ka rënë shumë herë poshtë, madje herë-herë edhe më poshtë nga ç’ka rënë tani, në shekullin e njëzetë. Gjatë gjithë atij procesi që zë fill me Ademin e nderuar (alejhis’selam) njerëzimit i janë dërguar profetë aq sa vështirë të numërohen. Duke qenë se nuk i kemi mundësitë që t’i përmendim të gjitha gjer në imtësi, unë do të përpiqem të mjaftohem vetëm me disa shembuj, për ta bërë sa më të kuptueshme temën.
Në kohën e Nuhut të nderuar (alejhis’selam), i cili ka qenë një ndër profetët e mëdhenj, njerëzimi kishte marrë fund me çdo gjë të tijën, duke rënë kësodore në një gropë të thellë e përpirëse në aspektin moral. Me gjuhën e Kuranit toka kishte filluar të nxirrte ujë në sipërfaqe dhe me ujërat që u vunë të rridhnin nga qielli toka u transformua në një liqen dhe me Nuhun (a.s.), i cili “kishte urdhëruar për mirë dhe kishte larguar njerëzit nga e keqja” për plot nëntëqind e pesëdhjetë vjet me radhë, në varkën e tij, nuk mundën të ngjiteshin e të shpëtonin më shumë besimtari se sa numri i gishtërinjve të vetëm disa duarve; sepse njerëzimi kishte rënë jashtëzakonisht shumë poshtë. Ata që arritën të mbijetonin pas tufanit u shumuan sërish dhe fëmijët e tyre arritën që të përparonin me hapa galopantë për të ndërtuar qytetërimin e së ardhmes. Kjo situatë vazhdoi e këtillë deri në kohën e Hudit të nderuar (alejhis’selam) dhe, pas tij, deri në kohën e Salihut të nderuar (a.s.).
Epoka e çdo profeti ngjan sikur të ketë qenë pika ku bashkohej fundi i një periudhe me çastet e para të një tjetër periudhe, duke bërë që çdo mbarim ta pasojë një rifillim. Të vërtetat e historisë tashmë e dëshmojnë me objektivitet se sa herë që t’i ketë ardhur fundi diçkaje njerëzore, fill pas saj njeriu ka gjetur një rrugë si të jetë vetvetja, kështu që i ka gjetur po brenda vetes forcat dhe fuqinë për t’u ringritur edhe njëherë në këmbë, - me lejen dhe ndihmesën e Allahut – duke arritur edhe gjer në maja kur i ka ardhur koha. Edhe para se bota të njihej me Profetin tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) çdo gjë që kishte të bënte me njerëzoren ishte fshirë nga sipërfaqja e rruzullit tokësor, aq sa aty ku Ai erdhi në jetë mbizotëronte vetëm dhuna dhe kafshëria. Në çdo anë ishte përhapur një botëkuptim, qendra e të cilit konsistonte në mungesën e moralit individual, apo shoqëror. E shprehur me fjalët e Mehmet Akifit,
Gjithë horizontin e tokës e pat’ mbuluar anarkia,
Ishte ngjitëse, shqetësimi që Lindjen ta copëtojë përçarja.
Dhe ja, pikërisht në këtë kohë erdhi Muhamedi i nderuar (alejhis’salatu ues’selam), i Cili ishte krijuar si shkak për shpëtimin e njerëzimit dhe prezantimi tek ata u ishte bërë me fjalët e bekuara: “Ne nuk të dërguam ty veçse si mëshirë për botët.” Ai erdhi dhe ua ringjalli njerëzve edhe njëherë kuptimin e njerëzores, pikërisht atëherë kur ajo e kishte humbur gjithë domethënien e saj.
Ndërkaq – edhe për nga rëndësia – do të doja që të më dëgjonit pak më me vëmendje për sa i përket kësaj çështjeje. Sipas botëkuptimit perëndimor, që një qytetërim të krijohet e të konsolidohet aq sa për t’u shndërruar në formativizues dhe trashëgimi për njerëzimit me të gjitha aspektet e tij, si teknika, teknologjia, industria, apo aspektet sociale dhe psikologjike, duhen të paktën tre-katër breza. Nëse këta tre-katër breza nuk e kryejnë siç duhet misionin si njerëz, atëherë njerëzimi do ta ketë të pamundur që ta bëjë veten të dallueshëm, qoftë përmes jetës individuale dhe atë shoqërore, qoftë për sa i përket teknikës dhe industrisë. Dhe për këtë ligj dëshmitar kemi mbarë historinë e njerëzimit. Për shembull, mendimet që perandori romak Agis IV (p.e.s. 241), i cili ishte një ndër themeluesit e sistemit me komune që tronditi historinë romake, pati hedhur në diskutim arritën të sendërtoheshin në qytetërimin grek dhe romak vetëm tre shekuj më pas. Lëvizjet popullore, që u nisën nga njerëz si Martin Luteri
dhe që ishin shkaku më i rëndësishëm i Revolucionit Frëng, arritën të zbatoheshin pasi kishin kaluar disa shekuj. Perëndimorët, të cilët i dinë shumë mirë këto të vërteta, e pranojnë dhe e përmendin me vlerësim se si Muhamedi i nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) e pati nisur gjithçka nga zeroja. Dhe ato gjëra që mund të donin tre-katër shekuj për t’i kthyer në realitet, ai arriti që t’i realizonte brenda njëzet e tri viteve. E kapërceu menjëherë epokën e imitimit dhe kaloi menjëherë e tek epoka e përshtatjes së ideve me jetën; dhe, pasi e kapërceu edhe këtë periudhë, ngriti një sistem ku mbizotëronte ideja e individit të qëndrueshëm e me personalitet të lartë.
Kurse njeriu i sotëm, i cili është rrëzuar në humbellën më të thellë, duhet të mos e humbasë shpresën, por të shohë nëse mund të përqafohet fort pas Muhamedit të nderuar (alejhis’salatu ues’selam), pas parimeve të Tij, të cilat e shpëtuan njerëzimin nga rrënimi i plotë dhe – siç e thotë edhe hadithi – pas fundit të atij litari, ana tjetër e të cilit është “në dorën e Allahut” dhe – me lejen dhe ndihmesën e Allahut – do të shohë se si ka për të dalë prej andej si të ishte duke hedhur saora një hap të vetëm. Dhe, prapë, ashtu siç e shpreh Akifi me vargjet e tija:
“Në një frymë e shpëtoi njerëzimin, i Pafajshmi,
I rrëzoi përdhe, me një goditje, kajzerët dhe kisrat!”
Edhe sot rifillimi do të ishte i mundur po nëpërmjet kritereve dhe principeve të Tija. Domethënia e këtyre fjalëve është kjo; ndërsa një shpjegim i shkurtër do të ishte ky: Profeti ynë Fisnik (alejhis’salatu ues’selam) vepronte vetëmse me një metodë që synonte t’i kthente individët në qenie të pastra si zjarri i bardhë, duke u përpjekur që t’u vijë në ndihmë, si individëve, ashtu edhe familjeve të tyre, duke përgatitur individë të gjithëanshëm dhe duke thënë se “ai që nuk fal namaz, që nuk agjëron dhe që, megjithëse duket si pjesë e kauzës sonë, nuk kthehet nga kibleja jonë, nuk është prej nesh.” Në këtë pikëpamje, Ai i këshillonte bashkë të gjitha një më një, duke filluar që nga imtësitë më të vogla të fesë, që kanë të bëjnë me etikën e të jetuarit, e deri te detyrimet dhe kushtet kryesore, të cilave Allahu (xhel’le xhelaluhu) u jep një rëndësi të veçantë, e kështu çdo gjë që ka të bëjë me Islamin, duke ofruar shembullin e një të jetuari që përfshin çdo gjë brenda vetes.
Po, kushdo që nuk e njeh të Dërguari Fisnik (alejhis’salatu ues’sel’lem) si Udhërrëfyesin e Përsosur, e që i sheh principet e këshilluara prej Tij si të vjetëruara për kohën, nuk është prej nesh. Çdo gjë që ky njeri mund ta ofrojë si zgjidhje, nuk ka për të vlejtur për asgjë më shumë se sa për rrënimin e njerëzimit. Nëse nuk është kjo gjithanshmëri që mbizotëron edhe në institutet, medresetë, shkollat, a institucionet e tjera arsimore-edukative tonat, njerëzit me besim të dobët, me sjellje të privuara nga etika, e që shohin se si të jetojnë veç ndjenjat dhe dëshirat e tyre personale, ajo që do të sjellin, do të jetë më shumë dëme se sa shërbim ndaj fesë. Ata që i ngritën këto institucione të mirësisë, do të shohin humnerat e hapura prej këtyre njerëzve dhe do të ndihen të penduar për mundin e derdhur dhe ndihmën e dhuruar për to. Megjithatë ne le të jemi shpresëplotë te mëshira hyjnore dhe duke e kërkuar mbrojtjen te mëshira jote e pasosur, le t’i lutemi e t’i përgjërohemi, që Zoti Ynë i Kudogjendur, i Cili na pruri deri këtu, të mos i lërë të vetëm e pa as më të voglin orientim këta robërit e Tij të dobët, por të na kapë përdore me mirësinë dhe bujarinë e Tij të pashoqe dhe të na nderojë duke na bërë edhe ne prej besimtarëve të përkryer!
Shënimet
- 198.Shih: Ankebut, 29/14-15.
- 199.Enbija, 21/107.
- 200.Shih: Ibni Ebi Shejbe, el-Musannef 6/125; Ibni Hibban, es-Sahih 1/329.
- 201.Shih: Buhari, salat 28; Tirmidhi, iman 2; Nesai, iman 9.