NAMAZI I XHUMASË
1. Rëndësia e namazit të xhumasë
Namazi i xhumasë, si namaz, nuk ndryshon nga namazet e tjerë; domethënë, edhe ai përbëhet nga kijami, kiraeti, rukuja, sexhdeja dhe çdo pjesë tjetër e namazeve të përditshëm. Thënë ndryshe, namazi i xhumasë konsiston në rrahjen e flatrave të njeriut për t’u ngjitur te Zoti i tij, në realizimin e miraxhit, në vajtjen mendërisht dhe duke përdorur imagjinatën pranë Udhërrëfyesit të Përsosur (s.a.s.), i cili jetoi katërmbëdhjetë shekuj më parë, dhe në zënien vend pas Tij. Ne, ashtu siç i ndajmë njëzet e katër orët e ditës në pesë pjesë dhe i ndriçojmë ato nëpërmjet pesë kohëve të namazit, edhe javën e ndajmë nëpërmjet xhumasë, i japim formë dhe e spërkasim me pikla drite. Orën tonë javore e kurdisim sipas xhumasë dhe, kur vjen çasti i saj, i drejtohemi Zotit me të gjitha shqisat, ndjenjat dhe zemrat tona. Sepse xhumaja (e premtja), ndër ditët e krijuara prej Allahut, është më e çmuara. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), veçoritë e kësaj dite i rëndit kështu: “Xhumaja është më e nderuara e ditëve (të tjera të javës). Dhe, tek Allahu, është më e rëndësishmja. Për Allahun, ajo është më e rëndësishme edhe se ditët e Bajrameve të Kurbanit dhe Ramazanit. Kjo ditë ka pesë veçori: Allahu (xhel’le xheláluhu) e ka krijuar Ademin (a.s.) në këtë ditë, në këtë ditë e zbriti atë në tokë dhe po në këtë ditë ia mori shpirtin atij. Për më tepër, në këtë ditë gjendet edhe një kohë e atillë, gjatë së cilës, për sa kohë nuk kërkon prej Allahut diçka të ndaluar, robit i jepet patjetër ajo që dëshiron. Në këtë ditë do të ndodhë edhe kiameti. Të gjithë engjëjt e afërt me Allahun, qielli, toka, era, mali, deti... tërhiqen para madhështisë dhe vlerës së kësaj dite.”
Ndërkohë që ato që ne i quajmë ditë po e plotësojnë ciklin e tyre në këtë botë, edhe në makrobotë ka një cikël. Në këtë botë, sipas fjalëve të Pejgamberit tonë (s.a.s.), xhumaja është dita e shfaqjes së njeriut në tokë. Për rrjedhojë, kur të premtet, të shtunat, të dielat… e kësaj bote përkojnë dhe janë në përputhje me ditët e makrobotës, kyçi hapet sikur të kesh futur kodin e saktë dhe vetëm atëherë njeriu gjen rastin për të plotësuar kurbën e zemrës së tij. Në të kundërt, atëherë kur mes këtyre ditëve ka një mospërputhje, njerëzit nuk mund të përfitojnë nga begatitë hyjnore. Për shembull, hebrenjtë dhe të krishterët, duke thënë e shtuna dhe e diela, nuk kanë mundur të përfitojnë nga këto sekrete. Kurse umeti i Muhamedit (s.a.s.), duke pasur parasysh rëndësinë e xhumasë, i ka dalë zot kësaj dite dhe është përpjekur e po përpiqet ta vlerësojë dhe përjetojë atë me entuziazëm çdo javë. Dhe, në dashtë Zoti, kështu do të vazhdojë deri në ditën e kiametit. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e shpreh këtë të vërtetë në këtë mënyrë: “Allahu i Lartë, ata para nesh i bëri të hutohen në çështjen e gjetjes së xhumasë. Për këtë arsye, e shtuna u bë dita e hebrenjve, kurse e diela, ajo e të krishterëve. Allahu (xhel’le xheláluhu) na krijoi dhe na udhëzoi në çështjen e gjetjes së ditës së xhuma: na e mundësoi edhe xhumanë, edhe të shtunën, edhe të dielën (si ditë adhurimesh). Ata do të na vijnë nga pas edhe në ditën e kiametit. Ne jemi të fundit në mesin e popujve të kësaj bote, por do të jemi të parët në ditën e kiametit, do të jemi ata që do të mbarojnë punë me llogaridhënien para të gjitha krijesave të tjera.”
Nuk mund të vihesh në rrugë me një mjet difektoz, nuk mund të përparosh nëpërmjet një sistemi të prishur, arritja e synimeve në këtë mënyrë është e pamundur. Ne erdhëm në këtë botë më vonë se ata, por i parakaluam dhe e fituam garën. Prandaj namazi i xhumasë është më domethënësi dhe më gjithëpërfshirësi i namazeve. Kështu që, besimtari do t’ia dijë vlerën atij, do ta çmojë dhe do të përpiqet ta kryejë atë me çdo kusht.
Po, namazi i xhumasë plotëson javën dhe i ngre njerëzit në një vend nga ku mund t’i afrohen Allahut. Kurse ata, në sajë të xhumasë, mendojnë për mënyrat e të përfituarit nga mëshira e Zotit. Me fjalë të tjera, pasi kanë falur namazet përgjatë gjashtë ditëve, në një ditë të caktuar ngjiten në një pikë të caktuar për të marrë shpërblimin. Në atë ditë, prehri i atij që është i ndërgjegjshëm dhe që e ka lidhur zemrën e tij me të Vërtetin (xhel’le xheláluhu) do të mbushet përplot me xhevahire. Pra, dita e xhuma është shprehja e arritjes në një majë të caktuar për të marrë në fund të udhëtimit njëjavor gjërat e përcaktuara nga Zoti. Këtë të vërtetë, Profeti ynë (s.a.s.) e ka shprehur nëpërmjet hadithit në vijim: “Pesë namazet ditore dhe namazet e xhumasë nga njëra ditë e xhuma në xhumanë tjetër janë shlyerje; për sa kohë nuk bëhet ndonjë mëkat i madh, namazet bëhen shkak për faljen e mëkateve që kryhen mes tyre.”
Siç vërehet, Pejgamberi ynë (s.a.s.) e ndan ditën, javën dhe vitin në pjesë të caktuara dhe na bën me dije se namazet që kryhen gjatë atyre pjesëve i ndriçojnë edhe pjesët kohore që kalojnë pa namaz.
Në Kuranin Famëlartë, Zoti ynë, me fjalët “O besimtarë! Kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, pezulloni tregtinë dhe vraponi për ta përmendur Allahun! Kjo, që ta dini, është më e mirë për ju!”297, sikur po na thotë: “Ai që po ju fton është i Adhuruari Absolut, i Dëshiruari i Merituar. Duke ju ftuar për në namazin e xhumasë, dëshiron t’ju lartësojë e t’ju marrë pranë Vetes. Dhe, ashtu siç i nënshkruajnë të zotët e dasmës ftesat e saj, edhe Ai e ka nënshkruar këtë ftesë me fjalët “Allahu Ekber, Allahu Ekber...”.
Në ajetin e mësipërm, fjala ‘nida’ i referohet ezanit. Zaten, përkthesa e myslimanëve, që ngrihet në fluturim nga minaretë pesë herë në ditë dhe rreh flatrat drejt qiejve, ezani është. Kurse me fjalën ‘dhikr’ nënkuptohet namazi që fillon me hutben. Në kohën e Profetit sonë (s.a.s.), ky ezan këndohej kur imami gjendej në minber. Mandej thirrej ikameti dhe fillonte namazi. Ky zbatim pati vazhduar edhe në kohët e udhëheqjes së Ebu Bekrit dhe Omerit (radijalláhu anhumá). Por, me shtimin e numrit të myslimanëve dhe zgjerimin e qyteteve ditë pas dite, arritja e zërit në të gjitha anët dhe dëgjimi i tij u bë i pamundur.
Për këtë arsye, në mënyrë që ezani të dëgjohej nga i gjithë populli, Osmani (r.a.) nisi edhe këndimin e ezanit të jashtëm, si një ezan shtesë për ezanin që këndohej kur imami ndodhej në minber. Kjo metodë u aprovua edhe me konsensusin (ixhmá) e dijetarëve myslimanë. Edhe ezani që këndohej gjatë hutbes, duke qenë se ishte nga sunetet e Profetit Muhamed (s.a.s.), u vazhdua në të njëjtën mënyrë.
Sipas sahabëve, shprehja në ajet “Vraponi për ta përmendur Allahun.” bart kuptimin “Shkoni menjëherë.”. Abdullah ibn Mesudi (r.a.) thotë: “Nëse ajo do të nënkuptonte me të vërtetë të vrapuarit që dimë ne, kur të këndohej ezani, do të kisha vrapuar në një mënyrë të atillë, saqë edhe xhybeja do t’më kishte rënë nga supet.” Sahabët e patën kuptuar këtë shprehje si ecje plot entuziazëm drejt mesxhidit. E, në fakt, vajtja me seriozitet dhe qetësi për të falur namazin është diçka thelbësore. Ndoshta do t’ju lindë përbrenda dëshira për të vrapuar, por, me dinjitetin dhe seriozitetin që i shkon për shtat vetëm besimtarit, ju do ta frenoni këtë shpërthim të brendshëm tuajin dhe do të shkoni drejt mesxhidit dalëngadalë. Do të shkoni dhe do të falni aq pjesë sa keni arritur të kapni nga namazi, kurse pjesët e tjera, duke vepruar në përputhje me dekretin “Kur të këndohet ikameti për faljen e namazit, mos hajdeni në namaz duke vrapuar, ejani duke ecur, mos hiqni dorë nga serioziteti, falni aq sa arrini të kapni nga namazi, atë që nuk e keni arritur plotësojeni pastaj.” të Pejgamberit tonë (s.a.s.), do t’i plotësoni në fund.
Sahabët e nderuar, sa herë që thirreshin për në namaz, shkonin me dëshirë e plot entuziazëm. Ezani u freskonte atyre shpirtin dhe bëhej shkak që, qoftë edhe për fare pak, të shpëtonin nga gajlet mbytëse të kësaj dynjaje e të ndiheshin të lehtësuar. Në të njëjtën kohë, kjo gjendje është edhe një shenjë e të qenit besimtar; besimtari, kur merr një ftesë nga Allahu, i përgjigjet ftesës pa humbur kohë. Pra, nëpërmjet ajetit të mësipërm, Kurani bëhet përkthyes i kësaj gjendjeje shpirtërore të besimtarit.
Një çështje tjetër në këtë ajet, që mund të na bëjë përshtypje të gjithëve, është shprehja “pezulloni tregtinë”. Në këtë botë, gjëja më tërheqëse për njeriun është të vrapuarit pas fitimit dhe të fituarit e katër-pesë qindarkave më shumë në çdo tregti që bën. Për rrjedhojë, tregtari do të pezullojë tregtinë kaq tërheqëse për të dhe do të vijë në xhami; nëpunësi civil do të ngrihet nga tavolina e tij e punës dhe do të vrapojë për në xhami; punëtori do të mbyllë tezgjahun e tij, do të dëgjojë ezanin dhe do të niset drejt xhamisë...
Kurse fjalia “Kjo, që ta dini, është më e mirë për ju!” në fund të ajetit, na thotë këtë: Në emër të fitimit të kënaqësisë dhe pëlqimit të Zotit dhe të sigurimit të lumturisë suaj në botën tjetër, është më e vlefshme për ju t’i lini të gjitha punët dhe të shkoni për në namazin e xhumasë, i cili është nga mirësitë më të larta hyjnore në sofrën e zijafetit të sjellë nga Muhamedi (s.a.s.). E thënë ndryshe, nëse e ndieni në ndërgjegjjet tuaja domethënien e urdhrave të Kuranit me gjithë peshën e tyre, nëse e ndieni brenda vetes kënaqësinë që të jep namazi, atëherë nuk është e nevojshme t’ju flas për të mirat dhe virtytshmërinë e namazit të xhumasë, ju i dini më mirë ato. Kështu, i bie që, kur t’ju vijë në vesh thirrja, do të braktisni tregtinë dhe, me seriozitetin që i shkon për shtat besimtarit, do të vraponi drejt mesxhidit.
Kurse në ajetin pasardhës, thuhet kështu: “Dhe, kur të përfundojë namazi, shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut dhe përmendeni shumë Atë, në mënyrë që të shpëtoni.” Në çështjen se çfarë janë këto mirësi të Allahut, Abdullah ibn Abasi (r.a.) bën një vlerësim të këtillë: “Me këtë ajet, besimtarët nuk janë urdhëruar të vrapojnë pas gjërave të kësaj bote. Këtu, mirësitë e Allahut nënkuptojnë gjëra të tilla si vizitat e të sëmurëve, marrjet pjesë në varrime dhe vizitat e vëllezërve të fesë vetëm për hir të Allahut.” Megjithatë, po ta marrim këtë çështje e ta shqyrtojmë në një mënyrë më gjithëpërfshirëse, mund të themi kështu: Falni namazin, që të pastroheni përbrenda e të bëheni të dëlirë, dhe, pastaj, shpërndahuni nëpër tokë, me ndjenjën e përgjegjësisë për të përfituar nga të gjitha mirësitë e Allahut, edhe nga mirësitë e kësaj bote, edhe nga ato të botës tjetër. Jetoni një jetë të ndritshme e të begatë, që jeta juaj të hyjë në binarë. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrini shpëtimin.
Ndërsa nëpërmjet ajetit të fundit të sures, i cili thotë “Mirëpo, sa herë që ata shohin ndonjë tregti ose lojë, shkojnë tek ajo e të lënë ty në këmbë. Thuaj: ‘Ajo që është tek Allahu, është më e mirë se argëtimi e tregtia.’ Allahu është Dhuruesi më Bujar.”, tërhiqet vëmendja te një ngjarje që ka ndodhur në kohën e Profetit tonë (s.a.s.):
Një ditë, i Dërguari i Allahut po mbante hutben në minber. Ishte një kohë kur në Medine sundonte uria dhe shtrenjtimi i çmimeve. Befas u dëgjua zëri i një kasneci ose zhurma e një daulleje, që lajmëronte kthimin nga Damasku të një karvani tregtie. Ata që ndodheshin në mesxhid e lanë dëgjimin e hutbes dhe vrapuan në drejtim të karvanit. Sigurisht, patën vepruar në këtë mënyrë ngaqë, atëherë, nuk ishin ende të vetëdijshëm për obligimin për të dëgjuar Profetin tonë në minber dhe ngaqë nuk dinin mjaftueshëm në lidhje me rregullat e hutbes dhe të namazit të xhumasë. Sahabët si Selman Farisiu, Abdullah ibn Mesudi dhe Bilal Habeshiu, të cilët e transmetojnë këtë ngjarje, na bëjnë me dije se aty kishin mbetur vetëm dymbëdhjetë burra dhe një grua. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), pasi mërzitet shumë nga kjo situatë thotë: “Betohem tek Allahu, i Cili ka në dorë shpirtin e Muhamedit, se, nëse do të kishit ikur të gjithë, një vërshim zjarri do ta kishte mbushur luginën dhe do t’ju merrte edhe ju me vete.” Kurse sipas një transmetimi tjetër, ka thënë kështu: “Po të mos kishin qenë ata që qëndruan, mbi ju do të kishin rënë gurë nga qielli.”
Po, largimi ndërkohë që Profeti po mbante hutben ishte diçka e frikshme; kjo është edhe arsyeja pse qortimi i sahabëve është po ashtu i frikshëm. Megjithatë, ata fatlumë të paktë në numër e kishin kuptuar thelbin dhe rëndësinë e kësaj çështjeje dhe, duke mos e lënë vetëm të Dërguarin e Allahut, e parandaluan ardhjen e asaj fatkeqësie të madhe. Transmetohet se, pas kësaj ngjarjeje, sahabët e dëgjuan Profetin tonë (s.a.s.) sikur të ishin të lidhur me pranga nga këmbët. Me aq edukatë uleshin tashmë kur dëgjonin hutben, saqë uljet e tyre sikur merrnin trajtën e namazit. Sipas asaj që thotë Said ibn Xhubejr (r.a.), dëgjimi i hutbes gjatë periudhës së profetësisë së Muhamedit (s.a.s.) konsiderohej i barabartë me një namaz dyrekatësh.
Me pak fjalë, duke qenë se është më e nderuara e ditëve, dita e xhuma qëndron në vendin e vet pa lëvizur dhe ruan gjendjen e saj të veçantë. Kurse ditët e tjera të javës marrin pozicionet e tyre dhe mbajnë qëndrim në varësi të ditës së xhuma. Bajrami, Arefeja dhe ditët e ngjashme me to ndryshojnë gjithmonë dhe bien në kohë të ndryshme. Për këtë arsye, besimtarët i kushtojnë më shumë vëmendje jo Bajrameve, po ditës së xhuma. Kurse ata, të cilëve u duket e rëndë ardhja për në namazin e xhumasë një herë në javë, për të ngushëlluar veten, vijnë në xhami dhe i bashkohen xhematit nga Bajrami në Bajram. Mirëpo, si mund të krahasohen namazet e Bajrameve me namazin e xhumasë! Sahabët i kushtonin namazit të xhumasë ndoshta njëqindfishin e rëndësisë që i kushtonin Bajramit. Sepse i Dërguari i Allahut (s.a.s.) pati thënë: “Allahu ia vulos zemrën atij që, duke mos i dhënë rëndësi kësaj gjëje (sipas një transmetimi tjetër, pa arsye), e braktis tri herë rresht namazin e xhumasë.” Me fjalë të tjera, tek ai njeri vdes dashuria ndaj adhurimeve, fillon të privohet jo vetëm nga kënaqësia e namazit të xhumasë, por edhe nga ajo e pesë namazeve ditore dhe, më pas, bie në një derexhe të atillë sa të mos jetë më në gjendje për ta dashur Allahun, për ta vlerësuar Udhëzuesin e Përsosur dhe për të zënë vend pas Tij. Një njeri i tillë vjen para Allahut sikur të ketë një litar në qafë e të jetë duke u tërhequr me zor nga dikush.
Kurse në një hadith tjetër, me natyrë kërcënuese, disiplinuese dhe riedukuese, thuhet kështu: “Disa njerëz, ose do të heqin dorë nga braktisja e namazit të xhumasë, ose do të vuajnë vulosjen e zemrave të tyre nga ana e Allahut. Dhe, kështu, do të futen në grupin e të hutuarve dhe do të shndërrohen në individë të padëgjueshëm e të pandjeshëm.”
Po, kaq e madhe është xhumaja dhe kaq shumë peshë ka. Të gjitha këto hadithe shprehin ndjeshmërinë e Pejgamberit tonë, Krenarisë së Gjithësisë (s.a.s.) në çështjen e rëndësisë së xhumasë, ose më saktë, shprehin peshën e mësimeve dhe udhëzimeve të Allahut të Madhëruar ndaj Tij në këtë pikë.
2. Namazi i xhumasë është një adhurim gjithëpërfshirës
Arabët, kur emërtojnë shtatë ditët e javës, thonë: “Dita e parë, dita e dytë, dita e tretë…”; kurse ditën e premte e quajnë dita ‘xhumua’ (dita e bashkimit, grumbullimit), që bart kuptimin e ditës së përfitimit nga ato gjëra që na vijnë prej Zotit të Madhëruar nëpërmjet përqendrimit të ndërgjegjes kolektive në një pikë të caktuar. Në periudhën e injorancës, këtë ditë e quanin ‘arúba’. Pavarësisht emrit që përdoret, xhumaja është një ditë mbledhjeje, pra, është dita e të qenit gati për parakalimin në praninë e Allahut, dita e të qenit të gatshëm për t’u inspektuar. Me fjalë të tjera, është dita e daljes para Allahut për të dhënë llogari të gjithë bashkë dhe për të treguar gatishmërinë tonë ndaj urdhrave të Tij pasi kemi lënë pas përgjegjësinë e pesë kohëve ditore të namazit.
Kur i braktisim ato gjëra që ne i konsiderojmë fitimprurëse në këtë botë dhe vrapojmë drejt kësaj ftese, sigurisht që shkojmë duke menduar për majën ku do të arrijmë. Sepse xhematit që fal namazin e xhumasë në tokë i bashkohen edhe engjëjt. Për rrjedhojë, bashkë me lutjet e xhematit, për tek Allahu ngrihen edhe lutjet e engjëjve; sado e dobët të jetë lutja e robërve të pafuqishëm si puna jonë, shpresohet që, duke u gjendur në mesin e lutjeve të atyre krijesave të pastra e të pafajshme, edhe ato të jenë të denja për t’u pranuar.
Po, namazi i xhumasë nuk është një adhurim individual; ai është drejtimi i ndërgjegjes kolektive për tek Allahu i Lartësuar. Robi, i paaftë për t’i shprehur i vetëm mirënjohjen dhe falënderimet ndaj Allahut për begatitë e panumërta të Tij, sikur thotë: “Zoti im! Unë nuk kam si t’u përgjigjem me gjendjen time personale mirësive dhe begative të Tua, për të cilat Ti shprehesh në Kuran me fjalët ‘Nëse do t’i numëronit mirësitë e Allahut, nuk do të mund t’i llogarisnit ato.’, ndërgjegjja ime është e pamjaftueshme për këtë. Prandaj jemi mbledhur bashkë, që t’i paraqesim para Teje si xhemat mirënjohjen, falënderimet, adhurimet dhe robërinë tonë ndaj Teje. Zoti im, mos i kushto vëmendje zërit tim të dobët! Dëgjo zërin e plotë dhe buçitës të xhematit tek thotë ‘Allahu Ekber’! Shiko se si thonë ‘Allahu Ekber’ dhe qëndrojnë në kijam, thonë ‘Allahu Ekber’ dhe kalojnë në ruku, thonë ‘Allahu Ekber’ dhe bien në sexhde! Shiko se si të përmendin Ty aty duke thënë ‘Subhánalláh’! Edhe unë, si pjesë e këtij zëri buçitës të xhematit, dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimet e mia ndaj mirësive të Tua të pafund.”
Nga ana tjetër, xhumaja është një pikë pasqyrimi e emrave të Allahut. Kështu, ajo konsiston në indeksimin në një pikë të caktuar të çdo gjëje të krijuar në univers si rezultat i veprimtarisë hyjnore. Kuptimi i kësaj është të koncentrosh diçka dhe, duke e holluar atë kur e kërkon nevoja, të bësh të mundur që ajo gjë të kryejë një detyrë shumë herë më të madhe se detyra e saj e mëparshme. Në këtë aspekt, xhumaja bart kuptimin e bashkimit në një të të gjitha ditëve të krijimit. Xhumaja, e cila ndan javën, ndan njëkohësisht edhe muajt e vitet dhe, në këtë mënyrë, spërkat me copëza drite të tërë vitin, të gjithë jetën e njeriut. Në të njëjtën kohë, në namazin e xhumasë ndiejmë edhe gëzimin dhe kënaqësinë e engjëjve që rrinë në ruku, bëjnë sexhde, qëndrojnë në kijam përgjatë gjithë jetës së tyre.
3. Disa pika që duhen pasur kujdes në namazin e xhumasë
Për shkak të rëndësisë së namazit të xhumasë, janë përcaktuar disa kushte për të dhe na është bërë e ditur se, pa plotësimin e tyre, namazi i xhumasë nuk do të pranohet. Para së gjithash, siç e thamë edhe më lart, individi duhet ta kryejë namazin e xhumasë jo vetëm, por me një xhemat. Namazi i xhumasë quhet i kryer kur ai falet me xhemat dhe kur hutbeja e tij dëgjohet nga xhemati.
Po, xhumaja është namaz i xhematit; prandaj, kur të shkojmë për ta kryer atë, do të veshim rrobat tona më të bukura, do të hedhim aromat më të këndshme dhe do të përpiqemi ta përfaqësojmë atë brenda një atmosfere të këtillë. Dita e xhuma është dita e fundit e gjashtë ditëve të krijimit të gjithësisë. Në makrobotë, këto ditë kanë kuptimin e epokave. Pra, janë epokat që kanë kaluar nga çasti i krijimit të qiejve dhe tokës deri në çastin kur rruzulli tokësor u bë i përshtatshëm për vazhdimin e jetës. Tek Allahu, ato kanë vlerën e gjashtë ditëve: “Në të vërtetë, Zoti juaj është Allahu, që krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë…”
Ebu Hurajra (radijalláhu anh) transmeton: “I Dërguari i Allahut (s.a.s.) më kapi dorën një ditë dhe tha: ‘Allahu e krijoi dheun ditën e shtunë. Malet i krijoi të dielën; pemët i krijoi ditën e hënë. Gjërat e nevojshme për jetën i krijoi të martën. Dritën e krijoi ditën e mërkurë, kurse kafshët i përhapi të enjten. Ademin (a.s.) e krijoi pas kohës së ikindisë së ditës së xhuma, e krijoi atë si krijesën e fundit në orën e fundit të ditës, mes ikindisë dhe natës.’”
Hebrenjtë e patën kuptuar gabim këtë çështje. Duke thënë “Kjo punë mbaroi ditën e xhuma, të shtunën Allahu bëri pushim.”, i veshën Allahut lodhjen. Por myslimanët, në sajë të udhëzimit të Profetit tonë Bujar, nuk ranë në një situatë kaq të rrezikshme e të frikshme.
Koha e xhumasë është koha e mesditës; pra, është koha kur njeriu arrin pjekurinë. Profeti ynë (s.a.s.), duke qenë se kështu qe urdhëruar nga Allahu, caktoi kohën e mesditës si kohën e faljes së këtij namazi, që do të bëhej shkak për shikimin e Allahut të Madhëruar. Kthimi për tek Allahu në atë kohë është një shkak për ta parë Atë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e shpjegon këtë nëpërmjet një krahasimi duke thënë: “Do ta shikoni Zotin tuaj ashtu siç mund të shihni fare qartë diellin në kohën e drekës.”
Një kusht tjetër për namazin e xhumasë është përcaktimi i vendit ku do të kryhet falja. Për namazet e tjerë, Profeti ynë (s.a.s.) thotë kështu: “Toka më është bërë e pastër, e dëlirë dhe mesxhid. Kushdo që arrin kohën e namazit, e fal atë kudo që të jetë.” Ama, për namazin e xhumasë nuk është kështu; ju nuk mund ta falni namazin e xhumasë në majë të malit duke vënë si sutre shkopin tuaj. Ai kryhet në vende të urbanizuara e të qytetëruara, banorët e të cilëve e kanë kuptuar domethënien e ndërgjegjjes kolektive dhe janë në gjendje të veprojnë në grup.
Përveç këtyre, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) vë theksin edhe në ca pika të tjera, të nevojshme për namazin e xhumasë. Për shembull, kur po mbante një herë hutben në minber, mesxhidin e pati pushtuar një erë shqetësuese djerse, si rezultat i djersitjes së shumtë të xhematit për shkak të punëve të rënda që bënin dhe të veshjes me rroba leshi edhe gjatë ditëve të nxehta. Për rrjedhojë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i pati këshilluar sahabët të laheshin para se të vinin në xhami, të lyheshin me aromat më të këndshme dhe të kishin një veshje të veçantë për namazin e xhumasë. Hadithi që i shpreh këto është si vijon: “Gusli i xhumasë është vaxhib për të gjithë ata që kanë arritur moshën e pjekurisë, po ashtu edhe përdorimi i misvakut dhe, nëse është në gjendje ta gjejë atë, lyerja me aromë të mirë.” Dijetarët e fikhut e kanë diskutuar gjerë e gjatë këtë çështje dhe, si përfundim, disa prej tyre e kanë pranuar ashtu siç është fjalën ‘vaxhib’ të Pejgamberit tonë (s.a.s.) dhe kanë vendosur që marrja e guslit para namazit të xhumasë të jetë vaxhib, kurse disa të tjerë, duke thënë se kjo gjë nuk shpreh një detyrim, kanë vendosur që gusli para namazit të xhumasë të njihet si sunet.
Sipas transmetimeve të Buhariut dhe Muslimit, i njëjti diskutim është zhvilluar edhe mes Omerit (r.a.) dhe njërit prej sahabëve më të shquar. Omeri (r.a.), kur po mbante hutben në minber një ditë të xhuma, sahabi futet brenda nga dera e mesxhidit. Papritmas, Omeri (r.a.) e lë në gjysmë hutben dhe i drejtohet atij me fjalët: “Ku ishe deri në këtë kohë? A nuk duhej të vije në xhami menjëherë pas këndimit të ezanit të namazit të xhumasë?” Sahabi i përgjigjet në këtë mënyrë: “O kalif i Profetit të Allahut (s.a.s.)! Sapo dëgjova ezanin, nxitova për të ardhur këtu. Përveçse mora abdes, asgjë tjetër nuk bëra.” Bashkë me pranimin e gabimit, justifikimi është legjitim; kishte nxituar të bëhej gati kur kishte dëgjuar ezanin dhe aq kishte mundur të kapte nga namazi i xhumasë. Omeri ama, nuk e lë me kaq: “Kur dëgjove ezanin, more abdes dhe nxitove të vije në mesxhid. Por edhe e mjaftuara jote vetëm me marrjen e abdesit është një mangësi. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) na ka urdhëruar që edhe të lahemi.”
Sahabi e dinte shumë mirë që gusli i ditës së xhuma nuk ishte as farz dhe as një nga kushtet e namazit të xhumasë. Ai, ngaqë e dinte se kjo fjalë e Profetit tonë (s.a.s.) nuk shprehte një domosdoshmëri, e pati perceptuar atë vetëm si një virtyt. Prandaj kishte marrë vetëm abdes para se të shkonte në faljen e namazit të xhumasë. E, megjithatë, sahabët e qortonin vëllanë e tyre dhe i kërkonin llogari njëri-tjetrit edhe për çështjet më të vogla. Sepse ata silleshin natyrshëm me njëri-tjetrin dhe, në të njëjtën kohë, ishin të gatshëm për të duruar çdo gjë që mund t’u vinte nga vëllezërit e fesë. Nuk i mbanin mëri njëri-tjetrit, nuk u mbetej hatri. Kështu që, mund ta qortonin njëri-tjetrin pa problem dhe mund t’ia thoshnin në fytyrë fare lehtë njëri-tjetrit mangësitë. Kjo situatë kërkon që të jesh i natyrshëm dhe t’i qëndrosh larg shtirjes dhe dëshirës për t’u dukur. Kjo gjendje nuk është nga ato gjëra që mund të përballohen prej shoqërisë së ditëve të sotme. Sot është thuajse e pamundur t’i thuash dikujt mangësitë që ka; sepse të gjithë e shohin veten të patëmetë. Kjo është arsyeja pse përballeni me kryeneçësinë dhe reagimet e ashpra të tjetrit edhe kur ajo gjë që po i thoni është diçka e papërfillshme. Ndoshta edhe ne vetë jemi në të njëjtën situatë; edhe pse shpeshherë shprehemi duke u treguar të gatshëm për t’i pranuar mangësitë që mund të na i numërojë dikush në fytyrë, prapë reagojmë ashpër ndonjëherë dhe nuk i avitemi që nuk i avitemi pranimit të atyre mangësive.
Ky shekull është shekulli i egos dhe arrogancës. Është pothuajse e pamundur t’ua thuash njerëzve mangësitë në fytyrë. Kam frikë se, edhe sikur të dilte në minber sot Krenaria e Gjithësisë, Profeti ynë (s.a.s.), për t’u shpjeguar diçka njerëzve të ditëve të sotme, kur nga goja e Tij të dilnin fjalë që prekin plagët tona, ne do ta kishim mërzitur edhe Atë. Kjo mesele është shumë e vështirë. Ah, sikur të kishim ndonjë shok, të cilit mund t’ia jepnim pa problem autoritetin për të na i thënë në fytyrë dhe pa më të voglin hezitim mangësitë dhe gabimet tona! Ai të na i thoshte në fytyrë mangësitë tona, ne t’i thoshnim atij mangësitë e tij dhe, në këtë mënyrë, të ishim në gjendje të kontrollonim veten, por, ç’e do! Ku ta gjesh sot një person të atillë! Sahabët ama, që të gjithë i bënin kontrollin vetes dhe të tjerëve; ndonjëherë ishte kalifi ai që i thoshte sahabit “Po thua se ke marrë abdes dhe ke ardhur në xhami. Po gusli, ç’u bë?” dhe i bënte pyetje, ndonjëherë ishte sahabi ai që çohej dhe i thoshte kalifit “Nga e more këmishën që ke mbi trup? Sepse unë nuk qeshë në gjendje të nxirrja një këmishë nga pëlhura që më ra për pjesë!” dhe i kërkonte llogari. Dhe askush nuk shqetësohej, as nuk bezdisej, nga kjo kërkesë e llogarisë. Kalifi, ndoshta duke u shpjeguar në një mënyrë të pranueshme në lidhje me çështjen e këmishës, bëhej shkak që dyshimet në zemrën e besimtarit të zhdukeshin; po ashtu edhe sahabi, bashkë me pranimin e gabimit apo të mangësive të tij, shpjegohej duke dhënë arsyet e tij të përligjshme.
4. Namazi i parë i xhumasë
Të mblidhesh me njerëzit, të përzihesh me ta, të shqetësohesh për hallet e të tjerëve dhe të gëzohesh edhe ti me gëzimet e tyre është një domosdoshmëri e të qenit i qytetëruar. Prandaj ensarët, që para se të vinin në Medine muhaxhirët, patën folur kështu mes tyre: “Hebrenjtë dhe të krishterët mblidhen çdo shtatë ditë. Ejani të caktojmë edhe ne një ditë dhe le të mblidhemi rregullisht. Të përmendim Allahun, ta adhurojmë dhe ta falënderojmë Atë.” Dhe, më pas, në ditën që caktuan, u mblodhën në shtëpinë e Esad ibn Zurares (r.a.) dhe falën namaz. Esadi (r.a.) i priu ata në faljen e namazit. Kab ibn Malik (r.a.), gjuha e të cilit ishte po aq e mprehtë dhe ndikuese sa shpata e tij, në kohët kur do të humbte shikimin, atëherë kur nipi i tij do ta kapte për dore dhe do ta shoqëronte sa herë të kishte dëshirë për të shkuar në mesxhid, do të kujtonte këtë moment në çastet e këndimit të ezanit të xhumasë dhe do të thoshte: “Allahu (xhel’le xheláluhu) e mëshiroftë Esad ibn Zuraren (r.a.). Pasi Musabi (r.a.) u bë shkak që ne të bëheshim myslimanë në Medine – nuk e di nëse kishte ardhur ndonjë lajm nga i Dërguari i Allahut – ai përveshi mëngët dhe, duke lëvizur nëpër sokakët e Medines, mblodhi pas vetes dyzet (sipas një transmetimi tjetër, dymbëdhjetë) veta. Pastaj na priu në faljen e namazit të xhumasë. Mandej theri një cjap dhe shtroi për ne një gosti. Kështu, Esad ibn Zurare (r.a.) qe ai që na përgëzoi për herë të parë me namazin e xhumasë. Allahu e mëshiroftë atë deri në fund të jetës së tij.” Më vonë, pasi i erdhi urdhri me shkrim i Profetit tonë (s.a.s.), Musab ibn Umejri (r.a.) filloi të printe faljen e namazeve të xhumasë.
Nga të gjitha këto, ne kuptojmë këtë: Të mbledhurit së bashku qoftë edhe vetëm një herë në javë, adhurimet e përbashkëta, bashkëbisedimet me ndërgjegje të pastra dhe ndarja e halleve me njëri-tjetrin përbëjnë një nevojë dhe një çështje të rëndësishme shoqërore. Edhe në një kohë kur Islami sapo kishte hapur flatrat për t’u ngritur në fluturim, besimtarët e ndërgjegjshëm e patën kuptuar nevojën e diçkaje të këtillë, i patën besuar domosdoshmërisë së xhumasë dhe, edhe pse nuk kishte ardhur ende ndonjë urdhër nga Profeti ynë (s.a.s.) në lidhje me këtë çështje, patën falur namazin e xhumasë.
Sipas asaj që thotë Ibn Haxheri, Profetit tonë (s.a.s.), obligimi i namazit të xhumasë i ka ardhur që kur ishte në Mekë. Ky imam i madh sigurisht që është bazuar diku në lidhje me këtë që thotë; mirëpo, është e pamundur të kuptohet kuptimi i propozimit të Allahut të Madhëruar për faljen e namazit të xhumasë në një vend ku kushtet për kryerjen e saj nuk ishin plotësuar akoma. Pra, ishte e sigurt që Pejgamberi ynë (s.a.s.) nuk do të ishte në gjendje ta falte namazin e xhumasë gjatë asaj periudhe, sepse kushtet nuk ishin të përshtatshme. E, në fakt, ajo që ne dimë në lidhje me këtë çështje është se Profeti ynë (s.a.s.) nuk ka falur as edhe një namaz xhumaje në Mekë. Namazi i xhumasë është namaz xhemati; ai kërkon një imam përpara, të përkushtuar ndaj së drejtës dhe që merret edhe me punët e popullit, dhe, pas tij, një xhemat, që i bindet atij imami dhe ia vë veshin të drejtës e të vërtetës. Ngaqë këto kushte nuk ishin plotësuar të gjitha, do të thotë se Profeti ynë (s.a.s.) nuk ishte obliguar me faljen e namazit të xhumasë që kur ndodhej në Mekë. Vetëm pasi u urdhërua për të bërë hixhret, pra, pasi iu hap rruga për në Medine, vajti në Kuba fillimisht; pastaj, brenda katër-pesë ditëve që qëndroi atje, ndërtoi mesxhidin e Kubas. Xhibrili i solli lajmin e faljes së xhumasë pasi qe larguar nga Kuba, kur kishte ardhur në luginën e djemve të Salim ibn Aufit. Kështu që, aty u fal namazi i parë i xhumasë. Sepse i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e kishte gjetur një popull tashmë dhe mund ta shpallte haptazi faljen e namazit të xhumasë, që është një nga simbolet e Islamit. Për më tepër, Ai kishte hyrë brenda kufijve të qytet-shtetit që do të themelonte së shpejti. Për rrjedhojë, Ai do ta kishte në dorë vulën tanimë, Ai do të ishte imami, dhe xhemati Atë do të dëgjonte.
Pasi u futën në Medine, të gëzuar e të lumtur për shkak të pranisë së Pejgamberit tonë në mesin e tyre dhe të myzhdesë në lidhje me namazin e xhumasë, gjëja e parë që bënë besimtarët qe marrja e një gërmadhe dhe ndërtimi i një mesxhidi në vendin e saj. Më vonë, aty filluan të faleshin namazet e xhumasë. Sido që ta quajmë ne sot atë vend, Mesxhid Nebeuí (Mesxhidi i Profetit) apo Rauza Táhire (Bahçja e Pastër), nuk do të jemi kurrë në gjendje ta shprehim me fjalë natyrën e tij të vërtetë. Sepse dheu i vendit ku shtrihet trupi i të Dërguarit të Allahut nuk mund të krahasohet me asnjë dhe tjetër të botës. A ka ardhur nga Xheneti, apo është krijuar në një mënyrë të veçantë nga nuri hyjnor, këtë nuk mund ta dimë. Por dimë se Profeti ynë (s.a.s.) ka thënë kështu: “Tre janë mesxhidet që duhen vizituar pavarësisht largësisë së madhe: Mesxhidi Haram, Mesxhidi Aksá dhe mesxhidi im.” Sepse Mesxhidi Nebeuí është ndërtuar nga mësuesi i njerëzimit, Muhamedi Famëlartë (s.a.s.). Bashkë me sahabët si Bilali dhe Amari, edhe Ai pati përzier llaçin me duar, pati mbajtur mbi shpinë qerpiçë, pati thyer gurë me qysqi... Dhe, në këtë mënyrë, qe bërë e mundur hedhja mbi hair e themeleve të këtij mesxhidi. Kjo është arsyeja pse një rekat namaz i falur në atë vend konsiderohet sa qindra rekate namaz të falura në vende të tjera.
5. Kërkimi i kohës së lutjeve të pranuara në ditën e xhuma
Namazi është direku i anijes së fesë, ai është si një busull që i tregon besimtarit drejtimin që duhet të mbajë. Me fjalë të tjera, namazi është litari i fortë që do t’i mundësojë besimtarit ngjitjen në miraxh. Njëri skaj i këtij litari është në dorën e tij, kurse skaji tjetër është në atë të Allahut. Ndërsa thelbi i namazit me të gjitha këto cilësi, ai që është edhe shprehja e emocioneve dhe entuziazmit të ndërgjegjes kolektive, është namazi i xhumasë. Për rrjedhojë, ai duhet kryer me një zemër dhe shpirt vigjilent. Profeti ynë (s.a.s.) thotë: “Në ditën e xhuma ndodhet një kohë e atillë, që, kur myslimani e kap atë duke falur namaz, çfarëdo qoftë ajo gjë që i ka kërkuar Allahut në ato çaste, Allahu ia jep patjetër.” Në lidhje me këtë kohë të ditës së xhuma, sahabët, pasuesit e sahabëve dhe dijetarë të mëdhenj të mëvonshëm kanë parashtruar mendime të ndryshme. Unë kam përshtypjen se, ashtu siç shëtit nata e Kadrit brenda muajit të Ramazanit, në të njëjtën mënyrë shëtit e lëviz edhe kjo kohë brenda ditës së xhuma. Rrjedhimisht, përjetimi i atij çasti varet nga përjetimi ashtu siç duhet i gjithë ditës së xhuma dhe nga kthimi tek Allahu me besim të plotë.
Kjo është arsyeja pse i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe shokët e Tij e kalonin me vetëdije të plotë këtë ditë, sikur të ishin një trup i vetëm dhe sikur të ishin duke u ngjitur në miraxh. Shpresojmë nga mëshira hyjnore që, për sa kohë ta vlerësojmë ditën e xhuma brenda një atmosfere të tillë dhe me një frymë të tillë, Allahu i Madhëruar të na e mundësojë kapjen e asaj kohe të pranimit të lutjeve dhe t’i pranojë lutjet tona. Profeti i Profetëve (s.a.s.) dhe personat me lutje të pranuara e kanë kapur shumë herë atë çast, i janë lutur Allahut dhe Allahu (xhel’le xheláluhu) i ka pranuar lutjet e tyre.
Këtu kemi një shembull nga këto lutje të pranuara të Pejgamberit tonë (s.a.s.). Tregon Enesi (r.a.): “Njerëzit po përballeshin me urinë. Një ditë të xhuma, kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) po mbante hutben, ngrihet në këmbë një beduin dhe thotë: ‘O Profet i Zotit! Pasuritë tona u shkatërruan, familjet tona kanë mbetur të uritura, lutju Allahut për ne!’ Profeti ynë (s.a.s.) ngriti duart. Në qiell nuk kishte as edhe një re. Betohem tek Ai që ka në dorë shpirtin tim se, akoma pa i ulur duart poshtë, në qiell u shfaqën re të mëdha si male. Dhe, akoma pa zbritur nga minberi, nga mjekra e Tij filluan të pikonin pikat e shiut. Shiu vazhdoi të binte atë ditë, vazhdoi të binte edhe gjatë ditës së nesërme, edhe gjatë ditëve në vazhdim. Shiu vazhdoi të binte edhe gjatë xhumasë pasardhëse, aq sa ai beduin, ose dikush tjetër, u ngrit e tha: ‘O, i Dërguari i Allahut! Ndërtesat tona po shemben, pasurinë tonë po e merr uji i shiut, lutju Allahut për ne (që shiu të ndalojë tashmë)!’ Profeti ynë (s.a.s.) ngriti duart lart dhe filloi të lutej: ‘Allahu im! Lëshoje shiun përreth nesh, jo mbi ne! (Kurse në një transmetim tjetër thuhet kështu:) Allahu im! (Shiu) le të bjerë përreth nesh, jo mbi ne! Allahu im, bëje të bjerë mbi male e kodra, nëpër lugina e vende ku rriten pemë!’ Pastaj tregoi me dorë retë. Retë që tregonte Ai me dorë shpërbëheshin në çast. Në qiell nuk mbeti asnjë re. Dhe ne dolëm e ecëm në diell.”
Po, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ngrinte lart duart në atë kohë të ditës së xhuma dhe Allahu i përgjigjej kërkesës së Tij. Kështu që, edhe duave tona, kur ta kapim atë çast dhe të lutemi, Allahu (xhel’le xheláluhu) do t’u përgjigjet.
Shënimet
- 292.Ibn Máxhe, ikáme 79; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 3/430.
- 293.Muslim, xhumu’a 22; Nesáí, xhumu’a 1; Ibn Máxhe, ikáme 78.
- 294.Muslim, taháret 10, 15, 16; Tirmidhí, salát 46; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 2/359. 297 Surja Xhumu’a, ajeti 9.
- 295.Ibn Ebí Shejbe, el Musannef 1/482; Abdurrezzak, el Musannef 3/207.
- 296.Buhárí, xhumu’a 18; Muslim, mesáxhid 151.
- 297.Surja Xhumu’a, ajeti 10.
- 298.El Begauí, Meálimut’tenzíl 4/345; es Sujútí, ed Durrul mensúr 8/165.
- 299.Surja Xhumu’a, ajeti 11.
- 300.Ebú Ja’lá, el Musned 3/468; eth Tha’lebí, el Keshf uel beján 9/317; el Begauí, Meálimut’tenzíl 4/345.
- 301.El Kurtubí, el Xhámi’ li ahkámil Kur’án, 18/114.
- 302.Ebú Dáúd, salát 209; Nesáí, xhumu’a 2.
- 303.Muslim, xhumu’a 40; Nesáí, xhumu’a 2.
- 304.Surja Nahl, ajeti 18.
- 305.Surja A’ráf, ajeti 54.
- 306.Muslim, sifátul munáfikín 27; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 2/327.
- 307.Buhárí, edhán 129, rikák 52, teuhíd 24; Muslim, zuhd 16.
- 308.Buhárí, tejemmum 1, salát 56; Muslim, mesáxhid 3, 4, 5.
- 309.Buhárí, xhumu’a 2-5, 12, 26; Muslim, xhumu’a 1-12.
- 310.Buhárí, xhumu’a 2; Muslim, xhumu’a 3-4.
- 311.Ebú Dáúd, salát 209; Ibn Máxhe, ikametus’salát 78.
- 312.Ibn Haxher, el Hejtemí, Tuhfetul muhtáxh 2/405.
- 313.Buhárí, fedáilus’salát 6, haxh 26, saum 67; Muslim, haxh 288.
- 314.Buhárí, xhumu’a 37, talák 24, de’auát 61; Muslim, xhumu’a 13-15.
- 315.Buhárí, istiská 7; Muslim, istiská 1.