Namazi0%

E VËRTETA E ISLAMI

Fjala ‘Islam’, e cila rrjedh nga rrënjët “silm” (paqe) dhe “selamet” (shpëtim), si fjalë bart kuptimet: dorëzim, nënshtrim, shpëtim, të qenit paqësor dhe i panjollë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), në përkufizimet që i ka bërë në kohë të ndryshme, më shumë ka qëndruar mbi kuptimin përmbledhës të Islamit dhe ka nxjerrë në pah kuptimin e tij në terminologji. Ja disa nga përshkrimet që Profeti ynë (s.a.s.) i ka bërë Islamit:

Në hadithin e Xhibrilit, i cili transmetohet thuajse në të gjitha burimet themelore të hadithit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i bën një përshkrim përmbledhës Islamit. Kështu na e përcjell këtë hadith Omeri (radijalláhu anh):

“Isha ulur pranë të Dërguarit të Allahut kur, papritur, u shfaq një burrë me rroba jashtëzakonisht të bardha e me flokë jashtëzakonisht të zinj. Tek ai nuk kishte asnjë shenjë që do të vërtetonte ardhjen e tij nga ndonjë udhëtim i largët. Për më tepër, askush nga mesi ynë nuk e njihte atë. Erdhi, u ul para të Dërguarit të Allahut dhe mbështeti gjunjët e veta tek gjunjët e Tij. Vendosi duart gjithë respekt mbi gjunjë dhe filloi të pyeste: ‘O Muhamed! Ç’është Islami?’ Pejgamberi ynë i nderuar (s.a.s.) e shpjegoi kështu Islamin: ‘Të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh gjatë muajit të Ramazanit dhe, nëse ke mundësi, të vizitosh Shtëpinë e Allahut (të kryesh haxhin).’ I huaji miratoi duke thënë: ‘Të vërtetën the!’ (Duke qenë se kjo pikë i bën shumë përshtypje, Omeri i nderuar thotë:) Ne u habitëm kur pamë se ai edhe bënte pyetje, edhe miratonte fjalët që thuheshin. Pastaj pyeti sërish: ‘Çfarë është imani?’ I Dërguari i Allahut (s.a.s.) iu përgjigj në këtë mënyrë: ‘Të besosh Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, profetët e Tij, ditën e fundit dhe kaderin, pra, që e mira dhe e keqja caktohen prej Tij.’ I huaji miratoi përsëri: ‘Të vërtetën the!’ Mandej, pyeti prapë: ‘Çfarë është ihsani?’ I Dërguari i Allahut tha: ‘Ihsani është kryerja e adhurimeve sikur po e sheh Allahun. Por, edhe nëse nuk je në gjendje ta shohësh Atë, dije se Ai po të sheh ty.’ I huaji vazhdoi të pyeste: ‘Kur është çasti i kiametit?’ I Dërguari i Allahut (s.a.s.) iu përgjigj: ‘Në lidhje me kiametin, i pyeturi nuk di ndonjë gjë më shumë se ai që po pyet.’ I huaji: ‘Cilat janë shenjat e kiametit?’ Profeti ynë i nderuar: ‘Të shohësh gratë robëresha të lindin të zotët e tyre dhe barinjtë këmbëzbathur e gjysmë të zhveshur të deveve teksa garojnë me njëritjetrin në ngritjen e ndërtesave të larta.’ Pas këtyre fjalëve, i huaji doli e iku. Unë qëndrova ca më gjatë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) m’u drejtua mua: ‘ O, Omer! A e di se kush ishte ai person?’ Unë iu përgjigja: ‘Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.’ Pas këtyre fjalëve të mia, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha kështu: ‘Ai ishte Xhibrili (alejhis’selam). Erdhi për t’ju mësuar juve fenë.’”

Siç vihet re, në këtë hadith qëndrohet mbi tri çështje të rëndësishme, të cilat janë: gjashtë kushtet e besimit, pesë shtyllat e Islamit dhe vetëdija e ihsanit, e cila nënkupton kryerjen e dy çështjeve të para në kthjelltësinë e vetëdijes dhe të ndriçimit të brendshëm. E në fakt, çdo besimtar i përgjegjshëm duhet të qëndrojë mbi këto çështje dhe, me aq sa mundet, duhet t’i kryejë ato.

Sipas një transmetimi tjetër, i cili na përcillet nga Talha (r.a.), i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e përshkruan Islamin përmbledhtazi:

“Një ditë prej ditësh, në mesxhid erdhi një burrë nga banorët e Nexhidit. Flokët i kishte të shprishura. Na vinte tek veshët zëri i tij, por nuk arrinim të kuptonim asgjë nga sa thoshte. Pasi iu afruam mirë, kuptuam se po bënte pyetje në lidhje me Islamin. Pejgamberi ynë (alehjis’salátu ues’selám) sapo kishte mbaruar së thëni ‘Pesë kohët e namazit, natën dhe ditën’ kur burri pyeti prapë: ‘A kam detyrim tjetër përveç këtyre pesë kohëve?’ ‘Jo, vetëm nëse dëshiron të falësh namaz nafile (vullnetar),’ tha i Dërguari i Zotit dhe shtoi: ‘Është edhe agjërimi në muajin e Ramazanit.’ ‘A ka agjërim tjetër përveç tij?’ ‘Jo, por, nëse dëshiron, mund të mbash agjërim nafile.’ Profeti ynë i nderuar dhe bujar i kujtoi atij zekatin. Burri pyeti: ‘A kam detyrim tjetër përpos zekatit?’ ‘Jo, por, në qoftë se jep në mënyrë vullnetare, është tjetër gjë.’ Burri u ngrit të ikte dhe, teksa po largohej, tha: ‘Ashtu siç nuk do t’iu bëj ndonjë gjë shtesë këtyre, po ashtu nuk do të lë mangët asnjërën prej tyre.’ Kurse Profeti ynë (s.a.s.) tha: ‘Nëse e mban fjalën, ka shpëtuar (ose ‘nëse e mban fjalën, do të jetë nga banorët e Xhenetit).’”

Siç shihet, në këtë hadith dhe në hadithe të tjera të ngjashëm me këtë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka bërë një përshkrim të përgjithshëm të Islamit duke përmendur çështjet themelore si shehadeti, namazi, zekati, agjërimi dhe haxhi. Kam përshtypjen se, nëse ajetet e Kuranit do të vlerësoheshin e do të shiheshin në tërësi së bashku me këto hadithe të lartpërmendura, do të vërehej një përshkrim i Islamit me të gjitha aspektet e tij, duke filluar me besimin dhe duke mbaruar me moralin. Edhe dijetarët i kanë trajtuar këto çështje veç e veç që shumë kohë më parë dhe temat e lidhura me Islamin i kanë organizuar nën titujt “itikad” (besimi), “ibadet” (adhurimi), “muamelat” (dispozitat e marrëdhënieve shoqërore) dhe “ukubat” (dispozitat e së drejtës penale). Për këtë arsye, kur themi Islam, shohim tërësinë që përqafon çdo pjesë të jetës nga besimi te morali, nga edukata te qeverisja e politika dhe nuk mendojmë asnjë rrugë tjetër përveç bindjes ndaj Muhamedit (s.a.s.), që na i ka bërë të ditura të gjitha këto.

2. Shehadeti dhe Islami

Siç vërehet edhe në hadithin e Xhibrilit, shehadeti është i pari në mesin e pesë shtyllave themelore të Islamit. Thënë ndryshe, kushti i parë i Islamit është shehadeti, që shprehet nëpërmjet dëshmisë “Eshhedu el’lá iláhe il’lalláh ue eshhedu enne Muhammeden abduhú ue rasúluhu”, ose shprehja e njësimit të Zotit (kelimei teuhíd) me fjalët “Lá iláhe il’lalláh Muhammedun Rasúlulláh”. Sepse këto dy koncepte përfshijnë dy kuptimet që ruajnë në vetvete thelbin dhe shpirtin e Islamit. Njëra prej tyre, duke u bërë përkthyes i dorëzimit dhe bindjes së zemrës e duke mbajtur si dëshmitarë të gjitha grimcat e universit, është të dëshmuarit nëpërmjet fjalëve “Eshhedu el’lá iláhe il’lalláh” se vetëm Zoti i Madhëruar është i Adhuruari Absolut dhe i Dëshiruari i Denjë; kurse e dyta është të besuarit tek të gjithë profetët në personin e Profetit të Lavdishëm, Pejgamberit tonë (s.a.s.), duke thënë “Muhammedun Rasúlulláh” ose “Eshhedu enne Muhammeden abduhú ue rasúluhu”. Sepse Profeti ynë (s.a.s.) është rima e poemës së profetësisë, përfaqësuesi dhe miratuesi i vërtetësisë së parimeve të pacenuara, si dhe korrigjuesi i vlerave të prishura si rezultat i devijimeve. Të gjitha fjalët kanë ardhur dhe janë mbledhur tek Ai (s.a.s.), Ai i ka vënë vulën gjithçkaje dhe vetëm nëpërmjet Tij është plotësuar zhvillimi dhe përparimi i njerëzimit. Ai i ka ardhur njerëzimit si një profet i përsosur dhe me një fe të përsosur, Ai ka dëshmuar për profetësinë e të gjithë profetëve të nderuar, nga Ademi (a.s.) deri te Mesihu (a.s.). Ja, pra, këtë shprehin fjalët “Eshhedu enne Muhammeden abduhú ue resúluhu”.

Aq të shenjta janë këto dy fjalë, saqë është e pamundur të gjesh ndonjë fjalë tjetër më të rëndë, më me vlerë se ato tek Allahu. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e shpreh këtë me fjalët: “Lutja më e mirë është ajo që bëhet në Arafat; fjala më e mirë, që e kam thënë unë dhe profetët e tjerë para meje, është ‘Lá iláhe il’lalláh’.”

Një hadith tjetër, i transmetuar nga Ebu Dherri (r.a.), është si vijon:

“Një herë pata shkuar tek i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Ai po flinte në atë çast. Kur u zgjua, u ula pranë Tij dhe filluam të bisedonim. Në një moment më tha: ‘Çdo rob që vdes pasi ka thënë fjalët Lá iláhe il’lalláh hyn në Xhenet.’ Unë, i habitur, e pyeta: ‘Edhe nëse bën zina (marrëdhënie seksuale jashtëmartesore), edhe nëse bën hajdutëri?’ Pejgamberi m’u përgjigj: ‘Po, edhe sikur të bëjë zina e hajdutëri!’ Unë nuk durova dot dhe e pyeta sërish: ‘Hyn në Xhenet edhe nëse bën zina, edhe nëse bën hajdutëri?’ I Dërguari i Allahut më dha përsëri të njëjtën përgjigje: ‘(Po), edhe sikur të bëjë zina, edhe sikur të bëjë hajdutëri!’ Tri herë i pati përsëritur këto fjalë. Ndërsa herën e katërt tha kështu: ‘Do të futet në

Xhenet, edhe sikur të mos e dëshirojë Ebu Dherri një gjë të tillë.’”

3. E vërteta e “Lá iláhe il’lalláh”

Është e mundur që në kuptimin e e shprehjes së njësimit të Zotit (kelimei teuhíd) të shihet gjithçka që lidhet me sistemin e të qenit rob i Zotit në Islam. Besimtari, kur thotë “Lá iláhe il’lalláh”, nënkupton se vetëm Allahun njeh si Zot dhe se nuk kënaqet me askënd tjetër përpos Tij. Kurani e vërteton këtë me fjalët: “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”13 Kuptimi që bart ky ajet është: “Vetëm Allahun adhuroni dhe vetëm Atij bëjuni rob, mos kërkoni strehim dhe mbështetje tek askush tjetër përveç Tij. Sepse, përveç Zotit, nuk ekziston asnjë fuqi tjetër ku mund të mbështetesh e që mund t’i besosh. Vetëm në këtë mënyrë do të arrini qetësinë shpirtërore.” E, në fakt, fjala “Allah” (Lafzatulláh) i përfshin të gjitha këto kuptime.

Nuk më duket e përshtatshme që fjala e lartë “Allah” të pranohet si një fjalë e përcjellë nga një fjalor tjetër dhe të thuhet se, sipas shkencës së etimologjisë, rrjedh nga kjo apo ajo fjalë. Nuk ma bën zemra të pranoj një përpjekje të tillë për t’i gjetur një origjinë asaj. Mirëpo, duke e lidhur atë edhe me disa fjalë të tjera, disa janë orvatur t’i gjejnë një fjalë bazë. Por, nëse do t’më pyesnin mua, do të thosha kështu: Krijuesi i Plotfuqishëm i gjithësisë është i pafillimtë, dhe si i tillë, emri i Tij është “Allah” që në paraekzistencë. Nuk është aspak e përshtatshme të kërkosh për ndonjë fjalë rrënjë për emrin “Allah”.

Çdo gjë është e lidhur me Allahun dhe çdo gjë falë Allahut ekziston. Fjala “Allah” është nuri dhe drita e fytyrës së gjithësisë. Aty ku fjala “Allah” nuk është e pranishme, të gjitha dijet dhe njohuritë mbeten thjesht si diçka imagjinare, iluzione mashtruese, mirazhe, mbeten si grumbuj idesh të pakuptueshme, tejet të koklavitura e që nuk u gjendet filli.

Poeti A’shá, nga poetët arabë të periudhës së injorancës, pati shkuar pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) sapo kishte dëgjuar për profetësinë e tij dhe, pasi dëgjoi kuptimet dhe të vërtetat që shprehen në Kuran, thuajse pati kaluar në ekstazë. Por kjo situatë nuk pati qenë e mjaftueshme për të. Sepse ai donte t’i besonte më thellësisht kuptimit të shprehjes “Lá iláhe il’lalláh”. Për këtë arsye, i kërkoi kohë Pejgamberit tonë (s.a.s.) dhe u kthye në vendlindjen e tij. Me këtë gjendje të tijën, ai sikur donte t’i thoshte kështu Profetit tonë (s.a.s.): “Ti kërkon nga unë të them një fjali; por kuptimi që shpreh kjo fjali është jashtëzakonisht i gjerë. Mua më duhet t’i përvetësoj këto kuptime të gjera, t’i ndiej në ndërgjegjen time, të bëj të mundur që të gjitha grimcat e trupit tim t’i ndiejnë ato.” Pra, shprehja “Lá iláhe il’lalláh” nuk është një shprehje që mund të thuhet në mënyrë të rëndomtë. Përkundrazi, kur ajo shqiptohet, do të thotë se po pranohet një rend jete, një sistem që e rrethon jetën me çdo gjë të sajën, dhe se i duhet qëndruar besnik asaj deri në fund të jetës.

Shkurtimisht, i Vërteti i Madhëruar ka krijuar universin për të bërë të njohur veten, dhe, për të bërë të mundur leximin e atributeve të tij, brenda atij universi ka vendosur një rend. Për rrjedhojë, rendi për Të flet, harmonia Atë përmend, gjithësia Atë rri e shpjegon. Të gjitha qeniet e universit, të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, janë si gjuhë që thërrasin emrin “Allah” dhe që e përmendin pa pushim Atë. Kurse njeriu, si një krijesë tek e cila Zoti ka mundësuar edhe çeljen e lules së të shprehurit, me ndërgjegjen, aftësinë e tij për të perceptuar dhe vullnetin e tij, bëhet përkthyes i këtyre përmendjeve kudo nëpër gjithësi dhe, më pas, i shpreh këto të vërteta edhe nëpërmjet gjuhës së vet.

Kur të vijë koha, gjithçka do t’u bashkohet këtyre gjuhëve që ulërasin ekzistencën e Allahut, të gjithë do të shkrihen ashtu siç shkrihen akujt me ardhjen e pranverës e, në këtë mënyrë, do të bëhen përkthyes të së drejtës dhe së vërtetës. Akujt në behar shkrihen, në behar zgjidhen gjuhët, edhe bilbilat në behar fillojnë të këndojnë. Farat e mbjella mbijnë e fillojnë të hedhin shtat po ashtu në behar. Mund të themi se ne e kemi arritur beharin ku të gjitha këto përjetohen hap pas hapi. Sot, në çdo anë po lartësohen thirrjet “Lá iláhe il’lalláh”, sikur po përjetohet një “Periudhë Lumturie” e re. Sepse ajo periudhë lindi në gjirin e atyre që i vunë gjoksin problemeve dhe vuajtjeve, që u zhytën trimërisht, pa më të voglën frikë, mes qindra situatave të vështira e që u treguan të vendosur në çështjen e të jetuarit të Islamit. Lartësimi i thirrjeve “Lá iláhe il’lalláh” në luginat e Mekës, atje ku dikur jetohej një jetë e mbuluar nga shtresat e errësirave të besimeve pagane njëra mbi tjetrën, lartësimi i tyre, përhapja dhe bërja bujë në të gjithë botën u arritën si përfundim i përballimit të këtyre vështirësive e vuajtjeve.

Kur në zemër hyn besimi!

Sa për të dhënë një shembull në lidhje me sa thamë: Pas një jete trembëdhjetëvjeçare plot vështirësi, Allahu i Madhëruar u hapi myslimanëve dyert e Medines. Besimtarët, duke u forcuar këtu çdo ditë e më shumë, si një çinar që qëndron mbi trungun e tij, kishin filluar të drejtoheshin tashmë dhe të rrinin mbi këmbët e veta. Frytet e para të kësaj i patën marrë në luftën e Bedrit, ku korrën një fitore të madhe. Kjo fitore bëri të mundur që politeistët të mos ndiheshin më të pathyeshëm, kurse nga ana tjetër, vërtetoi se, tashmë, Islami po qëndronte mbi këmbët e veta dhe se po vepronte brenda një harmonie të plotë. Mushrikët nuk e gëlltitën dot dhimbjen e humbjes përballë një grupi prej treqind vetash dhe, në çdo rast që u jepej, shfaqnin inatin, dëshirën e madhe për t’u hakmarrë. Prej tyre ishin edhe Safuan bin Umeje dhe Umejr bin Uehb, dy djem xhaxhallarësh të mbushur me urrejtje dhe zemërim ndaj Profetit tonë (s.a.s.) në çdo frymëmarrje të tyren. Kishin këtë plagë të përbashkët sepse njërit i ishte zënë rob i biri, ndërsa tjetrit i ishte vrarë në luftë i ati. Pas luftës së Bedrit, këta të dy ishin ulur bashkë një ditë, po i qanin hallet njëri-tjetrit dhe po planifikonin të këqijat që do mund t’i bënin Pejgamberit tonë (s.a.s.).

Ranë dakord më në fund dhe vendosën; Umejr bin Uehbi, me pretekstin për të parë të birin, do të shkonte në Medine dhe, duke gjetur edhe për këtë një pretekst, do t’i afrohej edhe të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Pastaj, me shpatën e tij të helmatisur, do të bëhej shkak që Ai (s.a.s.) të binte shehid. Në këtë mënyrë, do të hakmerrej si për veten, po ashtu edhe për të gjithë fisin e Kurejshëve. Umejri, me kokën të mbushur nga këto mendime, vete në Medine. Por, akoma pa e gjunjëzuar devenë e tij para mesxhidit, Omeri (r.a.), i cili e përshkruan atë me fjalët “Ky qen është Umejr bin Uehbi, armiku i Allahut”, e vëren dhe, më pas, u drejtohet personave përreth: “Kini kujdes! Po dalloj praninë e një shpate nën rrobën e tij, të mos i bëjë diçka të keqe të Dërguarit të Allahut!” Mandej, shkon pranë Profetit (s.a.s.) dhe i thotë: “O i Dërguari i Allahut! Po vjen Umejri, mos t’ju bëjë keq juve!” I Dërguari i Allahut (s.a.s.), duke buzëqeshur, urdhëron: “O, Omer! Lëre të vijë!” Kur Umejri i afrohet të Dërguarit të Allahut pasi është futur në mesxhid, Pejgamberi ynë (s.a.s.) e pyet: “Pse ke ardhur, o Umejr?” Umejri i thotë se ka ardhur të paguajë për lirimin e të birit. Kurse i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ia kthen në këtë mënyrë: “Nëse do, a të ta them unë se për çfarë ke ardhur?” Pastaj i tregon një për një të gjitha detajet e planit që kishte thurur bashkë me Safuanin. Ky njeri, i quajtur “Shejtani i Kurejshëve”, kur dëgjon fjalët e të Dërguarit të Allahut, kërcen nga vendi dhe thotë “Lá iláhe il’lalláh Muhammedun Rasúlulláh”. Kur fati është duke kompozuar të tjera gjëra, edhe njeriu më i djallëzuar bëhet brenda një çasti nga ndjekësit e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).

Gjatë qëndrimit të tij pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), Umejri tejmbushet me dashuri për Islamin dhe entuziazëm, aq sa nuk e zë më vendi. Tani, ai dëshiron t’i japë hakun shpatës që e kishte sjellë për të vrarë Profetin tonë (s.a.s.). Për këtë arsye, i kërkon leje të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) që të kthehet sërish në Mekë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) është i bindur, mekasit nuk janë në gjendje t’i bëjnë asgjë këtij njeriu po aq trim dhe heroik sa Omeri (r.a.). Kështu që, e lejon të shkojë përsëri në Mekë. Nga ana tjetër, Safuani është duke fërkuar duart çdo ditë. Ai është në pritje të ngjarjes së madhe që mendon se do të ndodhë në Medine, vete e pyet për lajmet më të reja secilin karvan që vjen nga ato anë. Sepse lajmi që do të vijë nga atje do t’i bëjë të gëzohen pa masë atë dhe të gjithë banorët e tjerë të Mekës. Mirëpo, një ditë, atij i vjen lajmi i pranimit të Islamit nga ana e Umejrit, një lajm që e bën të luajë mendsh.

Umejri, ashtu siç kishte bërë edhe Omeri kur po largohej nga Meka, hyn në Mekë duke i sfiduar të gjithë. Këtu, në të shumtën e rasteve, i kalon ditët duke u shpjeguar njerëzve të drejtën dhe të vërtetën. Brenda kësaj periudhe kohore, Umejri i jep vërtet hakun të qenit mysliman. Sepse kur do të kthehet në Medine dy-tre vjet më vonë, prapa tij do të vërehet një bashkësi e madhe njerëzish që do të kenë zgjedhur të jenë myslimanë. Pavarësisht këmbënguljes së Umejrit, djali i xhaxhait të tij, Safuani, ishte treguar kokëfortë dhe nuk i ishte bashkuar ende karvanit të fatlumëve; me çlirimin e Mekës, kishte marrë mbi shpinë barrën e vet dhe ishte arratisur drejt vendeve përtej detit. Umejri, i mërzitur tej mase nga kjo gjendje e Safuanit, vjen tek Pejgamberi ynë (s.a.s.) dhe, pasi i tregon për situatën e Safuanit, i kërkon që ta falë dhe ta marrë nën mbrojtje atë. Për të vërtetuar marrjen e tij në mbrojtje, i kërkon çallmën që Profeti ynë (s.a.s.) kishte mbështjellë në kokën e Tij të bekuar gjatë hyrjes në Mekë dhe që ia kishin parë të gjithë. Sepse ai parashikonte se Safuani do të ishte një njeri i dobishëm për Islamin në të ardhmen.

Më në fund, Umejri arrin ta gjejë Safuanin dhe e sjell atë tek i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Kur del para të Dërguarit të Allahut, Safuani është i trishtuar, nuk është në gjendje as për ta parë në fytyrë Pejgamberin tonë. Mes tyre zhvillohet kjo bisedë:

“O i Dërguari i Allahut! Umejri më tha se më keni dhënë mbrojtje. A është e vërtetë kjo?” Njeriu i tolerancës dhe mirëkuptimit, me një sjellje që vetëm Atij i shkon për shtat, i përgjigjet: “Po, e vërtetë është.” “O i Dërguari i Allahut! Unë e pranoj vërtetësinë e gjërave që ke sjellur ti. Por dua që t’më japësh dy muaj kohë për t’u menduar.” thotë Safuani. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), duke buzëqeshur sikur të ishte duke i parë në ato çaste trimëritë që ky bir fisnik i fisit Kurejsh do të shfaqte në Jermuk përballë Bizantit, i thotë se i ka dhënë jo dy, po katër muaj kohë. Nuk kalojnë as disa javë dhe Safuani vjen para Profetit tonë (s.a.s.) dhe, duke thënë “Eshhedu el’lá iláhe il’lalláh ue eshhedu enne Muhammeden abduhú ue Rasúluhu”, bëhet shkak që edhe Umejri të mbytet në lot gëzimi.

4. Islami si mësim i të gjithë profetëve

“Islam” është emri i sistemit që rregullon çdo gjë në mendimet, imagjinatën, jetën praktike dhe botën e brendshme të njerëzve që nga koha e Ademit (a.s.) e gjer në ditët e sotme, që u ka vënë atyre nga një masë dhe që i peshon ato nëpërmjet peshores që ka vendosur ai vetë. Ky sistem, duke qenë se është vendosur nga ana e një Individualiteti që e ka krijuar njeriun në trajtën e një mekanizmi dhe që e vëzhgon, e ndjek atë me çdo gjë të tijën, është mjaft gjithëpërfshirës. Islami i ka mbledhur në strukturën e tij çështjet që kanë të bëjnë me këtë botë e me botën tjetër si një tërësi dhe ka mundësuar ardhjen sup më sup, përqafimin e dynjasë me ahiretin (botën e përtejme). Pavarësisht trupit të tij të vogël, falë Islamit njeriu ka mundur të ndërtojë një lidhje me Allahun, madhështia dhe fuqia e të Cilit është e pafund, dhe, në këtë mënyrë, ka mundur të rregullojë edhe marrëdhëniet me universin. Për rrjedhojë, në varësi të thellimit të tij në Islam do të jetë edhe paraqitja e thelbit të tij thuajse të pafund. Këto thellësi që i përkasin Islamit, në fakt, janë brenda përkufizimit të tij dhe janë shprehur nëpërmjet gjuhës së profetëve.

Këtë përshkrim e ka bërë për herë të parë Ademi (a.s.). Profetët që kanë ardhur pas tij i kanë thirrur njerëzit në Islam nën të njëjtin përshkrim dhe i kanë ftuar të shohin thellësitë brenda tij. Pas Ademit (a.s.), Nuhu (a.s.) ka thënë: “Mua më është urdhëruar të jem prej atyre që (i) nënshtrohen (Atij).” Kur vendosnin gurët njëri mbi tjetrin për të ndërtuar Shtëpinë e Allahut, e cila, deri në Ditën e Kiametit, do të jetë kibla e njerëzimit mbi sipërfaqen e tokës dhe shtylla e shndritshme gjer në Sidretul Muntehá (një pemë e madhe në të majtë të Fronit Hyjnor, mbi qiellin e shtatë) rreth së cilës bëjnë tavaf engjëjt, Ibrahimi dhe Ismaili (a.s.) janë lutur kështu: “Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje!”

Jusufi (a.s.), pasi u bë drejtues i ekonomisë shtetërore të Egjiptit, pasi u bashkua me prindërit e tij dhe pasi shpëtoi vëllezërit nga problemet e urisë dhe mjerimit, me pak fjalë, pasi arriti çdo gjë materiale dhe shpirtërore, iu lut Zotit në këtë mënyrë: “Zoti im! Bëj që të vdes si mysliman dhe më shoqëro me punëmirët (në botën tjetër)!” E në fakt, nuk është e mundur të tregohet një njeri i dytë që të ketë arritur këto privilegje që zotëronte ai. Kur shpjegon gjendjen e Jusufit (a.s.), Pejgamberi ynë (s.a.s.) thotë kështu: “Fisnik, bir fisniku, i të birit të fisnikut, i të birit të fisnikut është Jusufi, i biri i Jakubit, i të birit të Is’hakut, i të birit të Ibrahimit.” Të gjithë gjyshërit e Tij ishin profetë. Ai njeri fisnik e bujar, pasi mblodhi tek vetja të gjitha këto privilegje të jashtëzakonshme, këto tha si fjalë të fundit. E në fakt, ky duhet të jetë mendimi ideal i një zemre që ia ka përkushtuar veten Allahut dhe që digjet nga malli e dëshira për të arritur tek Ai.

Kur një njeri shprehet me fjalët “U bëra mysliman”, kjo mbart kuptimin “Ia dorëzova vullnetin tim Allahut”, që do të thotë të përsëritësh fjalët e Ademit (a.s.), të Nuhut (a.s.), të Halilurrahmanit (mik i të Gjithmëshirshmit) (a.s.), babait të profetëve, të Jusufit (a.s.) dhe, në fund, të Sulltanit të Sulltanëve, Zotërisë dhe Krenarisë së Gjithësisë (s.a.s.). Këto fjalë të thëna përmes gojës së profetëve në emër të gjithë njerëzimit përbëjnë besëlidhjen me Zotin, premtimin e dhënë ndaj Tij.

Ashtu siç dihet, dorëzimi dhe nënshtrimi nënkuptojnë bindjen e njeriut ndaj Allahut në mendim, konceptim dhe vepra. Për këtë arsye, Zoti i Madhëruar i është drejtuar Profetit tonë (s.a.s.) me fjalët: “Thuaj: ‘Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij.’”

Nëse do të shpreheshim në një kontekst më të gjerë, kuptimi i këtyre fjalëve të Zotit është ky: “O i Dashuri im! Sovraniteti dhe sundimi mbi gjithçka i përket vetëm Allahut. Kështu që, dorëzohu tek Allahu, i Cili ka në dorë sundimin e kësaj bote dhe të botës së përtejme, që drejton e kontrollon gjithçka nga sistemet planetare deri tek grimcat më të vogla. Ai është i pashoq. Madhështia dhe sundimi vetëm Atij i takojnë. Thuaj: ‘Unë i kam pranuar i pari gjërat e thëna prej Tij dhe për këtë jam urdhëruar.’”

Në letrën që i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i pati dërguar Herakliut gjendej edhe kjo shprehje: “Hyr në Islam, gjej shpëtim.” Kjo do të thoshte: “Lërja Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Muhamedit (s.a.s.) drejtimin e anijes që do të të shpëtojë ty nga këto dallgë të frikshme duke të nxjerrë në bregun e sigurt. Në të kundërt, do të ekspozohesh ndaj problemeve e vuajtjeve që sjellin këto dallgë gjigante dhe nuk do të jesh në gjendje të gjesh paqe e qetësi.” Në pjesët në vazhdim të letrës shkruhej edhe fjalia “Allahu do të të shpërblejë dyfish”, e cila ka të bëjë me ata që janë në postin e drejtuesit. Kjo është një fjali që i referohet të gjithë drejtuesve, që nga një kryetar familjeje e deri te drejtuesi i një rajoni, nga ky i fundit e gjer te kryetari i shtetit. Sepse, nëse bëhet mysliman drejtuesi që ndodhet në krye të grupit të njerëzve për të cilët është përgjegjës, edhe këta të fundit do të veprojnë në të njëjtën mënyrë dhe, kështu, përveç shpërblimit të pranimit të Islamit nga ai vetë, do të marrë edhe shpërblimin e njerëzve të tij. Nga ana tjetër, në rast se ai kthen fytyrën në anën tjetër dhe mbyll veshët ndaj të Vërtetit, ngaqë është drejtues dhe ngaqë do të bëhet sebep edhe për përpëlitjet e të tjerëve brenda mosbesimit dhe devijimit, bashkë me gjynahet e veta do të marrë mbi shpinë edhe gjynahet e tyre.

5. Rëndësia e bindjes ndaj profetëve

Njeriu, nëpërmjet kërkimeve dhe studimeve në lidhje me universin, mund të fitojë disa njohuri, falë të cilave mund të arrijë të thotë se ekziston një krijues. Por kjo deklaratë mbetet me kaq, vështirë të shkojë përtej mendimeve të Uaraka bin Neufelit apo Zejdit, djalit të xhaxhait të Omerit (r.a.), të cilët patën vazhduar jetët e tyre si “hanífë”, para se të vinte Pejgamberi ynë (s.a.s.). Mendoni sikur ndodheni të ulur brenda një dhome dhe, në një moment, dëgjoni trokitjen e derës. Gjëja e parë që ju vjen në mendje është mendimi se prapa derës gjendet dikush. Ja, pra, kjo, në një farë mënyre, këtij shembulli i ngjason. Nga mënyra e trokitjes, njeriu mund të arrijë në disa konkluzione; nëse goditja shkakton një tingull ritmik, mund të thotë se prapa derës ndodhet një krijesë me vetëdije. Zaten, pa qenë në gjendje të përdorë shqisën e të shikuarit, vetëm kaq mund të jetë përfundimi që mund të nxjerrë mendja. Në fund të fundit, çdo gjë e thënë në lidhje me atë gjë që gjendet pas derës nuk shkon përtej hamendësimeve.

Shembulli i dhënë nga Platoni në lidhje me njerëzit në shpellë përbën një shpjegim ndryshe të kësaj të vërtete. Ai pretendon se njohuritë e njeriut rreth qenieve mund të jenë aq sa hijet e tyre ose aq sa pasqyrohen ato brenda shpellës nga jashtë. Ndërsa informacioni i vërtetë rreth qenieve jashtë shpellës mund të merret vetëm nëse vjen dikush nga jashtë dhe jep informacion të qartë në lidhje me to. Në qoftë se do të bënim një lidhje mes atij personi dhe institucionit të profetësisë, mund të themi kështu: Njerëzit mund të besojnë në ekzistencën e Krijuesit dhe të fitojnë njohuri të qarta e të prera për Të vetëm me ndihmën e udhëzimeve dhe mësimeve të profetëve. Për shembull, emrat dhe atributet e Tij, gjërat që kërkon nga robërit e Tij në emër të adhurimit, mënyra se si duhet të kryen ato adhurime dhe shumë çështje të tjera si këto mund të njihen e të mësohen vetëm nëpërmjet të informuarit nga ana e një profeti.

Gjithësia është krijuar si një libër dhe është vënë para syve të të gjithë njerëzve. Qeniet misterioze, të cilat gjenden kudo nëpër univers, dhe ngjarjet rrinë e ndjekin njëra-tjetrën brenda një harmonie të plotë. Ekzistenca e një force dhe fuqie vepruese dhe kontrolluese prapa gjithë këtyre ndodhive është e sigurt. Nëse nuk i vihet veshi fjalës së profetit, atëherë, mendimi që do të arrihet në lidhje me këtë forcë e fuqi do të jetë në trajtën e ekzistencës së një vendburimi shpirtrash që kontrollon gjithçka apo të një grupi mendjesh që sundon mbi çdo gjë, ose të ekzistencës së një force dhe fuqie brenda çdo lënde. Mendime të këtij lloji jo vetëm që i ngatërrojnë e ua bëjnë lëmsh kokat njerëzve, por nuk shprehin as ndonjë kuptim për të qenë dhe të pranueshëm nga logjika. Kurse Allahu (xhel’le xheláluhu), i Cili na bën ta ndiejmë praninë e Tij nëpërmjet mijëra ngjarjeve nëpër univers, është larg sasisë dhe cilësisë. Brenda kritereve të sufizmit, pavarësisht asaj që mund të mendohet rreth Tij, Krijuesi i Plotfuqishëm është përtej të përtejshmes së çdo gjëje që mund t’i vijë në mendje njeriut. Ai nuk mund të perceptohet nëpërmjet Individalitetit të Tij; Ai mund të njihet vetëm përmes emrave dhe atributeve të Tij. Ndërsa kjo, realizohet vetëm me vënien në punë të mendjes, zemrës dhe shpirtit nën udhëheqjen dhe drejtimin e profetëve. Për të arritur pagabueshmërinë në këtë pikë, e vetmja zgjidhje është dëgjimi i fjalëve të profetëve, të cilët janë përfaqësuesit e rrugës së drejtë. Lidhja me karvanin e profetëve, të cilët thonë se janë të lidhur me Zotin dhe se nuk kanë asnjë kapital apo pasuri tjetër përveç asaj që u vjen prej Tij, është garancia e ecjes sonë në rrugën e drejtë.

Të gjitha problemet do të zgjidhen duke iu drejtuar botës së profetëve dhe të gjitha të panjohurat do të bëhen të njohura në atmosferën e tyre të ndritshme. Sepse ata janë dërguar si shembuj dhe udhërrëfyes për njerëzimin. Zoti i Madhëruar, duke e ditur se njerëzimi ka nevojë për ta, nuk ka lënë pa profet asnjë nga popujt mbi sipërfaqen e tokës. Le të shkohet në cilindo vend të botës dhe në cilëndo periudhë kohore të saj, patjetër që do të dëgjohet fryma e një profeti që thotë: “O populli im! Adhurojeni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij zota të tjerë.” Kurani e shpreh kështu këtë të vërtetë: “Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): ‘Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt!’” Në mënyrë që ata të mos përkulen para njeriut, të mos shkojnë pas totemeve dhe të mos lidhen pas njerëzve të hyjnizuar. Në vënd të këtyre, të adhurojnë vetëm dhe vetëm Allahun e të kërkojnë ndihmë prej Tij. Një besimtar i vërtetë, në lutjen e Kunutit, të cilën e lexon çdo ditë, duke thënë “Zoti im! Prej Teje kërkojmë ndihmë e falje dhe po prej Teje kërkojmë udhëzim. Ty të besojmë, Ty të pendohemi dhe tek Ti mbështetemi. Të përmendim Ty e të lavdërojmë me gjithë të mirat e Tua, të falënderojmë Ty duke i përmendur mirësitë e Tua. Ne nuk të mohojmë Ty. Largohemi nga ata që të kundërshtojnë Ty dhe presim lidhjet me ta.”, shpreh besnikërinë e tij ndaj këtij premtimi që i ka bërë Zotit të Madhërishëm.

Përsëri, Allahu i Madhëruar, që njerëzit ta kenë më të lehtë, profetët i ka dërguar nga popujt e tyre dhe në gjuhët e tyre. Ajeti “Ne nuk kemi çuar asnjë të dërguar, përveçse në gjuhën e popullit të tij, për t’u shpjeguar atyre (shpalljet e Zotit).” e shpreh më së miri këtë të vërtetë. Në një ajet tjetër, drejtuar Profetit tonë (s.a.s.), duke thënë “Ne e kemi bërë atë (Kuranin) të lehtë, në gjuhën tënde, vetëm që, nëpërmjet tij, ti t’u japësh lajmin e mirë besimtarëve të devotshëm dhe të paralajmërosh njerëzit kokëfortë (në mosbesimin e tyre).”, theksohet po ashtu i njëjti kuptim. Po, Profetit të Lavdishëm (s.a.s.), që ishte shfaqur si një arab në mesin e shoqërisë arabe, i nevojitej të fliste arabisht. Nëse do të kishte dalë në mesin e ndonjë populli tjetër, gjuhën e atij populli do të kishte folur. Çdo profet ka folur gjuhën e popullit në mesin e të cilit është shfaqur. Në mënyrë që çdo çështje t’i shpjegohet qartë dhe haptazi të gjithëve.

6. Muhamedi (paqja qoftë mbi Të) si i fundit i profetëve

Poema profetike, e cila ka filluar me Ademin (a.s.), ka arritur përsosmërinë nëpërmjet Muhamedit (s.a.s.), Profetit tonë të lavdishëm e të nderuar. Ndërkohë që të vërtetat ekzistonin tek Ademi (a.s.) në trajtën e një fare, tek Nuhu (a.s.) patën nxjerrë kokën mbi dhe, tek Ibrahimi (a.s.) kishin hedhur shtat e kishin filluar të lulëzonin, kurse tek Profeti ynë (s.a.s.) filluan të jepnin frytet e tyre, duke mundësuar gjelbërimin e plotë të lëndinave dhe shndërrimin e botës në një trëndafilishtë. Sepse ai është një profet universal. Universaliteti i Tij shprehet përmes ajetit: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.” Të gjithë kanë përfituar nga kjo mëshirë e gjerë e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Aq sa një ditë, Xhibrili (a.s.), një nga engjëjt më të mëdhenj dhe ai që i solli Pejgamberit tonë (s.a.s.) shpalljet e Kuranit përgjatë gjithë profetësisë së Tij, kur pyetet me fjalët “O Xhibril, a ke përfituar edhe ti nga mëshira e përgjithshme?”, përgjigjet në këtë mënyrë: “Po, kam përfituar. Sepse as unë nuk isha i sigurt në lidhje me fundin tim. Kur Kurani më quajti mua ‘të besueshëm’, atëherë edhe unë u sigurova në lidhje me përfundimin tim.” Kurani thotë kështu për Të: “Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhibrili).” Gjerësia e kësaj mëshire, prej së cilës ka përfituar edhe vetë Xhibrili (a.s.), është një shembull i mjaftueshëm për të treguar gjerësinë e rrethit të forcës së shenjtë tërheqëse të Tij. Atëherë, ne besimtarët nuk duhet ta lëmë jashtë zemrës sonë, madje për asnjë çast, vetëdijen e të qenit një umet i gjendur brenda një rrethi mëshire që përfshin edhe engjëjt.

Po, Islami ka arritur përsosmërinë nëpërmjet Pejgamberit tonë (s.a.s.), njerëzimi në periudhën e Tij është zhvilluar, në periudhën e Tij ndodhën revolucionet materialo-shpirtërore në mendjen dhe mendimet e njeriut, në strukturën shoqërore nuk mbeti asgjë në emër të jetesës prej beduini, gjithçka lulëzoi dhe çdo anë u mbulua nga begatitë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), drejt fundit të detyrës së Tij si pejgamber, por edhe të jetës së Tij, teksa po kryente haxhin e Lamtumirës, i tha njerëzimit fjalët e Tij të fundit. Mes këtyre fjalëve recitoi edhe ajetin “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj” e, në këtë mënyrë, dha lajmin e plotësimit të fesë.

Zbritja e këtij ajeti është një mirësi dhe një bekim i atillë në emër të umetit të Muhamedit (s.a.s.), aq sa një ditë, një hebré i drejtohet Omerit (r.a.) në këtë mënyrë: “O Udhëheqësi i Besimtarëve! Në Kuran gjendet një ajet i atillë, që, nëse do të na ishte zbritur neve, ditën e zbritjes së atij ajeti do ta kishim shpallur ditë feste.” Kur Omeri (r.a.) e pyeti atë se për cilin ajet bëhej fjalë, ai i pati përmendur ajetin e mësipërm. Pasi dëgjon përgjigjen e tij, Omeri (r.a.) buzëqesh dhe ia kthen në këtë mënyrë: “Myslimanët e dinë shumë mirë se ku dhe në çfarë atmosfere është shpallur ai ajet dhe se Profeti ynë (s.a.s.) ia ka përcjellur atë umetit të Tij. Atë ditë ishte edhe ditë e xhuma, edhe dita e Arafatit.” Kështu, ia bëri të qartë atij se që të dyja ditët janë festë për ne.

Po, dita kur zbriti ai ajet qe një festë për umetin, por kishte edhe një trishtim të madh brenda kësaj feste. Sepse i njëjti ajet njoftonte edhe për vdekjen e Pejgamberit tonë. Ai (s.a.s.) solli një fe, një sistem, të cilin, me urdhrin e Allahut, e përfaqësoi më së miri dhe e përcolli tek njerëzit, dhe, pasi e kreu detyrën e Tij, sërish nëpërmjet një urdhri, u thirr të shkonte tek Allahu.

Kur themi se çdo gjë u plotësua dhe u arrit falë Muhamedit (s.a.s.), mund të na lindë pyetja: “Tek të tjerët kishte mangësi?” Në të kaluarën, ishte e domosdoshme që çdo populli, çdo fisi t’i dërgohej një profet (pa dyshim që kjo domosdoshmëri ishte për njeriun, nuk mund të bëhet fjalë për një nevojë të tillë të Zotit të Madhëruar); një pejgamber i lindur në Kinë nuk mund ta bënte të njëjtën detyrë edhe në Indi. Në të njëjtën mënyrë, një profet që dilte në ndonjë vend të Evropës, nuk mund të hynte nën peshën e detyrës së profetësisë në kontinentin e Azisë. Sepse kushtet e atyre periudhave ishin shumë të rënda, atëherë nuk kishte mjete udhëtimi si këto të ditëve të sotme. Në fakt, edhe në kohën kur u shfaq Profeti ynë (s.a.s.), njerëzimi në të njëjtën situatë ndodhej; komunikimi bëhej i mundur mbi shpinën e kuajve, nëpërmjet lajmëtarëve që dërgoheshin në të katër anët e botës. Por, me shtimin e mjeteve të komunikimit për umetin e Tij, bota tashmë thuajse është shndërruar në një qytet, dhe kjo është një mrekulli e Pejgamberit tonë (s.a.s.). Për rrjedhojë, dërgimi i Profetit Muhamed (s.a.s.) në një periudhë kur njerëzimi do të përparonte shumë në fushat e qytetërimit, dijes, teknikës dhe teknologjisë, ka qenë e veçanta e Tij. Për këtë arsye, ndërsa profetët e mëparshëm qenë dërguar vetëm tek popujt apo fiset e tyre, Pejgamberi ynë (s.a.s.) u dërgua si profet për mbarë njerëzimin. Profeti ynë e ka shprehur këtë me këto fjalë: “Çdo profet është dërguar vetëm për popullin e vet. Kurse unë jam dërguar për të gjithë njerëzit.”

Po, me zhvillimin e mundësive të komunikimit dhe transportit, sot bota sikur është shndërruar në një fshat global. Një ngjarje e ndodhur diku nëpër botë mund të ndiqet njëkohësisht nga të gjithë. Tashmë njerëzimi po endet nëpër hapësirë dhe po mëson e po merr informacion për planetet dhe yjet.

Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) bën një krahasim të bukur për të treguar se Ai është hallka e fundit e zinxhirit të profetëve: “Shembulli im dhe ai i profetëve të tjerë para meje i ngjason kësaj: Një burrë kishte ndërtuar një shtëpi shumë të bukur, por në një qoshe të saj kishte mbetur një hapësirë boshe sa për një qerpiç. Njerëzit filluan të shëtisnin shtëpinë duke e admiruar atë, por, kur panë boshllëkun në njërën qoshe të shtëpisë, thanë: ‘A nuk do të vihet edhe qerpiçi që mungon këtu?’ Ja, pra, ai jam unë, unë jam i fundit i profetëve.”

Po, Ai ishte plotësuesi i poezisë që pati filluar me Ademin (a.s.). Nëse nuk do të kishte ardhur Ai (s.a.s.), nuk do të ishte e mundur që ne të dëgjonim emrin e Ademit (a.s.), të mësonim për Musain (a.s.) dhe të njihnim ashtu siç duhet Isain (a.s.). Njerëzimi vetëm falë Tij (s.a.s.) ka arritur të marrë informacionet dhe njohuritë e sakta në lidhje me popujt dhe ngjarjet e të kaluarës. Ashtu siç është Ai një profet universal, po ashtu edhe profetësia e tij duhet pranuar nga e gjithë bota. Sepse çelësi i miratimit të gjithçkaje është në dorën e Tij. Besimi në Zot, besimi tek profetët, librat dhe bota e përtejme janë të mundur vetëm brenda kornizës së parimeve që solli Ai (s.a.s.).

7. Besimi (imani), të vepruarit dhe nocioni ‘të qenit rob i Zotit’

a. Marrëdhënia besim-vepër

Feja, ashtu siç ka dimensionin e saj ideor dhe besimor, i cili duhet besuar, ka edhe aspektin që duhet vënë në jetën praktike, pra, atë të veprave. Imani përbën aspektin teorik të Islamit, ndërsa adhurimet dhe veprat përbëjnë aspektin praktik të tij. Ama veprat vijnë pas besimit. Në këtë aspekt, parimet që do të hidhen në praktikë janë në pozitën e plotësuesve të gjërave që, si fillim, duhen besuar teorikisht. Mbijetesa, qëndrimi në këmbë i një jete teorike pa atë praktike është i pamundur. Edhe nëse ia del të qëndrojë në këmbë, vështirë të jetë jetëgjatë. Ashtu siç ka dhënë edhe Bediuzaman (Mrekullia e kohës) Said Nursi, “Siç nuk mund të bëhet shkak për shpëtimin Islami pa iman, po ashtu, nuk mund të jetë mjet shpëtimi as imani pa Islam.” Asnjëri nga këta të dy nuk është në gjendje të hedhë dritë i vetëm as në jetën e kësaj bote dhe as në atë të botës tjetër. Për këtë arsye, njeriu duhet të jetojë ashtu siç beson dhe është i detyruar ta mbështesë besimin me veprat e tij.

Askush nuk ka parë që besimi i një personi që nuk vepron të zgjasë për një kohë të gjatë. Imani përforcohet vetëm me mënyra e metoda të tilla si: frekuentimi i mesxhideve, edukimi i nefsit nëpërmjet agjërimit, pastrimi i zemrës nga çdolloj koprracie etj. Përsëri, besimi forcohet edhe duke urdhëruar të mirën e duke ndaluar të keqen.

Shkurtimisht, të gjitha gjërat në emër të shtyllave të Islamit janë nga një mbështetëse, përforcuese në të djathtë e në të majtë të imanit, para dhe pas tij. Në këtë aspekt, adhurimet shprehin përuljen para Allahut të njerëzve që thonë se i besojnë Atij. Sepse një njeri që beson duhet të dallojë nga ata që nuk besojnë. Besimtari shfaq lidhjen e tij me Allahun vetëm nëpërmjet adhurimeve dhe, kështu, vërteton se i ka besuar Atij me të vërtetë.

Adhurimet janë litarët e pakëputshëm të marrëdhënies ndërmjet robit dhe Allahut. Sa më shumë që t’i forcojë njeriu këta litarë, aq më i zhvilluar do të jetë shpirtërisht, aq më i zhvilluar do të jetë aspekti i tij engjëllor. E, në fakt, ky është kuptimi i vërtetë i adhurimeve dhe i të qenit rob i Allahut. Kjo lidhje duhet ruajtur përgjatë gjithë jetës. Për këtë arsye, edhe Profeti ynë (s.a.s.) është shprehur kështu: “Më e virtytshmja e veprave është ajo që, edhe pse e paktë, është e vazhdueshme.” Namazi që falet çdo ditë, i ndarë në pesë kohë, konsiderohet si më e pakta që mund të bëhet në çështjen e adhurimit. Sipas kësaj, do të thotë se një njeri që lë pas dore pesë kohët e namazit privohet nga kjo vepër e virtytshme dhe se, rrjedhimisht, nuk ka hyrë në rrugën që do t’i mundësonte lidhjen me Zotin e tij dhe pastrimin e zemrës nga bloza e ndryshku. Duke iu drejtuar Pejgamberit tonë (s.a.s.), Zoti i Madhëruar thotë: “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!”. Kuptimi i këtij ajeti është ky: “Duke kryer adhurimet deri në çastin kur do të të vijë vdekja, ti vër në pah natyrën tënde; trego se nuk je nga ato gjallesa që lëvizin mbi katër këmbë apo që zvarriten në tokë.”

Po, marrëdhënia e zemrës dhe shpirtit me botën hyjnore mund të zhvillohet e të përparojë vetëm nëpërmjet adhurimeve. Zhvillimi i lidhjes me Zotin varet nga vënia në punë në këtë drejtim e këtyre dy organeve. Ashtu si lëvizjet e përsëritura me duar dhe këmbë, të cilat, me kalimin e kohës, bëjnë të mundur që duart dhe këmbët të mësohen me ca gjëra në atë drejtim, po ashtu zemra dhe shpirti fitojnë prirje ndaj ca çështjeve përmes adhurimeve, nuk ndiejnë frikë ndaj tyre dhe në trup nuk ndodh asnjë shkurajim. As rëndimi i gjumit, as lezeti i ushqimeve dhe as kënaqësitë e tjera të jetës nuk përbëjnë pengesë për adhurimet. Me këtë rast, mund të themi se ashtu siç shkohet drejt mosbesimit nëpërmjet disa veprimeve të bëra zakon, po ashtu edhe robëria ndaj Zotit arrihet përmes fitimit të ca zakoneve. Njeriu, në të shumtën e rasteve, nuk e gjen mundësinë për ta adhuruar me një ndërgjegje vigjilente Zotin. Por shprehitë e fituara në zemër dhe shpirt bëjnë të mundur kapërcimin me lehtësi të boshllëqeve që mund të dalin në marrëdhënien me Zotin. Për shembull, nefsit i vjen rëndë të çohet që herët në mëngjes e të marrë abdes me ujë të ftohtë. Në vend të kësaj, ai preferon të pushojë brenda një shtrati të rehatshëm. Por, me shprehitë që ka fituar, njeriu i kapërcen të gjitha këto vështirësi dhe ngrihet për të falur namazin. E, në këtë mënyrë, nuk lejon që të krijohen boshllëqe në lidhjen e tij me Zotin. Herë të tjera, me zemrën dhe shpirtin të gjendur brenda ndijimit të adhurimeve dhe ngopjes me to si pasojë e puhizave të ardhura nga Zoti i Madhëruar, njeriu i kryen ato në shoqërinë e mijëra buzëqeshjeve të fshehura në buzët e tij.

Në natyrën e tij, njeriu bart kuptime edhe nga natyra kafshërore, por edhe nga ajo engjëllore. Zhvillimi dhe përparimi i anës së tij engjëllore bëhet i mundur vetëm duke i dhënë më shumë peshë adhurimeve dhe duke injoruar anën kafshërore. Aspekti engjëllor i njeriut shfaqet dhe përparon në atë masë që përsëriten e që ndihen përbrenda adhurimet. Kështu, njeriu fillon të lartësohet shpirtërisht me gradat që fiton. Nga ana tjetër, adhurimet e kryera duke qëndruar larg Allahut dhe të lidhur me dynjanë mbeten të mangëta, me një pjesë të formulave të tyre të pazbatuara. Si rezultat i kësaj, ato nuk e përmbushin detyrën e një pikëkalimi të hapur nga ndërgjegjet për në botën hyjnore. Si përfundim, lidhja me Allahun nuk mund të zhvillohet, ndërsa kjo anë e njeriut mbetet e gjymtë.

Zhvillimi është i padiskutueshëm për këdo që përpiqet në lidhje me botën e tij të brendshme. Ky mund të jetë një hindu, një brahman, një mistik i krishterë apo dikush tjetër, nuk ka rëndësi se kush. Ai mund të rrijë për ditë të tëra pa ngrënë e pa pirë, mund t’i mbajë ndjenjat epshore larg mendjes së tij për muaj me radhë dhe mund të kalojë gjithë jetën në shoqërinë e flladeve të botës hyjnore. Por mes të vepruarit të një myslimani në këtë mënyrë dhe të vepruarit të të tjerëve – nga pikëpamja e asaj që kërkohet – ka goxha ndryshim. Ndërkohë që myslimani është në rrugën e përparimit me çdo vepër që bën, të tjerët janë në vend-numëro ose janë duke u hedhur dhe duke rënë në të njëjtin vend. Ata, duke u bazuar tek disa vëzhgime të brendshme që iu mundësohen, me atë të tyren, pandehin se po bëjnë përparim. Por ajo çfarë ata bëjnë nuk përbën asgjë më shumë se të kërcyerit në mënyrë të vazhdueshme në fundin e një pusi. Për rrjedhojë, distanca e përshkuar është vetëm sa gjatësia e një pusi. Ndërsa qëllimet e të vepruarit në këtë mënyrë janë arritja e qetësisë, arritja e paqes shpirtërore edhe në mospasje, shpëtimi, qoftë edhe përkohësisht, nga vuajtja e mosekzistencës së përjetshme dhe kërkimi i zgjidhjeve për rëndesën e llogaridhënies pas vdekjes.

Sot, shumë njerëz të privuar nga kuptimi i saktë i hyjnores rrinë e vërtiten brenda kornizës së ngushtë të besimeve të tyre të ngushta dhe nuk po munden të hedhin hapat e të përparojnë drejt botës hyjnore. Qëllimi i veprave të tyre është vetëm përftimi i një vëzhgimi të brendshëm. Përkarshi kësaj, situata e myslimanit, përsa i përket adhurimeve që bën, është si ajo e një lokomotive të mirëvendosur në shinat e saj. Ai, në çdo fazë të jetës së tij, mbërrin në një stacion të ndryshëm, ku arrin të depërtojë në brendësinë e ngjarjeve dhe objekteve, të shijojë emrat dhe atributet hyjnore dhe, i gjendur përballë madhështisë së Esencës Hyjnore, mahnitet e kalon në ngazëllim. Ky është një udhëtim që, në mënyrë të drejtpërdrejtë, flet me të folurën e Esencës Hyjnore, sheh me shikimin e Tij, dëgjon me të dëgjuarin e Tij dhe kap me kapjen e Tij. Dhe përballë një udhëtimi të këtillë mendja dhe perceptimi mbeten të pamjaftueshëm!

Në këtë udhëtim, pas “sejr ilalláh” (udhëtimi drejt Allahut) dhe “sejr fil’láh” (udhëtim në emrat dhe atributet e Allahut), fillon “sejr minalláh”, i cili është kthimi nga i Vërteti tek njerëzit përsëri. Pra, është hyrja sërish në mesin e njerëzve, kapja e tyre nga duart për t’i çuar drejt pjekurisë dhe për t’i bërë edhe ata të shijojnë të gjitha kënaqësitë e mundësuara si rezultat i distancave të përshkuara, gjithmonë duke ndjekur rrugën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Kjo rrugë e besimtarit që, tamam si një lokomotivë, ka vënë pas vetes me mijëra njerëz, duke qenë se shkon drejt botës hyjnore, zgjatet deri në pafundësi. Sepse udhëtimi që bëhet drejt Allahut nuk ka fund. Çdo njeri, që, duke përparuar në rrugën e këtij udhëtimi shpirtëror, arrin në observime të brendshme, i shijon dhe i ndien ato mes gëzimit dhe kënaqësisë që të mundësojnë adhurimet, dhe, ndërkohë që nyjet e ndjesive hyjnore zgjidhen një nga një, mbetet ballë për ballë me buzëqeshjet e botës hyjnore.

b. Nocioni i ‘të qenit rob i Zotit’

Shpirtrat zhvillohen dhe arrijnë fuqinë e tyre të vërtetë nëpërmjet adhurimit të Allahut. Sepse marrëdhënia me Allahun është një cilësi që i përket vetëm qenieve njerëzore; nuk mund të bëhet fjalë për një marrëdhënie të tillë të kafshëve me Të. Zoti i Madhëruar i krijon ato dhe i shtyn drejt gjërave të caktuara, të cilat ua ka vendosur në natyrën e tyre. Në anën tjetër, nga njeriu kërkon që, për të mos u ekspozuar ndaj një prishjeje dhe kalbjeje shpirtërore, të ndërtojë një marrëdhënie me Të, t’i bindet Atij dhe ta adhurojë Atë. Sepse adhurimi është marrëdhënie e njeriut me Allahun, pra, lidhja e tij me Atë që e ka krijuar dhe që e mban në këmbë. Kjo mbajtje në këmbë ka të bëjë edhe me aspektin trupor, edhe me aspektin mendor, edhe me atë të botës së brendshme. Të gjitha këto ndjesi vdesin kur lidhja me Të ndërpritet. Sepse epshi, urrejtja, inati dhe ndjenja të tjera si këto janë arsye të mjaftueshme për vrasjen e këtyre ndjesive hyjnore. Robi duhet të qëndrojë në namaz, të shohë nëpërmjet tij Arshin e Madh dhe të arrijë kënaqësinë e adhurimit të vërtetë, në mënyrë që, edhe kur instinktet kafshërore si urrejtja dhe inati të ushtrojnë ndonjëherë veprimtarinë e tyre, ana e tij engjëllore t’i fshijë si një sfungjer këto shkrime të ndyra të tyret dhe të nxjerrë në pah identitetin e tij të vërtetë.

Po, marrëdhënia, lidhja e njeriut me Zotin e Madhëruar vazhdon për aq kohë sa ai kryen adhurimet dhe çon në vend detyrën e të qenit rob i Tij. Çdo pengesë që futet mes robit dhe Zotit të tij mbart natyrën ndërprerëse të kësaj marrëdhënieje. Allahu (xhel’le xheláluhu), duke iu drejtuar Profetit tonë (s.a.s.) me fjalët “Prandaj, përmende emrin e Zotit tënd dhe përkushtoju krejtësisht Atij!”, sikur po i thotë Atij kështu: “O i Dashuri im! Shkëputu nga sevdaja për fëmijët dhe bashkëshorten; edhe sikur të jesh i martuar, veçohu pak, përkushtoju Zotit tënd dhe pastroje zemrën nga gjërat që kanë të bëjnë me dynjanë. Sepse ti je një profet. Dhe cilësia e mbërritjes së një profeti tek Allahu, adhurimet e tij, në këto pika e tregojnë veten.” Kjo gjendje – sipas mistikëve – është prerja e lidhjes me çdo gjë tjetër përveç Allahut; ndërsa sipas dijetarëve gjithmonë kërkues të së vërtetës, do të thotë t’i konsiderosh si të kësaj bote dhe t’i hedhësh pas shpine të gjitha gjërat që të largojnë nga Allahu.

Këtu është e nevojshme të qëndrohet pak tek fjala “tebettel”, e cila përmendet në ajetin e mësipërm. Kjo folje, e cila, sipas shkencave të morfologjisë dhe etimologjisë, na shfaqet në mënyrën urdhërore, do të thotë: “Shtrëngoje veten në këtë pikë, edhe sikur zemra jote të mos e dëshirojë këtë gjë.” Pra, ka një vështirësi, një stërmundim në këtë mesele. Kur njeriu të shtrëngojë veten për kapërcimin e kësaj vështirësie, observimet në lidhje me botën e tij të brendshme do të vazhdojnë të vijnë duke u shtuar. Ama sforcimi në krye të kësaj çështjeje është i paevitueshëm. Në një sure tjetër thuhet kështu: “O ti, i mbështjellë (o Muhamed)! Çohu dhe paralajmëro! Zotin tënd madhëroje, petkat e tua pastroji dhe largohu nga ndyrësia (adhurimi i idhujve)!”

Kurse në një ajet tjetër, i Dërguari i Allahut (s.a.s) urdhërohet në këtë mënyrë: “Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (tek të tjerët), duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete. Mos dëgjo atë, zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë, që shkon pas dëshirave të veta duke shkelur çdo kufi në veprimet e tij.” Kjo mund të përmblidhet kështu:“Ti bëj atë që të shkon ty për shtat, mos ua ngul sytë pasurive materiale dhe atyre që i zotërojnë ato!”

Allahu (xhel’le xheláluhu), nëpërmjet gjithë këtyre ajeteve, e ka edukuar të Dashurin e Tij të Moralshëm në një mënyrë të atillë, saqë, falë këtij edukimi, Ai (s.a.s.) ka zënë vend në fronin e zemrës së gjithë njerëzimit tash e katërmbëdhjetë shekuj më parë. Ne, nga të gjitha këto, mund të nxjerrim këtë kuptim: Kur e kërkon nevoja, njeriu duhet të jetë në gjendje t’i fshijë e t’i flakë tutje të gjitha pengesat që bëhen shkas për shkëputjen e lidhjes së tij me Zotin.

Bekimet, të mirat dhe pasqyrimet shpirtërore, që i vijnë shpirtit të njeriut përmes adhurimeve, shtohen në varësi të lidhjes me Zotin. Sa më e fortë të jetë kjo lidhje, aq më të shumta do të jenë edhe përfitimet. Në këtë rast, ndërgjegjet arrijnë në një atmosferë të hareshme e flladitëse. Ashtu siç thuhet në ajetet “Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli?” dhe “Tek Ai ngjiten fjalët e bukura, ndërsa veprën e mirë Ai e ngre Vetë (Punët e mira dhe të pëlqyera ua shtojnë vlerën fjalëve të bukura).”, fjalët që dalin nga zemra, të dëlira, të paturbullta dhe të papërziera, fjalët dhe veprat që synojnë vetëm fitimin e kënaqësisë së Zotit ngjiten tek Allahu. Kurse fjalët dhe veprimet pas të cilave fshihen mendime të tjera mbeten të privuara nga këto begati dhe bereqete.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.), në një hadith të tijin, thotë kështu: “Tre njerëz do të jenë ndër të parët që do të thirren në ditën e Kiametit: I pari mes tyre do të jetë hafizi i Kuranit të Shenjtë; dikush i vrarë në rrugë të Allahut do të jetë i dyti, kurse i treti do të jetë një person që ka bërë një jetë të pasur në këtë botë. Allahu (xhel’le xheláluhu) do ta pyesë atë që lexon Kuran: ‘A nuk ta kam mësuar edhe ty atë që i zbrita të Dërguarit tim?’ Burri do t’i përgjigjet: ‘Po, o Zot!’ Allahu do ta pyesë sërish: ‘Çfarë veprash bëre me ato që dije?’ Përgjigjja e burrit do të jetë kështu: ‘Unë e lexoja atë ditë e natë.’ Allahu i Madhëruar do ta përgënjeshtrojë: ‘Ti po gënjen!’ Edhe engjëjt do t’i kundërvihen atij: ‘Ti po gënjen!’ Pastaj, Allahu (xhel’le xheláluhu) do t’i thotë: ‘Përkundrazi, ti lexove që të tjerët të thonë se filani po lexon Kuran, dhe ashtu thanë.’ Mandej do t’i vijë radha personit të pasur. Allahu (xhel’le xheláluhu) do t’i drejtohet atij: ‘A nuk të pata dhënë ty shumë pasuri, madje, aq sa për të mos qenë nevojtar ndaj askujt?’ Burri i pasur do të përgjigjet: ‘Po, o Zot.’ Dhe kur Zoti ta pyesë ‘Si veprove me atë që të dhashë?’, ai do të thotë: ‘E përdora për t’u bërë mirë të tjerëve dhe për të ruajtur marrëdhëniet e mira me të afërmit.’ Allahu do t’ia kthejë: ‘Përkundrazi, ti i bëre këto që të tjerët të thonë se filani është xhymert, dhe kështu thanë.’ Pastaj, para Allahut do të vijë personi që u vra në rrugën e Allahut. Allahu (xhel’le xheláluhu) do ta pyesë: ‘Për çfarë u vrave ti?’. Ai do të përgjigjet: ‘U urdhërova të bëja xhihad në rrugën Tënde. Kështu që, luftova derisa më gjeti vdekja.’ ‘Po gënjen!’ do t’i thotë atij i Vërteti i Madhëruar. Pas këtyre fjalëve të Zotit do të flasin edhe engjëjt: ‘Ti po gënjen!’ Allahu i Lartësuar do t’i thotë edhe këtij: ‘Ti luftove që të tjerët të thonë se filani është trim, dhe kështu u tha.’ (Më pas, Profeti ynë (s.a.s.), duke i rënë Ebu Hurajras (r.a.) tek gjuri, thotë:) ‘O Ebu Hurajra! Këta tre njerëz janë tre krijesat e para të Allahut, ndaj të cilëve Xhehenemi do të shfrejë në Ditën e Gjykimit!’”

Prandaj robi, në gjërat që bën në emër të adhurimeve, duhet ta kontrollojë nijetin e tij herë pas here dhe ta mbajë atë të pandryshueshëm. Sepse të gjitha adhurimet fitojnë peshë dhe thellësi për sa kohë kryhen me qëllimin për të fituar kënaqësinë e Zotit.

Po, adhurimet, bindja dhe nënshtrimi janë shprehje të marrëdhënies me Zotin. Emocionet e gënjeshtërta dhe entuziazmimet e shtirura janë monedha të pavlefshme në këtë rrugë. Gjërat që mundësojnë bonuse përgjatë kësaj rruge janë ahet e lëna mbi cullufet e zeza të natës, sexhadet e lagura me lot, zemrat që ndizen kur dëgjojnë urdhrin “O njerëz! Bëhuni robër të Zotit tuaj!”. Të gjitha këto janë nga ato vepra që bëhen shkak për pastrimin e njeriut nga shëmtitë dhe shndërrimin e tij në një krijesë të denjë për Xhenetin. Ashtu siç ndahen dhe pastrohen nga mbetjet ari dhe argjendi, për të ardhur në trajtën e tyre përfundimtare, po ashtu edhe njeriu, që të pastrohet, të hyjë në Xhenet dhe të meritojë kundrimin e bukurisë së Allahut (Xhemalullah), është ngarkuar me detyrën e adhurimit të Allahut dhe të qenit rob i Tij. Nëpërmjet kësaj robërie do të pastrohet dhe do të arrijë kthjelltësinë njeriu. Dhe, ashtu siç ka thënë edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.), kur të tjerët ta shohin atë, do të sjellin në mendje Allahun. Po, adhurimet dhe robëria ndaj Allahut janë ato që e pastrojnë njeriun, e kthjellojnë dhe i mundësojnë ndjenja të kulluara. Për këtë arsye, Allahu (xhel’le xheláluhu) urdhëron kështu: “O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat).”

Adhurimi, me të gjitha format e tij, bën të mundur organizimin dhe formësimin e jetës, gjithashtu të jep mundësinë për ta ndarë kohën në pjesë të caktuara. Ne e kuptojmë dhe njihemi me sekretin e kohës kur adhurimet, duke hyrë brenda saj në trajtën e vijave të ndritshme, e ndajnë atë në pjesë. Agjërimi bën të mundur ndarjen e vitit. Falë tij, muajt e vitit vihen në radhë; muajt Rexhep, Shaban, Sheual, Dhilkade, Dhilhixhe formojnë një hallkë rreth Ramazanit; xhumaja u jep ngjyrë ditëve të javës. Java i nënshtrohet një ndarjeje nëpërmjet xhumasë; dita ndahet në pesë pjesë me namazet, falë namazeve ndriçohet çdo orë e saj. Kështu, e gjithë koha përreth jetës sonë mbushet me harénë e të qenit rob i Allahut.

Shënimet

  1. 9.Muslim, ímán 5, 7; Buhárí, ímán 37, tefsíru súre (31) 2.
  2. 10.Buhárí, ímán 34; shehadat 26; Muslim, ímán 8.
  3. 11.Muatta, Kurani 32, haxh 246; Abdurrezzak, el Musannef 4/378. Me shprehje të përafërta: Tirmidhí, de’auát 123.
  4. 12.Buhárí, libás 24; Muslim, ímán 154 13 Surja Ra’d, ajeti 28.
  5. 13.Ibn Hisham, es Síretun’nebeuijje 3/213.
  6. 14.Surja Junus, ajeti 72.
  7. 15.Surja Bekare, ajeti 128.
  8. 16.Surja Júsuf, ajeti 101.
  9. 17.Buhárí, enbijá 18-19; menákib 13; Tirmidhí, tefsír (12) 1.
  10. 18.Surja En’ám, ajetet 162-163.
  11. 19.Buhárí, bed’ul uahj 6; Muslim, xhihad 74.
  12. 20.Kështu quhen ata që, gjatë periudhës së injorancës, ruajtën besimin e drejtë monoteist, pa devijuar në shirk apo idhujtari. Ata janë përshkruar gjithashtu edhe si njerëz që vepruan në përputhje me atë që u pati ardhur nga feja e Ibrahimit (paqja qoftë mbi të) dhe që vazhduan jetën e tyre si robër të Allahut. Në periudhën e injorancës, arabët e quanin “haníf” këdo që ndiqte fenë e Ibrahimit (a.s.). (Ibn Mandhur, Lisánul Arab 9/58)
  13. 21.Alijjulkárí, er Raddu alel káilín bi uahdetil vuxhúd 1/16.
  14. 22.Surja Nahl, ajeti 36.
  15. 23.Surja Ibrahim, ajeti 4.
  16. 24.Surja Merjem, ajeti 97.
  17. 25.Surja Enbija, ajeti 107.
  18. 26.Kadi Ijad, esh Shifá 1/17.
  19. 27.Surja Shuará, ajeti 193.
  20. 28.Surja Máide, ajeti 3.
  21. 29.Buhárí, ímán 33, megází 77, tefsiru súr (5) 2, itisám 1; Muslim, tefsir 3, 4, 5.
  22. 30.Buhárí, tejemmum 1, salát 56; Muslim, mesáxhid 3, 5.
  23. 31.Buhárí, menákib 18; Muslim, fedáil 23.
  24. 32.Bediuzamani, Letrat, fq. 55 (Letra e Nëntë).
  25. 33.Buhárí, libás 43; Muslim, salátul musáfirín 218.
  26. 34.Surja Hixhr, ajeti 99.
  27. 35.Surja Muzzemmil, ajeti 8.
  28. 36.Surja Mud’deth’thir, ajetet 1-5.
  29. 37.Surja Kehf, ajeti 28.
  30. 38.Surja Ibrahim, ajeti 24.
  31. 39.Surja Fátir, ajeti 10.
  32. 40.Tirmidhí, zuhd 48; Ibn Hibbán, es Sahíh 2/136.
  33. 41.Ibn Máxhe, zuhd 4.
  34. 42.Surja Bekare, ajeti 21.