Namazi0%

NAMAZET NAFILE

1. Të mirat e namazeve nafile

a. Plotësojnë farzet

Namazet nafile janë vendosur ‘xhebran lin’nuksan’. Kuptimi i kësaj fjalie është ky: Namazet nafile kryhen për të kompensuar mangësitë në namazet farz. Për rrjedhojë, falja e namazeve sunet, të përcaktuar për secilën kohë të pesë farzeve ditore, do t’i shërojë plagët e ndryshme të jetës sonë shpirtërore, do të bëhet shlyerje për mëkatet tona dhe, duke u llogaritur në vend të namazeve farz të mangët, do të bëhen shkak për hyrjen tonë në Xhenet. Një hadith të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) në lidhje me këtë të vërtetë, Hurejth ibn Kabisa (r.a.) na e transmeton kështu: “Erdha në Medine dhe u luta në këtë mënyrë: ‘O Zoti im! Më mundëso mua një shok të virtytshëm!’ Mandej u ula pranë Ebu Hurajras (r.a.). ‘Iu luta Allahut që të më mundësojë një shok të virtytshëm. Më thuaj ndonjë hadith që ke dëgjuar nga i Dërguari i Allahut! Mbase Allahu më mundëson të përfitoj diçka nga ai hadith!’ i thashë atij. Pas këtyre fjalëve të mia, ai tha: ‘Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) të thotë: ‘Në ditën e kiametit, ndër gjithë veprat e tij, njeriu do të japë së pari llogari për namazin. Nëse kjo llogaridhënie kalon mirë, do të thotë se ka shpëtuar. Nëse kjo llogaridhënie shkon keq, do të thotë se ka rënë në humbje. Nëse dalin mangësi në namazet farz të robit, Zoti i Madhëruar do të urdhërojë: ‘Shikoni, a ka robi im nafile (të shkruara në fletoren e tij)?’ Kështu, mangësitë në farze do të plotësohen me (namazet) nafile. Pastaj, në të njëjtën mënyrë do të jepet llogari edhe për veprat e tjera.’”

b. Na afrojnë akoma më shumë me Allahun

Një tjetër kuptim i namazeve nafile është të qenit shkak i afrimit me Allahun. T’i afrohesh Zotit të Madhëruar do të thotë të futesh në rrethin e Tij të dashurisë. Në një hadith, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e shpreh këtë të vërtetë në këtë mënyrë: “Allahu i Madhëruar thotë: ‘Atij që armiqësohet me robin tim, edhe unë i shpall luftë. Mes gjërave që e afrojnë robin tim me mua, më së shumti më pëlqen kryerja nga ana e tij e gjërave që ia kam bërë farz. Robi im vazhdon të më afrohet edhe nëpërmjet adhurimeve nafile dhe, në fund, nderohet me dashurinë time. Filloj ta dua atë. Kur unë e dua robin tim, bëhem veshi i tij që dëgjon, syri i tij që sheh, dora e tij që kap; e bëj atë të ecë gjithmonë drejt gjërave të hairit. Kur kërkon diçka nga unë, ia jap. Nëse kërkon nga unë strehim, e marr nën mbrojtjen time dhe e mbroj.’”

Po, njeriu i afrohet akoma më shumë Allahut dhe përfiton nga dashuria e Tij nëpërmjet adhurimeve nafile. Kur Allahu (xhel’le xheláluhu) e do një njeri, Ai e bën atë të dashur edhe tek të tjerët. Në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurajra (r.a.), i Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë kështu: “Po e deshi Allahu një rob, i thërret Xhibrilit të nderuar: ‘Allahu e do filanin, duaje edhe ti!’ Kështu, atë fillon ta dojë edhe Xhibrili. Pastaj, Xhibrili (a.s.) u drejtohet banorëve të qiellit: ‘Allahu e do filanin, duajeni edhe ju!’ Dhe, kështu, atë person fillojnë ta duan edhe banorët e qiellit. Më pas, ai pranohet dhe mirëpritet edhe (mes njerëzve) në tokë. Kur Allahu (xhel’le xheláluhu) e urren një rob, i thërret Xhibrilit: ‘Unë e urrej filanin, urreje edhe ti!’ Kështu, edhe Xhibrili fillon ta urrejë atë. Xhibrili u drejtohet pastaj banorëve të qiellit: ‘Allahu (xhel’le xheláluhu) e urren filanin, urrejeni edhe ju!’ Më pas, edhe në tokë përhapet një urrejtje për të.”

Pra, nëse bota Islame, me një popullsi që sot ka arritur në disa miliardë, nuk po merr ndonjë kompliment, ndihmesë apo përkujdesje nga Allahu, do të thotë se ajo nuk e ka arritur ende pozitën e të qenit e dashura e Allahut. Ne dëshirojmë që Allahu i Madhëruar t’i nderojë me afrimin tek Ai të gjithë grupet që shkojnë në xhami dhe bien në sexhde para Tij. Por, për fat të keq, shumë herë ndodh që njeriu që shkon në xhami të gjendet në një luginë, kurse mëshira e Allahut në një luginë tjetër. Nuk ka mundur të takohet me Kuranin në të njëjtën luginë dhe, për rrjedhojë, kur vjen në xhami, vjen duke mos qenë i vetëdijshëm për kuptimin e tij. Një gjendje e tillë, kurrë nuk mund të konsiderohet e përshtatshme për xhaminë. Atje shkohet vetëm me një zemër vigjilente; atje, zemra dridhet nga ndjesia e të qenit para Zotit, syri përlotet. Asgjë, asnjë qëllim tjetër nuk mund të përzihet me kohën e caktuar për Allahun e Madhëruar dhe me adhurimet që do të bëhen për Të. Një çast i vetëm i një kohe të shfrytëzuar në këtë mënyrë është më i parapëlqyer se një jetë e padritë mijëravjeçare.

c. Të lartësojnë në gradë

Adhurimet nafile, duke qenë se bëhen shlyerje për disa nga mëkatet e robit, i mundësojnë atij fitimin e gradave të ndryshme. Prandaj thuhet se çdo adhurim nafile ka një vlerë të veçantë. Lajmdhënësi Fjalëdrejtë (s.a.s.), në lidhje me namazin e paradites për shembull, ka thënë kështu: “Çdo ditë nevojitet një sadaka për çdo nyje tuajën. Çdo tesbih (subhánallah) është një sadaka. Çdo tahmid (elhamdulil’lah) është një sadaka, çdo tehlil (lá iláhe il’lallah) është një sadaka. Urdhërimi për mirë është një sadaka. Ndalimi i së keqes është sadaka. Falja e një namazi dyrekatësh në kohën mes mëngjesit dhe drekës është e barasvlershme me të gjitha këto sadaka.”

Po, në trupin e njeriut ka me qindra nyje. Funksionimi i tyre në një mënyrë të rregullt dhe lëvizjet lehtësisht të njeriut falë tyre janë mirësi më vete. Dihet se sa të vështira janë uljet dhe ngritjet për një njeri që vuan nga hernia diskale. E njëjta gjë vlen edhe për ata që vuajnë nga reumatizmi apo që kanë probleme me nervin shiatik dhe, rrjedhimisht, përpëliten nën dhimbjet e padurueshme të belit dhe këmbëve. Besoj se nuk është e nevojshme të them se çfarë mirësie, ç’bekim i madh është për këta njerëz aftësia për t’u ulur dhe për t’u ngritur në këmbë lehtësisht dhe pa ndier dhimbje. Ç’do të ndodhte nëse gishtat e duarve tona do të përbëheshin nga një strukturë kockore pa nyje, të palëvizshme? Trupi ynë ka shumë nyje të tilla.

Po, ne jemi të rrethuar me mirësi nga të gjitha anët, nga koka te këmbët, dhe asnjërën prej tyre nuk e kemi fituar vetë e as nuk na janë dhënë sipas meritave tona. Kështu që, të gjitha këto mirësi kërkojnë falënderim. Edhe sikur të përpiqeshim të falënderonim përgjatë gjithë jetës sonë qoftë edhe vetëm për aftësinë për të hapur e mbyllur sytë tanë, nuk do të kishte qenë e mjaftueshme për kryerjen ashtu siç duhet të këtij falënderimi. Dridhem përbrenda sa herë më vjen në mendje gjendja e një shoku që më pati bërë një vizitë dikur. Edhe pse patëm kaluar disa orë bashkë, nuk pati mundur t’i lëvizte qepallat as edhe një herë të vetme. Sepse i ishin paralizuar nervat e syve. Çdo herë që e mendoj gjendjen e tij, kujtoj se ç’mirësi e madhe është qoftë edhe vetëm të qenit në gjendje për t’i hapur e mbyllur sytë. Ai shok më pati thënë fiks kështu: “Hoxhë, nuk jam në gjendje t’i mbyll sytë as kur dua të fle. Më mbyllen vetëm nëse i ul poshtë qepallat me dorë.” Po organet e tjera të trupit! Sytë janë një mirësi më vete, veshët po ashtu, po ashtu edhe hunda… Për të treguar forcën dhe fuqinë e Tij, Allahu i Plotfuqishëm na i ka vendosur aty ku duhet këto organe të përbërë prej mishi e kockash dhe i ka pajisur ato me urtësi të mëdha. Për rrjedhojë, ne duhet të falënderojmë në çdo çast për këto mirësi të vazhdueshme të Tij. Madje, nëse do të shpreheshim me fjalët e Sadiut, në çdo frymëmarrje tonën duhet ta falënderojmë dy herë Atë. Sepse frymëmarrja jonë përbën jetën tonë; ne marrim oksigjenin përmes frymëmarrjes dhe, në këtë mënyrë, bëjmë të mundur pastrimin e mushkërive tona; nga ana tjetër, kur japim frymë, nxjerrim jashtë gazin e dioksidit të karbonit dhe, kështu, trupi ynë pastrohet nga gazrat helmues. Nëse nuk do të ishim në gjendje të nxirrnim jashtë gazrat e dëmshëm të trupit tonë, trupi ynë do të helmohej dhe ne do të vdisnim.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe në rastin e marrjes frymë; nëse nuk do të ishim në gjendje të merrnim frymë, nëse mushkëritë tona nuk do të pastroheshin nëpërmjet oksigjenit, ne do të vdisnim.

Kjo do të thotë se, në çdo frymëmarrje tonën, Allahu (xhel’le xheláluhu) na e fal jetën dy herë. Atëherë, a nuk duhet ta falënderojmë ne Allahun, i Cili na e fal jetën në çdo çast? Ja, pra, namazi, i formuluar dhe i vënë në një formë të caktuar nga vetë Allahu, na jep mundësinë e kryerjes së këtij falënderimi ndaj Tij.

Në një hadith tjetër, që tregon po ashtu për rëndësinë e namazit të natës, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë: “Çdo natë, kur futet një e treta e fundit e natës, Zoti ynë zbret në qiellin e tokës dhe thotë: ‘A ka ndonjë që po më lutet mua, që unë t’i përgjigjem lutjes së tij? A ka ndonjë që kërkon diçka nga unë, që unë t’ia jap atë që kërkon? A ka ndonjë që kërkon falje nga unë, që unë ta fal atë?’” Pra, Zoti ynë i Gjithëmëshirshëm zbret në botën tonë dhe, ndërkohë që ne e ndiejmë Atë në zemrat tona si një Thesar të Fshehtë të çdo zemre, Ai pasqyrohet aty, na shikon në fytyrë, na përkëdhel zemrat edhe pse nuk e meritojmë një gjë të tillë, u përgjigjet lutjeve të atyre që luten, u jep atë që kërkojnë atyre që kërkojnë diçka prej Tij dhe u mundëson faljen atyre që kërkojnë prej

Tij falje.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) gjithmonë ka qëndruar pas fjalëve që ka thënë përgjatë gjithë jetës së Tij. Ai është ngritur netëve dhe i është drejtuar Allahut duke falur namaze të gjata. Nëna jonë Aishja (r.a.), një përvojë të sajën në lidhje me këtë temë e shpjegon kështu: “Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) po flinte pranë meje një natë, në një çast vërejta se ai nuk ndodhej më aty. Në shtëpi nuk kishte asnjë dritë. Kur fillova të kërkoja me dorë rreth e rrotull, dora ime preku këmbën e tij. Kishte vënë kokën në sexhde. Pastaj, për të dëgjuar se çfarë po thoshte, mbajta vesh. Po i përgjërohej Zotit me këto fjalë: ‘Allahu im! Duke bërë ndërmjetësues pëlqimin Tënd, strehohem tek Ti nga zemërimi Yt. Duke bërë ndërmjetësues faljen Tënde, strehohem tek Ti nga dënimi Yt.

Strehohem nga Ti po tek Ti. Unë nuk mund të të lavdëroj ashtu siç e meriton. Ti je ashtu siç e cilëson dhe e lavdëron Ti veten.’”

Po, sipas vëzhgimeve dhe fjalëve të Aishes (r.a.), Pejgamberi ynë (s.a.s.) vinte kokën përtokë, i bënte sexhde Allahut dhe e adhuronte Atë deri në sabah. Atëherë edhe ti, ditën do të jesh mysafir i botës, kurse natën, mysafir i Zotit tënd; vetëm Atë do të dëgjosh, vetëm Atë do të mendosh, dhe do të magjepsesh me artin e Tij të pashoq. Do të kuptosh se sa shumë ndikohesh e mjerohesh qoftë edhe nga pickimi i një akrepi apo insekti, do të kuptosh se në ç’lloj mungese vullneti gjendet trupi yt i pafuqishëm, i cili bart mbi shpinë edhe frikën e një rrufeje që bie në qiell. Do të arrish në përfundimin se, nëpërmjet forcës dhe pushtetit tënd personal, nuk je në gjendje të sigurosh as një të mijtën e gjërave për të cilat ke nevojë, të cilat fillojnë me grimcat e ajrit që, duke na mundësuar frymëmarrjen, plotësojnë një nevojë madhore tonën dhe mbarojnë me frutat e shumëllojshme, të cilat Allahu na i servir përmes duarve të pemëve. Mandej, plotësimin e gjithë këtyre nevojave do t’ia lësh Atij. Sepse rrethi i nevojave është pafundësisht i gjerë, ndërsa ai i fuqisë është tejet i ngushtë. Pafuqia dhe varfëria jote janë të pafundme, ama, nga ana tjetër, edhe hasmët dhe armiqtë e tu janë goxha shumë. Si një qenie me barrë kaq të mëdha mbi shpinë, do t’i bindesh fermanit hyjnor “Ata (robërit e të Gjithëmëshirshmit) e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë...”, do të kërcesh nga shtrati sikur të kesh dalë nga vetvetja dhe do të qëndrosh para Zotit tënd me përulje e gjithë respekt. Do të pranosh vogëlsinë tënde përballë madhështisë së Tij dhe do të thuash: “Po s’më dhe Ti, unë asgjë nuk mund të marr. Nëse nuk më dhuron gjë Ti, unë asgjë nuk mund të zotëroj. Nëse nuk ma mundëson Ti, unë nuk mund ta sundoj këtë univers të gjerë, nuk mund ta bëj askënd të dëgjojë fjalën time... Të gjitha këto i kam prej Teje. Prona është e gjitha e Jotja. Kështu që, mirënjohja dhe falënderimet janë vetëm për Ty, Allahu im!”

Kur t’i drejtohesh në këtë mënyrë Atij në derën e të Cilit po troket, Ai do të të mirëpresë si një mysafir të rëndësishëm dhe do të të qerasë me të mira të panumërta. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), këtë myzhde na e jep nëpërmjet hadithit në vijim: “Kur të ndodhë kiameti, njerëzit do të ringjallen dhe nga qiejt do të vijë një thirrje e tillë: ‘Ku janë ata që, duke shpresuar mëshirën e Zotit të tyre dhe duke iu frikësuar dënimit të Tij, ngrihen nga shtretërit e tyre natën (ata që braktisin rehatinë për të adhuruar Zotin e tyre, që ngrihen për të falur namazin e sabahut edhe gjatë netëve të shkurtra dhe që vrapojnë për në mesxhid)?’” Në vazhdim, Krenaria e Gjithësisë thotë kështu: “Një numër i vogël njerëzish mblidhen para Zotit. Allahu urdhëron që ata të futen në Xhenet pa iu bërë asnjë pyetje. Pastaj thirren të tjerët, për të dhënë llogari.”

Kështu që, në një kohë kur të gjithë zhyten në hutesë ose bien të flenë pranë të dashurve të tyre, besimtari duhet të vijë para Allahut dhe, duke thënë “Zoti im! Kam vrapuar gjatë gjithë ditës pas gjërave të tjera, ndërsa tani, tani kam ardhur të trokas në derën Tënde; të gjithë kërkuan me sy dikë tjetër, të gjithë shkuan pas diçkaje tjetër, ama unë po të kërkoj Ty, po përpiqem për të arritur tek Ti.”, të trokasë në derën e Tij. Në errësirën e natës, besimtari duhet të kthehet nga Zoti dhe, ashtu siç bënte Profeti ynë (s.a.s.) kur ngrihej natën, duhet t’i drejtohet Allahut me këtë lutje: “Allahu im, Zoti ynë! Çdo lavdërim dhe të gjitha falënderimet janë për Ty. Allahu im, Ti je Ai që i mban në këmbë tokën, qiejt dhe çdo gjë tjetër mes tyre, falënderimet janë vetëm për Ty! Allahu im, Ti je Zotëruesi i qiejve, tokës dhe çdo gjëje që ekziston mes tyre, falënderimet të takojnë vetëm Ty. Ti je drita e qiejve, tokës dhe çdo gjëje tjetër që ekziston në to e mes tyre. Çdo lavdërim, çdo falënderim është vetëm për Ty! Ti je Sunduesi i qiejve, tokës dhe çdo i gjëje që ekziston në to e mes tyre, çdo lavd të përket vetëm Ty! Ti je i Vërteti, i Drejti, premtimi Yt është i vërtetë! Bashkimi me Ty në botën tjetër është i vërtetë. Fjala Jote është e vërtetë. Xheneti është i vërtetë, Xhehenemi është i vërtetë. Profetët janë të vërtetë, Muhamedi (s.a.s.) është i vërtetë, kiameti është i vërtetë. Allahu im! Ty t’u dorëzova, Ty të besova, tek Ti u mbështeta, Ty t’u drejtova! Luftova kundër armiqve të Tu duke u mbështetur tek Ti, vetëm gjykimit Tënd iu drejtova. Allahu im, falmi mëkatet e së kaluarës e të së ardhmes, ato që i kam bërë haptazi dhe ato që i kam bërë fshehurazi! Ti je Nismëtari, Përparësidhënësi (Ai që të lartëson, të çon përpara); Ti je Prapësuesi (Ai që të ul poshtë, të lë prapa). Nuk ka zot tjetër veç Teje!” Sepse nderimi i Tij fshihet në ngritjen natën dhe daljen me përulje para Zotit, për t’ia shprehur vetëm Atij të gjitha hallet.

2. Disa namaze nafile

a. Namazi i tehexhudit

Tehexhud do të thotë rigjallërim i natës përmes namazit. Nata është ajo pjesë kohe gjatë së cilës dyert e botës së padukshme hapen pakëz. Gjatë natës, me hapjen e disa shtigjeve qiellorë, mund të soditësh diçka nga bota e përtejme. Ashtu siç thotë edhe Bediuzamani, rigjallërimi i natës nëpërmjet namazit të tehexhudit është si një projektor që ndriçon botën e varrit.329 Në njëfarë mase, adhurimet e natës përfshijnë edhe kuptimet e largimit nga çdo gjë tjetër përveç Allahut dhe përkushtimit ndaj Tij. Kurani, duke e theksuar këtë çështje të rëndësishme nëpërmjet ajetit “Ue tebet’tel ilejhi tebtíla”, “Prandaj, përmende emrin e Zotit tënd dhe përkushtoju krejtësisht Atij!”, sikur na thotë: “Duke i prerë në njëfarë kuptimi marrëdhëniet me çdo gjë tjetër përveç Allahut, përkushtoju plotësisht Atij! Dhe ulu e ngrihu vetëm me njohjen e Tij, dashurinë e Tij, kënaqësitë shpirtërore në lidhje me Të dhe me pasqyrimet e Tij.” Kjo mund të realizohet vetëm nëse njeriu e përgatit veten për këtë gjë, duke i braktisur në një mënyrë të vullnetshme gjumin dhe shtratin e tij të ngrohtë.

Edhe para se t’i vinte profetësia, Pejgamberi ynë (s.a.s.), duke u veçuar në njëfarë mase nga njerëzit, gjithmonë kërkonte për mënyra dhe rrugë që do ta afronin me Zotin e Tij. I bënte pjesë të këtij kërkimi botën e Tij të brendshme, ndjenjat zaten të pastra dhe zemrën, të cilën e kishte gjithmonë të hapur ndaj Allahut, dhe shëtiste nëpër horizontet e vëzhgimit. Përveç zhytjes në thellësitë e botës së ndërmjetme përmes ëndrrave, përveç qëndrimit vetëm për vetëm me mendimet në lidhje me sekretet hyjnore, duke hapur sadopak dyert e jetës së përtejme, Ai përpiqej gjithashtu të vlerësonte gjithçka që mund t’ia përshpejtonte afrimin me Allahun e që do t’i mundësonte rënien mbi Të si shi të begative të shenjta dhe, në këtë mënyrë, skiconte një hartë të ndryshme mendimi.

Në suren Muzzemmil, ku kalon edhe ajeti që përmendëm më sipër, ceken dy çështje të rëndësishme: Çështja e parë është drejtimi i Tablosë së Krenarisë së Njerëzimit (s.a.s.) për tek një largim i përkohshëm nga njerëzit (inziuá), sigurisht, përmes një shtyse hyjnore nga ana e Allahut; ndërsa çështja e dytë, të gjendurit brenda një përgatitjeje shpirtërore, e cila, në të ardhmen, do t’i shërbejë në përmbushjen e një misioni të rëndësishëm në emër të kauzës së profetësisë.

Nëse do të na duhej t’i shtjellonim ca më shumë këto, do të thoshnim kështu: Pothuajse të gjithë njerëzit e mëdhenj, dhe në veçanti Profeti ynë Famëlartë (s.a.s.), janë orientuar nëpërmjet shtysës hyjnore të Allahut (xhel’le xheláluhu). Kjo situatë, ashtu siç vlen për të gjithë profetët dhe të dërguarit e Zotit, vlen edhe për asfijatë (robërit e sinqertë e më shpirt të dëlirë të Allahut, ata që ia kanë përkushtuar jetën fitimit të kënaqësisë dhe pëlqimit të Allahut). Për shembull, Imam Gazaliu, në një periudhë të caktuar, u qe përkushtuar shkencave të larta Islame. Jetën e pati kaluar nëpër teqe e medrese dhe, në një pikë të saj, i pati vënë vulën qëllimit të jetës së vet me një burim të bereqetshëm dijesh si “Ihjáu ulúmud’dín” (Ringjallja e dijeve të fesë). Po ashtu edhe Imam Rabaniu, udhëtoi e shëtiti nëpër vende të ndryshme të Indisë për vite me radhë, lexoi, mendoi e reflektoi, jetoi si asket, hapi velat drejt së përtejmes, u mor me veprimtari serioze për të mundësuar vendosjen e besimit të myslimanëve mbi baza solide dhe themeloi një sistem krejt të ri të mendimit.

Edhe jeta e Bediuzamanit nuk ndryshon shumë nga jetët e tyre. Siç tregon edhe ai vetë në veprat e tij të titulluara Shtojcat (Lahika) – duke i përmendur ato si mirësi të mundësuara nga Allahu dhe me qëllimin për të falënderuar dhe shprehur mirënjohjen – vitet e para të jetës i pati kaluar nëpër teqe e medrese; me atë mendje dhe inteligjencë sipërore të tijën qe endur mes teksteve që mësoheshin nëpër ato vende; qe marrë si me fushat e fesë, po ashtu edhe me ato të shkencës; qe rritur me frymën e teqeve dhe, një ditë, e pati gjetur veten në terrenin e shërbimit ndaj besimit në linjën retorikë-argumentim-njohuri. Pra, duke i përpunuar mirë njohuritë e asaj kohe, të cilat, në pamje të parë, dukeshin sikur nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën, duke i ushqyer me meditim, i pati kthyer ato në një burim safi, të pastër dijesh. Ndërkohë, për shkak të rrethanave gjatë një periudhe të caktuar, pati vrapuar edhe për të mbrojtur vendin, pati luftuar në vijën e parë të frontit dhe, pavarësisht luftës, nuk e pati lënë pas dore zhvillimin e mësimeve me nxënësit e tij. Edhe pse pjesën e mbetur të jetës e pati shpenzuar nëpër burgje, gjykata, biruca e internime, vullnetin e tij të lartë nuk e pati humbur kurrë.

Ja pra, gjatë kësaj periudhe përgatitjeje, edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) qe përpjekur vazhdimisht për të mësuar gjuhën e botës shpirtërore, pati kaluar në një komunikim me botën e ndërmjetme, pati kërkuar përmes vetëkontrollit të brendshëm, vëzhgimeve të brendshme dhe një lloji të vetëveçimit për shtigjet që do t’i mundësonin depërtimin në prapaskenën e gjërave dhe, pas kësaj përgatitjeje të gjatë, qe nderuar me detyrën e profetësisë.

Tani, duhet të jetë e papajtueshme që dikush, që është caktuar në një detyrë kaq serioze dhe jashtëzakonisht të rëndësishme, të flejë gjatë gjithë natës. Për rrjedhojë, personi i ngarkuar me këtë detyrë duhet të ngrihet natën dhe ta adhurojë Zotin e tij. Madje ta adhurojë Atë në një mënyrë të atillë, saqë të mos shihet asnjë mospërputhje mes sjelljes e veprimeve të tij përballë Krijuesit dhe detyrës e misionit që bart mbi supe.

Si një tregues përmbledhës i të gjitha këtyre, Kurani thotë: “O ti i mbuluar (o Muhamed)! Çohu (të falesh) gjithë natën, përveç një pjese të saj, që është gjysma, ose diçka më pak a diçka më shumë se ajo, dhe lexoje Kuranin ngadalë dhe qartë!”

Përse? Sepse një mision i tillë kërkon një jashtëzakonshmëri që i kapërcen normat njerëzore dhe jeta e njerëzve të këtillë brenda kësi jashtëzakonshmërish duhet të vazhdojë gjithmonë. Mirëpo, nëse do duhej t’u thuhej diçka në lidhje me këtë temë njerëzve të thjeshtë si ne, ajo do të ishte si vijon: Pas faljes së namazit të jacisë, – duke përfshirë këtu edhe namazin e vitrit – shkoni të flini me nijetin për t’u ngritur edhe për namazin e sabahut. Atëherë edhe frymëmarrja juaj gjatë gjumit do të quhet adhurim. Ndërsa Profetit (s.a.s.), Allahu i drejtohet me fjalët “Çohu (të falesh) gjithë natën, përveç një pjese të saj, që është gjysma, ose diçka më pak a diçka më shumë se ajo, dhe lexoje Kuranin ngadalë dhe qartë!”; sepse kështu e kërkon misioni me të cilin Ai është ngarkuar.

Fjala“nisfehu” , që kalon në njërin nga ajetet e sipërpërmendur, do të thotë gjysma e natës. Kurse në vazhdim të ajetit, zë vend urdhri i Allahut për ta zvogëluar ose rritur pak këtë. Nata llogaritet kështu: Për shembull, nëse dielli lind në gjashtë të mëngjesit dhe perëndon në gjashtë të pasdites, i bie që e gjithë nata të jetë dymbëdhjetë orë. Rrjedhimisht, do të thotë se, në këtë rast, gjysma e natës është gjashtë orë. Diçka më pak se gjysma i bie të jetë rreth 4-5 orë, kurse diçka më shumë se gjysma mund të llogaritet si 6,5-7 orë. Duke filluar që nga dita kur iu kthye pafundësisë me spektrat e parë të shpalljes hyjnore, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e vazhdoi jetën e Tij të adhurimeve po në këtë masë deri në periudhën e pleqërisë së Tij, madje, deri në çastet e fundit të jetës së Tij të lartë. Gjatë natës, Ai falte namaz derisa i ënjteshin këmbët; nëse ndodhte që, për ndonjë arsye, t’i ikte namazi i natës, këtë herë e falte atë kaza gjatë ditës, madje duke e falur atë shumë herë më gjatë se namazi që falte natën.

Po të vijmë tek ajo që Kurani e quan ‘tertil’ dhe që ne e shprehëm me fjalët “Lexoje Kuranin ngadalë dhe qartë!”, do të thotë lexim ashtu siç duhet i shkronjave të Kuranit, duke iu dhënë hakun dhe duke i ndier në horizontet e zemrës dhe shpirtit. Ashtu siç thotë edhe Bediuzamani në Mesnevinë e tij, leximi dhe kuptimi i Kuranit sikur po e dëgjon atë nga Allahu, sikur po e dëgjon nga Xhibrili ose sikur po e merr nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.) janë tre dimensione të veçanta që, në emër të kiraetit, përbëjnë një përgjegjësi tonën. Me fjalë të tjera, ‘tertil’ do të thotë që njeriu ta lexojë Kuranin duke e dëgjuar atë në ndërgjegjen e tij mbi mekanizmat e mendimit, përfytyrimit dhe imagjinatës, duke shëtitur nëpër shpatet e botës shpirtërore dhe duke e ndier atë thellësisht. Aq sa, kur të shqiptojë secilën fjalë të ajetit që po lexon, të ndiejë atë që ndien një i etur kur është duke çuar në fyt gllënjkat e ujit. Gjithsesi, kjo është një çështje niveli dhe, si e tillë, mund të mos i mundësohet të gjithëve.

Mënyra se si lexojnë sot Kuran shumica e njerëzve nuk është ‘tertil’. Është e pamundur të thuhet se ky lexim shkakton drithërima në ndërgjegjen e njeriut. Nuk është e mundur që, me një lexim të tillë, ajetet e Kuranit ta frymëzojnë njeriun e ta bëjnë atë të zbulojë gjëra të reja; nuk është e mundur që ajetet e Kuranit të na ripërtërijnë në ndjenja, mendime, vepra e veprime. Kështu që, për t’i dhënë hakun Kuranit, edhe ne – duke e mbajtur veten jashtë aspektit që ka të bëjë me profetësinë – duhet ta lexojmë atë sikur të ishte duke na u shpallur neve.

Një ngjarje dhe një hadith, të transmetuara nga Abdullah ibn Omeri (r.a.), hedhin dritë mbi këtë çështje tonën. I nderuari Abdullah ibn Omer thotë: “Njerëzit shihnin ëndrra dhe vinin për t’ia treguar të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Edhe unë thosha me vete: ‘Ah, sikur të më hapeshin edhe mua dyert e botës së ndërmjetme, të shihja edhe unë ca gjëra dhe të vija e t’ia tregoja ato Tablosë së Krenarisë së Njerëzimit (s.a.s.), dhe Ai t’i interpretonte ato!’ Kështu, një ditë pashë në ëndërr dy persona që, pasi më kapën nga krahët, më çuan buzë një pusi të thellë e plot flakë. Flakët, duke u rrotulluar pa pushim si një uragan brenda atij pusi të thellë, vinin deri lart. Unë e kuptova, aty ishte Xhehenemi. U tremba shumë, kisha frikë se mos do të më hidhnin brenda pusit. Iu mbështeta Allahut dhe fillova t’i përgjërohesha Atij me fjalët ‘O Zot…!’. Njëri nga ata të dy më tha: ‘Mos ki frikë! Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Ti nuk do të futesh aty.’ Pastaj më doli gjumi. Ëndrrën ia tregova Hafsës, motrës sime, dhe i kërkova që ta pyeste të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) për kuptimin e saj. Kur ime motër e pyeti të Dërguarin e Allahut, Ai tha kështu: ‘Sa njeri i mirë është Abdullahu. Ah, sikur t’u jepte gjallëri edhe netëve të veta!’”

Është më se e qartë, këtu tregohet haptazi rruga që duhet ndjekur për t’i shpëtuar tmerrit të botës së ndërmjetme. Dhe kjo rrugë është gjallërimi i netëve në kuptimin adhurimor. Po, në një aspekt, gjallëria e zemrave varet nga gjallëria e netëve.

Të qenit i vetëdijshëm për anën shpirtërore të gjërave është i lidhur ngushtë me udhëzimin e njerëzimit. Në fakt, kjo mund të vlerësohet edhe nga këndvështrimi i këtij hadithi të shenjtë: “Nëse robi im më afrohet Mua një pëllëmbë, Unë i afrohem atij një pashë. Nëse ai vjen drejt Meje duke ecur, Unë shkoj drejt tij duke vrapuar.”

Po, Zotëria i Profetëve (s.a.s.), i Cili erdhi me mesazhin e shpëtimit të njerëzimit, u tregua i vendosur në çështjen e arritjes së afrimitetit me Allahun nëpërmjet vullnetit të vet; nga ana tjetër, edhe Allahu iu afrua Atij në masën e madhështisë dhe mëshirës së Tij. Këtu ama, duhet theksuar diçka. I Dërguari i Allahut, i Cili kërkonte gjithmonë shpëtimin e njerëzimit, hapej drejt së përtejmes dhe e kërkonte këtë shpëtim në arritjen e zotërimit të anës shpirtërore të gjërave e të ndërgjegjësimit të njerëzve në lidhje me të. Kështu, përmes një rrugëkalimi të ndryshëm nate për çdo natë, Ai ecte drejt Allahut (xhel’le xheláluhu). Ashtu si në çdo punë tjetër të Tijën, Ai bënte atë që duhej bërë edhe në këtë pikë. Po, duke qenë se pesha mbi supet e Tij ishte më e rëndë se ajo e kujtdo tjetër, Ai duhej të përjetonte një ‘isrá’ (udhëtim natën) çdo natë, duhej ta lexonte Kuranin sa më shumë dhe duke e ndier thellësisht.

Barra e Tij ishte shumë e rëndë; Kurani i thoshte Atij vazhdimisht “Ne do të të ngarkojmë ty me një fjalë me peshë shumë të rëndë.” Dhe, pa dyshim, ajo çfarë nënkuptohet në këtë ajet është misioni i profetësisë. E kuptonin, nuk e kuptonin apo nuk donin ta kuptonin njerëzit të cilëve u drejtohej, Allahu i kërkonte Atij t’ua shpjegonte të vërtetën të gjithëve, gjithmonë. Të qenit efektiv në një shërbim të tillë varet gjithmonë nga të pasurit një lidhje të fortë me Zotin.

Në lidhje me urtësinë e ngritjes natën, Kurani bën një vlerësim të tillë: “Natyrisht, adhurimi natën vepron më fuqishëm, dhe fjala është më shprehëse. Ngaqë ti ditën je vërtet shumë i zënë.” Po, në emër të hedhjes së hapave të sigurt nga ana e njeriut, të të dëgjuarit të asaj që thotë dhe të të ndierit të asaj që përjeton, netët, me ato thellësitë e tyre të magjishme, janë një atmosferë e rëndësishme. Ato janë si gjire të veçuara nga ku zemrat mund të hapen drejt Allahut (xhel’le xheláluhu)… Dhe duhen shfrytëzuar patjetër. Gjatë ditës, njeriu merret me punë të ndryshme, endet nëpër botën e ndjenjave të tij të jashtme dhe jeton nën ndikimin e tyre. Për Tablonë e Krenarisë së Njerëzimit (s.a.s.), as që mund të bëhet fjalë për diçka të këtillë. Për ne ama, njerëzit e zakonshëm, kjo gjë vlen gjithmonë. Kështu që, kam përshtypjen se do të ishte me vend që ajeti të interpretohej në këtë mënyrë: Allahu, përmes personalitetit të të Dërguarit të Tij, sikur na drejtohet neve me fjalët “Ju, duke u marrë me këtë e atë gjatë ditës, po jetoni si të hutuar; nuk jeni në gjendje t’u drejtoheni thellësive tuaja të brendshme, nuk po lidheni dot me botën e përtejme; dhe as që bëhet fjalë të lidheni. Sepse netët janë thelbësore në këtë çështje. Pra, netët janë periudha kohore e bereqetshme gjatë së cilës njeriu, me zemrën të përvëluar nga malli, do t’i drejtohet Allahut, do të vendosë kokën në sexhde dhe do të derdhë lot. Do të veproni kështu në një kohë dhe vend ku nuk ndodhet askush tjetër dhe vetëm Atij do t’ia hapni zemrën. Vetëm Ai do ta dijë gjendjen tuaj dhe ju, duke qenë të vetëdijshëm për faktin se Ai di dhe shikon gjithçka, sipas kësaj do të veproni.”.

b. Namazi/duaja i/e nevojtarisë (háxhet)

Namazi i haxhetit dhe duaja e haxhetit – ashtu si namazi i xhenazes, namazi i shiut apo namazi i eklipseve të hënës dhe diellit – janë nga adhurimet e legjitimuara nëpërmjet sunetit të pastër e të patëmetë të Profetit tonë (s.a.s.). Kur njeriu ka nevojë për diçka, fal një namaz dyrekatësh dhe, pasi këndon edhe disa lutje që na i ka mësuar Pejgamberi ynë (s.a.s.), ia shpreh nevojën Zotit të botëve. Ekzistojnë dy transmetime të ndryshme në lidhje me duanë e haxhetit. Duke qenë se që të dyja i përkasin të Dërguarit të Allahut dhe për të mos u privuar nga begatitë e asnjërës prej tyre, ne, në përgjithësi, i përmendim bashkë të dyja.

Në një hadith të transmetuar nga Tirmidhiu, Profeti ynë (s.a.s.) thotë kështu: “Kushdo që ka nevojë për diçka nga Allahu apo nga njerëzit, le të marrë mirë abdes, të falë dy rekate namaz dhe, pasi të lavdërojë Allahun e t’i dërgojë salavate të Dërguarit të Tij, të thotë kështu: ‘Nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Ai është Përdëllimtari, Bujari. I madhëruar qoftë Allahu, Zoti i Arshit të Madh! Çdo lavdërim i takon Allahut, Zotit të botëve. Zoti im! Kërkoj prej Teje gjërat që do të tërheqin mëshirën Tënde, faljen Tënde absolute, fitimin e çdo të mire dhe shpëtimin prej çdo lloj mëkati! O më Mëshiruesi i mëshiruesve, mos lër tek unë asnjë mëkat të pafalur, asnjë qeder të paqetësueshëm dhe, për sa kohë nuk bie ndesh me pëlqimin Tënd, asnjë nevojë të paplotësuar!’”

Sipas një hadithi të transmetuar nga shumë libra hadithesh, përsëri me në krye Tirmidhiun, një person që kishte probleme me shikimin vajti pranë Tablosë së Krenarisë së Njerëzimit (s.a.s.) dhe tha: “O, i Dërguari i Allahut! Sikur t’i ishit lutur Zotit për mua, që të më kthejë sërish shëndetin…” I Dërguai i Allahut (s.a.s.) ia ktheu me këto fjalë: “Dëshiron që unë të lutem për ty apo të durosh dhe, kështu, të marrësh shpërblimin e durimit? Kjo e dyta është më e hairit për ty.” “O, i Dërguari i Allahut, lutuni për mua!” tha i gjori burrë. Pas këtyre fjalëve të tij, Profeti ynë (s.a.s.) e këshilloi atë të merrte abdes, të falte dy rekate namaz dhe, pastaj, të lutej e të përgjërohej në këtë mënyrë: “Allahu im! Prej Teje kërkoj dhe, duke bërë ndërmjetës të Dërguarin Tënd, Profetin e Mëshirës, Muhamedin e nderuar, Ty po të drejtohem e të përgjërohem! O Muhamed, që të më plotësohet kjo nevojë, po i drejtohem Zotit tim duke të bërë ty ndërmjetës! Allahu im, bëje Atë ndërmjetës për mua!”

Në varësi të horizontit të tij dhe vlerës që ka, çështjet që një njeri mund t’i shohë si nevoja mund të ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Sidoqoftë, nuk ka dallime në çështjen e gjërave që duhen kërkuar nëpërmjet namazit të haxhetit, nuk është vendosur ndonjë kusht. Për shembull, një njeri mund të thotë “Kjo është nevoja ime.” dhe të falë namazin e haxhetit me dëshirën që të korrat e tij të jenë më të bereqetshme. Për të mirën e të gjithëve, përveçse të bëjë lutjen e shiut, mund të falë edhe namazin e haxhetit e të lutet që të bjerë shi. Ose mund të falë namazin e haxhetit për të bijtë, që të jenë fëmijë të mbarë e të hairit, dhe t’i përgjërohet Allahut të Madhëruar me fjalët “Allahu im! Jepu këtyre mend e urtësi, dhe mos lejo që të bien në rrugë të keqe!”. Këto kërkesa janë në përpjestim të drejtë me përpjekjet dhe qëllimet e individëve dhe ne nuk mund të nënvlerësojmë asnjërën prej tyre.

Që besimtari/besimtarja të kërkojë një bashkëshorte/bashkëshort të mirë, një fëmijë të mbarë, një të ardhme të mirë për fëmijët e vet, – sipas një përpjekjeje dhe qëllimi të caktuar – është një gjë e mirë. Dhe njeriu duhet t’ia kërkojë këto gjëra Allahut. Sipas logjikës së një sahabi, po të humbasim lidhësen e këpucës, edhe atë Allahut ia kërkojmë. Pra, ne çdo gjë prej Allahut e kërkojmë, qoftë ajo e vogël apo e madhe.

Por, nga ana tjetër, përpjekjet dhe qëllimet e profetëve janë shumë të larta. Për shembull, kur ngrenë duart lart, ata luten kështu: “Allahu im! Të lutem, zbuti zemrat e njerëzve ndaj imanit!” Edhe pse jo tamam të njëjtat fjalë, mes lutjeve të transmetuara nga Profeti ynë (s.a.s.) gjenden shprehje të ngjashme me këtë, por më të thella.

Çështjet që paraqiten si nevoja nga ana e njerëzve janë sipas nivelit të përpjekjes dhe qëllimeve të gjithsecilit. Për shembull, disa besimtarë ia kanë kushtuar jetën e tyre tërësisht përhapjes së fesë mbi të gjithë sipërfaqen e tokës. Ata mbase hanë dhe pinë aq sa për të mos vdekur urie, mbase gjenden brenda një marrëdhënieje të caktuar me familjet dhe fëmijët e tyre; ama sytë i kanë gjithmonë të kthyera për tek Allahu.

Pra, mund të themi se dikush fal namazin e nevojtarisë për një kërkesë të vogël të tijën, për më tepër, që ka të bëjë me këtë dynja. Dikush tjetër i drejtohet Zotit të Madhëruar, fal namazin e nevojtarisë dhe bën dua për gjëra që kanë të bëjnë me myslimanët në përgjithësi apo me gjithë njerëzimin. Dikush tjetër i lutet Zotit të Plotfuqishëm për përhapjen e fesë kudo nëpër tokë dhe për zbutjen e zemrave të qafirëve dhe gjynahqarëve, në mënyrë që edhe zemrat më inatçore të qetësohen e të bëhen të ndjeshme ndaj imanit. Njerëzit që e njohin sadopak Individualitetin Hyjnor, ata që i njohin Profetin tonë (s.a.s.) dhe Kuranin Famëlartë, qoftë edhe në njëfarë mase, nuk duhet të aspirojnë për gjëra të vogla e të thjeshta. Ata duhet t’i mbajnë sa më lart përpjekjet dhe qëllimet e tyre, duhet të aspirojnë për gjëra sa më sublime. Sepse, në një kuptim, është zhgënjyese të shkosh e të kërkosh hekur dhe bakër në një vend ku mund të kërkohet ari e argjendi.

Krahas këtyre, mund të falet namaz haxheti dhe të bëhet dua edhe për të kërkuar forcimin e imanit dhe mosrrëshqitjen e zemrës. Sepse këto, në emër të të ndierit të gjërave të tjera sublime, janë baza shumë të rëndësishme. Nëse nuk ke një iman të fortë e sakllam, nëse zemra jote bën vazhdimisht zigzage, si mund të pretendosh atëherë për bartjen e ndjenjave sublime në emër të të gjithë njerëzimit? Njeriut i nevojitet të ketë një horizont shumë serioz dijesh, një dashuri dhe dëshirë hyjnore të madhe, frikë dhe respekt. Njeriu duhet të falë namaz haxheti edhe për të gjitha këto, duhet t’i lutet e t’i përgjërohet Allahut duke i rreshtuar duatë njëra pas tjetrës.

Si falet namazi i nevojtarisë?

Në hadithe, namazi i nevojtarisë përshkruhet si një namaz që përbëhet prej dy ose katër rekatesh. Edhe pse nuk ka një pohim të qartë në lidhje me suret që duhen kënduar në këtë namaz, disa dijetarë janë shprehur duke thënë se, ashtu si në namazin për forcimin e kujtesës, edhe në namazin e nevojtarisë mund të këndohen sure të tilla si suret Sexhde, Dehr dhe Jasin. Mirëpo, as kjo pikëpamje nuk është dhe aq e besueshme. Mund të japim si shembuj këto ajete:

“Ata (engjëj) që e mbajnë Fronin dhe ata që janë rreth tij, e madhërojnë Zotin e tyre me falënderim dhe i besojnë Atij. Ata lypin falje për besimtarët duke thënë: ‘O Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde, prandaj fali ata që janë penduar e që ndjekin rrugën Tënde dhe ruaji ata prej dënimit të Zjarrit flakërues!’”

“Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër, që ju të shkoni rrugës së drejtë, dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët. Nëse ata largohen (nga e vërteta), thuaj: ‘Më mjafton Allahu, s’ka zot tjetër përveç Tij. Unë mbështetem tek Ai që është Zot i Fronit të Madh!’”

“Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka: në dobi të tij është e mira që bën, kurse në dëm të tij është e keqja që punon. Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim! Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu si i ngarkove ata para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta bartim! Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro! Ti je Zoti ynë! Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë!”

Këto ajete, ndërkohë që nga njëra anë të bëjnë të mendosh për mëshirën e pafund të Zotit të Madhërishëm, nga ana tjetër, bëjnë që zemra e robit të zbutet e të fitojë përqendrimin e duhur.

Pas faljes së namazit, së pari duhet lartësuar, madhëruar dhe lavdëruar Allahu i Madhërishëm me këto fjalë: “Allahu është më i Madhi. Atij i takojnë të gjitha llojet e falënderimeve dhe lavdërimeve. Vetëm Ai e meriton të përmendet në çdo kohë. Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, të Vetmit! Allahu është Ai që e ndihmon robin e Tij, që e bën ushtrinë e Tij të lavdishme dhe që, i Vetëm, i çon në humbje ushtritë armike. Ai nuk ka shok. Allahu im! Askush nuk mund të ma mohojë atë që më jep Ti, askush nuk mund të ma japë atë që ma mohon Ti! Askush nuk mund ta kthejë mbrapsht, askush nuk mund ta ndryshojë caktimin Tënd në lidhje me atë që Ti dëshiron të ndodhë! Përkarshi Teje, pasuria, fama, nderi dhe fuqia nuk u sjellin asnjë dobi të zotëve të tyre!”

Njeriu duhet t’i thotë këto për ta nderuar dhe lartësuar Allahun e Madhëruar. Megjithatë, Pejgamberi ynë (s.a.s.) nuk ka caktuar diçka të prerë në këtë pikë. Për shembull, mund të këndoni edhe tre ajetet e para të sures Fatiha, nëse doni. Pra, e rëndësishme është që, në fillim, Allahu të përmendet, të madhërohet e të lavdërohet ashtu siç i takon Atij. Pastaj, me një hushú të plotë e të përsosur, i dërgohet një përshëndetje gjithëpërfshirëse Profetit tonë (s.a.s.). Më pas, mund të përmenden një nga një emrat e atyre që do të përfshihen në atë përshëndetje. Pas përmendjes së Kalifëve të Drejtë në një kategori të veçantë, kalohet në përmendjen e Ehli Bejtit (pjesëtarët e familjes fisnike të Profetit Muhamed (s.a.s.)). Më pas, përmenden me radhë emrat e profetëve të mëdhenj. Pastaj përmenden emrat e engjëjve më të afërt me Zotin. Në fund të kësaj përshëndetjeje gjithëpërfshirëse, duke përmendur edhe emrat e më të mëdhenjve nga mesi i miqve të Allahut të kohëve të kaluara, mund t’i bëjmë edhe ata pjesë të lutjes sonë.

Bëhet një përshëndetje e tillë gjithëpërfshirëse dhe, për ta përfunduar atë, thuhet “Aq sa grimcat e universit dhe gjërat që formohen prej tyre!” ose “Aq sa janë gjërat që mbushin qiejt e tokën (aq sa atomet, elektronet, molekulat, jonet e qiejve dhe tokës) dhe aq sa dëshiron Ti, o Zot!”. Në fakt, të gjitha këto janë gjëra të kufizuara, pra, që mund të numërohen. Kështu që, në emër të të shprehurit të pafundësisë përmes asaj që është me të vërtetë e pafundme, mund të thuhet edhe kështu: “Allahu im! Dërgo mbi ta paqe e mëshirë aq sa dija dhe njohuritë e Tua të pafund!”

Pasi kryhen këto, bëhen dua për umetin e Muhamedit (s.a.s.). Gjatë këtyre lutjeve mund të thuhen edhe këto fjalë: “O Zoti ynë! Më fal mua, fali prindërit e mi dhe të gjithë besimtarët! Na fal ne në atë ditë kur do të bëhet gjykimi i çdokujt!” Një dua tjetër është edhe ajo që bëhet në mëngjes e mbrëmje nga të ashtuquajturit ‘ebdáll’: “Allahu im! Mëshiroje umetin e Muhamedit! Allahu im! Fale umetin e Muhamedit!”

Këto janë gjërat që duhen bërë si parathënie e duasë para se të kalohet tek ajo. Pasi kryen këto, këndohet duaja e haxhetit:

“Nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Ai është Përdëllimtari, Bujari. I madhëruar qoftë Allahu, Zoti i Arshit të Madh! Çdo lavdërim i takon Allahut, Zotit të botëve. Zoti im! Kërkoj prej Teje gjërat që do të tërheqin mëshirën Tënde, faljen Tënde absolute, fitimin e çdo të mire dhe shpëtimin prej çdo lloj mëkati! O më Mëshiruesi i mëshiruesve, mos lër tek unë asnjë mëkat të pafalur, asnjë qeder të paqetësueshëm dhe, për sa kohë nuk bie ndesh me pëlqimin Tënd, asnjë nevojë të paplotësuar! Allahu im! Ti je Ai që vendos në gjërat për të cilat robërit e Tu bien në kundërshtim me njëritjetrin! Nuk ka zot tjetër veç Allahut, të Lartit, Madhështorit! Nuk ka zot tjetër veç Allahut, Përdëllimtarit, Bujarit! I madhëruar është Zoti i shtatë qiejve dhe Zoti i Arshit të Madh! Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve! O Allahu im, Ti që i lehtëson hallet, heq shqetësimet, i përgjigjesh lutjes së të pashpresëve kur të luten, o Mëshiruesi dhe Shpërblyesi i kësaj bote dhe i botës tjetër, mëshiromë mua me plotësimin e kësaj nevoje, në mënyrë që të mos mbetem nën mëshirën e të tjerëve!”

Pas kësaj, robi duhet të thotë dëshirën apo kërkesën që dëshiron t’ia paraqesë Allahut. Për shembull, një njeri me qëllime të larta, në emër të nevojës së tij, mund të thotë këto: “Allahu im! Lartësoje kudo emrin Tënd të Lartë, të drejtën, të vërtetën dhe fenë Islame! Hapi zemrat tona dhe ato të të gjithë robërve të Tu ndaj imanit, Islamit, vetëdijes së ihsanit, Kuranit dhe shërbimeve të Kuranit!”

Në një hadith thuhet se, kur Allahu i Madhëruar e do një rob, ai rob pritet mirë nga të gjithë në qiej e në tokë.

Duke u bazuar në këtë hadith, mund të bëhet edhe një dua e këtillë: “Allahu im! Vendos dashuri për ne në zemrat e robërve të Tu në qiej dhe në tokë!” Nëpërmjet këtyre fjalëve, kërkojmë që edhe ne të pranohemi kudo nga të gjithë, të gjitha zemrat të hapen për ne dhe, në këtë mënyrë, të kemi mundësinë për t’i shërbyer me sinqeritet fesë.

Një pikë tjetër e rëndësishme në çështjen e duasë është edhe kjo: Nëse e përmend edhe umetin e Muhamedit (s.a.s.) atëherë kur do të lutesh për veten tënde, kjo situatë do të bëjë që mëshira e Allahut të Madhëruar të shkundet mbi ty. Sepse, në këtë mënyrë, Allahu do të të shikojë si robin e Tij që mendon edhe për robërit e tjerë të Tij. Dhe kjo gjë është shumë e rëndësishme.

c. Jeta e natës e trashëgimtarëve të kauzës së profetësisë

Profetësia mbaroi me Muhamedin (s.a.s.). Ama, kauza e Tij do të vazhdojë përjetësisht. Po me kë? Me trashëgimtarët e kauzës së profetësisë. Për të qenë në gjendje për të kryer misionin e kryer prej profetëve, duhet kaluar nga ura që kanë kaluar ata. Kjo është një detyrë dhe domosdoshmëri.

Për rrjedhojë, netët duhen gjallëruar, duhen hapur dyert e botëve të fshehta, në mënyrë që kjo barrë e rëndë, e cila vërtitet rreth asaj fjale të lartë, të mund të bartet ashtu siç e meriton, në mënyrë që edhe ata që janë mbi një terren të rrëshqitshëm gjatë gjithë kohës dhe që janë nën ndikimin e lakmive, babëzive, tekave dhe inateve njerëzore të mund të shpëtojnë nga këto vese negative dhe të jenë në gjendje për t’u bërë ballë sprovave të fushave të ndryshme. Dhe, kështu, të mos bëhen nga ata që, edhe pse janë mes atyre që i kanë të gjitha mundësitë për të fituar, humbasin!

Po, Allahu ka bërë që kjo kauzë dhe ky shërbim i shenjtë, dikur i përfaqësuar nga profetët, të përfaqësohet gjithmonë nga njerëz të rinj e të freskët dhe jo nga shpirtra të vdekur apo të vyshkur. Pra, nuk ka lejuar që kjo kauzë të përfaqësohet nga ata njerëz që duken sikur janë në krye të një pune, por që, në të vërtetë, nuk ia dalin të jenë. Mes të qenit me të vërtetë dhe të dukurit sikur je ka ndryshime aq sa ka mes qiellit dhe tokës. Allahu nuk e ka përfaqësuar këtë kauzë as me ata që, edhe pse reagojnë ndaj disa gjërave, nuk kanë mundur të bëhen njerëz të aksionit dhe veprimit. Ai ka bërë që kjo kauzë të përfaqësohet vetëm nga heronjtë e vërtetë të zemrës dhe shpirtit. Përkundrazi, kur kjo kauzë u mbetet atyre që janë të pazemër e të pashpirt, Allahu (xhel’le xheláluhu), ashtu siç shprehet edhe në ajetet “Nëse ndokush prej jush braktis besimin e vet, dijeni se Allahu do të sjellë njerëz, që i do dhe që e duan.” dhe “Nëse do, Ai ju zhduk dhe sjell krijesa të reja.”, i merr e i largon ata dhe sjell breza krejt të rinj, që, me ditët dhe netët e tyre, e kanë bërë këtë punë qëllim të jetës së tyre dhe mendojnë për udhëzimin e njerëzimit sa herë që hapin e mbyllin sytë. Ka me mijëra njerëz të tillë sot e, në dashtë Zoti, në të ardhmen do të jenë me miliona.

Prandaj, trashëgimtarët e kauzës së profetësisë do t’i kryejnë adhurimet e natës ashtu siç i kryente Muhamedi (s.a.s.), Ai Shembull i Pashoq dhe Udhëzues i Përsosur. Dhe, nëse do të ndodhë që ndonjë natë t’iu ikë pa e shfrytëzuar, atë njëzetekatërorësh duhet ta numërojnë mes ditëve të humbura e të çuara dëm; do të mendojnë në këtë mënyrë dhe, ashtu siç pati vepruar Ademi (a.s.) që nga çasti kur pati menduar se kishte bërë një faj, do të ulin kokën dhe do të shikojnë gjithmonë poshtë… Do të mblidhen kruspull si macja që ka derdhur qumështin dhe do të thonë: “Nuk u ngrita dot këtë natë, ajo më iku pa e gjallëruar. Tani kam mbi shpinë edhe një natë tjetër të vdekur.” Dhe, po i kaloi edhe disa net të tjera kështu, duhet të mendojë në këtë mënyrë: “Më duket se edhe unë do të vdes, edhe unë do të bëhem një i vdekur në mesin e të vdekurve.” Edhe pse është pak rrënqethëse, nëse unë ua them edhe shërbëtorëve të Kuranit këto fjalë, të cilat Allahu (xhel’le xheláluhu) ia ka thënë robit të Tij më të dashur, nuk duhet parë si e tepërt.

Nuk i harroj kurrë fjalët e asaj gruaje të moshuar në Barlla. Kur patëm shkuar për të vizituar shtëpinë e Ustadit, ajo na pati thënë fiks këto fjalë: “Ah, hoxhë efendi! Ah, hoxhë efendi! (E ka fjalën për Ustadin) Gumëzhinte si bletë tek ai rrap deri në mëngjes. Gjatë natës, nuk e shihnim kurrë të flinte.”

Dhe një çështje e fundit: Është vërtetuar përmes një mijë e një përvojash se ata që i gjallërojnë netët e tyre me adhurime, edhe gjatë ditëve vrapojnë porsi kuaj. Deri më sot, unë kam njohur një botë të tërë njerëzish që i kanë këto cilësi e që nuk kanë bërë as më të voglin devijim përgjatë jetës së tyre. Kanë vite të tëra që, me kokat e tyre në këtë prag, nuk po lejojnë që netët t’iu shkojnë dëm dhe, sigurisht, nuk mbeten prapa as në çështjen e shërbimit ndaj popullit.

Kurse ata që bëjnë zigzage në jetët e tyre të natës, kanë bërë zigzage edhe gjatë ditëve, në jetët e tyre të Shërbimit. Të këtillët, edhe pse ndonjëherë duken sikur po vrapojnë para të gjithëve në Shërbim, kur janë përballur me vështirësi e probleme, menjëherë kanë kaluar mbrapa. Po, këta nuk kanë qenë në gjendje të durojnë e të përballojnë as më të voglin presion, as më të voglën vështirësi, as më të voglin problem. Sa për të tjerët, që nga dita kur i kam njohur, me gjendjet e tyre shpirtërore gjithmonë të thella, kanë vërshuar si lumenj gjatë netëve, kurse gjatë ditëve, kanë vrapuar si kuaj deri në plasje.

Shënimet

  1. 316.Tirmidhí, salát 305; Nesáí, salát 9; Ibn Máxhe, ikáme 202.
  2. 317.Buhárí, rikak 38; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 6/256.
  3. 318.Buhárí, bed’ul halk 6, edeb 41, teuhíd 33; Muslim, birr 157.
  4. 319.Muslim, salátul musafirin 84.
  5. 320.Sádí Shirází, Gjylistani dhe Bostani, fq. 309.
  6. 321.Buhárí, tehexhxhud 14, de’auát 14, teuhíd 35; Muslim, salátul musafirín 168-170.
  7. 322.Muslim, salát 222; Tirmidhí, de’auát 76, 113; Ebú Dáúd, salát 340.
  8. 323.Surja Furkán, ajeti 64.
  9. 324.Bejhakí, Shuabul ímán 3/169.
  10. 325.Buhárí, tehexhxhud 1, de’auát 10, teuhíd 8, 24, 35; Muslim, salátul musáfirín 199. 329 Bediuzaman, Fjalët, fq. 63 (Fjala e Nëntë, Pika e Katërt).
  11. 326.Surja Muzzemmil, ajeti 8.
  12. 327.Surja Muzzemmil, ajetet 1-4.
  13. 328.Muslim, salátul musáfirín 141; Tirmidhí, salát 348; Ebú Dáúd, tatavvu 26; Nesáí, kible 13, kijámul lejl 2, 64.
  14. 329.Bediuzaman, Letrat, fq. 612 (Letra e Njëzet e Nëntë, Pika e Gjashtë)
  15. 330.Buhárí, tehexhxhud 2, 21, fedáilu as’hábin’nebi 19, tabir 35, 36; Muslim, fedáilus’sahabe 139, 140.
  16. 331.Buhárí, teuhíd 15, 50; Muslim, teube 1, dhikr 1, 20-22.
  17. 332.Surja Muzzemmil, ajeti 5.
  18. 333.Surja Muzzemmil, ajetet 6-7.
  19. 334.Tirmidhí, uitr 348; Ibn Máxhe, ikáme 189.
  20. 335.Tirmidhí, de’auát 119; Ibn Máxhe, ikámetus’salát 189.
  21. 336.Ahmed ibn Hanbel, el Musned 6/450.
  22. 337.Surja Mu’min, ajeti 7.
  23. 338.Surja Teube, ajetet 128-129.
  24. 339.Surja Bekare, ajeti 286.
  25. 340.Ebdáll është shumësi i fjalës ‘bedíl’, e cila bart kuptimin e njeriut të pastër, të çiltër e zemërmirë. Ky term përdoret për ata njerëz të lartë shpirtërisht e të dashur tek Allahu, që u lejohet të mbikëqyrin punët e popullit dhe që janë rojtarë dhe duartrokitës të veprimtarisë hyjnore. (M. F. Gylen, “Miqtë e Allahut“, Majat e Smeraldta të Zemrës 3/75)
  26. 341.Buhárí, bed’ul halk 6, edeb 41, teuhíd 33; Muslim, birr 157.
  27. 342.Surja Máide, ajeti 54.
  28. 343.Surja Fátir, ajeti 16.