Namazi0%

Hyrje

Namazi është një nga pesë shtyllat bazë të Islamit. Ai është direku i fesë, baza dhe thelbi i lutjeve. Namazi është shkaku që i mundëson njeriut afrimin tek Allahu, por edhe vetë afrimi. Për këtë arsye, namazi mbart një rëndësi të madhe për besimtarin. Ai nuk duhet parë si një punë e rëndomtë mes angazhimeve të tjera të kësaj bote dhe që duhet kryer sa për të kaluar radhën. Kur e kërkon nevoja, çdo gjë duhet sakrifikuar për të, e jo më të neglizhohet apo të kryhet me nxitim për shkak të ndonjë pune tjetër. Po, namazi është më i bukuri mes gjërave që do të bëjë njeriu në jetën e tij dhe më i bukuri duhet të jetë. Kujtimet më të ëmbla të jetës duhet të jenë të lidhura me namazin. Sepse në miraxh nëpërmjet namazit dilet; nëpërmjet namazit arrihet tek Allahu dhe po nëpërmjet tij është e mundur dalja para profetëve dhe qëndrimi pranë tyre. Krahas këtyre, të gjendurit në adhurim para Allahut pesë herë në ditë – në varësi të thellësisë së ndërgjegjes – e lartëson individin shumë e më shumë.

Përmbajtja e namazit është aq e gjerë sa për t’u bërë shkas që njerëzit të mendojnë thellësisht. Njeriu, gjatë faljes së namazit, herë e gjen veten para Allahut, i mbërthyer nga një ndjenjë e thellë dashurie për Të, herë e ndien veten si një individ të xhematit të lidhur në namaz prapa Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), herë e sheh veten drejtpërdrejt në mesin e rreshtave të engjëjve, kurse ndonjë herë tjetër, i bëhet sikur, me një lëvizje të vetme, vë ballin në mbulesën e Arshit. Që njeriu të ketë sukses në këtë, kushti i parë që duhet të plotësojë është ky: ta dijë namazin si një miraxh ose si një hije të miraxhit.

Për besimtarin, çdo namaz është një rast për arritjen e miraxhit. Prandaj, detyra e besimtarit në këtë pikë është që në çdo namaz të plotësojë miraxhin e tij, qoftë edhe në dimensione të ndryshme. Në namaz, çdo tel i zemrës duhet të jetë njëlloj i rëndësishëm dhe si i atillë duhet t’i lëshojë tingujt e tij. Namazi duhet falur në mënyrë të atillë, që namazi i çdokujt të bëhet shembull për atë të një tjetri, që sexhdeja të shndërrohet në një burim të pashtershëm kënaqësie, që lutjet të shndërrohen në një ushqim që nuk i shkakton mërzi njeriut, që rukuja të kthehet në një veprim të veçantë dhe që këndimi i ajeteve të Kuranit në namaz të shndërrohet në një harmoni fjalësh plot gjallëri. Me të vërtetë, edhe ajeti “Dhe mbështetu në të Plotfuqishmin, Mëshirëplotin, i Cili e sheh qëndrimin tënd në këmbë (gjatë namazit) dhe lëvizjet e tua midis atyre që përulen në sexhde.”, përveçse na përshkruan namazin e Pejgamberit sonë (sal’lallahu alejhi ue sel’lem), na tregon gjithashtu edhe se si duhet ta falim namazin.

Ne duhet të falemi në të njëjtën mënyrë që është falur Profeti ynë (paqja qoftë mbi Të). Sigurisht, është e pamundur të kapim trajtën dhe kuptimin e namazit të falur nga një profet, e kemi të pamundur të ndiejmë ato çfarë ka ndier Ai (s.a.s.), por kjo nuk na pengon të jemi në atë rrugë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), në një prej haditheve të bekuara të Tij, kur shpjegon konceptin “ihsan”, përdor përkufizimin “të kryesh adhurimet sikur je duke e parë Allahun” dhe, në vazhdim, thotë: “Edhe nëse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty!”. Ja, pra, nëse falet me një vetëdije kaq të thellë, besoj se namazi do t’i japë frytet e pritura.

Në një hadith tjetër, Pejgamberi ynë (s.a.s.) ka urdhëruar: “Fale namazin si të ishte namazi i lamtumirës.” Namazi i lamtumirës është namazi i fundit në jetën e një njeriu. Pra, do të thotë që ta falësh namazin duke e menduar atë si namazin e fundit të jetës. Ashtu siç i përkushtohet namazit dhe e fal atë me kujdes e në mënyrën më të përsosur të mundshme një njeri të cilit i është thënë se i ka mbetur aq 27 jetë sa për të falur një namaz të vetëm, po me të njëjtin përkushtim duhen falur të gjithë namazet. Falja e namazit në mënyrë të përsosur nuk duhet të kufizohet në vlerësimet “përsosmërisht dhe pa asnjë mangësi” të librave të fikhut. Kuptimi i saj duhet menduar shumë më përgjithësisht dhe duhet të përfshijë të gjitha aspektet e namazit, qofshin ato materiale apo shpirtërore. Po, nëse namazi falet në mënyrë të përsosur, – ashtu siç përmendet edhe në një sërë hadithesh – bëhet e mundur fshirja e gjynaheve, pastrimi nga to. Sepse, në namaz, pendimi shndërrohet e bëhet si një pjesë e pandarë e ndërgjegjes. Aq shumë është kredhur pendimi në pjesët përbërëse të namazit, saqë është thuajse e pamundur ta mendosh atë të ndarë nga namazi. Sigurisht, nuk do të thotë se çdo namaz bart kuptimin e pendimit. Por shkrirja e njeriut me namazin dhe dalja e tij para Zotit i bërë njësh me të, bëhet shkas për lindjen e një ndërgjegjësimi tek ai në çështjen e pendesës. Mjaft që namazi të kryhet brenda kushteve të kërkuara.

Për më tepër, Zoti i Madhëruar, në lidhje me namazin, thotë kështu: “Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar.” Që namazi të ketë një ndikim të tillë mbi robin, fillimisht nevojitet që ai të kryhet në gradën e dëshiruar. Robi duhet ta ndiejë në zemër vuajtjen e mëkatit të tij, madje gjatë njëzet e katër orëve të ditës, që, mandej, kjo të shndërrohet në një ftesë për faljen e atij mëkati. Thënë më qartë, së pari, namazi duhet falur ashtu siç duhet, duke i dhënë hakun çdo pjese të tij (ta’díli erkán), pastaj, duhet lexuar sa më shumë Kuran, duhet qëndruar sa më gjatë në kijam, rukú e sexhde dhe duhet treguar përpjekje për të kapur dimensione të ndryshme e të veçanta në çdo pjesë të namazit.

Nga ana tjetër, çdo devijim i bërë në pjesët përbërëse të namazit – sipas fjalëve të Pejgamberit tonë (s.a.s.) – e çon njeriun drejt kafshërisë (përsa i përket pamjes së tij të brendshme). Ai (s.a.s.), për atë që kalon në veprimin pasardhës të namazit para imamit, ka thënë: “Ndonjëri prej jush, kur ngre kokën para imamit në ruku dhe sexhde, a nuk ka frikë se mos Zoti i Madhëruar do t’ia shndërrojë ( do ta ringjallë duke ia shndërruar) kokën në kokë gomari ose pamjen në pamje gomari?”. Për sexhden që bëhet me nxitim, ka thënë kështu: “Mos e ulni dhe ngrini kokën si sorra që çukit ushqimin!”. Kurse për uljet e gabuara në teshehud (ulja gjatë namazit), ka thënë: “Kur uleni, mos e lëshoni veten si qentë!” Pra, do të thotë se namazi kërkon që robi të bëhet një qenie njerëzore e përsosur. Kjo është arsyeja pse njeriu duhet t’i vlerësojë edhe një herë namazet që ka falur; duhet të përpiqet t’i ndiejë thellësisht dhe me çdo pjesë të tijën kijamin, rukúnë dhe sexhden.

Krahas faljes së namazit brenda ndjenjave të hushú-së (ndjenja e frikës dhe respektit ndaj Allahut) dhe hudúsë (ndjenja e përulësisë para Allahut), është shumë e rëndësishme që ai të kryhet në përputhje me të gjitha kushtet e tij dhe askush nuk mund të thotë se kjo është diçka e thjeshtë. Sepse mes trajtës së jashtme të namazit dhe përbërësve të brendshëm të tij ka një marrëdhënie dhe një lidhje të ngushtë. Dhe nuk është aspak e drejtë që kjo detyrë, kjo përgjegjësi, të reduktohet thjesht në trajtën e saj të jashtme. Krahas trajtës së tij të jashtme, namazi absolutisht duhet falur në përshtatshmëri të plotë edhe me kuptimin, thelbin dhe përmbajtjen e tij.

Me pak fjalë, namazi përbën një bazë shumë të rëndësishme në emër të adhurimit. Madje, duke marrë në konsideratë kuptimet që ai bart, mund të quhet edhe “thelbi i të gjitha adhurimeve”. Për këtë arsye, sahabët i shihnin si hipokritë ata që nuk falnin namazin, kurse dijetarët, shumë herë jepnin si shembull lënien e namazit kur vinte puna tek shpjegimi i temës së “hipokrizisë me vepra” (amelí nifák).

Pra, namazi nuk është një çështje që mund të merret me të lehtë. Për ata që e marrin me të lehtë, kam frikë se, një ditë, do të veprojnë në të njëjtën mënyrë edhe me fenë. Nëse një njeri nuk fal namaz, do të thotë se ai po përjeton humbjen më të madhe të jetës së tij. Kështu që, ajo që duhet të themi është: “Patjetër namazin, patjetër namazin!”

Shënimet

  1. 2.Surja Shuara, ajetet 217-219.
  2. 3.Buhárí, ímán 37; Muslim, ímán 5, 7.
  3. 4.Ibn Máxhe, zuhd 15; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 5/412.
  4. 5.Surja Ankebut, ajeti 45.
  5. 6.Buhárí, edhán 53; Muslim, salát 114,115.
  6. 7.Ebú Dáúd, salát 147; Nesáí, tatbik 55.
  7. 8.Ahmed ibn Hanbel, el Musned, 2/311; Tajálisí, el Musned fq. 338.