Namazi0%

Në vend të parathënies

NAMAZI

ADHURIMI NË DIMENSIONET E MIRAXHIT

“Namazi është miraxhi i besimtarit; namazi është drita, buraku i tij në rrugën drejt miraxhit; namazi është anija, sateliti, aeroplani i shpirtrave besimtarë në udhëtim; ai është vendqëndrimi më i afërt me të përtejmen, vendstrehimi i fundit i udhëtarit që synon afrimin me Zotin dhe takimin me Të; namazi është një nga mjetet më të mëdha në shërbim të përmbushjes së qëllimit e që ndan me të të njëjtin cak.”

Po, kështu e përshkruan namazin Fet’hullah Gyleni... Namazi është miraxhi i besimtarit, mjeti që na mundëson arritjen te Zoti përmes rrugës më të shkurtër të mundshme, një nga pesë kushtet e Islamit, shtylla më e rëndësishme pas deklarimit të shehadetit. Aq i rëndësishëm është namazi, saqë mund të konsiderohet edhe si vëllai binjak i imanit. Vetëm se imani ka lindur pak para tij. Qëllimi është fitimi i kënaqësisë së Allahut, namazi është shkaku që bën të mundur arritjen e këtij qëllimi. Megjithatë, ekziston një vijë e hollë mes shkakut dhe qëllimit. “Në Kuran, namazi përmendet menjëherë pas çështjeve që i përkasin besimit. Edhe pse ne nuk mendojmë kështu për të tjerët, sahabët dyshonin në imanin e atij që nuk falte namaz.” Në këtë mënyrë e shpjegon autori vëllazërinë iman-namaz. Prandaj, sado shumë përpjekje të tregohet për namazin, sado të shumta të jenë vështirësitë përballë të cilave nxjerrim gjoksin, gjithmonë ia vlen.

Kushdo mund të flasë për namazin, por, ta dëgjosh atë nga njerëzit që janë bërë njësh me të, është krejtësisht tjetër gjë. Sa njerëz janë në gjendje t’i shprehin përvojat e përjetuara në namaz, ato çfarë ndiejnë

12 M. Fethullah Gylen

teksa qëndrojnë me përulje dhe gjithë respekt në praninë e Allahut? Sa njerëz mund të tregojnë se çfarë afërsie me Zotin kanë arritur të kapin nëpërmjet sexhdes? Sidomos në ditët e sotme, sa njerëz që janë në gjendje ta falin namazin ashtu siç duhet, duke i dhënë hakun atij, mund të hasim? Sa prej tyre arrijnë të bëhen shembull për të tjerët? Nëse namazi shpjegohet ashtu siç përjetohet, në përputhje me të vërtetën e tij, dhe jo nëpërmjet ca informacioneve të thata, kushedi sa e sa persona, deri më tani të huaj ndaj namazit, do të fillojnë të falin namaz. Madje do të ketë edhe nga ata që pandehin se i kanë falur namazet, por që do të thonë sërish ‘bismil’lah’ e do t’ia nisin edhe një herë nga e para. Ashtu siç gjen të barasvlershmin e tij në këto fjali:

“Gjatë namazit, besimtari është i këndellur në maksimum dhe gjendet i rrethuar nga paqja, qetësia e të qenit i drejtuar me gjithë zemër për nga Zoti i vet. Fundja, kjo është sjellja dhe qëndrimi që i shkojnë atij për shtat. Pakujdesia dhe hutesa, në asnjë mënyrë nuk mund të futen në ambientin e tij.”

“Gjatë kohës që është në kijam (qëndrimi në këmbë gjatë faljes së namazit), besimtarit do t’i vijnë në mendje gjithë këto mirësi të grumbulluara në shportën e tij dhe, gati për të dhënë llogari para Zotit në Ditën e Gjykimit, do ta imagjinojë veten përballë urdhrit ‘Jep llogari për frymët që ke marrë e ke dhënë gjatë gjithë jetës tënde!’”

“Besimtari, që, për të fituar atë që Zoti i ka premtuar, përmbush urdhrin dhe propozimin që po Zoti i tij i ka bërë, do të ndiejë një kënaqësi të ëmbël dhe të pakufí në të gjitha pjesët përbërëse të namazit. Sepse pas këtij premtimi fshihet fitimi i kënaqësisë së Allahut dhe soditja e bukurisë hyjnore.”

Ja pra, fryt i të tilla ndjenjave është libri që po mbani në duar. Më shumë se një libër ilmihali që përbëhet vetëm nga informacione dhe dije teorike, është një udhëzues që do të pasqyrojë frymën, shpirtin e namazit. Ndonëse nuk i përmban disa tituj që mund t’i hasim në një libër të zakonshëm ilmihali, është e mundur që, për ata që dëshirojnë ta falin namazin ashtu siç duhet, të gjenden një sërë njohurish të përgjithësuara.

Pjesa kryesore e librit përbëhet nga seria e ligjëratave të Fet’hullah Gylenit në lidhje me temën e namazit, të cilën e ka predikuar mes datave 11 gusht – 13 tetor të vitit 1978 në xhaminë e qendrës së Bornovës, në Izmir. Pas një shqyrtimi të detajuar, këto ligjërata u kthyen nga gjuha e folur në atë të shkruar. Më vonë, teksti i përftuar nga ligjëratat u pasurua me shtesa nga fjalime dhe shkrime ndër vite të Fet’hullah Gylenit në lidhje me namazin. Pjesët e grumbulluara, pas një klasifikimi të fundit, iu nënshtruan edhe korrigjimeve dhe rregullimeve përfundimtare. Në fund, pas një kontrolli edhe nga vetë Fet’hullah Gyleni dhe pas miratimit të tij, libri arriti në duart tuaja.

Me ndihmën e Zotit, duke filluar nga libri i namazit, kolanës së veprave të Fet’hullah Gylenit do t’i shtohet edhe ‘Seria e adhurimeve’, ndërsa ne, do të kemi mundësinë të përsiatim nga horizonti i të nderuarit Fet’hullah Gylen adhurimet, të cilat përbëjnë shtyllat e Islamit. Dëshirojmë që librat e tjerë të serisë, konkretisht Agjërimi, Zekati dhe Haxhi, t’i përgatisim sa më shpejt të jetë e mundur dhe t’ua paraqesim vlerësimeve tuaja.

Përpjekja nga ne, suksesi nga Allahu...

Shënimet

  1. 1.Libri i agjërimit është botuar edhe në shqip (Agjërimi - Adhurimi i Veshur me Falje).