Namazi0%

FRYTET E NAMAZIT

1. Frytet e namazit në aspektin individual

a. Të qetëson zemrën dhe të mundëson një paqe shpirtërore

Namaz do të thotë që njeriu të lajë e të shpëlajë zemrën dhe shpirtin pasi është pastruar nga papastërtitë e jashtme dhe të jetë gati për të dalë para Madhështisë së Allahut. Parë nga ky aspekt, ai është një adhurim i jashtëzakonshëm dhe i veçantë, i cili i mundëson njeriut arritjen e një qetësie shpirtërore. Falë namazit, robi ndihet i sigurt dhe gjen paqe në zemrën dhe shpirtin e tij, por edhe fiton kënaqësinë dhe pëlqimin e Zotit. Një person që nuk është në gjendje të gjejë paqe dhe qetësi në namaz, nuk mund t’i gjejë ato askund. Ai që nuk mund të arrijë në horizontin e paqes së vërtetë përmes rrugës së mesxhidit apo xhamisë, nuk mund të arrijë atje as nëpërmjet ndonjë rruge tjetër. Ne besojmë se njerëzimi do të gjejë paqen dhe qetësinë e vërtetë kur të gjithë njerëzit t’i kthehen plotësisht namazit. Për zemrat që digjen me dëshirën e zjarrtë për të përparuar sa më shumë shpirtërisht, falja e namazit pesë herë në ditë kryen detyrën e shkallëve që të mundësojnë ngjitjen në miraxh pesë herë në ditë dhe arritjen tek Allahu. Për këtë arsye, Profeti ynë (s.a.s.) e ka quajtur namazin ‘dritë e syve’. Bashkë me këto fjalë, Ai ka thënë edhe se namazi është ajo gjë që të jep qetësi, të freskon shpirtin dhe, ashtu si një mesazh që të vjen nga larg, ngjall te ti besim e të bën të ndihesh i sigurt.

Në Miraxh, në momentin kur u lartësua për të dalë para madhështisë së Allahut dhe kur po priste me padurim ardhjen e një lajmi të rëndësishëm, namazi i doli para Pejgamberit tonë (s.a.s.) si një surprizë dhe, kështu, u bë farz për umetin e Tij. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), pasi hyri në botën e gjallesave duke ndjekur rrugët trupore, u lartësua në fronin e përsosmërisë nëpërmjet rrugës engjëllore të të qenit rob i Allahut dhe kërkoi prej Tij një mjet shpëtimi për njerëzit e umetit, të cilët po bënin një jetë të kotë në tokë. Kështu, Allahu i Madhëruar i dha atij pesë namazet ditore. Në fillim, urdhri qe për pesëdhjetë namaze në ditë, por, me mendimin se kjo do të ishte e papërballueshme për umetin, numri i kohëve të namazit në një ditë u ul në pesë. Allahu ia bëri të ditur të Dërguarit të Tij se, nëse këto pesë namaze do të kryhen me besnikëri, shpërblimi i tyre do të jetë sa për pesëdhjetë.

Ja, pra, pesë namazet ditore të kësaj cilësie u bënë dritë për sytë e Profetit tonë (s.a.s.) dhe ata të pjesëtarëve të umetit të Tij. Ashtu siç u shndritin sytë përballë një lajmi që do t’i lehtësojë përbrenda prindërit që, të mbetur larg fëmijës së tyre, po digjen nga malli për të, po ashtu edhe namazi i lehtëson dhe i qetëson përbrenda besimtarët, i bën ata të ndihen të sigurt.

Po, namazi është një dhuratë që i është dhënë Pejgamberit tonë (s.a.s.) në Miraxh, në kuptimin “U bëftë dritë për sytë e tu!”. Prandaj besimtari, kur lidhet në namaz, përfshihet apo nuk përfshihet ndërgjegjja e tij, i ndien erërat e lëhtësimit që fillojnë të fryjnë brenda tij. Sado të hutuar të jemi, në të shumtën e rasteve, kënaqësinë që ndiejmë gjatë faljes së namazit nuk e ndiejmë në asgjë tjetër. Por, për fat të keq, kjo kënaqësi nuk vazhdon pandërprerë. Që të mos e harxhojmë që në këtë botë shpërblimin e adhurimeve të kryera ndaj Tij, Allahu Mëshirëplotë shumë herë nuk na e mundëson atë kënaqësi. Kur ta ndiejmë ama, dynjanë dhe çdo gjë tjetër përveç Allahut do ta përbuzim sikur të jemi duke e shtyrë me majën e këmbës dhe, ashtu si Junusi, do të themi “Të dua vetëm Ty!”.

Njërën anë të Islamit e përbëjnë urdhrat, ndërsa anën tjetër të tij, ndalimet. Si besimtarë, ne e organizojmë jetën tonë brenda kornizës së këtyre urdhrave dhe ndalimeve dhe përpiqemi ta ruajmë këtë vijë të drejtë nëpërmjet namazeve tona. Në vetvete, namazi është shprehje e gërshetimit me njëri-tjetrin të Emrave dhe Atributeve të Zotit të Madhërishëm dhe, në këtë aspekt, përbën një adhurim gjithëpërfshirës. Ai ka një natyrë urdhëruese, por edhe ndaluese. Mes gjërave për të cilat jemi urdhëruar t’i kryejmë, namazi është më i rëndi. Në të njëjtën kohë ama, nëse marrim parasysh lidhjen që mundëson mes Allahut dhe robit, mund të themi se namazi ka edhe një anë të ëmbël. Ata, të cilëve u qesh buza me harenë e botës hyjnore, në namaz ndiejnë gjëra që nuk mund t’i ndiejnë në adhurimet e tjera. Prandaj, kur dëgjohet thirrja për në namaz, vrapojnë për tek ai gjithë kënaqësi e entuziazëm. Për besimtarët, kjo situatë është si një proces shpëtimi pesë herë në ditë nga atmosfera mbytëse dhe dëshpëruese e jetës shoqërore, është si një proces shpëtimi që e lejon të marrë frymë lirshëm. Mesxhidet dhe xhamitë shndërrohen në vendet ku bëhen këto frymëmarrje e ku besimtarët lehtësohen, ndërsa tekbiret, tehlilet dhe tahmidet, të cilat lartësohen që aty drejt qiejve, bëhen shkak për tërheqjen e mëshirës dhe faljes së Allahut. Për këtë arsye, shikimet e besimtarit në namaz janë gjithmonë lart. Ai e fillon këtë rrugëtim duke thënë ‘Alláhu Ekber’ dhe duke iu drejtuar Zotit Bujar, të Cilin e di dhe e ndien në zemër si një Thesar të Fshehtë.

Një njeri që vjen para Allahut me këto kuptime, hapet ndaj botës së të fshehtave në çdo ajet që këndon. Perdet e syve të tij zhduken një nga një dhe, kështu, fillon t’i vëzhgojë të gjitha veçoritë e Xhenetit dhe Xhehenemit. Po të ngrihen lart perdet e syve të një njeriu, po t’i shfaqen atij flakët e zjarrit brambullues në njërën anë dhe, në anën tjetër, bahçet e Xhenetit, nëse ai njeri i ka dy pare mend në kokë, sigurisht që do ta braktisë rrugën e Xhehenemit dhe do të zgjedhë atë të Xhenetit. Edhe namazi, me kuptimin dhe natyrën e tij, i ngre lart perdet e syve tanë pesë herë në ditë dhe na bën t’i kthejmë shikimet për te bota e kuptimeve.

Ja, pra, ngaqë namazi shpreh të gjitha këto kuptime, zemra gjen qetësi dhe ndihet e sigurt në namaz. Prandaj, në kohën kur i nxehti i drekës fillonte ta humbte intensitetin e tij pak nga pak, Profeti ynë (s.a.s.) i drejtohej Bilalit (r.a.) jo me fjalët “Këndoje ezanin!”, po duke i thënë “Na fresko pak, o Bilal!”. Bilali e kuptonte shumë mirë atë që po i kërkohej. Menjëherë pas këtij urdhri, ngjitej në tarracën e mesxhidit dhe, me thirrjet “Alláhu Ekber, Alláhu Ekber”, të cilat do të vazhdojnë kështu deri në përjetësi, e çonte në këmbë Medinen e Shndritshme. Njerëzit vraponin drejt mesxhidit për t’u freskuar, për t’u ndriçuar nga brenda, që zemrat e tyre të gjenin qetësi, për t’u lartësuar drejt qiejve duke fluturuar me botët e tyre të ndjenjave dhe shpirtit. Qëllimi i ardhjes së tyre në mesxhid nuk ishte heqja e një barre nga shpina apo shpëtimi nga një përgjegjësi; ata kishin si qëllim marrjen e ushqimit të shpirtit dhe zemrës, pra, fluturimin lart e më lart nëpërmjet namazit. Edhe ne, në këtë mënyrë do ta shohim thirrjen e muezinit, brenda një atmosfere të këtillë do të vrapojmë drejt mesxhidit. Të vetëdijshëm për qetësinë e vërtetë shpirtërore që të mundëson qëndrimi me përulje para Allahut të Madhëruar, do të përpiqemi të kryejmë nëpërmjet namazit miraxhin, të cilin Profeti ynë (s.a.s.) e pati kryer në kuptimin e tij të vërtetë. Dhe kjo, pra, kryerja e namazit duke e ndier atë në këtë mënyrë, është gjëja kryesore. Omeri (r.a.), ngaqë i ndiente në këtë mënyrë namazet, sëmurej e bëhej për shtrat. Kështu ishte edhe Aliu (r.a.). Sipas një transmetimi, që të mund t’ia nxirrnin Aliut shigjetën që i ishte ngulur në trup, qe lidhur në namaz. Sepse, në ato çaste, kuptimet që ndiente në namaz e rrethonin nga të gjitha anët dhe, kështu, nuk e lejonin të ndiente gjë tjetër.

Po, kjo duhet të jetë përmendja e Zotit në përputhje me madhështinë e Tij. Zaten, edhe besimi këtë kërkon. Besimtari, duke jetuar brenda këtij botëkuptimi të thellë, do ta bëjë emrin e Zotit pjesë të çdo çasti të jetës së tij dhe do të jetojë një jetë si ajo e engjëjve. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë: “Xheneti është i rrethuar me gjëra që nuk i pëlqejnë nefsit, kurse Xhehenemi, me gjëra tërheqëse, që nefsi i dëshiron.” Rrjedhimisht, duhen përballuar disa vështirësi për të hyrë në Xhenet dhe duhet bërë durim ndaj disa gjërave epshore për të shpëtuar nga Xhehenemi.

Po, përmendja e Allahut, përkujtimi i Tij në çdo moment është një cilësi shumë e lartë. Në çdo namaz të xhumasë, imami na e rikujton këtë duke kënduar ajetin “Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve)!” teksa zbret nga minberi. Për një besimtar të vërtetë, harrimi i Allahut është diçka e padurueshme.

a.Për të siguruar paqen e zemrës

Kryerja e namazit me vetëdije do t’i sjellë regull jetës së çrregullt të besimtarit, zemrës së tij të rrëmujshme do t’i sjellë një ekuilibër dhe koherencë, do t’ia rigjallërojë ndjenjat e tij të mjera dhe do të hedhë dritë mbi anët e tij të turbullta. Dhe kështu, falë kësaj, besimtari do të gjejë mundësinë për të parë drejt, për të menduar drejt dhe për të folur drejt. Me lejen e Zotit, dalja para Tij dhe falja e namazit me vetëdije pesë herë në ditë do të bëjnë të mundur që njeriu t’i fitojë të gjitha këto.

Po, namaz i vërtetë është ai që kryhet nga besimtari me ndjenjën e hushú-së. Por, për të siguruar hushú-në, janë disa kushte që duhen plotësuar. Para së gjithash, nevojitet paqja e zemrës; pastaj, të kuptuarit e çështjes, mbështetja tek Allahu me besim e shpresë dhe, më pas, dalja para Tij gjithë turp e drojë.

Paqja e zemrës mund të arrihet nëse nuk dilet jashtë kuptimeve që shprehen nëpërmjet lëvizjeve që kryhen në namaz. Për shembull, pas qëndrimit në këmbë para Allahut për ca kohë, kalohet në ruku. Pse? Sepse nuk kemi më forcë të qëndrojmë në këmbë, prandaj. Pas rukusë, duke pranuar vogëlsinë tonë përballë madhështisë së Zotit dhe për ta shprehur atë para Tij, ulemi në sexhde. Ne themi “Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve.” që në fillim të namazit. Sepse Ai na ka mëshiruar duke na dhënë gjuhë, gojë e buzë, me të cilat mund të flasim e mund të shprehim dëshirat, kërkesat dhe shqetësimet tona. Ai gjithashtu na ka vendosur nyje në pjesë të ndryshme të trupit tonë, që ne të mund të ulemi, të ngrihemi e të lëvizim lehtësisht. Vlera e vërtetë e këtyre mirësive mund të mësohet vetëm kur të pyeten ata, të cilëve, pasi kanë qëndruar të shtrirë për ditë të tëra dhe kanë rënkuar me mijëra herë për shkak të dhimbjeve të belit dhe këmbëve, u është mundësuar sërish ngritja në këmbë, lëvizja e këmbëve dhe drejtimi i belit.

Në namaz mendojmë gjithashtu edhe për çastet kur, pasi të na ketë goditur putra e exhelit, do të jemi duke ecur në Urën e Siratit, nën të cilën lartësohen flakët e Xhehenemit. Mendojmë për njerëzit që, të tmerruar nga përballja me një situatë të këtillë, do të bien në sexhde dhe themi: “Zoti im! Vetëm fjala Jote vlen në këtë botë e në botën tjetër, Ti je Sunduesi i Ditës së Gjykimit! Përse të bëhem rob i të tjerëve atëherë, përse të adhuroj tjetërkënd? Unë vetëm Ty të adhuroj dhe ndihmën për të shpëtuar nga tmerret e kësaj bote dhe të botës tjetër vetëm prej Teje e kërkoj. Mos më bëj prej atyre që, duke devijuar nga rruga e të qenit rob i Yti, biejnë në herezi dhe, për rrjedhojë, turpërohen e bëhen rezil në të dyja botët!”

Po, paqja e zemrës është mosdalja jashtë këtyre kuptimeve që thuhen e shprehen në namaz. Sipas kuptimit të saj në arabisht, ‘huzur’ (paqe, qetësi shpirtërore) do të thotë ‘të jesh gati, të gjendesh i gatshëm’. Po të shprehemi në një mënyrë popullorçe, do të thotë të marrësh me vete në namaz zemrën, ashtu siç merr me vete kuletën kur shkon në çarshi apo pazar. Sepse nëse ka një akçe që vlen tek Allahu, ajo është zemra. Ju do t’ia jepni Atij zemrën tuaj dhe në këmbim do të merrni mëshirën dhe pëlqimin e Tij. Kur vjen puna te paqja dhe qetësia shpirtërore ama, ju nuk mund ta realizoni këtë allishverish nëse nuk e keni zemrën me vete. Me fjalë të tjera, zemra që, ndërkohë që po falet namazi, është duke bredhur nëpër pazar apo ka mbetur në shtëpi mes zërave të hareshëm të fëmijëve nuk është një akçe e vlefshme në këtë tregti. Në çastin që e ke përgatitur zemrën për namaz, do t’i bësh sytë katër dhe do të shtypesh nën madhështinë e gjërave që do të shohësh. Ndërsa këndon ajetet e Kuranit, do të kuptosh se, në emër të dijes dhe njohjes, je duke shëtitur nëpër brigje të pafund. Ato ajete do të të kapin nga dora dhe do të të udhëheqin drejt dijes dhe pasurisë së brendshme, do të të shëtisin nëpër brigje të panjohura për ty… Do të të shëtisin dhe, papritmas, do të të bëhet sikur gjëra në lidhje me njohjen e Allahut, që nuk i ke ditur më parë, po lindin e po vijnë nga një botë e ndryshme.

Dhe, kështu, ti do të endesh nëpër qiej e tokë, por, ndonjëherë, edhe në botën tënde të brendshme. Do të shohësh se si i gjithë rruzulli tokësor do të shndërrohet në një zemër të madhe dhe do të bëhesh i tëri veshë për të dëgjuar rrahjet e asaj zemre dhe zhurmat që nxjerr, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse përmendje të emrit të Allahut. Që aty do të kalosh te dielli dhe do të shohësh se edhe ai, si një zemër që tkurret e lëshohet duke thënë “Alláh”, orvatet të bëjë rrugën e tij brenda galaktikës së Rrugës së Qumështit.

Thënë më shkurt, bashkë me tiktaket e zemrës tënde, do të dëgjosh edhe të gjitha sistemet tek thonë “Alláh, Alláh” me pamjet e tyre mahnitëse; ndërsa shkon e vjen si një mëqik që udhëton mes këtyre sistemeve, do të formohet gjithashtu edhe një huall dijesh dhe, në këtë mënyrë, brenda teje do të lindin ndjenjat e respektit dhe nderimit. Mandej, do ta lëvdosh dhe do ta lartësosh Administruesin e këtij universi madhështor me fjalët “Alláhu Ekber”; do të thuash “Alláhu Ekber” dhe do të kalosh në ruku; do të thuash “Alláhu Ekber” e do të ulesh në sexhde; do të thuash “Alláhu Ekber” dhe do të ngrihesh nga sexhdeja…

Po, Allahu (xhel’le xheláluhu) është shumë i madh… Përmes këtyre fjalëve në namaz, robi dëshmon madhështinë e Tij, bëhet kundrues i kësaj madhështie. Madje, ndonjëherë, kjo madhështi e Tij e tmerron robin, e bën të përhumbet deri në atë pikë, sa të mos dijë çfarë të bëjë. Por, kur vjen në vete, qoftë edhe për një çast të vetëm, kupton se Zoti i Madhëruar, të Cilin e përshkruan si të Gjithëmëshirshëm dhe Mëshirëplotë që në fillim të namazit, e ka mbëshjellë atë me mëshirën dhe dhembshurinë e Tij, ashtu siç ka mbështjellë me to edhe çdo gjë tjetër të këtij universi. Madje i bëhet sikur Zoti është duke parë vetëm atë; “Vetëm mua po më shikon, mua po më dëgjon… Është përkthyes i emocioneve dhe ndjesive të mia në zërin dhe frymën time…” thotë. Përballja e tij me një shpresë të tillë në kohën kur bie në një frikë dhe ankth të kësaj derexheje është mëshirë për të. Kur t’i ndiejë këto kuptime, robi do të thotë “Shkela në këtë gosti dhe fitova miqësinë e Zotit tim; tashmë jam i magjepsur dhe i dehur me gjërat që më vijnë prej Tij.”, por, duke qenë se ai vetë nuk është në gradën e përkëdhelisë, do të kujdeset që të mos tregohet i paturpshëm. Sepse Ai është Krijuesi, kurse robi, i krijuari dhe ai që ia ndien nevojën mëshirës së Tij.

Shkurtimisht, besimtari duhet të ushqejë gjithmonë shpresën e arritjes së namazit të vërtetë. Për sa kohë vepron në këtë mënyrë, shpresohet që, nga mëshira e pafund e Zotit të Plotfuqishëm, atij t’i jepet sevapi i faljes së namazit të vërtetë. Ndoshta të gjithë ne mundohemi herë pas here dhe tregojmë përpjekje që në namazet që falim të arrijmë namazin e vërtetë. Edhe kur bëjmë një sexhde të vetme, duke thënë “Ah, sikur të kisha sukses në kryerjen e kësaj sexhdeje ashtu siç duhet!”, e vlerësojmë atë si një vrapim drejt të Dashurit. Por gjëja më e rëndësishme është të ndiejmë madhështinë e Allahut, me gjithë shkëlqimin e saj, në ndërgjegjen tonë në çdo moment; të ndiejmë vogëlsinë tonë në shpirtin tonë dhe, të kapluar nga këto ndjesi, të jemi në gjendje t’ia paraqesim Zotit kijamin, rukunë, sexhden dhe çdo pjesë tjetër të namazit tonë. Mendoj se vetëm një namaz i kryer në këtë mënyrë mund t’i bëjë shpirtin dhe zemrën të gjejnë drejtimin e duhur.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë: “Ka persona, të cilëve, pasi mbarojnë faljen e namazit, u shkruhet vetëm një e dhjeta e sevapit të namazit. Ka edhe persona të tjerë, të cilëve u shkruhet vetëm një e nënta, një e teta, një e shtata, një e gjashta, një e pesta, një e katërta, një e treta, gjysma.” Mirëpo, namaz quhet ai që i mundëson besimtarit sevapin e plotë. Dhe këtë e mundëson namazi që kryhet para Zotit me mendje dhe vetëdije. Allahu (xhel’le xheláluhu) na faltë e na mëshiroftë, na i shtoftë ndjenjat e përuljes, respektit dhe nderimit përkarshi Tij dhe i bëftë ato mbizotëruese të të gjithë qenies sonë! Na ardhtë në ndihmë me hapjen e dyerve të shpresës dhe me mundësimin e forcës për të kaluar nëpër to në çastet tona të dëshpërimit dhe të rënies në batakun e pesimizmit! Dhe mos na privoftë nga edukata dhe mirësjellja për asnjë çast, në mënyrë që të mos tregohemi të vrazhdë e të paedukatë para Tij!

b. Bën që ndjenjat e njeriut të marrin drejtimin e duhur

Njeriu tregohet ambicioz ndaj përfitimeve që mund të arrihen brenda një kohe shumë të shkurtër, kurse ndaj gjërave shumë më të mira se ato përfitime, por që kërkojnë më shumë kohë për t’u fituar, në të shumtën e rasteve tregohet indiferent. Kurani Famëlartë e shpreh këtë të vërtetë nëpërmjet ajetit “Vërtet që njeriu është i ngutur.”. Ndërsa në një ajet tjetër, thotë kështu: “Vërtet që njeriu është krijuar i paqëndrueshëm.” Kurse ajeti pasardhës i këtij të fundit është si vijon: “Kur e godet e keqja, ai ligështohet fort.”. Pra, kur i ndodh ndonjë fatkeqësi, fillon të ulërasë, të ankohet e të revoltohet, fatkeqësinë e tij e kthen në legjendë ngado që shkon dhe dëshiron t’i bëjë edhe të tjerët të qajnë me hallin e tij. Mirëpo, ngaqë tregohet i nxituar, nuk e di se ajo fatkeqësi mund të jetë në të mirën e tij. Nuk është në dijeni as të faktit se Allahu i Gjithëfuqishëm, që vëzhgon, kontrollon dhe drejton gjithçka, ia lëshon fatkeqësitë si shi mbi kokë, në mënyrë që ai të pastrohet nga gjynahet e të shëtisë serbes nëpër sipërfaqen e tokës. Por, duke qenë se është i varur ndaj marrjes së gjithçkaje paradhënie, as që bëhet fjalë për t’u treguar durimtar ndaj fatkeqësive. “Kur i bie e mira, ai bëhet koprrac.” Nuk lejon t’i ikë nga duart as edhe një qindarkë. Njëshin dëshiron ta bëjë një mijë.

Po, këto dhe ndjenja të ngjashme me këto, të vendosura në natyrën e njeriut, marrin drejtimin e duhur dhe, rrjedhimisht, përdoren ashtu siç duhen përdorur vetëm nëpërmjet namazit. Në fakt, qëllimi i tyre është ngritja e njeriut në gradën më të lartë të mundshme të përsosmërisë (a’láji il’lijjíni kemálát). Por njeriu, kur nuk arrin të ndërtojë një marrëdhënie mes vetes dhe Zotit, nuk është në gjendje të dijë se ku t’i përdorë ato. Kështu, për shkak të keqpërdorimit në këtë mënyrë të këtyre aftësive, njeriu, në vend që të ngjitet në gradën më të lartë të përsosmërisë, bie në gradën më të ulët (esfeli sáfilín).

Ndjenja e inatit për shembull, duke iu drejtuar Zotit të Madhëruar dhe duke qenë në rezonancë me mëshirën, mund ta ngrejë njeriun në gradën më të lartë (a’láji il’lijjín). Sepse kjo ndjenjë mundëson që njeriu të ngulmojë tek e drejta dhe e vërteta. Ai shtrëngon dhëmbët përballë dallgëve të mosbesimit që vijnë e përplasen me të dhe vepron në përputhje me urdhrin hyjnor: “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!” Kështu, inati kthehet në një virtyt të lartë dhe bëhet shkak për lartësimin e njeriut në pikën më të lartë të pjekurisë dhe përsosmërisë.

E njëjta gjë vlen edhe për pangopësinë. Njeriu mund t’i fitojë bukuritë shpirtërore vetëm në sajë të pangopësisë. Në fakt, kjo ndjenjë është bërë pjesë e natyrës së njeriut në mënyrë që ai të jetë në gjendje të fitojë cilësitë e njerëzve të lartë e të virtytshëm, të thellohet sa më shumë të jetë e mundur në adhurimin e Zotit të tij, madje, të mos dijë të ngopet në këtë pikë, të thotë “Zoti im! Sa i ëmbël është adhurimi Yt! Më mundëso të arrij lart e më lart!” dhe, si përfundim, të shtojë gradat e tij në Xhenet. Nëse një person jeton i shkëputur nga Allahu, këtë herë, pangopësia e tij do të kanalizohet për te dynjaja dhe bukuritë e saj tërheqëse, të cilat e largojnë njeriun nga Zoti i tij, dhe kjo nuk është gjë tjetër veçse një keqpërdorim i kësaj ndjenje. Po të zhytet një herë njeriu brenda këtij bataku, vështirë të dalë më që aty.

Përdorimi i këtyre aftësive për dynjanë, që nuk ka vlerë as krahu i një mize, apo për kënaqësitë e saj të vogla është një zhgënjim dhe një humbje në kuptimin e plotë të saj. Përkarshi kësaj gjendjeje të sëmurë e të tmerrshme, Kurani Famëlartë, duke thënë “Përjashtim bëjnë ata që falen e që janë të vazhdueshëm në faljet e tyre.”, na tregon udhën që duhet ndjekur dhe, kështu, na njofton se vetëm ata që falin namaz nuk do të bien në një situatë kaq të rrezikshme e, në të njëjtën kohë, të frikshme. Pra, do të thotë se ata që dalin para Zotit pesë herë në ditë, veçoritë e këqija të njeriut, ku mund të përmendim pangopësinë, inatin, urrejtjen dhe epshin, nuk do t’i përdorin për hesap të dynjasë, po, mbase, për hesap të botës tjetër.

c. Është një përgjigje ndaj ftesës hyjnore

Namazi, përveçse është një shkak për arritjen e qetësisë shpirtërore dhe ndjenjën e sigurisë, bart edhe kuptimin e një përgjigjeje ndaj ftesës së Zotit. Nëpërmjet ezanit, që lartësohet nga minaret e xhamive pesë herë në ditë, për të gjithë njerëzit lëshohet nga një ftesë. “Allahu është i madh, kurse ju, ju jeni ata që janë të vegjël. Për t’i përfituar ato gjëra për të cilat keni nevojë, dilni para Allahut, vraponi drejt mesxhideve ku do të shpërndahen shpërblimet, që të begatoheni e të gjeni shpëtim.” sikur u thotë atyre ezani.

Besimtari i përgjigjet kësaj ftese. Sepse kjo ftesë është ftesa e kauzës së tij. Me këtë gjendje, ai sikur dëshiron të thotë “Allahu im! Më ftove për në xhami pesë herë në ditë; më ftove dhe, ja, unë po i përgjigjem ftesës Tënde. Jo vetëm pesë herë, po, sikur edhe pesëdhjetë herë të më kishe thirrur, unë prapë do të vija.”. Kundrejt këtij nijeti të tij, Allahu i Madhëruar, duke thënë “Robi Im! E di nijetin tënd. Kështu që, edhe unë po të shpërblej me sevape sikur të kesh ardhur në xhami pesëdhjetë herë në ditë.”, shkruan për pesë namazet ditore të besimtarit sevapet e pesëdhjetë namazeve.

Sa i përket atij që nuk është besimtar, ngaqë nuk ia vë veshin ezanit që këndohet pesë herë në ditë dhe nuk i bashkohet faljes së pesë namazeve ditore, jeta i shkon kot dhe, për rrjedhojë, në fletoren e tij nuk shënohet asgjë në emër të punëve të mira dhe sevapeve. Besimtari zotëron një jetë të begatë dhe plot bereqet; ai mbjell një farë në arën e kësaj bote, por ajo që korr në botën tjetër është dhjetëfishi, njëqindfishi, shtatëqindfishi i asaj që mbjell. Sepse nijeti i tij është më i madh se veprat e tij. Do të thotë se, për aq kohë sa është i vetëdijshëm në çështjen e adhurimeve dhe të të qenit rob i Zotit, çdo fazë e jetës së tij, çdo pjesë e saj, dhe çdo vepër e kryer nga ana e tij kalon në llogari të adhurimeve.

Le të vijmë tani tek aspekti i kësaj ftese të shenjtë, që shikon nga Zoti i Madhëruar. Allahu (xhel’le xheláluhu), nëpërmjet namazit, na fton për te mëshira e Tij. Ashtu si ftuesi, i cili i pret te dera të ftuarit, pastaj i qeras me gjithë të mirat dhe, në fund, nuk i lejon të largohen duarbosh, po ashtu edhe Allahu, i Cili i fton në xhami njerëzit nëpërmjet zërit më të bukur – në Kuranin Famëlartë, aty ku shpjegohet ezani, thuhet “E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt Allahut?” – dhe që lartësohet nga majat e minareve pesë herë në ditë, nuk do t’i kthejë duarbosh ata që vijnë aty; do t’iu mundësojë shpirtrave dhe zemrave të robërve të Tij ushqim nga mirësitë, bujaria dhe mëshira e Tij e pafund, do t’ua ngrejë atyre perdet e syve dhe, duke u mundësuar pamje dhe pasqyrime të botës hyjnore, do t’i nderojë ata me privilegjin e kryerjes së miraxhit, qofshin apo jo të vetëdijshëm për këtë robërit e Tij. Kur t’i përgjigjet kësaj ftese dhe të dalë para Zotit, robi do të dëshmojë se namazi i tij është shndërruar në një shkallë që e lartëson atë lart e më lart. Aq sa, nga pika më e lartë e tyre, do të jetë në gjendje të vëzhgojë Zotin e tij.

Përderisa i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka mundur të shohë Zotin e Tij në Miraxh, të njëjtën të vërtetë do ta përjetojë në namaz edhe robi. Sepse Lajmdhënësi Fjalëdrejtë (s.a.s.) na ka urdhëruar kështu: “Kur të vijë te ju fisniku (i pari) i një fisi, respektojeni dhe qeraseni atë.” Shpirtrat dhe zemrat që i kanë besuar Allahut janë krijesat më fisnike të rruzullit tokësor. Sepse nuk i kanë bërë shirk Allahut, nuk i kanë bërë sexhde askujt tjetër dhe i janë përgjigjur ftesës së dërguar me këndimin e ezanit. Shpresojmë me gjithë zemër që Allahu, i Cili e bëri të Dashurin e Tij të Virtytshëm (s.a.s.) të flasë në këtë mënyrë, të mos i privojë nga kjo mirësi ata që dalin para Tij duke iu përgjigjur kësaj ftese të dërguar nga Ai vetë.

d. Është bashkëbisedim me Zotin

Namazi është dorëzimi ndaj një Qenieje, fuqia dhe forca e të Cilit është e pakufi, është mbështetja tek Ai dhe pritja e zgjidhjes së meseleve prej Tij. Kur kishte ndonjë problem serioz që e dëshpëronte, i shkaktonte shqetësime dhe që e linte në mëdyshje, Profeti ynë (s.a.s.) ngrihej për të falur namaz, qëndronte me përulje para Zotit dhe, kësisoj, zemra e tij paqësohej e gjente qetësi. Sepse ishte Allahu i Madhëruar Ai që e kërkonte këtë gjë. Ajeti “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.” e urdhëron këtë. Domethënë, “O ju, që thoni se i keni besuar Allahut! Kur të përballeni me ndonjë vështirësi, kur problemet tuaja në lidhje me këtë botë të jenë bërë grumbull dhe të jenë në pritje të zgjidhjeve të tyre, që të shpëtoni nga shqetësimet që ju kanë mbërthyer dhe që të ndiheni sërish të çliruar e të lehtësuar, ejani para Allahut, lidhuni në namaz dhe lutjuni Atij. Sepse namazi, për njeriun që përpëlitet brenda dobësisë dhe varfërisë së tij, do të thotë shprehje e kësaj dobësie dhe varfërie duke qëndruar gjithë respekt dhe me përulje përballë Atij që zotëron forcën dhe fuqinë e pafund.”

Ja pra, në këtë kuptim, namazi është një pozitë e lartë, nga ku njeriu mund të bashkëbisedojë me Zotin e Madhëruar. Falë veprimeve që bën në namaz dhe ajeteve e lutjeve që këndon gjatë faljes, kalon në një marrëdhënie zemre me Allahun dhe bisedon me Të; herë gjendet në pozicionin e atij që flet, herë në atë të dëgjuesit. Në një hadith të shenjtë (kudsí), që e kemi përmendur edhe më parë, kjo e vërtetë shprehet kështu:

Allahu (xhel’le xheláluhu) thotë: “Unë e kam ndarë kiraetin në dy pjesë mes vetes sime dhe robit tim; gjysma më përket mua, gjysma tjetër i përket atij. Robit tim i është dhënë ajo që ka kërkuar. Kur robi thotë ‘Falënderimet dhe lavdërimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve.’, Allahu i Madhëruar thotë ‘Robi im më falënderoi.’. Kur robi thotë ‘Ai është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.’, Allahu thotë ‘Robi im më lavdëroi.’. Kur robi thotë ‘Ai është Sunduesi i Ditës së Gjykimit...’, Allahu thotë ‘Robi im më lartësoi e më madhëroi.’. kur robi thotë ‘Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.’, Allahu thotë ‘Kjo është (një marrëveshje) mes meje dhe robit tim. Robit tim ia dhashë atë që dëshiroi.’. Kur robi thotë ‘Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në atë të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në atë të atyre që janë të humbur!’, Allahu (xhel’le xheláluhu) thotë ‘Edhe kjo i përket robit tim; robit tim i është dhënë ajo që dëshiron.’.”

Me pak fjalë, në namaz, robi do të vijë ballë për ballë me Zotin dhe, në varësi të thellësisë së zemrës, sinqeritetit të fjalëve dhe forcës bindëse të veprimeve të tij, do të marrë shpërblimin që meriton. Këtë gjë na e ka premtuar vetë i Plotfuqishmi Allah.

e. E mban njeriun larg imoraliteteve

Namazi është dalje para Allahut të Madhërishëm pesë herë në ditë, për të dhënë llogari për jetën. Me fjalë të tjera, namaz do të thotë të ndiesh në çdo çast frymën e Azrailit (a.s.) pas vetes tënde, kurse nga para, të ndiesh gjykimin e Zotit në lidhje me ty. Të dalësh para Allahut i përulur dhe me duart të lidhura para vetes, të mendosh sikur po strehohesh në dergjahun e Zotit për t’i shpëtuar kurtheve të shejtanit në të majtën tënde, sikur po kalon nën mbrojtjen e engjëjve në të djathtën tënde. Ja, pra, namazi i kryer në këtë kuptim është ai që e mban njeriun larg të keqes dhe imoraliteteve. Sepse një namaz i kryer në këtë kuptim do të thotë të shpëtosh nga gjynahet dhe të meritosh daljen para Allahut pesë herë në ditë. Në këtë pikë, është e pamundur të gjesh arsye apo ndonjë justifikim të logjikshëm për të hyrë në mëkat e për t’u përlyer me papastërtitë dhe ndryshkun e dynjasë.

Në Kuranin Famëlartë, Allahu (xhel’le xheláluhu) thotë kështu: “Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar.” Shthurja, veprat e shëmtuara dhe imoralitetet janë pesha të rënda, të cilat, me anët e tyre të liga e ogurzeza, i bëhen pengesë besimtarit në kryerjen e asaj që është themelore për të, pra, në kryerjen e miraxhit dhe daljen para Zotit, dhe, rrjedhimisht, janë mëkate që Allahu nuk i do. “Në çdo mëkat gjendet një rrugë që të çon drejt mosbesimit.” Sipas kësaj, një njeri që e lëshon veten në batakun e mëkateve, i largohet Allahut dhe i afrohet shejtanit në masën e kësaj zhytjeje të tij. Me fjalë të tjera, do të thotë të humbasësh nëpërmjet mëkateve afrimitetin me Zotin, të cilin e ke fituar përmes namazit; do të thotë që, për gjëra të kota e të pakuptimta, të biesh, madje me kokë, nga maja e shkallëve që ke ngjitur hap pas hapi. Pra, besimtari, i cili ka si ideal fitimin e afrimitetit me Allahun dhe që vrapon pas këtij ideali, duhet t’u rrijë larg shthurjes dhe imoraliteteve, të cilat nuk shërbejnë për gjë tjetër veçse për ta larguar njeriun nga Zoti, dhe t’u frikësohet zhytjes në to – nëse do të përdornim shprehjen e përdorur në një hadith autentik – ashtu siç i frikësohet hedhjes në zjarr.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë: “Kush i ka këto tri cilësi, e ka ndier shijen e imanit. Një: Ta duash Allahun dhe të Dërguarin e Tij më shumë se çdokush dhe çdo gjë tjetër. Dy: T’i duash të dashurit e tu vetëm për hir të Allahut. Tre: Pasi të është mundësuar nga ana e Allahut shpëtimi prej mosbesimit dhe nderimi me pranimin e fesë së Islamit, t’i frikësohesh kthimit në mosbesim siç i frikësohesh hedhjes në zjarr.” Atëherë, do të thotë se ata që e kanë ndier shijen e imanit, kur të ekspozohen ndaj kufrit dhe gjërave që të çojnë drejt tij, do të ndihen sikur po futen në zjarr. Dhe, për të shmangur kthimin edhe një herë në të, do të bëjnë gjithçka që është e mundur të bëhet. Ja, pra, kryerja e namazit me këtë frymë dhe vetëdije do të thotë të qëndrosh i përulur përballë Zotit dhe të ripërtërish fjalën e dhënë, do të thotë të forcosh lidhjet me Allahun. Kjo, në vetvete, është shumë e lehtë. Por, për ata që nuk arrijnë ta kapin thelbin e kësaj çështjeje, është më se e vështirë. Ashtu siç bëhet shkak falja e namazit për arritjen e një afrimiteti me Allahun, edhe braktisja e faljes së namazit është një shkak për rënien në shirk dhe mosbesim. Profeti ynë (s.a.s.) thotë: “Mes robit dhe shirkut e kufrit është vetëm braktisja e namazit.” Kurse në një hadith tjetër, na urdhëron kështu: “Kushdo që e fal namazin tonë, që kthehet nga kibla jonë dhe ha nga ajo që hamë ne, është mysliman dhe është nën mbrojtjen e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij. Mos e nënvlerësoni mbrojtjen e Allahut.” Ashtu si jomyslimanët, të cilët, duke pranuar pagesën e xhizjes ndaj një administrate islame, hynin nën mbrojtjen e asaj administrate dhe përfitonin nga të gjitha të drejtat që gëzonin edhe shtetasit myslimanë të saj, edhe myslimani, duke iu kthyer kibles dhe duke kryer namazin, hyn nën mbrojtjen e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij. Askush nuk mund ta prekë më atë. Keqtrajtimi dhe mizoritë e bëra ndaj personit që është marrë nën mbrojtjen e dikujt konsiderohen të kryera drejtpërdrejt ndaj këtij të fundit!

Pra, për njeriun që e ka pranuar mbrojtjen e Allahut, do të thotë se, duke tërhequr një perde mes vetes dhe dyshes mosbesim-shirk në sajë të simboleve të Islamit, ka hyrë nën një mbrojtje shumë të madhe.

f. Të kujton kushtet e besimit

Namazi është një poemë e kushteve të besimit. Para së gjithash, ai vendos një marrëdhënie mes robit dhe Allahut. Kur lidhet në namaz duke thënë ‘Alláhu Ekber’, robi hedh prapa krahëve çdo gjë që mund ta largojë atë nga Zoti dhe, duke ia ngulur sytë shtigjeve të botëve shpirtërore, fokusohet te gjërat që do t’i vijnë prej andej. Ai gjithashtu e di me siguri se çdo gjë që del nga goja e tij gjatë faljes së namazit, çdo gjë që përjeton brenda tij në trajtën e ndjenjave dhe emocioneve ka aftësinë për t’u ngjitur tek Allahu si një fjalë e mirë, e bukur dhe e këndshme. Ajeti “Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli?” këtë të vërtetë shpreh. Në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar thotë kështu: “Tek Ai ngjiten fjalët e bukura, ndërsa veprën e mirë Ai e ngre Vetë (Punët e mira dhe të pranuara ia shtojnë vlerën fjalëve të mira).”

Duke i mbyllur sytë ndaj gjërave të kësaj dynjaje, robi shndërrohet në një kundrues të vetëm asaj bote dhe e kryen namazin me kënaqësi… E kryen ashtu namazin sepse ka një kënaqësi të veçantë në dridhjet e robit me ndjenjën e hushú-së kur kupton vogëlsinë dhe varfërinë e tij përballë madhështisë së Zotit të Madhëruar.

Edhe kur thotë “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.”, përveçse e pranon Allahun si të Adhuruarin Absolut, shpreh edhe paaftësinë e tij për ta adhuruar Atë ashtu siç e meriton. I vetëdijshëm për dobësinë dhe varfërinë e tij, strehohet tek Ai dhe thotë: “Zoti im! Ty po të adhuroj. Në qafë kam zinxhirin që të përket Ty, ndërsa në veshë po mbaj vathët e dobësisë dhe varfërisë, të cilët, po ashtu, të përkasin Ty. Unë jam një rob, ama kjo është një robëri e nderuar për mua, sepse jam robi Yt!”

Po, Allahu (xhel’le xheláluhu) është Sulltani i Sulltanëve, kurse ne jemi shërbëtorët e asaj dere dhe këtë e shprehim – bashkë me namazet sunet – dyzet herë në ditë, kur ulemi në teshehud. Duke thënë “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut.”, pranojmë dhe deklarojmë se Allahu është i Adhuruari dhe i Dëshiruari i Vërtetë, se Ai është Sunduesi i Plotfuqishëm dhe i Pashoq dhe se në duart e Tij janë frerët e gjithçkaje.

Në namaz bëhet gjithashtu edhe deklarimi i besimit në profetët. Kur themi shehadetin, duke thënë “Ue eshhedu enne Muhammeden abduhu ue rasúluhu” , duke përmendur emrin e atij Profeti Famëlartë dhe duke dëshmuar për profetësinë e Tij, dëshmojmë po ashtu edhe për profetësinë e të gjithë profetëve që kanë ardhur e ikur që nga koha e Ademit (a.s.) deri në atë të Profetit tonë (s.a.s.). Këto fjalë, ndonjëherë na çojnë në anijen e Nuhut (a.s.), një herë tjetër na çojnë në malin Tur, pranë Musait (a.s.), ndonjëherë na çojnë pranë Mesihut (a.s.), i cili na shfaqet në trajtën e një misteri qiellor dhe ndonjëherë tjetër na çojnë pranë Muhamedit (s.a.s.), tek i Cili, në një aspekt, mund të vërehen të gjitha veçoritë e profetëve të mëparshëm. Po, këto fjalë na çojnë te secili prej tyre dhe na sjellin përsëri aty ku jemi fizikisht. Dhe, sikur të kishim dalë para Tij e të ishim ulur gju më gju me Të, themi: “ O profet, që nuk kam mundur të të kuptoj siç duhet e që na e ke bërë veten të njohur si ‘Muhammedun Rasúlulláh’, sepse ashtu të pati mësuar Allahu! Po të paraqes përshëndetjet e mia, të cilat janë sa numri i grimcave të trupit tim. Të lutem, pranoji ato!”. Po, themi kështu dhe i japim selam.

Në dashtë Zoti, falë besimit në profetët, ne nuk do ta shohim më të kaluarën si një botë errësirash, kurse në të ardhmen, duke i kaluar me shpejtësinë e rrufesë edhe fazat më të vështira të saj, do të arrijmë në vende ku mbizotëron paqja.

Në të njëjtën mënyrë, ne kujtojmë gjatë faljes së namazit edhe besimin në engjëjt. Në sajë të besimit në ekzistencën e tyre, ne nuk ndihemi kurrë vetëm. Gjithmonë mendojmë se, kudo që të jemi e ngado që të shkojmë, do t’i kemi pranë si miq besnikë e mirënjohës, se na tregojnë rrugët që të çojnë për tek e drejta dhe se na i bllokojnë rrugët e shtrembra. Ky besim i yni tek ata do të na mundësojë këtu qetësinë shpirtërore dhe paqen e zemrës, kurse në lidhje me botën tjetër, do të mbjellë te ne përfytyrimet e hyrjes në Xhenet ashtu siç u ka hije mbretërve, duke kaluar nën harqe triumfi dhe mes kordonëve të engjëjve në pritje të ardhjes sonë.

Kur themi “Ai është Sunduesi i Ditës së Gjykimit.”, kujtojmë ditën kur do të japim llogari para Allahut, i Cili është Zoti dhe Sunduesi ynë në këtë botë dhe që do të jetë Zoti dhe Sunduesi ynë edhe pas vdekjes sonë. Në atë ditë, askush nuk do të jetë në gjendje ta quajë të keq atë që Ai do ta quajë të mirë dhe askush nuk do të jetë në gjendje ta quajë të mirë atë që Ai do ta quajë të keq. Kur themi “Udhëzona në rrugën e drejtë!”, kujtojmë Islamin, këtë fe të pastër e të qartë, bashkë me dispozitat dhe përmbajtjen e Kuranit, si dhe kërkesat e tyre ndaj nesh.

Po, të gjitha këto na kujtohen gjatë faljes së namazit, kësaj poeme të kushteve të besimit. Mundet që edhe të mos e dimë atë që duhet sjellë në mendje dhe duhet ndier në ruku, sexhde apo teshehud, mundet që edhe të ulemi e të ngrihemi si të hutuar. Porse Allahu, nëpërmjet fermanit të Tij hyjnor, e ka formuluar në trajtën e një sistemi ndjenjën e adhurimit që fryhet brenda nesh dhe, duke e futur atë në forma e kallëpe të caktuara, na thotë: “Ju do të fitoni kënaqësinë Time vetëm nëse do të veproni në këtë mënyrë.”.

g. Është shlyerje për mëkatet

Namazi, nëse kryhet ashtu siç duhet dhe në përputhje me kuptimin që ai bart, – siç thuhet edhe në shumë hadithe – ia fshin mëkatet robit dhe e pastron atë. Sepse në namaz, pendimi bëhet pjesë e ndërgjegjes. Pra, edhe pse pendimi i bërë nëpërmjet namazit nuk është i qëllimshëm dhe i vullnetshëm, njësimi i tij me një namaz të falur sipas mënyrës që na kërkohet dhe dalja para Allahut me këtë njësim krijojnë te njeriu një vetëdije në emër të pendimit.

Nga ana tjetër, namaz do të thotë pendesë e plotë. Aq shumë ka depërtuar pendesa në shtyllat dhe pjesët e tjera përbërëse të namazit, saqë është pothuajse e pamundur që namazi dhe pendesa të merren në konsideratë veç e veç. Jo çdo pendesë është namaz, sigurisht; ama çdo namaz i falur në mënyrë të vetëdijshme është njëkohësisht edhe një pendesë. Mirëpo, që namazi të japë një efekt të këtillë, fillimisht duhet që ai të kryhet ashtu siç na është kërkuar ta kryejmë.

Këtu dëshiroj t’ju tërheq vëmendjen në një pikë, e cila mund të kuptohet fare lehtë nga hadithet në lidhje me temën në fjalë: Po të dojë, Allahu i Madhëruar mund t’i falë mëkatet në çdo namaz. Ama, që kjo gjë të shndërrohet në një ftesë serioze për faljen e mëkateve, vuajtjen e mëkatit të tij robi duhet ta ndiejë në zemër përgjatë njëzet e katër orëve të ditës. Përkarshi mëkatit të kryer në atë ditë, e gjithë dita duhet të kalojë me teube. Dhe robi duhet ta kërkojë dhe të përpiqet ta gjejë pranimin e kësaj pëndese në të gjitha namazet e asaj dite. Për ata që e kalojnë çdo ditë të tyren në këtë mënyrë, kryerja e namazit me një vetëdije të këtillë është një mirësi më vete. Ashtu siç nuk dihen me saktësi nata e Kadrit brenda muajit të Ramazanit dhe koha e lutjeve të pranuara brenda ditës së Xhuma, urtësia e të cilave qëndron në vlerësimin maksimal të të gjithë muajit të Ramazanit dhe të të gjithë ditës së Xhuma, po ashtu na është fshehur edhe namazi që do të bëhet shlyerje për mëkatet, që njeriu ta kërkojë këtë në çdo namaz, që t’i kryejë të gjitha namazet me këto ndjenja dhe, në fund, të mbledhë frutat e shlyerjes së mëkateve në cilindo namaz të tijin.

h. Të afron tek Allahu

Namazi është shkaku më i madh i afrimit me Zotin. As që bëhet fjalë që robi t’i afrohet Zotit të tij me diçka më të këndshme se sexhdeja. Pejgamberi ynë (s.a.s.) e shpreh këtë me fjalët “Robi është më afër Zotit të tij kur ndodhet në sexhde. Kështu që, bëni shumë dua (në sexhde).”. Besimtari, nëpërmjet një sexhdeje gjatë së cilës zemrën mund t’ia shohë vetëm Allahu, aq shumë i afrohet Zotit të tij, saqë shejtani, pasi përballet me këtë tablo të besimtarit, fillon të largohet me vrap e duke ulëritur. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), këtë gjendje të shejtanit e shpreh kështu: “Nëse i biri i Ademit bën sexhde kur lexon një ajet sexhdeje, shejtani largohet duke qarë e duke thënë ‘Sa keq për mua! Njeriu u urdhërua për të bërë sexhde dhe e bëri atë. Në këmbim, do të ketë Xhenetin. Edhe unë u urdhërova për të bërë sexhde, por nuk e bëra atë. Për mua do të ketë zjarr.’”

Kështu, besimtari në asnjë mënyrë nuk duhet t’i rrijë larg namazit, këtij adhurimi që e largon kaq shumë shejtanin prej tij dhe që e afron atë kaq shumë me Zotin. Veçanërisht ai duhet t’i kushtojë rëndësi sexhdes. Duhet të shfrytëzojë çdo rast që i jepet për të vënë kokën në tokë para Zotit e për t’i shprehur Atij hallet e veta. Duhet t’ia hapë Atij zemrën duke thënë “Zoti im, askush nuk m’i dëgjoi britmat e zemrës, askush nuk mundi të bëhej derman i derteve të mia… Prandaj po dal para Teje e po t’i qaj Ty hallet e mia!”. Zaten, me fjalët “Subháne Rabbijel A’lá”, “I madhëruar (dhe larg çdo të mete) është Zoti im i Lartë.”, të cilat i thotë në sexhde, sikur dëshiron të shprehë këto kuptime: “Zoti im! Unë i kam bërë keq vetes sime! Pavarësisht vogëlsisë sime dhe vendit të vogël që zë në gjithë këtë univers, krimet që kam kryer, mëkatet që kam bërë janë të mëdha. Por, në këtë moment, tani që ndodhem përballë madhështisë Tënde, po e thyej krenarinë time, po strehohem te Ti dhe po e vë kokën në tokë. Më fal! Sepse nuk ka kush të më falë tjetër përveç Teje. Ti je mbikëqyrës, Ti je dëshmitar i gjithçkaje. Edhe pse jam mëkatar, nuk kam trokitur në derën e askujt tjetër, nuk kam bërë ruku e nuk kam rënë në sexhde para këmbëve të të tjerëve. Ndoshta më janë përzier në çdo gjë timen, ama unë nuk kam përzier askënd në sexhden time. Atëherë kur shejtani iku duke ulëritur, unë iu binda urdhrit Tënd ‘Andaj, ikni (prej dënimit) drejt (shpërblimit të) Allahut!’, po arratisem drejt Teje. Te Ti strehohem, te Ti mbështetem!”

Po, namazi që na afron me Zotin, është adhurimi më i madh dhe – ashtu siç dëshmojnë edhe engjëjt – adhurimi që mund të bëhet shkak për faljen tonë. Engjëjt e nderuar, ndërrimin e detyrave mes shoqishoqit e bëjnë në kohët e namazit pikërisht për shkak të kësaj vlere të namazit. Në një hadith autentik, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka thënë kështu: “Ditën dhe natën, një pjesë e engjëjve gjenden mes jush me radhë. Këta mblidhen në kohët e namazit të sabahut dhe të ikindisë. Pastaj, engjëjt që ju ndjekin gjatë natës, ngjiten lart (për të dhënë llogari para Allahut në lidhje me ju). Allahu, i Cili e di shumë mirë gjendjen tuaj, i pyet këta engjëj: ‘Si i latë robërit e mi?’ Engjëjt përgjigjen në këtë mënyrë: ‘Ne i lamë ata kur po falnin namazin. Zaten, edhe kur patëm shkuar pranë tyre, duke falur namaz i patëm gjetur.’”

Ja, pra, ky është namazi, kuptimi dhe përmbajtja e të cilit është me kaq shumë peshë, pjesët e të cilit kryhen si adhurime më vete nga bashkësi engjëjsh në qiej, detyra që iu dha të Dërguarit në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa asnjë ndërmjetës. Të gjitha adhurimet e tjera, Profetit tonë (s.a.s.) i janë përcjellë nëpërmjet Xhibrilit; për namazin ama, nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Namazi është dhurata që Allahu i Madhëruar ia paraqiti Pejgamberit tonë (s.a.s.) në Miraxh pa ndërmjetësimin e askujt. Prandaj, kur kryhet me besnikëri, – siç ka thënë edhe Profeti ynë (s.a.s.) – namazi i mundëson njeriut sevapin e pesëdhjetë kohëve.

Pavarësisht vogëlsisë, mangësive dhe prirjes së njeriut për të rënë në esfeli sáfilín, namazi e sjell atë në çast para Allahut (xhel’le xheláluhu) dhe e bën bashkëbisedues të Tij. Nëse lejohet të bëhet një krahasim i tillë, robi në namaz i futet një pazarllëku me Allahun; ndonjëherë flet ai, ndonjëherë flet Zoti dhe ndonjëherë atyre u bashkohen edhe engjëjt. Kur vjen në namaz, robi sikur thotë: “O Krijuesi im! O Zoti im, që më pranon, më jep mundësinë për t’u drejtuar Ty dhe më nderon nëpërmjet bashkëbisedimit Tënd pavarësisht vogëlsisë sime! I mbushur me respekt përkarshi Teje, dua të bëj diçka. Si mund ta shpreh mirënjohjen time për të gjitha mirësitë dhe begatitë që më ke dhënë, me çfarë mund të të paguaj për to? Nuk po mundem të gjej asgjë brenda meje, që të jetë në gjendje të bëhet përkthyes i gjithë këtyre mirësive. Më jep një gjuhë, më mundëso një frymë, që të jem në gjendje të të lavdëroj dhe të shpreh mirënjohjen time, falënderimet e mia ndaj Teje! Ashtu siç e lavdëron Ti Veten Tënde.”

Kësaj dëshire të robit, Allahu i Madhëruar i përgjigjet në këtë mënyrë: “Me dorën e Muhamedit, të kam dhënë namazin, si një gjuhë që zgjatet nga Miraxhi; me gjuhën e namazit do t’më flasësh, respektin që ke ndaj meje nëpërmjet tij do e shprehësh. Çdo pjesë e tij do të marrë trajtën e një gjuhe dhe, me to, do të përmbushësh detyrën e falënderimit për mirësitë që të kam dhënë.” Pas kësaj bisede, robi, herë duke qëndruar në këmbë, herë duke u përkulur në ruku dhe herë duke rënë në sexhde, do të shprehë mirënjohjen dhe falënderimet ndaj Zotit. Dhe, në fund, thotë: “Zoti im! Duke më vënë në trup me qindra nyje dhe duke ma bërë atë si një makineri, më dhe mundësinë për të të treguar Ty ndjenjat e mia të respektit dhe hushú-së në namaz. Për këtë arsye, ndiej një respekt akoma më të madh ndaj Teje, si dhe dua të të nderoj, lartësoj e lavdëroj. Pranoje edhe këtë si një qëllim timin!”

Shkurtimisht, mund të themi se namazi, me të gjitha pjesët e tij, bëhet përkthyes i shqetësimeve të brendshme të robit, i derteve që ai nuk është në gjendje t’i shprehë. Zoti i Madhëruar i dëgjon zërat që vijnë nga ato gjuhë dhe thotë: “Robi im më bëri sexhde, robi im u përkul para Meje, robi im e përmbushi detyrën e robërisë së tij ndaj Meje.” E, në fakt, arritja e kësaj gjendjeje është një qëllim i epërm për njeriun. Le të shpresojmë që Zoti i Plotfuqishëm t’ua mundësojë të gjitha ndërgjegjjeve të pastra e të dëlira një miraxh të tillë në namaz; kurse njerëzve që janë bërë si të huaj ndaj adhurimeve, që e falin namazin si të ishte një barrë e rëndë që duhet hequr qafe dhe që e shohin kryerjen e tij thjesht një formalitet, këtyre u mundësoftë ndierjen e kuptimit të vërtetë të namazit!

2. Frytet e namazit në aspektin shoqëror

Islami është një fe gjithëpërfshirëse. Për këtë arsye, ndërkohë që nga njëra anë u bën thirrje të gjithë popujve për t’u bashkuar para Allahut, nga ana tjetër, kërkon që myslimanët të kenë një unitet mes tyre dhe të kenë me njëri-tjetrin një afrimitet vëllazëror. Ajeti “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër…” këtë të vërtetë shpreh. Namazi, i cili është nga bazat më të rëndësishme të Islamit, jo vetëm që siguron marrëdhënien dhe komunikimin mes robit dhe Zotit, por mundëson gjithashtu edhe dialogun midis njerëzve, madje, në mënyrën më të mirë të mundshme. Në këtë aspekt, pra, mund të themi se namazi ka edhe një frymë shoqërore. Xhamia, ku besimtari takohet me vëllezërit e tij të fesë pesë herë në ditë, nuk është vetëm një vend adhurimesh; Profeti ynë (s.a.s.), sapo e nderoi Medinen e Ndritur me praninë e Tij, iu përvesh punës për ndërtimin e një mesxhidi, i cili do të shërbente edhe si një vend ku do të mund t’i kryenin kolektivisht adhurimet ndaj Allahut, edhe si një vend ku do të zhvilloheshin mbledhjet e këshilltarëve ushtarakë e civilë për të shqyrtuar çështjet e ndryshme të shtetit, edhe si një vend ku pjesëtarët e umetit, të ulur në hallka njëra pas tjetrës, do të lëvronin dijen. Kjo praktikë, pas Pejgamberit tonë (s.a.s.), është pranuar si një sunet. Dhe, me të vërtetë, po të shohim periudhat e hershme të Perandorisë Osmane, do të vërejmë se situata nuk është dhe aq e ndryshme nga kjo që sapo përmendëm. Po të ishte e mundur gjetja e një rruge që do të na çonte pas në kohë dhe të shkonim në Bursa, do të shihnim atje Mehmet Çelebiun, Muratin I (Murat Hudavendigar) dhe shumë sulltanë të tjerë të mblidhnin këshillin ushtarak në njërën anë të mesxhidit dhe këshillin civil në anën tjetër të tij për të zgjidhur problemet e ndryshme e për të përcaktuar strategjitë e shtetit nën zhurmën e ëmbël të ujit që rrjedh nga shatërvanët. Kur këndohej ezani, ata vraponin drejt shatërvanit, merrnin abdes, falnin namazin dhe, pasi mbaronte falja, uleshin për të diskutuar në lidhje me çështjet që prisnin një zgjidhje. Në të njëjtën kohë, me daljen para Allahut pesë herë në ditë duke thënë “Allahu është i madh.”, bënin një parapërgatitje për punët që do duhej t’i bënin me një zemër të pastër e të dëlirë. Duke marrë parasysh faktin që të gjitha këto çështje diskutoheshin me vetëdijen e llogaridhënies para Allahut, kuptojmë se sa të pastra, të sigurta, qetësuese dhe të orientuara drejt synimeve kanë qenë vendimet e marra dhe përfundimet e arritura në ato diskutime.

a. Mundëson barazinë mes njerëzve

Adhurimet i minimizojnë në maksimum diferencimet brenda shoqërisë dhe japin kontributin e tyre në arritjen e barazisë, të cilën njerëzimi e ka ëndërruar prej kohësh. Namazi, agjërimi, haxhi dhe zekati një funksion të tillë kryejnë.

Një nga qëllimet e sistemit islam të adhurimeve është mbrojtja e njerëzve nga sëmundjet shpirtërore, mendore dhe fizike duke i mbajtur ata të shëndetshëm shpirtërisht, mendërisht dhe fizikisht. Krenaria, arroganca dhe mendjemadhësia janë boshllëqe dhe sëmundje shpirtërore të njerëzve të vegjël që nuk kanë arritur të gjejnë veten. Rënia e njeriut në dobësi të këtij lloji është gjithmonë e mundur. Për rrjedhojë, lufta ndaj këtyre dobësive duhet të vazhdojë deri në çastin e fundit të jetës. Nga ana tjetër, sinqeriteti, thjeshtësia dhe modestia janë dimensione të virtyteve që duhet të mbushin këto boshllëqe të personalitetit të njeriut. Dhe adhurimi më gjithëpërfshirës, që i bart mbi vete të gjitha këto kuptime, është namazi.

Po, namazi i eliminon ndjenjat e këqija të njeriut; ai i zhduk edhe ato gjëra që bëhen pengesë në integrimin e njeriut me njerëzit e tjerë dhe vendos mes tyre barazinë e vërtetë. Përveçse në namaz, njerëzit askund tjetër nuk mund të vijnë sup më sup me të pasur e të varfër, eprorë e nëpunës, të vegjël e të mëdhenj… Edhe krerët e shtetit, të cilët, kur dalin në rrugë, lëvizin me truprojat e tyre që nuk lejojnë të afrohet askënd, detyrohen të ndajnë të njëjtin rresht me qytetarët e thjeshtë kur vjen puna te falja e namazit në xhami. Sepse para Allahut, ashtu siç nuk ka asnjë ndryshim mes një skllavi dhe zotërisë së tij, nuk ka asnjë ndryshim as mes atij që është veshur me kostum dhe atij që ka veshur një triko të vjetër. E vetmja gjë që mund t’i dallojë ata nga njëri-tjetri është devotshmëria.

Islami, me këtë botëkuptim të shoqërisë, vjen dhe u mundëson njerëzve një barazi të tillë. Aq shumë familjarizohemi me këtë botëkuptim në namaz, saqë, pa kaluar shumë, bëhet pjesë e çdo faze të jetës dhe mbizotërues i tyre. Kështu, njerëzit nuk e shikojnë më njëritjetrin nga lart e me përbuzje, nuk ikin nga njëri-tjetri. Përkundrazi, ashtu si në namaz, formojnë një strukturë të fortë e sakllame edhe në fushat e ndryshme shoqërore.

b. Disiplinon njeriun dhe shoqërinë

Namazi e disiplinon jetën e besimtarit, i mundëson atij frymën e bindjes. Besimtari, duke u lidhur në namaz pesë herë në ditë, i ndan njëzet e katër orët e tij në pesë pjesë fikse. Rrjedhimisht, – pasi të ketë vënë në ekuilibër jetën e t’u ketë dhënë drejtimin e duhur mendimeve duke dalë para Allahut – të gjitha punët i kryen sipas këtyre kohëve.

Në të njëjtën kohë, kur e kryen namazin duke u lidhur pas një imami, besimtari ia lë imamit bashkëbisedimin me Zotin; kiraeti i imamit bëhet kiraeti i tij dhe vetëm u thotë ‘amin’ fjalëve të imamit, u bën temena. Sepse Profeti ynë (s.a.s.), në një hadith të transmetuar nga Xhabiri (r.a.), thotë kështu: “Për atë që lidhet pas një imami, kiraeti i imamit është edhe kiraeti i tij.” Kur imami përkulet e kalon në ruku, edhe ai bën të njëjtën gjë; kur ulet në sexhde, ulet edhe ai... Dhe kjo vazhdon në këtë mënyrë deri kur imami jep selam. Në këtë aspekt, kuptimi i imamllëkut në Islam është shumë i madh. Pejgamberi ynë (s.a.s.) ka qenë gjithmonë imam i shokëve të tij; dhe, sa qe në jetë, nuk u lidh kurrë pas dikujt tjetër në namaz. Vetëm drejt fundit të jetës së tij, kur u sëmur dhe e pati të vështirë ardhjen në mesxhid, Ebu Bekri (r.a.) qe ai që doli në mihrab dhe i priu në namaz besimtarët. Por, kur pa Profetin tonë (s.a.s.) të ndihej pak më mirë e të vinte në mesxhid, Ebu Bekri (r.a.) u tërhoq nga posti i imamit, nuk deshi ta falte namazin para Tij. Sepse Ai (s.a.s.) ishte jo vetëm profet, por edhe kryetar shteti dhe imam; për rrjedhojë nuk mund të dilje si prijës i këtij imami në namaz.

Nga ana tjetër, bindje ndaj imamit nuk do të thotë t’i bindesh atij qorrazi; nëse ai bën një gabim ose harron diçka, duhet udhëzuar në atë që është e drejtë. Një herë, kur po i printe sahabët në namaz, Profetin Famëlartë (s.a.s.) e pati mërzitur një skenë që i qe shfaqur nga bota e shëmbëllimeve. Ebu Hurajra (r.a.) e përshkruan kështu këtë gjendje të të Dërguarit të Allahut: “Vetullat i qenë vrenjtur, fytyra i pati marrë një pamje ndryshe nga ajo e zakonshmja.” Për këtë arsye, gabimisht pati dhënë selam në fund të rekatit të dytë të atij namazi 4-rekatësh. Në mbarim të namazit, Dhuljedejni (r.a.) hidhet e thotë: “O i Dërguari i Allahut! A u shkurtua namazi apo harruat ju? A erdhi ndonjë urdhër nga Allahu që e falëm si 2-rekatësh namazin që herë të tjera e kemi falur me katër rekate?” I Dërguari i Allahut (s.a.s.) kthehet nga sahabët dhe i pyet: “Çfarë po thotë Dhuljedejni?” “Po thotë të vërtetën, o i Dërguari i Allahut! Falëm vetëm dy rekate.” u përgjigjën sahabët. Pas këtyre fjalëve, Profeti ynë thotë: “Nëse ndodh ndonjë ndryshim në lidhje me namazin, unë sigurisht që do t’ju informoj për këtë. Por edhe unë jam një njeri si ju. Ashtu siç harroni ju, mund të harroj edhe unë; kur të harroj, ma kujtoni ju atë që kam harruar.” Ishte sikur Allahu (xhel’le xheláluhu), duke e bërë Pejgamberin tonë (s.a.s.) të harronte rekatet e namazit, donte të fuste tek umeti frymën e paralajmërimit në rastet kur gabon imami, sikur po i frymëzonte ata për atë që duhej bërë në këtë pikë.

Me pak fjalë, imami del para xhematit dhe i prin ata në namaz. Nëse ai bën një gabim me ose pa vetëdije, ju e paralajmëroni atë. Në këtë aspekt, namazi është elementi më i rëndësishëm në disiplinimin e një xhemati të lartë. Ai është marrja trajtë e idesë së një bindjeje dhe nënshtrimi të shëndetshëm.

c. E bën njeriun bujar

Kur shikojmë shoqëritë e emancipuara të botës, vërejmë se ato kanë disa veçori që i bëjnë të dallohen nga shoqëritë e tjera. Shoqëria më ideale është ajo shoqëri, individët e së cilës, me të vegjël e të mëdhenj, janë modestë e të përulur, veprojnë me ndjenjën e bindjes dhe të dorëzimit, janë të respektueshëm ndaj njëri-tjetrit dhe, gjithë bujari, u japin nga ajo që zotërojnë edhe njerëzve nevojtarë. Ja, pra, namazi është ai adhurim sublim që i bart në vetvete të gjitha këto veçori. Namazi është një formulim i modestisë dhe një thirrje e shenjtë që i bën njerëzit të fitojnë ndjenjën e bujarisë.

Po, në namaz, njeriu praktikon bujarinë; para së gjithash, ai sakrifikon nga koha e tij; çdo kohë vjen e shkon, por koha e tij në namaz arrin pafundësinë. Në sajë të namazit, koha fiton vlerë dhe merr trajtën e një vije të shndritshme mes eksiztencës së domosdoshme dhe asaj të mundshme. Për ta paraqitur këtë me një shembull, mund të themi kështu: Njeriu, për hir të Allahut, jep zekatin nga pasuria e tij, të cilën e fiton duke ia kushtuar afërsisht një të tretën e kohës së tij dynjasë. Ai e jep këtë zekat jo nga kapitali, jo nga koha e tij, por nga produkti apo pasuria që fiton nëpërmjet atij kapitali. Mirëpo, në çështjen e namazit nuk ndodh kështu; ai i jepet Zotit tërësisht nga kapitali. Besimtari që falet pesë herë në ditë, po të përfshijmë këtu edhe kohën që kalon gjatë marrjes së abdesit dhe rrugës për në mesxhid, një pjesë të konsiderueshme dhe të rëndësishme të kapitalit të tij ditor 24-orësh e ndan për Zotin e tij. Kjo do të thotë se, në këtë mënyrë, ai investon drejtpërdrejtë në kohë. Kjo situatë është pak a shumë si të japësh si zekat vetë pemën në vend që ta japësh zekatin nga frutat e saj.

Po, njerëzit që vijnë në xhami pesë herë në ditë kanë një ndjenjë të atillë bujarie, saqë janë të gatshëm të japin për Allahun edhe kapitalin e tyre. Sepse ata, në lidhje me mundësitë e tyre për ta bërë këtë pesë herë në ditë, kanë dhënë fjalën. Shyqyr Zotit, ne jemi sot dëshmitarë të shumë fytyrave të pasura dhe zemrave të përulura që bëjnë sexhde, ose më saktë, jemi dëshmitarë të mijëra individëve që, me të pasur e të varfër, të rinj e të moshuar, po përpiqen, po derdhin mund në rrugën për të ngritur një shoqëri shumë të dashur tek Allahu.

Shënimet

  1. 261.Nesáí, ishretun’nisá 1; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 3/128, 199, 285.
  2. 262.Ebú Dáúd, edeb 78; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 5/364, 371.
  3. 263.Buhárí, rikák 28; Muslim, xhennet 1.
  4. 264.Surja Ankebut, ajeti 45.
  5. 265.Ebú Dáúd, salát 127; Nesáí, es’Sunenul kubrá 1/211-212; el Bejhakí, es’Sunenul kubrá 2/281.
  6. 266.Surja Isrá’, ajeti 11.
  7. 267.Surja Meárixh, ajeti 19.
  8. 268.Surja Meárixh, ajeti 20.
  9. 269.Surja Meárixh, ajeti 21.
  10. 270.Surja Hixhr, ajeti 99.
  11. 271.Surja Me’árixh, ajetet 22-23.
  12. 272.Surja Fus’silet, ajeti 33.
  13. 273.Ibn Máxhe, edeb 19; Ibn Ebí Shejbe, el Musannef 5/234.
  14. 274.Surja Bekare, ajeti 153.
  15. 275.Muslim, salát 38; Tirmidhí, tefsir 2; Nesáí, iftitah 23.
  16. 276.Surja Ankebút, ajeti 45.
  17. 277.Bediuzamani, Shkreptimat, fq. 19 (Shkreptima e Dytë, Pika e Parë).
  18. 278.Buhárí, ímán 9, 14, ikráh 1; Muslim, ímán 67.
  19. 279.Muslim, ímán 134; Tirmidhí, ímán 9; Ebú Dáúd, sun’net 15.
  20. 280.Buhárí, salát 28, edáhí 14; Tirmidhí, ímán 2; Nesáí, ímán 9.
  21. 281.Surja Ibráhím, ajeti 24.
  22. 282.Surja Fátir, ajeti 10.
  23. 283.Muslim, salát 215; Ebú Dáúd, salát 148; Nesáí, meuákít, 35, tatbík 78.
  24. 284.Muslim, ímán 133; Ibn Máxhe, ikáme 70; Ahmed ibn Hanbel, el Musned, 2/442.
  25. 285.Surja Dháriját, ajeti 50.
  26. 286.Buhárí, meuákítus’salát 16, bed’ul halk 6, teuhíd 23, 33; Muslim, mesáxhid 210.
  27. 287.Buhárí, bed’ul halk 6, menákibul ensár 42; Muslim, ímán 259.
  28. 288.Surja Huxhurát, ajeti 10.
  29. 289.Ibn Máxhe, ikáme 13; Abdurrezzak, el Musannef 2/136.
  30. 290.Buhárí, salát 88, edhán 69, sehu 3,4,5, edeb 45, ahbár 1; Muslim, mesáxhid 97, 99.
  31. 291.Buhárí, salát 89; Muslim, mesáxhid 89.