Namazi0%

PËRGATITJA PËR NAMAZ

1. Abdesi

Allahut (xhel’le xheláluhu) nuk i pëlqen që ne ta përdorim jetën tonë tërësisht për hesap të nefsit; Ai (xhel’le xheláluhu) na urdhëron që, në intervale të caktuara kohore, të dalim para Tij dhe, të përulur, t’i paraqesim Atij adhurimet tona. Në krye të këtyre urdhrave janë pesë kohët e namazit. Për këtë arsye, pesë namazet ditore përbëjnë çështjen më të rëndësishme të besimtarit. Por, para shtjellimit të temës së namazit, do të ishte me vend të fokusoheshim së pari te pastrimi që bëhet si një parapërgatitje për të.

Pastrimi që kryhet para fillimit të namazit mund të krahasohet me çelësin e tij. Për rrjedhojë, kur një person nuk e bën këtë pastrim, edhe sikur të lidhet për të falur namazin, do të thotë se nuk është futur dot brenda tij. Ajeti “… xhamia (mesxhidi i Kubasë) e themeluar në përkushtim (ndaj Allahut) që në ditën e parë, pa dyshim që është më e denjë për të falur namaz në të. Aty ka njerëz që duan të pastrohen. Allahu i do ata që pastrohen shpesh.” ka zbritur për banorët e Kubasë, të cilët i kushtonin shumë rëndësi pastrimit si parapërgatitje për namazin, për rrjedhojë, edhe abdesit.

Po, një besimtar, që bën të mundur derdhjen jashtë vetes së tij të pastërtisë dhe dëlirësisë së brendshme në trajtën e abdesit, është një njeri i dashur tek Allahu. Ai përvesh mëngët dhe merr abdes vetëm ngaqë ka besuar në Zot. Si një shprehje e përtypjes së kuptimeve që ka ndier tek shkonte drejt daljes para Zotit, te buzët i shfaqet një buzëqeshje e hidhur, një brengë; dhe, ashtu si në shembullin e Aliut (r.a.), trupin ia kaplon një dridhje, një shqetësim.

Me kryerjen e pastrimit, ndërkohë që nga njëra anë bëhet i mundur pastrimi i gjymtyrëve nga papastërtitë, nga ana tjetër, në kuptimin e të qenit e karikuar dhe e mbushur plot, zemra zhvishet nga veçoritë e moralit të keq dhe fluturon drejt lartësive. Ndërkohë, ndjenjat e fshehta të zemrës, duke marrë trajtën e një pasqyre të ndritshme përballë dhuratave dhe bekimeve të ardhura nga Allahu i Madhëruar, vazhdojnë të ruajnë dëlirësinë e tyre. Ja, pra, me një pastrim të tillë arrihet gjysma e besimit dhe, kështu, na shfaqet e vërteta e fjalëve të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), i cili thotë: “Pastërtia është gjysma e besimit.” Kurse gjysma e mbetur është çështja e krijimit të besimit në zemër, e cila i përket tërësisht Zotit të Madhërishëm. Besoj se, kur njeriu t’i futet një pastrimi të tillë me qëllimin për të adhuruar Krijuesin, ndryshku dhe papastërtitë brenda tij do të zhduken dhe, në këtë zemër, e cila është e gatshme tashmë për të mirëpritur imanin, Allahu i Plotfuqishëm do ta ndezë shkëndijën e besimit.

Paralajmërimi i parë në rrugën drejt namazit

Abdesi, i cili bëhet shkak për përgatitjen shpirtërore ndaj adhurimeve dhe që mundëson përfitimin maksimal prej tyre, është paralajmërimi dhe përgatitja e parë veçanërisht në rrugën drejt namazit. Abdesi është bërë farz jo për çdo vepër e adhurim, po vetëm për disa adhurime, me në krye namazin. Për faljen e namazit, kryerjen e sexhdes së tilavetit (leximit) apo prekjen me dorë të Kuranit Famëlartë, marrja e abdesit është farz; marrja e abdesit për të bërë tavaf Qabenë është vaxhib (e nevojshme, e domosdoshme); ndërsa marrja e abdesit për qëllime të tilla si këndimi i ezanit, thirrja e ikametit dhe leximi e shpjegimi i dijeve fetare është mendub, pra, një vepër që, edhe pse feja nuk e urdhëron në mënyrë të prerë, mundëson fitim sevapesh kur kryhet. Pastaj, dihet se Pejgamberi ynë, Profeti i Nderuar Muhamed (s.a.s.), është kujdesur që të ketë abdes gjithmonë dhe të mos kryejë asnjë punë të tijën pa abdes. Në këtë aspekt, është sunet që një mysliman të ketë abdes vazhdimisht.

Termi ‘abdes’ është një fjalë persisht, e përbërë nga fjalët ‘ab’, që do të thotë ‘ujë’, dhe ‘dest’, që ka kuptimin ‘dorë’. Për abdesin, në arabisht përdoret fjala ‘vudú’. Kjo fjalë, e cila përfshin kuptimet ‘bukuri’ dhe ‘pastërti’, shpreh gatishmërinë për të dalë para Allahut të personit që, duke e çliruar zemrën nga mendimet për gjërat e kësaj bote dhe duke e pajisur atë me ndjenja shpirtërore, duke i larë dhe pastruar mirë gjymtyrët dhe duke u zbukuruar kështu edhe shpirtërisht, edhe fizikisht, ka bërë nijet të kryejë adhurimin.

Siç dihet, një nga kushtet e namazit është edhe pastrimi konvencional. Pastrim konvencional do të thotë të marrësh abdes atëherë kur je pa abdes, gjendje kjo që konsiderohet papastërti konvencionale, dhe të marrësh gusl (larje trupore e plotë) në situatat ku është e nevojshme marrja e tij. Abdesi dhe gusli, edhe pse sjellin me vete shumë dobi të dukshme siç janë heqja e papastërtive materiale dhe mbrojtja e shëndetit trupor, në thelb janë ‘ta’abbudí’; pra, janë pastrime me përmbajtje fetare e adhurimore, që kryhen vetëm se i urdhëron Allahu, por që mund të kenë edhe urtësi të tjera, të cilat ne nuk mund t’i dimë.

Allahu i Madhëruar, nëpërmjet ajetit “O besimtarë! Kur doni të falni namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagët; lani edhe këmbët deri në nyje.”, e bëri kusht marrjen e abdesit para faljes së namazit. Në vazhdimin e këtij ajeti, i cili na e bën të ditur se është farz marrja e abdesit para namazit, adhurimit që konsiderohet si shenja më e rëndësishme e robërisë sonë ndaj Allahut, Zoti i Madhëruar e urdhëron njeriun që, nëse është xhunub, të bëjë gusl në rastin e parë që i jepet, pra, të bëjë një larje trupore të plotë, dhe të bëjë tejemum me dhe në rastet kur nuk mund të gjejë ujë. Vetëm pasi të plotësohen këto kushte mund të lidhet në namaz njeriu.

Thellësia në mendime

Abdesi është paralajmërimi dhe përgatitja e parë në rrugën drejt namazit. Megjithatë, marrja e fryteve të dëshiruara prej tij varet nga thellësia në mendime e përfytyrime. Në fakt, njeriu, në varësi të masës së sinqeritetit në ndjenjat dhe mendimet e veta, mund të bëjë që të gjitha veprat e tij të fitojnë një thellësi të veçantë dhe mund t’i japë një natyrë krejtësisht ndryshe çdo ngjarjeje që përjeton. Për shembull, në një mënyrë apo në një tjetër, ju do të bëni durim ndaj belasë që iu ka rënë mbi kokë. Por, nëse e shihni atë si një fatkeqësi të rëndomtë, që jeni të detyruar ta duroni, i bie që jeni duke i burgosur përjetimet e hidhura dhe dhimbjen e atyre çasteve brenda ngushtësisë së perceptimit tuaj të gabuar. Nga ana tjetër, nëse ngecni në pjesën sipërfaqësore të kësaj fatkeqësie dhe nuk i mendoni disa mesele të prapaskenës së saj, do të thotë se, duke e ngjeshur atë ngjarje brenda kohës në të cilën ndodheni, keni ngushtuar kështu jetën tuaj dhe i keni duruar kot gjithë ato vuajtje.

Por është e mundur që, që në momentin e parë të përballjes me fatkeqësinë, ta vlerësoni atë edhe si një mjet pastrimi dhe si një mundësi për të fituar sevape. Në qoftë se do të jeni në gjendje të shihni përtej belasë atë që jua ka dërguar atë, nëse do të mendoni se asnjë ngjarje që ndodh në këtë univers nuk është e rastësishme apo e pakuptimtë, atëherë brenda jush do të lindë një ndjenjë durimi në orbitën e pranimit. Do t’i drejtoheni Allahut të Plotfuqishëm dhe do të viheni në ndërlidhje me dergjahun hyjnor. Dhe, duke marrë parasysh faktin që Ai sheh gjithçka dhe që me mijëra urtësi gjenden në çdo punë të Tijën, do të thoni:

“E këndshme është çdo gjë që prej Teje më vjen,

Qoftë ai një kaftan, qoftë një qefin;

Një trëndafil i freskët qoftë, apo edhe një gjemb,

I këndshëm është favori Yt, i këndshëm edhe dënimi Yt.”

Edhe sikur belaja me të cilën po përballeni të lëshohet mbi kokën tuaj si një çekan, edhe sikur t’iu thyejë mesin, duke thënë “Do të thotë se paska qenë e nevojshme t’i përjetoj këto vuajtje e probleme, që të pastrohem nga gjynahet dhe gabimet e mia dhe të arrij një tendosje metafizike serioze; zaten, vetëm një dert i tillë mund t’i shlyente të metat e mia. Zoti im, jam i kënaqur edhe me këtë fatkeqësi që po më vjen prej Teje, mjaft që Ti t’më falësh mua!”, do të duroni me zemrën të qetësuar jo ngase jeni të detyruar të bëni durim, po ngaqë i keni besuar faktit se ajo bela ka ardhur nga Zoti i Madhëruar. Në këtë mënyrë, do ta vlerësoni shumë mirë edhe një fatkeqësi të atillë dhe, me mendimet dhe përfytyrimet tuaja, do t’i përftoni edhe asaj një thellësi. Madje, edhe nëse nuk do t’i shfaqni dhe nuk do t’i shprehni me fjalë këto ndjesi, një sjellje e butë e juaja dhe shfaqja e durimit nëpërmjet gjendjes suaj do të mjaftojnë për lindjen e një puhize që do të përhapë qetësinë brenda jush. Kurse ajo ngjarje me fytyrë të shëmtuar, më shumë sesa në një fatkeqësi, do të shndërrohet në një shkak për të fituar faljen.

Pra, për ta ndier sa më thellësisht namazin, është e nevojshme të jemi të mbushur me të njëjtat mendime e ndjenja të përzemërta që në çastin kur vendosim të marrim abdes. Duke thënë “Allahu im, që të dal para Teje si një njeri i pastruar nga ndyrësitë e kësaj dynjaje, Ti më bëre shenjë për te çezma e abdesit; unë po marr abdes duke pasur parasysh këtë shenjë dhe urdhër Tëndin.”, abdesin duhet ta konsiderojmë si një detyrë të urdhëruar nga Zoti i Madhërishëm dhe ta vlerësojmë si një lloj kostumi adhurimesh, të përcaktuar po ashtu nga Allahu i Madhëruar. Sepse vetëm Ai e di dhe e sheh atë që nënkupton abdesi, se për ç’lloj pastërtie bëhet shkak ai, çfarë identiteti na jep në aspektin e botës së shëmbëllimeve dhe në çfarë mënyre na zbukuron. Na shohin gjithashtu, me lejen e Tij sigurisht, edhe pjesëtarët e Engjëjve më të Lartë (Melei A’lá) dhe engjëjt shkrues. Rrjedhimisht, është kusht i të qenit besimtar pranimi dhe zbatimi i pastrimit në atë mënyrë që ka urdhëruar i Gjithëmëshirshmi. Ne duhet të dalim para Tij ashtu siç dëshiron Ai të na shohë. Kushti i parë për të arritur ato që na premton abdesi është, para së gjithash, vlerësimi i tij vetëm pse e ka urdhëruar Allahu dhe, duke besuar në aftësinë e tij pastruese materiale e shpirtërore, trajtimi i tij brenda kornizës së parimeve të përcaktuara nga feja.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.), duke theksuar se abdesi është një pastrues që zhduk edhe papastërtitë dhe njollat shpirtërore, ka thënë:

“Kur një besimtar lan fytyrën tek është duke marrë abdes, mëkatet që ka bërë me sy i rrjedhin dhe ikin bashkë me ujin – ose me pikën e fundit të ujit – që pikon nga faqet e tij; kur lan duart, gjynahet e gabimeve që ka kryer me duart e tij pikojnë dhe zhduken bashkë me ujin e abdesit; kur lan këmbët, të gjitha mëkatet, të shkaktuara nga ecja e këmbëve të tij drejt haramit, rrjedhin nga majat e gishtave të këmbëve bashkë me pikën e fundit të ujit. Kështu, një rob që merr abdes ashtu siç duhet pastrohet plotësisht nga mëkatet.”

Do të thotë se njeriu që pastron papastërtitë materiale që i janë ngjitur në trup, falë abdesit, pastrohet edhe nga njollat shpirtërore, merr trajtën më të përshtatshme për adhurimet dhe, kështu, është i gatshëm të dalë në dergjahun e lartë të Sunduesit Madhështor.

Çdo besimtar që vjen në xhami, duke menduar vazhdimisht për çastin kur do të dalë para Zotit, merr abdes dhe i jep mbase më shumë rëndësi jo pastërtisë së jashtme, por asaj të brendshme. Sepse, pavarësisht pastërtisë së jashtme, nëse do të ndiejë brenda vetes shfaqjen e një errësire, e cila do të prishë integritetin e anës së brendshme të tij me atë të jashtme, ai do të shqetësohet, madje, do të dyshojë se mos është edhe hipokrit. Besimtari, edhe pse i ka hequr qafe pluhurat dhe dherat duke i larë nga tri herë gjymtyrët dhe fytyrën, daljen para Allahut me ca gënjeshtra e gjëra të neveritshme përbrenda e konsideron mungesë respekti ndaj Tij. Allahu i Madhëruar, më shumë se trupin, shikon zemrën; Ai mund t’i dëbojë ata që dalin para Tij të pastruar nga jashtë, por të leckosur e të rrënuar nga brenda. Për këtë arsye, pastërtia e jashtme bart në vetvete edhe një kuptim të pastërtisë së brendshme për besimtarin.

Në një hadith tjetër, Pejgamberi ynë (s.a.s.) urdhëron kështu: “Pasi të jeni zgjuar nga gjumi, askush nga ju të mos i zhysë duart në enën e ujit pa i larë ato tri herë. Sepse nuk mund ta dini se në ç’pjesë të trupit kanë shëtitur duart gjatë natës.” Sipas asaj që thonë sot ekspertët, mikrobet gjenden në masë veçanërisht në pjesët e njomura të trupit. Ekziston gjithmonë mundësia që, gjatë natës, duart të shëtisin nëpër këto pjesë dhe, rrjedhimisht, të ndoten nga mikrobet e gjendura në ato vende. Njeriu nuk mund ta dijë se ku i ka mbajtur duart gjatë kohës kur ka qenë duke fjetur, nëse, në një mënyrë të pavetëdijshme, i kanë vajtur poshtë sqetullave apo në ndonjë vend tjetër të trupit. Kështu që, nuk ka rëndësi se si vendosim ta trajtojmë këtë çështje. Mund ta shikoni atë nga aspekti mjekësor, mund ta shihni si një arsye të pastrimit si parapërgatitje për namazin ose, pa i menduar fare këto të parat, në një atmosferë bindjeje ndaj dekretit të të Dërguarit të Allahut, mund të thoni “Po e bëj sepse kështu ka urdhëruar Ai (s.a.s.).”. Nuk ka rëndësi se cilën prej këtyre vendosni të zgjidhni, sepse, në fund të fundit, kjo është një çështje pastërtie. Shpëtimi nga gabimet dhe punët e gabuara është i mundur vetëm nëpërmjet faljes nga ana e Allahut. Ndërsa gabimi i dorës së ndyrë fshihet nëpërmjet një larjeje të mirë të saj. Për rrjedhojë, një njeri që merr abdes pesë herë në ditë, nuk do të gabojë ndaj Zotit sepse do të ruajë dëlirësinë e tij të brendshme, nuk do të gabojë as ndaj vetes, sepse nuk do të lejojë infektimin e trupit të tij nga mikrobet. Abdesi është shlyerje për të gjitha këto dhe, në të njëjtën kohë, është edhe një rritje në gradë për besimtarin.

Po, abdesi është si ai kostumi më i përshtatshëm, që duhet veshur për të dalë para Zotit. Një abdes që merret i plotë dhe në përputhje me rregullat e marrjes së tij do të thotë ta veshësh atë kostum në mënyrën më elegante, të jesh gati për të hyrë në sallën e pranimit të quajtur ‘namaz’. Nëse do të kishim qenë në gjendje të shihnim pasqyrimin fragment pas fragmenti të abdesit në botën e shëmbëllimeve, në varësi të thellësisë apo cektësisë së mendimeve të njerëzve, kushedi se me ç’shumëllojshmëri veshjesh do të përballeshim përtej. Ndoshta, nga njëra anë do të vërenim shndërrimin në një kaftan të bukur të abdesit të atij që e trajton atë brenda atmosferës së hareshme të adhurimit, ndërsa nga ana tjetër, gjendjen e rreckosur të veshjes së atij që, edhe pse e merr abdesin me qëllimin për të kryer adhurimin, e shikon atë si një larje të zakonshme të duarve dhe këmbëve.

Të qëndruarit larg preokupimeve

Aq sa është e nevojshme veshja e kostumit të abdesit për personin që do të lidhet në namaz, po aq i nevojshëm është edhe çlirimi i zemrës së tij nga preokupimet që mund ta shpërqendrojnë atë dhe që, për rrjedhojë, e largojnë nga fryma e adhurimit. Prandaj konsiderohet si një veprim i shëmtuar lidhja në namaz e atij personi që i nevojitet urgjentisht përdorimi i tualetit. Njeriu fillimisht duhet t’i hedhë ato gjëra që duhen hedhur, në turin e adhurimit duhet të hyjë vetëm me ndjenjën e adhurimit dhe duhet të lidhet në namaz pasi t’i ketë hequr qafe të gjithë ndikuesit negativë që mund ta preokupojnë. Zaten kjo mesele është diskutuar edhe në librat e fikhut dhe, duke e lidhur atë me çështjen e preokupimit të zemrës për gjëra të kësaj bote, është arritur në përfundimin se lidhja në namaz për një person që e ka urgjente përdorimin e tualetit (kryerjen e nevojave personale) konsiderohet mekruh (e papëlqyeshme, e pakëndshme). Sepse njeriu, kur e ka të zënë me diçka zemrën dhe mendjen, nuk mund të përqendrohet në një punë tjetër. Është shumë e vështirë, madje e pamundur, që një person, mendja e të cilit është e fokusuar te një nevojë e tij, të përqendrojë vëmendjen edhe në një mesele të dytë. Rrjedhimisht, nuk është e mundur që njeriu i zënë me një nevojë të tillë ta falë namazin me vetëdije, ta falë atë ashtu siç e meriton të falet dhe ta ndiejë thellësisht adhurimin e tij.

Për më tepër, qëndrimi në namaz në një gjendje të atillë është gjithashtu fyerje për namazin. Sepse ai nuk është nga ato punë të thjeshta, të cilat mund të kryhen edhe sa për të kaluar radhën. Namazi ekziston jo për t’u hequr qafe, por për të ndriçuar çastet kur kryhet dhe për të mbushur me nur të gjithë jetën. Për të gjitha këto arsye, disa dijetarë të fikhut e kanë parë të arsyeshme që nijeti për marrjen e abdesit të bëhet që në momentin kur nisesh për të kryer në tualet nevojat personale. Sepse, falë një nijeti të tillë, të gjitha parapërgatitjet, që bëhen me qëllimin për të falur namazin me një zemër të qetë, do të vlerësohen brenda kategorisë së adhurimeve; që nga përgatitjet para marrjes së abdesit e deri në çastin e lidhjes në namaz, çdo fazë i sjell sevape njeriut.

Abdesi është shumë i rëndësishëm edhe përsa i përket përfshirjes në atmosferën e adhurimit dhe përqendrimit në namaz. As moti i ftohtë dhe as ai i nxehtë nuk e pengojnë besimtarin të marrë abdes ashtu siç duhet. Sido që të jenë kushtet, ai e gjen një mënyrë dhe, si një udhëtar i gatshëm për t’u ngjitur në miraxh, i futet pastrimit material e shpirtëror. I braktis fjalët e kota të kësaj dynjaje dhe hyn në atmosferën e kryerjes së një adhurimi nën ndjenjat e frikës, respektit dhe dashurisë ndaj Zotit që në çastin kur është duke zgjatur duart nën ujë. Pastaj, me larjen e çdo gjymtyre, përparon ca më shumë, percepton një ndriçim ndryshe dhe arrin një gjallëri të pazakontë. Nëse i di dhe i thotë duatë që është e këshillueshme të thuhen gjatë marrjes së abdesit, ose mendon për kuptimet e përfshira prej tyre dhe i drejtohet Zotit të Madhëruar me ato ndjenja sublime, atëherë ai shndërrohet në një krijesë krejtësisht shpirtërore dhe përfshihet nga një tendosje metafizike komplet tjetër.

Pastrimi i dhëmbëve para abdesit

Para se të fillojë me marrjen e abdesit, si përgatitje për të, besimtari duhet të pastrojë njëherë dhëmbët. Këtë, ashtu siç mund ta bëjë me misvak, mund ta bëjë edhe me një furçë dhëmbësh. Nuk ka rëndësi nëse qëllimi i këtij pastrimi është heqja e mbetjeve të ushqimeve nga dhëmbët apo mbrojtja e dhëmbëve dhe mishrave të tyre nëpërmjet eliminimit të baktereve. Ne e bëjmë këtë sepse është nga sunetet e Profetit tonë (s.a.s.). Nga ana tjetër, edhe pse njeriu duket i lirë të veprojë si të dojë në kryerjen e punëve të veta, duke qenë se është rob i Allahut, ai nuk mund të ndërhyjë as në disa aspekte të vetvetes pa lejen e Tij. Po, njeriu është rob i Allahut; dhe robi lëviz vetëm brenda rrethit të lejes së zotërisë së tij.

Për shembull, ju nuk mund të thoni “Ky është gishti im, mund të bëj me të çfarë të dua.” dhe ta prisni me thikë e ta flakni tutje një pjesë të gishtit tuaj. Kjo për ju është e ndaluar dhe, në rast se bëni diçka të tillë, duhet të pendoheni e të kërkoni falje. Përsëri, nëse njeriu bëhet gabimisht shkak për vdekjen e një personi tjetër, ai duhet të paguajë për gjakun e tij. Kjo dietë është përcaktuar nga Pejgamberi ynë (s.a.s.) në vlerën e një mijë deleve ose njëqind deveve, që, po të tentojmë sot ta konvertojmë në vlerën e saj monetare, i bie një shumë goxha e madhe parash. Kurse sipas ibn Abasit (r.a.), për dikë që vret një njeri qëllimisht dhe pa të drejtë, hyrja në Xhenet është absolutisht e pamundur. Duke marrë parasysh faktin se sa të vlefshëm janë në Islam njeriu, jeta dhe trupi i tij, mbrojtja e dhëmbëve dhe parandalimi i shndërrimit të tyre në diçka të padobishme është një çështje që duhet marrë seriozisht. Kjo do të thotë se edhe gjërat më të vogla të trupit të njeriut e kanë një vlerë; secila prej tyre është një mirësi më vete dhe secila prej tyre ka vlerën e saj të veçantë. Edhe pse dhënia e këtyre mirësive nuk varet nga vullneti i njeriut, vazhdimësia e tyre patjetër që varet nga vullneti i tij, nga përpjekja që ai do të tregojë në këtë drejtim. Mirëpo, çfarë është kjo përpjekje?

Kjo përpjekje nënkupton larjen dhe pastrimin shumë serioz të dhëmbëve të paktën disa herë në ditë. Në një hadith, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë kështu:

“Lajini dhëmbët tuaj. Sepse larja e dhëmbëve bëhet shkak për pastërtinë e gojës dhe fitimin e pëlqimit të Allahut. Xhibrili, në çdo ardhje të tijën, më këshillonte të përdorja misvakun. Aq sa u frikësova se mos do të na bëhej farz përdorimi i tij, për mua dhe umetin tim. Nëse nuk do të bartja shqetësimin e shkaktimit të vështirësive ndaj umetit tim, këtë do ta kisha bërë të detyrueshme për ta. Unë aq shumë e përdor misvakun, saqë, ndonjëherë, kaplohem nga frika se mos dhëmbët e përparmë do t’më biejnë me gjithë rrënjë.”

Edhe pse ky hadith është transmetuar nga dyzet e ca sahabë, myslimanët nuk kanë qëndruar seriozisht mbi këtë temë, nuk i kanë dhënë asaj rëndësinë e duhur. Ashtu siç po tregohet sot një ndjeshmëri e lartë ndaj kësaj çështjeje në emër të mjekësisë parandaluese, po në të njëjtën mënyrë do të veprohet edhe në të ardhmen. E megjithatë, ne nuk dimë të ketë fjalë të tjera në nivelin e fjalëve të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), që shpjegojnë rëndësinë e kësaj çështjeje.

Në një hadith tjetër, Profeti ynë (s.a.s.) thotë kështu: “Patjetër që gojët tuaja janë rrugët e Kuranit, pastrojini ato me misvak.” Po, Allahu (xhel’le xheláluhu) është i bukur dhe e do të bukurën; është i hijshëm dhe e do të hijshmen. Ai nuk i do gjërat e shëmtuara. Ju do ta mbani të pastër gojën, në mënyrë që Allahu të jetë i kënaqur me ju. Përndryshe, do të jepni llogari para Tij.

Në lidhje me këtë temë, dua të prek edhe një çështje të fundit: Edhe pse fjalën ‘misvak’ e përdorim për një model të vjetër të furçës së dhëmbëve, e cila përftohet nga degët e një peme të caktuar dhe është përdorur në pastrimin e dhëmbëve prej shumë kohësh, ajo çfarë nënkuptohet me fjalën ‘siuák’ të haditheve në lidhje me këtë temë është absolutisht pastrimi i dhëmbëve. Ky pastrim, ashtu siç mund të kryhet me furçat e bëra nga degët e asaj peme, mund të bëhet me furçat e dhëmbëve që prodhohen në ditët e sotme. Madje, mund të kryhet edhe duke i fërkuar dhëmbët me gishta, duke përdorur pe apo ndonjë gjë tjetër. Dhe, nëse ky pastrim bëhet duke menduar për fitimin e kënaqësisë dhe pëlqimit të Allahut, do të kuptohet më mirë serioziteti i urdhrave të fesë në lidhje me jetën e njeriut.

Kuptimet që shprehin duatë e abdesit

Këndimi i duave të abdesit, sipas disa prej dijetarëve të fikhut, është pranuar si pjesë e etikës së abdesit. Sipas terminologjisë së fikhut, etika përfshin veprat dhe veprimet që mundësojnë kryerjen e një pune në mënyrën më të mirë të mundshme, shpërblehen me sevape kur bëhen me këtë nijet, konsiderohen të bukura nga feja dhe braktisja e të cilave nuk përbën mëkat. Pra, kryerja e tyre të sjell sevape, kurse moskryerja e tyre nuk të sjell gjynahe. Në fakt, duatë e abdesit nuk janë dua të transmetuara drejtpërdrejt nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.), por, në thelb, bazohen ose në disa ajete të Kuranit, ose në fjalët fisnike të Pejgamberit tonë. Këto janë dua që të parët tanë i kanë shprehur në mënyra të ndryshme në kohë të ndryshme, herë duke u bërë ndonjë shtesë, herë duke u bërë ndonjë shkurtim. Por është e sigurt se këto dua e përgjërime të përzemërta të miqve të të Vërtetit, të cilat bartin edhe thellësinë e mendimeve dhe përfytyrimeve të tyre, i tërheqin personat që i lexojnë ato drejt një atmosfere shumë të veçantë dhe ua mbushin zemrat me ndjenjat më të sinqerta dhe dashurinë e dëshirën për adhurime.

Një rob i sinqertë, kur po bëhet gati për të marrë abdes, mbështetet tek Allahu prej shejtanit të dëbuar nga dergjahu hyjnor e të privuar nga mëshira e pafund dhe, si gjithmonë, fillon marrjen e abdesit me emrin e të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Pastaj, teksa bie në kontakt me ujin, mendon për madhështinë e kësaj mirësie të quajtur Islam dhe falënderon Allahun, që e bëri atë një burim drite, një mjet shpëtimi nga njollat shpirtërore, ndërsa ujin, një mjet për pastrimin e papastërtive materiale.

Në çastin e shpëlarjes së gojës (madmadah), duke thënë “Allahu im! Kërkoj ndihmën Tënde në leximin e Kuranit Famëlartë. Më ndihmo që të të përkujtoj Ty me gjithë zemër, të të lavdëroj ashtu siç Ti e meriton dhe të të adhuroj në mënyrën më të mirë të mundshme.”, “Zoti im! Më mundëso të pi ujë deri në ngopje nga burimi i të Dërguarit Bujar (s.a.s.); të pi në një mënyrë të atillë, saqë të mos më kapë kurrë më etja.”, mbushet me shpresën për të arritur ditën kur do të pijë me grushte nga uji i Keutherit.

Gjatë tërheqjes së ujit me hundë (istinshak), uron të ndiejë që në këtë botë erën e këndshme të së përtejmes dhe lutet që, në botën tjetër, të nuhasë aromën e Xhenetit dhe të përfitojë nga të mirat e tij.

Kur lan fytyrën, duke thënë “Allahu im! Më nxirr edhe mua faqebardhë e fytyrëndritur në atë ditë kur miqve të Tu do t’ua zbardhësh faqen e do t’i bësh të shndrisin, kurse armiqtë, do të jenë me fytyra sterrë të zeza.”, kthen edhe një herë shikimet drejt shpateve të Xhenetit.

Mandej, bashkë me larjen apo lagien e çdo gjymtyre tjetër, shpreh edhe një dëshirë akoma më të veçantë: Kërkon lehtësimin e llogaridhënies në Ditën e Gjykimit, dhënien e fletores së veprave nga ana e djathtë, mbrojtjen e flokëve dhe të lëkurës së tij nga zjarri, strehimin nën hijen e Arshit të Lartë në atë ditë kur nuk do të ketë asnjë hije tjetër përveç asaj të arshit të Zotit të Madhëruar, të jetë prej atyre që, gjatë gjithë jetës, dëgjojnë vetëm fjalë të dobishme dhe veprojnë në përputhje me atë më të bukurën, çlirimin nga zjarri i Xhehenemit, shpëtimin nga rrëshqitja e këmbëve në urën e Siratit në atë ditë kur rrëshqitja e këmbëve është thuajse e paevitueshme dhe të mos ngecë në mes të rrugës që të çon drejt Xhenetit. Kur është duke mbaruar punë me abdesin, duke thënë “Zoti im! Shpërbleji punët dhe përpjekjet e mia me mirësitë e Tua të bollshme; falmi mëkatet, më fal mua, pranoji veprat e mia, më mundëso një tregti fitimprurëse dhe mos më bëj nga të humburit!”, uron të jetë nga robërit që bëjnë vazhdimisht teube dhe shpëtojnë nga gjynahet duke e bërë pastërtinë pjesë të pandashme të natyrës së tyre. Një njeri që u përmbahet mendimeve të këtilla në çdo fazë të marrjes së abdesit përparon hap pas hapi drejt një përqendrimi të plotë.

Marrja e abdesit në mënyrën e duhur pavarësisht vështirësive

I Dërguari i Allahut (alejhi ekmelut’tehájá), pasi u bën sahabëve të nderuar pyetjen “A t’jua them gjërat që Allahu i ka bërë shkak për shlyerjen e gabimeve tuaja dhe që bëjnë të mundur lartësimin tuaj gradë pas grade?”, numëron këto gjëra: “Marrja e abdesit ashtu siç duhet edhe kur (kushtet janë jashtëzakonisht të rënda dhe) marrja e tij është e vështirë, të vesh e të vish mes shtëpisë dhe mesxhidit edhe nëse distanca mes tyre është shumë e madhe dhe të vihesh në pritje të namazit tjetër pasi ke falur një namaz.” Më pas, Profeti ynë (s.a.s.) shton edhe këtë fjali: “Ja, pra, kjo është lidhja me të Vërtetin (ribat) në gradën e kryerjes së detyrës së rojës përgjatë kufirit.”

Në këtë hadith, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e shpreh marrjen e abdesit nëpërmjet fjalës ‘isbág’, e cila do të thotë të marrësh abdes në mënyrën e duhur, të shpëlash gojën dhe hundën me ujë të bollshëm, t’i lash mirë duart, krahët, fytyrën dhe këmbët. Një shprehje tjetër, e përdorur gjithashtu në këtë hadith, është edhe ‘alel mekárih’. Kjo bart kuptimin e vrapimit drejt ujit dhe marrjes së një abdesi të plotë pavarësisht vështirësive, pa pyetur për të ftohtin apo të nxehtin.

Çështja e marrjes së abdesit në çfarëdolloj kushtesh dhe fjala profetike që sapo cekëm më kujtojnë gjithmonë njerëzit që, në dimrin e acartë të Erzurimit, merrnin abdes me ujin e ftohtë akull të çezmave rreth e rrotull shatërvanit të ngrirë nga të gjitha anët. Gjendjet e atyre udhëtarëve të namazit, sikur të ishin krijesa tërësisht shpirtërore, ato gjendje, pra, që lënë mbresa të forta tek ai që po i vëzhgon, më vijnë para syve sikur të kishin ndodhur sot. Ende i kam të gjalla në kujtimet e mia përzierjen e zhurmës së ujit me psherëtimat e atyre robërve të sinqertë, veprimet dhe sjelljet e të cilëve të linin të kuptoje besimin e tyre të plotë te Zoti i Madhëruar, dhe ngjitjen e asaj përzierjeje tek Allahu. Sikur të kishin ardhur nga përtej, përvishnin mëngët e palët e pantallonave dhe uleshin para rubinetave. Aq ftohtë ishte në ato çaste, saqë uji që rridhte nga gishtat, derisa arrinte bërrylat, thuajse ngrinte e bëhej akull. Kur ashpërsia e ujit bashkohej me të ftohtin jashtë, dridhjet e çdo qelize të trupit të fillonin që me larjen e duarve. Dhe, sidomos kur atyre dridhjeve u shtohej edhe një dridhmë e brendshme, një zë lartësohej drejt qiellit: “Allahu im! Ma lehtëso llogaridhënien në ditën kur do të më kërkosh llogari për jetën time dhe, ashtu siç do të bësh me robërit e Tu të virtytshëm, jepma nga e djathta fletoren time të veprave!”

Po, besimtarët janë të vetëdijshëm për sprovimin me vështirësi të këtij lloji, ashtu siç janë të vetëdijshëm edhe për sprovimin e tyre me çdo gjë tjetër. Ata besojnë fuqishëm se, nëpërmjet përpjekjes për t’u përqendruar dhe për t’iu kthyer Atij plotësisht, do t’i plotësojnë një pjesë të boshllëqeve në skedat e tyre të adhurimit. Me këtë iman dhe besim, besimtarët i japin abdesit një vlerë krejt tjetër, e vlerësojnë atë si një farë që mbin e jep fruta jo shtatë, po shtatëdhjetë herë në vit. Bëjnë që të shkruhet një abdes në fletoren e tyre të veprave, por shpresojnë të shpërblehen për shumë më shumë se aq. E, pse jo? “Ajo është mirësia e Allahut, që Ai ia jep kujt të dojë…”

Në fakt, edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka thënë: “Për atë rob që merr abdes sipas rregullave dhe etikës së abdesit, hap duart drejt qiellit dhe thotë ‘Dëshmoj se, përveç Allahut, askush tjetër nuk mund të jetë i Dëshiruari i Vërtetë, i Dëshiruari i Denjë; Ai është Një dhe i Pashoq. Dëshmoj gjithashtu se Muhamedi i nderuar (alejhissalátu uesselám) është rob dhe pejgamber i Tij.’, hapen njëherazi tetë dyert e Xhenetit dhe ai mund të hyjë brenda nga ajo derë që dëshiron.” Arritja e një shpërblimi kaq të madh, mbase nuk është praktikisht e mundur për këdo që merr abdes. Sepse mund të mos jetë e mundur që çdo besimtar të mbushet me të njëjtat ndjenja e mendime në rrugën e namazit dhe ta ndiejë abdesin me gjithë thellësinë e tij. Megjithatë, arritja e një shpërblimi të tillë përmes abdesit është potencialisht e mundur pothuajse për të gjithë dhe është e sigurt se këta fatlumë, për të cilët do të hapen të gjitha dyert e Xhenetit, do të përzgjidhen nga mesi i atyre që i japin hakun abdesit.

Prandaj i Dërguari i Allahut (s.a.s.) merrte abdes para çdo namazi. Madje, deri në çlirimin e Mekës, Ai thuajse asnjëherë nuk ka falur dy kohë namazesh me të njëjtin abdes. Edhe sahabët besonin se rruga që të çon faqebardhë drejt ditës së kiametit, me sy të shndritshëm, duar e fytyrë të pastër dhe me ndërgjegje të kulluar si botët e brendshme të atyre në qiell, kalon nga namazi dhe veprimet që bëhen para tij. Dhe në përputhje me këtë besim jetuan deri në çastin e fundit. Për shembull, Ebu Hurajra (r.a.) e kishte bërë zakon që, gjatë marrjes së abdesit, t’i lante krahët pothuajse deri te supet, ndërsa këmbët deri te gjunjtë. Atyre që e patën pyetën për arsyen e të vepruarit në këtë mënyrë, ai u qe përgjigjur kështu: “Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) të thotë ‘Kur umeti im të thirret në ditën e kiametit, ata do të vijnë duke shkëlqyer si dritë për shkak të shenjave të abdesit në gjymtyrët dhe fytyrat e tyre.’ Andaj, kush të ketë mundësi për ta shtuar dritën e tij, le ta shtojë.” Sipas një transmetimi tjetër, Profeti ynë (s.a.s.) thotë kështu: “Stolitë e besimtarit do të arrijnë deri aty ku arrin uji i abdesit.”

Çështja e të qenit me shenjat në gjymtyrët e abdesit dhe sexhdes shumë më para se edhe ata që janë të parët dhe ajo e të njohurit nga ana e Pejgamberit tonë (s.a.s.) në botën e përtejme shpjegohen edhe në një hadith tjetër, madje, bashkë me një sihariq të tillë:

Një ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) pati shkuar te varrezat Bakí, pati vizituar fatlumët e varrosur atje dhe pati thënë: “Paqja qoftë mbi ju, o banorët e tokës së besimtarëve! Në dashtë Allahu, edhe ne do të bashkohemi me ju një ditë.” Më pas, pati shtuar: “Do doja shumë t’i shihja vëllezërit e mi.” Kur sahabët e nderuar e patën pyetur me fjalët “O, i Dërguari i Allahut, a nuk jemi ne vëllezërit e tu?”, Profeti ynë Bujar (s.a.s.) qe përgjigjur kështu: “Ju jeni shokët e mi; vëllezërit e mi nuk kanë ardhur ende; ata do të vijnë më vonë.” Sahabët e nderuar e patën pyetur sërish: “Si do ta njohësh në botën tjetër umetin tënd që nuk ka ardhur akoma, o, i Dërguari i Allahut?” Ai Profet i Dhembshurisë qe përgjigjur në këtë mënyrë: “Mendohuni pak. Nëse një burrë do të kishte kuaj me shenja të bardha te balli dhe këmbët, a nuk do të ishte ai në gjendje t’i njihte kuajt e tij në mesin e kuajve të zinj dhe të kuqërremtë? Ja, pra, falë abdesit, vëllezërit e mi do të vijnë me fytyrat plot nur dhe duar e këmbë të shndritshme. Unë do t’i pres ata te burimi im...”

Ja, pra, abdesi premton shpërblime shumë të mëdha si në këtë botë, po ashtu edhe në botën tjetër. Por, për të arritur tek ato çfarë ai premton, është një e përpjetë goxha e pjerrët që duhet kapërcyer. Dhe kalimi i saj varet nga vullneti i njeriut. Kjo do të thotë se detyra e robërve në këtë pikë është të treguarit e një përpjekjeje dhe mundi të vullnetshëm për të arritur përqendrimin në adhurime. Në fillim mund t’ju duket e vështirë dhe e rëndë, ndonjëherë mund të ndodhë që edhe kushtet të mos jenë të favorshme, por me kalimin e kohës, nëse do të shtrëngoni dhëmbët e do të bëni durim, do të merrni një kënaqësi të atillë nga abdesi, saqë do ta konsideroni atë dritën e syve tuaj dhe nuk do ta ndërroni me asgjë tjetër. Pasi të niseni duke thënë ‘bismil’láh’, pasi ajo e përpjetë thikë të kapërcehet me durim, do të përballeni me një shije dhe një kënaqësi të atillë, saqë do të dëshironi të mos mbarojnë kurrë endjet tuaja në mëqik mes abdesit dhe namazit.

Teprimi (ifrat) në adhurime dhe lënia e tyre mangët (tefrit)

Çekuilibri në botëkuptimin tonë të adhurimeve dhe robërisë ndaj Zotit, herë me pretendimin e të qenit i pastër përbrenda, herë me pretekstin e ca angazhimeve të kësaj bote dhe herë duke u fshehur pas justifikimeve të tjera, mund të shfaqet ndonjëherë si lënie mangët e adhurimeve apo braktisje e plotë e tyre. Për shembull, disa njerëz, që nuk janë aspak seriozë në çështjet që kanë të bëjnë me fenë, duke pretenduar se pastërtia e zemrës është gjëja më thelbësore, thonë se kryerja e adhurimeve nuk është e nevojshme. Përballë këtij botëkuptimi të gabuar, ka edhe njerëz që tregojnë një ndjeshmëri deri në tepri (ifrat) ndaj adhurimeve. Për shembull, ca persona, me pretekstin se po marrin abdes ashtu siç duhet, e shpërdorojnë ujin në një mënyrë të jashtëzakonshme. Disa të tjerë, duke bërë disa veprime të çuditshme me mendimin se janë duke bërë istibra, futen në situata aspak të këndshme. Ama asnjë nga këto sjellje nuk është parë as te Profeti ynë (s.a.s.), as te të parët tanë të nderuar dhe as te dijetarët e mëdhenj.

Tregon Ebu Said el Hudri (r.a.): “Ne, bashkë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), në dhjetëditëshin e dytë të Ramazanit u futëm në itikaf; në mëngjesin e ditës së njëzetë, gjërat tona i zhvendosëm (nëpër shtëpitë tona). I Dërguari i Allahut (mbajti një hutbe dhe) tha këto fjalë: ‘Ata që kanë hyrë në itikaf të kthehen në vendet e tyre të itikafit. Sepse natën e kaluar m’u tregua se kur do të jetë nata e Kadrit, por, pastaj, më bënë ta harroja. Ju kërkojeni atë gjatë dhjetëditëshit të fundit, në netët tek. Për më tepër, këtë natë e pashë veten duke bërë sexhde në ujë e baltë.’ Pasi i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u kthye në vendin e itikafit, drejt fundit të asaj dite moti u prish, filloi të binte shi. Në atë kohë, mesxhidi ishte në trajtën e një çardaku (të ngritur mbi dhe e të mbuluar me degë). Vërejta se i Dërguari i Allahut (s.a.s.) kishte pak baltë në hundë dhe ballë (për shkak të sexhdeve që kishte bërë mbi dhe).”

Profeti ynë (s.a.s.) nuk mbante me vete ndonjë rrogoz për namazin, sepse e gjithë sipërfaqja e tokës i ishte bërë mesxhid Atij. Përsëri sipas disa dijetarëve, tharja me diçka pas marrjes së abdesit është mekruh. Do të thotë se ata, më shumë sesa për anën e jashtme, preokupoheshin për anën e brendshme të çështjes; ngaqë i drejtoheshin Zotit me një zemër të pastër e të dëlirë, në atë masë ishin të pastra, të dëlira dhe të qarta mirësitë, begatitë që u vinin prej Tij.

Po, ata që merren me anën e jashtme të çështjes në një mënyrë të panevojshme – me shumë gjasë – nuk preokupohen dhe aq për anën e brendshme të tyre dhe as që janë të vetëdijshëm për gjendjen e zemrave të tyre tashmë të ndryshkura. Kjo gjë nuk duhet nxjerrë aspak nga mendja: Një person le të bëjë sa të dojë veprime të çuditshme me qëllimin për të bërë istibra, le t’i fërkojë sa të dojë gjymtyrët për të bërë të mundur arritjen e ujit në çdo pjesë të tyren, ama, nëse jeton pa qenë i vetëdijshëm për botën e tij të brendshme dhe përmbajtjen e gjërave që bën, këto të fundit nuk do të kenë asnjë vlerë dhe, në botën tjetër, i gjithë ky mund do t’i përplaset fytyrës.

Feja jonë është fe e lehtësisë; ata që ua vështirësojnë atë të tjerëve janë persona që nuk e kanë kuptuar kuptimin e saj të vërtetë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i paralajmëron kështu ata që, duke kaluar në ekstreme, e tregojnë fenë të vështirë: “Kjo fe është fe e lehtësisë. Askush të mos provojë ta kalojë fenë duke shkuar në ekstreme, (nuk do t’ia dalin dot, prapëseprapë, bashkë me gjërat që ata do t’i lënë të mangëta) fitorja do t’i mbesë fesë.”

Po, feja është diçka që mund të jetohet; ajo është shumë larg mendësive ekstreme si braktisja e adhurimeve duke thënë “Zemra ime është e pastër…” (tefrit) dhe moskryerja e sexhdes në vendet ku nuk ka sexhade (ifrat). Në fakt, robëria e një njeriu ndaj Zotit të tij është aq sa emocionet dhe entuziazmi që ai mbart përbrenda. Ai në asnjë mënyrë nuk duhet ta ndyjë këtë entuziazëm nëpërmjet kryerjes së një sërë veprimesh artificiale. Përndryshe, do të prishë ekuilibrin. Nëse ana e tij e brendshme nuk është në përputhje me atë të jashtmen, njeriu le të merret sa të dojë me anën e jashtme të çështjes. Ai do të endet nëpër këtë luginë këmbëzbathur e kokëzbuluar, por, në fund fare, do të kthehet duarbosh. Kështu që, në asnjë mënyrë nuk duhet treguar një krenari dhe mendjemadhësi e tillë si qëndrimi dhe këmbëngulja djallëzore për të mos vënë kokën në tokë, për të mos vënë kokën atje ku edhe profetët, duke shkelur me këmbë krenaritë e tyre, janë përulur dhe kanë mbështetur kokat e tyre. Brenda një ekuilibri të përgjithshëm, bëj edhe ti sexhde duke vënë kokën në tokë, bëj sexhde dhe eja para Zotit tënd me pluhur e dhe në ballë. Atëherë Allahu (xhel’le xheláluhu) do të jetë Ndihmësi yt.

Profetët, ashtu si në çdo gjë tjetër, jetës shoqërore i kanë sjellë një ekuilibër të qartë edhe në çështjen e adhurimeve. Nëse do t’i ndjekim ata, nëse do t’i kryejmë adhurimet tona ashtu siç na kanë udhëzuar ata, do të jemi në rrugë të drejtë dhe larg çdo devijimi.

Mirësitë që plotësohen me abdesin

Në krijimin e mekanizmit të trupit të njeriut, Zoti i Plotfuqishëm ka ndjekur qëllime mahnitëse. Imam Gazaliu thotë se nuk ka diçka më të çuditshme se trupi i njeriut. Në trupin e njeriut janë vendosur ekuilibra aq delikatë dhe me vend, saqë, nëse do tentoni të ndryshoni njërin prej tyre, do t’ju shkojë mundi huq. Sepse do të gaboni dhe, për rrjedhojë, do të shkaktoni prishjen e gjithë trupit. Për shembull, trupi ka zemrën dhe sistemet kardiovaskulare, që kryejnë detyrën e tyre sikur të ishin pjesët përbërëse të një pompe. Ky sistem, gjatë gjithë kohës, mban pulsin tonë dhe pompon gjak deri në pjesët më të largëta të trupit tonë. Ky sistem, i cili i jep gjallëri jetës sonë, edhe pse ne mund të mos jemi të vetëdijshëm për këtë, rreh gjatë gjithë jetës duke thënë ‘Allah’. Dervishët thonë se ritmi i ‘Lá iláhe il’lalláh, lá iláhe il’lalláh…’ përkon me atë të rrahjeve të zemrës. Pasi njeriu fillon të thotë ‘Lá iláhe il’lalláh’, edhe zemra i përshtatet atij ritmi dhe, duke filluar të thotë edhe ajo ‘Lá iláhe il’lalláh, lá iláhe il’lalláh…’, pompon deri në pjesët më të largëta të trupit gjakun, i cili e mban trupin në këmbë. Detyrën e transportimit të gjakut nëpër këto pjesë të trupit e kanë kapilarët, të cilët janë si tubat e ujit; ashtu siç bllokohen me kalimin e kohës tubat e ujit nga gëlqerizimi, po ashtu, si pasojë e formimit të shtresave yndyrore, ngurtësohen edhe kapilarët. Dhe, kështu, vijnë në një gjendje pamundësie për të kryer detyrën e tyre. Nga kjo situatë, më së shumti ndikohen ato pjesë të trupit që janë më larg zemrës, fjala vjen, majat e gishtave të duarve dhe këmbëve, pika në majë të trurit etj. Në mënyrë që këto organe e gjymtyrë të jenë të shëndetshme, qarkullimi i gjakut në trup duhet të funksionojë ashtu siç duhet. Kështu, uji i abdesit, duke aktivizuar kapilarët në pikat më të largëta ndaj zemrës, ndihmon në këtë drejtim. Kjo është shumë e rëndësishme në aspektin e ruajtjes së vitalitetit të atyre gjymtyrëve, te të cilat, gjaku i ndotur biologjikisht, pasi është kthyer në zemër dhe pasi është pastruar te mushkëritë, mbërrin sërish i filtruar. Të gjitha këto janë nga një mirësi e Allahut. Në fund të ajetit që urdhëron marrjen e abdesit, Allahu (xhel’le xheláluhu) thotë kështu: “Allahu nuk dëshiron t’ju krijojë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush, që të jeni falënderues.”

Nëse do të thuhet “Mirë, po, ç’është kjo mirësi që kërkon të plotësohet?”, nuk duhet të harrojmë se çdo gjë që Zoti i Plotfuqishëm i ka dhënë njeriut është një mirësi. Por, në njëfarë kuptimi, plotësimi i këtyre mirësive i është lënë vullnetit të vetë robit. Sepse krijimi i parë ndodh jashtë dëshirës sonë; Allahu (xhel’le xheláluhu) na krijon dhe na sjell në këtë botë; nuk pyet askënd për këtë. Vazhdimësia e këtyre mirësive ama, varet nga vullneti i vetë robit. Për shembull, siç thonë edhe mjekët e ditëve të sotme, një nga faktorët e rëndësishëm në ruajtjen e elasticitetit të sistemit vaskular është larja herë me ujë të nxehtë, herë me ujë të ftohtë. Uji i nxehtë ndihmon në hapjen e venave, kursi uji i ftohtë i ngushton ato. Rrjedhimisht, për sa kohë merr abdes, njeriu bën të mundur nëpërmjet vullnetit të tij të lirë që ato të kryejnë detyrën e tyre duke u tkurrur dhe duke u rihapur vazhdimisht.

Abdesi dhe gusli, jo vetëm që kontribuojnë në mirëfunksionimin e mekanizmit të qarkullimit të gjakut në trup, por ndihmojnë edhe në stimulimin dhe aktivizimin e sistemit limfatik. Funksionimi i këtij sistemi është një faktor i rëndësishëm në shërimin e plagëve dhe mbrojtjen e organizmit nga mikrobet. Në shumicën e librave të shkruar me qëllimin për të përpiluar shkencën e mjekësisë nëpërmjet urdhrave të Islamit, thuhet se stimulimi i këtij sistemi limfatik është i mundur vetëm përmes larjes me ujë të hundës dhe qafës. Ja, pra, Allahu i Madhëruar ka bërë që të jetë abdesi ai që e kryen këtë detyrë.

Në të gjithë trupin e njeriut ekziston një ekuilibër elektrik statik. Vazhdimësia dhe ruajtja e këtij ekuilibri elektrik, në aspektin e shëndetit të trupit, është e nevojshme dhe shumë e rëndësishme. Veçanërisht sëmundjet mendore, të cilat ne sot i quajmë çrregullime psiko-somatike, në shumicën e rasteve prekin edhe trupin, ndikojnë edhe tek ai. Për shembull, sëmundjet si ulcera e stomakut janë rezultat i një ndërveprimi të tillë.

Në ditët e sotme, negativitetet që ndikojnë në strukturën mendore e shpirtërore të njeriut dhe që prishin ekuilibrin elektrik të trupit të tij janë goxha shumë. Ajri i ndotur, përdorimi në veshje dhe enë i substancave, kimikateve etj. të dëmshme për shëndetin e njeriut janë faktorë që prishin ekuilibrin elektrik të trupit dhe që e shtyjnë njeriun drejt çekuilibrimit. Në krye të gjërave që, duke i eliminuar këto prishje ekulibrash, rregullojnë elektricitetin e trupit vijnë uji dhe dheu. Marrja e abdesit pesë herë në ditë dhe, kur gjetja e ujit është e pamundur, – me shprehjen e ajetit – marrja e tejemumit me dhe të pastër rregullon elektricitetin në trup dhe hedh jashtë tij elektricitetin e tepërt. Ja, pra, edhe Kurani, duke na urdhëruar që të marrim abdes kur ngrihemi për të falur namazin, të marrim gusl nëse jemi xhunub dhe të marrim tejemum në ato raste kur nuk mund të gjejmë ujë, tërheq vëmendjen te kjo çështje. Të gjitha këto janë për plotësimin e mirësive të Allahut të Madhëruar ndaj robërve të Tij.

Po kështu, edhe jeta është një mirësi. Vazhdimi i kësaj mirësie, me fjalë të tjera, arritja e përjetësisë, varet nga shpenzimi i saj në rrugën drejt amshimit. Allahu (xhel’le xheláluhu) na e ka dhënë këtë mundësi; Ai ia ka ofruar vetë vullnetit të robit mundësinë për ta shndërruar këtë jetë të fundme në një diell të përjetshëm. Në këtë kontekst, – edhe pse gradualisht – Ai i ka bërë haram gjërat që kërcënojnë shëndetin e njeriut.

Po, Islami është fe e lehtësimit. Allahu (xhel’le xheláluhu) kurrë nuk dëshiron ta vërë në vështirësi robin e Tij. Siç shprehet në një ajet të Kuranit, “Ai dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.” Prandaj nuk mund të thuhet “Pse na kërkohet të marrim abdes edhe në kushte të vështira?”. Sepse Ai dëshiron t’i plotësojë mirësitë e Tij ndaj nesh. Dhe abdesi është një faktor i rëndësishëm në vazhdimin e atyre mirësive.

Shkallët e pastërtisë në namaz

Namazi është një adhurim madhështor që përfshin katër shkallë të pastërtisë.

Shkalla e parë: Nëpërmjet pastrimit nga papastërtitë materiale, të cilin e bëjmë në emër të përgatitjes për namaz, pastrohemi, para së gjithash, nga papastërtitë mbi rrobat dhe gjymtyrët tona.

Shkalla e dytë: Syri, i cili pastrohet nga papastërtitë materiale përmes marrjes së abdesit, nuk shikon gjëra haram; goja, nuk thotë fjalë të liga; dora, nuk bën punë të këqija; këmba, nuk hedh hapa drejt së keqes… Në këtë mënyrë, të gjitha gjymtyrët qëndrojnë larg mëkateve.

Shkalla e tretë: Në këtë shkallë të pastërtisë, zemra largohet nga ndjenjat dhe mendimet e këqija. Mandej, lidhet vetëm me pëlqimin dhe kënaqësinë e Zotit.

Po, Allahu i Madhëruar kthen shikimin te njerëzit, u drejtohet atyre me gjërat që Ai urdhëron dhe e bën kthimin e tyre ndaj Tij si shkak për këtë drejtim të Tijin ndaj njerëzve. Allahu thotë: “Kthehuni tek Unë, m’u drejtoni ju Mua, që edhe Unë të kthehem nga ju.” Me fjalë të tjera, nëse një njeri del me namaz para Zotit, qëndron i përulur, paloset më dysh para Tij, edhe Ai do ta shikojë atë, do t’i drejtohet atij. Allahu kurrë nuk drejtohet nga ai që nuk fal namaz, nuk e kthen shikimin te beli që nuk përkulet para Tij, te koka që nuk bën sexhde dhe balli i ndotur.

Rabiatul Adeuije, këtë shikim dhe drejtim të Zotit, e shpreh kështu: “Nëse Allahu nuk do të ishte kthyer nga unë, unë nuk do të kisha qenë në gjendje të merrja abdes e të falja namaz, nuk do të kisha agjëruar dot, nuk do të kisha mundur të ngrihesha e ta gjallëroja natën duke thënë ‘Sonte është nata e Miraxhit.’. Kthimi i Tij nga unë më ka sjellë në këtë gjendje.”

Këtë mund ta shpjegojmë më mirë me një krahasim të tillë: Një luledielli, a ndjek diellin ngaqë dielli e shikon atë, apo e ndjek vetvetiu, pa ndonjë arsye? Sigurisht, nëse dielli nuk do të ishte, ajo nuk do t’ia kthente fytyrën atij. Kështu që, thelbësore është ekzistenca e diellit që i drejtohet asaj. Në të njëjtën mënyrë, edhe shikimi dhe drejtimi i Diellit të Pafillim e të Pafund ndaj robit janë thelbësore për të. Nëse Ai nuk do ta shikojë atë, njeriu do të bjerë në një situatë të mjerueshme, nuk do të jetë në gjendje të dijë rrugën e xhamisë, të gjejë sexhaden dhe të njohë mihrabin, do të ngecë e do të mbesë rrugëve. E, në fakt, Allahu (xhel’le xheláluhu) na ka udhëzuar të gjithë ne, me të rinj e të moshuar, dhe na ka treguar rrugët që shkojnë drejt xhamisë. Pra, ne do ta shohim Atë, që edhe Ai të na shikojë ne; Ai do të na shikojë ne, edhe ne do ta shikojmë Atë. Interesimi sjell si rezultat interesimin. Zaten këtë shpreh edhe ajeti “Prandaj, më kujtoni Mua (me adhurime), që Unë t’ju kujtoj (me shpërblim)…”. Pra, Allahu kërkon ta kujtojmë Atë në kohët tona të rehatisë, që Ai të na kujtojë në çastet tona të vështira; le ta kujtojmë Zotin në këtë botë, që Ai të na kujtojë në jetën e varrit, në Ditën e Gjykimit, në urën e Siratit dhe atëherë kur shkëndijat e Xhehenemit do të vijnë drejt nesh.

Po, robi duhet ta kërkojë Zotin, ta kërkojë duke u rrotulluar pa pushim si një helikë, që të mund ta gjejë Atë një ditë. Ja, pra, namazi është ai që ia siguron njeriut këtë kthim të Allahut për nga ai. Një besimtar që përgatitet për faljen e namazit, dashje pa dashje, do të ripërtërihet nëpërmjet abdesit, pastaj, do të vrapojë për të dalë para Tij dhe do t’i drejtohet Atij. Allahu i Madhëruar nuk do të qëndrojë indiferent ndaj këtij drejtimi të besimtarit, përkundrazi, do t’ia hapë atij të gjitha dyert deri në fund.

Shkalla e katërt: Ekziston edhe shkalla e fundit e pastërtisë, ajo e profetëve, e cila qëndron në izolimin e zemrës dhe shkëputjen e saj nga çdo gjë tjetër përveç Allahut, në nxjerrjen nga zemra dhe flakjen tutje edhe të gjërave që janë të lejuara pavarësisht se kanë të bëjnë me këtë botë dhe në shfaqjen e pasqyrimin e Allahut në zemrën e robit.

Kjo është pastërtia që i kërkohet Profetit tonë (s.a.s.) dhe profetëve të tjerë, kjo është pika e fundit e arritur nga ata në çështjen e pastërtisë. Për ta kapur këtë shkallë, është e nevojshme të fillohet nga shkalla e parë dhe të ndiqet radha e tyre deri tek ajo e fundit. Për shembull, nuk është e mundur të pastrohesh nga çdo gjë që ka të bëjë me këtë botë pa kaluar nga pastrimi i zemrës dhe pa e izoluar veten ndaj moralit të keq. Zemra nuk mund të ndërtojë një lidhje me Allahun pasi nuk është shkëputur nga morali i keq dhe nuk i ka ndërprerë marrëdhëniet me gjërat e kësaj dynjaje. Nuk është e mundur ndezja e dritës në zemër nëse gjymtyrët dhe organet e tjera nuk izolohen ndaj mëkateve. Thënë ndryshe, shkreptima e imanit do të shkëlqejë në zemrën e njeriut vetëm në sajë të largimit nga mëkatet e organeve të brendshme dhe të jashtme.

Pra, është e pamundur të arrihet në shkallën tjetër pa kaluar fillimisht shkallën paraardhëse. Ashtu siç bëhet ngjitja e shkallëve këmbëz pas këmbëze, po ashtu do të arrihet në pikën e dëshiruar, duke u ngjitur hap pas hapi. Dhe, në fund, do të fitohet pëlqimi i Zotit. Profetët janë lartësuar në atë gradë duke u treguar të kujdesshëm ndaj këtij ekuilibri. Për shembull, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ishte shumë i përpiktë dhe i rregullt si në çështjen e abdesit, po ashtu edhe në atë të namazit. Në emër të pastërtisë së zemrës, kërkonte falje njëqind herë në ditë dhe këtë e pati deklaruar duke thënë: “Unë i kërkoj falje Allahut njëqind herë në ditë.” Dimë gjithashtu se Ai (s.a.s.) e përsëriste disa herë çdo mëngjes e mbrëmje lutjen “Allahu im! Ma bëj zemrën të qëndrueshme në fenë Tënde!”.

2. Ezani

Pas abdesit, hapi i dytë në arritjen e përqendrimit në namaz është ezani. Besimtari fillon të shkëputet nga ndjenjat dhe mendimet djallëzore me marrjen e abdesit, ndërsa nëpërmjet ezanit fiton një thellësi shpirtërore akoma më të madhe, arrin qetësinë e brendshme dhe brenda tij fillojnë të fryjnë puhizat e ëmbla parajsore. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë: “Kur fillon këndimi i ezanit, për shkak të shqetësimeve dhe stresit që përjeton në atë çast, shejtani ia mbath duke nxjerrë zëra të neveritshëm.”

Pra, do të thotë se ezani është një thirrje shumë e bekuar, e cila bëhet shkak për zhytjen dhe fundosjen e shejtanit dhe shpirtrave djallëzorë brenda shqetësimeve dhe një situate alarmante. Është shumë e rëndësishme që njeriu, për të qenë në gjendje të pastrohet nga djalli dhe mendimet djallëzore, ta falë në shoqërinë e lotëve të tij namazin dhe të përqendrohet totalisht tek ai, të dëgjojë një ezan të kënduar me vetëdije, me gjithë zemër. Kur vinte koha e faljes së namazit, I Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk i thoshte Bilalit të nderuar “Çohu e na këndo ezanin!”, po, në të shumtën e herëve, i drejtohej me fjalët “O Bilal, na fresko njëherë!”. Kuptimi i kësaj shprehjeje është ky: “Këto punët e kësaj dynjaje na mërzitën. Na i qetëso njëherë shpirtrat, që t’i heqim këto barrë që po na rëndojnë mbi supe e të rehatohemi pak. Dhe të shpëtojmë nga vesveset djallëzore që i pëshpëriten nefsit të secilit prej nesh.”

Para se të vendosej që ezani të ishte mënyra për t’i thirrur njerëzit në faljen e namazit, qenë propozuar edhe mënyra të tilla si përdorimi i borive apo këmbanave. Por i Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk i pati pranuar ato propozime. Sepse, përderisa do të bëhej një thirrje për faljen e namazit, kjo punë duhej bërë nëpërmjet ca fjalëve që do të ishin në gjendje të shprehnin shpirtin dhe bërthamën e namazit. Kur të dëgjohej ajo thirrje, njerëzit duhej të dridheshin dhe të kuptonin se do të dilnin para një Fuqie Sublime. Kjo thirrje nuk duhej bërë me fjalë çfarëdo, po me fjalë të bekuara, të cilat do të ishin gjithashtu një frymëzim nga ana e Allahut. Si përfundim, nëpërmjet fjalëve me të cilat frymëzoi disa nga sahabët, Allahu mundësoi që ezani të arrinte një bukuri të veçantë. Kjo është arsyeja pse dijetarët i shihnin fjalët e ezanit si të ishin shtyllat e tij. Domethënë, siç janë tekbiri fillestar, kijami apo leximi i Kuranit në namaz nga një shtyllë e namazit, siç nuk mund të ketë namaz pa këto pjesë thelbësore të tij, po ashtu janë edhe fjalët e ezanit për ezanin. Nëse ndonjëra nga fjalët e tij mungon, ajo që mbetet nuk është më ezan.

Edhe shprehja e ezanit me fjalë të tjera mund të vlerësohet brenda së njëjtës dispozitë. Sepse, për shembull, me fjalët “Allahu është më i madhi”, ndërgjegjja e njeriut paralajmërohet për diçka. Siç dihet, fjala ‘ekber’, në shqip ka kuptimin ‘më i madhi’. Por ajo nuk do të thotë se ka edhe të mëdhenj të tjerë dhe se Allahu (xhel’le xheláluhu) është më i madhi mes tyre. Ne e përkthejmë atë në këtë mënyrë për shkak të mungesës së fjalëve të duhura në gjuhën tonë. Nëse do të jepnim kuptimin e vërtetë të kësaj fjalie, do të na duhej të thoshnim kështu: “I madh është vetëm dhe vetëm Allahu. Ai është i Adhuruari i Vërtetë dhe i Dëshiruari i Denjë. Vetëm në derën e Tij zgjidhen të gjitha problemet, edhe ato të pazgjidhshmet; gjërat që duken të pakapërcyeshme, vetëm duke iu drejtuar Atij kapërcehen. Prandaj bëhen vetëm ndaj Tij adhurimet.” Ja, pra, të gjitha këto kuptime shprehen nëpërmjet fjalëve “Alláhu Ekber”.

Më pas, duke thënë “Eshhedu el’lá iláhe il’lalláh”, “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përpos Allahut.”, dëshmohet në lidhje me çështjen e mësipërme.

Mandej, me fjalët Eshhedu enne Muhammeden Rasúlulláh”, “Dëshmoj sërish se Muhamedi i nderuar është i dërguari i Tij.”, dëshmohet edhe në lidhje me profetësinë e Pejgamberit tonë (s.a.s.). Sepse Ai na e ka sjellë këtë mesazh. Pastaj bëhet thirrja “Hajje alessaláh”, “Hajdeni, vraponi për në namaz (për të shpëtuar nga streset dhe të gjitha llojet e shqetësimeve).” Kjo thirrje përsëritet edhe një herë me fjalët “Hajje alel feláh”, “Vraponi drejt shpëtimit.”. Sepse shpëtimi gjendet në portën e Atij, përpos të Cilit nuk ka të madh tjetër. Që namazi është një mjet shpëtimi, këtë e konfirmon edhe Kurani Famëlartë, nëpërmjet ajeteve “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre.”.

Ndërsa në fund fare, pasi thërritet edhe një herë madhështia e Allahut dhe shprehja e njësimit të Zotit me fjalët “Alláhu Ekber, Alláhu Ekber, Lá iláhe il’lalláh”, sikur të mos jetë arritur një ngopje e caktuar në këtë thellim, bëhet një dua edhe për Muhamedin (s.a.s.), i Cili, bashkë me namazin, solli nga Allahu edhe ezanin: “O Zotërues i kësaj ftese të përsosur dhe i namazit të falur! Lartësoje gradën e Muhamedit të nderuar (alejhis’salátu ues’selám) në Xhenet dhe jepi vlerë Atij! Bëje Atë të arrijë në atë gradë të lartë, që Ti ia ke premtuar Atij vetë.” I Dërguari i Allahut (s.a.s.) na jep myzhdenë duke thënë: “Ai që e bën këtë dua pas ezanit, do të përfitojë nga ndërmjetësimi im në Ditën e Kiametit.” Robi dëshiron që kjo lutje dhe namazi që do të falë të bëhen shkak që dora e Profetit tonë të arrijë tek ai dhe që Ai (s.a.s.) të arrijë në gradën më të lartë (Makami Mahmud). Sepse atje ndodhet “Flamuri i Lavdërimit” (Livaul hamd) dhe umeti i Muhamedit do të jetë në gjendje të mblidhet nën atë flamur të bekuar vetëm falë arritjes së Profetit tonë (s.a.s.) në atë gradë.

Si përfundim, duhet thënë se ezani është shumë i rëndësishëm. Për këtë arsye, gjatë këndimit të ezanit, është sunet që çdo individ t’i përsërisë fjalët e tij të bekuara duke i sjellë në mendje edhe kuptimet e tyre. Madje, të parët tanë të nderuar kanë thënë se do të ishte më mirë sikur të mos lëvizej shumë gjatë kryerjes së kësaj. Fjalët e ezanit të dëgjohen dhe të përsëriten në qetësi dhe me një zemër të qetë. Sepse, për t’u përqendruar në namaz, duhet të bëhemi njësh me ezanin dhe përfitimet hyjnore që vijnë bashkë me të.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.), edhe pse ishin nga të parët dhe më kryesorët në mesin e sahabëve, personave si Ebu Bekri, Omeri dhe Osmani (r.a.) nuk u ka kërkuar të thërrasin ezanin. E në fakt, Ebu Bekri (r.a.) kishte një zë aq mallëngjyes, saqë, kur fillonte të këndonte Kuran, të bënte të ndaleshe e ta dëgjoje me ëndje. Por, përderisa ua kërkonte Ebu Mahdhures, Ibn Ummi Mektumit (r.a.) dhe më së shumti – ndoshta sepse kishte një zë që ndikonte thellë në shpirtin e njeriut – Bilalit (r.a.), do të thotë se ezani kërkon një zë ndryshe, një mënyrë tjetër të kënduari. Ezani nuk duhet kaluar me ca ulërima gërvishtëse, atij i duhet veshur një rrobë në përputhje me bukurinë e tij, në mënyrë që njeriu, duke ndier njëkohësisht fuqinë, ndikimin e fjalëve të ezanit dhe bukurinë e interpretimit të tij, të jetë në gjendje të futet brenda një përqendrimi dhe përgatitjeje shumë të mirë për faljen e namazit.

3. Namazet sunet

Një tjetër gjë e rëndësishme në arritjen e përqendrimit në faljen e namazeve farz është falja e namazeve nafile (sunet). Namazet nafile përbëjnë një tjetër hap ndër hapat që hidhen drejt qëllimit të mbushjes së zemrës në namaz dhe plotësimit të veçantë të saj. Me fjalë të tjera, para se të hapen drejt pafundësisë së afrimitetit të vërtetë me faljen e namazit farz, shpirtrat, në sajë të namazeve nafile, rrethohen sërish nga flladet e mëshirës hyjnore, ndërsa përqendrimi, i thelluar deri në atë çast hap pas hapi përmes abdesit dhe përgatitjeve të tjera, kontrollohet edhe një herë. Kështu, nëpërmjet namazeve nafile, njeriu do të përparojë, do të shkojë pak më tej dhe do t’i afrohet ca më shumë Zotit.

Siç edhe dihet, adhurimet e tjera përveç atyre farz dhe vaxhib quhen adhurime nafile. Një pjesë e namazeve nafile, më konkretisht, namazi sunet i vaktit të sabahut, namazet sunet para dhe pas namazit farz të drekës dhe sunetet e ikindisë, akshamit dhe jacisë, falen bashkë me namazet farz të pesë kohëve ditore. Këto namaze, duke shtuar këtu edhe namazet sunet të namazit të Xhumasë, quhen sunete ‘reuátib’. Ky është emri i namazeve nafile që falen bashkë me namazet farz. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), duke folur në lidhje me këto nafile në shumë hadithe, e shpjegon gjerë e gjatë rëndësinë e tyre. Në një hadith në lidhje me sunetet ‘reuátib’, pasi thotë “Atij që vazhdon t’i falë dymbëdhjetë rekatet e namazeve sunet, Allahu i ndërton në Xhenet një shtëpi.”, Pejgamberi ynë (s.a.s.) i numëron kështu këto dymbëdhjetë rekate: “Katër rekatet para namazit farz të drekës, dy rekatet pas farzit të drekës, dy rekatet pas farzit të akshamit, dy rekatet pas farzit të jacisë dhe dy rekatet para namazit farz të sabahut.”

Kurse në një hadith tjetër, të mirat dhe përfitimet e këtyre nafileve i shpjegon veç e veç. Për shembull, në lidhje me dy rekatet sunet të kohës së sabahut thotë kështu: “Namazi nafile dyrekatësh, i cili falet para namazit farz të sabahut, është më i vlefshëm se e gjithë bota.”

Fitimi i një diçkaje të tillë është i mundur për të gjithë, por, a mund të fitojë çdokush që e fal këtë namaz, a mund të ketë edhe nga ata që nuk fitojnë, vetëm Zoti e di. Për të fituar, ky namaz duhet falur. Është kusht që, për të arritur afrimitetin me Allahun, të shfrytëzohet ai rast. Ne, nëpërmjet mënyrave që Ai na ka treguar, mund të përfitojmë nga mirësitë e Zotit të Madhëruar; duke ndjekur rrugën që sërish Ai na ka treguar, mund të nderohemi me afrimitetin ndaj Tij. Emri i kësaj udhe, që do të na mundësojë t’i arrijmë të gjitha këto mirësi, që do ta bëjë shpëtimin tonë realitet dhe që, nëpërmjet zhvillimit të zemrës dhe shpirtit tonë, do të na shndërrojë në krijesa të denja për botët e përjetshme, është ‘siráti mustakím’ (rruga e drejtë). Një person që përparon në këtë rrugë pa rënë në dëshpërim përballë situatave me të cilat do të ballafaqohet përgjatë saj, herët a vonë, do t’i arrijë qëllimet e tij. Në fakt, ta përjetosh këtë rrugë me të gjitha aspektet e saj nuk është dhe aq e lehtë, përkundrazi, është shumë e rëndë. Zaten Allahu (xhel’le xheláluhu) thotë: “Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për të devotshmit.”

Përsëri Profeti ynë (s.a.s.), në lidhje me nafilet e kohës së drekës, thotë kështu: “Atë që fal katër (rekate namaz nafile) para namazit të drekës, Allahu ia bën haram zjarrit të Xhehenemit.” Për namazin sunet të kohës së ikindisë, është shprehur në këtë mënyrë: “Allahu e mëshiroftë atë që fal katër rekate namaz nafile para namazit të ikindisë.” Dhe kur shpjegon namazin sunet të vaktit të mbrëmjes, thotë: “Namazi dyrekatësh i atij që e fal atë menjëherë pas namazit të akshamit, pa folur asnjë fjalë mes tyre, ngjitet në ‘il’lijjún’ (që është një vend i lartë).”

Nafilet që mbeten jashtë suneteve ‘reuátib’ janë namazet si: namazi i tehexhudit, namazi i duhasë (paradites), namazi ‘eu’uábín’ (namazi i atij që pendohet dhe kërkon mbështetje tek Allahu), namazi ‘tahijjetul mesxhid’ (namazi i përshëndetjes së faltores), namazi i haxhetit (nevojtarisë), namazi i istihares, namazi i shiut, namazi i eklipsit të diellit, namazi i eklipsit të hënës, namazi ‘tesbih’ dhe namazi i teravive.

4. Ikameti

Njeriu, i cili, me faljen e namazit sunet pas marrjes së abdesit dhe dëgjimit të ezanit, ka hedhur kështu edhe hapin e tij të tretë drejt faljes së namazit farz, me ngritjen në këmbë të një myezini me zë melodik që thërret ikametin duke iu drejtuar Allahut me sinqeritet të plotë, bën përgatitjet e fundit dhe përjeton nëpërmjet tij edhe një shpërthim të fundit emocionesh. Në këtë pikë, dua të prek edhe një çështje tjetër në lidhje me ikametin. Zëri dhe mënyra e të kënduarit gjatë çasteve të thirrjes së ikametit, nëse ndihmojnë në thellimin edhe ca më shumë të dimensionit të dridhmës te ne, janë të pranueshme; përndryshe, që personi ta lëshojë veten e të rrëmbehet nga rrjedha e melodisë, kjo është diçka që as nuk mund të dëshirohet e as të pranohet. Ky është kriteri që duhet mbajtur parasysh edhe gjatë këndimit të një ilahije apo mevludit. E rëndësishme është që zëri të zbresë poshtë fytit, që, bashkë me zërin, të rënkojë edhe ndërgjegjja dhe ana e brendshme e njeriut. Ja, pra, ikameti, i kënduar nga myezini brenda kornizës së këtyre kritereve, do t’ju vijë në ndihmë dhe do t’ju bëjë të emocionoheni edhe një herë në çastin e lidhjes në namazin farz.

Po, nëpërmjet ikametit, myezini e përsërit edhe një herë ezanin dhe, duke shtuar pjesën “Kini kujdes, namazi po fillon!”, bën paralajmërimin e fundit para fillimit të namazit farz. Sa i përket faljes së namazit farz, ai është çasti kur robi bëhet njësh me pasqyrimet Cilësive të Larta të Zotit të Madhëruar.

Shënimet

  1. 157.Surja Teube, ajeti 108.
  2. 158.Muslim, taháret 1; Tirmidhí, de’auát 86.
  3. 159.Surja Máide, ajeti 6.
  4. 160.Muslim, taháret 32; Tirmidhí, taháret 2; Ebú Dáúd, taháret 51.
  5. 161.Buhárí, vudú 25; Muslim, taháret 87-88.
  6. 162.Tirmidhí, tefsír 5; Nesáí, tahrím 2, kasáme 48.
  7. 163.ibn Máxhe, taháret 7.
  8. 164.ibn Máxhe, taháret 7.
  9. 165.Muslim, taháret 41; Tirmidhí, taháret 39.
  10. 166.Surja Hadíd, ajeti 21.
  11. 167.Ahmed ibn Hanbel, el Musned 1/19, 4/150.
  12. 168.Buhárí, vudú 3; Muslim, taháret 34-37.
  13. 169.Buhárí, libás 90; Muslim, taháret 40.
  14. 170.Muslim, taháret 39; Nesáí, taháret 110; ibn Máxhe, zuhd 36.
  15. 171.Buhárí, fadlu lejletil kadr 2; Muslim, sijám 213.
  16. 172.Buhárí, ímán 29; Nesáí, ímán 28.
  17. 173.Surja Máide, ajeti 6.
  18. 174.Surja Bekare, ajeti 185.
  19. 175.Surja Bekare, ajeti 152.
  20. 176.Muslim, dhikr 41; Tirmidhí, tefsíru súre (47) 1; ibn Máxhe, edeb 57.
  21. 177.Tirmidhí, kader 7, de’auát 89, 124; ibn Máxhe, duá 2.
  22. 178.Buhárí, edhán 4; Muslim, salát 19.
  23. 179.Ebú Dáúd, edeb 78; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 5/364, 371.
  24. 180.Surja Mu’minún, ajetet 1-2.
  25. 181.Buhárí, edhán 8, tefsíru súre (17) 11; Tirmidhí, salát 157; Ebú Dáúd, salát 28.
  26. 182.Tirmidhí, salát 306; ibn Máxhe, ikáme 100.
  27. 183.Muslim, salátul musáfirín 96; Tirmidhí, salát 307; Nesáí, kijám 56.
  28. 184.Surja Bekare, ajeti 45.
  29. 185.Tirmidhí, salát 317; ibn Máxhe, ikáme 108.
  30. 186.Tirmidhí, salát 318; Ebú Dáúd, salát 296.
  31. 187.Abdurrezzak, el Musan’nef 3/70; ibn Ebí Shejbe, el Musannef 2/16.