KOHËT E NAMAZIT
J
eta duhet programuar sipas namazit dhe namazi, si një kalendar, duhet t’i rrethojë të gjitha pikat e jetës. Bllokada e kalendarit të vërtetë të jetës duhet ngritur mbi namazin. Kohët e namazit duhet të jenë gurë themeli dhe sipas tyre duhen programuar punët e tjera. Të vjetrit, kur merreshin vesh për ndonjë punë, thoshnin: “Takohemi para namazit të sabahut… E fillojmë pas namazit të drekës…” Kjo mënyrë e të shprehurit në lidhje me kohën vërehet edhe në Kuran, në shumë vende të të cilit hasim shprehje të tilla si “Pas faljes së namazit…”, “Para aksh namazi…” etj. Rrjedhimisht, besimtari, për të marrë ato gjëra që do t’i jepen nga horizonti i mëshirës, do të përshkojë rrugën drejt mesxhidit, do të kontrollojë zemrën dhe do të vëzhgojë Zotin e tij nga vendvrojtimi i mesxhidit. Sahabët, kur shpjegonin ndjenjat e madhështisë dhe të frikës, të cilat i përjetonin në çastet e daljes para Allahut në namaz, thoshnin kështu: “Ne uleshim dhe bisedonim me Profetin tonë (s.a.s.), por kur lidheshim në namaz, nuk shikonim majtas apo djathtas. Në namaz, nuk e njihnim njëri-tjetrin. Vështrimi dhe vëmendja jonë fiksoheshin te një botë tjetër, të cilën nuk e kishim ditur më parë.” Sepse i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u pati thënë atyre kështu: “Allahu e shikon robin e tij që fal namaz, drejtohet për nga ai. Kur robi largon prej Tij fytyrën duke parë majtas e djathtas, Ai gjithashtu e shkëput shikimin e Tij prej robit.”
Po, një person që nuk e ndjen këtë pjekuri në shpirt edhe gjatë çasteve kur është duke iu drejtuar Zotit, nuk do t’u shpëtojë dot dëshirave të tij trupore, nuk do të jetë në gjendje të fluturojë në botën e zemrës, nuk do të jetë në gjendje t’u japë drejtimin e duhur uljeve dhe ngritjeve të
tij, gjendjen e tij të mjerueshme në shtëpi e rrugë do ta vazhdojë edhe në xhami; do të falë namaz, por do të kthehet pas e do të largohet pa i korrur frytet e tij. Disa dijetarë shumë të kujdesshëm dhe të përpiktë në këtë çështje, kanë thënë se i prishet namazi atij që shpërqendrohet gjatë faljes së tij aq sa të fillojë të mendojë se kë përson ka në krah apo se kush është personi që po vjen për t’u lidhur në namaz në krah të tij dhe e kanë përdorur këtë si një masë në çështjen e hutimit gjatë namazit. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë: “Lutjuni Allahut me besimin se Ai do t’ju përgjigjet. Dijeni se Allahu (xhel’le xheláluhu) nuk e pranon duanë e një zemre që hutohet duke u marrë me gjëra të tjera.”
Kështu, besimtari, ashtu siç ruan kuletën nga hajdutët apo fajdexhinjtë, po ashtu duhet të ruajë e të kontrollojë zemrën kur kalon nëpër rrugët ku mbizotërojnë shthurja, imoraliteti dhe gjynahet. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe pasi të arrijë në mesxhid. Duhet të kontrollojë sërish zemrën dhe të flakë jashtë saj çdo gjë të kësaj dynjaje që mund të bëhet shkas për largimin e tij nga Zoti i Madhëruar. Duhet të tregojë një përpjekje të madhe për të arritur kthimin tek Allahu dhe drejtimin për tek Ai ashtu siç duhet. Në të kundërt, i bie që zemrës së tij, në emër të ndërtimit të një marrëdhënieje me Zotin e tij dhe të daljes para Zotit, të mos i ketë kushtuar rëndësi as sa kuleta e tij. Për rrjedhojë, po kaq do të jetë edhe vlera e tij tek Allahu. Në namaz, besimtari duhet të dijë vetëm Zotin e tij, duhet t’i drejtohet Atij me gjithë zemër. Me faljen e namazit pesë herë në ditë, sikur të jetë duke e goditur atë me tokmak pas qafe, do ta shpërbëjë, do ta heqë qafe hutesën shkaktare të largimit të tij nga Zoti. Dhe, kështu, do ta bëjë robërinë e tij ndaj Zotit mbizotërues të të gjithë kohës. Koha, e cila pranohet në trajtën e një vije nocionore, në sajë të kësaj robërie dhe të adhurimeve të kryera do të fitojë vlerë dhe do të vërshojë drejt botës së pafund si një lumë i rrëmbyeshëm; nata do të ndjekë ditën, dita do të ndjekë natën dhe, në fund, do të vijnë frutat e Xhenetit, të cilat do t’i buzëqeshin robit në Xhenet.
Po, çdo gjë që do t’i dalë robit përpara atje, do të jetë një shprehje e marrëdhënies së tij me Zotin këtu. Nëse ka ndier një gëzim të veçantë sa herë ka falur namaz këtu, nëse i është drejtuar Zotit me rrezatime e kuptime krejtësisht të reja në çdo rast, atëherë Zoti do t’ia kthejë atij të gjitha këto atje, një nga një.
1. Caktimi i namazit pesë herë në ditë
Fakti që kohët e namazit në një ditë janë pesë, mund të kuptohet si nga ajetet e Kuranit Famëlartë, po ashtu edhe nga Suneti i Profetit tonë (s.a.s.). Fillimisht do të përmendim ato shenja të ajeteve të Kuranit që na e bëjnë të ditur këtë, kurse hadithet në lidhje me këtë temë, do t’i shqyrtojmë më pas.
a. Pesë kohët e namazit në Kuranin Famëlartë
Duke qenë se jemi njerëz, ne i harrojmë shumë shpejt dhe vështirë se i sjellim më në mendje mirësitë e mundësuara nga i Madhi Zot. Allahu, që na njeh më mirë seç e njohim ne veten, ngaqë e di shumë mirë këtë shkujdesje dhe hutesë tonën, i ka ndarë njëzet e katër orët e ditës në intervale kohore të caktuara dhe na ka kërkuar që, gjatë pjesëve të caktuara të këtyre intervaleve kohore, brenda një atmosfere pothuajse llogaridhënieje dhe për të kujtuar edhe një herë të mirat e begatitë që zotërojmë falë Tij, të dalim para Tij me përulje dhe gjithë respekt. Sepse mahnitja dhe admirimi i robit vazhdojnë për aq kohë sa ai ndodhet afër mjedisit hyjnor; e kundërta ndodh kur ai qëndron larg Zotit, ndjenjat shtazore e kapin për jake dhe nuk ia lëshojnë atë. Ja, pra, që ne të mund t’i shpëtojmë kësaj hutese, Allahu i Madhëruar, duke thënë “Namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuara.”, na fton në xhami për të falur namaz në kohë të caktuara.
Kurani i Shenjtë flet për kohët e namazit në shumë ajete të tij. Disa prej tyre janë si vijojnë:
“Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.”
“Kryeje namazin prej kthimit të Diellit (nga gjysma e qiellit) deri në errësirën e natës dhe këndo Kuran në agim; me të vërtetë, falja e mëngjesit është e dëshmuar (nga engjëjt).”
“Prandaj duroje (o Muhamed) atë që thonë ata dhe lavdëroje me falënderim Zotin tënd para lindjes së Diellit dhe para perëndimit të tij! Lavdëroje Atë edhe në orët e natës, edhe në skajet e ditës, që të arrish pëlqimin e Zotit.”
Në një vend tjetër, duke thënë “Prandaj lavdërojeni Allahun, kur bie muzgu dhe kur gdhin drita! Për Atë është falënderimi në qiej dhe në Tokë, në mbrëmje dhe në mesditë.”, na bën me dije se kohët e namazit në një ditë janë pesë.
Kështu, në kohët e akshamit, jacisë dhe sabahut, kur engjëjt në qiej dhe adhuruesit në tokë i drejtohen Atij me lavdërime e falënderime, dhe në kohët e drekës dhe ikindisë, kur e gjithë bota shndërrohet në një gjuhë që përmend, lavdëron dhe lartëson Allahun, edhe robi, me fjalë që shprehin madhështinë e Zotit, do t’i bashkohet kësaj simfonie të gjerë dhe nuk do ta prishë këtë harmoni. Nafi ibn Ezrak është një nga ata që e kanë dëgjuar prej Abdullah ibn Abasit (r.a.) botëkuptimin e Profetit tonë (s.a.s.) në çështjen e tefsirit. Kur e pati pyetur ai Abdullah ibn Abasin (r.a.) me fjalët “A shpjegohen pesë kohët e namazit në Kuranin Famëlartë?”, Abdullah ibn Abasi i pati kënduar këtë ajet. Po, ky ajet tregon se namazet ditore janë pesë dhe se duhen falur në kohët e tyre përkatëse. Jo vetëm Abdullah ibn Abasi (r.a.), po edhe shumë sahabë të tjerë kanë nxjerrë të njëjtin kuptim nga ky ajet.
Duke thënë se në ajet përmenden vetëm katër kohë, mund të na lindë ndonjë dyshim në lidhje me këtë çështje. Por ky numër shprehet në një mënyrë më të qartë në ajetin “Falini rregullisht namazet dhe namazin e mesëm, dhe qëndroni me devotshmëri para Allahut, duke iu lutur Atij.”. Në arabisht, gjërat që janë më pak se tre nuk shprehen në shumës. Rrjedhimisht, me fjalën “namazet” shprehen minimumi tre namaze. Në ajet flitet edhe për namazin e mesëm. Që do të thotë se në këtë ajet bëhet fjalë për katër namaze. Por, që një namaz të quhet namaz i mesëm, nevojitet që në dy anët e tij të ketë një numër të barabartë namazesh. Rrjedhimisht, kohët e namazeve nuk mund të jenë katër. Atëherë i bie që kohët e namazit duhet të jenë të paktën pesë. Pavarësisht mosmarrëveshjeve në këtë pikë, mbizotëron mendimi se namazi i mesëm është namazi i ikindisë. Nëse do duhej të jepnim si shembull një nga transmetimet që e mbështesin këtë mendim, mund të përmendnim fjalët e Profetit tonë (alejhis’salátu ues’selám) në një çast të luftës së Hendekut. Një ditë, për shkak të intensitetit të luftës, Ai (s.a.s.) dhe besimtarët e tjerë nuk kishin mundur ta falnin në kohë namazin e ikindisë. Në këtë situatë, Ai i qe drejtuar Zotit me këto fjalë: “O Allahu im! Mbushua me zjarr shtëpitë dhe varret atyre që na penguan në faljen e namazit të mesëm, namazit të ikindisë.”
Po, aq i rëndësishëm është namazi, sa për ta bërë të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) të mërzitej jashtëzakonisht shumë për namazet që, për shkak të ashpërsisë së luftës, nuk i falte dot. Ai ishte lutur gjithmonë për të mirën dhe shpëtimin e gjithë njerëzimit, por, këtë herë, ngriti duart lart dhe i mallkoi ata që i ishin bërë pengesë në faljen e namazeve. Përse pati vepruar kështu Profeti i Mëshirës? Sepse namazi kishte një vlerë të veçantë në sytë e Tij. Atë ditë, namazi i mesëm kishte ikur pa u falur. Për rrjedhojë, dita qe copëtuar, drejtimi për nga Zoti në kohën e ikindisë nuk qe realizuar dhe një pjesë e miraxhit qe braktisur.
Kështu që, kohët e namazit në një ditë duhet të jenë pesë dhe, në mënyrë që të fitojë shpejtësi në ngjitjen drejt përsosmërisë, robi duhet të jetë në gjendje të dalë para Allahut pesë herë në ditë. Ai duhet të jetë në gjendje të japë llogari për jetën e tij pesë herë në ditë, që t’i shpëtojë hutesës dhe të mund të ndërtojë një marrëdhënie me Zotin e tij. Ai duhet të dijë të ulet me edep para Allahut, që zemra e tij të jetë e përgatitur për misteret e më të shenjtës begati, ndjenjat e tij të mësohen me këtë punë, në shpirtin e tij të lindë një butësi dhe xhentilesë dhe, në këtë mënyrë, të flakë tutje veçoritë kafshërore e të mos mbajë mbi shpinë një barrë të panevojshme.
Një tjetër çështje që na tërheq vëmendjen në këtë ajet është të shprehurit e namazit nëpërmjet fjalës ‘tesbih’. E, në fakt, një nga kuptimet e namazit është edhe ky. Sepse namazi është mënyra më e përsosur e përmendjes së Allahut. Ne rrimë e kërkojmë fjalët më të përshtatshme për të shprehur madhështinë e Zotit të Madhëruar dhe vogëlsinë tonë, gjatë gjithë kohës orvatemi të gjejmë mënyrat më të përshtatshme për të shprehur me fjalë, me vepra dhe me gjendjen tonë madhështinë e Tij. Por shprehjet më lartësuese dhe që e shprehin më së miri madhështinë e Allahut, – këto janë ‘Subhánalláh’, ‘Elhamdulil’láh’ dhe ‘Alláhu Ekber’ – të gjitha janë të shpërndara nëpër pjesët përbërëse të namazit. Akoma pa filluar me kiraetin, “Allahu im, Ti je larg çdo të mete, madhështia absolute të përket vetëm Ty dhe lavdërimet e falënderimet e mia për Ty janë!” themi në duanë ‘Subháneke’; këndimin e Fatihasë e fillojmë me ajetin “Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve.”, ndërsa kur ngrihemi nga rukuja, themi “O Zoti im! Të gjitha lavdërimet janë për Ty.”. Pra, gjatë namazit, me të gjitha këto shprehje lavdërojmë dhe falënderojmë Allahun. Në të njëjtën mënyrë, ne shprehim në namaz përballë veprimtarisë marramendëse të Allahut habinë dhe admirimin tonë me fjalët ‘Alláhu Ekber’; ulemi e ngrihemi, kalojmë nga njëra pjesë e namazit në tjetrën duke thënë ‘Alláhu Ekber’. Nëpërmjet fjalës ‘Subhánalláh’, shprehim faktin se nuk duhet zgjatur dorë për te madhështia e Tij dhe se në asnjë mënyrë nuk i dilet kundër Atij; ndonjëherë sjellim njëra pranë tjetrës ashpërsinë dhe butësinë e Tij dhe themi: “Allahu im! Të përmend Ty me lavdërimet e Tua; Allahu im i Lartë, deklaroj se Ti je larg çdo të mete!” I Dërguari i Allahut (s.a.s.), në një fjalë të tijën që, për ne, përbën një lajm të mirë, ka thënë kështu: “Ekzistojnë dy fjalë, të cilat janë të lehta për gjuhën, të rënda në peshore dhe shumë të dashura tek i Gjithëmëshirshmi: ‘Subhánalláhi ue bihamdihi, subhánalláhil adhím’.”
Shkurtimisht, namazi është formuluar i gjithi nga Allahu i Madhëruar. Pesë namazet ditore, të stolisura me këto fjalë të shenjta e që duhet të kryhen çdo ditë, do të na lartësojnë me përmendjet dhe lavdërimet që i bëjmë Zotit gjatë faljes së tyre dhe, duke qenë adhurime në dimensionet e miraxhit, do të na çojnë shpirtërisht para Allahut brenda një çasti.
b. Pesë kohët e namazit në hadithe
Caktimi i namazit në pesë kohë nuk ka mbetur i përmbledhur vetëm me ato që thuhen në ajetet e Kuranit. Allahu i Madhëruar ia mësoi Profetit tonë (s.a.s.) kohët e namazit nëpërmjet engjëllit. Në një hadith të transmetuar nga Abdullah ibn Abasi (r.a.), i Dërguari i Allahut (s.a.s.) tregon për këtë të vërtetë si vijon: “Xhibrili më priu në faljen e namazit pranë Bejtullahut (Shtëpisë së Zotit) përgjatë dy ditëve. Në ditën e parë, namazin e drekës e falëm kur hija ishte sa lidhësja e këpucëve (pra, në mes të ditës, në kohën kur objektet kanë hijen më të shkurtër të mundshme). Pastaj, kur hija e çdo objekti arriti në madhësinë e vetë objektit, falëm namazin e ikindisë. Namazin e akshamit e falëm kur perëndoi dielli, në kohën kur agjëruesi çel agjërimin e tij; namazin e jacisë e falëm pasi drita në horizont u zhduk, kurse namazin e sabahut e falëm kur errësira e natës filloi t’ia linte vendin dritës, në kohën kur agjëruesit i ndalohet ngrënia dhe pirja. Ditën e dytë, namazin e drekës e falëm në kohën kur, gjatë ditës së parë, kishim falur namazin e ikindisë, pra, atëherë kur çdo gjë e ka hijen po aq sa është edhe ajo vetë. Namazin e ikindisë e falëm kur hija e çdo gjëje arriti në madhësinë sa dyfishi i madhësisë së secilës gjë. Namazin e akshamit e falëm në të njëjtën kohë me atë të ditës paraardhëse; namazin e jacisë, pasi kishte kaluar një e treta e natës; kurse namazin e sabahut e falëm pasi qielli ishte ndriçuar ca. Pastaj, Xhibrili u kthye nga unë dhe më tha: ‘O, Muhamed! Këto janë kohët e namazeve të profetëve të ardhur para teje. Kohët tuaja të namazeve janë kohët e mbetura mes këtyre dy kohëve!’”
Po, ne i shohim qartë pesë kohët e namazit në sunetin e Pejgamberit tonë (s.a.s.). Librat e haditheve autentikë të Buhariut dhe Muslimit raportojnë se, kur qe kthyer nga Miraxhi, Profeti ynë pati njoftuar se pesë kohët e namazit, të cilët vlenin sa pesëdhjetë kohët farz të popujve të tjerë, do të ishin farz për umetin e tij. Enesi (r.a.) na e përcjell kështu këtë hadith: “Natën kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u ngjit në miraxh, iu bënë farz pesëdhjetë kohë namaz. Por, më pas, këto u reduktuan në pesë kohë. Pastaj Allahu iu drejtua kështu: ‘O, Muhamed! Tek Unë, (vendimi është marrë) tashmë, kjo fjalë nuk ndryshohet. Këto pesë kohë, për Ty dhe për umetin tënd, (si një mirësi e Zotit tënd, do të pranohen dhjetëfish dhe) do të llogariten si pesëdhjetë kohë.’”
Në një hadith tjetër autentik, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i pyet sahabët: “Nëse një lumë rrjedh para derës së njërit prej jush dhe ai person lahet në atë lumë pesë herë në ditë, si thoni, a mund të mbesë ndonjë papastërti mbi trupin e tij?” Sahabët i përgjigjen me fjalët “Në trupin e një personi në këtë gjendje, asnjë papastërti nuk mbetet!”. Pas këtyre fjalëve të sahabëve, Profeti ynë (s.a.s.) thotë “Ja pra, ky është shembulli i pesë kohëve të namazit. Në sajë të namazeve, Allahu i fshin të gjitha gjynahet.” dhe shpreh qartë pesë kohët e namazit.
Një ngjarje tjetër, që shpjegohet në librat e haditheve në lidhje me kohët e namazit dhe që tregon për pesë kohët e namazit, transmetohet nga Ebu Musa el Esh’ariu (r.a.) në këtë mënyrë: “Erdhi një person tek i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe e pyeti për kohët e namazit. Pejgamberi ynë nuk i dha asnjë përgjigje atij. (Në një transmetim tjetër thuhet se i kërkoi atij të falte me ta namaz përgjatë dy ditëve.) (Në kohën e sabahut,) në ag, kur ishte akoma aq errësirë sa askush të mos ishte në gjendje të dallonte askënd përreth, urdhëroi Bilalin. Bilali këndoi ikametin e namazit të sabahut (dhe u lidhën në namaz). Pastaj, kur dielli kishte arritur majën dhe sapo kishte filluar të kthehej drejt perëndimit, e urdhëroi sërish Bilalin. Bilali këndoi ikametin e namazit të drekës. Dikush – dikush që e dinte këtë më mirë se të tjerët – pati thënë se kjo kohë ishte mesi i ditës. Mandej, kur dielli ndodhej ende lart dhe ishte akoma i shndritshëm, e urdhëroi Bilalin që të thërriste ikametin e namazit të ikindisë. Me perëndimin e diellit, e urdhëroi Bilalin për ikametin e namazit të akshamit, ndërsa kur u zhduk drita, e urdhëroi për ikametin e namazit të jacisë dhe, pas çdo ikameti, u falën edhe namazet. Të nesërmen, Profeti ynë (s.a.s.) e vonoi namazin e sabahut. Aq sa, pasi mbaruam me faljen, pyetëm njëri-tjetrin: ‘A lindi dielli?’ Namazin e drekës e falëm në (një kohë të afërt me) kohën kur kishim falur namazin e ikindisë së ditës paraardhëse. Namazin e ikindisë e falëm pasi dielli e kishte humbur shkëlqimin e tij dhe qe zverdhur, kurse namazin e akshamit, pak para se drita në horizont të zhdukej. Namazin e jacisë e shtymë derisa kaloi një e treta e parë e natës. Ditën tjetër, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e thirri në mëngjes personin që kishte bërë pyetjen dhe i tha: ‘Ja pra, kohët e namazeve janë mes këtyre dy kohëve.’”
Shkurtimisht, ashtu siç ka vazhduar deri më sot falja e pesë namazeve ditore në atë mënyrë që na e ka mësuar Profeti ynë (s.a.s.), po ashtu kanë vazhduar edhe pesë kohët e namazit. Prandaj, siç janë të rëndësishme për ne pesë namazet ditore, e rëndësishme është edhe falja e tyre në kohë. Thënë ndryshe, siç është farz falja e namazit, farz është edhe falja e tij në kohë; ashtu siç është haram braktisja e namazit, haram është edhe lënia e faljes së namazit për në një kohë tjetër të papërcaktuar. Për rrjedhojë, të gjitha namazet duhen falur brenda kohëve të përcaktuara nga Pejgamberi ynë (s.a.s.). Kur sahabët e pyesin Atë në lidhje me veprat më të virtytshme, si një nga tri gjërat që u numëron atyre Profeti ynë është falja e namazit në kohën e vet. Pra, do të thotë se koha, nëpërmjet namazit, ndriçohet dhe merr vlerë. Si vepër të dytë të virtytshme, Profeti (s.a.s.) përmend të qenit i sjellshëm dhe bujar ndaj prindërve. Ndërsa vepra e tretë më e virtytshme është xhihadi në rrugën e Allahut. Domethënë, këto vepra janë të barabarta me njëra-tjetrën.
2. Urtësitë e caktimit të namazit në pesë kohë të ditës
Ne vërejmë se në pesë namazet, që Allahu i Madhëruar i ka ndarë në pesë kohë të caktuara të ditës, Kurani, gjithësia, njeriu dhe adhurimet e tij janë të ndërthurura me njëra-tjetrën. Libri i universit, njeriu, që është bërthama dhe një shembull në miniaturë i universit, dhe Kurani, i cili është përkthyesi i universit dhe njeriut, ndërthuren në namaz dhe janë si tri fytyra të një gjëje të vetme. Robi, që është një përmbledhje dhe një model i vogël i gjithë universit, del i përulur para Zotit me Kuranin, që është përkthimi i librit të gjithësisë, dhe me Fatihanë, e cila është një përmbledhje e Kuranit, dhe kryen namazin, që është një përmbledhje e të gjitha adhurimeve dhe robërisë së tij ndaj Zotit.
Për ta shtjelluar pak më shumë këtë temë, mund të themi se njeriu është një indeks i universit, i krijuar në emër të Emrave dhe Atributeve Hyjnore. Të gjitha botët janë të fshehura tek ai, i gjithë universi brenda tij është ngjeshur. Pra, gjithësia, rresht pas rreshti, tek ai është shkruar; ashtu siç është shkruar i gjithë Kurani në fjalëzën ‘já sín’. Një sy i kujdesshëm dhe i vëmendshëm mund ta lexojë të gjithë universin te njeriu, mund t’i vërejë tek ai të gjitha kuptimet e tij. Sërish, përmbledhja e të gjithë librave është Kurani; të gjithë librat e tjerë të shenjtë, si Teurati, Zeburi, Inxhili (Ungjilli), janë të përmbledhur në librin e Kuranit; të gjithë libërthat dhe fletët që u janë zbritur profetëve të mëparshëm, emocionet e zemrave të tyre dhe frymëzimet që u ka mundësuar Allahu janë të përfshira në Kuran. Kurse Kurani, i gjithi është i përmbledhur te surja Fatiha. Për këtë arsye, shumë komentues të Kuranit kanë vënë theksin te kuptimet që përfshin Fatihaja dhe te mësimet që ajo jep dhe, deri më sot, kanë paraqitur vëllime të tëra veprash në këtë drejtim. Dhe, në këtë mënyrë, na e kanë bërë të qartë se Fatihaja është në çdo aspekt një përmbledhje e Kuranit Famëlartë.
Për rrjedhojë, Fatihaja e kënduar në namaz merr trajtën e një gjuhe që shpreh të gjithë përmbajtjen e Kuranit. Me të i shprehim ne të gjitha përmendjet, lavdërimet, falënderimet, lartësimin dhe tekbiret që i bëjmë Allahut, nëpërmjet saj përpiqemi t’ia paraqesim Atij adhurimet dhe robërinë tonë ndaj Tij. Pastaj sigurisht, për të mos dalë gënjeshtarë në të gjitha këto, duke thënë “Zoti im! Ne nuk jemi hipokritë që nuk e bëjnë atë që thonë; për t’i vulosur ato çfarë kemi shprehur me gjuhë, do të shkojmë në mesxhid dhe do të vëmë kokën në sexhde. Do t’i vëmë vulën gojës sonë nëpërmjet agjërimit, gjatë netëve do të braktisim shtretërit e ngrohtë dhe do t’i bindemi ajetit ‘Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne.’”, do t’i tregojmë e vërtetojmë me gjendjen dhe veprat tona. Sepse gjuha është përkthyesja e zemrës, ndërsa veprat, dëshmia e gjuhës. Nëse ka dëlirësi në zemër, ajo do të gjejë ekuivalentin e saj edhe te gjuha; nëse ajo që thuhet me gjuhë është e drejtë, do të pasqyrohet edhe në vepra. Është e pamundur që këto tri gjëra të ndahen nga njëra-tjetra.
Po, robi, që është përmbledhja e universit, vjen para Allahut nëpërmjet miraxhit të namazit, që është një përmbledhje e të gjitha adhurimeve, dhe me Fatihanë, e cila është përmbledhja e të gjithë Kuranit. Kështu, universi pasqyrohet tek ai si një libër i mbështjellë dhe i bërë rul. Këtë mund ta shprehim edhe në këtë mënyrë, me një gjuhë më të kuptueshme: Ashtu siç ekzistojnë orët me akrepat që numërojnë sekondat, minutat dhe orët, imagjinoni sikur të ekzistonte një orë e atillë, akrepat e së cilës do të tregonin vitet, jetët e njerëzve dhe jetëgjatësinë e universit. Secili akrep i saj do të bënte ‘tiktak’ sa herë të plotësohej koha e përfaqësuar prej tyre. Kur të lëvizte njëri nga akrepat, do të lëviznin edhe akrepat e tjerë. Ja, pra, një orë e tillë e Allahut është gjithësia; ndërsa gjërat dhe ngjarjet rrjedhin në kohë siç vërshon uji gjatë një përmbytjeje, akrepat e një ore të këtillë vazhdojnë të lëvizin, duke bërë kështu që ora të mirëfunksionojë. Ajo ka akrepa që tregojnë ditët, javët, muajt dhe vitet; tiktaket e tyre dëgjohen sa herë mbushet koha që përfaqësojnë ato. Ne, kur shikojmë në atë orë të madhe akrepin që tregon vitet, besojmë se ekziston edhe një akrep që tregon jetëgjatësinë e njeriut, brenda nesh krijohet përshtypja se edhe ai është duke lëvizur. Do të vijë një ditë kur sekreti i ajeteve “Çdo gjë që është në Tokë do të zhduket, do të mbetet vetëm Fytyra (Qenia) e Zotit Tënd, plot Madhëri dhe Nderim.” do të shfaqet; të gjitha orët do të ndalen, tiktaket e çdo gjëje që punon do të pushojnë së rrahuri. Atë ditë, vetëm Allahu do të mbesë, vetëm Ai do të flasë, vetëm Ai do të dëgjojë, Ai do të sundojë. Kështu që, njeriu do të jetë në gjendje të vazhdojë të ekzistojë në një trajtë të panjohur tani për tani, por që do të varet nga lidhja dhe raporti i tij me Allahun. Sepse prej Allahut erdhi dhe tek Ai do të kthehet.
Në Hutben e Lamtumirës, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë: “Koha, duke u rrotulluar vazhdimisht, gjeti sërish rendin që kishte në ditën kur Allahu krijoi tokën dhe qiejt. Viti ka dymbëdhjetë muaj.” Në fakt, edhe pse merrnin për bazë kalendarin hënor, për shkak të një praktike të quajtur ‘nesí’, të cilën e kryenin me qëllimin që stinët e tregtisë të përputheshin me muajt haram, mushrikët e periudhës së injorancës e patën bërë lëmsh radhën e muajve, për rrjedhojë, edhe kalendarin. Kështu, kjo situatë u bë shkak edhe për ngatërrimin e harameve dhe hallalleve, që Zoti i Madhëruar kishte përcaktuar në lidhje me kohën. Sepse, ashtu siç kishte një kohë në botën normale, edhe makrobota e kishte një rend dhe orën e saj funksionale. Ja, pra, në shoqërinë nga ku kishte dalë i Dërguari i Allahut (s.a.s.), këto dy kohë nuk ishin në përputhje me njëra-tjetrën. Me përmbushjen e jetës së tij profetike në Hutben e Lamtumirës, duke u thënë besimtarëve se koha kishte hyrë në shinat e duhura, Profeti ynë (s.a.s.) i informoi ata edhe në lidhje me këtë temë. Pra, përkarshi kohës së botës së madhe, edhe koha e botës së vogël kishte filluar të funksiononte si një zemër që rreh në harmoni; koha e shprehur në orë, minuta dhe sekonda në botën e vogël korrespondonte me vitet, javët dhe ditët e botës së madhe. Brenda këtij sekreti të përpiktë duhet parë edhe sekreti që bartin pesë kohët e namazit.
Po, një kohë po rrjedh në makrobotë, një kohë që, si një shigjetë që po i hollohet maja gjithnjë e më shumë, vjen deri te ne dhe, pastaj, shndërrohet në orë, minuta e sekonda. Madje kjo vijë bëhet aq e hollë në mikrobotë, aty ku shqisat tona dalin jashtë loje, saqë detyrohemi ta shprehim atë me të dhjetat apo të qindtat e sekondës. Për shembull, është e pamundur të matet me orë dore shpejtësia e lëvizjes së elektroneve rreth e rrotull bërthamës. Në të njëjtën mënyrë, ora e dorës mbetet shumë e vogël përballë matjes së kohës së nevojitur në rrotullimet e hënës, diellit apo planeteve. Prapëseprapë, të qindtat e sekondës na japin myzhdenë e sekondave, minutave dhe orëve; këto të fundit, atë të ditëve dhe javëve; ditët dhe javët, atë të muajve dhe viteve; ndërsa muajt dhe vitet, atë të jetëgjatësisë së njerëzve dhe universit. Kështu, kur të shikoni lëvizjen e akrepit të sekondave në orën tuaj të dorës, do të shihni rrotullimin e Diellit brenda Rrugës së Qumështit, do të ndieni orbitën tek i afrohet çarkut tuaj të exhelit dhe do të vëreni se si po i fut duart në jetëgjatësinë e shtresës njerëzore. Dhe, mes gjithë këtyre ndjesive, do të sillni në mendje ditën kur do të ndalet edhe zemra e gjithësisë, kur do të marrë fund gjithçka. Ja, pra, nëpërmjet një botëkuptimi të këtillë, do ta kemi më të lehtë ta kuptojmë atë që na tregon koha e namazit të sabahut, atë që na tregon koha e namazit të drekës, atë që thotë koha e ikindisë, atë që na shpjegojnë kohët e namazeve të akshamit dhe jacisë.
a. Kuptimi i kohës së namazit të sabahut
Me zbardhjen e ditës, ne hyjmë në kohën e sabahut të gëzuar e gjithë haré për vetë faktin e arritjes së një dite të re e të shndritshme dhe themi se edhe ne patëm lindur dikur njësoj siç po lind kjo ditë. Kjo ditë e re na njofton edhe për ditën e ngjizjes sonë në barkun e nënës, edhe për ditën e parë të krijimit të gjithësisë në gjashtë ditë. Ne ngjitemi nëpër një shirit të caktuar drejt orës së madhe, pra, nga agu i një dite që po lind mbi kokat tona, në çastin e ngjizjes sonë në barkun e nënës, nga aty, kalojmë në ditën e parë të krijimit të gjithësisë dhe kujtojmë krijimin e këtyre ditëve nga ana e Allahut për të na e mbushur prehrin me mirësitë e Tij të pafund. Pastaj, pavarësisht largësisë sonë ndaj Tij, duke dëshiruar që Ai të jetë pranë nesh me afërsinë e Tij, dalim para Allahut për ta përmendur, lartësuar dhe lavdëruar Atë. Ja, pra, ç’adhurim me vend është namazi i sabahut i kryer brenda një botëkuptimi të këtillë!
Bediuzaman Said Nursi, në lidhje me namazin e falur në një kohë të tillë, shprehet kështu: “Për nga natyra, njeriu është shumë i dobët. E megjithatë, të shumta janë gjërat që e prekin atë, e dëshpërojnë dhe e pikëllojnë. Ai është shumë i brishtë gjithashtu. Por, pavarësisht kësaj, belatë dhe armiqtë e tij janë po aq të shumtë. Ai është shumë i varfër. Ama edhe nevojat e tij janë me të vërtetë të shumta. Ai është gjithashtu dembel dhe i pafuqishëm. Por, nga ana tjetër, përgjegjësitë e jetës janë goxha të rënda. Të qenit njeri e ka bërë atë të jetë i lidhur me të gjithë universin. Mirëpo, ndarja nga gjërat që do dhe me të cilat është mësuar e ka krijuar miqësi dhe zhdukja e tyre e lëndojnë vazhdimisht. Mendja i tregon atij qëllime të larta dhe fruta të përhershme. Por, ç’e do, duart i ka të shkurtra, jetën të shkurtër, fuqinë të pamjaftueshme dhe durimin të pakët. Kështu, mund të kuptohet qartë se sa shumë e nevojshme është për shpirtin që, në kohën e mëngjesit të hershëm (fexhr), të trokasë me dua dhe namaz në derën e të Plotfuqishmit Madhështor, të lutet e të përgjërohet në derën e Mëshirëplotit Hirplotë, t’i paraqesë Atij gjendjen në të cilën ndodhet dhe të kërkojë prej Tij ndihmë e sukses; mund të kuptohet qartë se ç’pikëmbështetje e nevojshme është kjo për të, që të jetë në gjendje t’i durojë ato që do t’i ndodhin gjatë ditës në vazhdim dhe punët, detyrat që do t’i ngarkohen mbi shpinë.”
b. Kuptimi i kohës së namazit të drekës
Koha e drekës është çasti kur dita arrin pjekurinë e saj. Për rrjedhojë, në drekë dita ka ardhur në pikën kur pema jep frutat e saj. Koha e drekës ngjan gjithashtu me çastin kur akrepi i jetës së një njeriu tregon vitet e tij të rinisë. Në çastet e krijimit të gjithësisë, ajo tregon krijimin e babait tonë Ademit (a.s.), profetit të parë, fillimin e periudhës gjatë së cilës do të kuptohet kuptimi i krijesave dhe fillimin e kohës në të cilën vullneti do të kuptojë kuptimin e gjërave dhe ngjarjeve. Pra, nëse do t’i ndiqnim në rresht kuptimet e kohës së namazit të drekës, do të kalonim nga rinia jonë në pjekurinë e ditës, nga pjekuria e ditës në pjekurinë e ditëve të gjithësisë dhe nga kjo e fundit në lartësimin e Ademit (a.s.) për te mirësia e të qenit një bashkëbisedues i Allahut. Të dalësh në kohën e drekës para Allahut për ta falënderuar për të gjitha këto, të qëndrosh para Tij duarlidhur dhe i përulur, të thuash “O Ti, që na i ke mbushur pëqinjtë me xhevahire mirësish që nga krijimi i Ademit (a.s.) e deri në vaktin e drekës së kësaj dite! O Allahu im! Kam ardhur të fal namazin e drekës, që të të falënderoj Ty dhe të shpreh veprimtarinë Tënde madhështore!” dhe t’i shprehësh këto me fjalët ‘Subhánalláh’, ‘Elhamdulil’láh’ dhe ‘Alláhu Ekber’… Të gjitha këto nuk përbëjnë gjë tjetër veçse një adhurim plot urtësi e përfitime.
Po, koha e drekës na kujton çastin kur punët e përditshme fillojnë të rëndohen dhe mirësitë e Allahut arrijnë kulmin. Në këtë kohë, njeriut i bëhet sikur është duke u mbytur nga shqetësimet e punëve të asaj dite. Kështu që, për t’i lënë mënjanë këto shqetësime dhe për të shpëtuar prej tyre nga njëra anë, nga ana tjetër, që ta falënderojë Zotin për mirësitë e panumërta, të mundësuara deri në atë orë të ditës, vrapon drejt mesxhidit dhe, duke u shkëputur përkohësisht nga punët e kësaj bote, gjen rastin për të marrë frymë lirshëm. Duke thënë “O Allahu im! Ti je i Madhi, kurse i vogli jam unë!”, shpreh edhe një herë dobësinë dhe varfërinë e tij. Pastaj kalon në ruku, e cila nënkupton fjalët “Të gjitha gjymtyrët e mia përkulen para madhështisë Tënde.”, dhe, në fund, ulet në sexhde. Të gjitha këto janë një pushim dhe një frymëmarrje e atillë për shpirtin, saqë, po të ishte njeriu në gjendje të dëgjonte me të vërtetë shpirtin dhe të mbante vesh rrahjet e zemrës së tij, do të ndiente në namaz çlirimin e nxënësit që ka dalë në pushim pas një ore të mërzitshme mësimi.
Vrapimi drejt mesxhidit në kohën e drekës, atëherë kur nxehtësia e madhe e saj, për të cilën Profeti ynë (s.a.s.) ka thënë “I nxehti i madh është një fryrje e Xhehenemit.”, të godet në kokë, bart freskinë e mbështetjes tek Allahu dhe të strehimit në hijen e Tij në atë ditë kur nuk do të ketë asnjë hije tjetër; vrapimi drejt mesxhidit në kohën e drekës bart freskinë e hyrjes nën flamurin e Profetit tonë Famëlartë e Bujar (s.a.s.).
Po, ardhja në këtë kuptim për në namazin e drekës do të thotë të braktisësh përkohësisht anën trupore dhe t’ia vësh veshin britmës së zemrës, të dëgjosh terminologjinë e shpirtit. Dhe kjo është vetë paqja, lumturia.
c. Kuptimi i kohës së namazit të ikindisë
Koha e ikindisë është koha kur dielli fillon të tregojë një anim drejt perëndimit. Për rrjedhojë, kjo kohë na kujton çastin e plakjes së njerëzimit dhe, bashkë me lindjen e profetit të fundit, Krenarisë së Gjithësisë (s.a.s.), perëndimin e tij. Kur po kryejmë namazin e ikindisë, ne kuptojmë se çdo gjë është gati në të perënduar dhe se, brenda disa orësh, gjithçka gjendet mbi sipërfaqen e tokës do të zhduket. Kuptojmë gjithashtu se edhe ne, me dhimbjet e belit, sëmbimet te këmbët dhe thinjat në kokë, jemi të përkohshëm këtu dhe se po i afrohemi dalëngadalë fundit. Pikërisht në këtë kohë, kur jemi thuajse duke rënë në dëshpërim e në një gjendje të pashpresë, dëgjojmë thirrjen e ezanit dhe, duke u gëzuar për faktin se e gjetëm më në fund mënyrën për ta shndërruar në të përhershme këtë jetë të përkohshme, vrapojmë drejt faljes së namazit gjithë haré.
Kjo kohë na tregon gjithashtu edhe për shekullin e Pejgamberit tonë
të dashur. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë se Ai vetë është dielli i ikindisë dhe, për të bërë një krahasim mes umetit të Tij dhe popujve të mëparshëm, shprehet në këtë mënyrë: “Në krahasim me popujt që kanë jetuar para jush, vazhdimësia juaj është si koha mes ikindisë dhe perëndimit të diellit. Njerëzve të Teuratit iu dha Teurati, ata vepruan sipas tij deri në mes të ditës. Nuk mundën të vazhdonin më tej. Ata e morën shpërblimin e tyre me karatë. Pastaj, iu dha Inxhili njerëzve të Inxhilit. Edhe ata vepruan sipas tij deri në kohën e namazit të ikindisë. Por as ata nuk patën fuqi për të vazhduar edhe më tej. Edhe ata u shpërblyen me karatë. Ne u shpërblyem me nga dy karatë. Ndjekësit e dy librave të parë thanë: ‘O Zoti ynë! Ti u dhe këtyre nga dy karatë. Kurse neve na pate dhënë nga një karat. Mirëpo, ne jemi më lart se ata në vepra!’ Allahu (xhel’le xheláluhu) tha: ‘A ju kam bërë ndonjë padrejtësi në shpërblimin tuaj?’ ‘Jo!’ thanë ata. Allahu tha: ‘Atëherë, kjo mirësi është e Imja, ia jap atë kujt të dua.’”
Pra, Shekulli i Lumturisë është lajmëtar i rrugëtimit të njerëzimit drejt fundit të tij. Duke qenë se Profeti ynë Bujar (s.a.s.) është profeti i fundit, është e qartë se jetëgjatësisë së njerëzimit nuk i ka mbetur dhe shumë kohë; ashtu siç kujtojmë me diellin e ikindisë pleqërinë tonë, po ashtu këtë gjë na sjell në mendje edhe Shekulli i Lumturisë. Ja, pra, në këtë kohë të ditës, të mërzitur e të trishtuar përballë këtyre ngjarjeve të njëpasnjëshme që na vijnë në mendje apo të gëzuar për vetë faktin se do të kalojmë në botën tjetër dhe se do të jemi në gjendje të përfitojmë nga begatitë e Xhenetit, pak rëndësi ka kjo, dalim para Allahut dhe kryejmë namazin e ikindisë. Në Kuran, në suren Asr, Allahu betohet për këtë kohë. Ne, duke vrapuar për të dalë para Zotit në një kohë të tillë, mbi të cilën edhe vetë Zoti është betuar, sikur po kërkojmë një mënyrë për t’i bërë të përjetshme gjërat që rrjedha përmbytëse e vdekjes dhe asgjësimit është duke i marrë para. Fjalët ‘Alláhu Ekber’, të cilat lartësohen nga minaret e xhamive, na japin frymë e na rigjallërojnë.
d. Kuptimi i kohës së namazit të akshamit.
Koha e akshamit është një moment perëndimi; dita mbaron, perëndon dielli dhe, kështu, ne futemi në një pjesëz të veçantë kohe. Kjo gjendje, bashkë me mbarimin e një dite njëzetekatërorëshe, na njofton edhe për vdekjen tonë. Sepse do të vijë një ditë dhe ne do të vdesim, do të mbështillemi me një qefin dhe do të futemi në varr me duar, këmbë dhe nofulla të lidhura. Pasi të ngulin një çift gurësh te kokat tona dhe të largohen që aty familjarët, të afërmit dhe miqtë tanë, do të mbesim aty vetëm.
Nga ana tjetër, kjo kohë na tërheq vëmendjen edhe për te përpëlitjet dhe rënkimet e tokës në agoninë e saj. Perëndimi i diellit na kujton faktin se, një ditë, çdo gjë që lind do të perëndojë, do të perëndojnë të gjitha sistemet. Po ashtu, na sjell në mendje edhe ajetet e Kuranit Famëlartë: “Kur Dielli të mblidhet e të humbë shkëlqimin, kur yjet të rrëzohen dhe malet të lëvizin tutje…” Për të ngushëlluar zemrat tona të trishtuara përballë këtij tmerri dhe për të bërë të mundur qetësimin edhe një herë të shpirtrave tanë, vrapojmë drejt namazit të akshamit.
Po, koha e akshamit është ose shprehje e dëshpërimit dhe të qarave te koka e një perëndimi, ose shprehje e përjetimit të entuziazmit për ta bërë të begatë gjendjen tonë në botën tjetër. Ezanet që dëgjohen edhe në këtë kohë, në kohën kur çdo gjë është duke i thënë ‘lamtumirë’ njëra-tjetrës, duke kënduar këngë ndarjeje dhe duke dëshiruar të shprehet në lidhje me zemrën e saj të thyer, na japin lajmin e një agimi të ri brenda këtij perëndimi; me vdekjen, ne përjetojmë në shpirtrat tanë një ringjallje dhe ekzistencë të re e plot gjallëri. Me fjalë të tjera, ezani që këndohet në këtë kohë është si zëri që do të dëgjohet në ditën e kiametit, kur Israfili t’i fryjë Surit; ky ezan sikur thotë “Ka ringjallje dhe dalje para Allahut!”.
Do të thotë gjithashtu që t’i drejtohesh Allahut të Përjetshëm, të Pafillim e të Pafund, me fjalët “Unë nuk mund të jem i kënaqur me ata që perëndojnë e ikin, me ata që, edhe pse i kam shokë e miq, nuk janë me mua gjatë gjithë kohës.”, ashtu siç pati thënë edhe Ibrahimi (a.s.): “Nuk i dua ata që perëndojnë.” Sepse Allahu (xhel’le xheláluhu) është Ehad dhe Samed, është Ai që ndez shkëndijën e ekzistencës në mosekzistencë; Ai i bën të perëndojnë ata që janë të perëndueshëm, Ai i zhduk ata që janë të dënuar me zhdukje. Allahu është përsëri Ai që, me forcën e Tij të pafund, do ta kthejë mosekzistencën në ekzistencë, do t’i kthejë në jetë zemrat e vdekura dhe do t’iu mundësojë sërish dashurinë dhe emocionet edhe pasi të kenë vdekur dashuria dhe entuziazmi i tyre, edhe pasi të jetë fshirë çdo gjë nga mendjet, edhe pasi të jetë shkatërruar gjithçka.
e. Kuptimi i kohës së namazit të jacisë
Koha e jacisë është koha kur muzgu i mbrëmjes zhduket dhe qielli errësohet plotësisht. Është koha kur nga dielli nuk mbetet më asnjë shenjë. Në këtë kohë nuk ka asgjë që mund të na japë ndonjë ide në lidhje me ekzistencën e një dite të lënë pas. Sepse dita, pasi qe larguar, ia pati lënë gjurmët të kuqerremtës së qiellit në kohën e akshamit dhe i pati kërkuar që ta kujtonte edhe për pak kohë. Me ikjen e kohës së akshamit ikën dhe mbaron edhe çdo gjë tjetër.
Koha e jacisë, bashkë me mbarimin e gjithçkaje, i kujton njeriut edhe mbarimin e jetës dhe zhdukjen e tij. Vdekja është diçka tjetër; kur njeriu vdes, lë pas dikë që qan për vdekjen e tij, dikë që i priten gjunjët gjatë faljes së namazit të xhenazes dhe dikë tjetër që e humb fare toruan. Por, pasi kalon një periudhë e caktuar kohore, nga mendjet e njerëzve fillojnë të fshihen edhe kujtimet ne lidhje me atë person. Ndërsa shpirtrat, për sa i përket kuptimit të personit të vdekur, fillojnë të ndihen të zbrazët. Dhe, ashtu siç thuhet edhe në një ajet të Kuranit Famëlartë, personi që vdes ikën e harrohet krejt. Ka shumë njerëz që prindërit apo të afërmit e tyre të vdekur i kujtojnë vetëm në të shtatat, të dyzetat ose pesëdhjetë e dy ditë pas vdekjes. Qajnë për ta, ose bëjnë ndonjë vepër të mirë në emër të tyre. Do të thotë se, me kalimin e viteve, një njeri i vdekur duket sikur nuk ka jetuar kurrë.
Ja, pra, koha e jacisë i kujton njeriut çastin kur do të mbarojë gjithçka, çastin kur do të mbesë në varr i privuar nga çfarëdolloj drite. E vetmja gjë që mund të bëjë një rob i rrënuar emocionalisht, me ndjenjat të kthyera përmbys dhe me zemrën të thyer në këtë mënyrë, është të vrapojë drejt Zotit të tij në kohën e namazit të jacisë e t’i lutet Atij për ngushëllim që në atë minutë, në mënyrë që ajo qetësi shpirtërore t’ia ndriçojë natën, dimrit të tij t’i japë një atmosferë pranvere, yjet e rëna e të shpërndara andej-këtej t’ia gozhdojë edhe një herë në qiellin e tij dhe jetën, që në ato momente anon drejt shuarjes, t’ia bëjë fillim të një jete të re. Kjo është e vetmja gjë që duhet të bëjë robi në ato çaste, të thotë “U rraskapitëm dhe morëm fund këtu, por ky perëndim bart sihariqin e një lindjeje. Kështu siç po vdesim, kështu edhe do të ringjallemi.” dhe, me këto ndjenja, të lejojë që sexhadja e tij ta puthë atë në ballë.
Lartësimi i emrit të lartë të Allahut nga minaret e xhamive në një kohë të tillë, do të lëshojë dritë edhe në jetën e varrit të atij njeriu, i cili pret që t’i këndojnë një Fatiha, që ta përmendin e ta kujtojnë me lutje dhe që t’i kumtohet lajmi i mirë i faljes, madje, do t’i ndriçojë atij edhe botën tjetër. Kështu, ai do të shikojë se nuk është i vetëm brenda egërsisë së varrit. Do të shikojë se veprat e tij të mira e kanë ndjekur deri aty dhe adhurimet që ka bërë, veçanërisht namazi, do t’i shfaqen në të djathtë, në të majtë, para dhe mbrapa, do të shfaqen aty për të dhe do t’i bëjnë shoqëri. Por, përtej këtyre, në ato çaste kur errësira do ta rrethojë nga të gjitha anët, kur varri do ta shtrëngojë derisa kockat t’i ngjeshen pranë e pranë njëra-tjetrës dhe kur do të mbesë i pagjuhë përballë pyetjeve të Munkerit dhe Nekirit, ai do të shohë se Zoti i tij, të Cilin e ka më pranë vetes se të gjithë miqtë e tij, do të jetë duke e pritur me mëshirën e Tij të pafund, si të ishte i vetmi Mik i vërtetë për të.
f. Errësira e natës dhe tehexhudi
Errësira e natës, përveçse të kujton çastin e humbjes së shpresave, të mbetjes pa frymë dhe me duar e këmbë të lidhura përballë tmerrit të varrit, të kujton edhe kohën kur do të shkatërrohet i gjithë ky univers. Përballë këtij tmerri të varrit, njeriut i bëhet sikur të ketë rënë brenda një makthi; dëshiron të flasë, por nuk flet dot. Nuk i lëviz dot as duart, as këmbët. Bërtet, por askush nuk ia dëgjon të bërtiturën… Dhe, në atë gjendje, nuk i mbetet gjë tjetër për të bërë përveçse vënies në pritje të kaderit të tij.
Ç’veprim i shndritshëm, frytdhënës dhe i bereqetshëm është ngritja për të falur namaz pikërisht në këtë kohë, për të lënë një ‘Ah!’ në errësirat e natës, për të ndriçuar natën e errët, për të ndriçuar të gjithë jetën… Vetëm ai që është njeri mund ta kuptojë këtë.
Kurani qëndron me këmbëngulje në çështjen e adhurimeve të natës dhe i drejtohet Profetit tonë (s.a.s.) me fjalët “O ti i mbuluar (O Muhamed)! Çohu (të falesh) gjithë natën, përveç një pjese të saj, që është gjysma ose diçka më pak a diçka më shumë se ajo, dhe lexoje Kuranin ngadalë dhe qartë.” Dhe, duke thënë “Natyrisht, adhurimi natën vepron më fuqishëm dhe fjala është më shprehëse, ngaqë ti je vërtet shumë i zënë ditën.” menjëherë pas këtyre ajeteve, sikur po ia përcakton Pejgamberit tonë (s.a.s.) kohën kur duhet t’i drejtohet Allahut të Madhëruar.
Kurse në një ajet tjetër, Zoti urdhëron kështu: “Kaloje një pjesë të natës si falje shtesë për ty (o Muhamed)! Është e vërtetë se Zoti yt do të të vendosë ty në një vend të lavdëruar.”
Shtjellimi i këtij ajeti do të ishte kështu: “Kjo gradë (Mekámi Mahmúd) nuk arrihet me hutesë, duke qenë i shkujdesur, duke u marrë me gjëra të tjera, duke u rrotulluar brenda shtratit të ngrohtë; ajo mund të arrihet vetëm nëpërmjet kokës që puth sexhaden dhe pikave të lotit që do të derdhësh mbi të.” Kurse Profeti ynë (s.a.s.), duke u përulur para këtyre urdhrave e porosive të Zotit me një ndjeshmëri të lartë e serioze, duke ia kthyer shpinën ndjenjave dhe dëshirave trupore edhe në çastet më të këndshme të jetës, u lartësua në gradat më të larta të zemrës dhe shpirtit. Nëpërmjet një hadithi të transmetuar nga Aishja (r.a.), na bëhet e ditur se Ai (s.a.s.) qëndronte në këmbë dhe kryente adhurime gjatë natës derisa i ënjteshin këmbët. Kur i patën thënë “Allahu t’i ka falur Ty gjynahet e kaluara dhe ato të së ardhmes (përse e torturon veten në këtë mënyrë?)”, Ai qe përgjigjur kështu: “A të mos jem unë një rob falënderues?” Poeti Busiri, kur e shpjegon këtë situatë në Odet e Lavdërimit (Kasídei Burde) me fjalët “Unë kam vepruar në kundërshtim me sunetin e atij Profeti Famëlartë (s.a.s.), i Cili nuk binte të flinte pa iu ënjtur këmbët, pa i dhënë nur errësirës së natës.”, fajëson veten sikur të ishte duke thënë “Ndërsa unë, unë fle duke u rrotulluar në shtrat sa në një anë në tjetrën dhe duke e shijuar në maksimum gjumin...”.
Po, nëpërmjet namazit të natës, njeriu ndërton një marrëdhënie me Allahun, bashkëbisedon me Të dhe fiton pozitën e të qenit mik i Tij. Namazi i natës është një nder për besimtarin; besimtari përmes tij arrin të përfitojë nga mirësitë dhe begatitë e Zotit. Kur ngrihet për të dalë para Zotit të tij me qëllimin për të bashkëbiseduar me Të, për më tepër, në një kohë kur të gjithë janë pranë të dashurve të tyre, njeriu nderohet në një mënyrë të atillë, saqë asnjë nderim tjetër nuk mund të matet me të. Sot, jemi të detyruar t’i rifitojmë sërish ato gjëra që janë një domosdoshmëri e humanizmit tonë, por që, për fat të keq, i kemi humbur. Është kusht që, për ta ndier këtë si një detyrë madhore fillimisht dhe, më pas, për ta përmbushur atë, të mbështetemi tek Allahu, të strehohemi te mëshira e Tij. Ashtu si ushtarët, të cilët, duke u mbështetur te forca dhe fuqia e Sulltanit, marrin peng edhe shahët e mbretërit, edhe ne do t’i zgjidhim të gjitha problemet tona nëpërmjet lidhjes sonë me Të. Sepse vetëm në sajë të mbështetjes tek Ai mund të lëvizen nga vendi edhe malet, duke iu mbështetur Atij mund të hiqen qafe ortekët e borës dhe vetëm falë forcës dhe fuqisë së Tij mund të përftohen ujëvarat që rrjedhin duke gurgulluar.
Po, pa iu mbështetur Atij, asgjë nuk mund të bëhet. Sot, e ardhmja dhe suksesi i botës Islame varen tërësisht nga kthimi për te Kurani; Allahu i Madhëruar do të na lartësojë e do të na bëjë prej njerëzve të nderuar vetëm nëse do ta përmbushim detyrën e të qenit robër të Tij nën drejtimin e Kuranit dhe duke zënë vend pas Muhamedit Famëlartë (s.a.s.). Përndryshe, dyert ku kemi trokitur do të na përplasen fytyrës, po ashtu edhe kërkesat tona. Dhe poshtërimeve tona disashekullore do t’u shtohen në zinxhir poshtërime të reja... Për pasojë, ne, edhe pse kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi mes popujve të lavdishëm të Islamit, të cilët e përfaqësuan Atë për nëntë shekuj, nuk do të jemi në gjendje t’i shpëtojmë lypësisë. Sepse Allahu (xhel’le xheláluhu) e ka lidhur këtë përparim dhe lumturi tonën me kthimin tek Ai dhe te vetja jonë. Ne do t’i drejtohemi Atij me lutjet tona ditë e natë dhe, me zemrat tona të përvuajtura, do të përpiqemi të sigurojmë vënien në lëvizje të mëshirës së Tij.
Sepse ne, për nga natyra e krijimit tonë, jemi shumë të dobët e të varfër. Por, nga ana tjetër, rrethi i nevojave tona është aq i gjerë sa të përfshijë brenda vetes tokë e qiej. Nëse do të mbështetemi tek Allahu i Plotfuqishëm, do të gjejmë forcën për të plotësuar nevojat tona dhe do të jemi të sigurt nga armiqtë. Fitimin e kësaj force namazi na e mundëson. Një njeri i gjendur brenda një rrethi kaq të frikshëm armiqsh, duke braktisur gjumin, duke dalë i përulur para Zotit dhe duke i hapur duart për t’iu lutur Atij në orët e fundit të natës, çlirohet nga kjo peshë, të cilën e ndien si një plagë në gjoksin e tij. Në të njëjtën kohë, kjo është një situatë aq e begatë, sa për t’u bërë shkak që shpirti të marrë frymë e të relaksohet. Kënaqësinë dhe gëzimin që të mundësojnë adhurimet e natës, njeriu mund t’i ndiejë vetëm nëpërmjet anës së tij engjëllor
Shënimet
- 231.Ebú Dáúd, salát 164; Nesáí, sehv 10.
- 232.Tirmidhí, de’auát, 65; el Hákim, el Mustedrek 1/670.
- 233.Surja Nisá, ajeti 103.
- 234.Surja Húd, ajeti 114.
- 235.Surja Isrá, ajeti 78.
- 236.Surja Táhá, ajeti 130.
- 237.Surja Rúm, ajetet 17-18.
- 238.Abdurrezzak, el Musannef 1/454; et’Taberání, el Mu’xhemul kebír 10/247; el Hákim, el Mustedrek 2/445.
- 239.Surja Bekare, ajeti 238.
- 240.Buhárí, xhihád 98, megází 29, de’auát 58; Muslim, mesáxhid 202-206.
- 241.Buhárí, ejmán 19, teuhíd 58; Muslim, dhikr 31.
- 242.Tirmidhí, salát 1; Ebu Dáúd, salát 2.
- 243.Buhárí, salát 1; Muslim, ímán 263.
- 244.Buhárí, bed’ul halk 6, menákibul ensár 42; Muslim, ímán 259.
- 245.Muslim, mesáxhid 178; Ebu Dáúd, salát 2; Nesáí, meuákít 15.
- 246.Buhárí, meuákít 5, xhihád 1, edeb 1, teuhíd 48; Muslim, ímán 138-140.
- 247.Surja Sexhde, ajeti 16.
- 248.Surja Rahman, ajetet 26-27.
- 249.Buhárí, fiten 8; Muslim, haxh 147.
- 250.Bediuzamani, Fjalët, fq 63-64 (Fjala e Nëntë, Pika e Pestë).
- 251.Buhárí, meuákít 9-10, bed’ul halk 10; Muslim, mesáxhid 180-184, 186.
- 252.Buhárí, meuákítus’salát 17; enbijá 50; fedáilul Kur’án 17; teuhíd 31, 47; Tirmidhí, edeb 82; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 2/121, 124, 129.
- 253.Surja Tekuír, ajetet 1-3.
- 254.Surja En’ám, ajeti 76.
- 255.Surja Merjem, ajeti 23.
- 256.Surja Muzzemmil, ajetet 1-4.
- 257.Surja Muzzemmil, ajetet 6-7.
- 258.Surja Isrá, ajeti 79.
- 259.Buhárí, tehexhxhud 6; Muslim, sifátul munáfikín 79-81.
- 260.el Búsírí, Díuánul Búsírí fq. 239.