Namazi0%

PJESËT PËRBËRËSE TË NAMAZIT DHE URTËSITË E TYRE

A

q sa është e vlefshme një e tërë, po aq të vlefshme janë edhe pjesët përbërëse të saj. Mendoni një komunitet ose komb, individët e të cilit janë me zemra, ndjenja dhe mendje të përparuara mjaftueshëm; ja, pra, një komunitet i tillë është një komunitet i zhvilluar dhe përparimtar. Pra, përsosmëria e së tërës është e lidhur dhe varet nga përsosmëria e pjesëve që e përbëjnë atë. Edhe namazi është një e tërë e tillë aq e përsosur, saqë çdo veprim që kryejmë, nga faza e pastrimit, e cila, në thelb, është një përgatitje për të, e deri në momentin kur ndahemi prej tij duke dhënë selam, ka një vlerë të paçmuar në vendin dhe fushën e vet. Për rrjedhojë, besimtari duhet t’i bëjë me vetëdije gjërat që bën për namazin, duhet t’i mbyllë sytë e veshët ndaj gjërave që nuk janë pjesë e namazit dhe nuk duhet të lejojë që ato t’ia turbullojnë mendjen dhe mendimet. Madje të arrijë deri aty sa ta ndiejë veten një hiç, të shndërrohet me çdo gjë të tijën në një pjesë të namazit. Në përkuljen, uljen dhe ngritjen e tij, në çdo ‘Subhánalláh’ që thotë, të vërehet shfaqja e pasqyrimeve Emrave dhe Atributeve të Allahut. Zaten, kjo është ajo çfarë quajmë ndjenjë e dashurisë, frikës dhe respektit ndaj Allahut në namaz. Kjo gjendje e mban njeriun larg çdo hutese, moskuptimi dhe ndyrësie; kjo gjendje e besimtarit bën të mundur që namazi i tij të arrijë të jetë namaz në kuptimin e tij të vërtetë.

Po, çdo element përbërës i namazit ka urtësinë e tij specifike. Çdo lëvizje e bërë gjatë namazit, që nga tekbiri që thuhet për të filluar namazin e deri te selami që jepet për të dalë prej tij, përbën një pjesë të namazit dhe secila prej tyre ka kuptimin e saj të veçantë. Andaj, të gjitha këto duhen kryer me kujdes dhe ndjeshmëri të madhe. Le të mendojmë një palestër gjimnastike; instruktori përgjegjës i saj, duke u dhënë njerëzve të pranishëm në atë palestër komanda të llojit “Kështu do t’i mbani këmbët, duart dhe krahët do t’i lëvizni në këtë mënyrë etj.”, bën të mundur që lëvizjet të kryhen në përputhje me teknikën e gjimnastikës. Sepse, veçanërisht në lëvizjet që mund të bëhen shkak për shfaqjen e ndonjë shqetësimi, respektimi i teknikës së kryerjes së tyre është një domosdoshmëri.

Ta krahasosh namazin me gjimnastikën dhe ta shohësh atë thjesht si diçka të përbërë nga një sërë lëvizjesh fizike është shumë e gabuar. Megjithatë, janë disa kushte dhe veprime që, gjatë faljes së namazit, duhen përmbushur me një ndjeshmëri të përsosur. Dijetarët tanë, elementët e domosdoshëm të namazit i kanë renditur nën dy ndarje: kushtet e namazit (farzet e jashtme) dhe shtyllat e tij (farzet e brendshme). Shtyllat e namazit janë themelet e adhurimit të namazit; secilën nga lëvizjet dhe veprimet që duhen bërë patjetër në namaz e quajmë shtyllë të namazit. Kurse kushtet e namazit, edhe pse nuk përbëhen nga lëvizje dhe veprime pjesë të namazit në vetvete, janë disa situata që shihen si kusht që namazi të jetë namaz.

1. Kushtet e namazit

a. Taharet nga hadethi – Pastrimi konvencional (Marrja e guslit dhe abdesit)

Me pak fjalë, pastrim konvencional do të thotë pastrim nga papastërtitë që nuk mund të shihen me sy (shpirtërore). Abdesi, gusli dhe tejemumi (kur marrja e dy të parave nuk është e mundur) janë lloje të pastrimit konvencional. Kuptimi i përgjithshëm i fjalës ‘hadeth’ është ‘papastërti konvencionale’, ndërsa taharet nga hadethi do të thotë të pastrohesh nga kjo papastërti konvencionale. Edhe pse ky pastrim sjell përfitime të tilla si heqjen e papastërtive materiale nga trupi dhe ruajtjen e shëndetit trupor, në thelb, ai është një pastrim me karakter adhurimor. Pastrim konvencional do të thotë të marrësh abdes kur nuk ke abdes dhe të marrësh gusl kur nuk ke gusl. Personat që janë xhunub (që konsiderohen të papastër për shkak se kanë kryer marrëdhënie seksuale), nuk mund të falin namaz pa marrë gusl. Për ata që e kanë të pamundur gjetjen e ujit ose që nuk mund ta përdorin atë në marrjen e guslit edhe pse gjetja e tij nuk përbën ndonjë problem, ky kusht mund të përmbushet nëpërmjet tejemumit.

b. Pastrimi material (Pastrimi nga ndyrësitë materiale)

Pastrimi material shkurtimisht nënkupton pastrimin nga papastërtitë që mund të shihen me sy. Personi që do të falë namaz, duhet të pastrojë nga ndyrësitë, pra, nga gjërat që konsiderohen të pista në fenë tonë (gjaku dhe urina e njeriut, urina dhe jashtëqitja e kafshëve si kali, delja etj.), trupin, veshjen e tij dhe vendin ku do të falet.

c. Mbulimi i pjesëve intime të trupit

Njeriu është një rob i nderuar i Zotit të Madhëruar. Allahu, i Cili e ka krijuar njeriun në formën më të përsosur, ka dërguar profetë dhe libra, në mënyrë që ai të bëjë një jetë sa më të ndershme dhe të respektueshme. Ai nuk mund të jetojë si kafshët. Atyre që duan të bëjnë një jetë të këtillë u del para ajeti i Kuranit, i cili thotë: “Ata janë si kafshët, madje edhe më zi. Pikërisht këta janë të shkujdesurit.”

Një nga mënyrat e ruajtjes së dinjitetit dhe nderit të njeriut është mbulimi i tij. Ndërkohë që kafshët janë të mbuluara nga veshjet e tyre natyrale, të cilat ua ka mundësuar Zoti i Plotfuqishëm, për njeriun nuk është kështu. Askujt nuk i duket e çuditshme që kafshët të mos veshin rroba, ama lëvizja e njerëzve pa rroba mbi trup, në sytë e atyre me ndërgjegje të paprishur, është diçka jashtëzakonisht e neveritshme.

Allahu i Madhëruar e ka urdhëruar njeriun të mbulohet, që të mund të jetojë njerëzisht. Mbulimi i trupit është nga ato sjellje që e bëjnë njeriun të vlefshëm dhe dinjitoz jo vetëm tek Allahu, por, me në krye njerëzit e tjerë, edhe në sytë e të gjitha krijesave. Për këtë arsye, ashtu siç është farz për njeriun mbulimi i pjesëve intime në praninë e të tjerëve, është gjithashtu edhe një nga kushtet e adhurimeve si namazi dhe tavafi. Sepse, me thënie të tilla si “Nuk pranohet namazi i femrës që ka arritur moshën e pjekurisë dhe e fal atë pa u mbuluar.”, Profeti ynë (s.a.s.) i ka urdhëruar burrat dhe gratë t’i mbulojnë gjatë faljes së namazit ato pjesë të trupit, të cilat konsiderohen intime sipas fesë Islame.

Përveç mbulimit të pjesëve intime, për çdo mysliman është sunet që, me kusht që të mos e teprojë në këtë pikë, gjatë kryerjes së adhurimit të ketë veshur rrobat e tij më të bukura dhe më të pastra. Nga shumë interpretues të Kuranit Famëlartë, me në krye Abdullah ibn Abasin (r.a.), na është bërë e ditur se ajeti “O bijtë e Ademit, vishuni përshtatshëm kudo dhe kurdo që të faleni!” ka zbritur për arabët që i bënin tavaf Qabesë me pjesët e tyre intime të zbuluara dhe se nëpërmjet këtij ajeti u urdhërua fillimisht mbulimi i pjesëve intime të trupit gjatë kryerjes së adhurimeve si tavafi e namazi.

d. Orientimi kah kibla

Besimtari, pasi i ka kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për namaz, drejtohet kah kibla. Sepse ai, duke përjashtuar këtu situatat që e pengojnë atë ta bëjë këtë, është i ngarkuar me detyrën e kthimit nga Qabeja në faljen e çdo namazi. Zoti na e ka bërë të qartë këtë urdhër nëpërmjet ajetit “Nga cilido vend që të dalësh, ktheje fytyrën nga Xhamia e Shenjtë. Kudo që të ndodheni, ktheni fytyrat tuaja nga ajo anë…” Sepse Qabeja është një ‘Bejti Atik’ (shtëpi e vjetër, historike), e ndërtuar vetëm për hir të Allahut; ndërsa mesxhidet dhe xhamitë e tjera kudo nëpër botë, janë ndërtesa që për nga Qabeja drejtohen dhe atë tregojnë. Allahu i Madhëruar, duke iu referuar ndërtimit të Bejtullahut (Shtëpisë së Allahut) nga ana e Ibrahimit dhe Ismailit (a.s.), asaj shtëpie që, deri në Ditën e Kiametit, do të jetë kibla e njerëzimit mbi sipërfaqen e tokës dhe vendi i tavafit të engjëjve, i cili zgjatet deri në Sidretul Muntehá, thotë: “Kujtoni kur ne e bëmë Qabenë vend grumbullimi dhe sigurie për njerëzit, duke thënë ‘Bëjeni vendin e Ibrahimit vend faljeje!’. Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: ‘Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrinë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur.’” Prandaj Qabeja ka një vend dhe rëndësi të veçantë në sytë e myslimanëve. Një ditë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) vëren një copë gëlbaze në njërin nga muret e mesxhidit, në atë me drejtim nga kibla. I vjen shumë rëndë nga ky veprim. Ngrihet, e pastron murin dhe, pastaj, urdhëron në këtë mënyrë: “Kur ndonjëri prej jush ngrihet për të falur namaz, i drejtohet Zotit në një mënyrë të veçantë, sikur Zoti është mes atij dhe kiblës. Kurrë mos pështyni në drejtim të kiblës. (Nëse duhet të pështyni patjetër,) pështyni (të paktën) në të majtën tuaj, ose poshtë këmbëve tuaja!”

Besimtari, me kthimin për nga Qabeja e një shenjtërie të këtillë, sikur e shikon veten para Allahut duke i nxjerrë jashtë të gjitha të këqijat brenda tij dhe duke qarë mbi to. Mandej, duke shkuar një hap më tej në mendime, e përfytyron veten sikur po shkon në botën tjetër dhe po qëndron atje në kijam, i gatshëm për të dhënë llogari për jetën që ka bërë në këtë botë. Namazi i kryer nën ndikimin e mendimeve dhe përfytyrimeve të tilla përbën namazin e robërve të pazakontë, të veçantë të Zotit. Kjo është gjendja në të cilën sytë dhe veshët mbyllen, zemra gati sa s’ndalet dhe, brenda lëvizshmërisë së heshtur të qenies, arrihet kthimi për tek Allahu. Pra, personi ikën e zhduket, pas mbetet vetëm Ai (xhel’le xheláluhu). Dhe, kur thotë “Lá iláhe il’lalláh” (Nuk ka zot tjetër përveç Allahut), e ndien atë në zemër me gjithë intensitetin e tij. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz të lartë, pasi çonin duart te veshët, përpëliteshin për ta fituar këtë gradë të zemrës.

Shkurtimisht, kur besimtari lidhet në namaz, imagjinon sikur ka para syve Qabenë, boshtin e shndritshëm që ngrihet nga qendra e tokës dhe arrin deri në Sidretul Muntehá, atë bosht rreth të cilit bëjnë tavaf engjëjt. Pastaj, duke e imagjinuar veten para Allahut bashkë me një xhemat të bekuar, thotë: “Unë po qëndoj brenda një xhemati të atillë që, kur ia ngul sytë Qabesë, shikoj se në këtë xhemat, bashkë me krijesat që zvarriten në tokë, ka njerëz si unë, por edhe profetë të atyre njerëzve. Brenda këtij xhemati ka gjithashtu edhe engjëj, të cilët vendosin fytyrat e tyre në tokë para Zotit. Unë kthehem kah kibla dhe kryej detyrën time duke qenë pjesë e këtij xhemati madhështor.” Dhe, kështu, me të tilla ndjenja, futet në namaz.

e. Koha

Një nga kushtet e namazit është edhe koha, pra, falja e secilit namaz në kohën e vet. Namazi është një farz (obligim) që duhet përmbushur në kohë të caktuara të ditës. Kështu, koha është kusht për namazet farz. Një namaz farz, ashtu siç nuk mund të falet pa ardhur koha e faljes së tij, nuk mund të falet as pasi koha e tij ka kaluar. Jo vetëm që nuk është e drejtë që një namaz, pa patur asnjë arsye të fortë, të mos falet në kohë dhe të shtyhet për t’u falur kaza në një kohë të papërcaktuar, por është edhe gjynah (mëkat) për atë që vepron në këtë mënyrë.

f. Nijeti

Besimtari, i cili e ka përfunduar pastrimin e tij të brendshëm dhe të jashtëm para lidhjes në namaz, del para Zotit bashkë me zemrën e tij, që do të thotë se ai e di shumë mirë vendin ku ndodhet dhe mënyrën se si duhet të sillet. Kjo bart njëkohësisht edhe një kuptim të nijetit (qëllim). Sepse nijeti është kast i zemrës, jo ajo që thotë gjuha. Zemra do t’i drejtohet Zotit dhe, përveç Tij, do të flakë tutje çdo gjë tjetër. Pasi të arrihet kjo nga brenda, nuk ka rëndësi nëse gjuha e thotë apo nuk e thotë atë. Kuptimi i nijetit nuk është të thuash vetëm me gjuhë “Bëra nijet të fal namazin sunet të kohës së drekës apo ikindisë…”. Nijeti ideal është të fshish nga zemra çdo gjë tjetër përpos Allahut akoma pa filluar faljen e namazit, të mendosh se atë punë që po bën je duke e bërë para Allahut dhe të jesh i vetëdijshëm për këto. Njeriu le ta bëjë sa të dojë nijetin me gojë; nëse zemra e tij nuk e ka arritur këtë gradë, ai nuk konsiderohet i lidhur në namaz. Në këtë rast, ajo çfarë ai bën nuk është gjë tjetër veçse një veprim i përbërë thjesht nga ca ulje e ngritje. Kjo është arsyeja pse dijetarë si Imam Rabaniu e shikojnë si problematike kryerjen e nijetit vetëm me gojë. Por, sipas mendimit tim, nëse disa besimtarë e bëjnë nijetin e tyre gojarisht, duhet të themi se veprojnë në atë mënyrë duke u bazuar në fjalët e disa prej dijetarëve. Sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i qasemi kësaj meseleje pa shkaktuar ndonjë konflikt mes besimtarëve.

Nijeti i gjithësecilit është në masën e marrëdhënies së tij Me Zotin e Madhëruar. Parë nga ky aspekt, është e mundur të flitet për lloje të ndryshme nijetesh te njerëzit. Shkalla e parë e nijetit, për ata që janë akoma në fillim të kësaj pune dhe po përjetojnë atë që quhet Islam dhe iman imitues, është që personi të çojë në mendje dhe zemër faljen e namazit. Ndërsa sipas evlijave, nijet do të thotë që njeriu ta kyçë veten në punën që do të bëjë, t’u përmbahet vetëm përfytyrimeve në lidhje me të dhe të përqendrohet tek ajo me të gjitha ndjenjat dhe mendimet e tij. Një shkallë më sipër është nijeti i njerëzve që mund të quhen më të veçantët në mesin e të veçantëve. Ky nijet ka kuptimin e pastrimit të zemrës nga çdo gjë tjetër përpos Allahut dhe ruajtjen e kësaj zemre të pastër edhe gjatë faljes së namazit. Sepse, nëse Ai është i dëshiruari, nuk mund të ketë dy të dëshiruar në një qëllim. Pra, në qoftë se robi ka për qëllim Atë, në qoftë se synon të ketë si të dëshiruar të vetin vetëm dhe vetëm Atë, atëherë duhet t’i shkulë nga zemra dhe mendja e t’i flakë tutje të gjithë të dëshiruarit e tjerë, qofshin ata realë apo relativë. Nëse njerëzve të kësaj grade u vjen në mendje ndonjë përfytyrim tjetër gjatë këtyre momenteve, kthehen prapa, marrin përsëri tekbir dhe e shtrëngojnë veten deri në çastin kur zemrat e tyre të boshatisen. Një përpjekje e tillë vërehet te Bediuzamani dhe nxënësit e tij të rreshtit të parë. Por nuk duhet harruar se kjo përpjekje nuk duhet të mbesë te forma. Nëse dikush i futet kësaj çështjeje thjesht si imitues dhe për t’u dukur sikur po përpiqet, asgjë nuk do të përfitojë prej saj.

Në shkallët fenáfil’láh (të shkrihesh në ekzistencën e Allahut) dhe bekábil’láh (të gjesh përjetësinë në përjetësinë e Allahut), të cilat janë gradat më të larta të nijetit, bëhet fjalë edhe për një gjendje të harrimit edhe të vetvetes. Po, nijetet e njerëzve që e kanë kapërcyer Rrethin e Emrave dhe Atributeve dhe janë shkrirë përballë dritës hyjnore, mbase janë në një mënyrë të atillë që ata të mos shohin, të mos dëgjojnë dhe të mos ndiejnë as veten. Dhe, sipas atyre që ndajnë këtë horizont, nëse e ndien veten kur je duke falur namaz, do të thotë se je akoma i zënë me gjëra të tjera. Në varësi të gradës në të cilën ndodhen, këta persona i qasen kësaj situate me frikën se mos po bëjnë shirk.

Me pak fjalë, gjerësia e pafund e nijetit është gradë-gradë, shkallëshkallë. Gjithsecili, kur fillon të falë namazin, lidhjen e zemrës e vendos në përputhje me horizontin e tij në çështjen e njohjes së Allahut. Në atë masë që e njeh Allahun, sipas asaj do të qëndrojë edhe në namaz.

Nijeti është shpirti i asaj që veprohet

Në Përfundimin e Letrës së Njëzet e Dytë, tek po shpjegon fjalë për fjalë nën dritën e ajetit “Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Sigurisht që ju do ta urrenit këtë!” se ç’veprim i shëmtuar është përgojimi, Bediuzamani thotë se ‘hemzeja’ në krye të këtij ajeti, e cila është një pjesëz që i jep atij trajtën e pyetjes, i përshkon të gjitha fjalët e ajetit si të ishte ujë. Mbase edhe si një dritë, ose shpirt. Kështu është edhe nijeti. Besimtari, nëpërmjet nijetit të tij, përhap/duhet të përhapë në çdo pjesë të namazit drejtimin e tij për nga Allahu i Madhëruar dhe besimin se Ai është i Dëshiruari i Vërtetë, i Dashuri i Vërtetë dhe i Adhuruari i Vërtetë. Ai duhet t’i qëndrojë besnik këtij nijeti në çdo gjë që këndon e reciton gjatë namazit. Është me vend që kësaj çështjeje, e cila mund të quhet edhe mundim apo sforcim, t’i kushtohet më shumë rëndësi sidomos në namazet nafile që kryhen individualisht. Në namazet që falen me xhemat ama, të vepruarit në këtë mënyrë nuk është e drejtë. Sepse kjo do të thotë ta vështirësosh fenë. Ndërsa në namazet nafile që i falim vetëm, të gjendurit brenda një kërkimi dhe përpjekjeje për arritjen e një nijeti të tillë, i cili do të bëjë të mundur faljen e namazit duke mos e nxjerrë nga mendja as për një çast të vetëm mendimin e të qenit para Zotit, nuk përbën ndonjë problem.

Namazi është miraxhi i besimtarit. Aty ku shpjegon miraxhin, Allahu i Madhëruar thotë kështu: “Ai, me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë.” Ka dy interpretime në lidhje me përemrin e përdorur në këtë ajet. Sipas njërit prej tyre, përemri i referohet Zotit të Plotfuqishëm; Ai që dëgjon dhe sheh gjithçka është Allahu. Kurse sipas interpretimit tjetër, atributet e përmendura në këtë ajet shprehin gjendjen e Profetit tonë (s.a.s.). Tani, përderisa Shpirti i Zotërisë së gjithë krijesave (s.a.s.) është përshkruar përmes emrave ‘semí’ (dëgjues) dhe ‘basír’ (shikues), të cilët janë dy nga emrat e bukur të Allahut, do të thotë se këtu duan të na e tërheqin vëmendjen te një e vërtetë e rëndësishme. Do të thotë se Profeti ynë (s.a.s.) i ka parë, dëgjuar dhe ndier thellësisht gjërat që iu paraqitën gjatë Miraxhit. Me fjalë të tjera, e ka shtrydhur shumë mirë Miraxhin dhe është ngopur në maksimum me të. Nuk i ka ikur kot as një sekondë e Miraxhit, as një e dhjeta e sekondit e atij udhëtimi. Sikur kanë kaluar nëpër sitën e ndërgjegjes së Tij të gjitha ato gjëra që ka parë e dëgjuar nga fillimi deri në fund.

Imami i Allvarit thotë: “Namazi e bën të mundur lundrimin e anijes së fesë, namazi është udhëheqësi i të gjithë adhurimeve.” Kurse Sulejman Çelebiu, këtë kuptim e shpreh nëpërmjet fjalëve “Miraxh të umetit e kam bërë namazin.” Përderisa namazi është miraxhi i besimtarit, ai është i detyruar t’i ketë nën kontroll veshët dhe sytë gjatë faljes së namazit. Ata sy dhe veshë duhet të shohin e të dëgjojnë vetëm atë që duhet parë e dëgjuar. Në “Fjalën e Shtatëmbëdhjetë”, Ustadi e shpjegon këtë nëpërmjet kësaj shprehjeje të Mevlana Xhamiut:

“Dëshiro vetëm Njërin, thirr vetëm Njërin, kërko vetëm Njërin, shiko vetëm Njërin, njih vetëm Njërin, fol vetëm Njërin.”

Kështu, një besimtar duhet të shohë vetëm Njërin, duhet të njohë vetëm Njërin, duhet të dëgjojë vetëm Njërin, duhet të kërkojë vetëm Njërin, duhet të thërrasë vetëm Njërin, duhet të ndiejë vetëm Njërin, duhet të qëndrojë i mbyllur ndaj çdo gjëje tjetër përveç Tij dhe duhet të përpiqet ta kapë këtë në të gjitha pjesët përbërëse të namazit. Dhe, kur ta arrijë këtë, duhet të thotë: “Kjo nuk mund të kapet kështu. Duhet ta kisha kapur duke harruar edhe vetveten, nuk duhet ta kisha ndier veten. A ekzistoj unë apo nuk ekzistoj, edhe këtë duhet ta kisha harruar.” Kështu duhet të thotë dhe në këtë masë duhet të kalojë në ekstazë.

Një përpjekje deri në vdekje

Le të theksojmë edhe një herë se të gjitha këto janë çështje gradash. Arritja e tyre pa u ushtruar dhe pa e sforcuar nefsin është e pamundur. Pra, nëse nuk ka mundim dhe sforcim në fillim, nuk mund të ketë propozim më pas. Nëse nuk e detyron nefsin që në krye të herës, nuk mund t’i propozoni atij një gjë të tillë më vonë. Në këtë aspekt, një person që ia ka vënë syrin këtyre gradave duhet ta sforcojë veten me një përpjekje gjer në vdekje. I nderuari Xhunejd Bagdadi diku thotë diçka që, pak a shumë, ka këtë kuptim: “Unë jam sforcuar dhe e kam detyruar veten për gjashtëdhjetë vjet. Vetëm pas kaq vitesh ma mundësoi Allahu që të filloja të falja namaz.” Kështu që, ata si puna jonë, që nuk e kanë shijuar ndonjëherë namazin e vërtetë, duhet të falin namaz duke u sforcuar dhe duke e shtrënguar veten të paktën për nja pesë ose dhjetë vjet.

Meqë ra fjala te namazi i vërtetë, të mos mendohet se, duke marrë për bazë çështjet e lartpërmendura, namazet që deri më tani i kemi falur me një mijë e një mangësi nuk janë pranuar apo nuk do të pranohen nga Allahu (xhel’le xheláluhu). Ne shpresojmë se Zoti ynë, mëshira dhe mirësitë e të Cilit janë të pafund, do të na i pranojë edhe namazet e këtij niveli. Madje shpresojmë që, falë këtyre namazeve, të na vendosë në Xhenetin e Tij, shpresojmë që të na e bëjë namazin mik në jetën e varrit dhe të na e bëjë atë një Burak gjatë kalimit mbi Urën e Siratit. Ku i dihet, mbase Allahu do e shndërrojë namazin tonë në një vetëtimë që do të na e ndriçojë horizontin. Në këtë këndvështrim, namazin nuk duhet ta lëmë kurrë, nuk duhet t’i nënvlerësojmë namazet tona. Por, nga ana tjetër, qëllimet dhe përpjekjet duhen mbajtur gjithmonë lart. Adhurimi që do të kryejmë karshi Zotit tonë Bujar e të Madhërishëm duhet të jetë në përpjestim të drejtë me madhështinë e Tij. Adhurimi që do të bëjmë duhet të bartë kuptimin e falënderimit dhe mirënjohjes ndaj Allahut për mirësitë dhe begatitë e Tij të panumërta ndaj nesh. Rrjedhimisht, një besimtar duhet të përpiqet gjatë gjithë jetës së tij për të arritur namazin e vërtetë.

Një tjetër çështje e rëndësishme në lidhje me nijetin është edhe të ndierit e pranisë së tij të gjallë e vigjilente në të gjitha pjesët përbërëse të adhurimit. Besimtari, nijetin që ka bërë me një përqendrim të plotë që në fillim, pra, atë qëllim absolut, drejtim absolut dhe shikim absolut, duhet t’i ndiejë në ndërgjegjen e tij gjatë gjithë namazit dhe duhet të ngrejë krye ndaj gjërave të tjera që mbeten jashtë këtyre. Po, kur është duke falur namaz, besimtari duhet të shqetësohet nga çdo lloj mendimi dhe përfytyrimi që nuk ka të bëjë me Të dhe duhet ta shfaqë këtë shqetësim në trajtën e një reagimi në botën e tij të brendshme. Për shembull, kur një njeri thotë “Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.”, nëse nuk arrin t’i ndiejë në ndërgjegjen e tij valët e pasqyrimeve të ndryshme të mëshirës së Tij të pafund, të cilat vijnë deri tek ai dhe rrethojnë gjithçka, atëherë duhet që të paktën të jetë në gjendje ta qortojë veten përbrenda.

Asnjëra nga këto nuk është e pamundur për t’u realizuar. Sepse dihet që janë përjetuar nga mijëra e miliona njerëz. Po ashtu, me mijëra e miliona janë edhe ata që e shohin veten si kandidat për t’i përjetuar ato. “Nëse dikush i vihet nga pas diçkaje dhe tregon seriozitet në këtë pikë, ai patjetër që do ta gjejë atë që kërkon.” Dhe, sipas kuptimit të kundërt të kësaj shprehjeje, nëse dikush nuk e ka gjetur dot atë që kërkon, do të thotë se nuk i është vënë nga pas asaj, nuk është treguar serioz në këtë kërkim.

2. Shtyllat e namazit

a. Tekbiri iftitah (fillestar)

Zemra e plotësuar, kapërcimi i dimensioneve në të cilët ndodhesh, hyrja brenda një bote komplet tjetër dhe të thënit “Alláhu Ekber” sikur të jesh duke ia prerë fytin nefsit, përbëjnë fillimin e faljes së namazit.

Po t’i shohim me kujdes, do të vërejmë se veçoritë e përbashkëta të fuqive që hyjnizohen, shenjtërohen dhe që njerëzit u përulen dhe të udhëheqësve, të cilët kanë turmat e tyre që u binden qorrazi, janë ndjenjat e madhështisë, arrogancës, epërsisë dhe kryelartësisë. Prandaj, besimtari, i cili e nis namazin duke thënë “Alláhu Ekber”, u vjen hakut të gjithë tiranëve, arrogantëve dhe mendjemëdhenjve, i gjunjëzon ata dhe deklaron se nuk njeh fuqi tjetër përpos Allahut të Plotfuqishëm. Rrjedhimisht, hedh pas krahëve çdo gjë që mund ta largojë atë nga Allahu, ngul shikimin në shtigjet e botës hyjnore dhe vihet në pritje të gjërave që do të vijnë nga atje. Ai nuk mund të hyjë në namaz me ndonjë fjalë tjetër. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), duke thënë “Çelësi i namazit është pastërtia. Ajo gjë që shpreh fillimin e namazit dhe na e bën haram (marrjen me gjërat që nuk kanë lidhje me namazin) është tekbiri iftitah (fillestar). Ajo gjë që na e bën hallall (marrjen me gjërat që nuk kanë lidhje me namazin) dhe e përfundon namazin është selami në fund të tij.”, tërheq vëmendjet për te kjo çështje. Kurse në një hadith tjetër, thotë kështu: “Për sa kohë nuk merrni abdes ashtu siç duhet, namazi i asnjërit prej jush nuk do të jetë i plotë.” Për këtë arsye, hyrja me tekbir në namaz është farz.

b. Kijami (Qëndrimi në këmbë)

Dalja para Allahut gjithë respekt e përulje, i kujton besimtarit faktin se ai është krijesa e parë mbi gjithë sipërfaqen e tokës që dëshmon për ekzistencën e Tij. Ndërkohë që disa nga qeniet zvarriten përtokë e disa të tjera lëvizin qafëpërkulur mbi katër këmbë, Allahu i Madhëruar i ka mundësuar njeriut ecjen mbi dy këmbë dhe qëndrimin me trupin drejt si një ‘elif’. Nëse do të ishte e mundur për kafshët që ecin këmbadoras e që zvarriten me fytyrën në tokë të ecnin mbi dy këmbë, përse do të vazhdonin të zvarriteshin? Ato, ngaqë nuk i kanë të mirat e begatitë që kanë njerëzit, ecin të përkulur e të përthyer, ose hiqen zvarrë, përballë ligjeve detyruese të krijimit të Zotit të Plotëfuqishëm. Nëse njeriu do të ngrihej të numëronte mirësitë që Allahu i Madhëruar i ka dhënë atij, – siç thuhet edhe në Kuran – kjo nuk do të ishte e mundur. Për këtë arsye, sado që ta falënderojë njeriu Zotin, prapë pak është. Askush nuk mund ta falënderojë Allahun aq sa duhet. Para së gjithash, ai është krijuar si një qenie në trajtën më të përkryer (ahseni takuím), me anën e tij të brendshme dhe atë të jashtme. Allahu Fuqiplotë nuk e ka krijuar atë si një krijesë të pajetë, nuk e ka lënë në mesin e krijesave të pandërgjegjshme. Përkundrazi, Zoti e krijoi njeriun si një krijesë të ndërgjegjshme me vullnet e mendje. Dhe, sa i përket besimtarit, Allahu nuk e përfshiu atë në turmat e të pafeve, por, duke e pastruar kohë pas kohe, e lartësoi në gradën e të qenit njerëzor dhe, më pas, në atë të të qenit besimtar. Në këtë gjendje të tijën, sikur Allahu i ka vënë në kanistrën që po mban mbi shpinë nga një mirësi tjetër në çdo hap të tij drejt përsosmërisë. Ja, pra, gjatë kohës që është në kijam, besimtarit do t’i vijnë në mendje gjithë këto mirësi të grumbulluara në shportën e tij dhe, gati për të dhënë llogari para Zotit në Ditën e Gjykimit, do ta imagjinojë veten përballë urdhrit ‘Jep llogari për frymët që ke marrë e ke dhënë gjatë gjithë jetës tënde!’.

c. Kiraeti (Leximi i ajeteve të Kuranit)

Robi, pasi pranon madhështinë e Allahut dhe e shpall atë duke thënë “Alláhu Ekber”, duke pasur parasysh rëndësinë e namazit që do të falë dhe të ajeteve të Kuranit që do të këndojë dhe me dëshirën që shejtani të mos ketë pjesë në to, thotë: “Eúdhu bil’láhi minesh’shejtánirr’rraxhím”, “Strehohem tek Allahu nga e keqja e shejtanit të dëbuar prej mëshirës hyjnore.” Nëpërmjet këtyre fjalëve, njeriu në radhë të parë shpreh dobësinë, pafuqinë e tij. Më pas, ai këndon ‘besmele’-në, e cila shpreh se çdo gjë që ndodh, çdo veprim i ndërrmarë, realizohet/duhet të realizohet me emrin e Allahut. Një njeri që e shpreh dobësinë e tij në këtë mënyrë në namaz, i drejtohet Allahut me zemrën e tij të thyer dhe thotë “El hamdu lil’láhi Rabbil álemín”, e cila bart këtë kuptim: “Zoti im! Organet që më ke dhënë mua i ke vënë në punë si të ishin makineri; qelizat, qeniet më të vogla të gjalla, i bëre të bashkohen për të formuar trupin tim. Tani, secili nga ato organe, secila nga ato gjymtyrë të miat është si një individ më vete; të adhurojnë Ty me lëvizjet e tyre të veçanta dhe me kuptimet që shprehin nëpërmjet tyre. Kurse unë, unë vetëm po përkthej në fjalë adhurimet e tyre, robërinë e tyre ndaj Teje. Unë po të paraqes Ty mirënjohjen time dhe aq falënderime sa gjymtyrët, organet dhe qelizat e mia, të cilat i vë në lëvizje gjatë faljes së namazit.”

Pastaj thotë “Err’Rrahmánirr’Rrahím”, që bart këto kuptime: “Duke parë dobësinë dhe varfërinë time, Ai e shtriu këtë univers para syve të mi si të ishte një libër i madh dhe më dha mua vullnet për ta lexuar atë, më dha mua vullnet për t’i shndërruar në besim në zemrën time rrezet e dritës që do të marr nga ai libër. Përsëri nëpërmjet tij, më mundësoi kapërcimin e sekreteve të universit, afrimin për te brigjet e emrave të Allahut, shqyrtimin e atributeve të Tij dhe të menduarit për Zanafillësin e Plotfuqishëm.”

Më pas, sikur të jetë duke shpjeguar se pse është Ai i denjë për kaq shumë lavdërime, falënderime e mirënjohje, thotë “Máliki jeumiddín” (Sunduesi i Ditës së Gjykimit) e, në këtë mënyrë, shpreh dhe konfirmon se Zoti i Madhëruar, përveçse ka krijuar gjithë këtë univers, i ka furnizuar krijesat e Tij me çdo lloj të mire, të jashtme e të brendshme, të kësaj bote dhe të asaj të përtejme, dhe se Ai është gjithashtu Sunduesi i vetëm i asaj dite kur të gjithë do të merren në llogari e do të shpërblehen ose ndëshkohen.

Kurse për të treguar se mund të kryejë adhurime vetëm ndaj një Individualiteti që i ka të gjitha këto cilësi dhe se forcën e fuqinë për t’i përdorur gjymtyrët e tij në këtë drejtim prapë Atij do t’ia kërkojë, thotë “Ijjáke na’budu ue ijjáke neste’ín”, “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” dhe, në emër të njohjes së Allahut, arrin në një gradë nga ku mund t’i drejtohet Atij me ‘Ti’. Sepse përballimi dhe përmbushja e detyrës së të qenit rob i Zotit mund të arrihet vetëm nëpërmjet një kërkese të tillë për ndihmë. Dhe, në këtë gradë, njeriut i bëhet sikur po zbulon dhënien e një mundësie dhe, pa humbur kohë, duke thënë “Ihdinas’sirátal mustekím. Sirátal’ledhíne en’amte alejhim gajril magdúbi alejhim ue led’dál’lín”, “Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në atë të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në atë të atyre që janë të humbur!”, kërkon udhëzimin në rrugën e drejtë të syve e veshëve, gjuhës e buzëve, duarve e këmbëve dhe të çdo pjese tjetër të tij. Sepse ai e di se ekzistojnë shumë mundësi devijimi në rrugë të gabuar për secilën nga këto gjymtyrë e organe.

Në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurajra (r.a.), i Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë kështu: “Pa dyshim, Allahu i Lartësuar ia ka shkruar të birit të Ademit atë që i bie për pjesë nga zinaja.” Po, zinaja e syrit është të shikosh ato gjëra që janë të ndaluara, zinaja e veshit është të dëgjosh gjëra të pamoralshme, zinaja e gojës është të flasësh fjalë që i përkasin imoralitetit, zinaja e këmbëve është ecja drejt imoralitetit. Siç mund të vihet re, të gjitha këto janë rrugë të shtrembra. Ja, pra, mëshira hyjnore në këtë pikë i buzëqesh në fytyrë njeriut që ka shumë nevojë për mëshirë e dhembshuri; Allahu bëhet për robin syri i tij që shikon, dora e tij që kap, veshi i tij që dëgjon, gjuha e tij që flet dhe nuk e lejon atë të hedhë hapa të gabuar, të bëjë punë të gabuara, të shikojë vendet e gabuara dhe të thotë fjalë të gabuara.

Nga ana tjetër, nëpërmjet këtyre ajeteve që këndon gjatë namazit, robi sikur flet me Allahun (xhel’le xheláluhu). Në një hadith të shenjtë (kudsí), i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e shpreh në këtë mënyrë këtë të vërtetë: “Allahu (xhel’le xheláluhu) tha: ‘Unë e kam ndarë kiraetin mes vetes sime dhe robit tim; gjysma e tij më përket mua, gjysma tjetër i përket atij. Robit tim i është dhënë ajo që ka kërkuar. Kur robi thotë ‘El hamdu lil’láhi Rabbil álemín’, ‘Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve.’, Allahu i Lartë e Madhështor thotë ‘Robi im më falënderoi.’. Kur robi thotë ‘Err’Rrahmánirr’Rrahím’, ‘Ai është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.’, Allahu thotë ‘Robi im më lavdëroi.’. Kur robi thotë ‘Máliki jeumid’dín’, ‘Ai është Sunduesi i Ditës së Gjykimit.’, Allahu thotë ‘Robi im më lartësoi.’. Kur robi thotë ‘Ijjáke na’budu ue ijjáke neste’ín’, ‘Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.’, Allahu thotë ‘Kjo është (një marrëveshje) mes meje dhe robit tim. Robit tim ia kam dhënë atë që kërkon. Kur robi thotë ‘Ihdinas’sirátal mustekím. Sirátal’ledhíne en’amte alejhim gajril magdúbi alejhim ue led’dál’lín.’, ‘Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në atë të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në atë të atyre që janë të humbur!’, Allahu (xhel’le xheláluhu) thotë ‘Edhe kjo i përket robit tim; robit tim i është dhënë ajo që ka kërkuar.’.”

Po, surja Fatiha është shprehje e emocioneve të ndërgjegjes së njeriut. Me këndimin e Fatihasë në namaz, robi, ndërkohë që nga njëra anë, duke qenë ballë për ballë me hartën e një xhemati të gjendur në rrugën e duhur, bëhet përkthyes i ndërgjegjeve, nga ana tjetër, sikur ndien mbi shpinë dorën e fuqisë së Zotit të Plotfuqishëm. Kurse me këndimin e ajeteve të tjera të Kuranit, endet nëpër kuvende të ndryshme dhe përballet me lloj-lloj skenash. Ndonjëherë kalon në ekstazë, ndonjëherë qan e rënkon dhe ndonjëherë tjetër, duke u ndier i shqetësuar përbrenda dhe, për rrjedhojë, duke mos gjetur dot forcën për të vazhduar më tej me këndimin e Kuranit, ulet menjëherë në ruku.

Në të shumtën e rasteve, këndimi i Kuranit gjatë namazeve të Profetit tonë (s.a.s.) zgjaste shumë. Abdullah ibn Mesudi (r.a.) e shpjegon në këtë mënyrë një kujtim të tijin në lidhje me këtë çështje: “Një natë fala namaz bashkë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Aq shumë e zgjati namazin, saqë, për një moment, mendova të bëja diçka të keqe.” Kur e pyesin se ç’kishte qenë ajo gjë e keqe që kishte menduar të bënte, ai përgjigjet në këtë mënyrë: “Mendova të lija në mes namazin e të ulesha.”

Kurse një hadith tjetër, të cilin Muslimi na e ka transmetuar nga Hudhejfe (r.a.), është kështu: “Një natë fala namaz bashkë me Profetin tonë (s.a.s.). Kur filloi të këndonte suren Bekare, ‘Pasi t’i plotësojë njëqind ajete, do të shkojë në ruku.’ thashë unë me vete. ‘Ndoshta do ta këndojë të gjithë suren në një rekat.’ thashë pasi i kaloi njëqind ajetet e para. Por Ai (s.a.s.) vazhdoi akoma. ‘Me këtë sure do të kalojë në ruku.’ thashë unë; Ai filloi suren Al Imran. E këndoi edhe atë. Pastaj filloi suren Nisa, e këndoi edhe atë. I këndonte ngadalë ato dhe, kur vinte ndonjë ajet që përfshinte tesbihe, i bënte edhe tesbihet; kur vinte ndonjë ajet lutjeje, i lutej Allahut; kur vinte ndonjë ajet në lidhje me strehimin tek Allahu, strehohej tek Ai. Pastaj vajti në ruku dhe aty filloi të thoshte: ‘Subháne Rabbijel adhím’, ‘I lartësuar qoftë Zoti im i Madhërishëm.’ Edhe rukuja zgjati po aq sa kijami. Pastaj, duke thënë ‘Semialláhu limen hamideh, Rabbená lekel hamd’, ‘Allahu e dëgjon atë që është falënderues ndaj Tij. O Zoti ynë! Ty të takon falënderimi!’, u ngrit nga rukuja dhe qëndroi në këmbë për një kohë pothuajse aq të gjatë sa ajo e rukusë. Mandej u ul në sexhde dhe tha: ‘Subháne Rabbijel a’lá’, ‘I madhëruar qoftë Zoti im i Lartë.’ Edhe qëndrimi në sexhde zgjati për një kohë të përafërt me atë të qëndrimit në kijam.”

Po, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i lutej Allahut në çdo pamje që kapte gjatë namazit. Ne mbase nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë në namazet farz që kryejmë me xhemat, por mund të shfrytësojmë çdo rast për të dalë para Zotit, për t’ia hapur Atij zemrën dhe për t’ia shprehur ndjenjat që kemi përbrenda gjatë namazeve tona nafile. Unë besoj se kjo hapje e zemrës ndaj Zotit tonë dhe të kërkuarit derman për mëkatet dhe plagët tona do të na freskojnë së brendshmi dhe do të na bëjnë të ndihemi të qetë e të lehtësuar. Në fakt, ata njerëz fatkeq, që nuk arrijnë të futen brenda namazit dhe vetëm sa sorollaten në hyrjen e tij, edhe pse mendojnë se falin çdo ditë namaz, nuk e dinë se ç’do të thotë të kalosh në ekstazë para Zotit dhe t’i drejtohesh Atij me gjithë zemër. Sepse ata e mendojnë namazin si diçka të përbërë thjesht nga disa formula të thata, si një barrë që duhet mbajtur mbi shpinë. Kurse besimtari i vërtetë shkon në namaz me kënaqësi dhe gëzim sikur të jetë duke shkuar në një drekë apo darkë, më tej akoma, sikur të jetë duke shkuar në Xhenet... Shkon drejt namazit në këtë mënyrë dhe përpiqet që, nëpërmjet rrugëve që do t’i hapen në namaz, të sigurojë një bashkëbisedim, një marrëdhënie me Zotin e tij. Allahu i Madhëruar na e mundësoftë të ndierit e gjithë këtyre kuptimeve. Sepse, nëse Ai nuk do të na e mundësojë një gjë të këtillë, shpëtimi nga hutesa do të jetë i pamundur, nuk do të jemi në gjendje të largojmë nga vetja dembelizmin dhe plogështinë. Madje, edhe gjatë faljes së namazit, nuk do ta dimë se sa rekate kemi falur, nuk do të jemi të vetëdijshëm për ato që themi.

d. Rukuja

Me ajetet “A nuk i kemi dhënë Ne atij dy sy, edhe gjuhë, edhe dy buzë, dhe ia kemi bërë të qarta të dyja rrugët? Atëherë le të ndjekë rrugën e vështirë!”, të cilët bartin kuptimet “Edhe pse të bekuam me të gjitha llojet e mirësive, edhe pse të udhëzuam në rrugën e madhe e të drejtë të hapur nga profetët, ti nuk arrite ta kapërceje hutesën, nuk e dhe atë që duhej të jepje. Për rrjedhojë, nuk ia dole të futeshe në rrugën e Zotit. Tani jep llogari për të gjitha këto!”, besimtarin, që del para Zotit të Madhëruar për të dhënë llogari për mirësitë që po mban mbi shpinë, sikur nuk e mbajnë më këmbët. Dhe, duke mos qenë më në gjendje të qëndrojë në këmbë, përkulet e shkon në ruku. “Po, më ke dhënë shumëçka, Zoti im! Sepse zotërinjtë, të mëdhenjtë japin gjithmonë; kurse të vegjëlit dhe robërit shpërdorojnë. Unë i pranoj vogëlsinë dhe të metat e mia përballë madhështisë Tënde, i bindem urdhrit Tënd ‘Andaj, lavdëroje emrin e Zotit tënd të Madhërishëm!’ dhe, duke thënë ‘Subháne Rabbijel adhím’, ‘Zoti im i Madh është larg çdo të mete.’, trokas në derën Tënde me tesbihatin e engjëjve.” thotë dhe, kështu, pranon dhe shpall përsosmërinë e Zotit përballë papërsosurisë së vet.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.), kur shkonte në ruku, lutej kështu: “Allahu im! Ty po të bëj ruku, Ty të besova dhe te Ti u dorëzova. Ti je Zoti im. Veshët e mi, sytë e mi, truri im, kockat e mia, palca e kockave të mia, nervat e mi dhe gjithçka mbajnë këmbët e mia janë përkulur para Allahut, Zotit të botëve, dhe i janë bindur Atij.”

Qëndrimi në ruku është gjithashtu edhe adhurimi i krijesave që ecin të përkulura. Në ruku, besimtari sjell në mendje edhe këtë fakt dhe, me duatë që bën aty, sikur dëshiron të thotë: “Falënderimet dhe lavdërimet të takojnë vetëm Ty, o Zoti im! Mua më krijove jo si krijesat që ecin të përkulura, po trupdrejtë si shkronja ‘elif’. Tani jam përkulur për të shprehur dhe dëshmuar madhështinë Tënde, por do të jem në gjendje të drejtohem sërish.”

e. Sexhdeja

Besimtari, pasi i ndien me zemër të gjitha këto kuptime në ruku, me një fllad shprese që i vjen nga Zoti i tij, ngre kokën dhe hedh sërish shikimin drejt mëshirës së Tij. Në librat e haditheve të sakta (sahih), transmetohet një hadith i tillë i Pejgamberit tonë (s.a.s.):

“Në mejdanin e Mahsherit (vendi ku do të tubohen njerëzit pas ringjalljes), një rob po jep llogari për jetën e tij; në përfundim të llogaridhënies, ngaqë mëkatet i peshojnë më shumë, lëshohet fermani ‘Çojeni atë në Xhehenem!’. Engjëjt e kapin atë dhe nisen për ta dërguar drejt Xhehenemit. Në një çast, robi kthen kokën dhe shikon mbrapa. Zoti, i Cili nuk është i kufizuar nga koha dhe hapësira, edhe pse e di arsyen e atij shikimi të robit të Tij, u thotë engjëjve: ‘Pyeteni njëherë robin Tim, përse e ktheu kokën dhe pa në atë mënyrë?’ Robi jep këtë përgjigje: ‘ O Zot! Unë kurrë nuk të kisha menduar Ty kështu. Unë mendoja se, edhe sikur të vija para Teje me mëkate që do të peshonin sa malet, Ti do t’më falje dhe do t’më dërgoje në Xhenetin Tënd. Mendimi im për Ty në këtë drejtim ishte. Kurse tani, Ti po më dërgon në Xhehenem...’ Pas këtyre fjalëve të robit, Allahu (xhel’le xheláluhu) urdhëron: ‘Unë e trajtoj robin Tim ashtu siç mendon ai për Mua. Nuk do ta nxjerr robin Tim gënjeshtar në këtë shpresë të tij. Dërgojeni atë në Xhenet!’”

Ja pra, teksa ngrihet nga rukuja dhe drejtohet sërish, robi sikur ndien një qetësim të zemrës dhe thotë “Semialláhu limen hamideh”, “Allahu i dëgjon ata që e falënderojnë Atë.”. Dhe kur drejtohet plotësisht si një ‘elif’, thotë “Rabbená lekel hamd”, që bart kuptimin “O Zoti im! Lavdërimi dhe falënderimi të takojnë Ty. Më krijove mua si njeri. Me mëshirën Tënde më shpëtove nga tmerri i llogaridhënies dhe më bekove edhe me shumë mirësi e begati të tjera.”

Ndonjëherë, duke e parë këtë si të pamjaftueshme, besimtari mund të lutet si Profeti ynë (s.a.s.) dhe të thotë “Allahu im, strehohem në pëlqimin Tënd nga zemërimi Yt, në mirëqenien Tënde nga mundimi Yt, nga Ti te Ti (nga ashpërsia Jote në mirësinë Tënde). E pranoj se nuk jam në gjendje për të të lavdëruar Ty. Prapë vetëm Ti je Ai që mund ta lavdërojë Veten ashtu siç e meriton.” ose “O Allahu im, o Zoti ynë, për Ty qofshin aq falënderime e lavdërime sa qiejt me çdo gjë ka në to, sa toka me çdo gjë ka në të, sa çdo gjë që ndodhet mes qiejve e tokës dhe sa çdo gjë tjetër që dëshiron Ti!”

Duke menduar se mëshira e Zotit është bashkë me të, shqetësimet në lidhje me vështirësinë e llogaridhënies i lehtësohen disi dhe fllade shprese fillojnë të fryjnë në botën e tij shpirtërore. Dhe më pas, si shprehje falënderimi ndaj Zotit të Madhëruar, ulet në sexhde dhe vendos fytyrën në tokë. Dhe aty, duke thënë tri herë “Subháne Rabbijel a’lá”, “Allahu im i Lartë është larg çdo të mete.”, lartëson Zotin dhe tregon respektin që ndien ndaj Tij.

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) bënte sexhde duke iu bindur urdhrit të Kuranit Famëlartë “Bëji sexhde Allahut...”; herë kalonte në ekstazë duke thënë “Allahu im! M’i fal të gjitha mëkatet, të mëdhaja e të vogla, të vjetra e të reja, të fshehta e të hapura!”, herë shprehte madhështinë dhe qerasjet e Zotit të tij duke u lutur me fjalët “Allahu im! Ty të bëra sexhde, Ty të besova, te Ti u dorëzova. Edhe fytyra ime i bën sexhde Krijuesit të saj, që e ka krijuar dhe i ka dhënë formë, që i ka vënë veshë e sy. Sa i lartë është Allahu, Ai që e ka krijuar çdo gjë në trajtën e saj më të bukur!”.

Shkurtimisht, – ashtu siç u lartësua Profeti Muhamed (s.a.s.) falë adhurimeve dhe robërisë ndaj Zotit të vet dhe u takua me Të në Miraxh, në sajë të kësaj sexhdeje edhe besimtari do të zërë vendin e tij pas Profetit tonë (s.a.s.), për t’u takuar dhe folur me Zotin. Ai duhet ta kryejë namazin me nijetin për ta kërkuar dhe arritur këtë gradë të lartë. Besimtari, që, për të fituar atë që Zoti i ka premtuar, përmbush urdhrin dhe propozimin që po Zoti i tij i ka bërë, do të ndiejë një kënaqësi të ëmbël dhe të pakufí në të gjitha pjesët përbërëse të namazit. Sepse pas këtij premtimi fshihet fitimi i kënaqësisë së Allahut dhe soditja e bukurisë hyjnore. Për më tepër, udhëheqësi ynë në kryerjen e kësaj detyre të madhe është Muhamedi (s.a.s.). Allahu i Madhëruar na bëftë të përkushtuar ndaj namazit dhe na i mbushtë shpirtrat me gëzimin e tij! Nëpërmjet namazeve që do të falim, na e mundësoftë gjithashtu edhe përjetimin e miraxhit!

Dijetarët kërkues të së vërtetës e pranojnë sexhden, njërën nga shtyllat e namazit, si majën e fundit ku mund të arrijë njeriu dhe thonë se shtyllat e tjera të namazit janë si shkallë që të çojnë për te sexhdeja. Po, në rrugëtimin drejt daljes para Allahut, që fillon me marrjen e abdesit, njeriu kalon nëpër faza të ndryshme dhe arrin në vendin që i Dërguari i Allahut e cilëson si vendi në të cilin njeriu ndodhet më afër Zotit të tij, pra, në gjendjen e sexhdes. Për njeriun që po bën sexhde, të rëndësishme janë lidhja e tij shpirtërore me Zotin dhe gjërat që ndien aty. Për shembull, një besimtar që është duke falur namaz, gjatë qëndrimit në kijam mund të mendojë kështu: “Zoti im, po të mos na e kishe treguar Ti, unë nuk do dija si të të adhuroja; pa fund lavdërime e falënderime qofshin vetëm për Ty!” Në ruku, mund të thotë “Nuk mund ta di nëse kjo gjendje e imja është apo jo e mjaftueshme për të shprehur adhurimet dhe robërinë time ndaj Teje, por, duke marrë si shembull Pejgamberin tonë, po përpiqem të bëj aq sa mundem. Zoti im, pranoji adhurimet e mia!”, ndërsa në sexhde, “Zoti im! Po të ishte e mundur, kokën do e vendosja shumë më poshtë këmbëve të mia.” Pra, me mendime të tilla duhet t’i kryejë besimtari pjesët e namazit, duke e ndier secilën prej tyre në maksimum.

Po, namazi është një udhëtim drejt së përtejmes, i cili bëhet nën hijen e Miraxhit; ndërsa sexhdeja është shtylla më e rëndësishme e atij udhëtimi. Për rrjedhojë, në sexhde njeriu duhet të përpiqet të ndiejë afrimin final dhe ta kapë atë në zemër.

Sexhdeja është një mundësi, një ‘shebi arús’ (nata e dasmës), – nëse do të përdornim shprehjen e Mevlanës – që i jepet njeriut për ta vlerësuar më së miri. Është një terren ku të gjithë, në varësi të horizontit të tyre të njohjes dhe gradës në të cilën kanë arritur, mund të bekohen me të mira e begati.

Sexhdeja është vendi ku njeriu fshin çdo gjë tjetër përveç Allahut dhe thotë “il’lalláh”, është vendi ku ai do të gëlltisë gllënjkat e afrimit me Zotin.

Po, sexhdeja është emri i bindjes së përsosur në përshtatshmëri me madhështinë e Allahut të Madhëruar. Në këtë pikë, duhet të mendojmë se çfarë, si, në ç’mënyrë dhe pse duhet bërë. Për rrjedhojë, duhet vepruar duke i marrë parasysh të gjitha këto.

f. Teshehudi/Ulja pas çdo dy rekateve

Ulja në teshehud është shprehja e përpjekjes së robit për të përparuar në namaz dhe e shterjes si rezultat i stërmundimeve të tij në këtë drejtim. Robi, të gjithë energjinë e trupit, ndjeshmërinë e mendjes, emocionin e shpirtit dhe të gjitha ndjenjat e tij vigjilente do t’i përdorë për të përparuar drejt Zotit të tij dhe, pastaj, do të ulet në teshehud. Sepse në teshehud thuret epopeja e Miraxhit, epopeja e atij udhëtimi të bekuar të Profetit tonë Famëlartë (s.a.s.). Atëherë kur njerëzit i kthyen Atij (s.a.s.) shpinën, Allahu (xhel’le xheláluhu) hapi për Të dyert e qiellit dhe e ftoi duke iu drejtuar me fjalët “Urdhëro, o robi im!”. Kurse banorët e qiejve e pritën Atë duke i buzëqeshur. Çdo besimtar, pasi fal namazin sipas gradës që ka dhe thellësisë së zemrës, me zigzaget e uljengritjeve të tij, daç ta mendojë veten të paaftë për t’u ngritur në këmbë nën peshën e llogaridhënies dhe të ulet, daç të ulet në atmosferën e arritjes së mirësive, i gëzuar, krenar dhe i çliruar nga gjithçka, thua se po rehatohet në kolltukët e Xhenetit, daç të ulet ashtu siç shpjegohet në suren Nexhm, sikur të jetë duke dalë para Zotit, sikur të ketë arritur në një vend diku mes ekzistencës së mundshme dhe asaj të domosdoshme, sikur të ketë fituar postin e lartë të bashkëbisedimit me Zotin e tij. Këtu, pasi ta ketë kryer namazin me të gjitha vështirësitë dhe peshën e tij materiale, në varësi të thellësisë së zemrës dhe kthjelltësisë së ndjenjave të tij, do të lexojë epopenë e miraxhit.

Po, teshehudi shpjegon miraxhin. Dalja vetëm para Allahut është shumë e vështirë për ne; pa kaluar nga Muhamedi (s.a.s.), që erdhi e shkoi para nesh, la gjurmë dhe hapi një rrugë të gjerë për të gjithë ne, pa e përshëndetur Atë dhe pa e siguruar ndërmjetësimin e Tij, arritja para Allahut të Madhëruar është e pamundur. Kjo është arsyeja pse ne e përshëndesim Profetin tonë Bujar (s.a.s.) menjëherë pasi kemi kënduar ndaj Zotit tonë “ettehijjátu...”, pra, pasi kemi shprehur se vetëm për Të i bëjmë të gjitha adhurimet tona trupore dhe materiale. Dhe themi “esselámu alejke ejjuhen’nebijju”. Kuptimi i kësaj në përfytyrimet tona është rreshtimi ynë pas Muhamedit Famëlartë (s.a.s.) kur po shkojmë për të dalë para Allahut të Madhëruar dhe përpjekja për të mbajtur vesh ndaj gjërave që fliten në këtë bashkëbisedim të ëmbël, përpjekja për t’i kuptuar ato.

Aty, Profeti ynë (s.a.s.) fillimisht thotë “Përshëndetjet, fjalët e mira dhe duatë janë për Allahun!”, pra, “Të gjitha adhurimet që bëjmë me të gjitha grimcat e trupit tonë dhe gjërat që kemi harxhuar nga pasuria që kemi fituar dhe mbledhur janë për Ty, për fitimin e pëlqimit Tënd, o Allahu im! Unë po vij para Teje për të shprehur besën dhe besnikërinë time dhe për të të përshëndetur me këto fjalë.” dhe, pastaj, i jep selam Allahut (xhel’le xheláluhu). Zoti i Madhëruar, duke iu përgjigjet të Dashurit të Tij me fjalët “O, i Dërguar! Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ty!”, sikur po i thotë “O, i Dërguari i lavdishëm! Përkundrejt selamit tënd, selam edhe për ty!”.

Ndërkohë që ky bashkëbisedim po zhvillohet në një pozitë të paimagjinueshme për ne (mendja jonë e ka të pamundur të kuptojë nëse ekziston apo nuk ekziston vendi aty), engjëjt thonë “Paqja qoftë mbi ne dhe mbi robërit e virtytshëm të Allahut!” Në fund, me fjalët “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.” dhe duke i bërë edhe qiejt e tokën të kumbojnë nëpërmjet tyre, Xhibrili (a.s.) i shton kësaj sinfonie një atmosferë dhe harmoni të ëmbël, ua bën të ditur të gjithë banorëve të tokës dhe qiejve se Allahu është i Adhuruari Absolut dhe i Dëshiruari i Denjë dhe se Muhamedi (s.a.s.) është i Dërguari i Tij i lavdishëm.

Pra, teshehudi konsiston në konceptimin dhe përfytyrimin e kësaj ngjarjeje të përjetuar në Miraxh dhe në shndërrimin e saj në një epope të lartësimit të robit drejt Allahut falë adhurimeve dhe robërisë së tij ndaj Tij. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e përfundonte namazin e tij pasi bënte këtë dua: “Allahu im, falmi të gjitha mëkatet që kam kryer, mëkatet e kohës së shkuar dhe ato të së ardhmes, ato që i kam kryer haptas dhe ato që i kam kryer fshehtas, mëkatet që kam kryer duke e kaluar cakun dhe, përtej këtyre, ato mëkate të miat që Ti i di shumë më mirë se unë! Ti je Ai që të çon përpara, Ti je Ai që të lë pas. Nuk ka zot tjetër përveç Teje!” Allahu (xhel’le xheláluhu) na bëftë prej atyre që arrijnë ta përfytyrojnë këtë moment gjatë teshehudeve të namazeve të tyre!

3. Elementë plotësues të namazit

a. Ta’díli erkán

Ta’díli erkán do të thotë të kryesh ashtu siç duhet shtyllat dhe pjesët e tjera përbërëse të namazit; të zgjasësh çdo shtyllë dhe pjesë të namazit të paktën derisa gjymtyrët dhe organet e trupit të relaksohen e të gjejnë qetësi. Kjo është gjendja që duhet të arrijë trupi i njeriut në aspektin fizik gjatë faljes së namazit. Namazi nuk do të jetë i plotë nëse nuk respektohet kjo gjë.

Tregon Ebu Hurajra (r.a.): “Kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) po rrinte ulur në mesxhid, aty erdhi një burrë, i cili, pasi fali namazin në një qoshe, erdhi pranë Pejgamberit tonë dhe e përshëndeti. Edhe Profeti ynë (s.a.s.) e mori përshëndetjen e tij. Tamam atëherë kur burri po bëhej gati për t’u ulur, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha: ‘Shko e përsërite edhe një herë namazin, nuk e fale ashtu siç duhet.’ Burri iku, fali sërish namazin, erdhi, dha selam, selami i tij u mor, por u përball përsëri me të njëjtat fjalë: ‘Shko e përsërite edhe një herë namazin, nuk e fale ashtu siç duhet.’ Në herën e dytë ose në atë të tretën, burri tha: ‘O, i Dërguari i Allahut! Kaq është ajo që di unë, sikur të ma tregonit se ku po gaboj!’ Atëherë, Profeti ynë (s.a.s.) urdhëroi kështu: ‘Kur të ngrihesh për të falur namazin, filloje atë duke marrë tekbir. Pastaj këndo pak Kuran. Pastaj shko në ruku dhe qëndro aty derisa gjymtyrët e tua të zënë vend e të gjejnë qetësi (sipas një transmetimi tjetër, ‘derisa nyjet e tua të lirohen e të tendosen’). Pastaj ngrihu nga rukuja dhe mos shko në sexhde pa e drejtuar plotësisht trupin. Pastaj shko në sexhde dhe qëndro aty derisa gjymtyrët e tua të zënë vend. Pastaj ngrije kokën nga sexhdeja dhe qëndro ulur derisa trupi yt të gjejë qetësi në atë pozicion. Pastaj shko prapë në sexhde dhe mos u ço derisa gjymtyrët e tua të gjejnë qetësi... dhe kështu fali të gjitha namazet.’”

Bazuar në këtë hadith dhe në dëshmi të ngjashme me të, shumë dijetarë të jurisprudencës islame, në mesin e të cilëve bën pjesë edhe Imam Ebu Jusufi i medhhebit Hanefi, e kanë pranuar si farz faljen e namazit me ta’díli erkán. Ndërsa sipas pikëpamjes në të cilën bazohet fetvaja e medhhebit Hanefi në lidhje me këtë temë, falja e namazit me ta’díli erkán është vaxhib. Rrjedhimisht, rregullat e faljes së namazit me ta’díli erkán duhen respektuar patjetër. Sipas meje, marrja për bazë e mendimit të atyre që e konsiderojnë farz këtë është më e përshtatshme për ata që dëshirojnë të tregohen të matur e të kujdesshëm në adhurimet e tyre. Përderisa imamët muxhtehidë, të cilët e kanë thënë këtë gjë, kanë qenë plotësisht të përkushtuar ndaj Kuranit, përderisa kanë qenë njerëz të mëdhenj që kanë pasur si qëllim të jetës së tyre kuptimin e Kuranit dhe Sunetit, mënyra më e mirë e të vepruarit, pra, në çështjet për të cilat ata kanë pasur mospajtime me njëri-tjetrin, është të vepruarit me kujdes dhe duke i marrë të gjitha masat e nevojshme.

Kjo do të thotë t’i kryesh ashtu siç duhet të gjitha shtyllat dhe pjesët e tjera përbërëse të namazit, të përpiqesh ta vazhdosh atë me emocionet e ditës së parë, pa lejuar që ai të zbehet e të humbasë gjallërinë. Për këtë, çështje të tilla si zgjatja e kijamit nëpërmjet këndimit të Kuranit për një kohë më të gjatë dhe qëndrimi i zgjatur në ruku e sexhde janë gjithashtu shumë të rëndësishme. Në një kuptim, thelbësore është kryerja e të gjitha pjesëve të namazit në mënyrën e duhur dhe përballimi i vështirësive të tyre. Sepse të vepruarit në këtë mënyrë do t’i mundësojë njeriut arritjen e dimensioneve të ndryshme në çdo namaz. Kjo është arsyeja pse njeriu duhet t’i interpretojë edhe një herë namazet që ka falur dhe duhet të përpiqet t’i ndiejë thellësisht, me gjithë qenien e tij, rukutë dhe sexhdet.

Nuk ka dyshim se falja e namazit pa i lënë asgjë mangët, duke treguar kujdes ndaj shtyllave, kushteve, suneteve, mustehabeve (gjë e pëlqyeshme), madje edhe ndaj adabeve (edukatë) të tij, është një çështje shumë e rëndësishme, askush nuk mund ta nënvlerësojë e ta shohë atë si diçka të thjeshtë. Kryesore në marrëdhënien e njeriut me Zotin e tij janë kuptimi, thelbi, shpirti. Por, nga ana tjetër, janë fjalët, format dhe shabllonet ato që i bartin këto të fundit. Prandaj duhet treguar patjetër kujdes edhe ndaj atyre fjalëve e shablloneve. Ato duhet të jenë në gjendje ta mbajnë atë kuptim thelbësor. Për rrjedhojë, nuk mund të thuhet se shabllonet dhe format nuk kanë asnjë vlerë. Mbi to ndërtohen dispozitat e dukshme. Por, siç e thamë edhe më sipër, thelbësor është shpirti i punës. Dhe kjo arrihet nëpërmjet faljes së namazit me hushú.

Ndonëse nuk ka një shprehje të atillë për to në librat e fikhut, mund të themi se hushú-ja dhe hudú-ja janë ta’díli erkán-i i brendshëm i namazit. Hushú dhe hudú do të thotë ta çosh deri në fund këtë çështje pa iu ndarë kuptimit të namazit.

Në një hadith të Pejgamberit tonë (s.a.s.), teksa shpjegohet koncepti ‘ihsan’, përkufizimi i tij jepet në këtë mënyrë: “Ta adhurosh Allahun sikur je duke e parë Atë. Por, edhe sikur ti të mos e shohësh dot Atë, Ai po të shikon ty!” Me një vetëdije kaq të thellë duhet kryer namazi. Pavarësisht çdo gjëje, ai duhet falur me kujdes dhe hushú. Çdo namaz duhet falur në një atmosferë dhe dimension ndryshe nga ato të namazit paraardhës.

Përmbajtja e namazit është aq e gjerë, sa për t’i bërë njerëzit të mendojnë shumë thellësisht. Ka një gamë të gjerë mënyrash për të ndier namazin gjatë faljes së tij nga të qenit i vetëdijshëm për daljen para Allahut thellësisht i entuziazmuar e deri tek ndjesia e faljes së namazit si një individ i xhematit prapa Profetit tonë (s.a.s.); nga të parit e vetes mes rreshtave të engjëjve e deri te ajo ndjesi që e kapërcen horizontin tonë me një lëvizje të vetme, pra, ndjesia e kryerjes së namazit sikur po e vë kokën në mbulesën e Arshit.

Kushti i parë, që njeriu të ketë sukses në këtë, është ta dijë namazin si një miraxh ose si një hije të miraxhit. Sepse ai nuk është një përmbledhje lëvizjesh që konsistojnë vetëm në ulje dhe ngritje. Për besimtarin, çdo namaz është një mjet që e lartëson atë si në miraxh. Kështu që, qoftë edhe në dimensione të ndryshme, ai duhet ta përmbushë miraxhin e tij në çdo namaz.

b. Qëllimi i namazit

Në të gjitha adhurimet që i bëhen Zotit të Madhëruar ka patjetër një begati dhe bereqet. Nuk mund të mendohet që një person t’i drejtohet derës së mëshirës së Tij dhe të mbesë i privuar nga ajo mëshirë. Megjithatë, njeriu nuk duhet t’i lidhë adhurimet e tij me begatitë, ose më saktë, me kënaqësinë. Ndonjëherë mund të ndodhë që të falni namaz në një gjendje shtrëngese, pra, kur ju është ngushtuar zemra dhe ndiheni të mërzitur. Dhe, nëse do të nxitoni t’i gjykoni këto namaze duke u bazuar thjesht në anën e tyre të jashtme, mund të mendoni me pesimizëm për to. Por, në të vërtetë, ato janë nga namazet më të pranuara. Sepse ju, edhe atëherë kur jeni të zhveshur nga ndjesitë në lidhje me begatitë materiale e shpirtërore, nuk i keni harruar adhurimet tuaja dhe keni dalë para Allahut të Madhëruar. Në këtë rast, juve nuk ju jepet ndonjë paradhënie, por, në të njëjtën kohë, kjo situatë as nuk jua pakëson besnikërinë tuaj… Dhe, ja, këto janë adhurimet e kryera me sinqeritet.

Të thuash “Meqenëse Zoti i Madhëruar, duke thënë ‘Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!’, na e ka bërë të ditur që do t’u përgjigjet të gjitha duave që do të derdhen jashtë buzëve tona, atëherë unë duhet të vazhdoj të pres te pragu i derës së Tij.” dhe të mos largohesh që aty është një shprehje përkushtimi dhe besnikërie. Nëse një person i kryen adhurimet në këtë mënyrë gjatë gjithë jetës së tij, pra, pa marrë asnjë kënaqësi prej tyre, do të thotë se të gjithë jetën e ka kaluar në një robëri të dëlirë ndaj Allahut dhe në çiltëri e sinqeritet.

Nga ana tjetër, as arritja e gradave shpirtërore nuk duhet parë si qëllim i adhurimit. Kjo është arsyeja pse personi që kryen adhurimet e tij me një dëshirë të zjarrtë për Xhenetin është quajtur rob i Xhenetit (Abdul Xhenneh). Xheneti nuk mund të jetë pikësynimi kryesor i veprave dhe adhurimeve të kryera. Adhurimi bëhet për shkak se i Vërteti e urdhëron atë dhe me qëllimin për të fituar pëlqimin e Tij.

Po, arsyeja e vërtetë e adhurimit është urdhri i Allahut. Pra, ne i kryejmë adhurimet ngaqë Allahu na urdhëron për një gjë të tillë. Ai që ngrihet të falë namaz duke u dridhur nga frika prej Xhehenemit dhe që qëndron duarlidhur e i përulur para Allahut po për të njëjtën arsye, është quajtur rob i Xhehenemit (Abdun’nár).

Si i bëhet, atëherë, për t’u bërë “Abdulláh” (rob i Allahut)? Njeriu duhet t’i kryejë adhurimet e tij jo për shkak të dashurisë ndaj Xhenetit, as për shkak të ndjenjës së frikës prej Xhehenemit, po ngaqë Allahu e ka urdhëruar një gjë të tillë dhe për shkak të të qenit vetëm rob i Allahut.

Njeriu duhet t’i falë patjetër namazet e tij, edhe në ato çaste shtrëngese, edhe kur është i privuar nga të ndierit e përfitimeve materiale dhe shpirtërore. Madje, ashtu siç mund të bëhen shkak i begatisë dhe bereqetit, e qara dhe rënkimi i tij mund të jenë edhe një tundim e sprovë. Edhe të qarat dhe rënkimet e një personi që nuk arrin ta mbajë zemrën e tij nën dorën e mendjes dhe të vetëkontrollit mund të jenë një rrezik serioz për të. Sepse një person i tillë, nuk është gjithmonë në gjendje t’i dijë e t’i ruajë thellësitë e zemrës së tij. Edhe sikur të jenë këto gjendje dhurata e mirësi që i jepen plotësisht namazit, nëse njeriu, pikërisht për këtë arsye, do të vrapojë pas tyre gjatë faljes së namazit, do të thotë se i ka humbur disa pika shumë të rëndësishme në lidhje me sinqeritetin. Është shumë e rëndësishme që të dilet para Allahut si një sënduk i mbyllur, i zënë dhe i ngopur vetëm me ndjenjën dhe mendimin e fitimit të pëlqimit të Tij.

I lutemi Zotit tonë që të na mundësojë të arrijmë majat në çështjet e sinqeritetit, të lidhjes me Të dhe të çiltërisë! Përkundrejt kësaj, nuk prish punë nëse gjendja jonë duket e rrënuar dhe e shkretë në sytë e të tjerëve. Një pamje e jashtme e tillë nuk ka dhe aq rëndësi. E rëndësishme është të jesh i madh në sytë e Zotit. Në këtë pikë, të gjithë duhet të shqetësohemi dhe, gjithë përulje, t’i lutemi Zotit: “Allahu im, më bëj mua të vogël në sytë e mi dhe sa më të madh te shikimet e Tua hyjnore!”

Një çështje tjetër është edhe kjo: Allahu i Plotfuqishëm mund t’i begatojë ata që kryejnë adhurime edhe me disa kënaqësi shpirtërore. Ka disa njerëz të mëdhenj, të cilët, duke qenë se e kanë fshirë nga zemrat e tyre atë që quhet ‘uxhb’ (pëlqim i vetes) dhe kanë arritur teuhidin, të gjitha mirësitë dhe bukuritë që u janë mundësuar i dinë nga Individualiteti që ua ka hedhur mbi shpinë si të ishin një rrobë. Për këtë arsye, ata e konsiderojnë si ‘tahdisi nimet’ (përmendja e mirësive të Zotit duke falënderuar për to) shprehjen me zë të lartë të kësaj të vërtete. Për shembull, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë kështu: “Në ditën kur do të ringjallen të gjithë, unë do të ringjallem si i zoti i Flamurit të Lavdërimit (Livaul Hamd).” Ndërsa në një hadith tjetër, shprehet në këtë mënyrë: “Allahu më ka dhënë pesë gjëra që nuk ua ka dhënë profetëve të tjerë.”

Këto janë fjalë të thëna në gradën e ‘tahdisi nimet’-it. Dikush më ka veshur një rrobë të bukur dhe unë, në çdo vend që shkoj, shpreh këtë dhuratë, këtë mirësi të atij personi ndaj meje. Duke bërtitur me sa zë kam, them kështu: “Kjo rrobë në trupin tim është e bukur, madje ma shton edhe mua bukurinë, i jep një tjetër dimension bukurisë së krijimit të Zotit tim. Por kjo bukuri nuk buron nga unë, po nga Ai që ma ka veshur këtë rrobë dhe nga rroba me të cilën Ai më ka veshur.” Në këtë kuptim, nuk ka ndonjë të keqe në përmendjen e qerasjeve të Zotit tonë ndaj nesh; madje, shumë herë, fshehja e tyre do të ishte një shenjë mosmirënjohjeje ndaj Tij.

Ja edhe një tjetër hadith i Pejgamberit tonë (s.a.s.), i thënë në të njëjtin kontekst: “Allahu, çdo profeti i ka dhënë një dëshirë të fortë ndaj diçkaje. Ajo që dëshiroj unë është ibadeti i natës.” Mirëpo, Profeti ynë kurrë nuk i ka falur namazet për kënaqësinë shpirtërore që merrte prej tyre. Nëpërmjet këtyre fjalëve, njerëzve që janë të hapur ndaj gjërave të tilla u jepet një mesazh. Qëllimi do të mbahet sa më lart dhe të punuarit e përpjekjet do të vazhdojnë derisa namazi të arrijë në atë gradë.

c. Falja e namazit me xhemat

Falja e namazit me xhemat është një sunet shumë i rëndësishëm që nuk duhet neglizhuar asnjëherë. Pikëpamja e imam Ahmed ibn Hanbelit në çështjen e xhematit është për t’u marrë në konsideratë. Ai e numëron faljen e namazit me xhemat mes farzeve të namazit. Tabiunët ishin jashtëzakonisht të kujdesshëm e rigorozë në çështjen e faljes së namazit me xhemat. Për shembull, i madhi imam A’meshi (Sulejman ibn Mihran) – sipas dëshmisë së Ueki ibn Xherrahut, njërit prej imamëve të pasuesve të tabiunëve (tebei tabiún) – për shtatëdhjetë vjet me radhë nuk i ka ikur asnjë tekbir fillestar i namazeve me xhemat. Gjatë gjithë këtyre viteve, nuk është parë të bëjë kaza as edhe një rekat të vetëm. Një tjetër, gjatë gjithë jetës së vet, nuk ka parë kurrë qafë njeriu në namazet me xhemat, sepse është falur gjithmonë në rresht të parë.

Profeti ynë (s.a.s.) i kushtonte një rëndësi të madhe faljes së namazit me xhemat dhe, sa herë që i jepej rasti, i nxiste besimtarët në këtë pikë. “Betohem në Allahun që ka në dorë nefsin tim se më shkon në mendje të caktoj dikë imam kur këndohet ezani dhe, pasi të marr edhe ca dru me vete, të shkoj e t’ua djeg shtëpitë atyre që nuk vijnë në namaz.” Ky hadith tregon gjithashtu rëndësinë që i jepte Ai (s.a.s.) xhematit. Duke u bazuar në këtë hadith, shumë dijetarë kanë dhënë gjykimet e tyre në lidhje me faljen e namazit me xhemat. Disa e kanë konsideruar atë farz, disa vaxhib dhe disa të tjerë sunet të fortë (sunnet muekkede). I nderuari Ahmed ibn Hanbel, duke u bazuar në ajete të tilla si “Faleni namazin, jepeni zekatin dhe përkuluni në ruku bashkë me ata që përkulen (në namaz).”, në hadithin e mësipërm dhe në shumë hadithe të tjera të ngjashme me të, ka arritur në përfundimin se falja e namazit me xhemat është ‘farz ajn’ (detyrim individual, për çdo mysliman). Ndërkohë që një pjesë e dijetarëve të medhhebit Shafi e kanë pranuar faljen e namazit me xhemat si ‘farz kifáje’ (detyrim kolektiv), ata të medhhebeve Hanefi dhe Maliki janë pajtuar në gjykimin se namazi me xhemat është ‘sunnet muekkede’.

Tabloja e Krenarisë së Njerëzimit (s.a.s.) ka thënë: “Namazi që falet me xhemat është njëzet e shtatë herë më sipëror se namazi i falur vetëm.” Në këtë rast, duke qenë se sevapet janë për të gjithë xhematin, nuk mund të bëhet fjalë për privimin e të tjerëve nga sevapet që i jepen një individi. Ato sevape kalojnë në fletoren e veprave të gjithsecilit.

Në të njëjtën kohë, këto hadithe na mësojnë të vërtetën se sukseset individuale në adhurimet dhe udhëtimin shpirtëror në rrugën e Allahut absolutisht që do të shpërblehen, porse, në fund të fundit, do të mbeten prapëseprapë në planin individual dhe nuk do ta arrijnë kurrë cilësinë e kryerjes së tyre me xhemat. Kjo çështje, ashtu siç vlen për namazin, agjërimin, haxhin dhe adhurimet e tjera, vlen edhe për përpjekjet që bëhen në rrugën e besimit dhe Kuranit.

Po, duhet ditur se arritja nga një individ i vetëm tek ato gjëra që ka premtuar Allahu nuk është e garantuar. Edhe sikur të bëjë gjëra të mrekullueshme në emër të besimit dhe Kuranit, një njeriu të vetëm, këto i mbesin gjithmonë në planin individual. Mirëpo, nëse një punë bëhet nga një grup njerëzish, të cilët ndajnë me njëri-tjetrin të njëjtat vlera në ndjenja dhe mendime, bazuar në parimin e të qenit ortakë në kryerjen e veprave që kanë të bëjnë me botën tjetër, secili nga ata njerëz do të ketë pjesën e tij në sevapin e fituar nga ajo vepër. Duke vepruar me këtë vetëdije mund të mbahen mbi supe barrët e rënda sa malet, sidomos në shekullin në të cilin po jetojmë, cili konsiderohet si shekulli i ndërgjegjes kolektive.

Shënimet

  1. 188.Surja A’ráf, ajeti 179.
  2. 189.Tirmidhí, salát 277; Ebú Dáúd, salát 85; ibn Máxhe, tejemmum 132.
  3. 190.Surja A’ráf, ajeti 31.
  4. 191.Muslim, tefsir 25; Nesáí, menásik 161.
  5. 192.Surja Bekare, ajeti 150.
  6. 193.Surja Bekare, ajeti 125.
  7. 194.Buhárí, salát 34-36, 38-39, meuákít 8; Muslim, mesáxhid 52, 54.
  8. 195.Imam Rabbání, el Mektúbát 1/160 (Letra 186).
  9. 196.Surja Huxhurát, ajeti 12.
  10. 197.Bediuzamani, Letrat, fq. 413 (Letra e Njëzet e Dytë, Përfundim).
  11. 198.Surja Isrá, ajeti 1.
  12. 199.Sulejman Çelebi, Mevlid (vesiletun nexhat) fq. 118.
  13. 200.Bediuzamani, Fjalët, fq. 313-314 (STACIONI I DYTË I FJALËS SË SHTATËMBËDHJETË).
  14. 201.Molla Xhámi, “Jusufi dhe Zulejhaja” Heft Evreng, 2/22 (Bejtja e 59).
  15. 202.Surja Fátiha, ajetet 2-3.
  16. 203.Tirmidhí, taháret 3, salát 176; Ebú Dáúd, taháret 30, salát 74; ibn Máxhe, taháret 3, 30, salát 75.
  17. 204.Ibn Máxhe, taháret 57; Dárimí, salát 78.
  18. 205.Shih ajetin 34 të sures Ibrahim dhe ajetin 18 të sures Nahl.
  19. 206.Buhárí, isti’dhán 12, kader 9; Muslim, kader 20-21.
  20. 207.Muslim, salát 38; Tirmidhí, tefsir 2; Nesáí, salátul musáfirín 204.
  21. 208.Buhárí, tehexhxhud 9; Muslim, salátul musáfirín 204.
  22. 209.Muslim, salátul musáfirín 203; Nesáí, tatbík 74; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 5/384.
  23. 210.Surja Beled, ajetet 8-11.
  24. 211.Surja Uáki’a, ajetet 74 dhe 96; surja Hák’ka, ajeti 52.
  25. 212.Nesáí, iftitah 104; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 2/268.
  26. 213.el Bejhakí, Shuabul ímán 2/9.
  27. 214.Muslim, salát 222; Tirmidhí, de’auát 76, 113; Ebú Dáúd, salát 152, 338.
  28. 215.Muslim, salátul musáfirín 201; Tirmidhí, de’auát 32; Ebú Dáúd, salát 118.
  29. 216.Surja Insán, ajeti 26.
  30. 217.Muslim, salátul musáfirín 201; Ebú Dáúd, salát 118; Tirmidhí de’auát 32.
  31. 218.Muslim, salát 216; Ebú Dáúd, salát 147.
  32. 219.Muslim, salát 215; Ebú Dáúd, salát 148; Nesáí, meuákit 35, tatbík 78.
  33. 220.Muslim, salátul musáfirín 201, dhikr 70; Tirmidhí, de’auát 32; Ebú Dáúd, salát 121, fedáil 358.
  34. 221.Buhárí, edhán 95, 122, istidhán 18, ejmán 15; Muslim, salát 45.
  35. 222.Buhárí, ímán 37; tefsíru súre (31) 2; Muslim, ímán 5, 7.
  36. 223.Surja Gáfir, ajeti 60.
  37. 224.el Bezzár, el Musned 10/315; ed’Dejlemí, el Musned 1/473.
  38. 225.Tirmidhí, menákib 1; Ibn Máxhe, zuhd 37.
  39. 226.Buhárí, tejemmum 1, salát 56; Muslim, mesáxhid 3, 5.
  40. 227.et’Taberání, el Mu’xhemul kebír 12/84.
  41. 228.Buhárí, edhán 29, 34, ahkám 52; Muslim, mesáxhid 251-254.
  42. 229.Surja Bekare, ajeti 43.
  43. 230.Buhárí, edhán 30; Muslim, mesáxhid 249.