NAMAZI NË ISLAM
1. Vendi që zë namazi në fe dhe rëndësia e tij
Vendi që zë namazi në fenë Islame është shumë i madh. Në Kuran, namazi përmendet menjëherë pas çështjeve që i përkasin besimit. Edhe pse ne nuk mendojmë kështu për të tjerët, sahabët dyshonin në imanin e atij që nuk falte namaz. Në këtë pikë, hadithi “Mes robit dhe mosbesimit qëndron vetëm lënia e namazit” është një argument i rëndësishëm që e mbështet këtë qasje të sahabëve. Kurse falja e namazit brenda ndjenjës së hushú-së (frikë, bindje, përulje, nënshtrim), për të cilën do të flasim më gjerësisht në vijim, është e një rëndësie të veçantë për sa i përket përfitimeve që vijnë bashkë me të.
Namazi është më gjithëpërfshirësi i adhurimeve. Nga ky këndvështrim, mund të thuhet se ai është adhurimi më i përsosur i njeriut të përsosur. Po, namazi është adhurimi më i përshtatshëm ndaj këtij njeriu të përkryer, i krijuar me aftësinë për të arritur tek Allahu, për të interpretuar ekzistencën dhe për të zhbiruar gjithësinë përmes dijeve dhe shkencave të ndryshme. Njeriu mund ta shprehë përsosmërinë në thelbin e tij vetëm nëpërmjet një adhurimi si namazi dhe vetëm nëpërmjet tij mund shfaqë veçorinë e të qenit njeri, gjë kjo që edhe Allahu e kërkon prej tij.
Po, përsosmëria materialo-shpirtërore e njeriut është një e vërtetë e padiskutueshme. Për shembull, pamja e jashtme e trupit të njeriut dhe përshtatshmëria, harmonia e kohezioni mes organeve të tij janë aq të bukura sa për të ngjallur ndjenjën e admirimit tek të gjithë. Gjenitë e artit romak e patën kuptuar shumë mirë bukurinë e tij, por, për shkak se nuk iu drejtuan Unitetit Hyjnor, u përpoqën t’i shprehin këto ndjenja përmes pikturave dhe skulpturave konkrete dhe, në këtë mënyrë, e kufizuan këtë mesele brenda ca kornizave fare të ngushta.
Unë, duke thënë shprehimisht “Nëse Allahu do të lejonte që t’i bëhej sexhde edhe dikujt tjetër përpos Tij, ky do të ishte njeriu”, e kam shfaqur këtë admirim timin për njeriun në kohë dhe vende të ndryshme. Në një aspekt, kuptimin e kësaj fjalie duket sikur e mbështet edhe urdhri që morën engjëjt për t’i bërë sexhde Ademit (a.s.). Sigurisht, dimensioni tjetër i kësaj çështjeje, ai i bindjes ndaj urdhrave të Allahut pa kërkuar për urtësitë dhe përfitimet që fshihen pas tyre, peshon më rëndë.
Parë në aspektin e përfitimeve shpirtërore që përmendëm më sipër, kryerja e këtij adhurimi, që lidhet ngushtë me njeriun, në një mënyrë të përkryer është shumë e rëndësishme. Zoti i Madhëruar, në suren Mu’minún, thotë kështu: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre.” Pavarësisht faktit që nuk është e drejtë të nxirret kuptimi i kundërt i diçkaje në çdo rast, nëse do të merrnim parasysh kuptimin e kundërt të këtij ajeti, mund të arrihej në këtë përfundim: “Nuk mund të shpëtojnë ata që nuk janë të përulur në namazin e tyre.” Edhe pse nuk kemi tendencën për të anuar nga ky interpretim, e vlerësojmë si një veprim të kujdesshëm marrjen në konsideratë edhe të kësaj mundësie. Nga ky këndvështrim, ne besojmë se, ashtu siç e ndien me të gjitha qelizat e tij një njeri i uritur ushqimin që ha, ashtu siç e shijon pirjen e ujit një njeri i tharë nga etja apo ashtu siç e ndien oksigjenin në mushkëritë e tij një person që po merr frymë lirshëm në një atmosferë me ajër të pastër pasi ka mbetur për ca kohë në një vend me ajër të rënduar, edhe namazi duhet falur duke u ndier në këtë mënyrë.
Po, namazi nuk është diçka që mund të anashkalohet apo që, nëse do të shpreheshim me gjuhën e popullit, mund të kryhet sa për sy e faqe dhe sa për të kaluar radhën. Ai është një adhurim që kërkon kohën e vet të veçantë, dhe të përqendruarit para fillimit të këtij adhurimi është diçka që duhet bërë patjetër. Në fakt, namazi dhe përgatitjet para namazit janë në gjendje ta bëjnë të mundur këtë përqendrim dhe, nga renditja e tyre, mund të shihen edhe si instrumente të procesit të namazit.
Për shembull, nëpërmjet kryerjes së nevojës, gjërat e tepërta në trup nxirren jashtë dhe, kështu, njeriu ndien një lehtësim. Më pas, përmes abdesit, bëhet i mundur balancimi i energjisë kinetike në trupin tonë dhe, me këtë, realizohet edhe një relaksim tjetër. Menjëherë pas kësaj, ezani Muhamedan, i cili hap flatrat nga minaret e xhamive, na tërheq drejt një thellësie e drejtimi të veçantë. Mandej, ecet drejt xhamisë me përulje, thua se po arrihet tek Allahu. Nëpërmjet melodive të ëmbla të muezinit mundësohet hyrja në një botë tjetër, falen sunetet dhe, më në fund, vjen ikameti i muezinit. Po, të gjitha këto janë nga një thirrje drejt thellësisë së brendshme, ndjesive ndaj Zotit dhe të menduarit vazhdimisht për Të, të gjitha këto janë elementë të rëndësishëm për sigurimin e përqendrimit të nevojshëm në përmbushjen e detyrës së faljes së namazit farz.
Falja e namazit, duke e ndier kaq thellësisht, është një qëllim, kurse përgatitjet që bëhen para namazit mund të vlerësohen si strategji që do të bëjnë të mundur arritjen e atij qëllimi. Thënë në një kuptim më të gjerë, ashtu si qasjet e ndjekura për realizimin e qëllimeve të caktuara, edhe këto mund të shihen si motive të përdorura për të arritur atë namaz të përkryer. Ezani, ikameti, abdesi, namazet nafile dhe asnjë nga veprimet e tjera para namazit nuk janë qëllimi kryesor. Të gjitha këto janë veprime të realizuara që edhe adhurimi i njeriut, qenies më të përkryer e të krijuar në trajtën më të bukur, të jetë i denjë për të.
Namazi, i cili do ta afrojë me Allahun këtë krijesë të përsosur për sa i përket strukturës së saj të brendshme e të jashtme dhe që konsiderohet një shprehje e të qenit me të vërtetë njeri, duhet të kryhet patjetër brenda një thellësie të brendshme serioze. Ankthi në lidhje me paaftësinë për ta arritur faljen e namazit në këtë mënyrë ose vuajtja e përjetuar në këtë pikë është një nivel i rëndësishëm për robin. Këtu duhet të themi edhe se një namaz i tillë, i cili në vetvete përbën qëllimin e epërm të çdo besimtari, “shumë pak” njerëzve i mundësohet. Togfjalëshi “shumë pak”, i përdorur në fjalinë pararendëse është relativ. Për shembull, dikush ka vënë kokën në sexhde dhe nuk mendon ta ngrejë atë që aty; një tjetër, kur qëndron në namaz, ndihet sikur e ka lëshuar veten brenda një kopshti trëndafilash; dikush tjetër mendon sikur është duke shëtitur nëpër shpatet e parajsës gjatë faljes së namazit; të tjerë mund ta shohin veten para krijesave të tjera shpirtërore. Ky është një horizont që mund të kapet nga gjithsecili në varësi të aftësive që ka. Sidoqoftë, për sa kohë që ne të jemi në ndjekje të përsosmërisë me nijetet tona, edhe nëse nuk ia dalim ta arrijmë qëllimin e dëshiruar, është gjithmonë e mundur që, përmes nijeteve tona, ta kapim atë çfarë synojmë. Nuk duhet harruar se “Nijeti i besimtarit është më i dobishëm se vepra e tij”.
Ndonjëherë ndodh që, edhe pse njerëzit kanë bërë çdo gjë ashtu siç duhet në emër të namazit, për arsye të ndryshme, të mos jenë në gjendje ta falin namazin duke e shijuar atë në maksimum. Për shembull, në momentin që je duke falur namazin vijnë fëmijët dhe të hipin në shpinë, që, ç’është e vërteta, kjo gjë i ndodhte shumë herë edhe të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Ose mund të ndodhë që gjatë faljes së namazit të dëgjohet një zhurmë e madhe dhe e gjithë vëmendja rrëshqet drejt asaj pike. Për rrjedhojë, arritja e kulmit në namaz bëhet e pamundur.
Gjatë namazit, ekziston mundësia që të përballemi me disa situata të paparashikueshme dhe që nuk janë në dorën tonë, por ka edhe ca situata të tjera, të cilat burojnë nga ana jonë njerëzore. Për shembull, gjatë faljes së namazit, njeriut mund t’i vijnë në mendje ëndrrat që ka thurur në botën e tij të brendshme, duke kaluar kështu para namazit në ato çaste dhe duke iu bërë atij perde. Në një situatë të këtillë, njeriu e ndien veten vazhdimisht brenda një mjegulle apo tymi. Edhe një njeri si Omeri (r.a.), i lidhur vazhdimisht me qiejt, hutohet gjatë namazit për shkak se mendjen e ka të zënë me lajmin që i sollën, një problem që kishte të bënte me Irakun.
Një aspekt tjetër i kësaj teme është në lidhje me atmosferën në të cilën falet namazi. Është më se e qartë se mes një namazi të falur në një atmosferë larg problemeve dhe vështirësive dhe një namazi tjetër të falur nën shtrëngimin e një mijë e një vuajtjeve, shqetësimeve dhe mendimeve të gjithfarëllojshme do të ketë dallime të mëdha. Namazet e llojit të dytë janë si një dimension i veçantë i thellësisë së namazit. Në fakt, edhe pse qetësia jonë në namaz shpohet një mijë e një herë nga gjëra të ndryshme që na vijnë nga të gjitha anët, në një këndvështrim tjetër, të ndierit e namazit si një frymëmarrje mes këtij stresi dhe problemeve bën që ai të fitojë një tjetër ngjyrë, mbase të pakuptueshme për ne. Dhe, për mendimin tim, kjo është ajo që ka rëndësi.
Kjo është arsyeja pse namazet e falura në kohë lufte kanë shumë më shumë sevape se namazet e falura në kohë normale. Kur shohim mënyrën se si kryhet falja e “salátul hauf” (namazi i frikës), përballemi me tablo që mund të na duken të çuditshme. Në suren Nisá, ky namaz shpjegohet kështu:
“Kur të jesh ti (o Muhamed) në mes të besimtarëve dhe të prish faljen e namazit (në luftë), atëherë njëri grup prej tyre le të falet me ty dhe le t’i mbajnë pranë edhe armët e veta! Pastaj, këta le të rrinë pas jush dhe le të vijë grupi tjetër, i cili nuk është falur, dhe le të falet me ty! Le të jenë syçelë dhe t’i mbajnë armët e veta! Jobesimtarët dëshirojnë që të jeni të pakujdesshëm ndaj armëve dhe pajimeve tuaja, që t’ju sulmojnë me tërë fuqinë...”
Ja pra, një namaz i falur në këtë mënyrë, duke menduar se kur do të bëhemi shënjestër e plumbave apo se kur do të përballemi me ndonjë bombardim, edhe pse mund të na vijë çuditshëm, është shumë më i vlefshëm dhe i një cilësie më të lartë në krahasim me namazet e tjera.
Si përfundim, mund të themi se edhe në namazin që fal duke kërkuar hapësirat boshe nëpër kohë, duke u ndier sikur një barrë e rëndë po të rëndon mbi shpinë dhe duke thënë “Pavarësisht gjithçkaje, unë duhet ta kryej atë patjetër”, ka një thellësi të atillë, për të cilën jam i mendimit se vështirë të kapet nga ata që falin namazet nëpër teqé e kënde adhurimi, madje edhe në Qabe.
a. Adhurimi i parë për të cilin do të jepet llogari
Namazi është adhurimi i parë për të cilin besimtari do të japë llogari para Allahut. As zinaja, as konsumi i pijeve alkoolike e as ndonjë gjë tjetër! Nga kjo, nuk duhet nxjerrë përfundimi se adhurimet e tjera janë të parëndësishme, përkundrazi, duhet kuptuar rëndësia e namazit. Nëse një njeri nuk fal namaz, do të thotë se po përjeton humbjen më të madhe të jetës së tij.
Krahasuar me faljen e namazit, kryerja e adhurimeve si agjërimi, zekati, haxhi është më e lehtë. Namazi ka vështirësinë e tij specifike. Në fakt, sahabët nuk shihnin si “munafik” (hipokrit) atë që nuk agjëronte apo që nuk kryente adhurimin e haxhit, por atë që nuk falte namaz. Madje edhe dijetarët, kur bëhej fjalë për temën e hipokrizisë me vepra, shumë herë jepnin si shembull braktisjen e namazit. Paraqitja e adhurimeve të tij para Allahut pesë herë në ditë – në varësi të thellësisë së ndërgjegjes së tij – ia lartëson gradën njeriut aq sa s’mund ta imagjinojë. Po, namazi nuk duhet shpërfillur; kam frikë se ai që shpërfill namazin do të shpërfillë edhe fenë një ditë. E vërteta e miraxhit është e pranishme në kuptimin e namazit, por gjithsecili e ndien atë sipas vetes së tij. Ndjesia e ngjitjes për në atë miraxh është në varësi të aftësive të çdonjërit nga ne. Miraxhi më i përkryer është ai i Pejgamberit tonë (s.a.s.).
Sapo të hedhë hapin e parë në botën tjetër, robi do të përballet së pari me llogaridhënien për namazin. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e ka shprehur këtë të vërtetë duke thënë kështu: “Vepra e parë për të cilën do të japë llogari njeriu në ditën e Kiametit është namazi. Nëse llogaridhënia e kësaj vepre kalon mirë, do të thotë se ka shpëtuar. Nëse kjo llogaridhënie del keq, do të thotë se ka rënë në humbje.” Prandaj, rëndësia që do t’i japë robi namazit në këtë botë do të jetë ajo që do të përcaktojë se për ku do të dërgohet ai brenda një çasti të vetëm, në një nga gropat e Xhehenemit apo në një nga vilat e Xhenetit.
Kështu që, besimtari duhet t’i falë pesë namazet ditore pa i lënë mangët ato dhe, në çdo rast, duhet të kërkojë mënyrat dhe rrugët për përforcimin e lidhjes së tij me Zotin. Sepse çdo namaz që kryen këtu, në botën e përtejme, në atë ditë kur mund të turpërohet e të bëhet rezil, do t’i dalë para e do t’i vijë në ndihmë. Profeti ynë (s.a.s.), kur shpjegon në lidhje me tmerrin e asaj dite, thotë kështu: “Nëse dikujt do t’i bëhet imtësisht llogaridhënia në botën tjetër , do të thotë se ai do t’i nënshtrohet ndëshkimit!” Kur Aishja (r.a.) pyet me fjalët “Si është e mundur? A nuk ka thënë Allahu i Madhëruar ‘Ai, të cilit do t’i jepet libri i tij në dorën e djathtë, do ta ketë të lehtë llogarinë dhe do të kthehet i gëzuar te të afërmit e tij.’?”, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) përgjigjet në këtë mënyrë: “Jo! Kjo është llogaridhënie. Në ditën e Kiametit, të gjithë ata që do të merren në llogari imtësisht janë, pa dyshim, të shkatërruar!” Zoti i Madhëruar na ndihmoftë me mirësinë dhe bujarinë e Tij në atë ditë kur do të kemi nevojë për ndihmesën e Tij; punët tona të mira, por të vogla, na i bëftë të mëdha dhe mos na mbajttë përgjegjës për të metat tona!
Kështu e përshkruan Kurani turmën që, me braktisjen e namazit, përfundojnë të zhgënjyer:
“Çdo njeri është peng i veprave të veta, përveç njerëzve të krahut të djathtë; të cilët në kopshtet e Xhenetit pyesin njëri-tjetrin për keqbërësit: ‘Çfarë ju ka sjellë në Sekar?’ Ata do të përgjigjen: ‘Nuk ishim nga ata që falnin namaz dhe as prej atyre që i ushqenin të varfërit. Ne lëshoheshim në biseda të kota me llafazanët dhe mohonim Ditën e Llogarisë, derisa na erdhi vdekja.’”
Një çështje që na tërheq vëmendjen këtu është përmendja së bashku e braktisjes së namazit dhe asaj të bamirësisë. E kundërta e kësaj është falja e namazit dhe bamirësia ndaj të varfërve dhe nevojtarëve. Në shumë ajete të Kuranit Famëlartë, këto dy çështje përmenden së bashku. Njëra rregullon jetën personale të individit dhe mundëson miraxhin personal, ndërsa tjetra, brenda një integriteti dhe uniteti shpirtëror, bën të mundur ndërtimin e një shoqërie të fortë e të shëndetshme dhe, si përfundim, mundëson një zhvillim dhe përparim të përbashkët. Për rrjedhojë, këto janë dy adhurime të rëndësishme e të pandashme nga njëri-tjetri.
Adhurimi i parë, që u është bërë obligim (farz) besimtarëve, është namazi. Rrjedhimisht, ai do të jetë gjëja e fundit që do të braktiset në mesin e umetit të Muhamedit (s.a.s.). Shumë urdhëresa të fesë Islame ndoshta do të braktisen me kalimin e kohës; për shembull, në çarshi e pazar nuk do të mbesin më sjellje në përputhje me urdhrin e Allahut, zjarri i fitnes (përçarje) do të mbulojë çdo anë dhe numri i atyre që do të hidhen brenda tij do të jetë i pallogaritshëm. Megjithatë, namazi do të jetë e vetmja gjë që, në emër të adhurimeve dhe robërisë ndaj Allahut, do të vazhdojë pavarësisht një mjedisi dhe atmosfere të këtillë. Zoti i Madhëruar mos na e tregoftë atë periudhë kur namazi do të braktiset krejtësisht! Ne shpresojmë dhe besojmë se ndodhemi në prag të një pranvere dhe të një ringjalljeje të re. Kemi shpresë tek mëshira e Zotit, i Cili na e bën të njohur veten me fjalët “Unë jam ashtu siç më mendon robi im”, që këto pranvera e ringjallje t’i shtojë, t’i bëjë të gjithë njerëzit të vrapojnë drejt Tij dhe t’u mundësojë atyre, sikur edhe vetëm në çastet e fundit të jetës, nderin e kryerjes së miraxhit përmes namazit. Allahu i Madhëruar na mundësoftë të gjithëve që, në botën tjetër, të kundrojmë bukurinë e Tij të përkryer.
b. Vëllai binjak i imanit
Imani dhe namazi kanë lindur nga i njëjti bark; namazi është vëllai binjak i imanit. Imani përbën aspektin teorik të fesë. Përforcimi i kësaj ane teorike dhe shndërrimi i saj në një thellësi të natyrës së njeriut janë të mundur vetëm nëpërmjet adhurimeve, me në krye namazin. Në këtë këndvështrim, mund të thuhet se namazi është imani praktik, kurse imani është një namaz teorik. Ata që e shohin fenë thjesht si një pranim me vetëdije dhe që nuk e përfshijnë në jetën e tyre adhurimin, pa e kuptuar aspak këtë, nuk kanë mundur të shpëtojnë nga rënia në kontradiktë me veten. Po, direku i fesë është namazi. Namazi është një hauz pastrimi, një lumë pendimi që rrjedh e shkon drejt pafundësisë, brenda të cilit besimtari futet e pastrohet të paktën pesë herë në ditë.
Ai është një obligim shumë i rëndësishëm, i cili duhet kryer ashtu siç duhet edhe në çastet më të rrezikshme, më të nxehta të shesheve të betejave e të luftrave. Namazi është një vendstrehim i sigurt, një shtysë e rëndësishme në arritjen e afrimitetit me Zotin dhe rruga më e shkurtër e ribashkimit me Të. Për shkak të këtyre veçorive, që nga Shekulli i Lumturisë e gjer më sot, miqtë e Allahut e kanë vënë atë në qendër të jetës së tyre dhe, duke mos u mjaftuar vetëm me kryerjen e namazeve farz, e kanë bërë zakon faljen e qindra rekateve namaz nafile në ditë.
c. Indeksi i të gjithë adhurimeve
Namazi, duke qenë se bart në shpirtin e tij kuptimin e të gjithë adhurimeve të tjera dhe përmban gjurmë të secilit adhurim, është si një indeks i tyre. Në lidhje me adhurimet e tjera, njeriu e përmbush detyrën e tij të të qenit rob i Allahut duke i kryer ato në periudha të caktuara kohore. Por nuk është kështu për namazin. Ai, në një mënyrë të vazhdueshme, siguron lidhjen e njeriut me Allahun, bën të mundur vazhdimin e lidhjes me mëshirën e Tij. Parë nga ky aspekt, nuk është e mundur të imagjinohet një adhurim i dytë, që të jetë në gjendje të matet me të. Namazi, për sa kohë kryhet me një zemër të mbushur me frikë dhe respekt ndaj Zotit të Mëshirshëm dhe Bujar, bëhet shkak i një lumturie si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. Për këtë arsye, ai që i ka dhënë rëndësinë më të madhe namazit është Muhamedi (s.a.s.), më i përgjegjshmi i njerëzve, që erdhi duke marrë mbi supe peshën e një kauze të madhe. Ai nuk mjaftohej vetëm me pesë namaze në ditë; kuptimin që shpreh namazi, “Të takohesh me Zotin e Madhëruar dhe t’i lutesh e përgjërohesh Atij”, e përjetonte edhe gjatë netëve. Madje – ashtu siç është shprehur Aishja (r.a.) – Ai (s.a.s.) nuk e braktisi kurrë namazin e natës, atë namaz që e konsideronte si një përgjegjësi të tijën; edhe në ato raste kur nuk ndihej mirë, përpiqej ta kryente atë qoftë edhe duke qëndruar i ulur. Kështu, Ai (s.a.s.) nuk lejoi që në jetën që e kishte ndarë për të adhuruar Zotin të ekzistonte qoftë edhe një grimë errësirë. Asnjë çast të jetës së tij nuk e kaloi në shkujdesje, pa përmendur emrin e Allahut.
Namazi përfshin edhe disa veçori, të cilat nuk gjenden tek adhurimet e tjera. Ai është një përgjigje ndaj ftesës së Zotit, një pranim i saj, dhe forma e këtij pranimi, formuluar në një mënyrë unike. Në këtë aspekt, namazi është një adhurim i veçantë dhe me veçori specifike të tijat. Të gjitha adhurimet janë të lidhura me kohë të caktuara; rrjedhimisht, kryhen dhe mbarojnë në periudha kohore të paracaktuara; kurse namazi vazhdon pa ndërprerje. Për shembull, bashkë me fillimin e agjërimit të Ramazanit, ne jemi të vetëdijshëm se ardhja e fundit të atij muaji të bekuar nuk është larg. Ç’është e vërteta, agjërimi në vetvete është një adhurim i nderuar dhe që bëhet në fshehtësi të plotë. Sepse sekretin e atij që qëndron pa pirë e pa ngrënë për hir të Zotit, vetëm Allahu i Madhëruar (xhel’le xheláluhu) e di. Dhe vetëm Ai mund ta shpërblejë dhe ta vlerësojë këtë veprim të robit të Tij. Megjithatë, duhet pritur një vit i tërë për t’u ribashkuar me adhurimin e agjërimit të muajit të Ramazanit.
Edhe zekati, i cili jepet një herë në vit, duke qenë se kërkon plotësimin e disa kushteve, është nga ato adhurime që jo gjithkush mund t’i bëjë. Në çastin kur vjen koha e kryerjes së këtij adhurimi, ju dorëzoni në vendin ku duhet dorëzuar atë çfarë keni lënë mënjanë nga pasuria juaj për zekatin dhe, në këtë mënyrë, bëni të mundur shlyerjen e borxhit tuaj. Nga ky këndvështrim, ai mund të shihet edhe si një adhurim momental, i çastit. Në fakt, zekati, përgjatë vitit, i jep bollëk dhe bereqet pasurisë nga ku ka dalë si i tillë. Mbase mund t’ju vijë sikur një pjesë e shpirtit tuaj po ikën kur shkulni një copë nga pasuria juaj, por, ngaqë jeni duke vepruar në përputhje me urdhrin e Zotit tuaj, zemra juaj gjen paqe. Dhe, kështu, ju do të ndiheni të gëzuar dhe brenda një qetësie shpirtërore tek po e jepni atë.
Kështu është edhe haxhi; besimtari, duke veshur rrobën e ihramit në atë vend që po shkon me rastin e haxhit, ia jep zemrën Zotit dhe, me dashuri e gjithë entuziazëm, thotë: “Urdhëro, Zoti im! Nuk ka zot tjetër veç Teje, Ti je Një, je i Pashoq, të gjitha falënderimet Ty të takojnë, të mirat prej Teje na vijnë, pasuria është e Jotja, Ti nuk ke ortak.” Dhe, në këtë mënyrë, ai shpreh gatishmërinë e tij ndaj urdhrave të Allahut. Të gjitha këto janë pjesë të daljes para Allahut, të të folurit me Të dhe të mbushjes së brendësisë sonë me përfitime që vijnë nga ajo botë. Secili nga këto adhurime ka karakteristikat e veta të veçanta, por janë të përkohshme që të gjitha; vjen dita dhe besimtarit, edhe sikur të mos dojë të dalë nga ato vende të shenjta, i thuhet: “Tashmë duhet të largohesh.” Kështu, do të detyrohet të kthehet andej nga ka ardhur, i trishtuar dhe zemërthyer.
Në agjërim, njeriu i drejtohet Zotit të Madhëruar duke ia ndaluar vetes ngrënien dhe pirjen. Edhe gjatë faljes së namazit – edhe pse përkohësisht – në njëfarë kuptimi, kemi ndalim të vetes ndaj gjërave të kota të kësaj dynjaje dhe kthim të mirëfilltë për nga Allahu.
Qetësinë, që vështirë se mund të arrihet edhe në Arafat, falja e namazit pesë herë në ditë e sjell me fundin e rrobës së mbushur me xhevahire dhe e derdh para besimtarit. Ai (xhel’le xheláluhu) vjen me këtë ftesë pesë herë në ditë, duke bërë të mundur që besimtari ta ndiejë para syve të vet praninë e Tij. Nga ana tjetër, edhe besimtari vendos kokën në sexhde pesë herë në ditë dhe, ashtu siç shprehet edhe poeti ynë i njohur, thotë: “Më puth në ballë, më puth ti, sexhadja ime!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) urdhëron kështu: “Robi është më afër Zotit të tij kur ndodhet në sexhde. Kështu që, lutuni sa më shumë (kur jeni në sexhde)!” Ne, duke vënë kokën në sexhde, arrijmë kulmin e kësaj afërsie. Mandej, të përfshirë në mendime e përfytyrime të këtilla, themi: “I përsosur është Zoti im i Lartësuar.”
Namazi bart gjithashtu në shpirtin e tij edhe kuptimin e përsëritjes në çdo moment. Në këtë aspekt, ai sikur shkon krah për krah me “Lá iláhe il’lalláh Muhammedun Rasúlulláh”. Ashtu si disa prej nesh që, duke iu bindur fermanit të Lajmdhënësit Fjalëdrejtë (Muhbiri Sádik), themi nga njëqind herë “Lá iláhe il’lalláh Muhammedun Rasúlulláh” në mëngjes e në mbrëmje ose nga tridhjetë e tri herë në çdo tesbihat të namazit dhe, në këtë mënyrë, përpiqemi ta sjellim në mendje shprehjen e njësisë së Allahut sa më shumë të jetë e mundur, po ashtu edhe namazi bëhet pjesë e pandashme e jona, madje, duke dalë para nesh me ftesën “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne.”, futet edhe brenda gjumit tonë të ëmbël të natës. Në një hadith tjetër, i Dërguarit të Allahut (s.a.s.) thotë kështu: “Kur i vdekuri vendoset brenda varrit, akoma pa u larguar zhurma e hapave të atyre që po e përcjellin, vijnë engjëjt dhe i bëjnë pyetje. Pikërisht në këtë moment, shfaqet diçka e shndritshme, që vjen dhe i ulet të vdekurit te koka. Kjo gjë është namazi i tij. Një gjë tjetër e shndritshme shkon e ulet te këmbët e tij. Kjo është tërësia e punëve të tjera të mira të tij. Një gjë tjetër e shndritshme ulet në anën e tij të djathtë. Ky është agjërimi i tij. Edhe në të majtën e tij vete e ulet diçka e shndritshme. Kjo gjë është zekati i tij. Këto e mbrojnë të vdekurin nga shtrëngimi i varrit.” Duke u bazuar në këto fjalë të Pejgamberit tonë (s.a.s.), kuptojmë se as namazi nuk do t’i braktisë ata që nuk e braktisën atë gjatë jetës së kësaj bote dhe se do t’u gjendet pranë atyre edhe në varr, atëherë kur të gjithë miqtë e të afërmit do të ngulin aty dy gurë dhe, pastaj, do t’u kthejnë shpinën. Sepse namazi, me çdo aspekt të tijin, është bërë pjesë e brendësisë së besimtarit.
Adhurimet ndahen në dy kategori, adhurimet që kanë të bëjnë me trupin dhe ato që kanë të bëjnë me pasurinë. Ndonëse namazi vlerësohet si një adhurim i kategorisë së parë – ashtu siç pohojnë disa juristë të jurisprudencës islame – nuk mund të themi se ai nuk bart asnjë nga aspektet që e bëjnë të përfshihet edhe në adhurimet e kategorisë së dytë. Sepse në kohët e vjetra, njerëzit nuk ishin në dijeni të çështjes së quajtur “vlera e kohës”. Me shfaqjen e kapitalizmit dhe komunizmit, njerëzit filluan të kuptonin vlerën e kohës. Në Islam ama, koha e kishte një vlerë dhe vlera e saj dihej. Njeriu ndan një pjesë të kohës së vet si për namazin, po ashtu edhe për abdesin. Në një këndvështrim tjetër, mund të themi edhe se, gjatë faljes së namazit, personit i vjetërsohen rrobat që ka mbi trup. Pastaj, është i detyruar që, për të falur namazin, të mbyllë dyqanin e tij. Dhe, kur të gjitha këto bëhen bashkë, e kemi të lehtë të shohim se edhe namazi e ka një aspekt që mund ta kategorizojë atë edhe në mesin e adhurimeve që kanë të bëjnë me pasurinë apo anën financiare të personit.
Namazi ka gjithashtu edhe aspektin e ‘pastrimit të zemrës’ dhe atë të ‘edukimit të nefsit’, mbi të cilat më së shumti qëndrojnë sufitë. Në namaz, njeriu i drejtohet Allahut me zemrën e tij dhe e thyen më dysh nefsin. Krenarinë e nefsit e përdredh nëpërmjet çengelit të sexhdes. Rrjedhimisht, arrijmë në përfundimin se namazi, mes të tjerave, përfshin edhe kuptimin e përparimit të shpirtit.
Një tjetër veçori e namazit është qëndrimi i njeriut krah për krah me engjëjt, në të njëjtin saf. Lidhur me këtë çështje, të cilën e pranojnë edhe fakihët, këshillohet që në fund të namazit, kur jepet selam djathtas dhe majtas, të bëhet nijet dhënia e selamit jo vetëm pjesëtarëve të tjerë të xhematit, por edhe shpirtrave dhe engjëjve. Nga kjo kuptojmë se edhe ata i bashkohen namazit të njeriut. Dhe Allahu mundëson zbritjen e sekines (qetësi shpirtërore) në ato vende ku ata janë të pranishëm. Kështu, namazi përmban edhe një shije të adhurimit të engjëjve. Disa nga engjëjt qëndrojnë vazhdimisht në ruku, kurse disa të tjerë në sexhde dhe, në këtë mënyrë, shprehin respektin e nderimet e tyre ndaj Zotit të Madhëruar. Edhe njeriu, në njëfarë mënyre, përfaqëson këto adhurime të engjëjve. Ndërkohë që çdo kategori engjëjsh përfaqëson dhe kryen vetëm një nga këto lloje të adhurimeve, njeriu i kryen të gjitha së bashku në namaz.
Nga ana tjetër, kur shohim krijesat e tjera kudo nëpër rruzullin tokësor, vërejmë se disa prej tyre qëndrojnë mbi dy këmbë, disa mbi katër e disa të tjera mbi bark dhe se në këtë formë, me gjuhën e tyre të gjendjes, shprehin adhurimet ndaj Allahut. Namazi i njeriut është i një cilësie të atillë, saqë mund ta shprehë fare mirë edhe adhurimin e gjithë qenieve të tjera. Për më tepër, namazi e udhëzon njeriun në kuptimin e atyre veçorive që Zoti ia ka mundësuar atij dhe jo krijesave të tjera. Në kijam, njeriu thotë “Zoti im, falënderimet të takojnë Ty, që nuk më krijove të palëvizshëm si pemët. Falë nyjave që më ke dhënë, mund të ulem e të ngrihem, mund t’i bëj të gjitha llojet e lëvizjeve pa më të voglin mundim.”; në ruku, thotë “Falënderimet të takojnë Ty, që nuk më ke krijuar të përkulur e të palosur më dysh, si ca krijesa të tjera.”; në sexhde, thotë “Falënderimet të takojnë Ty, Zoti im, që nuk më ke krijuar si një krijesë që tërhiqet zvarrë e fërkon fytyrën nëpër tokë.” Dhe, duke thënë kështu, njeriu arrin të kuptojë edhe këto gjendje të qenieve të tjera. Në Kuranin Famëlartë, në lidhje me këtë situatë, Allahu i Madhëruar thotë kështu: “Allahu ka krijuar çdo lloj kafshe prej ujit; disa nga ato zvarriten barkas, një pjesë ecin me dy këmbë e disa prej tyre me katër këmbë. Allahu krijon çfarë të dojë. Me të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.”
Për sa i përket aspekteve që numëruam më sipër, namazi është për njeriun thuajse një indeks, një indeks që i kujton atij të gjitha adhurimet.
d. Përgatitja për namaz
Për shkak të shenjtërisë dhe natyrës së jashtëzakonshme të namazit, edhe veprat dhe punët që bëhen në rrugën drejt namazit, tek Zoti i Lartë vlerësohen po aq sa namazi. Sepse të vrapuarit pas një pune që shpreh seriozitet dhe ndjeshmëri, siç thuhet edhe në hadithin “Nijeti i besimtarit është më i mirë se vepra e tij”, kërkon të veprosh sikur të ishe duke e bërë atë punë. Në lidhje me këtë çështje, ne, me një besim të pafund, mbështetemi në mëshirën e pafund të Zotit të Plotfuqishëm dhe themi: Nga istibraja e gjer te hapat që hedhim rrugës për në xhami, të gjitha punët që bëjmë si parapërgatitje të namazit do të vlerësohen si vetë namazi dhe do të na mundësojnë të fitojmë sevape si ato të namazit. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë: “Për sa kohë jeni duke pritur namazin, konsideroheni në namaz.”60
Një transmetim tjetër është si vijon: “Selmani, një nga sahabët e Profetit, ishte ulur poshtë një peme bashkë me shokët e tij. Pastaj merr në dorë një degë dhe, duke e shkundur atë, bën që gjethet e saj të bien përtokë. ‘A nuk do t’më pyesni se pse e bëra këtë?’ u thotë atyre që kishte pranë. Kur shokët e tij e pyesin, ai u përgjigjet kështu: ‘Kështu pati vepruar një herë edhe i Dërguari i Allahut dhe na pati pyetur ashtu siç ju pyeta unë tani. ‘Përse, o i Dërguari i Allahut?’ e pyetëm ne. Ai na u përgjigj në këtë mënyrë: ‘Nëse një mysliman merr abdes ashtu siç duhet dhe pastaj ngrihet për të shkuar në namaz, gjynahet e tij bien siç po bien këto gjethe.’”
Po, besimtari, që nga çasti kur niset për të shkuar në mesxhid – edhe pse nuk është futur akoma në namaz në kuptimin e tij të mirëfilltë – konsiderohet se ka hyrë shpirtërisht në namaz. Në një hadith tjetër, Profeti ynë (s.a.s.) e shpreh këtë situatë në një mënyrë më të qartë: “Këtë natë, Zoti im m’u shfaq në trajtën më të bukur dhe më tha: ‘O Muhamed!’ ‘Urdhëro, Zoti im, nën urdhrat e Tua jam!’ thashë unë. ‘A e di se me çfarë garojnë Engjëjt më të Lartë (Melei A’lá)?’ më tha. ‘Jo!’ i thashë. Pas kësaj, vuri dorën midis shpatullave të mia. (Freskinë e saj e ndjeva edhe në gjoks.) Kur po ndodhte kjo, mësova se ç’po ndodhte në qiej e në tokë. Pastaj më pyeti sërish: ‘O Muhamed! A e di se në çfarë garojnë Engjëjt më të Lartë?’ ‘Po! Në kryerjen e veprave që të lartësojnë e që bëhen kefaret (shlyerje) për gjynahet. Ndërsa kefaretet janë: të shkosh për në namaz më këmbë, të marrësh abdes ashtu siç duhet në të ftohtin e acartë dhe, pasi ke falur një namaz, të presësh namazin tjetër. Kushdo që i vazhdon këto, jeton një jetë të hairit, i mundësohet një vdekje e hairit dhe, në aspektin e gjynaheve, do të jetë ashtu siç ka qenë në ditën që e ka lindur nëna,’ thashë unë.”
Do të thotë se pritja e namazit të radhës pas faljes së një namazi përbën një çështje të rëndësishme për Engjëjt më të Lartë. Për shembull, keni falur namazin e drekës dhe nuk keni ndonjë namaz tjetër farz për të falur në ato çaste. Pritja për namazin farz të radhës, duke thënë “Ah, sikur të vijë koha e ikindisë, të kem mundësinë të qëndroj para Zotit tim e të kryej edhe farzin e asaj kohe!”, bëhet shkak për shtyrjet mes engjëjve. Po, do të thotë se robi hyn në adhurim që në çastin kur i vë qëllim vetes për ta kryer atë.
Hedhja e hapave në rrugën drejt mesxhidit ka një rëndësi të veçantë. Sepse mesxhidet janë vende të shenjta, ku përgjërimet dhe nijetet ngrihen për tek Allahu. Disa njerëz, duke i falur namazet në shtëpitë e tyre dhe jo në mesxhide, mbeten të privuar edhe nga namazi i përkryer, edhe nga një sevap njëzet e shtatë herë më i madh.
Fisi Beni Selime, në kohën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), jetonte në një nga mëhallat jashtë Medines. Ashtu siç e kishin të vështirë të vinin në Xhaminë e Profetit në kohën e faljes së namazeve, po aq të vështirë e kishin edhe pjesëmarrjen në të gjitha ligjëratat e Pejgamberit tonë (s.a.s.). Për këtë arsye, morën vendimin për t’u zhvendosur diku në afërsi të Mesxhidit. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i cili ishte vënë në dijeni të kësaj meseleje, u drejtohet atyre me këto fjalë: “Beni Selime, qëndroni në mëhallën tuaj! A nuk e merrni në konsideratë sevapin e hapave (që hidhni kur jeni duke ardhur për në mesxhid)?” Pas këtyre fjalëve të Profetit, ata hoqën dorë nga vendimi i tyre për t’u zhvendosur afër xhamisë.
Po, do të shkojmë në mesxhid e do ta kryejmë më së miri namazin tonë. Sepse mesxhidet janë shenja treguese të drejtuara për nga Qabeja, mesxhidi i Allahut në sipërfaqen e tokës, dhe që u tregojnë njerëzve rrugën drejt Allahut. Andaj, namazet e falura me xhemat vlerësohen mes namazeve të falura në Qabe. Sepse, nëse Qabeja është një mesxhid i caktuar nga Allahu, të tjerat janë xhami të lidhura me të dhe të ndërtuara nga njerëzit që e rrethojnë atë nga të gjitha anët. Minberët dhe mihrabët e këtyre mesxhideve janë të drejtuar për nga mihrabi dhe minberi i mesxhidit të Allahut. Meqenëse asnjëri nga ne nuk është në gjendje t’i falë të gjitha namazet në Qabe, që të mund të fitojmë sevape sikur jemi falur atje, duhet të mos heqim dorë nga frekuentimi i këtyre mesxhideve, që mund të konsiderohen si projeksione të Qabesë.
e. Shpërblimi i namazit
Namaz do të thotë që njeriu të piqet pesë herë në ditë e të marrë ngjyrën e pritur prej tij. Me fjalë të tjera, njeriu, duke u bërë transparent nëpërmjet namazit, duhet të jetë në gjendje të pasqyrojë emrat dhe atributet e Allahut si dhe ngjyrën e gjendjes së përftuar tek ai nën ndikimin e urdhrave të Zotit të Madhëruar. Për shembull; çfarë kërkon Zoti im nga unë, të qëndroj me përulje para Tij, i bindur dhe i nënshtruar? E bëj këtë nëpërmjet kijamit tim. Të thyej egon dhe krenarinë time? Këtë e bëj nëpërmjet rukusë sime. Të tregoj respekt ndaj Tij dhe ta lartësoj Atë? Këtë e shpreh dhe e realizoj nëpërmjet sexhdes sime. Duke menduar në këtë mënyrë, njeriu tregon se është gjithmonë i gatshëm për të çuar në vend urdhrat e Zotit dhe, nëse lejohet të bëhet një krahasim i tillë, merr edhe ai ngjyrë nga ngjyra e Zotit. Pra, kjo bart kuptimin e arritjes së qetësisë së zemrës në botën e brendshme përmes besimit në Zot, daljes faqebardhë e me ballin lart, manifestimin e së vërtetës “Në fytyrat e tyre shihen shenjat e sexhdes” nëpër fytyra dhe, duke marrë formën që Profeti ynë (s.a.s.) përshkruan me fjalët “Për shkak të abdesit, gjymtyrët dhe balli i besimtarit (në botën tjetër) do të shkëlqejnë si shenjat e bardha në ballin dhe këmbët e kuajve”, pasqyrimin e të gjitha ngjyrave të botës hyjnore. E ku mund të gjendet një ngjyrim më i bukur se ky!
Për ata që kanë arritur ta ndiejnë kënaqësinë e tij, namazi është një vepër shumë e këndshme, ndërsa për ata që nuk kanë mundur t’ia kuptojnë vlerën, është thjesht një peshë, një barrë e rëndë mbi supe. Disa njerëz i kërkojnë llogari vetes sikur kanë kryer një mëkat të pafalshëm me mosfaljen e namazit për këtë apo atë arsye; ndërsa ca të tjerë e konsiderojnë namazin si një barrë, të cilën Allahu ua ka ngarkuar njerëzve e që vështirë të mbahet mbi supe, dhe si një detyrë që duhet kryer duke e menduar si një bela për t’u hequr qafe. E në fakt, kjo e dyta është një shembull i mungesës së kërkimit të llogarisë ndaj vetes. Në njeri me mend në kokë, duke menduar se nuk do të jetojë përjetësisht në këtë botë, se vdekja do t’i vijë patjetër një ditë dhe se shenjat e pleqërisë janë në të vërtetë dëshmi në lidhje me afrimin e vdekjes, përpiqet t’i vlerësojë si duhet mirësitë dhe bekimet që Zoti i Madhëruar i ka mundësuar dhe, kështu, një pjesë të madhe të njëzet e katër orëve që i jepen çdo ditë e përdor për t’u përgatitur për botën e përtejme. Ai nuk e shikon të mjaftueshme ndarjen e vetëm një ore në ditë për namazin, i cili i mundëson atij frymëmarrjen e shpirtit, kalimin në një gjendje të denjë për botën e përtejme, duke u pastruar fizikisht dhe shpirtërisht në praninë e Allahut, dhe soditjen e bukurisë së Zotit; thënë ndryshe, një njeri i arsyeshëm nuk mund ta kufizojë me kaq kohën që do t’ia kushtojë namazit, këtij adhurimi që do t’i mundësojë kundrimin dhe dëgjimin e gjërave të papara e të padëgjuara ndonjëherë. Ai përpiqet të rrisë frytshmërinë e namazeve të tij duke ndërthurur me pesë kohët e namazeve farz edhe disa namaze nafile (vullnetare).
I Dërguari i Allahut (s.a.s.), në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurajra (r.a.), thotë kështu: “Namazet më të vështira për hipokritin (munafikun) janë namazi i jacisë dhe ai i sabahut. Po ta dinin hairin e këtyre dy namazeve, do të vinin në faljet e tyre edhe sikur të duhej të vinin duke u zvarritur.” Hipokrizia konsiston në mashtrimin e palës përballë dhe përfaqëson kryerjen e punëve pa dëshirë e pa i ndier nga brenda. Munafiku e ka të pamundur të tregohet i sinqertë dhe të përballojë zahmetin namazeve të sabahut dhe jacisë. Sepse këto dy kohë janë kohë përgjumjeje dhe rehatie. Ndërsa besimtari, duke u bazuar në thënien “Ka rahmet (mëshirë) aty ku ka zahmet”, merr pjesë në namazet e sabahut dhe jacisë – mes fakihëve diskutohet nëse falja e tyre me xhemat është farz apo vaxhip – edhe sikur të jetë i detyruar të shkojë duke u zvarritur, qëndron i përulur pas imamit dhe, në këtë mënyrë, i paraqet Allahut robërinë dhe adhurimin e vet.
Po, namazi është më i vlefshmi mes gjërave që njeriu do të çmojë. Por disa njerëz, të cilët punojnë deri në vdekje për jetën fare të shkurtër të kësaj bote e që ndonjëherë as që e marrin shpërblimin e atij mundi të harxhuar, nuk ndajnë as vetëm një orë të ditës për namazin, adhurimin që do të japë si fryt Xhenetin dhe të parit e Bukurisë së Allahut (Xhemalullah). Në ditët e sotme, ngaqë nuk po marrin hakun e djersës së derdhur në punët përkatëse, të gjithë po ankohen për mungesën e parave, për gjendjen e tyre ekonomike të dobët, nga punëtorët tek nëpunësit civilë, nga këta të fundit deri tek pensionistët. Në fakt, këto burojnë nga pandjeshmëria e punëdhënësve në çështjet e mbajtjes së fjalës dhe të vepruarit në përputhje me dhënien e hakut. Premtojnë, por nuk i mbajnë premtimet; japin fjalën për diçka, por nuk e çojnë atë në vend. Pretendojnë se do të sjellin paqe e lumturi dhe jo vetëm që nuk ia dalin një gjëje të tillë, po edhe i kërcënojnë njerëzit.
Por, nëse individualiteti që premton diçka është Allahu (xhel’le xheláluhu), Ai e përmbush patjetër premtimin e dhënë. Për shembull, nëse Ai (xhel’le xheláluhu) u ka thënë robërve të Tij “Në qoftë se e falni namazin, do t’ju kaloj mbi urën e Siratit vetëtimthi, do t’ju nderoj me soditjen e Bukurisë Sime, lotët që derdhni çdo ditë në sexhaden tuaj do t’i vendos në njërën anë të peshores e do t’u vë atyre një çmim të pashoq!”, e mban fjalën dhe i bën të gjitha këto. Allahu, i Cili na bën të themi “Ai është i Fuqishëm të bëjë çdo gjë” disa herë në ditë, është i Plotfuqishëm për gjithçka. Të njëjtën gjë mund ta mendojmë edhe për çështjet në lidhje me të cilat kërcënon; Atij i mjafton forca dhe fuqia për t’i zbatuar dënimet që ka paracaktuar për gjërat që na e ka ndaluar t’i bëjmë, por derën e faljes e lë gjithmonë të hapur.
Po, Allahu (xhel’le xheláluhu), i Cili nuk e thyen kurrë premtimin e Tij, u premton robërve të Tij Xhenetin në këmbim të faljes së namazit. Besimtari, nëpërmjet shkallëve të namazit, lartësohet dhe ngjitet në botën ku do të kundrojë Zotin. Është sikur i shton çdo ditë jetës së vet nga një palë shkallë me pesë shkallare. Një besimtar i tillë, i cili i vazhdon namazet e tij me përpikmëri, kur të vdesë e të dalë ballë për ballë me mëshirën e Zotit, nuk do dijë çfarë të bëjë nga gëzimi. Pamja me të cilën do të përballet do ta mahnisë. Kështu na e shpjegon Kurani i Mrekullueshëm gjendjen e besimtarit në mahsher (vendi i tubimit të njerëzve pas ringjalljes): “Ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e djathtë, do t’u thotë (njerëzve të tij): ‘Ja, lexojeni librin tim! Vërtet, unë kam qenë i bindur se do të jepja llogari.’” Allahu i Madhëruar na bëftë edhe ne pjesë të këtij grupi njerëzish të virtytshëm!
Ne, të stërvitur e të edukuar sikur të ishim tamam ushtarë, gjendemi të dërguar në këtë botë me detyrën për të fituar meritën për pozitat e larta të botës së përtejme. Gjithçka këtu konsiston në një trajnim dhe edukim, në plotësimin e mangësive, eleminimin e gjërave defektoze dhe të pasheshuara, përparimin dhe ngritjen e njeriut në pikën e përsosmërisë dhe, në këtë mënyrë, në arritjen e një gjendjeje të denjë për të fituar Xhenetin dhe kundruar Zotin. Adhurimi që do të mundësojë realizimin e këtyre qëllimeve në mënyrën më të përkryer është namazi. Sepse namazi është aq i madh, saqë nuk mund të krahasohet me adhurimet e tjera. Ai është direku i fesë, ai e bën të mundur lëvizjen, lundrimin e anijes së fesë. Allahu (xhel’le xheláluhu) e sheh namazin si një miraxh, kurse ne dëshiron të na shohë si persona që ngjiten nëpër shkallët e miraxhit. Namazi do të jetë mjeti më i rëndësishëm i përparimit tonë shpirtëror, nëse do të vazhdojmë me faljen e namazeve tona deri në çastin kur do të japim shpirt e do të arrijmë tek mëshira e Zotit të Madhëruar. Në momentin që do të lartësohemi në atë gradë dhe pozitë, ai do të thotë: “Allahu im! Këta nuk më braktisën mua në botë. As Ti mos i braktis ata!” Nga ana tjetër, nëse nuk marrim abdes ashtu siç duhet, nëse nuk i falim me kujdes namazet, nëse nuk i bëjmë veprat e tjera të mira, atëherë namazet do të na drejtohen me fjalët “Ashtu siç na braktise në atë botë, ashtu të braktistë Zoti këtu!”.
Nëse në një shoqëri, veçanërisht në shtresën e të arsimuarve dhe njerëzve të ndritur të saj, nuk ka një prirje drejt namazit, do të thotë se jeta fetare e asaj shoqërie ka filluar të venitet. Po të merret parasysh gjendja e mjerë e popujve myslimanë sot, do të vërehet se kokat që nuk ulen poshtë para madhështisë së Allahut dhe nuk denjojnë të shkojnë në sexhde, puthin pragun e derës së shumë të vegjëlve si vetja e tyre dhe arsyeja e kësaj do të kuptohet më mirë. Ngaqë nuk besojnë në llogaridhënien e asaj çfarë bëjnë, vendin e ndjenjës së përgjegjësisë dhe të frikës ndaj Zotit ua kanë zënë huqe të tilla si vjedhja, abuzimi, keqpërdorimi dhe shpërdorimi. E, në fakt, një shoqëri e formuar nga besimtarë të vërtetë nuk është kështu; ata bartin në ndërgjegjet e tyre shqetësimin e dhënies së llogarisë edhe për gjënë më të vogël e, për rrjedhojë, sipas kësaj i hedhin hapat. Një besimtar, i cili, duke ardhur në mesxhid pesë herë në ditë, e ripërtërin besëlidhjen e tij me Zotin, sikur thotë: “Zoti im, nuk e kam harruar faktin që jam robi Yt! Erdha sërish para Teje për ta pohuar këtë edhe një herë. Edhe kur të dal jashtë, në përputhje me këtë të vërtetë do ta organizoj jetën time, praninë Tënde nuk do ta nxjerr nga mendja as për një çast. Do t’i hedh hapat duke qenë i vetëdijshëm se po më vëzhgon në çdo moment; jo të drejtat e njerëzve, po as një milingonë nuk do të shkel!” Ai është i detyruar të mendojë kështu. Përndryshe, bie në kundërshtim me gjërat që thotë dhe i bie se ka gënjyer. Sepse ai, brenda një dite, del përpara Allahut pesë herë, përkulet e shkon në ruku dyzet herë, tetëdhjetë herë vendos kokën në sexhde dhe shpall e pohon madhështinë e Zotit. Rrjedhimisht, në jetën e një besimtari të tillë nuk mund të ketë vend për devijime.
Po, ngritja jonë nga ana e Allahut (xhel’le xheláluhu) në shkallën më të lartë të njerëzimit varet nga modestia, përulësia që tregojmë para Tij në emër të të qenit rob i Tij. Në të kundërt, për sa kohë jetojmë si robër të përfitimeve dhe interesave tona, duke u fokusuar vetëm në punët tona të përditshme, mbase nga jashtë do të duket sikur po fitojmë diçka, por, në të vërtetë, do të humbasim shumëçka. Zoti i Madhëruar na mundësoftë kujtimin e botës tjetër në çdo situatë, në çdo çast. Na mundësoftë të bëjmë punë të atilla, që të jemi në gjendje ta kujtojmë Atë në çdo moment; të kujtojmë llogaridhënien, mizanin (peshoren), çastin kur nga të gjitha anët do të fluturojnë fletoret; t’i kujtojmë të gjitha këto dhe sipas tyre të rregullojmë gjendjen tonë. Zaten, besimtar është ai që, kur e shikon, të sjell në mendje Zotin dhe botën tjetër, i mundëson zemrës tënde të fitojë sërish drejtimin e duhur.
Ç’lumturi për ata që vrapojnë drejt mesxhidit pesë herë në ditë, që zhyten në detin e namazit, pastrohen nga të gjitha papastërtitë, materiale dhe shpirtërore, dhe, mandej, duke qëndruar të pastër e të përulur para Zotit, fillojnë të luten e të shprehin dëshirat e tyre në lidhje me rindërtimin e botës tjetër.
2. Namazi si adhurim
a. Kryerja e adhurimeve vetëm se jemi urdhëruar për t’i kryer ato
Ka një sekret në kthimin nga Allahu i Madhëruar, në adhurime dhe lutje. Kjo do të thotë se robi mund të mos i dijë kuptimet që u atribuohen atyre; ai i kryen ato vetëm se është urdhëruar që t’i kryejë dhe, në këtë mënyrë, tregon se është një rob i gatshëm për t’i bërë ato çfarë i kërkohen. Nëprmjet adhurimeve mund të arrihen përfitime si të ushqyerit e zemrës, shpirtit, ndjenjës dhe sekretit (sir), si dhe kthimi i këtyre për nga Allahu (xhel’le xheláluhu). Kur mendohet pak njeriu, mund të vërejë se ka edhe urtësi e dobi të tjera përveç të lartpërmendurave.
Për shembull, mund të kuptohet fare thjesht nëpërmjet mendjes se zekati është një urë e Islamit dhe një masë që bashkon të varfërit me të pasurit, i ngroh ata me njëri-tjetrin dhe që parandalon përçarjet, mosmarrëveshjet dhe konfliktet. Haxhi mund të mendohet si një udhëtim, një shëtitje që e çlodh njeriun, që i jep atij mundësinë për të ardhur edhe një herë në vete dhe si një kongres për mbarë botën islame. Mund të konkludohet se, nëpërmjet agjërimit, nefsi (ego) i njeriut mëson bindjen dhe se njeriu bën një lloj pehrizi e gjen shërim.
Por besimtari nuk i lidh kurrë adhurimet e tij me këto të mira e përfitime. Sepse ai e di se, çfarëdo qofshin urtësitë dhe të mirat e adhurimeve, pavarësisht faktit nëse i kupton apo jo ato, është thelbësore të mendojë që duhet vepruar në përputhje me atë që i është bërë e ditur dhe urdhëruar dhe që, në atë urdhër, mund të ketë edhe urtësi të tjera, të pakapshme nga mendja e tij. Si në rastet e zekatit, agjërimit dhe haxhit, mund të paraqiten disa urtësi edhe për ndarjen e namazeve në kohë të caktuara, për ndryshimet në numrin e rekateve, edhe për veprime specifike gjatë namazit siç janë rukuja, sexhdeja, kijami. Por një besimtar i sinqertë nuk i lidh namazet e tij me këto urtësi. Përkundrazi, ai merr për bazë urdhrin hyjnor. Në metodologjinë e fikhut, kjo veçori e adhurimeve është quajtur ‘ta’abbudí’ (kryerja e adhurimeve pa kërkuar për urtësitë apo të mirat që na vijnë prej tyre, kryerja e tyre me idenë për të zbatuar urdhrat e Allahut në lidhje me to).
Një aspekt i rëndësishëm i gjërave që bartin këtë veçori është ky: Ju nuk mund të vëreni një lidhje mes asaj që bëni dhe asaj që ju mundëson Zoti i Plotfuqishëm sipas parimit të shkakësisë (marrëdhënies shkakpasojë). Për shembull, ju falni namazin dhe pastaj shikoni se dëshira të atilla në lidhje me këtë botë e me botën tjetër, të zemrës e të shpirtit, të mendjes e të ndjenjave u janë realizuar, saqë, duke thënë se si janë të mundura të gjitha këto, habiteni përballë tyre. Këtu ekziston një pikë shumë delikate. Kryerja e adhurimeve duke menduar vetëm faktin se kështu ka urdhëruar Allahu, e zhvillon tek ju akoma më shumë këtë ndjenjë.
Po të mendoni mrekullitë e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), si mund të ndahet në dy pjesë hëna me ngritjen e një gishti të dorës së Tij ndërkohë që ndodhet me këmbët në tokë; si mund të shkojë pema pranë Tij vetëm nëpërmjet një shenje me gisht; si mund t’i shtohet bereqeti një ushqimi për dhjetë veta vetëm duke shëtitur dorën e tij të bekuar mbi të, aq sa të ngopë pastaj shtatëqind veta! Duke qenë se në të gjitha këto nuk ka asnjë anë të arsyeshme sipas parimit të shkakësisë, atëherë kuptohet se Allahu (xhel’le xheláluhu) po mundëson një favor të veçantë. Po kështu ndodh edhe me njeriun. Kur shikon adhurimet e veta dhe rezultatet që merr prej tyre, kur shikon bekimet dhe mirësitë për sa i përket sjelljeve të veta, qëndrimeve, jetës shpirtërore dhe asaj të zemrës, ndjenja e kryerjes së adhurimeve thjesht për të çuar në vend urdhrat e Allahut do t’i shtohet.
Për më tepër, kjo veçori e adhurimeve ka një rëndësi shumë të madhe sepse bën të mundur lindjen e ndjenjës për të mos kërkuar asgjë prapa detyrës së robërisë ndaj Zotit (xhel’le xheláluhu), për t’i lidhur veprat e kryera vetëm me urdhrin e Tij dhe për t’iu drejtuar Atij me sinqeritet. Ushqen ndjenjën e kërkimit të pëlqimit dhe kënaqësisë së Tij. Madje, jo vetëm në adhurimet farz, kjo veçori gjendet edhe në parimet e vendosura në lidhje me jetën personale, familjare dhe shoqërore të njeriut. Njeriu, edhe në kryerjen e punëve dhe veprimeve të tjera të jetës së tij të përditshme, mund të ruajë nijetin e kryerjes së tyre vetëm se është urdhëruar për t’i bërë ato në atë mënyrë. Edhe pse në punët e zakonshme e të përditshme vërehet më shumë çështja e kuptimeve të ndërtuara mbi arsyen, logjikën dhe urtësinë, mundet që edhe tek ato të merret për bazë aspekti i “të qenit të urdhëruara”. Nëse robi i kryen adhurimet apo edhe gjërat e tjera të jetës së tij të përditshme në varësi të idesë se po bën atë për çfarë është urdhëruar, mësohet me shpirtin e adhurimit të sinqertë. Këtë mund ta lidhni edhe me fjalët e Ustadit (Said Nursi): Nëse njeriu i bën një pjesë të punëve të tij të përditshme për fitimin e kënaqësisë së Allahut dhe i lidh ato me një nijet sakllam, për shembull, nëse, me nijetin për të ndjekur sunetin e Pejgamberit tonë (s.a.s.), ha si Ai, ulet e ngrihet si Ai dhe përpiqet që në çdo veprim të tijin t’i ngjajë Atij, atëherë adetet (punët e zakonshme) i shndërrohen në ibadete (adhurime).
Kuptimi themelor i kryerjes së adhurimeve vetëm se janë urdhëruar nga Zoti është ky: Allahu i Madhëruar është Pronari dhe Zotëruesi i vërtetë. Kurse njerëzit janë robërit e Tij e, për rrjedhojë, prona e Tij. I zoti i pronës vepron si të dojë me pronën e vet. Kështu që, Ai është Sovrani Absolut në përcaktimin e sjelljeve dhe veprimeve tona. Megjithëkëtë, Allahu (xhel’le xheláluhu), mes gjithë krijesave, njerëzve u ka dhënë në njëfarë kuptimi detyrën e kalifit në punët e përditshme që kryhen rëndom, u ka njohur atyre të drejtën për të ndërhyrë tek gjërat e tjera. E, në fakt, ky konsiderohet një zotërim relativ. Njerëzit, duke kryer adhurimet dhe me idenë për të çuar në vend urdhrat e Allahut, duhet t’i binden dhe t’i dorëzohen në mënyrë absolute Sunduesit dhe Zotëruesit Absolut; duhet të përdorin gjithashtu edhe të drejtën relative që iu është njohur në çështjen e ndërhyrjes te sendet në punët e zakonshme të jetës së përditshme. Por duhet të dinë se, edhe gjatë ushtrimit të kësaj të drejte, Pronari i Vërtetë i çdo gjëje dhe Shkaku i Vërtetë është Allahu.
Allahu i Lartësuar ka krijuar në këtë univers disa ligje si forca e shtytjes dhe ajo e tërheqjes, forca e fërkimit, forca e rëndesës, të cilat mund t’i quajmë edhe si zakone sublime të të Përkryerit. Për shembull, bimët dhe pemët rriten, zhvillohen dhe bëhen të frytshme për sa kohë gjejnë në tokë forcën e mbirjes, vazhdojnë kontaktin me diellin dhe takohen me ujin. Zhvillimi, rritja dhe frytshmëria e bimëve në varësi të ujit është një ligj i Allahut. Në fakt, Allahu (xhel’le xheláluhu) është Ai që e krijon përfundimin që do të merret nga ujitja e bimës, por, në të njëjtën kohë, edhe ujitjen e ka krijuar si një shkak për atë përfundim. Ne, duke qenë të vetëdijshëm për këtë, zhvillojmë metoda të ndryshme ujitjeje sipas kushteve, shkencës, teknologjisë dhe botëkuptimit të periudhës në të cilën jetojmë dhe i aplikojmë ato. Kur hedhim farën, për të marrë në gradën më të lartë e më të mirë të mundshme përfundimin e pritur nga ajo farë, kërkojmë, gjejmë dhe aplikojmë atë lloj metode mbjelljeje që nevojitet.
Por, edhe gjatë hedhjes së farës, themi: “Gjërat që po bëj unë janë vetëm shkaqe. Ai që do të më japë prodhimin e kësaj fare është Allahu. Nëse është dikush që do të bëjë të mundur rritjen e saj, ai është Allahu. Vetëm Ai mund të më japë dy nga një. Por shkaqet i bën thjesht perde për lavdinë dhe madhështinë e Tij.” I qëndrojmë besnik shprehjes së Mesazheve të Dritës: “Lavdia dhe madhështia kërkojnë që shkaqet të jenë perde për Dorën e Fuqisë Hyjnore përpara shikimit të mendjes, ndërsa Uniteti Hyjnor dhe Gjithëlavdia kërkojnë që shkaqet t’i tërheqin duart e tyre nga ndikimi i vërtetë.” Ja, pra, ne e adhurojmë Allahun dhe shprehim robërinë tonë ndaj Tij duke e lidhur edhe një çështje të këtillë me kryerjen e çdo gjëje vetëm se jemi urdhëruar në atë mënyrë. Edhe pse në një mënyrë relative, Ai na ka dhënë të drejtën dhe mundësinë për të ndërhyrë tek sendet, dhe, nëse i përmbushim kushtet duke mos harruar se na e ka urdhëruar edhe këtë, do të arrijmë vetëdijen e vërtetë të adhurimit dhe të të qenit rob i Tij.
b. Mospritshmëria në adhurime
Një besimtar, që e ka kapur sekretin e adhurimit, të gjithë veprat e veta i lidh vetëm me kënaqësinë e Allahut. Orvatet të hapë vetëm derën që shkon drejt fitimit të kënaqësisë së Allahut të Lartësuar, përpiqet të përdorë vetëm atë korridor. Nëse Zoti i Madhëruar e bën atë të fitojë fuqinë e shpirtit të vet dhe i mundëson atij ngritjen në gradën e jetës së zemrës, ai i shikon këto si bekime të veçanta të të Gjithëmëshirshmit Mëshirëplotë. Pavarësisht arritjes apo jo të një rezultati të këtillë, ai vazhdon adhurimet duke ia kushtuar të gjithë vëmendjen Krijuesit Sublim. Madje, kur përballet ndonjëherë me situata të jashtëzakonshme, thuajse të mrekullueshme, me një qëndrim të sinqertë, i shikon ato ashtu siç i shohin njerëzit e Zotit dhe, duke u shprehur me fjalët “Me meritë nuk i kam këto unë i varfëri; ky hir e kjo mirësi vallë pse më erdhi? Unë pata kërkuar më të madhen e gjërave që duhen kërkuar. Unë të pata kërkuar Ty. Ti bëhu i imi, pastaj, bëhet edhe sikur të mos kem asgjë tjetër. Sepse, vetëm duke të gjetur Ty, gjej gjithçka e shpëtoj nga fukarallëku.”, jeton me një vetëdije të plotë adhurimi.
Vetëm ata që nuk kanë pritshmëri mund të përparojnë pa ngecur në këtë rrugë të vështirë, të tjerët mund të mashtrohen në çdo çast. Zemra e njeriut pa pritshmëri rreh gjithmonë me këto mendime: “O Zot, Ti më ke dhënë një pafundësi të mirash dhe, për më tepër, kundrejt asnjë pagese apo shpërblimi tjetër! Zaten, unë i paskam marrë paradhënie të gjitha. Më ke dhënë mirësinë e quajtur ‘jetë’, më ke nderuar duke më bërë njeri, më ke ndriçuar zemrën me nurin e Islamit, më ke bekuar me mundësinë për të ecur në korridorin e dijes dhe dashurisë. Më ke dhënë mundësinë për t’i shërbyer fesë, vatanit dhe popullit tim. Çfarë kisha për të marrë, i paskam marrë të gjitha dhe, karshi gjithë këtyre bekimeve, më paske ngarkuar me një shërbim të këndshëm, të rehatshëm e të lehtë, pra, kryerjen e adhurimeve. Tani, ajo që më takon mua është fitimi i kënaqësisë Tënde duke i përdorur dhe vlerësuar më së miri të mirat që më ke dhënë. Të jem robi Yt deri kur të më shterojnë fuqitë dhe, mandej, të kërkoj strehim tek mëshira dhe bujaria Jote.”
Si rrjedhojë e mendimeve të këtilla, miqtë e të Vërtetit shpeshherë përgjërohen kështu në lutjet e tyre: “O Zot! Kur ne nuk kishim nevojë as që të ekzistonim, kur nuk kishim nevojë as për këtë apo atë gjë, Ti na i dhe si mirësi e bekime edhe ato gjëra, të cilave nuk ua ndienim nevojën. Kurse tani, tani kemi nevojë që të të adhurojmë Ty në një mënyrë të sinqertë. Jemi nevojtarë ndaj mëshirës dhe bujarisë Tënde. Ne nuk ekzistonim, as që mund ta mendonim ekzistencën, nuk e kishim marrë aspak në konsideratë idenë e të qenit njeri, nuk mund ta merrnim. Këto nuk ishin nevoja tonat. Por Ti, me bujarinë Tënde, na i mundësove të gjitha këto. Tash e tutje, që të mund të qëndrojmë në këmbë, kemi shumë nevojë për Ty; kemi shumë nevojë për Ty, që të mos rrëshqasim, të mos rrëzohemi... Kemi shumë nevojë për Ty, që të mund të qëndrojmë në rrugën drejt Xhenetit; kemi shumë nevojë për Ty, që të mos ngecim tek dobësitë tona, që të përparojmë drejt fitimit të kënaqësisë Tënde! O Allahu ynë, që na mundëson edhe ato gjëra për të cilat nuk kemi nevojë! Prej Teje i lypim edhe ato çfarë na nevojiten!”
Po, është shumë e rëndësishme ta njohim Zotin e Madhëruar në atë masë që duhet njohur. Është shumë e rëndësishme ta shohim Atë ashtu siç na shikon Ai ne, t’i drejtohemi Atij siç na drejtohet Ai neve. Sërish, duke thënë “O Zot! Na e bëj të njohur Veten Tënde, mbushi zemrat tona me dashurinë për Ty, me dashurinë Tënde ushqeji shpirtrat tanë! Zemrat tona të mos devijojnë kurrë! Na jep forcë e vullnet për të mundur shejtanin dhe unin orientues drejt së keqes (nefsi emmáre)!”, në derën e Tij e kërkojmë edhe këtë.
c. Shirku dhe shtirja (rija) në adhurime
Sëmundjet si shtirja dhe të rendurit pas famës (sum’a), të cilat burojnë nga boshllëqet dhe dobësitë njerëzore e që ia paralizojnë njeriut jetën shpirtërore dhe atë të zemrës, shfaqen në mënyra të ndryshme.
Ndonjëherë, ka veprime që bëhen drejtpërdrejt vetëm që të shihen e të dëgjohen nga të tjerët. Herë të tjera mund të bëhet fjalë për situata, në të cilat ka orvajtje për ta treguar sa më të thellë cilësinë e veprave të kryera dhe, kështu, për të tërhequr vëmendjen tek ndjenjat vlerësuese e lavdëruese të njerëzve në lidhje me ato vepra.
Tabloja e mëposhtme, në lidhje me hipokritët që shkojnë drejt namazit thuajse duke i tërhequr zvarrë këmbët e tyre dhe që përshkruhet në Kuranin e Shenjtë, mund të jepet si shembull për situatën e parë:
“Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por edhe Allahu u përgjigjet mashtrimeve dhe dredhive të tyre. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t’u dukur para botës, dhe Allahun e përmendin fare pak.”
Në kohën e profetit Muhamed (s.a.s.), kur drejtimi i vendit ishte në duart e myslimanëve, hipokritët përpiqeshin të dukeshin sikur falnin namaz, ose për të përfituar nga plaçka e luftës, ose për interesa të tjera që ata i shihnin si të rëndësishme. Për këtë arsye, shkonin në mesxhid pa pikë dëshire, falnin pa qejf namazin dhe shikonin për ndonjë mënyrë se si të largoheshin një çast e më parë nga mesxhidi. Në thelbin e këtij qëndrimi dhe të këtyre sjelljeve të hipokritëve nuk ndodhet ndonjë shqetësim si falja e namazit; bëhet fjalë vetëm për një përpjekje për t’u dukur ashtu, për ta treguar veten të atillë. Këtë çështje, që përmendet në lidhje me namazin, mund ta mendojmë edhe për adhurimet e tjera. Për shembull, një person, i cili nuk ka ndonjë brengë të tillë si kryerja e dhikreve apo përmendja e Zotit të Madhëruar dhe që ulet diku e merret me llafe për orë të tëra, nëse në një vend ku janë të pranishëm shumë njerëz merr në dorë tespihet dhe, me qëllimin që ta shohin e ta dëgjojnë të pranishmit, befas fillon të bëjë dhikër, edhe kjo gjendje e tij bën pjesë brenda kornizës së përshkruar më sipër.
Ndonjëherë, megjithëse veprimi i shfaqur nuk është kryer në varësi të qëllimit për t’u dukur e për t’ua bërë të ditur të tjerëve, ekziston mundësia që, gjatë kryerjes së veprimit, personi të bjerë në një devijim të tillë si përpjekja për ta treguar sa më të thellë cilësinë e atij veprimi. Fjala vjen, një person, teksa fal namazin në një vend ku nuk ndodhet askush tjetër, e kryen atë shkel e shko, pa i kushtuar rëndësinë e nevojitur kryerjes së rregullt të çdo pjese të tij. Ulja në ruku dhe ngritja prej saj thuajse ndodhin përnjëherësh, aq sa të mos jesh në gjendje të kuptosh nëse ka thënë të paktën një herë “Subháne Rabbijel Adhím” në momentin e kryerjes së saj; pasi ngrihet nga rukuja, vete menjëherë në sexhde, akoma pa u drejtuar mirë. Situata e tij në sexhde nuk është e ndryshme nga ajo e rukusë. E pra, një njeri që i kalon në këtë mënyrë rukunë dhe sexhden e tij kur është duke u falur vetëm, nëse në praninë e të tjerëve përpiqet të duket sikur po e fal namazin gjithë përkushtim, - ashtu siç thotë edhe hadithi – do të thotë se sjelljes së atij personi po i vjen era “shirk i fshehtë”.
Po, sjellje të këtij lloji preken nga shirku. Sepse gjatë atyre sjelljeve nuk janë marrë në konsideratë Allahu dhe kënaqësia hyjnore, po vetëm kënaqësia e të tjerëve. E, në fakt, thellësia që reflektohet jashtë fiton vlerë nëse është e pranishme edhe në zemër. Në të kundërt, të treguarit i thellë me tendencën për ta bërë veten të pëlqyeshëm tek të tjerët është një situatë shumë e rrezikshme dhe, – Zoti na ruajt – edhe sikur të jetë besimtar personi, në fletoren e tij kjo regjistrohet si një akt shirku.
Në të vërtetë, thelbi i Islamit është titulli i rendit të përbërë nga një përmbledhje ligjesh hyjnore, që ka ardhur për t’i shpëtuar njerëzit nga shirku. Le të theksojmë edhe një herë këtu se Allahu (xhel’le xheláluhu) është i adhuruari, i dashuruari, i dëshiruari dhe i kërkuari ngaqë është Allah. Atë nuk e bëjnë Allah adhurimet tona. Prandaj, është e drejtë e Tij dhe detyrë e jona që, duke i lidhur të gjitha mendimet me Individualitetin e Tij, të adhurohet e të mos i vihet asgjë si ortak. Të përfshish mendime e përfytyrime të tjera gjatë kryerjes së kësaj detyre do të thotë ta ndotësh atë.
Të gjithë ne, si besimtarë që jemi, në adhurimet dhe shërbimet që bëjmë e që përpiqemi të bëjmë, duhet të marrim në konsideratë vetëm pëlqimin dhe kënaqësinë e Allahut të Madhëruar, duhet të tregojmë në çdo çast përpjekjen për të përmbushur plotësisht detyrimin e të qenit robër të Zotit dhe, me mendimin se mos vallë po i turbullojmë ujërat e adhurimeve tona me ca mendime në kundërshtim me sinqeritetin, duhet të dridhemi madje. Ky duhet të jetë horizonti që besimtarët duhet të arrijnë. Përveç kesaj, ekziston edhe një gjendje tjetër shpirtërore, ajo e lënies së kënaqësisë së Allahut mënjanë dhe e orvatjes për t’u dukur i lezetshëm tek të tjerët, e të qenit vazhdimisht në pritje të duartrokitjeve dhe lavdërimeve të shoqëruara me fjalët “máshálláh, bárekalláh”. Kjo është një gjendje e shëmtuar që të kujton shirkun dhe që, pa dyshim, nuk i shkon aspak një besimtari.
Çdo gjë që bëhet për hir të Allahut – nëse do ta shprehnim me fjalën e Kuranit të Urtë – duhet të jetë e mirë, e bukur, e këndshme (tajjib). Dhe është e nevojshme që të mos përzihet as edhe një grimcë e së ndytës (habís) me atë që është e mirë, e bukur, e këndshme. Sepse ajo grimcë ndyrësi do të bëhet shkas për ndotjen edhe të asaj që është e pastër, madje, ndoshta edhe për kalbjen e saj. Kjo nuk do të shërbente për asgjë tjetër veç lumturimit të nefsit dhe shejtanit. Në të vërtetë, detyra e besimtarit është të kënaqë Allahun dhe jo nefsin e shejtanin.
d. Shirku i vogël: Shtirja
Mund të ndodhë që njeriu të shfaqë ndonjëherë shenja “krekosjeje” gjatë faljes së namazit. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë kështu në një nga hadithet e Tij: “Ajo çfarë më frikëson më së shumti në lidhje me ju është shirku i vogël.” Kur sahabët e pyesin se çfarë është shirku i vogël, Profeti ynë (s.a.s.) përgjigjet në këtë mënyrë: “Shtirja (rija).” Shirku i madh është pranimi i të adhuruarve të tjerë përpos Allahut, të adhurosh gjëra të tjera veç Tij, ti bësh Atij ortakë në madhështinë e Tij. Çfarë është shirku i vogël atëherë? Ai është të jetuarit i lidhur me veten dhe dëshirën për t’u dukur. Përveç faljes së namazit, rëndësi kanë edhe mënyra se si falet njeriu dhe emocionet e ndjenjat që përjeton gjatë faljes. Para së gjithash, namazi duhet falur për hir të Allahut dhe si një falënderim e mirënjohje për të mirat që Zoti i Madhëruar na ka dhënë deri në atë çast. Allahu i ka mundësuar mirësi të pafund njeriut në çdo periudhë të jetës së tij. Po, Allahu na ka dhënë një mjedis të pastër e në përputhje me anën tonë shpirtërore, na ka dhuruar aftësinë për të adhuruar, na ka çelur zemrat, na e ka bërë të mundur të piqemi mendërisht dhe na ka udhëzuar në rrugën e drejtë; më tej akoma, na ka dhënë edhe aftësinë për të qenë të suksesshëm në kryerjen me lehtësi të detyrës sonë si robër të Zotit. Pra, kur duam të falim namazet, ne mund të falemi lehtësisht.
Ndonjëherë, pavarësisht faktit se njeriu ka bërë nijet të falë namazin, ngaqë është i paralizuar dhe, për rrjedhojë, është i detyruar të jetojë i lidhur për shtrati, nuk mund ta falë namazin të plotë dhe ashtu siç dëshiron. Ose, për shkak se ndodhet në birucë/burg, qëndron larg xhematit të namazeve të xhumasë dhe Bajramit pavarësisht dëshirës së madhe për të qenë pjesë e tyre. Kështu që, sa i kemi akoma në dorë mundësitë, me zemrat të mbushura me falënderim e mirënjohje të pafund ndaj Zotit tonë, duhet ta adhurojmë Atë në çdo këmbëz të shkallëve të jetës.
Ç’është e vërteta, kur qëndron në namaz para Allahut, besimtari shpreh në radhë të parë faktin e të qenit borxhli karshi Tij. Sepse i është borxhli Zotit për çdo gjë të tijën nga koka deri te këmbët. Nëse Ai do të na i merrte gjërat që i përkasin Atij, pas do të mbetej vetëm një zero, asgjë më shumë. Do të thotë se ne mund të qëndrojmë përballë Tij vetëm në sajë të gjërave me të cilat Ai na ka pajisur.
Siç kuptohet, namazi është i tëri një bekim, një mirësi e Allahut ndaj nesh. Ndërsa po qëndron para Allahut falë gjërave me të cilat Ai vetë të ka bekuar, ndërsa po kryen detyrën e falënderimit dhe mirënjohjes ndaj Tij, të harrosh Hakun (të Vërtetin) dhe të orvatesh për t’u dukur e për të bërë shfaqje para hallkut (njerëzit, bota) është një sjellje vërtet e pahijshme. Ja, pra, kjo është shtirja e vërtetë. Dhe, ngaqë e tillë është shtirja, ndonjëherë mund të ndodhë që edhe shmangia e shtirjes së vullnetshme të bartë një kuptim të shtirjes. Njeriu, që shqetësohet kaq shumë nga shtirja, që i trembet asaj në këtë masë, vallë pse shqetësohet? Po ta dijë njeriu se prona dhe pasuria i përkasin tjetër kujt, po ta dijë se po qëndron mbi këmbët që dikush tjetër ia ka dhënë hua, po ta dijë se është në gjendje të shfaqë adhurimet e tij ndaj të Vërtetit falë fuqisë që i përket dikujt tjetër, po ta dijë se zemra e tij rreh për vetë faktin se është dikush tjetër që ia mundëson rrahjet e zemrës, atëherë nuk është nevoja t’i shmanget shtirjes. Për këtë arsye, njerëzit e së vërtetës, nga frika se mos bien në shtirje, edhe braktisjen e një sërë çështjesh e kanë konsideruar si një shtirje më vete. Kurse veprimet e bëra për t’u dukur në sytë e hallkut janë shirk për ta. Këtu ndahen njerëzit e lartë nga njerëzit e thjeshtë; meseleja është thjeshtë një mesele perceptimi.
Le ta përsërisim edhe një herë se shtirja tek njeriu është nxjerrja në pah e diçkaje që, në të vërtetë, nuk është pronë e tij, nuk i përket atij. Transmetuesi i haditheve Ebu Lejth Semerkandíu, në temën e sinqeritetit në librin e tij Tenbíhul gáfilín (Vërejtje ndaj të shkujdesurve), e sqaron këtë mesele nëpërmjet një shembulli mjaft të bukur: Gjendja e njeriut që me veprimet e tij shtiret dhe është në kërkim të famës i ngjan kësaj: Një burrë, kur po bëhet gati të dalë në çarshi, mbush torbën e tij me guraçokë. “Sa të mbushur e paska torbën!” thonë ata që e shohin. Ama, në të vërtetë, përveç fjalëve të njerëzve, gurët e torbës nuk i sjellin asnjë dobi tjetër atij. Në qoftë se do të donte të blinte diçka me to, nuk do të mundte. E njëjta gjë vlen edhe për atë që vepron duke u shtirur dhe vetëm për t’u dukur. Njerëzit mund të thonë fjalë të bukura në lidhje me të, por nuk do të ketë asnjë sevap për të në botën tjetër.
Njeriu, kur vepron duke u shtirur, do të thotë se po shet një gjë që, në fakt, nuk është pronë e tij. Ngaqë gjatësia e trupit të tij është e pamjaftueshme në arritjen e dritares së hapur për të, e mbush hapësirën e saj, e mbyll ose mundohet ta arrijë duke u ngritur në majë të gishtave. Bediuzamani shprehet kështu në lidhje me këtë çështje:
“Në godinën shoqërore të bashkësisë njerëzore, gjithësecili ka një dritare, që quhet një rang, nga ku mund të shikojë e mund të shihet nga të tjerët.
Në qoftë se dritarja është më e lartë se vlera e njeriut, ai do të zgjatet me mendjemadhësi.
Por në qoftë se dritarja është më e vogël se sa shtati i aspiratës së tij, ai do të përkulet e do të ulë kokën gjithë modesti.
Masa e madhështisë tek të përkryerit është modestia. Ndërsa për të gabuarit e të mangëtit, masa e vogëlsisë është mendjemadhësia...”
Atij që shtiret, Allahu do t’ia tregojë në botën tjetër se për kë i ka kryer ato adhurime. Do t’i shpallë në botën e engjëjve edhe ata që kanë rendur pas famës.
Po, besimtari duhet t’i reflektojë jashtë edhe me qëndrimin dhe sjelljet e tij ato në çfarë beson, mënyrën si beson, bukuritë pas të cilave ka lidhur zemrën dhe mënyrën se si mendon. Për shembull, një individ, i cili ka një lidhje të fortë me Zotin e Madhëruar dhe një marrëdhënie të patëmetë me Pejgamberin tonë (s.a.s.), të Dërguarin e nderuar të Zotit, dhe që i ka bërë këto pjesë të natyrës së tij, parimet e atij besimi që ka përvetësuar me zemër do t’i shfaqë edhe me pjesët e tjera të trupit dhe do t’i përmbushë/duhet t’i përmbushë në çdo çast të jetës së vet kushtet e të gjitha gjërat e tjera që i bën të nevojshme ai besim. Në këtë drejtim, ai do t’i kryejë më së miri dhe pa asnjë mangësi adhurimet, do të falë ashtu siç duhet namazet. Sigurisht, të gjitha këto do t’i bëjë jo me idenë që t’i shikojë filani apo t’i dëgjojë fisteku, po vetëm për të çuar në vend urdhrin e Allahut (xhel’le xheláluhu) dhe për të fituar pëlqimin e Tij.
e. Të shfaqësh diçka ndryshe në namaz
Nëse janë të pavullnetshme, pasthirrmat “ah, vah”, rënkimet dhe nxjerrja zë gjatë namazit nuk përbëjnë ndonjë problem. Në rast se vijnë si rrjedhojë e një grade të caktuar, nëse burojnë nga një gjendje ekstaze, atyre nuk mund t’u thotë gjë askush. Domethënë, dikush do të përjetojë një gjendje të atillë, saqë do të humbasë veten dhe, në një mënyrë të pavetëdijshme, do të nxjerrë zë e do të rënkojë. Pastaj, kur t’i thonë “Bëre kështu.”, ai, aspak i vetëdijshëm për atë që ka ndodhur, do të thotë: “Vërtet? Unë nuk mbaj mend të ketë ndodhur diçka e atillë.” Nëse nuk është kështu, nuk duhen nxjerrë zëra e, në këtë mënyrë, të shfaqen gjëra që nuk kanë lidhje me namazin. Kjo vlen edhe për të qarit. Njeriu, me aq sa është e mundur, duhet të përpiqet për t’i parandaluar të qarat. Por, nëse nuk arrin t’u bëhet pengesë atyre pavarësisht gjithçkaje, nëse e qara i vjen nga brenda dhe në mënyrë të pavullnetshme, atëherë nuk ka asgjë të keqe në këtë.
Ata që tregojnë për gjendjet e Bediuzamanit në fillim të namazit dhe gjatë faljes së tij thonë se, në namaz, sytë e tij merrnin një pamje të çuditshme dhe se zëri fillonte t’i dilte në një mënyrë të çuditshme gjithashtu. Kjo është një çështje niveli. Nuk është aspak e drejtë që një person që nuk është në atë nivel ta imitojë atë e të shfaqë veprime të këtij lloji.
Në adhurimet që kryehen bashkë me njerëz të tjerë ekziston rreziku i shirkut dhe shtirjes. Kur dikush, që i bie shkurt namazit të tij teksa falet vetëm, e zgjat dhe e zbukuron faljen e tij në praninë e të tjerëve, - Zoti na ruajt – kemi të bëjmë me shirk të fshehtë. Një person që e fal goxha gjatë namazin e tij kur është vetëm, nëse e fal shkurt atë kur është bashkë me persona të tjerë, në këtë rast, mundësia që një sjellje e tillë të jetë një formë shtirjeje është e madhe; sepse edhe në këtë sjellje ka një marrje në konsideratë të ekzistencës së njerëzve përreth duke i veshur asaj një vlerë. Kështu që, njeriu, ashtu siç e kryen namazin kur është vetëm, ashtu duhet ta kryejë edhe kur është duke u falur bashkë me xhematin. As më gjatë e as më shkurt. Nuk duhet të shfaqë as edhe një ndryshim. Si namazi i bariut që falet pranë deleve të tij. Mos qofsha i gabuar në krahasimin që po bëj, a e vret mendjen bariu për faktin që po ia shohin apo jo delet se në ç’mënyrë po e fal ai namazin?
f. Vetëdija e të qenit rob i Zotit në adhurime
Shpëtimi nga ana trupore dhe presioni i trupit, ngritja në gradat më të larta të jetës së zemrës dhe shpirtit janë të mundura për të gjithë, sipas gradës në të cilën gjenden. Përmbushja e detyrës së adhurimeve nga njeriu dhe, në të njëjtën kohë, përpjekja e tij në rrugën e lartësimit të emrit të Allahut dhe të Islamit, për të bërë të mundur valëvitjen e lavdisë së Tij madhështore në çdo vend, janë si acidi i derdhur mbi anën trupore të njeriut. Duke hyrë kështu në nivelin e jetës së shpirtit përmes një rruge më të shkurtër, në emër të përparimit të tij shpirtëror, njeriu mund të arrijë lehtësisht pëlqimin dhe kënaqësinë e Zotit të Madhëruar.
Po, detyra e të qenit rob i Zotit, adhurimet ndaj Tij duhen realizuar patjetër me shumë kujdes e seriozitet. Ashtu siç tregohet çdo lloj përkujdesjeje për të nderuar e për të pritur më së miri mysafirët në emër të parimeve të mirësjelljes dhe moralit, duke menduar çdo gjë nga pirunët tek lugët dhe nga ushqimet më të shijshme deri tek ëmbëlsirat, po ashtu duhet vepruar edhe në çështjen e adhurimeve; në rastin më të keq, po me aq kujdes e vëmendje duhen trajtuar edhe ato. Kjo është një rrugë shumë e rëndësishme e të shpëtuarit nga ana kafshërore dhe e braktisjes së nefsit, e ngjitjes në nivelin e jetës së zemrës dhe shpirtit. Me bindjen më të madhe, mund të them se, nëse njeriu nuk i kryen apo nuk është në gjendje t’i kryejë të gjitha llojet e adhurimeve, nga namazi tek agjërimi dhe nga agjërimi deri tek adhurimet e tjera nafile, sikur të ishte duke bërë gjërat më të këndshme të mundshme, është e pamundur që, në kuptimin personal, të thuhet se ai ka dalë nga kafshëria dhe e ka lënë anën trupore të tij. Duke i kryer këto detyra në mënyrë të pavetëdijshme, ama duke iu përmbajtur rregullave të tyre, njeriu mund të shpëtojë nga përgjegjësia, por është gjithashtu një fakt i pamohueshëm që, me adhurime të këtilla, jeta shpirtërore dhe ajo e zemrës nuk zhvillohen.
Për të arritur në nivelin e jetës së zemrës dhe shpirtit, nevojitet gjithashtu që ushqimet e konsumuara të jenë hallall, sytë të shmangen nga haramet dhe, duke vepruar në përputhje me udhëzimin “Më siguroni që do të ruani atë që keni mes dy nofullave dhe atë që keni mes këmbëve, që t’ju siguroj për hyrjen tuaj në Xhenet.” të Profetit tonë (s.a.s.), të qëndrohet larg bisedave të papërshtatshme e të panevojshme dhe ndjenjave që e çojnë njeriun drejt sjelljeve epshore.
Si përfundim, njeriu duhet të tregohet i kujdesshëm në maksimum ndaj adhurimeve të veta dhe të zotërojë një vullnet të çeliktë e një gjendje të thellë shpirtërore, aq sa të preferojë më parë vdekjen sesa mëkatet që ia paralizojnë jetën shpirtërore. Krahas këtyre, zemrat duhet të arrijnë ndjeshmërinë dhe, nëse e kërkon nevoja, të detyrohen e të shtrëngohen për ta arritur atë. Sepse, në sajë të këmbënguljes dhe përjekjes, edhe zemrat më të ngurta, me kalimin e kohës, mund të bëhen të ndjeshme. Për ta arritur këtë, në varësi të rrethanave dhe cilësisë së përpjekjeve, mund të duhen ditë, javë, muaj apo edhe vite. Ama në rrugën e fitimit të kënaqësisë së Allahut ia vlen të jepet gjithçka.
3. Falja e namazit në mënyrë të vetëdijshme
Ajetet në suren Shuará “Dhe mbështetu në të Plotfuqishmin, Mëshirëplotin, i Cili e sheh qëndrimin tënd në këmbë (gjatë namazit) dhe lëvizjet e tua midis atyre që përulen në sexhde.”, përveç përshkrimit të adhurimit të Pejgamberit tonë (s.a.s.), na shpjegon edhe se si duhet t’i kryejmë ne adhurimet. Meqenëse, ashtu siç thuhet edhe në një nga hadithet e Profetit tonë, jemi të ngarkuar me detyrën për t’u falur ashtu siç falej Ai, atëherë nuk është aspak i drejtë reduktimi i kësaj detyre vetëm në formën e namazit. Kapja e shpirtit dhe kuptimit të namazit dhe paraqitja e adhurimeve tona para Allahut brenda atij përqëndrimi duhen marrë parasysh gjithmonë brenda kësaj kornize. Sigurisht që nuk është e mundur të kapim, si nga forma, po ashtu edhe nga kuptimi, namazin e falur nga një profet, apo të ndiejmë ato çfarë ka ndier ai. Por kjo situatë nuk na pengon që të jemi në atë rrugë. Çdokush, në masën e lidhjes së tij me Allahun dhe vendit që ka ndarë për Të në zemrën e vet, mund ta arrijë dhe duhet ta arrijë përsosmërinë në adhurime.
Besimtari, kur shkon drejt namazit, vrapon me gëzimin e fillimit të punës më ngazëlluese. Shembujt më të qartë të këtij fakti i vërejmë në namazet e xhumasë e të Bajramit dhe në Qabe, gjatë kryerjes së adhurimit të haxhit. Njerëzit nxitojnë drejt këtyre emnesave sikur të jenë duke iu përgjigjur ftesës së një gostie të madhe dhe, nga frika se mos nuk e arrijnë në kohë adhurimin, i bëjnë hapat sa hapja maksimale e një kompasi dhe përparojnë me shpejtësi drejt destinacionit të synuar. Qëllimi i tyre është hyrja një çast e më parë brenda mesxhidit, dalja para Allahut dhe kryerja e adhurimeve. Një frymë kësisoj e thellë ndihet edhe në nxitimin e njerëzve për tek Bahçja e Pastër (Ravzai Táhire). S’ka se si të mos mallëngjehesh tek i sheh ata, të cilët, pasi kanë marrë abdes dhe nuk kanë gjetur kohë as për të ulur mëngët e përveshura e as për të krehur flokët dhe mjekrën, vrapojnë gjithë emocion drejt Tij me sexhadet mbi supe e pantoflat në duar, pa parë se kë kanë në të majtë e në të djathtë.
Ja pra, ngazëllimin e një vrapimi të këtillë bart namazi. Kur e shikon atë, këtë kuptim mund të nxjerrësh. Dhe besimtarët janë në gjendje ta ndiejnë këtë gjë. Kurse hipokritët, ngaqë nuk mund ta ndiejnë atë kuptim, vijnë në namaz duke e menduar atë si një bela që duhet hequr qafe, e kryejnë atë si të ishte një angari sepse nuk kanë mundur që, nëpërmjet besimit, ta kapin këtë gëzim. Namazi që falet në këtë mënyrë, si për të shpëtuar nga një bela, vetëm duke gogësitur e duke u kotur mund të falet. Allahu (xhel’le xheláluhu) e përshkruan kështu këtë gjendje të hipokritëve: “Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por edhe Allahu u përgjigjet mashtrimeve dhe dredhive të tyre.. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t’u dukur para botës, dhe Allahun e përmendin fare pak.” Po, hipokriti është gjithmonë në një gjendje apatie dhe mpirjeje; në lejohet të bëhet një krahasim i tillë, ai ul poshtë kokën, del para Zotit duke e tundur atë sa majtas djathtas dhe thotë: “Ah, sikur të mbaroj sa më shpejt punë me namazin e të dal jashtë!” Sepse një jetë të dyfishtë ka bërë tërë kohës dhe, për rrjedhojë, zemra i ka mbetur gjithmonë e privuar nga ngazëllimi i namazit. Zoti i Madhëruar mos lejoftë që një ndjenjë e tillë, e cila do të konsiderohej një njollë e madhe në fytyrën e zemrës së besimtarit dhe që do të bëhej shkak për turpërimin e tij në botën tjetër, të zërë vend në zemrat tona!
Në një ajet tjetër të Kuranit Famëlartë, Allahu (xhel’le xheláluhu) thotë kështu: “Mjerë për ata, të cilët, kur falen, janë të pakujdesshëm për namazet e tyre.” Në namaz, sehv (gabim) ka kuptimin e të qenit larg Allahut edhe gjatë qëndrimit para Tij. Në një hadith të dobët, kjo situatë shpjegohet në këtë mënyrë: “Do të vijë një kohë, kur (mijëra njerëz) do të mbushin mesxhidet dhe do të falin namazet, por në mesin e tyre nuk do të ketë besimtarë.” Kemi shpresë tek Allahu i Madhëruar se do të na ruajë nga një rënie e tillë me kokë dhe se do të na falë të gjithëve edhe për hir të njerëzve të mirë e me lutje të pranuara, me të cilët ulemi dhe ngrihemi bashkë. Sepse Ai, kur të falë një grup njerëzish që janë mbledhur për ta përmendur Atë dhe engjëjt të thonë “O Zot! Mes tyre ndodhej edhe një person që nuk kishte si qëllim përmendjen Tënde, ai kishte ardhur aty për diçka tjetër!”, do të thotë: “Unë e kam falur edhe atë. Ata janë një shoqëri e atillë, saqë është e pamundur të jetë fatkeq ai që ulet e ngrihet bashkë me ta.”
Po, gjatë namazit, besimtari është i këndellur në maksimum dhe gjendet i rrethuar nga paqja, qetësia e të qenit i drejtuar me gjithë zemër për nga Zoti i vet. Fundja, kjo është sjellja dhe qëndrimi që i shkojnë atij për shtat. Pakujdesia dhe hutesa, në asnjë mënyrë nuk mund të futen në ambientin e tij. Ai, kur del para Zotit dhe thotë “Allahu Ekber” gjithë dashuri e entuziazëm, i kujton të gjitha të vërtetat e adhurimit dhe robërisë së tij ndaj Allahut. Ndërsa pranon se Zoti është i Adhuruari Absolut, ai shpreh gjithashtu edhe dobësinë dhe varfërinë e vet. Për shembull, këto janë mendimet që i kalojnë nëpër kokë kur thotë “ijjáke na’budu”: “Zoti ynë! Pastruam zemrat tona dhe erdhëm para Teje. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë. Lamë pas çdo gjë të kësaj bote, sytë tanë të shohin vetëm Ty. Tani kërkojmë mëshirën Tënde. Mbase i jemi futur një pune të rëndë. Për rrjedhojë, mbajtja e kësaj barre do të jetë goxha e vështirë; ç’është e vërteta, të mbash zemrën të lidhur me Ty nga fillimi në fund dhe ta bësh atë të dridhet me respektin dhe dashurinë për Ty është një detyrë shumë e mundimshme! Por tani, të drejtuar për nga horizontet e botës hyjnore, zemrave tona po iu qesh buza!”
Më pas, brenda mendimeve të tilla si “Zoti ynë! Vetëm Ti mund të na ndihmosh përballë situatave të kësaj kohe, të cilat duan të na thyejnë në mes e të na bëjnë të biem në sexhde e ruku para tyre. Na mbështet dhe bëje të mundur plotësimin e kësaj pune. Na mundëso vazhdimësinë e kuptimit të namazit në të gjitha fazat e jetës sonë.”, thotë: “Ijjáke neste’ín.”
Pastaj, pasi strehohet tek Allahu me fjalët “ihdinas’sirátal mustekím”, “Na udhëzo në rrugën e drejtë; na udhëzo në rrugën ku kanë ecur profetët, besnikët, dëshmorët dhe që Ti e quan rrugë e mesme (sirat mustekím)!”, shkon në ruku para madhështisë së Tij.
Në ruku thotë “Subháne rabbijel adhím”, “O Zoti im i Lartë! Të përmend e të lavdëroj Ty duke dëshmuar për bujarinë dhe dashurinë Tënde ndaj robërve të Tu.” dhe bën një rinovim të besës së dhënë.
Ndërsa drejtohet nga rukuja, duke nënkuptuar fjalët “Allahu im, falënderimet të takojnë Ty, që më mundësove të ngrihem sërish pasi, duke mbetur nën peshën e llogarisë, m’u thye mesi e vajta në ruku!”, thotë “Sem’ialláhu limen hamideh”, e cila bart kuptimin “Allahu i dëgjon ata që e falënderojnë Atë”. Kur drejton trupin dhe qëndron për pak çaste në këmbë si një ‘elif’, thotë “Po, vërtet falënderimi dhe mirënjohja të takojnë Ty, Allahu im!”. Ndonjëherë, kur thënia e vetëm kësaj fjalie i duket e paktë, shton edhe shprehjen “Allahu ekberu kebírá uel hamdulil’láhi kethírá ue subhánalláhi bukreteu’ue esílá”, “Allahu është më i Madhi i të mëdhenjve, falënderimet tona ndaj Allahut janë të shumta, tesbihet tona të mëngjesit dhe mbrëmjes janë për Të.”. Kur një nga sahabët i pati thënë këto fjalë në çastet e ngritjes nga rukuja, Profeti ynë (s.a.s.) pati pyetur: “Kush i tha këto fjalë?” Pasi sahabi u përgjigj duke thënë “Unë i thashë, o i Dërguari i Allahut.”, Ai (s.a.s.) tha kështu: “Më pëlqyen ato fjalë. Dyert e qiellit u hapën për to.”
Si përfundim, mund të themi se namazi është adhurimi në të cilin ndërthuren të gjitha kuptimet e jetës. Ai, nga fillimi në fund, është pohim i robërisë sonë ndaj Zotit. Për rrjedhojë, robi, gjithë entuziazëm, e ndien dhe e rrok atë që nga fillimi i këndimit të ezanit gjer në mbarimin e faljes së namazit.
a. E vërteta e namazit
Namazi, ashtu siç ka zbatimin e kushteve dhe shtyllave të tij, të cilat përbëjnë anën e tij të jashtme (atë që duket), ka po ashtu edhe aspektin e tij të brendshëm (që nuk duket). Namazi i atij që e fal atë duke respektuar kushtet, shtyllat, detyrimet (vaxhip) e namazit dhe gjërat e tjera, kryerja e të cilave është e pëlqyeshme (mustehap), konsiderohet i vlefshëm. Edhe ata që e shikojnë këtë person tek falet në këtë mënyrë arrijnë në përfundimin se ai po i fal saktë namazet e tij. Kurse bërja e një nijeti për të qenë, të qenit i sinqertë dhe falja në shoqërinë e ndjenjave të frikës dhe respektit për Krijuesin janë çështje që kanë të bëjnë me anën e brendshme të namazit. Disa dijetarë i kanë quajtur si shtylla të namazit edhe hushú-në e hudú-në, disa të tjerë i kanë numëruar në mesin e detyrimeve (vaxhip) të namazit.
Kushtet e jashtme janë si kallëpët e namazit. Pa to, është e pamundur të përmbushen kushtet e brendshme të tij. Njeriu, duke plotësuar kushtet e nevojshme të namazit, mund ta përmbushë aspektin e jashtëm të tij. Megjithatë, nuk është e mundur të thuhet një gjë e tillë edhe për aspektin e brendshëm të namazit. Në fakt, edhe pse mund të vërejmë ngjashmëri mes anës së jashtme të namazeve të njerëzve të mëdhenj si Pejgamberi ynë (s.a.s.), Ebu Bekri (r.a.) apo Bediuzamani dhe asaj të namazeve të një njeriu të zakonshëm, namazet e tyre janë shumë të ndryshëm në aspektin e brendshëm. Kallëpët e anës së jashtme të namazit janë të qartë, por në çështjen e anës së brendshme të namazit nuk mund të flitet për ndonjë kallëp. Për shembull, mund të thuhet se, nëse e lani tri herë fytyrën gjatë marrjes së abdesit, e keni kryer plotësisht këtë shtyllë. Mirëpo, kur vjen puna tek ana e brendshme e namazit, një gjë të tillë nuk mund ta thoni. Kjo situatë varet krejtësisht nga lidhja dhe marrëdhënia e robit me Zotin e tij.
Namazi i vërtetë është pasqyrimi dhe shfaqja e natyrës njerëzore. Profeti ynë (s.a.s.), në një hadith të tijin, thotë kështu: “Çdo ditë, është e nevojshme të jepet një sadaka (lëmoshë) për çdo nyje tuajën. Çdo tesbih (subhánalláh) është një sadaka. Çdo tahmíd (elhamdulil’láh) është një sadaka, çdo tehlíl (Lá iláhe il’lallah) është një sadaka, çdo tekbír (Alláhu Ekber) është një sadaka. Emri bil maruf (urdhërimi për të mirën) është një sadaka, nehj anil munker (ndalimi i së keqes) është një sadaka. Falja e një namazi dyrekatësh në kohën mes mëngjesit dhe drekës është e barasvlershme me të gjitha këto sadaka.”
Njeriu, duke vrapuar për të dalë gjithë përulësi para Allahut në kohën kur është më së shumti i zënë me punë dhe ndihet i freskët e energjik, e ndien thellësisht vlerën e nyjeve që i ka dhënë Allahu. Ja, pra, ky namaz, i falur në kohën mes mëngjesit dhe drekës, mund të bartë një vlerë të barabartë me falënderimin për të gjitha nyjet që na ka mundësuar Allahu në trupin tonë. Edhe namazet e falura në pesë kohët e përcaktuara të ditës mund t’i përgjigjen fillimisht këtij falënderimi.
Nëpërmjet namazit i shfaq njeriu të gjitha mirësitë që ia ka mundësuar Zoti i Madhëruar në këtë botë. Për këtë arsye, në botën tjetër, namazi do të marrë trajtën e njeriut. Në momentin kur personi të vendoset në varr, namazi do t’i shfaqet atij si një njeri me fytyrë të bukur e të këndshme dhe do t’i prijë atij. Nëse dikush dëshiron që, në botën tjetër, namazet e tij t’i shfaqen atij në trajtën e një njeriu të rregullt, duhet t’i falë namazet me kujdes e në përputhje me kushtet, veçoritë dhe thellësitë e brendshme të tyre.
Për shembull, kuptimi i lutjes “et’Tehijjátu” është dhënia selam Allahut Fuqiplotë me gjuhën e robërisë sonë ndaj Tij dhe në përshtatje me madhështinë, lavdinë dhe bukurinë e Tij, sepse Ai na ka ushqyer e na ka bekuar me tërë këto të mira. Me idenë se duhet t’i përgjigjem Zotit me adhurim e falënderime, duke menduar gjithashtu se unë jam zero, kurse Ai i pafund, dhe se nuk m’i ka borxh bekimet dhe të mirat që m’i ka dhënë e po m’i jep akoma, por jam unë ai që është borxhli përballë gjithë këtyre mirësive, duhet të pranoj se është e drejta e Tij t’i drejtohem me “et’Tehijjátu”. Njeriu, nëse nuk i ndien plotësisht këto ide e mendime kur është duke u falur vetëm, mund t’i përsërisë këto fjali, madje deri në dhjetë herë, në mënyrë që të arrijë ta ndiejë namazin që po fal. Kjo është detyra ime, por edhe e drejta e Allahut. Në qoftë se nuk tregoj përpjekje për ta thënë këtë kështu, do të thotë se po bëj një padrejtësi shumë të madhe dhe se po e lë pas dore kryerjen e kësaj detyre. Kjo gjë, ashtu si për lutjen “et’Tehijjátu”, vlen edhe për shtyllat dhe pjesët e tjera të namazit. Ustadi, gjatë namazeve që falte vetëm, çdo fjalë e përsëriste derisa ta ndiente atë thellësisht brenda vetes. Mirëpo, në rastet kur një person është duke e falur namazin si imam para një xhemati, të vepruarit në këtë mënyrë mund të shkaktojë turbullira në mendjet e të tjerëve.
Zoti i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët...” Ndërsa në vazhdim, si cilësi të parë të këtyre besimtarëve që kanë arritur shpëtimin, përmend faljen e namazeve me ndjenjën e hushú-së, me zemrat të dorëzuara tek Allahu, me vetëdijen e ihsanit dhe duke menduar faktin se Allahu i shikon ata në çdo çast. Të gjithë duhet të kontrollojnë ndërgjegjet e tyre, nëse janë apo jo në gjendje ta trajtojnë këtë mesele brenda kësaj kornize. Që të arrijë këtë nivel, njeriu fillimisht duhet të besojë se veprat e tij do të paraqiten në botën tjetër para të gjithëve. “Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj.” Ky ajet na tregon rrugën që duhet të ndjekim në lidhje me këtë temë. Veproni në atë mënyrë, që veprat tuaja të jenë të denja për t’iu paraqitur Allahut, Profetit dhe besimtarëve që kanë besuar me të vërtetë. Siç mund të kuptohet nga ajeti i mësipërm, njeriu duhet të mundohet për t’i bërë sa më mirë të jetë e mundur veprat dhe punët e tij, qofshin ato punë e vepra të kësaj dynjaje apo nga ato që kanë të bëjnë me botën tjetër. Jetesa e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) e vërteton më së miri këtë fakt. Sipas fjalëve të Nënës sonë, Aishes (r.a.), Ai (s.a.s.), kur kishte për të bërë ndonjë punë, e kryente atë në mënyrë të përsosur, pa lënë asnjë boshllëk. Një besimtar, i cili e ka për detyrë t’i bindet e të ndjekë Profetin e tij, duhet të veprojë në një mënyrë të atillë, që veprat e tij të mos vihen në pikëpyetje dhe të mos sjellin nga pas kritika. Duke qenë se namazi është më i miri mes gjithë veprave të njeriut dhe se nuk ka diçka më të madhe se ai, do të thotë se çdo namaz që falim gabim dhe me mangësi hap tek ne nga një të çarë.
Pasi ta kemi besuar këtë në këtë mënyrë, jemi të detyruar t’i falim me kujdes e gjithë përkushtim namazet tona. Ndoshta do të hasni ca vështirësi në fillim, do ta sforconi veten. Por, me kalimin e kohës, ai do të bëhet pjesë e natyrës suaj. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i Cili për umetin parapëlqente gjithmonë atë që ishte më e kollajtë, - sipas fjalëve të Ibn Mesudit (r.a.) – aq shumë e zgjaste namazin, me aq përsosmëri përpiqej ta kryente atë kur falej vetëm, saqë, për njerëzit e tjerë, të vepruarit në mënyrë të tillë ishte mjaft e vështirë. Por, kur falej bashkë me të tjerët dhe e drejtonte Ai (s.a.s.) namazin, nuk ua vështirësonte atyre faljen e namazit.
Po, një person që dëshiron t’i falë namazet e tij në kuptimin e tyre të vërtetë do të sforcohet ca dhe do ta ketë pak të vështirë në fillim. Ndonjëherë do të shfaqë veprime artificiale e të shtirura, ndonjëherë tjetër të sforcuara. Mirëpo, pas njëfarë kohe, ai do t’ia dalë ta kryejë namazin në përputhje me thelbin dhe të vërtetën e tij, e cila, në Kuran, përshkruhet nëpërmjet fjalës “ikáme”.
b. Thellimi në namaz
Njeriu, ndryshe nga engjëjt apo qeniet shpirtërore, është një krijesë që zotëron edhe anën e tij trupore. Edhe pse shpeshherë flitet për sundimin e shpirtit te njeriu, në të shumtën e kohës ai jeton nën trysninë e trupit dhe anës trupore të tij. Për këtë arsye, nuk është gjithmonë në gjendje t’i ndiejë thellësisht namazin dhe adhurimet e tjera teksa i kryen ato.
Në fakt, duke iu drejtuar të Pafundmit, është e mundur që të kapet një ndjesi, një intuitë dhe një përhitje e pafund. Nuk ka kufij në gjërat që bëhen për të arritur tek Zoti, për ta ndier Atë dhe për t’u thelluar sa më shumë në këto çështje. Sepse Individualiteti i Allahut të Plotfuqishëm është i pafund dhe, po ashtu, mund të flitet për një pafundësi edhe në çështjet që kanë lidhje me Të. Ekziston mundësia që njeriu të ndiejë gjëra të ndryshme në çdo namaz që fal. Në namazet e falura në rrugën për të arritur tek Ai, nuk mund të bëhet fjalë për një ngopje, për shndërrimin e veprimeve në rutinë apo zakone, për arritjen e një fundi. Nëse ndodh diçka e këtillë, kjo na përket neve dhe nefsit tonë. Çdo pandjeshmëri, bezdisje apo mërzitje që mund të na kaplojë në lidhje me namazin vjen jo nga namazi, por si rezultat i dobësisë dhe mangësisë, të cilat i përkasin këndvështrimit tonë. Ne jemi njerëz me aftësi të kufizuara në çështjet e të parit, të ndierit dhe të të perceptuarit. Ai e shpalos veten para nesh me një pasqyrim të ndryshëm në çdo çast. Por, ngaqë nuk i mendojmë këto – ç’është e vërteta, një çështje themelore e punës sonë është edhe meditimi – dhe ngaqë nuk i qasemi në këtë mënyrë kësaj meseleje, edhe gjërat më të gjalla, më tërheqëse dhe më shumëngjyrëshe, befas, në sytë tanë ngurtësohen e zbehen. Kështu, nuk arrijmë t’i ndiejmë ato çfarë duhen ndier; çdo gjë ngec te format dhe pamja e jashtme. Duket sikur jemi duke falur namazin, ulemi dhe ngrihemi, por namazi që falim nuk është namaz në kuptimin e tij të vërtetë. Kryesorja është falja e namazit duke ndier thellësinë karakteristike të çdo pjese përbërese të tij.
Robi, teksa nga njëra anë është duke marrë abdes, nga ana tjetër duhet të thellohet në mendimet e tij. Ai mendon se, bashkë me ujin që rrjedh nga gjymtyrët e tij, shpëton edhe nga papastërtitë e gjynaheve. Aq sa vepron me një ndjeshmëri maksimale që të mos stërpiket nga ky ujë, në një kuptim, i ndotur me gjynahe. Kur lan fytyrën, duhet të mendojë në këtë mënyrë: “Fytyra po më pastrohet nga ato gjëra që mund të më nxjerrin faqezi në botën tjetër, po më zbardhet. Zoti im, në atë ditë kur një pjesë e fytyrave do të jenë jashtëzakonisht të bardha e një pjesë tjetër sterrë të zeza, më bëj edhe mua nga faqebardhët!”
Është shumë e rëndësishme që të gjitha këto të ndihen thellësisht, veçanërisht në pikën e përqendrimit në namaz. Nëse do t’i falni namazet duke u zhytur në ndjesi kaq të thella, para jush mund të hapet një derë e ndryshme çdo ditë. Në një moment, mund ta ndieni meselenë brenda një thellësie komplet ndryshe, jashtë atyre çfarë keni parë e përjetuar deri atëherë. Ndonjëherë mund t’ju hapet një derë ndërsa po qëndroni në kijam, ndonjëherë në ruku, ndonjëherë në kavme (qëndrimi në këmbë pas ngritjes nga rukuja) e ndonjëherë tjetër në sexhde. Por, që t’ju hapet ajo derë, ju duhet të jeni gjithmonë pas saj, ta kërkoni atë. Nëse nuk do ta keni dorën tek tokmaku i derës, nëse zemra juaj nuk do të jetë gjatë tërë kohës me Të, dyert nuk do të hapen. “Namazet që falim pa i ndier këto, asnjë vlerë nuk kanë?” Në qoftë se do të bëni një pyetje të tillë, mund t’ju them se, me një namaz të këtillë, ju e keni shlyer borxhin tuaj karshi Zotit dhe – në dashtë Allahu – në anën tjetër nuk do të jeni përgjegjës. Por nuk do të keni arritur tek e vërteta e namazit. Namazi na është caktuar nga Allahu, që ta falim duke e ndier atë, sikur të jemi duke pirë një gotë sherbet gllënjkë pas gllënjke; namazi është një dhuratë e qiejve për banorët e tokës.
Por mundet që shpirti dhe kuptimi i namazit të mos shfaqen menjëherë. Një njeri që ka mundur të zbulojë shpirtin e namazit ka dëshirë të hidhet e të qëndrojë në namaz edhe kur është i zënë me më të ëmblën punë, sepse ai merr kënaqësi nga namazi. Edhe pse jo gjithmonë, shumë herë thotë kështu: “Ah, sikur jeta të mos mbaronte kurrë dhe unë të qëndroja kështu gjithmonë, në këmbë!” Por, që të arrihet kjo, njerëzve mund t’u duhen ndonjëherë njëzet, ndonjëherë tridhjetë e ndonjëherë tjetër dyzet vjet. Qëndron me përulje tek ajo derë për dyzet vjet dhe vetëm atëherë arrin ta ndiesh namazin e vërtetë.
Në një ajet të Kuranit Famëlartë thuhet kështu: “Prandaj, përmende emrin e Zotit tënd dhe përkushtoju krejtësisht Atij!” Ngaqë foljet në këtë ajet janë në formën “tefa’ul”, ato shprehin një detyrim. Fillimisht, ky ajet i drejtohet kështu Profetit tonë (s.a.s.). Por Profeti ynë, me kalimin e kohës, arrin në një gjendje të atillë, për të cilën shprehet kështu: “Dëshirën që ju ndieni ndaj të ngrënit, të pirit dhe marrëdhënies seksuale, unë e ndiej ndaj namazit.” Po ashtu edhe njeriu, nëse tregohet mjaftueshëm këmbëngulës në këtë çështje, nëse bën durim dhe pret që t’i hapet edhe atij velloja e kuptimit të namazit, dhe, në fund, nëse i thonë atij “Në Xhenet, sofrat qenkan përgatitur për ty.”, ai do t’ua kthejë atyre në këtë mënyrë: “Të fal njëherë namazin, vetëm atëherë mund të vij. Unë nuk mund ta sakrifikoj namazin tim.” Madje, sikur t’i vijë edhe Azraili (a.s.), për t’i marrë shpirtin, edhe atij do t’i thotë kështu: “Në qoftë se do t’më lejosh, le ta fal namazin e vaktit që ka hyrë, të mos më ikë. Mandej, bëj ç’të duash me mua.” Pra, me kalimin e kohës, te njeriu zhvillohet një gjendje e tillë shpirtërore, saqë mendon për namazin dhe përpiqet ta falë atë edhe në çastet kur ndodhet në prag të vdekjes.
Çdo pjesë e namazit është jashtëzakonisht tërheqëse dhe tepër e këndshme. Jam i mendimit se, nëse do t’i bënit një monument namazit, përballë jush do të dilte një monument i pakrahasueshëm me statujat e ndryshme kudo nëpër botë. Do t’ia ngulnit sytë atij dhe do ta shikonit përgjatë gjithë jetës. Në lidhje me këtë temë, ekziston edhe një hadith, i cili e përforcon këtë mendim timin: Në botën e varrit, namazi do të marrë pamjen e njeriut. Në qoftë se ai është kryer pa ndonjë mangësi, në një mënyrë të patëmetë, do t’i shfaqet të zotit në trajtën më të bukur të mundshme.
Sipas asaj që shpjegohet në një hadith tjetër, një ditë, në Xhaminë e Profetit vjen një beduin dhe fal namazin. Pejgamberi ynë (s.a.s.) i drejtohet atij duke thënë: “Ti nuk fale namaz.” Beduini ngrihet dhe e fal edhe një herë tjetër namazin, ama në të njëjtën mënyrë. Profeti (s.a.s.) i thotë përsëri: “Ti nuk fale namaz.” Dhe, kur beduini thotë “O, i Dërguari i Allahut, unë nuk di mënyrë tjetër.”, Profeti ynë, duke i shpjeguar se si duhet vepruar në kijam, në ruku dhe në sexhde, i tregon atij për mënyrën e duhur të kryerjes së namazit. Sepse, nëse nuk e shfaqni namazin në përputhje me thelbin, kuptimin e tij të vërtetë, do të thotë se e keni çuar dëm atë. Në një situatë të tillë, nuk mund të jeni të sigurt në lidhje me atë që mund të ndodhë në vazhdim. Nga do e dini ju se namazi, teksa ndahet prej jush, nuk do të thotë nëpërmjet shpirtit të tij “Ashtu siç më çove ti dëm mua, ashtu veproftë edhe Allahu me ty!”?
Një person që ka dalë imam dhe po e fal namazin bashkë me disa persona të tjerë, duke marrë parasysh faktin se mes tyre mund të ketë njerëz të dobët fizikisht apo të sëmurë, gra dhe fëmijë, mund ta mbajë namazin, ndoshta, në nivelin minimal të tij. Por me këtë nivel minimal nuk nënkuptoj atë që bëjnë sot disa, të cilët, aty ku duhet thënë “Subhánalláh, Subhánalláh, Subhánalláh”, thonë “sub, sub, sub”. Për shembull, sipas disa dijetarëve të fikhut, është kusht që në ruku të thuhet një herë “Subháne Rabbijel Adhím”, por duke ia dhënë hakun kësaj fjalie, duke e shqiptuar mirë e bukur secilën fjalë të saj. Ndërsa sipas disa dijetarëve të tjerë, ajo duhet thënë së paku tri herë. Për këtë arsye, këto tesbihe duhet t’i themi të paktën nga tri herë në ruku dhe sexhde, me ngadalë dhe duke i shqiptuar tamam fjalët e tyre. Leximi shpejt e shpejt i Fatihasë nuk është lexim Kurani. Sepse Kurani nuk ka zbritur në atë mënyrë. Rrjedhimisht, nuk është namaz as namazi që falet me një lexim të tillë të ngutshëm të Fatihasë. Me ajetet e Kuranit të lexuara në një frymë, madje, me telashin për ta përfunduar suren akoma pa mbaruar ajo frymë, nuk quhet se e ke përmbushur farzin e leximit të Kuranit në namaz. Fjalët janë kallëpët e kuptimeve, ama kallëpi duhet të jetë i përshtatshëm për kuptimin.
Të lexosh Kuran në namaz do të thotë të lexosh duke ia dhënë hakun fjalëve dhe duke u përpjekur t’i ndiesh kuptimet e tyre. Nëse kjo nuk realizohet, të njëjtat fjalë mund të përsëriten 3, 5, 7, 9 ose 11 herë, derisa të ndihet kuptimi. Hudhejfe (r.a.), kur shpjegon namazin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), thotë kështu: “Vajti në ruku; rukuja nuk zgjati më pak se kijami i Tij. (Në kijam kishte lexuar suret Bekare, Ál Imrán dhe Nisá.) U drejtua nga rukuja. Qëndrimi në këmbë nuk zgjati më pak se rukuja. U ul në sexhde, sexhdeja e Tij nuk zgjati më pak se qëndrimi në këmbë pas rukusë.” Një përpjekje të tillë duhet të tregojë robi kur është duke u falur vetëm. Përderisa namazi është një adhurim shumë i rëndësishëm, përderisa është miraxhi i besimtarit, përderisa anija e fesë nëpërmjet tij lëviz, atëherë, ai duhet kryer duke i dhënë hakun. Sepse t’i japësh hakun kësaj pune, në të njëjtën kohë do të thotë të fitosh të drejtën e të qenit me vullnet të fortë.
c. Namazet plot respekt dhe frikë
Namazi, në varësi të mbushjes dhe pastërtisë sonë të brendshme, merr një trajtë të dëlirë e të kulluar edhe në sytë e Allahut. Kur e fal namazin i mbushur plot me frikë e respekt ndaj Allahut, kijami, rukuja, sexhdeja dhe çdo pjesë tjetër e tij, tek Allahu, shndërrohen në hapat që hidhen gjatë ngjitjes për në miraxh. Ne, kur përpiqemi të sqarojmë anën e jashtme të meselesë, përdorim fjalët “ulje-ngritje” dhe, në fakt, ajo çfarë bëjmë në namaz me këto dy fjalë mund të përmblidhet. Por këto ulje-ngritje, duke u bashkuar me respektin dhe frikën e brendshme, fitojnë një vlerë të madhe tek Allahu, lartësohen në një vlerë mbi të gjitha vlerat e tjera. Sepse namazi është vepra më e vlefshme tek Allahu; nëse do të kishte diçka më me vlerë se ai, me përgjegjësinë e kryerjes së asaj gjëje pesë herë në ditë do t’i ngarkonte Allahu (xhel’le xheláluhu) robërit e Tij.
Zoti i Madhëruar, duke e ngarkuar secilin prej engjëjve, që i ka krijuar si robërit e Tij të nderuar të qiejve, me detyrën e kryerjes së vetëm një pjese të namazit, ka treguar edhe vlerën që i jep atij. Ka engjëj aq madhështorë, por që janë ngarkuar vetëm me detyrën e qëndrimit në kijam. Vetëm ky kijam bilé u mjafton dhe u tepron atyre për të arritur një gradë të lartë tek Allahu. Po ashtu, ka engjëj të atillë, të cilëve u është caktuar vetëm detyra e përthyerjes së mesit dhe qëndrimit në ruku para Prezencës Hyjnore. Dhe kjo detyrë është e një natyre të atillë, që do t’i ngrejë gradat e tyre gjer në Arshin e Madh. Ka gjithashtu edhe engjëj që bëjnë vetëm sexhde.
Me pak fjalë, çdo grup engjëjsh, duke i dalë për zot një pjese të namazit, noton dhe përparon drejt Fronit të Përsosmërisë ose drejtimit që e kënaq Zotin. Ja, pra, Zoti i Madhëruar, i Cili ua bëri engjëjve namazin shkak për të shprehur robërinë e tyre ndaj Tij, ia dha atë, me të gjitha shtyllat dhe pjesët e tij, umetit të Muhamedit. Prandaj, njeriu duhet të përmbushë dhe të kryejë siç duhet çdo pjesë të namazit, duke i bërë ato brenda një atmosfere sikur të ishte duke u kapur për shkallësh në ngjitjen e tij drejt gradave më të larta. Sepse ky adhurim, i cili i lartëson engjëjt për në Fronin e Përsosmërisë, do t’ia mundësojë edhe atij ngritjen në atë pozitë. Për rrjedhojë, namazi, që do ta ngrejë robin në një pozitë të këtillë, nuk duhet parë si diçka e përbërë nga ca formalitete, nuk duhet kryer sikur të jesh duke hedhur një barrë nga kurrizi. Përkundrazi, duke dalë para Prezencës Hyjnore brenda atmosferës së kryerjes së një meseleje shumë serioze, duke qëndruar aty gjithë respekt e përulje që nga çasti i këndimit të ezanit dhe duke u përpjekur për të mos rënë në hutesë për aq kohë sa ndodhemi para Allahut, namazin duhet ta kryejmë në një gjendje meditimi dhe emocioni të brendshëm.
Namazi është një akt nderimi, përuljeje, respekti të brendshëm dhe mirësjelljeje. Për sa kohë të kryhet në këtë kuptim, ai do t’i sjellë një dëlirësi botës sonë të brendshme, ndërsa ideve dhe mendimeve tona, drejtimin e duhur. Namazi i falur jashtë kësaj vetëdijeje dhe botëkuptimi nuk është gjë tjetër veçse një barrë mbi shpinën e njeriut dhe një lodhje për të; në një situatë të këtillë, as që bëhet fjalë të mundësojë afrimin, ai bëhet shkak për largimin nga Allahu. Pejgamberi ynë (s.a.s.) ka thënë: “Nëse namazi nuk e largon një person nga imoraliteti dhe e keqja, atëherë ai namaz nuk shërben për asgjë tjetër veç largimit të atij personi nga Allahu.” Namazi në vetvete nuk e largon njeriun nga Allahu; ai bëhet shkak për largimin e personit nga Zoti ngaqë personi në fjalë nuk ka mundur të shkëputet nga injoranca, nuk ka mundur t’i shpëtojë hutesës e të kapërcejë vetveten dhe, për rrjedhojë, nuk ka mundur t’ia dorëzojë zemrën Zotit as aty ku duhet bërë diçka e tillë. Kështu që, kur kryen namazin, robi duhet të tregohet i kujdesshëm dhe ta kryejë atë sikur të jetë duke u kapur pas një litari drite; nëse i rrëshqet këmba, nëse hutohet për një moment, ai menjëherë do ta kthejë shikimin drejt botës sublime, do të zhytet në soditjen e asaj bote dhe, në këtë mënyrë, do ta përmbushë detyrën e të qenit rob i Zotit.
Halef ibn Ejubi është një nga dijetarët më të mëdhenj të fushës së hadithit dhe fikhut. Ai, kur qëndronte në namaz, nuk bënte as më të voglën lëvizje që nuk kishte lidhje me namazin, madje, as atëherë kur e pickonin bletët; në përfundim të namazit, kur i thoshnin “Të pickoi bleta, kurse ti nuk lëvize as dorën; në fytyrën tënde qëndroi një mizë, ti nuk tunde as kokën.”, ai përgjigjej kështu: “Një herë e një kohë, pata hasur në ca gjynahqarë të mjerë, të cilët po i tregonin njëri-tjetrit gjithë krenari për faktin se nuk kishin nxjerrë fare zë, madje nuk kishin bërë as “gëk” përballë fshikullimeve me kamxhik pasi padishahu kishte urdhëruar për dënimin e tyre me një mënyrë të këtillë. Po unë, që jam një rob i dobët dhe i pafuqishëm i Allahut, si mund të ndikohem nga bletët apo nga një mizë që ulet në kokën time ndërsa po kryej një miraxh si namazi!”
Aliut (r.a.) as përballë armiqve të tij në sheshin e betejës nuk i janë dridhur këmbët sa në namaz. Në luftën e Hendekut, kur Amr ibn Abdivud pati thënë “A nuk ka ndonjë që të dyluftojë me mua?”, edhe pse ishte në një moshë kur mund të quhej akoma fëmijë, i qe lutur me herë të tëra të Dërguarit të Allahut për të luftuar me të dhe, kur pati dalë përballë tij, nuk pati rënë pre e provokimeve të llojit “Ty të dërguan kundër meje? Nuk kishte të tjerë më të mëdhenj se ti? Gojës tënde i vjen era qumësht!”, nuk qe stepur as kur goditjet e kundërshtarit ia patën çarë më dysh mburojën e i patën shkaktuar një plagë në ballë; armikun e tij e pati shtrirë përtokë me Zulfikarin, atë shpatë që ia kishte dhënë i Dërguari i Allahut (s.a.s.). I tillë ishte përballë armikut Aliu (r.a.), nuk hezitonte kurrë, nuk kaplohej nga dyshimet, ishte gjithmonë i vendosur. Kur shkonte për të falur namazin ama, i ikte ngjyra, nuk e mbanin këmbët. Kur e pyesnin “O, prijësi i besimtarëve! Ç’është kjo gjendje e jotja kështu?”, ai u përgjigjej me fjalët “A nuk e dini? Po shkoj të çoj në vend amanetin.”.
Në Kuranin Famëlartë, Allahu (xhel’le xheláluhu) thotë kështu: “Ne ua ofruam përgjegjësinë qiejve, Tokës dhe maleve, por ato nuk pranuan ta marrin përsipër dhe u frikësuan ta pranojnë atë, kurse njeriu e pranoi.” Kuptimi i këtij ajeti është ky: “Njeriu e mori përsipër unin, ndërgjegjen dhe aftësinë e të perceptuarit; ai e mori përsipër detyrën e nxjerrjes së kuptimeve që i përkasin Allahut nga mesi i gjërave e ngjarjeve dhe të ndërtimit të një hualli dijesh me to.” Ja, pra, ndërsa thirremi për në namaz pesë herë në ditë, vijmë para Zotit tonë për të përmbushur këtë detyrë. E, në fakt, ky ishte mendimi që e bënte Aliun (r.a.) t’i dridheshin këmbët.
Abdullah ibn Omeri (r.a.) – i mbështjellur nga ndjenja e peshës së detyrës – aq ngadalë ecte kur shkonte për të falur namazin, saqë ata që e shihnin në atë gjendje thoshnin: “Nëse një milingonë do të nisej me të njëkohësisht, ajo patjetër që do t’ia kalonte.” Në të vërtetë, përballë një pune të rëndësishme që do të na bëjë të shqetësohemi seriozisht, ne kalojmë në një gjendje të atillë, saqë nuk shohim asgjë rreth e rrotull nesh, nuk njohim askënd. Ezani bën që në botën tonë shpirtërore të shpërthejë një kiamet i tillë; ngrihemi nga vendi, marrim ashtu siç duhet abdesin dhe përpiqemi të flakim tutje shkujdesjen sikur ftesa për të dalë para Zotit të jetë realizuar. Sepse disa minuta më pas do të qëndrojmë para Zotit tonë, qëndrim ky, që mbart kuptimin e dhënies së llogarisë për jetën. Sigurisht, nuk është aspak e përshtatshme të qëndrosh i hutuar dhe i shkujdesur në praninë e Zotit. Teksa qëndrojmë para Zotit, do t’i drejtohemi Qabesë, do ta përfytyrojmë atë para nesh si guri-shenjë i kthimit tonë drejt Tij. Thënë ndryshe, do t’ia japim zemrën Zotit tonë, do të kthehemi nga Qabeja me zemrat dhe imagjinatën tonë dhe, mandej, do të përpiqemi të gjuajmë mëshirën dhe pëlqimin hyjnor.
Po, një besimtar që vrapon drejt namazit me vetëdijen e ezanit, duke e imagjinuar Qabenë mu përballë vetes, përpiqet të kapë mëshirën dhe pëlqimin hyjnor. Sa e sa sulltanë kanë ardhur e kanë ikur përgjatë shekujve! Gjithmonë është e mundur që edhe ne të arrijmë të njëjtën gradë. Sepse gjendemi në një kohë dhe vend të atillë, ku njerëzit që thonë “Allah, Pejgamber, Kuran” janë të shumtë. Duke qenë se ndodhemi në një ambient të këtillë dhe të rrethuar nga një kësisoj atmosfere, mundësia që ne të jemi në gjendje për të ruajtur veten është e madhe. Megjithatë, kemi akoma shumë punë për të bërë. Nuk mund të thuhet se kemi arritur as një përqind të gradës që kanë arritur ata individë.
Si kryetar shteti, është shumë e vështirë të jesh një besimtar i mirë, të ngulësh shikimet në bukuritë e botës hyjnore ndërsa gjendesh i rrethuar nga shëmti të panumërta, të mos ngecësh te postet dhe rangjet e larta. Po ashtu, është shumë e vështirë që, si një padishah, të bësh komandantin e ushtrisë, të mbash nën kontroll ushtritë pushtuese, të ndërtosh shtetin dhe, në të njëjtën kohë, të kënaqësh edhe popullin. Sipas një transmetimi, Murati I (Murat Hudávendigár), kur lidhej në namaz duke marrë tekbirin fillestar, ngaqë nuk arrinte ta shihte Qabenë që në tekbirin e parë, vazhdonte me tekbiret derisa Qabeja t’i shfaqej para syve. Një ditë, i doli përballë mësuesit të tij dhe i tha: “Mësues! Mos kam bërë ndonjë mëkat, që nuk arrij ta shoh Qabenë që në tekbirin e parë? Jam në gjendje ta shoh vetëm pas tekbirit të dytë ose të tretë.” Murati I kujton se të gjithëve, duke përfshirë këtu edhe mësuesin e tij, u shfaqet përballë Qabeja sapo marrin tekbirin fillestar, që në çastin kur thonë “Alláhu Ekber”; ai kujton se është i vetmi person që nuk ka mundur ta arrijë këtë gradë!
Po, kjo është atmosfera e namazeve të njerëzve të lartë shpirtërisht. Ata, për të vendosur një marrëdhënie me mëshirën e Zotit, përfytyrojnë para syve të tyre si një gur-shenjë Qabenë, përfytyrojnë nën këmbët e tyre urën e Siratit, atë urë që ngrihet mbi Xhehenemin e fryrë nga flakët e shkëndijat në madhësinë e maleve dhe që mundëson kalimin për në Xhenet, dhe përballen me atë pamje të tmerrshme, përballë së cilës edhe profetët do të thonë “Zoti ynë, na jep shpëtim!”. Duke imagjinuar në anën e tyre të djathtë Xhenetin me të gjitha bukuritë e tij marramendëse, Xhehenemin e tmerrshëm në të majtën e tyre dhe prapa tyre vdekjen, e cila ka zgjatur dorën për t’u ngulur thonjtë dhe që kushedi ku do t’i kapë, kryejnë përballë Zotit të tyre adhurimet, të mbërthyer nga një ndjenjë serioze frike, por edhe plot shpresë. Besimtari, për sa kohë të kapë e të ruajë këtë atmosferë në namaz, do të jetë në gjendje të qëndrojë larg çdolloj mëkati dhe imoraliteti. Në të kundërt, do të hajë shuplakën e fermanit “Ka shumë nga ata që ngrihen (natën) për të falur namaz dhe që nga këto namaze në duar u mbetet vetëm privimi nga gjumi.”.
Si përfundim, mund të themi se namazi është një thellim i vetëdijes, një ndriçim i brendshëm dhe fitim i kënaqësisë së Zotit. Gjendja dhe sjelljet, gjatë të cilave brendësia e njeriut mbushet me frikë e shpresë, shpresë e tmerr, respekt e madhështi dhe të dridhurat pasohen nga rrëqethjet, përbëjnë hushú-në e brendshme të namazit. Vjen një moment dhe robit i bëhet sikur do t’i dalë zemra nga vendi, i duket sikur do të japë shpirt nga çasti në çast; në një moment tjetër kaplohet nga një shpresë e madhe dhe buzëqesh; ndonjëherë, duke e konsideruar si një paturpësi përkarshi Zotit gjendjen e tij të një momenti të caktuar, ndihet i turpëruar dhe e kap një sëkëlldi e paparë, “Unë nuk jam në gradën e të bërit naze.” thotë dhe, brenda një atmosfere të këtillë, kryen namazin e tij.
Po të vijmë tek ana e jashtme e hushú-së, ajo do të thotë që njeriu t’i kryejë brenda një morali serioz gjërat që do të thotë dhe do të bëjë në namaz. Për shembull, të këndohen me vetëdije ajetet që këndohen gjatë namazit, duke e ditur kuptimin e asaj që po thuhet; të kryhet rukuja ashtu siç shpjegohet në librat e fikhut; e njëjta gjë vlen edhe për sexhden dhe çdo pjesë tjetër të namazit. Namazi i besimtarit do të quhet namaz vetëm nëse do ta kryejë atë duke u tejmbushur përbrenda me këto ndjenja. Dhe, kështu, ai do të ketë mundësinë të nxjerrë në bregun e shpëtimit anijen e trupit të tij.
d. Tre elementë të rëndësishëm në namaz
Pjesët e namazit si kijami, leximi i Kuranit, rukuja dhe sexhdeja shprehin vetëm aspektin e formës së tij. Por thelbësore në namaz dhe në pjesët përbërëse të tij janë përmbajtja dhe shpirti. Ashtu siç janë ngrënia dhe pirja të nevojshme për anën tonë trupore, po ashtu edhe namazi është ushqim për shpirtin tonë dhe jetën tonë shpirtërore. Namazi duhet shndërruar në një domosdoshmëri të karakterit tonë. Shpirti mund ta sigurojë ushqimin e tij vetëm nëpërmjet namazit të falur në këtë mënyrë.
Një pikë tjetër, ndaj së cilës duhet treguar kujdes në namaz, është kjo: Ashtu siç nevojitet të qëndrosh larg botës së mendimeve gjatë aktivitetit fizik për zhvillimin akoma më shumë të muskujve të trupit, me qëllimin për të mos e lodhur zemrën, po ashtu, për të zhvilluar shpirtin dhe për t’u shndërruar në një njeri krejtësisht i zemrës dhe shpirtit, është kusht që mendimet në lidhje me këtë botë të nxirren jashtë loje. Sigurisht, lidhja e ngushtë mes kryerjes së kujdesshme të formave të jashtme të namazit dhe kësaj përmbajtjeje nuk mungon.
Një pikë tjetër për t’u pasur kujdes në namaz është të vepruarit sipas sjelljeve të disave gjatë namazit. Një gjë e tillë nuk duhet bërë. Të tjerët mund të bëjnë veprime të ndryshme në namazet e tyre, mund të tundin dorën, krahun apo kokën. Kjo situatë nuk duhet t’i interesojë askujt, gjithësecili duhet të falë namazin e tij. Për më tepër, pavarësisht mënyrës së faljes së namazit nga ana e njerëzve, nuk duhet dyshuar për ta në çështjen e shlyerjes së borxhit karshi Allahut dhe nuk duhet hapur porta e mendimeve negative (suizan), të cilat, në fund të herës, do ta ngarkojnë njeriun me gjynahe. Pastaj, ne nuk jemi gjykues, që të mund të gjykojmë sjelljet dhe veprimet e të tjerëve.
Një çështje tjetër e rëndësishme është edhe kjo: Është e sigurt se gjendja shpirtërore brenda së cilës ndodhet robi dhe ngjarjet që zhvillohen përreth tij do të ndikojnë në namazin e tij. Por ai, duke qenë i vetëdijshëm për të gjitha këto, duhet t’i kapërcejë pengesat me vullnetin e tij dhe duhet ta drejtojë zemrën për te pika e përsosmërisë. Edhe në çastet kur është më i hapur ndaj bekimeve dhe begative, duhet të përpiqet të mendojë vetëm për Atë. Për shembull, edhe sikur të hyjë mes tij dhe Allahut një gjendje ekstaze, e cila do ta bëjë të arrijë në Arshin e të Gjithëmëshirshmit, duhet të jetë në gjendje të thotë menjëherë “Jo, Zoti im! Unë nuk e dua këtë, më mjafton të jem si një nga këta që falin namaz.”.
Një çështje e fundit është fakti se namazi i çdonjërit nga ne ndryshon sipas gradës në të cilën ndodhemi. Po t’ia shpjegoni ju namazin tuaj Imam Rabaniut, ekziston mundësia që ai të qeshë me ju. Ose, sikur Imam Rabaniu t’i tregojë Ibn Arabiut për namazin e vet, mbase edhe ai do të qeshë me të. Sepse dimensionet e çdonjërit prej tyre ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Pikë e rëndësishme këtu është që, te njerëzit me mendime të cekëta në çështjen e namazit, t’u hapet rruga përfytyrimeve që kanë të bëjnë me namazin e vërtetë. Të lëshohesh në det edhe kur je vetëm sa një grimcë, të shndërrohesh nga një pikë uji në oqean... Dhe përtej kësaj, nëse na e mundëson Zoti ynë, të presim gjithashtu nga mëshira e Tij që të na bëjë të arrijmë ato grada, natyrën e të cilave ne as që e dimë në këtë moment.
e. Përqendrimi në namaz
Një besimtar që beson se bashkë me ujin e abdesit derdhen edhe mëkatet e tij, tendosjen metafizike që fiton nëpërmjet abdesit e vazhdon edhe gjatë kohës kur është duke dëgjuar ezanin; madje e shton akoma më shumë atë. Dhe, duke falur menjëherë pas ezanit namazet sunet, arrin në thellësi të ndërthurura me njëra-tjetrën. Meqenëse namazet sunet dhe nafile janë “xhebran lin’nuksan”, pra, plotësojnë mangësitë e namazeve farz dhe mbushin boshllëqet e krijuara mes tyre; meqenëse Zoti i Madhëruar, me fjalët “Robi im nuk mund të më afrohet Mua me ndonjë vepër tjetër më të dashur se adhurimet që ia kam bërë obligim. Robi im, i cili i kryen farzet, vazhdon të afrohet tek Unë nëpërmjet nafileve. Aq sa Unë filloj ta dua atë. Kur Unë e dua robin tim, bëhem veshi i tij që dëgjon, syri i tij që sheh, dora e tij që kap...”, u ka premtuar një afrimitet ekstra atyre që kryejnë nafilet, besimtari përfundon faljen e namazit sunet duke i menduar këto dhe duke e shprehur me gjendjen e tij kërkesën për një afrimitet surprizë me Zotin. Në këtë mënyrë, ai arrin të bëjë një hap shumë të rëndësishëm drejt sigurimit të përqendrimit, të përshkojë edhe distancën e fundit në rrugën e shkrirjes e të bërit njësh me namazin dhe të kalojë në gjendjen e të qenit gati për faljen e namazit farz.
Për një rob kaq të kujdesshëm dhe të ndjeshëm, as që bëhet fjalë ta lërë në pritje namazin. Përkundrazi, ai vihet në pritje të namazit. Dhe kjo gjë është thelbësore për të. Duke marrë abdes para fillimit të namazit, madje, edhe para se të këndohet ezani, dhe duke u tendosur në shoqërinë e ndjenjave të shprehura nga fjalët “Jam plotësisht gati, Zoti im! Në momentin që Ti të kthesh shikimin tek unë, do të shohësh se shikimet e mia janë të drejtuara drejt Teje.”, pret ardhjen e komandës “Hajde, tani mund të dalësh para Meje.”. Zaten, nëse robi nuk ia ka dalë të kapë një tendosje metafizike përgjatë vargut të përgatitjeve që fillojnë që para marrjes së abdesit dhe vazhdojnë deri tek ezani dhe namazi sunet, do të thotë se në këtë punë ka diçka që nuk shkon. Por, edhe në qoftë kështu, është muezini ai që, duke thirrur ikametin para fillimit të namazit farz, lëshon goditjen përfundimtare mbi çdo gjë që e largon njeriun nga mendimet e adhurimit dhe e tërheq drejt gjërave të kësaj dynjaje. Dhe robi, që e ka plotësuar kështu përqendrimin e tij, i zhytur në mendimet dhe përfytyrimet më të thella të adhurimit, thotë “Alláhu Ekber” dhe lidhet në namaz.
Një anë tjetër e kësaj meseleje është kjo: Gjatë Shekullit të Lumturisë, urdhrat e Islamit, fesë sonë të lartë, zbrisnin të freskëta, sikur të ishin nga një sofër e begatë qiellore. Sahabët e nderuar njiheshin çdo ditë me adhurime nga më të ndryshmet. Fjala vjen, një ditë mësonin namazin, ditën pasardhëse dëgjonin ezanin. Dhe, kur ezani, duke kumbuar në veshët e tyre, lëshonte tek ata një rrëqethje dhe emocion krejt ndryshe, me një gjendje të atillë shpirtërore dhe gjithë entuziazëm e falnin namazin. Myslimanët e asaj periudhe kështu i shihnin gjërat që dëgjonin e mësonin: origjinale, plot zbukurime dhe goxha tërheqëse.
Lëshoheshin para forcës tërheqëse të këtyre bukurive marramendëse dhe sikur magjepseshin. Ata merrnin lajme nga përtej qiejve në çdo moment, çdo ditë përballeshin me një surprizë të re dhe jetonin në një lloj brezi surprizash që nuk kishin të ndalur. Vazhdimisht dëgjonin një sure të re apo një ajet të ri, me të laheshin, pastroheshin dhe, kështu, pajiseshin me ndjenja sublime.
Ja pra, me këto pajime qiellore e hyjnore dilnin para Allahut. Rrjedhimisht, atyre nuk u nevojitej një përpjekje apo mund shumë i madh për të arritur tendosjen metafizike, për të kapur përqendrimin e nevojshëm dhe për të qenë gati për kryerjen e adhurimit. Edhe pse nuk e kuptonin këtë gjë, për vetë faktin se vazhdimisht merrnin frymë në praninë e Profetit (s.a.s.) dhe të revelatës hyjnore, në mënyrë të pavullnetshme gjendeshin të mbushur me ndjesi shpirtërore dhe mendime për të përtejmen gjatë gjithë kohës. Dhe, në momentin kur thoshnin “Tani është çasti për të dalë para Zotit!”, ishin në gjendje t’i përqendronin të gjitha ndjenjat e tyre, edhe ato më të hollat, tek adhurimi.
Sa për ne, duke qenë se jemi shumë larg Shekullit të Lumturisë, asaj periudhe kur qielli zbrazte si rrebesh shpalljet hyjnore, nuk mund ta arrijmë atë përqendrim dhe pajim shpirtëror në mënyrë të pavullnetshme. Për rrjedhojë, jemi të detyruar ta kapërcejmë distancën midis nesh dhe atij shekulli nëpërmjet përpjekjes, vigjilencës në vullnetin tonë dhe vendosmërisë sonë. Duhet të përpiqemi për ta ndier origjinalitetin në thelbin e fesë, duke i stimuluar në mënyrë të vullnetshme mendimet dhe përfytyrimet tona. Nëse dëshirojmë ta falim namazin në shoqërinë e ndjenjave më sublime dhe të mendimeve sa më të gjera e të thella, ashtu si sahabët dhe të parët tanë të virtytshëm, jemi të detyruar t’i japim hakun vullnetit tonë edhe në këtë pikë.
Po, ne duhet të shohim se si të jemi gjithmonë plot ndjenja e mendime të pastra; edhe atëherë kur po shkojmë drejt namazit, duke filluar që para marrjes së abdesit, në drejtim të këtyre mendimeve dhe përfytyrimeve të dëlira duhet të përparojmë gjithmonë. Për shembull, fjalët tona të fundit para lidhjes në namaz duhen thurur rreth bisedës për të Dashurin; duhet të flasim rreth një teme në lidhje me Të, për t’i bërë zemrat të ngrihen qirithi. Duhet të mendojmë për çështjet e shprehura nga miqtë e Allahut në lidhje me namazin dhe, kështu, duhet t’i mbërthejmë në mënyrë të vullnetshme ndjenjat dhe mendimet tona te namazi.
Nga ky këndvështrim, largimi ynë nga çdo gjë tjetër përpos Zotit dhe përqendrimi në namaz duke u përgatitur më së miri duket goxha i vështirë. Megjithatë, nuk duhet harruar se sa më shumë vështirësi të ketë një punë, sa më shumë e mundimshme të jetë të mësuarit me të, po aq të shumta janë edhe sevapet që përfitohen prej saj. Për këtë arsye, fjalia “Shpërblimi merret sipas vështirësisë.” është bërë një fjalë e urtë e njohur. Po, sa më shumë të merremi me punë të vështira, sa më të rrëpirta të jenë malet te të cilët ngjitemi, po aq i madh do të jetë edhe shpërblimi ynë. Kështu që, në rrugën për t’u mbushur me ndjenja të bukura dhe për t’i ndier plotësisht adhurimet, po në atë masë do të jetë edhe shpërblimi i një abdesi që do të marrim pa i lënë gjë mangët dhe duke i përballuar vështirësitë me vullnet të plotë.
f. Namazi i lamtumirës
Njeriu duhet ta falë namazin në një mënyrë të atillë, saqë namazi i tij të bëhet shembull edhe për të tjerët dhe sexhdeja t’i shndërrohet në një gëzim me të cilin nuk di të ngopet, lutjet në një ushqim që nuk i shkakton mërzi robit, rukuja në një akt të veçantë, kurse leximi i Kuranit në një harmoni fjalësh të gjalla.
“Fale namazin sikur të ishte namazi i lamtumirës!” Kështu urdhëron Lajmëtari Fjalëdrejtë (s.a.s.). Sa me kujdes dhe përkushtim do ta falnit atë namaz nëse do t’iu thoshnin se iu ka mbetur aq jetë sa për të falur vetëm një namaz! E pra, kështu duhet ta falni çdo namaz. Po, namazi që falet duke sjellë në mendje fjalët “Ky mund të jetë namazi im i fundit.” është namazi i lamtumirës.
Po, namazi është gjëja më e bukur që mund të bëjë njeriu në jetën e tij dhe ashtu duhet të jetë. Kujtimet më të ëmbla të jetës në lidhje me namazin duhet të jenë. Sepse nëpërmjet namazit bëhet e mundur ngjitja në miraxh. Përmes namazit arrihet tek Allahu, para profetëve nëpërmjet namazit dilet.
g. Tre nivelet e namazit
Ne mund ta gjykojmë namazin në tre nivele të ndryshme:
Namazi që kryhet si obligim: Në këtë nivel përfshihen namazet, kryerja e të cilëve është kthyer disi në rutinë dhe që kufizohen vetëm me përmbushjen e urdhrit të Zotit të Madhëruar. Duke marrë parasysh faktin se ekziston mundësia që një person të mos falë fare namaz, sigurisht, edhe ky është një nivel. Megjithatë, edhe pse shpëtojnë nga përgjegjësia e braktisjes së namazit, ata që zotërojnë një namaz të këtillë nuk janë në gjendje të përfitojnë plotësisht nga bekimet, begatitë dhe dobitë që sjell namazi.
Namazi që të mbron nga të këqijat: Namazi i mbron njerëzit nga imoraliteti dhe gjithë ato të këqija që feja i konsideron të shëmtuara. Po, Allahu i Plotfuqishëm i ka dhënë namazit një veçori të tillë. Por përfitimi në këtë masë nga namazi është i mundur me kapjen e shpirtit të namazit. Çdo namaz i falur me vetëdije dhe ndërgjegjshmëri të lartë e rrethon të zotin e tij si një atmosferë mbrojtëse dhe, në këtë mënyrë, nuk lejon që e keqja të gjejë ndonjë shteg dhe të arrijë tek ai. Profeti ynë (s.a.s.) e shpjegon këtë veçori të namazit duke dhënë si shembull pastrimin nga papastërtitë të personit që lahet pesë herë në ditë në lumin që kalon para derës së shtëpisë së tij. Zaten, kjo veçori e namazit është ajo që na ruan e na mbron nga të këqijat, të cilat vërshojnë drejt nesh pa pushim. Në të kundërt, si do të ishte e mundur që shpirti ynë t’u bënte ballë kaq shumë shëmtive!
Namazi në dimensionet e miraxhit: Namazi, çdo minutë e të cilit të bën të fitosh vite të tëra, është namazi me nuanca miraxhi. Kapja e një namazi të tillë është shumë e vështirë, por jo e pamundur. Ky namaz u mundësohet vetëm shpirtrave të dalluar. Dhe, meqë qenka e mundur një gjë e tillë, të gjithë duhet të përpiqemi, të mundohemi të kapim një namaz të këtillë të paktën në ndonjë periudhë të caktuar të jetës sonë.
Këtu vlen të sjellim ndër mend edhe këtë: Namazi është, mbi të gjitha, një obligim; për rrjedhojë, edhe sikur të mos kryhet në nivelin dhe cilësinë e dëshiruar, duhet të falet patjetër. Të lësh namazin me pretekstin se nuk je në gjendje të falësh namaz cilësor e me nivel nuk është një shenjë vetëdijeje apo e të qenit i ndërgjegjshëm, përkundrazi, do të thotë të biesh në një situatë qesharake edhe për vetë djallin; besimtarët nuk duhet të lejojnë të vihen në lojë në këtë mënyrë.
Nga ana tjetër, namazi ka pjesët dhe kohët e tij të caktuara. Dhe askush nuk ka të drejtën e as autoritetin për të vepruar me to sipas dëshirave dhe tekave të veta personale. Ata që ia njohin vetes një të drejtë të tillë janë pa dyshim persona që i janë nënshtruar shejtanit, i cili u është afruar nga e djathta. Ajo që ata thonë është shenjë dhe dëshmi jo e shkencës, as e dijes, por e kësaj disfate përballë djallit.
h. Dashuruesit e namazit
Adhurimet si dhikri, duaja dhe namazi nafile duhen bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe me këmbëngulje, që, me kalimin e kohës, të zhvillojnë te ne një natyrë të dytë. Për shembull, nëse mësoheni të falni katër rekate në vend të një namazi nafile dyrekatësh dhe vazhdoni ta falni rregullisht atë namaz, kur të vijë dita dhe të tentoni për ta lënë pa falur, do të thoni “Mos, e bëmë edhe sot një të pabërë!”. Një mendësi e tillë lind nga zhvillimi i disa aftësive që zaten ekzistojnë te njeriu (duke i përdor ato aftësi) dhe nga të qenit zotërues i shpirtit.
Interesi që tregoi Udhëzuesi i adhuruesve, Profeti ynë Famëlartë (s.a.s.) ndaj namazit ka nxitur një dëshirë të thellë ndaj “thelbit të adhurimeve” edhe te zemrat e atyre që ndjekin gjurmët e Tij. Qëndrimi gjithë ndjeshmëri mbi adhurimin e namazit nga ana e të Dërguarit të Nderuar (alejhi ekmelut’tehájá), që ka thënë “Namazi është drita e syve të mi.”, që e tregon me çdo gjendje të tijën dëshirën dhe dashurinë ndaj namazit, atë dëshirë shumë më të zjarrtë se dëshirat e të tjerëve ndaj ca gjërave të tjera, që qëndronte në kijam deri kur i enjteshin këmbët e tij të bekuara, që ndonjëherë nuk kalonte në ruku pa i lexuar disa xhuze në një rekat, që nga zemra plot frikë e të Cilit vinte zëri i dënesave të tij si zhurma e një mulliri dore apo e një tenxhereje që po zien dhe që përpëlitej nga respekti për Allahun kur bënte sexhde, bëri që edhe sahabët e nderuar të shndërroheshin në dashurues të namazit.
Aq sa, po të shprehemi nëpërmjet fjalëve të Fudajl ibn Ijadit, mëngjesi i gjente sahabët të zbehur e me fytyra të zverdhura. Sepse pjesën më të madhe të natës e kalonin në namaz. Ndonjëherë qëndronin për orë të tëra në kijam, herë të tjera zgjatnin qëndrimin në sexhde. Kur i hapnin zemrën Zotit të Madhëruar, lëkundeshin siç lëkunden pemët në një ditë me erë; nga sytë e tyre rridhnin aq shumë lot, sa për të qenë të mjaftueshëm për të lagur rrobat e tyre dhe vendin. Kënaqësia e namazit i bënte ta harronin lodhjen fizike dhe të kërkonin që ato minuta ribashkimi të mos mbaronin kurrë. Kur vinte mëngjesi, lyenin fytyrat me vaj, lyenin sytë dhe ashtu dilnin mes njerëzve, sikur ta kishin kaluar natën në gjumë dhe të ishin çlodhur mirë.
Omeri (r.a.), teksa po humbte ndjenjat për shkak të plagës së hapur në gjoks nga një goditje me thikë, kur dëgjonte dikë të thërriste “Namazi, o udhëheqësi i besimtarëve!”, “Ja, po çohem!” thoshte dhe e sforconte veten për t’u drejtuar, por, me gjakun që humbte në çdo lëvizje që bënte, binte përtokë gjithnjë e më i rraskapitur. Po në namaz ndodhte për njeriun e dashuruar pas namazit ribashkimi me dashurinë e tij. Dhe, në çastin kur vinte ballin në tokë për t’u lutur e për t’iu përgjëruar Zotit, rënkonte me plagën e hapur në gjoks.
Gjendja e Aliut (r.a.) nuk ishte dhe aq e ndryshme nga ajo e Omerit; edhe ai zverdhej e zbehej kur shkonte për të falur namazin dhe atyre që e pyesnin: “Ç’është kjo gjendje kështu, o udhëheqësi i besimtarëve?”, u përgjigjej me fjalët “A nuk e dini se jam duke shkuar për të kryer amanetin?”. Edhe ai, ashtu si Omeri (r.a.), u godit me thikë teksa po shkonte për të falur namazin dhe në atë rrugë ia dorëzoi shpirtin Allahut.
Sa e mahnitshme është kjo gjendje e një prej shokëve të Profetit, që e kishte përkapur kuptimin e të gjendurit para Zotit, e kishte ndier shijen e Kuranit dhe që na bën të kuptojmë dëshirën e madhe të atyre njerëzve karshi namazit:
Profeti ynë (s.a.s.), në luftën e Zátur-Riká, Amar ibn Jasirin (r.a.) dhe Abad ibn Bishrin (r.a.) i kishte caktuar për të bërë detyrën e rojës së natës në vendin ku kishin vendosur të çlodheshin e të kalonin natën. Pasi kaloi ca kohë dhe Amari (r.a.) vendosi të merrte një sy gjumë, Abad ibn Bishri (r.a.) u ngrit dhe filloi të falte namaz. Në atë moment, një mushrik, i cili i kishte vërejtur dy sahabët që po bënin rojë, filloi të gjuante drejt tyre me shigjeta. Edhe pse në trupin e tij u ngulën dy-tri shigjeta, Abadi nuk e la në mes namazin. Shokun e tij e zgjoi vetëm pasi mbaroi edhe kryerjen e rukusë dhe sexhdes. Amari, pasi u zgjua duke kërcyer nga vendi, nga njëra anë pa mushrikun që po ia mbathte me të katra, nga ana tjetër, duke treguar me dorë shigjetat e ngulura në trupin e Abad ibn Bishrit (r.a.) dhe gjakun që po i rridhte, pyeti i merakosur se përse nuk e kishte zgjuar nga gjumi që në momentin kur kishte marrë goditjen e parë. Abadi iu përgjigj me këto fjalë, të cilat mund t’i thoshte vetëm një dashurues i namazit: “Po këndoja një sure (Kehf), (aq të ëmbla e të këndshme qenë ato ajete, saqë) nuk desha ta ndërprisja namazin pa e përfunduar atë. Por, kur shigjetat filluan të vinin njëra pas tjetrës, përfundova namazin dhe të zgjova. Betohem në Zot se, po të mos shqetësohesha për përmbushjen e urdhrit të Profetit tonë (s.a.s.), në vend të lënies përgjysmë të asaj sureje dhe të ndërprerjes së namazit, do të kisha zgjedhur vdekjen.
Po, kur besimtari qëndron në namaz, harron çdo gjë rreth e rrotull tij.
“Nuk e dija kështu veten time
Ai është unë apo unë jam Ai?”
(Gedáí)
Ashtu siç shprehet edhe në këto vargje, besimtari kalon nga vetvetja dhe arrin në një gjendje të atillë, saqë nuk njeh as veten. Zaten, nuk është e mundur që një person të dalë para Zotit me qëllimin për të kryer këtë detyrë dhe të mendojë gjëra të tjera; në qoftë se mendon për gjëra të tjera, edhe sikur të ketë dalë e të ketë qëndruar para Zotit, do të thotë se nuk po ia jep hakun këtij qëndrimi. Njeriu, ose do t’ia kthejë shpinën gjithçkaje tjetër dhe do t’i drejtohet Zotit me një zemër të paqme, ose do të sorollatet me zemrën në një luginë e trupin në një luginë tjetër dhe, në këtë mënyrë, nuk do të jetë në gjendje të marrë frytet e asaj çfarë bën.
Ja, pra, brenda këtij misteri gjen kuptim të qëndruarit në namaz. Të mbesësh vetëm për vetëm me Zotin, t’i nxjerrësh nga zemra e t’i flakësh tutje dynjanë dhe çdo gjë tjetër përveç Zotit, madje, të harrosh edhe nefsin tënd e të kalosh nga vetja... Dhe të përpiqesh për të qenë i suksesshëm në faljen e një namazi të këtillë, qoftë edhe për një herë të vetme.
i. Qindra rekate namaz çdo ditë
Po, sahabët nuk ngopeshin kurrë me adhurimet, veçanërisht me namazin. Edhe trimat e të Vërtetit, të cilët merrnin mësim prej tyre, po rriteshin si heronj të namazit. Për shembull, Ata ibn Ebi Rebah (r.a.), edhe gjatë viteve të pleqërisë, atëherë kur ndihej i dobët dhe i pafuqishëm, në një rekat të namazit këndonte njëqind ajete të sures Bekare. Përqendrimi në namaz e bënte të mos e ndiente lodhjen e trupit.
Në lidhje me Shu’be ibn Haxhaxhin, i cili ishte një nga imamët e mëdhenj të pasuesve të pasuesve të sahabëve (tebei tabiin), Muslim ibn Ibrahimi thotë kështu: “Sa herë që shkoja pranë Shu’bes, duke përjashtuar këtu rastet në kohët e kerahetit, e gjeja duke falur namaz.” Ebu Katani shton edhe diçka tjetër: “Po të ishit dëshmitarë të kohës që kalonte në ruku Shu’beja, do të thoshit ‘Me shumë mundësi, harroi të ulet në sexhde.’; po ta shihnit atë tek ulej pas sexhdes së parë, ‘Me shumë gjasë, harroi të bëjë sexhden e dytë.’ do të thoshit këtë herë.”
Ja pra, në këtë periudhë kohore, gjatë së cilës patën jetuar këta dashurues të namazit, falja e namazeve nafile njëqindrekatësh ishte një gjë pothuajse e zakonshme. Aq shumë faleshin ata, saqë mund të themi se, për pjesën më të madhe të tyre, udhëtimi drejt së përtejmes fillonte te sexhadja. Për shembull, Ebu Ubejde el Basriu, i cili ishte nga brezi i pasuesve të sahabëve (tabiin), ndërroi jetë gjatë faljes së namazit, kur po qëndronte në kijam. Në atë periudhë, numri i miqve të Allahut si Uehb ibn Munebih, Tavus ibn Kejsan, Said ibn Musejeb dhe Imam Adhami, të cilët përgjatë tridhjetë-dyzet vjetëve e patën falur namazin e sabahut me abdesin që merrnin para faljes së namazit të jacisë, nuk ishte aspak i vogël. Për tridhjetë vjet rresht, Xhunejd Bagdadiut nuk i pati ndodhur asnjëherë që të mos e kapte faljen e namazit me xhemat, madje, as në tekbiret fillestare të tyre nuk pati munguar asnjëherë. Nëse ndiente në zemër, sikur edhe fare pak, praninë e mendimeve në lidhje me dynjanë, nëse kuptonte se nuk po e ndiente në ato çaste të vërtetën e namazit, faljen e atij namazi e përsëriste edhe një herë. I ishte bërë zakon të falte katërqind rekate namaz nafile çdo ditë. Për një periudhë kohore tridhjetëvjeçare, netët i pati kaluar vetëm me adhurim, pa fjetur fare pas namazit të jacisë. Edhe Ebu Osman Nehdiu, i cili ishte nga ata që e kishin arritur epokën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), por që nuk kishin mundur ta shihnin Atë (muhadramún), mes namazit të akshamit dhe atij të jacisë falte njëqind rekate namaz. Sulltanë të botës së zemrës si Bishr ibn Mufadali dhe Bishr ibn Mansuri ishin gjithashtu mes atyre që falnin përditë nga katërqind-pesëqind rekate namaz nafile. Transmetohet gjithashtu se edhe Harun Rashidi, një nga kalifët më të shquar të shtetit Abasi, ka falur çdo ditë nga njëqind rekate namaz deri në çastin kur ndërroi jetë, duke përfshirë këtu edhe periudhën e kalifatit të tij, gjatë së cilës i duhej të merrej njëkohësisht edhe me punë të kësaj dynjaje, edhe me punët administrative të shtetit. Dhe duhet thënë se, për sa i përket vënies në pah të dëshirës së zjarrtë ndaj adhurimeve, që i mbështillte shpirtrat në ato kohë, ky përbën një shembull të rëndësishëm dhe të bukur.
Në fakt, po të marrim në shqyrtim librat biografikë, do të jetë e mundur që, në lidhje me këtë temë, të gjejmë edhe shumë shembuj të tjerë. Dhe do të shihet se, në mesin e të parëve tanë të lartë e të devotshëm, numri i atyre që falnin me qindra rekate namaz në ditë nuk është aspak i vogël.
Meqë ra fjala, më duhet të përmend edhe këtë: Nuk ka vështirësi në fe; Islami bazohet në lehtësimin. Profeti ynë i dashur (s.a.s.), edhe pse vetë vazhdonte me faljen e namazit derisa i ënjteshin këmbët, anëtarët e umetit të Tij i këshillonte të mjaftoheshin me aq sa ishin në gjendje të bënin dhe të mos merrnin përsipër detyra apo punë që nuk do t’i përballonin dot, qofshin këto edhe lloje adhurimesh. Nga ky këndvështrim, çështja e të ndierit plotësisht namazin, ashtu si edhe ajo e faljes namaz sa më shumë, është çështje niveli dhe zemre. Kur flitet për adhurimet, të gjithë besimtarët nxiten gjithmonë drejt horizonteve sa më të largëta, si në aspektin cilësor, po ashtu edhe në atë sasior, por, në këtë drejtim, as që bëhet fjalë për detyrim.
Në fakt, edhe Shkruesi i Mesazheve të Dritës (Risale-i Nur), duke thënë se një orë në ditë është e mjaftueshme për pesë faljet së bashku me marrjen e abdesit, ka nxjerrë në pah lehtësinë në thelbin e fesë dhe ka treguar këtë rregull objektiv. Pra, kur bëhet fjalë për një dispozitë që i përfshin të gjithë njerëzit, bazuar në parimin se duhen marrë parasysh edhe ata që ndodhen në kushte të vështira dhe të pafavorshme, jemi të detyruar të themi se ata besimtarë që gjenden në kushte aspak të përshtatshme duhet t’i falin patjetër namazet, qoftë edhe duke e kufizuar kryerjen e tyre bashkë me abdesin brenda një intervali kohor njëorësh. Për më tepër, duke thënë “As mos e ço ndër mend të thuash: ‘Çfarë janë faljet e mia në krahasim me të vërtetën e faljeve!’ Sepse fara e një hurme, ashtu si vetë pema e hurmës, përshkruan pemën e saj.”, Ustadi i nderuar na e ka bërë të qartë se në fletoren e veprave, edhe për një njeri të thjeshtë që falet, por që nuk e ka kuptuar thelbin e namazit dhe nuk e ndien atë në zemrën e tij, ai namaz do të regjistrohet gjithsesi si një hise adhurimesh. Siç ka shumë grada nga fara e hurmës deri te një pemë e përsosur hurme, edhe namazet janë shkallë-shkallë, por, pavarësisht kësaj, namazi i çdo shkalle përfiton patjetër nga nuri i adhurimeve. Këto thënie të Bediuzamanit janë për të mos thyer krejtësisht shpresat e analfabetëve si puna jonë, për t’i shpëtuar njerëzit nga rënia në pesimizëm dhe për të vënë në dukje atë që është objektive. Po, Zoti i Plotfuqishëm mundëson shpërblim për namazin e gjithësecilit; por ajo mbi të cilën po fokusohemi ne këtu është e vërteta e namazit, shpirti dhe thelbi i tij.
Në këtë aspekt, një besimtar duhet t’i falë namazet, së paku namazet farz, në cilësinë e “kryerjes” së tyre. Pra, ai duhet t’i përmbushë të gjitha shtyllat dhe pjesët e tjera përbërëse të namazit në përshtatje me mënyrën e duhur të kryerjes së tyre dhe duhet të përpiqet për ta vazhduar namazin gjithmonë me entuziazmin dhe emocionet si ato të ditës së parë, pa lejuar që ai të zbehet e të çngjyroset dhe duke vepruar ashtu siç thotë Said Nursi në librin e tij “Shenjat e Mrekullisë”: “Të veprosh në përputhje me kuptimet e “kryerjes” së namazit si falja e tij me korrektësi, seriozitet, vijimësi dhe duke e ruajtur veten...” Të paktën pesë herë në ditë duhet të vrapojë për tek ai burim uji të ëmbël, të lahet e të pastrohet me të dhe, pasi të pastrohet nga gabimet dhe mëkatet, me një gjendje shpirtërore krejtësisht të pastër, t’i drejtohet Zotit të Lartësuar sikur të ishte duke u ngjitur në miraxh në çdo kohë të namazit.
4. Farat e namazit
Fjali të veçanta si tekbiri (Alláhu Ekber), tesbihu (Subhánalláh), tahmidi (Elhamdulil’láh), Fatihaja dhe Tahijatu përbëjnë farat e namazit. Kjo është arsyeja pse ne themi se kuptimet e fjalëve “Subhánalláh”, “Elhamdulil’láh” dhe “Alláhu Ekber” janë të fshehura në të gjitha lëvizjet dhe dhikret e namazit. Siç ka thënë edhe i nderuari Bediuzaman, ne, nga tekbiri fillestar (iftitah) deri në çastin kur japim selam, me fjalët, gjendjen dhe sjelljet tona, ose lavdërojmë Allahun e Madhëruar duke thënë “Subhánalláh”, ose shprehim ndjenjat tona falënderuese dhe të lavdërimit të Zotit nëpërmjet fjalës “Elhamdulil’láh”, ose e lartësojmë Atë duke thënë “Alláhu Ekber”.
Ashtu siç është quajtur tekbiri që thuhet në fillim të namazit “tekbiri iftitah”, për vetë faktin se me të fillon ky adhurim, duke qenë se nëpërmjet këtij tekbiri fillon edhe koha kur është e ndaluar kryerja e ca veprimeve të tjera (veprimet që nuk lejohen të bëhen gjatë namazit), është emërtuar gjithashtu edhe si “tekbiri tahrim” ose “tekbiri ihram” (tekbiri i ndalimit). Në fakt, ky tekbir mbart kuptimin e hedhjes së hapit brenda rrethit të haremit duke ia ndaluar vetes çdo gjë tjetër përveç Zotit, të lënies së gjithçkaje që i përket dynjasë prapa derës dhe të dhënies së fjalës për t’iu drejtuar vetëm Sulltanit të Universit. Do të thotë të qëndisësh të gjitha minutat, sekondat dhe të qindtat e sekondës së namazit me shpirtin e tahmidit dhe tekbirit që nga ai moment; në një kuptim, do të thotë besëlidhje për t’u bërë njësh me namazin, për t’u shndërruar i tëri në namaz. Nëse do t’u kërkohej engjëjve të vizatonin shëmbëllimin në botën e ndërmjetme të robit që e kryen namazin duke e çuar në vend këtë fjalë të dhënë, me shumë gjasë, përpara syve do të na shfaqej piktura e namazit; ai njeri mund të paraqitet vetëm si një namaz i mishëruar.
Po, nëse dëshironi ta kryeni namazin ashtu siç duhet, me marrjen e tekbirit fillestar duhet të shkëputeni nga çdo gjë që ka të bëjë me këtë botë, duhet t’ia hapni zemrën vetëm Atij dhe duhet të vulosni me vulën e ndërgjegjes suaj çdo fjalë që rrjedh nga mesi i buzëve tuaja. Për shembull, kur thoni “Elhamdulil’láh”, duhet ta dini mirë atë çfarë shpreh kjo fjalë, duhet të mendoni thellësisht në lidhje me të dhe të ulërini me fjalët “Të gjitha falënderimet, mirënjohja dhe të gjitha lavdërimet i përkasin vetëm Allahut (Tebáreke ue Teálá); shpallja e kësaj të vërtete është detyrë e imja dhe e drejtë e Krijuesit të Universit.”. Në këtë mënyrë, ajo fjalë, teksa ngjitet për tek Allahu i Madhëruar, duhet të ngjitet bashkë me ato kuptime të thella që i keni ngarkuar mbi të.
Ndërsa shpallni që Ai është i Gjithëmëshirëshmi dhe Mëshirëploti, me të njëjtat ndjenja të thella duhet të mbusheni përsëri. Kur shprehni të vërtetën e “Máliki jeumiddín”, kuptimet që ajo përfshin duhet t’ia vini përsipër si një vulë dhe ashtu duhet t’ia dërgoni Zotit të Madhëruar. Edhe ju duhet ta shihni namazin si një miraxh dhe duhet të përpiqeni të ndieni nga horizonti juaj i të kuptuarit të vërtetat që ndjeu në Miraxh i Dërguari i Allahut (s.a.s.).
Duhet të lartësoheni hap pas hapi, duke i hurbur të gjitha kuptimet e namazit, të takoheni në katin e parë të qiejve me Ademin (a.s.), në të dytin me Jahjanë dhe Isain (a.s.), në të tretin me Jusufin (a.s.) dhe në katet e tjera me Idrisin, Musain e Ibrahimin (a.s.), të mësoni nga jeta e secilit prej tyre, të arrini dëlirësinë e të qenit pranë tyre dhe, pasi të hidhni edhe një hap tjetër, të ndiheni sikur keni hyrë në haremgjahun hyjnor. Dhe, sapo të jepni selam në fund të namazit, me frikën se mos nuk keni vepruar në përputhje me etikën e të qëndruarit para Zotit të Madhëruar, duhet të ngrini duart edhe një herë, të hidhni sërish shikimin për nga dergjahu hyjnor me fjalitë e tesbiheve, tahmideve dhe tekbireve, dhe t’i përsërisni nga tridhjetë e tri herë ato fjalë të bekuara, të cilat përforcojnë kuptimin e namazit.
Në lidhje me tesbihatin që bëhet pas namazit mund të mendohet kështu: Këto fjalë, të cilat i përmenda imtësisht gjatë namazit, po i përmend edhe një herë pas namazit, përmbledhtazi. Sado që i kam përmendur ato në namaz, akoma nuk jam ngopur me to. Le ta kujtoj Allahun edhe një herë pas namazit me këto shprehje.
E pra, nuk mund t’i biesh shkurt namazit kur ai nevojitet të kryhet me mendime e ndjenja kaq të thella; përgatitjet e nevojshme para namazit duhet t’i kryeni plotësisht, kurse namazin duhet ta falni në përshtatshmëri me kuptimin e tij.
Dimensioni i meditimit në namaz
Këto shprehje, të cilat përbëjnë thelbin e namazit, janë gjithashtu edhe bazat e adhurimit dhe të të qenit rob i Zotit, janë elementë shumë të rëndësishëm për botën e meditimit të besimtarit. Me fjalë të tjera, shprehjet e sipërpërmendura janë fjali shumë të rëndësishme që shprehin zbrazjen e besimtarit pasi është mbushur me meditim. Për më tepër, secila prej këtyre shprehjeve shpreh admirimin e besimtarit përballë të vërtetave në univers. Nëse dëshironi, tani le t’i zgjerojmë pak më shumë këto vlerësime që bëmë përmbledhtazi:
Ekziston një thënie e bukur, sipas së cilës “Namazi është miraxhi i besimtarit.” Profeti ynë (s.a.s.) u ngjit lart në qiej me trup dhe me shpirt, arriti në majat mbi çfarëdolloj grade, pa – me lejen e Allahut dhe si një mirësi e mundësuar prej Tij – atë që duhej të shihte dhe, më pas, u kthye sërish mes njerëzve. Nëse përqendrohet mirë, besimtari mund ta arrijë këtë horizont në imagjinatën, shpirtin dhe mendjen e tij dhe, në këtë mënyrë, mund të përjetojë në hijen e miraxhit të vërtetë një miraxh relativ.
Njeriu, ndërsa bën këtë miraxh mendor dhe shpirtëror, vrojton ajetet (argumentet) në lidhje me universin dhe botën e brendshme të njeriut dhe gjen lidhje mes tyre dhe ajeteve të Kuranit. Në atë moment, që është njëkohësisht edhe në tokë, i bëhet sikur koka e tij ka kapërcyer atmosferën dhe ka arritur përtej qiejve. Po, nëse ia vë pak veshin shpirtit të tij, njeriu gjithmonë mund ta kapë këtë atmosferë.
Pas kësaj, me ndihmën edhe të ajeteve të Kuranit, para jush shfaqen tablo ngjyra-ngjyra, të cilat, ashtu siç mund të dalin nga nefsi juaj, mund të jenë edhe tablo të lindura nga universi; dhe me ç’gjëra shumëngjyrëshe do të përballeni ju në secilën nga këto tablo! Në fakt, harmonia që ekziston në gjithë universin, në materie dhe në trupin e njeriut, harmonia në marrëdhëniet mes njeriut dhe universit është e atillë, saqë është e pamundur të pretendosh për më shumë se aq.
Përballë një panorame të këtillë, ju do të thoni “Në këtë punë nuk mund të jetë përfshirë asnjë dorë tjetër. Pas këtij rregulli dhe kësaj harmonie qëndron vetëm Allahu!” dhe, duke i ndier ato në çdo grimcë tuajën, do të bërtisni me fjalët “Subhánalláh!”. Sapo të merrni tekbirin, duke thënë “Subhánekalláhumme ue bihamdik”, duke i përmendur bashkë falënderimin ndaj Allahut, lartësimin dhe përmendjen e Tij, do të thoni: “Falënderimet të takojnë Ty, që na e mundësove ta ndiejmë këtë. Ne Ty të përmendim, Ty të lartësojmë dhe dëshmojmë se Ti ekziston dhe se je i Pashoq, i Patëmetë dhe i Shenjtë!” Për aq kohë sa këto do të vazhdojnë të tingëllojnë rreth e rrotull si zëri dhe frymëmarrjet e zemrës, njeriu do ta ndiejë veten brenda një melodie ekstaze dhe kënaqësish shpirtërore.
Ndonjëherë, këto mendime të thella ndiqen nga dëgjimi i atyre ngjarjeve marramendëse në univers. Në lidhje me këtë temë, një njeri i dijes thotë kuptimisht kështu: “Aq madhështore është harmonia në këtë univers të madh, saqë, ashtu siç nuk ka mundësi të përplasen dy anije që lundrojnë në ujërat e dy deteve të ndryshëm, po ashtu nuk mund të bëhet aspak fjalë për përplasjen e sistemit tonë diellor me ndonjë sistem tjetër apo atë të dy trupave qiellorë me njëri-tjetrin.”
Po, kur shikon këtë rregull dhe rend madhështor në univers, njeriu nuk mund të rrijë pa thënë “Ç’vepër e mrekullueshme kjo, e një fuqie madhështore!”. Pastaj, për të marrë frymë thellë edhe një herë nëpërmjet meditimit, thotë “Alláhu Ekber” dhe përulet para Krijuesit të gjithësisë. Në varësi të situatës në të cilën ndodhet dhe të ajeteve që po reciton, ose mendon begatitë, që Allahu i Plotfuqishëm na i mundëson nga qielli dhe toka, dhe mbushet me ndjenja falënderuese dhe lavdëruese ndaj Tij, ose, duke i konsideruar gjërat e dhëna si kredenciale të atyre që do të jepen në të ardhmen, gëzohet. Kështu, përsa i përket ndjenjave dhe mendimeve të tij, ai buçet sikur të ishte gjithmonë duke përparuar drejt Tij; me fjalët që reciton ndërton lidhje mes gjërave që dëgjon dhe ndien; shpreh ndjenjat me fjalë të bukura e në përshtatje me pjesët e namazit dhe, duke u thelluar gjithnjë e më shumë, vazhdon udhëtimin e tij.
Po, fjalët e shenjta si Subhánalláh, Elhamdulil’láh dhe Alláhu Ekber, të cilat përmenden shumë në namaz, në një aspekt, janë zëri dhe fryma e robërisë ndaj Zotit, janë shenjat e pjesëve të ndryshme të së vërtetës së miraxhit.
Ne, teksa jemi duke kryer adhurimet tona përkarshi Zotit të Madhëruar, të gjitha ato çfarë shohim, dëgjojmë dhe ndiejmë i shprehim në formën e tesbiheve, tahmideve dhe tekbireve. Themi “Elhamdulil’láh” për të gjitha mirësitë e begatitë që na ka dhënë, materiale e shpirtërore; përballë faktit të të qenit i Pashoq të Allahut, themi në formë madhërimi “Subhánalláh”; duke thënë “Alláhu Ekber”, për t’u dorëzuar tek Ai me vogëlsinë tonë dhe për të shpallur madhështinë e Tij, mundohemi të shfaqim përballë Hyjnisë Gjithëpërfshirëse një adhurim sa më të plotë.
Surja Fatiha është përmbledhja dhe thelbi i Kuranit. Është e mundur që të gjitha të vërtetat e Kuranit të vërehen në një formë të përmbledhur te Fatihaja. Për rrjedhojë, duke parë aty madhështinë e Allahut të Madhëruar dhe duke u tromaksur përballë saj, ndonjëherë themi “Alláhu Ekber!”, që ka kuptimin “Zoti im, Ti je më i Madhi!”, ndonjëherë tjetër na bëhet sikur jemi duke notuar brenda begative të Xhenetit, e ndiejmë veten brenda mundësive që do të na bëjnë t’i arrijmë ato begati dhe, duke parë ngjitjen tonë nëpër shkallët shpirtërore si një mirësi e Allahut ndaj nesh, - të njëjtat gjëra vlejnë edhe për adhurimet e tjera si agjërimi, zekati dhe haxhi – themi “Elhamdulil’láh”. Herë tjetër, duke thënë “Allahu është Ai që përgatit marrëdhënien mes kësaj bote dhe botës tjetër.”, i sjellim në mendje të gjitha këto kuptime, që, në fakt, përfshihen shkurtimisht në suren Fatiha.
Sa i përket lutjes “et’Tehijjátu”, ajo na e kujton më qartë miraxhin. Miraxhi është adhurimi i Profetit tonë (s.a.s.) ndaj Allahut dhe – thënë ndryshe – shprehja e arritjes së gradës më të lartë të përsosmërisë, duke shkuar përtej detyrës që kërkohej prej tij, pra, atë të të qenit rob i Zotit. Po, Allahu i Madhëruar i hapi Profetit tonë (s.a.s.) një derë në emër të adhurimeve e të të qenit rob i Tij dhe i kërkoi të kalonte në përputhje me rregullat e kalimit përmes asaj dere. Dhe Profeti ynë (s.a.s.), në një mënyrë që nuk do t’i mundësohet askujt tjetër dhe me një thellësi dhe përsosmëri të jashtëzakonshme, kaloi nga ajo derë ashtu siç tregohet në ajetet “Pastaj iu afrua e iu lëshua, sa largësia midis dy harqeve ose edhe më afër...”
Miraxhi, më shumë sesa ai i të qenit Profet, është rezultat i adhurimeve të Tij ndaj Zotit, i të qenit rob i Tij. Në atë kohë kur njerëzit i kishin kthyer shpinën të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), i Cili nuk i sakrifikoi adhurimet e tij as në situatat më të vështira, miraxhi qe pasqyrimi i dritës së Njësisë Hyjnore brenda sekretit të Unitetit.
Në atë periudhë ogurzezë, kur Kurejshët thanë “Nuk do të jepni vajza për martesë tek ata e as nuk do të merrni vajza prej tyre, nuk do t’u shisni asgjë atyre nëpër çarshi e pazare dhe do t’i ndërprisni të gjitha marrëdhëniet me ta derisa i gjithë fisi Hashim të shkatërrohet në Shi’bi Ebí Talib.”, pra, në momentin kur, në pamje të parë, dukej sikur të gjitha shkaqet për shpëtim kishin heshtur, Allahu i Madhëruar, për t’ia ledhatuar zemrën dhe për t’ia riparuar nderin e thyer nëpërmjet një trajtimi të veçantë, i mundësoi Profetit tonë (s.a.s.) Miraxhin.
Kjo periudhë është gjithashtu edhe periudha kur Profeti ynë (s.a.s.), krahas gjithë atyre negativiteteve, u përball edhe me dy fatkeqësi të mëdha. Njëra prej tyre ishte vdekja e Ebu Talibit, xhaxhait të tij, ndërsa tjetra ishte humbja e Hatixhes së Madhe, bashkëshortes së tij të parë (r.a.). Për të bërë të mundur mjekimin e plagëve të Profetit tonë të dashur, Allahu i Plotfuqishëm, duke thënë “Pavarësisht të gjithëve dhe gjithçkaje, më ke Mua sa për të gjitha botët!”, e ngushëlloi dhe e kurorëzoi Atë me Miraxhin.
Të gjitha namazet, lutjet, agjërimet dhe vuajtjet e Tij u bënë shkak që Ai (s.a.s.) të ngrihej në Miraxh, t’i shpjegonte popullit domethënien e namazit, lutjes, agjërimit dhe që të gjitha këto të bëheshin shkallë të asaj ngjitjeje. Përpos Profetit tonë (s.a.s.), nuk ka një profet të dytë që t’i jetë mundësuar një nderim i tillë. Çdo profet mund të ketë dalë para Allahut në shpirtin e vet, mund të jetë nderuar me afrimitetin ndaj Tij. Por qerasja me soditjen e të gjithë qiejve dhe xheneteve me të gjitha cilësitë e tyre, për ne të panjohura, i është mundësuar vetëm Muhamed Mustafasë (s.a.s.). Ja, pra, edhe ne, falë privilegjit të të gjendurit pas këtij Profeti Famëlartë e Madhështor, përpiqemi të ndiejmë atë miraxh në namazet tona.
5. Dimensioni i dhikrit dhe ai i pendimit në namaz
Dhikri është adhurimi që e afron besimtarin tek Allahu në mënyrën më të shpejtë të mundshme, por është edhe era më efektive në shpërndarjen dhe dëbimin e reve të hutesës dhe pakujdesisë. Dhikër do të thotë të përmendësh, të kujtosh, ta jetosh jetën duke e ndier atë. Dhikër do të thotë të marrësh një mesazh në lidhje me Allahun pothuajse nga çdo objekt që has ndërsa endesh nëpër korridoret e ekzistencës. Në këtë kuptim, mund të flitet për një lidhje të ngushtë ndërmjet dhikrit dhe namazit. Madje mund të themi se, krahasuar me dhikrin e namazit, dhikret e adhurimeve të tjera mbeten në një nivel dytësor. Zaten, nëse do të kishte një adhurim tjetër që do t’ia kujtonte njeriut Allahun në atë masë dhe që do t’i zhdukte pakujdesinë dhe hutesën nga horizonti i të parit, të menduarit, të kuptuarit dhe të vlerësuarit, në vend të namazit, Allahu do të urdhëronte e do të rekomandonte kryerjen e atij adhurimi pesë herë në ditë.
Namazi zotëron në vetvete një fuqi përkujtuese. Kurani Famëlartë na e kujton këtë të vërtetë nëpërmjet ajetit “… kryej faljen për të më kujtuar Mua.”. Po, ashtu siç shprehet në këtë ajet, mes përkujtimit (dhikër) dhe namazit ka një lidhje të ngushtë. Për shkak të rëndësisë në këtë masë të namazit, Allahu (xhel’le xheláluhu) e ka theksuar shumë në Kuran faljen e namazit pesë herë në ditë.
Agjërimi, për shembull, është një adhurim i fshehtë. Dhe, kur dikush është duke agjëruar, të tjerët nuk mund ta dinë këtë. Në fakt, për shkak të të qenit një adhurim i fshehtë, Allahu (xhel’le xheláluhu) i ka dhënë një rëndësi të veçantë agjërimit dhe e ka lartësuar atë nëpërmjet një hadithi të shenjtë (kudsi), i cili është si vijon: “Agjërimi më përket Mua, Unë do ta jap shpërblimin e tij.” Nëse edhe agjërimi do të kishte një vazhdimësi të dhikrit si ajo në namaz, Allahu do të na e bënte farz të agjëruarit një herë në dy ditë, pra, agjërimin e Davudit (a.s.). Kështu, mund të thuhet se ky ndikim përkujtues kaq i fuqishëm i namazit nuk gjendet në asnjë adhurim tjetër. Mbase mund të flitet për një ndikim të tillë të fuqishëm në adhurimet e përgjithshme si namazi i Xhumasë apo haxhi, forca e tyre përkujtuese mund të konsiderohet një dhikër i një niveli të rëndësishëm. Megjithatë, për shkak se këto adhurime nuk bëhen pesë herë në ditë si namazi, as çdo ditë, është e pamundur që ato të zënë vendin e namazit.
Namazi është si ajo pjesa e gurtë nën çezmë, që i pastron njerëzit nga gjynahet dhe papastërtitë. Ata që lahen shpirtërisht në namaz pesë herë në ditë pastrohen nga gjynahet dhe bëhen të dëlirë. Këtë të vërtetë shpreh edhe ajeti “Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.” Ajo çfarë kuptohet nga ky ajet është se çdo namaz i falur përbën një vepër të mirë gjithëpërfshirëse, dhe kur për këtë vepër të mirë thuhet “Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.”, vihet edhe një herë në pah forca përkujtuese e namazit.
Pas identifikimit në këtë mënyrë të lidhjes mes dhikrit dhe namazit, le të vijmë tani te lidhja mes teubes (pendimit) dhe namazit. Teube do të thotë që personi t’i drejtohet Allahut dhe t’ia hapë zemrën Atij (xhel’le xheláluhu). Teubeja është procesi që Allahu e ka bërë pjesë të natyrës sonë dhe që na mundëson edhe një herë ristrukturimin e ndjenjave tona të bukura, delikate e të dëlira, në rastet kur ato pësojnë deformime për shkak të mëkateve të ndryshme.
Çdo njeri që kryen një mëkat konsiderohet se ka bërë një hap drejt kufrit (mosbesimit). Po, ashtu siç thotë edhe Ustadi, “Brenda çdo mëkati është një rrugë që të çon në mosbesim.”. Prandaj, kushdo që bën një mëkat është një hap më shumë larg Zotit dhe një hap më pak më afër shejtanit. Kështu, ky njeri, duke bërë teube, kthehet sërish tek Allahu dhe, në të njëjtën kohë, një njeriu të tillë veprat e këqija i shndërrohen në vepra të mira. Me qasjen e Ustadit, teubeja, aftësitë e njeriut, të cilat janë të hapura ndaj së keqes, i kthen për tek e mira. Dhe, në këtë mënyrë, njeriu fiton potencialin për të bërë mirë.
E pra, e njëjta gjë vlen edhe për namazin. Sepse namazi bën të mundur që te njeriu të krijohet vetëdija e teubes në kuptimin e saj të vërtetë. Njeriu, edhe pse nuk bën teube verbalisht gjatë namazeve që kryen pesë herë në ditë, namazet e falura kalojnë si teube me vepra. Fundja, në uirdet dhe dhikret që këndohen gjatë namazit ka shumë lutje dhe ajete që mbartin kuptimin e teubes dhe istigfarit (pendesës dhe të kërkimit falje). Për shembull, besimtari e nis namazin me fjalët “Alláhu Ekber”. Nëpërmjet tekbirit, tokmaku i mendimit dhe i vetëdijes lëshohet mbi gjërat e kota që na rrethojnë, në mënyrë që të shkëputemi nga punët e tjera dhe t’i drejtohemi Allahut (xhel’le xheláluhu). Po, në namaz kemi të bëjmë me shkëputjen nga çdo gjë e kotë dhe kthimin tek i Vërteti, duke iu përgjigjur kështu ftesës së Tij. Një drejtim i tillë ndaj Zotit mund të realizohet nga çdokush, por në varësi të gradës në të cilën ndodhet.
Më pas, robi thotë “Subhánekell’lláhumme ue bi hamdik”. “Subháneke” do të thotë “Në gjithë këtë krijim nuk ka asgjë që mund të të bëhet Ty shok. Ti, në Individualitetin Tënd, atributet e Tua dhe veprimtarinë Tënde je i Vetëm, i Pashoq. As veprimet e mia dhe as ngjarjet që ndodhin nëpër univers nuk mund t’i jepen askujt tjetër përpos Teje. Ja, pra, duke ia kthyer shpinën një mendimi të këtillë shirku dhe duke dëshmuar se përsosmëria të përket vetëm Ty, Ty të përkujtoj e të lartësoj.”.
Kurse “Ue bi hamdik” ka kuptimin “Unë Ty të falënderoj e të përlëvdoj.”. Në fjalën “Subháneke” gjendet kuptimi i shfaqjes së një adhurimi të plotë karshi pasqyrimeve të pashoq të Allahut të Madhëruar dhe duke e mbajtur Atë larg çdo të mete dhe mangësie. Ndërsa me fjalët “Ue bi hamdik”, të cilat vijnë menjëherë pas fjalës “Subháneke”, njeriu thotë “Unë nuk jam në gjendje ta perceptoj vetvetiu këtë kuptim, je Ti që ma bën atë të njohur. Sepse, nëse Ti nuk ma mundëson këtë gjë, unë nuk mund t’i dëgjoj e as t’i ndiej ato. Prandaj, ndërkohë që nga njëra anë të përmend e të përkujtoj, nga ana tjetër, Ty t’i paraqes falënderimet dhe mirënjohjen time ndaj Teje, me përulje dhe duke të lavdëruar vetëm Ty.”
Më pas vjen pjesa “Ue tebárekesmuk”, e cila mbart këtë kuptim: “Emri yt është burim begatish. Mundësoju diçka nga thesari yt i pamasë edhe atyre si puna ime, robërve të tu me këmbë të prangosura e të lidhur me zinxhir nga qafa! Sepse Ti u jep shumë të mira edhe atyre që të mohojnë Ty e që bëjnë shirk. Edhe unë, duke t’u drejtuar Ty pavarësisht mëkateve dhe devijimeve të mia, strehohem tek emri yt dhe rënkoj para Teje me fjalët e imamit të Allvarit ‘Ji bujar, Sulltani im, mos e ndërpre bujarinë tënde ndaj të ngratëve / A i ka hije Bujarit të ndërpresë bujarinë ndaj përderësve të tij?’.”
Kurse fjalia “Ue teálá xhedduk” ka këtë kuptim: “Ti je Famëlartë. Me të vërtetë, sulltanit i ka hije një sjellje prej sulltani, kurse lypësit, lypsaria. Unë mund të jem rrëzuar shumë herë, mund të kem gabuar shumë, por tani, i përkulur më dysh, ndodhem para derës tënde. Përveçse tek Ti, nuk kam asnjë derë tjetër ku të drejtohem. Mua nuk më ka hije mëkati, kjo është e vërtetë, por edhe falja është ajo që të ka hije Ty, ajo është lavdia jote.”
Pjesa e fundit e kësaj lutjeje, e cila është “Ue lá iláhe gajruk”, do të thotë: “Si mund t’i drejtohem dikujt tjetër, kur, përpos Teje, askush nuk mund të jetë i Adhuruari i denjë për t’u adhuruar dhe Qëllimi i Vërtetë?”
Po, në namaz, që nga marrja e tekbirit fillestar deri në dhënien e selamit, ekziston gjithmonë një kthim tek Allahu me një orbitë të tillë teubeje dhe ky kthim, me kalimin e kohës, mund ta çojë robin drejt shpateve të ihsanit hap pas hapi.
6. Delikatesa e zemrës dhe namazi
Delikatesa e zemrës është një shenjë besimi. Kurse lotët, të cilët janë gjuha e një zemre delikate, përbëjnë gjithashtu një proces lehtësimi për heronjtë e dashurisë me zemra të djegura e shpirtra të lënduar. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë kështu: “Nëse ndodh që nga syri i një besimtari të rrjedhë një pikë loti nga frika prej Allahut dhe të rrëshqasë nëpër faqet e tij, Allahu do t’ia bëjë haram ato faqe Xhehenemit, zjarri i Xhehenemit nuk do t’i prekë ato.” Po, lotët janë eliksiri i vetëm në gjendje për të shuar flakët e Xhehenemit në botën tjetër dhe zjarret e ndarjes dhe mallit në këtë botë.
Edhe Kurani Famëlartë, duke vlerësuar dhe ngritur lart delikatesën e zemrës në shumë vende të tij, na thotë se besimtarët e vërtetë bien në sexhde me fytyrat përtokë kur dëgjojnë ajetet e Allahut. Në një vend tjetër, na paralajmëron në këtë mënyrë: “Le të qeshin pak e të qajnë shumë.” Edhe kjo lutje e Profetit tonë (s.a.s.) na tregon për rëndësinë e delikatesës së zemrës: “Strehohem tek Ti, Zoti im, nga zemra që nuk dridhet!”
Një zemër delikate, një zemër që dridhet, është e hapur ndaj llogaridhënies dhe mbikëqyrjes. Ajo e merr veten në llogari herë pas here. Ashtu siç nuk ia njeh vetes sukseset e arritura, edhe gjërat që bën i shikon gjithmonë si të pakta. Dhe, kështu, shndërrohet në një hero të “Hel min mezíd” (A nuk ka më?), që nuk di të ngopet me kryerjen e veprave të mira dhe punëve të hairit.
Për një njeri me zemër delikate, as në çështjen e adhurimeve nuk mund të bëhet fjalë për diçka të tillë, pra, që të ndihet i ngopur me adhurimet e kryera apo t’i shikojë ato si të mjaftueshme. Pas kryerjes së farzeve, koha që i duhet kushtuar adhurimeve nafile është një çështje për të cilin individi duhet të vendosë vetë. Një njeri, në lidhje me namazet që ka falur, mund të thotë kështu: “Nuk munda t’i fal këto namaze me zemrën plotësisht të qetë, nuk munda t’i kryej ashtu siç duhet ato. Në vend të tyre, të fal të paktën ca namaze nafile. Ose t’i bëj kaza këto namaze që kam falur shkujdesshëm.” Në këtë mënyrë, duke përcaktuar se edhe sa namaze shtesë do të falë në një vakt apo ditë, ai bën një lloj planifikimi. Dhe, ngaqë askush nuk e di se kur do t’i vijë vdekja, i ngjesh ato brenda një kohe të shkurtër, fjala vjen, përpiqet t’i plotësojë mangësitë e tij në çështjen e namazeve duke falur çdo ditë namaze kaza disaditore.
Në lidhje me adhurimet nafile përdoret shprehja “xhebran lin’nuksan”, që do të thotë “fashë për lidhjen e thyerjeve dhe lëndimeve”; ne synojmë që, nëpërmjet tyre, të mbyllim çarjet dhe mangësitë e adhurimeve tona farz, të lidhim me to frakturat, lëndimet. Ja, pra, kjo çështje i është lënë në dorë ndërgjegjes së individit. Për shembull, një person, përgjatë një periudhe të caktuar kohore, i ka falur namazet farz pa mundur t’i drejtohet Zotit të Madhëruar me gjithë zemër. Një ditë, ai kupton të vërtetën e nijetit dhe i qaset atij duke e përkufizuar si qëllim dhe drejtim të zemrës. Kurse drejtimin e zemrës e kupton si fshirjen nga zemra të çdo gjëje që ka të bëjë me këtë botë, të mendosh në ato çaste vetëm Allahun dhe të harrosh çdo gjë tjetër. Për dikë që e ka kuptuar kështu nijetin, nëse nuk lidhet në namaz pikërisht me këtë nijet, quhet sikur nuk e ka falur fare namazin. E megjithatë, në këtë pikë, gjithsecili duhet të veprojë sipas gradës së vet.
Në disa libra të jurisprudencës Hanefi, ndonëse nuk është e qartë se në çfarë argumentesh bazohet një gjë e tillë, shkruhet kështu: “Është më mirë që nijeti të thuhet me gojë.” Dhe, për rrjedhojë, kjo është shndërruar në një zakon tashmë. Për këtë arsye, besimtarët bëjnë nijet me zë para se të lidhen në namaz, duke thënë “Neuejtu en usal’lije lil’láhi…” ose përkthimin e kësaj të fundit, që është “Bëra nijet për hir të Allahut…”. Nëse është e mundur që, në këtë mënyrë, të arrihet drejtimi i zemrës për te Zoti i Madhëruar, ku ka më mirë! Ama, në rast se njeriu ngec vetëm te fjalët dhe, më keq akoma, lidhet në namaz duke thënë ca fjalë, por pa qenë aspak i vetëdijshëm për domethënien e tyre, nëse zemra e tij nuk kthehet për në drejtimin e duhur, atëherë kjo do të thotë se ajo çfarë dëshirohet nuk është duke u përmbushur.
Pra, një njeri që e ka mësuar kështu nijetin dhe që fillon të jetojë brenda një marrëdhënieje të këtillë me adhurimet e veta, mund të thotë: “Deri më sot, i kam falur të gjitha namazet e mia, pa asnjë përjashtim. Por, a i kam kryer ato ashtu siç duhet? Për këtë nuk jam i bindur dhe as që mund ta di përgjigjen e kësaj pyetjeje. Kështu që, më duhet t’i bëj kaza, t’i fal edhe një herë namazet e mia, ose të fal namaze të tjera nafile, që t’më llogariten si ‘xhebran lin’nuksan’.” Dhe, duke falur përditë namaze kaza njëditore – gjithmonë nëse Zoti (xhel’le xheláluhu) do t’ia mundësojë një jetë aq të gjatë sa për t’i kryer të gjitha namazet e ditëve të kaluara, – ai do të jetë në gjendje t’i plotësojë boshllëqet dhe mangësitë e adhurimeve të tij të shkuara.
Përveç kësaj, në medhhebin Hanefi, ashtu siç falen me shumë kujdes farzet e pesë kohëve të namazit, duhen falur edhe sunetet e tyre. Dymbëdhjetë rekate nga ato të namazeve sunet të pesë kohëve të namazit janë ‘sunnet muekkede’ (sunet i fuqishëm – veprime dhe adhurime që, në përgjithësi, Profeti ynë (s.a.s.) i kryente rregullisht), të urdhëruara me ngulm nga ana e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Për shembull, për namazin sunet të kohës së ikindisë nuk ka një urdhër aq këmbëngulës sa ai i dymbëdhjetë rekateve të sipërpërmendura. Megjithatë, edhe ai pranohet si pjesë e veprave të virtytshme. E njëjta gjë vlen edhe për katër rekatet e para sunet të kohës së jacisë. As ky namaz sunet nuk gjendet në “Kutubu sitte” (Gjashtë librat e hadithit); por, sipas asaj që shkruhet në librin “Fet’hu Bábil Ináje” të Alijjulkáríut, i cili, në lidhje me namazin sunet prej katër rekatesh të jacisë, ka marrë për bazë një hadith nga vepra “Sunen” e Said ibn Mansurit, Profeti ynë (s.a.s.) ka falur katër rekate namaz sunet para farzit të jacisë.
Edhe namazi i tehexhudit (namazi i natës) është shumë i rëndësishëm. Ata që i ndriçojnë netët e tyre me projektorët e tehexhudit, duke i shndërruar kështu në ditë ato, të ndriçuar do ta kenë edhe jetën e berzahut (jeta e varrit). Tehexhudi është një parzmore, një armë, një pishtar kundër errësirës së berzahut. Ai është një shpat i sigurt, një vend ku mund të strehohesh për të shpëtuar nga vuajtjet dhe mundimet e berzahut. Çdo namaz ka marrë përsipër detyrën e ndriçimit të një pjese të jetës së njeriut në botën tjetër. Namazet e tehexhudit janë nozullimet, paja dhe ndriçuesit e besimtarit në jetën e varrit.
Tehexhudi përmendet në disa vende në Kuran:
“O ti i mbuluar (o Muhamed)! Çohu (të falesh) gjithë natën, përveç një pjese të saj, që është gjysma ose diçka më pak a diçka më shumë se ajo dhe lexoje Kuranin ngadalë dhe qartë, sepse Ne do të të dërgojmë vërtet një fjalë me peshë të rëndë. Natyrisht, adhurimi natën vepron më fuqishëm dhe fjala është më shprehëse, ngaqë ti ditën je vërtet shumë i zënë. Prandaj, përmende emrin e Zotit tënd dhe përkushtoju krejtësisht Atij!”
“Kaloje një pjesë të natës, si falje shtesë për ty (Muhamed)! Është e vërtetë se Zoti yt do të të vendosë ty në një vend të lavdëruar.”
“Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne.”
“Përmende emrin e Zotit tënd në mëngjes dhe në mbrëmje. Në një pjesë të natës bëji sexhde Atij dhe, natën, falju gjatë Atij.”
Sipas transmetimeve të Buhariut dhe Muslimit, Abdullah ibn Omeri (r.a.) shikon në ëndërr dy persona të frikshëm, të cilët i afrohen, e kapin nga krahët dhe e çojnë te gryka e një pusi të thellë e plot flakë. Kjo situatë e frikëson atë, ka frikë se mos do ta hedhin brenda pusit. Por dy personat, kur e vërejnë këtë gjë, i thonë: “Mos u frikëso, nuk ke pse shqetësohesh.” Pasi ia tregon ëndrrën Profetit tonë (s.a.s.), Ai e interpreton në këtë mënyrë ëndrrën e Abdullah ibn Omerit (r.a.): “Sa njeri i mirë është Abdullah ibn Omeri; ah, sikur të falte edhe namazin e tehexhudit!” Allahu, duke i treguar Abdullah ibn Omerit në ëndrrën e tij atë fragment të jetës së varrit me pamje që i përkisnin Xhehenemit, i sinjalizoi atij që të merrte masa e të përgatitej.
Krahas këtyre, edhe namazet e tjerë nafile, si namazet ‘duhá’ dhe ‘eu’uábín’, do të kryejnë detyrën e fashimit të të metave dhe mangësive të mbetura të namazeve farz dhe do t’i plotësojnë ato. Allahu (xhel’le xheláluhu) do t’i mbushë boshllëqet në farzet tona nëpërmjet nafileve.
Ashtu siç shpjegohet në një hadith që e vërteton këtë, në krye të gjërave për të cilat do të na kërkohet llogari në botën tjetër qëndron namazi. Zoti i Madhëruar do të pyesë: “A janë të plota namazet e robit tim?” Kur të thonë “Po, të plota janë.”, Ai do të urdhërojë me fjalët “Atëherë le të kalojë.”. Nëse do të thuhet “Namazet e tij janë të mangëta.”, Zoti do të pyesë: “A ka falur namaze nafile?” Dhe, pasi të marrë përgjigjen “Po, ka falur edhe namaze nafile.”, Ai do të urdhërojë kështu: “Plotësojani mangësitë me namazet e tij nafile.” Në këtë mënyrë, si rezultat i pasqyrimit dhe shfaqjes së mëshirës hyjnore, namazet nafile do të zënë vendin e namazeve farz të mangët. Këtë, nëse doni, mund ta interpretoni edhe kështu: “Fashimi i thyerjeve dhe lëndimeve (xhebran lin’nuksan) ndodh me vullnetin dhe dëshirën e Zotit të Plotfuqishëm, në një mënyrë të drejtpërdrejtë; pra, është Allahu (xhel’le xheláluhu) Ai që na e lidh fashën në botën tjetër.”
Me pak fjalë, një zemër delikate është burim i dëshirës, entuziazmit, forcës dhe moralit për t’u treguar të kujdesshëm ndaj namazeve farz e nafile dhe për të përmbushur detyrën tonë të të qenit robër të Zotit në këtë botë; ndërsa në botën tjetër, në atë rrugë plot peripeci, e cila fillon me vdekjen dhe zgjatet deri në Xhenet, ajo do të jetë për ne një bashkëudhëtare besnike dhe një ndërmjetësuese. Namazi do të jetë ai që do të na afrojë te Krijuesi i Lartë, litari i pashkëputshëm tek i cili do të kapemi për të qëndruar në vend, një vjegë shumë e fortë dhe një dorezë ku mund të mbahemi. Le të kujtojmë gjithashtu se namazi është një burim jete të dëlirë dhe një mur rrethues që na mbron nga imoralitetet dhe le ta mbyllim këtë temë duke përmendur kuptimin e ajetit që shpreh pikërisht këtë të vërtetë:
“Lexo (o Muhamed) atë që të është zbritur ty prej Librit (Kuranit) dhe fale namazin! Vërtet që namazi të ruan nga shthurja e nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe!
Allahu di gjithçka që ju bëni.”
7. Namazi i Profetit tonë të dashur (s.a.s.)
Vetë Zoti i Madhëruar na e shpjegon mënyrën se si lidhej në namaz dhe si e falte atë Pejgamberi ynë (s.a.s.): “Dhe mbështetu në të Plotfuqishmin, Mëshirëplotin, i Cili e sheh qëndrimin tënd në këmbë (gjatë namazit) dhe lëvizjet e tua midis atyre që përulen në sexhde.” Me këto fjalë, Allahu i Madhëruar na vë në dijeni për vuajtjen e të Dërguarit të Tij në kijam e sexhde, na tregon për përgjegjshmërinë e tij në kryerjen me përpikëri të pjesëve të namazit, për vështirësinë e detyrës së tij si rob i Zotit dhe për përpjekjen dhe vuajtjen e tij të brendshme, që këtë detyrë të mund ta përmbushë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Të gjitha këto vuajtje të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) janë shprehje e respektit dhe nderimit që i duhet bërë Allahut të Madhëruar, kurse kjo shprehje e Allahut (xhel’le xheláluhu) në Kuranin Famëlartë është një lavdërim për Profetin tonë (s.a.s.). Në fakt, namazi shkruhet si namaz për sa kohë gjendesh para Zotit tënd; nëse bota e brendshme dhe ajo shpirtërore i rrinë larg Krijuesit të botëve, atëherë ai del nga të qenit namaz dhe shndërrohet në diçka të pafrytshme. Sepse Allahu i Madhëruar nuk shikon trupat, po zemrat; Ai shikon dëshirën dhe entuziazmin brenda zemrave dhe sipas tyre vendos. Aishja (r.a.) na transmeton se, gjatë faljes së namazit, gjoksi i Profetit tonë (s.a.s.) lëshonte një zë si zhurma e gurit të mullirit apo si ajo e zierjes së gjellës brenda një tenxhereje. Po, Ai (s.a.s.), kur dilte para Allahut, vlonte si një temjanicë dhe, mandej, fillonte të lëshonte aromë madhështie. Sigurisht, kjo gjendje e Pejgamberit tonë (s.a.s.) vinte si rezultat i përpjekjes së tij për të shprehur në nivelin më të lartë të mundshëm adhurimet dhe robërinë ndaj Zotit.
Namazi ishte ajo gjë që Ai e dëshironte fuqishëm. Asgjë tjetër nuk i jepte Atij kënaqësinë që i mundësonte namazi. Prandaj një ditë do të thoshte kështu: “Namazi është drita e syve të mi.”
Kurse në një hadith tjetër, të transmetuar nga Taberaniu dhe që e përforcon kuptimin e hadithit të lartpërmendur, Profeti ynë (s.a.s.) shprehet me këto fjalë: “Allahu i ka dhënë secilit profet një pasion, një dëshirë të fortë ndaj diçkaje. Dëshira ime, pasioni im është namazi i natës.”
Adhurimet e të Dërguarit të Allahut dhe lidhja e Tij me Allahun, po ashtu edhe shpallja dhe dëshmimi i njësimit hyjnor nga ana e Tij, aq të thella ishin, saqë, deri më sot, shumë njerëz nuk kanë qenë në gjendje ta kuptojnë këtë thellësi. Hadithi që cituam më lart është shembulli më i qartë i kësaj.
Aishja (r.a.), Nëna jonë e nderuar, tregon: “Kur u zgjova një natë, vërejta se i Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk ndodhej pranë meje. Mendja më vajti te mundësia se mos kishte shkuar te një nga gratë e tij të tjera. E kërkova duke prekur rreth e rrotull vetes me dorë. Dora ime preku këmbën e tij. Atëherë kuptova se i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ishte duke u falur. Koka e tij ishte në sexhde. Mbajta vesh. Ai, duke qarë me ngashërim, po i përgjërohej Zotit në këtë mënyrë: ‘Allahu im! Strehohem nga zemërimi Yt po te pëlqimi Yt. Strehohem nga dënimi Yt te falja Jote. Zoti im! Strehohem nga Ti te Ti, tek askush tjetër. (Strehohem nga ashpërsia Jote te bukuria Jote, nga zemërimi Yt te mëshira Jote, nga madhështia Jote te dhembshuria Jote.) Pranoj se jam i paaftë për të të
lavdëruar Ty në masën që e lavdëron Ti Veten.”Më pas, pati thënë këto fjalë:
“Të qenit afër Teje është shkak lartësimi, ai që është afër Teje është i lartësuar. E madhe është lavdia Jote. Ushtria Jote nuk mund të mposhtet. Ti nuk e thyen premtimin Tënd. Nuk ka zot tjetër përveç Teje, nuk ka as të adhuruar tjetër përpos Teje.”
Tregon Ebu Dherri (r.a.): “Një natë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) fali namaz gjer në të gdhirë, duke qarë e duke kënduar ajetin ‘Nëse Ti i dënon ata, robërit e Tu janë, e nëse i fal, me të vërtetë, vetëm Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti.’.”
Tregon Abdullah ibn Mesud (r.a.): “Një ditë, pata vendosur të falja namaz natën bashkë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Do ta kaloja natën me Të dhe do të bëja adhurimet që do të bënte Ai. Kur Ai u lidh në namaz, u lidha edhe unë pas Tij. Por, nuk po shkonte që nuk po shkonte në ruku. Madje, në një moment, më erdhi në mendje diçka e keqe…” Ata që ndodheshin pranë tij e pyetën: “Çfarë të erdhi në mendje?” Abdullah ibn Mesudi (r.a.) u përgjigj kështu: “Aq shumë u lodha gjatë namazit, saqë, për një çast, mendova ta ndërprisja namazin tim dhe ta lija Atë (s.a.s.) vetëm në namazin e Tij.”
Aishja e nderuar (r.a.) tregon: “Në një natë kur i Dërguari i Allahut (s.a.s.) qëndroi tek unë, patëm hyrë bashkë në shtrat. Pas njëfarë kohe, më tha: ‘Aishe! Më lejo të adhuroj Zotin tim.’ ‘Betohem në Zot se dua të rrish pranë meje, por, që Ti të adhurosh Allahun, këtë e dëshiroj më shumë.’ thashë unë. Më pas, Ai u ngrit, mori abdes nga torba e ujit të varur në mur dhe u lidh në namaz. Gjatë namazit, qau derisa iu lag e gjithë mjekra. Vazhdoi të qante edhe pasi u ul në sexhde. Vendi u lag me lotët e tij. Nuk pushoi së qari edhe pasi mbaroi namazin dhe u mbështet anash. Pranë Tij erdhi Bilali, i cili, duke i thënë ‘O, i Dërguari i Allahut! Është koha e namazit.’, e njoftoi për hyrjen e vaktit të sabahut. Por, kur e pa Atë duke qarë, Bilali iu drejtua me këto fjalë: ‘O, i Dërguari i Allahut! Përse po qan? A nuk t’i ka falur Ty Allahu të gjitha mëkatet e së shkuarës dhe së ardhmes?’ I Dërguari i Allahut (s.a.s.) iu përgjigj në këtë mënyrë: ‘O, Bilal! E si të mos qaj! Këtë natë më zbritën ajetet ‘Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët, për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) ‘O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto, lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj, na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit!’ Turp për ata që i lexojnë këto ajete dhe nuk mendojnë për to!’”
Nëna jonë Aishja (r.a.), duke thënë “Ai qëndronte në kijam në një mënyrë të atillë që, lëre, mos më pyet! Mos më pyet as për rukunë e Tij! Mos më pyet as për mënyrën se si ulej në sexhde!”, pra, duke u shprehur në këtë mënyrë, është përpjekur të na shpjegojë bukurinë e namazit të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).
Është e pamundur të tregohet ndonjë adhurim që Profeti ynë (s.a.s.) ta ketë ndërprerë pasi e ka filluar. Edhe pse i linte ndonjëherë disa nafile për t’i mundësuar edhe lehtësira umetit të vet, Ai i tejmbushte këto boshllëqe gjatë netëve, duke i kryer ato adhurime të shumëfishuara. Në këtë mënyrë, Ai e përmbushi më së miri detyrën e të qenit një pejgamber rob. Pejgamberi ynë i dashur (s.a.s.), duke e jetuar të gjithë jetën e tij brenda një vetëdijeje të plotë dhe pa çuar dëm asnjë çast të saj dhe duke rrahur pa pushim flatrat në fluturimin drejt Allahut, është përpjekur të ngrihet lart e më lart. Dhe, sigurisht, nuk kishte si të mendonte ndryshe as gjatë çasteve të fundit të jetës. Zaten, dera e shtëpisë së Tij të lumturisë hapej brenda mesxhidit. Sepse Ai (s.a.s.) dëshironte që njërën këmbë ta kishte gjithmonë brenda mesxhidit. Gjatë kohës së itikafit qëndronte në mesxhid. Ndonjëherë, zgjaste kokën për tek shtëpia e Tij e lumturisë dhe sikur ndahej më dysh; njëra gjysmë e Tij mbetej brenda mesxhidit të Tij të bekuar, kurse gjysma tjetër në shtëpinë e Tij. Edhe kur kishte për të shkuar diku, kalonte përmes mesxhidit, falte namazin dhe ashtu largohej; të njëjtën gjë bënte edhe kur kthehej. Namazi i ishte bërë rrugë Atij, ndërsa mesxhidi ishte një destinacion i përhershëm, një katapultë që do t’i mundësonte arritjen e botës mes botës së mundshme dhe asaj të domosdoshme.
8. Sëmundjet që prekin namazin
a. Hedhja e vesveseve nga ana e shejtanit
Shejtani jeton duke u qëndruar besnik fjalëve “Ai tha: ‘Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë.’”, të cilat i pati thënë në çastin kur ngriti krye ndaj urdhrit të Allahut, dhe, duke iu afruar besimtarëve nga para, nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, përpiqet në çdo çast t’i bëjë ata të devijojnë nga rruga e drejtë. Pra, qëllimi i tij është që ta pengojë besimtarin, ta bëjë atë të heqë dorë nga kryerja e çfarëdolloj vepre të mirë. Profeti ynë (s.a.s.), në lidhje me këtë dinakëri të shejtanit, shprehet kështu: “Shejtani lëviz nëpër venat e birit të Ademit.”
Shejtani i afrohet besimtarit më së shumti gjatë namazit. Sepse namazi është adhurimi që i përfshin edhe kuptimet e të gjitha adhurimeve të tjera. Për rrjedhojë, asnjë adhurim nuk mund të arrijë në nivelin e tij. Për shkak të kësaj veçorie të namazit, gjatë kryerjes së tij e ngacmon njeriun shejtani; i hedh vesvese zemrës së besimtarit, ndërsa kokën e tij e sulmon me shigjetat e dyshimit dhe hezitimit; orvatet t’ia prishë atij namazin duke e shpërqendruar, duke e bërë të mendojë për mesele të kësaj dynjaje.
Nëpërmjet hadithit “Kur në një vend këndohet ezani, shejtani largohet që aty i xhindosur; vrapon derisa arrin në ndonjë vend nga ku nuk mund ta dëgjojë ezanin. Me mbarimin e ezanit, kthehet sërish. Kur fillon ikameti, largohet edhe një herë. Vjen prapë pasi mbaron këndimi i ikametit dhe futet mes robit dhe zemrës së tij. Me pëshpëritje të llojit ‘Kujto edhe atë gjë, mendo edhe për këtë gjë!’, i hedh vesvese për gjëra që as i ka çuar në mendje më parë. Aq sa personi (në një situatë të këtillë) të mos jetë në gjendje të dijë sa rekate ka falur.”, Pejgamberi ynë (s.a.s.) na bën me dije se shejtani u vihet më shumë nga pas njerëzve që, nëpërmjet namazit, arrijnë në dimensionet e miraxhit; ai nuk u afrohet atyre me zemra të shkretuara e anë shpirtërore të rrënuar.
Po, shejtani nuk merret me njerëzit që nuk kanë një jetë shpirtërore. Sepse ata janë prej atyre, në jetët e të cilëve nuk ka më vend për namazin, agjërimin, haxhin, madje as për besimin në Zot; ata janë prej atyre për të cilët shejtani thotë “Ata, me çdo gjë të tyren, i janë bashkuar ushtrisë sime.”. Për rrjedhojë, shejtani nuk ka më nevojë t’i kapë këta njerëz për jakash. Me këto gjendje të tyret, ata janë bërë shejtanë të vetvetes dhe nuk kanë punë tjetër përveç përpjekjes për të nxjerrë njëri-tjetrin nga binarët. Kjo është arsyeja pse ai kërkon gjithmonë zemrat e përshpirtshme, ato të mbushurat plot, që t’iu vardiset derisa të gjejë rastin për t’i zhvatur. Sa njeri i madh është ai që i përkushtohet adhurimit! Edhe pse i sulmuar nga shejtanët më të egër e të përbetuar në djallëzitë e tyre, është në gjendje të jetojë më ndershmërisht se të tjerët dhe të jetë i përgjegjshëm nga ana morale. Ai mendon vetëm për një gjë: ditë e natë të jetë në rrugën për në mesxhid, të mund të qëndrojë para Zotit me zemër dhe shpirt vigjilent. Zaten, për ata që ia dalin të jenë kështu, shejtani thotë: “Përveç robërve të Tu të sinqertë (të gjithë do t’i shpie në mashtrim).” Me fjalë të tjera, ai pohon se nuk do të jetë në gjendje t’i prekë e t’i bëjë të devijojnë në rrugë të gabuar profetët dhe ata njerëz që e kanë kapërcyer vetveten, që e kanë marrë nën këmbë dynjanë me gjithë ç’ka ajo brenda, që kanë ditur të ngrihen sërish e të vazhdojnë rrugën edhe pasi janë rrëzuar, që kanë gjetur qetësinë shpirtërore dhe paqen në zemrat e tyre nëpërmjet faljes pesë herë në ditë dhe që kanë zgjedhur të merren e të luftojnë jo me të tjerët, po me nefsin e tyre. Me këto fjalë, shejtani pranon dobësinë dhe pafuqinë e tij në këtë pikë.
Po, shejtani do t’u vihet nga pas zemrave të lulëzuara. Do t’u afrohet atyre që vendosin kokën në tokë gjatë namazit dhe që pohojnë dobësinë, varfërinë dhe vogëlsinë e tyre duke thënë “Te Ti erdha, Zoti im!”; do t’u afrohet besimtarëve gjatë faljes dhe, nëpërmjet vesveseve, do të përpiqet t’ua prishë atyre namazin. Mirëpo, një hadith, që ka të bëjë me këtë temë, shfaqet para nesh me këtë sihariq: “Nëse biri i Ademit lexon një ajet sexhdeje dhe, pastaj, bie në sexhde, shejtani largohet që aty duke qarë dhe thotë: ‘Mjerë unë! Njeriu u urdhërua për të bërë sexhde dhe ai e bëri atë. Në këmbim, i është premtuar Xheneti. Edhe mua më urdhëruan të bija në sexhde, por unë kundërshtova. Dhe për mua ka zjarr!’”
Kur ne të biem në sexhde duke e barazuar veten me një zero të madhe, ai ndoshta do të orvatet të na e tërheqë vëmendjen te gradat, postet, profesionet, të korrat, dyqanet, mallrat apo pronat tona, të cilat nuk kanë vlerë as sa krahu i një mize. As që mund të mendohet vënia e tyre në një peshore me ato çfarë na ka premtuar Zoti i Madhëruar. Si përgjigje ndaj përpjekjeve të shejtanit, ne do të mendojmë miraxhin që jemi duke kryer dhe, të emocionuar nga shfaqja e shkallëve para syve tanë, do të kujtojmë ngarendjen tonë pa frymë drejt përballjes me mëshirën e Zotit të Gjithëmëshirshëm. Mandej, duke thënë “O, i mallkuar! Zoti ynë na premton Xhenetin dhe Bukurinë e Tij. Po ti, ti ç’kapital ke?” dhe duke u thelluar akoma më shumë në sexhdet tona, do të përpiqemi të shpëtojmë nga këto vesvese.
b. Vjedhjet e shejtanit nga namazi
Shikimi majtas-djathtas gjatë faljes së namazit quhet vjedhje e shejtanit nga namazi. Domethënë, ai nuk mund ta vjedhë namazin të gjithin, por vetëm ndonjë pjesë të vogël të tij. Pjesët që përbëjnë shtyllat e namazit nuk mund t’i vjedhë. Rrjedhimisht, kartën e tij të fundit e përdor për të vjedhur shikimet e atij që po fal namaz. Orvatet duke thënë: “A mund ta bëj të shikojë djathtas, a mund ta bëj të hedhë shikimin majtas?”
Nuk duhet lejuar që të na vidhet diçka nga namazi. Nga namazi nuk duhet humbur asgjë. Shejtani nuk duhet të vjedhë asgjë prej tij. Ai është një amanet. Njerëzit besnikë ndaj amanetit të namazit të plotë e të përsosur duhet t’i kryejnë namazet e tyre në përputhje me thelbin e të vërtetës së namazit në botën e ndërmjetme. Për të shmangur shqetësimet atje, nuk duhet t’i shkaktojmë këtu shqetësime namazit, duhet të bëhemi pengesë ndaj duarve vjedhëse që zgjaten drejt tij. Duhet t’i drejtohemi Allahut (xhel’le xheláluhu) me gjithë zemër, me të gjitha ndjenjat tona dhe me çdo pjesë të shpirtit; nuk duhet të na vidhet asgjë, nga asnjë pjesë e namazit. Për ata që janë në fillim të kësaj pune, është e vështirë që ta kryejnë atë duke e ndier në maksimum. Por Zoti mund ta hapë një ditë atë derë. Ju shtrëngojini dhëmbët; kohën tuaj më të rëndësishme, atë më të përshtatshmen, kushtojani namazit dhe jepini vetes një shtytje në këtë pikë. Dhe, në dashtë Allahu, do të vijë dita kur për ju do të lindë mundësia për ta kryer atë në një mënyrë sa më të bukur.
c. Dembelizmi ndaj namazit
Duke qenë se besimi vjen në krye të çdo çështjeje dhe është baza e secilës prej tyre, është e nevojshme që meselesë së dembelizmit ndaj namazeve t’i qasemi në radhë të parë nga ky këndvështrim. Parimet e renditura ndër kushtet e besimit i japin formë pikëpamjes së individit. Prandaj, besimi në Zot është baza dhe garancia e vetme e paqes dhe qetësisë shpirtërore. Zemrat që nuk janë në gjendje të përfitojnë nga besimi në Zot, pa asnjë dyshim, nuk mund ta mbushin këtë boshllëk me asgjë tjetër. Këtë të vërtetë na kujtojnë edhe ajetet “Thuaj: ‘Me të vërtetë, Allahu shpie në humbje ata që Ai do, ndërsa udhëzon në rrugë të drejtë ata që kthehen tek Ai, ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!’”
Besimi në profetët është një faktor i rëndësishëm, i cili na shpëton nga fatkeqësia e të parit të së shkuarës në errësirë, ndërsa e asaj të së ardhmes në ankth. Ne besojmë se, falë besimit në profetët dhe veçanërisht atij në Sulltanin e Profetëve, vendet më të rrezikshme të kësaj bote dhe botës së përtejme do t’i kalojmë me shpejtësinë e një rrufeje verbuese dhe se, në sajë të ndërmjetësimit të Tij të madh, do të nderohemi me mirësi e begati që i kapërcejnë horizontet e imagjinatës sonë.
Besimi në librat hyjnorë, tablotë që përshkruhen në ato libra (sidomos ato në lidhje me botën tjetër), përshkrimi i Xhenetit dhe Xhehenemit u mundësojnë besimtarëve një gjendje tendosjeje metafizike të vazhdueshme. Një person që lexon në librat hyjnorë për tmerrin e ditës së llogaridhënies, përpiqet ta shfrytëzojë më së miri çdo çast të jetës së tij.
Besimi në engjëj na bën të ndihemi me ta edhe gjatë atyre momenteve kur jemi vetëm. Falë këtij besimi, ne ndihemi sikur jemi nën kontrollin dhe mbikëqyrjen e tyre në çdo çast. Kështu, ne marrim nën kontroll sjelljen dhe veprimet tona dhe e jetojmë jetën duke e ndier atë.
Besimi në kader do të thotë të besosh se çdo gjë që ndodh, qoftë ajo një fatkeqësi apo një myzhde, është prej Allahut dhe të jesh i sigurt se e kundërta e kësaj nuk është aspak e mundur.
Besimi në botën tjetër, përveçse është një element shumë i rëndësishëm i kushteve të imanit dhe që na mundëson të marrim nën kontroll sjelljet tona, na siguron gjithashtu edhe përfitime të panumërta që kanë të bëjnë me këtë botë. Për më tepër, takimi ballë për ballë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), që është ëndrra e çdo besimtari, vetëm në botën tjetër do të jetë i mundur. Të gjithë profetët e mëdhenj, të parët tanë të virtytshëm, evlijatë dhe të devotshmit e lartë janë në botën tjetër. Për rrjedhojë, besimi në botën tjetër i besimtarëve që digjen nga dëshira për t’u takuar me ta dhe ato çfarë ata fitojnë nëpërmjet këtij besimi janë një tjetër gjë.
Besimi në tërësinë e këtyre bazave do ta ulë personin aty ku duhet të ulet përsa i përket besimit (akíde), e do t’i mundësojë atij qetësinë shpirtërore dhe paqen e vërtetë. Pas kësaj, do të zhduken në mënyrë të vullnetshme elementët që e cenojnë këtë qetësi dhe do të kryhen adhurimet që do të bëjnë të mundur ruajtjen e vazhdimësisë së saj. Kjo do të thotë se arsyeja e dembelizmit ndaj namazeve duhet kërkuar në bazat e besimit, të cilat vijnë para adhurimeve dhe që i përmendëm shkurtimisht pak më sipër. Për ata me besim të plotë, kurrë nuk mund të flitet për ballafaqime me probleme të këtilla.
Namazi është ai adhurim që na i kujton një nga një bazat e besimit që i cekëm më lart përmbledhtazi. Namazi e ka gjithmonë potencialin e tij përkujtues dhe, krahas këtij potenciali, të mundëson edhe një kënaqësi të thellë. Ai na kujton dobësinë dhe varfërinë tonë përballë Zotit, na tregon rrugët që çojnë në zgjidhjen e problemeve, kapërcimi i të cilëve mund të na duket i pamundur. Dhe, në fakt, thelbi dhe baza e kësaj që sapo thamë është besimi në një të Plotfuqishëm Absolut, forca e të Cilit mjafton për gjithçka. Këtë çështjen e fundit mund ta shtjellojmë pak më shumë duke u ndalur në ajetet e sures Fátiha:
“El hamdu lil’láhi Rabbil álemín.” “Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve, që krijon, edukon, disiplinon, rrit dhe pjek çdo gjë, nga grimcat deri te sistemet.” Pasi të ketë besuar në një Zot të tillë, që e kap nga dora dhe e shpëton nga mbytja, pse të jetë i pashpresë dhe të bjerë në pesimizëm njeriu përballë mijëra ngjarjeve?
“Err’Rrahmánirr’Rrahím.” “Ai është i Gjithëmëshirshëm dhe Mëshirëplotë në këtë botë dhe në botën tjetër, ndaj besimtarëve, por edhe ndaj mosbesimtarëve.” Mëshira e Tij e tejkalon zemërimin e Tij.
Atëherë, përse t’i humbasësh shpresat e të dëshpërohesh?
“Máliki jeumiddín.” “Ai është Sunduesi i Ditës së Gjykimit.” Robit do t’i paraqiten të gjitha veprat që ka bërë këtu, madje edhe ato më të voglat, dhe do t’i kërkohet llogari për çdo gjë. Por Zoti ynë, mëshira e të Cilit është shumë më e madhe se zemërimi i Tij, do të zgjatë drejt nesh dorën e ndihmesës edhe atje.
“Ijjáke na’budu ue ijjáke neste’ín.” “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” Shpallim dhe pranojmë para Sundimit dhe Madhështisë Tënde që ne jemi robërit e Tu. Por ç’robëri e nderuar është kjo! Ti je Sulltani ynë, Sulltan mbi sulltanë, Allahu ynë. Ne jemi të lartë e të nderuar, aq sa për të mos iu përkulur asnjë krijese. Ne jemi të gatshëm të ngremë krye ndaj çdo gjëje të papëlqyeshme për Ty dhe vetëm Ty të dëshirojmë!
“Ihdinas’sirátal mustekím. Sirátal’ledhíne en’amte alejhim gajril magdúbi alejhim ue leddál’lín.” “Udhëzona në rrugën e drejtë, në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në atë të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në atë të atyre që janë të humbur!”
Ngaqë njeriu nuk mund ta dijë se cila do të jetë ndihmesa më e rëndësishme për të, Allahu (xhel’le xheláluhu), si vepër e mëshirës së Tij, i mëson atij atë çfarë duhet të kërkojë fillimisht dhe e urdhëron të thotë “Ihdinas’sirátal mustekím.”.
Në fakt, dalja para Allahut me një adhurim të këtillë, që bëhet me vetëdije dhe që shfaq besimin në një Zot të vetëm nga çdo anë që ta kapësh, dhe të kërkuarit ndihmë prej Tij janë nga një pohim i paaftësisë për t’i kryer plotësisht dhe ashtu siç duhet falënderimet dhe adhurimet përkarshi mirësive dhe begative të Allahut, janë shpalljet e strehimit dhe mbështetjes te Zoti, i Cili është i Pasuri Bujar dhei Plotfuqishmi i Madhëruar, nga ana e njeriut që, i vetëdijshëm për dobësinë dhe varfërinë e tij, e ka kuptuar marrëdhënien Krijues-krijesë. Si mund të jetë i pashpresë një njeri që gjendet brenda një botëkuptimi të tillë dhe i rrethuar nga mendime të këtilla?
Po, për një njeri që ia del t’i falë namazet me ndjenja dhe mendime
të tilla, është e paimagjinueshme që, duke nxjerrë si pretekst punët e kësaj dynjaje, ta braktisë faljen e namazit. Prandaj, është e nevojshme që, krahas besimit, këtyre njerëzve t’u shpjegohet edhe e vërteta e namazit dhe, nëse është e mundur, të ndihmohen në mënyrë që edhe ata të mund t’i ndiejnë të gjitha këto.
Njeriu mund ta plotësojë zhvillimin e tij nëpërmjet adhurimit të namazit ashtu siç plotëson luledielli zhvillimin e saj duke parë diellin. Duke iu drejtuar Zotit pesë herë në ditë, ai mund të bëjë të mundur ringjalljen e ndërgjegjes së zbehur dhe ndjenjave të tij të vyshkura. Ai mund të fitojë edhe një herë freskinë, gjallërinë e tij dhe, kështu, mund të ripërtërijë premtimin e tij ndaj Zotit.
Në këtë këndvështrim, namazi është begatia më e madhe e Allahut ndaj nesh. Mungesa e tij është si mungesa e diellit. Ashtu siç nuk mund të ketë luledielli në mungësi të diellit, – parë nga aspekti shkak-pasojë – po ashtu nuk mund të ekzistojë as njeriu, në një farë kuptimi, nëse nuk janë adhurimet. Pra, jemi ne ata që janë me të vërtetë nevojtarë ndaj adhurimeve.
Nga ana tjetër, një njeri që fal namaz dhe mbushet shpirtërisht para Zotit të tij, tregohet i kujdesshëm dhe u shmanget, me aq sa është e mundur, edhe gjërave të dëmshme e problematike në punët e ndryshme të jetës së tij të përditshme. Namazet, sidomos namazet e drekës dhe ikindisë, mundësojnë shpërthimin e ndjenjave të mbikëqyrjes dhe vetëllogarisë te njeriu; aktivizojnë këto mekanizma dhe, në këtë mënyrë, e mbrojnë njeriun nga rënia në gabim. Ndërsa namazet e mbrëmjes, jacisë, tehexhudit dhe sabahut janë qendrat e shfaqjes së mistereve që synohen të shpjegohen përmes vargjeve:
“Aty ku mbetesh pa rrugëdalje
Befas të hapet një perde
Dhe gjen derman për ato derte…”
(Ibrahim Hakki)
Për më tepër, namazi është një faktor që e detyron myslimanin të vejë rend dhe rregull në jetën e tij të përditshme. Njeriu që del para Zotit pesë herë në ditë, dashje pa dashje, e fut në shina jetën e tij. Fillon punën pas namazit të sabahut dhe, kur lodhet pas një pune intensive prej gjashtë-shtatë orësh, rigjallërohet e fiton sërish freskinë nëpërmjet namazit të drekës. Pastaj i futet përsëri punës, vazhdon të punojë deri në kohën e ikindisë. Me namazin e ikindisë, përjeton edhe një herë tjetër një çlodhje mendore dhe fizike. Njerëzit që nuk i dinë këto baza të namazit dhe që nuk janë në gjendje t’i ndiejnë ato, rrëmbëhen prej një vorbulle shqetësimesh e trazirash dhe përplasen nga një krizë shpirtërore në tjetrën.
Shkurtimisht, ata që nuk gjejnë dot kohë për namazin duke nxjerrë si pretekst punët e shumta të tyre, janë ata që qëndrojnë symbyllur ndaj të vërtetave hyjnore. Për rrjedhojë, besimi i dobët, mosbesimi në bazat e imanit në masën që duhen besuar dhe paaftësia për të kuptuar thelbin dhe të vërtetën e namazit, fatkeqësisht, mund t’i shtyjnë njerëzit tanë drejt mendimeve të këtij lloji. Rruga e shpëtimit nga këto, siç u përpoqëm ta shtjellojmë pjesërisht më sipër, është besimi i fortë, i arritur nëpërmjet njohjes dhe dijes, dhe reflektimi i tij në jetesën tonë.
d. Lodhja nga adhurimet
Për ne myslimanët, një nga problemet dhe hallet më të mëdha që kemi është zbehtësia në çehren e adhurimeve tona. Sa e dhimbshme dhe sa e trishtueshme është gjendja e xhamive dhe e njerëzve tanë të shpërndarë brenda atyre xhamive si gjethet e shpërhapura andejkëtej në stinën e vjeshtës; dikush gogësin i përgjumur, dikush është shtrirë për shtatë palë qejfe, dikush flet për punët e kësaj dynjaje edhe nga mihrabi, dikush tjetër pret me padurim mbarimin e namazit, që të fluturojë e të dalë jashtë xhamisë një çast e më parë. Nuk dua të paragjykoj të tjerët e të mendoj negativisht për ta, por pamja që pasqyrohet jashtë në përgjithësi – sepse ka edhe përjashtime – na bën të sjellim në mendje ata njerëz që nuk kanë një lidhje të mirëfilltë me Allahun, që nuk e njohin mirë Profetin e tyre (s.a.s.), që mbajnë rrugën e mesxhidit për shkak se kanë parë dikur gjyshërit e tyre tek shkonin në xhami, që zënë vend në rreshtat brenda xhamisë thjesht për të imituar baballarët e tyre ngaqë kanë qenë dëshmitarë të namazeve që ata kanë falur, dhe që, duke e harruar thelbin dhe brendësinë e asaj që po bëjnë, kanë mbetur vetëm te forma dhe pamja e jashtme. Kjo është arsyeja pse gjendja e xhamisë dhe ajo e xhematit të saj nuk u thotë asgjë të tjerëve; adhurimet nuk po e kryejnë detyrën e thirrjes së njerëzve të tjerë në Islam nëpërmjet gjuhës së gjendjes. Nëse ne do të shfaqim një gjendje besimi të plotë, shumëkush do të pranojë Islamin. Thënë me fjalët e Udhërrëfyesit të Nderuar Bediuzaman Said Nursi: “Në qoftë se e demonstrojmë nëpërmjet sjelljes dhe veprave tona përsosmërinë e moralit Islam dhe të të vërtetave të imanit, sigurisht që ithtarët e feve të tjera do të futen në Islam grupe-grupe. Ndoshta Islamin do ta pranojnë edhe disa kontinente dhe shtete të rruzullit tokësor.” Por, për fat të keq, ne nuk po e pasqyrojmë ashtu siç duhet Islamin, me atraksionet e tij të veçanta.
Në fakt, myslimanizmi është zëri dhe fryma e së ndryshmes. Në këtë aspekt, ai që shikon rukunë e një besimtari të vërtetë duhet të shtanget para tij, atij që shikon gjendjen e tij në sexhde duhet t’i bjerë të fikët, ai që dëgjon rënkimin e tij para Zotit të Madhëruar duhet të kalojë në një gjendje ekstaze dhe të ulet në sexhde bashkë me të. E pra, kur nuk përfaqësohet në këtë mënyrë Islami, nuk ka si të reflektohet në anën përballë; askush nuk mund ta shohë shpirtin e namazit dhe hijeshinë e tij të shenjtë në uljet dhe ngritjet e mbetura vetëm te forma e jashtme.
Ç’është e vërteta, ne po përjetojmë një lodhje në çështjen e adhurimeve. Jemi si ushtarë të rraskapitur, që të gjithë. Sikur jemi lodhur nga adhurimet. Ndihemi të këputur. Myslimanizmin e shohim përciptazi, ia kemi ngushtuar shumë vendin Islamit në zemrat tona. Për shkak të ambientimit, vlerave u janë zbehur ngjyrat në sytë tanë; nuk ngjallin emocion brenda nesh. Nuk po i kryejmë dot adhurimet sikur të ishim duke pirë shërbet trëndafili. Sikur edhe vetëm dy-tre veta nga xhemati të kalonin në ekstazë gjatë faljes së namazit, ky përqendrim mund t’u thoshte shumë gjëra shpirtrave të njerëzve përreth.
Namazi që merr për pjesë vetëm lodhjen
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë: “Ka shumë nga ata që agjërojnë dhe që nuk përfitojnë gjë tjetër veç urisë dhe etjes. Ka shumë nga ata që falin namaz dhe që nuk përfitojnë asgjë tjetër veç mundimit dhe lodhjes.”
Kuptimi që shpreh namazi, veçanërisht kuptimi i brendisë së tij, lidhet ngushtë me thellësinë e brendshme të njeriut. Edhe në Kuran, në çdo pjesë ku përmendet dhe shpjegohet namazi, theksohet kjo thellësi e brendshme e tij. Për shembull, në suren Mu’minún, ndërsa përshkruhen njerëzit që kanë arritur shpëtimin, nëpërmjet ajeteve “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre.”, vihet në pah marrëdhënia mes namazit, hushú-së dhe hudú-së. Po, hushú-ja dhe hudú-ja gjejnë kuptimin e tyre të vërtetë vetëm në namaz. Për rrjedhojë, gjatë faljes së namazit, njeriu nuk duhet të shohë, të dëgjojë apo të mendojë asgjë tjetër përveç namazit.
Pra, nëpërmjet namazit, duke qëndruar duarlidhur dhe i përulur para madhështisë së Allahut, njeriu lutet me fjalë dhe me gjendjen e tij për plotësimin e nevojave që nuk është në gjendje t’i arrijë. Namazi është ushqimi i zemrës dhe miraxhi i shpirtit. Pavarësisht problemeve dhe telasheve, ai bën të mundur qetësimin e shpirtit, i jep krahë zemrës. Pejgamberi ynë (s.a.s.), kur mërzitej me punët e kësaj dynjaje, i drejtohej Bilalit të nderuar me fjalët “Thirr ikametin e na fresko, o Bilal!”, që të qetësoheshin nëpërmjet faljes së namazit. Namazi nuk është nga ato gjëra që mund t’i bëjë një njeri dembel dhe i përgjumur. Namazi është një detyrë, të cilën mund ta përmbushin vetëm zemrat e zgjuara dhe vigjilente para Zotit.
Ai që mendon për punët e dynjasë edhe gjatë namazit, që merret me llogaritë e tyre, veç lodhjes, asnjë përfitim tjetër nuk do të ketë. Zoti im mos lëntë askënd në një gjendje të këtillë! Le të lutemi në këtë mënyrë, le të kërkojmë nga mëshira e Tij e pafund. Na i bëftë zemrat dhe ndjenjat tona vigjilente, të përulura e të bindura ndaj Tij gjithmonë!
Nuk është e pëlqyeshme që leximi i Kuranit dhe kryerja e dhikreve apo duave të bëhen në mënyrë të pavetëdijshme, pa menduar në lidhje me kuptimet e tyre, por, edhe kur bëhen në këtë mënyrë, ato prapë ndikojnë në njëfarë mënyre te një pjesë e ndjenjave tona dhe, kështu, ne arrijmë të përfitojmë diçka. Le të shpresojmë që edhe ajo përpjekje aq e vogël, ashtu si pikat e vogla të shiut, të bëhet shkak për stimulimin e farave në gjirin e tokës. Njeriut ama, që të mund të përfitojë sa më thellësisht nga namazi, i takon të përpiqet sa më shumë. Që të mund të hapë velat drejt mendimeve dhe përfytyrimeve më të thella, njeriu duhet ta sforcojë ca veten. Është e nevojshme që, me një përpjekje për t’i thënë në mënyrë të vetëdijshme dhe për t’i kuptuar më së miri ato, çdo fjalë e shprehje të arrijë në thellësitë e zemrës. Të ndierit me vetëdije e bën njëshin një mijë.
Por edhe ta braktisësh namazin duke thënë “Nuk jam në gjendje të lexoj në mënyrë të vetëdijshme, nuk arrij të marr kënaqësi nga adhurimet e mia.” është gjithashtu gabim. Sepse një mendim i tillë është nga mashtrimet e nefsit. Pavarësisht kushteve të vështira dhe atyre më negative, e rëndësishme është të përmbushim plotësisht detyrat tona, si ato personale, edhe ato shoqërore. Ndonjëherë, një heshtje e gjatë është më domethënëse dhe shpreh më shumë se një hutbe e gjatë. Të jesh në gjendje të ruash dëshirën dhe entuziazmin ndaj adhurimeve në çfarëdolloj rrethanash të rënda, ndoshta mund të jetë më e vlefshme se adhurimet e shumta të kryera në të njëjtat rrethana. Për shembull, ne nuk jemi në gjendje ta dimë se cili vlen më shumë, një namaz i falur në xhami dhe që na e bën zemrën të hidhet përpjetë apo kuptimi i asgjësisë sonë pasi kemi vënë kokën në sexhde në një vend ku nuk ndodhet askush tjetër përveç nesh. Për këtë arsye, mbase e kanë gabim ata që janë gjatë gjithë kohës të qetë. Sepse është e pamundur për ne të parashikojmë saktësisht se me cilat vepra tonat do të jetë i kënaqur Zoti i Madhëruar.
Një kujtim dhe kujdesi në namaz
Një nga njerëzit që nuk do t’i harroj kurrë është edhe i ndjeri Xhelal Efendi, babai i hoxhës së nderuar Mehmet Kërkënxhë. Xhelal Efendiu ishte një njeri me vlerë, një muxháuir në Medine. Atje ndërroi jetë dhe po atje u varros. Kur unë vajta për t’i bërë një vizitë, ai ishte shumë i moshuar. Dhe, pavarësisht moshës së thyer dhe shqetësimeve të shumta shëndetësore, nuk i linte të mangëta namazet e tij, madje edhe sunetet i falte në këmbë. Por, ngaqë e kishte të vështirë të ulej e ngrihej, namazet i falte pranë shtratit. Sepse, që të mund të ngrihej në këmbë, i duhej të mbahej te shtrati. Pas një namazi të falur në këtë mënyrë, më qe drejtuar mua: “Hoxhë, unë kështu ngrihem kur fal namaz, duke u mbajtur te shtrati. A më quhen namazet që fal në këtë mënyrë?” Këtë tablo nuk mund ta harroj kurrë. Ç’vetëdije e mahnitshme është kjo! Pavarësisht gjithçkaje, të përpiqesh për ta përmbushur ashtu siç duhet detyrën e të qenit rob i Zotit dhe, prapëseprapë, të mos mjaftohesh me aq sa ke bërë, po të kërkosh për atë që është akoma më e mirë…
Po, namazi është kapitali që do të na shpëtojë në botën tjetër. Prandaj është e nevojshme të tregohemi shumë të ndjeshëm në çështjen e namazit. Allahu (xhel’le xheláluhu) na bëftë të vetëdijshëm në lidhje me vlerën e tij dhe na i pranoftë namazet tona me të metat dhe mangësitë e tyre!
9. Ekuilibri mes namazit dhe lartësimit të emrit të Allahut
Çdo adhurim ka vendin dhe peshën e vet. Të gjitha obligimet e besimtarit, me metodat, llojet dhe nënllojet e tyre, që nga çështjet më themelore të tyre e deri te çështjet më të hollësishme, janë në një harmoni të përsosur me njëri-tjetrin. Mes tyre nuk ekziston asnjë mospërputhje. Ashtu siç nuk mund të jetë ndikues xhihadi pa namazin dhe agjërimin, po ashtu as kryerja e një namazi në përputhje me të vërtetën e tij nuk është e mundur pa xhihadin. Po, këta qëndrojnë krah për krah me njëri-tjetrin. Ata bëjnë të mundur vazhdimësinë e ekzistencës së tyre së bashku, njësoj si gurët e një kubeje, të mbështetur te njëri-tjetri kokë më kokë.
Kështu është edhe çështja e besimit (akíde); ashtu siç nuk mund të ekzistojë Islami pa imanin, po ashtu nuk mund të ketë iman të plotë pa Islamin. Njeriu do të besojë fort në ato gjëra që duhet besuar, që të mund të bëhet një mysliman i mirë dhe i shëndoshë. Nëse një person i zbaton urdhrat e Islamit pa pasur një iman të fortë, pa besuar në mënyrën e duhur, do të vijë një ditë kur ai vetë – në mos ai, brezi pasardhës i tij – do të fillojë të tregojë dembelizëm në çështjen e përmbushjes së atyre urdhrave. Njeriu duhet edhe të besojë fort, edhe të veprojë duke i kryer të plota, ashtu siç duhet veprat e tij. Besimi, në qoftë se nuk mbështetet me vepra, dobësohet gradualisht dhe shkon drejt shpërbërjes. Brezi i ditëve tona është një shembull i gjallë i kësaj.
Prandaj xhihadi dhe namazi nuk duhen ndarë nga njëri-tjetri. Sahabët e nderuar falnin namazet e tyre, por bënin edhe xhihad në rrugën e Allahut. Sepse namazi, i cili bart kuptimin e ripërtëritjes së fjalës së dhënë ndaj Allahut pesë herë në ditë, duke u bashkuar me xhihadin dhe detyrat e tjera, nënkupton ecjen drejt përsosmërisë në sytë e Allahut.
Në fakt, për njeriun, edhe sikur ta ripërtërinte premtimin e tij jo pesë, po pesëqind herë në ditë, prapë me vend do ishte. Sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta fitojë ai aftësinë për të kryer detyrën e xhihadit me entuziazëm dhe sinqeritet.
Në Kuran, salátul hauf (namazi i frikës) përshkruhet me të gjitha hollësitë e tij. Nëpërmjet këtij namazi, Allahu na lë të kuptojmë se, edhe atëherë kur armiku është duke lëshuar mbi ne një shi shigjetash, edhe në çastet kur ashpërsia e luftës ka arritur kulmin, as falja e namazit me xhemat nuk duhet lënë pas dore. Po, namazi do të falet edhe nën shigjetat e armikut, madje me xhemat. Domethënë, ndërkohë që një pjesë e xhematit po qëndron përballë armikut, pjesa tjetër vjen dhe lidhet në namaz bashkë me imamin. Pas përfundimit të rekatit të parë, xhemati shkëputet nga namazi dhe kthehet në krye të detyrës në frontin e luftës; këtë herë, vijnë dhe lidhen pas imamit në rekatin e dytë ata që kishin qëndruar përballë armikut gjatë faljes së rekatit të parë. Pasi përfundon edhe rekati i dytë, të pranishmit në faljen e namazit ndërrojnë sërish vend me ata që janë në frontin e luftës. Dhe, kështu, duke ndërruar me radhë vendet, quhet se e kanë falur me xhemat namazin.
Po, namazi do të falet edhe gjatë luftimeve përballë armikut, në asnjë mënyrë nuk do të nxirret nga mendja Allahu. Njerëzit do e përmbushin këtë detyrë sepse kështu ka urdhëruar Ai. Po, namazi dhe xhihadi janë të pandashëm. Sahabët i falnin namazet e tyre edhe gjatë luftës, edhe kur ndodheshin ballë për ballë me armikun. Prandaj i përkrahte gjithmonë ata Zoti i Madhëruar. Parë nga ky këndvështrim, ata që nuk shohin përkrahje, le ta kërkojnë arsyen e mungesës së përkrahjes te marrëdhënia e tyre me Allahun (xhel’le xheláluhu).
Në ditët e sotme ka ca njerëz që nuk falin as edhe një namaz gjatë natës, ama, kur vjen puna te llafet, nuk ka më të gojës se ata. Por ajo për të cilën ne kemi më shumë nevojë sot nuk janë fjalët boshe, po shëndeti shpirtëror, paqja e zemrës, arritja e pastërtisë dhe dëlirësisë së brendshme. “O besimtarë! Ju keni përgjegjësi vetëm për veten tuaj!” thotë Zoti në Kuran. Allahu i do njerëzit që i kryejnë adhurimet me qëllimin për të fituar pëlqimin e Zotit të tyre dhe që e respektojnë Atë. Ndërsa ata që kërkojnë t’i bien qylit, nga njëra anë thonë “Unë jam rob i Zotit, unë i bëj detyrat me të cilat më ka ngarkuar Zoti.”, ndërsa nga ana tjetër, përfshihen në një mijë lloje rebelimesh.
Sa i përket besimtarit të vërtetë, kryerjen e detyrave me të cilat e ka ngarkuar Allahu e konsideron si një çështje të rëndësishme edhe në të qenit ndikues te të tjerët. Sepse, lidhur me këtë, duke thënë “O, Isa! Së pari këshillo nefsin tënd. Nëse ai i pranon ato këshilla, atëherë këshilloji edhe njerëzit. Në të kundërt, të më druhesh Mua.” , Allahu paralajmëron edhe Isanë (a.s.). Njeriu fillimisht duhet t’i kryejë vetë përgjegjësitë e tij, pastaj, kur t’i jepet mundësia, t’ua shpjegojë ato të tjerëve. Kjo është detyra kryesore e njeriut. Një person i tillë, edhe nëse do të japë shembuj nga të tjerët, do të duket sikur thotë gjithmonë ato gjë që bën. Po, për shembull, dikush që nuk fal tehexhud, duhet të dridhet nga ideja për t’ua rekomanduar atë të tjerëve ndërkohë që vetë nuk është çuar asnjëherë natën për ta kryer këtë namaz. Sepse shpjegimi i diçkaje që nuk është hedhur në jetë, që nuk është zbatuar edhe nga vetë personi që po flet, nuk do të ketë ndikim te të tjerët. Po kështu, që një njeri të jetë në gjendje të thotë “Agjëroni dy ditë në javë, të hënën dhe të enjten!”, duhet të ketë filluar njëherë vetë me agjërimin e këtyre dy ditëve. Sepse Allahu na drejtohet në këtë mënyrë: “O besimtarë, përse thoni atë që nuk e bëni?”. Sikur po na thotë: “A nuk ju vjen turp?”
Po, nuk mund ta ndajmë namazin nga xhihadi. Ashtu siç është xhihadi një farz i rëndësishëm, po ashtu edhe namazi është xhihadi më i rëndësishëm i njeriut ndaj nefsit të tij. “Tani jeni kthyer nga xhihadi i vogël për në xhihadin e madh!” u tha një herë i Dërguari i Allahut (s.a.s.) atyre që sapo ishin kthyer nga lufta. Kur sahabët e pyetën Profetin tonë se çfarë ishte xhihadi i madh, Ai (s.a.s.) u përgjigj në këtë mënyrë: “Është xhihadi që bëhet ndaj nefsit.” Pra, xhihadi i vërtetë, ai më i madhi, është përleshja me nefsin, egon tonë. Një person që nuk fal namaz do të thotë se është mundur nga nefsi i tij dhe i është nënshtruar atij.
Nga ana tjetër, nëse besoni se ia keni përkushtuar veten lartësimit të emrit të Allahut, duhet të mendoni për kuptimin e një detyre të këtillë dhe të përkushtimit ndaj saj, si dhe të shfaqni një qëndrim në përputhje me të. Lartësimi i emrit të Allahut është thirrje për besim në Zot; eshtë ftesë për të pranuar Profetin tonë (s.a.s.), shtyllat e tjera të besimit dhe Islamin. Lartësim i emrit të Allahut do të thotë të përpiqesh shumë seriozisht për të bërë të mundur që emri i lartë i Allahut të dëgjohet kudo e të valëvitet si një flamur, që shpirti Muhamedan të hapë flatrat e të fluturojë edhe në qoshet më të errëta. Lartësim i emrit të Allahut do të thotë të ngresh akoma më lart atë që, në vetvete, është e lartë dhe sublime, pra, të vërtetën “Lá iláhe il’lalláh Muhammedun Resúlulláh”; ta bësh atë të dukshëm në të katër anët e botës si një ylber; ta bësh atë të dëgjohet nga të gjithë.
Pra, nëse ju po i thërrisni njerëzit të njohin Allahun, të dëgjojnë mesazhin e Tij, të lexojnë pasqyrimet hyjnore në çehren e ekzistencës dhe të adhurojnë të Adhuruarin Absolut, a nuk duhet që, si fillim, ju vetë t’ia vini veshin atij mesazhi hyjnor, t’i lexoni ato pasqyrime dhe të bëheni robër të vërtetë e të sinqertë të Tij? Nëse nuk jeni duke e kryer ashtu siç duhet një adhurim si namazi, i cili është thelbi dhe baza e adhurimeve, ndërkohë që po i ftoni të tjerët në adhurime, a nuk do t’ju quajnë gënjeshtarë? Nëse lidheni në namaz çdo herë me mendimin “Të shpëtojmë njëherë nga kjo punë.”, nëse e falni namazin me ndjenjën për ta hequr qafe atë dhe mjaftoheni vetëm me kryerjen e disa lëvizjeve që për ju nuk janë gjë tjetër veçse ca formalitete, a nuk i bie që të keni përgënjeshtruar veten tuaj? A nuk është një punë e pakuptimtë të ftoni të tjerët të bëjnë diçka që ju e shihni aq të pavlerë sa për ta hequr qafe menjëherë? A nuk duhet të jetë një çështje shumë serioze në sytë tuaj një e vërtetë tek e cila i keni ftuar të gjithë? Nëse nuk qëndroni me një seriozitet të përsosur mbi ndonjë çështje çfarëdo, si do t’i bëni të tjerët të besojnë që ajo çështje është me të vërtetë e vyer?
Ndikimi varet nga marrëdhënia me Allahun
Mbyllja me sukses e përpjekjeve të bëra në rrugën e lartësimit të emrit të Allahut është e lidhur vetëm me pranimin e Allahut dhe me vlerësimin e atyre përpjekjeve nga ana e Tij. Zoti i Madhëruar nuk i bën ndikues te të tjerët ata që nuk kanë një lidhje të fortë me Të. Le të shpjegojnë çfarë të duan ata që nuk kanë një marrëdhënie të thellë me Të, nuk do të jenë në gjendje të hyjnë në zemrën e askujt, askënd nuk do mund të sjellin në rrugë të drejtë dhe nuk do të jenë në gjendje të ngrenë as edhe një person të vetëm nga të qenit një njeri i rëndomtë në gradën e jetës së zemrës dhe shpirtit. Allahu (xhel’le xheláluhu) u jep vlerë zërit dhe frymës së atyre që janë në rrugën e Tij; fjalët, sjelljet dhe veprat e tyre i bën ndikuese te të tjerët.
Nga ky këndvështrim, shërbëtorët e Kuranit duhet ta kërkojnë vlerën e tyre tek i Vërteti në marrëdhënien që kanë me Të dhe duhet të dinë se gjërat thjesht formale nuk kanë asnjë vlerë në oborrin hyjnor. Po, siç theksohet në një hadith, Allahu i Lartësuar nuk shikon format tuaja, gjendjet tuaja të jashtme apo anën e jashtme të uljeve dhe ngritjeve tuaja, Ai shikon dhe vlerëson emocionet tuaja të përzemërta, thellësitë tuaja të brendshme dhe sjelljet tuaja të sinqerta, të cilat burojnë nga zemrat tuaja dhe janë pasqyrime të anës tuaj të brendshme. Nëse nuk do të ketë një thellësi shpirtërore në sjelljet dhe veprimet tuaja, nëse ato nuk do të derdhen në sheshin e veprave vetëm pasi janë shkëputur nga zemrat tuaja, atëherë e gjithë përpjekja juaj do të jetë e kotë.
Kështu, shpirtrat që duan t’i përkushtohen shërbimit ndaj besimit, për të mos u përballur me qortimin “O besimtarë, përse thoni atë që nuk e bëni?” dhe me pyetjen “Pse bëheni gënjeshtarë duke mos i përfaqësuar ashtu siç duhet të vërtetat te të cilat i thërrisni njerëzit, përse ia nxini fytyrën Islamit?”, duhet të tregojnë një përpjekje madhore. Dhe, meqenëse kanë lidhje me këtë temë, përveç kryerjes më së miri të namazeve farz, ata duhet të tregojnë shumë kujdes edhe ndaj pikave të mëposhtme, që të mund të bëhen heronj të vërtetë të namazit:
Tre kushte për t’u bërë ‘Hero i Namazit’
I Dërguari i Allahut (alejhi ekmelut’tehájá), pasi na e bën të qartë se Xheneti ka njëqind shkallë dhe se shkalla më e lartë e tij është Firdeusi, duke na thënë “Kur t’i kërkoni Allahut të Madhëruar Xhenetin, kërkojini Firdeusin.”, na lë të kuptojmë se qëllimet tona duhet t’i mbajmë gjithmonë sa më të larta. Për më tepër, përtej kërkimit të Firdeusit, Ai na mëson edhe edukatën e të kërkuarit nga Zoti dhe lutje që na tregojnë se çfarë janë ato gjëra që mund të kërkojmë prej Tij. Falë lutjeve që kemi mësuar prej Pejgamberit tonë (s.a.s.), themi “Allahu ynë, mbushi zemrat tona me dëshirën për të parë Bukurinë Tënde, bëji ato të shpërthejnë me zellin për të arritur te Ti dhe na ndero në botën e përtejme me Bukurinë Tënde!” në mëngjes e mbrëmje; falë duave të Profetit tonë jemi në gjendje të shpallim dëshirat tona për të parë Bukurinë e Allahut, për të fituar kënaqësinë dhe pëlqimin hyjnor. Po, nga këto lutje, të cilat i kemi mësuar prej Profetit tonë të nderuar, kuptojmë se duhet t’i mbajmë sa më të larta synimet tona.
Për rrjedhojë, synime të larta duhet të kemi edhe në çështjen e kuptimit të të vërtetës së namazit; duhet t’i kërkojmë Zotit të Madhëruar që të na e mundësojë edhe neve dëshirën e zjarrtë të të parëve tanë ndaj adhurimeve, kujdesin e tyre në kryerjen më së miri të adhurimeve; duhet t’i kërkojmë Atij ndihmesën hyjnore, në mënyrë që të mund ta kryejmë namazin me vetëdije. Mbase secili nga ne duhet të thotë kështu: “Allahu im! Më begato edhe mua me thellësinë e namazit të Profetit Tënd të Dashur; mundësoja edhe shpritit tim kuptimin e namazit! Zoti im, edhe unë dua të fal namaz ashtu si Pejgamberi ynë (s.a.s.), dëshiroj ta ndiej atë me të gjitha grimcat e qenies sime… Dëshiroj që, gjatë namazit, të mos mendoj për asgjë tjetër përpos Teje dhe të bëhem njësh me namazin… Të lutem, Allahu im, ma mundëso edhe mua këtë mirësi Tënden!”
Po, të duash të arrish në një horizont profetik të adhurimit nuk do të thotë që po kërkon të jesh profet. Kjo dëshirë është kërkesa për të marrë si shembull në jetën tonë të adhurimeve Tablonë e Krenarisë së Njerëzimit (s.a.s.), Atë që duhet ndjekur në çdo çështje, dhe për t’u thelluar akoma më shumë në namaz. Pa dyshim, një lutje e tillë e juaja kurrë nuk shkon dëm. Nëse do të jeni ambiciozë dhe këmbëngulës në këtë dua, Allahu nuk do t’ju privojë prej saj; në dashtë Zoti, falë kësaj, shpresoj të arrini të jeni bashkë me Të. Ju shfaqni një dëshirë kaq të vogël, kurse Sundimtari i Përjetshëm i përgjigjet asaj ashtu siç i takon Individualitetit të Tij, në masën e madhështisë dhe mëshirës së Tij të pafund. Në këtë aspekt, të qenit i etur për gjëra të larta dhe t’ua vësh syrin qëllimeve sublime janë shprehje të dëshirës për t’i mbajtur synimet sa më të larta. Edhe në çështjen e kryerjes së namazit, njeriu gjithmonë duhet të aspirojë për më lart.
Dëshira për të kuptuar të vërtetën e namazit është një lutje me fjalë dhe me zemër, ndërsa aspekti vepror i kësaj lutjeje konsiston kryesisht në leximin e veprave të shkruara mbi këtë temë. Për një besimtar që dëshiron ta falë namazin me vetëdije, por që nuk ka lexuar as dy-tre libra në lidhje me të, që nuk ka treguar as më të voglën përpjekje për të mësuar përsiatjet e të mëdhenjve në lidhje me këtë temë dhe që ka lënë pas dore madje edhe anën teorike të kësaj çështjeje, nuk mund të thuhet se është i sinqertë në këtë dëshirë të tijën. Kështu që, hapi i dytë i udhëtarit të namazit është mbushja e zemrës me një dëshirë të zjarrtë ndaj adhurimeve dhe leximi i artikujve e librave, të cilët, duke e shëtitur atë nëpër atmosferën e ndritshme të namazit dhe duke i përcjellur atij botëkuptimet e gjera në lidhje me namazin dhe ndjesitë e thella të të mëdhenjve të botës shpirtërore, do e mbushin përbrenda edhe me ndjenjën e frikës dhe respektit. Ustadi i nderuar, për shkak se i konsideronte të rëndësishme, disa nga veprat e tij i ka lexuar njëqind e pesëmbëdhjetë herë. A nuk duhet që edhe një besimtar t’i lexojë disa herë të paktën disa vepra në lidhje me të vërtetën e Individualitetit Hyjnor, parimet e besimit dhe dimensionin kuptimor të adhurimeve? Po, nxënësit e Kuranit duhet t’i lexojnë patjetër mendimet në lidhje me namazin të miqve të të Vërtetit, siç janë Gazaliu, Mevlana dhe Bediuzamani, por edhe artikujt e shkruar mbi namazin në ditët e sotme. Ata duhet të përfshihen gjithashtu edhe në diskutimet që zhvillohen me synimin e shtjellimit të mëtejshëm të kësaj teme.
Një kusht tjetër shumë i rëndësishëm në rrugën për të arritur rezultatin e dëshiruar është të qenit këmbëngulës edhe në lutjet me fjalë, edhe në ato me vepra, të qenit i vendosur dhe i qëndrueshëm në çështjen e arritjes së synimit dhe ecja drejt qëllimit hap pas hapi, duke treguar një durim aktiv. Zemrën e atij që po e kërkon një gjë të tillë mund të mos e zërë menjëherë sevdaja për namazin; një person mund të mos e ndiejë të vërtetën e namazit për ditë, muaj, madje edhe vite të tëra. Rrjedhimisht, është goxha e rëndësishme që, në çështjen e plotësimit të shkaqeve që do të na çojnë drejt arritjes së asaj çfarë kërkojmë, të tregohemi këmbëngulës.
Nëse dëshironi ta shihni veten si kandidat për hero të namazit, nuk duhet të qëndroni indiferent ndaj përdorimit të argumenteve që do t’ju çojnë në atë horizont. Duhet t’i drejtoheni jo vetëm një herë, po ndoshta njëqind herë cilitdo zë, cilësdo frymë që jua entuziazmon zemrën e ju bën të ngriheni qirithi. Mbase do t’ju duhet ta lexoni një libër dhjetëra herë, ta dëgjoni disa herë një kasetë, t’u vini veshin sa e sa herë fjalëve të një më të madhi dhe të mendoni gjatë gjithë kohës për qëllimin që ia keni vënë vetes. Nuk duhet të themi “Nuk po bëhet!”, kthimin mbrapa nuk duhet ta çojmë në mendje aspak, nuk duhet të tregohemi të nxituar. Të mos harrojmë se mund të rrjedhim si uji në këtë rrugë për vite me radhë, mund të përplasemi në shumë shkëmbinj, por çdo herë do të dalim edhe më të dëlirë dhe, në fund, do të arrijmë oqeanin. Në varësi të thellësisë së nijetit dhe madhështisë së përpjekjes dhe përkushtimit tuaj, në botën tjetër do të zini vendin tuaj prapa “të parëve”, secili prej të cilëve qe një dashurues i namazit.
10. Funksioni i mesxhideve dhe xhamive
Mesxhidet dhe xhamitë kanë një vend të veçantë në sytë e myslimanëve. Prandaj bart një rëndësi të madhe ndërtimi dhe rikonstruktimi i tyre. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka dhënë sihariqin e ndërtimit të një shtëpie në Xhenet nga ana e Allahut (xhel’le xheláluhu) për këdo që ndërton një mesxhid në këtë botë. Edhe Ai vetë, posa mbërriti në Medine, iu fut punës së ndërtimit të një mesxhidi, i cili do të shërbente edhe për mbledhjet që do të zhvillonin këshilltarët ushtarakë e civilë në lidhje me çështjet e ndryshme të shtetit, edhe si një vend ku të gjithë besimtarët do t’ia paraqitnin bashkarisht adhurimet e tyre Allahut. Madje iu vu punës në një mënyrë të atillë, saqë punoi bashkë me sahabët e tij sikur të ishte një punëtor krahu. Kur e kërkonte nevoja, transportonte mbi shpinë një qerpiç, merrte në duar manivelën, kazmën, lopatën dhe, duke i qëndruar larg çdo pikëpamjeje burokratike, gërmonte tokën, thyente gurë e punonte si një njeri i thjeshtë. Umeti i Tij e ka pranuar si sunet këtë sjellje të Profetit Muhamed (s.a.s.); komandantët e ushtrive islame, duke hapur fillimisht një mesxhid në secilin vis që merrnin nën kontroll, përgatisnin kështu vendin ku njerëzit do të kishin mundësinë të mblidheshin e t’i përgjëroheshin Allahut dua pas duaje, të hapnin duart drejt qiellit e t’i paraqisnin Zotit adhurimet e tyre.
Në ditët e sotme, mesxhidet e kanë humbur shumicën e funksioneve të tyre, duke u shndërruar kështu në ndërtesa ku ne vetëm mund të kryejmë adhurimet tona. Kurse i Dërguari i Allahut (s.a.s.) kryente në mesxhid edhe mbledhjet për zgjidhjen e meseleve ushtarake, juridike dhe administrative. Po ashtu edhe myslimanët e patën vazhduar zbatimin e këtij suneti për një kohë të gjatë. Në periudhat kur të gjitha punët kryeshin në mesxhide, njerëzit, brenda atmosferës së llogaridhënies para Zotit, në fillim vendosnin kokën në tokë, pastaj ngriheshin dhe kryenin punët që kishin për të kryer. Ndoshta bënin ndonjë mëkat pa dashje, por, më pas, vinte koha tjetër e namazit dhe ata pastroheshin duke iu drejtuar sërish Allahut.
Në një hadith sahih (të vërtetë, të saktë), i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e shpreh këtë veçori të namazit si vijon:
“Pesë namazet, namazi i Xhumasë deri në namazin e Xhumasë pasardhëse dhe Ramazani deri në Ramazanin pasardhës janë shlyerje për mëkatet e bëra mes tyre, për sa kohë robi ruhet nga mëkatet e mëdha.”Ndërsa në një hadith tjetër, i pyet sahabët në këtë mënyrë: “Nëse një lumë rrjedh para derës së njërit prej jush dhe ai person lahet në atë lumë pesë herë në ditë, si thoni, a mund të mbesë ndonjë papastërti mbi trupin e tij?” Pasi sahabët i përgjigjen duke thënë “Asnjë papastërti nuk mbet në trupin e një personi që vepron në këtë mënyrë!”, Profeti ynë (s.a.s.) thotë: “Ja pra, ky është shembulli i pesë kohëve të namazit. Në sajë të namazeve, Allahu i fshin të gjitha gjynahet.”
Ne besojmë se, kur mesxhidet dhe xhamitë të fillojnë të përmbushin sërish funksionet e tyre të vjetra, njerëzit do të fillojnë t’i bëjnë punët e tyre me ndërgjegje të pastër dhe dinamizëm të brendshëm në një atmosferë llogaridhënieje ndaj Allahut, në përputhje me këto rrethana do t’i hedhin hapat, do t’i lënë pas gjërat e epokës së injorancës dhe do të jenë një hap më afër Islamit. Deri më tani, ndoshta janë hedhur disa hapa në këtë drejtim, janë bërë disa lëvizje; por frytet e pritura ende nuk janë marrë. Shpresohet që në vazhdim, duke u marrë disa vendime në këtë drejtim, xhamitë të mos shihen më vetëm si vende ku bëhen vetëm një pjesë e adhurimeve, po të shndërrohen në vende ku kryhen edhe disa detyra të tjera që kanë të bëjnë me shoqërinë. Sipas fjalëve të Kuranit, ata që do t’i bëjnë mesxhidet të fitojnë funksionin e tyre të vërtetë dhe që do të bëjnë të mundur restaurimin e tyre material dhe shpirtëror, janë ata që i kanë besuar me të vërtetë Allahut. Në Kuranin Famëlartë thuhet kështu:
“Faltoret e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, që falin namazin dhe japin zekatin e që nuk i frikësohen askujt tjetër përveç Allahut. Sigurisht që këta janë në rrugë të drejtë.”
Sulltan Ahmeti i dinastisë së osmanllinjve, ai sundimtar i madh që, kur shenja e këmbës së Pejgamberit tonë (s.a.s.) qe ekspozuar në Stamboll, e pati përshëndetur atë objekt të bekuar me fjalët “Ah, sikur ta shëtisja si një kurorë mbi kokën time këmbën tënde të pastër!”, ishte nga ata njerëz që vetëdijen islame e kishin të ngulitur gjer në palcë.
Transmetohet se edhe ai ka punuar si një punëtor gjatë ndërtimit të xhamisë së Sulltan Ahmetit, duke transportuar rërë e zhavorr me fundin e kaftanit të tij, dhe se më pas është lutur duke thënë: “Allahu im! Pranoje këtë punë kaq të vogël të Ahmetit të varfër, robit Tënd! Bëje atë nga nozullimet e botës tjetër!”
Njeriu vdes ashtu siç jeton, dhe ringjallet ashtu siç vdes. Vite më vonë, këtë njeri të madh, që punoi në ndërtimin e xhamisë që deshi të bënte ashtu siç pati punuar në të kaluarën Profeti ynë (s.a.s.), nipi i tij e sheh në ëndërr, tek po shëtiste në Xhenet. “Gjyshi im i dashur, si je?”, e pyet ai. Kurse Sulltan Ahmeti i përgjigjet në këtë mënyrë: “Zoti i Madhëruar, duke i pranuar veprat që bëra, më fali dhe më futi në Xhenetin e Tij.”
Shënimet
- 43.Muslim, ímán 134; Tirmidhí, ímán 9; Ebú Dáúd, sunnet 15.
- 44.Surja Mu’minún, ajetet 1-2.
- 45.Taberání, el Mu’xhemul kebír 6/185-186; Bejhakí, es Sunenus-sugrá fq. 20.
- 46.Ibn Sa’d, et Tabakatul kubrá 7/441.
- 47.Surja Nisá, ajeti 102.
- 48.Ebú Dáúd, salát 144-145; Tirmidhí, meuákít 193; Nesáí, salát 9; Ibn Máxhe, ikáme 202.
- 49.Surja Inshikak, ajetet 7-9.
- 50.Buhárí, ilm 35; Muslim, xhennet 79.
- 51.Surja Muddeththir, ajetet 38-47.
- 52.Buhárí, teuhíd 15, 35; Muslim, dhikr 2, 19, teube 1.
- 53.Muslim, salátul musáfirín 141; Tirmidhí, salát 348; Ebú Dáúd, tatavvu 26; Nesáí, kible 13, kijámul lejl 2, 64.
- 54.Muslim, salát 215; Ebú Dáúd, salát 148; Nesáí, meuákít 35; tatbík 78.
- 55.Surja Sexhde, ajeti 16.
- 56.Ahmed Ibn Hanbel, el Musned 6/352, 4/287, 295; Aburrezzak, el Musannef 3/582, 583.
- 57.Surja Núr, ajeti 45.
- 58.Taberání, el Mu’xhemul kebír 6/185-186; Bejhákí, es Sunenus’sugrá, fq. 20. 60 Buhárí, edhán 30. Për hadithe me kuptim të ngjashëm me këtë: Buhárí, mesáxhid 36, bujú 49; bed’ul halk 7; Muslim, mesáxhid 275.
- 59.Ahmed ibn Hanbel, el Musned 5/437; Dárimí, taháret 45.
- 60.Bezzár, el Musned 11/42.
- 61.Buhárí, edhán 33; fedáilul Medine 11; Muslim, mesáxhid 280-281.
- 62.Surja Fet’h, ajeti 29.
- 63.Muslim, taháret 39; Nesáí, taháret 110; Ibn Máxhe, zuhd 36.
- 64.Buhárí, edhán 34; meuákít 20; Muslim, mesáxhid 252.
- 65.Surja Hakka, ajetet 19-20.
- 66.Bediuzamani, Shkreptimat, fq. 109 (Shkreptima e Njëmbëdhjetë, Pika e Parë).
- 67.Bediuzamani, Fjalët, fq. 744 (Fjala e Njëzet e Nëntë, Qëllimi i Parë), fq. 773 (Fjala e Njëzet e Nëntë, Qëllimi i Dytë).
- 68.Surja Nisá, ajeti 142.
- 69.Ibn Máxhe, zuhd 21; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 3/30.
- 70.Ahmed ibn Hanbel, el Musned 5/428, 429; Taberání, el Mu’xhemul kebír 4/253.
- 71.Semerkandí, Tenbíhul gáfilín, fq. 23.
- 72.Bediuzamani, Fjalët, fq. 1056 (Rrezëllimat).
- 73.Buhárí, rikak 23; Ebú Ja’lá, el Musned 13/549.
- 74.Surja Shuará, ajetet 217-219.
- 75.Buhárí, edhán 18, edeb 27, temenní 9; Dárimí, salát 42.
- 76.Surja Nisá, ajeti 142.
- 77.Surja Máún, ajetet 4-5.
- 78.Ibn Ebí Shejbe, el Musannef 6/163, 7/505.
- 79.Buhárí, de’auát 66; Muslim, dhikr 25.
- 80.Muslim, mesáxhid 150; Tirmidhí, de’auát 127; Nesáí, iftitáh 8.
- 81.Muslim, salátul musáfirín 84.
- 82.Surja Teube, ajeti 105.
- 83.Muslim, salátul musáfirín 141; Tirmidhí, salát 348; Ebú Dáúd, tatavvu 26; Nesáí, kible 13, kijámul lejl 2, 64.
- 84.Buhárí, tehexhxhud 9; Muslim, salátul musáfirín 204.
- 85.Surja Muzzemmil, ajeti 8.
- 86.Taberání, el Mu’xhemul kebír 12/84.
- 87.Taberání, el Mu’xhemul kebír 3/263.
- 88.Buhárí, edhán 95, 122, istidhán 18, ejmán 15; Muslim, salát 45.
- 89.Muslim, salátul musafirin 203; Ebú Dáúd, salát 155.
- 90.Taberání, el Mu’xhemul kebír 11/54.
- 91.Surja Ahzáb, ajeti 72.
- 92.Ibn Máxhe, sijám 21; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 2/373.
- 93.Buhárí, rikak 38; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 6/256.
- 94.Ibn Máxhe, zuhd 15; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 5/412.
- 95.Buhárí, meuákítus’salát 6; Muslim, mesáxhid 283-284.
- 96.Nesáí, ishretun’nisá 1; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 3/128, 199, 285.
- 97.Ebú Dáuúd, taharet 79; Hákim, el Mustedrek 1/258.
- 98.Hatíb el Bagdádí, Táríhu Bagdád 9/261.
- 99.Dhehebí, Sijeru a’lámin’nubelá 7/207.
- 100.Bediuzamani, Fjalët, fq. 32 (Fjala e Katërt).
- 101.Bediuzamani, Fjalët, fq. 393 (Fjala e Njëzet e Një, Stacioni i Parë).
- 102.Bediuzamani, Shenjat e Mrekullisë, fq. 77.
- 103.Fahruddín Rází, Mefátíhul gajb 1/214; Sujútí, Sherhu Suneni ibn Máxhe, fq. 313.
- 104.Surja Nexhm, ajetet 8-9.
- 105.Surja Táhá, ajeti 14.
- 106.Buhárí, teuhíd 35; Muslim, sijam 160.
- 107.Surja Húd, ajeti 114.
- 108.Bediuzamani, Shkreptimat, fq. 19 (Shkreptima e Dytë, Pika e Parë).
- 109.Bediuzamani, Fjalët, fq. 686 (Fjala e Njëzet e Gjashtë, Çështja e Dytë, E shtata).
- 110.Bejhakí, Shuabul ímán 1/491.
- 111.Shihni ajetin 107 të sures Isrá.
- 112.Surja Teube, ajeti 82.
- 113.Muslim, dhikr 73; Ebú Dáúd, uitr 32; Tirmidhí, de’auát 68.
- 114.Alij’julkárí, Fet’hu Bábil Ináje 1/467.
- 115.Surja Muzzemmil, ajetet 1-8.
- 116.Surja Isrá, ajeti 79.
- 117.Surja Sexhde, ajeti 16.
- 118.Surja Insán, ajetet 25-26.
- 119.Buhárí, tehexh’xhud 2, 21, fedáilu ashábin’nebi 19, tabir 35, 36; Muslim, fedáilus’sahabe 139, 140.
- 120.Tirmidhí, salát 188; Ebú Dáuúd, salát 144; ibn Máxhe, ikámetus’salát 202.
- 121.Surja Ankbút, ajeti 45.
- 122.Surja Shu’ará, ajetet 217-219.
- 123.Ebú Dáúd, salát 161; Nesáí, sehu 18.
- 124.Nesáí, ishretun’nisá 1; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 3/128, 199, 285.
- 125.Taberání, salát 221-222; Eú Dáúd, salát 148.
- 126.Muslim, salát 221-222; Ebú Dáúd, salát 148.
- 127.Tirmidhí, de’auát 90; Ebú Dáúd, edeb 97; Hejthemí, Mexhmeuz’zeuáid 10/124.
- 128.Surja Máide, ajeti 118.
- 129.Muslim, ímán 346; Nesáí, Sunenul kubrá 6/373.
- 130.Buhárí, tehexhxhud 9; Muslim, salátul musáfirín 204.
- 131.Surja Áli Imrán, ajetet 190-191.
- 132.ibn Kethír, Tefsírul Kur’án 1/442.
- 133.Buhárí, terauih 1; Muslim, salátul musáfirín 125.
- 134.Surja A’ráf, ajeti 16.
- 135.Buhárí, i’tikáf 11, 12, bed’ul halk 11, edeb 121, ahkám 21; Muslim, selám 23, 24.
- 136.Buhárí, edhán 4, el amel fissalát 18, sehu 6, bed’ul halk 11; Muslim, salát 19, mesáxhid 83.
- 137.Surja Hixhr, ajeti 40; surja Sád, ajeti 83.
- 138.Muslim, ímán 133; ibn Máxhe, ikáme 70; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 2/442.
- 139.Surja Ra’d, ajetet 27-28.
- 140.Bediuzamani, Emirdağ Lahikası 2/142.
- 141.Ibn Máxhe, sijám 21; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 2/373.
- 142.Surja Mu’minún, ajetet 1-2.
- 143.Ebú Dáúd, edeb 85.
- 144.Kështu quhen ata që vendosin ta kalojnë jetën e tyre në një vend të shenjtë, duke iu përkushtuar adhurimeve dhe kryerjes së shërbimeve të atij vendi.
- 145.Shihni ajetet 101-103 të sures Nisá.
- 146.Surja Máide, ajeti 105.
- 147.Ahmed ibn Hanbel, Zuhd 1/54; Ebú Nuajm, Hiljetul eulijá 2/382.
- 148.Surja Saf, ajeti 2.
- 149.Bejhakí, Zuhd 1/165; Hatíb el Bagdádí, Táríhu Bagdád 13/523.
- 150.Muslim, birr 34; ibn Máxhe, zuhd 9.
- 151.Surja Saf, ajeti 2.
- 152.Buhárí, xhihád 4; Tirmidhí, xhennet 4; ibn Máxhe, zuhd 39.
- 153.Buhárí, salát 65; Muslim, mesáxhid 24, 25, zuhd 43-44.
- 154.Muslim, taháret 10, 15, 16; Tirmidhí, salát 46; Ahmed ibn Hanbel, el Musned 2/359.
- 155.Buhárí, meuákítus’salát 6; Muslim, mesáxhid 283-284.
- 156.Surja Teube, ajeti 18.