Aishja0%

PERIUDHA E KATËR KALIFËVE DHE MUAVIJES

Edhe pse të gjithë e vuanin shumë mungesën e Profetit, jeta vazhdonte. Megjithëse i Dërguari i Zotit mungonte, Aishja, e cila kishte kaluar gjithë kohën me Të, dhe e cila e kishte vëzhguar me kujdes Atë në një sërë situatash, kishte mbetur e vetmuar.

Në praninë e saj ishte kishte një komunikimi dyplanësh - ose njerëzit vinin dhe e pyesnin Aishen, ose Aishja ndërhynte kur ndodhte ndonjë gjë e keqe. Përcjellja e mesazhit vazhdoi, me Aishen si mësuese. Ajo ndante me të tjerët njohuritë që kishte fituar nga i Dërguari i Zotit, dhe sigurohej që brezat e ardhshëm të kishin informacion të shëndetshëm në lidhje me fenë.

Një ditë, pati një mosmarrëveshje për një çështje toke ndërmjet Ebu Selemes dhe disa të tjerëve, të cilët nuk arrinin të binin dakord se kujt i takonte toka. Ebu Seleme e ndau shqetësimin e tij me Aishen, ndoshta ngaqë priste mbështetjen e saj. Por pasi e dëgjoi, Aishja i tha Ebu Selemes ta linte me kaq çështjen e asaj toke, sepse kishte dëgjuar nga i Dërguari i Allahut se ai që sillet padrejtësisht qoftë edhe për një pëllëmbë tokë, do të dënohet ashpër pas vdekjes.

Një ditë tjetër, dikush erdhi tek ajo dhe i tha se disa njerëz e recitonin të gjithë Kuranin në një natë, në një ose dy sesione, dhe ai donte të dinte nëse kjo ishte e drejtë. Ajo tha:

“Ata recitojnë, por në të vërtetë, nuk kuptojnë! I Dërguari i Zotit dhe unë kemi falur një herë namazin së bashku gati tërë natën. Ai recitoi suret Bekare, Al Imran dhe Nisa. Kur ai erdhi në një ajet që përmbante një shprehje kërcënuese, menjëherë kërkoi strehë tek Allahu nga ai dënim. Ndërsa kur recitoi një ajet që përmbante një sihariq, u kthye nga Zoti dhe iu lut për atë shpërblim.”

Ashtu si edhe më parë, njerëzit vazhduan të sillnin fëmijët e tyre

të porsalindur në shtëpinë e lumturisë për të kërkuar prej saj lutje dhe bekime, dhe Aishja i lutej Allahut t’i bekonte ata. Në një ditë të tillë, ndërsa ajo ishte duke vënë fëmijën përsëri në jastëk, vuri re një hajmali që përdorej për të sjellë fat. E pa me kujdes, e largoi mënjanë, dhe e pyeti:

“Çfarë është kjo?”

“Ajo do të na e ruajë fëmijën nga djalli.”, iu përgjigjën.

Aishja u zemërua. Kjo ishte një devijim, dhe një devijim i tillë kaq herët pas vdekjes së të Dërguarit të Zotit, do të thoshte një ftesë e hapur për të bërë më shumë gabime në të ardhmen. Ajo e flaku tutje hajmalinë dhe tha:

“Nuk ka asnjë dyshim se i Dërguari i Zotit i ka ndaluar hajmalitë dhe zemërohej shumë me ata që bënin gjëra të tilla.”

Pas pushtimit të tokave të reja, njerëzit habiteshin në lidhje me lejueshmërinë e pijeve që ata kishin parë kohët e fundit, dhe kështu ata erdhën për ta pyetur Aishen. Ajo e trajtoi me kujdes çdo çështje, dhe u kujtoi atyre deklaratat e të Dërguarit të Allahut rreth pijeve dehëse, dhe i këshilloi ata që t’u shmangen pijeve të një natyre të panjohur.

Gjatë sezonit të Haxhit, kur të gjitha rrugët të çonin në Mekë, gratë mblidheshin rreth Aishes dhe i bënin asaj pyetje që u vinin ndër mend. Kjo ka ndodhur aq shpesh, saqë ajo gjithmonë do të ecte së bashku me ndonjë grup grash që mblidheshin rreth saj. Ajo e konsideronte bisedën me to si një moment i përshtatshëm për të përcjellë mesazhin dhe për t’i këshilluar ato.

Kur ndodhej në Mina, Aishja vuri re disa adoleshentë që qeshnin së bashku me njëri-tjetrin. Duke bërë me shenjë nga ata, ajo i pyeti ato që kishte afër se çfarë i bëri ata të qeshnin.

Ato iu përgjigjën:

“Dikush u pengua në litarin e çadrës dhe u rrëzua; ai ishte gati duke thyer qafën dhe duke humbur syrin.

Ajo i paralajmëroi ata:

“Kujdes, mos qeshni. Unë njëherë kam dëgjuar nga i Dërguari i Zotit të thoshte: “Myslimanit i është dhënë një gradë e atillë e lartë shpirtërore, për arsye se për çdo gjemb që i shpon këmbën apo edhe nga ndonjë vuajtje më të madhe se kjo, atij i falet një nga mëkatet e tij.”Aishja gjithmonë ka pasur për qëllim të përfaqësonte drejtësinë, pa marrë parasysh se kush i adresohej asaj. Njerëzit e dinin se ajo ishte një thesar i diturisë, dhe i bënin shpesh vizita asaj për të marrë përfitimin maksimal.

Kalifati i Ebu Bekrit

Pasi vdiq i Dërguari i Allahut, kalif u bë Ebu Bekri. Megjithëse ishte një njeri i butë dhe i dhembshur, Ebu Bekri kujdesej që mbi çdo gjë tjetër të mbante miratimin e Allahut. Osmani njëherë erdhi tek ai gjatë ditëve të kalifatit të tij dhe i parashtroi çështjen e trashëgimisë së disa prej grave të të Dërguarit të Allahut. Por në të vërtetë, Resulullahu nuk kishte lënë asgjë pas. Ebu Bekri vendosi të pyeste të bijën, Aishen, nëse ajo dinte ndonjë gjë më tepër në lidhje me këtë çështje, sepse e dinte se ajo nuk ishte mes atyre që pretendonin për trashëgimi.

Pasi e dëgjoi këtë, Aishja u rrëqeth dhe tha:

“Lavdi i qoftë Zotit! Nuk mund të bëhet fjalë trashëgimi, kur vetë i Dërguari i Zotit ka thënë: ‘Ne profetët nuk lënë trashëgimi, ne lëmë vetëm lëmoshë.’”

Gratë e tjera dhe Kalifi pastaj e kuptuan; asnjë gjykim i ri nuk ishte i nevojshëm për një çështje e cila tashmë kishte një gjykim të qartë. Gratë e të Dërguarit të Zotit hoqën dorë nga kërkesa e tyre dhe u rikthyen në jetën e tyre të thjeshtë.

Që prej atëherë e tutje, Aishja ishte një burim i rëndësishëm i informacionit për kalifin Ebu Bekër. Kur njerëzit jo të ndershëm përpiqeshin për ta ngatërruar ose për t’i futur njerëzit në qorrsokak në lidhje me ndonjë çështje, ai konsultohej shpesh me Aishen. Në ato ditë, Ebu Bekri kishte probleme shumë të mëdha, të mjaftueshme për t’i thërrmuar malet sa të ktheheshin në pluhur. Njohuritë e Aishes qenë të paçmueshme. Gati dy vjet e gjysmë kaluan shpejt. Gjatë kësaj kohe ishin vërejtur tradhtarë dhe profetë të rremë. Ebu Bekri ndjehej i lodhur, por kishte qetësinë e përmbushjes së besimit të të Dërguarit të Zotit.

Ebu Bekri ra i sëmurë. Ai vazhdoi të tregonte ndjeshmëri të njëjtë gjatë sëmundjes së Tij. Ai e mbajti vajzën e tij pranë dhe ndante me të mendimet e tij konfidenciale. Sjellja e tij e përgjithshme dukej se tregonte se ai kishte marrë një ftesë nga qielli - u bë e qartë se koha e qëndrimit të tij në tokë kishte marrë fund. Ebu Bekri kishte qenë në gjendje të duronte humbjen e të Dërguarit të Allahut për vetëm për dy vjet, tre muaj dhe dhjetë ditë.

Aishja, e cila kishte përjetuar ditët e fundit të të Dërguarit të Zotit gjithashtu, u kujdes edhe për babain e saj gjatë sëmundjes së tij.

Ebu Bekri ishte po aq i ndjeshëm në agoninë e tij siç kishte qenë edhe gjatë gjithë jetës. Ai e thirri Osmanin për të shkruar një pakt. Pastaj i kërkoi Aishes t’i dërgonte pagat e tij të mbetura në thesarin e shtetit pas vdekjes. Ai tha:

“Omeri ma kërkoi këtë gjë dhe unë u detyrova të marr gjashtë mijë dërhemë nga thesari. Të gjitha ato janë fshehur nën mur në filan vend, ju lutemi t’i gjeni dhe t’ia ktheni ato para Omerit.”

Fjalët e tij përcillnin perceptimin dhe mençurinë e tij, dhe gjithashtu treguan qartë se cilin zgjodhi ai si pasues.

Ai kishte diçka tjetër për t’i thënë Aishes, dhe i tha asaj të vinte më afër, e saora e këshilloi:

“Unë nuk kam shpenzuar as edhe një dërhem apo dinar të popullit

mysliman që kur kam marrë mbi supe përgjegjësinë që të kujdesem për ta. Përkundrazi, unë kam qëndruar i uritur dhe i veshur në rroba të vjetra.”

Shqetësimi i Ebu Bekrit dhe rrahjet e zemrës së tij rriteshin në çdo minutë që kalonte, dhe ai kërkonte me nxitim të hiqte barrën e rëndë që kishte mbi supe. Ai e shikonte vajzën e tij me dhembshuri. Ai e trajtonte atë si nënën e vet, pasi ajo ishte martuar me të Dërguarin e Zotit. Ngrohtësia e tij dukej se tregonte se sa shumë e donte atë. Dashuria e tij nuk e ndali gjithsesi Ebu Bekrin nga ndarja e problemeve të vështira që ai kishte lënë prapa, prandaj i tha:

“Bija ime e çmuar, ti e di që unë dua dhe të admiroj ty më tepër se këdo në mesin e njerëzve. A të kujtohet se unë të kam dhënë ca tokë, por a mund të ma rikthesh atë përsëri mua, sepse unë nuk jam i kënaqur plotësisht me mënyrën se si e kam ndarë atë. Unë dua që ndarja e pasurisë në mesin e fëmijëve të mi të jetë në përputhje me Librin e Zotit. Në prani të Allahut, unë nuk dua të jem në pozitën e atij që ka preferuar disa nga fëmijët e tij mbi të tjerët.”

Pa asnjë hezitim, ajo iu përgjigj se do ta përmbushte menjëherë dëshirën e tij.

Ebu Bekri e pyeti të bijën:

“Në cilën ditë ka vdekur i Dërguari i Allahut?”

“Ditën e hënë.”

Nga mimika e fytyrës së tij, ajo e kuptoi menjëherë se çfarë po bluante në mendje. Ai pyeti përsëri:

“Çfarë dite është sot?”

“E hënë.”

Ai mori frymë thellë dhe nga buzët e tij dolën fjalët e mëposhtme të cilat shprehnin dëshirën e tij:

“E lus dhe i përgjërohem Allahut që të mos kaloj një natë tjetër pas kësaj!”

Pastaj pyeti:

Sa çarçafë u patën mbështjellë rreth trupit të të Dërguarit të Allahut pasi vdiq?”

Aishja u përgjigj:

“E mbështollëm trupin e tij me tri copa të reja e të bardha, të cilat quhen sahulija. Xhybja dhe veshja e tij nuk ishin mes tyre.”

Duke treguar rrobat që kishte veshur, ai tha:

“Laji këto rroba sepse në to ndodhet një njollë shafrani. Shto edhe

dy copa të tjera dhe më mbështillni me to.”

Graviteti i situatës ishte bërë më i dukshëm me kalimin e kohës. Babai i saj dhe kalifi i myslimanëve ishte gati të vdiste. Aishja ndjehej e hutuar dhe e kishte harruar dhimbjen e saj, sepse ajo ishte aq e zënë me kërkesat që vinin njëra pas tjetrës. Ajo në përgjithësi tregoi ndjeshmëri të madhe në përmbushjen e kërkesave të babait të saj përpara vdekjes së tij, por këtë të fundit ajo nuk e miratoi. Ai nuk ishte dokushdo, ai ishte kalifi udhëheqës i besimtarëve, pasuesi i besuar të Dërguarit të Zotit. Ajo kundërshtoi:

“Por ajo është e vjetër.”

Por Ebu Bekri ishte i vendosur në të tijën dhe i tha:

“Kjo është në rregull. Njerëzit që jetojnë kanë nevojë më shumë për rroba të reja se ato që kanë vdekur. Sido që të jetë, qefini i vdekjes do të kalbet.

Ai kishte një tjetër kërkesë. Ai dëshironte të ruante përsëri afërsinë me të Dërguarin e Zotit që kishte filluar qysh me shpalljen dhe kishte zgjatur për njëzet e tre vjet. Ai dëshironte të varrosej pranë të Dërguarit të Zotit, larg zhurmës dhe bujës. Ai donte që gruaja e tij, Esma binti Umejse t’i lante trupin dhe djali e tij Abdurrahmani ta ndihmonte atë. Sytë e Aishes u mbushën me lot.

Ashtu siç kishte shpresuar, ai u ribashkua me të Dërguarin e Zotit atë natë, dhe u varros pranë tij. Hëna e dytë, të cilën Aishja e kishte parë në ëndërr dhe të cilën Ebu Bekri e kishte interpretuar, u ngrit mbi dhomën e saj. Shtëpia e lumturisë e Aishes priti hënën e kalifit të parë pranë hënës së Profetit.

Kalifati i Omerit

Gjatë kalifatit të Omerit, Aishja mbeti një autoritet i rëndësishëm me të cilën duhej konsultuar për çështjet që dolën. Edhe pse ai i respektonte të gjitha të vejat e të Dërguarit të Allahut, njohuritë e Aishes e bënin atë unike. Ai i drejtohej asaj si “më e dashura e të Dërguarit të Zotit.”

Omeri së pari kishte parasysh të vejat e Profetit, kur ai bënte shpërndarjen e pasurisë së fituar në zgjerimet territoriale, duke i dhënë secilës prej tyre dhjetë ose dymbëdhjetë mijë dërhemë në vit. Ai i dha dy mijë më shumë Aishes, për shkak të pozicionit të saj në krah të të Dërguarit të Zotit.

Omeri mbajti mbi supe një barrë të rëndë. Ai ndërhyri menjëherë kur pa se dikush gabimisht jepte vendime fetare jo të sakta, dhe ai nuk lejoi që çështjet fetare të konsideroheshin dosido. Në të vërtetë, ai synonte të shmangte përzierjen e Kuranit dhe Sunetit me çështje të tjera. Nën dritën e epokës së tij, ai ishte një vendim i mençur. Në Medinë, gjatë kohës së Omerit, kur njerëzit nuk e merrnin fenë si diçka të lehtë apo sipas dëshirës, Aishja ishte një prej udhëheqësve të dhënies së fetvave kur çështjet ishin të pasigurta.

Omeri ishte një vizitor i rregullt i Aishes, ai e pyeste atë për ndonjë gjë në të cilën ai nuk kishte njohuri, dhe shpesh merrte vendime të bazuara në pikëpamjet e Aishes. Qëndrimi i tij ndaj saj ishte i njëjtë si për të vejat e tjera, ai i takonte ato dhe u jepte atyre gjithmonë përparësi. Ai i pyeste nëse kishin nevojë për ndonjë gjë, dhe i favorizonte ato në përfitimin nga çdo mundësi ose pasuri të fituar nga ai. Kur ai merrte ndonjë sasi frutash jashtë sezonit, ai i vendoste ato nëpër shporta të veçanta dhe i dërgonte për gratë e Profetit. Kur ai therte ndonjë kafshë, së pari mendonte për to. Aishja ka thënë:

“Omeri mendonte për çdo detaj, pa diskriminuar asnjërën, dhe kurrë nuk e linte pas dore dërgimin tek secila prej nesh të pjesës sonë nga një kafshë e therur.”

Kur u pushtua Mesopotamia, erdhi koha për të shpërndarë plaçkën e luftës. Sahabët më të shquar u mblodhën për të marrë një vendim për ndarjen e tyre. Pas disa diskutimesh, Omeri tha:

“Sipas mendimit tim, preja e tyre i përket atyre që kanë punuar më shumë në këtë triumf, dhe duhet të ndahet midis tyre.

Të gjithë e mbështetën mendimin e tij. Kështu Omeri pyeti: “Pra me kë duhet të fillojmë?” Ata u përgjigjën:

“Kush tjetër i meriton ato më shumë se ti? Sigurisht duhet të fillosh nga vetvetja.”

Si kalif, të tjerëve ndoshta iu duk se ai meritonte më shumë se të tjerët për shkak të statusit të tij. Megjithatë, ai kurrë nuk e kishte parë të Dërguarin e Zotit të sillej në këtë mënyrë. I Dërguari i Allahut preferonte të ishte i fundit kush shpërndahej plaçka e luftës, edhe pse ai ishte i pari në vijën e frontit dhe në sakrifica. Prandaj ai u përgjigj:

“Jo, unë do të filloj nga familja e të Dërguarit të Allahut.”

Përsëri, pas të njëjtit pushtim, një qese e vogël lecke plot me bizhuteri u soll te kalifi. Ai i pyeti njerëzit rreth tij:

“A e dini vlerën e kësaj?”

Askush nuk e dinte. Meqë askush nuk ishte i sigurt për vlerën e saj, Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) nuk mundi ta ndante atë në mënyrë të drejtë. Pra, ai pyeti:

“A më lejoni t’ia dërgoj më të dashurës së të Dërguarit të Allahut?”

Më e dashura e të Dërguarit të Allahut ishte e dashur për çdo njeri dhe pa hezitim, ata u përgjigjën në mënyrë pohuese.

Me një korrier, Omeri e dërgoi atë qese të vogël lecke tek Aishja. Me gjakftohtësi, ajo e hapi çantën me kujdes. Kur pa bizhuteritë, ajo psherëtiu dhe u ngashërye. Ndoshta ajo në ato çaste po sillte ndër mend jetën modeste të të Dërguarit të Allahut. Me lot në sy tha:

“Përse ma bëri këtë Omeri mua pas vdekjes së të Dërguarit të

Allahut?”

Me duar të ngritura lart, ajo u lut: “O Allahu im, mos ma jep më mundësinë ta përjetoj këtë mirësi; të lutem ma merr shpirtin përpara se të shoh një dhuratë tjetër të tillë!”

Omeri shfaqi të njëjtën ndjeshmëri kur shpërndau fitimet pas pushtimit të Hajberit. Ai nuk i harroi gratë e Profetit, duke u dhënë atyre mundësinë për të zgjedhur mes tokave apo një pensioni mujor.

Aishja ishte e ndrojtur përpara Omerit, sepse ajo kishte parë që i Dërguari i Zotit sillej ndryshe me të, dhe i Dërguari i Zotit kishte thënë madje se edhe vetë shejtani frikësohej prej tij. Respekti reciprok mes tyre ishte në plan të parë. Kur shtrohej problemi i njohurive rreth fesë, statusi i Aishes ishte i padiskutueshëm për Omerin. Ai gjithashtu vazhdoi traditën e Ebu Bekrit në vizitat që i bënte Aishes ose duke dërguar një emisar për t’u konsultuar me të për problemet me të cilat përballej. Kjo nuk ishte mënyra e vetme për kalifët; kjo konsideratë pasqyronte qëndrimet e përgjithshme të sahabëve dhe brezin e mëposhtme të dijetarëve myslimanë veçanërisht kur bëhej fjalë për një çështje që lidhej me njohjen e hadithit.

Një ditë, Omeri dëgjoi se Amër ibn Umeje u kishte dhënë një sasi rrobash disa të përdalave, të cilat ishin të përjashtuara nga shoqëria për shkak të korrupsionit të tyre moral, dhe ai u zemëruar shumë.

Omeri i tha Amrit se një lëmoshë e tillë nuk do të pranohej si sadaka nga Allahu. Por Amri këmbënguli, duke thënë ato që i Dërguari i Zotit kishte thënë rreth të përdalave:

“Edhe gjërat që u jepni atyre ju llogariten si sadaka.”

Mbrojtja e tij e rriti zemërimin e Omerit dhe ai tha se kjo ishte shpifje për të Dërguarin e Zotit. Meqenëse grindja e tyre mori përmasa të mëdha, ata ranë dakord të shkonin tek Aishja për të kërkuar një zgjidhje. Amri tha:

“Për hir të Zotit, dua që të na tregosh: a nuk e ke dëgjuar të Dërguarin e Zotit duke thënë: ‘edhe gjërat që u jepni atyre konsiderohen si lëmoshë për ju?’”

Përgjigjja e Aishes ishte e qartë:

“Kam Allahun dëshmitar, po, e kam dëgjuar.”

Përgjigjja e saj e bëri Omerin të tërhiqej i tronditur, sepse gjykimi i tij ishte diçka publike. Ai filloi t’i thërriste mendjes dhe mendonte me vete: “Kushedi sa gjëra kam humbur pa i dëgjuar nga i Dërguari i Allahut ndërsa merresha me punët e mia.

Ditët pasonin njëra-tjetrën, dhe tashmë kishin kaluar dhjetë vjet. Kishte ardhur koha për udhëtimin e paracaktuar të Omerit - kalifi u vra, dhe ai u shtri i mbuluar në gjakun e tij. Një kamë e shkurtër e helmuar e goditi, dhe Kalifi ishte gati për t’i dhënë lamtumirën kësaj bote. Ai ishte i shqetësuar, sepse deri atëherë i kishte munguar guximi për t’i thënë Aishes se ai dëshironte të varrosej pranë të Dërguarit të Zotit, tek këmbët e tij. Leja e Aishes ishte e nevojshme. Por koha punonte kundër Omerit dhe ai ishte gati për ta humbur këtë shans. Thirri të birin, Abdullahun, dhe i tha:

“Shko tek nëna e besimtarëve, Aishja dhe ki kujdes të mos i thuash se të ka dërguar kalifi. Prej tani e tutje, unë nuk jam më udhëheqës për besimtarët. Thuaj `Omer ibn Hatabi më ka dërguar, dhe pastaj thuaji: ‘ai kërkon leje nga ti për t’u varrosur pranë dy miqve të tij të mëparshëm.’”

Ky ishte një mesazh shumë delikat. Sjellje të mira të bashkësisë së themeluar nga i Dërguari i Allahut ishin përtej çdo krahasimi. Edhe pse zemra e tij donte shumë që t’i plotësohej kërkesa, ai nuk donte të ushtronte presion mbi Aishen duke përdorur titullin e tij. Ai donte që e tija të pranohej si kërkesa e një njeriu të zakonshëm. Abdullahu shkoi tek Aishja menjëherë. Aishja e kishte dëgjuar lajmin prekës, dhe po qante për atë që i kishte ndodhur Omerit. Pasi e përshëndeti, Abdullahu kërkoi leje për të folur, dhe i tha:

“Omeri të dërgon përshëndetjet e tij. Ai dëshiron të varroset pranë dy miqve të tij.”

Kush nuk dëshironte të varrosej pranë të Dërguarit të Zotit dhe shokut të tij besnik? Kjo ishte ajo që edhe Aishja e dëshironte shumë. Por ajo e dinte se duhet të preferonte vëllezërit dhe motrat e saj myslimane përpara vetes. Ajo u kthye nga Abdullah ibn Omeri dhe i tha:

Unë e kisha planifikuar atë vend për vete, por sot unë preferoj Omerin në vend të vetes sime.”

Me të mësuar për përgjigjen e Aishes, Omeri mori frymë thellë. Meraku që kishte ndjerë ishte zhdukur, dhe sytë e tij ishin të qeshur. Ishte koha për t’u larguar. Pastaj një ankth i fundëm iu shfaq në mendje. Ndoshta leja ishte marrë nën ndikimin e autoritetit të kalifit. Ai vendosi ta konfirmonte edhe një herë dhe e thirri përsëri të birin e i tha: ”O Abdullah, kur unë të vdes, më vendos në tabutin tim, më ço tek dera e Aishes dhe thuaji, ‹Omeri, i biri Hatabit kërkon leje nga ti.’ Nëse ajo e jep lejen e saj përsëri, më varros atje. Nëse ti e kupton se ajo ka ndryshuar mendje, ki kujdes dhe mos këmbëngul. Në këtë rast, më varros në varrezat publike si gjithë të tjerët. Kam frikë se ajo e ndjeu veten të detyruar nga titulli im si kalif kur ta dha lejen.”

Omeri nuk e humbi arsyen edhe kur po luftonte me vdekjen. Me dhënien e frymës së fundit, ai u nis për në udhëtimin e Tij të përjetshëm. Medinën e pllakosi një dhimbje e thellë, sikur qyteti të mos kishte përjetuar kurrë fatkeqësi deri atë ditë. Ishte koha për përmbushjen e amanetit të tij të fundit.

Abdullah ibn Omeri erdhi përsëri tek Aishja dhe i tregoi se çfarë kishte thënë i ati. Aishja, e mbushur plot me një admirim të habitshëm, për një moment bëri një pauzë - çfarë leksioni kortezie kishte dhënë ai njeri kur po e linte këtë botë. Sigurisht, Omeri tregoi me këtë gjest gjithë madhështinë, mirësjelljen dhe delikatesën e tij, por natyrisht që këto karakteristika nuk ishin vetëm të tijat.

Por ajo e kishte dhënë njëherë fjalën dhe e konsideroi të panevojshme që ta rikonfirmonte lejen. Ajo i përsëriti edhe një herë fjalët që kishte thënë në mënyrë që çështja të sqarohej njëherë e mirë dhe njerëzit të ndjeheshin të qetë. Kështu, Omeri e nisi pushimin e tij të amshuar në vendin që Aishja e kishte ruajtur për veten. Për pasojë, ëndrra e Aishes u bë realitet dhe hëna e tretë lindi përmbi dhomën e saj.

Varrimi i Omerit përbënte fillimin e një periudhe të re për Aishen, për arsye se ajo nuk e ndiente më veten rehat kur vizitonte të Dërguarin e Allahut dhe të atin e saj. Pas varrosjes së Omerit, ajo e mbulonte fytyrën kur ishte aty, gjë të cilën nuk e kishte bërë më përpara. Megjithëse Omeri kishte vdekur, ajo rrinte e mbuluar kur ishte pranë vendit ku ai ishte i varrosur. Për shkak se dhoma e saj nuk ishte aq e madhe sa edhe për një person të katërt, Aishja u shpërngul tek një vend aty pranë.

Kalifati i Osmanit

Statusi i Aishes gjatë periudhës së dy kalifëve të parë, mbeti i njëjtë edhe gjatë periudhës së kalifatit të Osmanit. Njerëz nga zonat e fituara rishtaz, vinin tek Aishja, për të marrë informacionin me anën e të cilit ata kërkonin të fitonin dritën. Osmani ishte një udhëheqës në mesin e tyre, por qëndrimi i tij nuk ishte i ndryshëm nga ai i Omerit në lidhje me gratë e të Dërguarit të Allahut, sidomos Aishen. Ai u përpoq për të përmbushur dëshirat e tyre dhe t’i bënte ato të ndiheshin rehat kur kryenin adhurimin, si dhe u përpoq për të përmirësuar kushtet e tyre.

Vihej re një qëndrim i rezervuar i Aishes drejt Osmanit, qëndrim i cili njihej nga të gjithë, sepse edhe vetë i Dërguari i Zotit kishte ndjerë ndrojtje ndaj tij gjithashtu. Rreth Osmanit, i Dërguari i Zotit ka thënë:

“Si mos të kem ndrojtje ndaj një njeriu për të cilin ndjejnë ndrojtje edhe engjëjt?”

I Dërguari i Allahut i kishte martuar dy nga vajzat e tij me të dhe ishte lutur për të shumë herë.

Siguria qetësia dhe paqja mbizotëruan në gjashtë vitet e para të kalifatit të tij, që zgjati dymbëdhjetë vjet. Por në vitin e shtatë, u vunë re shenjat e para të trazirave dhe disa grupe njerëzish filluan të shprehnin kundërshtimet e tyre. Dera e fitnes ishte thyer dhe disa njerëz filluan të mendonin ndryshe nga kalifi. Disa madje nisën ta përgojonin haptazi dhe pa takt, dhe si rezultat, Kalifi u bë një shënjestër sulmesh. Disa persona, të tillë si ibn Sebe, synonin ta ulnin vlerën e Islamit përmes kalifit.

Aishja pikëllohej shumë kur dëgjonte për grindjet e brendshme, dhe i paralajmëronte ata që qëndronin pas këtyre sherreve:

“Njerëzit të cilët mallkojnë Osmanin nuk e kuptojnë ende se ata vetë do të jenë objekt i çdo lloj mallkimi. Me siguri Allahu do t’i mallkojë ata gjithashtu. Një ditë kam parë të Dërguarin e Zotit të ulur me gjunjët e Tij që preknin ato të Osmanit. Ai po merrte një mesazh hyjnor dhe unë fshiva djersën nga balli i Tij. Për më tepër, i Dërguari i Allahut i pat martuar dhe dy bijat e Tij me të. Ai me përkëdheli e quante atë ‹Osman i dashur.’ Mos harroni se njeriu i cili ishte aq i denjë për të Dërguarin të Zotit, është gjithashtu një rob i çmuar i Allahut.”

Ajo thoshte gjithashtu se i Dërguari i Allahut i ka thënë tri herë Osmanit:

“O Osman, kur të vijë dita, Allahu do të bëjë që ti të veshësh një këmishë të rëndësishme duke të bërë udhëheqës; nëse hipokritët duan të ta marrin atë këmishë, ki kujdes dhe mos ia jep atë!”

Edhe gjatë sëmundjes së tij, i Dërguari i Allahut u pat kthyer nga Aishja dhe i pat thënë:

“Dua që të më thërrasësh një shok timin.” Aishja e pyeti:

“O i Dërguari i Allahut, a të të thërras Ebu Bekrin?” Ai heshti. Aishja e pyeti përsëri:

“A të thërras Omerin?”

Ai vazhdonte të heshtte. Ishte e qartë se ai kërkonte dikë, por emrin nuk po ia thoshte. Aishja e pyeti:

“A të thërras Osmanin?”

Një buzëqeshje u shfaq menjëherë në fytyrën e Tij të bekuar dhe ai i tha Aishes:

“Po.”

Osmani u thirr në praninë e të Dërguarit të Zotit dhe ata folën mjaft gjatë së bashku. I Dërguari i Zotit me sa duket i rikujtoi atij rëndësinë e përgjegjësisë që do të kishte mbi shpatulla, kur të shfaqeshin mosmarrëveshjet. Duke ia hapur paksa perden e të ardhmes së panjohur, Ai e këshilloi që t’i menaxhojë me durim mosmarrëveshjet. Kjo ngjarje do të bëhej publike prej tij vite më pas, kur gjithçka ishte bërë gati për të ndodhur. Ai tha:

“I Dërguari i Allahut ma ka dhënë premtimin, prandaj unë do ta mbart këtë përgjegjësi me durim!”

Aishja, sigurisht ishte e vetmja e cila e kishte kuptuar më mirë nga të gjithë pozitën e Osmanit në krah të të Dërguarit të Allahut. Megjithatë ajo nuk ngurroi të vinte në dukje gabimet që vinte re. Ajo nuk e kishte problem të fliste rreth këtyre gabimeve, sidomos për sa i takon vendimeve politike dhe nuk reshti së paralajmëruari mikun e vjetër të Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

Në kohën kur kufijtë ishin zgjeruar dhe nisën të shfaqeshin probleme të brendshme, disa fise të njohur dolën në ballë të atyre që kundërshtonin, gjë e cila e rriti dëshirën e të tjerëve për të kundërshtuar autoritetin e kalifatit. Ky ishte mjedis i përsosur për ata që përpiqeshin të fusnin përçarje, siç ishte Abdullah ibni Sebe. Ai përhapi një thashethem sikur i Dërguari i Zotit ia kishte lënë Aliut pozitën e kalifit. Territoret e kontrolluara nga myslimanët ishin zgjeruar që nga Perandoria Bizantine e deri në Afrikë, dhe ai mblodhi dhe provokoi njerëz duke i ftuar ata që të rebelohen. Ata zgjodhën Egjiptin si bazën e tyre.

Trazirat u përhapën edhe në zona të tjera dhe kjo bëri që edhe njerëz të sinqertë të bëheshin të pavendosur. Muharrik ibni Thumame, një lider në Basra, hezitonte të vepronte, si rezultat i atyre që kishte dëgjuar. Ai e dërgoi motrën e tij Umu Kulthum binti Thumamen tek Aishja që t’i kërkonte asaj një mendim:

“Shko tek Aishja dhe kërkoji mendimin e saj në lidhje me Osman ibn Afanin. Njerëzit këtu thonë shumë gjëra rreth tij.”

Ai i nisi gjithashtu një letër ku i tregonte me imtësi ato çfarë kishte dëgjuar dhe ku kërkonte mendimin e Aishes për Osmanin. Umu Kulthumi ia dorëzoi letrën Aishes dhe i tha:

“O nëna ime e dashur, disa nga fëmijët e tu më dërguan tek ti. Ata të shprehin përshëndetjet dhe respektin e tyre dhe kërkojnë të dinë

mendimin tënd rreth Osman ibni Afanit.” Aishja e nisi fjalën e saj duke thënë:

“Allahu e mallkoftë atë që mallkon Osmanin.”

Një për një, Aishja ia tregoi asaj vendin e nderuar të Osmanit në sytë e të Dërguarit të Zotit. Atëherë ajo tha se ata që thonë gjëra të pavërteta apo harbutërira rreth tij do të jenë përjetë të mallkuara.

Një ditë, Osmani dëgjoi lajmin se mijëra njerëz të mbledhur nga rajone të ndryshme ishin mbledhur dhe kishin filluar të lëviznin në drejtim të Hixhazit “për të kryer haxhin.” Edhe pse kjo lëvizje dukej pa ndonjë qëllim të keq, synim i vërtetë i tyre ishte Kalifati. Duke e kuptuar siç duhet situatën, Osmani caktoi Aliun t’i kthente ata nga kishin ardhur. Aliu shkoi dhe bisedoi me ta deri në detajet më të imta.

Ata ishin njerëz të cilët kishin kaluar çdo kufi. Ata e lavdëruan dhe e ngritën në qiell Aliun. Megjithatë, Aliu në fjalën e tij u tregoi atyre se e kishin gabim. Me qëllim që të kontrollonin situatën, ata pretenduan se u qetësuan, megjithëse do të riktheheshin më pas për të marrë Kalifatin. Edhe vëllai i Aishes, Muhamed ibn Ebu Bekër ishte mes tyre. Zgjedhja e tij e hidhëroi Aishen. Ajo i tha atij se ishte në rrugë të gabuar, por nuk qe në gjendje t’ia ndryshonte mendjen. Ajo madje i kërkoi atij për të kryer haxhin me të, për ta mbajtur larg nga rebelët, por nuk arriti të merrte prej tij një përgjigje pozitive. Kalifi i të Dërguarit të Zotit u detyrua të dorëzohej, dhe ata nuk lejuan t’i çohej atij as edhe një pikë uji. Edhe një përpjekje e Umu Habibes për t’i çuar pak ujë Kalifit dështoi dhe ata gati sa nuk e vranë Umu Habiben e cila u detyrua të ikte me vrap nëpër turmë.267 Kjo situatë vazhdoi për tri javë rresht.

Në një kohë kur atmosfera në Medinë ishte aq errët sa nuk kishte ku të vente më, sezoni i haxhit erdhi. Aishja shkoi në Mekë për të kryer haxhin. Edhe kur njerëzit i thanë asaj se do ishte më mirë të qëndronte në Medine në paqe, Aishja solli ndërmend atë çfarë kishte ndodhur me Umu Habiben dhe tha:

“Edhe unë sikur të isha atje e të flisja kundër tyre, do të më kishte ndodhur edhe mua si Umu Habibes.”268

Pas kryerjes së Haxhit, ajo u rikthye në Medinë ku i rrëfyen lajmin e hidhur se Kalifi i tretë i Allahut, ishte martirizuar. Përgjigjja e saj e parë ishte ndaj atyre të cilët e kishin kritikuar Osmanin:

“Kjo që ndodhi ishte për shkak të kritikave tuaja rreth gjithçkaje që ka bërë kalifati!”

Kriticizmi i tyre rreth Osmanit, i cili ishte përpjekur të afronte pranë vetes disa udhëheqës të cilët kishin shkaktuar çrregullime, ishte venitur. Osmani kishte dashur të ulte tensionet në shoqërinë e drejtuar prej tij duke i afruar kundërshtarët dhe duke iu dhënë atyre poste të rëndësishme. Por njerëzit nuk arritën t’i kuptonin përpjekjet e tij për paqe. Ata nuk kishin mundur të shmangnin veten nga kritikat rreth Osmanit si dhe ndaj deklarimeve të hapëta se ai po vepronte gabim.

Kur Aishja u takua me Talhën dhe Zubejrin, i pyeti:

“Çfarë të rejash kemi nga ju?”

Ajo kishte qenë larg atmosferës helmuese të Medinës për njëfarë kohe, për të shkuar drejt qytetit paqësor të Mekës. Njerëzit që mbushnin rrugët ishin larguar nga drejtësia dhe ndershmëria, dhe nuk ishte e qartë se çfarë kishin ndër mend të bënin. Aishja recitoi një pjesë të sures Huxhurat:

“E nëse dy grupe besimtarësh tentojnë të luftojnë ndërmjet vete, ju pajtojini ata, e në qoftë se ndonjëri prej tyre e sulmon tjetrin, atëherë luftojeni atë grup që vërsulet me pa të drejtë, derisa t’i bindet udhëzimit të Allahut, e nëse kthehet, atëherë me drejtësi bëni pajtimin ndërmjet tyre, mbajeni drejtësinë se vërtet Allahu i do të drejtët. S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe

kijeni frikë Allahun, që të jeni të mëshiruar (nga Zoti).”Ajo më pas shtoi:

“Sa nevojë kanë njerëzit të mbahen fort pas këtyre ajeteve në këtë moment.”

Aishja u krodh në mendime; goja e saj u vulos nga vuajtjet. Në vend që të shkonte drejt kaosit, ajo u kthye përsëri në Mekë, drejt Qabes. Ajo nuk fliste fare dhe nuk dëshironte të dëgjonte asgjë nga askush. Ajo vajti tek dera e Qabes e pastaj tek Guri i Ismailit, dhe ra në sexhde aty, duke vajtuar për atë që po i ndodhte umetit mysliman.

Kur njerëzit dëgjuan se ajo ishte aty, erdhën e u mblodhën rreth saj duke formuar një turmë të madhe. Ata prisnin që Aishja të fliste.

Ajo përmblodhi me pak fjalë ato çfarë kishin ndodhur dhe i këshilloi ata të vepronin në përputhje me parimet e Islamit. Në fund, tha:

“Ata ushtruan shumë trysni mbi të, saqë edhe nëse pretendimet e shpifjes rreth tij do ishin të vërteta, ai do të mbetet aq i pastër sa ari i mbledhur nga pluhuri, apo si rrobat e lara me ujë, dhe në këtë mënyrë, ai do të shkojë i pastruar nga çdo mëkat në praninë e Allahut.”

Edhe pse atë ditë, nuk kishte ndonjë dobi në të kuptuarit e gabimeve të djeshme, ajo shpresonte t’u jepte një mësim nga e kaluara, për t’i ndihmuar ata të shmangnin të njëjtat gabime në të ardhmen.

Ndjenjat e Aishes ishin lënduar dhe ajo e kishte të vështirë të pranonte realitetin. Eshter Nehaiu erdhi tek ajo gjatë ditëve të para, kur tronditja e incidentit akoma nuk ishte kapërcyer, dhe e pyeti: “Cili është mendimi yt në lidhje me martirizimin e kalifit?” Ajo u përgjigj:

“Ruajna Zot! Si mund të jem dakord unë me vrasjen e udhëheqësit të myslimanëve? Si mund ta pranonte zemra ime atë gjë?”

Por problemet e djeshme i duheshin lënë së shkuarës, dhe ishte koha për të ndërmarrë një hap të ri. Nga aftësia për të kontrolluar rrugët varej edhe caktimi i kalifit të ri. Kandidati i Aishes për kalif ishte Aliu dhe ajo ia tha këtë cilitdo që e pyeti për këtë çështje.

Ndërtimi i shtetit mysliman pas periudhës së Osmanit ishte i rëndësishëm në vetvete, ndaj duheshin hartuar plane të kujdesshme. Por situata aktuale ishte një pengesë për të menduarit e shëndoshë; pastërtia e kohës së të Dërguarit të Allahut çdo ditë e më shumë zhdukej dhe çdo gjë dukej e vrazhdë dhe e mjegullt. Kjo ishte shenjë paralajmëruese e trazirave më të mëdha. Fitneja që e kishte kthyer jetën kokëposhtë vazhdonte dhe askush nuk ishte në gjendje të dinte se kur do të ndalonte apo cilin do të përfshinte. Në rrethana të tilla të errëta, duart e fshehta ndërhynë nga jashtë, duke shpresuar që të kequdhëzojnë edhe besimtarët më të sinqertë. Ashtu siç kishte paralajmëruar i Dërguari i Zotit vite më parë, ata po hynin në një epokë të re. Aishja donte të shtynte edhe pak kthimin e saj në Medinë derisa mosmarrëveshjet të kishin përfunduar.

Trazira kulmoi me vrasjen e kalifit Osman. Ata kishin derdhur gjakun që ishte i ndaluar për t’u derdhur, në qytetin ku gjakderdhja ishte e ndaluar, dhe ishin përpjekur të fitonin kapital gjatë muajve të shenjtë, gjë që ishte e ndaluar. Aishja tha se edhe në qoftë se rebelët do të ishin aq të shumtë sa të ishin të mjaftueshëm për të mbushur gjithë botën, ajo nuk i konsideronte ata të gjithë bashkë, as sa edhe një gisht i Osmanit, për shkak të ligësisë së veprimeve të tyre.

Kalifati i Aliut

Në mënyrë që të ndalonte trazirat dhe të rivendoste sigurinë, Aliu e filloi punën me zëvendësimin e guvernatorëve të provincave, të cilat ishin përfshirë në fitne. Por kjo do të sillte probleme të reja e të pafundme për Aliun.

Aishja ishte bërë më e preokupuar për Medinën, prej nga vinin vazhdimisht lajme shqetësuese. Njerëzit u mblodhën rreth saj, duke përfshirë edhe udhëheqësit e provincave të periudhës së Osmanit. Edhe pse e kishin pranuar kalifatin e Aliut, udhëheqës të tillë si Talha dhe Zubejri erdhën tek Aishja në Mekë, të paaftë të duronin të vetëm pikëllimin e tyre, veprim ky i cili tërhoqi vëmendjen e të tjerëve.

Meka u bë vendtakimi për ata që ishin të shqetësuar në lidhje me ngjarjet e fundit. Qyteti u bë një vend qendror për ata që donin të hakmerreshin për vrasjen e Osmanit, vrasësit e të cilit ende nuk ishin sjellë para drejtësisë. Turmat e njerëzve dukeshin të shqetësuar në lidhje me shkatërrimin e punës shumëvjeçare, ata që ishin të sinqertë qëndruan së bashku për të gjetur përsëri paqen e humbur. Edhe pse sezoni i haxhit kishte përfunduar dhe njerëzit pritej të largoheshin nga Meka, ata nuk u larguan. Zërat që dilnin nga turma thoshin:

“Ne nuk ikim prej këtej derisa të gjendet vrasësi i Osmanit.”

Udhëheqësit u mblodhën për të diskutuar mendimet e tyre. Ndërsa disa propozuan të qëndronin në Mekë, disa të tjerë mendonin se ata duhet të ktheheshin në Medinë. Shumica besonin se objektivi i tyre duhet të ishte Basra, sepse ata ishin të mendimit se njerëzit të cilët kishin vrarë Osmanin ishin nga Basra. Pra, Basra u bë objektivi i tyre. Synimi i tyre ishte për t’u hakmarrë për vrasjen e Osmanit dhe të rivendosnin sistemin që kishte rënë.

Një ushtri e cila do të ndëshkonte ibni Seben dhe mbështetësit e tij rebelë, u krijua duke ndërtuar një shtab në Abtah; disa dhuruan me qindra kuaj dhe deve, ndërsa disa të tjerë siguruan furnizimet luftës, të tjerët dhuruan një sasi të madhe argjendi dhe ari.

Aishja dhe bashkëshortet e tjera të të Dërguarit të Allahut ishin së bashku. Por ato qëndruan prapa kur ushtria shkoi në Basra, dhe me lot në sy, u uruan atyre një udhëtim të sigurt.

Aliu u nis me një ekspeditë ushtarake që të shkonte drejt Mesopotamisë, në mënyrë që të rivendoste autoritetin. Por kur mori lajmin për Aishen dhe turmën që lëvizte drejt Basrës, u kthye. Ai donte të qetësonte turmën që përfshinte sahabët kryesorë, e në radhë të parë Aishen. Sahabiu Imran ibni Huseini, dhe udhëheqësi i tabiinëve Ebu Esued Dueli, shkoi tek Aishja. Guvernator i Basrës, Osman ibni Hunejfi gjithashtu dërgoi një grup njerëzish për të mësuar synimet e grupit që po vinte në drejtim të tyre. Ata thanë:

“Udhëheqësi ynë na dërgoi tek ju në mënyrë që të mësojë qëllimet tuaja.”

Aishja tha:

“Unë betohem në Zot, se një person si unë nuk vepron fshehurazi apo duke mos u thënë të vërtetën fëmijëve të saj.” Ajo shpjegoi gjerë e gjatë shqetësimet mbi zinxhirin e gabimeve, dhe se si ajo e kishte filluar këtë udhëtim për hir të urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja.

Talha dhe Zubejri dhanë një përgjigje të ngjashme. Të gjithë donin të gjenin vrasësit e Osmanit dhe t’i vinin kapak trazirave.

Ata nxitonin të rivendosnin paqes dhe i ftuan njerëzit për t’u qetësuar. Predikimet e Aishes patën një efekt të thellë tek ata që e dëgjuan. Turma u nda në dy pjesë dhe një grup i madh prej tyre ndaloi së kundërshtuari Aishen.

Ata që e pasonin, Aishja i këshilloi që kurrë që të mos i zhveshin shpatat e tyre përveçse nëse ata detyroheshin ta bënin këtë. Pavarësisht nga tensioni, ajo shpjegoi se askush nuk kishte leje për të luftuar ose lënduar një person tjetër, përveçse për vetëmbrojtje. Aishja kërkoi që të lirohej Osman ibni Hunejfi, i cili ishte kapur rob në rrëmujën që shpërtheu gjatë trazirave. Ajo tha se atij duhet t’i jepej mundësia për të shkuar kudo që ai të dëshironte.

Aishja, e cila u dërgoi letra njerëzve në Kufe të ngjashme me ato që ajo i kishte dërguar për njerëzit në Basra, u kërkoi atyre që të ndihmonin në krijimin e një mjedisi paqësor. Drejtuesit ishin në mesin e atyre, të cilët morën letrat e saj; ajo u kërkoi atyre në mënyrë të drejtpërdrejtë që të tregonin ndjeshmëri.”

Muhamed ibni Ebu Bekrit dhe Muhamed ibni Talhas, të cilët e pyetën Aishen se si duhej vepruar në situatat kur myslimanët luftonin vëllezërit e tyre myslimanë, ajo u rikujtoi historinë e trishtuar të dy bijve të Ademit. Edhe pse Kabili kishte për qëllim ta vriste, Habili premtoi të mos ngrejë dorë kundër tij. Aishja u tha:

“O bijtë e mi të dashur! Nëse ju jeni në gjendje të bëni atë që bëri djali më i mbarë i Ademit, atë bëni!”

Sprova e myslimanëve me vëllezërit e tyre: ndodhia e devesë

Kur Aliu u largua nga Medina doli me vetëm shtatëqind njerëz, ndërkohë ky numër u rrit në shtatë mijë veta deri në momentin kur ai mbërriti në Kufe. Kur me ta u bashkuan edhe njerëzit që vinin nga Basra, numri total shkoi në rreth njëzet mijë. Nga ana tjetër, ata që ishin me Aishen numëroheshin në rreth tridhjetë mijë vetë. Kjo situatë ngjante me një rrugë që nuk kishte dalje, por vetëm një fund të hidhur. Shpatat që fillimisht ishin nxjerrë për të luftuar jobesimtarët dhe për të rivendosur në vend drejtësinë, tani ndoshta do të drejtoheshin kundër vëllezërve të dashur, të cilët deri atë ditë ishin falur pranë njëri-tjetrit për hir të Allahut. Ishte një skenë e trishtuar për të dy grupet. Beteja e Devesë do të ishte prova më e vështirë me të cilën komuniteti mysliman ishte ballafaquar deri atëherë.

Të dy grupet u takuan në Dhakar. Së pari, korrieri i Aliut, Ka’ka ibni Amri, erdhi tek Aishja dhe i tha:

“O nëna ime e dashur, ju lutem mund të më thoni arsyen përse keni ardhur në këtë qytet, dhe arsyet që ju çuan të ndërmerrni një hap të tillë?”

Çdo fjalë e tij shprehte mirësjellje, dhe Aishja u përgjigj me të njëjtën mirësjellje:

“Të sjellim paqen mes njerëzve tanë.”

Ata kishin përdorur të njëjtën gjuhë dhe kishin të njëjtin qëllim. Aliu kërkoi që Talha dhe Zubejri të vinin në praninë e tyre në mënyrë që të ndërmjetësohej pasi të ishin dëgjuar edhe ata. Kur ata erdhën, ai u bëri atyre të njëjtën pyetje dhe shtoi edhe fjalët e Aishes. Përgjigjet e tyre nuk ishin të ndryshme nga të mësipërmet. Ndoshta çështja mund të zgjidhej para se të fillonte me të vërtetë. Korrieri i Aliut, Ka’ka u tha:

“A mund të më tregoni ju lutem se si mund të vendoset kjo paqe?”

“Duke u hakmarrë për vrasjen e Osmanit nëpërmjet dënimit të vrasësit të tij, sepse po të mos bëhet kjo, do të thotë të mos ndiqen udhëzimet e Kuranit!”, - u përgjigjën ata.

Ata kishin të drejtë, por ishin edhe të vërteta të tjera për t’u marrë parasysh. Ka’ka u tha:

“Le të themi se ju i vratë vrasësit e Osmanit nga Basra. Por a mos vallë situata juaj para se t’i vrisni ata do të të jenë më e mirë se situata juaj, pasi t’i vrisni? Ju do të tentoni për të vrarë gjashtëqind njerëz, dhe si rezultat gjashtë mijë njerëz do të dalin në rrugë kundër jush. Njeriu që ju kërkoni është Harkus ibni Dhuhejri, i cili e vrau Osmanin, por gjashtë mijë njerëz kanë rënë dakord të mos jua dorëzojnë atë juve. Nëse veproni kështu, a nuk do të ishte ky një hap kundër paqes? Nëse ju i vrisni ata, a nuk do të bëhet situata më keq nga sa është tani? Nëse ju ndërmerrni hapa për të ndëshkuar Harkus ibni Dhuhejrin, ju do të gjeni përballë gjashtë mijë njerëz të cilët nuk duan ta dorëzojnë vrasësin e vërtetë tek ju. Kjo çështje nuk mund të zgjidhet aq lehtë. A nuk ka të drejtë në këtë pikë Aliu? Ai sigurisht dëshiron ta gjejë dhe ta ndëshkojë vrasësin e Osmanit, por ai është duke pritur që trazirat të qetësohen, në mënyrë që të mos derdhet më shumë gjak. Ai është duke pritur për kohën e duhur për të ushtruar dënimin.” Aishja e ndërpreu atë:

“Pra, si mendon ti Ka’ka?”

“Është e vërtetë që ekziston një çështje e pazgjidhur lidhur me këtë, e cila është e mundur të zgjidhet vetëm në kushte të qeta. Kur trazirat të pakësohen, gjithçka do të bëhet siç duhet. Unë ju këshilloj që të zgjidhni paqen, pa vepruar me ngut, të ripërtërini njohjen tuaj të Aliut si kalif, të jeni udhëzuese për vepra të mira ashtu siç keni qenë më parë, dhe të mos ndihmoni pa dashje ata që kërkojnë të krijojnë përçarje.”

“Ke të drejtë. Fole bukur. Shko tek Aliu dhe nëse edhe ai ka të njëjtin mendim, thuaji se çështja u mbyll dhe se paqja është thelbësore për ne.” - ia ktheu Aishja.

Meqë gjakrat u ulën, Kaka u kthye tek Aliu dhe i shpjegoi atij gjithçka. Fjalët e tij e kënaqën kalifin Ali, i cili priste që problemi të shuhej. Dukej se çështja do të mbyllej pa gjakderdhje të panevojshme. Aliu ishte shumë i kënaqur dhe dëshironte ta ndante kënaqësinë e tij me ushtarët. Ai u ngrit në këmbë përpara tyre dhe e ndau me ta lumturinë për arritjen e marrëveshjes.

Kjo ishte një kohë e përshtatshme për paqe, sepse si Aliu dhe njerëzit e tij, ashtu edhe Aishja dhe njerëzit e saj u takuan në paqe dhe ranë dakord për ta shtyrë zgjidhjen për në kohën e duhur. Meqenëse edhe Kalifi nuk mendonte ndryshe për ndëshkimin e vrasësit të Osmanit, ata duhej ta linin këtë çështje në përgjegjësinë e tij. Aishja dhe njerëzit e saj u përgatitur për t’u kthyer.

Duke folur me Talhën dhe Zubejrin, Aliu iu drejtua:

“O vëllezërit e mi! Unë nuk jam një njeri që nuk e njoh atë për të cilin ju po flisni. Por si mund ta bëj këtë ndërkohë që mbizotëron anarkia, njerëzit kanë marrë rrugët dhe mbi të cilin ne nuk kemi asnjë autoritet? Shikojini pak - skllevërit tanë ecin bashkë me ta e madje edhe disa arabë prej të cilëve ne nuk e prisnim kurrë, i shoqërojnë ata. Ju po e shikoni vetë se ata ecin mes jush ashtu si t’ua ketë qejfi. Më thoni, a është e mundur për mua për ta përmbushur menjëherë kërkesën tuaj në këto kushte?”

Kjo ishte koha për t’u kthyer me shpirt të kënaqur. Ndërkohë që vazhdonin përgatitjet, papritmas të gjithë sytë u kthyen nga Aishja. Diçka i kishte ndodhur asaj dhe ishte e qartë se ajo ndjehej në faj; çdo lëvizje e saj tregonte pendim.

Kur kishte kaluar ca kohë, ajo pyeti ata që kishte afër: “Ku jemi këtu?”

Ata u përgjigjën: “Në Hauab.” Plot trishtim ajo tha:

“Hauab? Sigurisht ne i përkasim Allahut dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!”

Asaj iu rrit edhe më shumë brenga. Ankthi iu bë shqetësim dhe pastaj iu shndërrua furishëm në dhimbje. Njerëzit që u mblodhën rreth saj nuk mund ta kuptonin sjelljen e saj. Me kureshtje dhe padurim, ata vërenin ndryshimin që po ndodhte tek Aishja.

Pastaj fjalë dëshpërimi dhe keqardhjeje dolën nga buzët e saj:

“Betohem në Allah se u vërtetua që unë jam ajo për të cilën aludohet tek qentë e Hauabit. Duhet të rikthehemi menjëherë.”

Njerëzit ende nuk po kuptonin asgjë. Sjellja e saj u bë edhe më e pakuptueshme dhe kurioziteti i tyre u rrit. Me qëndrimin e tyre, ata donin të thoshin se nuk do të ndërmerrnin as edhe një hap më shumë nëse ato nuk u tregonte se çfarë po ndodhte. Me dëshpërim, Aishja tha:

“Kam dëgjuar të Dërguarin e Zotit të na thotë: ‘Njëra ndër ju do të vijë në vete kur të dëgjojë lehjet e qenve të Hauabit’ Atë ditë, unë buzëqesha më të dëgjuar këtë, por ai më paralajmëroi duke më thënë: “Ki kujdes o Humejre, mund të jesh ti ai person!’”

Ndërkohë që lehja e qenve jehonte në veshët e saj, ajo donte të thërriste:

“O i Dërguari i Allahut, të vërtetën ke thënë!”Atë ditë, Zubejri i tha Aishes:

“Përderisa Allahu do të sjellë paqen përmbi ty, përse kërkon të tërhiqesh dhe të kthehesh prapa?”

Edhe të tjerë shfaqnin mendime të ngjashme:

“Përkundrazi, ti duhet të vazhdosh në rrugën që ke nisur, në mënyrë që Allahu i Madhëruar të sjellë paqen mes njerëzve.”

Dëshira për paqe dhe qetësi mbizotëronte tek njerëzit e Aishes.

Tani më shumë se kurrë, ata e kuptuan dobinë e vendimit për të mos luftuar. Ata planifikuan të pushonin gjatë natës dhe të ktheheshin në Medinë sapo të zbardhte agimi.

Por kishte edhe plane të tjera gjithashtu. Hipokriti Abdullah ibni Sebe dhe miqtë e tij, të cilët gëzoheshin që kishin krijuar grindje, nuk ishin të kënaqur me paqen. Gjatë natës, ata përgatitën planet mjerane për t’i kundërvënë dy grupet ndaj njëri-tjetrit. Ata sulmuan të dyja palët njëkohësisht në errësirë. Ata që e sulmuan Aishen dhe njerëzit e saj u hoqën sikur ishin ushtarë të Aliut, ndërsa të tjerët të cilët sulmuan ushtrinë e Aliut përdornin emrin e Aishes.

Njerëzit i zuri një panik i madh. Meqenëse njerëz të armatosur i sulmuan ata papritmas, njerëzit zgjoheshin me ngut nga gjumi për të gjetur armët e tyre dhe natyrisht përpiqeshin që të mbronin veten. Njëherazi dëgjoheshin klithmat për ndihmë nga aktorët sipas skenarit të planifikuar, duke pretenduar se ata ishin tradhtuar. Kjo ishte një betejë dhe qe e vështirë për të kuptuar se çfarë po ndodhte.

Të dy grupet filluan të mendonin se pala tjetër i kishte tradhtuar. Në një situatë ku gjakrat ishin ndezur kaq shumë, mendimi dhe arsyetimi ishte i pamundur. Ata nuk ishin në gjendje të shihnin se kush i sulmoi apo kush po kërkonte ndihmë. Nëse do të kishin qenë më të kujdesshëm dhe të mprehtë, do ta kishin kuptuar se sulmuesit e tyre ishin po ata të cilët kishin dalë nëpër rrugë, duke bërtitur: “E kemi vrarë Osmanin.” Ah sikur ta kishin kuptuar!

Ishte një luftë për jetë a vdekje. Nuk merrej vesh se kush vriste e kë vriste. Ata ia nxorën shpatat njëri-tjetrit dhe shumë prej tyre u vranë.

As këshillat e kalifit Ali dhe as përpjekjet e Aishes, Talhës dhe Zubejrit nuk pinë ujë. Shpresa për paqe shuhej me çdo pikë gjak që derdhej dhe zemrat thyheshin me çdo gjymtyrë të plagosur. Po të mos kishin përdorur shpatën për të mbrojtur vetët, atyre do t’u ishte prerë koka. Kur ata të merrnin hakun e tyre, do të kishin gjakun e vëllezërve të tyre nëpër duar. Kjo ishte një sprovë e vështirë dhe e tmerrshme.

Ibni Sebe dhe njerëzit e tij u kthyen edhe nga Aishja, dhe e bënë objekt të shigjetave koshin e saj përmbi deve. Aishja tha:

“O Allah! O Allah! Kijeni frikë Allahun! Kujtoni Ditën e Gjykimit.”

Por asnjëri syresh nuk po ia vinte veshin. Zemra e Aliut po rrihte me shqetësim. Për të shpëtuar Aishen, e cila ishte një objektiv i hapur mbi devenë e saj në këmbë. Medoemos duhet ta bënin devenë të ulej.

Ky ishte një moment kur edhe sekondat kishin rëndësi të veçantë. Në mënyrë që të shpëtonin Aishen, ata godisnin këmbët e devesë me shpata për ta detyruar atë të ulej. Aishja shpëtoi, sepse dhoma e saj kishte një shtresë prej dhjami përreth saj, që filloi të dukej si një iriq, me tërë ato shigjeta të ngulura në të.

Në përleshje, gjatë mbrojtjes, nga njerëzit e saj ranë gjithsej shtatëdhjetë martirë. Në fund, Amar ibni Jasiri dhe vëllai i saj, Muhamed ibni Ebu Bekri, e nxorën atë nga koshi. Në atë kohë, vëllai i saj i preku pak shpinën. Ajo u kthye menjëherë, dhe pavarësisht se ishte duke luftuar për jetë a vdekje, e qortoi:

“Dora e kujt është kjo? Hiqe atë nga trupi im. Dora e askujt tjetër përveç asaj të të Dërguarit të Zotit nuk ka prekur mbi mua deri më sot.”

Edhe kur ajo e kuptoi se kishte qenë vetëm dora e vëllait të saj, ajo përsëri ndjehej e ofenduar dhe i tha:

“Kopuk.”

Aliu, i mërzitur kur dëgjoi se çfarë kishte ndodhur, shkoi tek Aishja dhe e pyeti:

“Si je o nëna ime e dashur?”

Ai i urdhëroi njerëzit e tij të ndërtonin një tendë për Aishen në një vend të sigurt.

Aishja iu përgjigj:

“Lëvduar qoftë Allahu, jam mirë.”

“Allahu i Gjithëmëshirshëm të dhuroftë mëshirë e falje!” - u lut Aliu për të.

“Edhe ty gjithashtu!” - ia ktheu ajo.

Aliu ndërmori një rrezik tejet të madh duke mbrojtur Aishen, e cila ishte objektiv i Ibni Sebes dhe njerëzve të tij. Dukej se nuk ekzistonte më asnjë mundësi për t’i dhënë zgjidhje kësaj krize. Ajo nuk mund të zgjidhej nga shpata, andaj u bë i domosdoshëm përdorimi i fuqisë së fjalës. Aliu u përpoq të ndalte trazirat duke iu drejtuar atyre që mund t’i kuptonin fjalët e tij më së miri. Ai bisedoi me Talhën dhe Zubejrin, me të cilët kishte luftuar krah për krah që nga ditët e para të shpalljes. Ata ishin trima si Aliu, dhe ishte e pamundur të mos i përgjigjeshin ftesës që po i bënte kalifi. Të dy ata shkuan në vijën e frontit. Aliu tha:

“Talha, si arrite të pranoje që të luftosh karshi familjes së të Dërguarit të Allahut paqja qoftë mbi Të, ndërkohë që familja jote është e sigurt në shtëpi?”

Aliu foli si një mik i ngushtë, i cili dukej që ishte jashtëzakonisht i lënduar, dhe deklaratat e një miku të ngushtë, ndonjëherë, mund edhe të të djegin. Por kush mund të kishte një përgjigje të qartë për këtë pyetje të vërtetë e të sinqertë? Pastaj ai tha:

“Ti, o Zubejr! A të kujtohet ajo ditë kur hyra në praninë e të Dërguarit të Zotit dhe Ai buzëqeshi me ardhjen time? Atëherë duke m’u referuar mua, i Dërguari i Zotit të pyeti ty, `A e do ti këtë?’ dhe ti u përgjigje ‘’po’. Pastaj ai tha: ‘Veçse, një ditë, ti do të sillesh padrejtësisht, duke luftuar kundër tij.’”

Këto deklarata ishin tamam ashtu siç i mbante mend edhe Zubejri. Fjalët e Aliut ishin arma më efikase, që i bëri njerëzit t’i fusnin shpatat e tyre përsëri në mille. Zubejrit sikur iu kthye bota me kokë poshtë, dhe arriti të nxirrte vetëm këto fjalë:

“Ke të drejtë. Më bëre të rikujtoj ato që i pata harruar.”

Ky ishte vendimi i një personi të mençur. Ai uli shpatën dhe e braktisi fushën e betejës. Nga beteja u largua edhe Talha.

Vajtja për të luftuar kishte qenë e menjëhershme, por kthimi nuk ishte aq i lehtë. Fati do të thoshte fjalën përfundimtare për të dy ata. Disa njerëz e vunë në shënjestër Zubejrin, i cili ishte duke u kthyer me keqardhje të madhe; organizuan një pritë dhe e vranë në vend. Fati i Talhës nuk ishte më i ndryshëm. Shumë shpejt, një shigjetë e goditi edhe atë, duke e bërë të largohej nga kjo botë. Ndjenja e tyre e drejtësisë që u manifestua me largimin nga fusha e betejës, nuk u pëlqeu asfare atyre që i kishin varur gjithë shpresat e tyre në kaos, andaj Zubejrit dhe Talhës iu desh ta paguanin me jetët e tyre.

Orvatjet e Aishes së nderuar, e cila e kishte parë me mëdyshje dhe pikëllim njëherësh gjithë atë çfarë kishte ndodhur, ishin të padobishme, sepse Talha dhe Zubejri nuk ishin më mes tyre. Çdo njeri që e kuptonte se ata ishin duke u bërë dëshmitarë të një drame të tmerrshme, u mblodhën rreth e qark dhomës së Aishes. Ata ishin në kërkim të një prijësi që t’i udhëhiqte në të ardhmen, dhe kishin qëllime të mira, por tubimi ishte diçka që paraqiste një tjetër rrezik.

Pastaj Aliu thirri vëllanë e Aishes, Muhamedin. Ai kishte përgatitur një vend të sigurt për të, ndaj e ftonte të shkonte aty, duke ia dërguar mesazhin nëpërmjet vëllait të saj. Të dy ishin shumë të shqetësuar. Mbi të gjitha, ai e siguroi Aishen se ajo do të mund të shkonte shëndoshë e mirë në Mekë, dhe se askush nuk do të ishte në gjendje t’i bënte keq.

Aliu organizoi udhëtimin e Aishes në Mekë dhe caktoi dyzet udhëheqëse femra të Basrës që ta shoqëronin, në mënyrë që ajo të mos e ndihej vetëm.

Pavarësisht nga pikëllimi që kishin përjetuar, të dyja palët silleshin me përkushtim, që të ishin sa më të drejtë. Edhe pse ishte kohë emocionesh të forta, gjë që e atrofizonte krejt arsyen, të dy, si Aishja ashtu edhe Aliu, treguan se ishte e domosdoshme që të mos kalohej gjithçka në kaos. Në ditën kur Aishja po largohej, para se të ikte, u drejtua nga ata që ishin mbledhur rreth saj, dhe u tha:

“O bijtë e mi, për fat të keq ne e lënduam jashtëzakonisht shumë njëri-tjetrin. Përjetuam gjëra të pahijshme nga më tronditëset, dhe u lodhëm mjaft. Pas kësaj, askush nuk duhet ta shohë njëri-tjetrin me keqdashje, apo të luftojë për atë që ka ndodhur, ose për deklaratat e gabuara që të tjerët kanë bërë për të. Absolutisht, mes meje dhe Aliut nuk ka asnjë problem, që të jetë më i madh se çdo çështje normale mes një gruaje dhe dhëndrit të saj. Edhe pse kam përjetuar disa probleme me të, ai është njeriu më i mbarë, për të cilin dëshiroj veç mirësi dhe mirëqenie.”

Aishja ndjehej e penduar rëndë, duke e ditur se Aliu kishte pasur një vend të veçantë në anën e të Dërguarit të Zotit paqja qoftë mbi Të. Vite më parë, ajo nuk kishte lejuar të thuhej asgjë e keqe kundër Hasan ibni Thabitit, i cili kishte rënë në një grackë gjatë fushatës së shpifjes për Aishen, dhe e konsideronte ende atë si “mbrojtësin e të Dërguarit të Zotit”. Aishja do të trajtonte Aliun siç e kishte trajtuar gjithmonë, duke ia bërë copë e çikë shpresat atyre që donin si e si që ta zmadhonin më tej ngatërresën. Aliu u prek, sepse ajo që fliste ishte mësuar nga i Dërguari i Allahut. Por ai ishte lënduar shumë, sepse shumë nga të afërmit e tij u vranë, në mënyrë që të siguronin paqen. Duke iu përgjigjur deklaratës që kishte zbutur plagët në zemrën të tij, Aliu tha:

“Ajo ka thënë të vërtetën dhe unë betohem në Zot, se është shprehur mjaft bukur.”

Kjo ishte mënyra më e dobishme për t’i mjekuar plagët e hapura. Ishte e nevojshme që të dyja palët të qetësoheshin, në mënyrë që të mos plagoseshin edhe një herë tjetër po në të njëjtin vend. Aishja nuk mund të lihej pa mbështetje, kështu që Aliu u kthye nga ata që kishte pranë dhe u tha:

“Ekziston vetëm kjo distancë e vogël mes meje dhe asaj. Vërtet, ajo është gruaja më e dashur e të Dërguarit të Zotit, si në këtë botë ashtu edhe në ahiret.”

Udhëtimi i tyre filloi përsëri. Aliu i përcolli njerëzit që ecnin me Aishen dhe i uroi asaj një udhëtim të mbarë. Bijtë e tij e shoqëruan atë, ashtu si edhe vetë Aliu i cili u tha atyre që ta shoqëronin për njëfarë kohe.

Aishja kishte për qëllim të shkonte në Mekë e të qëndronte deri në periudhën e haxhit. Asaj i dukej sikur kishte jetuar shumë vite dhe se ishte plakur shumë; ajo kishte përjetuar aq shumë dhembje, saqë asaj tani i vinte keq që i kishte thënë “po” kërkesave që i kishte bërë turma. Ajo e shprehu keqardhjen e saj me fjalë të tilla si: “Ah sikur të mos isha krijuar dhe të mos kisha fare trup, sikur të kisha qenë vetëm një pemë, një shkëmb apo një tullë e tharë në diell, e cila, në gjuhën e saj, madhëron vetëm Zotin! Ah sikur të kisha vdekur njëzet vite më

parë!”

Aishes i vinte turp, madje edhe të shkonte për vizitë pranë të Dërguarit të Zotit(s.a.s.). Deri kohët e fundit, ajo kishte planifikuar të varrosej pranë bashkëshortit të saj të dashur, por tani ajo tha: “Pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut, unë kam qenë e përfshirë në shumë ndodhi trishtuese”, ndaj ajo shprehu dëshirën të varrosej në varrezën “Xhenet’ul Baki” , sikurse gratë e tjera të tij.

Kur falej apo kur lexonte Kuran, në momentin kur mbërrinte tek ajeti që thoshte: “qëndroni në shtëpitë tuaja...”, i cili në veçanti u drejtohej bashkëshorteve të Profetit, ajo ndalonte së lexuari dhe qante derisa rrobat i lageshin plotësisht nga lotët.

Një ditë, Ukbe ibn Sahbani i bëri një vizitë dhe e pyeti për domethënien e ajetit:

“...e prej tyre ka që janë dëmtues të vetvetes, ka që janë mesatarë, e ka prej tyre që janë me ndihmën e Allahut, të parët në punë të mira, e kjo është ajo mirësia e madhe.”

Ai dëshironte të dëgjonte interpretimin që Aishja do t’i bënte.

“O biri im i dashur, të gjithë ata janë njerëzit e Xhenetit. Ata që lënë pas njëri-tjetrin përmes veprave të mira ishin njerëzit që jetuan së bashku me të Dërguarin e Zotit gjatë epokës së tij, ata të moderuarit ishin njerëzit që e pasuan atë, dhe ata që janë dëmtues të vetvetes janë njerëzit si ti dhe unë.”

Ata i kishin mbijetuar një përvoje tejet prekëse. Aishja ishte e trishtuar, ashtu siç ishin të gjithë besimtarët. Kjo nuk do të ishte e mjaftueshme për ta kthyer edhe njëherë mbrapsht të shkuarën. Nuk ka dyshim se ata nuk e gjykonin botën e tyre nga ngjarjet e fundit; ata vijuan marrëdhëniet mes tyre me arsyetimin e natyrshëm, tevona, ata duhet të vazhdonin jetën. Nga ky këndvështrim, ne vërejmë se Aliu vinte tek Aishja për çdo çështje që nuk ishte në gjendje t’i gjente zgjidhje, ndërsa Aishja këshillohej me Aliun sa herë që ishte e pavendosur në një çështje.

Megjithatë, portat e mosmarrëveshjeve dhe rebelimit në epokën e tyre u prishën dhe lajme të pabaza që kishin qarkulluar, e shkatërruan paqen dhe qetësinë e gjindjes. Disa thanë se i Dërguari i Zotit e kishte bërë Aliun kalif që para se të vdiste. Kur Aishja e dëgjoi këtë lajm, ajo ka reaguar në atë mënyrë siç përplaset një derë në fytyrën e atij i cili e pret me padurim hapjen e saj:

“Kur ka ndodhur kjo? I Dërguari i Zotit e kishte kokën e mbështetur në gjoksin apo në gjurin tim teksa po i jepte lamtumirën kësaj bote. Pastaj më kërkoi t’i sillja një tas, dhe e dha frymën e fundit në atë pozicion. Unë kam qenë me të gjatë minutave të tij të fundit, kur e paska dhënë këtë dëshmi për Aliun?”

Kalifati i Muavijes

Pas vrasjes së Aliut si pjesë e një plani të pabesë, vendin bosh të kalifit e zuri Muavija.

Ngatërresa nga më të dhimbshmet zëvendësuan njëra-tjetrën, dhe megjithëse Aishja e ndjente veten thellësisht të lënduar nga ato që po ndodhnin, nuk mund të bënte dot asgjë. Ajo që kishte ndodhur gjatë Ndodhisë së Devesë iu kthye në një mësim të vlefshëm; ajo nuk dëshironte ta ngacmonte më plagën në të njëjtin vend. Ajo u përpoq t’i qetësonte ata që erdhën dhe i kërkonin ndihmë, duke i këshilluar me kujdes dhe vetëm sipas normave islame. Ajo u zhyt në një meditim aq të thellë e të heshtur, saqë ngjante sikur i kishte vënë shulin derës që e lidhte me këtë botë dhe njerëzit që gjallonin në të, duke u përqendruar kësisoj vetëm në botën tjetër. Ajo nuk shkëputej asnjëherë nga adhurimi, dhe nuk u mor me asgjë tjetër, përveçse me rendjen pas diturisë.

Aishja ishte si një diell që ndriçonte mbi të gjithë ata që e kishin bërë natyrë të këshilloheshin me të. Ajo ishte si një liman i sigurt, një rob i qetë për ata që ndjeheshin të hidhëruar dhe të zemëruar me shoqërisë moderne të asaj kohe. Dhe lajmet e trishtuara nuk kishin të sosur. Nipi i të Dërguarit të Allahut, Hasani, kokën e të cilit ai e kishte përkëdhelur dikur, dhe të cilin e kishte rritur me aq kujdes, u vra. Dëshira e tij më e madhe ishte që të varrosej pranë të Dërguarit të Allahut. Një ditë ai i kërkoi vëllait të tij të shkonte e ta pyeste Aishen e nderuar, nëse e lejonte edhe ajo diçka të tillë:

“Nëse unë vdes, shko tek ajo dhe kërkoji leje për të më varrosur pranë të Dërguarit të Zotit. Nëse ajo e lejon atë, atëherë më varrosni,

atje, në shtëpinë e saj. Por ndoshta njerëzit nuk do ta japin pëlqimin për atë që ti po kërkon. Nëse ata e refuzojnë idenë dhe si rezultat mund të shfaqet ndonjë kundërshtim, mos këmbëngul. Në këtë rast, të më çoni tek varrezat myslimane dhe të më varrosni atje!”

Kur Hyseni u përpoq për të përmbushur dëshirën e fundit të vëllait të tij, ai ndeshi në një reagim të ashpër nga guvernatori i Medinës, Meruan ibni Hakemi, edhe pse Aishja i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesës së tij. Njerëzit ishin mbledhur rreth Hysenit dhe guvernatorit e njerëzve të tij, dhe dukej se ishte gati të shpërthente një protestë e madhe. Pastaj foli udhëheqësi, Ebu Hurejre, duke u kujtuar atyre fjalët e Hasanit për rebelimin, dhe saora vendosën ta varrosnin në Xhenet’ul Baki. Hasani që prej asaj dite do të prehej pranë nënës së Tij, Fatimes së nderuar (r.a.).

Një ditë, një njeri nga Mesopotamia, Abdullah ibn Shedadi, vizitoi Aishen për t’i bërë disa pyetje, si dhe për t’i kërkuar që të lutej për të. Por edhe Aishja dëshironte ta pyeste atë për diçka:

“O Abdullah, a më premton se do të më thuash vetëm të vërtetën në përgjigje të asaj që unë do të pyes? Për hir të Zotit, pse dhe si e vranë Aliun?”

Abdullah ibni Shedadi tha:

“E përse mos të ta them të vërtetën?”

“Na e thuaj pra atëherë!”

Abdullah ibn Shedadi filloi të shpjegonte. Aliu ishte përpjekur për të bindur ata që e kishin kundërshtuar, por asnjëri syresh nuk e dëgjonte. Ata kishin ngritur një fushatë kundër autoritetit të Kalifatit, prandaj edhe kishin zgjedhur një fjalës në mes. Aliu recitoi ajetin kuranor, që kërkonte nga dy dëshmitarë prej secilës palë që të zgjidhej problemi mes një burri dhe një gruaje. Pastaj ai pyeti: “A nuk është problemi i shoqërisë së Muhamedit (s.a.s.) më i rëndësishëm se problemi në mes të një çifti?” Pastaj Aliu u kujtoi atyre traktatin e nënshkruar me Suhejl ibni Amrin në Hudejbije. Por askush nuk e dëgjoi. Abdullah ibn Abasi u përpoq të qetësonte gjakrat, por dhe pse ky i fundit arriti të ndikonte tek disa njerëz, në përgjithësi shumica as që u tut në qëndrimin e tyre. Aliu nuk e kishte ndryshuar qëndrimin e tij të palëkundur, qëndrimin në rrugën e Kuranit dhe Sunetit, andaj, tha: “Padyshim që Allahu dhe i Dërguari i Tij thonë vetëm të vërtetën!”

“Për hir të Allahut, a je i sigurt se ai nuk ka thënë gjë më tepër? A nuk ka thënë ndonjë gjë tjetër?” - vazhdoi të pyeste ajo.

“Në emër të Zotit jo! Ai nuk ka thënë asgjë tjetër përveç këtyre që unë sapo përmenda.”

“Sa bukur paska folur. Zoti dhe i Dërguari i Tij thonë të vërtetën.

Allahu i Plotfuqishëm e dhuroftë mëshirën e Tij mbi Aliun. Vërtet, Allahu dhe i Dërguari i Tij thonë vetëm të vërtetën. Populli i Mesopotamisë paska shkuar shumë larg, duke thënë shumë kësi gjërash, që me siguri ia kanë pikëlluar zemrën.”

Kjo ishte një periudhë kur njerëzit jetonin të ndarë nëpër grupe. Populli i Egjiptit dhe i Mesopotamisë ishin kundër Osmanit të nderuar (r.a.), ndërsa njerëzit e Damaskut ishin të një mendimi, por kundër Aliut. Që të dyja grupet i përçmuan kalifët e tyre. Harixhitë u rebeluan kundër të dy kalifëve, madje edhe folën haptazi kundër tyre. Thellë e trishtuar, Aishja tha:

“Ata janë urdhëruar që të pendohen në lidhje me sahabët e të Dërguarit të Allahut, dhe aq më keq, nëse ata bëjnë deklarata vulgare rreth tyre!”

Aishja ndjehej shumë e fyer prej Harixhive, të cilët kishin vrarë Aliun, duke u bërë kësisoj shkaku kryesor i trazirave. Meqë shumica e tyre u mblodhën në rajonin e quajtur Harura, Aishja i quante ata Haruritë. Ajo i dënoi ata sepse kishin kuptuar gabim, pasi ata pretendonin se ishin të vetmit myslimanë të vërtetë. Një ditë, një grua erdhi te Aishja për ta pyetur nëse mund t’i kryente faljet e përditshme kur ishte me menstruacione. Kjo ishte një pyetje e çuditshme, sepse të gjithë e kishin kuptuar që nga fillimi i shpalljes se gratë me menstruacione ishin të çliruara nga falja e namazit. Dukej një kontradiktë e madhe për Aishen fakti se njerëzit të cilët tregonin padurim për të kryer namazin e përditshëm, madje edhe në ditët kur ata ishin me menstruacione, nuk kishin ngurruar aspak për të vrarë një person të bekuar si Aliun. Për të shprehur këtë mospërputhje hidhëruese, Aishja reagoi duke e pyetur:

“A je edhe ti një Haruri?”

Ashtu si kalifët e mëparshëm, edhe Muavija ishte tejet i ndjeshëm ndaj Aishes. Ai tregoi respekt të madh, gjithmonë interesohej për mirëqenien e saj, dhe e pyeste Aishen për problemet që ai nuk kishte qenë në gjendje t’ia zgjidhte, madje i dërgonte edhe dhurata. Ndërsa Aishja, e cila preferonte të bënte një jetë të përkorë, gjithmonë i shpërndante tek të varfrit këto dhurata, pavarësisht se kush i kishte dërguar.

Një ditë, njerëzit e kalifit Muavije e vizituan atë dhe i sollën, argjend, veshje dhe gjëra të tjera mjaft të bukura. Aishja me t’i parë ato, zuri të qante. Ajo murmuriti diçka nëpër dhëmbë, saqë të dërguarit nuk arritën ta dëgjonin, por njerëzit pranë saj e dëgjuan fjalë për fjalë atë tek nxori këto fjalë prej goje:

“I Dërguari i Zotit nuk preku kurrë asnjë prej këtyre, zaten nuk e zotëronte asgjë të tillë.”

Aishja u kthye nga njerëzit rreth saj dhe u kërkoi atyre që t’ia shpërndanin njerëzve në nevojë të gjitha dhuratat e prura. Si mund ta plotësonin këtë që po dëshironte kjo grua e bekuar? Deri në darkë nuk ngeli asgjë, as edhe një dërhem nga ato ç’kishte dërguar Muavija.

Një ditë, kalifi i dërgoi një letër, në të cilën ishin rreshtuar disa këshilla që ai kërkonte prej saj. Në përgjigje të kësaj letre, Aishja, shkroi:

“Paqja e Zotit qoftë mbi ty! Për ta përmbledhur shkurtimisht, kam dëgjuar të Dërguarin e Zotit të thoshte: ‘Kushdo që vepron në kërkim të pëlqimit të Allahut, megjithëqë njerëzit e kundërshtojnë, Allahu i Plotfuqishëm do ta mbrojë atë kundër trazirave të shkaktuara po nga njerëzit. Kushdo që kujdeset vetëm për dëshirat e popullit, pa marrë në konsideratë zemërimin e Allahut, Allahu i Plotfuqishëm do të manifestojë zemërimin e Tij mbi të, duke e lënë atë person në duart e popullit të tij, dhe zemërimit të tyre.’ Paqja qoftë mbi ty!”

Aishja nuk ndenji pa e kritikuar Muavijen, pavarësisht nga dhuratat dhe respekti i tij karshi saj. Ajo ndjente turp kur fliste për veprimet e tij të gabuara, por e bënte atë në mënyrë që ai të hiqte dorë nga ato. Ajo kritikoi vrasjen e Huxhr ibni Adijit dhe të shtatë shokëve të tij, të cilët ashtu si Aliu, u vranë pas zhvillimeve të ndryshme, duke përfshirë ndarjen në grupe pas Ndodhisë së Devesë. Në një letër të cilën ajo e dërgoi me Abdurrahman ibni Harithin, ajo kërkonte prej Muavijes që:

“Nëse premtimi juaj ka vlerë, dhe nëse ne jemi në gjendje të ndryshojmë mbarëvajtjen e punëve, ne dëshirojmë që të parandalohet vrasja e Huxhrit. Kjo është një sprovë e vështirë për të gjithë ne.”

Por përpjekjet e saj nuk ishin të mjaftueshme që Huxhri dhe shokët e tij të shpëtonin. Ajo u trondit nga lajmi i martirizimit të tyre, ndërsa Abdurrahmani ishte rrugës për tek Muavija. Tashmë ishte shumë vonë dhe Aishja, e mërzitur, sepse ishte vonuar në orvatjet për ta liruar Huxhrin, u shpreh rreth tij me mirënjohje. Kur Aishja erdhi në prezencë të kalifit, i tha:

“Ku butësia dhe durimi i Ebu Sufjanit, e ku ti?!”

Ajo u përpoq t’i bënte të qartë dallimin mes Muavijes dhe të atit.

Më pas, Muavija erdhi në Mekë për të kryer haxhin e me këtë rast vizitoi dhe Aishen. Aishja, si njeri që gjithmonë kishte folur sinqerisht, menjëherë e solli bisedën rreth Huxhrit dhe e pyeti:

“O Muavije, a nuk pate frikë nga Allahu kur vrave Huxhrin dhe shokët e tij? Pse nuk pate mëshirë për të? Pse ia mohove edhe atë?

Muavija u ndie në siklet, dhe tha:

“Huxhrin dhe shokët e tij, nuk i vrava unë.”

Kjo nuk e qetësoi asfare Aishen. Ai ishte kalifi, dhe kjo vrasje kishte ndodhur në territorin dhe nën kontrollin e tij. Në të vërtetë, Muavija e ndjente përgjegjësinë e tij, andaj e ndjente veten të shtypur nën peshën e saj:

“Ne nuk mund ta gjykojmë këtë çështje këtu, në këtë botë. Të lutem ta lëmë çështjen mes tyre dhe meje për në atë ditë, kur do të ribashkohemi me Zotin tonë!”

Shënimet

  1. 238.Buhari, medhalim, 14.
  2. 239.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/92.
  3. 240.Buhari, edebul mufred, 1/314.
  4. 241.Buhari, eshribe, 7.
  5. 242.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/225.
  6. 244.Buhari, hums, 1.
  7. 245.Ibni Sa’d, tabakat, 3/193.
  8. 246.Ibni Sa’d, tabakat, 3/195.
  9. 247.Buhari, xhenaiz, 92.
  10. 248.Hakim, Mustedrek, 4/9.
  11. 249.Imam Shafi, Musned, 1/326.
  12. 250.Hakim, Mustedrek, 4/9; Ahmed bin Hanbel, fedailu Sahabe, 2/875.
  13. 251.Buhari, muzaraa, 7.
  14. 252.Ibni Sa’d, tabakat, 2/375.
  15. 253.Zerkeshi, ilxhabe, 20.
  16. 254.Buhari, fedailu sahabe, 8.
  17. 255.Nedeui, Siretu sejidatu Aishe, 154, 155.
  18. 256.Buhari, edebul mufred, 1/211.
  19. 257.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/261.
  20. 258.Po aty, 6/250.
  21. 259.Tirmidhi, menakib, 19.
  22. 260.Buhari, edebul mufred, 1/288.
  23. 261.Huxhurat, 9-10.
  24. 262.Malik, muuatta, sijer, 1002; Hakim, Mustedrek, 1/168.
  25. 263.Taberiu, tarik, 3/6.
  26. 264.Ibni Sa’d, tabakat, 8/485.
  27. 265.Taberani, Musnedu Shamijin, 2/75.
  28. 266.Taberiu, tarih, 3/14.
  29. 267.Taberiu, tarih, 3/15. Pavarësisht gjithçkaje, të dyja palët u vunë përballë njëra-tjetrës të nesërmen dhe shpatat u nxorën. Megjithatë, edhe disa njerëz të cilët i kundërshtonin mendimet e saj, nuk toleruan asnjë fyerje kundër Aishes, prej personave të tjerë në anën e tyre. (Nedeui, Siretu Sejidatu Aishe, 180.)
  30. 268.Taberiu, tarih, 3/15.
  31. 269.Po aty, 3/20, 21.
  32. 270.Ibni Ebi Shejbe, Musanef, 7/544.
  33. 271.Taberiu, tarih, 3/29; Ibni Kethir, Bidaje, 7/238.
  34. 272.Hakim, Mustedrek, 3/129. Pasi e tha këtë, Profeti u kthye nga Aliu dhe i tha atij ta trajtonte mirë Aishen, nëse ndodh ndonjë konflikt ndërmjet tyre në të ardhmen.
  35. 273.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/52.
  36. 274.Po aty, 6/92.
  37. 275.Taberi, tarih, 3/39, 40; Ibni Kethir, Bidaje, 7/240.
  38. 276.Taberi, tarih, 3/55.
  39. 277.Po aty.
  40. 278.Po aty.
  41. 279.Taberi, tarih, 3/60-61.
  42. 280.Taberi, tarih, 3/61.
  43. 281.Ibni Ebi Shejbe, Musanef, 7/554, Ibni Sa’d, tabakat, 8/73-74.
  44. 282.arab. Parajsa e përjetshme – shën. red.
  45. 283.Ahzab, 32.
  46. 284.Ibni Sa’d, tabakat, 8/80; Ebu Nuajm, Hiljetul Eulija, 2/49.
  47. 285.Fatir, 32.
  48. 286.Hakim, Mustedrek, 2/462; Hejthemiu, Mexhmuatul zeuaid, 7/96.
  49. 287.Buhari, uesaja, 1.
  50. 288.Ibni Abdilberr, istiab, 1/392; Sujuti, tarihu’l hulefa, 1/170; Ibn Ethir, el Kamil fi tarih 3/460.
  51. 289.Ahmed bin Hanbel, Musned, 1/86-87; Hakim, Mustedrek, 2/165.
  52. 290.Muslim, tefsir, 15.
  53. 291.Buhari, hajd, 20.
  54. 292.Tirmidhi, zuhd, 64.