Aishja0%

AISHJA DHE BASHKËSHORTET E TJERA TË DËRGUARIT TË ALLAHUT

Gratë që kishin fatin e madh për t’u bërë bashkëshortet e robit më të dashur të Allahut ishin nënat e besimtarëve, një titull i dhënë atyre direkt nga Zoti i Plotfuqishëm. Por ato ishin qenie njerëzore. Ato nganjëherë mendonin ndryshe nga njëra-tjetra, dhe kështu marrëdhëniet mes tyre ndikoheshin nga këto gjëra. Por gjithsecila prej tyre e kishte nga një arsye për sjelljet e veta dhe secila duhet të llogaritet në përputhje me kohën dhe situatën specifike. Përndryshe, çdo gjë, që nga mënyra se si njerëzit i drejtoheshin njëri-tjetrit, se si komunikonin e kështu me radhë, do të keqkuptohej dhe vlera e këtyre grave fatmira nuk do të mund të kuptohej.

Këto gra të bekuara ishin të besuarat e të Dërguarit të Zotit dhe të sahabëve në rrugën e Zotit. Në fjalën e tyre, ashtu si edhe në heshtjen e tyre, fshihej dituria. Çdo vlerësim i cili nuk e njeh vlerën e tyre, apo ndonjë interpretim i bërë duke nxjerrë fjalët prej kuptimit kontekstual, nuk ka asnjë përfitim tjetër përveçse të tregojë injorancën e të tillë interpretuesve dhe komentuesve. Tani kur ne analizojmë bisedat e Aishes dhe marrëdhëniet e saj me gratë e të Dërguarit të Zotit, dalin në pah dy situata të veçanta - njëra me Hatixhen, dhe tjetra me pjesën tjetër të nënave të besimtarëve.

Hatixhja

Hatixhja vdiq përpara se i Dërguari i Zotit të martohej me Aishen, kështu që ato nuk jetuan një jetë të përbashkët, dhe kurrë nuk i ndanë ditët e Tij me njëra-tjetrën. Pavarësisht nga kjo, Aishja e kishte zili Hatixhen më tepër nga të gjitha gratë në mesin e grave të të Dërguarit të Zotit, sepse në vetvete ajo ishte e dashura e rinisë së Tij dhe këshilltarja e Tij e vetme gjatë atyre viteve të vështira. Gjatë pesëmbëdhjetë viteve që ata kaluan së bashku përpara shpalljes, ajo ishte partnerja e Tij besnike. Në mjedisin kaotik të shpalljeve të para, ajo ishte përkrahësja e Tij më e madhe. Në fund, duke qenë një grua e fortë dhe e palëkundur, ajo ishte ndihmësja e Tij më e fuqishme. Vdekja e saj përkoi me fundin e periudhës së vështirë. I Dërguari i Zotit kurrë nuk harroi gruan e Tij të parë, me të cilin Ai ishte aq i afërt dhe me të cilin Ai kaloi ditët e Tij më të trazuara. Në çdo rast që i jepej, Ai e kthente bisedën nga Hatixhja, edhe gjatë momenteve kritike.

Njëherë Ai u trondit kur pa gjerdanin që vajza e Tij, Zejnebja, kishte dërguar për të shpëtuar të shoqin, pra dhëndrin e Profetit, Ebu Asin, i cili ishte në mesin e robërve të luftës së Bedrit. Profeti u prek sepse iu kujtua se kjo ishte një dhuratë për martesën e tyre nga Hatixhja. Gjerdani i ndezi kujtimet Profetit, duke i kujtuar sakaq Hatixhen siç kishte qenë në ato ditë. Pas pak ai u kthye nga njerëzit e tjerë dhe u kërkoi ta linin të lirë burrin e Zejnebes, si dhe t’ia rikthenin gjerdanin përsëri asaj. Ebu Asi u lirua për hir të kujtimit të Hatixhes.

Situata nuk ndryshoi as në vitet e mëvonshme. Gjatë triumfit të Mekës, kur Ai po ecte së bashku me mijëra njerëz nëpër qytet, njerëzit vërejtën se Ai ndryshoi drejtim dhe u nis për në Haxhun.

Njerëzit e panë me kureshtje dhe përsëri u bënë dëshmitarë të një shembulli besnikërie, sepse Profeti po shkonte të vizitonte varrin e gruas së Tij të dashur, Hatixhes. Përpara se të hynte në Mekë, një ngjarje kjo që ndryshoi historinë, Ai u lut për një kohë tepër të gjatë mbi varrin e saj.

Dashuria dhe besnikëria e Tij vazhduan deri në vdekje. Kur i vinte ndonjë dhuratë, Ai do t’ia dërgonte së pari të afërmve të Hatixhes. Ai i nderonte dhe tregonte shumë respekt për ta, duke iu dhënë madje edhe jastëkun në të cilin ulej. Kur dikush e pyeti për këtë sjellje, Ai i tha:

“Unë i dua ata të cilët i ka dashur edhe ajo.”

Ai nuk lejonte kurrë të flitej keq për Hatixhen dhe menjëherë ndërhynte nëse ndokush e bënte një gjë të tillë. Një ditë, kur ra fjala për Hatixhen, Aishja i tha me përkëdheli:

“Sikur nuk ka ekzistuar njeri tjetër në botë, veç Hatixhes!”

Këto fjalë e fyen të Dërguarin e Allahut dhe Ai u kthye drejt Aishes duke i përmendur asaj cilësitë e Hatixhes një e nga një. Pastaj Ai shtoi se prej saj kishte pasur edhe fëmijët, të cilët ia kujtonin përherë bashkëshorten e dashur.

Një ditë, ndërsa i Dërguari i Allahut ishte duke ndenjur në shtëpi, dikush trokiti në derë. Ai vrapoi ta hapte duke thënë:

“O Zoti im, Hale, e bija e Huvejlidit, erdhi Hale!”

Ai kishte njohur zërin e motrës së Hatixhes, Hales. Edhe një herë tjetër, i Dërguari i Allahut u krodh në të shkuarën përmes zërit të saj dhe ndërkohë që ajo kërkoi leje të hynte brenda, Ai në të vërtetë vërente Hatixhen në personalitetin e së motrës.

Aishja, e cila e vuri re këtë ngazëllim të tij, e shikonte me habi dhe admirim. I Dërguari i Allahut ende e donte Hatixhen nga thellësia e zemrës. Nëse Ai kishte pasur këtë grua aq të vyer në krah të Tij, asaj nuk do t’i duhej të shqetësohej as për këtë botë e as për tjetrën. Ajo ishte një dashuri rraskapitëse, kështu që Aishja kërkoi të dinte sekretin e saj dhe arsyet e vërteta që qëndronin prapa kësaj dashurie, ndaj e pyeti:

“Cila është arsyeja e vëmendjes tënde për këtë grua, e cila ka vite që ka vdekur e të ka lënë? Allahu i Madhëruar të ka bekuar me gra më të reja e më të këndshme që nga ajo kohë!”

Pyetja e saj e shfaqte hapur atë që ajo po bluante në mendje; Aishja dëshironte që Ai t’i shpjegonte dashurinë e Tij për Hatixhen. Ishte e pamundur që një grua aq e mprehtë sa Aishja të mos e kuptonte se si ndjehej Ai, por me shumë gjasa, ajo dëshironte ta dëgjonte drejtpërsëdrejti nga goja e Tij vlerën e Hatixhes.

I Dërguari i Allahut përsëri u mërzit dhe me një zë që tregonte pakënaqësi e pyeti:

“A ka pasur ndonjë tjetër si ajo? Betohem në Allah se Ai kurrë nuk më ka dhënë ndonjë më të mirë se ajo! Kur njerëzit ngulnin këmbë në mosbesim, ajo erdhi tek Unë dhe besoi. Kur njerëzit më akuzuan për gënjeshtar, ajo konfirmoi ato që Unë thoja. Kur njerëzit m’i morën pronat, ajo më solli gjithçka kishte dhe m’i dha Mua. Dhe

Allahu nuk më dha fëmijë me asnjërën përveç saj.”

Aishja e mori përgjigjen që kërkonte. Ajo zinte një vend të veçantë në krah të të Dërguarit të Allahut por ta doje atë nuk do të thoshte të mos i doje të tjerat. Falë kuriozitetit të Aishes, Hatixhja u bë e njohur në të gjithë umetin mysliman si një person për të cilin nuk mund të thuhej asgjë negative.

Pastaj Aishja i kërkoi falje të Dërguarit të Allahut. Ajo premtoi se nuk do të thoshte kurrë më ndonjë gjë kundër Hatixhes. Allahu i Madhëruar e bekoi Hatixhen me një lloj dashurie, të cilën asnjëra nuk mundi ta fitonte kurrë. Ajo qëndroi me të Dërguarin e Allahut edhe pas vdekjes së saj. Aishja do t’i shprehte kështu ndjenjat e saj për Hatixhen: “Megjithëse unë nuk jetova kurrë bashkë me Hatixhen, nuk kisha zili asnjërën prej grave të tjera të të Dërguarit të Allahut më shumë sesa Hatixhen. I Dërguari i Allahut e përmendte aq shpesh atë dhe fliste për të kaherë me dashuri dhe admirim. Kurdoherë që therte ndonjë dele, një pjesë të mishit do t’ia dërgonte të afërmve të

Hatixhes.”

Bashkëshortet e tjera të Të Dërguarit të Allahut

Vite më vonë, pas vdekjes së Hatixhes, Seudeja do të ishte gruaja e parë që do të kishte nderin të bëhej bashkëshortja e Profetit. Në fakt, gruaja e cila organizoi dy martesat e Profetit i pati përmendur emrat e Aishes dhe Seudes në të njëjtën kohë. Megjithatë, ndërsa martesa Seudes me të Dërguarin e Allahut u bë dhjetë vjet pas shpalljes, martesa me Aishen ka ndodhur pas një vonese katër vjeçare.

Të gjitha gratë që u martuan me Profetin u bashkuan përfundimisht me familjen e Tij pas emigrimit. Ato u bënë nënat e besimtarëve si vijon: Hafsaja në vitin e tretë pas emigrimit, Umu Seleme në vitin e katërt, Xhuvejrija dhe Zejneb binti Xhahshi në vitin e pestë, Umu Habibja në vitin e gjashtë, Mejmuna dhe Safija në vitin e shtatë. I Dërguari i Zotit ishte pesëdhjetë e katër vjeç kur u martua me Aishen, pesëdhjetë e gjashtë, kur u martua me Hafsanë, pesëdhjetë e shtatë kur u martua me Umu Selemen, pesëdhjetë e tetë kur u martua me Xhuvejrijen dhe Zejnebin, pesëdhjetë e nëntë kur u martua me Umu Habiben dhe gjashtëdhjetë vjeç kur u martua me Mejmunen dhe

Safijen.

Këto gra me fat, që ndanin të njëjtën shtëpi me të Dërguarin e Zotit, u bënë nënat e besimtarëve. Njëherë, Seudeja kishte frikë se i Dërguari i Allahut nuk ishte i kënaqur me të, dhe se planifikonte të divorcohej prej saj, ndaj i tha:

“Të përgjërohem të mos ndahesh nga unë dhe të mos më përzësh.

Radha ime nuk ka rëndësi, po deshe ia jap ditët e mia Aishes.”

Por Profeti nuk u nda nga ajo dhe ajo do ta mbajë përherë, deri në Ditën e Gjykimit titullin e lartë “nënë e besimtarëve.”

Statusi i Aishes

Por fati kishte përcaktuar role të veçanta për disa nga gratë e të Dërguarit të Allahut. Statusi i Aishes, në veçanti, ishte i veçantë dhe i njohur nga gratë e tjera. Ishte për shkak të Aishes që Kurani shpalli dënimin për shpifje, dhe dënimi është aplikuar drejtpërdrejt nga i Dërguari i Zotit. Në mënyra të tjera, gjithashtu, Aishja ishte e ndryshme nga gratë e tjera. Gjithashtu për shkak të Aishes, u shpall ajeti për tejemumin, dhe myslimanët mësuan se si të pastronin vetveten në një vend ku nuk kishte ujë. Në Mekë, ajo iu shfaq të Dërguarit të Allahut në ëndërr, dhe Atij iu komunikua nga vetë Xhebraili se ajo do të ishte gruaja e Tij.

Aishja ishte gruaja e vetme e të Dërguarit të Zotit e cili ishte virgjëreshë kur ata u martuan. Gratë e Tij të tjera ishin të gjitha të veja.

Aishja ishte e vetmja që e kishte nënën dhe babanë që ishin prej

muhaxhirëve. Një dallim tjetër i familjes së saj ishte se katër brezat e së njëjtës familje - duke përfshirë gjyshin e saj, babain, vëllain dhe dy nipat besuan tek i Dërguari i Allahut dhe ishin nga sahabët e Tij.

Aishja ishte e vetmja e cila ishte e pranishme kur i vinte shpallja Profetit të Njerëzimit. Sahabët që dëshironin të sillnin ndonjë dhuratë për të Dërguarin e Zotit, preferonin t’ia dërgonin në ditën kur Ai ishte me Aishen, duke besuar se në atë ditë Ai do të ishte më i lumtur dhe me shumë gjasa do ta pranonte atë.

Aishja ishte e vetmja që e pa Xhebrailin në formën e njeriut, madje edhe u përshëndet prej Tij.

Prika e e Aishes ishte më e rëndësishme se ajo e të tjerave. Vite më vonë, ajo e shpjegoi këtë dhe pranoi se vetëm Umu Habibja kishte patur një prikë më të veçantë duke qenë se dasma e saj u organizua nga mbreti i Etiopisë.”

Që pas ditës kur Seudeja ia fali ditët e saj Aishes, koha që Aishja kaloi me të Dërguarin e Zotit ishte dyfishi i të tjerave.

Aishja kishte një lloj tjetër marrëdhënieje me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), i Cili dëshironte ta kënaqte atë. Shpeshherë ajo llastohej për shkak të pozicionit të saj të favorshëm në raport me gratë e tjera dhe vërente me kënaqësi se si i Dërguari i Allahut përpiqej ta kënaqte atë. Të Dërguarin e Zotit e nxitën kundër saj dy herë gjatë jetës së tij.

I Dërguari i Zotit ka thënë se ai e kishte parë Aishen në qiell, dhe e përshkroi bardhësinë e shndritshme të pëllëmbëve të saj. Ajo ishte me siguri më e mira në mesin e nënave të besimtarëve, me të cilin i Dërguari i Zotit ishte i kënaqur derisa ndërroi jetë.

Aishja u bë e shquar në dituri dhe asnjë tjetër, qoftë bashkëshorte e Profetit, qoftë ndonjë femër tjetër në mesin e sahabeve nuk ka transmetuar aq shumë hadithe sa ajo. Thellësia e dijes së saj kishte një ndikim më të fortë se e çdo gruaje tjetër, duke përfshirë edhe bashkëshortet e tjera të të Dërguarit të Zotit. Kur ata, të cilët nuk ishin në gjendje të vendosnin për një çështje, dhe vinin për ta pyetur lidhur me çështjen, largoheshin prej saj të lehtësuar dhe me një zgjidhje të menjëhershme të problemit për të cilin kishin ardhur.

Kur iu përkeqësua sëmundja, i Dërguari i Zotit kërkoi t’i kalonte me të katërmbëdhjetë ditët e Tij të fundit. Ai vdiq me kokën në prehrin e saj. Aishja ka vazhduar të jetojë në të njëjtën dhomë me të Dërguarin e Allahut edhe pas vdekjes së Tij. Pasi vdiq, i Dërguari i Zotit u varros në tokë në dhomën e Aishes, aty ku dheu është më i shtrenjti në botë. Pas vdekjes së Tij, Aishja u bë burimi më i mirë i informacionit në lidhje me sjelljen e tij. Të gjithë, madje edhe sahabët më të mëdhenj shkonin të konsultoheshin me Të, dhe të gjithë ktheheshin me një përgjigje.

Devotshmëria e saj në adhurim, ndjeshmëria e saj rreth agjërimit dhe lutjes, thjeshtësia e saj dhe përkushtimi ndaj Zotit, si dhe dëshira për të dhuruar çdo gjë që kishte, kanë qenë karakteristika të njënjëshme që shfaqnin virtytin e saj.

Njerëzit që e trajtonin Aishen sipas superioritetit të saj të lindur, e respektonin më shumë, dhe konkurronin me njëri-tjetrin për ta kënaqur sa më shumë Atë, në mënyrë që të fitonin duatë e saj në emër të tyre. Omeri e ka trajtuar atë edhe me më shumë respekt sesa nënat e tjera të besimtarëve, duke përfshirë edhe vetë vajzën e tij Hafsanë, dhe rezervonte për Aishen më shumë gjëra se për këdo tjetër, kur ndante plaçkat e luftës gjatë periudhës së kalifatit të tij.

Duke e parë situatën e saj nga jashtë dhe duke marrë parasysh karakteristikat femërore, do të kishte qenë krejt normale për Aishen ta kishte zili Seudenë, me të cilën i Dërguari i Zotit ishte martuar katër vjet më parë se me të. Por kjo nuk ishte e vërtetë, përkundrazi, Seudeja ishte njëra nga nënat e besimtarëve me të cilën Aishja kishte më tepër intimitet dhe miqësi. Aishja ka thënë:

“Çfarë gruaje fisnike që ishte! Unë nuk kam parë një grua më të këndshme se Seudeja, që aq shumë kam dëshiruar që t’i ngjaja.”

Vajza e Omerit, Hafsaja po ashtu u bë mike e afërt me Aishen; ngjante sikur aleanca midis etërve të tyre reflektohej edhe tek ato gjithashtu. Ato kalonin kohën së bashku, konsultoheshin për çdo gjë me njëra-tjetrën, si dhe i kuptonin e i respektonin mendimet e njëratjetrës.

Umu Selemja ishte gjithashtu e njohur për intelektin e saj të lartë. Roli i saj në uljen e tensioneve në Hudejbije ishte aq i rëndësishëm saqë nuk mund të nënvlerësohet.

Aishja e vlerësonte mjaft edhe sjelljen e mirë të Xhuvejrijes:

“Unë nuk njoh ndokënd tjetër që të jetë kaq e dobishme për popullin e saj sa ajo.”

Aishja ka përdorur shumë shprehje të ngjashme kur fliste në lidhje me nënat e tjera të besimtarëve, por natyrisht secila prej tyre ia merrte të Dërguarin e Zotit për një ditë. Në rrethana normale, dikush tjetër në pozicionin e saj mund t’i shihte me sy tjetër ato që e mbanin robin më të dashur të Allahut larg prej saj. Me përjashtim të disa incidenteve të vogla, qëndrimi Aishes nuk ndryshoi, dhe ajo kurrë nuk ka pasur vështirësi në pranimin e preferencave të të Dërguarit të Allahut.

Para se të shprehte ndonjë dëshirë i Dërguari i Zotit, ajo e kuptonte se çfarë donte. Aishja kujdesej për plotësimin e nevojave të Tij para se Ai të fliste. Ajo e dinte se Ai ka pasur arsye të ndryshme për secilën prej martesave të Tij - me disa ai kishte për qëllim për të krijuar lidhje fisnore me mekasit, me ndonjë tjetër Ai shpresonte të zgjidhte problemet me fiset hebreje dhe me të tjerat, ai donte të ndihmonte disa fise të afroheshin në Islam. Ky nuk ishte një mision i pamundur, sepse falë martesave të Tij, pati shumë vetë që hynin në fenë myslimane.

Disa nga martesat e Tij erdhën si rezultat i porosive që vinin prej shpalljes, siç ishin martesat e tij me Umu Habiben dhe Zejneben. Mund të thuhet pa frikë se triumfi i Mekës filloi në ditën kur i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të u martua me Umu Habiben, dhe se si rezultat i martesës së Tij me Zejneben204, shumë zakone dhe praktika të gabuara të shoqërisë u eliminuan pa grindje, duke u zëvendësuar nga bukuria e Islamit.

Shtëpia e tyre ishte si një shkollë, ajo vazhdimisht prodhonte përgjigje për pyetjet që njerëzve mund t’u vinin në mendje në të ardhmen. Dolën në pah shembuj nga të gjitha ndjenjat që mund të lindin tek gratë, dhe njerëzit shqyrtuan me imtësi mënyrën e jetesës së të Dërguarit të Allahut për të përcaktuar qasjen e tyre. Nga një këndvështrim vizionar, ndoshta kjo mund të thuhet se këto ngjarje në shtëpinë e lumturisë ishte e nevojshme të ndodhnin në mënyrë që të ishin nga një shembull për myslimanët në të ardhmen. Përndryshe, do të kishte qenë e pamundur të gjendej mënyra më e mirë për të zgjidhur probleme të ngjashme në mesin e grave, ndjeshmëria e të cilave është e lindur. Ndjenjat e tyre ishin rezultatet e përkohshme dhe kalimtare të një sërë situatash. I Dërguari i Zotit ka qenë gjithashtu një objekt xhelozie dhe zilie për to.

Nuk ishte e ndaluar për të vënë re një dallim të miratuar nga Allahu. Aishja ndonjëherë e bëri këtë për të fituar miratimin e të Dërguarit të Allahut për veten. Një ditë, ajo shkoi tek i Dërguari i Zotit dhe në mënyrë lozonjare i tha:

“O i Dërguari i Allahut, në qoftë se do të ishe në një luginë plot me pemë frutore dhe do të shihje disa pemë, frutat e të cilave janë ngrënë dhe disa të tjera që nuk janë prekur, ku do të zgjidhje të pushoje dhe të ushqeheshe?”

Kuptimi i saj ishte i qartë, dhe i Dërguari i Zotit e kuptoi; ajo ishte gruaja e Tij e vetme që kishte qenë e virgjër deri në martesën e tyre. I Dërguari i Zotit i dha përgjigjen që ajo priste:

“Pranë pemëve frutat e të cilave janë të paprekura!”

Gratë e shtëpisë së Profetit kishin secila një natyrë të ndryshme, dhe natyrisht disa e preferonin shoqërinë e njëra-tjetrës. Ndërsa Aishja ishte më e afërt me Hafsanë, Seuden dhe Safijen, Zejnebja ishte më afër Umu Selemes dhe disa të tjerave.

Me përjashtim të Aishes, Zejnebja kishte ndoshta ndikimin më të madh në shtëpi; ajo ishte vajza e hallës së Profetit, dhe motra e Abdullah ibni Xhahshit, një sahabi besnik. Martesa e saj me Profetin ishte porositur drejtpërdrejt me anë të shpalljes.

Preferencat e disa grave mbi të tjerat nuk përbënin klishe. Të qenit i afërt me dikë nuk do të thotë të jesh i largët për dikë tjetër. Edhe pse ato kishin mendime dhe ndjenja të ndryshme, e gjithë sjellja e tyre ishte në shërbim të kënaqjes së të Dërguarit të Zotit, dhe çështjet e tyre janë zgjidhur në mënyrë paqësore.

Pavarësisht gjithçkaje, midis tyre ka ekzistuar gjithmonë respekti reciprok. Zejnebja ishte më kryesorja në mesin e atyre që e përgatitën Aishen për martesën e saj pas Hixhretit, si dhe në mesin e atyre që e mbrojti kur ndodhi problemi i shpifjes.

Shumicën e kohës bashkëshortet e Profetit konkurronin me njëratjetrën për të fituar sa më shumë shpërblime, si dhe për të bërë sa më shumë vepra të mira; ato kërkonin për veten e tyre sa më shumë sevape, ashtu si të tjerat, por pa i pakësuar sevapet e tyre.

Kur i Dërguari i Zotit dëshironte të izolohej në xhami (itikaf), pranë xhamisë së Profetit ngrihej një tendë, dhe Ai qëndronte në çadër gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit. Njëherë edhe Aishja e vendosi një tendë të tillë në oborrin e xhamisë. Pastaj dëshira për të kryer një adhurim të tillë u shfaq edhe tek nënat e tjera të besimtarëve, të cilat dëshironin të ishin sa më afër Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ndaj edhe ato bënë kërkesë për tendë. Fillimisht Hafsaja e pastaj edhe Zejnebja, kërkuan leje për të vendosur tendat e tyre. Kur i Dërguari i Allahut i pa tendat në oborrin e xhamisë, pyeti:

“Çfarë janë këto?”

Pasi dëgjoi përgjigjen, i Dërguari i Allahut shfaqi shenja pakënaqësie dhe tha:

“Pra të gjitha ju kërkoni të fitoni sevape me këto tenda?”

Ishte e pamundur për gratë të kryenin siç duhet adhurimet, ndërkohë që ishte ndezur ndjenja e garës ndërmjet tyre. Me ndërhyrjen e Tij, i Dërguari i Allahut urdhëroi që tendat të çmontoheshin dhe e la izolimin e tij përgjysëm, duke planifikuar ta kryente atë në muajin e ardhshëm.

Në një udhëtim të të Dërguarit të Allahut, patën rastin ta shoqëronin Zejnebja dhe Safija. Udhëtimi ishte i gjatë dhe kushtet ishin të këqija, prandaj deveja që po ngiste Safija u lodh dhe nuk mund të ecte më. Meqenëse Zejnebja kishte një deve tepër, i Dërguari i Allahut i tha:

“Meqenëse deveja e Safijes nuk mund të ecë, dua që t’ia japësh asaj

njërën prej deveve.”

Ky ishte një sugjerim mjaft i arsyeshëm. Por arabët kishin një lloj mërie ndaj fiseve hebreje, kryesisht ndaj atyre të Beni Kajnukas, Beni Nadrit, Beni Kurejdhas dhe Uadi Kuras. I ati i Safijes, Huxhaxh ibni Aktabi kishte udhëhequr mjaft fushata kundër myslimanëve, gjë e cila kishte bërë që ndër arabët të rrënjoseshin paragjykime të thella ndaj hebrenjve. Pa u menduar gjatë, ajo tha:

“Unë, t’ia jap asaj çifutes?!”

Fjalët e saj të pamatura e lënduan thellë të Dërguarin e Zotit dhe sakaq Ai u zemërua. Ai kishte thënë më parë se ky nuk ishte qëndrimi i një besimtari dhe se kjo sjellje i përkiste pluhurit të historisë. Ai mbajti një qëndrim mjaft të ashpër ndaj Zejnebes, dhe për ta bërë më të qartë qëndrimin e Tij, e shmangu atë për disa muaj me radhë. Zejnebja u trishtua mjaft dhe e pagoi shtrenjtë atë çfarë kishte thënë. Ajo humbi kënaqësinë e të qenit së bashku me të Dërguarin e Allahut, gjë që përbënte lumturinë e saj më të madhe në këtë botë. Zejnebja u pendua dhe kërkoi falje nga Zoti, si dhe iu lut Atij që të kthehej përsëri, si më parë. Meqë periudha e ftohtësisë kishte zgjatur kaq shumë kohë, ajo filloi të mendonte se ishte vetëm një iluzion ideja që ata do të mund të pajtoheshin ndonjëherë. Ajo madje nisi të paketonte plaçkat. Si shpresë të fundit ajo kishte Aishen. Zejnebja i bëri një vizitë asaj, ku i kërkoi të ndërmjetësonte tek i Dërguari i Allahut për ta shpëtuar nga kjo situatë aq trishtuese.

Kjo ishte një ide e mirë, sepse Aishja zinte një vend të veçantë në zemrën e të Dërguarit të Allahut dhe me siguri, situata do të shkonte drejt zgjidhjes. Një ditë, jo shumë kohë më pas, i Dërguari i Allahut shkoi për drekë tek Zejnebja. Kështu ditët e trishtuara morën fund dhe retë e zeza u shpërndanë, duke u zëvendësuar me shkëlqimin e fytyrës së ndritur të të Dërguarit të Allahut, i cili zuri vendin që i takonte në shtëpinë e saj. Por tani kishte një ndryshim, tani e tutje askush nga gratë nuk do të fliste më me përçmim për njëra-tjetrën.

Megjithëse pozita e Aishes ishte e lakmuar nga të gjitha gratë për shkak të vendit të veçantë që zinte tek i Dërguari i Allahut, ajo ka thënë për Zejneben këto fjalë lavdëruese:

“Unë nuk kam parë ndonjë grua më të ndjeshme në çështjet fetare sesa Zejnebja. Sigurisht ajo ishte më e devotshmja dhe më e nënshtruara ndaj Allahut; fanatizmi i saj ishte nga më të sinqertët dhe ajo kujdesej më shumë nga të gjithë për të afërmit. Zejnebja e ka kaluar jetën duke dhënë sadaka dhe duke sakrifikuar mjaft nga vetja për të ndihmuar të tjerët dhe ajo ishte më e paarritshmja në afërsinë e saj me Allahun. Megjithëse kishte një temperament të zjarrtë, zemërimi i saj shuhej menjëherë.”

Një ditë i Dërguari i Allahut u tha atyre:

“Ajo prej jush e cila do të më bashkohet më shpejt pas vdekjes është ajo që i ka krahët më të gjatë.” Pasi Ai vdiq, bashkëshortet e Tij sollën ndër mend fjalët e mësipërme dhe u mblodhën që të masnin krahët për të gjetur, se cila do t’i bashkohej më parë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Ato i shtrinin krahët dhe mundoheshin t’i masnin por ishte e pamundur të arrihej në një përfundim të saktë. Aishja shpjegoi:

“Ne vazhduam të masnim krahët tanë derisa vdiq Zejneb binti Xhahsh. Kur ajo vdiq, ne e kuptuam se fjala kishte qenë për të, por jo në kuptimin fizik. Shprehja ‘krahët më të gjatë’ kishte kuptimin e dhënies për bamirësi për të ndihmuar njerëzit e varfër. Ne të gjitha u jepnim njerëzve në nevojë, por ajo u jepte aq shumë me dorën e saj, duke kursyer pak nga pak çdo qindarkë për t’ua shpërndarë më pas të varfërve për hir të Allahut.”210

Një ditë Aishja i përmendi të Dërguarit të Allahut gjatësinë e vogël trupore të Safijes dhe i tha me përkëdheli:

“Për të është e mjaftueshme çfarë të teprojë.”

Me këtë ajo donte të thoshte se nuk ishte e nevojshme t’i jepej më shumë kohë asaj për të kaluar me të Dërguarin e Allahut. Kjo sjellje e zemëroi jashtë mase të Dërguarin e Allahut ndaj ai tha:

“Nëse ato që the do të mund të hidheshin në oqean, me siguri, edhe atë do ta turbullonin.”

Edhe Aishja u mërzit. Ajo nuk kishte për qëllim, as të zemëronte të Dërguarin e Allahut e as të kritikonte Safijen. Ajo tha:

“Unë vetëm desha ta përshkruaj atë.”

Por i Dërguari i Allahut u kthye nga ajo dhe i tha:

“Edhe po të më dhurohej krejt bota, unë nuk do të isha i kënaqur me atë lloj përshkrimi!”

Pas kësaj, për të mbajtur zemrën e saj larg nga çdo lloj negativiteti, Aishja e mori Safijen në dhomën e vet dhe u bë shoqja e saj, duke punuar së bashku në gjëra të rëndësishme.

Safija ishte e famshme për talentin e saj në gatim, ashtu si edhe për fytyrën e saj të bukur, dhe lakmohej nga gratë e tjera për shkak të aftësive të saj në gatim. Ajo la njëqind mijë dërhemë si trashëgimi kur u nda nga jeta, duke ia lënë kështu një të tretën e tyre djalit të motrës së vet. Aishja me të mësuar se disa nuk donin t’ia jepnin të nipit një sasi të tillë të madhe parash për arsye se ai ishte hebre, menjëherë ndërhyri:

“Kijeni frikë Allahun dhe jepjani atij atë që i është lënë trashëgim!”213

Gratë e Profetit janë përpjekur që të jenë të drejta, dhe kur njëra prej tyre ishte e lënduar, ato menjëherë përpiqeshin ta kënaqnin dhe ta ndihmonin të harronte se çfarë kishte ndodhur. Si gratë e të Dërguarit të Allahut, ishte e pamundur që ato të mos e dëshironin thjeshtësinë dhe pastërtinë e jetës së tyre.

Kur Umu Habibja ishte duke vdekur, ajo u kthye nga Aishja, e cila ishte mbi kryet e saj dhe i tha:

“Që të dyja kemi qenë gratë e të Dërguarit të Zotit, është e mundur që ndonjëherë të të kam rënë në qafë dhe anasjelltas. Allahu i Plotfuqishëm na faltë si ty ashtu edhe mua.”

Burimet në dispozicion nuk tregojnë as edhe një problem të vogël në mes Aishes dhe Umu Habibes. Por këto gra të bekuara ishin aq të ndjeshme për shkak se ato gëzonin kënaqësinë e të qenit bashkëshortet e të Dërguarit të Allahut, dhe ato ishin aq të vetëdijshme për përgjegjësitë e tyre, saqë nuk donin të linin pas vetes asgjë të krisur apo të papërfunduar ndërsa kalonin nga kjo botë në ahiret. Në përgjigje të kësaj, Aishja u lut:

“Allahu i Plotfuqishëm të faltë për gjithçka, të faltë për mospërsosmërinë tënde dhe të mbajttë larg nga problemet.”

Umu Habibja u lumturua shumë. Ajo shikoi nga Aishja dhe i tha:

“Ti më bëre mua të lumtur, Allahu të bëftë të lumtur edhe ty

gjithashtu!”

Ato ishin shembujt më të mirë të virtytit dhe marrëdhëniet e tyre me njëra-tjetrën ishin gjithashtu virtuoze. Edhe njëherë mund të japim një shembull ku tregohet se xhelozitë apo zilitë e vockla që shfaqeshin ndonjëherë, ishin të rastësishme dhe jo të përhershme. I Dërguari i Allahut me veprimet e Tij, si dhe shpalljet hyjnore, i bënin ato të pendoheshin thellë dhe t’i riktheheshin drejtësisë dhe tolerancës.

Një ditë, bashkëshortet e Profetit shkuan tek dhoma e Seudes dhe po diskutonin në lidhje me pozitën e Aishes tek i Dërguari i Allahut. Pas një bisede të gjatë ato dolën me përfundimin:

“O Umu Seleme, betohemi në Allah se ti e sheh se njerëzit presin ditën e Aishes për t’i dhuruar ndonjë gjë të Dërguarit të Allahut. Meqenëse Aishja nuk do tjetër veç mirësi, edhe ne nuk dëshirojmë gjë tjetër, por të fitojmë mirësi. Përse nuk shkon tek i Dërguari i Allahut e t’i kërkosh që t’u thotë njerëzve t’i sjellin dhuratat në çdo kohë e jo sipas kësaj preference?”

Ky ishte mendimi i përgjithshëm, kështu që Umu Selemja ia tha këtë të Dërguarit të Allahut. Ai u mërzit dhe iku. Umu Selemja u kthye e pikëlluar dhe u shpjegoi grave çfarë kishte ndodhur, por ato ngulën këmbë që ajo të shkonte përsëri. Reagimi ishte përsëri i njëjtë - i Dërguari i Allahut ishte i pakënaqur nga ky këndvështrim. Umu Selemja u kthye përsëri tek ato e pikëlluar. Megjithatë, ato i kërkuan të shkonte dhe t’i thoshte përsëri, dhe kur Umu Seleme shkoi tek i Dërguari i Allahut për herë të tretë me të njëjtën kërkesë, Ai u zemërua dhe i tha:

“O Umu Seleme, mos më vër në pozitë të vështirë me Aishen. Betohem në Allah se Mua kurrë nuk më vjen shpallja kur jam me ndonjërën prej jush, përveç asaj.”

Duke e kuptuar rëndësinë e çështjes, Umu Selemja menjëherë e ndryshoi qëndrimin e saj dhe hoqi dorë nga kërkesa:

“I kërkoj falje Allahut meqenëse të vura në pozitë të vështirë me Aishen, o i Dërguari i Allahut.”

Gratë e tjera, të cilat nuk e kishin ndier as atmosferën dhe as forcën e përgjigjes së Profetit, ndoshta menduan se Umu Selemja nuk kishte qenë në gjendje ta shprehte mendimin e tyre në mënyrë të qartë. Këtë herë, ato i kërkuan Fatimes të ndërmjetësojë:

“Shko tek i Dërguari i Zotit dhe tregoji Atij për gjendjen tonë duke i thënë: ‘Gratë tuaja presin drejtësi nga ti në lidhje me vajzën e Ebu Bekrit, për hir të Allahut.’”

Ndoshta jo e vetëdijshme për atë që kishte ndodhur, Fatimja ia përcolli të Dërguarit të Zotit mesazhin nga gratë. Ajo vuri re një ndryshim të madh në fytyrën e Tij. Ai papritmas u zemërua dhe e pyeti:

“O bija ime, a e do ti atë që dua unë?”

Kjo ishte një pyetje retorike dhe ajo iu përgjigj ‘po’ pa ngurrim.

Siç dukej, të Dërguarit të Zotit nuk i pëlqente që palët e treta të ndërhynin në një çështje mes Tij dhe bashkëshorteve të Tij. Toni i Tij e ngriu Fatimen; ajo hoqi dorë nga kërkesa dhe ua shpjegoi pastaj situatën grave të Tij. Ato donin që ajo të shkonte edhe një herë dhe t’ia shpjegonte më qartë Atij qëllimin e tyre, por Fatimja refuzoi. Për vajzën e Profetit kjo derë ishte mbyllur dhe e gjithë këmbëngulja e tyre shkoi dëm, sepse ato nuk qenë në gjendje t’ia mbushnin më mendjen.

Pastaj, gratë vendosën të nisnin Zejneben për të dërguar mesazhin. Ajo shquhej në mesin e grave të tjera, pasi martesa e saj i ishte shpallur të Dërguarit të Allahut nëpërmjet Xhebrailit në një ajet që ia pat recituar vetë ai. Afërsia e saj me të Dërguarin e Allahut, gjithashtu i jepte asaj pjekuri dhe autoritet. Zejnebja shkoi tek Ai dhe këmbënguli:

“Gratë tuaja kërkojnë drejtësi në lidhje me vajzën e të birit të Ebu Kuhafes, për hir të Allahut.”

Ajo e ngriti pak zërin dhe Aishja e dëgjoi. Me të vërejtur se ajo e kapi situatën, i Dërguari i Allahut i hodhi një vështrim të shpejtë Aishes dhe priti se si do të reagonte ajo. Pastaj Zejnebja dhe Aishja filluan të diskutojnë mes tyre. Aishja ishte aq brilante dhe kishte aq shumë talent për oratori, saqë në fund Zejnebja u dorëzua. Pasi e kishte vërejtur këtë skenë pa folur asnjë fjalë, i Dërguari i Allahut në fund tha:

“Në fund të fundit, ti je e bija e Ebu Bekrit!”

Ndalesa (Tahrimi)

I Dërguari i Allahut e kishte zakon t’i vizitonte bashkëshortet e Tij pas namazit të drekës. Ai i pyeste për shëndetin, interesohej nëse kishin nevojë për ndonjë gjë dhe kalonte ca kohë me to. Ai kishte përcaktuar një orar të rregullt për secilën prej tyre, vetëm e vetëm për të ndenjur me to. Pasi kjo gjë u përsërit shumë herë, bashkëshortet e Profetit filluan të ndjenin një lloj padurimi për vizitat e Tij dhe qëndronin të gatshme për ta pritur të Dërguarin e Allahut pas çdo namazi të drekës.

Një ditë, ndërsa ishin ulur dhe po prisnin të Dërguarin e Allahut, ato vunë re se koha kishte kaluar dhe ai nuk ishte bërë i gjallë. Çdo minutë që kalonte e shtonte ankthin e tyre sepse ato e kuptonin se po humbisnin një nga momentet më të lumtura të ditës, vizitën e të Dërguarit të Allahut, vizitë me të cilën tashmë ishin mësuar aq shumë.

Por menjëherë më pas u shfaq i Dërguari i Allahut ndaj ato u gëzuan dhe i uruan Atij mirëseardhjen. Megjithëse pak me vonesë, fytyra e Tij e shndritshme u shfaq, duke e nderuar shtëpinë e tyre me praninë e Tij. Por një dyshim brente zemrat e tyre. Aishja foli edhe në emër të grave të tjera dhe e pyeti për shkakun e vonesës. Profeti tha:

“Një grua nga fisi i Zejnebes më solli një qyp me mjaltë si dhuratë.”

Gratë e kuptuan se shkaku i vonesës kishte qenë Zejnebja. Atyre u hipi një ndjenjë zilie, por nuk i thanë gjë të Dërguarit të Allahut paqja qoftë mbi Të.

Ndërsa flisnin mes tyre, ato rikujtuan faktin se i Dërguari i Allahut ishte i ndjeshëm ndaj erës së keqe dhe mundohej ta shmangte atë. Kështu, kur i Dërguari i Allahut iu afrua ato vendosën ta pyesnin: “Çfarë ke pirë?” dhe “Çfarë është kjo erë?”Ai u përgjigj: “Kam pirë sherbet mjalti” dhe pastaj secila prej tyre do të shprehte nga një mendim për efektin e tij, ndoshta “ngaqë bletët e kishin mbledhur nektarin nga lulet me erë të keqe.”

Ndodhi siç ato e kishin parashikuar. Cilësdo që afrohej, i Dërguari i Allahut i jepte të njëjtin reaksion. Çdo herë ai thoshte:

“Jo, kam pirë vetëm sherbet mjalti tek Zejnebja.”

Megjithëse përgjigjja e Tij ishte e butë, i Dërguari i Allahut u mërzit dhe u fye, ndaj u betua të mos pinte më sherbet mjalti.”

Një betim i tillë kaq i parëndësishëm për një njeri të zakonshëm ndoshta do të kalonte pa u vënë re, por i Dërguari i Allahut nuk ishte njeri i zakonshëm. Ai ishte marrësi i vetëm i mesazhit i cili vazhdonte të shpallej. Feja është formuar nën dritën e shpalljes. Kështu që në çdo fjali që dilte nga buzët e Tij do të ndërtohej një gjykim që do të bëhej shembull për pasuesit e Tij.

Pak kohë më vonë, Xhebraili erdhi me një shpallje të re. I Dërguari i Allahut djersinte dhe dukej mjaft i vuajtur nën peshën e përgjegjësisë që mbante mbi supe, sikur të ishte i gjymtuar.

Pastaj një buzëqeshje u shfaq sërish në fytyrën e Tij. Allahu i Madhëruar i ishte drejtuar atij:

“O ti Profet, pse ia ndalon vetes atë që Allahu ta lejoi? A kërkon me të pajtimin e grave tuaja? Allahu është Mëkatfalës, Mëshirues.”

Nga ky ajet, ndjehej ngrohtësia e të qenit i afërt me Zotin, dhe ai shpallte aspekte të reja të fesë për njerëzimin nëpërmjet mishërimit të tyre tek i Dërguari i Allahut. Aspekti i parë ishte se një person nuk duhet të konsideronte si të paligjshme diçka që nga ana e Allahut ishte e lejueshme. E dyta ishte se një qëndrim i tillë do të lypte që ne

të kërkonim falje duke e ditur se kjo falje mund të na jepet vetëm nga Allahu, me anë të atributeve të Tij si Mëkatfalës dhe Mëshirues. Së treti, sqarohej se ata të cilët bënin një betim për të hequr dorë nga gjërat e lejueshme, duhej ta kthenin betimin e tyre në pagim haraçi.

Pastaj ajeti tjetër vazhdon:

“Allahu ju ka përcaktuar juve zgjidhjen e betimeve tuaja; Allahu është kujdestari juaj; Ai është i gjithëdijshmi, i urti.”

Aishja dhe Fatimja

Midis vajzave të të Dërguarit të Allahut, Fatimja kishte marrëdhënie më të ngushta me Aishen. Ato jetuan së bashku në të njëjtën shtëpi për njëfarë kohe, derisa Fatimja u martua me Aliun. Aishja ishte njëra nga ato të cilat e përgatitën Fatimen për dasmën e saj. Megjithëse jeta e tyre nuk ishte e lehtë, kënaqësia që ndjenin ishte e pafundme. Ndërsa rrëfen për atë ditë, Aishja thekson fjalët e mëposhtme:

“I Dërguari i Allahut na tha ta përgatisnim Fatimen sepse ajo do martohej me Aliun. Ne menjëherë vajtëm në shtëpi, dhe sollëm ca dhè të butë nga Batha, të cilën e shpërndamë nëpër tokë. Pastaj mbushëm dy jastëkë me lesh deleje. Më pas shtypëm ca hurma dhe rrush dhe ia shtuam ca ujë pijes, dhe pastaj vendosëm një hu në njërin skaj të dhomës për të varur rrobat, enët dhe pjatat. Unë nuk kam parë ndonjëherë dasëm më të bukur se atë të Fatimes!”

Vetëm një mur e ndante dhomën ku banonte Fatimja me Aliun nga dhoma e Aishes, dhe ai mur kishte një dritare. Ndonjëherë ato rrinin së bashku dhe bisedonin përmes kësaj dritareje.

Aishja ishte shoqja më e mirë e Fatimes dhe ajo ndante pothuajse gjithçka me të. Fatimja i fliste për gëzimet, brengat dhe objektivat, të cilat ajo nuk ishte në gjendje t’i arrinte. Një ditë, kur duart e saj u ënjtën nga bluarja e grurit, Fatimja i kërkoi të Dërguarit të Allahut t’i sillte ndonjë skllave për ta ndihmuar në punët e shtëpisë. Asaj nuk iu plotësua dëshira dhe Aishja ishte e vetmja së cilës ajo ia qau hallin.

Fatimja e donte shumë Aishen. Dashuria dhe respekti i tyre ishte reciprok, sepse për Aishen Fatimja zinte një vend unik. Një ditë, Aishja u pyet:

“Kush ishte njeriu më i dashur nga njerëzit e të Dërguarit të Allahut?”

Pa u menduar farë ajo u përgjigj: “Fatimja.”Aishja pastaj shtoi:

“Pas babait të saj, unë nuk kam parë njeri tjetër më të mrekullueshëm sesa Fatimja.”

Ajo nuk e pa kurrë Fatimen me keqdashje. Njëherë ka thënë:

“Unë nuk kam parë askënd që t’i ngjante të Dërguarit të Zotit më shumë sesa Fatimja, e cili i ngjante Atij më shumë në aspektin e dinjitetit, qetësisë, sjelljes, elegancës dhe mirësjelljes ,si dhe në mënyrën e të ecurit. Kur ajo hynte në vendin ku ishte i Dërguari i Allahut, Ai ngrihej në këmbë për të, e puthte dhe e ulte pranë vetes.

Kur i Dërguari i Zotit shkonte tek Fatimja, ajo do të bënte të njëjtën gjë.”

Virtytet e Fatimes, u përcollën për shoqërinë myslimane nëpërmjet Aishes. Duke marrë fillimisht Fatimen, pastaj Aliun, Hasanin dhe Hysenin nën batanijen e Tij të leshtë, i Dërguari i Zotit tha:

“Këta janë familja ime.”

Ishin ditët e fundit përpara vdekjes së të Dërguarit të Allahut. Bashkëshortet e tij u mblodhën dhe u ulën pranë Tij. Pastaj erdhi Fatimja, me stilin e saj të të ecurit që ishte krejt si i të atit, madje edhe hapat e saj ishin paralel me të Tijët. Me të vërejtur ardhjen e saj, i Dërguari i Zotit tha:

“Mirë se erdhe bija ime.”

Me merak dhe respekt të madh, Ai urdhëroi që ajo të ulej pranë Tij. Ishte sikur të mungonte dikush dhe ardhja e saj bëri që skena të bëhej e plotë.

Pastaj, gratë panë se i Dërguari i Allahut u përkul dhe i tha Fatimes diçka sekrete në vesh. Në dhomë mbizotëroi një heshtje e thellë. Ajo nisi të qante. Ngashërimi i saj me sa duket e preku të Dërguarin e Allahut dhe për ta ndalur, Ai iu afrua përsëri dhe i tha diçka tjetër në vesh. Çuditërisht, Fatimja, e cila deri atëherë po qante me dënesë, zuri të qeshte. Aishja nuk mundi të duronte pa e mësuar të fshehtën e këtyre fjalëve dhe shkoi tek Fatimja dhe e pyeti:

“I Dërguari i Allahut të tha diçka veçmas, pavarësisht se aty ishin edhe gratë e Tij. Të lutem, a mund të më thuash çfarë të tha?” Fatimja iu përgjigj:

“Unë nuk mund ta tregoj sekretin e të Dërguarit të Allahut.”

Fatimja nuk donte t’ia tregonte askujt ato çfarë i kishte thënë i Dërguari i Allahut, madje as Aishes. Megjithatë, Aishja nuk do të hiqte dorë derisa ta shuante kureshtjen e saj.

Pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut, Aishja e pyeti përsëri Fatimen:

“Të lutem për çfarë ke më të shtrenjtë, çfarë të pëshpëriti atë ditë në vesh i Dërguari i Allahut?”

Kur Fatimja iu përgjigj “Tani mund të ta tregoj”, Aishja u lumturua aq shumë sa t’i kishin dhuruar gjithë botën, sepse ajo do të mësonte një sekret të cilin e dinte vetëm Fatimja, dhe i cili kishte të bënte me ndjenjat e të Dërguarit të Allahut për njerëzit e Tij. Fatimja tha:

“Kur më pëshpëriti për herën e parë në vesh, më tha se megjithëse Xhebraili zakonisht vinte një herë në çdo Ramazan për ta recituar me mua gjithë Kuranin, këtë vit ka ardhur dy herë. Ai tha ‘mendoj se vdekja ime është afër! “dhe pastaj më këshilloi ‹Bëhu e durueshme, kije frikë Allahun dhe mos hiq dorë nga devotshmëria.’”

“Kur ai pa se unë fillova të qaj, Ai u përkul përsëri dhe më tha lajmin e mirë se unë do të jem e para në mesin e familjes së Tij, e cila do të ribashkohej me Të. Ai tha, ‹O Fatime! A dëshiron të jesh zonja e parë në mesin e besimtareve apo zonja e parë e kësaj bote?’

Kjo ishte arsyeja e buzëqeshjesh që ju patë tek unë.”

Ditët e fundit me Të Dërguarin e Allahut

Ditët kalonin njëra pas tjetrës. Dita kur Aishja u martua me të Dërguarin e Zotit ishte ende e freskët në kujtesën e saj, sikur të kishte ndodhur dje, edhe pse kishin kaluar dhjetë vjet. Ajo gjatë kësaj kohe kishte jetuar një jetë krejtësisht të ndryshme. Qysh prej një dekade ajo ishte nëna e besimtarëve, dera e hapur e të vuajturve, jetimëve, grave, dhe atyre që kërkonin dituri. Por, sinjalet po tregonin fundin e jetës së tyre të përbashkët me Profetin. Gjatë vitit të fundit, kishte lindur një ndjesi e lamtumirës.

Ishte e hëna e fundit e muajit Sefer. Profeti shkoi në Xhenetul Baki për të vizituar shokët e Tij, duke rikujtuar kohët që kishte kaluar me ata që ishin në ato varreza.

Kur po kthehej, koka filloi t’i dhimbte shumë dhe kishte temperaturë. Temperatura e lartë mund të ndihej nga përmbi çallmën e mbështjellë rreth kokës së Tij.

Në të njëjtën kohë, edhe Aishja filloi të ankohej nga dhimbja e kokës. Për t’i treguar atij se ata ishin së bashku edhe në vështirësi, Aishja u kthye nga i Dërguari i Zotit dhe i tha:

“Oh e shkreta koka ime!”

Ajo shpresonte ta bënte të Dërguarin e Zotit të fliste pak dhe të harronte paksa problemet e Tij. Por, ajo mori një përgjigje që nuk e priste:

“E shkreta koka ime!”

Ajo e shikoi të Dërguarin e Zotit me dhembshuri. E Tija ishte qartazi një lloj tjetër dhimbje koke të cilën ajo nuk e kishte vënë re në fillim, dhe e cila nuk kishte ndër mend të lehtësohej.

Gjendja e tij vazhdoi kështu edhe për njëmbëdhjetë ditët e ardhshme. Por ai vazhdonte të vinte në xhami për të udhëhequr umetin e Tij gjatë faljes së namazit me xhemat.

Edhe pse ishte afër vdekjes, sjellja e Tij e mirë dhe ndjenja e drejtësisë e bëri atë t’i përmbahej kalendarit të paracaktuar për gratë e Tij. Megjithatë, bashkëshortet e Tij e kuptuan se si zemra ashtu edhe mendja e Tij ishin me Aishen. Çdo gjë që ata kishin përjetuar deri në atë ditë e kishte ngritur nivelin e të kuptuarit të tyre deri në një pikë sa ata filluan t’i konsideronin preferencat e Tij si të natyrshme. Aishja, e cila zotëronte një sens të pashembullt perceptimi dhe mprehtësie, duhej të përjetonte së bashku më Profetin ditët e Tij të fundit për të regjistruar me saktësi atë që ajo pa dhe dëgjoi. Të gjitha bashkëshortet e Tij hoqën dorë nga radha e tyre, dhe për shkak se preferenca e tyre vullnetare e bëri të Dërguarin e Zotit të lumtur, kjo e kënaqi edhe më shumë Aishen. I Dërguari i Zotit i kaloi ditët e tij të fundit me Aishen, derisa u ribashkua me të Dashurin e Amshuar.

I Dërguari i Zotit kishte vështirësi të qëndronte në këmbë, dhe shumicën e kohës, mund të ecte vetëm duke zvarritur këmbët. Ai shkoi në dhomën e Aishes me ndihmën e dy personave. Ai do të qëndronte atje deri në frymën e Tij të fundit.

Ai u shfaq në mesin e njerëzve përsëri të enjten, dhe pavarësisht dhimbjeve që ndiente, Ai donte që ata të shkruanin ato që Ai do t’u thoshte për t’i mbajtur larg nga hapat e gabuara pas vdekjes së Tij. Ai u tha atyre që kishte afër vetes:

“Ejani pranë meje t’ju diktoj diçka, në mënyrë që ju të mos bini në herezi pas meje.”

Kjo ishte një skenë prekëse, por shumë veta që i shihnin me dhimbje vuajtjet e Tij thanë: “A nuk e shikoni se si janë shtuar dhimbjet e të Dërguarit të Allahut dhe se sa vuan? Ne kemi Kuranin, dhe libri i Allahut është i mjaftueshëm për çdo gjë.”

Sahabët u ndanë në dy pjesë. Njëri grup e mendonte kështu, ndërsa grupi tjetër mendonte se kërkesa e Tij duhej të plotësohej dhe se ata duhet të merrnin shënim ato që do t’u thoshte ai. Ndërsa debati vazhdonte, Profeti nuk e ndjeu veten mirë dhe u kthye drejt tyre e u tha:

“Mjaft, largohuni!”

Ai u rikthye tek dhoma e Aishes. Pavarësisht temperaturës së lartë dhe fortësisë së dhimbjeve të Tij, Ai vijoi të shfaqej në mesin e njerëzve dhe të falte namazet me ta. Ai shkoi në xhami për namazin e akshamit dhe recitoi të gjithë suren Murselat gjatë namazit.

Pastaj u rikthye përsëri në shtëpi, dhe kjo skenë e frikësoi mjaft Aishen, sepse sëmundja e Tij rëndohej çdo minutë e më shumë. Ai dukej sikur nuk kishte më forcë për të qëndruar në këmbë. U kthye nga Aishja dhe e pyeti:

“A është falur namazi me xhemat?”

Namazi me xhemat nuk ishte falur ende. Deri atë ditë, sahabët e kishin falur çdo namaz me xhemat në xhami pas të Dërguarit të Allahut. Meqë i Dërguari i Zotit nuk kishte ardhur ende, ata ishin duke pritur për Të, pa e falur namazin përpara mbërritjes së tij. Aishja i tha:

“Jo, o i Dërguari i Allahut. Po të presin ty.”

Ai i mblodhi të gjitha forcat për t’u ngritur në këmbë dhe tha:

“Më përgatit ujin se dua të marr abdes.”

U ngrit dhe me shumë vështirësi dhe mori abdes. Ndërsa po nisej për në namaz, gjatë rrugës, i ra të fikët. I Dërguari i Allahut nuk qe në gjendje të shkonte në xhami siç kishte bërë çdo ditë. Në shtëpinë e lumturisë u bë një turbullirë e tmerrshme dhe Aishja vinte rreth e rrotull me dëshpërim. Për fat të mirë, Ai erdhi në vete menjëherë dhe e pyeti:

“A e falën njerëzit namazin?” Aishja iu përgjigj:

“Jo, o i Dërguari i Allahut. Po të presin ty.”

Megjithëse pritja e Profetit ishte një gjest i këndshëm nga ana e tyre, Ai mendoi se nuk do të ishte në gjendje t’i udhëhiqte ata. Ai i tha Aishes:

“Thuaji Ebu Bekrit t’u prijë njerëzve në namaz.”

Kjo u kuptua edhe si miratim që shoku i Tij më i ngushtë të bëhej udhëheqësi i myslimanëve pas vdekjes së Tij. Por Aishja i tha:

“O i Dërguari i Allahut, babai im është një person zemërbutë. Ai nuk mund t’i mbajë lotët kur të fillojë të recitojë Kuranin! Pse të mos caktosh dikë tjetër në vend të tij?”

Pas përgjigjes së saj ishte frika se askush nuk mund ta zëvendësonte dot pozitën udhëheqëse të të Dërguarit të Zotit. Ajo e ndjente se njerëzit do të kritikonin çdo person, i cili do të tentonte për të plotësuar mungesën e Tij, sepse ata do ta ndjenin boshllëkun e mungesës së të Dërguarin të Zotit, ndaj Aishja po kërkonte të mbronte babanë e saj nga kritikat. Por i Dërguari i Zotit këmbënguli:

“Thuaji Ebu Bekrit t’u prijë njerëzve në namaz!”

Aishja e pyeti përsëri, por përgjigjja e Tij nuk ndryshoi. Këmbëngulja e saj e mërziti të Dërguarin e Zotit, dhe për të treguar se këmbëngulja e saj ishte e kotë, ai i tha:

“Po sillesh si ato gratë që u zunë për Profetin Jusuf. Thuaji Ebu Bekrit se ai duhet të jetë imam dhe t’u prijë njerëzve në namaz.”

Aishja e kuptoi. Udhëheqja e popullit pas vdekjes së të Dërguarit të Zotit do të ishte e vështirë, por i Dërguari i Zotit ishte duke zgjedhur pasardhësin e Tij. Kjo do të thoshte se i ati i saj, Ebu Bekri, do t’i kryente siç duhet detyrat e Tij. Kështu ajo i dërgoi një mesazh Ebu Bekrit dhe ai e udhëhoqi namazin. Por roli i Tij nuk do të kufizohej vetëm me faljen e një namazi. Që prej atij momenti, i Dërguari i Zotit nuk mundi të shkonte përsëri në xhami, dhe Ebu Bekri do t’i udhëhiqte prej atëherë e tutje.

Të dielën, Profeti shpërndau çfarëdo që zotëronte, me sa duket me qëllim që të largohej nga kjo botë ashtu siç kishte ardhur në të. Ai dha sadaka në një masë të tillë saqë Aishja e dërgoi llambën e tyre të vajit, e cila ishte krejtësisht e zbrazur tek një grua dhe iu lut asaj për disa pika vaji, në mënyrë që të mos e linte të Dërguarin e Allahut në errësirë.

Në shtëpinë e tyre nuk kishte mbetur më ushqim. Ata ia dhanë parzmoren prej hekuri të Profetit, të fituar në betejë, si garanci një fqinji hebre për tridhjetë njësi elbi.

Të hënën, i Dërguari i Zotit largoi mënjanë perden që mbulonte dritaren që shihte nga xhamia në dhomën e Aishes, dhe vështroi edhe njëherë umetin. Ai u kënaq nga skena që pa - namazi po falej me rregull, duke ndjekur imamin dhe duke i kryer siç duhej detyrat e adhurimit. Ai e mbylli perden me kënaqësi dhe u rikthye në dhomën e Aishes.

Pasi i Dërguari i Zotit i pëshpëriti vajzës së Tij, Fatimes ato fjalë

në vesh, ai i thirri bijtë e saj, Hasanin dhe Hysenin, i puthi ata dhe i këshilloi që të sillen mirë. Në këtë kohë, bashkëshortet e tjera hynë në dhomë të Aishes, për të përjetuar momentet e fundit të të Dërguarit të Zotit. Gratë e të Dërguarit të Zotit ishin në mesin e atyre që ndodheshin aty, kur Ai i këshilloi për herë të fundit në këtë ndarje. Ai u kthye nga Aishja dhe e pyeti:

“O Aishe, çfarë ke bërë me arin?”

Aishja shkoi menjëherë dhe ia solli arin në fjalë.

Duke i marrë në dorë copat e arit ai numëronte, “...pesë, gjashtë, shtatë. Si mund të shkojë Muhamedi tek Allahu nëse këto copa ari janë me të? Merri dhe jepi si sadaka!” Dhimbjet iu bënë më të mëdha dhe Ai i tha Aishes:

“O Aishe, mos ki dyshim se unë ende e ndiej vuajtjen e ushqimit që hëngra në Hajber. Më duket sikur damarët po më shqyhen sot nga helmi i asaj dite!”

Ai e mbuloi fytyrën me një copë të zezë leshi. Kur ndjeu vapë dhe përgjumje, e zbuloi fytyrën. Ndërkohë foli për namazin:

“Namazin, namazin.” Ai e përsëriti shumë herë këtë fjalë. Ai u tha njerëzve të jenë të ndjeshëm dhe të sillen njerëzishëm ndaj skllevërve dhe shërbëtorëve. Ai dha këshilla për ndonjë çështje për të cilën frikësohej se njerëzit do ta linin pas dore.

Ndërkohë, Aishja u ul pranë Tij dhe lexoi suret Nas dhe Felek duke prekur lehtë me dorën e saj trupin e Tij të bekuar sipas mënyrës që ajo e kishte mësuar prej Tij. Pas çdo recitimi, ajo lëshonte frymën e saj mbi të, dhe i lutej Allahut për ta shëruar.

Shenjat ishin të qarta se i Dërguari i Allahut së shpejti do të largohej nga kjo botë për në botën tjetër. Ai pushoi me kokën e mbështetur në gji të Aishes dhe i nguli sytë në tavan. Djali i Ebu Bekrit, Abdurrahmani, hyri në dhomë me një misvak në dorën e tij. I Dërguari i Zotit e ndoqi me sy misvakun. Nëna jonë e mprehtë e kuptoi se Ai dëshironte ta përdorte misvakun dhe e pyeti:

“A të ta sjell?”

Ajo e mori atë nga vëllai i saj për t’ia dhënë të Dërguarit të Zotit. Por misvaku ishte aq i ashpër saqë Aishja e pyeti:

“A të ta zbus pak?”

Ai përsëri pohoi me kokë. Ajo e zbuti misvakun dhe ia dha të Dërguarit të Allahut.

Pasi pastroi dhëmbët, Ai ngriti gishtin lart. Sytë i ishin drejtuar në tavan dhe buzët lëviznin. Aishja e afroi veshin e saj afërt gojës së Tij për ta dëgjuar.

“Të lutem më fal dhe më rretho me mëshirën Tënde, së bashku me Profetët, dëshmorët dhe besimtarët e vërtetë mbi të cilët ke shpërndarë bekimin Tënd. Më prano mua në banesën Tënde më të lartë.”

Aishen e brente një dyshim, sepse gjatë kohës që Ai kishte qenë mirë me shëndet, ajo e kishte dëgjuar të thoshte:

“Shpirti i asnjë profeti nuk është marrë kurrë, pa ia treguar atij më parë vendin e tij në Xhenet. Pas kësaj, Ai ose vazhdon të jetojë, ose i jepet mundësia për të zgjedhur mes jetës dhe vdekjes.”

Sapo dëgjoi se Ai po kërkonte për banesën më të lartë, Aishja solli ndër mend thënien e Tij dhe tha me vete, “Ai nuk do të jetë më midis nesh.”

Nuk ekzistonte asnjë fjalë për ta përshkruar atë moment. Lutja e Zotit nga thellësia e zemrës, është veprimi më jetik për besimtarin. Aishja iu përgjërua Allahut duke mbajtur në duart e saj dorën e Profetit. Kur ajo nuk e priste, Ai e tërhoqi dorën prej saj. Ishte koha për të ikur, dhe Ai nuk mund të qëndronte më në këtë botë.

Kur Ai dha frymën e fundit, kokën e Tij të bekuar e kishte të mbështetur në gjoksin e saj.

Kjo ishte dita më e trishtë për Aishen. Duke mbuluar fytyrën me duar, ajo rënkoi me dënesë. Ajo u përpoq të qëndronte e fortë dhe i vendosi një jastëk nën kokë të Dërguarit të Zotit. Atëherë ajo i thirri njerëzit për t’u dhënë atyre lajmin e trishtuar.

Për sahabët që kishin pritur me padurim momentin kur Ai do të kthehej në mesin e tyre, kjo ishte një katastrofë. Medina u mbulua menjëherë nga një atmosferë zie. Disa, si Omeri, të cilët e konsideronin të pamundur për të jetuar në një botë pa praninë e Profetit, nuk dinin çfarë të bënin. Por vdekja ishte urdhër i Allahut. Ajo kishte ardhur dhe e kishte marrë të Dërguarin e Zotit në anën tjetër të perdes së hollë që ndan këtë botë nga Ahireti.

Ishte koha për të kryer detyrimin përfundimtar ndaj të Dërguarit të Zotit. Sahabët, të cilët nuk dinin se çfarë të bënin të zhytur në vuajtjet e tyre, ishin të pavendosur rreth vendit ku duhej ta varrosnin trupin e Tij të pastër. Pastaj Ebu Bekrit, babait të Aishes menjëherë iu kujtua diçka:

“M’u kujtua diçka që kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut, por që e kisha harruar; i Dërguari i Zotit më ka thënë: ‘Nuk ka dyshim, që Zoti i Plotfuqishëm ia merr shpirtin një Profeti në vendin ku Ai dëshiron që të varroset!’ Pra, ne duhet ta varrosim aty ku ndodhet shtrati i Tij.”

I Dërguari i Zotit në këtë mënyrë do të shtrihej për të pushuar përjetë në dhomën e Aishes. I prekur nga kjo skenë, Ebu Bekri i tha Aishes:

“Shikoje, kjo është e para dhe më e mbara e hënave tuaja, o Aishe. Kjo ishte një thënie të cilën vetëm Aishja mund ta kuptonte.

Vite më parë, Aishja kishte parë një ëndërr në të cilën tri hëna, njëra pas tjetrës, u ngritën mbi dhomën e saj. Kur ajo i kishte thënë Ebu Bekrit rreth ëndrrës, ai i tha:

“Nëse kjo është një ëndërr e vërtetë, tre njerëzit më të mbarë në tokë do të varrosen në dhomën tënde.”

Tashmë, hëna më e mbarë po ngrihej mbi dhomën e saj, sepse Profeti ishte duke u varrosur atje.

Nëna e pashoqe e besimtarëve AISHJA 145

I Dërguari i Zotit do të qëndronte pranë saj. Ky vend ishte i mbushur aq shumë me ngrohtësi, saqë ajo u largua vetëm kur shkoi në Mekë për pelegrinazh, apo për vizita të shkurtra. Kjo praktikë do të vazhdonte deri në fund të jetës së saj.

Shënimet

  1. 191.Ebu Davud, xhihad, 121; Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/276.
  2. 192.Jamani, Ummul Mu’minun, 13.
  3. 193.fedailu sahabe, 50.
  4. 194.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/117.
  5. 195.Taberani, Mu’xhemul kebir, 23/11.
  6. 196.Buhari, nikah, 107.
  7. 197.nikah, 97.
  8. 198.Muslim, rada’, 47.
  9. 199.shurut, 15.
  10. 200.Ebu Davud, itk, 2; Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/277.
  11. 201.Dihet se Profeti u martua me Umu Habiben pas shpalljes së ajetit: “Pritet që Allahu të vërë miqësi ndërmjet jush dhe atyre që kishin armiqësi, Allahu është i fuqishëm; Allahu është Falës, Mëshirues.” (Mumtehine, 7) 204 Ahzab, 37.
  12. 202.Buhari, nikah, 9.
  13. 203.hibe, 7.
  14. 204.Buhari, tefsir, 18.
  15. 205.Buhari, itikaf, 6.
  16. 206.Ebu Davud, Sunen, 4; Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/131.
  17. 207.Buhari, zekat, 10.
  18. 208.Ebu Davud, edeb, 40; Tirmidhi, sifatul kijameh, 51.
  19. 209.Hakim, Mustedrek, 4/24; Ibni Sa’d, tabakat, 8/100.
  20. 210.Buhari, hiba, 7.
  21. 211.Buhari, hixhal, 11.
  22. 212.Buhari, tefsiru sure, 386.
  23. 213.Tahrim, 1.
  24. 214.Ibni Maxhe, nikah, 24.
  25. 215.Nedeui, siratu sejidati Aishe, 122.
  26. 216.hums, 6.
  27. 217.Tirmidhi, menakib, 61.
  28. 218.Taberani, mu’xhemul eusat, 3/137; Ebu Ja’le, Musned, 8/153.
  29. 219.Tirmidhi, menakib, 61; Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/304.
  30. 220.menakib, 22.
  31. 221.Ibni Sa’d, tabakat, 2/239.
  32. 222.xhenaiz, 94.
  33. 223.Buhari, xhemat, 11, 18.
  34. 224.Që nga namazi i jacisë i së enjtes deri në namazin e sabahut të së hënës, Ebu Bekri priu gjithsej shtatëmbëdhjetë namaze, derisa I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të, të ndërronte jetë.
  35. 225.Ibni Sa’d, tabakat, 2/239.
  36. 226.Buhari, xhihad, 88.
  37. 227.sifatu salat, 12.
  38. 228.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/49.
  39. 229.Buhari, megazi, 78.
  40. 230.Hakim, Mustedrek, 3/59.
  41. 231.Megazi, 78.
  42. 232.Buhari, hums, 4.
  43. 233.Buhari, tefsir, 69.
  44. 234.Buhari, megazi, 79.
  45. 235.xhenaiz, 94.
  46. 236.Tirmidhi, xhenaiz, 33.
  47. 237.Hakim, mustedrek, 3/62; Malik, muuatta, xhenaiz, 1/232.