MARTESA
Aishja, e cila kishte emigruar së bashku me anëtarët e familjes së saj, natyrisht jetonte përkohësisht në shtëpinë e të atit. Shtëpia ishte në lagjen Beni Harith ibni Hazrexh. Në atë kohë, i Dërguari i Zotit qëndronte si mysafir në shtëpinë e Halid ibni Zejdit.
Më pas ishte Aishja ajo që ra e sëmurë. Trupi i saj ishte i dobët dhe kushtet e udhëtimit e të Medinës ishin tejet të vështira për të. Ajo kishte humbur shumë peshë dhe kishin nisur t’i binin flokët. Nëna e saj, Umu Rumani provoi gjithë ç’kishte në dorë që vajza e saj të rifitonte shëndetin e humbur. Ebu Bekri, i cili tani ishte disi më mirë, e vizitonte vajzën e tij të sëmurë vazhdimisht, dhe ia përkëdhelte kokën me dhembshuri. Ai i lutej Allahut që t’ia rikthente vajzës së tij shëndetin e mëparshëm.
Pas një muaji që kur kishte rënë e sëmurë, Aishja nisi të ndjehej më mirë, madje rifitoi ca peshë si rezultat i kujdesit të veçantë të nënës. Sakaq, Profeti e kishte përfunduar së ndërtuari xhaminë e re dhe qytetërimi që do të rritej përreth saj, filloi të lulëzonte në Medinë.
Xhebraili (a.s.) erdhi tek i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe i tha: “Martohu me të , meqenëse ajo është gruaja jote.” Pastaj, edhe Ebu Bekri erdhi dhe e pyeti gjithashtu:
“O i Dërguari i Allahut, a ka ndonjë arsye që të pengon të rrish së bashku me gruan tënde Aishen?”
I Dërguari i Allahut iu përgjigj:
“Sadaku!”
Sadaku ishte njëfarë prike, e cila duhej dhënë në dorë nuses direkt pas martese. Në fakt, për Ebu Bekrin, nuk kishte asnjë vlerë monetare që mund të krahasohej me të Dërguarin e Allahut. Ebu Bekri ia dha Profetit sasinë e nevojshme të parave dhe Ky, pa humbur kohë nga ana e Tij, ia dha Aishes ato para. Më përpara, të drejtat e grave nuk merreshin fare parasysh dhe paratë e kurorës i merrte i ati i vajzës, dhe jo vetë vajza. Çdo ditë që kalonte, praktikat e reja të Profetit korrigjonin çdo veprim të gabuar, për ta zëvendësuar menjëherë me parimet islame.
Ebu Bekri kishte edhe gjëra të tjera për të bërë; ai nisi të ndërtonte një shtëpi të vogël me një dhomë gjumi, pranë xhamisë, me shpenzimet e tij. Pastaj ai ndërtoi edhe një dhomë të vogël për Aishen. Ajo ishte aq e vogël, saqë kur i Dërguari i Allahut ngrihej në këmbë, koka e Tij pothuajse prekte tavanin dhe kur Aishja shtrihej për të fjetur, pjesa e mbetur e dhomës ishte e pamjaftueshme për të rënë në sexhde. Nga pikëpamja fizike, ajo ishte një dhomë e vogël dhe modeste, por nga pikëpamja shpirtërore, ajo ishte aq e madhe sa mund të ndriçonte
gjithë botën.
Me këtë iu dha fund qëndrimit shtatë-mujor si mysafir në shtëpinë e Halid ibn Zejdit.
Kishin kaluar tetë muaj që nga koha e Hixhretit. Përzgjedhja e muajit të Sheualit për t’u martuar, kishte gjithashtu domethënien e vet, për shkak se njerëzit nuk preferonin të martoheshin në atë muaj, pasi ata mendonin se kjo gjë nuk të sillte fatmbarësi. Shumë vite më vonë, Aishja ia rekomandoi të gjithëve Sheualin si muajin më të përshtatshëm për martesë, njëfarësoj edhe për të eliminuar mbeturinat e periudhës paraislame, duke thënë:
“I Dërguari i Allahut dhe unë u fejuam në muajin e Sheualit, dhe u martuam po në atë muaj. Tani më thoni, cila nga bashkëshortet ishte më e dashur për të Dërguarin e Allahut?”
Kishte ardhur koha e duhur, andaj Umu Rumani e çoi Aishen në një vend ku ishin mbledhur gratë medinase. Ato ecnin aq shpejt sa kishin mbetur pothuajse pa frymë. Duke e vëzhguar nusen më të çmuar në botë, gratë thoshin:
“Allahu i dhuroftë bekime dhe të mira me bollëk, iu shtoftë lumturia!”18
Kjo ndodhte dy ose tre orë para mesditës. Me shoqe të tilla si Esma bint Jezidi, Aishja hodhi hapin e saj të parë në shtëpinë e re, shtëpi e cila më vonë do të njihej si “shkolla e Profetit”. Gjithçka ishte ndryshe nga sa ajo priste dhe Aishja, e cila përpara kishte qenë e shqetësuar dhe e frikësuar, tani ndjehej mjaft e qetë. Kur ajo hyri, i Dërguari i Zotit i dha një tas me qumësht. Aishja pati turp, e uli kokën pa pasur guximin për të hedhur sytë në fytyrën e ndritshme të Profetit. Shoqet e saj i thanë:
“Merre tasin nga dora e tij, mos ia kthe!”
Me të dëgjuar këto fjalë, Aishja e mori tasin nga dora e robit më të dashur të Allahut dhe nisi të pijë. Profeti i tha asaj t’u jepte ca edhe shoqeve të saj.
Por ato nuk pranuan dhe thanë:
“Ne nuk duam të pimë.”
I Dërguari i Allahut këmbënguli:
“Gënjeshtrat dhe uria nuk mund të qëndrojnë së bashku.” Pasi dëgjoi këto fjalë, Esmaja tha:
“O i Dërguari i Allahut, nëse dikush thotë ‘Nuk dua të pi, ndërkohë që dëshiron, a konsiderohet kjo një gënjeshtër?” Profeti u përgjigj:
“Po. Përderisa një gënjeshtër regjistrohet si gënjeshtër, edhe një gënjeshtër e vogël, regjistrohet si gënjeshtër e vogël.”19
Kështu mori fund pa bujë dhe pa pompozitet kjo ceremoni e thjeshtë martese. Sipas rrëfimit të Aishes, i Dërguari i Allahut nuk theri madje sa edhe një deve apo dele atë ditë; përkundrazi, ishte udhëheqësi i Hazrexhëve, Sa’d ibn Ubade i cili solli me vete ushqimin në shtëpinë e Profetit dhe ky ushqim në këtë mënyrë, shërbeu si darka e dasmës.
Që nga ajo ditë, Aishja u bë gruaja e shtëpisë së Profetit, e cila do ta pasonte atë edhe kur ai të ikte nga kjo botë, duke marrë edhe vendime të rëndësishme për njerëzimin. Ajo ishte një grua e madhe e kohës së saj, e cila ndihmoi që gjërat të zhvilloheshin për mirë; një mendje brilante e cila i ndiqte me vëmendje ngjarjet dhe nxirrte kuptimin e tyre; një rrëfyese e mrekullueshme e cila shpjegoi me mjeshtëri ato që kishte parë e dëgjuar në shtëpinë e Profetit. Profeti më i dashur dhe më i mëshirshëm i Allahut, i dërguar si mëshirë për njerëzimin, pati pranë një person të talentuar, e cila hapi mjaft dyer që për shumë të tjerë nuk do të ishin hapur dot kurrë, veçanërisht për sa i takon çështjeve që kanë të bëjnë me jetën familjare dhe problemet e grave. Ajo ishte një udhërrëfyese për të gjithë, si meshkujt ashtu edhe për femrat, si dhe një këshilluese e shkëlqyer, shembullin e së cilës duket ta ndjekë medoemos çdokush.
Qëndrimi i të atit pas martesës
Në Kuran, Allahu shprehet qartë në lidhje me privilegjin që kanë ato të cilat martohen me Profetin: “O ju gra të Profetit! Ju nuk jeni sikurse gratë e tjera...”
Kjo veçanti përbënte një meritë, por nëse nuk përmbushej siç duhej, mbartte shumë rreziqe. Ndërsa shpërblime të mëdha mund të përfitoheshin nëpërmjet zbatimit rigoroz të parimeve islame, mëkatet e mundshme do të ishin dy herë më të rënda. Kështu që bashkëshortet e Profetit porositeshin t’i kryenin siç duhet detyrat e tyre, në mënyrë që të vdisnin të pastra e të shkonin në Xhenet.
Megjithëse Ebu Bekri ishte i ati i Aishes, ai e quante atë nënë dhe tregonte edhe më tepër respekt sesa për nënën e tij të vërtetë.
Ai pati dëgjuar se Mistah ibn Usase, kishte thënë gjëra jo të hijshme për Aishen gjatë periudhës së shpifjes rreth saj. Ai u mërzit dhe ndaloi së dërguari paratë që i jepte Mistahut rregullisht për nevojat e tij ditore. Pak kohë më vonë, pasi u shpall ajeti (Nur 24/22), i cili bënte fjalë për dhënien e parave për bamirësi njerëzve në nevojë, pavarësisht rrethanave, si dhe për faljen ndaj tyre nëpërmjet të harruarit të gabimeve të tyre të mëparshme, si shenjë e ftesës më domethënëse nga ana e Allahut për të përfituar nga falja e tij Hyjnore, ai e ndryshoi qëndrimin, u pendua dhe tha:
“Betohem në Allah, se unë me siguri që dëshiroj faljen e Tij.”
Pastaj, ai nisi t’i dërgojë përsëri Mistahut paratë që i nevojiteshin atij për nevojat ditore.
Ebu Bekri bëri një betim në vetvete:
“Betohem në Allahun se unë do të vazhdoj t’ia dërgoj paratë atij pa vonesë.”
Shtëpia e Aishes
Aishja nuk jetonte në ndonjë pallat të madh. Banesa e saj ishte një dhomë e vogël, e mjaftueshme vetëm për nevojat e saj. Pozicioni i saj ishte në anën lindore të xhamisë së Profetit dhe dera hapej nga ana perëndimore. Xhamia ishte si kopshti i shtëpisë së Aishes. Kur i Dërguari i Zotit qëndronte në xhami për adhurim, sidomos gjatë Ramazanit, Aishja mund ta arrinte atë që nga dhoma e saj për t’i krehur atij flokët ose të shkonte shpejt e shpejt për të marrë ndonjë gjë për të nga dhoma e saj. Muret e dhomës së saj, të cilat ishin mbushura me baltë, kishin gjatësinë e gjashtë apo shtatë krahëve. Tavani i saj, të cilin kushdo mund ta prekte me një dorë të ngritur lart, ishte i mbuluar nga gjethe hurmash dhe palme, i mbushur i tëri me lesh për të parandaluar shiun të rridhte poshtë. Dera e vetme prej
druri e shtëpisë nuk rrinte kurrë e mbyllur për askënd.Aishja e shpjegon kështu madhësinë e dhomës së saj:
“Në qoftë se i Dërguari i Zotit ishte duke falur namazin, kur unë isha duke fjetur, ai do ta prekte këmbën time kur ishte në sexhde, dhe vetëm nëse unë mblidhja këmbët e mia, i Dërguari i Zotit mund të shkonte lehtësisht në sexhde.”
Shtëpitë e grave të tjera nuk kishin ndonjë dallim kushedi se çfarë nga ajo e Aishes, përveç faktit se dyert e tyre hapeshin nga jashtë xhamisë dhe jo brenda në xhami. Duke përshkruar thjeshtësinë e dhomave të tyre, Hasani ka thënë:
“Njëherë, gjatë kalifatit të Osmanit të nderuar (r.a.), unë po vizitoja shtëpitë e bashkëshorteve të të Dërguarit të Allahut dhe kur ngrija dorën lart, arrija të prekja tavanin e tyre.”
Kur u desh të zmadhohej xhamia e profetit dhe u shtrua për diskutim prishja e shtëpisë së Aishes së nderuar (r.a.), imami i famshëm Said ibn Musejebi, u ngrit në këmbë dhe i tha kështu kalifit të atëhershëm, Uelid ibni Abdulmelikut:
“Unë dëshiroj që ju të mos e shkatërroni këtë dhomë në mënyrë
që njerëzit të mund të jenë të kënaqur me atë që kanë. Vetëm kësisoj, brezat e ardhshëm do të arrijnë ta kuptojnë se me çfarë lloj jete ishte i kënaqur i Dërguari i Zotit, edhe pse Ai kishte në dorë çelësin e gjithë thesareve të botës.
Në të ndodhej një minder prej hasre, një jastëk lëkure i mbushur me kashtë, një copë lëkure e varur në një gozhdë, një sapllak, një kovë për ujë dhe për të vënë në të hurmat, dhe një tas për ujë të pijshëm. Nuk kishte asnjë dritë në këtë shtëpi të vogël. Tregohet që, njëherë, Aishja pati thënë:
“Në kohën e të Dërguarit të Allahut, ne, mund të ndodhte që të kalonim edhe dyzet net rresht pa ndezur asnjë llambë ose ndonjë mjet tjetër për ndriçim.” Në ato kohë, vaji i përdorur për ndriçim nuk ishte tjetër pos atij që përdorej edhe për të gatuar. Aishja thoshte:
“Sigurisht nëse do të kishte ndonjë fije vaj në llambë, atë medoemos
do ta përdornim për të gatuar.”
Aishja kontrollonte me duar nëpër dhomë kur trembej se mos i Dërguari i Allahut kishte ikur. Kushtet e grave ishin të njëjta me ato të shtëpive të tyre. Sipas Aishes, pjesëtarët e familjes së të Dërguarit të Allahut, nuk kanë ngrënë asnjëherë bukë gruri për tri ditë me radhë, derisa i Dërguari i Allahut ndërroi jetë dhe shkoi pranë Zotit të Tij të Gjithëmëshirshëm. Në më të shumtën e herëve atyre u binte të hanin bukë apo gjellë të gatuar në furrë, dhe shpesh kalonte edhe një muaj i tërë pa zjerë asnjë gjellë. Nganjëherë kalonin edhe tre muaj të plotë që ata hanin vetëm hurma dhe pinin ujë zemzemi.
Kur hanin, ata uleshin së bashku në sofër dhe hanin në të njëjtën enë. Nganjëherë të afërmit e ndanin ushqimin me ta. Asgjë nuk ndryshoi në këtë shtëpi të lumturisë; as trofetë e luftës që fituan në vitet e mëpasme, e as dhuratat që u dërgonin përkrahësit e tyre, nuk e ndryshuan thjeshtësinë e jetës së Profetit Muhamed (s.a.s.). Deri në momentin kur Ai kaloi përmes perdes mes kësaj bote dhe botës tjetër, i Dërguari i Allahut mbeti më i pastri dhe më i përuluri ndër njerëzit.
Aishja, në lidhje me ditën kur ai ndërroi jetë, thoshte:
“Në ditën që i Dërguari i Zotit u nda nga jeta, për ushqim kishte mbetur vetëm pak elb mbi dollap. Nuk kishte asgjë më shumë. Unë e hëngra atë dhe kështu arrita të qëndroj në këmbë. Por meqenëse ajo ishte një sasi krejt e pakët, begatia e bekuar humbi dhe ajo sasi mbaroi mjaft shpejt.”
Ndërsa rrethanat e jetës së saj me të Dërguarin e Zotit ishin të vështira, edhe 50 vitet që ajo i ka jetuar si një grua e ve nuk ishin të ndryshme; ajo shpërndante lëmoshë për të tjerët nga çdo gjë që zotëronte, madje në më të shumtën e herëve mbante për vete vetëm ujë zemzemi dhe hurma. Ajo thoshte:
“Kurrë nuk kam ngrënë deri në ngopje, edhe pasi vdiq i Dërguari i Allahut.”
Ajo vazhdoi të praktikonte një më një, të gjitha ato që kishte parë dhe dëgjuar nga Profeti ynë i Dashur. Një ditë, i Dërguari i Zotit i tha:
“O Aishe, shpëtoje veten nga zjarri i Xhehenemit, qoftë edhe duke dhënë vetëm një gjysmë hurme për bamirësi, pasi kjo do të lehtësojë edhe urinë e dikujt, por edhe do të shërbejë si lehtësim për ndonjë nevoje të madhe tënden.”
Një person i varfër dhe në nevojë erdhi në shtëpinë e Aishes dhe ajo ia dha atij çdo gjë që kishte si bamirësi. Më vonë, ajo u kërkoi njerëzve rreth saj për t’ia sjellë përsëri personin që ajo kishte ndihmuar. I Dërguari i Allahut, me ta parë këtë skenë, e ndërpreu dhe i tha:
“Jep dhe mos mat, po deshe që edhe ndaj teje të mos mbahet llogari.”
Një ditë tjetër, ajo dëgjoi të Dërguarin e Zotit duke u lutur:
“Zoti im! Më bëj mua të jetoj si njeri i varfër, ma merr jetën time
si njeri i varfër, dhe më ringjall mua së bashku me njerëzit e varfër në Ditën e Gjykimit!”
“Pse, o i Dërguari i Allahut?”, - e pyeti ajo. Ai u përgjigj:
“Sepse të varfrit do të hyjnë në Xhenet më shumë se dyzet vjet para të pasurve. O Aishe! Duaji njerëzit e varfër e që janë në nevojë; mbaji ata gjithnjë afër, sepse në Ditën e Ringjalljes Allahu ka për të të lavdëruar.”
Një ditë, Profeti Muhamed paqja dhe bekimi qofshin mbi Të,
hyri në dhomën e Aishes dhe vuri re se ajo kishte vendosur unaza të argjendta. Ai, me një ton që shprehte pakënaqësi, e pyeti: “Çfarë janë ato, o Aishe?”
“I vura që të të pëlqej ty, o i Dërguari i Allahut.”, - iu përgjigj ajo.
Ai i tha me të njëjtin ton:
“A ke paguar zekat për to?”, - ia ktheu Ai me të njëjtin ton.
Ajo e dinte se zekati nuk ishte i detyrueshëm për të tilla unaza, vlera e të cilave ishte tejet e vogël, por me sa dukej, kjo ishte një tjetër situatë në të cilën të ndenjurit afër Profetit do të thoshte të ishe ndryshe nga të tjerët; thellësisht e hidhëruar, ajo u përgjigj në mënyrë mohuese. Pas përgjigjes së saj, i Dërguari i Zotit, i cili dëshironte që edhe ata që gjendeshin rreth tij të bënin një jetë të thjeshtë si të vetën, i tha se ky incident i vogël mund të jetë i mjaftueshëm për ta çuar atë në Xhehenem.
Fjalët e tij e goditën shumë rëndë atë, duke e bërë madje edhe të humbiste ndjenjat për një çast. Pas kësaj, Aishja nuk mbajti më asnjëherë asgjë për vete, pavarësisht sa e vogël ishte, pa menduar veç për jetën e përtejme. Ajo dhuroi gjithë ç’kishte. Ajo mësoi se pasuria e saj më jetike, në këtë botë dhe në botën tjetër, ishte veç afërsia e saj me të Dërguarin e Allahut; humbja e një pasurie të tillë ishte e paimagjinueshme për një femër kaq të zgjuar. Një ditë, i Dërguari i Zotit i kërkoi asaj që të bënte diçka pas vdekjes së Tij:
“Nëse synon të ribashkohesh me mua, duhet të jetosh si një udhëtar
në këtë botë! Rri larg nga të qenit pranë pasurisë dhe mos mendo për blerjen e një veshjeje të re përpara se ajo që ke, të vjetërsohet aq sa të mos mund të përdoret më.”
I Dërguari i Zotit ishte një njeri i moderuar, i cili dinte t’i vinte në baraspeshë nevojat e kësaj bote dhe të ahiretit në mënyrën më të mirë të mundshme. Përmes mesazhit që iu shpall, Allahu i Madhëruar e bëri Atë të kuptonte se Ai duhet vazhdimisht të kërkonte shpërblimin në jetën e përtejme, pa harruar detyrat e tij të kësaj bote. Në natyrën njerëzore ekziston një shkallë ambicieje që nuk njeh të ngopur; njerëzit janë krijuar në mënyrë të tillë që të mbeten gjithmonë të pakënaqur me botën dhe çdo gjë në të. Kjo ambicie, në Islam ka për qëllim të përdoret për të fituar jetën e përtejme, sepse Kurani tregon
se individët, të cilët jetojnë vetëm për këtë botë dhe nuk e marrin në konsideratë botën tjetër, do të humbasin gjithçka. I Dërguari i Zotit ishte edhe më i vetëdijshëm për këtë, dhe kur Ai erdhi në shtëpi pas shpalljes së ajetit në fjalë, u kthye nga gratë e Tij dhe i nxiti ato që të tregonin të njëjtën ndjeshmëri:
“Në qoftë se një njeriu i jepen dy lugina të mbushura me ar, ai do të synojë për të tretën. Vetëm toka është ajo që mund ta ngopë. Megjithatë, pasuria është dhënë për të bërë të mundur kryerjen e adhurimeve të përditshme dhe për të përmbushur kërkesat e zekatit. Nuk ka dyshim se Zoti e pranon pendimin e njerëzve që e kërkojnë.”
Pavarësisht se nga bashkëshortet e tij varfëria e tyre kurrë nuk konsiderohej si një problem, i Dërguari i Zotit, megjithatë, u përpoq që si e si t’i ngushëllonte ato. Kur Ai vizitonte dhomat e tyre, i pyeste:
“A ka ndonjë gjë për të ngrënë në shtëpi?” Me të mësuar se nuk kishte asgjë, ai thoshte: “Unë jam duke agjëruar, dhe saora përqendrohej përsëri në adhurim.
Medinasit ndonjëherë përpiqeshin të lehtësonin problemet që kishte Profeti, duke i dërguar Atij ushqime dhe pije. Por kjo ishte jeta që Ai e kishte zgjedhur vetë; Ai parapëlqeu të jetonte në mënyrë sa më të thjeshtë; megjithatë ajo që bënë sahabët për Të, ishin nga një mirësi më vete që padyshim do të shpërblehet. I Dërguari i Zotit ishte i ndjeshëm, Ai asnjëherë nuk rrezikonte të konsumonte qoftë edhe një mirësi të vogël që i përkiste jetës së përtejme, qysh në këtë botë. Ai kishte vetëm një dyshek të thjeshtë të mbushur me kashtë të ashpër. Një ta parë atë një grua nga medinaset, shkoi menjëherë tek Aishja me një dyshek të ri të mbushur me lesh si dhuratë. Kur i Dërguari i Zotit u kthye në shtëpi, ai e pyeti menjëherë: “Ç’është ky, o Aishe?” Aishja iu përgjigj:
“O i Dërguari i Zotit! Një grua nga ensarët, e pa shtratin tënd kur erdhi në shtëpinë tonë, dhe me t’u kthyer në shtëpi, dërgoi këtë.”
Edhe pse mirësia e gruas medinase ishte për t’u vlerësuar, parapëlqimi i Tij për një shtrat të thjeshtë ishte një gjest edhe më i bukur akoma. Ai u kthye nga Aishja dhe i tha:
“Ktheja mbrapsht! Betohem në Allahun e Gjithëfuqishëm, se nëse unë do të dëshiroja, Allahu më vinte në dispozicionin tim malet, duke i kthyer tërësej në ar dhe argjend.”41
Edhe pse mëndafshi dhe ari janë të lejuara për gratë, i Dërguari i Zotit dëshironte që gratë më të afërta të Tij të ishin më të kujdesshme, andaj Ai u kërkoi atyre të qëndronin larg edhe nga mirësitë e përditshme. Një ditë, ai pa dy rrathë të artë në dorën e Aishes, dhe i tha:
“A dëshiron të të tregoj diçka më të mirë se këto? Nëse i heq ato dhe blen dy byzylykë argjendi në vend të tyre dhe pastaj i ngjyros me shafran, do të ishte më mirë.”42
I Dërguari i Zotit, jo vetëm jepte këshilla, por Ai gjithashtu ndiqte me vëmendje ndryshimet që ndodhnin në rrethin e Tij të ngushtë. Ishte e qartë nga thjeshtësia që ai kishte zgjedhur për vete, se Ai dëshironte gjithashtu sjellje të ngjashme edhe nga njerëzit që ishin më afër Tij. Ai dëshironte t’i mbante ata larg nga çdo gjë që do t’i lidhte pas kësaj bote, gjë e cila do t’i bënte të harronin ahiretin. Kur Ai dhe ushtria e Tij shkuan për të luftuar në Tebuk, që ishte vend-takimi me perandorinë bizantine, mbretërinë më të madhe të kohës, Aishja kishte blerë një copë leckë që kishte një pikturë mbi të dhe e kishte varur si perde në njërën anë të shtëpisë. Kur i Dërguari i Zotit u kthye nga Tebuku dhe e pa, u shpreh i nevrikosur:
“Ma hiq atë nga sytë! Ndërroje, sepse sapo hyj në shtëpi dhe shoh atë, më kujtohet kjo botë.”
Pas betejës së Hajberit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) caktoi tetëdhjetë arka me hurma dhe njëzet arka me elb që do të akordoheshin çdo vit për gratë e Tij të dëlira. Por për shkak të bujarisë së Aishes dhe numrit të madh të vizitorëve të saj, kjo sasi nuk ishte e mjaftueshme që t’i përmbushte të gjitha nevojat.
Në ditën kur Profeti i Zotit u ngjit në Banesën e Qashtër, në shtëpinë e Tij nuk kishte asgjë më shumë sesa gjysmë tasi me elb. Madje, edhe ajo ishte huazuar nga një fqinj çifut pas dhënies së parzmores prej hekuri të të Dërguarit të Allahut si garanci.
Aishja ka jetuar në këtë shtëpi në kushte mëse modeste. Jetesa e saj e thjeshtë, që tregon se kënaqësia dhe lumturia e vërtetë nuk rrjedh nga pasuria e kësaj bote, u ruajt me fanatizëm edhe pas ikjes së Profetit nga kjo botë. Dhoma e saj, e vogël në sipërfaqe, ka vijuar me vite t’u shërbejë brezave të tërë të myslimanëve, ashtu si një burim i cili derdhet në shumë lumenj. Në ditët e mëvonshme, njëlloj si atëherë kur i Dërguari i Zotit ishte ende gjallë, përgjegjësia kryesore për Aishen ishte të ushqyerit e zemrave dhe mendjeve të njerëzve.
Thjeshtësia e vazhdueshme
Netët e Aishes ishin po aq të ndritshme sa edhe ditët e saj; ajo në përgjithësi i kalonte netët me namaz dhe ditët me agjërim. Qëndrimi i saj ishte i qartë dhe dallohej në çdo detaj të thjeshtësisë dhe devotshmërisë. Disa dijetarë të tillë si Kasimi, i cili ishte njëri prej nxënësve të saj më të afërt dhe një udhëheqës i brezit të mëvonshëm të myslimanëve, tabiinëve, ka thënë se ajo agjëronte gjatë gjithë vitit përveç ditëve të Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit. Aishja kaloi çdo ditë të jetës në pendim, duke kërkuar falje nga Zoti, duke menduar me keqardhje për ditët e shkuara. Shembulli i saj ishte po ai i të Dërguarit të Zotit, dhe ajo besonte me gjithë zemër se nevojitej të përdoreshin të gjitha mundësitë e dhëna për të bërë progres të përditshëm.
Aishja gjithashtu mendonte se ndjekja me rigorozitet i çdo akti të veçantë adhurimi ishte i detyrueshëm për të. Ajo ishte mjaft e vendosur në këtë pikë dhe askush nuk ishte në gjendje t’ia kthente mendjen. Kur disave u dukej i çuditshëm ky entuziazëm i saj, Aishja u thoshte:
“Edhe nëse babai im do të ngrihej nga varri dhe do të më kërkonte të mos e kryej më, qoftë edhe njërin nga adhurimet vullnetare që unë kam filluar t’i kryej qysh në kohën e të Dërguarit të Zotit, unë prapëseprapë nuk do të hiqja dorë prej tyre.”
Aishja mezi plotësonte nevojat bazë të saj, por megjithatë jepte çdo gjë që kishte për të varfrit. Një ditë, Xhabiri erdhi për ta vizituar atë, e ajo kishte veshur një fustan tepër të vjetruar, të mbushur plot arna. Duke dashur të përmbushte përgjegjësinë e tij, Xhabiri i tha:
“Përse nuk vesh një fustan tjetër?”
Por Aishja, si nënë e besimtarëve nuk mendonte njëlloj me Xhabirin, andaj iu përgjigj:
“Një ditë, i Dërguari i Zotit më ka thënë: ‘Nëse kërkon të ribashkohesh me mua, nuk do ta ndryshosh veshjen tënde derisa ajo të bëhet e papërdorshme, dhe nuk do të mendosh për atë që ke nevojë për më shumë se një muaj përpara’. Më thuaj, a mendon se unë duhet ta ndryshoj atë që Ai më urdhëroi për të bërë deri në çastin kur unë do të takohem përsëri me të?”
Por Aishja nuk mjaftohej me kaq. Sapo vërente gjendjen pikëlluese të të varfërve dhe të atyre që ishin në pikë të hallit, ajo jepte gjithçka kishte ose shiste në treg çfarëdolloj sendi me vlerë që zotëronte, për t’ua dërguar paratë menjëherë atyre. Ndërsa jepte sadaka, ajo nuk mendonte asnjëherë për nevojat e saj, por gjithmonë përpiqej për të lehtësuar më parë brengat e të tjerëve. Një ditë ajo dha krejt çka kishte për të varfrit dhe nuk i mbeti më asnjë kacidhe për atë ditë.
Por prapëseprapë ajo nuk reshti asnjëherë së dhëni; ajo shiti ca sende të vetat në treg dhe pa ngurruar aspak, i dha paratë për bamirësi. Në mbrëmje, kur i erdhi koha për të prishur agjërimin, ajo kishte vetëm një copë bukë elbi për të ngrënë.
Modestia e qëllimshme e Aishes përfaqësonte një mënyrë të njëjtë jetese edhe për njerëzit e afërt të saj dhe ajo ka vazhduar të jetonte në të njëjtën mënyrë edhe pasi ndërroi jetë i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të. Vullneti i vërtetë është ai i një personi, i cili është i fuqishëm dhe ka mundësi të pakufizuara, dhe ishte pikërisht për shkak të këtij vullneti, që Aishja deri në fund të jetës së saj zgjodhi për mënyrë jetese të njëjtën jetë modeste siç kishte bërë kur jetonte me Profetin e nderuar (s.a.s.), plot delikatesë dhe ndjeshmëri, deri në frymën e saj të fundit. Aishja mund të kishte jetuar si të dëshironte, megjithatë, ajo zgjodhi të Dërguarin e Zotit, dhe ishte pikërisht kjo zgjedhje që e çoi atë në zgjedhjen tjetër të saj për të jetuar përulësisht, ashtu siç kishte bërë Ai.
Vërtet, kjo ishte një zgjedhje krejt e vullnetshme. Aishja ishte një nga njerëzit më të afërt të të Dërguarit të Zotit e për më tepër, afërsia e tyre ishte e ndryshme nga ajo e të tjerëve. Edhe pas vdekjes së Profetit Muhamed (s.a.s.), Aishja ndoqi hapat e Tij, një më një, edhe pse ajo i kishte të gjitha mundësitë për të jetuar disi më ndryshe. Megjithatë, ajo kurrë nuk e ndryshoi mënyrën e të jetuarit që kishin pasur kur jetonin së bashku. Pasuria e saj qëndronte në thjeshtësinë dhe devotshmërinë që i buronte prej të qenit një myslimane e devotshme.
Përfaqësuese e grave
Aishja e shihte jetën nga ky këndvështrim modest dhe jetonte thjesht në çdo detaj. Përgjegjësia e saj buronte që nga ajo kohë kur ajo u martua me të Dërguarin e Zotit paqja qoftë mbi Të. Pa dyshim, përgjegjësia serioze që ajo mbartte mbi supe, duhet të kishte peshë të ndryshme nga pesha që mbartnin njerëzit e zakonshëm. Ajo u bë një përfaqësuese për gratë, që kur hyri në shtëpinë e Profetit, duke vepruar si ndërmjetëse mes të Dërguarit të Zotit dhe grave të çdo kategorie. Pozicioni i saj e bënte atë një besnike të jetës, sidomos për sahabet femra.
Gratë e asaj shoqërie kanë qenë qytetare të dorës së dytë, si rezultat i traditave shumë- shekullore. Ndjeshmëritë e Aishes për gratë, duke përfshirë edhe përpjekjet e saj për të dhënë informacione kuptimplota për shoqet e saj të ngushta në shtëpinë e saj dhe ndarjen e pjesës më të madhe të kohës për gratë, kishin për qëllim ofrimin e zgjidhjeve për problemet që buronin nga këto tradita të vjetra.
I Dërguari i Zotit nganjëherë bëhej edhe vetë dëshmitar i përpjekjeve të saj. Në fakt, kur Ai shkonte në shtëpi, shoqet e Aishes ngriheshin të iknin, por i Dërguari i Zotit i thërriste ato të ktheheshin prapa. Duke mos dashur t’ua prishte bisedën, Ai largohej dhe gratë mbeteshin përsëri vetëm.
Aishja nganjëherë mbante edhe lodra në shtëpinë e saj për t’u zbavitur sadopak. Një ditë, i Dërguari i Allahut pa një kalë me dy krahë dhe e pyeti:
“Çfarë është ai o Aishe?” Ajo u përgjigj pa ngurrim:
“Një kalë.”
I Dërguari i Allahut e pyeti përsëri:
“A kanë kuajt krahë?”
Aishja e kishte gati përgjigjen, gjë e cila tregonte se ajo e lidhte çdo gjë me Kuranin, madje edhe në lojërat e zakonshme të fëmijëve dhe në zbavitje:
“Po, kali i Sulejmanit, a nuk kishte edhe ai krahë?”
I Dërguari i Allahut iu përgjigj me një buzëqeshje kësaj përgjigjeje të mençur.
Që prej ditës kur u bë banore e shtëpisë së lumturisë, Aishja ishte në qendër të detyrës për të eliminuar zakonet injorante të paraardhësve të tyre, të formuara gjatë periudhës paraislame që njihet si Epoka e Injorancës. Afërsia e saj me të Dërguarin e Allahut, njohuritë e saj mbi Kuranin, si dhe qëndrimi i saj i vëmendshëm ndaj problemeve të grave si përpara, ashtu edhe pas martesës së saj, kanë përbërë një përparësi të madhe për gjithë gratë e tjera.
Në Epokën e Injorancës, gratë përgjithësisht trajtoheshin me përbuzje, ato zor se mund të viheshin edhe në rangun e qenieve njerëzore. Megjithëse shumë njerëz kishin pranuar fenë islame, zakonet e vjetra të shoqërisë nuk ishin çrrënjosur ende plotësisht. Shumë gra nuk kishin as vlerë e as të drejta dhe vijonin të ishin në një situatë që ishte më beter se skllavëria.
Megjithatë, gratë tashmë e kishin një përfaqësuese me mjaft ndikim në krah të të Dërguarit të Allahut. Aishja ishte si një lloj këshilltareje për gratë; duke i rrëfyer asaj problemet e tyre private, ato ktheheshin në shtëpi me zgjidhjen e tyre në xhep. Ato nga natyra ishin të ndrojtura për t’i ndarë me të tjerët detajet e tyre intime. Njëherë, një grua erdhi tek Aishja dhe i tha me hidhërim të madh:
“Burri im as nuk më ndan, as nuk më lë të lirë, e as nuk ka marrëdhënie martesore me mua.”
Gruaja qante, e paaftë për të shtypur valën e emocioneve që kishin shpërthyer brenda shpirtit të saj. Me lot në sy, ajo shpjegoi gjendjen e dhimbshme që kishte përjetuar prej shumë vitesh. Ajo nuk ishte asgjë më shumë sesa një lodër në duart e burrave të tyre. Fillimisht, ai i kishte thënë se donte të ndahej prej saj, por pak përpara se të përfundonte periudha e pritjes, ai u kthye tek ajo duke pretenduar se kishte ndryshuar mendim. Nga ky moment e tutje, ai kishte vijuar lojën e tij, as kështu as ashtu, duke luajtur me ndjenjat e saj. Synimi i tij i vërtetë me sa dukej ishte të parandalonte gruan e tij, me të cilën ai donte të divorcohej, që të martohej me dikë tjetër.
Kur Profeti u kthye në shtëpi, Aishja e informoi atë për situatën. Ai u ndje i shqetësuar. Dukej qartë se kjo ishte një martesë tiranie, megjithatë, asnjë ajet apo urdhëresë hyjnore nuk kishte zbritur nga engjëlli Xhebrail (a.s.) për këtë çështje. Kështu ai vendosi të priste.
Pastaj Xhebraili u shfaq dhe zbriti një ajet, i cili i paralajmëronte besimtarët se martesa është një çështje serioze dhe jo një çështje dosido:
“Lëshimi (pas të cilit mund të bëhet rikthimi), është dy herë, e (pastaj) ose jetë e njerëzishme (bashkëshortore), ose shkurorëzim me mirëkuptim...”
Tashmë u bë e qartë se një deklaratë e tretë e shkurorëzimit do të thoshte se burri dhe gruaja ishin përfundimisht të ndarë. Kjo çështje ishte më serioze sesa dukej, sepse për një burrë tani ishte e ndaluar të kthehej tek një grua të cilën e kishte ndarë tri herë. Edhe në qoftë se ai do të ndjente pendesë, kjo mundësi do të ishte e mbyllur për të. Përjashtimi i vetëm ishte nëse gruaja martohej dhe divorcohej edhe me një njeri tjetër; vetëm atëherë ajo mund të martohej edhe një herë me burrin e mëparshëm. Kjo ishte një sprovë e vështirë për burrat. Pas kësaj, të gjithë i dhanë fund praktikave arbitrare të shkurorëzimit, kështu që një tirani e tillë nuk u tolerua më.
Një ditë tjetër, Haula bint Thalebeja vizitoi Aishen. Ajo ishte në një gjendje të mjerueshme. Vitet tërë vuajtje dhe vështirësi që kishte kaluar dukeshin qartë në pamjen e saj. Ajo ia shpjegoi Aishes problemet e saj një nga një. Burri i saj e kishte ndarë atë sipas një zakoni të vjetër. Sipas këtij zakoni, kur burri i thoshte gruas së tij: “më je bërë si ime më.”, e ndalonte veten nga çdo lloj marrëdhënieje martesore me të. Një grua në këtë gjendje nuk lejohej të rimartohej. I vetmi që mund të zgjidhë problemin e saj ishte i Dërguari i Zotit (s.a.s.). Kur ai erdhi në shtëpi, Haula u kthye nga ai dhe i tha:
“O i Dërguari i Allahut, atij ia fala rininë time dhe i dhashë gjithçka pata. Kur u plaka dhe nuk qeshë në gjendje të lindja më fëmijë, ai u nda nga unë duke më thënë: ‘më je bërë si ime më.’” Kjo ishte një situatë e ndërlikuar. Ajo tha se fëmijët ishin rritur dhe se ajo jetonte e vetme me të shoqin. Kështu që nëse ai ndahej prej saj, ajo do të mbetej e vetme, pa pasur askënd pranë që ta mbronte. Ajo shtoi se i shoqi ishte i gatshëm ta ripranonte atë si grua, por për shkak të zakoneve, diçka e tillë ishte e palejueshme. Me duar të ngritura lart, ajo u lut për shqetësimin që e torturonte, e po ia ndrydhte shpirtin:
“O Zoti im! Vetëm ty të ankohem për gjendjen time!”
Profetit të mëshirshëm paqja qoftë mbi Të i dhembi zemra nga gjithë ato çfarë dëgjoi, por shtypja e saj nuk do të zgjaste përgjithmonë; edhe për shkak të lutjes së Haulas, Allahu zbriti ajete të posaçme që e sqaronin deri në imtësi këtë çështje. Një mesazh i zbritur nga Xhebraili e shtjelloi plotësisht situatën e Haulas, duke parashtruar edhe zgjidhjen për probleme të ngjashme, të cilat mund të haseshin te të gjitha gratë. Ajetet shpjegonin se këto praktika të gabuara i përkisnin epokës para Islamit, dhe ishin krejtësisht të pavlefshme. Ato gjithashtu shpjegonin se çfarë duhet të bëjnë gratë në një situatë të tillë, dhe se cili ishte ndëshkimi për të gjithë ata që vazhdonin të vepronin në kësisoj:
“Vërtet, Allahu dëgjoi fjalët e asaj, e cila bisedoi me ty lidhur me burrin e vet, që u ankua te Allahu; Allahu e dëgjon bisedën tuaj, Allahu dëgjon çdo bisedë dhe sheh çdo punë. Ata prej jush që bëjnë ‘Dhihar’ (epërsia ime ndaj teje është haram si epërsia ndaj nënës sime) ndaj grave të veta, në të vërtetë, ato nuk janë nënat e tyre, nënat e tyre janë vetëm ato që i kanë lindur ata, ndërsa ata janë duke thënë fjalë të tepruara dhe gënjeshtra, por Allahu është i atillë që shumë (prej njerëzve) i lë pa marrë në përgjegjësi, dhe shumë të tjerë i fal. Ata që i krahasojnë (me nënat) dhe largohen nga gratë e veta, e pastaj zmbrapsen nga ajo që kanë thënë, janë të detyruar që para se të kontaktojnë ndërmjet veti të lirojnë një rob. Kjo është dispozitë me të cilën porositeni, e Allahu njeh hollësisht me atë që ju punoni. E kush nuk gjen (rob për lirim), atëherë le të agjërojë dy muaj rresht para se të kontaktojë, e kush nuk mundet, atëherë le të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër. Kjo dispozitë ju shërben për të vërtetuar se ju besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, e jo zakonet e prapambetura. Këto pra, janë përcaktimet e Allahut. Ndërkaq mohuesit kanë dënim të rëndë.”
Në një rast tjetër, gruaja e Thabit ibn Kajsit, Habibe binti Sehli, erdhi për të vizituar Aishen dhe i tha se ajo dëshironte të ndahej nga burri i saj, ndaj për këtë i duhej edhe ndihma e saj. Habibja ishte e bija e Abdullah ibn Ubej ibn Selulit, kreut të hipokritëve; ajo u martua me Thabit ibn Kajsin një ditë pas vdekjes së burrit të saj, Handhales, në betejën e Uhudit. Ajo shquhej si në bukuri ashtu dhe për sjellje, dhe ishte trajtuar gjithmonë me kujdes të madh nga familja e saj. Edhe pse Thabiti ishte i njohur për aftësitë e tij oratorike, ai ishte i shkurtër dhe i shëmtuar. Më shumë gjasa, Habibja ndjente mbi vete trysninë shoqërore për t’u divorcuar prej të shoqit. Kur i Dërguari i Allahut erdhi, Habibja i shpjegoi situatën:
“O i Dërguari i Zotit. Unë nuk po e kritikoj burrin tim as për fenë as për karakterin e tij. Megjithatë, unë kam frikë se mund ta braktis besimin tim, pasi pranova Islamin, veç nuk dua as të shkurorëzohem nga burri im.”
Habibja dukej mjaft e vendosur. I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të e pyeti:
“A do t’ia rikthesh atij kopshtin?”
“Po.” - u përgjigj ajo pa as më të voglin ngurrim.
Pas kësaj, i Dërguari i Zotit thirri Thabitin dhe e pyeti në lidhje me martesën. Thabiti nuk kishte ç’të thoshte tjetër. Me sa duket, problemet ishin zmadhuar dhe plaga ishte acaruar së tepërmi, duke u kthyer në një plagë të pashërueshme. Në këto kushte, kjo martesë nuk mund të vazhdonte më tej. Megjithëse divorci konsiderohet si gjëja
e lejuar, të cilën Allahu e urren më shumë, nuk kishte zgjidhje tjetër. Mendimi i Thabitit ishte i njëjtë. I Dërguari i Allahut i tha:
“Merre kopshtin dhe ndahu prej saj!”
E parë në kontekstin e kohës, kjo ngjarje do të thoshte një zgjerim i rëndësishëm në të drejtat e grave - një grua mund të ushtrojë vullnetin e saj dhe të vendosë që të shkurorëzojë burrin e saj.
Kur u pa se këto çështje ishin zgjidhur me autoritet, numri i njerëzve me probleme të ngjashme që nisën të trokasin në derën e Profetit u rrit së tepërmi. Haula binti Hakimi, gruaja e Osman ibn Madhunit, i cili ishte në mesin e myslimanëve të parë, e gjeti zgjidhjen e problemit të saj në derën e Aishes. Ajo ishte mjaft e shqetësuar. I Dërguari i Zotit e njihte Haulan; vite më parë, ajo kishte ndërmjetësuar për martesën mes Tij dhe Aishes. Kur i Dërguari i Zotit paqja qoftë mbi Të u kthye në shtëpi dhe e pa atë në një gjendje të tillë, u kthye nga Aishja dhe e pyeti:
“O Aishe pse është bërë kështu ajo? Çfarë i ka ndodhur?”
Aishja ia shpjegoi situatën që kishte të bënte me Osman bin Madhunin, burrin e Haulas.
“O i Dërguari i Zotit, është njëlloj sikur ajo të jetë e pamartuar, në fakt, ajo është një grua e martuar pa burrë, sepse burri i saj i kalon ditët në agjërim dhe netët në namaz. Prandaj, ajo nuk është në gjendje të kontrollojnë veten dhe siç e shikon, ajo është drobitur tërësej.”
Osman ibn Madhuni ia kishte përkushtuar veten plotësisht adhurimit, duke lënë kësisoj pas dore disa prej të drejtave të familjes së tij. Edhe pse ai ishte, njëlloj si një çoban, përgjegjës për njerëzit që kishte nën mbikqyrje, ai e kishte lënë pas dore gruan e tij. Por këto rrethana të trishta u bënë shkak që prej Allahut (xh.xh.), të zbriste një tjetër ajet.
Pastaj i Dërguari i Zotit i dërgoi një mesazh Osman ibni Madhunit. Ai erdhi menjëherë tek i Dërguari i Allahut. Resulullahu paqja qoftë mbi Të i tha:
“O Osman, neve nuk na është urdhëruar që të jetojmë si murgj. A nuk jam unë një shembull i mjaftueshëm për ty? Apo mos do të dalësh prej sunetit Tim?”
Osman ibni Madhuni, që as nuk i kishte çuar nëpërmend këto gjëra, u çmerit krejtësisht. Synimi i tij në kryerjen e aq shumë adhurimeve kishte qenë të jetuarit e një jete sa më të pastër fetare, kështu që ai mendonte se ajo që ai bënte, i shërbente për jetën e përtejme.
“Kurrsesi, o i Dërguari i Allahut, përkundrazi, unë përpiqem ta zbatoj sunetin Tënd, germë për germë.”, - u përgjigj ai.
Por sigurisht nuk mund të kishte asnjë dyshim se i Dërguari i Zotit e dinte me saktësi se çfarë ishte suneti. Pas fjalëve të Osmanit, i Dërguari i Zotit i dha atij këshillat e mëposhtme:
“Unë jam ai që i trembem Allahut më shumë nga të gjithë ju, dhe i respektoj më së miri kufijtë e fesë së Allahut (xh.xh.). Megjithatë, unë falem dhe fle, agjëroj dhe e prish agjërimin, dhe në të njëjtën kohë kujdesem për gratë me të cilat jam martuar. Kije frikë Allahun, o Osman, sepse edhe anëtarët e familjes sate kanë të drejtat e tyre mbi ty. Mysafirët që bujtin në shtëpinë tuaj kanë gjithashtu të drejta mbi ty. Vetja jote ka të drejta mbi ty. Prandaj të duhet që disa ditë të agjërosh, por të mos agjërosh në të tjerat, dhe duhet të falesh në një pjesë të caktuar të natës, por edhe flesh gjatë pjesës tjetër.”
Ka pasur gjithashtu edhe sahabe femra, të cilat nuk flinin kurrë gjatë natës, duke tërhequr vëmendjen e të tjerëve, kështu që në shoqëri nisi të flitej mjaft rreth tyre. Njëra prej tyre ishte edhe Haula. Kur ajo erdhi tek Aishja, i përmendi sjelljet e saj dhe Aishja foli rreth tyre me të Dërguarin e Zotit. Kur Ai dëgjoi se ajo falej tërë natën, reagimi i tij nuk ishte edhe aq pëlqyes - zakone të tilla nuk mund të vazhdojnë për një kohë të pacaktuar dhe adhurimi i shkurtër por i vazhdueshëm, ishte më i parapëlqyer pranë Allahut.
“Çfarë? Ajo rri gjithë natën pa fjetur?”
Ai e përsëriti disa herë pyetjen sepse nuk donte t’u besonte veshëve. Pastaj tha:
“Ah, pse e ngarkoni veten me një barrë më të rëndë nga ajo që mund të mbartni? Mos harroni, kështu lodheni dhe rraskapiteni, dhe vetëm Allahu është Ai i cili kurrë nuk ka nevojë për pushim.”
Një ditë, një vajzë e re erdhi tek Aishja dhe i tha asaj me pikëllim të madh se i ati donte që ajo të martohej me kushëririn e tij, edhe pse ajo nuk ishte në një mendje me të.
Në ato kohë, vajzave nuk u lejohej të shprehnin mendimin e tyre lidhur me njeriun me të cilin ata ishin në fjalë për t’u martuar; ndjenjat e tyre konsideroheshin krejt të papërfillshme. Vendimi përfundimtar gjithmonë i përkiste babait dhe çfarë thoshte ai, ashtu bëhej. Por një tjetër zakon i gabuar do të ndryshohej nga Profeti i Allahut - kjo ishte ajo që kishte shpresuar edhe vajza.
Aishja e dëgjoi me vëmendje vajzën dhe i tha ashtu siç u kishte thënë edhe shumë të tjerave:
“Prit këtu derisa të kthehet i Dërguari i Zotit.”
Aishja do ta vinte në dijeni Profetin rreth situatës dhe nëpërmjet kësaj vajze të re, një problem i përgjithshëm që rridhte që nga epoka e errësirës do të merrte rrugën e zgjidhjes sakaq nëpërmjet sqarimit të qartë të Tij.
Me të ardhur i Dërguari i Allahut, Aishja ia shpjegoi menjëherë se si qëndronte situata e vajzës. Profeti Muhamed paqja dhe bekimi qofshin mbi Të i dërgoi një mesazh të atit të vajzës, duke e thirrur edhe atë të vinte në shtëpinë e Tij. Kur i Dërguari i Zotit ftonte dikë, ishte e pamundur që ai të mos i përgjigjej ftesës së Tij. I Dërguari i Allahut e pyeti atë më në imtësi në lidhje me këtë çështje. Fjalët e vajzës lidhur me ngjarjen dolën se kishin qenë të vërteta, kështu që i Dërguari i Zotit i dha ca këshilla të atit. Kur Ai i fliste atij, ishte njëlloj sikur po i drejtohej mbarë shoqërisë në përgjithësi. Babai filloi ta kuptonte nga i Dërguari i Allahut se çfarë kishte bërë gabim dhe premtoi se nuk do ta detyronte vajzën e vet assesi të martohej kundër dëshirës së saj, dhe kjo çështje u zgjidh mirë e bukur.
Për herë të parë, po merrej në konsideratë dëshira e një vajzë e re. Të paktën, kjo ishte ajo që të gjithë po prisnin, pra ata të dy nuk do të
martoheshin. Megjithatë, situata përfundoi ndryshe. Kur i Dërguari i Zotit iu drejtua vajzës dhe i tha se i takonte asaj të vendoste, ajo ndryshe nga ç’pritej, tha:
“O i Dërguari i Zotit, unë e pranoj martesën që babai im ka rregulluar. Por duke kërkuar ndërhyrjen Tënde, dëshiroja t’u tregoja baballarëve të vajzave se nuk kanë asnjë të drejtë që t’i detyrojnë vajzat e tyre për martesë.”
Sigurisht, këto nuk ishin të vetmet gra që erdhën tek Aishja dhe ndanë problemet e tyre me të Dërguarin e Allahut nëpërmjet saj; pati edhe shumë gra të tjera të cilat erdhën tek Aishja dhe morën në fund një zgjidhje për problemet e tyre, duke u kthyer kështu të kënaqura dhe të qeta nëpër shtëpitë e tyre.
Rasti i saj nuk paraqiste një justifikim të kotë apo të verbër të grave; Aishja i mbrojti ato sepse kishin të drejtë. Ajo nuk ua kursente qortimin grave të cilat e kishin gabim, atyre të cilat shkuan shumë larg, duke pretenduar edhe që të kapërcenin madje edhe vetë kufijtë e fesë. Drejtësia dhe barazia përbënin thelbin e vendimmarrjes së saj. Të jemi të qartë, Aishja nuk i mbronte gratë thjesht ngase ato ishin femra. Kur ishte e nevojshme, ajo i kritikonte ashpër ato, madje nuk hezitonte edhe t’i paralajmëronte, duke i ndihmuar më së pari të vërenin dhe të korrigjonin gabimet e tyre.
Me kalimin e viteve, dhe me zgjerimin e territoreve të reja, besimtarët hynë në kontakt me shoqëri dhe ide nga më të ndryshmet.
Disa gra u ndikuan mjaft edhe prej këtyre rrethanave. Veçanërisht, disa gra nuk e ruajtën ndjeshmërinë e tyre të mëparshme, duke filluar kësodore të shfaqnin sjellje të ndryshme nga ato të mëparshmet. E prekur thellë, Aishja e pat përmbledhur pikëllimin e saj si më poshtë:
“Në qoftë se i Dërguari i Allahut do ta shihte gjendjen e tanishme të grave, Ai do t’i ndalonte ato si gratë e bijve të Izraelit dhe nuk do t’ua lejonte që të hynin në xhami.”
Fjalët e saj tregonin se sa mirë e njihte ajo të Dërguarin e Zotit paqja qoftë mbi Të. Në të njëjtën kohë, fjalët e saj ishin një tregues se koha mund t’i ndryshonte vendimet; kushtet në kohën e të Dërguarit të Zotit, ndoshta ishin më të përshtatshme për femrat që të merrnin pjesë në namazin me xhemat, gjë që qe rekomanduar për to. Por situata në ditët e mëvonshme ishte e ndryshme nga ajo e mëparshmja, dhe ndoshta duhej marrë një vendim i ri, duke marrë parasysh edhe ndryshimet.
Aishja ishte shumë i ndjeshme për sa i takon çështjes së mbulesës, andaj ajo i këshillonte gjithnjë gratë që nuk tregonin kujdesin e nevojshëm në këtë pikë. E përpiktë dhe kritike, ajo donte që të gjithë të tregonin të njëjtin kujdes për çështjet fetare dhe shpesh theksonte se në asnjë praktikë fetare nuk mund të ketë shpërfillje.
Një ditë, pranë saj erdhi për ta vizituar vajza e vëllait të saj, Abdurrahmanit. Një të parë shaminë e Hafsa bint Abdurrahmanit, ajo ia mori dhe e palosi përgjysmë. Pastaj ajo e mori pranë vetes Hafsan dhe e paralajmëroi:
“A e di se çfarë ka shpallur Allahu në suren Nur?”
Nëna jonë e nderuar kërkoi një shall më të trashë nga ata që gjendeshin përreth dhe e mbuloi me të kokën e mbesës së saj, duke i treguar asaj kështu, se si të mbulohej, e në njëfarë mënyre, t’i jepte fund njëherë e mirë kësaj çështjeje.
Aishja shpjegonte se si mbuloheshin gratë në kohën e të Dërguarit të Zotit nëpërmjet kujtimeve të saj vetjake:
“Në kohën e të Dërguarit të Zotit, nëse kalorësit rendnin drejt nesh, teksa ne ishim veshur me rrobat e pelegrinazhit, ne e mbulonim fytyrën tonë menjëherë, e nuk i zbulonim fytyrat tona pa u larguar ata.”
Veshjet e pelegrinazhit janë veshur gjatë haxhit, dhe studiues të shquar, si Ebu Hanifja, kanë thënë se një grua mund ta zbulojë fytyrën e saj, ndërsa është e veshur me rroba pelegrinazhi, sepse aty është një vend adhurimi dhe mundësia e mendimeve të këqija në ato momente është e ulët në krahasim me rastet e tjera. Megjithatë, Aishja ishte shumë e ndjeshme, kur shpjegonte se ato i mbulonin fytyrat e tyre kur vërenin një të huaj që afrohej, edhe pse ato ishin të veshura me rrobat e pelegrinazhit. Për më tepër, ajo përmendte vështirësitë që kishte hasur në rastin e vendosjes së mbulesës dhe deklaronte se ishte e nevojshme një luftë e pakompromis në këtë drejtim. Kur ajo u sëmur gjatë Haxhit të Lamtumirës dhe nuk kishte zgjidhje tjetër, por të shkonte në Tanim me vëllain e saj me veshje pelegrinazhi, ajo pati shumë vështirësi, por kurrë nuk e humbi ndjeshmërinë e saj, qoftë atë ditë apo më pas. Ajo u tregoi njerëzve se ato që ajo thoshte ishin ato që ajo besonte vërtet dhe nuk ishin përralla por realitet.
Jeta e saj ishte një mësim për t’u nxënë, nga fillimi deri në fund. Aishja bënte aq sa mundej për ato që e vizitonin, por kur kishte ndonjë vizitor mashkull, ajo izolohej pas perdes edhe pse ajo ishte nëna e besimtarëve, e konfirmuar kjo edhe në Kuran. Kur ajo shihte ndryshimet shoqërore, rikujtonte me mallëngjim dhe nostalgji kohën e Profetit dhe fliste për shoqet e saj sahabe, rreth besimit të tyre të thellë dhe praktikimit të sinqertë të urdhrave të Allahut, ndaj duke shprehur respektin më të thellë për to, psherëtinte dhe thoshte:
“Allahu dhuroftë mëshirën e Tij mbi femrat sahabe, muhaxhire, të kohëve të shkuara! Ato garonin për t’i përmbushur sa më shpejt urdhrat e Allahut për sa i përket mbulimit të tyre dhe sapo Allahu i pat urdhëruar të mbulonin kokën me shami deri tek supet, ato e zbatuan menjëherë urdhrin e Tij.”
Ajo kishte dëgjuar se disa gra në krahinat e pushtuara kohët e fundit ishin duke vepruar pa marrë parasysh porositë hyjnore që kishin ardhur në të kaluarën dhe se ato silleshin të shkujdesura jashtë shtëpive të tyre. Ajo filloi të brengosej nga kjo gjë. Një ditë, kur një grup grash nga Humusi erdhi për ta vizituar, Aishja i qortoi duke u thënë:
“A jeni ju nga ato gratë që shkojnë nëpër banjot publike? Mos harroni se kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë, se ‘një grua që zhvesh rrobat e saj në një vend tjetër përveç shtëpisë së burrit të saj, do të thotë se ka grisur perden mes saj dhe Zotit.’”
Kur shihte se veshja e grave të cilat i bënin vizita asaj kishte ndryshuar dhe ishte bërë më e lehtë, Aishja i paralajmëronte:
“Një grua që beson në suren Nur nuk mund të mbulohet në këtë mënyrë. Nëse ju jeni besimtare, mos harroni se po mbani veshur rroba të cilat nuk janë rrobat e besimtareve.”
Kur dikush vinte për ta vizituar atë, Aishja arrinte menjëherë t’i deshifronte qëllimet nga sjelljet dhe qëndrimi. Para se ato t’i bënin ndonjë pyetje, ajo e dinte qëllimin e tyre të vërtetë dhe i përgjigjej po nga ai këndvështrim. Njëherë erdhi për ta vizituar një grua, e cila kërkoi të dinte se çfarë mendonte Krenaria e Njerëzimit për kënanë, dhe ajo iu përgjigj:
“Të Dërguarit të Zotit i pëlqente ngjyra, por nuk i pëlqente aroma e saj!”
Dialogu i saj me gratë nuk përbëhej vetëm nga detaje të tilla. Ajo e drejtonte bisedën në një drejtim për të cilin Allahu dhe i Dërguari i Tij do të ishin të kënaqur dhe i këshillonte që ato të vendosnin paqen në shtëpitë e tyre. Ajo besonte se harmonia brenda shtëpisë qëndronte pikërisht në vendosjen e një raporti të drejtë midis paqes në këtë botë dhe asaj në tjetrën. Ajo thoshte se të dy, si burri, ashtu edhe gruaja duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre dhe të jenë të prirur që të sakrifikojnë çdo gjë për njëri-tjetrin. Aishja tregonte respektin e duhur ndaj atyre që kishin qenë të afërt me të Dërguarin e Zotit dhe i furnizonte me ato që kishin nevojë. Edhe pse ajo përpiqej të bënte të pamundurën për t’i kënaqur të gjithë, ajo priste që edhe gratë që e vizitonin atë të tregonin të njëjtin nivel shqetësimi, si dhe dëshironte që edhe gratë e tjera të silleshin ndaj burrave të tyre në të njëjtën mënyrë që ajo ishte sjellë ndaj të Dërguarit të Zotit. Kur një grua erdhi dhe i kërkoi një këshillë, Aishja i tha:
“Nëse do të të krijohet mundësia që ta heqësh beben e syrit për ta zëvendësuar me një më të bukur në mënyrë që ta kënaqësh burrin tënd, bëje atë pa kurrfarë hezitimi.”
Për të, lumturia familjare duhet të konsiderohet mbi çdo gjë tjetër, dhe për të përmbushur këtë objektiv, një rol i paçmueshëm i përket edhe gruas. Gruaja është burim i kënaqësisë familjare, dhe për këtë arsye, ajo duhet të veprojë më me kujdes kur asaj i duhet të përmbushë përgjegjësitë e veta ndaj të shoqit. Për gratë të cilat kishin pyetje në lidhje me këto çështje, Aishja u jepte përgjigjet më të gjata dhe më të matura nga sa i prisnin ato. Në qoftë se ato bënin pyetje në lidhje me çështje të ngjashme, ajo i jepte gjithashtu edhe këshilla shtesë. Njëra prej tyre një herë e pyeti:
“Unë kam qime në fytyrë. A duhet t’i heq ato që t’i dukem burrit tim më tërheqëse?”
Aishja iu përgjigj:
“Ashtu siç ti mban bizhuteri dhe zbukuron veten kur viziton dikë, njëlloj duhet të pastrosh çfarëdo problemi që të kesh dhe ta bësh veten të bukur për burrin tënd. Kur ai të urdhëron për diçka, duhet t’i bindesh atij. Nëse ai të kërkon diçka, mos e lër pas dore kërkesën e tij. Për më tepër, mos prano brenda shtëpisë tuaj dikë që burri yt nuk e pëlqen.”
Shënimet
- 16.Po aty.
- 17.Taberani, El Mu’xhemul Kebir, 23:25; Ibni Abdibarr, Istiab, 4:1937; Ibni Sa’d, Tabakat, 8:63.
- 18.Ahzab, 32.
- 19.Buhari, shehadet, 15; ejman, 17.
- 20.Buhari, itikaf, 4.
- 21.Buhari, edebul Mufred, 1/272.
- 22.Buhari, salat, 21.
- 23.Ibni Sa’d, Tabakat, 1/506; Tahmaz, Sejidatu Aisha 32.
- 24.Ibni Sa’d, Tabakat, 1/500; 8/167; Sujuti, Durru’l Mensur, 7/554.
- 25.Tajalisi, Musned, 207.
- 26.Harith ibni Ebi Usame, Musnatu’l Hadith, 2/996; Taberani, El-Muxh’amul Eusat, 8/360; Ishak ibni Rahuja, Musned, 3/1000.
- 27.Buhari, et’ime, 73; Muslim, zuhd, 20.
- 28.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/217.
- 29.Buhari, rikak, 17.
- 30.Buhari, hums, 3.
- 31.Ebu Nuajm, Hiljetul Eulija, 2/46; Tahmaz, es-Sejidatu Aisha, 38.
- 32.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/79.
- 33.Ibni Hibban, Sahih, 8/151; Bejhekiu, Sunen, 7/12.
- 34.Tirmidhiu, zuhd, 37; Bejhekiu, Sunen, 7/12.
- 35.Ebu Davud, zekat, 3; Hakim, Mustedrek, 1/547; Bejhekiu, Sunen, 4.
- 36.Tirmidhiu, libas, 38; Hakim, Mustedrek, 1/547
- 37.Kasas, 77.
- 38.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/55, 5/218.
- 39.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/49; Ibni Hibban, Sahih, 8, 393.
- 40.Buhari, hibe, 1; Ibni Maxhe, zuhd, 10.
- 41.Bejhekiu, Shuabu’l iman, 2/173; Taberani, Mu’xhemul Eusat, 6/141. 42 Nesai, zina, 39.
- 42.Ibni Hibban, Sahih, 2/447; Nesai, Sunetu’l Kubra, 5/502.
- 43.Buhari, xhihad, 88; Tirmidhi, buju, 7.
- 44.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/138.
- 45.Taberani, Mu’xhemul Eusat, 7/113.
- 46.Buhari, edeb, 81.
- 47.Bekare, 229.
- 48.Ebu Davud, talak, 9; Ibni Maxhe, talak, 13.
- 49.Muxhadele, 1-4.
- 50.Ibni Maxhe, talak, 22; Muvatta, talak, 11.
- 51.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/226; Ibni Hibban, Sahih, 1/185, 2/19.
- 52.Buhari, tehexhud, 18.
- 53.Ibni Maxhe, nikah, 12; Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/136.
- 54.Buhari, libas, 23.
- 55.Buhari, Sifatu Salat, 79; Muslim, salat, 144.
- 56.Muvatta, libas, 4; Bejhekiu, Sunen, 2/235; Ibni Sa’d, tabakat, 8/72.
- 57.Buhari, hajd, 15.
- 58.Buharu, tefsir, 31.
- 59.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/41, 173; Tirmidhiu, edeb, 43.
- 60.Kurtubi, el Xhami’, 14/57.
- 61.Ebu Davud, taraxh’xhul, 4; Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/117.
- 62.Ibni Sa’d, Tabakatu’l Kubra, 8/70-71; Dhehebiu, Tarihu’l Islam, 1/537.
- 63.Abdur’rezak, Musannef, 3/146.