Aishja0%

PJESËMARRJA E AISHES NË LUFTËRA

Trimëria e Aishes ishte e madhe dhe ajo nuk i bënte asnjëherë bisht të qenit në vijën e frontit, edhe kur të tjerët tërhiqeshin së andejmi. Edhe pse ajo ishte grua, është gjendur shpesh në fushën e betejës krah për krah me të Dërguarin e Zotit (s.a.s.). Ajo nuk hezitoi kurrë të shkonte, madje edhe në betejat më të ashpra.

Aishja ishte së bashku me Profetin gjatë çasteve vendimtare si Betejat e Uhudit, Hendeku, Beni Kurejdha, ajo e Beni Mustalikut, Hudejbijes, si dhe në triumfin e Mekës. Ajo i jepte zemër luftëtarëve në fushën e betejës dhe në të njëjtën kohë, i shërbente të Profetit tonë të Dashur (s.a.s.). Enes ibn Maliku tregon:

“Gjatë betejës së Uhudit unë kam parë Aishe binti Ebu Bekrin dhe Umu Selemen të mbartnin ujë mbi supe; ato garonin me njëra-tjetrën kush të mbartte më shumë ujë, për t’i ardhur në ndihmë luftëtarëve të plagosur. Rruga që ato bënin për t’i prurë enët e mbushura me ujë ishte nga Medina deri në Uhud.”

Aishja ishte vetë e pranishme e në betejën e Hendekut, kur mekasit u përpoqën të pushtonin Medinën. Ajo i shërbente Profetit, dhe mbartte ujë për burrat, së bashku me gratë e tjera.

Afër triumfit të Mekës, i Dërguari i Allahut i tha:

“O Aishe, Huzaave u ka ndodhur diçka e rëndësishme!”

Kur myslimanët ranë në marrëveshje me mekasit, në Hudejbije, fisi Huzaa ishte njëra nga palët aleate të myslimanëve. Menjëherë Aishes i shkoi mendja, mos vallë, kurejshët e kishin shkelur traktatin e Hudejbijes. Megjithatë e kishte të qartë se mekasit nuk mund ta bënin diç të tillë, pa menduar edhe pasojat që vinin nga pas; kjo do të ishte veç një marrëzi nga ana e tyre. Kështu, ajo pyeti nëse Profeti mendonte se kurejshët e kishin aq guxim sa ta shkelnin marrëveshjen.

Por kjo rezultoi e vërtetë; mekasit e kishin sulmuar natën fisin Huzaa, dhe kishin vrarë njëzet e tre veta prej tyre, përfshirë edhe fëmijë. Kjo përbënte një shkelje të rëndë të traktatit të Hudejbijes. Megjithatë, i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të, i kushtoi vëmendje mençurisë hyjnore që qëndronte prapa kësaj ngjarjeje dhe tha se Kurejshët e shkelën marrëveshjen sepse vetë Allahu ka dëshiruar që diçka tjetër më e madhe të ndodhë.

Aishja e dinte se nëse Allahu dëshironte të ndodhte diçka, pasoja do të ishte medoemos e mirë. Megjithatë ajo e pyeti:

“O i Dërguari i Allahut, a do të dalë për mirë e gjithë kjo?”

“Po, o Aishe, ka për të dalë.”

Pasi kishte kaluar ca kohë, i Dërguari i Allahut i tha Aishes të bëhej gati për rrugë dhe ta mbante të fshehtë këtë që po i thoshte.

Ky udhëtim do të ishte i ndryshëm nga ata të mëparshmit. Ai do të ishte udhëtimi drejt vendlindjes, atij vendi, të cilit Allahu i plotfuqishëm i ka dhënë një vlerë të veçantë. Ndërsa ajo po përgatitej për udhëtimin, Ebu Bekri erdhi dhe e pyeti për arsyen e gjithë këtyre përgatitjeve. Meqenëse Aishja ishte e vendosur ta çonte deri në fund porosinë e Profetit, ajo, as babait të saj, nuk i tregoi asgjë.

Aishja përpiqej gjithashtu, kur ishte e domosdoshme, të gjente mbështetje financiare. Gratë myslimane i dhanë çfarëdolloj bizhuterish që zotëronin si vëthë, byzylykë këmbësh e duarsh, si dhe unaza ari për hir të çështjes së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Përpara luftës së Tebukut, Aishja shtriu një çarçaf në dhomën e saj dhe gratë mundoheshin kush e kush të sillte sa më shumë gjëra të çmuara nga shtëpitë e tyre, dhe saora i hidhnin mbi çarçaf.

Begatia e tejemumit

Ajetet që kishin të bënin me tejemumin u shpallen për shkak të Aishes. Gjatë një ndalese, kur ushtria po kthehej nga beteja me fisin Beni Mustalik, Aishja vuri re se i kishte humbur një varëse e cila i përkiste së motrës së saj, Esmasë. I duhej të bënte të pamundurën, pasi ajo nuk ishte as e saja, por i së motrës. Ajo shikoi përreth nëpër errësirë, por nuk arriti ta gjente. Mandej, ajo shkoi tek i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe të dy së bashku nisën ta kërkonin varësen. Kur të tjerët vërejtën se i Dërguari i Allahut ishte duke kërkuar diçka, nisën të kërkonin edhe ata.

Por varësja nuk ishte aty. Kur të gjithë e kuptuan se nuk do të ishin në gjendje ta gjenin, zunë sërish të pushonin. I Dërguari i Zotit vuri kokën në prehër të Aishes dhe mbylli sytë.

Disa shkuan te Ebu Bekri, babai i Aishes, dhe i thanë:

“A e sheh çfarë na bëri vajza jote? Ajo e mbajti Dërguarin e Zotit dhe të gjithë ne në këtë vend ku nuk mund të gjesh as edhe një pikë uji!”

Kjo ishte e vërtetë. Nuk kishte mbetur më ujë, as në enët e tyre, e përreth nuk dukej asnjë gjurmë pusi ose burimi. Ata do të ngriheshin në mëngjes për të falur namazin e sabahut, por si mund të merrnin abdes pa ujë? Ata po vrisnin mendjen dhe nuk ishin në gjendje të gjenin një rrugëzgjidhje.

Ebu Bekri u zemërua. Po të mos ishte humbja e gjerdanit të vajzës së tij, ata nuk do të kishin mbetur atje, por do të kishin gjetur një burim uji, e atje do të kishin pushuar. Me zemërim, ai hyri në çadrën Aishes, i përgatitur për ta qortuar ashpër. Mirëpo aty pa Të Dërguarin e Allahut që po pushonte në prehrin e saj. E ndali hovin dhe pastaj iu afrua me ngadalë. Plot zemërim, por me zë të ulët, ai tha:

“Ti i bëre njerëzit dhe të Dërguarin e Zotit të qëndrojnë këtu, dhe tani kemi ngelur të gjithë pa një pikë uji.”

Aishja ishte në një situatë të vështirë, pasi ajo nuk kishte çfarë t’i thoshte dhe nuk mund të lëvizte dot, sepse i Dërguari i Zotit ishte ende duke fjetur. Por papritmas, Ai u zgjua dhe menjëherë e kuptoi se nuk kishte ujë. Ai mendoi për njerëzit, të cilët po vuanin dhe u duhej të faleshin, por nuk kishin ujë. Pikërisht në atë çast, të Dërguarit të Zotit i zbriti një ajet. Nëpërmjet Xhebrailit (a.s.) zbriti një ajet kuranor që fliste për një mënyrë të re pastrimi në mungesë të ujit:

“...Nëse jeni të sëmurë, jeni në ndonjë udhëtim ose ndonjëri prej jush vjen nga ultësira (nevojtorja) ose keni takuar gratë, e nuk gjeni ujë, atëherë mësyjeni dheun dhe fërkoni me të fytyrat dhe duart (tejemum). Allahu shlyen dhe është falës i mëkateve”.

Shpallja e re e zgjidhi sakaq problemin e tyre. Tash e mbrapa, kur ata të ishin pa ujë, ata nuk do të shqetësoheshin më, duke e ditur se mund të pastroheshin edhe me dhè.

Ebu Bekri u bë dëshmitar i asaj shpalljeje të zbritur nga Allahu Mëshirues, dhe menjëherë nisi ta shihte me admirim të madh atë, me të cilën ai ishte zemëruar pak më parë, madje dhe e pati qortuar. Gabimi i saj ishte bërë shkak për ardhjen e një shpalljeje të re. I kapluar i tëri prej gëzimit, Ebu Bekri tha:

“O bija ime, sa njeri i bekuar që je. Si rezultat i vonesës që shkaktove ti, Allahu u dhuroi myslimanëve lehtësi dhe bekim.”

Këtë epërsi e kuptuan edhe të tjerët që gjendeshin aty. Pak kohë më vonë, Usajd ibni Hudajri erdhi tek Ebu Bekri (r.a.) dhe i tha me admirim:

“Ky nuk ishte i pari bekim për ju, o familja e Ebu Bekrit.”

Pasi namazi mbaroi, udhëtimi i tyre rinisi sërish. Pasi deveja e Aishes u ngrit nga vendi, ajo vuri re një objekt të shndritshëm që kishte qenë nën të. Ajo u përkul ta shihte më nga afër, dhe vuri re me gëzim se ajo nuk ishte tjerë pos varëses që ajo kishte huazuar nga

Esmaja.

Shpifja

Ishte po gjatë së njëjtës ekspeditë që Aishja përjetoi pikëllimin më të madh në jetën e saj. Abdullah ibni Ubej ibni Seluli, udhëheqësi i hipokritëve, ishte duke parë për ndonjë mundësi për të rivendosur respektin, të cilin ai e ndjente se e kishte humbur qëkur myslimanët kishin emigruar në Medinë. Ai ëndërronte hakmarrje ndaj myslimanëve, e veçanërisht kundër të Dërguarit të Allahut paqja qoftë mbi Të dhe Ebu Bekrit. Ai ishte përpjekur shumë herë deri atëherë, duke thurur skenarë nga më të ndryshmet, por ç’e do se mundi i shkonte përherë dëm. Mekasit i kishin dërguar mjaft letra për ta nxitur kundër myslimanëve të Medinës, dhe Ibni Seluli ishte përgjigjur se ishte i gatshëm t’i ndihmonte me ushtarë dhe në të holla nëse ata dëshironin. Ai ishte munduar të thyente vetëbesimin e ushtrisë myslimane gjatë Betejës së Uhudit, duke lënë fushëbetejën me një turmë që përbënte afërsisht një të tretën e ushtrisë. Ai kishte ndihmuar dhe nxitur ushtrinë mekase së bashku me disa fise hebreje, të tilla si Beni Kurejdha. Shumë nga planet e tij ishin ekzekutuar, por ai nuk ia arriti asnjëherë qëllimit të tij të kobshëm. Çdo ditë që kalonte punonte kundër tij dhe pasuesve të tij. Aleatët e tij, të tillë si Beni Nadr, Beni Kajnuka dhe Beni Kurejdha, nuk kishin respektuar traktatin e Medinës dhe kishin qenë të detyruar të largoheshin së andejmi. Me pak fjalë, Abdullah ibni Ubeji nisi të humbasë bazën e tij të mbështetjes, dhe dita ditës, ai shihte pushtetin e tij t’i zvogëlohej dhe ëndrrat t’i shkërmoqeshin në duar.

Këto ngjarje i prekën thellë hipokritët, dhe duke parë suksesin e armiqve të tyre, ata prodhonin urrejtje dhe smirë në zemra, gjë e cila i shtynte ata drejt tradhtisë. Edhe pse jo i shprehur me fjalë, qëllimi i vërtetë i Ibni Selulit ishte të dobësonte reputacionin e të Dërguarit të Zotit (s.a.s.), dhe për t’i mbajtur njerëzit sa më larg prej Tij dhe ideve që Ai shpërndante. Ebu Bekri, shoku më i afërt i të Dërguarit të Zotit, ishte objektivi i tij i parë. Në zonën e burimit të Murajsit, atij i erdhi në dorë një mundësi e artë.

Abdullah ibni Ubeji dhe miqtë e tij më të ngushtë morën pjesë vullnetarisht në Betejën e Beni Mustalikut, megjithëse ata kishin paraqitur gjithmonë justifikime për të qëndruar në Medinë gjatë betejave të mëparshme. Ata shpresonin të ekzagjeronin tensionet e vogla që kishin shpërthyer rastësisht në burimin Murajsi për të shkaktuar kështu një çarje mes ensarëve dhe muhaxhirëve. Ende jo i kënaqur, Abdullah ibni Ubej ibni Seluli ndërmori hapa të kujdesshëm për ta fyer të Dërguarin e Zotit. Ensarët dhe muhaxhirët, të cilët kishin sakrifikuar jetën e tyre për njëri-tjetrin pa hezitim deri atë ditë, ishin kthyer gati në armiq për shkak të komploteve të tyre. Në qoftë se nuk do të kishte ndërhyrë i Dërguari i Zotit, aty padyshim që do të ishte ndezur një grindje e pafundme.

Ibni Seluli, duke parë se përpjekja e tij e parë po dështonte, vazhdoi

të komplotonte rreth muhaxhirëve, në mesin e të cilëve ishte edhe i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të, dhe ai shkoi aq larg sa të thoshte se ata, me sjelljen e tyre, po kafshonin dorën që deri më sot i kishte ushqyer. Ai gjithashtu i kërcënonte ata publikisht dhe privatisht:

“Unë betohem në Zot, se kur të kthehemi në Medinë, i denji do ta përzërë të urryerin prej andej.” Me këtë ai nënkuptonte veten dhe të Dërguarin e Allahut.

Kur disa sahabë mendjemprehtë i kuptuan komplotet e tij, dhe u duk krejt sikur ai nuk mund të vazhdonte dot më, ai mohoi ato që kishte thënë dhe u soll sikur të ishte i pastër si dëbora. Erdhi një pikë, kur Omeri propozoi që ta vrisnin, por i Dërguari i Zotit tha:

“Jo, Omer! Pse? Që të thonë njerëzit pastaj, ‘Muhamedi është duke vrarë shokët e tij’? Kurrë!”

Pra, ishte gjëja më e mirë për t’i dhënë fund menjëherë udhëtimit të tyre dhe Profeti urdhëroi të vepronin kështu. Përkundër temperaturave të larta, ata do të ktheheshin në Medinë pa u ulur të flinin.

Mandej, Xhebraili (a.s.) erdhi dhe e informoi të Dërguarin e Zotit, një për një, për ato që hipokritët kishin bërë dhe thënë, duke shpallur saora suren Munafikun - Hipokritët.

Ibni Seluli, i cili kishte menduar se do të vijonte më tutje me intrigat e tij, më pas u izolua edhe nga fisi i tij dhe i braktisi të gjitha shpresat pasi u shpallën këto vargje. Njerëz të sinqertë nga fisi i tij, të cilin ai e kishte bindur për ta ndjekur, e fyen atë ashpër dhe e braktisën. Abdullahu, i biri i tij, ishte në mesin e tyre dhe ai ndjehej i turpëruar nga ajo që bënte babai i tij. Por kur një njeri i tha atij se babai i tij do të vritej, Abdullahu u mërzit së tepërmi. Ai priti për njëfarë kohe dhe pastaj erdhi tek i Dërguari i Zotit dhe i tha me hidhërim:

“O i Dërguari i Zotit, kam dëgjuar që ju doni ta vrisni Abdullah ibni Ubejin për shkak të informacionit që keni marrë për të. Nëse keni ndërmend ta bëni një gjë të tillë, ju lutem urdhëromëni mua që ta vras në vend, dhe unë do t’jua sjell këtu kokën e tij. Fisi Hazrexh e di se askush nuk është aq i ndjeshëm sa unë për të bërë mirë për babain e tij. Nëse ju ia jepni këtë urdhër një njeriu tjetër përveç meje, unë nuk mund të duroj kur ta shoh atë të cilin do të vrasë Abdullah ibni Ubej ibni Selulin të jetojë mes popullit tim, dhe unë mund ta vras. Atëherë unë do të vrisja një besimtar në vend të një jobesimtari, ndaj jam i shqetësuar se do të përfundoj në zjarr.”

Ky ishte një sugjerim për të ngrirë gjakun në venat e dikujt. Edhe pse ai ishte babai i tij, ai do ta vriste njeriun që e kishte lënduar të Dërguarin e Zotit. Por i Dërguari i Zotit ishte i mëshirshëm dhe i tha:

“Jo! Përkundrazi, për sa kohë që ai është mes nesh, trajtoje mirë dhe mundohu ta kënaqësh.”

Përkundër garancisë që mori nga i Dërguari i Zotit, zemra e tij nuk ishte ende e kënaqur. Ai e priti babanë e tij, në fillim ia shtriu të atit devenë poshtë, e tërhoqi nga këmisha dhe i tha:

“Unë nuk do të të lë të më ikësh pa më thënë: “I Dërguari i Zotit

është dinjitozi dhe unë jam i urryeri.””

Pas këtij zinxhiri ngjarjesh negative, ata vazhduan udhëtimin e tyre pa pushuar, derisa, nga ashpërsia zhuritëse e vapës, e ndjenë veten të rraskapitur. Së fundi, ata bënë një pushim, i cili nuk zgjati shumë, pasi i Dërguari i Zotit u dha urdhër të vazhdonin udhëtimin pa humbur kohë. Pas njëfarë kohe arritën ta kuptonin të gjithë se po i afroheshin Medinës.

Asgjë nuk e shqetësoi të Dërguarin e Zotit apo shokët e Tij derisa panë Safuan ibni Muatalin i cili kishte shpejtuar hapin nga prapa me Aishen majë devesë së tij. Aishen e kishin harruar në zonën ku pushuan. Ajo ishte larguar sa për të kryer nevojat personale, dhe kishte vënë re sërish se varësja e motrës së saj kishte humbur, kështu që po kërkonte për ta gjetur. Meqenëse Aishja ishte tepër e imët, askush nuk e vuri re mungesën e saj teksa vendosën koshin e saj sipër devesë. Kur u kthye, ç’të shihte, ushtria ishte larguar! Fillimisht ajo i thirri, por askush nuk e dëgjonte, dhe ajo vetë nuk dëgjoi askënd. Ajo nuk kishte zgjidhje tjetër, pos të ulej e të priste që njerëzit të vërenin mungesën e saj, kësodore të ktheheshin për ta marrë. Pa kaluar shumë kohë, ia behu dhe Safuan ibn Muatali, i cili kishte mbetur prapa ushtrisë. Në distancë, sytë i tregonin një trup të padallueshëm, por kur iu afrua pa se ajo nuk ishte tjetër por nëna e besimtarëve, Aishja e nderuar. I çuditur, nga goja i dolën këto fjalë:

“Paskan harruar familjen e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)!”

E trembur nga zëri, Aishja mbuloi menjëherë fytyrën e saj, por në vetvete ajo ishte e lumtur, pasi dikush kishte mbërritur, e mund ta ndihmonte për t’ia mbërritur ushtrisë.

Safuani as që ia kishte idenë se si mund të kishte mbetur pas bashkëshortja e Profetit dhe nëna e besimtarëve, andaj e pyeti:

“Allahu të mëshiroftë, si ngele këtu?”

Ndërsa e pyeste, ai mbante devenë afër. Për sahabët, nëna e besimtarëve meritonte më shumë respekt se vetë nënat e tyre. Në mënyrë që t’ia lehtësonte hipjen mbi deve, ai zbriti, e uli devenë, u largua pak mënjanë dhe i tha:

“Të lutem, urdhëro e hip.”

Teksa Aishja bënte për të hipur mbi deve, ai e mbante atë për freri në distancë. Udhëtuan në drejtim të karvanit me ushtarë, derisa ia arritën.

Ibn Seluli ishte i pari që e vërejti skenën e mbërritjes së Aishes dhe Safuanit; kjo ishte një skenë mjaft e përshtatshme për t’u përdorur prej dikujt që kërkonte medoemos të nxiste përçarje. Sytë e tij ndeshën në sytë e disa të tjerëve dhe së bashku ata filluan diç të pëshpëritnin për Aishen fisnike. Kjo nuk ishte hera e parë që hidhej baltë mbi një monument të dëlirësisë: tani Aishja i ngjante kryekreje Merjemit të nderuar.

Hipokritët planifikonin ta çarmatosnin të Dërguarin e Allahut duke e sulmuar në mënyrë të tërthortë. Duke pëshpëritur fshehurazi, ata e përhapën shpifjen duke shpresuar të shkaktonin një përçarje të re ndërmjet myslimanëve. Frika e Ibni Selulit e kishte lënduar atë keqas, por tani sytë e tij shkëlqenin prej kënaqësisë. Ky ishte një shans për të që të hakmerrej ndaj të Dërguarit të Allahut si dhe të spostonte vëmendjen nga fajet e veta nëpërmjet angazhimit të njerëzve me shpifjen ndaj Aishes. Ai shpresonte gjithashtu që njerëzit të lëkundeshin në lidhje me mesazhin e Profetit të Zotit dhe besimi tek Ai të lëkundej. Ai ishte i mbuluar me turp për veprimet e tij, por edhe fytyra i shkëlqente nga gëzimi.

Kjo ishte një shpifje sistematike. Përpara se të mbërrinin në Medinë, nuk kishte mbetur njeri i cili të mos e kishte dëgjuar. Në qoftë se e njëjta gënjeshtër përmendet kudo, njerëzit nuk dinë më se çfarë të besojnë vërtet. Në këtë mënyrë, hipokritët shpresonin të merrnin hak ndaj Profetit me urrejtjen që kishin grumbulluar përbrenda vetes për vite me radhë, dhe ëndërronin për kënaqësinë që do të arrinte shpirti i tyre në të ardhmen nga kjo mundësi e artë që u kishte ardhur në duar.

Sëmundja e Aishes

Njëzet e tetë ditë kishin kaluar që nga dita kur ata ishin nisur në udhëtimin për në betejën e Beni Mustalikut. Kur ata u kthyen në Medinë, organizmi i dobët i Aishes, i pamundur të përballonte një muaj të tërë sakrifica, u sëmur. Ajo vetë nuk e kishte idenë për shpifjen që ishte përhapur rreth saj. Por hipokritët vepronin me shpejtësi. I Dërguari i Allahut dhe familja e Aishes e kishin dëgjuar shpifjen dhe ishin lënduar. Ndoshta meqenëse as i Dërguari i Allahut e as familja e Ebu Bekrit nuk e besonin këtë shpifje, ata nuk e gjykuan të arsyeshme t’ia tregonin Aishes. Por Aishja e ndiente ndryshimin që kishte ndodhur në sjelljen e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) karshi saj. Gjatë kësaj sëmundjeje, Ai nuk po i qëndronte te koka siç kishte vepruar ngaherë. Një ditë kur Umu Rumani ishte me Aishen, Ai e pyeti shkurt për shëndetin e saj.

Aishja u prek dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut, përse nuk më lejon të shkoj me nënën time për sa kohë jam e sëmurë, kështu mund të kujdeset ajo për mua?” Profeti iu përgjigj:

“Ti e di çfarë është më e mira.”

Meqenëse Aishja nuk e kuptonte përse Profeti sillej në këtë mënyrë ndaj saj, instinkti e çoi atë në shtëpinë e prindërve. Ajo qëndroi atje, së bashku me nënën e saj Umu Rumanin, dhe pas njëzet ditëve, ajo e ndjente veten më mirë dhe mund t’i kryente vetë nevojat e veta. U ngrit nga shtrati, por nuk dinte asgjë nga ç’pëshpëritej rreth saj.

Gratë vinin ta vizitonin gjatë ditëve të sëmundjes dhe një natë ajo doli përjashta për të kryer nevojat personale me njërën nga këto gra, Umu Mistahun, një kushërirë e afërt e saja. Pikërisht në ato momente, Umu Mistahut iu përdrodh këmba dhe u rrëzua. Kur u ngrit dhe po shkundej, ajo mallkoi:

“I mallkuari Mistah!”

Aishja u shokua dhe u habit për mënyrën se si një grua e mallkonte të birin, i cili ishte aq i virtytshëm. Aishja, e cila njihej për njohuritë e thella që kishte në dijet islame, e ndjeu se duhej të ndërhynte për të ndrequr një gabim të tillë, andaj iu drejtua menjëherë asaj:

“Për Zotin! Çfarë gjërash të tmerrshme po thua rreth një njeriu i cili vjen nga gjiri i emigrantëve dhe ka qenë pjesëmarrës në Luftën e Bedrit?”

Umu Mistahu e shikoi tërë habi Aishen. Djali i saj Mistahu ishte një nga ata të cilët po e përhapnin këtë shpifje. Pas një heshtjeje, ajo e pyeti:

“O e bija e Ebu Bekrit, a nuk e ke marrë vesh se çfarë po thuhet për ty? Si ka mundësi, që një besimtare e merr një situatë të tillë me naivitet? Apo me të vërtetë nuk ke dëgjuar për atë që ka ngjarë?”

Edhe pse pyetja e futi në një oqean mëdyshjesh, Aishja as që nuk ia kishte idenë se ç’mund të kishte ndodhur. Ajo e pyeti:

“Çfarë është thënë? Për çfarë situate e keni fjalën? Unë nuk di asgjë.” - dhe shihte me habi fytyrën e Umu Mistahut. Vështrimi i saj thoshte: “Tregomë menjëherë çfarë ka bërë vaki!”

Kështu që, Umu Mistahu nuk kishte zgjidhje tjetër, veç t’ia niste nga të treguarit:

“Për ty kanë dalë... disa... fjalë.”

Dhe i tregoi gjerë e gjatë, për shpifjen dhe ngatërresat, qysh nga fillimi e deri ç’kishte ndodhur mandej.

Ishte krejtësisht e pabesueshme. Aishes së nderuar, tanimë po i dukej sikur gjaku që e kishte ndjerë përherë tek i lëvizte ndër deje, po i ngrinte me acarim. Sëmundja, e cila ishte drejt shërimit, tani iu dyfishua, sytë iu mbushën me lot dhe zemra i ishte e plagosur. Ajo kishte vështirësi në frymëmarrje, dënesat e saj ishin mbytëse.

Ajo nuk kishte më forcë as të lëvizte këmbët, dhe ishte në gjendje të fikëti.

“A me të vërtetë ka ndodhur e gjithë kjo?” - e pyeti ajo.

Kjo ishte fjalia e fundit përpara se të binte pa ndjenja përdhe.

Pas pak, arriti të vinte në vete me një mundim të madh. Por përsëri nuk e kontrollonte krejtësisht veten. Ajo tha:

“Lëvduar qofsh o Allah! Si është e mundur që njerëzit t’ua nxërë goja e ta thonë diçka të këtillë?”

I kërkoi ndihmë Umu Mistahut, dhe u nis për t’u kthyer në shtëpinë e prindërve. Tanimë e ndjente veten të rraskapitur, dhe megjithëse dëshironte të mbërrinte sa më shpejt në shtëpi, këmbët nuk i bindeshin.

Kur mbërriti në shtëpi shkoi tek e ëma dhe e qortoi:

“Allahu të bekoftë! Përse nuk më ke treguar se njerëzit pëshpëritin për mua ndërmjet veti?”

Umu Rumani ishte tip i qetë, e pjekur dhe me një karakter të fortë. Në këto rrethana, ishte e nevojshme që të sillej me qetësi. Ajo filloi ta ngushëllonte butësisht vajzën e saj:

“O vajza ime e dashur, pak më ngadalë. Allahu do të të lehtësojë. Betohem në Zot, se nuk ekziston një grua aq e bukur sa ti, e cila të jetë kaq e dashur sa ti nga burri i saj, dhe e cila gjithashtu t’i ketë shoqe gratë e Tij. Në këto rrethana a nuk mund të gjenden njerëz që shpifin kundër teje për të të turpëruar? Natyrisht që një situatë e tillë shoqërohet me shumë thashetheme.”190

Umu Rumani kishte të drejtë në këtë pikë, por kjo shpifje që po qarkullonte nuk ishte e atij lloji që edhe mund të tolerohej. Kaluan shumë net, por Aishja nuk ishte në gjendje të flinte.

Safuani kishte dëgjuar për shpifjen për të cilën atë e kishin akuzuar, dhe kishte mësuar se disa prej myslimanëve e kishin besuar atë. Ai shkoi tek njëri prej tyre, Hasan ibni Thabiti dhe u grind me të. Mosmarrëveshjet e tyre arritën deri në atë pikë saqë puna shkoi deri tek i Dërguari i Zotit paqja qoftë mbi Të.

Ebu Bekri, i cili deri atë ditë e kishte ndihmuar dhe i kishte dhënë lëmoshë Mistahut, ndryshoi mendje. Kur dëgjoi se Mistahu e kishte përhapur shpifjen, ai tha se kurrë nuk do t’i jepte më sadaka atij njeriu.

Hipokritët, duke parë ecurinë e ngjarjeve, u kënaqën tej mase, sepse në të kaluarën e afërt, ndërkohë që ktheheshin nga Beni Mustaliku, kishin qenë objekt kritikash, kurse tani ishin harruar krejt prej myslimanëve.

Reagimi i sahabëve dhe besimi

Thashethemi i hutoi edhe sahabët gjithashtu, edhe pse shumë pak prej tyre e merrnin në konsideratë dhe i besonin asaj shpifjeje. Shumica dërrmuese thoshte:

“Lëvduar qoftë Allahu! Kjo është një shpifje e tmerrshme.”

Shumë prej tyre madje nuk e honepsnin nocionin se mund të bëhej fjalë që Aishja të kishte kryer shkelje të kurorës. Ata që besonin me tërë zemër në dëlirësinë dhe pastërtinë e Aishes, nuk reshtën asnjëherë së mbrojturi atë. Në fund të një dite të lodhshme, e shoqja e pyeti Ebu Ejub el Ensarin:

“A e ke dëgjuar ç’thonë njerëzit për Aishen?”

Megjithëse ai i kishte dëgjuar, u soll sikur të mos kishte dëgjuar asgjë prej gjëje, sepse e dinte mirë se kush e kishte përhapur i pari shpifjen dhe përse. Ai e dinte se një femre, e cila ishte bërë gruaja e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), nuk do t’i shkonte kurrë ndër mend një gjë e tillë. Ai tha:

“ E kam dëgjuar, por nuk është e vërtetë.”

Ndoshta ai kishte frikë se e shoqja mund të ndikohej nga një shpifje e tillë, ose dëshironte që edhe ajo të ishte kundër një shpifjeje të tillë. Ai tha:

“O Umu Ejub, për hatër të Zotit të Madh, më thuaj, a do ta kishe bërë ti një gjë të tillë?”

Ajo u tmerrua vetëm nga ideja, sepse ata që besojnë në Zotin dhe në botën tjetër nuk do të binin kurrën e kurrës në një shthurje të tillë, ndaj ajo u përgjigj me një vrull të veçantë:

“Betohem në Allah se nuk do ta bëja kurrë një gjë të tillë.” Ebu Ejubi, me një vështrim të mprehtë, i tha:

“Mos harro se Aishja është më e virtytshme se ti.”

Në ajetet që do të shpalleshin më vonë, Zoti i Plotfuqishëm do shprehej se Ai ishte i kënaqur me ata si puna e Ebu Ejubit, që u shprehën me vendosmëri kundër shpifjes, dhe se besimtarët duhet të reagojnë gjithmonë në këtë mënyrë ndaj shpifjeve të kësaj natyre.

I Dërguari i Allahut ishte i shqetësuar rreth mungesës së Xhebrailit dhe trishtohej kur mendonte se ende nuk kishte ndonjë shpallje në lidhje me këtë çështje. Zakonisht, shpalljet hyjnore vinin shpejt në rrethana të tilla, që e sqaronin çdo gjë plotësisht. Ndoshta Allahu i Madhëruar ishte duke përgatitur terrenin për zbritjen e shpalljes, në mënyrë që mesazhi të çimentohej plotësisht në mendjet e besimtarëve myslimanë.

Heshtja u dha më tepër zemër shpifësve, kësodore ata mundën madje t’ia mbushnin mendjen edhe disa besimtarëve në mes të myslimanëve. Situata kërkonte ndërhyrje të menjëhershme. Një ditë, pas namazit, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u kthye nga sahabët dhe u tha:

“O umeti im! O bashkësi e besimtarëve, çfarë ta ketë shtyrë atë njeri që na ka shkaktuar gjithë këtë trazim, mua dhe familjes sime? Unë nuk di asgjë tjetër përveçse të mirave për familjen time. Gjithashtu njeriu për të cilin shpifet, nuk ka ardhur kurrë në shtëpinë time kur unë të mos kem qenë aty.”

I Dërguari i Zotit ishte i lënduar thellë dhe sahabët nuk donin të lejonin më tej ekzistencën e kësaj gjendjeje, por jo të gjithë e dinin se cili ishte njeriu për të cilin fliste ai. Udhëheqësi i fisit Eus, Sad ibni Muadhi, u ngrit dhe tha:

“O i Dërguari i Zotit. Unë mund ta zgjidh këtë problem dhe t’ju sjell lehtësimin. Nëse ky njeri është prej fisit tim, unë do t’ia pres kokën! Nëse ai është nga fisi tjetër, Hazrexhët, të cilët janë vëllezërit tanë, ne do të bëjmë çfarëdo që ti të na urdhërosh.”

I prekur nga kjo deklaratë që përfshinte mbarë fisin e tij, Sad ibni Ubade u tensionua shumë, dhe ashtu u ngrit, me sa duket, duke e ditur se cili ishte fajtori. Ai iu përgjigj kështu kreut të fisit të Eusëve:

“Ti nuk e ke fuqinë të vrasësh njeri! Ti flet kështu, sepse e di se fajtori është prej Hazrexhit. Ti nuk do të flisje në këtë mënyrë nëse ai do të ishte prej fisit tuaj!”

Kështu u tha atë ditë që i Dërguari i Allahut po mbante hutben e xhumasë dhe tani situata po degjeneronte drejt një konflikti. Pastaj kushëriri i Sad ibni Muadhit, Usejd ibni Hudajri u ngrit në këmbë dhe iu kundërvu Sad ibni Ubades, duke e akuzuar atë se po mbante anën e hipokritëve.

“Sigurisht që do ta vrasim. Betohem në Allah, se ai që ka shkaktuar tërë këtë zullumahi, meriton t’i pritet koka!”

Atmosfera u shtendos tejet shumë, sikur të kishin ekzistuar njëqind vjet tension. Problemi i vërtetë gati u harrua dhe krenaria fisnore u shfaq në mesin e fiseve Eus dhe Hazrexh. Ishte e pamundur për njerëzit që të mendonin me qetësi kur ndjenjat acaroheshin kësisoj. Atë ditë, askush nuk mundi të toleronte sadopak deklarata të tilla; palët ishin ndarë dhe një sherr u shfaq në horizont. Me sa dukej do të kishte një tjetër luftë mes fiseve Eus dhe Hazrexh, gjë e cila sigurisht ishte pikësynimi i vërtetë i hipokritëve.

Qetësimi i gjakrave ishte përsëri detyrë e të Dërguarit të Zotit paqja qoftë mbi Të, andaj Ai u kërkoi të dyja palëve që të heshtnin. I dha fund predikimit, dhe u nis në drejtim të shtëpisë.

Një të mbërritur, Ai thirri Usamen dhe Aliun që të këshillohej me ta. Ai nuk kishte dyshime në pafajësinë e së shoqes, Aishes, sepse çështja ishte e qartë si drita e diellit. Por i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të dëshironte të përfshinte edhe opinionet e të tjerëve në vendimmarrjen e Tij, sepse dëshironte që pastërtia e saj të dilte në pah faqe të gjithëve.

“O i Dërguari i Zotit. Ne nuk dimë asgjë tjetër përveçse vepra të mira në lidhje me Aishen, gruan tënde. Këto janë patjetër gënjeshtra dhe shpifje të pabaza!” - foli Usameja me vendosmëri.

Atëherë vështrimi i të Dërguarit të Allahut ra natyrshëm mbi Aliun. Aliu e kuptoi se i Dërguari i Zotit ishte në pritje të përgjigjes së tij, por në atë çast nuk ishte në gjendje të mendonte për ndonjë gjë tjetër përveç trishtimit që Profeti ndjente, dhe të cilin ai dëshironte ta çlironte. Ai e ndjente se kënaqësia e të Dërguarit të Zotit ishte më e vlefshme se e tërë bota dhe çdo gjë që ekzistonte mbi të, dhe i tha:

“O i Dërguari i Allahut përse e fut veten në kaq vështirësi? Allahu i Plotfuqishëm të mbrojttë nga përjetimi i vështirësive të mëtejshme. Ka plot gra të tjera përveç saj. Pse nuk e pyet këtë shërbëtoren, unë jam i sigurt se ajo do të të thotë diçka që të bën të ndjehesh më mirë.”

Fjalët e tij kishin kuptimin, “unë po mendoj vetëm për të mirën tënde, jo për veten time, ndoshta ti mund të pyesësh për Aishen ato të cilat e njohin atë më mirë.” Kështu, i Dërguari i Allahut e thirri shërbyesen e quajtur Berire, dhe e pyeti:

“A ke vërejtur ndonjë gjë që të ka bërë të dyshosh tek Aishja?”

Berire e ndjeu se kishte një përgjegjësi mjaft të rëndë, meqë u bë pjesë e këtij hetimi dhe u skuq. Ajo u përgjigj mjaft seriozisht:

“Unë betohem për Zotin që të ka dërguar të vendosësh drejtësi, që jo. Unë nuk di asgjë tjetër rreth saj, përveç mirësisë. Unë kurrë nuk kam vërejtur as edhe një të metë sado të vogël për të cilën të mund ta kritikoj. E vetmja gjë që di është se një ditë, kam lënë ca brumë tek Aishja dhe ajo ra në gjumë pranë tij, e pastaj një dele erdhi dhe e hëngri atë brumë. Për sytë dhe veshët e mi, Aishja është e dëlirë, e pastër dhe e ndershme si ari.”

Kjo ishte një dëshmi e përsosur, por i Dërguari i Zotit nuk e la me kaq, Ai kërkoi gjykim edhe prej shumë të tjerëve.

I Dërguari i Zotit (s.a.s.) vendosi që të konsultohej edhe me gratë e tjera të tij, dhe ai zgjodhi Zejneb binti Xhahshin, me të cilën Aishja kishte ca ndjesi konkurrence. Ai gjithashtu e kishte zgjedhur Zejnebin, sepse motra e saj, Hamne, i kishte besuar thashethemeve të ngritura rreth Aishes. Ai e pyeti:

“O Zejneb, po ti, çfarë më thua? A ke dëgjuar ndonjëherë ndonjë gjë të keqe për të?”

Ajo gjithashtu u përgjigj se nuk kishte dëgjuar asgjë, veç të mirave për Aishen.

Sihariqi

Pasi kishin kaluar disa ditë, i Dërguari i Allahut erdhi tek shtëpia e Ebu Bekrit dhe pasi i përshëndeti njerëzit e shtëpisë u ul. Kjo ishte vizita e Tij e parë tek ata pasi ishte kthyer nga Beni Mustaliku.

Në atë kohë, Aishja ishte në dhomën tjetër me të ëmën duke qarë dhe duke iu lutur Krijuesit të Gjithëmëshirshëm në lidhje me shpifjen. Bashkë me të ndodhej një grua nga ensarët, prej së cilës Aishja përpiqej që të nxirrte sa më tepër detaje, të cilat ajo nuk kishte arritur t’i merrte nga nëna dhe babai i saj.

Pasi fali namazin aty, Profeti ynë i Dashur, u kthye nga Aishja dhe i foli. Ai kërkoi nga ajo që t’i tregojë Atij të vërtetën, dhe në qoftë se ajo me të vërtetë e kishte bërë një gjë të tillë, Ai do të kërkonte falje për të tek Allahu. Ai gjithashtu i tha se në qoftë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, dhe nuk kishte asnjë dyshim për këtë, atëherë Allahu i

Plotfuqishëm do të dërgonte shpallje për të vërtetuar pastërtinë e saj. Ai arriti në përfundime, duke thënë se në qoftë se një rob i Allahut e pranon fajin e Tij dhe pendohet tek Zoti, atëherë i Plotfuqishmi ia pranon pendimin robit të tij.

Çdo fjalë e të Dërguarit të Zotit po e godiste Aishen si një vare. Edhe pse fjalët e Tij ishin pohime të sihariqit, kjo bisedë e kishte shkatërruar Aishen për faktin se Ai e kishte përmendur edhe shkeljen e kurorës si një mundësi, kur ajo do të sakrifikonte me dëshirë jetën e saj për Të. Ajo ndjehej e rraskapitur. As lot nuk i kishin mbetur më për të qarë, gjaku ndër vena i ishte tharë krejt.

Aishja çuditej se si mund të bisedonte dhe t’i ndante problemet e saj me Të, në qoftë se i Dërguari i Zotit paqja qoftë mbi Të e shikonte çështjen nga një këndvështrim i tillë.

Me gjuhë të lidhur, Aishja e ndjente veten të mpirë dhe për një çast mendoi se zemra e saj do ndalej vendit. Ajo shikonte në fytyrat e të atit dhe të së ëmës, duke u lutur në heshtje, që ata të mos e linin në baltë. Por ata rrinin të heshtur dhe vetëm thanë:

“Betohemi në Zot, se ne nuk e dimë se si t’i përgjigjemi të Dërguarit të Allahut.”

Prej shpifjes ishin ndikuar sadopak, qoftë edhe njerëzit e saj më të shtrenjtë, familja. Ajo u kthye nga i Dërguari i Allahut, dhe filloi të fliste me kurajë:

“Unë betohem për Zotin, se kurrë nuk do të pendohem ose të kërkoj falje për këtë çështje. Zoti e di se kjo shpifje nuk është e vërtetë, dhe se unë jam tërësisht e pastër; në qoftë se unë do të pendohesha për atë që njerëzit thonë për mua, kjo do të thotë të pendohem për diçka që nuk ka ndodhur. Nëse unë e mohoj atë, duke thënë:

“ky incident nuk ka ndodhur,” ju prapëseprapë nuk keni për të më besuar. Asgjë tjetër nuk më vjen në mendje tani, përveçse gjendja e babait të Jusufit, kështu që unë do të them ato fjalë që ka thënë ai: ‘Halli im është! Do bërë durim i mirë. Allahu është Ai, nga i Cili kërkohet ndihmë për diçka të tillë.’”

Asaj tashmë i ngelej vetëm një mundësi. Ajo iu lut të Vetmit, i Cili është gjithçka për ata që nuk kanë askënd. Ajo donte që pafajësia e saj të njihej edhe prej Profetit. Ajo kishte bindje të plotë se lutja nuk do t’i refuzohej, kështu që vazhdonte t’i drejtohej veç Allahut (xh.xh.).

Pak më vonë, asaj i tërhoqi vëmendjen një ndryshim në gjendjen fizike të të Dërguarit të Allahut; bulëza djerse u shfaqën në fytyrën e Tij. Mund të kuptohej lehtë nga pamja e Tij se atij po i vinte një mesazh hyjnor nga Xhebraili (a.s.), i Cili nuk ishte shfaqur për një muaj rresht. Ngjante sikur nga çasti në çast Atij do t’i dilte shpirti nga barra e rëndë e marrjes së këtij mesazhi. Aishja filloi të shpresonte. Dera e së vërtetës ishte hapur; po vinte një mesazh i ri për t’i dhënë njëherë e mirë zgjidhje kësaj çështjeje. Ajo nuk mund të shihte dot as prindërit e saj, fytyra e të cilëve ishte zbehur prej ankthit. Zemrat e tyre mezi rrihnin, të shqetësuara se mos zbriste ndonjë shpallje që konfirmonte të vërtetën e shpifjes. Por Aishja ishte e qetë, sepse ajo e dinte që një ditë do të vinte drejtësia hyjnore e do të shfaqej.

Më pas gjendja e të Dërguarit të Zotit(s.a.s.) u kthye në normalitet dhe Ai i shikoi njerëzit e familjes së Ebu Bekrit, duke fshirë pikat e djersës që ishin mbledhur mbi ballin e Tij. Vendin e pikëllimit të deriatëhershëm e zuri gëzimi dhe ata të gjithë mundën të vërenin se si shpërndaheshin retë e zeza një e nga një nga fytyra e të Dërguarit të Allahut, sepse Ai tashmë po buzëqeshte. Ai kishte fituar sërish qetësinë e munguar për shkak se hipokritët ishin munduar ta kthenin qytetin përmbys nga poterja. Ai iu drejtua Aishes me një zë të butë:

“Kam lajme të mira për ty, o Aishe! Allahu i Plotfuqishëm shpalli një ajet ku thuhet se ti je e pastër dhe larg gjithë atyre shpifjeve. Ngrehu dhe falënderoje Allahun!”

Asgjëmangut, mori fund një muaj i tërë telashesh. Ajo që Aishja kishte pritur, u shpall. Sytë e Aishes shndritën prej gëzimit. Ajo tha:

“Lëvduar qoftë Allahu!”

Si Ebu Bekri ashtu edhe gruaja e tij Umu Rumani u qetësuan. Duke përjetuar kënaqësinë e të Dërguarit të Allahut, Umu Rumani u kthye tek Aishja, vajza e saj dhe nëna e besimtarëve, dhe i tha:

“Ngrihu dhe falënderoje të Dërguarin e Allahut.”

Por në atë moment, Aishja ishte trazuar prej ndjenjash të trazuara. Pastërtia dhe ndershmëria e saj ishin konfirmuar drejtpërdrejt nga vetë Allahu i Plotfuqishëm dhe e tillë do të mbetej përgjithmonë deri në fundin e botës. Ajeti përgënjeshtronte direkt shpifjet që ishin përhapur rreth saj një muaj me radhë. Ajo i ndjehej mirënjohëse vetëm Allahut, për ndihmën që i dha, andaj tha:

“Jo, unë nuk do ta falënderoj atë. Unë falënderoj vetëm Allahun e Plotfuqishëm, dhe vetëm Atij i lutem. ”

Që nga ai çast, në Kuran kanë ekzistuar vargje posaçërisht për Aishen, duke i informuar besimtarët e çdo epoke në lidhje me pastërtinë e jetës së saj.

I Dërguari i Zotit (s.a.s.), doli i ngazëllyer për t’ia bërë të njohura vargjet e shpallura popullit, duke i recituar ato si më poshtë:

“S’ka dyshim se ata që trilluan shpifjen, janë një grup prej jush. Ju mos e merrni atë si ndonjë dëm për ju, përkundrazi, ajo do të jetë në dobinë tuaj. Secilit prej tyre do t’i takojë dënimi sipas pjesëmarrjes në mëkat, e atij prej tyre që barti pjesën më të madhe (të shpifjes) i takon dënimi më i madh.”

Sahabët morën frymë thellë, sepse të gjithë e dinin se kush bënte pjesë në atë grup. Por ata vetë e kishin ruajtur gjuhën e tyre dhe kurrë nuk i ndotën zemrat në atë batak. Por ajeti në vijim kishte të bënte edhe me ta: “E përse kur e dëgjuan atë (shpifje) besimtarët dhe besimtaret të mos mendonin të mirën si për vete dhe të thonin: ‘kjo është një shpifje e qartë!’”?

Me sa duket, duke zgjedhja e një paramendimi të mirë është e domosdoshme. Është e nevojshme të mbyllen veshët ndaj një thashethemi përpara se vërtetësia e tij të bëhet e njohur. Rruga më e sigurt për myslimanët ishte që të besojnë në pafajësinë e dikujt derisa faji të vërtetohet. Vargu në vijim që u adresohet shpifësve ishte si një shuplakë në fytyrat e tyre: “Përse ata nuk i sollën katër dëshmitarë për këtë? E derisa nuk sollën dëshmitarë, ata pra te Allahu janë shpifësit.”

Në mënyrë që një grua të mund të akuzohet për shkeljen e kurorës, duhet të ketë të paktën katër dëshmitarë, ose akuzuesi supozohet të jetë fajtor për shpifje, për të cilën do të dënohet si në këtë botë, ashtu edhe në tjetrën. Edhe në Ditën e Gjykimit, një shenjë e pashlyeshme mbi ballin e tij do të tregojë se ai është një gënjeshtar, që të mbahet mend përgjithmonë si i tillë. Megjithëse Aishja kishte vuajtur shumë për një muaj, ajo kishte fituar bekime hyjnore për shkak të lëndimit të saj të pamerituar. Për shkak të këtij incidenti, ishin shpallur shumë direktiva fetare që kishin të bënin veçanërisht me jetën shoqërore myslimane. Gjykimet e bazuara mbi dyshime do të eliminoheshin dhe do të themelohej një model i ri shoqëror i bazuar në virtytin.

Ishte e rëndësishme për sahabët për të treguar solidaritet mes tyre në raste të diskutueshme, sepse i Dërguari i Zotit ishte në mesin e tyre. Për hir të Profetit, ata ishin të siguruar nga fatkeqësitë natyrore që u kanë ndodhur shoqërive të tjera rebele. Vargjet vazhdojnë si më poshtë: “E sikur të mos ishte mëshira e Allahut dhe mirësia e Tij ndaj jush, në këtë dhe në botën tjetër, ju do t’ju kapte dënim shumë i madh për shkak të asaj në të cilën u hodhët.”

Atëherë sahabët e kuptuan se ata duhet ta falënderojnë Allahun për ato bekime që u kishte dhuruar. Ata gjithashtu e kuptuan se mëkatet duhet të merreshin seriozisht dhe të mos konsideroheshin kurrë si të parëndësishëm, duke e ruajtur veten qysh në fëmijëri, përpara se të arrinin moshën e pjekurisë.

Kurani u drejtohet edhe atyre të cilët e kishin dëgjuar shpifjen, por nuk i kishin kushtuar rëndësi:

“Kur ju atë (shpifjen) e përcollët me gjuhën tuaj dhe për atë që nuk kishit kurrfarë dijeje, flisnit duke menduar se ajo ishte imtësi e parëndësishme, ndërsa te Allahu ajo është e madhe. E përse kur e dëgjuat atë nuk thatë: ‘ne nuk na takon të flasim për këtë. I lartë je Ti, kjo është shpifje e madhe!’ Allahu ju këshillon që një gjë e tillë të mos përsëritet kurrë, nëse jeni besimtarë të denjë. Allahu sqaron për ju argumentet, sepse Ai është i Dijshëm, i Urtë.”

Kurani e përshkruan Jusufin (a.s.) dhe Merjemen si shembuj të dëlirësisë dhe pastërtisë, dhe si njerëz për të cilët është shpifur. Aishja ishte e ngjashme me ta. Ajo u quajt “gruaja besnike” dhe trajtohej si “e bija besnike e njeriut besnik” duke iu referuar kështu të atit, Ebu Bekrit. Ishte nxënësi i saj, Imam Masruku ai që i dha titullin e dytë. Të tjerë e quajtën atë “gruaja besnike (Sidika) Aishe.”

Si në rastin e Jusufit (a.s.) dhe të Merjemes, edhe Aishja u vu në provë, duke u akuzuar për tradhti bashkëshortore përkundër dëlirësisë së saj, dhe tregoi se e meritonte plotësisht titullin e saj për shkak të besnikërisë dhe durimit që tregoi. Ashtu si Merjemja, Aishja kishte lindur në një shtëpi ku adhurimi i Allahut ishte i endur në pëlhurën e përditshme të jetës. Pastaj ajo u bë gruaja e të Dërguarit të Zotit, shërbëtorit më të dashur të Tij dhe kurrë nuk u martua me ndonjë burrë tjetër përveç Tij, edhe pas vdekjes së Profetit. Ajo ishte objekt i shpifjeve të hipokritëve dhe aleatëve të tyre, të cilët dëshironin të përbaltnin reputacionin e saj të pastër. Muaji i saj i trazuar u mbyll me një shpallje pafajësie. Ashtu si edhe për dy të tjerët, pafajësia e saj është bërë e qartë nga Zoti i Plotfuqishëm - edhe pse në rastin e Jusufit (a.s.), ai u justifikua nga dikush afër tij, dhe në rastin e Merjemes, ajo u lirua nga akuzat nga djali i saj foshnjë - Aishja u shpall e pafajshme nga fjalët e drejtpërdrejta të Zotit në Kuran. Kjo i dha një rëndësi të veçantë asaj si gruaja e të Dërguarit të Fundit të Allahut.

Shënimet

  1. 173.Nedeui, siratu sejidati Aishe, 170.
  2. 174.Buhari, fedailu sahabe, 5.
  3. 175.Uakidi, megazi, 1/992.
  4. 176.Nisa, 43.
  5. 177.Ahmed bin Hanbel, Musned, 2/272; Ibni Maxhe, taharet, 90.
  6. 178.Buhari, tejemum, 1.
  7. 179.Buhari, fedailu sahabe, 5.
  8. 180.Ibni Hisham, sira, 2/290; Ibni Sa’d, tabakat, 2/107.
  9. 181.Munafikun, 8.
  10. 182.Buhari, menakib, 9.
  11. 183.Safuan ibni Muattali u përgëzua nga Profeti Muhamed paqja qoftë mbi Të me fjalët: “Unë nuk di përveçse mirësi rreth tij” dhe “Personi, të cilin vetë Allahu e vesh me rroba në parajsë.”
  12. 184.Ibni Hisham, sira, 2/464.
  13. 185.Buhari, shehadet, 15.
  14. 186.Jusuf, 18.
  15. 187.Buhari, shehadet, 85.
  16. 188.Nur, 11.
  17. 189.Nur, 14.
  18. 190.Po aty, 15-18.