Aishja0%

NËNA E PASHOQE E BESIMTARËVE

Ambienti ku u rrit

Aishja e nderuar erdhi në jetë përafërsisht katër apo pesë vjet para se Allahu i Madhëruar të nderonte Profetin Muhamed me shpalljen hyjnore. I ati ishte Ebu Bekri, ndërsa e ëma, Umu Rumani. Të dy prindërit ishin pjesëtarë të fisit Kurejsh; i ati nga dega Tejm, ndërsa e ëma nga dega Kinane, dhe të dy binin kushërinj me Profetin, përkatësisht në brezin e gjashtë dhe të njëmbëdhjetë.

U rrit në një familje të vyer. Edhe pse në epokën e injorancës, në një kohë kur të gjithë vlerat humane ishin kthyer përmbys, i ati, Ebu Bekri nuk u përlye asfare nga papastërtitë e ambientit, duke jetuar bashkë me familjen një jetë dinjitoze. Pranimi i Islamit dhe ngritja vertikale e tij do të bazohej pikërisht mbi këtë botë të tijën të kulluar. Ebu Bekri edhe para se të bëhej mysliman ishte një person i respektuar dhe që i dëgjohej fjala. Çështjet lidhur me Gjobat, borxhet, gjakmarrjen dhe trashëgiminë, pyeteshin fillimisht tek ai dhe vetëm më pas merreshin vendimet. Ebu Bekri pranohej gjerësisht si njohës i mirë i gjenezës.

Edhe e ëma, Umu Rumani ishte ndër të parat që i dhanë besën Profetit, dhe si e tillë do të kujtohet gjithmonë. Ajo kaloi së bashku me të shoqin të gjitha vuajtjet dhe torturat e idhujtarëve. Emigroi bashkë me vajzat e saj në Medinë krahas Profetit.

Nëna e besimtarëve, Aishja e nderuar, u rrit në një shtëpi me të vëllanë, Abdullahun dhe të motrën, Esmanë, vëlla e motër nga martesa që i ati kishte patur para se të bëhej mysliman.

Veçoria më e madhe e Aishes së nderuar ishte pikërisht të qenit vajzë e një njeriu të ndritur si Ebu Bekri, të cilin as epoka e injorancës nuk e kishte influencuar aspak. E rritur në një shtëpi të bekuar ku ndotja nuk e kishte përkitur, ajo tashmë po edukohej nga një baba tepër i ndjeshëm.

Pranimi i Islamit

Që nga momenti i parë në të cilën Aishja e nderuar nisi të njohë vetveten, në shtëpinë e saj nuk u fol gjë tjetër veç dritës së Islamit. Prindërit i kishte parë veçse duke falur namaz dhe duke diskutuar rreth ajeteve të Kuranit. Gjithmonë kishte ndjekur me admirim të thellë se si i ati përlotej teksa lexonte Kuran. Më vonë, vetë ajo do të shprehej kështu:

“Që në kujtimet e mia fillestare, mbaj mend se prindërit i kisha besimtarë.”

Ishin vitet e para të profetësisë. I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të kishte zbritur nga Hira dhe Drita që kishte sjellë Ai sapo kishte nisur të ndriçonte qiellin e Mekës. Ebu Bekri sapo ishte kthyer nga një udhëtim me qëllim tregtie nga Jemeni, dhe menjëherë kishte rendur për te Profeti për të pranuar Islamin. Kështu, Ebu Bekri u bë i pari mburrë i lirë që pranonte Islamin. Pa kaluar shumë, Islamin e pranoi edhe bashkëshortja, Umu Rumani. Tani radha ishte familjarët e tjerë.

Ndërkohë, Aishja ishte ende pesë vjeç. Megjithëse e vogël në moshë, bashkë me të motrën, Esmanë, nën përkujdesjen e të atit, edhe ajo pranoi Islamin. Kështu ajo u radhit ndër myslimanët e parë.

Ajo do të rritej kësisoj me çdo ajet që zbriste dhe do të zgjohej çdo ditë me një mesazh të ri nga oqeani i besimit. Çdo lajm i ardhur nga Xhebraili do të shkulte me radhë të gjitha zakonet e errëta të injorancës dhe i shndërronte besimtarët në një kështjellë të pamposhtur besimi. Ajo i ndiqte me vëmendje dhe inteligjencën e saj karakteristike, dhe i regjistronte me përkushtim të gjitha në memorien e saj për t’i transmetuar ato në vitet e mëpasme.

Fejesa

Një ditë, dikush trokiti në derën e Ebu Bekrit dhe ishte pikërisht Mut’im ibni Adiji që pyeste nëse ata e jepnin vajzën e tyre Aishen si nuse për djalin e tij, Xhubejrin. Mut’im ibni Adiji ishte një personi rrallë, i cili po si Ebu Bekri, ishte i ditur në fushën e gjenealogjisë, kështu që ishte e natyrshme të donte të bashkonte familjen e tij me atë të një personi të veçantë siç ishte Ebu Bekri. Meka në ato kohë ishte aq e vogël, saqë njerëzit e njihnin njëri-tjetrin deri në imtësi, prandaj Mut’im ibn Adiji ishte në gjendje të parashikonte të ardhmen e Aishes, natyrën, qëndrimin dhe sjelljet e saj. Ai ëndërronte të kishte një nuse të re si Aishja, e cila për më tepër ishte inteligjente, e respektueshme, e sjellshme dhe e pastër. Atë ditë Ebu Bekri nuk e refuzoi kërkesën. Për disa, mosrefuzimi i një kërkese të tillë ishte i njëvlershëm me një fejesë në ato kohë. Por Ebu Bekri, i cili e konsideronte deklaratën e tij si një kontratë, kishte vendosur t’i kushtonte vëmendje të veçantë kërkesës. Megjithatë, ndërkohë që ditët kalonin, dyshimet nisën të shfaqeshin. Meqenëse nuk iu kthye asnjë përgjigje, familja e ibni Adijit filloi të dyshonte fort nëse djali i tyre duhej të martohej me vajzën e Ebu Bekrit, e në këtë mënyrë ata filluan të mos e vizitonin më aq shpesh Ebu Bekrin.

Më vonë u kuptua mirë se si qëndronte gjendja. Duke gjykuar se kushtet kishin ndryshuar, familja e ibni Adijit u mund nga disa dyshime të vetat. Kur Profetit Muhamed (s.a.s.) i filloi shpallja në shpellë, atje në malin Hira, Ebu Bekri pranoi Islamin. Ajo ishte një periudhë kur besimtarët filluan të përcillnin mesazhin nga shtëpia e ibni Erkamit, thirrja e njerëzve në Islam u bë publike dhe adhurimi nuk u fsheh më në Mekë ashtu siç ndodhte më parë. Si më të dashurit dhe të besuarit e shokëve të Profetit, Ebu Bekri bashkë me familjen e tij qëndronin në pararojë. Vizitat nga familja e ibn Adijit te familja e Ebu Bekrit u ndalën, dhe familja e ibni Adijit i shihte prej së largu gjykimet e Ebu Bekrit, vajzën e të cilit ata e kishin kërkuar me aq këmbëngulje për djalin e tyre.

Shënimet

  1. 1.Nga vlerësimi i të gjitha burimeve lidhur me moshën e saj, kjo duket të jetë më afër të vërtetës. Gjithsesi, në fund të librit kemi veçuar një kapitull të tërë kushtuar kësaj teme.
  2. 2.Buhari, Salat 52; Fedail 74. Hanbel, Musned 6/198; Bejheki, Sunen 6/204.
  3. 3.Mut’im ibni Adiji ishte një udhëheqës i fisit Beni Neufel. Ai ishte personi, i cili e mbrojti dhe e strehoi Profetin Muhamed pas kthimit të Tij nga qyteti i Taifit. Po kështu, Ibni Adiji ishte një figurë kyçe kur iu dha fund bojkotit tre-vjeçar ndaj myslimanëve.