PARATHËNIE
Hatixhja dhe Aishja zinin një vend të veçantë ndër bashkëshortet e të Dërguarit të Allahut; ndërsa e para ishte si një mëkëmbëse besnike për Të në Mekë për pesëmbëdhjetë vjet me radhë, para se shpallja të bëhej publike, kjo e fundit e ka kryer të njëjtin mision gjatë periudhës së Medinës e mandej. Kur ato shihen nën këndvështrimin e misionit që kanë kryer, secila prej tyre kishte karakteristikat e veta specifike. Zoti i Plotfuqishëm e pajisi të Dërguarin e Tij me një karakter të fortë: në Mekë, ku besimi, sakrificat dhe trimëria ishin aq të nevojshme, Allahu (xh.xh.) i dha Atij Hatixhen; në Medinë, ku nevoja për dituri, inteligjencë dhe arsyetim ishte më e ndjeshme, Allahu (xh.xh.) i dhuroi Atij Aishen.
Sigurisht, Hatixhja ishte asokohe ndoshta gruaja më e guximshme e Mekës. Ajo i siguroi mbështetje të palëkundur të Dërguarit të Allahut gjatë ditëve më të vështira, kur problemet ishin në kulmin e tyre, gjatë ditëve të tij të vuajtjeve, kur problemet dhe fatkeqësitë pasonin njëra-tjetrën. Kur ai filloi të thërriste njerëzit në Islam, ajo u bë përkrahësja e Tij më e madhe, si materialisht ashtu edhe shpirtërisht. Hatixhja ishte myslimania e parë,duke besuar në të Dërguarin e Zotit në një moment jetik, kur ai kishte më shumë nevojë për të, dhe kjo nënkuptonte një vend të veçantë në anën e Zotit dhe të Dërguarit të Tij.
Pozicioni i Aishes ishte paksa i ndryshëm, ajo ishte një ndihmëse e veçantë për të Dërguarin e Allahut pas Hixhretit në Medinë, kur ishte nevojat për të punuar në shërbim të fesë ishin të mëdha. Aishja, me një mendje të ndritshme, kureshtare dhe një zgjuarsi të rrufeshme, u shqua menjëherë në shtëpinë e Profetit. Allahu i Plotfuqishëm e kishte pajisur atë me një madhështi të jashtëzakonshme. Ajo kishte një natyrë kureshtare dhe nuk e pranonte verbërisht atë që dëgjonte. Ajo ishte kritike ndaj çdo gjëje që dëgjonte, nëse ato nuk ishin sipas kritereve të vetë Kuranit dhe Sunetit të Profetit. Veshi i saj ishte gjithnjë në gatishmëri të shpalljes dhe sytë e saj ishin të përqendruara në rezultatet e saj. Aishja ishte si një urë lidhëse mes kohës së Profetit dhe të ardhmes së fesë islame.
Aishja përfaqësoi vitalitetin e shpalljes gjatë gjysmë shekulli me radhë pas vdekjes së të Dërguarit të Zotit, dhe nuk i privoi kurrë nxënësit e saj nga drita e profetësisë. Vendi i saj ishte mes katër kalifëve të Rrugës së Drejtë, njëlloj siç është një udhëkryq për udhëtarët nga drejtime të ndryshme. Kur shfaqeshin polemika të më të shumëllojshmet, Aishja ishte arbitri që gjente zgjidhje të menjëhershme. Ajo ishte një korrektuese dinjitoze për gabimet në çështjet fetare që dolën në pah më vonë, dhe njëkohësisht një shembull i vendosmërisë dhe i durimit në rrugën e drejtë të Islamit.
Kudo ku ajo shkonte, ai vend fitonte gjallërim. Njerëzit që hynin në ambientet e saj, ndjenin se ndriçoheshin veçanërisht nga drita e shpalljes dhe ktheheshin të mbushur me ekzaltim dhe gjallëri, njëlloj sikur të kishin vizituar të Dërguarin e Zotit (s.a.s.). Askush nga ata që trokitën në portën e saj për të gjetur zgjidhjen e ndonjë problemi nuk ndodhi që të kthehej pa marrë më parë një përgjigje të pëlqyeshme. Ajo e zgjidhte çdo çështje të sajën thuajse menjëherë nëpërmjet ilaçeve të Kuranit Famëlartë, si dhe gjente zgjidhje për problemet e të tjerëve drejtpërdrejt, po nga Kurani dhe nga Suneti i Profetit tonë të Dashur (s.a.s.). Në çështje të tjera, ajo vlerësonte, krahasonte dhe interpretonte mbi bazën e njohurive të shumta që ajo vetë kishte në fushën e fesë.
Aishja ishte nëna e të gjithë besimtarëve. Ndër gjërat që erdhën deri në ditët tona prej saj, kishte informacion të atillë, që nëse nuk do të ishte ajo, do të ishte zhdukur, sepse normalisht do të mbetej si pjesë e parrëfyer private në mes të bashkëshortëve. Prapa dyerve të mbyllura, ajo shtroi për diskutim çështjet më intime të të Dërguarit të Zotit, njëlloj sikur të hidhte një unazë të jetës për ne. Aishja është duke i riftuar njerëzit e ndërgjegjes në Rrugën e Drejtë të Islamit. Shpresojmë se ky libër që ndodhet në duart tuaja, të shërbejë si një ftesë, dhe një mjet afrimi drejt veprave më të mira...