Aishja0%

DASHURIA E SAJ PËR TË DËRGUARIN E ALLAHUT

Aishja e donte shumë të Dërguarin e Zotit. Ai ishte robi më i dashur i Allahut, dhe Allahu u kishte kërkuar robërve e Tij që ta duan të Dërguarin e Tij besnik: “Thuaj: nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’ju dojë e t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu fal shumë, mëshiron shumë.”

Aishja e ka dashur thellësisht të Dërguarin e Zotit dhe ndjente dashuri të fortë ndaj Tij. Ajo nuk ishte e gatshme të ndante kohën e saj për të Dërguarin e Zotit me të tjerët dhe synonte të kalonte të gjithë kohën që kishte në dispozicion vetëm me Të. Megjithatë Ai ishte i Dërguari dhe Profeti i të gjithëve. I Dërguari i Zotit kërkonte të arrinte tek të gjithë njerëzit, edhe ata që kishin qenë të paarritshëm, dhe kishte për qëllim të hapte dyert në të cilat askush nuk kishte hyrë më parë. Martesat e tij të mëvonshme ndoshta kanë ndodhur posaçërisht për këtë arsye. Aishja e kishte kuptuar me kohë këtë fakt. Njerëzit ishin rreshtuar të sakrifikonin jetën e tyre për hir të misionit të Tij. Ata i ishin përkushtuar Atij, dhe përkushtimi i tyre bëri që Aishja të rrinte në ankth. Ankthi i saj vazhdoi derisa u shpall ajeti në vijim: “…ti je i lirë të lëshosh atë që do prej tyre dhe të mbash pranë vetes atë që do, e edhe të kërkosh afrimin e asaj nga e cila ke qenë larguar, dhe në këtë nuk ke mëkat”

Pas shpalljes së këtij ajeti, ajo u iu drejtua të Dërguarit të Allahut dhe i tha:

“Me sa po shoh, Allahu të dhuron gjithmonë atë që të dëshiron zemra.”

Rasti i saj ishte një pasqyrim i dashurisë, një shprehje e intimitetit. Ajo donte të ishte me të gjatë gjithë kohës, por kushtet nuk e lejonin këtë dhe përsëri ishte ajo që bëri sakrificën. Çdo bashkëshorte e të Dërguarit të Zotit ia merrte një ditë burrin e saj duke e lënë Atë larg prej saj. I Dërguari i Zotit hartoi një kalendar për gratë e tij dhe i ndante ditët në mënyrë të barabartë midis tyre. Ndërsa më parë kishte pasur mundësi që të ishte me Të mjaft shpesh, tani radha e saj vinte vetëm çdo nëntë ditë.

I Dërguari i Allahut nuk ndryshoi qëndrim edhe pasi u shpallën këto ajete. Edhe nëse Ai kishte ndonjë dëshirë të shmangej nga kalendari që kishte përcaktuar, gjithmonë do t’i kërkonte leje për këtë grave të veta. Aishja e theksonte së tepërmi këtë pikë kur bënte analizën e qëndrimeve të të Dërguarit të Allahut:

“I Dërguari i Allahut vazhdonte të na kërkonte leje për ndryshimet në orar edhe pasi u shpall ajeti: ‘…ti je i lirë të lëshosh atë që do prej tyre dhe të mbash pranë vetes atë që do, e edhe të të kërkosh afrimin e asaj nga e cila ke qenë larguar, dhe nuk ke mëkat’.”

Aishja, në ditën e saj, kërkonte të shpenzonte të gjithë kohën e saj me të Dërguarin e Zotit dhe ishte mjaft e ndjeshme ndaj çdo gjëje që ndërhynte në qëndrimin e tyre bashkë. Një natë, ajo u zgjua dhe kuptoi se i Dërguari i Zotit nuk ishte me të. Meqë nuk kishte asnjë dritë, Aishja nuk ishte në gjendje të shikonte përreth. Ajo ishte e merakosur se mos Ai e kishte lënë atë për të vizituar ndonjë nga gratë e tjera të Tij. Ajo preku përreth me shqetësim. Pasi dora e saj preku njërën nga këmbët e Tij, ajo u çlirua kur pa se Ai ishte në sexhde. Ajo u qetësua dhe mori frymë thellë. I Dërguari i Zotit nuk e kishte lënë atë, Ai ishte duke qarë, dhe po i lutej Zotit në cepin tjetër të dhomës. Aishja u prek kur dëgjoi lutjet e tij të sinqerta:

“O Zot, kërkoj strehë në kënaqësinë Tënde nga zemërimi Yt, dhe në faljen Tënde nga ndëshkimi Yt, unë gjithashtu mbështetem në veten Tënde prej Teje. Unë nuk mund të të lavdëroj Ty siç e lavdëron Ti vetveten.”

Aishja u turpërua nga meraku i saj dhe duke u kthyer nga i Dërguari i Allahut, tha:

“T’u bëfshin kurban prindërit e mi! Si arrita të mendoj ashtu për Ty ndërkohë që Ti paske qenë i zënë me këtë punë?”

Aishja u përball me të njëjtën situatë një tjetër ditë. Kur i Dërguari i Zotit ishte duke shkuar në shtrat, ai i vendosi sandalet pranë vetes dhe i vari rrobat në një vend të afërt, sikur të donte të ngrihej dhe të ikte menjëherë. Normalisht, Ai merrte përherë leje nga gratë e Tij edhe për të falur namazin e natës, duke pasur parasysh se të drejtat e të tjerëve mbi Të, Ai i konsideronte si thelbësore. Ai ishte duke vepruar ndryshe atë ditë dhe Aishja nuk e kuptonte pse, dhe kështu ajo nisi të dyshonte. Ai filloi të pushonte.

Pas kishte kaluar ca kohë, i Dërguari i Zotit u ngrit ngadalë nga shtrati i Tij. Ai ecte në heshtje dhe kaloi vjedhurazi mbi Aishen, në mënyrë që të mos e zgjonte. Por Aishja nuk ishte duke fjetur; ajo po e shikonte atë me kureshtje. I Dërguari i Zotit veshi sandalet dhe rrobat e Tij me lëvizje të kujdesshme, pastaj hapi derën dhe u largua. Aishja u mërzit ngaqë i Dërguari i Zotit e kishte lënë vetëm.

Ajo u ngrit menjëherë dhe mbuloi fytyrën me vellon e saj. Pastaj filloi të ndiqte të Dërguarin e Zotit. Ai shkoi në varrezat e Medinës, ngriti pëllëmbët e Tij drejt qiellit dhe filloi të lutej me ofshamë. Kur krahët iu lodhën, Ai i uli ato, dhe pastaj pak më vonë, i ngriti sërish dhe vazhdoi të lutej.

Pastaj erdhi koha të largohej nga varrezat për t’u kthyer në shtëpi. Aishja nisi të ecte shpejt në mënyrë që të fshihej. Kur i Dërguari i Zotit ecte shpejt, ashtu bënte edhe ajo. Kur Ai ecte edhe më shpejt, Aishja vraponte.

Ajo mbërriti në shtëpi përpara të Dërguarit të Zotit, por kishte mbetur pa frymë. U shtri menjëherë duke u përpjekur të hiqej sikur nuk kishte dalë nga dhoma.

Por, kur i Dërguari i Allahut erdhi menjëherë pas saj, vuri re shqetësimin e saj dhe e pyeti: “Çfarë të ka ndodhur, o Aishe?” “Asgjë.”, - u përgjigj ajo.

Meqenëse i Dërguari i Allahut e njihte mirë, e pyeti përsëri:

“A do të ma thuash vetë apo të ma thotë Allahu i Gjithëdijshëm dhe i Plotfuqishëm?”

Zemra e saj regëtiu. Duke u kthyer nga i Dërguari i Allahut, ajo tha:

“O i Dërguari i Allahut, prindërit e mi të qofshin fli.”

Kjo ishte një mënyrë e tërthortë për të rrëfyer gabimin e saj. I Dërguari i Allahut e pyeti:

“A ishe ti ajo silueta e paqartë që pashë para meje, ndërsa isha duke ecur?”

“Po “, - rrëfeu ajo.

Këto incidente i treguan asaj se i Dërguari i Zotit ishte larg çdo të mete, kështu që nuk ia vlente të shqetësohej më për asgjë.

Dashuria e saj për Të ishte aq e thellë, saqë ajo nuk mund të lejonte asgjë negative të thuhej rreth Tij. Një ditë, dikush i tha:

“Vdeksh më mirë.”

Kur Aishja e dëgjoi, u ngrit menjëherë dhe iu përgjigj:

“Ti ia uron vdekjen të Dërguarit të Allahut? Përkundrazi, Allahu të mallkoftë dhe të sjelltë vdekjen.”

I Dërguari i Zotit e kuptonte ndjeshmërinë e saj dhe e vlerësonte gjestin bujar në fjalët e saj, por si profet, ai duhet t’i merrte në konsideratë të gjithë njerëzit si besimtarë të mundshëm. Mungesa e mirësjelljes e besimtarit potencial nuk duhet të shpërblehej me të njëjtën monedhë. Pra, i Dërguari i Zotit e qortoi Aishen dhe i tha:

“Qetësohu , o Aishe! Zoti i Plotfuqishëm është më i Buti dhe Ai na do që të jemi të tillë në të gjitha çështjet. Ai nuk i dhuron bekimet e

Tij për ata që veprojnë pa mirësi.”

Aishja nuk ishte në gjendje të thoshte gënjeshtra në qoftë se dikush e pyeste për diçka. Nëpërmjet rrëfimit të dëshirës së brendshme për të mos qenë asnjëherë larg nga Profeti, ajo tregon se nuk mund të kishte vepruar ndryshe.

Kur i Dërguari i Zotit ishte duke u përgatitur për një ekspeditë

ushtarake, ai hodhi short për të përzgjedhur se cila mes grave të tij do ta shoqëronte. Në fund, u përzgjodhën Hafsaja dhe Aishja. Udhëtimi i tyre filloi dhe ata ecën shumë në ditën e tyre të parë. Kur ra nata dhe ata po bënin një pushim, i Dërguari i Zotit u ul dhe filloi të bisedonte me Aishen. Hafsaja mendoi se kjo do të thoshte se natën e parë ai nuk do të ishte i saji, por i Aishes.

Pasi kishte kaluar ca kohë, Hafsaja iu afrua Aishes dhe i sugjeroi:

“Ti hip tek deveja ime dhe unë po hip në tënden, dhe po shohim se çfarë do të bëjë i Dërguari i Allahut.”

Ngjante si një lojë e këndshme. Aishja ishte e sigurt se i Dërguari i Allahut do të zgjidhte devenë e saj, por ajo nuk dëshironte t’ia prishte shoqes dhe pranoi.

Kur ushtria po bëhej gati të nisej, i Dërguari i Allahut shkoi tek deveja e Aishes në pjesën e mbuluar të së cilës në vend të Aishes, ndodhej Hafsaja. Kështu, Aishja e cila e kishte marrë mesazhin e vlerës së madhe që kishte në zemrën e Profetit, tani ishte e detyruar të privohej nga të qëndruarit me Të.

Ajo i kishte thënë ‘po’, kësaj loje, por nuk e kishte të lehtë të pranonte përfundimin e saj. I Dërguari i Allahut e kishte zgjedhur, por ajo nuk ishte me Të. Ajo e ndjeu veten të mjerë dhe nuk dinte se si të vepronte. Duke goditur barin me këmbë, ajo ndjeu keqardhje për veten dhe iu lut Allahut:

“O Zoti im, dërgoje një gjarpër të më kafshojë! I Dërguari i Allahut po largohet dhe unë nuk jam në gjendje t’i them Atij asgjë.”

Në sytë e Aishes, burri i saj ishte më i pashëm se Profetit Jusuf (a.s.), të cilin pasi gratë e kishin parë, nga magjepsja kishin prerë gishtat pa e vënë re. Ajo besonte se nëse ato gra do ta kishin parë Profetin Muhamed paqja dhe bekimi qofshin mbi Të, ato në vend të gishtave do të kishin ngulur thikat në gjoks.

Brenda shtëpisë së tyre të ngrohtë plot dashuri të ndërsjellë, nuk ekzistonte as edhe problemi më i vogël që mund të dëmtonte marrëdhëniet e tyre. Çdo ditë që kalonte e rriste dashurinë e tyre dhe çdo incident shërbente për të ushqyer dashurinë e tyre për njëritjetrin. As Aishja nuk abuzoi kurrë me dashurinë e Tij, as i Dërguari i Zotit nuk e ndjeu kurrë nevojën për të marrë masa të caktuara ndaj saj. Kjo ishte sjellja e përgjithshme e Profetit dhe, edhe dashuria e Tij me gratë e tjera ishte e ngjashme. Ai i kuptonte dëshirat e tyre para se ato t’i shprehnin, dhe i përmbushte kërkesat e tyre siç kishte bërë gjithmonë. Aishja ka thënë:

“ I Dërguari i Zotit nuk e ka goditur kurrë një grua me dorën e Tij, shërbëtor apo dikë tjetër.”

Dashuria e saj për Profetin vazhdoi edhe pas vdekjes së tij. Nëna e besimtarëve, e cila vazhdoi të ruante stilin modest të jetesës që e kishte pasur me Profetin edhe pas vdekjes së tij, reagonte kundër çdokujt që sillte orendi në shtëpinë e saj dhe e mbajti përherë veten larg prej të mirave materiale. Ata të cilët e shihnin atë si nënë të besimtarëve, garonin me njëri-tjetrin kush t’i sillte sa më shumë ndihma ndërsa ajo ua shpërndante të varfërve të gjitha ato që njerëzit i kishin sjellë për të; në shumicën e rasteve pa mbajtur asgjë për vete. Fillimisht, Aishja kishte pasur ndër mend t’i kthente mbrapsht të gjitha dhuratat që ishin të destinuara për të, por një frazë që e kishte dëgjuar nga i Dërguari i Allahut e bëri atë të mos ishte në gjendje t’i kthente ato, ndaj ishte e detyruar t’i pranonte të gjitha ato çfarë i ofroheshin.

Një ditë, delegati i Abdullah ibn Amrit erdhi t’i sillte ushqim dhe veshje Aishes. Ajo iu drejtua atij dhe i tha:

“O bir i dashur! Unë nuk pranoj asgjë nga askush.”

Ajo ia ktheu mbrapsht dhuratat. Edhe pse ai ishte thjesht një korrier, u prek. Qëllimi i tij i vetëm ishte thjesht të bënte një mirësi, sepse kur i jepnin diçka Aishes, iu dukej sikur ia jepnin të Dërguarit të Allahut. Ata e respektonin atë si nënën e tyre dhe dëshironin t’ia plotësonin nevojat, por ky ishte vullneti i saj. Korrieri e ndjeu veten të dëshpëruar gjatë rrugës për tek Abdullahu, duke u shqetësuar se çfarë do të mendonte ai se kishte ndodhur.

Në të njëjtën kohë, Aishja po reflektonte në lidhje me veprimin e saj. E zhytur në mendime të thella ajo trembej se mos kishte vepruar në kundërshtim me të Dërguarin e Allahut. Me vrull u kthye dhe u tha atyre që kishte afër:

“Thirreni përsëri!”

Kur ata e arritën, korrieri u shokua. Ai u rikthye tek shtëpia e Aishes plot ankth, duke mos e pasur idenë se çfarë mund t’i thoshte ajo.

Zemërimi i mëparshëm i Aishes ishte zhdukur si të ishte marrë me vete nga një puhizë deti. Ajo i foli në mënyrën më njerëzore të mundshme:

“Unë mbaj mend diçka që më pat thënë i Dërguari i Allahut. Ai njëherë më tha: ‘O Aishe, nëse dikush të jep diçka pa ia kërkuar, mos ia kthe kurrë, sepse ai është bekim nga Allahu që të ofrohet ty!’”

Kuptimi i hadithit ishte i qartë, dhe korrieri u kthye me buzëqeshje.

Dashuria e Profetit

Dashuria që Aishja kishte për Profetin nuk ishte e njëanshme. I Dërguari i Allahut, i Cili përbënte një shembull për shoqërinë në çdo çështje, e donte jashtëzakonisht Aishen. Ashtu siç bëri në çdo fushë të jetës, Profeti i Allahut ka jetuar me përsosmëri edhe në aspektin e marrëdhënieve familjare. Ai ka thënë:

“Më i miri ndër ju është ai i cili sillet më mirë me familjen e tij. Unë jam i pari në këtë gjë.”

Baza e kësaj ishte dashuria e ndërsjellë. I Dërguari i Zotit e shfaqte hapur dashurinë që ushqente ndaj Aishes, duke e bërë më se të qartë edhe për të tjerët. Sigurisht, Profeti përfaqësonte drejtësinë, por dashuria nuk mund të kufizohet me vullnetin e njeriut. Dashuria e Tij për Aishen ishte një pasqyrim i pastër i vetë natyrës njerëzore. Ai kurrë nuk diskriminoi ndonjërën prej grave; ai kujdesej në mënyrë të barabartë për dispozitat e secilës, dhe u soll me mirësi ndaj tyre. Pasi kalonte nga një ditë me çdo grua, i Dërguari i Zotit i drejtohej Zotit dhe i lutej Atij për të zhdukur çdo mangësi që mund të shfaqej nga mosbarazia e ndjenjave të Tij:

“O Zoti im! Ky është ekuilibri që mund të mbaj unë; mos më gjyko me anën e balancës Tënde, sepse unë nuk jam në gjendje ta mbaj atë siç duhet.”

Kjo lutje kishte të bënte me Aishen. I Dërguari i Allahut kishte një intimitet të veçantë me të në krahasim me lidhjet e Tij të tjera. I Dërguari i Allahut, i cili ishte më i ndjeshmi i njerëzve, dëshironte të ishte plotësisht i drejtë, por kërkonte strehë tek Allahu i Gjithëmëshirshëm për ndonjë padrejtësi që mund të ndodhte. Ishte një shpallje ajo që hodhi dritë mbi këtë çështje:

“Ju kurrsesi nuk mund ta mbani drejtësinë mes grave edhe nëse përpiqeni, pra mos anoni plotësisht nga njëra dhe ta lini tjetrën si të varur. E nëse përmirësoheni dhe ruheni, Allahu ju fal dhe ju mëshiron”.

Disa sahabë filluan ta quanin Aishen “e dashura e të Dërguarit të Zotit.” Kur diçka negative për Aishen u tha në prani të Amar ibni Jasirit, ai u zemërua dhe bërtiti:

“Si mund të flisni keq për të ‹dashurën e të Dërguarit të Zotit’ dhe ta lëndoni atë?” Amari e urdhëroi personin që kishte thënë këtë vërejtje t’i zhdukej nga sytë. Dashuria e tyre për njëri-tjetrin ishte aq e qartë, saqë sahabët parapëlqenin t’i jepnin Atij dhurata në ditët që i Dërguari i Zotit ishte me Aishen, sepse buzëqeshja në fytyrën e Tij ishte më e veçantë në ato ditë.

Kjo ishte një situatë mjaft e qartë dhe në mënyrë që të shmangeshin problemet, të gjithë e paralajmëronin dhe përpiqeshin për të ndihmuar njëri-tjetrin. Një ditë, Omeri e këshilloi vajzën e tij, Hafsën:

“Bija ime e dashur! Unë shpresoj që gjendja e shoqes tënde mos të të shtyjë në ndonjë gabim, duke qenë se ajo është më e këndshme dhe e dashur sesa Ti për të Dërguarin e Allahut.”

Omeri po përpiqej ta ndërgjegjësonte të bijën për statusin e veçantë të Aishes, dhe duke i dalë punës përpara, po e paralajmëronte të mos mundohej të konkurronte me të.

Një fqinj i tyre pers gatuante një supë shumë të shijshme dhe një ditë, ai e ftoi të Dërguarin e Zotit për drekë. I Dërguari i Zotit kurrë nuk mendonte ta pranonte ftesën vetëm për vete, dhe kërkoi të merrte edhe Aishen, e cila po vuante shumë nga uria. Duke i treguar me dorë Aishen, i Dërguari i Allahut e pyeti:

“A e fton edhe atë?”

Burri u përgjigj negativisht. Ndoshta ai kishte vetëm një sasi të vogël supe për të ngrënë ose ndoshta ai nuk e kuptoi se Profeti donte që ai të ftonte Aishen. Kështu që, Profeti iu përgjigj negativisht ftesës.

Pas pak, burri u kthye dhe e përsëriti ftesën e Tij. I Dërguari i Allahut bëri me gisht nga Aishja dhe e pyeti:

“A e fton edhe atë?”

Përsëri, burri i tha jo, dhe përsëri, i Dërguari i Zotit iu përgjigj ftesës negativisht.

Së fundi, burri erdhi për herë të tretë dhe e përsëriti ftesën e Tij përsëri. Përfundimisht, ai njeri e kuptoi se i Dërguari i Zotit nuk dëshironte të merrte pjesë pa Aishen. Kështu ai u përgjigj pozitivisht, ndaj i Dërguari i Zotit dhe Aishja shkuan së bashku në shtëpinë e persianit.

Dashuria mes Aishes dhe Profetit ishte aq e qartë saqë njerëzit i dërgonin atij Aishen për të harruar konfliktet dhe për ta bëjnë atë të lumtur përsëri. Një ditë Safija e mori Aishen mënjanë dhe i tha:

“O Aishe, a mund ta bësh të kënaqur të Dërguarin e Zotit? Nëse mundesh, unë do të ta jap ditën time.”

Aishja u përgjigj pozitivisht dhe pastaj shkoi dhe u ul pranë të Dërguarit të Zotit. Duke e ditur se kjo ditë nuk ishte e saj dhe se ai kurrë nuk e ndryshonte orarin, e shihte ardhjen e Aishes të çuditshme dhe i tha të shkonte në dhomën e saj.

Që nga momenti kur Ai e kishte filluar bisedën, ajo vazhdonte t’i përsëriste fjalët: “O i Dërguari i Zotit, ky është një bekim që më është dhuruar nga Allahu me atë që Ai e do më së shumti.”

Ajo kishte arritur të fitonte vëmendjen e pandërprerë të të Dërguarit të Zotit. Aishja i bëri të Dërguarit të Zotit një përshkrim të hollësishëm të bisedës që ajo kishte bërë me Safijen, duke e ndarë me të pikëllimin që kishte ndjerë kjo e fundit. Kjo ishte një përpjekje për paqe, dhe ndjeshmëria e Aishes e kënaqi të Dërguarin e Zotit. Qetësia që Ai ndjeu brenda vetes iu reflektua në fytyrë.

Gjatë një udhëtimi së bashku, deveja e Aishes ngatërroi rrugën dhe

u largua nga të tjerët, duke humbur në një vend të quajtur Harra. I Dërguari i Allahut u kaplua prej ankthit, kështu që, të gjithë filluar të kërkonin menjëherë për të. Me shqetësimin e humbjes së një njeriu të afërt nën kujdesin e Tij, Ai thirri, “ue arusah”, një shprehje trishtimi e cila përdorej kur dikush humbiste gruan.

Një herë tjetër, një sahab i njohur, Amr ibni Asi, erdhi dhe e pyeti të Dërguarin e Zotit:

“Kë do më shumë nga njerëzit?”

Ai shpresonte të verifikonte rëndësinë e vet në sytë e të Dërguarit të Zotit, e saora priste që të dëgjonte emrin e tij. Por i Dërguari i Zotit, pa hezitim, u përgjigj:

“Aishen.”

Amr ibni Asi vazhdoi ta pyeste duke pritur të dëgjonte emrin e tij ndaj i tha përsëri: “Po nga burrat?” Ai u përgjigj:

“Babanë e saj.”

Amr ibni Asi e kuptoi se ai nuk ishte prioriteti kryesor i Profetit, dhe se të pyeturit e mëtejshëm do të ishte diçka e rrezikshme. Duke llogaritur edhe mundësinë që ai mund të ishte ndër të fundit, Amr ibni Asi hoqi dori dorë nga pyetjet e mëtejshme të kësaj natyre.

Ngjarjet e dëshmuara nga të gjithë ishin të ngulitura në kujtesën e tyre; çdo preferencë e të Dërguarit të Zotit bënte që njerëzit ta duan atë edhe më shumë. Kur ai shkoi në një ekspeditë dhe qëndroi larg nga gratë e Tij për rreth një muaj, kur u kthye, ai shkoi fillimisht në shtëpinë Aishes.

Po kështu, i Dërguari i Allahut kërkoi edhe opinionin e Aishes gjatë rastit kur Profeti iu la të drejtën bashkëshorteve të Tij të zgjidhnin të vazhdonin të jetonin me Të një jetë modeste, ose të divorcoheshin dhe të kërkonin të mirat e kësaj bote gjetiu.

Kur myslimanët e Medinës filluan të dalin nga varfëria nga e cila kishin vuajtur për vite, disa prej grave të tij (të cilat ishin katër në atë kohë) e pyetën: “a mund të jetojmë më mirë edhe ne ashtu sikurse myslimanët e tjerë?” I Dërguari reagoi ndaj kërkesës së tyre duke shkuar në izolim. Ai justifikohej me vete, duke thënë: “Unë nuk mund ta përballoj atë që duan ato.” I Dërguari i Allahut i kishte përgatitur ato të ishin shembull për të gjitha gratë e atëhershme dhe të ardhshme myslimane. Ai ishte i shqetësuar veçanërisht për faktin se ato mund t’i konsumonin shpërblimet për veprat e tyre të mira qysh në këtë botë, dhe në këtë mënyrë të ishin të përfshira në ajetin:

“E në ditën kur ata që nuk besuan paraqiten pranë zjarrit (e u thonë): ju i shfrytëzuat të mirat në jetën e dynjasë dhe i përjetuat ato, sot për shkak se keni bërë mendjemadhësi në tokë pa të drejtë dhe për shkak se nuk respektuat urdhrat e Zotit, do të shpërbleheni me dënimin nënçmues.”

Kështu, këto gra të veçanta janë vënë përpara një sprove të madhe. Profeti i ka lejuar ato të zgjedhin mes shtëpisë e Tij të varfër dhe botës luksoze. Nëse ato do të zgjidhnin këtë botë, ai do t’u jepte atyre aq sa Ai mund të përballonte dhe pastaj do të prishte martesën me to. Nëse ato zgjidhnin Zotin dhe të Dërguarin e Tij, atëherë ato duhet të ishin të kënaqura me jetesën e tyre. Kjo ishte veçantia e familjes së Tij. Meqenëse kjo familje ishte unike, edhe anëtarët e saj duhej të ishin të pashoqë. Kreu i familjes ishte zgjedhur, ashtu siç ishin të zgjedhur edhe gratë me fëmijët. Kështu, i Dërguari më parë thirri Aishen dhe i tha: “Unë dua të diskutoj diçka me ty. Është mirë që të flasësh me prindërit tuaj para se të marrësh një vendim.” Pastaj i recitoi asaj ajetin e mëposhtëm:

“O ti Profet, thuaju grave tuaja: ‘Në qoftë se lakmoni jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj, atëherë ejani: unë po ju jap furnizimin dhe po ju lëshoj ashtu si është e udhës. E në qoftë se e doni Allahun, të Dërguarin e Tij dhe botën tjetër, atëherë të jeni të sigurta se Allahu ka përgatitur shpërblim të madh për ato prej jush që bëjnë punë të mira.’”

Vendimi i Aishes ishte pikërisht ai që mund të pritej nga e bija besnike e një babai besnik: “O i Dërguari i Zotit, a kam nevojë të flas me prindërit e mi? Për Zotin, unë zgjedh Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” Aishja vetë na tregon se çfarë ndodhi më tej: “I Dërguari mori të njëjtën përgjigje nga të gjitha gratë e tij. Askush nuk shprehu një mendim të ndryshëm. Të gjitha ato thanë atë që kisha thënë unë.”

Fatimja ia shpjegoi vetëm Aishes një sekret të cilin i Dërguari i Zotit ia kishte rrëfyer asaj para se ai të ndërronte jetë.85

Të gjitha këto incidente bërë që shoqëria të ishte më e kujdesshme kur kishte të bënte me Aishen. Preferenca e tij do të vazhdonte deri ditën që ai vdiq. Në ditën kur filloi sëmundja e tij fatale, ai pyeti:

“Me kë do të jem tani? Me kë do të jem nesër?” dhe me sy shprehte dëshirën që të ishte me Aishen gjatë sëmundjes së tij. Kjo ishte prova e fundit e intimitetit të tij me Aishen të cilin ajo do ta përshkruante me këto fjalë:

“Ai vdiq ditën në të cilën ishte radha ime të rrija me Të. Allahu e mori shpirtin e tij kur e kishte kokën të mbështetur në prehrin tim.”

Duke pasur parasysh gjithë sa thamë, Enes ibn Maliku ka thënë se dashuria e parë e madhe në Islam ka qenë dashuria e të Dërguarit të Zotit për Aishen. Kur imam Masruku rrëfen një hadith të transmetuar nga Aishja, ai do të shprehej:

Kjo më është rrëfyer nga një njeri i dashur, nga më e dashura e Allahut dhe nga gruaja, dëlirësia e së cilës është vërtetuar nga shpallja hyjnore, dhe e cila ishte vajza më besnike e njeriut më besnik.”

Arsyeja e vërtetë e kësaj dashurie

Askush nuk mund të mos mahnitet nga arsyet përse Profeti ndiente një dashuri kaq të madhe për Aishen në krahasim me bashkëshortet e tjera të Tij. Së pari, i Dërguari i Allahut gjithmonë iu rikujtonte të tjerëve se Aishja ishte vajza e shokut të Tij më të ngushtë. Pa dyshim Aishja ishte një femër tërheqëse. E ëma, Umu Rumani njëherë e ngushëlloi kur ajo ishte e mërzitur me fjalët:

“Ki pak durim! Allahu do të japë qetësi. Betohem në Allahun se nuk ka asnjë femër tjetër që të jetë kaq e bukur sa ti dhe që ta dojë burri kaq shumë sa ty, që të ketë marrëdhënie kaq të mira me gratë e tjera të tij dhe që të mos ketë synime për intriga mes tyre. Për një grua si ti, normalisht që shpifet shpesh!”

Ky ishte sikurse paralajmërimi që Omeri i kishte dhënë bijës së tij, Hafsës, që kurrë nuk duhej të konkurronte me Aishen, ose ta mërziste atë. Ai ishte rezultat i së njëjtës ndjeshmëri ndaj Aishes, e cila zinte një vend të veçantë në zemrën e të Dërguarit të Zotit.

Kur rrëfimet analizohen gjerësisht, nxjerrim se shkaku i dashurisë së tejskajshme të Profetit për Të ishte devotshmëria e saj në fe. Aishja e ka udhëhequr familjen e saj me madhështi dhe dituri, ndaj ishte një mësuese e shquar e anëtarëve të familjes së Profetit.

Ndërsa kishte shumë dëshmitarë të sjelljes publike të të Dërguarit të Allahut, Aishja i ka parë të dy aspektet e tij, si publike, ashtu edhe private. Ajo u bë interpretuesja më e rëndësishme e Kuranit, dhe mësuesja kryesore e hadithit, duke u bërë ndër transmetueset kryesore të fesë islame. I Dërguari i Zotit i këshillonte myslimanët që t’i mësonin prej saj detajet e fesë. Në një hadith të transmetuar nga Aishja, i Dërguari i Zotit thotë: “Me një grua martohesh për tri gjëra: për pasurinë e saj, bukurinë dhe fenë e saj. Megjithatë, ju duhet të preferoni aspektin fetar, në mënyrë që të mund të arrini qetësinë.”91

I Dërguari i Zotit e praktikonte më parë vetë diçka, pastaj ua këshillonte të tjerëve atë që njerëzit duhet të bënin në çdo situatë.

Disa prej grave të tjera të Tij ishin të njohura edhe për bukurinë e tyre. Pra në mënyrë të qartë, dashuria e Tij e veçantë për Aishen nuk mund të shpjegohet vetëm nga bukuria. Bukuria e tyre na është transmetuar nga Aishja vetë. Për shembull, kur Aishja e pa Xhuvejrijen gjatë Luftës së Beni Mustalikut, bukuria e saj i tërhoqi vëmendjen, e atë saora e zuri një ndjesi ankthi. Aishja ka thënë:

“Ajo ishte një grua shumë e bukur dhe e këndshme, me një pamje tërheqëse. Ajo erdhi dhe e pyeti të Dërguarin e Zotit, teksa ishte me mua, për deklaratën që do t’i jepte asaj lirinë. Betohem se kur e kam parë për herë të parë, pata një lloj frike dhe meraku rreth çastit kur ajo do të shkonte tek i Dërguari i Allahut.”

Aishja pati një ndjesi të ngjashme meraku kur pa për herë të parë Safijen. Safija, e cila erdhi në Medinë pas marrjes së Hajberit dhe qëndroi si mysafire në shtëpinë e Harithe ibni Numanit, tërhoqi menjëherë vëmendjen e grave të ensarëve, andaj nuk ngeli asnjëra prej tyre pa rendur për ta parë. Me fytyrë të mbuluar, edhe Aishja shkoi ta shihte. Pak pasi doli Aishja, edhe i Dërguari i Allahut doli nga shtëpia. E ndërsa i Dërguari i Allahut kishte planifikuar të martohej me Safijen, në mënyrë që të bënte për vete një numër të madh njerëzish me të cilët deri atëherë kishte luftuar, ai nuk donte as të lëndonte gratë e Tij. Ai erdhi tek Aishja dhe e pyeti:

“Si t’u duk o Aishe?”

Ai e kuptoi menjëherë se ajo nuk ishte e kënaqur me këtë gjendje. Safija kishte jetuar mes njerëzve të cilët i kishin bërë sahabët dhe të Dërguarin e Allahut të vuanin deri atë ditë. Tani asaj do t’i duhej të jetonte me një person nga Hajberi, me të cilin kishin luftuar për vite me radhë dhe që kishte qendër e shumë mizorive. Ajo iu përgjigj:

“Pashë një çifute.”

Në mënyrë që në të ardhmen të shmangte probleme të ngjashme, të cilat buronin nga e shkuara, u pa e nevojshme të mendohej dhe të sillej ndryshe. Cilatdo që të ishin mendimet apo veprimet e një grupi njerëzish, nuk ishte e drejtë që individët të gjykoheshin për shkak të veprimeve dhe qëndrimeve të të tjerëve. Ashtu siç ka në çdo shoqëri njerëz të mirë dhe të virtytshëm, gjithashtu ka edhe njerëz të privuar nga këto vlera. Në fund të fundit, të gjithë ishin pasardhësit e Ademit. Ishte e nevojshme të bëhej një pastrim rrënjësor i paragjykimeve të së shkuarës. Mirësia sjell mirësi dhe butësia zbut në fund edhe zemrat më të ashpra, ashtu siç rimarrin formë gurët nga forca e ujit të rrjedhshëm. Çdo incident ishte një mundësi progresi në gjirin e sahabeve dhe nënave të besimtarëve. Duke iu kthyer Aishes me një ton të dhembshur, i Dërguari i Allahut tha:

“O Aishe mos fol ashtu. Ajo u bë myslimane dhe konvertimi i saj ishte një gjë e mrekullueshme.”

Aishja ishte e veçantë në të gjitha aspektet. Ajo ishte krijuar enkas për të përmbushur këtë mision në shtëpinë e Profetit. Ajo e pa Xhebrailin (a.s.) dy herë dhe ka marrë disa herë përgëzime nga ai me anë të Profetit. Shpallja ka ardhur vetëm në dy forma: ose kur i Dërguari i Zotit ishte vetëm, ose kur ai ishte me Aishen në dhomën e saj. Duke pasur parasysh statusin e të Dërguarit të Zotit dhe faktin se Ai ishte paracaktuar nga Zoti për të publikuar shpalljen, është e mundur që baza e dashurisë së tyre të ishte Hyjnore. Ne nuk duhet të mohojmë rolin e saj në kohën e të Dërguarit të Allahut, ose në periudhën pas vdekjes së Tij. Aishja ishte kaq e paçmuar për të Dërguarin e Zotit, saqë njëherë ka thënë:

“Ka shumë burra që e kanë arritur përsosmërinë shpirtërore, megjithatë asnjë grua përveç Merjemit, bijës së Imranit, dhe gruas së Faraonit, Asijes, nuk arritën dot në këtë gradë. Superioriteti i virtyteve të Aishes me femrat e tjera është si superioriteti i mishit ndaj ushqimeve të tjera.

Aishja brenda shtëpisë

Shtëpia e lumturisë ishte një vend i qetësisë dhe i dashurisë së ndërsjellë. Në këtë shtëpi, ka pasur një lidhje të fuqishme ngritur mbi themelet e sakrificës. Marrëdhëniet nuk ekzistonin vetëm në kontekstin e të tashmes dhe të së ardhmes, por merrnin në konsideratë udhëtimin drejt jetës së përjetshme.

Në shtëpinë e saj, Aishja sakrifikoi veten për të përmbushur çdo dëshirë të të Dërguarit të Zotit paqja qoftë mbi Të. Bindja e saj ishte bindje absolute; ajo ishte e kënaqur vetëm në përmbushjen e dëshirave të Tij, dhe në të njëjtën kohë, u përpoq të parashikonte ndjenjat e Tij para se Ai t’i shfaqte ato. Ajo vazhdoi të bëjë këtë edhe pas vdekjes së Tij, deri në frymën e saj të fundit. Aishja vlerësonte çdo hap të saj para se ajo ta ndërmerrte dhe merrte vendime në bazë të asaj që ajo e dinte prej Tij. Një ditë ajo i bleu një jastëk Profetit për t’u ulur në të. Megjithatë, ajo nuk e dinte mendimin e Tij për pikturat dekorative ose ndoshta piktura në jastëk nuk ia kishte tërhequr asaj vëmendjen. Por gjithçka që ndodhi kishte një qëllim. Nëpërmjet këtij keqkuptimi, u zbulua një fakt i panjohur, duke bërë që të shpreheshin mendimet e Tij mbi këtë çështje. Kur i Dërguari i Allahut mbërriti, Ai qëndroi para derës dhe nuk hyri brenda. Nëna e besimtarëve u shqetësua dhe e pyeti menjëherë:

“O i Dërguari i Zotit! Unë pendohem në Allahun, dhe kërkoj falje nga i Dërguari i Tij, mos kam kryer ndonjë mëkat?”

Toni i zërit të saj tregonte se zemra e saj po drithërohej nga meraku. Ajo kishte frikë se mos kishte bërë ndonjë gjë, për të cilën Zoti dhe i Dërguari i Tij ishin kundër. I Dërguari i Zotit tha se Atij nuk i pëlqente jastëku i ri që ajo kishte blerë, dhe shpjegoi:

“Piktorët e këtyre vizatimeve do të dënohen dhe do t’u kërkohet që të sjellin në jetë atë që ata u përpoqën për të krijuar. Engjëjt nuk hyjnë në një shtëpi që ka piktura të tilla (që përshkruajnë qeniet e gjalla).”

Kur ndjenjat e tij u bënë të qarta, Aishja e hoqi jastëkun e pikturuar që pengonte engjëjt të hynin në shtëpinë e tyre.

Aishja i bënte vetë punët e shtëpisë. Me mundime dhe vuajtje, ajo bluante miell me dorë për të gatuar ushqimin e saj. Ajo rregullonte të gjithë çarçafët dhe jastëkët dhe përgatiste vetë ujin për abdesin e Profetit. Aishja thurte litarin që përdorej për devetë e Tij të kurbanit, pastronte rrobat e Tij, i krihte flokët dhe e spërkaste ndonjëherë atë me ndonjë erë aromatike. Ajo zbuste dhe përgatiste misvakun, me të cilën i Dërguari i Allahut pastronte dhëmbët.

Ajo priti mysafirët, duke u përpjekur që t’i plotësonte të gjitha nevojat e tyre, e njëkohësisht të kënaqte edhe të Dërguarin e Zotit.

Një ditë, i Dërguari i Zotit mori disa nga njerëzit e Sufes në shtëpinë e Aishes, në shtëpinë e lumturisë. Pastaj ai e pyeti Aishen:

“O Aishe përse nuk na jep ndonjë gjë për të ngrënë?”

E vetmja gjë e gatuar në shtëpi ishte nga bima hashisha dhe ajo ua ofroi atë vizitorëve. I Dërguari i Allahut i tha përsëri:

“O Aishe na sill ndonjë gjë tjetër.”

Kënaqja e vizitorëve do të thoshte kënaqja e të Dërguarit e Zotit, dhe kënaqja e të Dërguarit të Zotit do të thoshte të kënaqje Allahun. Si mund të mos e bënte ajo çfarëdo që i kërkonte i Dërguari i Zotit?

Por kjo ishte si të përpiqeshe për të krijuar një ushqim nga hiçi. Së fundi ajo bëri një gjellë me përzierje gjize, hurme dhe gjalpi. Kur njerëzit e Sufes e shuan sadopak urinë, i Dërguari i Zotit i tha:

“O Aishe na jep ndonjë gjë për të pirë.”

Aishja solli qumësht për vizitorët në një tas të madh. Por ishte e qartë se nuk kishte mjaftueshëm për të gjithë. Atëherë, i Dërguari i Allahut kërkoi ca qumësht më shumë. Ishte vetëm një sasi e vogël e mbetur, dhe do të ishte e çuditshme, nëse ajo do ta shërbente atë në një tas të madh, kështu që e shërbeu atë në një tas të vogël për vizitorët. Aishja vinte nga një shtëpi e tillë, ku ajo e dinte shumë mirë se duke i dhënë atë pak që ke dikujt për hir të Zotit, ky do të ishte një shkak për shpërblim të përjetshëm, saora ajo veproi në përputhje me këtë porosi.

I Dërguari i Zotit i bashkohej jetës shoqërore të anëtarëve të familjes së Tij dhe kujdesej për argëtimin e tyre. Ai merrte pjesë në aktivitete sociale. Herë pas here, ai nxiste garat në mesin e njerëzve. I Dërguari i Zotit ishte bashkëshorti dhe babai ideal. Një ditë, Aishja po i rrëfente diçka të Dërguarit të Zotit dhe ajo përdori fjalën hurafe, që ka kuptimin e blasfemisë. Ai e pyeti:

“A e di ti kuptimin e fjalës hurafe?”

Por Ai e dinte se ajo nuk ia kishte idenë, andaj vazhdoi ta shpjegonte pa e pritur përgjigjen e saj:

“Hurafe ishte një njeri nga komuniteti Uzra. Ai u rrëmbye nga xhindët gjatë periudhës së injorancës. Ai qëndroi me ta për një kohë të gjatë dhe një ditë ata e liruan. Ai nisi të shpjegonte gjërat e çuditshme të cilat i kishte parë kur kishte qëndruar me xhindtë, ndaj njerëzit, të cilët i dëgjonin historitë e tij dhe filluan t’i quanin ato ‘fjalët e Hurafes.’”

Pak ditë para se të ndërronte jetë i Dërguari i Allahut (s.a.s.), filloi t’i dhembte koka. Ai e dinte se së shpejti do ta linte këtë botë. Ai filloi të kërkonte falje për të gjithë ata që kishte takuar, jo vetëm për ata që ishin gjallë, por edhe për shokët që kishin ndërruar jetë kohë më parë. Duke vizituar varret e tyre nëpër varreza, Ai kthehej me shpresën se do t’i takonte ata të nesërmen. Një ditë, edhe Aishes nisi t’i dhembte koka, andaj dhe ofshau “Oh, mjerë koka ime!” I Dërguari i Zotit iu përgjigj: “Përse po ofshan ashtu?” me të cilën donte të thoshte se “krahasuar me dhimbjen time, e jotja nuk është asgjë.” I Dërguari i Zotit po thoshte të vërtetën. Më pas vijoi:

“Çfarë fitimi do kishe sikur të vdisje përpara meje. Unë do të të laja, do të të mbuloja me qefin, do të të falja xhenazen dhe do të të fusja në varr.”

Me të dëgjuar këto fjalë të papritura, ajo i hapi sytë katër. A thua ai e kishte me shaka apo po shprehte një të vërtetë? Duke vërejtur se qëndrimi i Tij ishte i butë dhe plot mëshirë, ajo e kuptoi se Ai po e ngacmonte. Kështu edhe ajo e ngacmoi duke i thënë:

“Po, unë duhet të vdes në mënyrë që kur ta kesh kryer varrimin tim, të mund të bësh çfarë të duash me gratë e tjera, pasi unë të kem shkuar, apo jo?”

Fjalët e saj e bënë të Dërguarin e Allahut të buzëqeshte, sepse përcollën tek Ai gjithë thellësinë e dashurisë së saj.

Aishja nganjëherë ndodhte të ndjehej e pikëlluar. Në një ditë të tillë, babai i saj Ebu Bekri erdhi në dhomën e saj. Ajo ishte e çuditshme dhe fliste me zë të lartë. Megjithëse Ebu Bekri e konsideronte Aishen si nënë të besimtarëve që nga koha kur e kishte fejuar me të Dërguarin e Allahut, ai nuk mund ta toleronte asgjë, e cila mund ta lëndonte të Dërguarin e Allahut. Sapo e vërejti gjendjen e saj, e mori mënjanë dhe e qortoi;

“O bijë, si mund të flasësh ashtu me zë të lartë në prani të të Dërguarit të Allahut?”

Ndërkohë që Ebu Bekri fliste, ai ngrinte dorën për të treguar se ajo duhet t’i duronte fjalët që ai po i thoshte. Ai e ndjente se kishte të drejtën ta qortonte atë meqenëse ishte vajza e tij. Për Ebu Bekrin, asgjë nuk mund ta lëndonte më shumë sesa vajza e tij t’i shkaktonte trishtim të Dërguarit të Zotit. Pastaj Ebu Bekri e kuptoi se i Dërguari i Zotit e kishte dëgjuar qortimin e tij, dhe ndjeu turp për këtë ndërhyrje në çështjet private brenda shtëpisë së Profetit. Ai e dinte se kishte gabuar, por e ndjente se e kishte bërë këtë për të parandaluar diçka

më të keqe. Megjithatë, zemërimi që ai ndjente ndaj Aishes nuk u zbut - si mundej ajo të bisedonte me të Dërguarin e Zotit me një ton të tillë? Ai ishte i zemëruar, por prania e të Dërguarit të Zotit e pengoi të thoshte ndonjë gjë tjetër. Ai e nxori përfundimin e mësipërm nga qëndrimi Profetit dhe u largua në heshtje.

Pas largimit të tij, i Dërguari i Zotit shkoi tek Aishja e cila ndihej e turpëruar. Babai i saj i kishte thënë të vërtetën, askush nuk duhet të ngrinte zërin në prani të të Dërguarit të Zotit. Ajo e shikoi atë me siklet.

Kjo ishte koha për t’i dhënë me të mirë fund atij momenti. Meqë gabimi ishte kuptuar, i Dërguari i Zotit bëri një hap për ta kthyer mërzinë në shaka. Duke treguar vendin ku kishte qëndruar Ebu Bekri së fundmi, Ai tha:

“E pe se si ndërhyra mes teje dhe atij njeriu, dhe si të shpëtova prej zemërimit të tij?”

Atë ditë, Ebu Bekri u largua plot trishtim, por kur erdhi përsëri pak kohë më vonë, ai pa një situatë krejtësisht të ndryshme. I Dërguari i Zotit dhe Aishja e mirëpritën atë me buzëqeshje në fytyra. Gjendja e mëparshme kishte qenë e përkohshme dhe kishte lënë pas vetëm gaz. Ebu Bekri ishte mjeshtër në të shprehur dhe e kuptonte se gjendja ishte e zbutur, por ai dëshironte ta dëgjonte atë prej tyre. Me një buzëqeshje në fytyrë, ai tha:

“Pse të mos i ndani edhe kënaqësitë tuaja me mua, ashtu siç ndani problemet tuaja?”

Nganjëherë kishte edhe mosmarrëveshje mes bashkëshorteve të të Dërguarit të Allahut, të cilat Ai i zgjidhte me humor. Por nganjëherë sherret me fjalë rrezikonin të përfundonin me ndërhyrje fizike. Një ditë, Aishja kishte gatuar një gjellë me miell dhe qumësht dhe ia ofroi atë të Dërguarit të Zotit, ndërsa Seudeja ishte ulur pranë Tij. Por Seudeja nuk dëshironte ta hante ushqimin e saj. Aishja e kërcënoi: “A do ta hash atë gjellë apo të ta hedh turinjve?”

Seudeja refuzoi sërish të hante, ndoshta sepse ato ishin pak a shumë të një moshe. Ky ishte një rast i artë për ta kthyer kërcënimin në shaka. Kështu Aishja e bëri të vetën, duke e hedhur ca ushqim në fytyrën e Seudes.

Kjo gjë e bëri të Dërguarin e Allahut të qeshte. Pastaj, Ai, i cili përpiqej përherë të shuante mosmarrëveshjet mes grave të Tij, e përdori këtë skenë si pretekst për solidarizim. Ai mori ca ushqim në dorë dhe duke ia dhënë Seudes, i tha:

“Përse nuk ia bën edhe ti të njëjtën gjë asaj?”

Kështu edhe Seudeja ia hodhi ushqimin Aishes në fytyrë, gjë e cila i bëri të gjithë të qeshnin.

Përjashta ata dëgjuan zërin e lartë të Omerit, i cili thërriste të birin:

“O Abdullah! O Abdullah!”

Meqenëse Omeri ishte afër, ai nuk do të linte pa vizituar Profetin. Meqë i Dërguari i Allahut mendoi se ai mund të vinte brenda, u tha grave:

“Tani, shkoni dhe lani fytyrat.”

Edhe pse kjo kishte qenë një shaka, ajo kishte ndodhur në intimitetin e familjes së tyre dhe nuk duhet të ndahej me askënd tjetër, madje as me Omerin, i cili kishte një vend të veçantë në zemrën e të Dërguarit të Zotit. Aishja e rikujton ngjarjen e mësipërme duke nënvizuar:

“Pasi pashë qëndrimin e të Dërguarit të Allahut ndaj Omerit, edhe unë nisa ta trajtoj me shumë respekt Omerin.”

Ka pasur edhe raste kur i Dërguari i Zotit ishte i zemëruar dhe nganjëherë, arsyeja për zemërimin e tij ishte vetë Aishja. Një ditë Ai erdhi në shtëpi me një rob që e la në dhomën Aishes. Në atë moment aty kishte edhe gra të tjera duke e vizituar dhe duke folur me Aishen.

Meqenëse muhabeti u trash me kalimin e kohës, ato e harruan robin dhe ai gjeti rastin e iku.

Pak më vonë, i Dërguari i Zotit u kthye dhe pa se robi ishte zhdukur. Ai u zemërua shumë. Lirimi i skllevërve ishte një gjë normale për të, dhe Ai ndoshta kishte planifikuar për ta lënë këtë njeri të lirë, si edhe të tjerët, por korrektesa ishte e rëndësishme. Duke iu drejtuar Aishes ai tha:

“O Aishe! Çfarë i ka ndodhur robit? Ku është ai?”

Aishja nuk dinte ç’të thoshte. Me keqardhje të madhe ajo i tha:

“Më iku kur po bisedoja me shoqet.”

Meqenëse nuk kishin shans ta kapnin përsëri robin, i Dërguari i Allahut i tha:

“Turp të kesh, t’u thafshin duart!”

Zemërimi i të Dërguarit të Allahut ishte i mjaftueshëm për ta bërë Aishen të tronditej. Ajo e dinte se duhet të kishte qenë më e kujdesshme në atë që i kishte qenë besuar asaj, pa marrë parasysh rrethanat. Pastaj i Dërguari i Zotit u largua dhe filloi të kërkonte ndër njerëz për të gjetur robin. Ai u gjet dhe iu soll të Dërguarit të Zotit. Problemi u zgjidh. Pak më vonë, i Dërguari i Zotit u kthye në shtëpi. Aishja rrinte duke vështruar duart e saj të kthyera përmbys dhe pastaj rrotullonte pëllëmbët lart e poshtë pa pushim. Kur i Dërguari i Allahut e pa Aishen në atë gjendje, e pyeti:

“Çfarë ke? Ke nevojë të marrësh abdes?”

“Ti më mallkove, dhe unë po pres të shoh se cila dorë do të më thahet.”

Kjo i ngjante kthimit të një fëmije tek nëna e tij, pasi ai dënohej prej saj. Ajo ishte edhe e frikësuar nga mallkimi i Tij, por në të njëjtën kohë, me shpresën se ky mallkim do t’i kthehej në një lutje për veten. I Dërguari i Zotit ngriti duart drejt qiellit dhe pas shumë frazave që lartësonin Allahun, shtoi:

“O Zoti im! Unë jam njeri dhe si të gjithë njerëzit zemërohem. Për cilindo besimtar, burrë apo grua, që kam mallkuar, të lutem konsideroje mallkimin tim si një arsye për ta që të pastrohen nga mëkatet e tyre materiale dhe shpirtërore.”

Si në çdo familje, edhe në familjen e tyre kishte moment kur Aishja ishte e pakënaqur apo kur i Dërguari i Allahut ishte i zemëruar. I Dërguari i Allahut e kuptonte kur ajo nuk ishte në qejf dhe ndërhynte menjëherë që ta zbuste situatën. Një ditë Ai i tha:

“Ti e kupton menjëherë kur unë jam i kënaqur apo i zemëruar me ty, ashtu siç unë e kuptoj menjëherë kur ti je e kënaqur apo e zemëruar me mua.”

Aishja u habit dhe i tha:

“E si e kupton?”

I Dërguari i Allahut tha:

“Kur ti përdor shprehjen ‘betohem në Zotin e Muhamedit’ je e kënaqur me mua, ndërsa kur thua ‘betohem në zotin e Ibrahimit’, je e zemëruar me mua.” Aishja u përgjigj:

“Kjo është e vërtetë. O i Dërguari i Allahut, Ti po thua të vërtetën. Betohem në Allah, se që sot e tutje nuk do të zë në gojë asnjë emër tjetër përveç emrit Tënd.”

Një ditë, njëmbëdhjetë gra u ulën dhe i premtuan njëra-tjetrës se do t’i tregonin shoqja-shoqes mendimin e tyre të vërtetë për burrat e tyre. Secila prej tyre shprehte me radhë fillimisht cilësinë më të mirë të burrit të saj. Disa i lavdëronin burrat, ndërsa disa të tjera rendisnin veset e tyre. Aishja i dëgjonte me vëmendje, herë duke buzëqeshur, e herë duke ndjerë keqardhje. Kur erdhi radha e Umu Dherit, ajo shpjegoi se kishte qenë e bija e një çobani në kohën kur ishte martuar me Ebu Dherin. Ajo tha se ai kishte bërë shumë të mira ndaj saj dhe se ajo kishte shijuar çdo lloj kënaqësie me të. Ajo renditi gjithashtu një listë me të mirat e vjehrrës së saj, si dhe të djalit, të cilin Ebu Dheri e kishte pasur me gruan e parë si dhe të vajzës së tij. Por bashkëshorti i saj ishte divorcuar prej saj dhe ajo ishte martuar me një tjetër njeri. Burri i saj i ri ishte i mirë dhe bujar, por mirësia dhe bujaria e tij nuk kishin të krahasuar me ato të Ebu Dherit. Megjithëse Ebu Dheri ishte ndarë prej saj, ajo ende nuk arrinte ta harronte se dashamirësia e burrit të saj të ri nuk kishte të krahasuar me atë të Ebu Dherit.

Megjithëse edhe gratë e tjera rrëfyen historitë e tyre, ato çfarë tha Umu Dheri, e goditën Aishen dhe ajo më vonë e hapi këtë bisedë me të Dërguarin e Zotit. I Dërguari i Zotit u kthye nga Aishja dhe i tha:

“E shikon, ti dhe unë jemi si Ebu Dheri dhe Umu Dheri, por me një ndryshim, ai është divorcuar nga gruaja e tij, por unë nuk do ta bëj këtë.” Ky ishte një përgëzim që i dha flatra Aishes, e sakaq ajo tha:

“Të qofshin fli nëna dhe babai im. Ti je më i mirë për mua se Ebu Dheri.”

Zbavitja

I Dërguari i Zotit ka lejuar nivele të moderuara të zbavitjes. Kur ai e pa se Aishja erdhi në shtëpinë e tij pa ndonjë pompozitet apo ceremoni ditën e martesës, Ai e pyeti:

“O Aishe, a nuk ke marrë me vete ndonjë gjë argëtuese? Të gjithë ensarët e pëlqejnë argëtimin.”

Ka pasur raste të caktuara, kur Profeti i lejonte anëtarët e familjes së Tij të luanin disa lojëra. Më vonë Aishja shpjegonte:

“Mbaj mend njëherë se Dërguari i Zotit më mbuloi mua me rrobat e Tij dhe më çoi në xhami kur disa etiopas erdhën për të dhënë një shfaqje. Unë i pashë ata derisa u lodha.”

Në festën e Bajramit, një grup njerëzish të veshur me mburoja dhe shtiza erdhën të argëtojnë turmat. Njerëzit u mblodhën për të shikuar, madje edhe Aishja u afrua për të parë se çfarë po ndodhte. Profeti e pyeti:

“A dëshiron vërtet të shohësh?” Aishja pohoi me kokë.

Kështu, Profeti e ngriti atë përmbi shpatulla, faqet saj prekën faqet e tij, dhe i Dërguari i Allahut thirri:

“Jepi, o Beni Arfida!”

Pasi kaloi ca kohë, Profeti e pyeti:

“A u kënaqe?”

Aishja ishte lodhur dhe u përgjigj: “Po.” Pastaj, i Dërguari i Allahut i tha:

“Tani mund të shkosh.”

Megjithatë, është e vërtetë edhe se i Dërguari i Allahut gjithashtu ndërhynte kur kaloheshin kufijtë dhe e mbante argëtimin brenda kufijve të lejuar. Një ditë, një muzikante femër erdhi të luante te Aishja. Profeti e pyeti:

“Aishe, a e njeh atë?”

Aishja e vërejti gruan e panjohur dhe iu përgjigj në mënyrë mohuese.

Ai i shpjegoi se ajo ishte një muzikante nga një fis i caktuar, dhe shtoi:

“A dëshiron që ajo të luajë ndonjë pjesë për ty?’

Natyrisht, ajo pranoi meqenëse askush nuk i thoshte dot jo të Dërguarit të Allahut,.

Pasi mori instrumentin e saj, gruaja nisi të luante muzikë dhe Aishja ndërkohë vërejti shenja pakënaqësie në fytyrën e Profetit. Aishja e kishte vërejtur edhe më parë këtë çehre të Tij njëherë, kur njëherë i Dërguari i Allahut kishte gjetur dy vajza duke vallëzuar në dhomën e Aishes. Kur njerëzit nisën të dilnin nga normat e lejuara, erdhi paralajmërimi. Atë ditë, si zëri ashtu edhe qëndrimi i muzikantes nuk përputhej me seriozitetin e besimit. Menjëherë, i Dërguari i Allahut u kthye nga Aishja dhe i tha:

“Djalli ka hyrë në zërin e kësaj gruaje.”

Gara

I Dërguari i Zotit i kishte gjithmonë parasysh njerëzit që e rrethonin, dhe hapat në trajtimin e tyre i ndërmerrte posaçërisht sipas gjendjes së tyre. Ky ishte qëndrimi i Tij i përgjithshëm dhe ai e këshilloi umetin e tij të bënte të njëjtën gjë:

“Ecni me të njëjtin hap me më të dobëtin mes jush.”

Ai ishte një person i moderuar dhe e dinte se si duhej të vepronte në çdo mjedis. Si profet, Ai ishte i zënë me punët më të ndjeshme dhe përpiqej të kryente detyrën e Tij me kujdes. Ai megjithatë nuk mund ta kishte edhe familjen me standardet e Tij të ndjeshmërisë. Si njerëz të zakonshëm, ata do ta kishin pasur të pamundur të duronin këtë jetë. Dhe Ai ishte aty që t’ua bënte jetën më të lehtë.

Njëherë, gjatë një ekspedite ushtarake, Aishja ishte së bashku me të Dërguarin e Allahut. Në një çast të caktuar të udhëtimit, i Dërguari i Zotit i tha ushtrisë e Tij të vazhdonin rrugën, ndërsa Ai qëndroi prapa me Aishen.

Pastaj i Dërguari i Zotit i tha asaj.

“Hajde të bëjmë një garë.”

Aishja ishte e re në moshë dhe natyrisht më e shkathët, kështu që garën e fitoi ajo. Vite më vonë, ata ishin përsëri në një udhëtim tjetër së bashku. Koha që kishte kaluar e kishte bërë Aishen ta harronte garën e tyre të mëparshme. Por, Profeti nuk e kishte harruar, dhe përsëri u tha të tjerëve që të vazhdonin rrugën, ndërsa Ai qëndroi prapa me Aishen. Ai i tha:

“Hajde të bëjmë një garë.”

Ashtu si herën e parë, Aishja e pranoi sfidën. Ata filluan të garojnë përsëri, por këtë herë, i Dërguari i Zotit fitoi. Aishja kishte shtuar në peshë dhe kishte humbur ca nga shpejtësia e saj e mëparshme. I Dërguari i Allahut iu drejtua Aishes me një buzëqeshje dhe i tha:

“Ky ishte revanshi i garës sonë të mëparshme!”

Kërkesa për një emër të ri

Një ditë, Aishja kërkoi nga i Dërguari i Zotit t’i vinte asaj një nofkë të re. Njerëzit e rritur në shoqërinë arabe nuk thirreshin me emrin e tyre të lindjes, por emërtoheshin në raport me dikë tjetër. Kjo ishte një praktikë e zakonshme dhe një shenjë e rëndësishme e gradës dhe e nderit. Ka pasur një lloj konkurrence mes njerëzve në drejtim të emrave të tyre. Disa njerëz bëheshin kaq të njohur me nofkat e tyre, saqë njerëzit i kishin harruar emrat e tyre të vërtetë. Në përgjithësi këta emra viheshin në lidhje me fëmijën e tyre të parë të lindur; një baba bëhej Ebu Filani; një nënë bëhej Umu Filanja në emër të së bijës. Personat pa fëmijë thirreshin Ibni Filani (i biri i filanit) apo Binti Filania (e bija e filanes) në varësi të faktit nëse ishin meshkuj apo femra.

I Dërguari i Allahut e thërriste Aishen me shumë emra si Humejra, Uvejsh, Aish, Binti Siddik, Muvaffika si dhe Bintu Ebu Bekr. Por asnjëri syresh nuk arriti të mbetej një nofkë e përhershme. Meqenëse të gjithë personat që njihte e kishin nga një nofkë, Aishja pretendonte ta kishte edhe ajo një të tillë. E mërzitur tha:

“O i Dërguari i Allahut, të gjitha shoqet e mia kanë pseudonime!”

Edhe pse kjo ishte gjithçka ajo tha, i Dërguari i Zotit e kuptoi kërkesën e saj të sjellshme si kërkesë për një nofkë vetjake. Me shumë gjasa, kjo ishte një mënyrë delikate për të kërkuar diçka. Ndoshta Aishja ishte duke kërkuar për një fëmijë, i cili do ta bënte atë automatikisht me një nofkë të re, që do të ishte edhe trashëgimtari i të Dërguarin e Allahut paqja qoftë mbi Të.

Por ndoshta Profeti e kishte mbyllur përvojën e tij prindërore dhe nuk ishte e shkruar të kishte një pasardhës tjetër. Të tre djemtë e Tij kishin vdekur qysh foshnje dhe tri nga katër vajzat e Tij do të vdisnin përpara se ai të ndërronte jetë - Rukija kishte vdekur gjatë Luftës së Bedrit dhe as Umu Kulthumi e as Zejnebi nuk do të jetonin pas Tij.

Një person i mprehtë dhe i mençur si i Dërguari i Allahut, nxori një konkluzion nga të gjitha këto; ndoshta Allahu nuk dëshironte që fëmijët e Tij të ishin gjallë pas vdekjes së Tij.

Kjo duhej t’i shpjegohej Aishes në një mënyrë sa më të këndshme dhe sa më delikate. Ai zgjodhi një përgjigje e cila as të mos e mërziste Aishen ,e as të mos i bënte bisht pyetjes:

“Atëherë ti duhet të mbash nofkën e emrit të djalit të motrës sate, Abdullahut.”

Fjalët e Tij ndoshta kishin kuptimin ‘Kjo është një rrugë e mbyllur për ty.’ Aishja e mprehtë, e kuptoi menjëherë dhe nuk e bëri kurrë më një kërkesë të tillë. Që nga ajo ditë, Aishja u quajt me nofkën e emrit të djalit të motrës, Abdullah ibni Zubejrit, pra u thirr Umu

Abdullah.

Ndjeshmëria

I Dërguari i Allahut u dërgua për të përsosur moralin e mbarë njerëzimit. Gratë e Tij u ndikuan më së shumti nga udhëzimet e Tij morale. Si dëshmitare të gjithë porosive dhe deklaratave të Tij, si dhe të të gjitha veprimeve dhe sjelljeve të Tij, ato e mësuan sjelljen të mirë të Tij dhe e ndanë atë edhe me të tjerët. Ato fituan dituri të reja dhe mësuan një rrugë të papërdorur më parë për moralin e lartë. Çdo person i cili erdhi në shtëpinë e lumturisë, çdo dhuratë që u soll aty, ose çdo ngjarje që ka ndodhur rezultoi në gjykimin fisnik të të Dërguarit të Allahut, përfaqësuesit të moralit të Kuranit.

Një natë, Aishja kishte pjekur një simite e vogël elbi për Profetin. Por Ai, me të ardhur, e mbylli derën, gjë që do të thoshte se donte të pushonte. Ai gjithmonë mbulonte pjesën e sipërme të enës së ujit, dhe gjithashtu mbulonte ndonjë tas me ushqim si dhe fikte ndonjë kandil që mund të kishte ngelur i pashuar.

Ndërsa ai po flinte, Aishes i erdhi gjumë. Pastaj i Dërguari i Zotit ndjeu pak të ftohtë dhe iu afrua Aishes që të ngrohej, duke vendosur kokën në prehrin e saj dhe sakaq ra përsëri në gjumë.

Ndërkohë, një dele që i takonte fqinjit të tyre hyri brenda në dhomë dhe mori simiten prej elbi. Aishja u përpoq të trembte delen që nga vendi ku ishte ulur, por kjo nuk funksionoi. Lëvizja e saj e zgjoi Profetin, kështu që Aishja kërceu dhe filloi të rendte pas deles. Duke e parë këtë skenë, i Dërguari i Zotit i thirri asaj nga pas:

“Nëse e kap, merr vetëm simiten dhe mos e shqetëso fqinjin për atë që bëri delja!”

Në ato kohë, shumë veta e hanin mishin e hardhucës, mishi i së cilës nuk i pëlqente aspak të Dërguarit të Zotit, ndoshta për shkak të vetë natyrës. Megjithatë, ngrënia e hardhucave ishte hallall, dhe Ai ua bëri të qartë shokëve të tij se ajo ishte e lejueshme për t’u ngrënë. Një ditë, në shtëpinë e tyre sollën mish hardhuce, të cilin Profeti nuk e hëngri. Aishja e pyeti:

“A t’ua jap nevojtarëve?”

Qëllimi i saj ishte i sinqertë; të tjerët mund të hanin atë që atyre nuk u pëlqente që ta hanin, pasi nuk kishte asnjë shpallje që ndalonte konsumin e këtij mishi. Por i Dërguari i Zotit nuk ndante të njëjtin mendim me Aishen, sepse ai mendonte rreth aspekteve që Aishja nuk i merrte parasysh. Ai e ndjeu se mund të diskriminonte të tjerët nëse merrej vesh se Ai nuk e hante këtë lloj mishi, e nëse kjo merrej vesh, njerëzit e tjerë nuk do ta përdornin më. Ai kështu do t’i jepte mish dikujt tjetër vetëm sepse Ai nuk donte ta hante. Sakaq, Ai u kthye nga Aishja dhe i tha:

“Jo, mos ia jep kurrë të tjerëve gjërat që nuk i ha për vete.”

Adhurimi i saj

Aishja bëri një jetë shembullore në çdo aspekt. Ajo ishte në kulmin e shërbimit të saj ndaj Zotit. Aishja ishte e qëndrueshme në adhurime si gjatë jetës së të Dërguarit të Zotit, ashtu edhe pas vdekjes së Tij. Ajo e shihte të Dërguarin e Allahut si një njeri që e donte adhurimin, i Cili i shërbeu Allahut me vullnetin e një të pasionuari. Aishja ka kaluar kohën më të frytshme të jetës së saj me personin i cili ishte i afërt me Zotin, një njeri i cili ka arritur lartësi të reja në njohuritë rreth Allahut, dhe i cili ishte robi më i dashur i Tij. Ai lutej gjatë natës derisa këmbët i ënjteshin - gjatë vetëm një rekati, Ai qëndronte mjaftueshëm në këmbë sa për të recituar me qindra faqe të Kuranit. Rukutë dhe sexhdet e Tij në namaz ishin po aq të gjata sa qëndrimi i tij në këmbë. Aishja ka thënë njëherë:

“As ju nuk mund të më pyesni, e as nuk jam në gjendje t’jua shpjegoj bukurinë e namazeve të Tij.”

Aishja ishte dëshmitare e qindra e mijëra mrekullive; ajo madje e pa me sytë e saj shpalljen e Kuranit, kur engjëlli Xhebrail (a.s.) dhe i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të u takuan së bashku. Ajo e konsideronte jetën e kësaj bote si hijen e një peme nën të cilën njerëzit ulen të pushojnë pak dhe pastaj ngrihen të vazhdojnë rrugën. Ajo ia përkushtoi jetën e kësaj bote vetëm jetës së përtejme. Bota dhe gjithçka që ekzistonte në të nuk kishte asnjë vlerë në sytë e saj, sepse i Dërguari i Zotit e kishte mësuar atë që të vlerësonte më së shumti botën tjetër. Gjatë nëntë viteve që ka jetuar me të Dërguarin e Allahut, Aishja e ndoqi shembullin e Tij dhe u përpoq ta vërë atë në praktikë.

Një natë, Profeti shkoi në dhomën e Tij pasi kishte përfunduar namazin e natës, lau dhëmbët dhe shkoi në shtrat. Në mesnatë, Ai u ngrit për të falur namazin e tehexhudit, i cila ishte i detyrueshëm vetëm për Të. Pasi kaluan dy të tretat e natës, Ai e zgjoi Aishen dhe i kërkoi të falej. Aishja gjithashtu u ngrit dhe fali tehexhudin, ndjekur më pas nga namazi i vitrit.”

Nganjëherë, Aishja i bashkohej të Dërguarit të Zotit dhe falej me Të, gjatë gjithë natës deri në agim. Në një natë të tillë, i Dërguari i Allahut recitoi suret Bekare, Al Imran, dhe Nisa në vetëm një rekat të vetëm. Kur lexonte ndonjë ajet që të bënte të dridheshe nga frika, Ai lutej për të gjetur strehim nga zemërimi i Allahut, dhe kur recitonte ndonjë ajet me lajme të mira, ai kthehej përsëri nga Allahu dhe kërkonte mëshirë.

Para namazit të sabahut, i Dërguari i Zotit falte një namaz të shkurtër dy-rekatësh dhe flinte në anën e djathtë nëse kishte nevojë për pushim, ose bisedonte me Aishen derisa muezini thërriste për t’u falur. Aishja e ndiqte namazin me xhemat që nga dhoma e saj në afërsi të xhamisë. Në thelb, netët e saj ishin më të ndritshme sesa ditët.

Aishja i bashkohej shpesh të Dërguarit të Allahut edhe në agjërim. I Dërguari i Allahut i kalonte dhjetë ditët e fundit të Ramazanit në itikaf në xhami dhe Aishja bashkohej në namazet e Tij që nga dhoma e saj. Ndonjëherë, Ai vendoste një çadër brenda në xhami dhe pasi udhëhiqte namazin me xhemat, vazhdonte izolimin e Tij brenda çadrës.

Në Haxhin e Lamtumirës, Aishja ishte me Të dhe pa një turmë të madhe, ku i Dërguari i Zotit po i jepte lamtumirën popullit të Tij. Gjatë haxhit, Ai u sëmur rëndë, dhe kësisoj umeti i Tij mësoi se si mund të kryheshin ritet e pelegrinazhit edhe duke qenë të sëmurë.120

Duke mësuar drejtpërdrejt nga robi më i dashur i Zotit se si ta adhuronte Allahun, Aishja i dinte, i shpjegonte dhe vazhdoi t’i kryente të gjitha adhurimet e rekomanduara.

Një ditë, Aishja e mori afër Abdullah ibni Kajsin dhe i tha:

“Mos ngurro që të ngrihesh natën dhe të falesh. I Dërguari i Allahut asnjëherë nuk e braktiste namazin e natës. Kur ishte i sëmurë, ose shumë i lodhur, ndodhte që Ai të falej edhe ulur, por kurrë nuk e braktisi atë.”

Edhe për namazet jo të detyrueshme, Aishja mërzitej nëse nuk arrinte t’i kryente ato në kohë. Pasi e pa të Dërguarin e Zotit që falte namazin e duhasë, që nga ajo ditë ajo e konsideroi atë si farz, dhe nuk e la asnjëherë pa falur.

Një mëngjes, shumë herët, nipi i Aishes së nderuar, Kasim ibni Muhamedi erdhi në shtëpinë e saj, ndërsa ajo ishte duke u falur. Nuk kishte ardhur ende koha për namazin e sabahut, ndërsa koha për namazin e jacisë kishte kaluar. Ai e pyeti:

“Çfarë namazi është ky?”

Me qëndrimin e atij që parapëlqen t’i fshehë veprat e Tij të mira, ajo iu përgjigj me gjysmë zëri:

“Kam lënë pa falur mbrëmë namazin dhe jam duke falur një namaz nafile.”

Abdullah ibni Ebu Musa, erdhi njëherë për ta pyetur atë për pikat kryesore rreth Islamit, ndërsa ajo ishte përsëri duke falur namazin e duhasë. Kur ai i tha: “do të të pres derisa ta kryesh namazin” me një zë paksa të lartë që mund të dëgjohej nga të tjerët, banorët e tjerë të shtëpisë, të cilët ishin mësuar me namazet e saj të gjata thanë:

“I mjeri ti!”

Kjo donte të thoshte se atij i cili kishte ndër mend ta priste Aishen derisa ajo të përfundonte namazin, do t’i duhej të priste goxha gjatë. Kur ajo fillonte të falej, ishte sikur të humbiste lidhjet me botën dhe me gjithçka që kishte të bënte me të, për shkak të përqendrimit të saj të madh ndaj Allahut.

Aishja bënte një jetë tejet të thjeshtë. Ajo falte namazin e natës deri në mëngjes dhe i kalonte të gjitha ditët duke agjëruar. Kur Aishja recitonte ndonjë ajet që përmbante ndonjë paralajmërim ose kërcënim, ajo hezitonte, pastaj shkonte përsëri në fillim dhe e recitonte atë përsëri në mënyrë që ta ndjente më thellë pikëllimin. Njerëzit rreth saj dëshmonin se shamia e saj e kokës ndodhte shpesh t’i lagej nga lotët.

Një ditë kur Aishja po recitonte ajetin: “Dhe Allahu na dhuroi të mira dhe na ruajti prej dënimit të erës (flakës) së nxehtë të zjarrit”, ajo nuk mundi t’i përmbante lotët dhe filloi të qante me dënesë. Kjo shpjegohej me gjendjen e atyre që e kishin braktisur këtë botë dhe jetonin në paqen e shpëtimit në botën e përtejme. Por Aishja mbeti përherë e shqetësuar në lidhje se si do të ishte gjendja e saj në jetën e përtejme, dhe kurrë nuk mendonte për veten si përfituese e garantuar e një mëshire të tillë. Kur ajo recitoi ajetin e mësipërm kërkoi strehë në Zotin e saj dhe iu lut:

“O Zot, të lutem më beko mua dhe më mbaj larg nga zjarri i Xhehenemit!

Nipi dhe njëkohësisht nxënësi i saj, Urveja, i cili e pa këtë skenë ndërsa po priste më kot që ajo të përfundonte namazin, u lodh duke pritur, andaj u largua për të punuar në pazar. Ai tha:

“Kur u ktheva nga pazari pasi mbarova tregtinë time, betohem në Zot se e gjeta prapë duke vazhduar po të njëjtin namaz, ashtu e mbytur.”

Aishja gjithnjë përpiqej që ta falte namazin e saj me xhemat, ose pas Imamit, që nga dhoma e saj, e cila ishte ngjitur me xhaminë, ose duke u falur së bashku me gratë që vinin në dhomën e saj. Të tjera herë, ajo urdhëronte Zekuan, skllaven të saj të shkolluar, që t’i printe

në namaz.

Ndjeshmëria e saj në lidhje me agjërimin ishte e vazhdueshme, ajo kaloi pothuajse të gjitha ditët në agjërim. Një vit, në Ditën e Arafatit, ditën para Bajramit të Kurbanit, koha ishte tmerrësisht e nxehtë. Ajo po agjëronte. I vëllai, Abdurrahmani, e vizitoi dhe kur vërejti se ajo po agjëronte pavarësisht të nxehtit, dhe se ajo ishte e lodhur dhe e mbytur në djersë, i shqetësuar, i tha:

“Përse nuk e prish agjërimin?”

Por Aishja e cila synonte të ndiqte rrugën e të Dërguarit të Allahut iu përgjigj:

“Si mund ta prish agjërimin kur kam dëgjuar nga goja e të Dërguarit të Allahut fjalët: ‘Sigurisht agjërimi i Ditës së Arafatit shlyen mëkatet e vitit të kaluar?’”

Aishja ka agjëruar edhe gjatë ditëve që ka qëndruar në Mina, edhe pse ngrënia dhe pirja gjatë atyre ditëve ishin të lejuara, ajo kurrë nuk hoqi dorë nga agjërimi i saj edhe gjatë udhëtimeve ku prishja e agjërimit lejohej.

Aishja vetëm njëherë e kishte kryer haxhin bashkë me të Dërguarin e Allahut, në Haxhin e Lamtumirës. Ajo shkonte shpeshherë në Mekë edhe pasi vdekjes së Profetit, si dhe tregoi një ndjeshmëri të lartë në këto pelegrinazhe.

Gjatë viteve të para, Qabeja nuk ishte e mbushur plot. Në vitet e mëvonshme, për shkak të turmës në rritje të besimtarëve, Aishja i bënte tavaf Qabes me shumë kujdes për të shmangur përzierjen me burrat, duke e bërë rrotullimin e saj në një rreth më të gjerë. Kjo i merrte më shumë kohë dhe rriste vështirësitë, por pavarësisht kësaj, ajo shikonte për ndonjë rast për të qenë vetëm aty. Kur ajo shihte që kishte shumë njerëz rreth Qabes, ajo largohej dhe i binte rrotull asaj nga sa më larg, si t’i binte mespërmes malit Sabir.

Aishja ishte tepër e përpiktë edhe në lidhje me umren. Para se ajo të shihte hënën në muajin e Muharremit, ajo shkonte në vendin e quajtur Xhuhfe dhe priste atje deri në daljen e hënës së re. Kur e shihte hënën, Aishja fillonte të përgatitej për umre, duke recituar lutjet dhe pastaj, pa humbur kohë, shkonte në Mekë.

Kur vinte koha për të çelur agjërimin e ditës së Arafatit, kërkonte vetëm ujë.

Thjeshtësia dhe përulësia e saj

Aishja nuk përzihej në çështje të tjera përveç atyre që kishin të bënin me urdhëresat fetare dhe nuk e shpenzonte kohën duke u marrë me gabimet e njerëzve të tjerë. Në mesin e qindra dhe mijëra haditheve që ajo ka transmetuar nga Profeti, është e pamundur të gjesh një shprehje të shtrembëruar apo negative. Ajo paralajmëronte ata që keqtrajtonin të tjerët, dhe nuk shmangej nga vënia në dukje e asaj që ishte qartësisht e gabuar. Kur Hasan ibn Thabiti u qortua për fjalët e gabuara në incidentin e shpifjes nda Aishes, ky i fundit zuri ta dënonte dhe mallkonte veten. Aishja e ngushëlloi sahabin e vjetër duke i thënë:

“Përsëri ti nuk je njeri i keq siç po thua.”

Ajo e ngushëlloi atë edhe pse Hasani e kishte lënduar atë vite më parë, me deklarata të ngjashme. Aishja nuk ia ktheu shpifjet me shpifje, dhe nuk i mbajti armiqësi. Deri në vdekje, ajo ishte një shembull i faljes ndaj atyre që haptazi kishin punuar kundër saj. Një ditë, kur nipi dhe nxënësi i saj Urveja foli kundër Hasan ibn Thabitit, Aishja u zemërua dhe tha:

“Mos e dënoni atë, ai ishte një njeri i rëndësishëm i cili e mbrojti të Dërguarin e Zotit.”

Kur njerëzit rreth saj merreshin me thashetheme ose përgojim, veçanërisht në lidhje me dikë që ishte i vdekur, Aishja hidhej përpjetë nga zemërimi dhe pastaj i lutej Allahut për faljen e personit për të cilin ishte folur. Ajo ka thënë:

“I Dërguari i Zotit ka thënë, ‘Flisni vetëm mirë për të vdekurit tuaj.’”

Ajo e praktikonte fenë e saj pikë për pikë. Një ditë, duke ecur në rrugë, ajo dëgjoi një zile dhe qëndroi aty ku ishte. Kumbimi i ziles ishte një tingull i padëshiruar dhe kështu ajo u përpoq për ta shmangur atë. Pak më vonë ajo e dëgjoi zilen nga pas dhe u dha këmbëve për të ikur sa më shpejt nga ky tingull i cili ishte i papëlqyeshëm për të Dërguarin e Allahut.

Një ditë ajo dëgjoi se jetimët që qëndrojnë me të në shtëpinë e saj kishin sjellë aty një lojë të ngjashme me tavllën. Ajo u zemërua dhe u dërgoi një mesazh në të cilin u thoshte:

“Ose hidheni vetë atë përjashta, ose do të vij unë dhe do t’ju nxjerr juve jashtë.”

Aishja ndjente shqetësim edhe për ëndrrat e saj. Ajo kurrë nuk mendonte se ato ishin të pakuptimta dhe mendonte se ndoshta ato përmbanin mesazhe të rëndësishme në lidhje me interpretimin e ngjarjeve. Një makth i vetëm ose e bënte atë të jepte sadaka (bamirësi vullnetare) ose të lironte një rob të nesërmen.

Ajo zakonisht përdorte ndonjë justifikim të vogël për lirimin e ndonjë robi. Njëherë, ajo u dorëzua nga kërkesat e të tjerëve dhe prishi një betim që kishte bërë; më pas ajo në vend të një skllavi u dhuroi lirinë dyzet skllevërve si shlyerje për gabimin e bërë, megjithatë ajo prapë nuk e falte dot veten, dhe derdhi lot për këtë gjë gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës, që i kishte mbetur. Pasi mori vesh se robinja e saj ishte nga fisi Temim, për të cilin i Dërguari i Zotit kishte thënë se rridhte nga e njëjta origjinë me Profetin Ismail (a.s.), ajo i dha asaj menjëherë lirinë.

Një ditë ajo u sëmur dhe njerëzit pyetën një njeri nga fisi Zat rreth sëmundjes, meqenëse ai kishte njohuri rreth saj. Duke ardhur në shtëpinë e Aishes, burri tregoi për atë që xhindet i kishin thënë:

“Ata më kanë thënë se një robinjë me një fëmijë në krahët e saj ka kryer magji mbi një grua, ata më thanë gjithashtu edhe se fëmija i robinjës kishte urinuar mbi trupin e gruas.” Dikush shkoi e gjeti robinjën dhe e çoi tek ai njeri. Aishja e njihte atë, andaj e pyeti:

“A më ke bërë magji mua?”

Robinja nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të tregonte të vërtetën, pasi me sa dukej të gjithë e dinin se çfarë kishte bërë vaki. “Po”, - iu përgjigj ajo.

Pastaj Aishja e pyeti:

“Përse e bëre?”

“Për të qenë e lirë.”

Robinja e kishte lidhur lirinë e saj me jetën e Aishes, duke u shprehur se ajo do të fitonte lirinë ditën që do të vdiste Aishja.

Aishja u zemërua dhe tha:

“Betohem në Allah se nuk kam për t’ia dhënë kurrë lirinë.”

Kështu Aishja e shiti atë dhe bleu një skllave të re, të cilën e liroi menjëherë. Nuk kishte njeri i cili të mos e dinte vendosmërinë e saj të palëkundur për këtë çështje; Aishja ka liruar afro gjashtëdhjetë e shtatë skllevër.

Ajo fliste me të gjithë dhe nuk i ulte sytë poshtë për askënd. Një ditë, ajo i dha një qese të vogël me bukë një njeriu i cili i kishte kërkuar ushqim. Pasi ai kishte ikur, erdhi një tjetër i varfër dhe që dukej se ishte edhe i sëmurë mendor. Aishja e thirri pranë dhe i ofroi atij ushqimin e saj. Kur njeriu e kishte shuar urinë dhe qe larguar, Aishja u pyet përse ajo u soll në këtë mënyrë dhe ajo u përgjigj:

“Si mund të veproja ndryshe, kur vetë i Dërguari i Zotit ka thënë:

‘Trajtojini njerëzit sipas gjendjes në të cilën ndodhen?’”

Pavarësisht nga çdo vështirësi që përjetoi, Aishja ka jetuar thjesht dhe kurrë nuk e çonte nëpër mend ta vinte dikë në borxh për një mirësi që ajo i kishte bërë. Ajo nuk ngurronte për të bërë mirë kur i vinte rasti. Aishja donte që njerëzit rreth saj të ushtronin të njëjtën disiplinë. Ajo kurrë nuk u ankua në lidhje me jetën e saj të thjeshtë, sepse ajo e kishte zgjedhur atë me vullnetin e vet të lirë dhe jetoi një jetë që synonte përherë vetëm kah ahireti. Kjo zgjedhje nuk ishte si rezultat i varfërisë, sepse ajo zgjodhi të njëjtën mënyrë jetese, edhe në kohën e bollëkut. Kur Omeri i dërgoi një qese me ar, ajo nuk arriti t’i mbante dot lotët dhe ia dha menjëherë qesen e arit atyre që gjendeshin

përreth. Ajo ende nuk mendonte se kishte bërë mjaftueshëm, kështu që ajo iu lut Allahut që kurrë më të mos i vinte edhe njëherë një sprovë e tillë sërish.

Një nxënëse e saj e veçantë, Aishe binti Talha ka thënë njëherë për të:

“Njerëzit tanë, të cilët e ndienin veten afër saj, të rinj dhe të vjetër, sipas gjendjes që kishim, vinim tek ajo nga e gjithë bota dhe i shkruanim letra, madje ndonjëherë i çonim edhe dhurata. Unë ia tregoja asaj dhe i thoja: ‘O teze e dashur! Kjo është një letër nga filani dhe një dhuratë e filanit.’ dhe ajo më thoshte: “O mbesë e dashur! Shkruaji një letër dhe dërgoji edhe ti një dhuratë si përgjigje. Nëse nuk ke çfarë t’i dërgosh, eja tek unë të ta jap dhuratën.’ Dhe kështu ajo më jepte dhuratën që duhet të dërgoja.”

Aishja kishte një vullnet mahnitës. As koha e as njerëzit që i qëndronin afër nuk arritën t’ia ndryshonin natyrën. Nuk hiqte dorë kurrë së trajtuari mirë të tjerët, edhe ata të cilët e lëndonin atë, shtypnin njerëzit përreth saj, apo përhapnin thashetheme, nuk ishin kurrsesi të përjashtuar. Ajo kurrë nuk i bazonte veprimet e saja në gabimet e të tjerëve.

Aishja kishte vetëm një veshje. Kur i ndotej, ajo e lante, e thante dhe e vishte përsëri. Kjo ishte një praktikë e përgjithshme e të gjitha bashkëshorteve të Profetit. Por gjatë viteve të para të saj në Medinë, kur u bë sefte nuse në shtëpinë e lumturisë, ku jetonte me të Dërguarin e Allahut paqja qoftë mbi Të, Aishja kishte një veshje të cilësisë së lartë, e cila kushtonte pesë dërhemë. Ajo i lumturonte jashtëzakonisht shumë gratë e Medinës, kur ua jepte atë hua nëpër dasma apo ngjarje të tjera të veçanta.

Asaj nuk i shkonte kurrë ndërmend të blinte një veshje të re, pa u vjetërsuar më parë ajo që kishte, madje derisa të bëhej krejt e papërdorshme. Nipi i saj Urveja pohon:

“Aishja nuk e zëvendësonte veshjen e saj derisa ajo të vjetrohej dhe të bëhej krejtësisht e papërdorshme, e shqyer dhe plot me arna.” Në ato kohë njerëzit i thoshin:

“Allahu të ka dhënë mjaft, përse nuk përfiton prej të mirësive që Ai të falur?”

“Gjëja e re nuk do t’i rrijë mirë asaj që nuk është bërë për të.”, - u përgjigjej ajo me një përgjigje të shkurtër dhe të drejtpërdrejtë.

Aishja thoshte se nuk do ta ndryshonte asnjëherë këtë sjellje të saj. Kur asaj i dërgohej ndonjë dhuratë, Aishes i kujtohej jeta e thjeshtë që bënte i Dërguari i Allahut (s.a.s.), si dhe thëniet e Tij në lidhje rreth kësaj çështjeje, kështu që asaj i mbusheshin menjëherë sytë me lot dhe ua shpërndante dhuratat njerëzve që ishin në nevojë. Gjatë kalifatit të tij, Muavija i dërgoi Aishes veshje, argjend dhe gjëra të tjera, të cilat mund t’i shërbenin asaj. Mirëpo, kur ajo i pa, nisi të lotonte dhe tha:

“I Dërguari i Allahut nuk mund t’i kishte asnjërën nga këto.”

Aishja i ndau ato në pjesë dhe ua shpërndau njerëzve në nevojë. Deri në darkë, ajo i kishte shpërndarë të gjitha ato çfarë i kishte dërguar kalifi.

Një ditë tjetër, asaj i sollën si dhuratë ca kosha me rrush. Aishja nisi menjëherë t’ua shpërndante të varfërve. Robinja, e cila e ndihmonte me punët e shtëpisë, e shoqëronte Aishen gjatë shpërndarjes së rrushit. Kur ra mbrëmja, robinja erdhi tek Aishja me një bistak rrushi. Aishja u habit, sepse mendonte se e kishte shpërndarë të gjithë sasinë e rrushit. Ajo e pyeti:

“Po kjo çfarë është?”

Skllavja nuk dinte çfarë t’i thoshte. Ajo e kishte ndarë fshehtazi veçmas atë vile nga Aishja, në mënyrë që t’ia jepte në darkë pas agjërimit. Aishja e qortoi dhe i tha:

“Vetëm një vile, ëëh?”

Sjellja e Aishes së nderuar e habiti tej mase. Vetëm tani po e kuptonte rëndësinë e atij gabimi. Aishja më pas shtoi:

“Betohem në Allah se as nuk do ta ha e as nuk do ta prek me dorë atë rrush.”, dhe u largua.

Aishja vijoi përherë t’i shpërndante dhuratat që i vinin, përgjatë gjithë jetës, gjithmonë duke menduar vetëm si e si të ndihmonte të varfrit. Aishja e dinte se kur jepte sadopak për bamirësi, do të merrte shpërblim të pafundmë nga Allahu (xh.sh.), i Cili i ka të pafundme mundësitë për të dhuruar. Aishja kurrë nuk mendonte për përfitime personale. Duke u kujdesur për të mjerët, ajo shpresonte t’ua plotësonte edhe atyre sadopak nevojat që kishin. Asgjë nuk e kënaqte më tepër sesa buzëqeshja e një njeriu në nevojë, pasi e kishe ndihmuar me diçka.

Kur mbeti pa para, Aishja shiti sendet e saj dhe i dha të gjitha paratë për bamirësi. Nipi i saj, Abdullah ibn Zubejri(r.a.) ka thënë:

“Betohem në Allah, se ose nëna jonë Aishja do ta ndryshojë me të mirë këtë sjellje, ose unë do t’ia ndaloj.”

Aishja i dëgjoi këto fjalë nga dikush dhe pyeti:

“Vërtet ka thënë kështu? Ju betohem se nuk kam për të folur më me ibni Zubejrin deri në Ahiret.”

Dhe me të vërtetë, ajo nuk i foli më atij. Kjo e lëndoi mjaft Abdullah ibn Zubejrin dhe ai u mundua të gjente një zgjidhje për të rivendosur marrëdhëniet e dikurshme. Megjithëse vinte herë pas here tek dera e Aishes, ai nuk dëgjonte gjë tjetër veç:

“Jo! Betohem se as nuk kam për të ta kthyer fjalën, e as nuk do ta shkel betimin.”

Sa më tepër kalonte koha, aq më shumë e brente ndërgjegjja Abdullahun. Ai u kërkoi dy udhëheqësve Misuer ibn Mahremes dhe Abdurrahman ibn Abdul Esuedit të ndërhynin në këtë mesele. Ishte detyrë e çdo besimtari që të vendoste paqen midis dy besimtarëve.

Ata bënë një plan dhe shkuan tek dera e Aishes e i thanë:

“Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ty, o Aishe. A na jep leje të hyjmë?”

Abdullah ibn Zubejri ishte me ta, por ata nuk i treguan asaj. Një zë nga brenda foli:

“Urdhëroni, mirë se të vini.”

Ata u lumturuan dhe e pyetën përsëri:

“Të gjithë ne?”

“Po, të gjithë ju.”

Plani i tyre funksionoi dhe bëri që Abdullah ibn Zubejri të hynte brenda. Sapo hyri, ai iu përgjërua asaj për ta falur që nga ana tjetër e perdes. Misuer ibn Mahreme dhe Abdurrahman ibn Abd Esuedi e mbështesnin Abdullahun, andaj i kërkuan Aishes falje në emër të tij, ndërkohë që sytë e tij ishin rrëmbushur në lot.

Dy ndërmjetësit, duke vazhduar planin e tyre i thanë:

“Ti e di se i Dërguari i Zotit ka thënë: “Nuk është e lejuar për një mysliman të qëndrojë i zemëruar me një tjetër mysliman për më shumë se tri ditë.”

Pastaj Aishja nisi të qante duke sjellë ndërmend fjalët e të Dërguarit të Allahut paqja qoftë mbi Të dhe iu përgjigj:

“Por unë kam bërë një betim dhe ju e dini se betimi është diçka shumë e rëndësishme.”

Zemra e saj u zbut menjëherë, zaten nuk kishte rrugë tjetër, përveçse të ndiqte porositë e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Ajo nuk i hodhi poshtë të gjitha kërkesat e ndërmjetësuesve dhe e pranoi faljen e Abdullah ibni Zubejrit. Prej atëherë e tutje, ajo i foli atij, por kjo i kushtoi Aishes dyzet skllevër, sepse ajo kishte thyer një betim. Aishja qante kur sillte ndërmend betimin e saj dhe ato që kishte përjetuar; njerëzit pranë saj tregonin se shalli që mbante të veshur i lagej plotësisht nga lotët.

Një ditë kur Profeti ishte ende gjallë, një grua erdhi te Aishja së bashku me dy bijat e saj në krahë. Ishte e qartë se ishin në nevojë dhe se jeta e tyre ishte plot me vështirësi. Aishja nuk kishte ndonjë

bollëk në shtëpi, por ishte natyra e saj që kënaqej me atë çka kishte dhe nuk shqetësohej për atë që nuk e kishte. Ajo solli tri hurma nga shtëpia për to. Nëna ua dha dy nga hurmat të bijave. Fëmijët, të cilët kishin kohë që e ndienin mungesën e ushqimit, i hëngrën hurmat me kënaqësi. Nëna e tyre i shikoi ato me trishtim, ashtu si edhe Aishja. Kur fëmijët i hëngrën hurmat, shikimi iu përmblodh mbi hurmën e mbetur në dorën e nënës së tyre. Ajo e ndau hurmën që e kishte ruajtur për vete me dashurinë e nënës në dy pjesë, dhe ua dha nga një gjysmë secilës nga vajzat. Ato i hëngrën të kënaqura. Asgjë nuk kishte mbetur për nënën, e cila megjithatë ishte e kënaqur kur shihte gëzimin në sytë e bijave të saj, sytë e të cilave shndrisnin prej gëzimi.

Sapo i Dërguari i Zotit u kthye në shtëpi, Aishja i tregoi ngjarjen që kishte ndodhur. Ajo ishte e prekur nga sakrifica madhështore e nënës. Pasi e dëgjoi me vëmendje, i Dërguari i Zotit shpalli sihariqin e mëposhtëm:

“Për atë që bëri, Allahu i dhuroi asaj Xhenetin dhe e shpëtoi nga zjarri i Xhehenemit!”

Shumicën e kohës, sytë e Aishes rrinin të mbushur me lot, dhe zemra e saj ishte shumë e ndjeshme. Ajo nuk ishte në gjendje të mbante veten nga të qarët, dhe qante derisa lotët e saj dukej sikur të kishin shteruar. Ajo gjithmonë trishtohej kur nuk e kryente dot siç duhej detyrën, ose kur nuk ishte në gjendje të mbante fjalën e dhënë dhe gjithmonë paguante dëmshpërblim në kësi rastesh.

Por lotët e saj nuk derdheshin vetëm për veten. E zhgënjyer me shoqërinë myslimane, ajo qante edhe për brezat që do të vinin më pas. Një ditë, asaj iu kujtua Dexhali dhe filloi të qante duke menduar për trazirat dhe katastrofat që myslimanët do të përjetonin. Aishja bërtiti me aq zjarr, saqë nuk e kuptoi se i Dërguari i Zotit i kishte ardhur pranë. Kështu që e pyeti:

“Përse po qan?”

Aishja u kthye nga i Dërguari i Allahut dhe tha me hidhërim:

“O i Dërguari i Allahut. M’u kujtua Dexhali!”

Bujaria e saj

Aishja ka jetuar gjithnjë vetëm për të tjerët. Sa herë ndodhte që të shihte njerëz në nevojë, ajo harronte nevojat e saj dhe e jepte çdo gjë për ta. Ajo e dinte mirë hadithin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), që thoshte:

“Shpëtojeni veten nga zjarri i Xhehenemit duke dhuruar qoftë edhe një gjysmë hurme për bamirësi.”

Nuk ishte kollaj, Aishja ishte edhe e bija e Ebu Bekrit të nderuar (r.a.), më bujarit ndër njerëz. Zemërgjerësia ishte një karakteristikë e përgjithshme e kudogjendur në pjesëtarët e familjes së saj. Kur nipi i Aishes, Abdullah ibn Zubejri, i përshkruante karakteristikat e nënës së tij, Esmasë dhe tezes së tij, Aishes, thoshte se ato ishin rivale të njëra-tjetrës kur vinte puna për të dhënë sadaka.

Kur Aishja nuk kishte asgjë ç’të jepte, nganjëherë, merrte hua nga dikush tjetër dhe e jepte si lëmoshë. Disave kjo u dukej e çuditshme dhe e pyesnin:

“Nga të ka lindur kjo ide që të marrësh hua për bamirësi?” Ajo i referohej një hadithi të të Dërguarit të Zotit, i cili thoshte:

“Çdo robi të Allahut që ka ndërmend dhe përpiqet për ta larë borxhin, në ndihmë i vjen vetë Allahu i Plotfuqishëm.”Nipi i saj Urveja ka thënë:

“Jam dëshmitar se ajo njëherë dha shtatë mijë dërhemë për bamirësi, ndërsa vetë ishte e veshur me një veshje të arnuar.”Aishja ia shiti shtëpinë Muavijes për njëqind e tetëdhjetëmijë apo dyqind mijë dërhemë. Qysh përpara se të shpërngulej nga aty, ajo ia kishte shpërndarë të gjitha paratë të varfërve, pa mbajtur asgjë për veten.

Një ditë një njeri i skamur erdhi pranë saj dhe i kërkoi një kafshatë bukë. Aishja kishte ca rrush dhe i tha një gruaje që kishte afër për t’ia dhënë atë personit që po i lypte në derë. Gruaja e shikoi atë me çudi, duke menduar se Aishja kishte nevojë vetë për ushqim. Aishja i kujtoi asaj se edhe grimca më e vogël e veprave të mira do të shpërblehej:

“Përse po ngurron? A e di se sa grimca ndodhen në atë rrush?” duke aluduar për ajetin “E kush bëri ndonjë të mirë sa grimca, atë do ta gjejë.”

Një ditë një grua e varfër, me dy vajza, erdhi tek Aishja për t’i kërkuar ndonjë gjë për të ngrënë. Në atë çast nuk i gjendej asgjë në shtëpi; Aishja kërkoi kudo, por nuk gjeti tjetër veç një hurme, të cilën ia dha gruas tërë siklet. Pastaj sytë e saj u fiksuan tek reagimi i gruas - ajo e ndau hurmën përgjysmë dhe ia dha secilës prej vajzave të saj. Aishes iu kujtua rasti i asaj nënës që kishte e ndarë edhe pjesën e vet përgjysmë për dy vajzat e saj.

Aishja u mallëngjye thellë nga kjo që po i shihnin sytë. Edhe pasi gruaja u largua, ajo vazhdoi të mendonte rreth saj. Kur i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të u kthye në shtëpi, Aishja ia tregoi krejt historinë. I Dërguari i Zotit u prek dhe i tha: “Nuk ka asnjë dyshim se ato vajza do të jenë një mburojë kundër

Zjarrit për atë që i trajton ato me mirësi.”

Një ditë, një grua e varfër erdhi tek Aishja, e cila kërkoi kudo dhe gjeti vetëm një copë bukë. Ajo ishte buka me të cilën ajo do të prishte agjërimin, por ia dha gruas pa kurrfarë hezitimi. Amvisa e Aishes u përpoq ta ndalonte:

“Po nuk do të kesh me ç’të prishësh agjërimin pastaj!” Aishja e urdhëroi:

“Jepja bukën gruas.”

Amvisa nuk kishte zgjidhje tjetër ç’të bënte, andaj ia dha pa kundërshtuar mandej. Afër perëndimit të diellit, Aishes i erdhën ca dhurata ku kishte mish qengji dhe bukë. Zoti i bekon ata që japin për hir të Tij. Kur ishte koha për të ngrënë iftarin, Aishja bëri shaka me amvisën:

“Merre këtë dhe haje, është më e mirë se buka jote e thatë.”

Diçka e ngjashme ndodhi edhe kur njëri nga nipat e saj, Abdullah ibn Zubejri, i dha asaj një shumë prej njëqind mijë dërhemësh, dhe e pa atë tek i shpërndante ato të gjitha për të skamurit. Ishte një ditë agjërimi për Aishen, së cilës nuk i kishte mbetur më asgjë. Kur ra muzgu, Aishja i tha amvisës së saj, Umu Dherit:

“O Umu Dher, përse nuk na sjell diçka për të prishur agjërimin?” Umu Dheri solli ca bukë me vaj ulliri dhe i tha:

“O nëna e besimtarëve, pse nuk mbajte diçka, qoftë edhe vetëm një dërhem nga ajo që shpërndave në mënyrë që edhe ne të mund të blinim ca mish?”

Në fjalët e amvisës ndjehej sikleti i pamundësisë për të sjellë një ushqim të mirë për Aishen dhe habia kur shihte se Aishja kurrë nuk përfitonte nga gjithë ato mundësi që i jepeshin. Aishja e kuptoi dhe i tha me butësi:

“Mos më bërtit. Nëse do të më ishte kujtuar, mund ta kisha bërë këtë.”

Aishja e dinte se do të përfitonte mjaft nga ajo ç’ka dhuronte, kështu që jepte pa reshtur. Ajo e kishte mësuar këtë prej vetë Krenarisë së Njerëzimit, Profetit Muhamed (s.a.s.).

Një ditë, ata flijuan një kafshë dhe Aishja e fali krejt mishin e saj derisa vetëm pak kocka shpatullash mbetën në duart e saj. Kur i Dërguari i Zotit u kthye në shtëpi, e pyeti:

“Çfarë bëre me kafshën e therur, a mbeti ndonjë gjë për ne?” “E shpërndava të gjithë mishin, vetëm kockat e shpatullave ngelën,” - tha Aishja. Kjo ishte ajo që priste edhe i Dërguari i Zotit, sepse Allahu i Plotfuqishëm i kishte premtuar se Ai do t’ia shumëfishonte vlerën e shpërblimit për çdo gjë që do të jepnin për hir të kënaqësisë së Tij. Një vepër e mirë që është regjistruar për bamirësi e dhënë për hir të Zotit kurrë nuk do të humbasë, përkundrazi do të mbetet e përhershme. I Dërguari i Zotit pastaj tha:

“Jo e dashur Aishe, çdo pjesë e saja përveç kockave të shpatullave ka ngelur për ne si shpërblim i përhershëm.”

Kujdesi ndaj mbulesës

Përderisa Aishja paralajmëronte të tjerët në lidhje me mbulesën, natyrisht edhe ajo i ka kushtuar vëmendje shumë të madhe atij. Si një grua e Profetit, ajo ishte një nënë edhe për myslimanët e tjerë. Përkundër kësaj, ajo u soll me kujdes dhe mbajti përherë një distancë mes vetes dhe njerëzve të cilët nuk ishin të afërm të saj.

Ajo rrinte e mbuluar edhe përpara njerëzve të verbër. Një ditë, Is’haku, një udhëheqës i tabiinëve, erdhi tek ajo dhe Aishja doli në anën tjetër të perdes. Is’hakut, duke qenë i verbër, sjellja e saj iu duk e çuditshme dhe i tha:

“A po mbulohesh për të mbrojtur veten prej meje? Por unë nuk mundem të të shoh ty.” Aishja iu përgjigj:

“Vërtet ti mund të mos më shohësh mua, por unë të shoh ty.”

Aishja ndjehej në siklet edhe kur burri i mëndeshës së saj erdhi brenda shtëpisë së saj, edhe pse ai konsiderohej si një xhaxha i afërt para të cilit ajo nuk ishte e detyruar të vishte shaminë. Atyre të cilëve kjo iu duk e çuditshme, ajo u tha:

“Mua më ka dhënë gji gruaja e tij, e jo ai.”

Ndoshta vendimi për këtë çështje nuk ishte bërë i qartë ende, kështu që Aishja po gabonte për shkak të kujdesit të tepërt. Me të ardhur Profeti, ajo e pyeti menjëherë, e ai iu përgjigj:

“Ai është xhaxhai yt. Lejoje të rrijë pranë teje.”

Është thënë nga Ibni Abasi se Aishja e kishte zakon të mbulohej edhe kur dy nipat e Profetit, Hasani dhe Hyseni, e vizitonin shtëpinë e saj. Hasani dhe Hyseni, për shkak të kujdesit të saj, nuk shkonin aq shpesh për vizitë pranë bashkëshorteve të të Dërguarit dhe silleshin më me kujdes ndaj tyre.

Edhe gjatë riteve fetare, ajo nuk përzihej me turmën dhe i sillej rrotull Qabes në moment qetësie. Njëherë, kur Aishja po i sillej rrotull Qabes, një grua i kërkoi të shkonin bashkë te Guri i zi.

“O nënë e besimtarëve, përse nuk shkojmë ta prekim apo ta puthim edhe ne Gurin e zi?”

Aishja i tha gruas të qëndronte larg prej saj, dhe u shpreh se ishte e pahijshme që gratë të lëviznin në mes të një turme të tillë.

Duke i ditur sjelljet e saj të kujdesshme, njerëzit shpesh u përpoqën ta bënin atë të ndihej më rehat ndërsa ajo sillej rrotull Qabes, duke hapur zonën e njerëzve. Në këtë mënyrë zona e rrotullimit përgatitej më përpara për Aishen. Ajo madje e mbante të mbuluar fytyrën e saj, ndërsa sillej rreth Qabes, duke mos lejuar askënd për të parë fytyrën e saj.

Ajo ishte tepër e përpiktë, edhe gjatë vizitave në varreza. Pasi Omeri u martirizua dhe u varros, Aishja i kryente vizitat e saj më me shumë kujdes tek varret e të Dërguarit të Zotit dhe babait të saj, Ebu

Bekrit.

Ndjeshmëria e saj u reflektua edhe në mësimet që u jepte të tjerëve. Aishja i ka lejuar të gjithë të vijnë dhe të përfitojnë nga njohuritë e saj dhe ajo kishte nxënës nga çdo rajon. Studentët e saj më të shquar ishin nipat dhe të afërmit e saj. Edhe pse ishte më e lehtë për ta që ta vizitonin në shtëpinë e saj, ajo mbante një perde mes vetes dhe kushërinjve të një brezi më të largët, si dhe ndaj të huajve, duke i shpjeguar mësimet e saj që nga ana tjetër e perdes. Nëse i duhej të korrigjonte ndonjë gabim, Aishja ndërhynte duke i bërë shenjë me duar. Nxënësi i saj, Imam Mesruku ka thënë:

“Unë dëgjoja zhurmën e duartrokitjeve të saj nga ana tjetër e perdes.”

Aishja ndërtoi një ambient të dobishëm për klasat. Ajo sigurohej që gjithmonë ata të cilët vinin tek ajo për të marrë mësime të kishin qenë të ushqyer me gji nga njerëzit e saj të afërt, në mënyrë që ajo të mund t’i shihte përsëri më vonë për hir të dijes. Ajo e dinte se i Dërguari i Allahut kishte dhënë një leje të ngjashme për gruan e Ebu Hudhejfes, Sehle binti Suhejlit, ndaj edhe pse i biri, Selimi kishte qenë i rritur, ajo i kishte dhënë qumësht në foshnjëri të tij, kështu që ata u bënë më se të afërm me njëri-tjetrin.

Kur ishte e nevojshme, ajo ua mësonte përmes praktikës atë që ajo dinte për nxënësit e saj që kishin statusin e të afërmit të gjakut. Një nga të afërmit e saj të ngushtë kishte një shërbëtor që e quanin Selim, i cili dëshironte të mësonte se si merrej abdesi. Ajo e mësoi atë të merrte abdes njësoj siç merrte i Dërguari i Zotit, Muhamedi paqja qoftë mbi Të. Meqenëse Selimi ishte rob i njërës prej të afërmve të saj të ngushtë, ajo gjithashtu e pranoi atë si të afërm.

Pasi kishte kaluar ca kohë, i njëjti person erdhi sërish tek Aishja dhe i tha:

“O nënë e besimtarëve, të lutem bëj dua për mua.” Aishja e pyeti përse.

Duke dashur ta ndante me të lumturinë e vet, ai i tha Aishes: “Allahu i Madhëruar më dha lirinë.” Ajo u përgjigj:

“Allahu të bekoftë.”

Sapo i tha këto fjalë, Aishja iku menjëherë dhe u fsheh pas perdes. Që nga ai moment, ai nuk e gëzonte më statusin e të afërmit, kështu që këndej e tutje ajo foli me Selimin nga ana tjetër e perdes.Udhëzimi i të tjerëve dhe transmetimi i mesazhit

Rrëfimi i mesazhit hyjnor dhe udhëzimi i të tjerëve në rrugë të drejtë, përbënte synimin kryesor të jetës së Aishes pas ndarjes nga jeta të të Dërguarit të Allahut paqja qoftë mbi Të. Me të parë kryerjen e ndonjë gabimi, ndërhynte, dhe tregonte menjëherë mënyrën se si i zgjidhte Profeti këto situata në të gjallë. Aishja i gëzohej së mirës dhe mundohej t’i vinte prita të keqes në çdo rrethanë; ajo bëri gjithçka që mundi për të udhëzuar popullin në rrugë të drejtë. Motivi prapa këtyre përpjekjeve të saj ishte angazhimi serioz për të vënë në jetë mësimet e Kuranit dhe të Sunetit.

Aishja njëherë pa një grua që po ecte ndërmjet Safës dhe Merues, e cila kishte veshur një mbulesë me piktura dhe sakaq e paralajmëroi:

“Çlirohu nga ato piktura në veshjen tënde. I Dërguari i Allahut zemërohej kur shihte veshje të tilla.”

Aishja këmbëngulte në rrëfimin e dijeve që kishte dhe ligështohej kur diçka mbetej vetëm brenda saj. Mes këtyre dijeve, kishte edhe nga ato të cilat ajo kishte turp t’i thoshte për shkak të modestisë, kështu që ajo u thoshte grave t’i bisedonin ato me bashkëshortët e tyre. Një ditë ajo tha:

“Meqë kam turp t’ua them këto atyre, thuajuni burrave tuaj se ata duhet të përdorin ujë për t’u pastruar pasi kanë shkuar në tualet. Kështu ka vepruar edhe i Dërguari i Allahut.”

Ajo i qortonte vajzat, madje edhe ato më të voglat fare të cilat mbanin bizhuteri nëpër duar, dhe i porosiste kur i vinin për vizitë për faktin se zbukurimet e tepërta ishin një ftesë për djallin, që do të thoshte privim i ambienteve të shtëpisë nga prania e engjëjve.

Kurdoherë që shihte ndonjë gabim, asaj i lindte përbrenda një dëshirë e ethshme për ta ndrequr. Një ditë ajo pa të vëllanë, Abdurrahmanin teksa merrte abdes me nxitim sepse donte të shkonte në varrimin e Sa’d ibn Ebu Uakasit, dhe e paralajmëroi:

“Abdurrahman, të jesh më i kujdesshëm kur i lan këmbët ndërsa merr abdes. Kam dëgjuar nga i Dërguari i Zotit të thotë: “Sa keq më vjen për thembrat që digjen nga zjarri!”

Shënimet

  1. 64.Al Imran, 31.
  2. 65.Ahzab, 51.
  3. 66.Muslim, salat, 221; Tirmidhi, daauat, 76; Ebu Davud, salat, 152.
  4. 67.Bejhekiu, Shuabul iman, 3/383.
  5. 68.Muslim, xhenaiz, 102; Nesai, xhenaiz, 103; ishretu nisa, 4.
  6. 69.Në vend që ta përshëndesnin duke i uruar paqe, siç vepronin gjithnjë besimtarët, mosbesimtarët thoshin “Vdeksh më mirë!” nëpër dhëmbë.
  7. 70.Muslim, fedail, 79.
  8. 71.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/77.
  9. 72.Tirmidhi, menakib, 64; Ibni Maxhe, nikah, 50.
  10. 73.Tirmidhi, nikah, 41; Ebu Davud, nikah, 39.
  11. 74.Nisa, 129.
  12. 75.Tirmidhi, menakib, 63; Hakim, Mustedrek, 3/444.
  13. 76.Buhari, hiba, 6,7.
  14. 77.Muslim, talak, 30; Tirmidhi, tefsiru’l Kuran, 387.
  15. 78.Muslim, eshribe, 139; Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/123.
  16. 79.Buhari, hiba, 14; shehadet, 30.
  17. 80.Buhari, fedailu sahabe, 5.
  18. 81.Buhari, nikah, 83.
  19. 82.Buhari, medhalim, 26.
  20. 83.Ahkaf, 20.
  21. 84.Ahzab, 28-29.
  22. 85.Buhari, medhalim, 26; tefsiru sure, 276; Muslim, talak, 22.
  23. 86.Buhari, xhenaiz, 94.
  24. 87.Bejhekiu, Sunen, 2/458; Ibni Sa’d, tabakat, 8; Ibnu’l Athir, Usdu’l Gabe, 1.
  25. 88.Muslim, fedailu sahabe, 83; Nesai, ishretu nisa, 3; Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/88; Bejhekiu, Sunen, 7/299.
  26. 89.Buhari, shehadet, 15.
  27. 90.Buhari, medhalim, 25.
  28. 91.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/152.
  29. 92.Hakim, Mustedrek, 4/28; Ibni Sa’d, tabakat, 8/116, 117.
  30. 93.Ibni Sa’d, tabakat, 8/126; Dhehebi, sijer, 2/227.
  31. 94.Buhari, fedailu sahabe, 30.
  32. 95.Njerëzit që rrinin në paradhomën e xhamisë së Profetit, të cilët ia kishin kushtuar jetën e tyre adhurimit dhe dijes fetare.
  33. 96.Ebu Davud, edeb, 103; Ahmed bin Hanbel, Musned, 5/426.
  34. 97.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/157.
  35. 98.Buhari, merda, 16.
  36. 99.Ebu Davud, edeb, 92; Nesai, Sunenu’l Kubra, 5/139.
  37. 100.Po aty.
  38. 101.Ebu Jala, Musned, 3/449; Taberani, Mu’xhemul Kebir, 7/158.
  39. 102.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/52.
  40. 103.Buhari, nikah, 107.
  41. 104.Buhari, nikah, 82.
  42. 105.Buhari, nikah, 63.
  43. 106.Buhari, ijdajn, 2.
  44. 107.Po aty.
  45. 108.Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/449; Taberani, Mu’xhemul Kebir, 7/158.
  46. 109.Axhluni, keshfu’l hafa, 2/503.
  47. 110.Ebu Davud, xhihad, 68; Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/39.
  48. 111.Ebu Davud, edeb, 78; Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/260.
  49. 112.Buhari, el-Edebul Mufred, 1/54.
  50. 113.Buhari, temenni, 15; Muslim, sajd, 42.
  51. 114.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/123; Bejhekiu, Sunen, 9/325.
  52. 115.Buhari, tehexhud, 16; menakib, 21.
  53. 116.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/55.
  54. 117.Po aty, 6/92.
  55. 118.Buhari, itikaf, 18. 120 Buhari, haxh, 76.
  56. 119.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/125.
  57. 120.Po aty, 6/138; Nesai, Sunenul Kubra, 1/181.
  58. 121.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/125.
  59. 122.Tur, 27.
  60. 123.Ibni Ebi Shejbe, Musannef, 2/25.
  61. 124.Po aty.
  62. 125.Tahmaz, Sejidatu Aisha; cituar në Abdur’rezak, Musannef, 2/182, 126, 141.
  63. 126.Buhari, xhemaat, 26.
  64. 127.Ibni Sa’d, tabakat, 8/68.
  65. 128.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/128.
  66. 129.Buhari, saum, 67.
  67. 130.Abdur’rezak, Musannef, 2/560-561; Bejhekiu, Sunen, 4/301.
  68. 131.Po aty.
  69. 132.Buhari, megazi, 32.
  70. 133.Muslim, fedailu Sahabe, 155.
  71. 134.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/152.
  72. 135.Buhari, edebu’l mufred, 1/435.
  73. 136.Hejthemi, Mexhmuatu’l zeuaid, 1/484.
  74. 137.Buhari, itk, 13.
  75. 138.Buhari, edebu’l mufred, 1/68.
  76. 139.San’ani, Subulu selam, 4/139.
  77. 140.Ebu Davud, edeb, 23.
  78. 141.Buhari, edebul mufred, 1/166.
  79. 142.Muslim, imareh, 19.
  80. 143.Buhari, hajd, 11.
  81. 144.Buhari, hibe, 32.
  82. 145.Buhari, edebu’l mufred, 1/165.
  83. 146.Ebu Nuajm, Hiljetu’l Eulija, 2/48.
  84. 147.Po aty.
  85. 148.Buhari, edeb, 62.
  86. 149.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/92.
  87. 150.Po aty, 6/75.
  88. 151.Buhari, zekat, 8, 9.
  89. 152.Buhari, edebu’l mufred, 1/106.
  90. 153.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/99; Hakim, Mustedrek, 2/26.
  91. 154.Ibni Sa’d, tabakat, 8/67; Dhehebi, sijer, 2/47, 48.
  92. 155.Ibni Sa’d, tabakat, 8/65; Ebu Nuajm, Hiljetu’l Eulija, 2/47, 48.
  93. 156.Malik, Muvatta, 2/997.
  94. 157.Zelzele, 7.
  95. 158.Buhari, edebul mufred, 1/59.
  96. 159.Malik, Muvatta, 2/997.
  97. 160.Ibni Sa’d, tabakat, 8/67; Dhehebiu, sijer, 2/187.
  98. 161.Ibni Sa’d, tabakat, 8/69.
  99. 162.Buhari, shehadet, 7.
  100. 163.Ibni Sa’d, tabakat, 8/58.
  101. 164.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/85.
  102. 165.Hakim, Mustedrek, 4/8.
  103. 166.Buhari, adahi, 15.
  104. 167.Muvatta, rada, 2; Ebu Davud, nikah, 10.
  105. 168.Nesai, tahara, 83.
  106. 169.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/225.
  107. 170.Tirmidhi, taharet, 15; Nesai, taharet, 41.
  108. 171.Ebu Davud, hatem, 6.
  109. 172.Muuatta, taharet, 35.