Aishja0%

Kujtime nga Meka

Por jeta vazhdonte. Çdo mëngjes Meka gdhihej me shkëlqimin e lajmeve të reja rreth besimtarëve të rinj, që hynin nga dita në ditë në besimin islam. Çdo natë, Meka bëhej edhe më e errët nga vështirësitë dhe detyrimet që u shkaktoheshin besimtarëve.

Duke përjetuar gëzim dhe vështirësi së bashku, Aishja vërente çdo gjë me imtësi, dhe më vonë ishte ajo që do t’i përshkruante këto situata me përpikëri për brezat e ardhshëm. Ndjenja e saj e natyrshme e kureshtjes bëri që ajo të regjistronte çdo zhvillim të ri që përjetonte, gati sikur të ishte duke mbledhur një album fotografik të të gjithë jetës së saj. Ajo e dinte se ku ishte shpallur ky apo ai ajet, cili u bë mysliman, andaj kur një ditë, shumë vite më vonë, një burrë nga Iraku erdhi në Medinë dhe e pyeti në lidhje me periudhën mekase, përgjigjja që ajo i ktheu ishte një analizë e mprehtë dhe mjaft domethënëse në lidhje me gjithë rrethanat e periudhës në fjalë.

Periudha e Mekës ishte e mbushur me kujtime, sa të paharrueshme aq edhe pikëlluese për Aishen. Shkëlqimi i vetëm në jetën e saj ishte i Dërguari i Zotit (s.a.s.). Ai e vizitonte shpesh shtëpinë e Ebu Bekrit dhe i ngushëllonte vazhdimisht. Aishja e shprehu gjithmonë kënaqësinë që ndjente për këtë me fjalët:

“Që kur mbaj mend, i kam parë prindërit e mi si besimtarë të devotshëm. I Dërguari i Zotit na vizitonte pothuajse çdo ditë në mëngjes ose në mbrëmje.

Propozimi për martesë

Dy vite kishin kaluar që nga vdekja e Hatixhes, dhe i Dërguari i Zotit jetonte vetëm me tri vajzat e Tij. Një ditë, gruaja e Osman ibni Maz’unit, Haula binti Hakimja, erdhi tek i Dërguari i Zotit plot druajtje dhe e pyeti:

“A dëshiron të martohesh?”

I Dërguari i Zotit ishte pesëdhjetë vjeç asokohe, dhe së bashku me tri vajzat e Tij e ndjente thellë pikëllimin për vdekjen e Hatixhes, ndaj iu përgjigj:

“Dakord, por me kë?”

E përgatitur për përgjigjen, Haula iu përgjigj pyetjes së Tij me një tjetër pyetje, duke i thënë nëse ai do të parapëlqente më shumë një grua të ve apo dikë të pamartuar më parë. Qëndrimi i saj ishte ai i një gruaje të aftë që mund t’i gjente të dyja. Profeti ynë i dashur e pyeti në lidhje me mundësinë e dytë.

“Është Aishja, e bija e Ebu Bekrit, një mik të cilin ti e do më tepër se këdo tjetër në mesin e njerëzve.”

Pastaj Ai e pyeti Haulan se cila ishte mundësia tjetër. Ajo doli se ishte Seude binti Zam’a, një nga myslimanet më të hershme. Seudeja e kishte pranuar Islamin gjatë ditëve më të vështira në Mekë, madje edhe kishte emigruar në Abisini për t’i shpëtuar persekutimit. Fatkeqësisht, burri i saj Sekran ibni Amri kishte vdekur në Abisini dhe sakaq ajo u gjend e detyruar të kthehej. Që të dyja ishin të përshtatshme, andaj Ai i kërkoi Haulas që më parë të merrte mendimin e tyre.

Ndalesa e parë

Haula ishte e lumtur, sepse ajo shpresonte të pakësonte problemet e Profetit. Seudeja ishte një grua e besueshme dhe e pjekur. Anipse në zemrën e saj ajo ende mbante zi për bashkëshortin, kjo ofertë ishte e një natyre të tillë që të mund t’ia fashiste krejt dhimbjet. Seudeja kishte një baba të moshuar dhe ajo vendosi të merrte më parë bekimin e tij. Edhe kjo detyrë iu ngarkua Haulës. Ajo shkoi tek i ati i moshuar i Seudes dhe i tha atij se Muhamedi, i biri i Abdullahut, kërkonte dorën e vajzës së tij për martesë. Plaku, me të dëgjuar emrin, “Muhamedi, i biri i Abdullahut”, u ngrit dhe tha:

“Ai është një burrë bujar dhe një gjetje mjaft e mirë. Por si ndjehet shoqja jote për këtë?”

Haula u përgjigj menjëherë:

“Edhe asaj i pëlqen kjo ide.”

Edhe pse Seudeja e dha pëlqimin, disa prej të afërmve të saj e kundërshtuan menjëherë këtë martesë. Vëllai i saj Abdullah ibn Zam’a, i cili e mori vesh më vonë lajmin, protestoi ndaj vendimit të të atit. Gjithashtu edhe xhaxhai i Seudes ulëriti me anë të një vjershe, duke e kundërshtuar haptazi këtë martesë.

Adresa e dytë

Mandej Haula shkoi tek shtëpia e Ebu Bekrit dhe foli me gruan e

tij Umu Rumanin:

“I Dërguari i Allahut më nisi këtu që t’ju kërkoj dorën e vajzës suaj Aishes për martesë.”

Umu Rumani mbeti pa fjalë nga gëzimi. Por asaj iu kujtua diçka që kërcënonte të errësonte këtë gëzim që sapo e kishte ndriçuar gjithë atmosferën përreth. Asaj i erdhi ndër mend premtimin që i shoqi i saj i kishte dhënë kohë më parë Mut’im ibn Adijit. Kështu që, Umu Rumani këshilloi që ato të prisnin më mirë derisa të vinte edhe Ebu Bekri. Kur Ebu Bekri arriti në shtëpi, Haula i dha atij lajmin e gëzueshëm. Ai sigurisht që dëshironte të bëhej i afërm i Profetit Muhamed paqja qoftë mbi Të, por kishte një dyshim në mendjen e tij. Sipas traditave para-islame, martesa e fëmijës me fëmijën e një miku të ngushtë nuk ishte e lejuar. Kur i Dërguari i Zotit dëgjoi për këtë, ai tha se vëllazëria e tyre ishte vëllazëri në fe, kështu që nuk kishte asnjë pengesë që kjo martesë të kryhej. Ebu Bekri u lumturua aq shumë saqë iu rrëmbushën sytë me lot. Megjithatë, ai nuk e kishte harruar aspak problemin tjetër që i qëndronte mbi krye. Ai shkoi në shtëpinë e Mut’im ibn Adijit që të çlirohej nga një premtim që sa më tepër t’i rrinte mbi krye mund t’i shkaktonte edhe mjerim nga çasti në çast. Ata nuk mendonin më për një fejesë siç e kishin planifikuar, e ajo që Ebu Bekri kishte filluar të mendonte nuk ishte më e ndryshme nga ajo.

Haula dhe Umu Rumani morën frymë lehtësisht kur e dëgjuan lajmin e mirë.

“Tani, mund të shkosh dhe ta ftosh të Dërguarin e Allahut.”, - i tha Ebu Bekri Haulës.

Ishte muaji i Sheualit në vitin e dymbëdhjetë të shpalljes kur u bë fejesa mes Profetit tonë të Dashur dhe Aishes së nderuar (r.a.). Katërqind dërhemë, të cilat konsideroheshin një shumë paksa bujare për atë kohë, u caktuan si prikë për nusen e re.

Që nga ajo ditë, për Aishen filloi një periudhë e re jete. Ajo tanimë ishte më e lumtura e grave të reja, pasi ajo do të bëhej gruaja e robit më të dashur të Allahut (xh.sh.). Në të njëjtën kohë, një përgjegjësi e madhe, përgjegjësia e të qenit nënë e gjithë besimtarëve, nisi të rëndonte mbi supet e saj që në moshë fare të re. Duke pasur një marrëdhënie kaq të ngushtë me robin më të dashur të Zotit, asaj iu dha mundësia të fitonte njohuri të një natyre të atillë që askush tjetër nuk mund t’i arrinte.

Aishja ishte e ndërgjegjshme për përgjegjësitë e saj. Procesi i shpalljes, i cili ishte ndjekur prej saj me kujdes deri në atë ditë, tani do të trajtohej edhe me më shumë kujdes, duke regjistruar çdo ngjarje si një fotografi në mendjen e saj.

Këshilla e dhënë Umu Rumanit

Nëna e Aishes, Umu Rumani, ndjeu një barrë të rëndë mbi supet e saj, sepse e bija ishte duke u bërë gruaja e Profetit (s.a.s.). Ajo u bë shumë e ndjeshme ndaj sjelljes energjike të vajzës së saj. Kur shihte diçka që nuk i pëlqente, ajo e qortonte Aishen, nganjëherë edhe shumë ashpër. I Dërguari i Zotit, i cili erdhi për t’i vizituar, pasi kishte ndodhur një incident i tillë, e ndjeu atmosferën e ftohtë në shtëpi dhe pyeti për arsyen e kësaj gjendjeje. Umu Rumani u vu në siklet, megjithatë ia shpjegoi Atij se çfarë kishte ndodhur mes saj dhe së bijës. Profeti u kthye nga Umu Rumani dhe i tha:

“O Umu Ruman! Të lutem për hatrin tim, trajtoje mirë Aishen dhe mos ja ceno të drejtat!”

Migrimi i shenjtë

Aishja vijoi të jetonte në shtëpinë e prindërve të saj. Gjatë asaj periudhe, i Dërguari i Allahut vizitoi mjaft fise, duke i ftuar ata të hynin në Islam. Ai ishte në kërkim të zemrave të hapura që do t’i nënshtroheshin Allahut dhe shkoi në Taif me atë qëllim, por u kthye me telashe të mëdha. Por pastaj, diçka ndodhi tek i Dërguari i Zotit që e bëri Atë të harronte të gjitha gjërat e papëlqyeshme që ishin duke ndodhur. Udhëtimi i Natës dhe Ngjitja në Qiell (Isra dhe Miraxhi) ishin produkt i këtyre ditëve të vështira. I Dërguari i Zotit u dërgua në Xhaminë Aksa në Jerusalem një natë ku ai udhëtoi nëpër qiell dhe u kthye sërish po atë natë. Kur idhujtarët e Mekës dëgjuan për ngjitjen e Profetit në qiell, u gëzuan duke menduar se pamundësia e ndodhjes së një ngjarjeje të tillë do të ishte një mundësi e përkryer, për t’i bërë njerëzit të mos besojnë më në të Dërguarin e Zotit. Por incidenti krijoi një perde ndërmjet besimit dhe mosbesimit, duke i shtyrë besimtarët të arrijnë thellësi të tjera të besimit. Ebu Bekri arriti gradën e besnikërisë. Si një anëtare e shtëpisë së Ebu Bekrit dhe si gruaja e ardhshme e të Dërguarit të Zotit, Aishja e ka ndjekur nga shumë afër atë çfarë ndodhi.

Idhujtarët në Mekë e vijuan persekutimin e besimtarëve. Profeti dhe shokët e Tij ishin afër fundit të qëndrimit të tyre në Mekë. Në fakt, i Dërguari i Zotit kishte një ëndërr, ndërsa u tregonte shokëve të Tij rrugët e Medinës për të kapërcyer problemet në Mekë. Por kjo nuk ishte e lehtë.

Për të Dërguarin e Zotit, shtëpia e Ebu Bekrit ishte si shtëpia e Tij; vështirë se ka kaluar një ditë në të cilën ai të mos e ketë vizituar shtëpinë e Ebu Bekrit.

Një ditë, ai erdhi për vizitë në mesditë, një kohë e pazakontë për Të. Të gjithë u habitën dhe pjesëtarët e shtëpisë menjëherë e lajmëruan babanë e tyre në lidhje me vizitën.

Ebu Bekri e njihte më mirë se kushdo karakterin e Profetit. Ai e dinte se sa i ndjeshëm ishte ai në lidhje me respektimin e të drejtave të të tjerëve, se sa mundohej Ai të shmangte bezdinë që mund t’u shkaktonte të tjerëve duke i vizituar në kohën e pushimit të drekës. Meqenëse Profeti e kishte vizituar, pavarësisht ndjeshmërisë së tij, Ebu Bekri mendoi menjëherë se mund të bëhej fjalë për diçka të rëndësishme që kërkonte ngut.

Sapo ai hyri në shtëpi, Profeti i tha se dëshironte të fliste në mënyrë private. Ebu Bekri u përgjigj:

“T’u bëfshin kurban prindërit e mi, o i Dërguari i Zotit. Këta janë të gjithë nga umeti yt.”

Ai kishte të drejtë. Që të dyja si Esmaja ashtu edhe Aishja ishin të afërta për të Dërguarin e Zotit qysh në vitet e para të shpalljes dhe ato mund t’i ruanin mjaft mirë edhe sekretet. Të dyja motrat qëndruan aty për t’u bërë dëshmitare të kësaj bisede të rëndësishme. Profeti tha:

“Më është dhënë leje për të lënë Mekën dhe për të migruar.”

Kjo ishte një fjali të cilën Ebu Bekri kishte kohë që e priste. Ai u gëzua sepse e dinte se më në fund persekutimi i Mekës do të merrte fund. Por a do të ishte ai së bashku me të Dërguarin e Allahut në udhëtimin e Tij? Tërë padurim ai e pyeti:

“A do të jemi bashkë, o i Dërguari i Zotit?”

Ebu Bekri priste përgjigjen me ankth të madh. Profeti u kthye nga ai, dhe nga buzët e Tij të bekuara dolën fjalët e mëposhtme:

“Po, bashkë do të jemi!”

Ebu Bekri i dilnin lot prej gëzimit. Nga ky çaste e tutje, familja e Ebu Bekrit nuk fliste për asgjë tjetër përveç migrimit të ardhshëm. Aishja dhe motra e saj, Esmaja, së bashku me nënën e tyre Umu Rumanin, kishin filluar saora përgatitjet e udhëtimit.

Kjo do të thotë se Esmaja dhe motra e saj dhjetë vjeçe më e re, Aishja, ishin dëshmitarët e para të migrimit të shenjtë. Ato ishin të parat që u njohën me planet e udhëtimit të babait të tyre dhe të Dërguarit të Zotit. Ato ndoqën nga afër skemën që përfshinte çështje të tilla si rrugëtimin, rregullimin e lëvizjes, vendet në malin Theur, ku ata do të fshiheshin dhe të prisnin për tri ditë, derisa gjithçka të qetësohej, si dhe informacion në lidhje me njerëzit të cilët do t’i vizitonin ata, dhe se çfarë përgjegjësie do të merrnin ata.

Kur mosbesimtarët e Mekës dëgjuan që bashkësia e të Dërguarit të Zotit po migronte për në Medinë, u përpoqën që t’i ndalonin me mënyra të ndryshme. Ata vunë roje në rrugë të ndryshme që shkonin drejt Medinës, dhe i detyruan disa prej tyre të ktheheshin; disa prej njerëzve ua ndaluan fizikisht të largoheshin; morën pasurinë e disa besimtarëve, disa besimtarë i ndanë nga familjet e tyre, por në fund, ata nuk qenë në gjendje t’i detyronin myslimanët të hiqnin dorë nga plani i tyre i emigrimit.

Në fund, mosbesimtarët u mblodhën së bashku dhe morën një vendim përfundimtar që ta vrisnin Profetin e Bekuar.

Në këto ditë, rrugët e zbehura të Mekës, sikur të kishte rënë vetë vdekja, po përgatiteshin për t’u dhënë lamtumirën “dy udhëtarëve”. Kur erdhi koha, një pikëllim i thellë mbushi zemrat e familjes së Ebu Bekrit. Sigurisht Aishja po përjetonte dyfishin e shqetësimit të Esmasë. Të gjithë ndiheshin të dëshpëruar e të trishtuar nga të qëndruarit larg të Dërguarit të Allahut, por dëshpërimi dhe trishtimi i Aishes ishte shumë i ndryshëm. Që nga ajo ditë e tutje, veshët e Aishes do të rrinin të ngritur pipëz për të dëgjuar ndonjë lajm që vinte nga përreth. Ankthi i saj rritej si rezultat i reagimeve jo normale të politeistëve në Mekë, kështu që ajo mundohej të merrte lajme nga çdo burim i mundshëm. Idhujtarët e Mekës u zemëruan kur nuk mundën ta kapnin dhe vrisnin dot Profetin, ndaj në këtë mënyrë, ata premtuan një shpërblim prej njëqind devesh për këdo që mund t’i sillte të vdekur ose të gjallë udhëtarët e arratisur. Nuk është çudi, që kreu i idhujtarëve ishte Ebu Xhehli; ai shkoi me zemërim në shtëpinë e Ebu Bekrit dhe i pyeti se ku ishte babai i tyre. Ata nuk e dinin, por ky nuk ishte arsyetim për Ebu Xhehlin. I zemëruar, ai e qëlloi Esmanë, e cila ishte gjashtë muajshe shtatzënë.

Të dy udhëtarët ishin larguar, duke e mbajtur destinacionin e tyre sekret. Por një turmë e formuar rreth Qabes tërhoqi vëmendjen e Esmasë dhe ajo u afrua më afër për të dëgjuar çka po thuhej. Një njeri i kishte parë dy njerëzit më të përsosur të kësaj bote, të udhëtonin drejt Medinës. Kur Esmaja u tregoi ato që kishte dëgjuar njerëzve të tjerë të shtëpisë, të gjithë psherëtinë të lehtësuar dhe falënderuan Zotin që i kishte mbrojtur babanë e tyre dhe të Dërguarin e Zotit, pavarësisht përpjekjeve të idhujtarëve të Mekës.

Hixhreti

Tre muaj kishin kaluar dhe ende nuk kishte asnjë lajm prej Ebu Bekrit dhe të Dërguarit të Zotit. Një ditë, Aishja dhe Esmaja panë Abdullahun, vëllanë e tyre tek vinte në drejtim të tyre i gëzuar. Menjëherë, ato e kuptuan dhe rendën drejt tij me gëzim. Babai i tyre Ebu Bekri, u kishte dërguar një letër në të cilën i ftonte anëtarët e familjes të shkonin në Medinë.

Letra u soll nga Zejd ibni Harithi dhe Ebu Rafiu. Abdullah ibn Urejkiti, udhërrëfyesi i migrimit të shenjtë, gjithashtu u bashkua me ta në udhëtimin e tyre. Në fund të letrës së dërguar të birit, Abdullahut, kërkohej nga babai i tij që t’i merrte motrat dhe nënën dhe të shkonin në Medinë.

Detyra e Ebu Rafiut dhe Zejd ibni Harithit ishte e përcaktuar qartë; ishte i Dërguari i Allahut Ai i cili i kishte nisur ata. Ai u kishte dhënë me vete dy deve dhe pesëqind dërhemë, duke u kërkuar të shpinin edhe familjen e tij në Medinë bashkë me familjen e Ebu Bekrit.

Pak kohë më vonë, përgatitjet kishin përfunduar dhe të dyja familjet filluan të migrojnë së bashku në një kohë kur jobesimtarët e Mekës nuk e kishin mendjen. Ata ishin duke shkuar në Medinë, në qendrën e qytetërimit, dhe pranë të Dërguarit të Zotit me synimin që të mos ndaheshin më kurrë prej Tij. Ata kishin nisur një udhëtim të trazuar që linte pas çdofarë problemi.

Rruga e tyre ishte plot me të papritura. Sapo kishin lënë Medinën dhe ishin drejtuar drejt Minës, kur u takuan me Talha ibn Ubejdullahun, i cili gjithashtu ishte nisur për të bërë migrimin. Gëzimi i tyre arriti caqet kur u takuan këtë burrë besnik, i cili ishte angazhuar me misionin e Profetit qysh në ditët e para të shpalljes. Lumturia e tyre shihej qartë në sytë që u shkëlqenin. Pastaj grupi vijoi rrugën. Mirëpo deveja e Aishes u nervozua dhe refuzonte të ndiqte karvanin. Shqetësimi i Umu Rumanit rritej kur mendonte se ajo deve, mbartte mbi shpinë bashkëshorten e ardhshme të të Dërguarit të Allahut (s.a.s). Deveja nisi të vraponte sipas dëshirës. Dukej se nuk mund të bëhej asgjë për ta ndalur. Umu Rumani, frika e së cilës rritej me çdo hap që hidhte deveja, e cila po ia largonte sa vjen e më shumë të bijën, u frikësua shumë se mos i ndodhte ndonjë gjë e keqe dhe i thirri:

“Lëshoja frerin!”

Ajo shpresonte që këshilla e saj të kryente punë, kur as veprat nuk pinin ujë. Ajo shpresonte që freri i devesë të kapej pas ndonjë dege ndërsa zvarritej në tokë, dhe ta ndalte sakaq devenë që të mos ecte më tej.

Dhe me të vërtetë kështu ndodhi. Deveja që po ngiste Aishja, litarin e së cilës ajo e lëshoi përtokë sipas këshillës së të ëmës, ndali së ecuri. Koka e litarit ishte kapur për një dege, duke e ndaluar saora devenë e pabindur.

Anëtarë të tjerë të karvanit vrapuan drejt saj, dhe e bënë devenë të vazhdonte rrugën. Çdo gjë ishte stabilizuar dhe hapat e tyre nisën të përshpejtoheshin sërish në drejtim të Medinës.

Udhëtim do të thoshte një vështirësi më shumë për Esmanë, të motrën e Aishes, e cila ishte shtatzënë në ato kohë. Dhimbjet e lindjes së Esmasë u shtuan gradualisht, dhe kur ata arritën në Kuba, ajo nuk mund të duronte dot më. Edhe pse ata ishin shumë afër destinacionit të tyre, iu desh të ndaleshin, që Esmaja të lindte djalin e saj. Ata e morën foshnjën me vete tek i Dërguari i Zotit. Ai e mbajti njëherë në krahë të miturin, u mendua, dhe e quajti Abdullah.12

Murtaja e Medinës

Udhëtimit të tyre tremujor i erdhi fundi, dhe sakaq ata mbërritën në qytetin e Medinës. Në këtë kohë, i Dërguari i Zotit ishte i zënë me ndërtimin e xhamisë së Tij, Mesxhidi Nebeui. Problemet që kishin përjetuar në Mekë dukej sikur kishin sosur, megjithatë, ata përjetuan edhe këtu një ngjarje të atillë, e cila do ta eklipsonte lumturinë e tyre; migruesit, të cilët nuk ishin mësuar me kushtet klimaterike të Medinës, ishin duke vuajtur nga një sëmundje e panjohur deri më tani. Në mes tyre ishte edhe Ebu Bekri. Ai flinte i mbytur në ethe, në pritje të një dore të mëshirshme që ta shpinte përsëri drejt shëndetit. Ata kishin rënë të sëmurë nga murtaja e Medinës. Disa prej tyre madje nuk kishin as fuqi për të qëndruar në këmbë dhe për këtë arsye i falnin namazet të ulur ndenjur, por kurrsesi nuk ndodhte që të hiqni dorë prej tij. Atëherë i Dërguari i Allahut, u kthye drejt tyre dhe u tha:

“Ju duhet ta dini se ai që falet ulur merr vetëm gjysmën e shpërblimeve që merr ai që falet në këmbë.”

Pas kësaj, sahabët u përpoqën me mish e me shpirt, që këndej e tutje t’i falnin namazet e tyre në këmbë.

Pasi mori leje nga i Dërguari i Allahut, Aishja shkoi të vizitonte babanë e saj, i cili dergjej shumë i sëmurë. Bilal Habeshiu dhe Amir ibni Fuhejre ndanin të njëjtën dhomë me Ebu Bekrin. Aishja iu afrua të atit, por zemra e saj nuk mund ta përballonte pikëllimin që i shkaktonte pamja që i shfaqej përpara syve; ngjante sikur i ati ishte larguar dhe në vend të tij, rrinte dikush tjetër, ashtu duke u dridhur nga ethet e sëmundjes. Ai njeri aq aktiv, tani ishte duke u përpëlitur në ethe, në gjendje krejt të pavetëdijshme. Ajo i shkoi afër dhe i tha:

“O babai im i dashur, si je? Si e ndien veten?”

Sytë e Ebu Bekrit farfuritën. Dukej sikur një dritë po zbardhte nga brendia e tij dhe buronte nga fakti që tani gjendej afër vajzës së tij të dashur. Megjithatë, shpirti i tij ishte larg nga fjalët e saj. Ai i hodhi një vështrim kuptimplotë së bijës, të cilën kishte kohë që nuk e kishte parë, pasi ai kishte qenë larg për muaj të tërë, dhe i tha:

“Secili zgjohet në shtëpinë e vet, por vdekjen e ka më afër se lidhëset e këpucëve.”

Aishja u shokua. Vërtet, vdekja është gjithnjë kaq pranë, por edhe jeta ende vazhdon për një njeri të sëmurë. Ebu Bekri dëshironte të jepte këshilla me gjuhën e sëmundjes, së pari Aishes, mandej edhe gjithë të tjerëve. Por ajo mendoi:

“Me siguri, babai im tani është i pavetëdijshëm, e nuk di se ç’flet.”

As Bilal Habeshiu as Amir ibni Fuhejre nuk ishin të vetëdijshëm. Sëmundja kishte lënë gjurmë të thella në zemrat e tyre; qëndrimi në shtëpinë e re ngjante t’i kishte përkeqësuar më shumë.

Aishja u largua e dëshpëruar prej andej. Ajo s’mund të shtirej sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Shkoi tek i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe i tregoi Atij ato që kishte parë e dëgjuar, sepse e dinte se Ai ishte në gjendje t’i gjente zgjidhje çdo problemi. Aishja i tha:

“Ata kishin rënë në kllapi prej temperaturës së lartë. Janë të pavetëdijshëm për ato që flasin.”

I Dërguari i Allahut u trishtua shumë; Ai i ngriti duart drejt qiellit dhe u lut sërish kundër atyre që ishin shkaktarët e kësaj gjendjeje, ata që, për vite me radhë, nuk kishin reshtur së persekutuari myslimanët:

“O Zoti im! Unë po t’i lë Ty në dorë Utbe ibni Rebian, Shejbe ibni Rebian dhe Umeje ibni Halefin; ishin ata që na detyruan të ikim nga qyteti ynë e të vijmë në këtë vend ku ka pllakosur murtaja; jepu atyre atë që meritojnë!”

Pastaj u kthye dhe u lut për shokët e Tij me fjalët:

“Zoti im! Na bëj ta duam Medinën po aq shumë, madje edhe më shumë nga sa na e bëre të dashur Mekën. Bëje këtë qytet një vend sa më të shëndetshëm dhe sa më të begatë. Hiqe këtë sëmundje dhe dërgoje tutje, në drejtim të Xhuhfes.”

Atë natë, I Dërguari i Zotit paqja qoftë mbi Të pa në ëndërr një grua me pamje të zymtë e të rrudhur, e cila udhëtonte nga Medina drejt Xhuhfes. Ëndrra nënkuptonte se lutja i ishte pranuar. Pas këtij momenti, emigrantët nuk vuajtën më kurrë nga temperatura e lartë apo nga ndonjë sëmundje tjetër, që mund të kishte lidhje me klimën e Medinës.

Shënimet

  1. 4.Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/198; Bejhekiu, Sunen, 6/204.
  2. 5.Më vonë, Abdullah ibni Zam’a do të bëhej mysliman dhe do të shprehte keqardhjen për reagimin që pati shfaqur faqe të gjithëve atë ditë.
  3. 6.Nesai, nikah, 66; Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/427.
  4. 7.Ahzab, 6; Aty thuhet se bashkëshortet e Profetit janë nënat e besimtarëve.
  5. 8.Hakim, Mustedrek, 4/6.
  6. 9.Taberi, Tarih, 1/569; ibni Hisham, Sira, 3/11.
  7. 10.Ebu Nuajm, Hiljetu’l Eulija, 2/56; ibni Hisham, Sira, 3/14.
  8. 11.Thuhet se Profeti mori pesëqind dërhemë borxh nga Ebu Bekri. Kur ata erdhën tek një vend i quajtur Kadid, Zejdi i bleu të trija devetë që do përdoreshin gjatë udhëtimit. Shih Ebu Nuajm, Hiljatul Evlija 9:227; Dhahabi, Sijar 2:152.
  9. 12.Taberani, Mexhmau’l Kebir, 23/183; Hejthemi, Mexhmuatu Zeuaid, 9/366; Tehmez, Sejidatu Aisha, 27.
  10. 13.Buhariu, Menakibu’l Ensar, 45; Muslim, edeb, 25-26; Ahmed bin Hanbel, Musned, 6/54, 206.
  11. 14.Tirmidhiu, salat, 247; Ibn Maxhe, salat, 141; Ahmed bin Hanbel, Musned, 2:192, 203, 214; Ibni Kethir, el Bidaje, 3:224.
  12. 15.Buhari, Fedailu Medina, 11; Fedailu Sahabe, 75; Merda, 8.