Pasthënie me fragmente të zgjedhura nga “Kriteret ose Dritat e Rrugës”
Këtu, në vend të pasthënies, me fragmente të zgjedhura nga libri ynë, Kriteret ose Dritat e Rrugës, po bëjmë një ilustrim të mendimeve që parashtruam në këtë libër mbi edukimin familjar.
Fëmija
Ç’vlerë të ketë fara për vazhdimësinë e llojit dhe brezit të një peme, po atë vlerë ka edhe fëmija për vazhdimësinë e llojit dhe brezit të njeriut. Kombet që i lënë pas dore fëmijët, janë të destinuar të shemben, kurse kombet që i braktisin ata në duar të huaja e nën ndikimin e kulturave të huaja, janë të destinuar të humbasin origjinën!..
* *
Brezi që e përbën pjesën më aktive e më produktive të një kombi në çdo tridhjetë-dyzet vjet, janë fëmijët e sotshëm. Ata që i shohin fëmijët si të vegjël e të pavlerë, duhet ta kuptojnë dhe të rrëqethen se me sa mendjelehtësi e morën një element të rëndësishëm në jetën e një kombi!
* *
Përgjegjësit e të keqes që duket në brezat e sotëm, paaftësinë e vëzhguar në një pjesë administratorësh dhe shqetësimeve të hequra si komb, janë elementet sunduese të tridhjetë viteve më parë. Edhe fatkeqësitë apo vlerat e një çerek shekulli më vonë do t’u përkasin atyre që e kanë në dorë arsimimin dhe edukimin e brezave të sotëm.
* *
Çdo komb që kërkon ta marrë nën garanci të ardhmen e vet, duhet t’i shpenzojë një pjesë mundësish sa energjitë dhe koha që ka për të shpenzuar majtas e djathtas, për përgatitjen e fëmijëve, njerëzve të mëdhenj të së nesërmes.
* *
Mjeranët, ngatërrestarët, sarhoshët, anarkistët, të droguarit, morfinomanët, të cilët konsiderohen sot si fytyra e zezë e shoqërisë, janë fëmijët, edukimin e të cilëve e lamë pas dore dje... S’e di, a jemi vënë të mendojmë ndonjëherë se ç’lloj njerëzish do të na i mbushin rrugët nesër si pasojë e mospërfilljes sonë të sotme?
Martesa dhe foleja familjare
Martesa nuk është për kënaqësi e dëfrim. Martesa bëhet për të ndërtuar familjen, për të siguruar vazhdimësinë dhe pavdekësinë e kombit, për t’i shpëtuar mendimet dhe ndjenjat e individit nga hallakatja, për t’i marrë nën kontroll dëshirat trupore. Ndërkaq, ashtu si edhe në shumë çështje të tjera të krijimit, dëshirat dhe kënaqësitë fizike janë një përparësi dhe element nxitës...
* *
Personat që do të martohen, nuk duhet të vendosin sipas veshjes e mbathjes së njëri-tjetrit, madje as sipas pasurisë dhe bukurisë; në këtë çështje tepër serioze, duhet të vendosin sipas bukurisë shpirtërore, kuptimit të moralit dhe nderit, virtytit dhe lartësisë së karakterit...
* *
Për ata që, duke u martuar, nuk kanë bërë dot analizën e nevojshme ose nuk kanë gjetur rastin për ta bërë, kur të vijë puna në prag të ndarjes, nuk kanë për t’u vlejtur as dhe kriteret më të mençura. Sigurisht, çështja nuk është të shpëtohet foleja familjare nga zjarri me sa më pak dëme; e rëndësishme është të mos futen në familje elementet me rrezik zjarri!..
* *
Nuk duhet t’u japim vajzë njerëzve që s’i njohim dhe nuk duhet të kërkojmë vajza që nuk i njohim. Marrëveshja e bërë bazuar mbi të panjohura të tilla, ose finalizohet me një rezultat si ndarja që Allahu s’e pëlqen, ose bëhet shkak torturash për palët, për gjithë jetën!..
* *
Ka fole familjare të bekuara, të ngritura mbi logjikën dhe gjykimin duke u mbështetur qysh në hapat e para te Zoti, që funksionojnë gjatë gjithë jetës si një shkollë dhe, me nxënësit që përgatisin, sigurojnë vazhdimësinë dhe pavdekësinë e kombit që i përkasin!
* *
Martesat e bëra për martesë, pa u menduar e peshuar dhe bashkëjetesat e këtij lloji janë finalizuar me bashkëshortë që qajnë e zvarriten nëpër rrugë, me jetimë të braktisur në jetimore e me kriminelë që i plagosin familjet në zemër...
* *
Nëse interesi dhe dobia e martesës për individin është një, interesat dhe dobitë e saj për kombin janë të shumta. Nisur nga kjo, si martesa e prishur, ashtu dhe ndenjja pa u martuar fare janë një kolerë që i turpëron djemtë, i zhyt vajzat në mjerim dhe kombit i shkakton hemorragji...
* *
Foleja familjare e themeluar qysh në krye mbi parime të shëndosha e ku sundon lumturia materialeshpirtërore, është guri themelor më i shëndoshë i ekzistencës si komb dhe një shkollë e bekuar ku përgatiten individë të virtytshëm e të vlefshëm. Kombet që i bëjnë shtëpitë të begatshme sa dhe shkollat dhe shkollat, të ngrohta sa dhe foletë familjare, quhet se kanë realizuar reformën më të madhe dhe kanë vënë nën garanci qetësinë dhe lumturinë e brezave të ardhshëm...
* *
Kombi formohet prej shtëpive. Kështu, po qe se shtëpitë janë mirë, edhe kombi është mirë; po qe se shtëpitë janë keq, edhe kombi është keq! Sikur ata që kërkojnë paqen e kombit, të përpiqeshin së pari për paqen e familjeve!..
* *
Shtëpisë i thuhet “shtëpi” sipas njerëzve që jetojnë atje. Pjesëtarët e një shtëpie quhen të lumtur me aq sa ndajnë mes tyre vlera njerëzore. Po, mund të themi se njeriu rron si njeri në saje të shtëpisë; edhe shtëpia bëhet shtëpi kur ka brenda njerëz!..
* *
Familja është një komb i vogël, kurse kombi, një familje e madhe. Një person që ka mundur të arrijë me sukses ta qeverisë një familje të madhe a të vogël si dhe t’i ngrejë pjesëtarët e saj në nivele të larta njerëzore, mund të bëhet i suksesshëm me pak përpjekje edhe në organizime më të mëdha...
* *
Çrregullimi dhe shpërbërja në një shtëpi tregon çorientimin dhe shkatërrimin shpirtëror të pjesëtarëve të asaj shtëpie; fëlliqësia, parregullsia dhe çrregullimi i shtëpive, dyqaneve dhe rrugëve të një vendbanimi, gjithashtu, është tregues i nivelit kulturor dhe të interesimit e kuadrit të pushtetit për punën...
Prindërit
Prindërit janë të parat qenie që njeriu duhet t’i respektojë. Kush e lë mangët respektin për ta, quhet se ka kundërshtuar Zotin. Kush i trajton keq ata, herët a vonë ka për t’iu nënshtruar vetë trajtimit të keq...
* *
Nga dita kur njeriu fillon të ekzistojë si një qenie ende e vogël, zhvillohet vazhdimisht si një barrë në supet e prindërve. Lidhur me këtë, është krejt e pamundur të përcaktohet e vlerësohet thellësia e dhembshurisë qoftë e nënës, qoftë e babait ndaj fëmijës, kufiri i shqetësimeve që heqin ata. Nisur nga kjo, respekti për ta është jo vetëm një detyrim njerëzor, por edhe një detyrë që duhet kryer.
92 Nga fara te lisi
* *
Ata që, duke e ditur vlerën e prindërve, i konsiderojnë ata si pretekst për të fituar mëshirën e Zotit, janë ndër më fatlumët si në këtë botë, ashtu edhe përtej. Kurse ata që duke ua përbuzur qenien, tregojnë bezdi ndaj jetës së tyre, janë ca fatkëqinj të paracaktuar për t’u hequr zvarrë, në këtë botë e përtej...
* *
Njeriu quhet se e respekton Zotin po aq sa i respekton edhe prindërit. Kush s’ka respekt për ta, s’ka respekt as për Zotin. Sa çudi që, në ditët tona, tregohen krejt të parespektueshëm ndaj prindërve jo vetëm ata që s’kanë respekt për Zotin, por edhe ata që pretendojnë (me fjalë) se e duan Atë!
* *
Fëmija duhet të jetë jashtëzakonisht i respektueshëm e i bindur ndaj prindërve; edhe prindërit, duke i dhënë jetës shpirtërore të fëmijës po aq rëndësi sa edhe trupit dhe shëndetit të tij, duhet t’ia dorëzojnë atë sa më parë edukimit të të urtëve më të aftë. Ç’injorantë janë prindërit që e harrojnë shpirtin e fëmijës e ç’i pafat fëmija që shkon viktimë e një miopie të tillë!
* *
Biri që i mohon të drejtat e prindërve e që ngre krye kundër tyre, është një lugat me fytyrë njeriu, kurse prindërit që s’bëjnë përpjekje për ta garantuar jetën shpirtërore të fëmijës së vet, janë ca mizorë të pamëshirshëm. Pa le ata prindër që, edhe pasi fëmija ta ketë gjetur vetë rrugën e vet e të ketë hapur krahët për fluturim, e paralizojnë...
* *
Familja është elementi themelor i shoqërisë. Sa të respektuar të jenë pjesëtarët e familjes ndaj të drejtave dhe detyrave të njëri-tjetrit, aq e shëndoshë është shoqëria. Ndryshe, është e kotë t’i kërkosh në shoqëri dhembshurinë e respektin e humbur në familje...
Edukata dhe i riu
Edukata është një bukuri më vete dhe, te kushdo që të ndodhet, është për t’u imituar. Sigurisht, edhe nëse dikush është i paditur, po qe i edukuar, duket. Kombet e mangëta për nga kultura kombëtare e në edukatën kombëtare u ngjasin individëve injorantë, të trashë e rrugaçë, të cilët as besë nuk kanë në miqësi, as seriozitet në armiqësi! Ata që u besojnë të tillëve, gjithmonë pësojnë zhgënjim, ata që mbështeten në ta, herët a vonë mbeten pa mbështetje!
* *
Edukatorët që s’kanë punuar si çirakë pranë një mjeshtri dhe s’kanë marrë edukatë nga një burim i shëndoshë, janë si shërbëtorë që u mbajnë pishën rrugës së të tjerëve. Paturpësia dhe përkëdhelia e dukur në fëmijët është pasojë e turbullirës së burimit ku ai është zhvilluar e zhvillohet. Parregullsia ndjesore, ideore dhe e veprimit në familje reflektohet e përforcuar në shpirtin e fëmijës. Dhe, natyrisht, nga ai në shoqëri...
* *
Në shkolla, të paktën po aq sa në mësimet e tjera, duhet qëndruar mbi edukatën dhe kulturën kombëtare në mënyrë që të përgatiten breza me shpirt e karakter të shëndoshë, të cilët do ta kthejnë vendin në parajsë. Arsimimi është tjetër gjë, edukimi tjetër gjë. Shumica e njerëzve mund të bëhen arsimtarë, por janë të paktë ata që mund të bëhen me plot kuptimin e fjalës edukatorë!..
* *
Mësimet që u jepet më pak rëndësi, në një kohë që janë më të rëndësishëm, janë kultura kombëtare dhe edukata kombëtare. Po qe se një ditë do të kthehemi për ta vënë në shfrytëzim këtë rrugë, do të kemi marrë vendimin më të qëlluar për përparimin e kombit.
* *
Poeti është poet që në lindje. Imrul Kajsi nuk pati bërë shkollë. Ajnshtajni ikte nga shkolla, sepse mendimet i kishte të tjera. Njutoni pati marrë notë të dobët në matematikë, por teoria e tij është matematike. Kurse ne përpiqemi të trazojmë në kazanin e të tjerëve me qepshen tonë...
* *
Shkolla e parë e fëmijëve, që e kanë shpirtin të shkëlqyer si pasqyrë e që regjistron shpejt si makinat fotografike, janë shtëpitë e veta, kurse edukatorët e parë, nënat. Përgatitja e nënave si edukatore dhe jo konsumimi i tyre majtas-djathtas është baza më e rëndësishme për ekzistencën dhe vazhdimësinë e një kombi.
* *
I riu është fidani i forcës dhe zgjuarsisë. Po qe se edukohet e mësohet, mund të bëhet një Anté, një fuqi që u premton zemrave ndriçim, e botës harmoni...
* *
Shoqëria është një enë kristali, kurse të rinjtë, brenda saj si një lëng që merr formën dhe ngjyrën e enës dhe me atë duket. S’e di, apostujt e rregullit dhe harmonisë, të cilët u bëjnë thirrje atyre për përulje dhe bindje, a janë në gjendje të kthehen e të hedhin një vështrim mbi veten e vet?..
* *
Dëshirat u përngjajnë të ngrënave të ëmbla, kurse virtytet, të ngrënave pak të tharta a të kripura. Po qe se i riu lihet i lirë të zgjedhë, a është e nevojshme të thuhet se cilat do t’i zgjedhë e cilat do t’i lërë? Kurse ne jemi të detyruar t’i përgatisim ata si miq të virtytit e si armiq të imoralitetit dhe fëlliqësisë...
* *
Gjer në çastin kur t’i shkohet në ndihmë me anë të edukimit, i riu është satelit i dëshirave dhe kënaqësive boshe të mjedisit ku është rritur, një i marrë e i përgjakur që sillet vërdallë diku shumë larg personalitetit dhe logjikës. Edukata e mirë që, duke e lidhur atë me të kaluarën e vet, do ta përgatisë për të ardhmen, do ta shndërrojë atë në hero të perspektivës!..
* *
Lartësimi ose rënia poshtë e një kombi varen nga shpirti dhe vetëdija me të cilat do të pajisen brezat e tij, nga arsimi dhe edukata që do të marrin. Në kundërshtim me faktin që kombet me brezat e rinj të përgatitur mirë, janë të paracaktuar të përparojnë paprerë, regresi i kombeve që i nënvleftësojnë ata, është i pashmangshëm!..
* *
Ata që kërkojnë të bëhen orakuj mbi të ardhmen e një kombi, po t’i hedhin sytë edukatës së dhënë të rinjve, kanë për të qenë orakuj qind përqind të saktë!..