Hyrje

Nga fara te lisi

(Edukimi familjar nga një këndvështrim tjetër)

1. Botëkuptimi ynë mbi moralin

Mendoj se më parë duhet të merremi vesh me lexuesin mbi një sërë çështjesh, sepse mendoj që, nëse nuk merremi vesh mbi një sërë çështjesh themelore, nuk do të jetë e lehtë që ai të përfitojë nga ky libër. Me të vërtetë, duke trajtuar çështjet mbi edukimin në familje, a mund të arrihet marrëveshje me ata që nuk shqetësohen nga grumbulli i madh i imoraliteteve që përjetohen sot në të katër anët e vendit tonë, në fshat e në qytet, në mjedisin e jashtëm e në familje?

Ç’është e drejta, ç’mund të thuhet nëse ne jemi të kënaqur me gjendjen dhe nëse fëlliqësitë e mjedisit tonë nuk na prekin? A mund të mendohet se diskutimi mbi çështjet morale do të ketë ndonjë dobi nëse nuk na dridhet zemra përballë rrënimit moral të fëmijëve, nipërve e mbesave apo të të afërmve e fqinjëve tanë?

Historia na tregon se asnjë shoqëri nuk ka përparuar dot me anë të imoralitetit. S’e di a ka ndonjë përjashtim kjo, por nuk ka dyshim se popujt që kanë mundur të mbeten për një kohë të gjatë në këmbë pa u rrëzuar nga historia, janë ata që kanë respektuar siç duhet vlerat morale!

2. Shkaqet e shembjes së popujve

Kur u hedhim një sy qytetërimeve të kaluara, shohim se shembja pothuajse e të gjithave ka lidhje me një brejtës moral. Disa herë mund të mos ndjehet asgjë ndërsa vlerat e shoqërisë gërryhen nga poshtë heshturazi me anë të imoralitetit. Ndërkaq, kur ta ndjejmë, çdo gjë do të ketë marrë fund, ashtu siç nuk e kuptojmë se jemi sëmurur nga kanceri gjersa të ketë lëshuar metastaza gjer në pikat tona më të ndjeshme. Asisoj, që kur e marrim vesh, udhëtimi për matanë ka kohë që ka nisur...

Ashtu siç është kanceri është rrënues për trupin e njeriut, edhe imoraliteti është rrënues për jetën e popujve. Nëse drejtuesit e shtetit, pastaj kryetarët e familjeve, edukatorët dhe shoqëria janë mospërfillës ndaj një shthurjeje morale të tillë, kombi shembet me zhurmë e potere pa e marrë vesh kush këtë gjë, e pa i rënë askujt në sy gërmadhat. Kush e di, mbase disa, ashtu si qeniet që strehohen nën gërmadha, e shohin këtë si diçka të natyrshme, duke menduar se ja, kjo qenka jeta!

Po, nëse do të zbresim në shkaktarët më të mëdhenj të shkatërrimit të popujve, do të shohim se kanë qenë të njëjta: bohemizimi i të rinjve dhe, në këta shpirtra të shkujdesur, dëshira për përjetimin e ndjenjave shtazore, shtënia pas ndjenjave epshore, cilësimi i kësaj jete si synim, ndërkohë që nxitet harrimi i tjetrës, të përtejshmes. Largimi nga Allahu dhe kthimi i shpinës Kuranit, fshirja nga zemrat e ndjenjave të frikës dhe ndjeshmërisë për ta lidhur çdo gjë vetëm me lëndësoren e saj.

Gjer te osmanët, të gjitha këto elemente janë të pranishme në shembjen e shumë shteteve. Mbi vorbullat e krijuara nga boshllëqet moralo-shpirtërore është shkuar me interesa materiale që do t’i harbonin më keq, duke hyrë sakaq në një rreth vicioz. Kurse lëngata buronte ngaqë populli e kishte humbur botën e tij shpirtërore, ishte larguar nga Kurani dhe parimet islame, e kishte harruar Allahun. Atyre që kërkonin shpëtim për lëngatën e ndjenjave, u ofrohej shpëtim nga burimi i lëngatës! Kurse çështja qëndronte ndryshe: nëse njërën anë të njeriut e përbën ajo çka është materiale, e kësibotshme, anën tjetër, madje esencën e tij, e përbënte dhe e përbën kuptimi dhe bota tjetër, e përjetshmja. Pika e thyerjes ishte e qartë: çdo gjë buronte nga shtënia pas formës dhe nënvleftësimi i kuptimit, përmbajtjes. Dhe mbyllja e një mangësie të tillë përsëri me lëndën apo materien ishte e pamundur. Në fakt, po të trajtoheshin të dyja së bashku dhe sipas dimensioneve të veta, domethënë, po të zbatohej drejtësia (e drejta) e Allahut sipas madhështisë së vetë Allahut, po të pranohej e drejta e Kuranit po në atë masë, po t’i jepej vlerë botës sa dimensioni i saj dhe përjetësisë sa përjetësia, çdo gjë do të gjente ekuilibrin e nevojshëm.

Kurani shprehet: “Kërkoje vendin e përjetësisë me atë që të ka dhënë Allahu (duke e shpenzuar në udhën e Tij), por mos e harro as pjesën që të takon nga kjo botë!”. Po, duhet përgatitur për jetën e pasme duke i vlerësuar shëndetin, vitalitetin, pasurinë dhe mendjen të favorizuara nga Allahu, por duke mos e harruar edhe pjesën që i takon nga kjo botë! Ky është kriteri i Kuranit. Nëse ekuilibri botë-përjetësi do të rregullohej sipas këtij parimi, ndoshta nuk do të shkatërroheshim dhe merreshim nëpër këmbë gjer në këtë masë. Ja pra, kur në ditët tona, gjërat materiale të tërheqin më së tepërmi kah vetja janë të shumta, individi privohet nga kujtimi i Allahut, është e domosdoshme që, duke e zhvilluar çështjen e edukimit në familje, para së gjithash, të përcaktohen specifikat që do të çonin drejt një marrëveshjeje mbi parimet moraloetike.

Çdo komb ka pasur ngritjen dhe rënien e tij. Kombi është lartësuar me anë të parimeve lartësuese dhe është përmbysur me anë të faktorëve rrënues. Sepse ligjet e natyrës veprojnë brenda një detyrimi të kushtëzuar. Edhe natyrën si një pjesë të gjithësisë, Allahu (xh.xh.) e ka krijuar formalisht të varur nga këto ligje të detyruara. Prandaj duhet respektuar ligjet e natyrës dhe argumentet e krijimit. Nëse duke pasur siguri në mirëkuptimin e tyre, krijoni të meta në një sërë detyrash tuajat, atëherë rrezikoni të shkatërroheni, madje të eliminoheni prej tyre. Ato janë ligje që nuk të falin. Allahu ju fal, por ligjet dhe argumentet e krijimit, e thënë ndryshe, ligjshmëria e krijimit, është diçka që nuk të fal kurrë. Po qe se metoda përcaktohet drejt sipas këtyre ligjeve, Allahu ju ngjit në shtresën më të lartë qiellore, por nëse shkaqet respektohen me mangësi (kur nuk bëhet fjalë për një trajtim të veçantë), ju rrëzon në gjendjen më të fëlliqur që mund të mendohet për qenien njerëzore.

Nëse do t’i kthehemi problemit të kreut, duhet t’u gjejmë përgjigje këtyre pyetjeve: A jeni të bindur se ekzistojnë disa faktorë seriozë dhe disa shkaqe objektive që çojnë në prishjen e moralit? A mendoni me të vërtetë se ka një vorbull morali? Kjo jetesë e trazuar aktuale, a është një imoralitet apo shfaqje e një gjendjeje normale?

3. Të imitosh kombet e tjera

Profeti bujar, Muhamedi (s.a.s.) duke ia tërhequr vëmendjen bashkësisë së tij në lidhje me gjendjen e popujve të shembur për shkak të shthurjes morale, ka thënë:

“Do ta ndiqni hap pas hapi, gjurmë pas gjurme, metër pas metri, rrugën e paraardhësve tuaj...”2

Në shembjen e shoqërive që përjetojnë rrënim moral, vihen re çrregullime të tilla, si mashtrimi prej kësaj bote, pamundësia për të ngritur ekuilibrin trup-shpirt dhe paaftësia për ta përcaktuar veten. Për fat të keq, ky defekt ka filluar qysh në thellësi të historisë, është përcjellë gjatë epokave nga brezi në brez, dhe mandej, Perëndimi e ka trashëguar këtë të keqe, dhe duke e stolisur me fantazira qytetërimi, ua ka përcjellë ndjekësve apo imituesve të vet. Prandaj, hadithi i mësipërm konsiderohet i mrekullishëm.

Këtu nuk do të kaloj dot pa prekur edhe një çast tjetër të veçantë: kur i shohim disa vende dhe njerëzit e tyre, na duken, nga mundësitë materiale, në mirëqenie e të lumtur dhe pandehim se i kanë kapërcyer të gjitha problemet. Mirëpo njeriu perëndimor është gjithnjë jo i qetë; ai kërkon qetësi e lumturi, por gjithsesi nuk i gjen dot. Së pari, përqindja e vetëvrasjeve në Perëndim është shumë më e lartë se në çdo vend tjetër. As nuk mund të mendohet se mund të jetë i lumbur një popull a një komb, njerëzit e të cilit vetëvriten, qofshin ata meshkuj ose femra!

Në një konferencë me temë familjen në Islam, të zhvilluar në Rabat, nën titullin “Sistemimi i familjes”, bëhej e ditur se në Amerikë, përqindja e çifteve të divorcuara ishte 40%. Sot kjo shifër mund të jetë rritur. Mes popujve të degjeneruar në botë, Amerika duket si më e ekuilibruara. Meqë është e ndjeshme në çështje të caktuara, mund të quhet se s’ka hyrë plotësisht në falsitetet e Perëndimit. Megjithëkëtë, edhe atje gjendja është aty-aty.

4. Krijesë e nderuar

Çdo gjë duhet t’i kushtëzohet vetëm për lumturinë e njerëzimit. Njeriu është mëkëmbësi i Zotit mbi tokë dhe qendra e vëmendjes së Tij. Allahu e ka rregulluar gjithësinë për njeriun dhe sipas tij. Nisur nga kjo, edhe qytetërimet duhet të jenë për njeriun dhe në çdo qytetërim, synimi i tij duhet të jetë njeriu. Së pari, njeriu është qenia më e respektueshme. Kurani thotë:

“Pa dyshim, ne e bëmë njeriun të nderuar e të respektuar. I bartëm ata (me anë të mjeteve të ndryshme) në tokë e në det, i furnizuam ata me gjëra nga më të mirat dhe, ndërkaq, disa prej tyre i lartësuam ndaj shumicës.” Këtë të vërtetë të Kuranit, shejh Galibi e thekson kështu në një dyvargësh të tij:

Shihe mirë veten tënde, që je i zgjedhuri i gjithësisë ti, O njeri, bebja e syrit e gjithësisë je ti.

Po, në vështrimin e Allahut, njeriu është një qenie e nderuar. Të gjitha qytetërimet, të gjitha sistemet politike, ekonomike e kulturore s’janë gjë tjetër veçse një akt më vete i pranimit të vlerës së tij. Nga ky këndvështrim, pa u vënë si synim lumturia e njeriut, sistemet e ngritura nuk kanë asnjë vlerë dhe nuk premtojnë asgjë për njerëzimin!

5. Sundimi i Kishës dhe klerikalizmi në Perëndim

Në këtë çështje, ndërmjet Islamit dhe botës perëndimore mund të vërejmë një dallim të rëndësishëm. Ndërsa në Perëndim, me përparimin e shkencës, u shemb mbretërimi i Krishtërimit dhe i klerikalizmit, në botën islame, përkundër Perëndimit, me përparimin e shkencës është shtuar edhe orientimi kah feja.

Në Evropën para Rilindjes dhe Reformës, nën sundimin e Kishës, mbi individët zbatoheshin taksa të rënda. Përballë ligjeve përherë në ndryshim të Kishës, secili ishte i shqetësuar, i paqetë dhe me tërë frikë për të nesërmen.

Ndër liderët shpirtërorë kishte një armiqësi serioze ndaj shkencës. Ata nuk tregonin asnjë lloj mirëkuptimi ndaj zbulimeve shkencore. Të gjitha zbulimet shkencore dhe shpikjet kundërshtoheshin dhe hidheshin poshtë pa lëkundje, pa u hedhur një kundrim në përmbajtjen e tyre. Dhe nuk ishte aspak i paktë numri i atyre që Inkuizicioni i dënonte rëndë për shkak të zbulimeve apo përfundimeve shkencore që ata arrinin.

Njerëzit nuk kishin se ç’të thoshin para këtij botëkuptimi shtypës. Si rezultat i shtypjes së ushtruar mbi të gjithë njerëzit, me përjashtim të disa aristokratëve, veçanërisht mbi të varfrit, i mohimit absolut të të drejtave të femrës, madje i një koncepti të tillë, i shfrytëzimit të punës së femrës në disa vende pune, duke i konsideruar ato si gjysmë njeri, për pasojë, duke i paguar me gjysmë page, lindi një zemërim ndaj fesë, pothuaj në çdo klasë shoqërore.

Ja, si rrjedhojë e kësaj antipatie të përgjithshme, në vende të ndryshme, me anë të lëvizjeve reformiste, u shemb çdo gjë që kishte të bënte me kishën dhe, ndërsa kisha shembej nën veprimin e kësaj tronditjeje, edhe vlerat morale shtriheshin përtokë.

6. Marrëdhëniet shtet-fe në Islam

Në botën islame nuk ka ndodhur asnjëherë që të përbuzet një njeri i ditur. Në Islam kurrë nuk është bërë fjalë mbi shtypjen e fesë mbi shtetin apo mbi popullin. Në çdo kohë, forca ka qenë nën urdhrin e të drejtës, kurse drejtuesit, në shërbim të popullit. Para një fjale të thënë në emër të së drejtës, mund të përgjunjeshin edhe sundimtarët, duke treguar kështu se sa e rëndësishme ishte e drejta për ta..

Edhe kalifët e nderuar si Omeri dhe Aliu (r.a.) mund të dilnin para gjykatësit si palë e akuzuar nga një hebre! Sajë faktit që forca shfaqej në anën e së drejtës, kurrë nuk pati ndodhur ndonjë përçudnimi së drejtës në atë masë që pati ndodhur në perëndim. Për rrjedhojë, askush nuk kishte ndonjë pakënaqësi apo zemërim ndaj fesë. Jeta e kërkuar nga të tjerët nëpër utopi, ekzistonte në këtë botë si realitet.

7. Parimet morale

Çfarë shohim si të mirë e ç’shohim si të keqe? Si duam që të na rriten fëmijët? A ka në këtë drejtim ndonjë plan dhe projekt të përgatitur për t’u realizuar?

Si mendojmë ta rrisim djalin? Pasi themi se, “kështu dua ta shoh djalin tim”, ç’bëjmë për ta arritur këtë? Si e vështrojmë faktin që ai e kalon kohën jashtë gjer në orët e vona të natës? Dhe, a do t’ia hapim derën, vallë a do ta përqafojmë pavarësisht se në ç’orë kthehet në shtëpi?

Ç’gjë e pranojmë dhe gjer ku e pranojmë? Çfarë quajmë moral dhe ç’gjë mund ta konsiderojmë si të pamoralshme? Ç’gjëra i shohim me sy të mirë e ç’gjëra i shohim me sy të keq?

Deri ku do t’i lejojmë fëmijët tanë? A do të kemi një parim për ndërhyrjen në veshjen dhe pamjen e jashtme të tyre?

Nëse s’jemi të kënaqur prej tyre, ç’kemi menduar gjer tani? A i jemi drejtuar ndonjë zgjidhjeje? Në rrugën e kërkimit të zgjidhjes, në sa dyer trokitëm, sa specialistë pyetëm, sa pika loti derdhëm? Kjo çështje që na intereson ne, mund t’i interesojë edhe një të afërmi, një fqinji ose edhe krejt kombit, mirëpo a ia përveshëm krahët ndonjë kërkimi për të?

Po s’patëm ndonjë llogari, ndonjë plan rreth kësaj çështjeje, do të thotë se, ashtu siç shprehet Profeti (s.a.s.), s’kemi bërë e s’bëjmë gjë tjetër veçse të ndjekim hap pas hapi, madje qorrazi, paraardhësit tanë, duke u zvarritur saora drejt gropës ku ata vetë ranë. Në fakt, në themel të të gjitha këtyre qëndron nënshtrimi ndaj dëshirave dhe pasioneve tona, duke i lënë mënjanë Allahun, të Dërguarin e Tij dhe parimet e shenjta të Kuranit.

Sot, pothuaj të gjithë kanë nga një fëmijë për të cilin ankohen pak a shumë. Ç’mendojmë vallë, ne, para një sërë zigzagesh që bën ai? Edhe vetëm mendimi është shumë i rëndësishëm. Sigurisht, në një mënyrë a në një tjetër, patjetër jemi të detyruar të mendojmë! Duke u kthyer nga vetvetja, duhet të përqendrohemi mbi pyetjen: “Vërtet, ç’mund të bëjmë ne në këtë drejtim?” Natyrisht, edhe veten duhet ta gjykojmë nëse jemi të mirëkuptueshëm, të ashpër apo mospërfillës, nëse gjërat që na ngjajnë në shtëpi, mjaftohemi t’i shohim në një pandjeshmëri dhe heshtje të vdekuri, apo çdo ditë kërkojmë nga një zgjidhje të re.

Këto pyetje mund t’i shtojmë edhe më tej. Për shembull, a bëjmë ne përpjekje për ta ndjekur nga pas fëmijën tonë, për t’i njohur ata me të cilët ai ka lidhur shoqëri? A mundemi ne t’i përgatisim atij çdo herë një mjedis të mirë? Me ç’miq e kemi njohur atë deri më sot? Po s’e patëm njohur ne, me kë shëtit dhe ku kalojnë kohën? A është e mjaftueshme vetëm ta regjistrojmë në shkollë, apo t’ia dorëzojmë një mësuesi; apo ta regjistrojmë në një kurs Kurani? Ose, a është e mjaftueshme vetëm t’i tregojmë xhaminë, e ta njohim me imamin e saj?

Është shumë e rëndësishme, që krahas këtyre pyetjeve të ndërthurura me njëra-tjetrën, krahas kërkimit të përgjigjeve për to, të tregohet kujdes edhe ndaj rregullsisë, thellësisë, sinqeritetit, vendosmërisë në jetën tonë, si dhe sa ajo na tërheq ne.

8. Të jetosh një jetë të planifikuar dhe me parime

Është shumë me rëndësi që, qysh në krye, të mund ta shohim dhe vlerësojmë jetën tonë si një tërësi parimesh, dhe ta jetojmë atë si të tillë. Po, të mund të themi: “Këtë vit e kam bërë plan kësisoj, vitin tjetër, kështu, ndërsa vitin më pas, kështu”, etj.. Kur të mund të themi kështu, do të përballemi vazhdimisht me një sërë të njohurash të projektuara e të planifikuara, do të jemi të aftë të vendosim më me lehtësi dhe s’do të hutohemi kurrsesi. Por po të mos kemi një sërë principesh dhe planesh për të ardhmen, duhet të bëhemi gati që qysh nesër, që ashtu të hutuar, të zvarritemi nëpër një batak të panjohurash. Mendoni sikur ky grumbull të panjohurash t’ju bjerë menjëherë përsipër. Ka shumë mundësi që do t’u bini gjunjëve me pëllëmbë e do të rënkoni me dëshpërim, kur, në fakt, për të gjitha këto duhet të keni vendosur ende pa dalë në shesh.

Tani, duke dalë mbi sipërfaqen e të gjitha këtyre gjërave, le t’i hedhim një vështrim gjendjes miliarda myslimanëve. Dhe shohim se janë duke u djegur bashkë në të njëjtin oxhak dhe në të njëjtin zjarr me flakët gjer në qiell edhe ati, edhe biri, dhe se të dy e shohin njëri-tjetrin në indiferentizëm dhe moskokëçarje të plotë. Ndërsa një komb apo disa kombe janë duke u zhytur, me sytë çelur, e duke e parë njëri-tjetrin, në të njëjtin llum, ata që vijnë nga pas, krejt si një turmë e verbër, janë duke u zhytur, pa parë as majtas as djathtas, po aty dhe janë duke rendur drejt mjerimit, duke mbetur ndër mendje si një kujtim i padëshiruar...

Me forcën e Tij të mrekullueshme të shprehjes, Profeti ynë (s.a.s.) na tërheq vëmendjen dhe na paralajmëron kështu:

“Do ta ndiqni hap pas hapi, gjurmë pas gjurme, metër pas metri, rrugën e paraardhësve tuaj...”

Nga kjo shprehje e Tij mund të nxjerrim paralajmërimin: “Merrni mësim, kini kujdes, ecni sikur të ecnit në truall të minuar, dhe tregohuni përherë të matur me frikën se në çdo çast mund të përballeni me një shpërthim!”

Le t’i nënvizojmë këto vargje prekëse të të ndjerit Mehmet Akif në përshkrimin e botës islame:

Cipa është zhveshur e ka rënë: kudo një pafytyrësi që...

Ç’fytyra të shëmtuara mbuloka një perde e hollë!

S’ka më besë, fjalë të dhënë, amaneti-fjalë pa rëndësi; Gënjeshtra shkon; tradhtia, duhet; të drejtën s’e njeh njeri.

Zemrat, pa mëshirë; ndjenjat, të ulta; qëllimet, të përvëlojnë; Kuptimi i dalë nga vështrimet të tjerët i nënvleftëson.

Mendjet rrëqethen, o Zot, ç’përmbysje e frikshme ka ngjarë:

As fe s’ka mbetur, as besim; besimi bërë dhé; feja, gërmadhë!

Krenaritë le të vlojnë, ndërgjegjet të ngecin në belbësi...

Ndërsa ky rrënim moral përparon, s’mbetet pavarësi!

Jo vetëm në një vend, kudo grindje dhe rrënim moral, aq sa edhe ata që janë të shqetësuar prej kësaj, nën ndikimin radioaktiv të tij, të pandjeshëm, ngjan të mos dinë asgjë!

9. Moral i lartë

Profeti (s.a.s.) thotë kështu: “Unë jam dërguar vetëm për të plotësuar moralin e lartë!” Dhuntitë e jashtëzakonshme të Zotit për ne dhe mundësitë tona që mund t’i zhvillojmë. Po, ne jemi të pajisur me mundësi të atilla që të mund të zëmë vendin tonë mes banorëve të botës së lartë. Njohja e Tij është domosdoshmëri e respektit tonë ndaj vetes sonë të pajisur prej Tij me shumë e shumë të mira potenciale. Librat hyjnorë janë zëri dhe frymëmarrja e këtij mesazhi;profetët, përfaqësuesit më të drejtë të kësaj të vërtete, kurse hallka e fundit e vargut të artë të profetëve, Muhamedi (s.a.s.), prova më e shkëlqyer e kësaj të vërtete dhe sovrani më i shquar i moralit të lartë.

Mbi këtë gjerësi dhe thellësi të personalitetit të Tij, Kurani shprehet kështu:

“Pa dyshim, ti qëndron mbi një moral të lartë!” dhe “Ky është morali i të dërguarve të ardhur para teje!”.

10. Stolitë e jetës së kësaj bote

Duke u shprehur si më poshtë, Kurani, thekson se, në kuptim të përgjithshëm, pasuria dhe fëmijët janë stoli dhe madhështi e jetës së kësaj bote, duke na kujtuar se nuk mund të nënvleftësohen. Ndërkaq, këta janë aspekti material i kësaj bote, pra që zbehet, prishet e që të shqetëson:

“Pasuria dhe fëmijët janë stolia e jetës së kësaj bote, kurse gjërat e pavdekshme, punët e mira, kanë më shumë vlerë te Zoti yt dhe janë të denja për ta lidhur shpresën pas tyre!”.

Kjo do të thotë se pasuria e kësaj bote nuk është diçka me të cilën duhet të krenohemi. Në vetvete, as fëmija nuk është një gjë me të cilin do krenuar. Vetëm në jetën tjetër, do të arrijnë vlera mbi vlera,nëse kthehen kah Allahu, duke u futur sakaq në radhën e gjërave të mira, e që mbesin gjatë. Dhe, nëse këndej janë vetëm në madhësinë e një fare, në jetën tjetër bëhen pemë madhështore me degët gjer në qiej, që u rëndojnë nga frutat!

Këto specifika që u përpoqëm t’i shtjellojmë, janë specifika jetëdhënëse, që si principe të parashtruara nga Kurani për ne, përcaktojnë njëkohësisht rrugën dhe mënyrën më të drejtë të të jetuarit. Këto ndodhen vetëm në barnatoren e lartë të Kuranit dhe brenda sistemit të thurur me duart mirësindjellëse e të begata të të Dërguarit të Madh (s.a.s.) dhe të përfaqësuar prej Tij. Kurse kthimi i zbulesës hyjnore në vesh të thirrjes së lartë të Sunetit dhe marrja jetë prej tij është veçse një çështje përkatësie.

11. Të jesh i mëshirshëm

Si në shembullin e Ejubit (a.s.), Kurani nënvizon domosdoshmërinë e mbështetjes së njerëzve te mëshira e Allahut përballë problemeve të ndryshme. Po, të mbështetesh në mëshirën dhe bamirësinë e Tij, do të thotë edhe të kërkosh ndihmë për veten, familjen, fëmijët që i ke nxjerrë në jetë dhe të afërmit, edhe të pranosh dhe pohosh, duke shpallur dobësinë tënde, se është pikërisht Ai që e zotëron çdo gjë. Veçanërisht, mëshira është shkas për mëshirë. Po të jesh i mëshirshëm, edhe Allahu të mëshiron. Po të tregohesh i ndjeshëm ndaj prishjeve dhe dekompozimeve, edhe Ai i merr në mbrojtje gjërat që prishen.

Profeti (s.a.s.) na porosit: “Kini mëshirë për ata që ndodhen në tokë në mënyrë që banorët e botës së lartë – ose Allahu – të kenë mëshirë për ju!”

Vdekja dhe fatkeqësitë e vërteta nuk janë ato që vijnë nga një aksident trafiku, e të ngjashme. Vdekja dhe fatkeqësia më e madhe janë humbja e botës ndjesore. E keqja më e madhe është të mos e shohësh dot zjarrin që të ka rënë brenda në shtëpi, të mbetesh i pandjeshëm ndaj fëmijës që po të ikën dore!

Nëse nëna dhe babai s’dinë gjë për zjarrin shpirtëror brenda shtëpisë së tyre, atëherë nuk ka fatkeqësi më të madhe se kjo, moskokëçarje më të madhe se kjo, perversitet më të madh se ky! Edhe sikur njerëz të tillë të zënë të qajnë, të ulërijnë e të çirren për hallin që u ka rënë mbi kokë, është me vend, megjithëse për të qarë duhet sërish ndjenjë!

12. Njerëzimi i gradës së përsosur

Dekadenca morale është ndoshta fatkeqësia më e frikshme. Prandaj mendoj se parimet morale të

Kuranit janë burimi i shërimit më me rëndësi për njerëzit që përjetojnë sot një krizë morale. Kurani thotë: “Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur, pastaj e shtymë atë në nivelin më të ulët!”

Ky ajet duhet kuptuar kështu: Ne në fillim e bëmë njeriun të merituarin e krijimit të përsosur, pastaj e shtymë atë në zgripin më të ulët të krijesave, domethënë në atë gjendje që të luftojë vazhdimisht me vetveten, që, edhe nëse herë pas here rrëzohet, të ngrihet përsëri me anë të besimit e të punëve të mira për të fluturuar në nivelin më të lartë të të qenit njeri!

Ky ajet na jep neve krahë për t’u ngjitur në nivelin më të lartë të të qenit njeri. Po, na jep krahë për t’u ngjitur lart ndërsa jemi rrëzuar, ndërsa na ka pushtuar moskokëçarja, apo jemi rrokullisur në nivelin e qenieve më të ulta, duke qenë se jemi të dobët e të paaftë!

Shënimet

  1. 1.Shih Kuran, Kasas: 77. Të gjitha interpretimet nga Kurani në këtë tekst janë të autorit. 2Buhari, i’tisam, 14; enbija, 50; Muslim, ilm, 6.
  2. 2.Isra: 70
  3. 3.Buhari, i’tisam, 14; enbija, 50; Muslim, ilm, 6.
  4. 4.Ibn Abdilberri, et-tehmid 16/254; Bejhakiu, es_sunnetul kubra, 10/191.
  5. 5.Kalem: 4
  6. 6.Shuara: 137
  7. 7.Kehf: 46
  8. 8.Enbija: 83
  9. 9.Tirmidhiu, birr, 16; Ebu Davud, edeb, 58.
  10. 10.Tin:4