Si duhet treguar

Tema kryesore mbi të cilën u përqendruam në pjesën e mëparshme, ishin çështjet lidhur me gjendjen besimore e adhurimore të fëmijës sipas niveleve të tij të moshës dhe ne arritëm në përfundimin se marrja e rezultateve pozitive në këto çështje varej përgjithësisht nga sjelljet, qëndrimet dhe shembulli personal i prindërve dhe edukatorëve të tjerë veç tyre.

Nëse fjalët na bëhen interpretë të botës së brendshme dhe sjelljeve tona, gjërat që ndjejmë, mendojmë dhe vendosim t’ia përcjellim bashkëbiseduesit, gjejnë lehtësisht reflektim tek ai. Në të kundërt, në qoftë se sjelljet nuk na i mbështesin fjalët dhe në zemër nuk kemi besimin dhe bindjen e duhur, është krejt e qartë se s’do të mund të ndikojmë edhe aq shumë.

Prandaj, po qe se ndodheni në krye të një institucioni arsimor dhe edukimi të madh apo të vogël ose të ndonjë enti administrativ, duhet ta dini pa diskutim se ju jeni aty zembereku edhe i rregullit, edhe i harmonisë. Nëse te ju ndodh ndonjë thyerje, edhe tërë ekipin që drejtoni do të shfaqen menjëherë rrëshqitje. Në kundërshtim me këtë, për sa kohë që ju të jeni i vendosur, edhe në ekipin apo sistemin tuaj do të ketë vendosmëri ose, në pastë lëkundje, do të jenë të vogla e të papërfillshme.

1. Shembulli personal

Ndjeshmëria dhe korrektesa në sjelljet tona kanë një rëndësi të jashtëzakonshme rëndësi për ndikueshmërinë e fjalëve tona dhe arritjen e gjërave që duam të arrijmë. Për shembull, nëse jemi duke falur namaz, një respekt, një edukatë, një etikë që reflektojnë me sa është mundësia qenien tonë para Allahut, kijami, rukuja dhe sexhdja jonë po në atë kuadër, të gjitha këto janë, në lidhje me çështjen, më me ndikim se leximi i një libri! Kjo duhet të jetë edhe përgjigjja më bindëse për pyetjen e fëmijëve, “Si tregohet respekti para Allahut?” Në të kundërt, po qe se e falni namazin siç shprehet hadithi profetik, si pula që çukit ushqim në tokë, edhe edukata e namazit e atij që ju merr juve për shembull, do të jetë i tillë! Dhe duhet ditur pa diskutim se një namaz i tillë jo vetëm nuk ka për ta larguar dot njeriun nga të këqijat, por as do të zgjojë respekt ndaj Allahut tek njerëzit e tjerë që ndodhen nën edukimin e tij, e as ka për të lënë ndonjë gjurmë pozitive në shpirtrat e tyre!

Po, është shumë e rëndësishme që namazi të falet me sinqeritet. Imazhi i një njeriu që ka thyer belin dhe ka përkulur qafën me një respekt dhe përkushtim të thellë para Allahut (xh.xh.), do të shkaktojë ndikim të madh mbi ata vëzhgues të pafajshëm.

Aq sa është e rëndësishme të bëhesh shembull në gjërat pozitive, aq është e rëndësishme edhe të sillesh pa lëkundje para situatave negative. Gjithmonë ekziston mundësia që fëmijët të kapen nga ndonjë virus dyshimi apo lëkundjeje, në shkollë apo në ndonjë nga mjediset e jashtme. Dhe këto duhen eliminuar pa humbur kohë. Nuk duhet qëndruar indiferent ndaj librit që ka marrë fëmija në dorë dhe po e lexon, qoftë ai edhe një roman. Po qe se në librin që po lexon ka ndonjë aspekt që prek besimin dhe bindjet tuaja dhe ju nuk bëni ndërhyrjen e duhur, brenda fëmijës mund të nisë të marrë formë një dyshim apo lëkundje pa e kuptuar ju një gjë të tillë. Prandaj, nuk duhet të mjaftoheni vetëm me kujdesin mbi gjendjen e fëmijës në shtëpi; në të njëjtën kohë, duhet të kontrolloni edhe atmosferën e përgjithshme që ka të bëjë me formësimin e strukturës së tij ndjesore e mendore. Përcaktimi dhe zgjedhja që më parë e librave që do të lexohen është një punë jetësore për ata që dëshirojnë të rrisin e të përgatisin njerëz të qëllimit. Pas një periudhe të caktuar, përpjekja për t’i kuptuar simpatitë dhe antipatitë e fëmijës, kureshtja për t’i ditur ç’gjëra dëgjon e ç’gjërave ua vë veshin ai, njohja e shokëve të tij, madje përcaktimi i tyre dhe sjellja si një mjek i kujdesshëm ndaj tij në të gjitha aspektet, janë çështje që nuk të lejojnë nënvleftësim.

2. Kuptimi i leximit

Një prej gjërave më të rëndësishme që duhet t’i japim fëmijës është edhe arsimi. Si dhe, krahas këtij, dëshira dhe edukata për të lexuar dhe mësuar. Fëmija duhet të mësojë të shkruajë e të lexojë me një qëllim dhe synim të caktuar, dhe duke u shkëputur nga mediokriteti, të ngjitet drejt vlerave. Pra, aq sa ç’ka rëndësi mësimi i shkrimit dhe leximit, ose më saktë, sa ç’ka rëndësi leximi e studimi, ka rëndësi qëllimi për të cilin bëhet. Poeti kombëtar turk Junus Emre thotë:

Dituri do të thotë të dish,

Do të thotë veten të kuptosh;

E nëse ti veten s’e kupton,

Ç’të vlen kaq shumë të lexosh?..

Meqë i hymë kësaj çështjeje, le të përpiqemi së bashku t’u japim përgjigje këtyre pyetjeve: Ç’është dija? Ç’është dituria? Cili është synimi i diturisë? Pse lexohet libri? Ç’është ajo gjë që kërkohet të arrihet pas gjithë leximit e studimit?

Ndërkaq, është e dobishme që, para se t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, ta kujtojmë këtë veçanti:

Nëse një njeri thellohet në matematikë pa menduar aspak për t’i vënë në jetë njohuritë ose për ta zhvilluar atë më tej me teori apo hipoteza të reja, do të thotë se s’ka vënë ndonjë qëllim apo synim, ose e thënë ndryshe, vepron pa ndonjë qëllim apo synim. Kjo vlen edhe për atë që thellohet në studimin e shkencave mjekësore, apo në ndonjë fushë tjetër të ngjashme. Ndërkaq, edhe mbetja e njohurive të marra në kujtesë bëhet e diskutueshme. Në fakt, siç shprehet edhe poeti, synimi thelbësor i marrjes së diturive është vetënjohja. Kështu, është krejt e qartë se një dije, një shkencë ku ne nuk e gjejmë dot veten, as neve nuk do të na sjellë dobi, as të tjerëve!

3. Tregimi për Profetin dhe kohën e Tij

Edhe për Profetin (s.a.s.) duhet folur e treguar me të njëjtën vëmendje e kujdes. Unë personalisht, faktin që disa njerëz nuk e duan Profetin tonë të Dashur, e lidh me faktin që atyre mund të mos u jetë folur për Të në fëmijëri. Njerëzit që e patën parë dhe njohur nga afër atë, e patën dashur, i patën dhënë Atij gjithçka, madje edhe zemrën. Është e pamundur të tregosh një njeri tjetër në historinë e njerëzimit që të ketë pasur aq shumë ndjekës e të jetë respektuar e nderuar aq shumë prej tyre! Por nuk është e drejtë të prisni që fëmija juaj ta dojë atë pa i folur ju për Të më parë. Ishte një kohë e lumtur kur një grup njerëzish patën fatin e lumtur ta shihnin dhe njihnin Profetin me sytë e vet. Një grup tjetër pati nderin të shihej e të takohej me ata që e patën parë , e kështu me radhë. Kjo konsideratë mund të lidhet me thënien e Profetit: “Koha më e mbarë është koha ime, pastaj koha e atyre që do të vijnë fill pas meje!”

Ai Personalitet, i Cili, edhe në periudhën e beduinëve, në ato kohë të errëta kur njerëzit i groposnin të gjallë fëmijët e vet pa ndjerë kurrfarë hidhërimi, kur pinin pothuajse të gjithë, kur në njëfarë mase sundonte morali i kolektivitetit, e reformoi me një hop jetën shoqërore. Si akti i Tij, edhe bashkësia e Tij janë të pashoqe, të papërsëritshme. Fakti që ai u fut pothuaj në qelizat trunore të njerëzve të kohës së Vet, që ngriti fron aq lehtë në zemrat e tyre, që i kuroi një e nga një sëmundjet materiale dhe shpirtërore të tyre duke i bërë njerëz të përsosur, është një transformim i tillë i mrekullueshëm që është e pamundur t’ia tregosh të ngjashmin në histori!

Në kohën e tyre, edhe në Romë, edhe në Greqinë e Lashtë janë bërë transformime, por pa çdofarë premtimi në lidhje me vlerat njerëzore. Madje transformimet në ato vende e ata popuj kanë sjellë kriza dhe kthim pas, ku disa herë asgjë tjetër veç gjakut e lotëve!

Ndryshim tërësor quhet ai që sjell ndryshime thelbësore në tërë jetën dhe individualitetin e individit dhe shoqërisë, duke prodhuar cilësi të reja dhe duke e ngjitur njeriun në nivele të larta të vlerës së tij si i tillë. Ja, këtë ka bërë profeti Muhamed (s.a.s.) në kuadrin profetik me atë botëkuptimin e Tij aq të gjerë shoqëror! Nuk e di se sa e njohim ne transformimin e kryer prej Tij dhe sa gjëra prej Tij u tregojmë fëmijëve tanë, teksa Profeti ynë është modeli më i përkryer për ne në çdo drejtim!

Ashtu siç shprehet edhe arkitekti i mendimit të shekullit tonë: Nëse marrim njëqind filozofë dhe nisemi për në Arabi, megjithëse mundësitë e sotme janë më të gjera, nuk do të mund ta bëjmë dot as për njëqind vjet atë që Ai e ka realizuar brenda një viti. Duke marrë shembullin më të thjeshtë, ai shprehet: “Një ves të dobët siç është duhani, mund ta heqë qafe prej një populli të vogël vetëm një gjykues i madh, me një përpjekje të stërmadhe.” Nëse doni mund ta thjeshtojmë pakëz shembullin. Le të themi që rreth një personi që pi duhan do të mblidhen dhjetë të tjerë, e t’ia tregojnë njëzëri se rrezikohet prej kancerit, prapëseprapë nuk do ta bëjnë dot që të heqë dorë prej pirjes së tij. Mirëpo Ai Personalitet i lartë, me një lëvizje të vogël, ia arriti që t’ua bënte të urryera edhe veset më të këqija që u ishin futur në gjak deri më tani, duke ua zëvendësuar mandej me vlera njerëzore.

Në lidhje me asgjësimin e veseve të këqija me një hop, ndjeshmëria e treguar ndaj ndalimit të pijeve alkoolike përbën një shembull me rëndësi. Mendoni një shoqëri të alkoolizuar që i merren mendtë kur nuk pi alkool. Atyre njerëzve u thuhet: “Pija është e ndaluar!” Dhe ata që e kanë sjellë gotën e pijes gjer në buzë, pa u lëkundur aspak, e largojnë nga buzët dhe e hedhin përtokë!

S’e di se si do t’ia arrinin edukatorët tanë ta shpjegonin këtë!

Ja kjo është detyra që të përket ty, të rrëfesh mrekullitë e Tij, e t’i zgjosh zemrat e të tjerëve karshi këtyre cilësive, duke ua zgjuar ndërgjegjjet nga topitja e përgjithshme. Nëse ia arrini kësaj, atëherë ata që keni përreth do të mendojnë veç për Të, do të flasin veç për Të, dhe veç për Të do të dëgjojnë. Ne këtë le ta quajmë “mbështetje e drejtpërdrejtë e Profetit Muhamed (s.a.s)”mbi ne. Allahu (xh.xh.) na mbështettë përherë me Atë Personalitet. Nëse ne ua rrëfejmë fëmijëve veprat e jetës së Profetit Fisnik (s.a.s.) sikur të ishim duke rrëfyer si përpara një ekrani të gjitha ndodhitë e njerëzimit nga njeriu i parë deri te ai më i mbrami. E kjo ka për të qenë rifreskuesi kryesor e vetëdijeve të tyre. Në hadithet e Tij të shtrenjta, Profeti ynë (s.a.s.) na radhit një e nga një, aq shumë lajme të padyshimta për të ardhmen, aq shumë sihariqe së bashku me shkaqet dhe përfundimet e tyre, ngjarjet nga fushatat mongole në pushtimin e Sirisë, nga rritja e vlerave të lumit Eufrat në naftën e Talikanit, nga një sërë intrigash të Kohës së Fundit në shtimin e imoralitetit96 dhe aq shumë ngjarje e fakte të tjera, saqë është e pamundur t’i shohësh të vërtetohen të gjitha këto dhe të mos i besosh atij!

Tani, po t’ia tregojmë këto me radhë fëmijës, ai do të ndjejë nderim para madhështisë së Profetit, kështu që, ata që do të duan t’ia shlyejnë atë fëmijës nga mendja, nuk kanë për t’ia arritur dot qëllimit. Ta dimë për vete dhe t’ua bëjmë të ditur edhe të tjerëve se Profeti Muhamed (s.a.s.) që s’kishte marrë mësim prej askujt veçse prej Allahut, njihte të shkuarën dhe të ardhmen, është për ne një borxh besnikërie ndaj tij!

Ka gjëra të tilla të thëna prej tij mbi mjekësinë, që ka qenë e pamundur të njiheshin në atë kohë me nivelin shkencave përkatëse të asaj kohe të. Kjo do të thotë se Allahu (xh.xh.) ia mësonte çdo gjë Atij dhe Ai fliste për ato që ia kishte mësuar Allahu, sepse Ai ishte i Dërguari i Allahut!

Të ngrihesh për të shkruar diçka serioze mbi ndryshimet rrënjësore që erdhën me Profetin Muhamed (s.a.s.) në jetën individuale dhe shoqërore të njeriut, s’i nxënë as vëllime të tëra librash nëse shkruhen. Ne këtu prekëm vetëm disa çështje në kalim e sipër sa për të dhënë një ide.

4. T’i njohësh të tjerët me Kuranin duke folur sa më shumë për Të

T’ua bësh të dashur e të pranueshëm brezave të rinj Kuranin, me të gjitha aspektet e Tij ka shumë rëndësi për zgjimin tek ta të vetëdijes fetare dhe për mbajtjen gjallë të saj. Të thuash vetëm kaq, që “Kurani është një libër i shenjtë”, është e pamjaftueshme si për Kuranin, ashtu edhe për fëmijën. Edhe nëse një trajtim i tillë mund të duket si i mjaftueshëm për një moshë dhe nivel të caktuar fëminor, për më tej është padiskutueshëm i pamjaftueshëm, madje, bëhet i dëmshëm sepse, duke u kthyer në një paragjykim, bëhet pengesë për sugjerime pozitive e të thelluara mbi të. Nisur nga kjo, brezave të rinj u duhet treguar në mënyrë sa më bindëse se Kurani, të Cilit askush nuk ka mundur t’i lëvizë as edhe një presje që nga dita kur ka zbritur e gjer më sot, me tezat e Tij të hapura mbi kufijtë e fundit ku mund të arrijnë shkenca dhe teknologjia, është mesazhi i fundmë i Allahut (xh.sh.)!

Në të vërtetë, është me vend të thuhet se Kurani përmban të dhënat më të reja mbi të gjitha botët në tërë gjerësinë e tyre të krijimit dhe ekzistencës, se të dhënat e Kuranit nuk bien në kundërshtim me të dhënat shkencore, se përkundrazi, me informacionet e tij sintetike në formën e rregullave të përgjithshme, Kurani u jep kahje shkencave. Edhe ajeti i mposhtëm është dëshmitari qiellor i kësaj të vërtete:

“Tek Ai ndodhen shumë e shumë thesare të panjohura si dhe çelësat e botës së padukshme. Askush s’i njeh ato veç Tij. Ai njeh gjithçka që ndodhet në tokë e në det. Asnjë gjethe s’biedot pa dijeninë e Tij, s’ka thërrime në errësirat e thellësive tokësore për të cilën të mos ketë dijeni Ai! Nuk ka gjë të njomë e të thatë që të mos ndodhet në

Librin e Qartë!”

5. Të flasësh për ringjalljen

Si një hap i mëtejshëm, vjen të folurit për ringjalljen. Fëmija dhe i riu duhet ta dinë se pas kësaj jete ka një jetë tjetër, e cila nis me ringjalljen. Dituria, urtësia dhe qëllimi kanë treguar se këtë gjithësi e ka ngritur Allahu dhe se është Allahu që e vë në lëvizje dhe e drejton. Është gjithashtu Ai që e tregon dhe e përcakton kohën. Në Kuran thuhet: “Silluni mbi tokë dhe shihni se si e ka filluar Allahu krijimin!”

Kuptimi i kësaj është ky: le të shëtisim ne mbi tokë dhe t’i shqyrtojmë argumentet dhe provat e krijimit, ta kalojmë çdo gjë para sysh fletë për fletë e etapë për etapë, të vëzhgojmë se si filloi krijimi mbi tokë, se si u krijua kjo gjithësi ndërsa nuk ekzistonte, se si u shfaq njeriu mbi tokë, se si janë krijuar gjallesat e tjera në familje e lloje, se si përsosmëria e krijimit mori fund me njeriun!

Allahu që e ka krijuar gjithësinë nga hiçi, do ta krijojë edhe ringjalljen, edhe jetën tjetër. Ai që e ka krijuar këtë sistem, a s’mund ta krijojë edhe sistemin që ne e quajmë Ahiret, bota tjetër! Ai që e ka krijuar tokën me këtë madhështi, a nuk e ka mundësinë të krijojë edhe një “tokë” tjetër? A nuk mund t’i thotë kësaj, Botë, kurse tjetrës, Ahiret? Ai që ju ka sjellë dhe ju ka vendosur ju këtu nga një botë tjetër, a nuk mund t’ju çojë dhe vendosë në një tjetër botë?

Kurani na e tërheq vëmendjen kësodore:

“Është Allahu që i krijoi qiejt dhe tokën dhe çdo gjë që ka mes tyre në gjashtë ditë (periudha) dhe pastaj u vendos në Arsh. Ju s’keni as mik e as ndihmës tjetër veç Tij. A s’po mendoni, a s’po merrni mësim?..” “Allahu është ai që çdo gjë e krijoi të saktë e të bukur dhe, pastaj e krijoi njeriun prej argjile!” Në një vend tjetër, atyre që e kundërshtojnë ringjalljen, Kurani u drejtohet kështu:

“Thuaju: “Ata do t’i ringjallë Ai që i ka krijuar për herë të parë, sepse Ai e njeh çdo lloj krijimi!” Si dhe:

“Shih kah veprat e mëshirës së Allahut se si ringjall pas vdekjes! Pa dyshim, ai do t’i ringjallë të vdekurit, sepse Ai ka mundësi për çdo gjë!”103

Si përfundim, pasi t’ia kemi dhënë fëmijës këto njohuri, i kemi treguar edhe se cila është rruga e drejtë, sirati mustakim, dhe e kemi përgatitur të thotë: “Allahu ynë, na fut në rrugë të drejtë!..” Dhe, në saje të një lutjeje të tillë, në dashtë Zoti, përpjekjet tona edukuese nuk do kanë për të na shkuar dëm!

Shënimet

  1. 67.Ahmed bin Hanbel, el-Musned, 2/311.
  2. 68.Buhariu, shehadat, 9; fedailu as’hab 1; rikak, 7; ejman, 27; Muslimi, fedailu sahabe, 210-215.
  3. 69.shih: Bediuzzaman Said Nursi, Fjalët, Fjala e nëntëmbëdhjetë.
  4. 70.Bediuzaman Said Nursi, Fjalët, Fjala e nëntëmbëdhjetë.
  5. 71.Ebu Davud, melahim, 9-10; Ahmed bin Hanbel, el-Musned, 5/40, 44.
  6. 72.Buhariu, fiten, 24; Muslim, fiten, 30-32.
  7. 73.Ali el-Mut’taki, Kenzu’l ummal, 14/250 (e transmetuar nga libri “Kitabul Fiten” i Ebu Ganm el-Kufiut.). 96Muslimi, fiten, 59, Ebu Davud, melahim, 14.
  8. 74.shih: Kadi Ijadh, Shifa, 1/354.
  9. 75.En’am: 59.
  10. 76.Ankebut: 20.
  11. 77.Sexhde: 4.
  12. 78.Po aty: 7.
  13. 79.Jasin: 79. 103 Rum: 50.
  14. 80.Fatiha: 5.