Martesa
1. Edukata familjare
Në kreun pararendës u rrekëm që të mendoheshim pak thellë-thellë në disa çështje tejet të qenësishme, në të cilat duhet të arrijmë medoemos marrëveshjen. Këto çështje, mbi të cilat është detyrë e gjithsecilit që të qëndrojë e të mendohet, u trajtuan më tepër në trajtën e pyetjeve, si: “Cili është mendimi ynë i përgjithshëm për gjendjen e sotme të botës? Si i vlerësoni ndodhitë e fundit përreth? Cili do të jetë reagimi ynë ndaj ndodhive që janë jashtë kufijve të moralit?”
Nëse s’jemi të kënaqur nga gjendja e sotme e botës, nëse disa gjëra aspak të mira na ngulen në shpirt si heshtë, nëse s’jemi të kënaqur prej atyre që e kanë përgatitur këtë mjedis, e që pastaj i kanë sendërtuar të gjitha këto gjëra, cilat janë zgjidhjet dhe propozimet tona? Sigurisht, është e domosdoshme që ne t’i dimë të gjitha këto!
Edhe nëse disa njerëz e quajnë si domosdoshmëri lirie ta nënvleftësosh namazin e të mos falesh, të të duket i rëndë agjërimi e të mos agjërosh, të vish vërdallë kot më kot rrugëve e të grindesh me këtë apo atë, njerëzit besimtarë i quajnë ato si imoralitet. Prandaj ne do të përpiqemi që të parashtrojmë se ç’janë morali dhe imoraliteti, ç’është edukata dhe ç’kuptojmë me të, duke i analizuar nën dritën e Kuranit dhe në kuadrin e parimeve të Tij.
Parimi më i rëndësishëm i moralit është besimi dhe marrëveshja për të besuar. Megjithatë, kjo marrëveshje s’është gjithçka. Nëse marrëveshja e besimit nuk mbështetet me vepra në jetën e përditshme, me veprimtarinë praktike, dhe njeriu nuk ndjek një vijë në përputhje me gjërat që beson, besimi tek ai mbetet thjesht një opinion, për rrjedhojë, siç nuk ushtron ndikim as në jetën personale të individit, as në jetën e tij familjare e shoqërore nuk ka për të ushtruar, e po ashtu dhe nuk mund të bëhet orientues për të. Ç’është e vërteta, ndërsa besimi është një dritë dhe burim force, mosbesimi është dobësi dhe zbrazëtirë. besimi i vërtetë e vë në shesh forcën e tij me anë të veprimit. Nuk është parë ndonjë njeri që të mos ketë besuar, dhe të jetë bërë i dobishëm për shoqërinë e tij, ndërkohë që të dobishmit numërohen me gishta! Për shembull, dikush nuk beson, por është i ndershëm. Nuk e di nëse persona të tillë janë apo s’janë të virtytshëm mjaftueshëm sipas kritereve tona themelore. Sepse virtyti i vërtetë është virtyti i bazuar në besim dhe ndjenjën e vetëllogarisë. Sigurisht, besimi te Allahu, ringjallja dhe jeta e mbrame, Xheneti dhe Xhehenemi janë elemente shumë të rëndësishme që na e formësojnë jetën dhe na japin mundësi të kalojmë një jetesë të rregullt.
Zbatimi i domosdoshmërive të këtyre specifikave të besuara ka një vlerë të madhe jetësore. Jeta e mbrame është gjyqi ku jepet llogari për ekzistencën në këtë botë, është vendi ku ne japim llogari nëse e kemi falënderuar apo jo Allahun që na krijoi në këtë botë si njerëz, duke na dhënë trajtën më të përsosur. Në këtë botë ka turma të tëra njerëzish të padrejtë e mosmirënjohës, të cilët këmbëngulin për të mos e kuptuar Zotin, për të mos i parë artet e Tij të përsosura që na i ka shtrirë dhe ekspozuar para syve, madje që i mbyllin sytë duke bërë sikur nuk i shohin tërë ato bukuri që duken ashiqare, si dhe shumë e shumë qorra, vuvë e të pandjenjë, pavarësisht nga mijëra ngjyra, tinguj, dekoracione, variante;pavarësisht nga rregulli dhe harmonia që na rrethon nga të gjitha anët! Ja pra, Allahu është Ai që do ta bëjë ringjalljen, grumbullimin dhe llogarimarrjen edhe për këta, edhe për besimtarët, dhe do t’i përgatisë Xhenetin dhe Xhehenemin e Tij. Njerëzit e mirë, e virtytshëm, që kanë jetuar të hapur ndaj jetës ndjesore e shpirtërore, dhe me dëshira ndaj gjërave të larta e sublime, pasi të japin llogari, ashtu siç të kenë jetuar në këtë botë si njerëz të lartë, të përsosur e të virtytshëm, edhe në atë botë do të shpërblehen me Xhenete të premtuara për njerëzit e virtytshëm.
Kështu, besimtar do të thotë, njeri që i mendon këto dhe që e rregullon jetën e tij sipas këtyre kritereve. Prandaj, më së pari, besimi, kontrata besimore duhet të jenë shumë të shëndosha edhe te individi edhe te shoqëria në mënyrë që me anë të forcës së besimit të mund të ruhet orientimi përballë ndjenjave çorientuese dhe devijuese. Nuk ka bekim, dobi e perspektivë as në familjen, as në shoqërinë e formësuar prej individëve që herë duken se besojnë e herë se nuk besojnë. Gjithashtu as në kombin e formuar nga një shoqëri e tillë. Më së pari njerëzit duhet të besojnë shumë mirë, për më tepër duhet edhe të besojnë në mënyrë të prerë e të palëkundshme në të nesërmen e kësaj bote, pra në Ahiret ose ringjalljen dhe jetën e mbrame në mënyrë që të bëhen të afërt ndaj Allahut si dhe elementë të vlefshëm për shoqërinë ku bëjnë pjesë.
Sigurisht, aq sa ç’është shumë e rëndësishme që çdo individ ta bartë frikën, se nëse nuk punon, do të mbetet pa ngrënë, është shumë e rëndësishme edhe që të ketë një besim aq të shëndoshë saqë të besojë pa lëkundje se, po të mos kryejë detyrat fetare, po të mos punojë dhe po të mos ta jetojë besimin siç duhet në praktikë, do t’i duhet të përballet me një llogaridhënie shumë të rëndë para Zotit! Individi me një besim të tillë, me një fuqi tërheqëse gravitacionale të krijuar nga ky opinion, do të priret kah punët e mira dhe do të bëjë çmos për të dalë faqebardhë para Zotit!
Çështjen e familjeve të formuara prej individësh të tillë do ta trajtojmë në një pjesë më vete. Aspektet e ndryshme të familjes, faktin se si fëmijët duhet të edukohen me edukatën dhe moralin islam në familje, do t’i trajtojmë më tej nën dritën e ajeteve kuranore dhe disa haditheve profetike.
“Fëmijët dhe pasuria janë stolia dhe zbukurimi i kësaj bote”. Nëse vlerësohen siç duhet, janë edhe investim për në jetën tjetër. Me anë të këtyre, Allahu (xh.xh.) u jep gëzim zemrave të njerëzve me anë të tyre, duke i kthyer ato në stoli për syrin dhe ushqim për zemrën. Ai, duke i parë këto stoli, mund të ndjejë në praktikë lumturinë e kësaj bote dhe në shpresë, lumturinë e së përtejshmes. Por ç’e do që, po s’u dhatë përjetësi këtyre stolive, nuk mund të bëheni të lumtur; edhe po të bëheni, do të jetoni të mrrudhur. Patjetër, fëmija, nipi e mbesa, e gjithë bota juaj mund t’ju sjellë shqetësime! Por, nëse i përjetësoni këto gjëra të përkohshme e të asgjësueshme, duke i parë në emër të Krijuesit të gjithësisë, po i përdorët dhe i zhvilluat në rrugën e Tij dhe në drejtimin që do Ai, do të shihni se çdo çasti pandehur si fund është një fillim. E gjithë stolia e përkohshme dhe e asgjësueshme, madhështia, shkëlqimi dhe pompoziteti që marrin fund me mbylljen e jetës së kësaj bote, kur kjo të ketë arritur në pikën e konsumimit të plotë, do të shfaqen në trajtën më të përsosur e të mrekullueshme të tyre me hapjen e botës tjetër dhe për të vazhduar atje.
2. Rëndësia e folesë familjare
Përsosmëria e një kombi dhe një shoqërie nis nga familja, nga foleja familjare e ngritur nga bashkëshortët e lidhur dorë për dorë po për këtë qëllim. Nisur nga kjo, edukimi duhet filluar nga familja që të mbetet i qenësishëm. Nëse familja ngrihet mbi parime edukative, as për shoqërinë nuk mund të mendohet se mund të jetë me edukatë. Madje, edhe nëse një politikë arsimore-edukative e patëmetë është shumë e rëndësishme për formimin e njeriut ideal, familja do të vazhdojë ta ruajë rëndësinë e vet përsa i përket kontributit të saj në edukimin e individit.
Po qe se mendjet e ushqyera mirë në familje, veçanërisht në periudhën e ushqyerjes së nënvetëdijeshme, nuk vihen nën goditjen e erërave të kundërta serioze, në të ardhmen, me anë të disa vërejtjeve të vogla, mund të na dalin para si heronj të trashëgimit nënvetëdijësor,duke na lënë sakaq të shastisur. Sigurisht, suksesi në folenë familjare është etapa e parë e suksesit në vetë jetën në përgjithësi. Dhe kjo etapë varet drejtpërsëdrejti nga një martesë e shëndoshë.
3. Qëllimi i martesës
Familja nuk është fabrikë e prodhimit të fëmijëve, siç e mendojnë disa autorë. Familja është pjesa më jetësore e shoqërisë dhe embrioni i parë i çdo kombi. Për rrjedhojë, ajo s’është as inkubator, as mjet për të kënaqur dëshirat trupore që ka çdokush. Familja është një institucion i shenjtë. Kurse vija më e shquar e shenjtërisë së saj është kurora martesore. Kurorë martesore quhet bashkimi i çiftit me anë të një akti kontraktual në kuadër të parimeve të caktuara, pra një marrëveshje me qëllimtë qartë. Allahu (xh.xh.) i sheh si adulter të gjitha bashkimet që s’kanë për qëllim parimet e kurorës martesore.
Bashkimin legal nën emërtimin “kurorë”, feja e pranon si themelin, shtyllën, fondamentin e një kombi të mirë. Ndërkaq, edhe bashkimet legale e kanë një synim përfundimtar, ndaj të cilit janë të kushtëzuara .
Meqë martesat spontane, pa kurrfarë qëllimi i cenojnë kufijtë e legjitimitetit, myslimani është, në këtë çështje, mjaft i ndjeshëm. Sigurisht, synimi i martesës duhet të jetë rritja dhe përgatitja e një brezi që aspiron të fitojë pëlqimin e Allahut (xh.xh.) dhe Profetit Muhamed (s.a.s.).
Martesat pa qëllim janë të pabegata ashtu si edhe adhurimet e bëra pa asnjë qëllim. Kur mungon synimi, bashkimet që i përngjajnë një martese të bërë me një person të panjohur, duke parë vetëm pamjen e jashtme të tij, pa u interesuar për fenë, besimin, etj., krahas mungesës së thellësisë sublime, shpesh herë përfundojnë me mospuqje dhe pashkueshmëri ndër veti. Sidomos po të jenë bashkuar dy njerëz, nga të cilët njëri i beson Kuranit, kurse tjetri, jo;njëri e njeh Profetin (s.a.s.), e tjetri, jo! Po qe se bëhet fjalë për mendime të kundërta mes pjesëtarëve të familjeve lidhur me besimin, fërkimet besimore e ideore bëhen të pashmangshme dhe nxjerrin krye mospërputhje që janë të pamundura për t’u rikuperuar.
Po të mendohet gjerë e gjatë, “martesa me synim” është, krahas të qenit ndjesore, edhe racionale. Dhe në familje ka qetësi e kënaqësi kur në martesë veprohet duke u menduar synimi për të cilin po veprohet. Kurse në përfundim të martesave të bëra pa pasur një synim të qartë dhe pa u menduar përfundimi, shfaqen shqetësime nga më të ndryshmet. Në një fole të tillë, pjesëtarët e familjes jetojnë vazhdimisht të paqetë e të pakënaqur.
Feja, duke e konsideruar, nga njëra anë, martesën legale, e duke e nxitur atë kësodore, nga ana tjetër, e kufizon çështjen brenda kornizës së synimit. Fundja, në çdo punë dhe sjellje të njeriut duhet të ketë një synim të caktuar, në mënyrë që njeriu të jetë i vendosur në iniciativat që do të marrë dhe hapat që do të hedhë dhe të përpiqet për të arritur në atë synim. Po qe se njeriu nuk ndjek një synim të caktuar, as veprimtarinë e tij nuk e rregullon dot dhe kurrë nuk arrin në ndonjë finalizim. Është e vërtetë se, po qe se në veprimet dhe sjelljet tona nuk ndjekim ndonjë synim, mendohet se edhe shansin për sukses e kemi humbur në një masë të konsiderueshme!
4. Kushtet e martesës
Çështjes së martesës feja i jep rëndësi më shumë se sa mund të merret me mend. Paralel me këtë, edhe juristët islamë që e kanë trajtuar kurorën si një çështje të rëndësishme, kanë shkruar vëllime të tëra rreth saj duke qëndruar posaçërisht mbi të. Juristët e kanë ndarë kurorën në kategoritë detyrim (farz), domosdoshmëri (vaxhib), traditë (sunet), ndalim, shkelje (haram) dhe papëlqyeshmëri (mekruh) si dhe e kanë kushtëzuar pak edhe me gjendjen specifike të çdo personi. Kjo do të thotë kështu: Askush nuk mund të martohet si t’i vijë për mbarë; personi i ardhur në një nivel të caktuar, është i detyruar të martohet; madje, ndërsa martesa e disave është domosdoshmëri (vaxhib), martesa e disa të tjerëve, për shkak të gjendjes së tyre të posaçme, është e papëlqyeshme, e shëmtuar (mekruh).
Gjithsesi, vetëm duke mbajtur parasysh kuadrin fiziologjik e material të njeriut, kuptohet pa mëdyshje se ai që martohet, do t’i përftojë shoqërisë një familje ose një fëmijë.
Nga juristët islamë, ata që janë hanefi dhe maliki konsiderohen të afërt me njëri-tjetrin lidhur me këtë çështje; dallimet mes tyre kanë të bëjnë më së tepërmi me hollësitë. Po qe se do ta parashtronim çështjen e martesës sipas përcaktimeve të këtyre juristëve të mëdhenj islamë në vijat kryesore, do të na dilte parasysh një klasifikim i tillë si më poshtë:
5. Debatimi i argumenteve
Sipas një hadithi të nivelit hasen, Profeti (s.a.s.) porosit:
“Martohuni e shtohuni; unë do të krenohem ditën e kiametit me shtimin tuaj!”
Edhe sipas një hadithi tjetër, Profeti (s.a.s.) porosit: “Martohuni me femra pjellore, që mund të bëjnë shumë fëmijë!”
Lidhur me këtë çështje, në një ajet kuranor thuhet:
“Martojini beqarët mes jush me skllavet dhe shërbëtoret tuaja të përshtatshme (nëse s’keni mundësi me të lira). Po qe se këta beqarë janë të varfër, Allahu, me favorin e vet, i bën të pasur. Allahu është Mirëbërës i madh dhe di çdo gjë!”
Sa për personin që nuk ka mundësi të lidhë kurorë, domethënë, të mbajë e të ushqejë familje, ose që nuk mund të japë garancinë e kurorës, ai duhet të durojë virtytshëm derisa Allahu t’i japë mundësitë e duhura, për të jetuar ndershmërisht pa rënë në veprime të ndaluara (haram).
Edhe nëse argumentet profetike e kuranore në fjalë, dhe komenti i tyre duket sikur në pamje të parë bien në kundërshtim me argumentet e tjera, nuk ka dyshim se, përsa i përket idesë themelore, ato theksojnë të njëjtat të vërteta.
Duke bërë analogjitë, pranimet dhe përjashtimet e duhura logjike, porosia profetike, “Martohuni e shtohuni; unë do të krenohem ditën e kiametit me shtimin tuaj!”, mund të thuhet se na kujton këto gjëra: Po qe se me martesën nuk kihet për synim një brez me të cilin Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi Të) të krenohet, ajo martesë ose ai shtim nuk ka asnjë kuptim. Sigurisht, është krejt e qartë se Profeti nuk do të krenohej me një brez të përlyer me terrorizëm ose dëfrim, me njerëz që s’u bie balli asnjëherë në sexhde, me ndërgjegje të ndryshkur e me sy të përgjakur! Brezi, shtimin e të cilit Ai e dëshiron, duhet të jetë brezi i pranuar edhe në lartësinë e Allahut, që përpiqet të fitojë pëlqimin e Tij, që e jeton dhe e mban gjallë fenë e cila ndan të mirën nga e keqja. Me deklaratat e tij dritëshpërndarëse, Kurani është referenca më e shëndoshë e kësaj konsiderate: “Pasuria dhe fëmijët janë për ju stoli e jetës së kësaj bote, kurse punët që premtojnë amshueshmëri, janë, në lartësinë e Allahut, më të dobishme për të mirë dhe më të denja për të lidhur shpresën ndaj tyre.” Po, nëse punët tuaja shohin kah amshueshmëria, thuhet se keni hyrë në një rrugë, nga e cila edhe Zoti juaj do të jetë i kënaqur nga ju, edhe ju do të jeni të kënaqur nga Zoti juaj!
Përfundimi që arrijmë me këtë konsideratë, është ky: Synimi thelbësor në martesë është rritja dhe përgatitja e një brezi që do t’i bënte të kënaqur Allahun dhe të Dërguarin e Tij (s.a.s.). Prandaj, njerëzit që përqendrohen me kujdes të veçantë mbi edukimin e fëmijëve me besim fetar, atdhedashës e të lidhur fort pas familjes, pavarësisht nga mendimet e ndryshme e të shtrembra, kurrsesi nuk duhet të lëkunden të kenë fëmijë me rrugë të rregullta e legale. Shtimi i një brezi të tillë ka për ta bërë të qeshur fytyrën e umetit të Profetit Muhamed (s.a.s.).
Lidhur me konsideratat e parashtruara gjer këtu, është mjaft me rëndësi edhe kjo këshillë dhe porosi e Profetit (s.a.s.) për të rinjtë:
“O ju të rinj! Ata prej jush që kanë mundësi për martesë, të martohen, kurse të pamartuarit ende, të agjërojnë, sepse kjo është parzmore ndaj haramit (gjërave të ndaluara).”
Së pari, në kuptim të përgjithshëm, agjërimi është një pehriz. Duke i marrë nën kontroll, bashkë me stomakun, edhe ndijimet dhe ndjenjat e tjera njerëzore, lehtëson përdorimin e saj në drejtimin e urdhëruar nga Zoti.
Së dyti, martesa është një gjë serioze. Ajo s’është një punë e thjeshtë që njeriu mund t’ia hyjë duke marrë vendim të hëpërhëshëm, pa e menduar e pa e peshuar më parë. Mosmarrëveshja dhe mungesa e qetësisë në martesat e nxituara, të bëra pa kaluar nëpër filtrin e arsyes, është një ngjarje e hasur shpeshtazi. Në mënyrë të pashmangshme, fëmijët e rritur në një familje ku sundojnë mosmarrëveshja e grindja, nuk do të marrin edukatën e duhur;do të rriten me prindër, por sikur të ishin jetimë dhe, disa herë, do të rriten të pandjeshëm e armiq ndaj prindërve, madje edhe ndaj gjithë shoqërisë që i rrethon.
Në shumicën e vendeve perëndimore gjendja përqendrohet në këtë pikë.
Në këto vende martesa nuk trajtohet si një çështje serioze dhe nuk realizohet brenda disiplinave të duhura. Kjo ngjarje tejet serioze dhe jetësore shihet si një mundësi konkrete për plotësimin e disa nevojave njerëzore, për t’u ushqyer e pushuar, kuadri i synimit përfundimtar të saj ngushtohet, duke u zhveshur krejtësisht nga domethënia që zotëron. Evropa e sotme po vërtitet sot buzë greminave ku qe vërtitur Roma e djeshme dhe po i afrohet vdekjes hap pas hapi, sepse asnjë komb që ka institucionin e familjes të prishur, e me individë të degjeneruar, nuk ka mundur të qëndrojë më këmbë.
Unë nuk e di se çfarë mendon Kisha përballë këtij problemi, ç’thonë sociologët, ç’pikëpamje kanë edukatorët. Nëse di diçka, di se me këtë pandjeshmëri e me këtë mungesë logjike, shoqëritë e sëmura nuk do ta kenë të gjatë.
Kutubi i ndjerë, një mbresë të tij lidhur me këtë çështje, e përcjell kështu: “Në Amerikë, duke shqyrtuar jetën e tyre fetare, unë u përballa me gjëra interesante. Një radhë, erdhën në kishë shumë meshkuj e femra së bashku dhe bënë aty adhurimet e duhura. Pas lutjes, prifti i futi ata në një sallë tjetër ku do të kërcenin, do të dëfreheshin e do të bënin edhe gjëra të tjera. Prifti shoi dritat dhe nisi argëtimi. Duke ndjekur argëtimin e tyre, prifti thyhej më dysh nga kënaqësia dhe emocioni. Po, prifti qe shumë i kënaqur që i kishte sjellë ata në kishë!”
Mirëpo, ashtu siç të shkuarit në kishë nuk është qëllim në vetvete, as të shkuarit në xhami nuk është qëllim në vetvete, madje edhe vetë tavafi rreth Qabes nuk është i atillë. Qëllimi është ta bësh të kënaqur Allahun (xh.sh.) dhe të jesh në rrugën që urdhëron Ai!
Një shoku im mjek, pati shkuar në Amerikë për specializim. Kur u kthye, m’i përshkroi kështu mbresat e tij:
“Në Amerikë, shumica e njerëzve që shkojnë në kishat e qendrave të qyteteve, në tregjet dhe ndanë rrugëve me publik të dendur, janë pleq të moshuar, të kërrusur, që dremisin ku të ndodhen. Dhe mendova: Mos vallë rinia amerikane është prishur krejt?
Pastaj shkova në një kishë jashtë Nju Jorkut. Kisha ndodhej në një majë. Kur arrita, pashë se të rinjtë pothuajse rridhnin si lumë për atje, se atje shkonin të gjithë, burra e gra. Prifti u jepte këshilla të vazhdueshme, por ata as që ua vinin veshin fjalëve të tij. Secili shihte qejfin e vet. Edhe prifti, duke menduar se, sidoqoftë, ardhja e tyre në kishë ishte fitim, mbyllte sytë para bëmave të njerëzve. Dikush përdorte heroinë, dikush, morfinë, dikush merrej me punë të tjera.”
Nuk e di, ç’dobi mund të ketë një vajtje e tillë në kishë? Nëse të shkuarit në kishë nuk ia pasuron botën shpirtërore njeriut, nuk ia vë në lëvizje ndjenjat njerëzore dhe nuk e shtyn të jetojë si njeri, do të thotë se ajo s’ka ndonjë synim për të qenë, prandaj s’ka edhe kuptim!
6. Parimet e krijimit për martesën
a) Hapi i parë i çdo mbarësie: “Bismil’lah”
Bashkëshortët që kanë arritur të ngrenë një fole familjare brenda kritereve tona, quhet se kanë realizuar një ngjarje me rëndësi shumë të madhe. Një fole e tillë, kur duhet, shërben si faltore, kur duhet, si shkollë dhe shërben si një “Shtëpi e Zotit” që i fryn ringjallje tërë një kombi! Fole të tilla të lidhura ngushtë pas parimeve të vendosura nga Allahu, disa herë kanë shërbyer si një ADN për të gjithë shoqërinë.
Këtu kërkoj t’ju tërheq vëmendjen edhe mbi një tjetër moment. Kur nisim të hamë bukë, ne themi “Bismil’lahi Rrahmani Rrahim”. Madje besojmë se, po ta themi nga zemra, na shtohet bereqeti, begatia. Mes nesh, ata që besojnë mirë, shumë herë edhe e kanë parë haptazi këtë begati.
Po kështu, në shumë punë, ne mbështetemi te Allahu (xh.sh.) nga e keqja e shejtanit dhe i lutemi Atij të na mbrojë. Kësaj disipline i kushtojmë kujdes në çdo çështje, gjer në ato më intimet. Dhe besojmë se fëmijët që do të na vijnë në botë si rezultat i mbështetjes sonë te Zoti duke e kërkuar ndihmën dhe udhëzimin vetëm prej Tij, do të bëhen të mirë dhe se djalli nuk do të mund të fusë gishtin në këtë rezultat.
Atij që nuk e bën këtë mbështetje te Zoti duke e kërkuar ndihmën dhe udhëzimin vetëm prej Tij, i bien në kokë, si rezultat i nënvleftësimit të kësaj gjëje që mund të duket si e vogël, shqetësime të tilla që ai nuk e di se nga i vijnë, por shembet nën peshën e tyre! Në këtë çështje, njeriu nuk duhet të nënvleftësojë as grimë-çastin më të shkurtër. Duhet ta kryejë çdo gjë të madhe ose të vogël që është ngarkuar për ta kryer, duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet e provës para së cilës është vënë. Duke çuar në vend përgjegjësitë që ia ka ngarkuar feja, duhet të sillet jashtëzakonisht i kujdesshëm e i ndjeshëm për të mos rënë kurrë në kapitje.
Disa herë, një çast plogështie mund të japë si përfundim një fatkeqësi të tillë si ajo që jep topitja dhe mungesa më e vogël e vëmendjes së njeriut që ndodhet në timon. Po, besimtari duhet çdo çast të mbështetet te Allahu (xh.xh.), të strehohet te Ai! Po me këtë ndjenjë duhet vepruar edhe në kurorën që duket si një trajtim i thjeshtë. Kurora lidhet në emër të Allahut. Nuk mund të mendohet që kurora e lidhur pa u mbështetur te Allahu, të ketë begati, të bëhet pretekst për dobi. Sigurisht, kurora është një lidhje shpirtërore, sublime; edhe perspektiva e saj varet nga raportet me Allahun.
Nisur nga kjo, kurora do të lidhet në emër të Allahut që të ketë begati. Brenda saj do të ketë lutje, dhe do të realizohet brenda kuadrit të parimeve të vendosura nga Allahu, madje do të përcaktohet garancia e kurorës në mënyrë që të premtojë të ardhme të sigurt. Allahu (xh.xh.) e bën kurorën e lidhur në emër të Tij, të bekuar e të lumtur. Një kurorë e tillë është nën përkujdesjen hyjnore të Allahut (xh.xh). Ajo premton mundësi e të ardhme, duke u bërë kësisoj shkak për të shkuar mirë dhe në harmoni mes bashkëshortëve.
Në ditët tona po bëhemi dëshmitarë të ndarjeve të shpeshta dhe në martesat po shihet një mosshkuarje mirë, një mungesë mbarësie dhe qetësie. Fakti që punët nuk bëhen në emër të Allahut, që janë spontane e pa kurrfarë synimi, që çdo gjë lidhet me parimin e kënaqjes vetëm të ndjenjave epshore dhe hedhja pas krahëve e të gjitha vlerave njerëzore, ashtu siç e ka tronditur nga themelet sistemin familjar perëndimor, ashtu na ka shkundur edhe ne. Gjendja e përgjithshme këtë tregon. Zoti na ndihmoftë!
7. Vlera e lartë e nënës
Nëna është elementi më i rëndësishëm i familjes, që përgatit një komb. Në botëkuptimin e Islamit ajo është aq e shenjtë, saqë i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka thënë:
“Xheneti ndodhet nën këmbët e nënave!”
Ashtu është, sepse nëna është dora e shenjtë që gatuan një komb të tërë, si dhe ngritësja e folesë familjare, që përbën qelizën e parë të shoqërisë; ngritësja e një foleje ku reflektohen gëzimet dhe lumturia e fëmijëve që cicërojnë si zogjtë...
Me këtë aspekt, Islami i jep nënës një vend dhe vlerë të tillë që përpjekja për t’i dhënë asaj vend tjetër, dhe vlera të tjera përtej kësaj, është ta vulgarizosh atë, është njësoj sikur t’i heqësh nga koka kurorën me margaritarë për t’i vënë një kësulë të “stolisur” me copëra qelqi! Allahu (xh.xh.) që i ka krijuar mashkullin dhe femrën, i ka pajisur ata sipas vendit dhe vlerës të tyre dhe u ka dhënë ato që duhen dhënë sipas kapaciteteve përkatëse. Femra është e dobët dhe delikate. Ajo preket më shpejt nga ndodhitë. Ja pra, ta marrësh njeriun me një natyrë të tillë e ta largosh nga punët e përshtatshme me natyrën e tij me qëllimin për ta shtrënguar në punë që nuk mund të përputhen me hijeshinë, dobësinë, delikatesën dhe respektin për të cilin është i denjë, është drejtpërsëdrejti padrejtësi dhe dhunë ndaj tij!
Në të vërtetë, kjo qenie delikate që i themi femër, është e pajisur me gjëra të tilla që, në këtë aspekt qëndron tejet para mashkullit. Femra është një heroinë dhembshurie; ajo dridhet mbi kokë të bijve të saj asisoj, saqë në këtë gjë mashkulli as që mund të vihet në krahasim me të! Ndërkaq, kjo nuk është e kufizuar vetëm me botën e njerëzve. Megjithëse e gjithë pasuria e pulës është jeta e saj, ajo është gati ta flijojë veten për ta shpëtuar të voglin e saj nga dhëmbët e qenit. Ja pra, kjo ndjenjë e thellë dhembshurie ndaj fëmijëve dhënë gjithë frymorëve nga Allahu, është për nënën një kapital aq i madh, saqë çfarëdo vlere që t’i jepni asaj, do të mbetet e zbehtë para kësaj vlere që i ka dhënë Allahu!
Në këtë pjesë ku kaluam duke e parë çdo gjë në mënyrë të përgjithshme, u përpoqëm të japim një mendim se si duhet ngritur foleja familjare. U ndalëm mbi çështjet e besimit, aspektin praktik të Islamit, aspektin fetar të bashkëshortëve, ndarjen e punëve mes tyre, mbi ndihmën reciproke, rritjen dhe përgatitjen e mirë të fëmijëve. Theksuam, ndërkaq, disa çështje të ndjeshme siç është të qenit një bashkësi (umet) me të cilën të krenohet i Dërguari i Madh (s.a.s). Në pjesën në vazhdim duam të qëndrojmë pak edhe mbi kuadrin e familjes.
a) Martesa e detyrueshme (farz)
Personi që ka rrezik të bjerë në adulter dhe, përgjithësisht, në situata të ndaluara fetarisht (haram), e ka të detyruar (farz) të martohet nëse ka mundësi ta paguajë garancinë e kurorës (mihr) dhe të sigurojë mjetet për mbajtjen e familjes. Sipas disave, duhet të martohet edhe nëse nuk agjëron dot (me qëllim për të mposhtur dëshirat seksuale).
Me fjalë të tjera, martesa për të mos rënë në faj (haram) është parim, dhe martesa duhet të jetë zgjidhja e vetme për dikë që përballet me rrezikun për të rënë në faj. Largimi, ikja nga martesa me rrugë të panatyrshme është kundërshtim i natyrës dhe shpallje lufte ndaj asaj, dhe disfata e atij që tenton të luftojë kundër natyrës, është e pashmangshme!
b) Martesa e domosdoshme (vaxhib)
Martesa e personit që ka mundësi ta paguajë garancinë e kurorës dhe ta mbajë familjen, ndërkohë që nuk ndodhet para ndonjë rreziku imediat për të rënë në faj me përjashtim të një dyshimi, është e domosdoshme. Kjo formë është mendim i vetëm disa juristëve, andaj nuk përbën pikëpamje apo opinion juridik të përgjithshëm.
c) Martesa traditë (sunet)
Është traditë (sunet), domethënë normale dhe e mundshme martesa e personit që nuk ka asnjë rrezik apo shqetësim dhe që ka dëshirë dhe është i interesuar të martohet.
d) Martesa e palejueshme(haram)
Është e palejueshme, e ndaluar dhe e dënueshme martesa për personin që do ta shtynte në veprime të fajshme, që do ta detyronte të përdorte rrugë të ndaluara e të dënueshme për ta mbajtur familjen. Një martesë e tillë është, më e pakta, e papëlqyeshme dhe e shëmtuar (mekruh). Ka juristë që e quajnë të ndaluar ose të papëlqyeshme edhe martesën e një mashkulli me çekuilibrim mendor-shpirtëror të tillë që do ta keqtrajtonte të shoqen.
e) Martesa e papëlqyeshme (mekruh)
Sipas disave, është e papëlqyeshme edhe martesa e dikujt për të cilin rreziqet për të rënë në gabim, për të përdorur dhunën, nuk janë kategorike, por vetëm paraqiten si mundësi.
f) Martesa e zakonshme (mubah)
Martesa e një personi të matur e serioz i cili fiton me të drejtë (hallall), për të cilin nuk ekziston mundësia të bjerë në adulter, i cili ka mundësi ta japë garancinë e kurorës dhe të mbajë familje, është e pëlqyeshme (menduh) ose e zakonshme, asnjanëse (mubah). Një person i tillë po të dëshirojë mund të martohet, po nuk deshi, nuk martohet.
* * *
Imam Shafiu (r.a.) thotë se martesa është, në vetvete, një akt i zakonshëm, domethënë një akt neutral (mubah). Ndërkaq, është e domosdoshme (vaxhib) të shmanget nga fajësia (haram). Në të vërtetë, këtu, edhe shkolla shafi parashtron një pikëpamje të afërt me konsideratat hanefi. Imam Ahmed bin Hanbeli mbron pikëpamjen se, përballë rrezikut për të rënë në adulteri, martesa është e detyrueshme për çdo njeri, pavarësisht nëse ai mundet apo jo ta sigurojë jetesën e familjes e ta japë garancinë e kurorës. Në fakt, kur këto pikëpamje shqyrtohen me hollësi, kuptohet se nuk janë shumë larg njëra-tjetrës.
Me këto çështje specifike, u përpoqëm të tregojmë se ç’lloj synimesh ndjek feja, se martesa nuk është një çështje e thjeshtë dhe e lidhur veç me ndjenjat. Po qe se kjo punë e rëndësishme nuk kushtëzohet me parime të shëndosha në mënyrë që të mos u japë shkas zbrazëtive në arsye dhe në ndjenja, fundi i saj i pashmangshëm do të jenë dyert e gjyqeve dhe vargjet e grave të veja e të pazot, të fëmijëve të mbetur në mes të udhës! Duke ngritur pritë që në krye të herës para këtyre, feja e pengon martesën, përfundimi i së cilës është zvarritje në këto lloj situatash negative e të rënda, duke e kategorizuar si haram (e ndaluar), mekruh (e papëlqyeshme, e shëmtuar); në një çështje ku mbisundon ndjenja, feja i jep prioritet rrugës së arsyes, logjikës dhe gjykimit.
Specifika që ne deshëm të theksonim këtu, është që martesa është një institucion shumë i rëndësishëm, që me të formohet dhe ngrihet familja si elementi më i rëndësishëm i shoqërisë. Nisur nga kjo, kur mendohet e flitet për martesën, nuk duhet menduar e folur për të si për një situatë mediokre të lidhur vetëm me sensualitetin e individit, por si një çështje fetare, kombëtare dhe gjithënjerëzore që ka lidhje me lumturinë e një shoqërie a të një grupi shoqëror, madje të gjithë një kombi. Sa për specifikën e ndjesive dhe egoiste të martesës, kjo është vetëm një “parapagesë dhe bakshish” i Zotit për njeriun për të siguruar arritjen e “synimit të madh” përfundimtar. Në qoftë me vend të shprehemi kështu, kjo duhet vlerësuar si një “paradhënie” dhe duhet parë si një “shpërblim në dorë” për shërbimin e rëndësishëm që i sjell individi vazhdueshmërisë së brezit njerëzor me martesën,dhe rritjes e përgatitjes së individëve me karakter të lartë, të cilët bëhen mandej garanci e vitalitetit të një kombi!
Ç’është e vërteta, mund të thuhet se feja islame i jep mjaft rëndësi kësaj çështjeje. Në përgatitjen e martesës çdo gjë do të mendohet me hollësi, do të bëhen një mijë e një llogari dhe do të sillet me një kujdes që nuk do t’i linte hapësirë asnjë gabimi në mënyrë që foleja familjare e ngritur të mos prodhojë shkaqe që do të çonin në shembjen e saj.
g) Zgjedhja e bashkëshortit/es
Çështja e parë që mendon personi që niset për t’u martuar, është të kërkojë një bashkëshort(e) në përshtatje me ndjenjat dhe mendimet e veta. Në këto kohë, shumë të rinj e vlerësojnë këtë punë jetësore vetëm me ndjenja dhe përpiqen të krijojnë folenë familjare me dikë që kanë njohur në rrugë, në treg apo në shëtitje. Është e qartë se martesat e bëra duke lënë mënjanë gjykimet mbi kuptimin, natyrën dhe rëndësinë e martesës e të ngritjes së folesë familjare, sjellin fatkeqësi. Ndërkaq, po qe se para këtij hapi të madh do të kërkohej ndihma e mendimeve dhe pikëpamjeve të një personi të tretë i cili do ta shihte çështjen me një sy tjetër dhe do të bënte llogari e vlerësime, duke iu referuar momenteve dhe analogjive të tjera, rezultati do të ishte krejt i ndryshëm dhe përfitimi më i madh.
Disa herë, martesa e bërë me një trajtim të thjeshtë, bazuar veçse në ndjenja, folenë familjare të konsideruar si një kënd Xheneti mund ta shndërrojë në një gropë Xhehenemi. Ka shumë njerëz që i njohim e i dimë, përkushtimi fetar i të cilëve është i njohur, por që si familje, për shkak të kapitjes së rrezikshme apo llogarive të gabuara të bëra në pragun e ngritjes së familjes, jetojnë në kaos dhe krizë të thellë.
Në një familje të tillë, fërkimet dhe përplasjet nuk ndërpriten kurrë. Burri kërkon ta jetojë fenë, gruaja shqetësohet,ose e kundërta. Për rrjedhojë, në një familje të tillë, burri dhe gruaja kurrë nuk mund të përbëjnë një unitet, nuk mund ta bëjnë familjen një dhe të përbashkët, nuk mund të bëjnë një ndarje të përbashkët të detyrave, përgjegjësive, të të drejtave dhe respektit personal. Përkundrazi jetojnë si pole të kundërta me njëri-tjetrin. Në një familje të tillë, lexohen dy libra e dy gazeta të ndryshme;rrëfehen dy lloje tregimesh; bëhen dy lloje mbledhjesh familjare. Gruaja kërkon një gjë, burri e kundërshton. Gruaja kërkon besim, moral, kurse burri i kthen këto në shkaqe grindjesh. Kështu, në një familje të tillë, bëhet një jetë dualiste, në i thënçin jetë një jete të tillë!
Në mjedisin e një përplasjeje dhe kapërfytjeje të tillë, fëmijët disa herë lidhen pas njërës anë, kurse, disa herë, mbeten në mes, krejt pandjenja e mospërfillës ndaj ç’ndodh, dhe për më tepër armiq të familjes dhe shoqërisë. Prandaj, duke hedhur hap drejt martesës, mashkulli dhe femra duhet ta mendojnë shumë mirë çdo gjë, e po të jetë nevoja, duhet të këshillohen me ata që kanë përvojë dhe t’i përcaktojnë shumë mirë shkaqet e parapëlqimit të tyre.
Lidhur me këtë çështje, Profeti Muhamed (s.a.s.) arrin në këtë përfundim: “Gruaja merret për këto katër arsye: për pasurinë, fisin, bukurinë dhe besimin. Ti zgjidh atë që ka besim që të gjesh lumturinë!”
Feja dhe besimi janë shkaku më i rëndësishëm për parapëlqim. Sikur para një mashkulli të paraqiten dy kandidate, njëra prej të cilave është shumë e bukur, kurse tjetra, me bukuri mesatare, por me ndjenjë besimi të fortë, epërsia morale dhe fetare duhet të bëhet shkak për parapëlqim. Jeta familjare nuk i përket vetëm kësaj bote, ajo vazhdon me bijtë, nipërit e mbesat dhe e ruan këtë njëshmëri edhe në jetën tjetër. Në të vërtetë, ndërsa një fole familjare e mirë mund të jetë një kënd parajse në këtë botë, ka ndodhur, që, si rrjedhojë e disa gabimeve, të kthehet në varr dhe t’i bllokojë e t’i shembë edhe rrugët që çojnë në lumturinë e natyrshme të botës së mbrame.
Nisur nga kjo, patjetër i duhet kushtuar vëmendje mendimit, veprimit, dhe veçanërisht, besimit fetar të bashkëshortes së ardhshme. Personi që i jep vajzën një mashkulli me të meta në besim, është përgjegjës për të gjitha pasojat negative të mundshme që mund të burojnë prej asaj martese. Kjo është e vlefshme edhe për femrën me mangësitë përkatëse. Ndërkaq, nëse mashkulli ka ndonjë problem serioz besimi, do të thotë se çështja është negative që në themel, sepse besimi është një element themelor i vlefshmërisë së kurorës. Njeriu që nuk i beson Allahut (xh.xh.), që i nënvleftëson urdhrat e fesë, ka një problem serioz besimi. Për rrjedhojë, mungon elementi më i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për lidhjen e aktit të kurorës.
Është e qartë se për të realizuar martesën për pozitë, post, përkatësi familjare e fisnore, famë e popullaritet, para, rrogë, etj., feja dhe besimi janë nënvleftësuar dhe autorët, në vend që të fitojnë, kanë humbur. Së pari, cilësia e kërkuar me përparësi në martesë është karakteristika fetare. Themeli i fesë është besimi. Martesa me një njeri pa besim kurrë nuk është një martesë në kuptimin e plotë të fjalës, ajo është thjesht një bashkëjetesë.
Përfundimet tona janë, sigurisht, për njerëzit fetarë dhe për ata që i pranojnë ligjet dhe kriteret e fesë. Le ta bëjmë të qartë edhe një herë këtë që martesa është një mbështetje shumë e rëndësishme e lumturisë materialo-shpirtërore. Ai që bën gabim në një çështje të tillë të rëndësishme, ia ka nxirë vetes që të dyja botët.
Para çdo gjëje tjetër, në qoftë se mjedisin jua kanë rrethuar fëmijë të paushqyer mirë me ndjenja fetare, do ta keni shumë të vështirë ta drejtoni situatën. Ndërkaq, po qe se një dorë bujare ju vjen në ndihmë në mënyrë të mrekullishme dhe i ndreq çrregullimet që kanë pasuar nënvleftësimet dhe gabimet tuaja, themi “ndihma e Allahut” dhe lutemi për më tej. Por ç’e do se kjo mund të mos ndodhë gjithnjë...
h) Rritja dhe përgatitja e fëmijëve të mirë
Në çështjen e rritjes dhe përgatitjes së fëmijëve, nëna dhe babai duhet të jenë medoemos në të njëjtën mendje. Fëmijët që ndodhen nën prindësinë e një nëne pa aftësi për të rritur dhe përgatitur fëmijë, ose të aftë por që nuk merr përsipër asnjë përgjegjësi, dhe të një babai që nuk merret me asnjë problem të tyrin, janë jetimë edhe pse me nënë e baba.
Nëna, të cilën Allahu (xh.sh.) e ka pajisur me mëshirë, dhembshuri, ndjeshmëri e delikatesë, aftësinë e së cilës për të rritur e përgatitur fëmijë e ka kthyer në një cilësi të thellë të natyrës së saj, këtë potencial të shpirtit të saj duhet ta përdorë patjetër për t’i lartësuar ata në vlerat si njeri. Fundja, për nga krijimi i saj, nëna është njëherazi mësuese, edukatore dhe udhërrëfyese. Detyra më e rëndësishme e saj duhet të jetë përgatitja e fëmijës së vet. Edhe porosia profetike, sipas së cilës, “atë që i ndan nënën me fëmijën nga njëritjetri, në ditën e kiametit Allahu e ndan nga njerëzit e dashur”, e paraqet në mënyrë mjaft të qartë rolin e qenësishëm të nënës në edukimin e fëmijës.
Kur nëna e përdor domosdoshmërinë imediate të pajisjes së saj, edhe babai, ashtu siç e kërkon krijimi dhe pozicioni i tij, duhet të jetë gjithmonë i matur, serioz, i zgjuar dhe i vëmendshëm. Babai merret me politikë, nëpunësi, tregti, bujqësi etj. dhe, pak edhe si domosdoshmëri e natyrës së tij, mbush në familje një zbrazëtirë tjetër të saj. Sigurisht, ai, me forcën, qëndresën dhe strukturën e tij të veçantë, është i përcaktuar për punë të veçanta. Fundja, qysh në krye të herës ai ka qenë gjithmonë njeriu i një përgjegjësie të posaçme, dhe si i tillë ka ardhur deri në ditët e sotme. Nisni me prerjen e druve në pyll, me plugimin e tokës, me mbjelljen dhe vjeljen e të lashtave e gjer te punët e rënda të ndërtimit apo industrisë; çdo gjë është kryer dhe çuar para duke u lidhur me qenien e tij, e duke u mbështetur te ai. Sipas meje, burri duhet ta ruajë vendin e vet të qëndresës ndaj punëve të tilla të rënda në saje të trupit dhe vullnetit të vet dhe s’duhet të ngatërrohet me punët e femrës; po kështu edhe femra nuk duhet vënë në punë të rënda që e kapërcejnë forcën fizike të saj.
Sidomos mashkulli, i cili është monument qëndrese, por jo hero dhembshurie! Dhembshuria është thellësia veçanërisht e femrës. Ajo e shëtit fëmijën në bark për nëntë muaj. E sjell në botë me njëqind mundime, kujdeset dhe e rrit me një mijë vështirësi. Kur fëmija rënkon natën, nëna ngrihet dhe i shkon menjëherë në ndihmë dhe, kur qan e merr në gji. Me një dëshirë dhe instinkt që buron prej natyrës së saj, nëna jeton për ta mbajtur atë gjallë. Ja pra, nga njëra anë femra e nga ana tjetër mashkulli, me unitetin familjar të përbërë prej tyre, ngrenë një fole familjare që të kujton pallatet e Parajsës, në fytyrën e së cilës mund të sodisin botën e përtejme!
Në Perëndim, burri punon në një vend pune e gruaja në një vend tjetër. Në këto kushte, fëmijët ndodhen ose pranë dikujt të tretë ose në çerdhe apo në kopsht. Kështu, kur punojnë edhe babai, edhe nëna, fëmijët braktisen, në një farë mase, në vetmi, në pakujdesi. Mandej, këta njerëz ngushëllohen kështu në vetvete: “Atje ka njerëz shumë të dhembshur e të mësuar. Ata kujdesen për fëmijët tanë më mirë se ne!” Kurse përtej kësaj ekzistojnë edhe shumë gjëra për të cilat ka nevojë fëmija!
Në çerdhe apo kopsht, fëmijës mund t’ia lajnë rrobën, mund t’ia japin ushqimin në kohë, mund ta nxjerrin jashtë kur duhet, për pushim ose shëtitje në ajër të pastër, ose edhe e çojnë për të dëfryer në një park lojërash. Por ata që i bëjnë të gjitha këto, kurrë nuk mund të bëhen nëna dhe babai i fëmijës, nuk mund t’ia japin atij dhembshurinë për të cilën ka nevojë më tepër se për çdo gjë tjetër. Dhembshuria është interesimi, lidhja e bashkëlindur të cilën fëmija e lexon në sytë e nënës, e gjen në gjirin e saj, e ndjen në prehrin e babait. Nëse institucionet në fjalë nuk ia japin dot këtë, nuk mund ta kënaqin fëmijën me asnjë lloj fantazie tjetër!
T’i lëmë fëmijët e vegjël të braktisur në çerdhe apo kopshte e të shohim se ç’ndodhte me fëmijët e rritur të dorëzuar ustait apo kallfës në periudhën e zejtarisë. Në qoftë se ustai apo kallfa do të ishin të mangët nga dhembshuria, dhe pak edhe të ashpër, këta fëmijë të trajtuar vazhdimisht me ashpërsi, me kohë bëheshin aq të pa ndjenjë, aq zemërgurë e aq të pamëshirë, saqë jo vetëm ndaj të huajve, por edhe ndaj prindërve paraqisnin një sjellje harbute. Dhe kështu, nëse ndikimi negativ i ushtruar nga njerëz të tillë të ashpër si ustai dhe kallfa të periudhës së çirakllëkut në shpirtrat e butë të atyre fëmijëve të pafajshëm do të lindte rezultate negative të këtyre përmasave, nuk do të ishte e vështirë të përcaktonim se ç’ndryshime pësojnë fëmijët tanë të sotëm nën ato vështrime të huaja , teksa i dorëzojmë në çerdhe apo kopshte ende pa lindur ose pa u rritur ende mirë!
Allahu i Lartë (xh.xh) që gjithmonë na e prezanton neve veten si Mëshirëplotë (Rrahman) dhe Mëshirues (Rrahim), që na i tregon mëshirën dhe bamirësinë e Tij brenda fjalës së lartë, “Bismil’lahi Rrahmani Rrahim, Me emrin e Allahut Mëshirues e Bamirës” e cila përsëritet në Kuran njëqind e katërmbëdhjetë herë, duket sikur shfaqet te nëna me të dyja këto cilësi të bekuara. Po, shfaqjen e Allahut (xh.xh.) me mëshirën dhe bamirësinë e Tij në një banesë mund ta lexojmë në përqendrimin e nënës me një mijë kujdesje mbi fëmijën dhe shërbimet e saj për të. Nuk ka dyshim se një dinjitet dhe meritë e tillë është aq e lartë sa të mos mund të shkëmbehet me asgjë tjetër në botë!
Në një periudhë, pati ca të rinj që kishin mbaruar universitetin, madje që kishin bërë studime pasuniversitare, madje edhe ishin doktoruar, por që kishin rënë në duar të qendrave terroriste dhe u rritën breza pa ndjenja e pa mëshirë, që i bënin prindërit të qanin, duke ua copëtuar zemrën. Vetëm se këta qenë një përjashtim dhe jo gjëra që do të përbënin argument kundër mësimit dhe arsimimit. Askush nuk e rrit dhe përgatit fëmijën që të vritet prej plumbit, ose që të prishë qetësinë e shoqërisë; nuk e rrit, por disa herë edhe nuk e parandalon dot që fëmija të rrëmbehet nga rryma krejt të papritura. Ja pra, qoftë para gjërave të tilla negative të papritura, qoftë para rreziqeve të mundshme, nëna dhe babai gjithmonë duhet ta përdorin folenë familjare si një serë mbrojtëse, edukimin moral të fëmijëve duhet ta bëjnë synim parësor dhe nuk duhet t’i japin kurrsesi shkas humbjes së fëmijëve!
Si përfundim, mund të themi se nëna dhe babai duhet të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për rritjen dhe përgatitjen e një brezi të ndjeshëm, të vetëdijshëm dhe të lidhur fort pas atdheut, kombit dhe fesë dhe nuk duhet të japin rast që ai të përjetojë boshllëk mendor, ndijesor apo logjik. Po qe se prindërit do të jenë besimtarë, të lidhur pas Kuranit dhe njohës të mirë të Islamit, edhe fëmijët, në dashtë Zoti, do të rriten dhe përgatiten të vetëdijshëm dhe do ta bëjnë të valëvitet flamurin e kombit të tyre!
Shënimet
- 11.Kehf: 46
- 12.shih Vehbe Zuhajli, Enciklopedia e jurisprudencës islame, 9/28-31.
- 13.Abdurrezak, musannef, 6/173; el-Bejhaki, Marifetus’suneti uel athar, 5/220.
- 14.Ebu Davud, nikah, 3; Nesai, nikah, 11.
- 15.Nur: 32
- 16.Kehf: 46
- 17.Buhari, saum, 2; Muslim, nikah, 1, 3.
- 18.El-Kudai, Musnedu’shihab 1/102, për të parë hadithet me të njëjtën domethënie shih: Nesai, xhihad, 6; Ibn Maxhe, xhihad, 12.
- 19.Buhari, nikah, 15; Muslim, rada’, 53.
- 20.Tirmidhiu, buju, 52; sijer, 17; Darimiu, sijer, 39.