Delikatesa në edukim
Nëse foleja familjare që do të ngrini ose që keni ngritur, është në një kuadër që do t’i bënte të kënaqur Allahun (xh.xh.) dhe Profetin (s.a.s.), mund të thuhet se premton të ardhme. E thënë ndryshe, nëse brezat që do të rritni e do të përgatisni, janë të orientuar për t’u bërë umet, bashkësi e Profetit (s.a.s.), mund të konsiderohet se e kanë rrugën të hapur, kurse ju mund të konsideroheni të lumtur. Por në qoftë se brezat e përgatitur nga ju, u janë lënë amanet rrugëve dhe janë në kundërshtim me fenë, madje, armiq të xhamisë, xhematit, ata konsiderohen të pafatë, kurse ju, përgjegjës për fatkeqësinë e tyre. Kjo është, së pari, padrejtësi ndaj fëmijëve, pastaj dhe ndaj vetë shoqërisë. Askush nuk ka të drejtë të bëjë një të keqe të tillë. Neve do të na kërkojnë llogari për brezat e përgatitur si armiq të Islamit, që hanë e pinë prej gjërave të ndaluara, që me sjelljet e tyre jolegjitime, shkelin rregullat e përgjithshme. Përgatitja e brezave të aftë për të menduar në mënyrë besnike ndaj rrënjëve ideore të veta, të thellë, me horizont të gjerë, të mëshirshëm dhe të respektueshëm ndaj njeriut, është një nga detyrat tona kryesore. Kjo detyrë e rëndësishme fillon me ngritjen e vetëdijshme të folesë familjare dhe vazhdon gjatë gjithë jetës e kushtëzuar nga arsyeja, logjika dhe gjykimi.
Nisur nga kjo, familja duhet trajtuar si një institucion i mbështetur në frymën e fesë, që ka si bosht arsyen dhe vetëdijen, të cilit i duhet dhënë vazhdimësi duke marrë për bazë pëlqimin e Allahut (xh.sh). Profeti Muhamed (s.a.s.) tërheq vëmendjen se ka për t’u krenuar me shtimin dhe shumimin e umetit të Tij. Nga ky këndvështrim, një brez që s’e njeh Atë, sado i madh në numër të jetë, jo vetëm nuk do të ketë ndonjë vlerë para Allahut (xh.xh.), por nuk do të përbëjë vlerë as sipas Profetit tonë të Dashur (s.a.s.).
Prandaj ne, nga njëra anë do t’i presim rrënjët e prirjes ndaj së keqes duke u kthyer nga Allahu e duke bërë pendesë, nga ana tjetër, me hapa që do ta fuqizonin prirjen ndaj së mirës me anë të lutjeve, adhurimeve dhe punëve të mira e të dobishme, duke bërë me dashuri çdo gjë të nevojshme, me punë e me fjalë, do të vazhdojmë të presim në mënyrë aktive.
Kurani urdhëron: “Thuaj: “E keqja dhe e fëlliqura nuk janë njëlloj me të mirën dhe të pastrën; edhe sikur e keqja dhe e fëlliqura të kenë epërsi numerike marramendëse e mahnitëse, ky realitet nuk ndryshon.
Atëherë, o ju që keni arsye, kini frikë Allahun që të shpëtoni!”
Po, disa herë mund të ndodhë që epërsia sasiore e së keqes dhe e të këqijve mund t’jua tërheqin vëmendjen e t’ju lënë të mahnitur, por duhet ta dini se, në vështrimin e Allahut, e ndyra me të bukurën kurrë s’kanë qenë të njëvlerëshme. Atëherë, ju gjithmonë duhet t’i jepni rëndësi përgatitjes së një brezi që, me bukuritë e tij të rrezatuara, t’ju kujtojë Xhenetin, ta ndiqni të bukurën dhe të bëheni prind, mësues dhe edukues i saj!
1. Sëmundja e banalitetit
Në një hadith të nivelit sahih (autentik), Profeti Muhamed (s.a.s.) thotë kështu: “Në të ardhmen, ndjekësit e librit dhe kombe të tjera do të sulen mbi ju siç sulet i urituri mbi sofër, dhe do të kërkojnë t’jua marrin kafshatën prej goje!” Me fjalë të tjera, do të hidhen mbi ju siç hidhet i urituri drejt bukës për t’jua rrëmbyer kuletën prej dore, për t’u ulur mbi gjërat që keni fituar ju.
Sahabët e pyesin: “A do të ndodhë kjo për shkak se ne do të jemi të paktë në numër, o i Dërguari i Allahut?” Dhe ai iu përgjigjet: “Jo, përkundrazi, ju atë ditë do të jeni tejet të shumtë, por Allahu do ta ketë nxjerrë nga zemra e armiqve ndjenjën e ndrojtjes para jush (ju do të dukeni në sy të armiqve të padenjë për t’u respektuar, nuk do të falni siguri dhe nuk do t’i bëni dot ata ta ndjejnë peshën tuaj të vërtetë); gjithashtu, Allahu do t’ju fusë në zemër ndjenjën e banalitetit!”
Sahabët e pyesin: “Ç’do të thotë “uehen-banalitet”, o i Dërguari i Allahut?” Dhe ai u përgjigjet: “Uehen do të thotë dashuri për këtë botë (kalimtare), vënie e kësaj bote në plan të parë dhe frikësim nga vdekja.”
Pa dyshim, nëse një shoqëri e vë këtë botë, duke e trajtuar në anët e saj që kanë lidhje me interesa materiale, egoiste e të ulëta, pra, që kanë lidhje me anët e saj banale, si synim duke u orientuar kah ajo me zemër e shpirt dhe duke e lënë mënjanë pëlqimin e Allahut, pra, po qe se parapëlqen këtë botë dhe gjërat e saj ndaj Allahut, edhe sikur të thotë “La ilahe il’lallah, nuk ka zot tjetër veç Allahut”, nuk mund të thuhet se e ka orientuar zemrën dhe shpirtin kah Allahu. Këtu, duke thënë, “Allahu do të fusë në zemrën tuaj banalitetin dhe atëherë ju para armiqve do të bini të mundur”, si dhe, në një hadith tjetër, duke folur mbi heqjen e ndrojtjes së armiqve, Profeti Muhamed (s.a.s.) tërheq vëmendjen mbi nënvleftësimin e disa detyrave, si “urdhërimi i të mirës dhe ndalimi i të keqes”, parashtrimi i besimit mbi ringjalljen dhe llogaridhënien.
Atëherë, qëllimi më i madh për ne duhet të jetë përgatitja e një brezi shumë besimtar, tejet të fuqishëm materialisht e moralisht, të vullnetshëm për të çarë malet, parashikues sa për ta hedhur poshtë botën në aspektet e saj banale dhe të shenjtë sa për të mos i dhënë vend në zemër banalitetit, si dhe impresionues përballë armikut.
2. Detyra e gruas
Profeti (s.a.s.) porosit: “Allahu (xh.xh.) për asnjë gjë nuk ka ndëshkuar aq rëndë sa ç’ka ndëshkuar për nënvleftësimin dhe shkeljen e të drejtave të grave dhe fëmijëve, pra, ajo çka e prek më shumë durimin hyjnor është gjendja e grave dhe fëmijëve!” Kur gruaja nuk e kryen detyrën e saj, kur ajo jepet pas fantazive të ndryshme jashtë detyrës së saj, kur fëmijët braktisen, kurse të rinjtë turbullohen nga mendtë, kur epshi kthehet në fitim, duhet të kemi frikë nga humbja e durimit hyjnor.
Padyshim, që një brez që e ka lëshuar veten në mëkate me vullnetin e vet, një brez i shkatërruar, i shtënë pas ndjenjave të ulëta, është i paracaktuar të bjerë nën ndëshkimin hyjnor. Atëherë, detyra e parë që i bie çdo kryetari të ardhshëm familjeje është që të zgjedhë për shok të jetës një femër myslimane, besimtare, të përkorët, besnike, durimtare, të sinqertë e të mirë. Sepse vetëm një mësuese dhe edukatore e tillë, një bashkëshorte me të cilën mund të diskutosh e të ndash çdo gjë në jetë, është baza më e rëndësishme e lumturisë së të dy botëve. Sigurisht, kur njeriut do t’i duhet t’i parashtrojë ndjenjat materiale e shpirtërore, do t’i duhet edhe një bashkëshorte me kokë e zemër që të mund t’i kuptojnë dhe ndjejnë ato, gjë që është tejet e rëndësishme, sepse fëmijët që do të dalin në atë shtëpi, do të rriten nën vëzhgimin e një mësueseje dhe edukatoreje të tillë.
3. Cilësia mbi gjithçka
Kurani, ku rëndësia që i jepet sasisë është e kufizuar, bën këtë sqarim:
“Pa dyshim, Allahu në shumë vende (fusha lufte) dhe në luftën e Hunejnit ju ka ndihmuar juve. Epërsia numerike ju pati bërë t’ju pëlqejë vetja, por nuk pati vlejtur aspak për t’ju shpëtuar nga disfata. Me gjithë gjerësinë e saj, toka ju pati ardhur e ngushtë dhe, më në fund, ju qetë shpërndarë e kthyer mbrapsht.”48
Luftën e Hunejnit Profeti ynë (s.a.s.) e pati zhvilluar pas ngadhënjimit të Mekës. Në fillim, përballë Heuazinit, myslimanët nuk qenë sjellë siç u takonte. Atë ditë për të cilën bën fjalë Kurani, ata të bekuar, duke parë vazhdimin e favorit të Allahut për ta, patën menduar: “Nuk ka ushtri që të mund t’i qëndrojë përballë ushtrisë së Islamit!” Por, kur e patën parë veten para shigjetarëve të Heuazinit, nuk kishin mundësi t’i shpëtonin dot një tronditjeje të përkohshme. Kjo do të thotë se dhe mes njerëzish të bekuar si ta, ka që mendojnë kështu si dhe del në shesh se epërsia numerike nuk është aq me rëndësi.
Sigurisht, e rëndësishme është thellësia, pesha e personalitetit, është të jesh i matur. Ndërkaq, meqë ata qenë të afërtit të Allahut (xh.xh.), tronditja e përkohshme atje dhe tërheqja është, sipas tyre, gjynah, mëkat, kurse sipas nesh, jo. Ajo çka kërkohet të theksohet këtu, është se, pavarësisht nga koha dhe vendi, epërsia numerike nuk është e rëndësishme. Edhe Kurani këtë na tregon. Duke mbajtur parasysh faktin që kuptimi i këtij ajeti nuk është zvetënuar aspak dhe konkluzioni i tij nuk e ka humbur assesi aktualitetin, duhet të themi se, pavarësisht nga gjeografia ku ndodhen, myslimanët duhet ta lidhin çdo gjë jo pas epërsisë numerike, por pas marrëdhënies me Allahun, pas cilësisë, pas thellësisë shpirtërore.
Edhe sikur të ndodheni në pakicë e të dobët si bashkësi e Muhamedit (s.a.s.), po qe se mund të orientoheni kah Allahu dhe të jetoni gjithmonë me emocionin e tregimit të diçkaje, me ndihmën dhe favorin e Allahut (xh.xh.), patjetër që do të arrini sukses. Në të kundërt, po qe se tërhiqeni në shtëpitë tuaja dhe e harroni marrëdhënien me Të, Allahu na ruajttë, sado shumë që të bëheni e sado epërsi numerike që të keni, nuk do të përbëni kurrfarë vlere!
4. Detyrat ndaj fëmijës
a) Përgatitja e mjedisit të edukimit
Që fëmijët tanë të mund të rriten në mënyrë të përsosur, është kusht që edhe mjedisi ku rriten dhe edukohen të jetë po i tillë. Sigurisht, çdo fëmijë formësohet sipas mjedisit, dhe në njëfarë kuptimi, konsiderohet fëmija i atij mjedisi. Në krye të elementeve të mjedisit në fjalë vjen familja. Pastaj, shkolla. I treti, shokët dhe miqtë. I katërti, rrethi shoqëror i mësimeve dhe i studimit. Në jetën shoqërore mund të përmendim edhe dyqanin e rrobaqepësit, punishten e marangozit, qendrën e pastrimit të rrobave dhe sektorë të tjerë të shërbimeve. Po qe se ju nuk keni bërë dot një vlerësim të mirë të këtij mjedisi dhe nuk i keni zhvilluar instinktet e tij në këtë drejtim, infektimi i tij një ditë me një virus çfarëdo është i pashmangshëm. Sigurisht, po qe se mjedisi është i prishur, edhe fëmija një ditë patjetër do të prishet. Prandaj mjedisin, duke filluar që nga familja e duke vazhduar në çdo etapë të rrugës dhe njësi të jetës, duhet ta bëni të përshtatshëm për rritjen dhe edukimin e përsosur të fëmijës suaj, sepse, pasi të ngjajë e keqja, është e pamundur t’i kthesh gjërat nga fillimi dhe ta rregullosh gjendjen.
b) Ushqyerja i fëmijës me gjëra hallall
Edhe ushqimi i fëmijës me gjëra hallall, të fituara me të drejtë e në mënyrë legjitime, duke filluar nga periudha e parë e formimit të tij që në barkun e nënës, ka rëndësi të jashtëzakonshme. Duhet ta dimë në mënyrë të prerë se, në periudhën e zhvillimit të fëmijës, një shkëputje në një ndodhi çfarëdo në të cilën jemi të detyruar të lidhemi pas Allahut (xh.sh.), reflektohet edhe te fëmija si një rrethanë negative qoftë edhe përkohësisht, gjë që është nga dukuritë e shpeshta.
Një sasi haram në damarët tuaj ose një send i dyshimtë që e keni shtënë në dorë në këtë apo atë mënyrë, duke pasur parasysh këtu, qoftë ju, qoftë gruan tuaj, mund të bëhet shkak për rrëshqitjen e përkohshme ose të përjetshme të asaj fëmije.
c) Mbrojtja nga syri i keq
Pasi të vijë fëmija në botë, ashtu siç kujdesemi për ushqimin, mirërritjen dhe pamjen e tij, ka shumë rëndësi edhe që ta mbrojmë atë edhe nga syri i keq.
Për shembull, patjetër duhet llogaritur që, nën rrezatimet e syve mëkatarë të dikujt me ndjenja, mendime dhe sjellje të fëlliqura, disa ndjenja të holla të fëmijës mund të atrofizohen.
Të gjitha këto janë pjesë të detyrave që duhet të plotësojmë ndaj fëmijës si shprehje të marrëdhënieve tona me fenë dhe Allahun (xh.xh.) e me fenë. Po t’i realizojmë siç duhet këto detyra, me përpikmëri, mund të kthehemi në një shoqëri engjëjsh.
d) Rregullimi i mjedisit familjar
Në hadithin profetik porositet: Fjala e parë që duhet të thotë fëmija kur fillon të flasë, duhet të jetë “La ilahe il’lallah, nuk ka zot tjetër veç Allahut!”
Kur fëmija është ende 2-3 vjeç, fjalët e para që i dalin nga goja vetvetiu janë “nënë dhe baba”, kurse fjala që ai duhet ta thotë së pari, me vullnet, duhet të jetë “Allah”. Sepse Allahu është Paraekzistent, Pasekzistentdhe i Gjithëqenë51. Pastaj, pas këtij shtresimi bazë, mbi të do të ngrihen gjëra të tjera, rreth të cilave do të mbështillen, sipas moshës dhe horizontit njohës të Tij, termat atdhe, tokë, flamur, liri, pavarësi, etj. Kur fëmija të jetë në vitet e para të shkollës, do t’i jepen njohuri sipas asaj moshe. Kur të shkojë në të mesmen, ku do të merret me filozofi, shkenca shoqërore, etj, do të mbështetet dhe përforcohet me materialet e atij niveli. Po qe se në një shtëpi ka respekt ndaj Allahut dhe bisedohet shpesh për Të, mund të konsiderohet se kemi kapur synimin për ta bërë fëmijën të thotë atë që kërkojmë të thotë. Sigurisht, në qoftë se në një shtëpi bihet në ruku e në sexhde me emrin e Allahut dhe ndjehet një impresionim i thellë kur përmendet emri i Tij, nuk do të jetë e vështirë që fjala e parë që do të thotë fëmija në mënyrë të vullnetshme, të jetë “Allah”! Sepse në një shtëpi të tillë çdo gjë mendohet se ecën në orbitën e vet!
e) Sistemimi i dozës së dashurisë
Kur Allahu të na dhurojë një fëmijë, ashtu siç shprehet edhe Kurani, nuk duhet të ndodhë që, duke u lëshuar pas tij me të gjithë zemrën dhe me një dashuri të pakufishme, të kalojmë në ekstrem duke shfaqur, larg qoftë, ndaj fëmijës një dashuri si ndaj Allahut!
Një sjellje e këtillë, në vështrimin e Allahut (xh.xh.), mund të quhet si njëfarë politeizmi. Po, nuk ka dyshim se shtënia drejtpërdrejt pas dashurisë për fëmijën duke e harruar Allahun është një gabim i madh. Veçanërisht, në një aspekt, edhe një dashuri që do t’ju shtynte ju në veprime të tilla të pallogaritura ndaj fëmijës është e dëmshme. Ja pra, kjo duhet të jetë dashuria e ndaluar sipas Allahut (xh.xh.). Nëse dashurinë që duhet të tregoni ndaj Allahut (xh.xh.), e drejtoni ndaj një qenieje tjetër çfarëdo, të vdekshme, kjo mund ta prekë ndonjëherë durimin hyjnor.
Prandaj, maturia në dashuri është shumë e rëndësishme sepse:
Mbreti i zemrave është Allahu (xh.xh.). Askush nuk duhet ta zërë në zemër vendin e dashurisë së përcaktuar për Të.
Duhet ta dimë pa dyshim se fëmija është amaneti i Allahut (xh.xh.) për ne. Dashuria dhe interesimi që ndjejmë ne për fëmijën është një paradhënie dhe stimul për ne me qëllim që të kujdesemi për atë amanet. Po, dashuria juaj për fëmijën është vetëm një dhuratë e Allahut Mëshirues e Shpërblyes që ju të kujdeseni pa të metë për atë amanet që Ai jua ka lënë në dorë.
f) Shembulli i mirë
Ndjenjat që ushqejmë për fëmijët që po rrisim, mendimet, fjalët, jeta ndjesore, sjelljet tona duhet të kenë gjithmonë për synim nivelin e shembullores. Po deshëm që ata të rriten në mënyrë të përkryer, jemi të detyruar t’i kushtojmë jashtëzakonisht vëmendje kësaj veçorie. Për shembull, po dëshiruam që ata të falin namaz, duhet të falemi në sytë e tyre me kujdesin më të madh, duke treguar me sjelljen tonë kufijtë e edukatës që duhet treguar karshi Allahut (xh.xh.). Duhet të themi gjithmonë të drejtën duke u shmangur nga gënjeshtra. Po deshëm që ata të mos thonë fjalë të papërshtatshme, nuk duhet të përdorim në shtëpi asnjë fjalë të papërshtatshme dhe në kujtesën e tyre nuk duhet të shkruhet asnjë fjalë e tillë. Po menduam që të bëhen të vyer, që të jetojnë të ndershëm, që të jenë të ndjeshëm ndaj nderit të të tjerëve sa ndaj nderit të vet, duhet të bëjmë çmos që shembullin e kësaj ata ta marrin në shtëpi duke u bërë ne heronjtë e parë të kësaj pune.
Po deshëm që fëmijët tanë të këndojnë Kuran, që të bëhen të afërt të të vërtetave kuranore, duhet që në shtëpi të diskutohet Kurani nga mëngjesi në mbrëmje, duhet të tregojmë respekt për pozitën e lartë të Kuranit në mënyrë që të mos i shtyjmë ata drejt kundërshtive.
Prandaj, fjalët, ndjenjat, emocionet dhe sjelljet janë në shtëpi faktorët edukativë më me ndikim dhe duhet të vlerësohen patjetër. Ndryshe, nëse ua lini çështjen vetëm të tjerëve; duke u thënë:
“Tregojini diçka këtij”, s’keni bërë asgjë.
g) Edukimi i fëmijëve me ndjenjën e vlerësimit dhe dashurisë për Allahun
Siç dihet, në vitet e shkollës tetëvjeçare, më saktë gjer në moshën e pubertetit, fëmija nuk është i detyruar të kryejë detyra fetare, prandaj, nëse kryen ndonjë detyrë të tillë, por me të meta, kurrsesi nuk duhet qortuar.
Ndërkaq, duhet ditur edhe se gjithçka që do t’i themi a tregojmë fëmijës gjatë kësaj periudhe kur ai s’ka përgjegjësi fetare, do t’i mbetet përjetë në mendje e në zemër. Edhe ndjenja e vlerësimit është ndër gjërat që duhet t’i edukohen dhe nguliten atij në këtë periudhë. Kjo ka shumë rëndësi. Fëmija duhet t’i njohë të mirat që i vijnë dhe, para të mirave, duhet ta falënderojë edhe Allahun (xh.xh.), edhe njerëzit. Ndjenja e vlerësimit, e edukuar në këtë periudhë, do të bëjë që në të ardhmen ai të bëhet një njeri mirënjohës dhe falënderues. Madje, me kohë, kjo ndjenjë do të kthehet në një cilësi të pandashme të karakterit të tij.
Në këtë mes, një çështje të veçantë përbën tregimi fëmijës i dhembshurisë, mëshirës dhe bamirësisë së Allahut (xh.xh.) që na ka ushqyer e rritur me të mirat e Tij. Duhet t’i tregojmë fëmijës se si na ka ushqyer Allahu, si është kujdesur për ne, si na ka dhënë dashuri dhe, duke i thënë: “Allahu është shumë i dhembshur, na mbron ne nga të gjitha të këqijat dhe fatkeqësitë”, të nxisim te fëmija ndjenjat e besimit, sigurisë dhe dashurisë ndaj Tij. Ne duhet t’ia bëjmë të qartë fëmijës, se edhe kafshët më të vogla ushqehen me mëshirën e Tij.
Kështu, në mendjen e fëmijës, gjithësia do të formësohet si një qenie që shqipton emrat Mëshirues e Bamirës, dhe saora ai do të ndjejë se të gjitha të mirat brenda shtëpisë i ka dërguar dikush dhe zemra e fëmijës do të mbushet plot dashuri e mirënjohje për Krijuesin dhe Dhuruesin e atyre të mirave!
Ndërkaq, sipas moshës, duhet t’ia kujtojmë vazhdimisht fëmijës se:
po nuk ia dha Ai, druri i shegës nuk jep shegë; po nuk ia dha Ai, nga gjinjtë e kafshëve nuk rrjedh qumësht; po nuk qe mëshira e Tij, nga qielli s’bie asnjë pikë shi; po nuk tregoi mëshirë Ai, asnjë fije bari nuk mbin; po nuk deshi Ai, ne nuk mund të flasim; po nuk na bëri Ai të dëgjojmë, ne nuk mund të dëgjojmë; po nuk ndërhyri Ai, goja nuk na njomet dot,
stomaku nuk na tret, veshkat nuk na funksionojnë...
Po, Ai është i zoti i të gjitha këtyre, biri im! Nuk i kemi bërë ne këto, çdo gjë është prej Tij dhe nën vëzhgimin e Tij.
Atëherë, biri im, po qe se zemra na mbushet me dashuri për Allahun (xh.xh.) që i ka bërë këto dhe që na ka dhënë neve këto të mira,
Ai do të na i shtojë, por po të tregohemi mosmirënjohës, Ai ose do të na i ndërpresë të mirat, ose do të na e heqë prej dore mundësinë për të përfituar prej tyre!
Të gjitha këto do të përpiqemi t’ia bëjmë të ditura fëmijës edhe me sjelljet, edhe me fjalët, edhe me shikimet, edhe me të gjitha emocionet tona!
h) Tregimi me qëndrim ose komunikimi pa fjalë
Mënyra më me ndikim në procesin e mësimit dhe edukimit është tregimi dhe komunikimi me qëndrim, sjellje e gjeste. Rregullimi i përshtatshëm i jetës në shtëpi është pakrahasimisht më me ndikim në komunikimin e një ideje dhe në edukimin e fëmijës.
Kështu, sikur ta sillte rasti që fëmija t’ju shihte ju në një namaz të pasmesnatës duke u falur me një përkushtim të thellë, kjo do t’i tregonte atij, në një mënyrë prekëse e të pashlyeshme dashurinë tuaj të thellë ndaj Krijuesit. Por po qe se do të përpiqeshit t’ia tregonit ndjenjat tuaja vetëm me fjalë, nuk do të arrinit dot të bëheshit po aq i besueshëm dhe po aq i ndikueshëm mbi të.
Aishen e nderuar (r.a.) e patën pyetur se cili ishte morali i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) dhe ajo u qe përgjigjur: “A nuk lexoni Kuran ju? Morali i Tij ishte Kurani!”
Nga ky hadith ne kuptojmë këtë: i Dërguari i Allahut, profeti Muhamed (s.a.s.), kishte atë mënyrë jetese që përputhej me atë çka kërkonte Kurani.
Kështu, duke na e përcjellë ne Kuranin, na e përcillte të jetuar, të kthyer në jetë nga ai vetë. Në mes kishte një Kuran të jetuar në jetë dhe një jetë të lexueshme në Kuran. Prandaj ato që thoshte Profeti (s.a.s.) me fjalë dhe praktikisht, gjenin reflektim në zemrat dhe ndërgjegjjet e pastra, pranoheshin nga të gjithë dhe të gjithë përpiqeshin t’i vinin në jetë ato.
Prandaj, qëndrimet tona nuk duhet të jenë të ndryshme nga fjalët tona. Ky dallim quhet hipokrizi praktike. Ndryshimi brenda-jashtë e shtyn fëmijën në dyfytyrësi, hipokrizi dhe në një mendësi dualiste. Sipas shprehjes së Kuranit, e bën atë të paqëndrueshëm.54
Kur ju t’i flisni fëmijës për të mirat dhe dhuntitë e Allahut (xh.xh.), bashkë me ju edhe ai do të mbushet me ndjenjën e mirënjohjes dhe falënderimit dhe do të thotë: “Mijëra herë falënderuar qoftë Allahu (xh.xh.) që na ka krijuar, na ka bërë njerëz dhe na ka pajisur me dhunti të panumërta, që na ka favorizuar shëndet, na ka dhënë prindër, që na dërgon çdo ditë sofra të mirash të ndryshme, që ka krijuar ajrin, ujin, dheun, pemët dhe na i ka dhënë neve në përdorim!”
Sidomos po t’i sugjeroni këto herë pas here e po t’i fusni në një orbitë të vetme bisedat dhe këshillimet që bëni në shtëpi, çdo gjë arrin një bukuri të veçantë.
i) Dhembshuria
Në edukim, dhembshuria ka një vend të veçantë. Muhamedi i nderuar (s.a.s.) sillej me aq dhembshuri ndaj atyre që i kishte pranë e që i bënin shërbime të posaçme, saqë e linte në hije dashurinë dhe interesimin prindëror!
Enes bin Maliku (r.a.) rrëfen: “I shërbeva të Dërguarit të Allahut dhjetë vjet, por nuk më kujtohet që të më ketë thënë “pse s’e bëre” për një gjë që s’e pata bërë dhe, “pse e bëre” për një gjë që e pata bërë. Ai kurrë nuk më qortoi.” Po, ai sillej kështu, me dhembshuri edhe ndaj të tjerëve duke i trajtuar më mirë se një prind. Kurse ndaj bijve dhe nipërve ishte jashtëzakonisht i butë e i dhembshur sa s’kishte ku të shkonte.
Nëse fëmija duhet të ketë medoemos frikë prej diçkaje, nuk duhet të kenë frikë nga druri, kërcënimi apo ndëshkimi, por nga humbja e dhembshurisë së prindërve. Nëse thartimi i fytyrës së të atit, përlotja e syve të nënës bëhen për të faktorët më veprues për ta sjellë në rregull, pandeh se kjo gjë mjafton dhe tepron. Ndërkaq, ka shumë rëndësi që fëmija t’ju besojë, të jetë i bindur se i ndjeni dhe bëheni pjesëtar i dhimbjeve apo vuajtjeve të tij. Kështu që, kur ai të qajë, në e bëfshi, edhe ju uluni e përlotuni, të paktën merrni pjesë në dëshpërimin e tij. Ashtu siç përpëlitet qielli për disa njerëz, ashtu dhe ju, kur fëmija juaj është i prekur, kini mirësinë dhe prekuni si ai. Atëherë ju do të lartësoheni në sytë e tij, fjalët tuaja do të fitojnë vlerë dhe ndikim të madh mbi të, dhe aq shumë do të hyni në zemrën e tij, saqë asnjë forcë s’do të mund t’ju shkulë prej andej.
j) Autoriteti
Është shumë jetësore që në shtëpi të mos mungojë autoriteti. Po qe se në shtëpi nuk ka një autoritet që do të siguronte harmoninë e saj, shtëpia nuk do të shpëtonte dot nga turbullira e drejtimit, dhe fëmijët nga dualizmi i personalitetit.
Allahu (xh.xh.) urdhëron kështu në Kuran: “Meqë Allahu i ka bërë një pjesë njerëzish të ndryshëm nga pjesa tjetër, dhe meqë burrat shpenzojnë nga malli i tyre, burrat janë kujdestarët dhe mbrojtësit e grave. Prandaj gratë e mira janë të bindura dhe e ruajnë të fshehtën dhe e mbrojnë nderin e tyre. Nëse i druheni kryelartësisë dhe kundërshtimit të tyre, këshillojini dhe, po qe nevoja, ndajeni shtratin me to, ose i rrihni lehtë pa i lënduar. Por nëse ju binden, mos u sillni keq ndaj tyre, sepse Allahu është i Lartë e i Madh!”57
Brenda shtëpisë, nisur nga disa veçori të caktuara, burri është përgjegjës për rregullin dhe harmoninë e përgjithshme. Madje mund të thuhet se ai është përgjegjës në shkallë të parë në shumë çështje. Në të vërtetë, edhe fëmijët kanë nevojë për një njeri të tillë përgjegjës. Fëmija që sheh qartë vetëdijen e përgjegjësisë brenda shtëpisë, sa të ketë jetën, s’ka për ta lëshuar veten në rrëmujë dhe papërgjegjësi. Në të kundërt, prania në shtëpi e dy vetëve të papërgjegjshëm dhe ardhja e urdhrave nga dy vende të ndryshme do ta bëjë rrëmujë mendimin e fëmijës.
Veçanërisht, kur fëmija të ketë frikë njërin nga prindërit, duhet të ketë mundësi të strehohet tek tjetri dhe ky tjetër duhet të jetë prehri i nënës. Kështu, fëmija nuk do të ndjejë vetmi. Në të kundërt, po qe se jeta familjare në shtëpi nuk mbështetet në një unitet të tillë, kundërshtitë dhe përplasjet do të vazhdojnë dhe në familjen ku gruaja është një kokë më vete dhe burri, një kokë më vete, fëmijët do të rriten pa ndjenja dhe të egër.
Ne mendojmë se, për brezat idealë, para së gjithash ka nevojë për një folé familjare ideale. Para së gjithash, familja duhet të lidhet pas Allahut (xh.xh.). Kur prindërit ose njëri prej tyre do ta marrë në dorë këtë çështje si një mëkëmbës i Allahut, pjesëtarët e familjes, si rrjedhojë e besnikërisë ndaj Allahut, do të jenë aq të denjë, aq të vyer dhe zotërues të çështjeve, sa s’mund të ketë më tej, dhe në atë familje s’do të ketë më asnjë problem.
5. Pajisja me moralin e Allahut
a) Edukata e të folurit
Gjithsesi, në një shtëpi, do të bisedohen punët që kanë të bëjnë me këtë botë, çështjet që lidhen me jetën. Ndërkaq, kur këto gjëra bisedohen në prani të fëmijës, do mbajtur parasysh vazhdimisht prania e Tij. Ndërkaq, po të ketë mundësi, çështjet që nuk e interesojnë atë ose nuk i sjellin dobi atij, sidomos gjërat që do ta shqetësonin atë, të mos bisedohen në sy të tij. Sigurisht, veçoritë që do të zhvillohen në shpirtin e fëmijës në një periudhë të caktuar, duhet të përcaktohen shumë mirë dhe ai s’duhet të bëhet viktimë e gjërave të padurueshme për të. Kudo që të jemi, në shtëpi apo në punë, kur t’i kemi fëmijët pranë, takimet dhe bisedat duhet t’i bëjmë duke pasur parasysh gjithmonë praninë e tyre.
Me sa të kemi mundësi, bisedat në sy të fëmijëve duhet t’i bëjmë mbi çështje të tilla si besimi te Allahu (xh.xh.), te të mirat e dhëna prej Tij dhe feja e Tij. Parimisht, në shtëpi duhet të diskutohet për çështje që kanë lidhje me formimin dhe të ardhmen e fëmijëve në mënyrë që ata të rriten me vetëdijen që kërkojnë prindërit. Po qe se këto porosi pranohen si një recetë, një pjesë e madhe e problemeve që i përkasin të ardhmes së fëmijës marrin zgjidhje që më parë. Ndërkaq, çdo periudhë e jetës së fëmijës do të ketë edhe problemet e veta specifike tek të cilat do të ndalemi kur t’u vijë radha.
b) Masa në bujari dhe në dhembshuri
Një çështje tjetër që duam ta prekim këtu, është edhe zhvillimi i ndjenjës së bujarisë dhe dhembshurisë tek fëmijët , përgatitja e tyre si heronj të dhembshurisë. Edhe në këtë çështje, rruga më e drejtë është shembulli personal. Fjala vjen, kur vjen dikush te dera dhe shtrin dorën dhe burri me gruan dalin me duart plot me gjëra për të dhe, me një sjellje përvujtnie, ia dëgjojnë me kujdes hallet, kjo bëhet për fëmijën mësimi më me efekt për edukimin e tij si njeri i dhembshur e bujar.
Ndjenja e dhembshurisë te fëmijët është edhe e trashëgueshme. Për shembull, disa fëmijë, qysh të vegjël, përloten shpejt. Kjo është shenjë se ata në të ardhmen do të bëhen njerëz pak a shumë të ndjeshëm, të brishtë, delikatë. Ç’është e vërteta, disa herë fëmijët përloten për të tërhequr vëmendjen ose për të arritur që t’u plotësohen dëshirat, por përlotja e ndjerë është diçka tjetër. Qoftë kështu apo ashtu, po qe se mendojmë t’i kemi ose të na bëhen fëmijët të butë, bujarë dhe të dhembshur, duhet ta bëjmë familjen një mjedis të ngrohtë, të butë, plot dashuri dhe dhembshuri mes pjesëtarëve të saj.
Rritja e fëmijës si koprrac, ose siç e quan populli, dorështrënguar, të dhënë pas interesave personale dhe mirëqenies materiale, mund të quhet shkak që, në vartësi të disa kushteve të caktuara, ai të bëhet egoist, interesaxhi, ambicioz, i pangopur dhe kundërshtues. Po qe se një fëmijë i tillë nuk rritet sipas moralit hyjnor, kjo gjendje përbën për të fatkeqësi si për jetën e kësaj bote, ashtu dhe për jetën e pasosur të tij.
Mëshira dhe dhembshuria janë shumë të rëndësishme. Bujaria është shfaqje e një shpirti të tillë. Heronjtë e dhembshurisë janë gjithmonë të humbur materialisht. Por bujari mund të hyjë në Xhenet edhe në qoftë mëkatar apo heretik, kurse mundësia e besimtarit koprrac për të hyrë në Xhenet është e ulët. Prandaj fëmijëve u duhet zhvilluar ndjenja e keqardhjes dhe dhembshurisë, u duhet shtuar ndjenja e dhënies dhe mirëbërësisë me qëllim që të mos bëhen ambiciozë e të jepen pas interesave të kësaj bote, e për rrjedhojë, të harrojnë Allahun dhe njerëzit. Sigurisht, do t’ia mësosh fëmijës të dhënët që të mos bëhet materialist, që në jetën shpirtërore të lidhet sa më fort pas Allahut (xh.xh.). Ndërkaq, le ta kujtojmë edhe një herë se, të dhënët, përsa i përket vlerës si shembull personal i edukatorit, po s’u tregua praktikisht dhe po s’u mbështet edhe me fjalë, nuk ka ndikim. Kur veprojmë, fjalët që i shoqërojnë veprimet bëhen ndikuese si frymëmarrje engjëjsh.
c) Shpërblimi
Fëmija duhet shpërblyer në raport me suksesin që arrin. Ndërkaq, duhet të theksojmë se qoftë në çështjet e jetës besimore-fetare, qoftë në çështjet materiale të kësaj bote, shpërblimi për çdo arritje ose sukses legjitim është domosdoshmëri e moralit hyjnor.
Nga ky këndvështrim, “nënë dhe baba” do të thotë pak edhe mendimtar, erudit dhe edukator. Prindërit do të dinë, do të mendojnë, do të vëzhgojnë, do të kujdesen për fëmijët dhe do të përpëliten mbi kokat e tyre. Sigurisht, po qe se prindërit nuk do t’u japin rëndësi fëmijëve sa ç’u japin makinës, kopshtit ose arës, është e qartë se ata do të mbeten të pazhvilluar në ndjenja e mendime, ose e thënë ndryshe, me ndjenja e mendime të atrofizuara. Edhe në këtë rast, ashtu siç u parashtrua më sipër, kur është fjala për edukimin tek fëmijët të ndjenjave të larta, duhet t’i drejtohemi burimit bazë që është morali i Allahut (xh.xh.). Atyre që bëjnë punë të mira, Allahu u jep në jetën tjetër Xhenetin, kurse atyre që bëjnë punë të këqija, pashmangshmërisht ndëshkimin.
Kurani thotë: “Po qe se falënderoni, edhe unë jua shtoj të mirat; po qe se tregoheni mosmirënjohës, ndëshkimi im është shumë i rëndë!”
Dhe, të pajisur me moralin e Allahut, do të përpiqemi që sjelljet dhe qëndrimet tona para fëmijës t’i kemi aq të matura, sa edhe Allahu të mos na shtyjë ne në vetmi!
d) Përgatitja e fëmijës për të ardhmen
Një tjetër çështje që na duket me vend ta sqarojmë në fund, është edhe kjo: Trajtimi i fëmijëve sipas moshës, nivelit, dijeve dhe kulturës, duke mbajtur parasysh edhe mjedisin ku rriten e zhvillohen. Njohuritë fetare që duhet t’i japim një fëmije pesëvjeçar, duhet t’i zgjedhim me atë metodë që zgjedhim ushqimin me të cilin duhet ta ushqejmë në atë moshë. Njohuritë që do t’i japim fëmijës kur të bëhet shtatë vjeç, do të jenë tjetër gjë dhe, kur të bëhet dhjetë vjeç, tjetër gjë, e kështu me radhë.
Ndërkaq, është edhe një veçori e rëndësishme, sipas së cilës, çdo gjë që do t’ia sugjerojmë fëmijës, duhet të jetë për një periudhë më tej se e tashmja, sepse, sido që të jetë, ai e sheh, e dëgjon dhe e jeton të tashmen. Nga ky këndvështrim, niveli i edukatës që ne duam që ai të arrijë, duhet t’i përkasë të ardhmes së tij.
Aliu i nderuar (r.a.) porosit: “Mësojini fëmijët për një kohë më tej se koha juaj sepse ata i përkasin një kohe përtej kohës suaj!” Po qe se ky parim trajtohet nga këndvështrimi i dijes dhe kulturës së përgjithshme, kuptohet se mjaftimi me dijet dhe kulturën aktuale është mediokritet ose, më troç, do të thotë se, me kohë, tjetri vjen, ju zë e ju kalon, kurse ju mbeteni shumë pas! Trajtimi i këtij parimi nga këndvështrimi i mësimit dhe edukimit e ndihmon edukatorin, i cili duke e kapërcyer të tashmen dhe duke marrë parasysh periudhat e mëvonshme, të caktojë për fëmijën një vijë në përputhje me to. Kur fëmija të jetë gjashtë vjeç, t’i jepet një edukatë që t’i vlejë për në moshën shtatë vjeçare dhe, kur të bëhet shtatë vjeç, të zbatohet për të programi për moshën tetë vjeçare.
Si përmbledhje, mund të thuhet kështu: Mësimi dhe edukimi i zbatuar mbi fëmijën gjer më pesë vjeç duhet të vazhdohet shkallë-shkallë gjer në moshën pesëmbëdhjetë vjeç që është mosha mesatare e pubertetit. Po qe se ngriheni e i jepni të riut njëzetvjeçar edukimin që i përket një pesëmbëdhjetëvjeçari, do të thotë t’ia përmbysni çdo gjë që ka përvetësuar ai deri më tani mbi fenë, besimin dhe moralin.
Po qe se ju ngriheni për t’i dhënë ca gjëra personit që jeni ngarkuar ta mësoni dhe edukoni, pa e kuptuar nivelin e tij shoqëror, mendor e ideor, e largoni atë me ndjenja dhe shpirt nga ju. Nëse sot, pavarësisht nga një sërë praktikash mësimore e edukative të gabuara, disa të rinj i kanë ndjenjat dhe mendimet ende të shëndosha, kjo është plotësisht një pasqyrim i mirësisë së Zotit për ta, ose ata nuk janë zhvilluar ende mendërisht; janë njëzet e pesë vjeç, por, si të ishin dhjetë a pesëmbëdhjetëvjeçarë, ndodhen shumë pas kohës në të cilën jetojnë. Nëse njëri prej këtyre përballet një ditë me një konsideratë të ndryshme fetare, kombëtare apo shoqërore çfarëdo që e kapërcen nivelin e tij, Zoti e ruajttë, tronditja në vlerat e veta dhe dezertimi i tij bëhen të paevitueshme!
Porosia që jep feja në lidhje me edukimin e shkallëzuar të fëmijëve është kështu: Në qoftë se fëmija e ka të detyruar namazin në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, mësojeni atë qysh kur është dhjetë vjeç. Kjo ka vlerë edhe për mësimin e fëmijës me agjërim disa vjet para se të vijë në moshën e detyrimit për këtë adhurim. Të njëjtën gjë mund të mendojmë edhe për specifika të tjera.
Dua të sqaroj edhe këtë që ne besojmë se dhënia e gjërave që i duhen dhënë fëmijës qysh në moshë të vogël është me ndikim më të madh. Ne mendojmë se nëse duam që fëmija t’i kryejë pa diskutim dhe plotësisht detyrimet fetare në moshën kur bëhet përgjegjës, përgatitja e tij duhet të fillojë qysh në moshë të vogël. Gjer tani ne e kemi parë shumë herë frytin e kësaj metode, jemi bërë dëshmitarë të kësaj shumë herë.
Këtu dua të flas mbi kriteret moshore të disa moshave, që na i ka dhënë imam Xhaferi:
“Gjer në shtatë vjeç është periudha fëminore e fëmijës, kur ai imiton gjërat që sheh dhe luan me lojëra të ndryshme. Ç’të shohë tek ju, e mëson dhe e imiton. Pastaj fillon mosha e marrjes së mësimeve. Në fillim vjen periudha e mësimit të Librit të Allahut që kërkon edhe po aq kohë. Pas kësaj vjen periudha e mësimit të hallalleve dhe harameve që ai i kupton dhe përvetëson me arsye, logjikë dhe gjykim që kërkon përsëri po aq kohë.”
Sipas metodës së imam Xhaferit, gjer në moshën njëzet e një vjeç, fëmija ka plotësuar marrjen e të gjithë informacionit shoqëror dhe fetar të nevojshëm. Atëherë, ai, gjer në këtë moshë duhet të përvetësojë në mënyrë të pakundërshtueshme çdo gjë fetare e kombëtare që të mos tronditet nga erërat e ndryshme kundërshtare.
Në një hadith të përcjellë nga Tirmidhiu, Profeti ynë (s.a.s.) porosit kështu:
“Mësojuani namazin fëmijëve qysh në moshën shtatëvjeçare.”
Sepse, gjer në atë moshë, fëmija ka mësuar dhe është edukuar nga ju duke u nisur nga shembulli juaj. Pas kësaj, vjen koha kur ai do të mësojë duke vënë në punë arsyen dhe logjikën e vet, domethënë është gati të marrë mësime. Ndërkaq, disa e shohin këtë moment në moshën tetëvjeçare, kurse disa të tjerë, më e shumta, në moshën dhjetëvjeçare. Në moshën kur fillon mësimi i fëmijës, ai duhet trajtuar seriozisht dhe respektuar për t’iu zhvilluar personaliteti.
Profeti porosit: “Ndjenja e turpit është një nga shtyllat e rëndësishme të besimit!” Kurse në një hadith tjetër, Ai porosit: “Ai që s’ka turp, s’ka as besim!” Atëherë, qysh në moshë të vogël duhet të përqendrohemi mbi brezat që mendojmë t’i rrisim të edukuar me frymën e të kuptuarit se ç’është turpi, në mënyrë që, kur të vijnë në moshën e pjekurisë, të pajisen me moralin e Kuranit.
Shënimet
- 39.Maide: 100.
- 40.Banaliteti në origjinal është “uehen”, e cila përmendet si një sëmundje që do t’i kaplojë myslimanët, ku ata do të mashtrohen prej bukurive të përkohshme të kësaj bote, duke mos pasur aspak frikë prej përkohshmërisë së tyre. (shën. red.)
- 41.Ebu Davud, melahim, 5; Ahmed bin Hanbel, el-Musned, 2/359, 5/278.
- 42.Në origjinal: emr-i bi’l-ma’ruf nehj-i ani’l-munker. 48Teube: 25.
- 43.Në origjinal: mukarrebin (arab.i, e afërt me dikë a diçka).
- 44.El-Bejhakiu, Shuabu’l iman, 6/398; el-Dejlemiu, el-Musned, 1/71. 51Në origjinal respektivisht: Evvel, Ezelí, Ebedí.
- 45.shih Kurani, Sureja Ibrahim: 7.
- 46.Muslim, salatu’l musafirin, 139; Ebu Davud, tatavu, 26; Nesaiu, këjamu’l lejl, 2. 54Në origjinal: muzebzeb (arab.); shih Kurani, Nisa: 143.
- 47.Buhari, edeb, 39; Muslim, fedail, 13.
- 48.Bota e madhe është e lidhur me botën e vogël dhe mes tyre ka paralelizëm. Ndoshta, kur një besimtar është i prekur, edhe bota mëshirore preket po aq. Edhe pse cilësia e këtij realiteti dhe raporti nuk është fort e qartë dhe e kuptueshme për ne, mendoj se një vlerësim të tillë mund ta bëjmë: Emrat Rahman (Mëshirues) dhe Rahim (Bamirës, Mëshirëbërës) të Allahut (xh.xh.) janë burimi i çdo dhembshurie, delikatese amëshire. Kur besimtarët preken, edhe mëshira fillon të veprojë në një formë që s’mund ta dimë, dhe, në mund të shprehemi kështu, merr pjesë në ndjenjat apo vuajtjet e tyre. 57Nisa: 34.
- 49.Ibrahim: 7.
- 50.Tirmidhi, salat, 182; Ebu Davud, salat, 26; Darimiu, salat, 141.
- 51.Muslim, iman, 57, 58; Buhari, iman, 3.
- 52.shih Ali el-Muttaki, Kenzu’l-Ummal, 3/119.