Familja
1. Çfarë familjeje?
Në pjesën e kaluar qëndruam mbi lidhjen e familjes ose folesë familjare, si njëra prej shtyllave më të rëndësishme të shoqërisë, ndaj parimeve fetare, dhe duke e kushtëzuar realizimin e çdo gjëje në mënyrën më të përsosur me një plan të përsosur, kujtuam se kjo punë jashtëzakonisht e rëndësishme duhet trajtuar me seriozitet qysh se ajo është vetëm një ide. Sigurisht, nëse një punë çfarëdo nuk merret seriozisht qysh në plan dhe nuk lidhet pas një logjike të shëndoshë, mund t’u japë shkak problemeve të papërballueshme. Po qe se duke bërë një ndërtesë, nevojat dhe estetika e saj nuk paraqiten në një plan, më pas nuk e ngremë dot kokën prej prishjeve dhe ndreqjeve të njëpasnjëshme.
Familja është shtylla më e rëndësishme e shoqërisë. Fortësia dhe qëndrueshmëria e saj është edhe fortësia dhe qëndrueshmëria e kombit dhe e shtetit. Atëherë, kjo shtyllë themelore e kombit dhe e shtetit nuk duhet lënë kurrsesi pa një plan dhe pa një projekt. Sepse një nënvleftësim në këtë çështje konsiderohet nënvleftësim në emër të një kombi të tërë. Prandaj ne besojmë se duhet qëndruar me seriozitet mbi çështjen e familjes duke e parë këtë si shumë të rëndësishme dhe dëshirojmë ta theksojmë edhe një herë besimin tonë se shoqëria merr plagë nga bashkimet e jashtëligjshme.
Sigurisht, një fole familjare pa synim, e ngritur mbi dëshira, pasione, qejfe, zili apo smirë, jo vetëm që nuk premton të ardhme, por do të mbetet në trup të popullit si një element përkeqësues potencial. Sipas të gjitha gjasave, një familje e tillë do të përgatisë vazhdimisht endacakë rrugësh. Sepse duke u ngritur, ajo nuk është ngritur me llogari dhe plan që t’i sjellin begati. Këtij plani ne i themi “kurorë” dhe mendojmë se në rrugën që shkon drejt kurorës, duhet të lihen mënjanë egoizmi dhe dëshirat për të sunduar; mendimi, logjika dhe zemra dhe besojmë se në një martesë të tillë do të jetë shumë e dobishme që të merren për bazë mendimi dhe ndjenja fetare. Në qoftë se femra dhe mashkulli nuk kanë lidhje me Allahun (xh.sh.), nuk ka mundësi që fëmijët që do të vijnë prej tyre të jenë të vetëdijshëm, të ndjeshëm, të ekuilibruar për të bartur ndjenjën e përgjegjësisë. Nëse, pavarësisht çdo gjëje, arrihen rezultate të mira, gjë që është tejet e vështirë, ne e konsiderojmë këtë si një bujari të jashtëzakonshme të Zotit dhe përkulemi para Tij me ndjenjën e një mirënjohjeje të thellë!
Në fakt, çdo gjë e kësaj bote bërje-zhbërjeje brenda së cilës jetojmë, varet nga një shkak. Në të shumtën e rasteve, çështjet që ndjekim duke mbajtur parasysh shkaqet përkatëse me të cilat ato kushtëzohen, mund t’i realizojmë, me ndihmën dhe përputhshmërinë e dhënë gjërave nga Zoti, në atë formë që i mendojmë. Nëse nismat dhe “medikamentet” e ndryshme i trajtojmë duke bërë sikur nuk i shohim shkaqet, rezultati mund të jetë aspak i dëshiruar. Nisur nga kjo, nëse s’duam të biem në zhgënjim dhe disfatë, në çdo çështje, shkaqet dhe premisat duhet t’i trajtojmë me vëmendje të plotë dhe pastaj, duke i besuar mirësisë dhe bujarisë së Zotit, do të presim vetëm e vetëm prej Tij, që edhe rezultatet t’i kemi të shëndosha. Sigurisht, duke marrë vendim, bindja te Allahu duhet të jetë e plotë, por edhe veprimet e karakterit të lutjes veprimore si dhe vlerësimi i shkaqeve duhet të bëhen pa të metë. Këtë e tregon shprehja “vlerësimi i shkaqeve nuk është pengesë për nënshtrimin dhe dorëzimin te Zoti”, e cila është, në të njëjtën kohë, një rregull i fesë islame. Ne besojmë se këto parime duhen respektuar edhe në ngritjen e një institucioni serioz, siç është familja.
Pasi të pranohet dhe përvetësohet se kështu duhet ngritur familja, edhe parimet për të përftuar breza të përsosur do të shprehin diçka. Por nëse në themel të çështjes ka ndonjë dëmtim, edhe ndikueshmëria e “mjekimeve” të mbrame do të pakësohet në përpjesëtim të drejtë me atë dëmtim. Në një familje në themel të së cilës ka mbarëvajtje e begati, domethënë në folenë familjare ku janë bashkuar femra e mbledhur me mashkullin e mbledhur, femra myslimane me mashkullin mysliman, femra besimtare me mashkullin besimtar, femra dhe mashkulli që i u japin jetë një më një përgjegjësive të tyre, çdo gjë është në vendin e vet dhe kjo fole familjare është si një kënd Xheneti. Më duket edhe bërtitjet e atyre të vegjëlve të ardhur në këtë botë nën një çati të tillë, janë, te Allahu, të shenjta si dhe tesbihet e engjëjve, merren sikur të ishin nga një lutje më vete.
Duke e trajtuar shoqërinë e lumtur me gratë e me burrat e saj, Kurani, nja dy fjalë të bekuara të të cilit i prekëm më lart, e përvijon kështu çështjen:
“Për burrat myslimanë e për gratë myslimane, për burrat besimtarë e për gratë besimtare, për burrat që falen e për gratë që falen, për burrat fjalëdrejtë e për gratë fjalëdrejta, për burrat që bëjnë durim e për gratë që bëjnë durim, për burrat e thjeshtë e për gratë e thjeshta, për burrat që japin sadaka e për gratë që japin sadaka, për burrat që agjërojnë e për gratë që agjërojnë, për burrat që e mbrojnë nderin e për gratë që e mbrojnë nderin, për burrat që e përmendin shumë Allahun e për gratë që e përmendin shumë Allahun, Allahu ka përgatitur një falje të madhe dhe një shpërblim të madh!”
Këta burra e gra janë bashkuar me njëri-tjetrin në familjen, e cila është qeliza më e vogël e kombit, i kanë besuar Allahut, janë orientuar kah Ai me zemër, janë bashkë me Të dhe e kalojnë jetën në bindje dhe adhurim të vazhdueshëm.
Po, tek këta burra besnikë e gra besnike, as fjalët që thonë nuk ua përgënjeshtrojnë sjelljet e veprimet, as sjelljet e veprimet që bëjnë nuk bien në kundërshtim me fjalët që thonë. Brenda folesë familjare të përbërë prej tyre nuk rastiset asgjë kundërthënëse. Në atë shtëpi, çdo gjë shkon drejt dhe është krejt ashtu siç duket. Për rrjedhojë, ashtu si njeriu që i jep një rregullim të përgjithshëm vetes para pasqyrës në këmbë, edhe fëmija i kësaj shtëpie, para tablove të drejtësisë, të fjalëve, sjelljeve e veprimeve të drejta, e në përputhje me njëra-tjetrën, vazhdimisht ka për ta korrigjuar e rregulluar veten. Ai as ka për t’u bërë dëshmitar i ndonjë shprehjeje apo pohimi kontradiktor, i ndonjë sjelljeje apo veprimi në kundërshtim me fjalët, as vetë nuk do të bjerë në pozita të tilla. Çdo gjë që ndodh në atë shtëpi, është e drejtë, sepse në atë shtëpi ka një burrë besnik e një grua besnike, një burrë të drejtë dhe një grua të drejtë!
Gratë që bëjnë durim, burrat që bëjnë durim, ata që shtrëngojnë dhëmbët e qëndrojnë para rëndesës dhe vështirësisë së adhurimit e bindjes, para pamëshirës së fatkeqësive që u bien mbi kokë, ata që tregohen të vendosur para mëkateve dhe e mbrojnë nderin e tyre, ata që e quajnë rënien në mëkat të barasvlershme me rënien në Xhehenem, ushtrojnë me gjuhën e qëndrimit të tyre një ndikim aq të madh mbi mjedisin, e po aq të madh edhe mbi fëmijët e tyre, sa pandeh që çdo gjë që mund të thonë me fjalë, do të mbetej krejt e zbehtë!
Çdo gjë që ka për të parë fëmija në këtë shtëpi të mbushur plot respekt për Allahun, ku burri e gruaja dridhen gjithmonë me frikën ndaj Tij, përpiqen t’i përjetojnë në mënyrën më të mirë përgjegjësitë e veta me mendimin se i pret një jetë serioze dhe një fund i tmerrshëm dhe në çdo çast të jetës arrijnë në fund të rrugës e presin ftesën për në jetën tjetër, çdo gjë që ka për të parë fëmija pra, do të jetë gjithmonë serioziteti, rëndësia, ndjeshmëria dhe kujdesi. Në një familje të tillë fëmijët do të shohin të ndërthuren në fytyra një frikë e butë dhe një ëmbëlsi që e ndjek atë, gëzimin që prodhon nëpër fytyra droja ndaj madhështisë së Allahut (xh.xh.) dhe shpresa e Xhenetit, ata do të shfaqen si njerëz të qetë por të kujdesshëm, të lumtur por largpamës, të kënaqësisë dhe dëfrimit, por edhe të së ardhmes.
Në një shtëpi duhet të ndodhen një burrë që jep sadaka dhe një grua që, gjithashtu, jep sadaka në mënyrë që te fëmijët e tyre të zhvillohet shpirti i bujarisë. Sigurisht, në fillim ne duhet të jemi bujarë që edhe ata të bëhen të atillë pas nesh. I varfëri unë, kam qenë bërë dëshmitar i një ndodhie të tillë. Gruaja jepte vazhdimisht sadaka fshehur pa e ditur burri. Edhe burri, po kështu, jepte sadaka fshehur pa e ditur gruaja. Dhe nuk e di se ç’bënin kur viheshin ballëpërballë, kur “kapnin në flagrancë” njëri-tjetrin duke dhënë sadaka fshehurazi! Vetëm një gjë është e sigurt: gruaja ishte një grua e drejtë e besnike dhe burri ishte një burrë i drejtë e besnik. Po kështu edhe fëmijët që do të dilnin në një shtëpi të tillë, ishin kandidatë për t’u bërë njerëz të drejtë, të ndershëm e besnikë!
Familja e krijuar prej gruas dhe burrit që zbatojnë disiplinën e agjërimit të urdhëruar nga Allahu, si dhe shoqëria dhe kombi të formuar prej familjesh të tilla janë kandidatë për një dimension tjetër të qetësisë dhe sigurisë.
Krahas këtyre cilësive, këta njerëz janë jashtëzakonisht të ndjeshëm edhe për ruajtjen dhe mbrojtjen me fanatizëm të nderit dhe dinjitetit të tyre. Nëse jetojnë, jetojnë për besimin, fenë, nderin dhe dinjitetin e tyre. Ja, këta janë të lumturit në këtë botë e në jetën e mbrame në Ahiret! Nëse struktura e organizuar nga Kurani, që i trajton gruan dhe burrin bashkërisht, gjen mishërimin e vet, është më e shenjta e strukturave.
Nëse në familjen e formuar nga këto dy shtylla fryjnë flladet e shpirtit kombëtar, edhe te bijtë, nipërit dhe mbesat e tyre do të ndjehet e njëjta frymë. Përmirësimi social është në raport të drejtë me vazhdimësinë e kësaj atmosfere te të gjithë individët e familjes, pra, te qelizat e shoqërisë. Në të kundërt, të gjitha ato që priten kthehen në fantazi.
Dhe tani të përpiqemi që të bëjmë një përmbledhje të çështjeve shoqëri, familje, fole e lumtur duke i parë nga tjetër pikëvështrim.
2. Prindër dhe fëmijë
Kur e shohim këtë çështje nën dritën e teksteve të shtrenjta të Islamit, shohim se Kurani dëshiron që personat që Allahu (xh.sh.)i do, do t’i dojë e do të jetë i kënaqur me ta, të jenë sa më shumë. Në të vërtetë, edhe të gjithë profetët, të urtët dhe njerëzit e tjerë të pëlqyer, kanë dëshiruar shtimin e brezave të pastër dhe kanë zhvilluar sisteme në këtë drejtim.
Lutjen dhe përgjërimin me ndjenjat më të sinqerta të profetit Zekerija drejtuar Allahut, Kurani e përshkruan kështu në suren Al-i Imran:
“Aty Zekerija iu lut Zotit: “Zoti im, më fal mua një pasardhës të pastër! Pa dyshim, Ti e dëgjon lutjen ashtu siç duhet!”
Po ta vëmë re me kujdes, profeti Zekerija nuk kërkoi vetëm një pasardhës çfarëdo, por “të pastër”! Ai donte të thoshte: “Më fal një pasardhës të pastër që ta bëjë Allahun të kënaqur, Profetin, me pëlqim, të atin, të lumtur e që të bëhet një element i rëndësishëm mes shoqërisë!” Edhe Ibrahimi i nderuar (a.s.) me të birin, Ismailin (a.s.), kur po ndërtonin Qaben, i luteshin Zotit kështu:
“Zoti ynë! Na bëj ne nga ata që të binden Ty! Nxirr prej brezit tonë një bashkësi të bindur ndaj Teje, …., na trego sesi duhet të të falemi Ty dhe na i prano pendimet, se vetëm Ti je Pranues i pendimeve dhe Mëshirues i madh!”
Pastaj, fakti që ndër pasardhësit e tyre, krahas shumë profetëve e qindra prijësve shpirtërorë, doli faqja e bardhë e njerëzimit, Profeti Muhamed (s.a.s.), është shprehje e pranimit të kësaj lutjeje të rëndësishme. Në mënyrë të veçantë, të gjithë njerëzit e shquar të umetit, po kështu janë lutur dhe kanë kërkuar nga Allahu (xh.xh.) breza pasardhësish të pastër e të mirë.
“(Dhe ata robtë) thonë: “Zoti ynë, falna ne bashkëshorte që të na i ndriçojnë sytë dhe bëna ne prijës të të devotshmëve!”
Si këta, edhe në tekste të tjera të shenjta mund të vërehet se kërkohen breza të pastër si fryte të krijimit të familjes. Po, në të gjitha këto lutje është tërhequr vëmendja mbi breza të pastër, të pafajshëm, të pamëkatë, besimtarë e të bindur. Me një fjalë, çështja nuk qëndron te sasia e personave që do të dalin dhe rriten në shtëpitë tona, por thellësia e tyre cilësore si dhe pranueshmëria e tyre në lartësinë e Allahut (xh.sh.). Arritja e kësaj pranueshmërie duhet të ketë rrugë dhe metoda të caktuara.
Dhe tani dëshirojmë të hedhim një vështrim të shkurtër mbi disa prej tyre.
3. Detyrat e kryetarit të familjes
Masat para lindjes së fëmijës: mjedis banimi, ushqime, veshmbathje, etj.
Praktikë dhe edukim: vënia e një emri të bukur fëmijës, mëkimi me gji, planifikimi i shpenzimeve
dhe edukimit sipas moshës dhe veçorive të tjera personale.
Ndjenja e përgjegjësisë në edukim.
Të mëdhenjtë e familjes duhet të jenë të pajisur me moralin e lartë islam, duke qenë njëkohësisht
shembuj të mirë për më të vegjlit.
Le të përpiqemi t’i shohim këto një e nga një.
4. Përgjegjësia e nënës dhe babait
Çdo njeri është përgjegjës për aq sa përfshihet brenda fushës së tij të përgjegjësisë, si dhe për ata që ka nën vete. Të gjitha sukseset në vëzhgimin dhe kujdesin përkatës do të shkruhen në shtyllën e mirësive dhe bukurive tuaja, kurse të gjitha e papëlqyeshme, në shtyllën e të këqijave dhe shëmtive.
Në një hadith të Tij që përmbahet te Buhariu dhe Muslimi, Kryeprofeti (s.a.s.) porosit kështu: “Secili nga ju jeni çoban dhe përgjegjës për ata që keni nën vete. Kryetari i shtetit është çoban dhe përgjegjës për nënshtetasit. Çdo person është çoban dhe përgjigjet për tufën e vet. Gruaja është çobaneshë e shtëpisë së burrit dhe përgjigjet për gjërat që ka nën kujdes. Shërbëtori është çobani i mallit dhe pasurisë së të zot, dhe është përgjegjës për t’i ruajtur ato. Secili prej jush është çoban dhe secili prej jush përgjigjet për tufën e vet!”
Meqë tema ka lidhje me pranimin e faktit që fëmijët janë nga një amanet i mëvetësishëm, mund të thuhet edhe se ky hadith ka një lidhje të drejtpërdrejtë me çështjen tonë: “Çdo fëmijë që lind, lind me natyrë islame, pastaj prindërit e bëjnë atë krishterë, hebre ose idhujtar.”
Po, çdo fëmijë që lind, lind me një natyrë të pastër e të përshtatshme për t’u bërë gjithçka, pastaj ju dorëzohet juve për t’i zhvilluar atij dhuntitë dhe aftësitë, pra, puna për edukimin e tyre ju lihet juve në dorë. Kështu, fëmijët, në përputhje me atë ç’janë prindërit e tij, bëhen ose krishterë, ose hebrenj, ose adhurues të zjarrit, zoroastrianë. Natyrisht, këtu mund të shtohet edhe një tjetër specifikë: përsëri në përputhje me mjedisin e prindërve, fëmijët, të cilët bëhen ose renegatë, ose ateistë. Në këto kushte, themi se aq sa ç’është i rëndësishëm besimi dhe individualiteti i prindërve në rritjen e fëmijëve, është i rëndësishëm edhe për t’u marrë për bazë në edukimin e tyre.
Është një e vërtetë kjo që, nëse fëmijët e përshtatshëm për çdo gjë, të cilët i prumë në këtë botë të përshtatshëm ndaj çdo përparimi, nuk i formësojmë sipas rrënjëve tona shpirtërore e kuptimore, është e pamënjanueshme që të rriten e formohen si njerëz të një kallëpi të veçantë. Për rrjedhojë, mund të bëhen babai i një renegati pa i rënë aspak në të kësaj. Atëherë themi se në kohën e duhur, duhet që ta parandalojmë tjetërsimin e tyre, duke ua shartuar atyre esencën e shpirtit tonë, ta parandalojmë tjetërsimin e tyre. Ne u bëjmë shërbimet e duhura pemëve duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë e shkencës dhe teknikës, në mënyrë që të marrim sa më shumë prodhim. Po a nuk duhet që të kujdesemi po kaq për fëmijët tanë që s’vlejnë më pak se druri, guri, pema dhe dheu? Përkundër dy mospërparësive të tilla, si tkurrja e mosinteresimit dhe harbimi i përpjekjeve destruktive, fëmijët zotërojnë avantazhin e vetëm të gjërave të mira që do t’u japin prindërit. Sigurisht, po të mos u bëhet një ndërhyrje pozitive, ata fillojnë të marrin erë dhe të prishen në duar të të tjerëve. Në të dy situatat ata ndjekin një drejtim tjetër prej tonit, i cili mund të jetë kreyekreje në drejtim të kundërt me ne. Në mënyrë të veçantë në ditët tona, meqë prindërit janë kredhur në punët e kësaj bote me tërë fuqinë e tyre;i kanë braktisur fëmijët plotësisht. Madje është e pamundur të tregohet një shekull tjetër kur fëmijët të jenë lënë kaq pas dore.
Përsëri në një hadith me burim imamí, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) jep një ferman me këto fjalë: “Në Kohën e Fundme, mjerë fëmijët për shkak të baballarëve të tyre!” Sahabet e pyesin të habitur:
U dënuan për shkak të baballarëve të tyre politeistë dhe humbën?
Jo, baballarët besimtarë i vranë ata!
Si ndodhi, o i Dërguari i Allahut?
Baballarëts’ua mësuan atyre shtyllat e fesë!
Këtë hadith, porosi profetike, mund ta shtjellojmë shkurtimisht kështu:
Shtyllat e fesë u braktisën për këtë botë të vogël. Ata që e patën për detyrë, e nënvleftësuan krejtësisht edukimin fetar duke i përqendruar të gjitha orvatjet vetëm për aspektin material të jetës. Ata e lanë mënjanë jetën ndjesore e shpirtërore për interesa të një bote të vogël.
Ata nuk i dhanë rëndësi mësimit të njohurive fetare duke menduar se këndimi i Kuranit, mësimi dhe njohja e frymës së Tij, mësimi dhe praktikimi i fesë na marrin shumë kohë.
Kuptimi i hadithit të mësipërm paraqet një përputhje të plotë me këtë ajet:
“Jo, jo, ju e pëlqeni shumë atë që e ka shpërblimin dhe kënaqësinë të çastit, kurse ahiretin (përfundimin e kësaj) e nënvleftësoni!”39
I Dërguari i Allahut e vazhdon fjalën e tij kështu: “Unë s’kam të bëj me ta, as ata mos paçin të bëjnë me mua!”
Me fjalë të tjera, ai do të thotë: “Unë s’kam të bëj me ata prindër që e lënë pas dore fëmijën, që i mbyllin sytë para humbjes së fëmijës, për më tepër, që nuk dridhen përballë shkatërrimit të një brezi; edhe ata mos paçin të bëjnë me mua!” Pandeh se të gjithë baballarët që nuk kanë vdekur shpirtërisht, rrëqethen dhe dridhen para këtij paralajmërimi të ashpër, dhe duhet të dridhen! Kur kalifit Omer bin Abdulaziz iu tregua për një përgjegjësi të tillë të rëndësishme e jetësore, i ra të fikët dhe nuk u përmend dot për njëzet e katër orë. Madje nisën t’i rrinë mbi krye e t’i këndojnë Kuran me mendimin se po vdes. Pastaj, kur u përmend, nisi të qante e të thoshte se kishte frikë nga Allahu. Po, ai e ndente mbi supe përgjegjësinë e atyre që kishte nën vete dhe tronditej me frikën se mos po ua shkelte disi të drejtat.
Po ne? Ne, të pamëshirshmit në trajtën e nënës dhe babait që nënvleftësojmë ndjenjat dhe shpirtin e fëmijëve që i sollëm në këtë jetë në atë folenë familjare të ngritur duke marrë për bazë kënaqësitë personale, sa herë duhet të humbim ndjenjat dhe sa duhet të dridhemi?
Ç’është e vërteta, të gjitha hadithet rreth kësaj teme janë të tilla, që afrojnë ose frikësojnë. Edhe ne, pikërisht nga ky këndvështrim e trajtojmë çështjen. Por, natyrisht, kemi edhe shumë gjëra për të bërë, janë përgjegjësitë që na kanë ngarkuar Islami dhe Kurani për rritjen dhe formimin e fëmijëve tanë. Janë çështjet që i radhitëm më parë në formë parimesh e që mendojmë t’i shtjellojmë më tej, çështje këto shumë të rëndësishme, si edukimi i fëmijëve tanë si njerëz të ndjeshëm, të thellë, të moralshëm e fetarë dhe edukimi edhe i vetes sonë si një baba i vyer e si një nënë e vyer në atë familje.
a) Ruajtja e drejtësisë mes fëmijëve
Në krye të këtyre çështjeve vjen parimi i trajtimit të barabartë të fëmijëve, pra, i mosparapëlqimit të dikujt ndaj dikujt tjetër. Edhe gabimi ose e meta më e vogël në këtë çështje mjafton që të na bëjë ne të paaftë për të ndikuar mbi fëmijët tanë. Sa kuptimplote janë orientimet e Profetit tonë (s.a.s.) në këtë çështje.
I ati i Numan ibn Beshirit (r.a.), Hz. Beshiri (atë e bir qenë myslimanë dhe nga sahabët e Profetit që morën pjesë në luftën e Bedrit), shkoi te Profeti dhe i tha:
O i Dërguari i Allahut, kam edhe fëmijë të tjerë, por Numani është ndryshe nga të tërë. Po të më lejosh, dëshiroj t’ia jap Numanit një pjesë të pasurisë!
Profeti (s.a.s.) e pyeti:
A do t’u japësh edhe të tjerëve nga kaq?
Jo, - i tha Beshiri.
Duke ia drejtuar fjalën të gjithë të pranishmëve, i Dërguari i Allahut tha kështu:
Kini frikë Allahun dhe trajtojini fëmijët me drejtësi!
Pastaj, duke iu drejtuar Beshirit, i tha:
A dëshiron që të gjithë fëmijët të të respektojnë njëlloj?
Po, - iu përgjigj Beshiri.
Atëherë, mos vepro kështu!
I Dërguari i Allahut propozon një zgjidhje parimore të çështjes dhe e zgjidh që nga themelet një problem të mundshëm. Sigurisht, brenda një shtëpie, parapëlqimi i njërit fëmijë ndaj të tjerëve së pari nxit te fëmijët e tjerë ndjenjën e zilisë ndaj vëllait apo motrës së zgjedhur, duke i bërë dalëngadalë fëmijët, që janë vëllezër e motra me njëri-tjetrin, armiq të njëri-tjetrit. Mos mendoni se këto çështje përpiqemi t’i shpjegojmë duke u mbështetur në parimet e ngushta të psikologjisë. Ne këtu përqendrohemi mbi universalitetin e të vërtetave që Kurani kërkon të na i bëjë të njohura për shpirtrat, mbi përshtatshmërinë e atyre të vërtetave ndaj natyrës së njeriut, mbi objektivitetin, logjikshmërinë dhe karakterin njerëzor të tyre.
Siç dihet, Jusufi (a.s.) pati parë në ëndërr yjet, hënën dhe diellin të binin në sexhde para tij. Kur ia pati hapur të atit këtë situatë të gëzueshme dhe krenaridhënëse, ai i pati thënë: “O bir, mos ua trego vëllezërve këtë!”41Ai njeri i madh që e njihte natyrën njerëzore me një thellësi profetike, e pati parashikuar se një çështje e tillë do të zgjonte ndjenjën e zilisë tek të vëllezërit dhe pati menduar se tregimi i një ëndrre të tillë njerëzve që s’e kishin arritur ende pastrimin e vetvetes, do të shkaktonte tek ta ndjenjën e keqe të zilisë. Për fat të keq, gjërat që pati frikë ai, ndodhën, të vëllezërit e hodhën Jusufin në pus për të vdekur aty, duke nxjerrë në shesh faktin se ku mund ta çojë padurimi njeriun qoftë edhe në një familje profetike!
Sigurisht, është krejt e qartë se parapëlqimi në dashuri dhe çështje të tjera i njërit fëmijë ndaj të tjerëve do të nxisë ndjenjën e zilisë të fëmijëve të tjerë, dhe pa u kuptuar fare, si rrjedhojë e trajtimit të diferencuar të prindërve, do të ushqejë tek ta një ndjenjë urrejtjeje të nënvetëdijshme.
Këto konsiderata i kuptojmë më mirë kur i mendojmë së bashku me shkaqet, faktorët dhe burimet e tyre të nënvetëdijshme. Ju keni një shok shumë të sinqertë e aq të afërt saqë s’bëni dot asgjë pa njëritjetrin. Mirëpo, gjithsesi, një herë nuk është treguar dot bujar ndaj jush dhe, në një moment, me egoizmin e tij, ka shfaqur një sjellje që nuk e keni pritur aspak prej tij. Dhe ju, dashje pa dashje, e keni fshehur këtë në një skaj të kujtesës. Pothuajse çdo ngjarje kalon duke lënë një gjurmë në trurin e njeriut për t’u ringjallur me fuqi, pastaj, me anë të një ngjarjeje tjetër. Kështu edhe ju, më vonë, para një ngjarjeje që jua kujton dhe jua ndez ato ndjenja të pakëndshme që flenë në heshtje në nënvetëdijen tuaj, zemëroheni menjëherë dhe i thoni atij: “Fundja unë e pata kuptuar qysh në fillim se i tillë je ti!”
Dhe tani mendoni grumbullimin një mbi një të këtyre ngjarjeve negative dhe ringjalljen me forcë të disave prej tyre. Dhe ç’bëni atëherë ju? Pothuajse të gjitha këto turbullira të ardhura nga një e kaluar e gjatë, ia përplasni atij njeriu në fytyrë dhe pastaj përpiqeni t’i dilni në mbrojtje vetvetes tuaj. Ja pra, kështu do të ndodhë edhe me fëmijën tuaj, mendimet e të cilit, të shtresuara në kujtesë apo nënvetëdijë, do të ringjallen me forcë, dhe një qëndrim çfarëdo i juaj negativ mes fëmijëve do ta zemërojë dhe nxisë atë kundër jush duke dhënë si rezultat që ai të mos ju dëgjojë dhe të mos ju bindet fare!
Në fakt, kjo përbën vetëm një aspekt të çështjes. Nëse do ta trajtonim çështjen duke përfshirë në të gjithë jetën e fëmijës, puna ndërlikohet edhe më shumë. Sidomos po qe se ju ia lini çdo gjë fëmijërisë së tij dhe nuk futni në llogari ndryshimet që mund të pësojnë ndjenjat e tij në të ardhmen, do të vijë pa u kuptuar një ditë që të shembeni nën peshën e gabimeve tuaja. Ju mendoni se fëmija nuk i kupton, ua kalon anash e i harron sjelljet kontradiktore, fjalët, veprimet negative brenda shtëpisë, për të cilat është drejtpërsëdrejti dëshmitar, kurse në fakt të gjitha ato regjistrohen në një skaj të kujtesës së tij, ndoshta për të mos u fshirë më , sikur të regjistroheshin me stilograf brenda një fletoreje. Pastaj vjen koha dhe ato dalin në shesh të tëra menjëherë dhe kjo dalje, ky shpërthim jashtë, disa herë bëhet i tillë që e merr para, duke e zvarritur tërë familjen, madje bashkë me nënën dhe babanë!
Prandaj çdo njeri që kërkon të bëhet nënë e baba, duhet të njohë pedagogjinë dhe psikologjinë në një nivel të caktuar, ose të paktën t’i njohë parimet përkatëse të Kuranit dhe pastaj t’i thotë “Bismil’lah” një jete të re!
Rritja e fëmijëve nuk është një çështje e thjeshtë. Dikur qeshë bërë kureshtar pas bletëve dhe pata ndjekur një kurs për bletërritës. Dhe atëherë e pashë se sa e vështirë qe të merresh me bletë! Po si kjo, duhet mësuar patjetër rruga e rritjes dhe përgatitjes së brezave të mirë për t’i dhënë shoqërisë individë të mirë. Askush s’duhet ta harrojë se sa i rëndësishëm është edukimi i një qenieje me potencial të madh që përjeton sa e sa vajtje-ardhje mes nivelit më të lartë dhe nivelit më të ulët të vlerave të ekzistencës së vet, për ta ngjitur atë në nivelin më të lartë të të qenit njeri!
a) Masat para lindjes së fëmijës
i) Fara e pastër
Hedhja e farës në një truall të pastër, pastaj, ajrimi me ajër të pastër tek zhvillohet aty ku është hedhur, ujitja me ujëra të pastra dhe kryerja e shërbimeve të duhura, të gjitha këto kanë shumë rëndësi për përgatitjen e një brezi cilësor. Vetëm për ta mbështetur këtë konsideratë, hadithi i mëposhtëm i Profetit (s.a.s.) përbën një vlerë më vete: “I ulëti është qysh në bark të nënës i pafat, kurse i larti është qysh në bark të nënës me fat!”
Po, duhen marrë të gjitha masat para se fëmija në bark të nënës të marrë rrugën e të përfunduarit në një të ulët dhe të pafat! Qysh në çastin kur bashkohen spermatozoidi me vezën, ushqimi i fëmijës së ardhshëm, sjelljet e nënës, si dhe qëndrimet e mëparshme e të mëpasshme të nënës e të babait janë pretekste me rëndësi në shkrimin e tij si i ulët a i lartë.
Duhet të dihet mirë që për asnjë lloj vendimi nuk mund të bëhet fjalë pa u vënë në llogari vullneti dhe sjelljet tona. Krijuesi i Lartë e di se si do të veprojmë ne, ç’hapa do të hedhim, ç’do të rezultojë nga këto hapa dhe, duke futur në llogari edhe vullnetin tonë, është programuar çdo gjë. Sa fëmijë ka që, si rrjedhojë e mjedisit ku kanë dalë dhe faktorëve shkakësorë të tij, janë të pafat qysh nga çasti kur vijnë në këtë botë. Ndërkaq, është një përjashtim nëse Allahu (xh.xh.), me bujarinë dhe mirësinë e Tij, e kthen gjendjen e tyre në lumturi!
Po, çdo gjë nis qysh në çastin kur hidhet fara. Po qe se fëmija i ardhshëm është i ulët apo i lartë qysh në vezë, ndikimi negativ në këtë fatalitet i ushqimit të pabekuar (gjësë së ngrënë pa të drejtë), mëkatësia e nënës dhe babait nuk mund të nënvleftësohen. Nëse fara është hedhur pa nisur me emrin e Zotit, mbirja prej saj e një prodhimi të dobishëm i ka mbetur mirësisë së Zotit në dorë. Edhe në mos qoftë e pamundur të merret rezultat i drejtë nga një iniciativë e shtrembër, është shumë e vështirë. Nuk po themi është e pamundur, sepse, meqë edhe nga Ebu Xhehli ka dalë një njeri i tillë si Ikrimja, edhe nga familjet me jetesë shumë negative, madje, disa herë mund të dalin njerëz me besim.
Në mënyrë të veçantë, ajeti i mëposhtëm, nga njëra anë parashtron se nëna dhe babai mund të kenë një sërë dëshirash dhe kërkesash, nga ana tjetër orienton se ata duhet t’i kthejnë sytë kah Allahu (xh.xh.) për t’i kërkuar Atij fëmijë të mirë!
ii) Ushqimi duhet të jetë hallall
Njëra prej detyrave të prindërve është edhe që, ashtu siç duhet t’i kushtojnë kujdes ushqimit të vet, edhe fëmijët t’i ushqejnë me gjëra të mira, të këndshme dhe të bekuara, hallall. Nëse një mysliman u jep për të ngrënë pjesëtarëve të familjes një gjë haram , ju patëm kujtuar se martesa e tij konsiderohet haram ose mekruh (e papëlqyeshme), megjithëse këto konsiderata, nga pikëpamja juridike, janë të diskutueshme. Por, pa dyshim, askush s’ka të drejtë t’i ushqejë të tjerët me gjëra haram!
Nisur nga kjo, jemi të detyruar t’i ushqejmë fëmijët dhe pjesëtarët e tjerë të familjes që kemi në ngarkim, me gjëra të mira, të këndshme e të bekuara. Nuk mund të justifikohemi duke e quajtur këtë një “shqetësim të përgjithshëm” ose të themi, “si të gjithë, edhe ne!” Edhe nëse koha ka ndryshuar, edhe nëse ka ardhur një epokë tjetër, edhe nëse çdokush vepron në rrugë të paligjshme, ne nuk mund t’i ushqejmë ata me gjëra të pabekuara. Pa dyshim, edhe fitimi që kemi arritur me rrugë të gabuara, edhe fëmijët tanë të ushqyer me atë fitim, vjen një ditë që, si oleandra e ferrit, të na e helmojnë trurin, ndoshta të na bëjnë të vjellim gjak!
Nëse i kemi bërë detyrat e mëparshme, mund të presim që çdo mik i ri që do të na vijë në botë, të jetë një i lumtur, i mbrojtur, në një farë mase, ndaj fatkeqësive. Por, po qe se ajo që hamë është haram, ajo që pimë është haram, ajo që vishemi është haram dhe, në përgjithësi, jetojmë në mes të haramit, do të thotë se e kemi asgjësuar mundësinë që fëmija ynë të bëhet i lumtur e i lartë!
Sigurisht, nëse hamë haram, pimë haram, ushqehemi me haram, quhemi se botën tonë shpirtërore po e mbajmë të hapur ndaj djallit. Ai qarkullon nëpër damarët e gjakut të njeriut: “Shejtani lëviz me lëvizjen e gjakut në damarët e njeriut!” Ai ua shalon rruazave të kuqe e të bardha, duke ua ngjitur nga pas shkëndijat e veta edhe fëmijëve, edhe sojit të tyre!
Prandaj, qysh në fillim, përkujdesja për fëmijën, ushqimi dhe veshja, çdo gjë duhet kryer duke mbetur brenda kuadrit të konsideruar legjitim nga feja. Fëmija nuk duhet ushqyer, veshur e mbathur me gjëra të ndaluara, të siguruara me rrugë jo të drejta e të pabekuara!
Me sa kemi parë nëpër hadithe, ndërsa personi që po bën tavaf Qaben e Allahut (xh.xh.), hedhur krahëve një mbulesë të fituar haram dhe ushqyer me me gjëra të palejuara, thotë: “Lebbejk Allahumme lebbejk”, “Urdhëro, Allahu im, urdhëro!” – e cila është një thënie e shenjtë, që thuhet gjatë haxhit dhe periudhës kur je i veshur me ihramin – Allahu (xh.xh.) do t’i thotë atij “La lebbejke ve la sa’dejk”. Shqip kësaj i thonë: “Mbaji për vete, edhe leb’bejkun, edhe sa’dejkun!”
Prandaj duhet të bëjmë kujdes që edhe peri me të cilin kemi qepur rrobën, të mos jetë haram ose me dyshim, të mbështetemi te Allahu (xh.xh.) nga gjëja e dyshimtë ose gabimi i bërë pa dashje dhe, për këto gjëra, zemra duhet të na dridhet gjithmonë. Duhet ta dimë jashtë çdo diskutimi se çdo farë që do të mbjellim, ose do të bëhet oleandër për t’i helmuar të tjerët, ose, si një pemë me rrënjët e përhapura thellë në tokë, me frutat, hijen, degët dhe gjethet, do t’i shërbejë njerëzimit, madje edhe tjetërkujt breza me radhë, do të kontribuojë për lumturinë e njerëzimit dhe rregullimin dhe zbukurimin e faqes së tokës!
b) Mësim dhe edukim
Një ndër detyrat e para të prindërve është t’i vënë fëmijës një emër të mirë sipas porosive të Profetit Muhamed(s.a.s.). Profeti ynë i ka dhënë rëndësi të veçantë vënies së emrit. Ai ka porositur: “Merrni emrat e profetëve. Emrat më të pëlqyer te Allahu i Lartë e i Shenjtë janë Abdullah dhe Abdurrahman. Emrat më të drejtë janë Harith (sjellës fitimi, fitues i ahiretit, jetës së pasme) dhe Humam (i vendosur). Kurse emrat më të shëmtuar janë Harp (luftë, dhunë) dhe Murre (koprrac)!” Gjithashtu, Profeti ka hequr emrin Asije (kundërshtuese, kryengritëse) dhe në vend të tij ka vënë emrin Xhemile (e bukur, Bukuri).
Pas kësaj vijnë çështjet e procedurës ligjore të dhënies gji fëmijës dhe, pas prerjes së gjirit, të marrjes përsipër të rritjes dhe edukimit të tij.
Çdo fëmijë lind me një natyrë të pastër. Pothuajse si një letër e bardhë ku nuk është shkruar asgjë më parë. Jeni ju që do të shkruani mbi të,, vetëm se veç ato gjëra që i pëlqejnë Allahut! Këto janë gjëra që u jep vlerë engjëlli, që janë të vlefshme pas ringjalljes në sheshin e grumbullimit dhe llogaridhënies, që, kur të vihen në pjatën e djathtë të peshores, të peshojnë e të kenë vlerë.
Ajo çka u bie si detyrë prindërve, është t’i bëjnë këto shkrime dhe qëndisma mbi shpirtin e fëmijës në stinën e vet dhe në atë mënyrë që të mos prishen e fshihen dot me kalimin e kohës. Sigurisht, çdo nënë dhe çdo baba janë të detyruar që një pjesë të jetës ditore t’ia kushtojnë mësimit dhe edukimit të fëmijëve të tyre. Sa për institucionet e tjera të mësimit dhe edukimit, përveç familjes, do të flasim më tej në pjesët në vazhdim.
Në arsimimin dhe edukimin e fëmijës, familja është mjedisi, vatra dhe shkolla e parë. Pa diskutim, kohën që veçojnë prindërit për mësimin dhe edukimin e fëmijëve, duhet ta parapëlqejnë më shumë se koha që veçojnë për disa detyra fetare apo edhe personale, individuale. Në rritjen e fëmijëve, mësimi mbi Allahun (xh.sh.), shtresimi i idesë së besimit në Allahun sipas moshës dhe nivelit kulturor të fëmijëve, kanë përparësi jo vetëm në begatimin moralo-shpirtëror të prindërve, por edhe në shumë detyra vetjake të tyre. Nisur nga kjo, po qe se ju shkoni për ta vizituar Qaben duke lënë në shtëpi ca fëmijë të prapë e të paedukuar, detyra do t’ju thërresë nga pas: “Ku po shkoni duke braktisur detyrën e këtushme, që është kaq e rëndësishme?”
Veçanërisht, babai duhet t’ia mësojë djalit jetën dhe fenë, shkrimin dhe këndimin, madje, sipas moshës, edhe notin, qitjen apo kalërimin. Duhet t’ia mësojë, jo sportet që ia kushtojnë fuqinë e mendjes vetëm zhvillimit të muskujve, por të gjitha sportet e dobishme për jetën dhe shëndetin dhe të tilla, që secila prej tyre, në fushën e vet, të përbëjë një parathënie për të ardhmen.
c) Ndjenja e përgjegjësisë në edukim
Po dua ta bëj titull të kësaj çështjeje një citat me burim imamí. Në veprën e tij, “Risaletul Hukuk”, imam Zejnul Abidini jep këtë këshillë:
“Duhet ta dish se fëmija, produkti i përpjekjes sate, është prej teje; po kështu, edhe e mira apo e keqja e tij ka për të t’u kthyer po ty!”
Pak kohë para se të vdiste, Profeti Muhamed(s.a.s.) e pati parandjerë vdekjen. Një ditë, papritmas, u pati thënë kështu sahabëve,: “Robi u la i lirë të zgjidhte mes kësaj bote dhe ahiretit (jetës së pasme) dhe ai zgjodhi ahiretin!” Ndërkaq, Ebu Bekri që e pati rrokur menjëherë kuptimin e këtyre fjalëve, pati thënë duke shpërthyer në lot: “Nënë e babë t’u bëfshin fli, o i Dërguari i Allahut!” Robi për të cilin kishte folur Profeti, ishte vetë Ai!.. Veç kësaj, në një hutben e tij gjatë Haxhit të Lamtumirës, ai i pati pyetur njerëzit: “Së afërmi do t’ju pyesin për mua nëse e kreva detyrën e kumtesës; ç’përgjigje do të jepni?” Ai i pati pyetur njerëzit sepse kishte kryer një detyrë, por nuk ishte i sigurt nëse e kishte kryer me të drejtë dhe plotësisht, apo jo, megjithëse puna vetë bërtiste me të madhe se s’kishte vend për një pasiguri të tillë. Të gjitha zemrat që ndodheshin aty patën bërtitur me të madhe, madje gjithë sheshi pati jehuar nga pohimi i njëzëshëm: “Po, e mbarove, përgjegjësinë në vend e çove, na mësove e na këshillove!” Atëherë ai e pati ngritur gishtin tregues lart drejt qiellit duke thënë tri herë: “Ji dëshmitar, o Zot! Ji dëshmitar, o Zot! Ji dëshmitar, o
Zot!”34
Ai fliste me shqetësimin e thellë për një përgjegjësi të gjerë në kuadrin e umetit, dhe në fund merrte medoemos dëshminë e sahabëve të Tij. Dhe tani, a jemi vallë, ne, në gjendje ne të themi para fëmijëve tanë, të cilat janë drejtpërsëdrejti nën përgjegjësinë tonë dhe me kujdesin ndaj të cilëve jemi ngarkuar, “Së afërmi do t’ju pyesin për mua, si do të përgjigjeni?” Ose, a kemi shpresë të marrim prej tyre përgjigjen, “Po e keni kryer detyrën siç duhej”? Nëse jo, atëherë të mjerët ne!.. Prandaj, imami i madh, Zejnul-Abidini, thotë: “Ti do të merresh në pyetje përpara Allahut(xh.xh.), ti do të merresh në pyetje!” Dhe, duke u dridhur i drejtohet sërish Allahut:: “Allahu im, ndihmomë mua në edukimin e fëmijëve mi! Bëmë mua të mund t’i mësoj ata të bëjnë mirë!” Sepse çështja më e rëndësishme , madje e domosdoshme e çdo njeriu është që, duke i lartësuar pjesëtarët e familjes në vlerat e përsosmërisë njerëzore, t’i bëjë ata të ndjejnë ëndjet e të qenit i përjetshëm!
Ndonjëherë, u marrim dhurata fëmijëve dhe përpiqemi që t’i gëzojmë. Madje, shkojmë në haxh dhe, edhe në kohët kur ndodhemi para Qabesë ose të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), i ndjejmë vazhdimisht tek i kemi në zemër. Edhe shërbimet më të shenjta e të rëndësishme nuk na bëjnë dot t’i harrojmë ata. Në të vërtetë, mënyra më e mirë e kujtimit të fëmijëve është t’u japim atyre edukatën islame dhe edukatën e të jetuarit që kemi mësuar prej Profetit Muhamed paqja qoftë mbi Të. Unë them se nuk duhet të ketë dhuratë që të mund të matet me këtë.
Përsëri, në një hadith me burim imamí, Profeti Muhamed (s.a.s.) porosit:
“Bëjuni dhurata fëmijëve dhe edukojini në një mënyrë të mirë!”35Po, një edukatë me orientim për ta ringjallur rrugën e Profetit (s.a.s.) është dhurata më e madhe që mund t’i jepet një fëmije!
d) Të jesh përherë një shembull i mirë
Çdo nënë e baba mysliman, në mënyrë mjaft të natyrshme, mendojnë t’i edukojnë fëmijët në formën e një pjese të shëndoshë e të përkryer të asaj shoqërie ideale të cilën përpiqemi ta përfytyrojmë dhe përvijojmë sipas Kuranit. Ç’e do se, në qoftë se këto ndjenja të tyre nuk reflektohen në jetën praktike dhe nuk thellohen me adhurime të tilla si namazi, agjërimi, haxhi, zekati, ose, më e drejta, fjalët e bukura të thëna me gojë, nuk i përforcojnë me veprime dhe sjellje të bukura, nëse këto veprime dhe sjellje nuk duken më të bukura se fjalët, rezultati do të jetë i dobët ose i paqenë; pa le kur prindërit bëjnë të kundërtën e atyre që thonë ose këshillojnë! Prindërit që dëshirojnë që fjalët e tyre t’u dëgjohen prej fëmijëve, më së pari duhet t’i jetojnë vetë thellësisht.
Po përcjell këtu një rrëfim që i atribuohet imam Adhamit.
Në atë kohë, na ishte një djalë që i bënte dëm mjalti dhe, me gjithë këshillat për të mos ngrënë mjaltë, djali vazhdonte të hante. Ndërkaq, një ditë, e marrin djalin për dore, e çojnë te Imami dhe i thonë: “Këtij djali i bën dëm mjalti, por ai, megjithëse e këshillojmë, vazhdon të hajë!” Imam Adhami u thotë: “Merreni djalin, shkoni në shtëpi dhe sillmani pas 40 ditësh!” Pas dyzet ditësh e çojnë përsëri djalin te imami, i cili e merr djalin para vetes dhe e këshillon të mos hajë më mjaltë. Djali ngrihet nga vendi, ia puth dorën të atit dhe i thotë: “Baba, nuk kam për të ngrënë më asnjëherë mjaltë!” Atëherë, të pranishmit e pyesin imamin: “O imam, pse nuk e këshillove djalin kur e prumë për herë të parë, por na bëre të prisnim dyzet ditë?” Dhe ja ç’përgjigje u jep imam Adhami:
“Atë ditë që e prutë djalin te unë, unë kisha ngrënë mjaltë. Sikur të përpiqesha për ta bindur djalin të hiqte dorë nga një gjë që e kisha bërë vetë, ka shumë mundësi që të mos dukesha i besueshëm para tij, dhe fjala ime të mos zinte vend. Gjatë këtyre dyzet ditëve, unë jo vetëm që s’hëngra më mjaltë, por e hodha atë krejtësisht nga trupi. Desha që të isha i besueshëm kur ta këshilloja djalin!”
Krahas fjalës së drejtë, ka shumë rëndësi veprimi i drejtë. Në sy të fëmijës, kundërshtia mes fjalëve dhe veprimeve tuaja e trondit besimin e tij tek ju. Në jetë, sikur edhe një herë të vetme t’ju kapë fëmija në gënjeshtër ose në kundërshti mes fjalëve e veprimeve apo sjelljeve tuaja, për sa kohë do ta bartë këtë në mendje, në sytë e tij ju do të vazhdoni të mbeteni një njeri që s’i besohet. Po qe se pastaj, më vonë, nga sjelljet tuaja rrjedh ndonjë pakënaqësi e vogël, ajo del në mbivetëdijë dhe, në vështrimin e fëmijës, ju ngjani me dikë për të cilin ndihet neveri. Për pasojë, fjalët tuaja s’gjejnë aspak pasqyrim tek ai. Atëherë, sjelljet duhet t’i rregullojmë të tilla që, brenda shtëpisë, ata të na konsiderojnë neve jo nënë e baba, por engjëj. Ata duhet të shohin tek ne seriozitet, rëndësi, ndjeshmëri dhe duhet të na besojnë gjer në fund. Ja pra, prindërit që arrijnë me sukses t’i përcjellin mendimet dhe ndjenjat me një rrugë të tillë, quhen mësuesit më të suksesshëm.
e) Fëmijët duhen trajtuar me seriozitet
Profeti Muhamed (s.a.s.) i trajtonte fëmijët me shumë seriozitet. Kur ata i vinin pranë, Ai u drejtohej atyre me mirësjellje, sikur të ishin të rritur, pastaj e merrte dikë mbi shpinë, dikë në prehër dhe, duke i trajtuar barazisht, i linte të largoheshin të gjithë të kënaqur.
Disa herë, kur takonte në rrugë fëmijë që luanin, u drejtohej si të mëdhenjve duke i përshëndetur: “Esselamu alejkum!” Atëherë edhe ata i përgjigjeshin po aq seriozisht: “Ue alejkum selam, o i Dërguari i Allahut!” Ai u jepte shumë vlerë fëmijëve. Nëse i jepte fjalën një fëmije për t’i dhënë diçka në një ditë dhe orë të caktuar, patjetër do ta çonte në vend fjalën sikur të kishte bërë marrëveshje me një të rritur!
c) Përftimi i ndjenjës së bindjes
Një nga mendimet më të turpshme për qenien njerëzore është edhe ky: “Nuk duhet t’i zësh besë askujt, madje as babait tënd!” Është një mendim filozofik tejet i gabuar. Profeti (s.a.s.) u sugjeronte të tjerëve gjithmonë idenë e bindjes, dhe fëmijët që e njihnin nga afër, nuk dinin gjë tjetër për të veç bindjes. Në sy të çdokujt ai ishte Emin, i besueshëm. Gjithsesi, edhe shoqëria e përbërë prej të tillë individësh, do të ishte një shoqëri e besueshme dhe e bindur.
Veçanërisht, Profeti Muhamed (s.a.s.) ia tërhiqte vëmendjen umetit, se “Allahu nuk e mëshiron atë që nuk tregon mëshirë për fëmijën e vet.” dhe u bënte thirrje besimtarëve që të bëheshin njerëz të ndjeshëm e me zemër të madhe. Ai e porosiste bashkësinë e tij në lidhje me fëmijët: “Duajini ata! Kur t’u jepni fjalën, ta çoni në vend patjetër! Ata s’duhet të shohin kundërshti mes fjalëve dhe veprimeve tuaja, ata s’duhet të bëhen dëshmitarë të një gjëje të tillë!”
Përsëri sipas një hadithi me burim imamí, Profeti ynë porosit: “Nëse dikush prej jush i premton fëmijës një gjë, ta mbajë premtimin medoemos, sido që të jetë!” Kjo na e bën krejt të qartë se sa i gabuar është mendimi, “fëmijë është, nuk bëhet gjë edhe sikur ta gënjej!”.
Pa dyshim, çdo gënjeshtër dhe çdo thënie me kundërshti brenda vetes, si një farë e mbjellë në kokën e tij, në mos sot, nesër do të mbijë si një bimë helmuese dhe do t’i paralizojë përpjekjet tuaja edukative. Prindërit duhet të jenë gjithmonë të drejtë e në rrugë të drejtë. Fundja, nuk mund të pritet gjë tjetër pos drejtësisë prej jush që jeni njerëz të rrugës së drejtë!
Në asnjë mënyrë s’duhet t’u lini shteg fëmijëve që të thonë për ju: “gënjeu”, “s’e mbajti fjalën”, “u tregua i pangopur”, etj. Ata duhet t’ju shohin dhe t’ju njohin përherë si vetëmohues, besnikë të fjalës, besimtarë të durueshëm, të ndershëm dhe të virtytshëm!
d) Një edukim hap pas hapi
Fëmija duhet të dijë ato gjëra që janë të domosdoshme për t’i ditur, dhe duhet nuk duhet t’i mësojë ato gjëra që nuk është mirë që ai t’i dijë. Ai duhet të mësohet dhe edukohet në mënyrë të shkallëzuar sipas moshës. Këtë çështje mendojmë që ta trajtojmë më gjerësisht në pjesët e mëtejshme.
Ashtu siç mbështetemi në mendimin dhe porositë e specialistëve përkatës për ta ushqyer fëmijën e porsalindur, ashtu edhe duhet ta mësojmë dhe edukojmë atë sipas porosive të specialistëve të fushës së edukimit.
Nëse një fëmijë ka ardhur në moshën e shkollës së mesme, t’ia thoni kategorikisht, pa asnjë argument, “Zoti ekziston!”, kjo mund të mos vlejë për gjë tjetër veçse që ai ta mohojë Zotin. Ndoshta në atë moshë duhen dhënë njohuri të kombinuara shkencore-filozofike që të ndikojnë anasjelltas në formimin e opinionit të ekzistencës së Zotit. Por po qe se ngriheni për t’i mësuar fëmijës filozofi qysh në vitet e para të shkollës, do t’ia turbulloni mendjen krejtësisht. Atëherë pra, ashtu si një mjek, jemi të detyruar që t’i japim disa gjëra fëmijës duke pasur parasysh nivelin e tij, moshën dhe mjedisin kulturor, etj.
Shënimet
- 21.Ahzab: 35
- 22.Imran: 38
- 23.Bakara: 128
- 24.Furkan: 74
- 25.Buhariu, ahkam, 1; xhuma, 11; Muslim, imaret, 20.
- 26.Buhari xhenaiz, 80, 93; Tefsir i sures 30, ajeti 1;kader, 3; Muslim, kader, 22-25.
- 27.Hadithet që mendohet se janë transmetuar prej Zejnul Abidinit, ngaqë nuk gjenden në “Kutubu Sitte”. 39Kiamet: 20
- 28.Buhari, hibe, 12; Muslimi, hibat, 9. 41Jusuf: 5.
- 29.Et-Taberani, el-Muce’mul eusat 3/107, 8/323; Për një qasje më të afërt shihni: Ibn Maxhe, mukadime, 7.
- 30.Buhari, ahkam, 21; bedu’l-halk, 11; i’tikaf, 11, 12, edeb 121; Muslim, selam, 23, 24.
- 31.El- Bezar, el-Musned, 15/221; et-Taberani, el-Muxhem’ul-esuat, 5/251.
- 32.Ebu Davud, edem, 61; Nesai, hajl, 3; Ahmed bin Hanbel, el-Musned, 4/345.
- 33.Muslim, adab, 14; Tirmidhiu, edeb, 66; Ebu Davud, edeb, 62.
- 34.Buhari, xhenaiz, 80, 93;tefsiru sure, (30) 1, kader 3; Muslim, kader 22-25.
- 35.(arab.) Traktat mbi drejtësinë
- 36.Buhariu, menakibu’l ensar, 45,fezailu as’hab, 3; Muslim, fedailu’s-sahabe, 2; 34Buhariu, haxh, 132; Muslim, haxh, 147; Ebu Davud, menasik, 57. 35Ibni Maxhe, edep, 3; el-Kudai, musnedush’Shihab, 1/389.
- 37.Ebu Davud, edeb, 135, 136; Ibni Maxhe, edeb, 14; Ahmed bin Hanbel, el-Musned 3/235.
- 38.El-Bezar, el-Musned, 12/15.