Edukimi fetar i fëmijës
Ashtu siç e parashtruam edhe më parë, martesa është një çështje shumë serioze në Islam dhe duhet trajtuar po me të njëjtin seriozitet. Në themel, ngaqë nëna dhe babai janë, në të njëjtën kohë, edhe mësuese dhe mësues, martesa duhet menduar kur kandidatët për bashkëshortë të vijnë në moshën që do të mund ta kryejnë edhe këtë mision.
Imam Xhaferi pati kërkuar një herë nga nxënësit e vet që ta shtynin martesën për më vonë. Edhe Ebu Hanifja e pati penguar për një kohë të caktuar nxënësin e vet, imam Ebu Jusufin nga martesa, duke i thënë: “Para së gjithash duhet të plotësosh periudhën e mësimit dhe edukimit, andaj, gjersa të të vijë koha e martesës, duhet t’i kesh marrë patjetër dijet e nevojshme. Në të kundërt, jeta shkollore të mbetet përgjysmë. Veçanërisht, duhet të kesh një punë për t’ia siguruar me rrugë hallall jetën familjes. Kur t’i kesh plotësuar të gjitha këto, vija e jetës do të të bëhet edhe më e qartë!” Ja, kështu e këshillonte Ebu Hanifja nxënësin e tij të vetëm, atë që në periudhën e kalifatit të abasive qe ngjitur gjer në pozitën e shejhulislamit!
Nga këta dy persona, njëri është një burrë tejet i mençur, babai i teorisë së të drejtës juridike; Ebu Hanifja, imami i shkollës sonë juridike-fetare. Kurse tjetri, një imam i veçantë, i ardhur nga familja e Profetit (s.a.s.). Ajo çka duhet të kuptojmë ne nga këto dy raste, është se institucioni i martesës është një institucion mjaft serioz. Nisur nga kjo, duhet parë nëse ata që kanë për t’u martuar, kanë ardhur apo jo në nivelin e një mësuesi, e një edukuesi për të rritur fëmijë të shëndetshëm? Ose, a duket ta kenë moshën dhe mendjen për ta ndarë jetën me një bashkëshort apo bashkëshorte? A i kanë pajisjet e duhura për t’i përgatitur fëmijët sipas botëkuptimit tonë?
Në qoftë se kandidatët mund t’u përgjigjen pozitivisht këtyre pyetjeve tona dhe po të kenë edhe besim në vetvete, mund t’ia hyjnë kësaj pune të qetë. Por po qe se kandidatët, të paaftë për të drejtuar edhe veten e vet, nuk munden të gjejnë katër-pesë pika të përbashkëta për t’u marrë vesh dhe bashkëjetuar me të tjerët dhe nxjerrin çdo ditë ngatërresa të reja, nuk mund të thuhet se janë pjekur sa për t’u martuar dhe për të rritur fëmijë!
Sa bukur e thotë imami i Allvarit: Sikur ti si ujërat të gurgullosh, sikur si Ejubi të vajtosh
Aq sa mushkëria prej vendi të të dalë A nuk do të shqetësohet Ai për ty? Sikur ti në portën e Allahut, dhe shpirtin ta flijosh,
e veç sipas urdhrave të Tij të veprosh A nuk ta shpërblen Ai?
Po, nëse ne do të gurgullojmë përherë nga brenda si ujërat, nëse ne do të përpëlitemi sa andej këndej duke thënë: “A ka vende të tjera për të shkuar?”, dhe duke ndjerë nga një ndjesi të re në çdo ndalesë, do ta kemi më të lehtë dhe më të shpejtë udhëtimin tonë drejt Allahut (xh.xh.).
Besimi ynë te Zoti pikërisht rreth kësaj qendre rrotullohet. Kemi një besim dhe bindje të fuqishme se Ai nuk ka për të na nxjerrë gënjeshtarë në fjalët tona.
Kjo ishte arsyeja përse u ndalëm veçanërisht në këto pika. Çështja kryesore që duhet përmendur është që rrugët e edukimit të brezave të rinj duhet të ushqehen me shpirtin e popullit. Nëse ju kujtohet, më sipër u përmend se si shtëpia jonë mund të kthehet në një faltore apo në një shkollë për t’u edukuar. Janë pikërisht prindërit, të cilët duhet t’i përjetojnë vetë cilësitë e dhembshurisë, mëshirës apo sjelljet e tjera njerëzore, që duan t’i shohin mandej të pasqyruara dhe te fëmijët e tyre.
1. Përgatitja e fëmijëve të shumanshëm
Nëse duam që fëmijët t’i kemi të guximshëm, me zemër, duhet të mos i frikësojmë me vampirë, diva, xhinde dhe peri. Ata duhet t’i rrisim e t’i përgatisim të fuqishëm, me një qëndresë të brendshme që të mund t’u kundërvihet të gjitha negativiteteve të mundshme!
Nëse duam që fëmijët të na bëhen besimtarë, duhet që, në të gjitha gjendjet tona, nga të gjitha sjelljet dhe veprimet, gjer te ndjeshmëria në çështje të caktuara, nga buzëqeshjet gjer te mënyra si biem e ngrihemi, nga devocioni i thellë në adhurimet e gjer te dhembshuria e thellë ndaj të tjerëve, ta tregojmë hapur se i besojmë Allahut, në mënyrë që ndjesitë e fëmijëve tanë të mbushen me këto gjëra. Po, ne duhet të jemi ashtu siç duan të na shohin ata, duke u shmangur nga sjelljet që do të na e rrëzonin vlerën që mund të kemi në sytë e tyre!
Duhet të përpiqemi gjithmonë që në sytë e tyre të jemi të mëdhenj e të çmuar në mënyrë që fjalët që themi, të gjejnë reflektim në zemrat e tyre e që të mos tregojnë reaksion jo pozitiv ndaj kërkesave tona. Nga ky këndvështrim, mund të thuhet se etërit e shpenguar mund të bëhen, shumë shumë, shokë për fëmijët e tyre, por kurrsesi mësues, edukatorë, pra dhe nuk mund t’i edukojnë ata siç dëshirojnë!
Shtëpitë tona duhet të kenë gjithmonë pamjen e një shkolle, një faltoreje, një vendi edukimi, në mënyrë që, duke ua ngopur atyre zemrën e shpirtin, të mos lejojmë që të bëhen robër e skllevër të dëshirave të ulëta.
2. T’i ambientojmë fëmijët me xhaminë qysh kur janë të vegjël
Në periudhën e Profetit Muhamed (s.a.s.), fëmijët, sado të vegjël të ishin, mund të hynin në xhami në çdo kohë. Por sa e hidhur është që, në ditët tona, dërgimin e fëmijëve në xhami e shohim krejtësisht në kundërshtim me etikën e xhamisë! Gjithashtu, sa e hidhur është që në çdo xhami mund të gjinden ca pleq të prapë që u duken fëmijëve si gogolë, që i trembin e i bëjnë të largohen nga xhamia. Për fat të keq, disa herë, njerëz të moshuar me njohuri fetare dhe botëkuptim tepër të ngushtë pandehin, se duke thartuar fytyrën apo ngrysur vetullat para fëmijëve, e mbrojnë dinjitetin e xhamisë! Kurse me këtë qëndrim ata i trembin fëmijët nga xhamia dhe i kundërvihen synetit të Profetit (s.a.s.)! Përsa i përket rregullimit të radhëve të faljes në xhami, Profeti këshillon që para të vendosen burrat, pas tyre fëmijët dhe, duke u mbështetur mbi një konsideratë njerëzore, këshillon që, pas fëmijëve, të vendosen gratë.
Ja, pra, kur veprohet kështu, fëmijët do ta shohin e ndjejnë kënaqësinë e njerëzve në namaz dhe do t’u shtohet interesimi për ta jetuar besimin dhe fenë. Prandaj nuk duhet t’i përzëmë, t’u dukemi të ashpër apo jo t’i trembim ata, por në qoftë me vend, t’u japim dhurata dhe t’i afrojmë më tepër ndaj namazit. Duhet t’ua bëjmë të dashur fëmijëve xhaminë, oborrin dhe lulishten e saj, dhe ta mbajmë shenjtërinë e faltores të gjallë në ndjenjat e tyre. Profeti e mbante në sup të nipin e Tij, Umamen ndërsa drejtonte faljen në xhami; e ulte poshtë kur përkulej dhe e merrte sërish kur ngrihej!63 Fakti që këtë e bënte i Dërguari i Madh (s.a.s.) që ishte njeriu që ndiqej prej të gjithëve, dhe udhëzuesi i përgjithshëm, ka rëndësi të madhe që të merret si model .
Nuk ka ndodhur kurrë që Profeti (s.a.s.) të thotë ndonjë fjalë të ashpër apo të mbajë ndonjë qëndrim që do të konsiderohej shkak për t’i nxjerrë fëmijët nga xhamia. Prandaj xhaminë duhet ta bëjmë një kënd të bukur të lagjes, dhe shtëpinë, një faltore, në mënyrë që, sa herë t’i hapë sytë fëmija, të ndodhet përballë me shenja që ia kujtojnë Allahun (xh.xh.), për rrjedhojë, ta ndjejë jetën brenda një atmosfere hyjnore dhe, me vullnet e ndërgjegje të lirë, ta përcaktojë vetë rrugën e të ecë në të! Po qe se e trajtojmë çështjen vetëm në lidhje me namazin, kur fëmija të hyjë në moshën për të falur namaz, po qe se i ati e kap për dore, e ul në një skaj të sexhades pranë s’ëmës dhe arrin ta lidhë me zemër dhe ndjenja pas “altarit” të tij të përjetshëm në përmasat e atmosferës që e rrethon, ka arritur një sukses shumë të rëndësishëm, sepse namazi është një gjë shumë e rëndësishme për t’iu drejtuar Allahut!
3. Mënjanimi i mëdyshjeve që në fillim
Fëmija mund të ketë disa mëdyshje mbi namazin dhe çështjet fetare që e tejkalojnë atë. Veçanërisht fëmijët e mbyllur në vetvete ka shumë mundësi që të mos ua hapin këto lloj pikëpyetjesh fetare prindërve. Ka shumë rëndësi që, duke gjetur pretekste dhe mjete të ndryshme, të arrihet që fëmija të zbërthehet, ta derdhë zemrën e të hapet. Po qe se me rritjen e fëmijës, rritet edhe pikëpyetja brenda tij, me kohë, çdo dyshim, çdo lëkundje, çdo çështje fetare e pa shpjeguar, çfarëdo çështje besimore me kuptim dhe urtësi të pakuptueshme kthehet në një gjarpër, në një akrep që ia kafshon zemrën.
Disa herë këto pikëpyetje në botën e tij të brendshme rriten, si një plagë, me aq shpejtësi, saqë e shtrijnë për tokë atë të mjerë, pa e kuptuar dot në kohë atë që ka ndodhur! Ai vjen çdo ditë në xhami, i kryen rregullisht të gjitha gjërat bashkë me ju duke dhënë përshtypjen sikur gjithçka është në rregull, kurse, në të vërtetë, ai u është nënshtruar lëkundjeve e dyshimeve dhe tretet çdo ditë brenda qerthullit të tyre. Po qe se kur e dërgojmë fëmijën në një universitet për t’ia krijuar të ardhmen, nuk ia mjekojmë në kohë problemet e mundshme, bëhet e pashmangshme, që si rrjedhojë e pikëpyetjeve me karakter fetar, të na dalë një ditë para me një sërë ndjenjash, mendimesh e sjelljesh që s’do t’ia kishim përngjasuar dot kurrë! Prandaj fëmija kurrë nuk duhet të lihet pa u ushqyer mendërisht e shpirtërisht, gjë që duhet bërë sipas moshës dhe veçorive individuale të tij. Në të kaluarën, njerëzit tanë ua dorëzonin fëmijët edukatorëve ose edukatoreve dhe ata, duke hyrë në botën shpirtërore të tyre, përpiqeshin, që me aq sa ua lejonte anatomia e shpirtit të tyre, t’u gjenin zgjidhje mëdyshjeve që ua gërryenin mendjet. Në të vërtetë, janë prindërit ata që duhet ta bëjnë këtë lloj edukimi. Po qe se nuk e bëjnë dot, duhet të gjejnë edukatorë dhe edukatore me kulturë për ta bërë këtë edukim, dhe nuk duhet t’i lënë kurrsesi shteg humbjes së fëmijës. Një besim i shëndoshë, një konsideratë adhurimi e përvetësuar thellësisht dhe një moral i përkryer, të shndërruara këto në një aspekt të natyrës sonë mund të realizohen vetëm me një ndjeshmëri të këtyre përmasave!
4. Të falemi dhe të lutemi në një mjedis ku të mund të na shohë edhe fëmija
Brenda shtëpisë duhet të ketë edhe vend, edhe kohë të veçuar për falje e lutje. Po të ketë mundësi, namazet e pesë kohëve të falen në shtëpi, ose ndryshe, të merret fëmija për dore e të çohet në xhami. Kjo e dyta, më shumë në periudhat kur nëna nuk mund të falë namaz. Nuk i duhet lënë shteg mundësisë që fëmija, duke parë nënën që s’falet, të mësohet, dashje pa dashje, me idenë se mund të bëhet edhe pa namaz ose pa lutje. Në librat e të drejtës islame (fikh) kjo çështje trajtohet edhe kështu: Kur femra, nëna, kalon një periudhë kur nuk mund të falë namaz, ajo mund të marrë abdest, të ulet në sexhade, të hapë duart për lutje dhe t’i lutet Zotit. Kështu, edhe ajo nuk do të shkëputet plotësisht nga adhurimi, edhe fëmija nuk do të vërë re një ndryshim të theksuar në adhurimet e saj. Megjithëkëtë, si në këto periudha të veçanta, ashtu edhe zakonisht, vajtja në xhami ruan vlerat e veta të veçanta. Kështu, do të vijë një ditë, që me t’u kënduar ezani, fëmija, krejt si një orë e kurdisur, do t’ju paralajmërojë: “Baba, erdhi koha e namazit!” Dhe, ndërsa dikur e paralajmëronit ju atë, tani do të jetë ai që do t’ju bëjë zë juve, teksa jeni të zënë me punë, apo kur të mos e keni dëgjuar ezanin!
Përveç kësaj, ju duhet të keni një orë të caktuar të ditës për t’iu lutur në mënyrë të posaçme, “personalisht”, Allahut. Ajo do të jetë “ora juaj”. Atëherë ju do t’i shfaqni Zotit tuaj ndjenjat tuaja, do t’ia qani hallet, duke treguar praktikisht se Krijuesi i Lartë është gjatë gjithë kohës një derë e hapur ku mund të drejtoheni, ku mund të mbështeteni. Është e dobishme që lutjet e kësaj ore krejt personale t’i bëni me zë të lartë. Ja, kështu i patën dëgjuar dhe mësuar sahabët lutjet që Profeti ynë (s.a.s.) i bënte me zë të lartë, që i njohim dhe i përdorim edhe ne edhe sot e kësaj dite. Shumë lutje të tilla i ka përcjellë Aishja e nderuar (r.a.). Ka edhe lutje të përcjella nga Aliu i nderuar, Hasani e Hyseni (radijallahu anhuma).
Edhe ju mund t’ua bëni të njohura lutjet mjedisit tuaj duke synuar që edhe ata t’i mësojnë ato. Po qe se dëshironi që fëmija juaj të bëhet i ndjeshëm, që të dridhet kur të dëgjojë se përmendet emri i Allahut, duhet që fillimisht të jeni vetë një njeri i atillë!
Po, ka shumë rëndësi që prindërit ta përcaktojnë mirë detyrën e tyre në familje. Ka shumë rëndësi që fëmija t’ju shohë se si, në një orë të caktuar, ju qëndroni para Zotit dhe ia hapni zemrën Atij, se si rënkoni para Tij, se si i luteni Atij me zë të lartë! Fëmijës suaj nuk do t’i shlyhet kurrë nga kujtesa pamja juaj, teksa përpiqeni për të nesërmen e pasosur, që është një nga çështjet tuaja më të mëdha, tek e mendoni atë dhe qani me shpresë për të!
Në fakt, ne jemi të detyruar të falemi e lutemi para Zotit sikur të ishim duke e parë Atë. Sipas një hadithi të dobët, Profeti ynë i Dashur ka thënë: “Unë kam me Allahun një çast, kur as engjëjt e mëdhenj, as dhe tjetërkush mund të më afrohet!” Po, ne duhet të kemi me Zotin tonë një çast, një orë të tillë të ndritshme që fëmija të mos i harrojë kurrë ato tablo që do të shohë, dhe kur t’i vijë koha, t’i bëjë material për adhurimin e vet. Veç kësaj, kur të ndodhet, në të ardhmen, ballë për ballë me rreziqe për t’u thyer, këto tablo t’i shkojnë në ndihmë e ta kapin për dore për të mos e lënë sakaq të rrëzohet.
Nuk duhet ta marrim me shumë rezerva këtë çështje sepse edhe Kurani na parashtron një lëkundje psikologjike të tillë në suren “Jusuf”. Ç’është e vërteta, ne as nuk e mendojmë se Jusufi (alejhis’selam) mund të jetë lëkundur para një femre, por Kurani thotë: “Po sikur të mos e kishte parë provën e Zotit?”
Sado e diskutueshme të jetë vërtetësia e komentuesve të Kuranit të cilët thonë se me “provë” këtu është fjala për faktin që Jusufit të nderuar iu paraqit i ati, Jakubi (alejhis’selam), i cili ia vuri gishtin në buzë duke i thirrur: “Jusuf!” Dhe, kështu, i paralajmëruar prej të atit, Jusufi (a.s.) u tërhoq dhe tha: “Unë e kam frikë Allahun!”67&
Ja, kështu edhe ju, me shembullin tuaj, do të zini vend në nënvetëdijen e fëmijës, i cili, para çdo të keqeje, do t’ju shohë juve nga dritarja e hapur në përfytyrimin e tij tek ia tërhiqni vëmendjen duke i thënë: “Ç’po bën ashtu, biri im?” Dhe, kështu, ju do të jeni në jetën e tij për herë një udhëzues dhe një dorë ndihme e zgjatur për tek ai për ta kapur, për t’u mbrojtur nga rreziqet!
5. Respekti për Kuranin
Mësimi i Kuranit prej fëmijëve tuaj është i një rëndësie të veçantë. Por, të paktën po kaq e rëndësishme është, që duke e kënduar Kuranin, të zgjoni ndjenjën se Ai nuk është tjetër, pos Fjalës së Allahut! Njëra prej gjërave që vëmë re në kohën tonë, është, për fat të keq, këndimi i Kuranit pa e ndjerë atë, pa zbritur ai poshtë grykës. Ju mund të bëheni shembull shumë i mirë për fëmijët tuaj në leximin e Kuranit. Duke parë këndimin tuaj shumë të ndjerë, ata do të kuptojnë shumë gjëra. Unë kam mendimin se këndimi i Kuranit pa ndjenja, pa shpirt, i ka bërë njerëzit tanë të pandjeshëm!
Në një hadith, Profeti (s.a.s.) thotë: “Njeriu që e këndon më bukur Kuranin, është ai që e këndon seriozisht dhe me hidhërim!” Kurse në një hadith tjetër, thotë: “Ky Kuran ka zbritur në hidhërim!”70
Nëse Kurani e merr dhe e trajton njeriun, një qenie me shumë probleme, gjë për të cilën s’ka dyshim, edhe ne jemi të detyruar t’i japim zë këtij hidhërimi me qëndrimin dhe interpretimin tonë. Vetëm se njëri prej kushteve të rëndësishëm për të ardhur në këtë nivel është njohja e kuptimit, e domethënies së Kuranit. Ne e respektojmë Kuranin si Fjalë të Allahut (xh.xh.), por përpjekja qoftë edhe e pakët për ta kuptuar dhe njohur përmbajtjen e tij si Fjalë e Allahut, është një shprehje e veçantë e respektit ndaj Tij. Në mënyrë të veçantë, me këtë përpjekjen tuaj, fëmija do t’i ndjejë më thellë në zemër e në mendje kuptimet e Kuranit, do të mbushet me to dhe, sipas nivelit të vet, do ta plotësojë urinë shpirtërore për to.
Ai që mjaftohet vetëm me kuptimet e Kuranit, konsiderohet i mangët në kuptimin dhe ndjenjën fetare. Kurse ata që nuk dinë edhe kaq, janë krejtësisht në humbje. Është e dobishme ta kujtojmë edhe një herë se, për të marrë ato që Kurani u ka premtuar njerëzve, duhen mësuar kuptimet e shenjta brenda fjalëve të Kuranit dhe u duhen mësuar edhe fëmijëve pastaj!
Në kritikën e hadithit që cituam më sipër, Hafiz Munaviu përcjell një ngjarje të tillë:
“Një fëmijë i vogël e kishte plotësuar mësimin përmendësh të Kuranit, pra, përgatitjen për t’u bërë hafiz. Fëmija e mbaron së kënduari Kuranin për gjithë natën, pa vënë gjumë në sy, fal namazin e mëngjesit dhe del para mësuesit, por me fytyrë të zverdhur. Mësuesi i tij është një mjeshtër që mund t’i bëhet prijës material-shpirtëror fëmijës. Ai i pyet fëmijët e tjerë se pse e ka fytyrën të zverdhur djali. Dhe ata i përgjigjen: “O mësues, ky e këndon Kuranin nga kreu në fund për gjithë natën pa fjetur fare, dhe në mëngjes vjen në mësim!” Mësuesi që nuk dëshiron që nxënësi i tij ta këndojë Kuranin kështu, e merr pranë dhe i thotë: “Biri im, Kurani duhet kënduar siç është zbritur! Duke filluar që sot, do ta këndosh Kuranin sikur të më kishe para mua, sikur po më përgjigjeshe mua në mësim!”
Fëmija shkon, këndon edhe atë natë dhe, kur del para mësuesit të nesërmen, i thotë: “Mësues, mbrëmë munda të këndoj vetëm gjysmën e Kuranit!” “Shumë mirë, - i thotë mësuesi, - kurse sonte këndo Kuran sikur të ndodheshe para të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)!” Fëmija shkon dhe këndon Kuran atë natë me mendimin se ndodhet para njeriut që iu zbrit Kurani dhe, të nesërmen, kur del para mësuesit, i thotë: “Mësues, unë mbrëmë munda të lexoj vetëm çerekun e Kuranit!” Duke parë përparimin e nxënësit, mësuesi dëshiron ta përsosë atë më tej dhe i thotë që kësaj radhe ta këndojë Kuranin si të ishte duke e dëgjuar kur engjëlli Xhebrail po ia përcillte Profetit. Nxënësi shkon dhe, të nesërmen i thotë mësuesit: “Uallahi, mësues, mbrëmë munda të këndoj vetëm një sure!” Më në fund, mësuesi e porosit: “O bir, tani këndoje sikur të qëndroje para Allahut (xh.sh.) të fshehur pas mijëra perdesh, por që të dëgjon ty dhe t’i përsërit fjalët që ti i këndon!” Të nesërmen fëmija del para mësuesit duke qarë dhe i thotë: “O mësues, thashë elhamdulil’lahi rabbi’l-alemin, erdha gjer në maliki jeumiddin, por nuk arrita të them dot ijjake na’budu! Sepse kuptimi i kësaj është vetëm Ty të adhurojmë, kurse unë adhuroj aq shumë gjëra dhe u përulem aq shumë gjërave, saqë kur e mendoja Atë para vetes, nuk arrija ta thosha dot atë fjalë!”
Hafiz Munaviu shënon se fëmija nuk kishte jetuar veçse edhe dy-tri ditë pas kësaj ndodhie. Dhe mësuesi, ai mjeshtri i madh i fjalës që e kishte ngritur fëmijën në këtë nivel, tek qëndron mbi kokë të varrit të nxënësit, dëgjon dhe sheh me vëmendje mbi të, nxënësi i flet me një zë që të mund ta dëgjojë mjeshtri dhe i thotë: “Mësues, arrita gjer në një shkallë me rëndësi që i thonë tajjim dhe nuk m’u kërkua llogari!”
Këndimi i Kuranit me respektin e posaçëm që duhet shprehur për Të, duke e menduar kuptimin dhe duke u përqendruar mbi fjalët e tij, duke shprehur konsideratën e lartë për to si fjalë të Zotit, madje edhe duke e vënë mbi ballë, të gjitha këto kanë shumë rëndësi për ta bërë atë tërheqës për zemrat, sepse i tërheqin edhe kënduesin, edhe dëgjuesin në atmosferën e Kuranit duke ua hapur atyre kat më kat dyert e botës qiellore!
Me citimin e rrëfimit të mësipërm nuk duam t’ju themi se, po të mos mendoni kështu, më mirë mos këndoni Kuran, mirëpo mendoj se edhe përqendrimi mbi përmbajtjen e Kuranit, mbi ndryshimet që na shkakton ai në shpirt, janë gjëra të domosdoshme që ju të zgjidheni si bashkëbisedues të Tij. Nuk mund të mendohet se Kurani që nuk na shkakton transformime në shpirt mund të bëhet ndikues në jetën tonë individuale e shoqërore. Ne duhet të ndryshojmë me anë të Kuranit, të orientohemi në horizontin e Tij, të ndjejmë me thellësitë ndjesore të Tij që edhe Ai të na e shpalosë para syve të fshehtën e Tij!
Po rikthehem te citimi. Nxënësi nuk kishte vdekur, ai kishte arritur te Zoti i tij! Zemra i kishte ndaluar me emocionin që mund të zgjojë Kurani në zemrat e pastra dhe ai kishte ecur drejt Zotit të tij. Ai do të rronte përjetësisht! Atë natë ai s’e kishte kapërcyer dot ijjake na’budu-në, “vetëm ty të adhurojmë”, megjithëse kishte ndenjur tërë natën duke e përsëritur... Të njëjtën situatë shpirtërore e ka përjetuar edhe dikush tjetër në Qabe. Kur e kishte mbështetur kokën në murin e Qabes, kishte thënë me vete: “O Zot!” Dhe vetëm kaq! Sikur t’i ishte lidhur gjuha, s’kishte mundur të thotë asgjë më tej. Sepse e kishte pyetur veten: “A ke të drejtë ti ta thuash këtë? Pse tregohesh ende me dy fytyra?” Por këto përjetime as mund të rrëfehen saktë, as mund t’u përcillen të tjerëve. Ato janë ndjenja të një pasioni disaçastësh!..
Dhe tani, po qe se mund ta ruajmë këtë vijë në shtëpitë tona dhe ta tregojmë në praktikë se ia kemi dhënë zemrën Kuranit dhe se bëjmë pjesë në rrethin e Profetit (s.a.s.), mjedisi ynë do të rigjallërohet si blerimi në pranverë dhe shoqëria jonë do të rilindë përsëpari asisoj që ta kenë zili edhe engjëjt!
a) Të mos shkaktojmë neveri
Në historinë tonë të afërme, brezat e rritur tek ne dhe në vendet e tjera islame nuk kanë mundur t’i kapin sa duhet mesazhet lehtësi dhe sihariqdhënëse të fesë, madje kanë mbetur larg tyre. Kur çështja shqyrtohet me zemër të pastër dhe gjykim të shëndoshë, shihet se shkaku i kësaj është mungesa e vetëdijes dhe përpjekjes në kuptimin e gjërave!
Në këtë periudhë, besimtarët, megjithëse kanë thënë “i besuam Allahut”, nuk kanë qenë të vetëdijshëm për kuptimin e kësaj fjale, nuk kanë mundur ta bëjnë lidhjen mes botës së jashtme dhe botës së tyre të brendshme, si dhe faktet fetare nuk kanë mundur t’i kuptojnë në mënyrë thellësisht të ndërgjegjshme. Sa e hidhur është që edhe kur në shkolla qe futur mësimi i fesë, disa mësues të moralit e të fesë, në kundërshtim me këtë mundësi, qenë mjaftuar vetëm duke ua mësuar nxënësve Kuranin përmendësh dhe duke zbatuar mbi nxënësit pa simpati ndaj fesë metoda mësimore të gabuara, patën bërë që të shembej tek ta edhe ai pak respekt që u kishte ngelur për fenë! Duke vepruar kështu, gjithsesi ata nuk patën pasur si qëllim t’i ftohnin fëmijët prej fesë; megjithëkëtë, njëri prej disa gabimeve tona të mëdha të vërtetuara tek ne dhe të ardhura gjer ato ditë qysh prej shumë shekujsh të shkuar, po përsëritej edhe një herë tjetër!
Unë personalisht, edhe në këtë çast madje, nuk mund të them se ne i kemi vlerësuar mjaftueshëm mundësitë që Zoti na ka falur . Po qe se mjaftohemi t’i kërkojmë fëmijës të mësojë përmendësh ca gjëra, sikur besimi dhe feja të përbëheshin vetëm prej disa formalitetesh, fëmija mund të ndjejë neveri ndaj fesë, mund të mos dëshirojë t’i futet asnjë orvatjeje për të mësuar prej saj. Çështja është jo vetëm përputhja e programit dhe e metodave të mësimit me moshën, por më tepër, edukimi i dashurisë së fëmijës për besimin dhe fenë, edukimi i aftësisë së tij për të menduar mbi to dhe për t’i përvetësuar vetë me dashuri. Në të kundërt, po t’ia rëndojmë fëmijës kokën me gjëra përmendësh, do ta bëjmë që të nisë të ndjejë neveri për fenë, për rrjedhojë, në vend që t’i shërbejmë fesë, i sjellim asaj dëme !
Besimtarët duhet të tregohen syçelë në këtë drejtim dhe duhet të bëjnë çmos për t’ua bërë të dashur fenë fëmijëve. Në vend të mbushjes së kokës së fëmijës me gjëra sasiore, duhen edukuar ndjenjat e tij me anë të kuptimeve të larta. Ata duhet ta duan aq shumë Kuranin, saqë mësimin e Tij ta kthejnë në një qëllim parësor të jetës!
b) Kryerja e rregullt e adhurimeve të detyrueshme, madje më tepër
“Urdhëroje familjen tënde për namaz, edhe ti vazhdoje atë me durim. Ne s’duam gjë prej teje, jemi Ne që të japim ty. Përfundimi i mirë arrihet vetëm me takva (devocion)!”
Pavarësisht nga kushtet, prindërit nuk duhet t’i lënë kurrsesi mangët detyrat e tyre fetare dhe fëmija nuk duhet të vërejë asnjë mungesë në çështjet e adhurimit. Profeti (s.a.s.) kurrë nuk e pati lënë pa kryer namazin e pasmesnatës (tehexhudin), gjithashtu ai kishte virte, dhikre dhe lutje të posaçme që i këndonte kur ngrihej natën, dhe kur nuk i bënte në kohë, i plotësonte (kaza) në një kohë tjetër më vonë, megjithëse përsëritja (kaza) e tyre nuk i kërkohej. Kështu parashtrohej sheshit se një adhurim i filluar brenda dhe jashtë shtëpisë nuk mund të lihej në asnjë mënyrë në mes!
Sahabët, shokët e Profetit (s.a.s.) e patën kuptuar shumë mirë se një adhurim i filluar duhej vazhduar. Një ndër figurat më të shquara të asaj kohe, Abdullah ibn Amr ibn Asi dëshironte të agjëronte çdo ditë dhe të falte namaz gjatë gjithë natës, gjer në mëngjes. Ai e pati vazhduar këtë ritëm edhe pasi e pati martuar i ati , madje nuk pati shkuar te e shoqja për ditë të tëra. Pastaj, kur çështja i qe parashtruar Profetit, ai e pati thirrur ibni Asin dhe i pati kërkuar t’i pakësonte adhurimet e tjera veç farzeve (detyrimeve) ndërsa ky këmbëngulte se mund të bënte edhe më shumë. Më në fund, Profeti e pati bindur të agjëronte një ditë po e një ditë jo, kurse një të tretën e natës të flinte e pjesën tjetër të merrej me adhurim. Ndërkaq, Buhariu dhe Muslimi thonë se, kur qe plakur, ibnul Asi i pati thënë kështu një sahabi: “Eh, sikur t’i kisha pranuar këshillat e të Dërguarit të Allahut, sepse tani në pleqëri e paskam shumë të vështirë të vazhdoj në atë mënyrë. Prapëseprapë, nuk dua t’i pakësoj adhurimet e bëra nafile (suplementare). Dua që i Dërguari i Allahut të më gjejë siç më pati lënë!”
Abdullah b. Amri është një shembull i mirë; njeriu nuk duhet t’i lërë adhurimet që i ka bërë tashmë shprehi. Fundja, edhe Profeti, në një hadith sahih (autentik), ka thënë kështu: “Më i vyeri i adhurimeve është adhurimi i vazhduar, qoftë edhe i pakët!” Po qe se s’kemi fuqi, për të mos u ulur në sy të fëmijës, duhet të mjaftohemi me aq sa mund të bëjmë, përpos atyre që i kemi detyrim. Në qoftë se mund të bëjmë vetëm farzet dhe sunetet, duhet t’i bëjmë pa të meta. Nëse e kemi nisur namazin tehexhud, duhet ta vazhdojmë patjetër. Nëse vaxhibi i Vitrit duhet falur para syve të fëmijës, ashtu duhet bërë, por nëse do të ishte më me ndikim, duhet ngritur nga gjumi dhe do falur natën.
Çështjet që u përpoqëm t’i sqarojmë gjer këtu, janë për ata që mendojnë si ne. Nëse dëshirojmë që fëmijët tanë të na bëhen të ndjeshëm, fetarë, të vetëdijshëm, të mençur dhe ta mësojnë si duhet Islamin; për mendimin tonë kjo është rruga e drejtë. Çdo gjë arrihet nëpër rrugën e saj dhe vetëm duke ecur në rrugën e saj arrihet rezultat në lidhje me të. E thënë ndryshe, nëse duam që fëmijën ta kemi në rrugë të drejtë dhe kjo të kthehet për të në mënyrë jetese, edhe ne duhet të jemi në rrugë të drejtë dhe këtë ta kemi mënyrë jetese. Mendimet dhe sjelljet duhet t’i kemi gjithmonë po ato, në mënyrë që edhe fëmija, duke na parë ne, të jetë konsekuent në sjelljet dhe mendimet e tij. Këtu bëhet fjalë për rregullimin e jetës sonë në këtë botë, për fitimin e jetës tjetër dhe të lumturisë në të, si për vete, ashtu dhe për fëmijët tanë! Në fakt, këto duken si një lloj diete dhe porosie mjeku, vetëm se nuk duhet të bëhen kurrsesi të mërzitshme. Këto duhet të bëhen diçka e zakonshme, si marrja e ilaçeve të duhura në kohë të caktuara pa i harruar ose ngatërruar kurrë! Kështu, ju do të bëni një jetë të ekuilibruar, do të silleni në mënyrë të ekuilibruar dhe këtë ekuilibër do ta bëni sundues edhe në shtëpi!
c) Ndjenja e nderimit për simbolet e shenjta
Sipas nesh, ekzistojnë disa koncepte të shenjta, pas të cilave ka shumë kuptime gjithashtu të shenjta. Koncepti Allah (xh.xh.) është për ne shumë i shenjtë, dhe për më tepër një shtyllë e besimit. Ai që nuk i beson Allahut (xh.xh.), nuk ka as jetë besimore, fetare islame. Kurrsesi nuk duhet të harrojmë se kemi përgjegjësi që këtë koncept të shenjtë, në raport të drejtë me lartësinë sublime dhe madhështinë e Tij, ta shtresojmë në mendjen e fëmijëve qysh në një moshë fillestare që pranohet ajo 7-9 vjeç; ta bëjmë që t’i zërë vend në ndjenja dhe ta preokupojë të gjithë botën e imagjinatës së tij. Ta bësh fëmijën që të jetojë vazhdimisht me imagjinatën për Profetin tonë të Dashur, duhet që në shtëpi të bisedohet vazhdimisht për Të. Po qe se në shtëpi bisedohet vetëm për artistët e kinemasë e të televizionit dhe në horizontin e vështrimit të fëmijës ndodhen në çdo kohë kinemaja dhe televizioni, edhe në imagjinatën e tij do të sundojnë ca artistë, andaj kur të pyetet fëmija për personalitetet që njeh, do të përmendë shumë emra artistësh, këngëtarësh, muzikantësh, por nuk do të jetë në gjendje të kujtojë qoftë edhe katër emra sahabësh tejet të njohur. Kujtesa dhe nënvetëdija e fëmijës do të mbushen në tërë kapacitetin e tyre me gjëra të kota jo vetëm të padobishme, por edhe të dëmshme, shkaktare për perversitetin e imagjinatës së fëmijës!
Çdo gjë që njihet në fe si e shenjtë, duhet gjithashtu të shprehet si e shenjtë në mendimet dhe sjelljet tona. Për shembull, Qabeja është një mjedis i shenjtë. Edhe ju, kur të flisni për Qaben në prani të fëmijës, duhet të tregoheni jashtëzakonisht respektues karshi saj. Po ashtu kur të përshkruani Faltoren Profetike dhe mënyrën se si duhet ecur dhe sjellë kur vizitohen ato vende. Nga përshkrimet tuaja plot ndjenja dhe respekt të thellë, edhe zemra e fëmijës do të mbushet me dashuri e respekt për ato simbole të shenjta!
Kjo vlen edhe për Kuranin. Në Kuran thuhet: “Kush tregon respekt për shenjën e Allahut, e ka, këtë, pa dyshim, nga përkushtimi i zemrës!” Përkushtimi i zemrës ose, i quajtur ndryshe, takvaja, devocioni, mund të realizohet vetëm me njohjen e Allahut (xh.xh.), me drejtimin plot respekt ndaj Allahut të Madh, me bindjen ndaj Tij dhe me konceptimin e plotë të së Vërtetës Hyjnore!
Shkurt, nëse i besojmë Allahut dhe e duam Atë, dhe në zemër kemi ndjenjë devocioni dhe nderimi e respekti për simbolet e Tij, këto duhet t’i derdhim në zemrën e fëmijës, duhet t’i tregojmë atij për madhështinë e Allahut dhe duhet ta bëjmë Atë të dashur për fëmijën. Në një hadith të përcjellë nga Taberani prej Ebu Umames, Profeti ka thënë: “Bëjuani Allahun të dashur robbërve të Allahut që edhe Allahu t’ju dojë juve!” Allahu (xh.xh.) duhet vetëm duke e njohur, sepse njeriu do atë që njeh ndërsa bëhet armik i atij që nuk e njeh. Ateistët apo mosbesimtarët tregohen armiq të Allahut sepse nuk e njohin Atë, por po ta njihnin, do ta donin!
Allahu dekreton kështu në Kuran: “Unë i krijova njerëzit dhe xhindet vetëm për të më adhuruar Mua!” Ibni Abbasi dhe Muxhahidi (r. a.) e komentojnë shprehjen lija’budun (për të më adhuruar Mua) të këtij ajeti në formën lija’rifun (të më njohin Mua). Kjo do të thotë se, po ta njohin Allahun, njerëzit edhe e adhurojnë Atë, kurse, po të mos e njohin, tregohen mosmirënjohës. Atëherë, në fillim ne do t’ia bëjmë të njohur fëmijës, pastaj fëmija do ta njohë dhe kuptojë dhe do të mbushet plot ndjenja për Allahun për të treguar respektin dhe dashurinë e duhur për Të! Ndërkaq, çdo nivel duhet të ketë stilin dhe mënyrën e vet të njohjes, pra, njohja e Allahut duhet bërë sipas moshës dhe aftësisë për të kuptuar të fëmijës.
Në një hadith, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) thotë kështu:
“Duajeni Allahun për të mirat dhe dhuntitë e Tij për ju. Edhe mua duamëni për hir të Allahut sepse jam i dërguari i Tij, kurse familjen time duajeni ngaqë më doni mua!”79
Të duash dikë apo diçka, dhe t’i bësh edhe të tjerët ta duan atë dikë apo diçka, nuk duhet të jetë e vështirë kur njihet mënyra për ta dashur, si dhe për t’i bërë të tjerët që ta duan. Dhe, mënyra më e mirë, është njohja dhe kontakti i vazhdueshëm. Prandaj, në këndin kryesor të çdo shtëpie tonën duhet të jenë Kurani, pastaj librat mbi jetën dhe veprimtarinë e Profetit (s.a.s.) dhe pastaj librat mbi jetën dhe veprimtarinë e sahabëve në mënyrë që zemrat e fëmijëve tanë të ushqehen me to e ata të bëhen të dashur për fëmijët tanë.
Këtu dua t’jua tërheq vëmendjen mbi një pikë. Edhe nëse e kërkon arsyeja dhe logjika që të përdoren argumente të ndryshme kundër lëkundjeve e dyshimeve të lëshuara mbi besimin tonë me forma filozofike dhe rrugë racionale, lëshimi pas logjikës abstrakte e ngecja në të mund, disa herë, t’ia shuajnë njeriut jetën ndjesore e ta shtyjnë në pesimizëm. Pasi ta kryejë detyrën e tij ndaj mendimit dhe arsyes, dhe pasi t’i plotësojë të gjitha funksionet lidhur me këto, njeriu do dhe duhet të nisë të hulumtojë shembujt mbi shfaqjen e mendimeve dhe ndjenjave përkatëse në jetën praktike. Për rrjedhojë, edhe nëse ju, duke u kapur, me gjuhën e fizikës, kimisë, astronomisë, etj., pas mijëra argumenteve objektive e subjektive mbi ekzistencën dhe njësinë e Allahut (xh.xh.) të ngjiteni lart përmes një shkalle të ndriçuar që ju zgjatet nga lart, po të mos jepni dot shembuj praktikë nga jeta dhe po të mos jua kuptojë fëmija, idetë dhe mendimet fetare që do t’ia përcillni atij, do të rroken në mendjen e tij si të ishin teori filozofike.
Nëse gjykimet e vlerave fetare dhe virtytet kombëtare për të cilat u flisni fëmijëve, nuk mundeni t’i konkretizoni në periudha të ndryshme të historisë, ato mund të duken si utopi të paarritshme. Pra, ju jeni të detyruar t’ua tregoni atyre me shembuj se këto vlera janë jetuar dikur dhe mund të jetohen edhe njëherë!
Ezani është simboli më i rëndësishëm i ndjenjave të larta myslimane dhe pretekst për t’u përqendruar para namazit. Në të njëjtën kohë, ezani është shprehje e vlerës së madhe të namazit si adhurim ndaj Allahut, është ftesa e Tij për ne! Po qe se ju i përgatisni fëmijët të mbushur me ndjenja të tilla, edhe ata do të emocionohen kur të dëgjojnë ezanin, do t’u mbushen sytë, do t’u shpërthejnë ndjenjat si ujët e lumit që shpërthen nga shtrati dhe do të fillojnë të dridhen me dashuri të thellë për atë ftesë!
Si përfundim, mund të themi këtë: në shtëpitë tona, adhurimet duhet të kryhen pa mangësi, lëkundjet dhe dyshimet e futura në kokat e fëmijëve duhet të sqarohen dhe mënjanohen pa u bërë vonë për këtë dhe duhet të ketë orë të caktuara kur të gjitha zemrat t’i drejtohen vetëm Allahut, kur në përfytyrimet të ekzistojë vetëm i Dërguari i Allahut (s.a.s.)!
Nderimi dhe respekti i thellë për shenjat dhe simbolet e shenjta do të thotë vlerësimi i lartë me fjalë dhe veprime i gjërave dhe vlerave të pranuara si të larta nga feja. E Vërteta e Lartë, Allahu Ekber, e shprehur ashtu siç duhet vetëm me anë të ezanit, do të pasqyrohet me një ndjenjë të thellë në sytë e fëmijës suaj dhe ju do t’i buzëqeshni atij për atë meritim fatmirë!
Shënimet
- 53.Ahmed bin Hanbel, el-Musned, 5/344; et-Taberani, el-Muxhemul-kebir, 3/291. 63Buhari, salat, 106; Muslim, mesaxhid, 41.
- 54.Ibni Abidin, hashije, 1/290.
- 55.Axhluni, keshfu’l-hafa, 2/173-174.
- 56.Jusuf: 24. 67 Jusuf: 23.
- 57.Alijulkariu, el-Esrarul-merfua, fq. 299; el-Axhluniu, keshful hafa, 2/226.
- 58.Et-Taberani, el-Muxhemul kebir, 11/7; Ebu Nuajm, hiljetul eulija, 4/19. 70Ibni Maxhe, ikame, 176; Ebu Jala, el-Musned, 2/50.
- 59.Taha: 132.
- 60.Buhariu, savm, 55; fedailu’l-Kuran, 34; Muslim, sijam, 182.
- 61.Ahmed bin Hanbel, el-Musned, 2/158; Ebu Nuajm, hilje, 1/285-286.
- 62.Buhari, rikak, 18; Muslim, salatul Musafirin, 216-218; salatul-Munafikin, 78.
- 63.Haxh: 32.
- 64.Et-Taberani, el-Mu’xhemu’l-kebir, 8/90,91; Ibn Asakir, Tarihu Dimashk, 24/72.
- 65.Dharijat: 56.
- 66.El-Begaui, Mealimul tenzil, 4/235; el-Kurtubiu, el-Xhami li ahkamil Kuran, 17/55; el-Alusi, Ruhul meani, 15/50. 79Tirmidhiu, menakib, 31; et-Taberani, el-Muxhemul kebir, 3/46, 10/281.