PERSPEKTIVA TË VEPRIMIT
Pikat e përbashkëta
Në ditët tona ka rryma të ndryshme ideore dhe do të ketë. Para së gjithash, njeriu ynë ndodhet në një krizë të thellë shpirtërore. Ndërkaq, siç janë dyshimet që çojnë në kërkim, baza e shkencave, ashtu edhe krizat ideo-shpirtërore janë, në një kuptim, burimi i rrymave ideore.
Në shoqëritë që i kanë siguruar plotësisht sipas kohës nevojat e tyre, dhe që janë në vazhdim të zhvillimit të tyre të natyrshëm, shqetësimet shoqërore janë pothuajse të papërfillshme. Kurse në shoqëritë që nuk i kanë plotësuar nevojat materiale-shpirtërore dhe nuk kanë mundur ta përshpejtojnë zhvillimin e tyre të natyrshëm, me shtimin në vazhdim të presioneve të brendshme e të jashtme, shtohen edhe turbullimet.
Krizat dhe turbullitë shoqërore u përngjajnë shtrëngatave, furtunave e cikloneve, andaj shpesh herë, nisur nga përfundimi, janë të mira, sepse, e shtrënguar prej turbullirave, shoqëria detyrohet të ndryshojë, e kësisoj, arrin të përshtatet me kohën e të ecë me hapin e saj. Po qe se një shoqëri nuk e njeh periudhën që po jeton, po qe se me aksionet dhe reaksionet e saj nuk merr pjesë aktive në ndodhitë e asaj periudhe, është e pamundur të pranosh se ajo shoqëri jeton, sepse ajo ecën në rrugën e një shembjeje të detyruar.
Sot, në shpinë të lëkundjeve e turbullirave që kanë përfshirë të gjithë shoqërinë, pa asnjë dyshim, janë pikërisht këto lloj krizash dhe, me presionin e jashtëm e të brendshëm mbi muret e statukuosë, ka nisma për struktura dhe sendërtime të reja. Kombet që arrijnë të dalin nga kjo lëkundje e trazirë e përgjithshme si dhe nga ky ristrukturim pa u shembur, e marrin pjesën që u takon nga historia duke ngritur një botë krejt të repër vete!
Gjithsesi, nuk mund të mendohet që edhe kombi ynë së bashku me bashkësinë e popujve e kombeve me të cilët jemi të lidhur, të mbeten jashtë kësaj. Dhe kështu do të ndodhë: do të kalojë nga kriza në krizë, do të bjerë nga shqetësimi në shqetësim dhe do të heqë një mijë lloje dhimbjesh, por, më në fund, pa dyshim, do të rilindë ai që është!
Ndërkaq, thelbësore është që, pas gjithë këtyre ndodhive, struktura e re të mund të përgatitet në mënyrë të përsosur, me themel dhe në përputhje me parime të pavjetërsueshme e të palëkundura. Në të kundërt, po qe se ligjet shoqërore nuk njihen dhe mjekimi nuk bëhet mbi baza shkencore, qëndrimet negative e me kahje të kundërt mund ta përmbysin çdo gjë.
Ja, pra, sot, ne, para një gjendjeje të tillë ndodhemi: të jemi apo të mos jemi! Ose, pas gjithë kësaj vorbulle, me një arsye e vetëdije të thellë, do ta themelojmë botën e projektuar të gjithë së bashku si komb e do t’ia arrijmë paqes e qetësisë, ose, për hir të një sërë llogarish dhe interesash të vogla, me një kuptim dhe qëndrim që do t’i bënte të pafrytshme të gjitha vuajtjet e mundimet e hequra, Zoti na ruajttë, do të kthehemi pas e më pas...
Ç’është e vërteta, tema e unitetit dhe e përçarjes është, në ditët tona, njëra prej çështjeve më aktuale që vazhdon ta ruajë rëndësinë e vet. Përtej ruajtjes së rëndësisë në çdo periudhë, kjo temë, në periudhën kur përgatitja sipas një bote të re është e domosdoshme, madje shumë e domosdoshme, është shndërruar në një temë, serioziteti i të cilës vjen duke u shtuar dhe e cila del para të gjitha çështjeve shoqërore. Një antagonizëm dhe përçarje e pakuptimtë, faturën e së cilës populli po e paguan që prej shekujsh, në ditët tona, kur sensibiliteti ka dalë në ballë, ka arritur në përmasa të rrezikshme. Mund të them me shumë lehtësi që, për rilindjen tonë, është e pamundur të përfytyrohet një rrezik më i madh se ky!
Me një strukturë ideo-shkencore mjaft të cekët, me një jetë ndjesore e shpirtërore mjaft të varfër, me një përbërje kuadri e udhëheqjeje të paqenë, shoqëria jonë sot ndodhet në një gjendje për të ardhur keq. Pa asgjësuar një mjedis si ky të ushqyer prej fanatizmit dhe intolerancës, duhet të jetë mjaft e vështirë të mendohet për bashkim dhe unitet.
Sigurisht, sepse mirëkuptimi dhe marrëveshja janë, para së gjithash, një punë arsyeje e logjike. Është një unitet dhe bashkim zemrash mbështetur mbi arsyen dhe logjikën që mund të qëndrojë e të bëhet jetëgjatë. Mirëpo ç’e do se sot bëhet fjalë për një bashkim dhe vëllazërim më shumë sentimental, i cili është i dobët, i pamjaftueshëm dhe jetëshkurtër. Grumbullimet kundër një grupi të caktuar ose bashkimet mbi bazën e ndjenjave armiqësore, strukturimet e përshkuara nga një gjendje shpirtërore agresive ose viktime janë dallgëzime kalimtare të bashkimeve sentimentale. Një unitet i tillë brenda përmasave tona sasiore-cilësore është, pa asnjë diskutim, i pamjaftueshëm për një komb dhe vend të rrethuar nga të katër anët prej armiqve si dhe, sidomos, i tillë që kurrsesi s’mund të quhet i lejueshëm për nga këndvështrimi i parimeve tona të shenjta, dhe që për më tepër nuk shpreh asgjë për të ardhmen tonë kombëtare.
Atëherë, është jashtëzakonisht e nevojshme që, duke llogaritur edhe faktorët përçarës të jashtëm e të brendshëm, të shtrohen për diskutim pikat tona të përbashkëta që do të përbënin bazë për bashkimin kombëtar, si dhe të ritrajtohet çështja e unitetit në mënyrë të arsyeshme e të logjikshme. Sigurisht, ne kemi nevojë që, duke e rishikuar përcaktueshmërinë e shkaqeve, preteksteve, qëllimeve dhe synimeve, t’i kushtohemi me gjithë zemër një marrëveshjeje të ndërgjegjshme. Ndihet nevoja e ngutshme, madje tejet e ngutshme që uniteti ynë, i cili është gur themeli i lumturisë sonë materiale e shpirtërore dhe tokësore e të amshueshme, të jetë, më e pakta, një bashkim si aleanca anglo-saksone dhe uellsiane.
Edhe nëse nuk arrijmë të realizojmë gjëra të tilla që kërkojnë mendje, gjykim e urtësi, si t’i pengojmë armiqtë, t’i bëjmë ata që t’i vënë gishtin kokës e të druhen, të paktën të tregojmë aftësi për të mos rënë në lojën e tyre e për të mos e përgatitur fundin tonë me duart tona! Dhe, në të vërtetë, për këtë jemi të detyruar...
Mendimi dhe botëkuptimi i ndryshëm është rezultat i të qenit i krijuar ndryshe. Kështu ka dashur Krijuesi dhe në këtë ka urtësi dhe mëshirë. Ndërkaq, njeriu është i detyruar që rregullin dhe harmoninë në ligjshmërinë e krijimit, ta sigurojë me anë të vullnetit të vet. Ndërsa në makrobotë sundon imponimi, në botën njerëzore sundon vullneti i lirë në kuadrin e “kushtit elementar”. Edhe nëse krijimi i parë është një favor, çdo krijim tjetër pas tij mbështetet në një shkak. Rruga e meritimit të favorit të bashkimit dhe unitetit social kalon nëpër bashkëshoqërimin e ndërgjegjeve dhe tharmimin ndër zemra të bujarisë dhe dashurisë njerëzore. Prandaj, pa u shkulur dhe hedhur nga ndërgjegjjet egocentrizmi si shprehje e dashurisë pasionante dhe adhurimit të vetvetes, politeizmi i tillë si zëvendësimi i synimeve e qëllimeve me pretekstet, mosnjohja e të drejtës në formën e idesë “kur s’kam unë, të mos kenë as të tjerët”, brutaliteti i njohjes së të drejtës vetëm tek vetja duke i paragjykuar të gjithë të tjerët si mohues, perversë e mëkatarë, pra, pa u shkulur e hedhur nga ndërgjegjjet të gjitha këto, unë, personalisht, marrëveshjen dhe mirëkuptimin i shoh të pamundura!
Para së gjithash, pranimi si gjë normale e ekzistencës së mendimeve të ndryshme jothemelore, si dhe njohja për të gjithë individët e shoqërisë e të drejtës mbi to, qoftë kjo njohje edhe sa delikatesa artificiale që tregohet ndaj një të huaji, janë të nevojshme e të domosdoshme në vetvete si dhe të detyrueshme për unitetin dhe ekzistencën tonë të shenjtë.
Mbetet të themi se ekzistojnë një sërë faktorësh përçarës që nuk duhen nënvleftësuar aspak, të cilët na e kërcënojnë këtë lloj uniteti të domosdoshëm e të detyrueshëm, pranimi i ekzistencës së të cilëve është shprehje realizmi:
Fakti që shërbimet fetare kanë mbetur për një kohë të gjatë pa zot, që pas kësaj kjo detyrë është marrë përsipër dhe kryer nga individë dhe grupe të ndryshme e të ndarë nga njëri-tjetri e sidomos që ka munguar një lider dhe udhërrëfyes që t’i shkonte fjala te këta individë dhe grupe separatiste, është bërë shkak që çdo grup të zërë e të ndjekë një rrugë të veçantë. Një pjesë e këtyre kanë menduar t’i shërbejnë popullit duke hapur kurse Kurani në çdo fshat, një pjesë duke lexuar libra të përgatitur për rigjallërimin e fesë, një pjesë duke përgatitur kuadro në nivel intelektual, kurse një pjesë tjetër, duke zhvilluar veprimtari politike. Kështu, ata janë në rrugën e shërbimit për fenë dhe atdheun, vetëm se të ndarë e veç e veç...
Fakti që secili nga këto grupe e sheh udhëheqësin dhe prijësin e vet si novator, i jep shkak përçarjes edhe nëse ky vështrim është naiv. Sepse, përsa kohë që në ndërgjegjjet e myslimanëve do të ekzistojë konsiderata e novacionit dhe novatorit -dhe kjo do të ekzistojë gjer në kiamet- në periudhat e shtimit të të këqijave kundër fesë gjithmonë do të ketë persona që kanë për të dalë në plan të parë si njerëz të dijes e veprimit, si dhe pasues të tyre. Këta persona të pranishëm në përgatitjen e konstruktit ideo-shpirtëror të masave dhe në fryrjen jetë aspekteve të vdekura të shoqërisë do të quhen novatorë, gjë që, shumë herë, edhe në qoftë e padëmshme për ndjekësit e tyre, ka për t’u shndërruar, në duar të mediokërve e naivëve, në element përçarjeje! Dhe kjo është e pashmangshme!
Edhe në institucionin e mehdiizmit mund të bëhet fjalë për të njëjtat specifika që janë të vlefshme për novatorizmin. Besimi mehdiist në kushtet e intrigës së frikshme të kohës së fundit është, si për bashkësinë, ashtu edhe për individin, si një gomë shpëtimi. Sigurisht, në periudhën kur lidhjet besimore të dobësohen dhe praktika të eliminohet plotësisht, ndihet nevoja e një individi të tillë që të gjitha gjërave që ne na duken të pamundura, t’u vërë në çast emrin e duhur! T’i lëmë mënjanë aspektet e saj utopike, kjo nuk është një specifikë e kritikueshme as për mendimin naiv. Ndërkaq, nisur nga madhështia e atribuuar individit dhe fanatizmi i grupit, bashkësisë, edhe sjellja e përçarjes është fuqimisht e mundur.
Veç këtyre, jemi të detyruar të shtojmë në llogari edhe nxitjen nga jashtë të kontradiktave mes nesh. Është fakt se, si një komb që kemi ngritur perandori e që kemi përcaktuar për shekuj të tërë fatin e njerëzimit, kurrë nuk jemi honepsur dot nga fqinjët dhe bashkëkohësit tanë. Të gjitha sulmet dhe luftërat e zhvilluara pothuaj qysh prej një mijë vjetësh, janë shprehje e një armiqësie të ndjekur kundër kombit tonë. Embargot tregtare të identifikuara me embargot e armëve, qëndrimi indiferent i përcaktuar nga aleatët tanë, madje, përballë disa çështjeve tona ndërkombëtare, për më tepër, fakti që vendet perëndimore e shohin shtetin tonë si një shtet të dorës së tretë edhe mes grupimeve, anëtarë të të cilëve jemi, tregon se vendi dhe kombi ynë ende nuk trajtohen miqësisht. Duhet të jesh i verbër të mos dallosh se në shpinë të këtyre qëndrimeve e trajtimeve të dala mbi ujë, janë të pranishme disa paragjykime negative e keqdashëse.
Këto gjëra aspak pozitive, edhe në u dukshin, nga një këndvështrim, normale në marrëdhëniet ndërkombëtare të bazuara në interesa reciproke, janë një fakt historik. Ky fakt, në shpinë të të cilit qëndron, pa dyshim, një mendësi e caktuar, ka ardhur gjer më sot si një fushë preokupimi të vazhdueshëm të shërbimeve informative të të gjitha ngjyrave.
I njëjti rrezik është i dukshëm edhe sot e kësaj dite, i cili vazhdon të veprojë duke ndryshuar cilësi në krahasim me të shkuarën. Po, në të shkuarën rreziku vinte nga jashtë, pra dhe rezistenca ndaj tij dhe përballimi i tij ishin të lehtë. Kurse tani është shtuar edhe rreziku nga brenda. Për rrjedhojë, edhe përballimi është vështirësuar proporcionalisht. Brezat e sjellë, me anë të marrëzive të tilla si morali afetar, morali nihilist dhe morali masiv, në emër të moralit, në një gjendje të tillë që të mos kenë më respekt për vlerat e shenjta pasi imoraliteti, i cili, si një epidemi që e ka përfshirë tërë shoqërinë, t’i shembë të gjitha parimet që e mbajnë në këmbë një shoqëri, u bënë, me shprehjen më të turpshme, viktima të turpërimit ideor dhe shpirtëror. Dhe sot, këta breza as nuk i bien në të, madje, se brenda ç’rrëmuje rrëqethëse ndodhen!
Është mjaft e vështirë të pretendosh se kjo rrëmujë nuk është reflektuar edhe në pjesën e njerëzve të besimit. Sigurisht, vlerësimi, diku, i botëkuptimit fraksionist, vënia në punë, diku, e natyrave dhe karaktereve, si dhe rrethimi, diku tjetër, i atmosferës etnike, është një specifikë që i duhet kushtuar kujdes po të mos harrojmë se janë momentet të cilave u drejtohen objektivat e jashtëm. Në fakt, nuk ka ndonjë tregues serioz se grupimet që i shërbejnë fesë, kanë rënë nën ndikimin e këtyre faktorëve përçarës, se ushqehen prej tyre e u shërbejnë atyre. Edhe nëse për disa grupe ka pretendime dhe thashetheme të tilla, shenjat se bashkësia e besimit dhe e Kuranit nuk ka për të marrë direktiva nga jashtë, duken të fuqishme. Ndërkaq, është, gjithashtu, evidente se, si rrjedhojë e papjekurisë relative ideo-shpirtërore të grupimeve e bashkësive, mund të ndodhin qëndrime fanatike, gjë që mund t’u hapë rrugën fërkimeve të brendshme. Dhe ky fërkim do të thotë që, pa e kuptuar, t’u bësh shërbim qëllimeve të shëmtuara të armikut!
Qoftë për Turqinë, qoftë për botën islame, për çdo lëvizje që formohet me qëllim shërbimi, rreziqet e mëposhtme janë gjithmonë të pranishme:
Vënia në lëvizje e pasioneve materialo-shpirtërore (post dhe popullaritet) të disa individëve të mëdhenj dhe shtytja e tyre në konkurrencë ndaj grupeve të tjera.
Ecja dhe veprimi në disa përpjekje të vëna në shesh në emër të Islamit, sipas parimit të shembjes së bashkësive apo grupimeve të tjera simotra.
Pritja e fryteve të dijes dhe të virtytit këtu, menjëherë pas përpjekjes apo mundit më të vogël, ndërkohë që vendi dhe koha ku do të arrihen këto fryte, është jeta tjetër e cila konsiderohet një perspektivë e largët.
Për ta thyer ndikimin e një kuadri të fuqishëm që pëlqehet e ndiqet me dëshirë, nxjerrja e një grupi të ri kuadrosh si kundërvënie dhe, duke krijuar fërkime të brendshme me anë të kësaj alternative të re, shkrirja dhe konsumimi i një grupimi me anë të copëtimit të brendshëm.
Ndërsa ata që i shërbejnë kombit, kanë për parim jetese dashurinë për profesionin dhe punën e tyre, zëvendësimi i kësaj me preokupimin me armiqësinë ndaj të tjerëve duke eliminuar, kështu, një pretekst të rëndësishëm të orientimit hyjnor.
Si shtesë për këto mund të përmendim edhe faktin që masat, duke u kapur pas ca mendimeve e sistemeve fantastike të cilat nuk kanë mundur ta kënaqin njeriun tonë, prej të cilave njeriu ynë ka mbetur në një boshllëk ideo-shpirtëror, janë larguar në përmasa të mëdha nga jeta ideoshpirtërore...
Po, ndërsa njeriu ynë, nga njëra anë, lihej i privuar prej mbështetjes dhe rregullave të botës së brendshme, edhe fakti që, nga ana tjetër, ndodhet i larguar prej linjës së vet kombëtare me anë të motiveve dhe faktorëve nxitës të brendshëm, që një pakicë e lumtur e shkujdesur dhe çakërrqejfe i nxori në skenë për llogari të ndjenjave kafshërore, është një çështje më vete mbi të cilën ia vlen të qëndrohet.
Specialistët sociologë dhe antropologë janë të një mendjeje, se s’njihet të ketë jetuar mbi tokë ndonjë fis i pafe. Gjer tani, në asnjë periudhë të historisë e në asnjë pikë të sipërfaqes së tokës nuk është takuar ndonjë shoqëri e pafe! Ndjenja fetare është e natyrshme dhe e bashkëlindur. Është e qartë se privimi i njeriut nga kjo ndjenjë u hap rrugë një sërë depresionesh individuale e shoqërore. Njerëzimi me zemrën dhe ndërgjegjen të lëna në uri, me siguri që do të kërkojë, sistematikisht apo josistematikisht, sipas vetes, rrugët që do ta kënaqnin këtë uri, duke u përpjekur ta shuajë këtë nevojë të natyrshme. Kurse çështja se për ç’konfuzion do të bëhet shkak një shumëllojshmëri rrugësh të tilla brenda së cilës çdo natyrë do të ketë formuar rrugën e vet, është e hapur për çdo interpretim: anarkia sociale e vlerave dhe, si rezultat i kësaj, një konfrontim i përgjakshëm... Ja, pra, filozofia e jetës e hedhur në shesh me një natyrë të pambrojtur, dhe ja pra, vatani i shkatërruar ku sundojnë një mijë e një ngatërresa!..
Veçanërisht, krahas gjithë këtij konfuzioni të madh, edhe gjendja e të çoroditurve është një çështje më vete dhe serioze, e vlefshme për t’u përqendruar mbi të. Ka nja dy shekuj që është mjaft e vështirë të kuptosh se ç’thonë e ç’shkruajnë të dashuruarit pas Mehlika Sulltanit, të cilët kur thuhet “vatan”, kuptojnë “turanizëm”, kur thuhet “komb”, kuptojnë “fashizëm” dhe, kur thuhet “fe”, kuptojnë “reaksion” dhe “prapambetje”! Karbonarët tanë të çuditshëm e pa pasur asnjë llogari serioze, të cilët një herë e një kohë i patën lidhur të gjitha rrugët me Perëndimin, të cilët qenë ngjitur për pushime në zonat klimatike të Perëndimit dhe patën organizuar udhëtime për në brigjet perëndimore, më pas, me të gjitha fuqitë, nisën ta qëllojnë me breshëri Perëndimin në cilësitë e tij si kapitalizëm dhe imperializëm. Kjo do të thoshte se as oksidentalizimi tek ne nuk ishte si rezultat i një llogarie të caktuar, as dhe kthimi i shpinës ndaj sistemit të tij duke u dhënë pas sevdave të tjera ishte sipas një plani dhe llogarie çfarëdo, por vetëm një dashuri pa shpirt dhe një hap aventuresk...
Si përfundim, mund të themi se, ndërsa shkatërrimi i vlerave fetare e kombëtare në këtë periudhë, nga njëra anë i hapte rrugë përgatitjes së një grupimi ateist e mohues, nga ana tjetër, veprimtaria e disa grupimeve të veçanta të paorganizuara dhe të painformuara për njëra-tjetrën, të cilat, në përpjekjet për plotësimin e një sërë nevojash legjitime, përcaktonin për vete nga një fushë fetare e shoqërore ku kryenin shërbime, i hapi rrugën shfaqjes së shumë bashkësive fetare. Ndërkaq, fakti se herë-herë mes këtyre grupimeve u zhvilluan polemika të ashpra, grindje të rrezikshme dhe konfrontime serioze, është një e vërtetë. Sidomos kur pastërtia shpirtërore dhe sinqeriteti si esencë e veprimtarisë nuk qenë kuptuar dhe në mes patën hyrë egoizmi dhe pretendimi për monopol të mendimit, konfrontimi pati arritur përmasa të patejkalueshme.
Falënderuar qoftë dora bujare që, në këto kohëra shqetësimesh të mëdha, kur është e vështirë të ruhet edhe ajo që ekziston, na bëri të shohim zhvillime të mëdha e fryte të reja, iu bëfshin fli shpirtrat Zotit tonë që na solli gjer këtu!
Ndjenja e grupimit ekziston në natyrën e njeriut dhe është e natyrshme që të kërkojë të realizohet. Çështja është që këtë ndjenjë ta bëjmë të padëmshme, madje, të dobishme! Kjo ndjenjë e paorientuar kah e mira, shpesh herë zhvillohet në një drejtim të kundërt me interesat e njeriut, me natyrën e tij, duke u bërë e dëmshme si për të, ashtu edhe për të tjerët. Për sa kohë që kjo ndjenjë mbështetet me aspektet e ulëta të njeriut si injoranca, verbëria, fanatizmi, mund të kthehet në çdo çast në një grindje e përleshje të përgjakshme. Nga ana tjetër, gjithmonë ekziston mundësia që, në raport të drejtë me përhapjen e dijes dhe kulturës, mirëkuptimit dhe tolerancës, të sendërtohet një mjedis afrimi e marrëveshjeje, dhe mes grupeve të përvijohet një linjë paqeje. Pandeh se, kështu, brenda krijimit dhe ligjeve të tij, reaksionet tona frenohen pjesërisht, egërsia dhe zemërimi vihen nën zotërim.
Sajimi i kontradiktave me pretekste të parëndësishme pasi drejtësia e kauzës dhe uniteti i qëllimit e i parimeve themelore të jenë të forta, me rrënjë e të palëkundshme, aq sa ta bëjnë dallimin metodik të pandikueshëm, është shprehje e një fraksionizmi fëminor, e mosnjohjes së të drejtës dhe e mungesës së prirjes për të mirë. Duke i mbetur besnik të vërtetës se rrugët që të çojnë te Allahu, janë sa numri i krijesave të Tij, çdo përpjekje në këtë drejtim duhet miratuar, çdo udhëtar i një rruge të tillë duhet konsideruar i çmuar dhe çdo shërbim duhet duartrokitur.
T’i shohësh të tjerët si të zhytur në mohim dhe perversitet ose t’i quash mëkatarë, është një mendësi edhe e padobishme, edhe e rrezikshme. Për mua, çdo njeri duhet të tregojë se cila është rruga e tij, ta bëjë të njohur dhe ta këshillojë atë dhe të jetojë me dashurinë për të. Ky qëndrim, siç është i mençur dhe logjik, është edhe kërkesë e besimit dhe Kuranit. Kështu, çdokush vepron me dashurinë për rrugën e tij pa ushqyer zili për grupet e tjera. Kritikat e drejtuara atyre nuk janë destruktive, thyese e zemërake. Fitimin e konsideratës nga grupi i vet nuk e sheh në kundërvënien dhe mohimin ndaj një grupi tjetër. Atë e sheh si vëlla dhe nuk ia rrëmon të metat. Kur ia vë re vlerat dhe sukseset, e miraton dhe gëzohet. Shkurt, nuk e heq nga mendja për asnjë çast se bashkë me të gjithë ndodhet në një garë për të mirë dhe se është i detyruar së bashku me ta të bartë një thesar të vyer. Kur të ndodhë kështu, çdokënd që ecën në të njëjtin drejtim, e quan si ndihmës, nderon çdo sukses, duartroket çdo arritje dhe puth çdo dorë ndihme.
Kështu patën menduar njerëzit në Periudhën e Profetësisë të Profetit Muhamed dhe jeta praktike në këtë linjë mendësie pati përparuar. Megjithëse faktorët afrues qenë shndërruar në vetëdije, megjithëse mendësia e vëllazërisë qe ngjitur në një nivel shumë të përparuar, nuk qenë prekur aspak dhuntitë e veçanta që përfaqësonin lulet dhe frytet e veçanta!
Konsideratat e veçanta aspak të nënvleftësueshme të një Ebu Dheri dhe Abdurrahman b. Avfi, të një Bilali dhe Osmani (r.a) si dhe pikëpamjet e tyre të ndryshme për hollësirat kurrë nuk qenë paragjykuar.
Mendësia e fisit dhe e gjakut nuk është prekur gjer në atë masë ku diskutohej uniteti social. Po, ashtu si nuk u prek titulli i nderuar i muhaxhirit dhe i ensarit, ashtu dhe fama e fiseve Evs dhe Hazrexh ka mbetur e gjallë përjetë. Duke i thënë, “Ngrihiuni në këmbë Profetit tuaj” fisit të Sa’d b. Muadhit, është mbështetur tradita njerëzore dhe, duke u çuar në luftë çdo fis nën flamurë të ndryshëm, oxhakët mbrojtës janë djegur për llogari të fitores dhe triumfit të kauzës së përbashkët. Madje, janë mbyllur sytë para krenimeve mes tyre me kusht që të mos kalohet në grindje. Çdo gjë e shfaqur në formën “ata që e mësojnë Kuranin, janë tanët, këta janë tanët, ata janë tanët”, është pritur pothuajse gjithmonë me mirëkuptim dhe, në një kuptim, këto trajtime, për grupin në fjalë që lartësohej me shpejtësi, kanë përbërë një projektim lartësimi.
... Po, që të gjitha këto ekzistonin, por edhe marrëveshja dhe harmonia ekzistonte. Ashtu si në harmoninë e zërave në një simfoni, çdo njeri që përpiqej të fitonte pëlqimin hyjnor, “këndonte” në përputhje me ritmin e përgjithshëm sepse çdokush ishte i pjekur shpirtërisht, kërkues i së drejtës, i pasionuari i shkëlqimit të gjërave që njihte si të shenjta dhe që kërkonte që traditat të lartësoheshin. Për atë s’kishte aspak rëndësi se kush e bënte a e drejtonte këtë punë. E ç’rëndësi kishte për të, nëse pasi lindte dielli e bëhej mëngjes, i jepej mbretërim a lypësi!..
Ndihmëtarët dhe apostujt e Lindjes së Re kanë për të qenë altruistë të mëdhenj që e kanë harruar lumturinë e vet për hir të të tjerëve dhe ata që, me kënaqësinë dhe lumturinë e mjedisit përreth, do të kenë ngritur në zemra parajsë.
Njëri prej grupimeve të kohës sonë dhe, ndoshta, më i rrezikshmi, është grupimi i mbështetur në racën dhe gjakun. Ky është me burim të jashtëm dhe kjo është një e vërtetë kategorike sa asnjë intelektual s’mund ta vërë në dyshim!
Në një periudhë kur grindjet, më në fund, zhvillohen mes blloqesh, kur ideologjitë përplasen me njëra-tjetrën duke përfshirë brenda tërë njerëzimin, dhe kur në botën e kthyer në një fshat të madh, kombet kanë formuar njësi dhe grupime të caktuara, një mendësi e tillë raciste është mjaft e çuditshme. Sidomos trajtimi i njerëzve që ndodhen në të njëjtën zonë e që kanë të njëjtën strukturë sociologjike, në formën e grupeve të ndryshme etnike, është mjaft qesharak dhe, po kaq sa është qesharak, është edhe jashtëzakonisht i rrezikshëm përsa i përket përgatitjes së heterogjenitetit të së nesërmes. Është qesharak sepse, në vendin tonë i cili është bërë skenë e afrimit dhe shkrirjes me njëri-tjetrin të fiseve si përfundim i jetesës së përbashkët prej shekujsh, të kërkosh gjënë që i themi
“gjak i kulluar”, është si të kërkosh të dish ç’ka në “Levhi Mahfudh”! Mbetet të themi se në veri, në jug, në lindje e në perëndim, shkurt, në çdo anë të Anadollit tonë ka të vendosur formacione sociale mjaft të dallueshme, dhe brenda secilit prej tyre, grupe të formuara me pretendime racore. Gjithashtu dihet me siguri se secili prej këtyre grupeve ka rënë, me dashje a pa dashje, në këtë situatë qesharake. Atëherë, me thirrjen se përveç përgjigjes pozitive ndaj ftesës gjithëpërfshirëse të zbulesës hyjnore, nuk ka mbetur as zgjidhje e as një mbështetje e përshtatshme tjetër, mund t’i bëjmë zë kështu njeriut tonë: “Lidhuni fort të gjithë pas litarit të Allahut dhe kurrsesi mos u përçani dhe të ndaheni!” Ashtu si dje, është e mundur që edhe sot të arrijmë të realizojmë një vëllazërim të tillë! Mjafton që kjo çështje shumë serioze të trajtohet nën objektivin e shprehjes hyjnore dhe sipas parimeve të mendjes e logjikës!
Më në fund, jemi të detyruar që të gjitha çështjet tona t’i trajtojmë, jo mes një euforie ndjenjash dhe emocionesh, por në kuadrin e parimeve tona të shenjta si dhe në formën e një kontrate sociale. Sepse, shfaqja e alternativave të ndryshme të prodhuara nga qendrat e jashtme dhe e një pjese grupesh interesash nga mesi ynë, përveç kësaj, edhe lëkundja e ndjenjës së respektit ndaj qëllimeve e idealeve të shenjta, po kështu, fakti që vendin e çështjes së madhe kombëtare e, lidhur me të, të koncepteve të larta e kanë zënë një sërë llogarish dhe interesash të vogla, e bën të domosdoshme forcimin e lidhjes mes njëri-tjetrit. Dhe kjo bëhet duke hedhur në shesh të gjitha aspektet e përbashkëta e duke bërë drejtpeshimin e tyre me faktorët ndarës. Aspektet e përbashkëta si parimet e njëjta të besimit, uniteti në akt dhe adhurim, pastaj vatani dhe kultura e njëjtë, i njëjti fat i përbashkët, i ëmbël a i hidhur që i kapërcen shekujt, i njëjti armik i jashtëm. Sigurisht, kur të gjitha këto janë elementë më bashkues e unifikues se edhe gjërat më të larta, është e qartë se, para këtyre, elementet që do të kërkonin ndarjen, janë gjëra që s’ia vlen të shënohen!
Në esencë, kjo çështje është trajtuar kështu edhe nga ana e Profetit. Ashtu siç është pranuar dhe përcaktuar Fjala e Dëshmisë, shehadeti, si parimi më i madh, është bërë edhe simboli i paprekshmërisë së çdo individi që e shpreh. Ka shumë ndodhi si zemërimi i rëndë ndaj Usames dhe qortimi i ashpër i tij, përzënia e Muhallemit për të mos e parë më me sy, të cilat e nxjerrin krejt sheshit se ç’është parimi dhe lidhja përparësore sipas Përfaqësuesit të Sheriatit.
Kur çështja parashtrohet në këtë mënyrë, si mund të interpretohet me anë të besimit dhe bindjes pamundësia për t’u marrë vesh e për të mos u afruar me ata që besojnë, që bien në sexhde e që drejtohen kah kibla; akoma më keq, fajësimi i tyre si mohues, perversë e mëkatarë? Më tej, kur ata që veprojnë kështu, të jenë njerëz me ndikim mbi masat, a nuk kemi të bëjmë sa me shkatërrim, aq dhe me mëkat dhe krim? Po, më fatkeqët në çështjen e këtij çekuilibri të përgjithshëm janë imamët, liderët dhe udhëheqësit, një gabim i të cilëve reflektohet në mijëra njerëz për shkak të pozitës së tyre shoqërore.
Mendojmë se është me dobi t’ua kujtojmë edhe një herë të gjithë prijësve, liderëve e udhëheqësve çështjen e riparimit të ndërgjegjes së përgjithshme!
Dashuria t’ju jetë për hir të Allahut, urrejtja, për hir të Allahut, zemërimi, për hir të Allahut! Ejani t’i japim fund, më në fund, egoizmit, sepse ai që e jep veten pas egos, e ka të pamundur t’i bëjë të kënaqur si Zotin ashtu edhe popullin e tij! Ejani t’i duam miqtë brenda përmasave të së drejtës dhe të mos heqim dorë nga bujaria ndaj tyre! Të jemi syçelët ndaj intrigave të armiqve dhe të mos biem në lojën e tyre! Të mos i bëjmë ndryshimet në mendim dhe gjykim, pretekste armiqësie! Në të kundërt, t’i përdorim ato si një pretekst pasurie!..
Duke kujtuar edhe një herë se zemërimi dhe urrejtja nuk kanë zgjidhur gjer tani asnjë çështje, duke besuar se fitorja mbi individët do të vijë vetëm me anë të bindjes, le të betohemi edhe një herë për bashkim dhe unitet!
Thirrja çdo personi që takoni, “Ejani të bashkohemi”, sikur të ishit ndonjë apostull bashkimi, është një propozim pa vend. Më tej, sikur duke e bërë këtë ftesë, ta bëni me formën sikur po e ftoni në grupin tuaj, s’do të shfaqni gjë tjetër veçse një mungesë respekti të tërë, sepse një qëndrim i tillë gjer më sot nuk ka vlejtur për gjë tjetër, veçse për ta ngacmuar edhe te përkrahësit e të drejtës, madje, përparësinë e grupit mbi të tjerët. Përkundrazi, po qe se, kur takohemi me të tjerët, i ngremë lart shërbimet e tyre dhe tregohemi të respektueshëm ndaj udhëheqësve dhe të mëdhenjve të tyre, arrijmë të zbusim edhe tipat më të ashpër!
Është shumë e rëndësishme që, duke e parë gjithësinë me syrin e djepit të vëllazërisë, të kërkojmë rrugën e krijimit të lidhjes me çdo qenie, sidomos të tregohemi ndaj besimtarëve absolutisht të butë e të hapur ndaj difuzionit.
Duhet, gjithashtu, të mos kritikojmë as urtësitë e zbatuara nga dora bujare që na ka drejtuar dhe sjellë gjer këtu. Kush e di, ndoshta do të duhet që tërë bashkësia e cila s’e ka kuptuar ende orientimin, të mbetet edhe për një kohë të caktuar në gjendjen ekzistuese!
Dhe që të gjithë ne, duke e hedhur kritikën mënjanë, të jetojmë pak edhe duke thënë fjalë të mira, miratuese e vlerësuese që edhe Allahu të na ndihmojë!..
Njeriu i shërbimit
Njeriu i shërbimit duhet të jetë i gatshëm e i vendosur që, për hir të çështjes së zemrës, të kalojë edhe lumenj gjaku, dhe kur t’ia arrijë qëllimit, të jetë aq i pjekur sa t’ia japë çdo gjë të zotit, kurse para Krijuesit të Lartë të jetë i respektueshëm e me edukatë!.. Duke përmendur dhe miratuar çdo zë të kushtuar shërbimit për kauzën, duke e vlerësuar çdo individ të çmuar e të lartë, duhet të jetë i ekuilibruar duke i besuar vullnetit të Zotit për të mos i idhujtarizuar personat që do t’i duartrokasë për sukseset e tyre!.. Duke e caktuar para të tjerëve veten me përgjegjësi dhe detyrë për të marrë përsipër një punë të mbetur përgjysmë, ndaj kujtdo që vrapon në ndihmë për kapjen dhe ngritjen në këmbë të së vërtetës, duhet të tregohet i matur e i respektueshëm!.. Kur institucionet t’i jenë shembur, planet t’i jenë prishur, bashkimi t’i jetë shpërbërë dhe forcat t’i jenë shkatërruar, duhet të jetë jashtëzakonisht besimtar dhe optimist, kurse kur të jetë ngritur përsëri në këmbë dhe të ketë arritur majat, duhet të jetë i thjeshtë e tolerant!.. Duhet të jetë racional dhe parashikues që ta pranojë qysh në fillim se kjo rrugë është me të përpjeta e tatëpjeta; edhe sikur t’ia presin rrugën humnera skëterrore, madje, duhet të ketë bindjen dhe vendosmërinë se ka për t’i kapërcyer!.. Si dashnori i marrë i çështjes për të cilën ka lënë peng kokën, duhet të jetë aq besnik sa ta flijojë jetën për të dhe të jetë burrë dhe bujar sa të mos i përmendë e të mos kërkojë shpërblim për ato që ka bërë!..
Burrave të këshillës
Profeti ynë ka bërë haxh vetëm një herë, por e gjithë jeta i ka kaluar me kumtesë e këshilla!
* *
Ata që nuk bëjnë punë shpërblyese për të mirat e dhuruara nga Allahu, thajnë çezmat e veta.
* *
Disa herë lotët mund të bëhen pretekst për fitimin e shumë zemrave!
* *
Madhështia duhet kërkuar jo në punët e mëdha e në planet e mëdha, por në synimin nga njeriu të pëlqimit hyjnor dhe në thënien nga Allahu, “Unë jam i kënaqur me ty!”
* *
Kurrsesi mos e lër ta hedhësh farën kur mblidhen prodhimet se të shkon dëm përpjekja e dy stinëve!
* *
Është kusht që, kush beson, ta bazojë besimin në veprim. Kur besimi dhe veprimi t’i vënë ndjenjat e personit nën kontroll, te ai fillon të shfaqet orientimi...
* *
Bëmat tona në arën e Zotit janë si bëmat e personave në arën e shtetit.
* *
Nëse gabimet që bën njeriu, i krijojnë shqetësim atij, do të thotë se ai njeri është në gjendje ta ndajë të mirën nga e keqja!
* *
Armiku i suksesit është rehatia, luksi. Suksesi i myslimanëve është vetëm te jetesa e thjeshtë, si komando.
* *
Nëse keni shumë vezë dhe zogj, mos i fusni të gjithë në një shportë!
* *
Edhe nëse masat paraprake nuk e ndërrojnë fatin, fundja, e shpëtojnë njeriun së hedhurit gurë fatit!
* *
Pandehma e mirë është tjetër, pandehma e mirë dhe mosbesimi, tjetër. Përcaktimi i vendit të këtyre është punë e burrave trima!
* *
E rëndësishmja në kumtesë është që çështja e kumtuar t’i afrohet sinqeritetit dhe të pritet mirë. Askush nuk duhet të përpiqet t’u kumtojë diçka atyre me nivel më të lartë se vetja, sepse mund të bëjë të kundërtën e asaj që synon. Nuk duhet t’i tregojë fëmija të atit, nxënësi mësuesit, çiraku ustait. Fakti që Ebu Talibi nuk e dëgjoi Profetin është një çështje e denjë për të qëndruar mbi të!
* *
Nëna dhe babai nuk flijohen për asgjë. Por, nëse ata thonë, “Mos i shërbe Islamit!”, nuk u dëgjohet fjala. Por ai që u bindet prindërve me përjashtim të këtij rasti, gjen begati në jetë!
* *
Besimtari është përfaqësuesi i besimit dhe sigurisë mbi tokë!
* *
Edhe sikur të ketë të drejtë, njeriu nuk duhet të debatojë me të atin. Ndjenja e madhështisë është e pranishme, pjesërisht a plotësisht, te çdokush. Zemërimi nuk është i pëlqyeshëm, por, nëse njeriu pajiset me edukatën muhamedane, e mban veten rëndë para armiqve dhe modest para besimtarëve.
* *
Nëse një botim që është armik i Islamit dhe e sulmon atë duhet lexuar modeomos, të paktën duhet lexuar me vëmendje!
* *
I keqi që është dhënë pas të keqes, duke u sjellë ndaj njerëzve njerëzisht, mund t’i parandalojë të këqijat e veta. Duhet kujtuar fjala e urtë që thotë “Njeriu është robi i së mirës...”!
* *
Njerëzit e vegjël për nga vlerat personale mbajnë përreth vetes gjithmonë njerëz të vegjël e pa personalitet, duke menduar se, kështu, do të duken pak më me vlerë.
* *
Shpesh herë djalli nxjerr nga rruga njerëz që jetojnë pa ndonjë orientim. Personat që nuk këshillojnë për të mirë dhe nuk ndalojnë të keqen, mbeten të privuar prej zbulesës hyjnore. Tek këta, kurrsesi nuk mund të ketë frymëzim. Mund të shkruajnë libra, por gjërat që shkruajnë, janë të errëta, pa bereqet. Janë ata që këshillojnë për mirë dhe pengojnë të keqen, të cilët përfitojnë gjithmonë prej frymëzimeve hyjnore. Prandaj ne do të lexojmë, do të mendojmë dhe do të përpiqemi t’i tregojmë çdokujt diçka në mënyrë që të mbetemi shpirtërisht të gjallë!..
* *
Shqetësimi i çdo udhërrëfyesi në këto kohë duhet të jetë vetëm pëlqimi i Allahut; asnjë mendim dhe ndjenjë materiale nuk duhet të përbëjë synim për të. Ai duhet të mendojë kështu: “Po qe se një ditë rruga ime do të arrinte në Xhenet, do të desha që edhe atje të gjeja një fytyrë të njohur që t’i flisja për të drejtën dhe të vërtetën!” Ja, pra, portreti ideor i njeriut ideal të kauzës për të cilin ndjejmë nevojë në kohën tonë!
Besimi i më të lartëve
Ta mbajmë idealin tonë të shërbimit për njerëzimin për hir të Allahut mbi çdo lloj dëshire materiale e egoiste, ta vëmë atë para çdo kërkese, të jemi të vendosur, pas gjetjes dhe mësimit të së vërtetës, për të sakrifikuar të dashurit dhe çdo gjë që na e do zemra, t’i hapim rrugët që çojnë në lumturinë e brezave të ardhshëm duke u vënë gjoksin, në emër të idealit tonë të lartë, ngjarjeve më të papërballueshme, të jetojmë për lumturinë e të tjerëve duke u zhveshur prej të gjitha kënaqësive materiale e shpirtërore, të rrimë larg prej luftës për pozitë dhe dëshirës për përfitim duke u nisur nga filozofia “të parët në shërbim e të fundit në shpërblim”, janë synimet e ekzistencës sime nga të cilat nuk do të heq dorë kurrë!
* * *
Ashtu siç ndodh që, për shkak të pozitës, çdo lloj vetie e shprehie e mirë e atyre që ndodhen në krye të një aksioni apo lëvizjeje, duke u shumëfishuar, do t’u reflektohet atyre që ndodhen pas a u shkojnë pas, ashtu edhe ndodh që shprehitë dhe sjelljet e papërshtatshme, duke i larguar pasuesit nga origjina, mund t’i kthejnë ata në shpirtra të mjerë dhe imitues të zvetënuar të një bote tjetër...
Therorët e dashurisë
Botët e ndriçuara e të lumtura të së ardhmes do t’i ngrenë vetëm heronjtë e dashurisë, me zemrat ngritur peshë nga dashuria. Heronjtë e dashurisë me buzë të qeshura nga dashuria, me zemrat të gatuara me dashuri, me vështrimet të mbushura me dashuri për njeriun, heronjtë që marrin mesazhe dashurie nga diejt që lindin e perëndojnë, nga yjet që ndizen e shuhen...
* * *
Edhe zemërimi dhe tërbimi madje i therorëve të dashurisë të cilët e kanë përshtatur veten ndaj mjedisit duke marrë si masë dashurinë, meqë paraqesin seriozitet dhe dashuri sepse kanë veprim rregullues e drejtues, konsiderohen gjithmonë sendërtues e të dobishëm.
Qëllimi dhe mjeti
Në çdo hap dhe në çdo punë në fillim duhet përcaktuar qëllimi dhe synimi në mënyrë që njeriu të mos kapet e pengohet nga pretekstet. Po qe se në shërbimet për kombin nuk i jepet shpirtit orientim, e nuk i tregohet synimi, mendimet kthehen në vorbull, kurse ata që shërbejnë, bien viktimë e tyre...
* *
Në platformën e mendimit, qëllimi dhe synimi duhet të zënë gjithmonë vendin e parë, vendin e shquar, ndryshe, shkohet në një shumëllojshmëri çështjesh të barazvlerësuara dhe bihet në hutim. Sa e sa nisma tërheqëse ka që kanë mbetur shterpë për shkak të konfuzionit të qëllimeve e mjeteve, që jo vetëm nuk kanë arritur asnjë rezultat të dobishëm, por kanë lënë pas veç urrejtje e neveri.
* *
Në perspektivën e çdo njeriu të lëvizjes e aksionit, Krijuesi i Lartë dhe pëlqimi i Tij duhet të zënë vend para çdo gjëje tjetër! Ndryshe, mund të shkohet në hyrjen në mes të idhujve të ndryshëm, në dukjen e gënjeshtrës si e vërtetë, në maskimin e dëshirave e pasioneve si ide dhe në kryerjen e krimeve në emër të fitores...
* *
Grimca e punëve të bëra orientuar kah pëlqimi i Zotit ka vlerën e një dielli, pika, vlerën e një deti dhe çasti, vlerën e përjetësisë... Në është kështu, edhe sikur botët, në një rrugë të papëlqyeshme për Të, të kthehen në parajsë, e kanë vlerën zero dhe janë një mundim në kurriz të të zot. Vlera e preteksteve dhe mjeteve është në përpjesëtim të drejtë me atë se sa afrojnë ato në qëllimin e caktuar dhe me saktësinë dhe mungesën e defekteve në këtë afrim. Prandaj, pretekstet që nuk afrojnë apo çojnë në qëllimin e përcaktuar, për më keq, që bëhen pengesë në këtë rrugë, janë konsideruar të mallkuara, të mangëta në mëshirën hyjnore. Edhe mallkimi i rënë mbi botën për këtë është, sepse bota në vetvete, si pasqyrë e mijëra shfaqjeve të Emrave Hyjnorë e si një ekspozitë e shkëlqyer, e vlen edhe të duhet, edhe të duartrokitet!
* *
Ekzistojnë lloj-lloj rrugësh dhe pretekstesh e mjetesh për ta kapur e ngritur në këmbë të vërtetën. Këto rrugë janë të vlefshme me aq sa e zhvillojnë më tej idenë e së vërtetës dhe respektin për të. Nëse një shtëpi siguron harmoninë mes atyre që strehohen në të, nëse në një faltore te bashkësia që mblidhet nën kubenë e sajtharmohet ideja e pafundësisë, dhe nëse një shkollë u jep krahë nxënësve të saj duke u ushqyer besim dhe shpresë, do të thotë se e kryen detyrën e saj si pretekst dhe mjet, për rrjedhojë, është e shenjtë. Në të kundërt, të gjitha këto janë nga një kurth shtrigan më vete që ia kanë prerë rrugën njeriut. Po kështu edhe shoqatat, fondacionet apo partitë politike!..
* *
Çdo themelues institucioni të vogël a të madh duhet ta kujtojë shpesh qëllimin e themelimit të atij institucioni në mënyrë që puna të mos shmanget nga qëllimi i vet dhe të jetë e frytshme. Në të kundërt, çerdhet, shkollat, konviktet me qëllimin dhe synimin e themelimit të harruar, krejt ashtu si njeriu që ka harruar qëllimin e krijimit të vet, ecin në një vijë me kahje të kundërt me synimin e vet, pra pse jo, në dëm të vet...
* *
Monopolizimi i idesë dhe vështrimi i së vërtetës vetëm në anën e vet, janë shprehje pretekstualiteti dhe mungese synimi. Nëse neveria dhe urrejtja e ndjerë për njerëzit që kanë të njëjtat ide dhe ndjenja, s’janë si pasojë e mungesës së kuptimit mbi synimin dhe qëllimin, ç’janë? Eh, ata që mendojnë ta qeverisin gjithësinë sipas gjeometrisë së tyre të prishur, s’janë veçse krijesa të mjera, skllevër të egos që ai s’pranon t’i çlirojë...
Këshillimi
Këshillimi është një rrugë e rëndësishme për t’i përftuar pakufishmëri mendjes së kufizuar dhe mendimit të kufizuar!
* *
Nuk ka shtet të pasur dhe ushtri të fortë sa këshillimi!
* *
Për sahabët, shokët e Profetit, thuhet: “Punët e tyre ata i kanë kryer duke u këshilluar mes tyre!” Kështu, për lavdërim, ata përmenden jo për atribute të tjera, por për këshillimin!
* *
Ai që është edhe disa hapa më tej më i mençur se i mençuri, është ai që u jep vlerë edhe mendimit të të tjerëve!
* *
Këshillimi është pastruesi më i dobishëm për ta kruar ndryshkun në mendim!..
* *
Nëse dy mendje janë më të dobishme se një mendje, qindra mendje janë me të tepërt më të dobishme se një mendje. Ja, pra, këshillim do të thotë të bëhen bashkë shumë mendje.
* *
Ata që nuk u drejtohen mendjeve të të tjerëve se u besojnë mendjeve të veta, edhe sikur gjeni të jenë, konsiderohen jo të mençur sepse kanë hequr dorë prej këshillimit që i përfton gjykimit një thellësi të rëndësishme!
Maturia
Maturia është një qëndrim me rëndësi përballë mundësive të dëmtimit në një punë ose hap, një qëndrim me vlerë për të mos rënë në qarje e rënkime prej fatkeqi. Ka sa e sa nismëtarë që, për shkak të mospërgatitjeve paraprake të duhura, në fund ose rrahin gjunjët, ose i hedhin gurë fatit. Kështu, ata bëjnë dy gabime: e para se nuk marrin masat e duhura, e dyta, se, pastaj, kritikojnë fatin!
* *
Sa i madh të jetë rezultati i vënë si synim në një nismë apo hap, po aq i rëndësishëm është edhe respektimi i masave që duken të domosdoshme për atë qëllim. Për rrjedhojë, po qe se një person nuk e rregullon punën duke llogaritur edhe fitimet me humbjet në atë masë sa ç’është përgjegjësia që ka marrë përsipër, ai është ose një aventurier, ose një trashaman naiv. Hapi i bërë prej kokëtrashëve të tillë është më i dëmshëm se pasiviteti i tyre!
* *
Masat dhe maturia janë një kapital i madh për njeriun në përpjekjet për të arritur atë që shpreson. Kurse plogështia ose nënvleftësimi më i vogël që tregohet në këtë drejtim, është një nga gabimet e mëdha që në përfundim bëhet shkak për fajësime. Njeriu i mençur është ai që pa dalë ende në shesh të metat e mundshme, gjen zgjidhje për t’i mënjanuar ato, duke i vënë gjërat nëpër vendet e veta. Të parët tanë kanë thënë: “Duhet ta kapësh hajdutin para se të të kapë ai ty!” Ndryshe, do të rrish e të fajësosh sa hajdutin, sa fatin!..
* *
Çdo punë njeriu duhet ta nisë me një plan dhe masa paraprake. Kurse, si përfundim, duhet pa tjetër të ruhet prej gjërave që nuk premtojnë ndonjë vlerë dhe dobi materiale-shpirtërore. Çdo nismë e marrë pa i pasur parasysh të gjitha këto, është një kotësi, dhe preokupimi me kotësira është provë e papjekurisë mendore dhe fëmijërisë së personit.
* *
Forcën dhe vlerën e vet, njeriu e provon dhe e vë në shesh me anë të sukseseve të arritura përmes provash të vështira dhe kushtesh të papërshtatshme. Kurse suksesi në shërbimin e kryer në kushte të rënda varet para së gjithash prej hartimit të një plani dhe, pastaj, veprimit sipas tij. Sipas kësaj, forca dhe vlera e një njeriu është në përpjesëtim të drejtë me sukseset e tij, kurse sukseset, me vendimet e marra para këtyre nismave.
* *
Ashtu si maturia është krejt e ndryshme prej frikës dhe ngurrimit për të vepruar, ashtu edhe veprimet e pakontrolluara s’kanë asnjë lloj lidhjeje me guximin dhe trimërinë. Ndërkaq, teprimi në maturi mund të sjellë disa dëme, por këto pa diskutim që janë lokale dhe të riparueshme. Kurse veprimet spontane dhe sjelljet donkishoteske të atyre që e quajnë mungesën e maturisë dhe kontrollit, trimëri, janë kurdoherë të rrezikshme e të dëmshme në mënyrë të pariparueshme!
* *
Ashtu si çdo shprehi e keqe, edhe dalja për gjuetinë e masave po me shpirtin e masës që është thjesht një gënjeshtër e mashtrim, është ndër gjërat që na ka lënë si dhuratë Perëndimi. Edhe nëse sipas atyre që e kanë bërë të vetën këtë ide të çalë e të pafisme, çukitjet mbi lëvozhgën e vezës duken normale, sipas nesh, çdo çështje kombëtare duhet të lëvizë përmes durimit dhe heshtjes së një midhjeje margaritari, nëpër një linjë të përshtatshme me gjendjen e mundimshme por të pazë të midhjeve të margaritarëve të fshehura në skajet më të heshtura të fundit të detit.
* *
Vlera e lartë e njeriut para Zotit matet me vlerën e përpjekjeve të tij, kurse shenja më e qartë e vlerës së lartë të përpjekjes është te flijimi i kënaqësive dhe i lumturisë personale në emër të lumturisë dhe kënaqësive të të tjerëve. S’e di, a mund të përfytyrohet për njeriun sakrificë më e madhe se nëpërkëmbja e dinjitetit dhe nderit personal për hir të të mirës së shoqërisë, se aftësia për të duruar duke gëlltitur zemërimin edhe atje ku duhet bërtitur me të madhe, dhe se prangosja i dëshirave vetjake gjithkund ku bëhet fjalë për lumturinë personale?
* *
Ashtu siç është mungesë mençurie t’i shohësh të gjitha sukseset e ushtrive fitimtare te guximi për të sulmuar dhe të mos u kushtosh rëndësi planeve ushtarake, po ashtu është mendjetrashësi t’i lidhësh të gjitha fitoret me guximin për guxim duke mos u dhënë vlerë masave paraprake.
* *
Edhe nismat, ashtu si masat e marra për to, janë nga një ftesë paraqitur favorit hyjnor dhe, në të njëjtën kohë, identitet i dy fytyrave të një të vërtete. E meta e shfaqur në njërën prej këtyre mund t’i japë shkas shpesh ndërprerjes së favorit dhe, për rrjedhojë, mossuksesit. Kurse rruga dhe ecja pa të meta e defekte është e mundur kurdoherë me anë të parashikimit. Lum për ata që e kuptojnë këtë!
Durimi
Durimi është si një bar që i pushon dhimbjet: edhe të djeg, edhe të kuron.
* *
Çdo shqetësim është i mbarsur me një lehtësim, vetëm se duhet bërë durim në barrë.
* *
Suksesi, nga njëra anë dhe durimi me qëndresën, nga ana tjetër, janë binjakë edhe nëse kanë pamje të ndryshme!
* *
Detet formohen prej pikash dhe askush nuk ka fuqi ta rrudhë kohën kur pika shndërrohet në det!..
* *
Maturia është rruga më ideale e realizimit të dëshirës.
* *
Gabimi është gjëja që gjendet më tepër në përbërjen e ngutjes.
* *
Rruga për t’u ngjitur në maja nis nga lugina... Sigurisht, për ata që bëjnë durim.
* *
Nëse ka një gjë që ta ketë fillimin të hidhur e fundin, mjaltë, ajo është durimi.
* *
Emri i qëndrimit pozitiv para ndodhive është durim. Prandaj njerëzit e Zotit e kanë quajtur të justifikuar kërkimin e durimit pa i ardhur koha!
Jo zemërim, por qëndresë!
Ndërsa përreth ishte ende gjysmerrësirë, ti ishe i pari që lajmërove përreth mesazhet e Zotit! Edhe sikur ata që nuk e njohin vlerën, të mos e dinë këtë, qielli e dheu janë dëshmitarë! Kujdes, mos u bëj kritikues duke parë si veprojnë ata që s’dinë si duhet sjellë! Edhe sikur të mos ta vlerësojë populli shërbimin që bëre, a e di Zoti? Ç’të duhet më?..
* *
Ti e bëre atë që ta kërkonte karakteri dhe tashmë rreth teje lule ka... Kur ke përreth kaq trëndafila që hedhin shtat e rriten, e pse ankohesh për nja tre a katër gjemba? Dhe sidomos nëse kjo mungesë mirëndjellësie është reaksion ndaj një të mete dhe mangësie në përgatitje?..
* *
Për një zemër të dashuruar pas të Vërtetit, kërkimi në këtë botë i shpërblimit të shërbimeve të bëra a nuk është një sjellje foshnjarake? Dhe, a nuk janë kjo botë dhe gjërat e saj të vdekshme e të përkohshme, kurse ahireti, me atë bukuri dhe shkëlqim marramendës, i përhershëm? Atëherë, në është kështu, eja! Dhe hiq dorë nga kërkesa për shpërblimin e përpjekjes sate në rrugën e të Zotit! Jeta përtej dhe përtej saj e vlejnë të shkëmbehen me këtë botë!
* *
Edhe sikur të jetë e drejtë, nuk duhet ta quash shenjë madhështie vetjake konsideratën e popullit ndaj teje, pra, të mos mbahesh pas pozitave që jep opinioni i mirë! Për më tepër, në asnjë mënyrë të mos biesh në naivitetin për t’i parë të tjerët më të vegjël se veten! Sepse vlera para Zotit matet me pastërtinë e shpirtit dhe lartësinë e zemrës. Ç’fatkeqësi e hidhur është vlerësimi i gjërave materiale, shtypja dhe dërrmimi i mishit të mbetur nën gërmadhat e kockave!..
* *
Edhe pse ndjenja e respektit ndaj të mëdhenjve është parim, nuk duhet kërkuar vetë. Ndërsa respekti i të tjerëve ndaj teje është i padëmshëm kur vjen vetë, pa e kërkuar dhe pa e pritur, bëhet si një e dashur e paarritshme kur dëshirohet dhe i shkohet pas, duke e lënë njeriun në vuajtje e mjerim!..
* *
Nuk duhet të mbështetesh te fakti që populli të sheh të madh duke e shfaqur një gjë të tillë, nuk duhet t’i besosh kësaj! Edhe nëse një konsideratë e tillë quhet e mirë duke e menduar si një reflektim të “mirëtrajtimit” të të përtejqiejve, nuk është diçka që duhet dëshiruar. Edhe nëse për një çast i jep kënaqësi njeriut, shpesh e bën të qajë e të rënkojë. Pra, nuk duhet ta nxish zemrën duke u mashtruar nga komplimente të tilla kalimtare!..
* *
A ke menduar ndopak se, krahas zgjerimit të shërbimit tënd dhe në po atë masë, do të vihesh në provë si nga armiqtë, ashtu dhe nga mjedisi yt? Mendo! Dhe tregohu bujar ndaj miqve, të cilët përdoren si elemente prove në dorën e Zotit!
* *
Kujdes, mos e bëj veten të neveritshëm për mjedisin duke pretenduar për shërbimet që i ke bërë kombit, si dhe duke ua përplasur sysh atyre që ke nën vete shërbimet që u ke bërë! Mos harro se ç’ke bërë, janë një detyrë, kurse ti, një i ngarkuar me përgjegjësinë e saj!
* *
Nëse nuk je i përkorë e i përulur si dhe në linjën e “njohjes së ndëshkimit dhe favorit si një e vetme” në raport me librat që ke lexuar, me çështjet mbi të cilat ke menduar dhe analizuar dhe me përpjekjet në rrugën e Zotit, mendo se në çdo hap ke për t’u shtrënguar nën kthetrat ngjyrëgjaku të egos, prandaj rrëqethu!
* *
Kurrë mos më hap mua diskutime për madhështinë e shërbimeve që ke bërë, për sakrificat e mëdha që ke treguar! Po qe se mundesh t’i shohësh veprat e tua si pasuri të përbashkët, si një favor hyjnor caktuar për zellin e shokëve të tu, po qe se mundesh të jesh i pari në sakrifica e i fundit në pretendime, të lutem, për këtë më fol! Për këtë më fol që fjala jote sheqer-sherbet të ma zbukurojë zemrën!
* *
Me fjalët “dituria ime, nderi im” të këngës së egos mos i kënaq armiqtë e mos i mërzit miqtë! Po pate meritë, lëre të çelë lule për botën tjetër, të hapë sythe! Heroizmat e jetës sate, po pate, le të mbeten si këngë të përjetshme në buzë të engjëjve!
Kthimi dhe qëndresa
Sa ç’është e rëndësishme ta gjesh të vërtetën e t’ia japësh zemrën asaj, po aq e rëndësishme është t’i mbetesh besnik, pastaj, dhe të tregosh qëndresë në rrugën e saj e të gjitha këto janë një çështje mbi të cilën ia vlen të qëndrohet. Kështu, nuk mendohet që dikush, shpirti i të cilit është ndriçuar nga e vërteta, të ndërrojë aq lehtë rrugë dhe drejtim! Sa për ata që ndërrojnë altar mëngjes e mbrëmje, pa pushim, janë ca të pafat që nuk kanë mundur ta gjejnë të vërtetën ose ca të pamend që s’kanë mundur ta rrokin vlerën e saj!
* *
Fatmirët që i kanë bërë zemrat breg për oqeanin e të vërtetës, i tresin në gjoks dallgët e ardhura nga ai oqean me një dëshirë dhe etje që s’di të shuar dhe thonë: “A ka më”? Këta janë njerëz që kanë mbaruar së kërkuari, që e kanë gjetur altarin e vet dhe që i kanë qetësuar shpirtrat. Sa për ata që lëkunden pa pushim si dallgë sa andej-këtej, ose janë një sërë foshnjarakësh që nuk e njohin mënyrën e kërkimit, ose ca të patru që i ngatërrojnë kërkimin me gjetjen. Gjejnë vetëm ata që kërkojnë, kurse ata që s’kërkojnë, bëjnë vendnumëro. Kurse të hutuarit që kujtojnë se kanë gjetur diçka, vërtiten tërë jetën rreth një gjëje pa mundur të kuptojnë, më në fund, diçka prej saj!
* *
Mbrojtja e pozicionit është shkaku më i parë i përmbysjes së armikut dhe i arritjes së objektivit. Kurse ata që e braktisin frontin dhe ndahen, quhet se kanë hyrë në rrugën e humbjes qysh në çastin kur janë ndarë!
* *
Çdo dezertor e ka dënuar veten së pari para ndërgjegjes së vet, pastaj para historisë dhe brezave të ardhshëm, për rrjedhojë, quhet se ka ngrënë një pëllëmbë në kundërshtim me qëllimin e vet. Në çdo kauzë të lartë, qëndresa në ruajtjen e frontit është shenjë burrërie. Edhe nëse robërit e papenduar të egos, të cilët kthehen nga fryn era, nuk e kuptojnë dot këtë ose nuk duan ta kuptojnë, njeriu që është njeri, pasi ta ketë kuptuar një herë të vërtetën, interesi nuk arrin ta lidhë dot me zinxhirë, frika nuk mund t’ia presë udhën e ta pengojë, epshi nuk mund t’i dalë përpara! Ai i kapërcen të gjitha këto!
* *
Në një shërbim, ata që ndërrojnë mendim dhe vend pa prà, jo vetëm që e trondisin ndjenjën e besimit dhe sigurisë karshi vetes, por edhe janë bërë, për shokët e kauzës, gjithmonë zhgënjyes. Ashtu siç ndodh që dalja nga radha e një anëtari të një njësiti që ecën me radhë të shtrënguara e me gëzim, e prish ritmin duke shkaktuar çrregullim, ashtu edhe shkëputja dhe largimi i ndokujt prej kuadrit të lidhur me një qëllim, shkakton ndër shokë e miq lëkundje, thyerje e pesimizëm, kurse ndër armiq, gëzim!
* *
Ata që, duke e prishur shpesh betimin, bien në pavendosmëri, vjen dita që, duke e humbur ndjenjën e besimit të të tjerëve ndaj vetes, hyjnë, dalëngadalë, nën ndikimin e një pale tjetër. Këta shpirtra paralitikë, që e humbin me kohë tërë personalitetin e vet, kthehen, më në fund, në elementë të dëmshëm si për vete, ashtu dhe për bashkësinë ku marrin pjesë!
* *
Ata që sot ndodhen të shtypur nën peshën e llogarive të vogla dhe që janë kapur pas gjërave të tilla si posti, pozita, popullariteti, epshi, etj., nuk e di, ç’kanë për të bërë ato ditë kur interesat do të na e rrethojnë horizontin si ylber, kur frika dhe ndrojtja do të na i prangojnë vullnetet?..
* *
Historia e njerëzimit është e mbushur plot me ngjarje që tregojnë se kalatë dhe qytetet janë marrë me gjakun e mijëra trimave e heronjve, kurse, shpesh herë, janë humbur përgjithmonë vetëm nga sjellja laramane e një tradhtari apo burracaku...
* *
Ah, ti famë kriminele, ti epsh i pabesë, ti pangopësi burracake!.. Sa e sa shpirtra u zvetënuan vetëm me një takim me ju! Sa e sa zemra u thanë në klimën tuaj, porsi drurët që u bien gjethet në vjeshtë! Dhe sa e sa të tjerë, të hutuar prej gajasjeve tuaja të neveritshme, ikën prej faltores për të ndjekur rrugën e pijetores!.. Po, trimat e rënë në atmosferën tuaj, u qullosën, kokat e mëdha humbën në botën tuaj të vockël!..
Besimtarinjë herë gënjehet
Çdo ideal sublim dhe ide e lartë marrin jetë në një mendim sistematik dhe në një plan të shëndoshë, gjejnë përkrahës dhe disa herë në ditë kthehen në një altar që i buzëqesh fatit të të zotërve të tyre. Kurse mendimet dhe kauzat që nuk e gjejnë dot këtë mbështetje dhe konditë, vdesin e shkojnë ende pa lindur mirë...
* *
Kurrsesi nuk duhet ngritur ndonjë konkluzion ose çështje mbi baza, fuqi dhe alternativa të paqëndrueshme, ekzistenca apo mosekzistenca, sendërtimi apo shkatërrimi i të cilave nuk na përkasin neve. Ata që e kanë lidhur pas këtyre realizimin e idealeve të veta, gjithmonë janë gënjyer, ata që e kanë ngritur të ardhmen mbi to, kanë mbetur nën gërmadhat e gjërave të ngritura me dorën e vet, janë shtypur e kanë shkuar...
* *
Në një kauzë, lartësia e idealit, saktësia e mendimit dhe planit, sinqeriteti dhe qashtërsia e individëve që e përfaqësojnë atë kauzë janë elemente shumë të rëndësishme. Ndërkaq, edhe zgjedhja e shkaqeve për një çfarëdo punë të projektuar dhe funksionimi i tyre sipas rezultatit të pritur, janë të rëndësishëm po në të njëjtin nivel. Ata që nisen për udhë me shkaqe të paprovuara se çojnë në përfundimin e kërkuar e të papërcaktuara nga një organ i lartë, jo vetëm do t’i lënë të zhgënjyer ata që janë lidhur pas tyre, por edhe vetes do t’i bëjnë dëm!
* *
E vërteta duhet mbështetur prapë në të vërtetën dhe duhet kërkuar në rrugët më të drejta. Kërkimi i të vërtetës në kushte ku nuk njihet mendimi mbi të vërtetën, është padituri, kurse ndjekja në atmosferën e shkaqeve të shtrembra është vetëmashtrim!..
* *
Mbi mendimin dhe mekanizmat negative nuk mund të ngrihen gjëra pozitive. Vendi i pozitives brenda negativiteteve duhet të jetë si ecja mes boshllëkut të dyerve rrotulluese. Ecja nuk duhet të ndërpritet, duhet ecur e kaluar pa ngecur gjëkund!..
* *
Të vërtetat e përjetshme nuk lidhen pas gjërave kalimtare e të ndërrueshme. Ç’të jetë ndërtimi i ngrehinave më jetësore mbi një ishull që noton e ikën, e njëjta gjë është edhe shërbimi duke u lidhur pas sistemeve, administrimi dhe drejtimi i të cilave është në duar të forcave të ndryshme!
Antagonizmat
Ti mendon të arrish esencën tënde duke u purifikuar në ndjenjë dhe mendim, të përsosesh duke u dhënë zhvillim aftësive të tua njerëzore; po si mund të bëhen këto pa u zhveshur nga kënaqësitë trupore-materiale, pa ngritur krye ndaj dëshirave shtazore?
* *
Ti dëshiron të arrish “njësimin” në jetën tënde ndjesore dhe të zhytesh e të përhumbesh në kënaqësitë shpirtërore; po si do të bëhet kjo, kur brenda teje vërtiten një mijë e një të këqija e kur ti, në çdo kthesë, u thua “po” kënaqësive trupore?
* *
Ti përfytyron të marrësh krahë për t’u ngjitur e për të arritur në botët përtejqiellore; po si do të bëhet kjo nëse ti, si një fëmijë që luan me baltë, mbetesh i mbërthyer në baltovinën e kësaj bote?
* *
Ti pret pa prá shfaqjen e agimeve të reja në horizont; po si do t’i shohësh ti agimet e reja pa e pajisur zemrën me ideale të larta, pa u vërsulur e marrë sërish vendin tënd të vjetër e pa u bërë një klithmë mu në zemër të botës?
* *
Ti kërkon t’u japësh zgjidhje problemeve të grumbulluara një mbi një prej shekujsh; po si do të bëhet kjo nëse nuk ke shpresë e qëndresë për të luftuar e pritur në këtë rrugë për shekuj të tërë?
* *
Ti bën fjalë për lartësimin e vatanit, për lumturinë e njerëzve tanë; po si do të bëhet kjo pa u dhënë krahë brezave me besim, arsim e kulturë, në mënyrë që t’u hidhen sipër e t’i përmbysin të gjithë djajtë?
* *
Ti ke mall për të ekzistuar si ta do zemra dhe për të marrë kënaqësi nga jeta sipas botës sate ndjesore; po si do të bëhet kjo nëse ti nuk ngul këmbë për këtë pa e prishur agjërimin gjer në perëndim të diellit?
* *
Ti dëshiron të jetosh i lirë, i pavarur e krenar në krah të të gjithë popujve të tjerë; po si do të bëhet kjo nëse s’e hedh tutje mediokritetin që të ka mbuluar?
* *
Ti shpreson dhe pret të ndodhesh pa pra në sy të të tjerëve, në zemrat e të tjerëve, që të të duartrokasin e të të ngjitin në qiej; po si do të bëhet kjo kur ti njëqind herë në ditë e prish betimin që ke bërë?
* *
Ti e sheh veten të patëmetë dhe kërkon që çdokush kështu të të shohë; po si do të bëhet kjo me gjendjen tënde mes shoqërisë që ngarkon mbi supe çdo ditë një mijë e një mëkate të reja ndërsa ti s’bën dot asgjë?..
Mendimi për të shërbyer
Ç’ndryshim ka jeta e jetuar pa pasur si objektiv shërbimin ndaj njeriut tonë, nga jeta e egër ku vërtiten një mijë e një pasione të verbra?
* * *
Duartrokitja e çdo lëvizjeje në kahun e së drejtës e të së vërtetës, është shprehje respekti ndaj së vërtetës. Ata që e shohin të vërtetën të posaçme vetëm për vijën e tyre, më besoni se, jo vetëm që, pa shkuar shumë, do të izolohen me duart e veta, por edhe në konceptimin e së vërtetës do të lëkunden vazhdimisht pa arritur dot një konkluzion përfundimtar!
Përfaqësuesi i çdo niveli
Në çdo nivel qoftë, për përfaqësuesin e saj janë kusht drejtësia, garancia, vetëdija e detyrës, aftësia njohëse e lartë sipas nivelit, vetia për ta parë dhe parashikuar të ardhmen të lidhur me të sotmen dhe jetesa e virtytshme pavarësisht nga çdo gjë. Humbja e njërës prej këtyre karakteristikave është, për një administrues e drejtues, një e metë serioze si dhe fatkeqësi për ata që përfaqëson!
Uniteti brenda-jashtë
Ata që ngrihen të shtrojnë botën, së pari duhet të shtrojnë veten. Sigurisht, në fillim duhet ta mbajnë pastër botën e tyre të brendshme nga urrejtja, neveria dhe zilia, kurse botën e tyre të jashtme, nga të gjitha llojet e sjelljeve të këqija në mënyrë që të bëhen shembull për të tjerët! Sado të shkëlqyera të jenë mesazhet e ofruara nga njerëz që nuk kanë mundur ta kontrollojnë botën e tyre të brendshme, nuk kanë mundur të luftojnë me egon e vet dhe nuk kanë mundur të fitojnë mbi botën e tyre ndjesore, nuk do të mundin të zgjojnë emocione në shpirtrat; edhe në zgjofshin, nuk do të mund të lenë mbresë të gjatë.
Shpirti ideal
Ata që vrapojnë në rrugën për t’i ndriçuar njerëzit, ata që përpiqen vazhdimisht për lumturinë e njerëzve, ata që u zgjasin dorën njerëzve të rënë në greminat e ndryshme të jetës, janë shpirtra të lartë që e kanë njohur veten, të cilët, si engjëj mbrojtës të shoqërisë mes së cilës jetojnë, përfyten me fatkeqësitë që u bien sipër shoqërisë, u venë gjoksin furtunave, hidhen në flakë dhe rrinë vazhdimisht me gishtin në shënjestër para tronditjeve të mundshme.
* * *
Në zgjedhjen e profesionit, pranimi si njësi mase të dorës së parë i cilësisë së atij profesioni, për të qenë apo jo i përshtatshëm për shërbimin ndaj shoqërisë, për orientimin e drejtë të saj është shprehje e respektit ndaj së vërtetës dhe e kërkimit të vlerës. Ata që ecin në këtë rrugë pa u lëkundur nga thirrjet e “nimfave”, do të jenë arkitektët fatlumë të së ardhmes!..
Vullnetet e larta
Vullnetet dhe karakteret e larta, edhe sikur të shkrihen dhjetëra herë nëpër kazanë e të futen dhjetëra herë nëpër kallëpe të ndryshme, prapë s’kanë për të humbur gjë nga vetvetja dhe kanë për ta mbrojtur qenësinë e vet. Po ç’duhet t’u themi atyre krijesave të pavullnet që ndërrojnë disa herë në ditë rrugë dhe mendim?
Të vetmuarit
I vetmuar nuk është ai që ka mbetur larg atdheut e familjes, që është ndarë prej miqve e shokëve. I vetmuar është ai të cilin shoqëria mes së cilës jeton, nuk e kupton, ai që me idealet e larta, me mendimet për botën përtej, me flijimin e kënaqësive personale për hir të të tjerëve dhe me këmbënguljen dhe vendosmërinë e jashtëzakonshme, bie shpesh në kundërshtim me grupet që ndjekin interesa të ngushta dhe përplaset me to, ai që mjedisi e gjykon për të keq dhe e dëmton dhe që, me të gjitha qëndrimet, mbetet si i huaj!
Rruga e popullit
Rruga jonë është rruga e duartrokitjes së çdo lloj nisme dhe pune të dobishme në të mirë të atdheut dhe popullit dhe e mbështetjes së ushtrisë së të lumturve që u shërbejnë atyre. Nuk kemi për t’iu përgjigjur akuzave që na bëjnë për mohim dhe devijim, nuk kemi për t’i thënë mallkimit “amin, ashtu qoftë”!
Mendimi për t’u marrë vesh
Secili kërkon bindje në emër të frontit të vet, nuk kërkon paqe. Mirëpo Allahu thotë: “Hyni bashkërisht në paqe!”
* *
Ejani, edhe në mos rënçim në marrëveshje, të paktën të mos biem në kontradikta ose çështjet dhe dallimet mes nesh të mos i zmadhojmë!
* *
Është një favor i posaçëm i Allahut për bashkësinë, të cilin edhe personat që s’kanë shoq, madje, nuk mund ta arrijnë sado që të përpiqen!
Në fillim plan
Duke planifikuar një nismë apo punë çfarëdo, krahas shkaqeve shtytëse për te qëllimi, duhen kaluar një për një në sy edhe pengesat e mundshme në mënyrë që më pas as të kritikohen mangësitë që do të shfaqen, as dhe besimi i të tjerëve ndaj nesh të lëkundet!
Plani
Kur një punishte ose fabrikë ngrihet mbi një plan të mirë, premton vazhdimësi dhe perspektivë, në të kundërt, kur në themel të saj nuk ka një mendim të shëndoshë e një llogari të bazuar, dështimi i saj është i pashmangshëm. Atëherë, ç’mund të thuhet për kombin, këtë qenie vështirë të kuptueshme, çdo aspekt i së cilës, si punët e shtetit dhe njeriu, është një fjalëkryq më vete?
Fundi dhe rezultati
Nuk është e rëndësishme zhurma dhe tërheqja në fillim, por dega me fruta në fund!
* *
Rezultati i punëve të nisura pa menduar fundin, shpesh finalizohet me pendim.
* *
Nuk mund t’i ngarkosh dhelprat të ruajnë qymezet!
* *
Mjalti dhe kajmaku i sotëm që kanë për t’u bërë shkak nesër të gëlltitësh kripë e spec, janë më të hidhura se helmi!
* *
Qesh mirë kush qesh i fundit!
* *
Shumë gjëra që pandehen të dëmshme, për nga rezultati, janë të dobishme, kurse ato që pandehen të dobishme, mund të dalin në fund të dëmshme!
* *
Momenti më i fundit i vështirësisë është fillimi i lehtësimit!..
Njeriu i kauzës
Fundja, nuk është kusht që burrat e së vërtetës të rrojnë pa tjetër mbi rrogozë!
* *
Njeriu i kauzës nuk e ndryshon qëndrimin as kur është në fitore, as kur është në humbje!
* *
Pa u rritur në shtëpitë e sakrificës, domethënë, pa u pjekur e maturuar me durim, çdo pritje është iluzion bruto!..
Pretekst-qëllim final
Te qëllimi final i drejtë e i vërtetë nuk arrihet me pretekste të paqena. Edhe pretekstet që do të përdoren, duhet të jenë reale!
Preteksti i paqenë
Sistemet e ngritura mbi gënjeshtra dhe ekzagjerime, edhe në qofshin jetëgjata, herët a vonë shemben mbi krye të themeluesve të vet, duke mbetur veç një ëndërr e hidhur dhe një iluzion i përmalluar!..
Pasioni pas rehatisë
Çdo kauzë dhe e vërtetë e lartë fiton vazhdimësi dhe arrin një cilësi gjithëpërfshirëse me anë të vendosmërisë dhe besnikërisë së përfaqësuesve të saj, si dhe me anë të zellit dhe përpjekjeve që do të tregojnë për ta mbrojtur atë. Në të kundërt, nëse një kauzë e tillë, përballë sulmeve dhe goditjeve të shpeshta të armiqve, mbetet pa përkrahës dhe miq që e kuptojnë dhe besnikë, është e dënuar që herët a vonë të shembet e të fshihet nga kujtesa.
* *
Ashtu siç ndodh që uji që s’ecën, të qelbet, edhe kalbja dhe humbja e njerëzve që e lëshojnë veten në rehati, është e pashmangshme. Dëshira për rehati te njeriu është shenja dhe alarmi i parë i vdekjes. Por, nëse një individ është paralizuar në ndjenja, as këtë shenjë nuk e dallon, as dhe kambanat e alarmit nuk i dëgjon. Natyrisht, ai nuk kupton asgjë as nga paralajmërimet e miqve të tij.
* *
Dembelizmi dhe të shtënët pas rehatisë trupore janë shkaqet më kryesore të çdo lloj mungese e varfërie. Nuk ka dyshim se shpirtrat e vdekura që e kanë lëshuar veten në prehrin e rehatisë, do të vijë një ditë që të bien aq poshtë, sa të presin nga të tjerët edhe nevojat e përditshme!
* *
Kur pasionit për rehati t’i shtohet edhe pasioni ekstrem pas komoditetit shtëpiak, braktisja, më në fund, e luftës dhe vdekja shpirtërore e individit janë të paracaktuar. Por nëse, për më tepër, nuk parashikohet, sado pak, se ç’fshihet pas kësaj dhe gjendja vlerësohet me mendësinë e burrit me xhaketë hedhur supeve, kjo është vetë fatkeqësia!
* *
Në saje të dëshirës për të luftuar dhe “pasionit për kufij” ka lindur, nga një tribu e vogël, një perandori e madhe. Por, kur erdhi dita dhe vendin e kësaj dëshire dhe pasioni e zuri sevdaja për harem, një komb i stërmadh u shtri përtokë...
* *
Ata që e kanë braktisur vendrojën për pasionin për harem e komoditet shtëpiak, shpesh herë, në kundërshtim me qëllimin e vet, kanë ngrënë shpulla duke e humbur edhe vatrën familjare. Ç’kuptim të thellë kanë fjalët e thëna nga e ëma një komandanti andaluzian, që s’ka ditur të luftojë si burrë kur është dashur për të luftuar: “S’luftove dot në front si burrë, të paktën ulu e vër kujën si gratë!”
* *
Tek njeriu, ndryshimi që çon në kalbje, zhvillohet shkallë-shkallë dhe jashtëzakonisht në heshtje. Për më tepër, disa herë, një mungesë e vogël vëmendjeje, një ndarje e vogël prej karvanit mund të shkaktojë humbjen. Ç’e do se të tillët, për shkak se vazhdojnë ta shohin veten në të njëjtën vijë, shpesh herë as që arrijnë ta dallojnë se kanë rënë nga maja e minares në fund të një grope!..
* *
Meqë ata që e braktisin vijën e luftës, me kompleksin e fajit të rrjedhur natyrshëm nga dezertimi, përfshihen nga mendimi kritik ndaj shokëve që shërbejnë dhe i mbrojnë, duket si e pamundur të shpëtojnë nga një perversitet i tillë e të kthehen në vijën e tyre të parë. Ndërsa profeti Adem, kur rrëshqiti, e rimori vendin shpejt, me një të hedhur, në saje të pohimit të fajit dhe pendesës, Djalli u ngrit ta mbrojë veten pavarësisht nga faji i madh që kishte bërë, andaj edhe ra në një disfatë të amshuar!..
* *
Disa herë vërehet që personat me vetëdije, vullnet dhe vendosmëri të paralizuar ushtrojnë ndikim të madh asfiksues mbi guximin dhe fuqinë moralo-shpirtërore të njerëzve përreth. Madje është vënë re shpesh se një lëkundje e vogël, një ngurrim i paktë i një njeriu të tillë të pavullnetshëm, bëhet shkak për lëkundje dhe pesimizëm sa vdekja e vërtetë e njëqind vetëve. Dhe kjo nuk vlen për tjetër veçse për t’u dhënë zemër e guxim armiqve të kombit dhe atdheut e për t’ua nxitur atyre oreksin që të na hidhen sipër!..
* *
Bukuritë tërheqëse të botës, pasuria dhe fëmijët janë nga një provë më vete, nga një intrigë. Nxënësit më të suksesshëm të kësaj prove janë njerëzit fatlumë të vullnetshëm, të qëndrueshëm e të vendosur që mëngjes e mbrëmje i shprehin besnikërinë e tyre të Vërtetës pas të cilës janë lidhur me zemër!..
Pasioni për post
Ashtu siç ndodhen te njeriu esenca dhe farërat e shumë gjërave të mira, në funksion të disa qëllimeve, ndodhet edhe esenca e gjërave të këqija. Për shembull, krahas shprehive të bukura si mosdhënia pas interesit, sinqeriteti, vetëmohimi, syngopësia, te shumë vetë ndodhen edhe cilësi të këqija që e vrasin zemrën dhe e paralizojnë shpirtin si dashuria për post, mendimi për pozitë, dëshira për t’u dukur. Nisur nga kjo, në marrëdhëniet me njerëzit duhet të krijojmë lidhje duke i mbajtur parasysh edhe këto aspekte të natyrshme në mënyrë që të mos zhgënjehemi!
* *
Nëse dëshira për post e pozitë, dhe ndjenja e famës dhe popullaritetit që ndodhen në mënyrë të natyrshme shumë a pak te njeriu, nuk kënaqen në një mënyrë legale, ata që nuk arrijnë ta shpëtojnë veten prej këtyre komplekseve, mund të bëhen shumë të rrezikshëm si për vete, ashtu dhe për shoqërinë ku jetojnë. Ashtu siç pengimi i prirjes për t’u zbrazur te një element që ka arritur pikën e ngopjes, shkakton depresion, aritmi dhe shkatërrim, ashtu dhe shkatërrimi i botës sonë bëhet i pashmangshëm nëse dëshirat e thella te zemrat e robëruara nga fama dhe popullariteti nuk kanalizohen në një mënyrë të përshtatshme!
* *
Edhe sikur çdo lëvizje dhe veprimtari e këtyre shpirtrave vulgarë, të cilat pranohen si “e keqe relative” e tyre në rrugën për të kënaqur egot e veta, të konsiderohet, në një farë mase, si frakturë e shpirtit, duke u nisur nga përfundimi, mund të konsiderohet një “e keqe e mirë” përsa i përket pengimit të disa të këqijave dhe veprimit si pretekst për bukuri relative, madje, mund të konsiderohet edhe një e mirë e anasjelltë. Sigurisht, po qe se një këngëtar që kërkon për grykën e vet “të drejtën për të fituar”, në vend që me anë të këngëve imorale të na spërkatë përreth tym dhe mjegull, zbrazet me një melodi hyjnore, me një kaside të gjallë e me një temë mevludi, kjo është më pak e dëmshme, madje, për disa kjo mund të konsiderohet edhe e dobishme!
* *
Sinqeriteti dhe qashtërsia janë shpirti i një pune si dhe karakteristika e autorit të saj. Sipas kësaj, pranueshmëria te Krijuesi e një akti çfarëdo varet nga kryerja e atij akti me gjithë zemër dhe me qëllimin për të mos pritur shpërblim, si dhe nga mosprania në shpirtin e autorit e asnjë gjëje tjetër veç pëlqimit të Zotit! Por ç’e do se është mjaft e vështirë që çdo individ të mund të bëhet në shërbim kaq i suksesshëm. Për rrjedhojë, opinioni mbi njerëzit duhet formuar sipas asaj se kush është sundues te ta: e mira apo e keqja. Sigurisht, ka punë të tilla që, megjithëse aspekti i tyre për dukje peshon më rëndë, nuk mund të pretendohet se janë absolutisht të dëmshme për idealet tona, për mendimet tona të shenjta dhe për njerëzit tanë. Njerëzit mund të përziejnë në punët që bëjnë kërkesat dhe dëshirat personale, pëlqimin e Zotit mund të mos e mendojnë për çdo radhë, mund të mos dinë të përthyhen më dysh me rënkim e pendesë për gabimet që bëjnë, por megjithëkëtë, kurrsesi nuk është e drejtë të thuhet se në besim dhe drejtim nuk janë me Zotin!
* *
Megjithë këto, nëse secili prej individëve që shërbejnë brenda një ekipi, ngrihet ta përfaqësojë personalisht dhe në mënyrë të pavarur fushën ku shërben, dhe më pas, nëse edhe të tjerët, duke e parë atë, mbërthehen nga dëshira për t’u dukur në fushat e veta, disiplina e grupit prishet, çdo gjë kthehet përmbys dhe shkohet me shpejtësi drejt anarkisë. Më pas, në çdo pjesë të bashkësisë u hapet rrugë lëvizjeve të veçuara për llogari të egoizmit të personave, koka ngatërrohet me këmbët e këmbët, me kokën dhe autoriteti qendror shembet e mbaron.
* *
Kur figurat e suksesshme brenda një qeverie, elementet aktive në trup të shtetit, shpirtrat dinamike dhe ngadhënjyese brenda një institucioni kërkojnë pjesën e luanit sipas kapaciteteve dhe sukseseve personale, qeveria paralizohet, shteti shembet, institucioni kthehet në një monstër njëqindgojëshe. Qeveria ekziston me disiplinën e vet, shteti, me bazat dhe parimet e veta, ushtria, me bindjen, me respektimin e parimit të urdhrit dhe komandimit. Përpjekja për të pretenduar të kundërtën e kësaj do të thotë të bësh sikur s’di gjë për këto elemente jetësore si garante të qenies sonë gjer më sot.
* *
Eh, sikur zemrat, duke u kënaqur me aq sa ç’u jep e ç’do t’u japë Krijuesi i Lartë, të kërkonin, në çdo vatër, pëlqimin e Tij! Mirëpo duket se një sërë zemrash egoiste, që ua kanë kthyer shpinën rrezeve ndriçuese të diellit duke u kënaqur me dritën e amullt të fenerit që mbajnë në dorë, do të vazhdojnë edhe ca kohë të mos i korrigjojnë shikimet e tyre miope, për çka edhe nuk do të mund ta gjejnë derën e ndriçimit!..
Tensionimi i humbur
Çdo sukses është rezultat i një vuajtjeje, tensionimi dhe hapi, kështu, në një kuptim, edhe shkaku i një suksesi të dytë. Mjafton që personat që arrijnë një rezultat, të dehur nga fitorja, të mos e lëshojnë veten në komoditet e rehati!..
Defekt mase
Nga dje e gjer më sot, të gjitha të këqijat iu bënë popullit të pranueshme duke e bindur atë se “ka edhe më keq”! Për më tepër, ato u nxitën të duartrokiten si “e keqe e mirë”! Krejt si në fjalën e urtë, “Kur shoh të pafenë, lus mëshirë për mosbesimtarin!” Pavarësisht nga ç’sistem i mallkuar të burojë kjo ide tradhtare, pranimi i një relativiteti të tillë për besimin tonë, mendimin tonë historik, për zakonet dhe traditat tona si një e vërtetë absolute duke e bërë, pastaj, njësi mase, s’është gjë tjetër veçse miratimi i një shfisnikërimi dhe shpërfytyrimi të pafund...
Dy qëndrime të skajshme
Ekstremizëm mund të ketë në çdo ide, në çdo mendim. Që të dy skajet e këtij ekstremizmi kanë vlerën e një helmi vrasës. Sigurisht, ashtu siç janë gënjyer ata që e kanë kërkuar thjeshtësinë, virtytin, çdo gjë sublime në veshjen dhe pamjen e jashtme të mjerë e të hallakatur, në një postiqe të vjetër, në një poçe të thyer dhe në një banesë me merimanga, ashtu janë gënjyer edhe ata që e kanë kërkuar në kësulën e një frëngu a në një veshje dekolte!
Përfytyrime prej beduini
Nëse përfytyrimet radhiten në drejtim të një ideali të lartë dhe iluzionet gjejnë mbështetje nga arsyeja, njeriu ka mundësi të arrijë në mendime të ndriçuara dhe suksese njëra pas tjetrës. Në të kundërt, ëndërrimet prej beduini nuk kanë ndonjë dobi as për hapa shkencore, as dhe për ta gjetur të vërtetën!
Vorbulla e egoizmit
Amaneti i un-it i dhënë njeriut është një dhuratë e shenjtë kushtuar atij në udhën e kërkimit, gjetjes dhe njohjes së të vërtetës më të madhe, ndërkaq, një dhuratë që, sapo të marrë fund kjo detyrë, e domosdoshme për t’u përplasur për guri e për t’u thyer. Në qoftë se nuk veprohet kështu, un-i fryhet e bëhet një demon që e gëlltit të zotin. Me të, individi do ta njohë Krijuesin e Lartë, pafundësinë e fuqisë, diturisë dhe vullnetit të Tij, do të kuptojë se të metat e mangësitë nuk mund të futen në “zonën” e Tij e, pastaj, me zjarrin e dashurisë dhe afërsisë të ndezur në zemër për Të, do ta shkrijë un-in, kështu që do të shohë vetëm qenien e Krijuesit të Lartë, do të mendojë e do të kuptojë me Të dhe vetëm me Të do të marrë frymë!
* *
Mbetja vetëm si egoist është shprehje e shikimit, por e mosnjohjes së Zotit, e pamundësisë për të ecur para në rrugën e pafundësisë dhe e rrotullimit me sy mbyllur në të njëjtin vend. Ata që mendojnë vazhdimisht për llogari të vetvetes, ata që ulen e ngrihen vetëm me egon e vet, dhe ata që kërkojnë atë që kërkojnë vetëm në atmosferën e errët të egos, edhe sikur të ecin me vite të tëra duke kapërcyer maja e gropa, nuk mund të bëjnë para as edhe një hap.
* *
Nëse punët e bëra bëhen për llogari të un-it, edhe sikur të jenë më të rëndat e më të lodhshmet e punëve, kurrsesi nuk premtojnë vlerë dhe nuk marrin miratim në audiencën hyjnore. Çdo hap drejt botëve të përtejme i njerëzve që nuk e kanë kapërcyer dot veten, që nuk i kanë ngulur thikën për ta copëtuar un-in e që e kanë të mbyllur parashikimin, është një ngushëllim dhe vetëmashtrim, kurse çdo sakrificë e tyre, një punë e pamend!
* *
Ngaqë egoizmi është një atribut djallëzor, nuk duhet të kihet dyshim se ata që kapen prej tij, ai ka për t’i çuar po në atë përfundim ku shkoi djalli. Edhe justifikimet dhe mbrojtjet e djallit, madje, janë nga një melodi e rëndë djallëzore. Ndërsa profeti Adem, në çastin kur horizonti iu errësua, krijoi, me anë të lotëve, re të reja me të cilat u përpoq të shuante zjarrin e zemrës, zjarrin e mallit, Djalli numëronte e derdhte justifikime, çdo fjalë e të cilave ishte krenari dhe inat, çdo shprehje e të cilave, paturpësi...
* *
Egoizmi ka shumë lloje si ai i buruar prej diturisë, i dalë në shesh me anë të pasurisë dhe pushtetit, i fryrë e i zmadhuar me anë të bukurisë, etj. Meqë asnjëri prej këtyre atributeve s’është pasuri personale e njeriut, çdo pretendim në këtë çështje është quajtur një pretekst dhe ftesë ndaj ndëshkimit të Pronarit të Vërtetë të Gjithësisë dhe është finalizuar me shkatërrimin e këtyre shpirtrave shumëpretendues...
* *
Egoja që ka vënë nën ndikim botën personale të individit, kur vihet sup më sup edhe me një egoizëm bashkësie, bëhet tamam një div dhe kthehet në një demon përdhunues. Më në fund, edhe gjërat më të dobishme në duar të një shpirti të harbuar kësisoj, bëhen si një re sterrë e zezë, dhe ai nis të hedhë përreth gjyle e bomba! Po, dituria në duar të njerëzve të tillë, kthehet në një dritë të rreme, pasuria, në shkak dukjeje, zemra, në shtrat akrepash, bukuria, në një faqe ankthi që shpërndan përreth thartësirë, zgjuarsia, në një dallkauk keqndjellës që i nënvleftëson të tjerët...
* *
Që në krye të herës, filozofia materialiste ka përfaqësuar egoizmin, kurse profetësia, të vërtetën dhe përuljen. Ndërsa në rrugën e të parëve ka patur dyshime, lëkundje, mashtrime, forcë dhe dhunë, përplasje të frikshme si përplasja e ajsbergëve me njëri-tjetrin dhe copëtim të frikshëm me bubullimë, në rrugën e të dytëve ndriçime, prehje shpirtërore, vrapim në ndihmë të njëri-tjetrit dhe mbështetje për njëri-tjetrin...
* *
Gjendja shpirtërore me prirje për t’ua treguar veten të tjerëve në çdo rast, është shprehje te ai njeri e një të mete dhe e kompleksit të inferioritetit. Kjo gjendje vazhdon gjer ditën kur, me një edukim të mirë shpirtëror, do t’ia dorëzojnë qenien Pronarit të Vërtetë. Çdo punë e tyre, një punë për dukje, çdo thënie e tyre, egoizëm gurgullues, çdo sjellje përulësie si dhe modestia e tyre, ose hipokrizi, ose investim për t’ua treguar veten të tjerëve. Një mijë mallkime egoistëve që s’e njohin të drejtën!
* *
Egoisti jo vetëm që s’ka mik të vërtetë, por nuk ka as qetësi ndërgjegjeje.
Në rrugën e pafundësisë
Krijuesi i Lartë, ekzistenca e të cilit është shkaku i ekzistencës sonë, i ka rrethuar gjithë botët me madhështinë e Tij, drita e Tij duket në çdo gjë. Qiejt dhe toka janë nga një vezullim prej rrezatimeve të nurit të Tij, janë, me të gjithë qenien e tyre, nga një skllav me vëth në vesh të Tij! Ai është altari i amshuar i shpirtrave të përkryer që e kanë gjetur të vërtetën, Ai është e vetmja qenie që njohin të diturit me ndjenjat ngritur peshë dhe Ai është e vetmja kible, i vetmi orientim! Ta lësh Atë për të vrapuar te dikush tjetër, është marrëzi, t’ia qash hallet dikujt tjetër veç Atij, një vetëmashtrim. Ata që largohen prej portës së Tij, pësojnë disfatë të amshuar dhe mbeten në rrugë, zemrat që s’ndriçohen dot me dritën e Tij, ndjekin iluzionin optik në shkretëtirë dhe lodhen më kot. Botët ndriçohen fund e krye me dritën e Tij duke u kthyer në një libër. Me anë të frymëmarrjeve të magjishme në rrugën e Tij, koha del nga konvencionaliteti duke fituar një kuptim dhe vlerë...
Ai është që i ka dhënë materies ekzistencë, e ka vënë në rregull dhe e ka bërë të flasë me një mijë e një gjuhë. Po të mos krijonte Ai, asgjë nuk do të dilte në shesh vetvetiu, po të mos vinte rregull Ai, asgjë nuk do ta njihte rregullin. Me favorin e Tij, botët janë shndërruar në njeri, kurse rregullsia, në gjuhë. Çdo gjë mërmërit emrin e Tij dhe me bukuritë e Tij dehet! Po qe se qenia nuk do të ishte pasqyrë e Tij, ç’ndryshim do të kishte nga hekuri i ndryshkur? Po qe se njeriu nuk do të jetë në gjendje ta tregojë Atë, a mund t’i thuhet njeri? Ah, ju shpirtra të errëta, ju shurdhër që nuk e dëgjoni klithmën e ndërgjegjes! Gjer kur do t’i mbani mbyllur sytë ndaj së vërtetës, duke u ngushëlluar me lojëra të pakuptimta?..
Njeriu u beson në fillim gjërave që i përcakton me anë të organeve të shqisave meqë fiton ekzistencë në një botë të rrethuar krejt nga materia, pastaj, me kuptimet që shprehin këto, përpiqet ta shohë të vërtetën në ndërgjegjen e vet duke thyer “kularin e varur në qafë të qenies” së vet. Ç’e do se nuk janë të paktë ata që ngecin diku në këtë zinxhir të hollë dhe nuk arrijnë të bëjnë as dhe një hap më tej. Prandaj, materia që na rrethon ngado, sa herë që të merret për t’u studiuar, duhet lexuar si një libër dhe duhet dëgjuar si një kor dhe, duke e lexuar a duke e dëgjuar, nuk duhet harruar ai që e ka shkruar librin apo ai që e drejton simfoninë. Në të kundërt, ashtu si budallai që e kontrollon materien fije për pe dhe mbytet në argumente pa ndjerë në ndërgjegje frymëmarrjet e së vërtetës, kurrë s’ka për ta gjetur Atë dhe kurrë s’ka për të arritur të gjejë kënaqësi, ashtu dhe shpirtrat e pafat që nuk munden të ngjiten tek e vërteta në ndërgjegje duke shpuar perdet e veshëve dhe syve me anë të Fjalës së Tij, nuk do të mund ta njohin Atë!
O Ti me mëshirë të pafundme që na i jep dritë ekzistencës me anë të ekzistencës Sate, që na u spërkat dritë syve e që na shpëton ne prej errësirave egoiste! Po të mos ishte kjo drita Jote e amshuar që u jep dritë botëve, ne nuk do ta shihnim drejt asgjë dhe nuk do të mund të jepnim asnjë konkluzion të drejtë! Të gjithë ne fituam ekzistencë në saje të favorit Tënd, e mësuam të vërtetën me ç’na tregove Ti! Po qe se s’do të kishe pasur mirësinë t’ua njoftoje ekzistencën Tënde shpirtrave tanë, si do të njihnim Ty, si do të ngopeshim me Ty?
Ti je Ai që e ka bërë çdo qenie, një gjuhë dhe, mes këtyre gjuhëve, njeriun, një bilbil! Po, kështu bëre, pastaj na dhe mundësi t’i lexojmë ajetet e Tua që i shpërndave në çdo vatër dhe na e njoftove edhe një herë tjetër të vërtetën e amshuar në ndërgjegjjet tona! Në saje të kësaj e ndiejmë ne lidhjen mes Krijuesit dhe krijesës, hidhemi lart për te Ti, me burimet e intuitës në zemrat tona. Gjithashtu në saje të kësaj ne shpëtojmë prej labirinteve të errëta të egos, prej të panjohurave të botës ndjesore të kthyera në vorbull dhe mbrohemi! Duke të njohur Ty, gjetëm esencën e dijes dhe njohëm bukuritë e qëndisura prej Teje në shpirt të materies. Dhe nëse tani i kuptojmë urtësitë në fytyrë të çdo qenieje, i dëgjojmë, në çdo zë në natyrë, tingujt më të ëmbël brenda një burimi muzikor, kjo është krejtësisht sajë Teje! Në librin Tënd të shkëlqyer që na e shtrove para, ekspozove tablo me bukuri të pashoqe duke na i ngritur zemrat peshë! Duke na e zgjidhur gjuhën, na nderove me mundësinë që na dhe për t’u thurur epose bukurive të Tua! Edhe sikur me qindra herë ta studionim këtë librin e gjithësisë që është ekspozitë e bukurisë Sate të pangjashme, edhe sikur t’i dëgjonim shumë herë me radhë tingujt që mërmërisin ekzistencën Tënde dhe sikur të niseshim t’ua ofronim pa pushim këtë libër e këta tinguj shikimit e dëgjimit të spektatorëve të Tu të pasionuar, prapëseprapë nuk do të ngopeshim dot me këtë klimën dritësore Tënden, përsëri do të vraponim për të të dëgjuar Ty e për të të ndjerë Ty dhe, si të pasionuar të rrugës Tënde, vetëm Ty do të të pëshpërisnim ndër buzë!
O Mbreti që na i bën të afërta zemrat për bukuritë e fshehta të ekzistencës Sate! Qindra herë gjer më sot na folën për Ty, shumë herë me radhë u ofruan ujë parajsor zemrave të etura për dashurinë Tënde. Po ç’do, tani, pranë zërave si frymë parajsore të atyre shpirtrave të shkëlqyer të bërë dheu e pluhuri i rrugës Sate, fjala e këtij zëri të këputur, e kësaj violine të thyer?..Por, duke e bërë vel për fytyrën tonë të paturpshme mirëkuptimin Tënd të gjerë, që i fal gjithkujt të drejtën e fjalës, përkrah thirrjeve të lajmëtarëve të ndryshëm dhe fjalës oratorike të Burrit të Fjalës të portës Sate, strehohemi nën faljen Tënde duke thënë: “Ja dhe zëri ynë i prerë e i këputur!”..
Prapë, fjala atyre u takon. Duke e pohuar edhe një herë këtë, do të përpiqemi, që, në përputhje me fjalën e tyre, të të tregojmë sërishmi Ty dhe të arrijmë oqeanet e pafunda të aftësisë për të të njohur Ty!
Dëgjuam, gjer tani, një sërë lajmëtarësh që na kanë treguar për Ty, u vumë veshin zërave të tyre, e i kapëm sakaq shenjat e tyre. Dhe tani, duke i pranuar të çarat e hapura gjer këtu, si nga një dritare më vete, kërkojmë, me anë të shenjave dhe shenjuesve të Tu, të pyesim për Ty në çdo gjë, të të kërkojmë Ty në çdo vend dhe të ngjitemi nëpër rrugë të ndryshme për te Ti!
Na i ndriço sytë me nurin Tënd, dhe jepu zemrave tona shërim! Duke u falur këtyre rojeve të portës Sate që vrapojnë në ndihmë të atyre që kanë mbetur në rrugë, edhe një herë tjetër mundësinë për të treguar për Ty, jepu gëzimin e amshuar skllevërve që s’pranojnë çlirim të rrugës Sate! Ty të ka hije madhështia, kurse atyre, në fjalën për Ty, përulësia!..
Lutja
Lutja është ushqimi i shpirtit, ndaj ky ushqim i duhet dhënë pandërprerë!
* *
Lutja është një magjistar që i jep krahë vullnetit; sekretin e kësaj nuk arrijnë ta kuptojnë veçse ata që luten vazhdimisht!
* *
Duke i kapërcyer shkaqet dhe pretekstet, lutja është edhe siguria në fuqinë e Allahut, edhe shpallja e dobësisë së njeriut!
* *
Virusi më i rrezikshëm që i bie në qafë lutjes është njohja e shkaqeve si agjentë të vërtetë. Shpirti i kapur nga ky virus kërkon mjekim “ekstra”!
* *
Lutja më e mirë e bërë kundër dhunës, është lutja e bërë në kohën e prehjes dhe rehatisë!
* *
Zoti im! Shtoma besimin dhe sigurinë në Ty dhe në lutjet drejtuar Ty dhe më bëj ta ndiej me vetëdije se respektimi i shkaqeve është një detyrë!
* *
Zoti im!As nuk kam mundësi ta duroj ndëshkimin Tënd, e aq më pak kam fuqi të mbes pa mëshirën Tënde!
* *
Zoti im!E në bëfsha pabesi duke ndenjur larg Teje, gjendja ime thërret me të madhe se nuk do të mund të rri pa Ty! E kërkoj ndihmesën Tënde, jo për të shpëtuar prej pabesisë sime, por ngase kam aq shumë nevojë për Ty!..
Shënimet
- 8.Visari i Ruajtur, ku është shënuar gjithçka, që nga fillimi i krijimit e deri në Ditën e Kiametit.