PREZANTIM
Beili (Bailey) thotë: “Jetëgjatë janë ata që mendojnë shumë.” Të njëjtën ide, Xhejms Ellën (James Allen) e shpreh kështu: “Lëvizja është bulëzimi i mendimit, gëzimi apo dëshpërimi, fryti i tij!” Dhe kështu, njeriu jeton me fryte të ëmbla ose të hidhura, të cilat janë vepra e vet. Fakti që profeti Muhamed e ka konsideruar një orë mendim më me vlerë se sa adhurime suplementare shumëvjeçare, bart një rëndësi krejt të veçantë përsa i përket vlerës së mendimit.
Mendimi është foshnja e përkëdhelur e një truri që heq të prerat e lindjes. Kur Dekarti thoshte, “Mendoj, pra jam!”, përmblidhte në dy-tri fjalë qëllimin dhe synimin e jetës, urtësinë dhe shkakun e ekzistencës!
Ashtu siç ndodh që një ide e menduar para nesh nuk bëhet pengesë që atë ide ta mendojmë edhe ne, ashtu edhe një ide e menduar prej nesh nuk bëhet pengesë që edhe të tjerët ta mendojnë atë! Vetëm se asnjëri prej nesh nuk mund ta shprehë të njëjtën ide me të njëjtën formë mendimi. Forma e të shprehurit e cila, në përgjithësi, quhet stil i të shprehurit, është e pafundme në shumëllojshmërinë e saj si dhe identitet vetëm i vetvetes. Për rrjedhojë, stili i të shprehurit i çdo njeriu është i ndryshëm. Nëse pranojmë se stili ndikon mbi mendimin, atëherë, dy ide, në pamje si identike, do të paraqesin një ndryshim të dallueshëm, të paktën nga ky pikëvështrim.
Mendimi është dhunti, kurse formësimi i tij, aftësi. Ekzistenca nuk i nxjerr në shesh të fshehtat e saj vetvetiu; ato i zbulojmë ne duke kaluar nëpër shtigjet e mendimit. Edhe vetë ligjësitë e mendimit, me anë të mendimit i zbulon njeriu. Uniteti shkak-pasojë në formën e tij më të bukur vetëm në mendim ekziston.
Nëse pas lodhjes së shkaktuar prej përpjekjes të pazë, por gjigante në mjedisin intim të meditimit, arsyeja dhe logjika e thatë nuk ia presin udhën frymëzimit e nuk i bëhen pengesë imagjinatës të shpalosë flatrat, nëse, nga ana tjetër, frymëzimi dhe imagjinata nuk i thonë jo filtrit të arsyes dhe logjikës realiste, do të thotë se është ndezur, më në fund, shkëndija e shenjtë e quajtur ide! Kështu, idetë janë, për të gjithë njerëzimin, një pasuri kurdoherë e re!
Mendimi është ngjitje spirale e njohjes, ardhje e vetëdijes në formën e fjalës së bukur, ekuilibër mendje-zemër, begati e komunikimit kolektiv, far i orientimit, atlas i përvojës, tufë rrezesh e kumtesës, buzëqeshje e ngacmimit, buqetë e frymëzimit, hauz fshehtësish, informacion efektiv, trarë ideali, alfabeti Mors i misionit. Dhe, me aspektin e veprës që keni në dorë, silueta e përmbajtjes me dekor drite!
Shtëpia jonë botuese është e lumtur që po jua ofron juve, lexues të respektuar, “Kriteret ose Dritat e rrugës” me këto ndjenja e mendime!
Me dëshirën që ta shoqëroni me përpjekjen për të menduar...
Shtëpia Botuese “PRIZMI”